Situata në Ballkan ka qenë sërish në qendër të vëmendjes të Bashkimit Europian gjatë diskutimit mbi konkluzionet e samitit europian të 9 dhe 10 marsit në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk nuk ka fshehur se ka forca të brendshme dhe të jashtme që po punojnë me zell për të destabilizuar rajonin e Ballkanit, ndaj ishte e rëndësishme që liderët europianë të rikonfirmonin mbështetjen e qartë për perspektivën europiane të rajonit, si dhe angazhimin për reformat e integrimit dhe vazhdimin e projekteve në rajon. “Ne diskutuam për situatën e tensionuar në Ballkan gjatë darkës së punës së samitit europian. Ishte e qartë për të gjithë që forca të brendshme dhe të jashtme po punojnë me zell për të destabilizuar rajonin. Ndaj liderët europianë rikonfirmuan mbështetjen e qartë për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën europiane të rajonit. Ne gjithashtu shprehëm angazhimin dhe përkushtimin tonë të plotë për reformat proeuropiane dhe projekteve në vijim në rajon. Bashkimi Europian i mbetet besnik premtimeve të bëra në samitin e Selanikut, si dhe ruajtjes së stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. Shpresoj që ky sinjal pozitiv për rajonin do të dëgjohet”, është shprehur Donald Tusk, President i Këshillit Europian. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker pranon, se rajoni i Ballkanit është më i vështiri në Europë dhe se i duhet ofruar përkujdesja e duhur. “Ne patëm një debat intensiv mbi Ballkanin Perëndimor. Dua t’ju them këtu në emër të Komisionit Europian, të përfaqësueses së lartë të BE-së që është njëkohësisht zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, që ne duam t’u ofrojmë vendeve të Ballkanit një perspektivë të qartë. E di shumë mirë se kur kam thënë në fillim të mandatit tim, se nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE, kjo ka shkaktuar konfuzion në Ballkan. Por ne vazhdojmë negociatat me vendet e rajonit. Ballkani është rajoni më i komplikuar në Europë kështu që duhet t’i ofrojmë rajonit të gjithë përkujdesjen e duhur dhe konkluzionet e 27 shteteve anëtare në samit reflektojnë qartësisht qëllimet dhe ambiciet tona për Ballkanin”, është shprehur Jean-Claude Juncker, President i Komisionit Europian. Gjatë diskutimit të grupimeve politike, kryetari i grupimit të Partisë Popullore, Manfred Veber ka thënë qartë, se në kontekstin aktual nuk është realiste që Turqisë t’i ofrohet një anëtarësim i plotë në BE, por mund t’i ofrohet një partneritet për lëvizjen e lirë, arsimin dhe fusha të tjera. Grupimi i liberalëve në Parlamentin Europian përmes kryetarit Guy Verhofstad ka propozuar ngrirjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit të Turqisë në BE. Në Samitin e Selanikut në vitin 2003 ishte shprehur mbështetje që një ditë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE.
Mediat amerikane jehonë letrës së senatorëve drejtuar Tillersonit
Rrjeti televiziv amerikan “Fox News” i ka bërë jehonë letrës së 6 senatorëve amerikanë dërguar sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, të cilët shprehin shqetësimin për drogën dhe krimin e organizuar në Shqipëri. “Fox News” ka pasqyruar letrën e 6 senatorëve, ku shkruajnë gjithashtu se miliarderi amerikan George Soros, përmes shoqatave të tij po ndikon në politikën e Shqipërisë, por dhe në atë të Maqedonisë.
“Duke vënë në dukje jo vetëm situatën në Maqedoni, të cilën ata e përshkruajnë ‘si një aktivitet alarmant në këtë rajon të paqëndrueshëm’, ata vënë theksin edhe për gjendjen në Shqipëri”, raporton televizioni amerikan. Gjashtë senatorët e njohur amerikanë, në pjesën për Shqipërinë në letrën e tyre, shkruajnë: ‘Politikanë të nderuar nga Shqipëria kanë deklaruar se diplomatë amerikanë dhe organizata të Soros ndikojnë në çështje të caktuara politike në vendin e tyre. Veprime të tilla me efekte destabilizuese në një vend të NATO-s janë të qarta dhe përbëjnë kërcënim për përkeqësim të mëtejshëm të situatës, duke pasur parasysh se Shqipëria këtë vit mban zgjedhjet parlamentare’”.
Europol: Shqipëria vendi i parë që furnizon Europën me drogë
Organizata europiane për luftën kundër krimit dhe trafikut të organizuar “Europol” ka publikuar një raport lidhur me situatën e drogës në kontinent. Në raportin e “Europol” të titulluar “Krimi në moshën e teknologjisë dhe krimi i organizuar, kërcënimet e vitit 2017” thuhet se, Shqipëria mbetet burimi kryesor i bimëve të kanabisit në trafikun e Bashkimit Europian.
Raporti i Europol tregon tre rrugët kryesore që përdorin trafikantët e kanabisit; atë drejt Italisë me mjete lundruese – skafe, gomone, peshkarexha, anije, kamionë – drejt Holandës e Gjermanisë nëpërmjet Mali të Zi e Bosnjes dhe atë drejt Greqisë.
Këto janë rrugët ku gjatë vitit 2016 dhe fillimit të 2017 janë kapur sasitë më të mëdha të kanabisit të prodhuar në Shqipëri, disa dhjetëra tonelata. Raporti i Europol vjen pas deklaratës së kreut të antimafias italiane, i cili tha në Tiranë se prodhimi dhe trafiku i kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë është trefishuar.
I gjithë trafiku, sipas Europol, bëhet nga banda të krimit të organizuar. “Prodhimi i drogës, trafikimi dhe shpërndarja: Tregtia e drogës mbetet një nga format kriminale më të përhapura në BE. Më shumë se sa një e treta e grupeve kriminale aktive në BE janë të përfshira në prodhimin, trafikimin dhe shpërndarjen e llojeve të ndryshme të drogës. Shkalla e prodhimit industrial të drogës sintetike brenda vendeve të BE është zgjeruar dhe çimentuar në BE, duke u kthyer në burim kryesor në shpërndarjen e saj në gjithë globin”, thuhet në raportin e Europol.
Për kanabisin, prodhues kryesor i të cilit mbetet Shqipëria, në raport shkruhet:
“Kanabisi mbetet deri më tani, droga ilegale më e konsumuar në BE (EMCDDA & Europol 2016, EU Drug Markets Report 2016, p. 60). Në vitet e fundit, kanabisi bimor ka pasur një rritje të madhe mes konsumatorëve, kjo ka çuar në rritjen e prodhimit të tij në vendet pranë BE-së si dhe përdoruesve brenda tregjeve të BE. Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit bimor që trafikohet në BE”. Raporti është hartuar mbi bazën e të dhënave të shërbimeve të inteligjencës së disa vendeve, të cilat janë të prekura nga trafiku i drogës.
Në Shqipëri, kanabizimi i vendit është denoncuar me forcë nga PD në opozitë dhe LSI që është pjesë e mazhorancës. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i tij përgjegjës për rendin dhe luftën kundër krimit dhe drogës, Saimir Tahiri, e kanë mohuar kategorikisht. “More përse thoni se gjithë Shqipëria është mbushur me kanabis? A jeni në vete apo jo?” hakërrehej kryeministri Rama në studion e emisionit “Opinion”, në fund të vitit 2016.
Qeveria dhe Ministria e Brendshme në veçanti keqpërdorën një monitorim të Guardia Di Finanza, duke thënë se kishin shkatërruar 98% të drogës së mbjellë, kur në fakt bëhej fjalë për 98% të 17% të sipërfaqes së Shqipërisë.
Në luftën e shifrave, qarqe të qeverisë ushtruan jo pak presion edhe ndaj ambasadorit të OSBE, Borchardt, i cili tha se 2 miliardë euro para të pista të ardhura nga kanabisi janë gati për t’u përdorur për zgjedhjet. Një ditë më vonë, ai u thirr në një takim nga ministri i Brendshëm, Tahiri dhe pas takimit, të dy sqaruan se deklarata i referohej një raporti të vitit 2013, ndonëse deklarata e Borchardt bënte fjalë për 2 miliardë dollarë që do të hidheshin në zgjedhjet e 18 qershorit 2017.
Opozita thotë se paratë e kanabisit, që është kultivuar me leje të qeverisë dhe me implikimin e drejtpërdrejtë të policisë së drejtuar nga Saimir Tahiri, do të përdoren për të blerë zgjedhjet e 18 qershorit, ashtu siç u veprua në zgjedhjet e pjesshme të shtatorit 2016 në Dibër. Raporti i Europol ngre shqetësimin se grupet e krimit të organizuar në fushën e narkotikëve vazhdojnë të jenë aktivë në trafikun e kanabisit.
Tonelata me drogë raportohen çdo javë të kapura në Itali. Tonelata të tjera, dyshohet se kalojnë me gomone të fuqishme e kamionë. Të ardhurat e këtij trafiku në të cilin është implikuar edhe qeveria e policia, thotë opozita, do të shkojnë për të blerë vota. Kjo është një ndër arsyet kryesore që ajo kërkon të shkojë në zgjedhje me qeveri teknike.
R.POLISI
Avokati i Popullit dhe farsa e Ramës me vettingun
Që kur Parlamenti vendosi të kthejë procesin e rivlerësimit për kandidatët e organeve të Vettingut kanë kaluar 10 ditë, por deri tani nuk ka nisur asnjë veprim për verifikimin e aplikantëve, të cilët janë kualifikuar dhe u mungon një pjesë e dokumentacionit.
Top Channel mësoi se për disa ditë, Avokati i Popullit i ka bërë rezistencë Kuvendit për të marrë dosjet në dorëzim, derisa dosjet u protokolluan të gjitha ditën e hënë.
Burime nga të dy institucionet pohuan për Top Channel se pavarësisht marrjes në dorëzim, Avokati i Popullit nuk ka nisur ende procesin e verifikimit dhe as nuk ka hapur thirrjen për kandidatët e rinj.
Avokati i Popullit thotë se më parë i duhet të inventarizojë çdo dokument që gjendet në secilën prej dosjeve, në mënyrë që asnjë prej aktorëve të përfshirë në proces të mos këtë pretendime për korrektësinë e procedurave nga Avokati i Popullit.
Për ta kryer këtë, avokati ka kërkuar një grup të përbashkët pune me Kuvendin, por Top Channel mësoi se puna nuk do të nisë as deri të premten.
Një burim zyrtar bëri të ditur se Avokati i Populit i dërgoi të mërkurën Kuvendit një shkresë për të kryer inventarizimin së bashku duke nisur nga e premtja, një propozim që Kuvendi e cilëson si shtyrje të paarsyeshme të kohës, pasi administrata e tij ka qenë në çdo kohë e gatshme të punojë bashkë me Avokatin e Popullit.
Nëse nuk do të ketë shtyrje të tjera, procesi i verifikimit të kandidatëve aktualë për organet e Vettingut dhe thirrjes për kandidatë të rinj, pritet të hapet të hënën.
Bashkë me kohën që mund të marrin vëzhguesit ndërkombëtarë, procesi mund të rikthehet në Parlament në fillim të prillit, një periudhë shumë delikate politike.
Zjarr në Bibliotekën Kombëtare, digjen librat me vlerë historike
Një zjarr i dyshimtë me përmasa të mëdha ka rënë paraditen e djeshme në Bibliotekën Kombëtare në qendër të kryeqytetit, duke shkaktuar një dëm kolosal në librat me vlerë historike dhe të rrallë. Bëhet e ditur se, zjarri ka rënë rreth orës 10:40 në katin e nëndheshëm të godinës dhe si pasojë janë shkaktuar dëme të mëdha në Bibliotekën Kombëtare ku ruheshin letra me vlerë të historisë së kulturës sonë. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur 3 zjarrfikëse dhe është dashur një orë për shuarjen e flakëve, ndërsa ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi dëmet e sakta të zjarrit.
Të gjithë punonjësit e Bibliotekës u evakuuan nga zjarrfikësit dhe policia, ndërsa një prej rojeve, Arjan Çeçit i ra të fikët, i asfiksuar nga tymi. Sipas repartit të zjarrfikëses, zjarri është favorizuar pasi ky kat i nëndheshëm lidhet me disa tunele, të cilat e përhapin flakën. Shkaku i rënies së zjarrit ende nuk është përcaktuar dhe punonjësit e zjarrfikëseve ende nuk kanë arritur në vatrën e zjarrit.
Pamjet pas fikjes së zjarrit në katet e poshtme të Bibliotekës Kombëtare tregojnë një barbari të vërtetë me librat e hedhur ngado nëpër bodrume. Nëse shihen me kujdes pamjet filmike, dallohet se katrahura nuk është vetëm pasojë e flakëve, por hapësira e pamjaftueshme bën që librat të mbahen stivë dhe në rrëmujë në çdo vrimë të mundshme. Pamjet janë vërtetë skandaloze dhe tregojnë degradimin e Bibliotekës Kombëtare, ku rënia e zjarrit, ka qenë e dyshimtë.
Burimet nga Biblioteka bënë të ditur se, flakëve nuk iu shpëtuan as librat më të vjetër dhe të rrallë të saj. Nuk ka një konfirmim zyrtar mbi sasinë e librave të djegur, apo rëndësinë e tyre, pavarësisht se burimet thonë se janë djegur libra të rëndësishëm.
Zëvendësministri i Kulturës Zef Çuni, tha se janë fare pak libra të djegur dhe pjesë e një fondi të parëndësishëm. Ndërsa drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani në një dalje për mediat, duke qeshur la të kuptohet se janë djegur libra, të cilët janë të rekuperueshëm, ndërsa thotë se nuk është prekur mjedisi ku ruhen vlerat e rralla dhe arkivi shqip i BKSH-së dhe as Baza Elektronike e të Dhënave Kombëtare të BKSH-së.
Studiuesit bëjnë të ditur se, zjarri ka shkrumbuar edhe disa dokumenta të rralla që ishin depozituar në Bibliotekën Kombëtare nga Biblioteka e Korçës për shkak se kjo e fundit po restaurohet. “Janë djegur tre kodikë të shekullit XVI-XVII të Manastirit të Shën Pjetrit dhe Pavlit Vithkuq të Kishës së Postenanit Leskovik dhe Kishës së Shën Thanasit Voskopjë. Dorëshkrimet e Profesor Spiro Konda, studime pellazgjike, pesë ungjilla me kapakë ari e argjendi të shekullit XVIII. Fondet e Liceut Francez Korçë, etj. Këto dokumenta të rralla ishin depozituar në Biblikotekën Kombëtare nga Biblioteka e Korçës, pasi është në restaurim”, u shpreh një studiues arti për gazetën.
Rënia e zjarrit në Bibliotekën Kombëtare ishte paralajmëruar, ndërsa nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e tij. Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, ndërsa drejtuesja e Bibliotekës u shfaq e entuziazmuar para mediave, duke deklaruar se dëmet janë të vogla dhe të riparueshme. Drejtoresha tha duke qeshur se, nuk janë djegur botimet e rralla, por dëme jo të konsiderueshme ka në botimet e pas viteve ’90. Ndërkohë, fshehja e realitetit të djegies së librave të rrallë është një tjetër krim që bëhet nga drejtuesit.
R.POLISI
Reporterët pa Kufij dënojë dhunën ndaj gazetarit Fundo: Të ndëshkohen përgjegjësit
Organizata Reporterët pa Kufij ka reaguar së fundi për dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Elvi Fundo. Përmes një deklarate kjo organizatë shpreh keqardhje për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 8 marsit pranë stacionit të trenit në Tiranë, ku dy persona dhunuan barbarisht gazetarin e portalit CityNews.al
“Kohët e fundit gazetari Fundo ka investiguar financimin e disa mediave, përfshi këtu televizionin “Ora News”, një kanal privat që transmeton lajme”, thuhet në deklaratën e Reporterëve pa Kufij, duke shtuar atë që Fundo ka thënë nga spitali se dhuna ndaj tij mund të ketë lidhje me raportimet e fundit.
“Ne shpresojmë që të bëhet çdo gjë që është e mundur për të identifikuar përgjegjësit e këtij sulmi dhe vënien e tyre para drejtësisë”, deklaron Pauline Ades Mevel, kreu i zyrës së Reporterëve pa Kufij për rajonin e Ballkanit.
Në deklaratë përmendet gjithashtu se për këtë rast ka reaguar edhe kryeministri Rama dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në fund, Reporterët pa Kufij theksojnë faktin se, Shqipëria është e renditur në vendin e 82 nga 180 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror për vitin 2016.
Dosja Rama-Soros në zyrën e Tillerson
Gjashtë senatorë amerikanë i janë drejtuar përmes një letre sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Rex W. Tillerson ku i kërkojnë nisjen e një hetimi mbi përdorimin e fondeve të qeverisë amerikane nga ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe zyra e USAID-it në Maqedoni e Shqipëri, si dhe hetimin e rolit të Fondacionit Soros dhe organizatave të lidhura me të. Duke u ndalur fillimisht tek Maqedonia, senatorët vënë theksit tek ndërhyrja aktive e ambasadës amerikane në politikën atje duke ushtruar influencë dhe përdorur mediat, si dhe shoqërinë civile gjithashtu në favor dhe mbështetje të grupimit të majtë politik. Senatorët ngrejnë pikëpyetje dhe dyshime mbi rolin e ambasadës amerikane në përdorimin apo shpërndarjen e fondeve të qeverisë amerikane. Gjatë viteve të shkuara, USAID i ka dhënë fonde Fondacionit Soros në Maqedoni dhe organizatave jo qeveritare të lidhura me të. Ky fakt e politizon rolin e ambasadës amerikane në vend. “Ne duhet të qëndrojmë larg promovimit të politikave, të cilat janë të dyshimta edhe në vendin tonë dhe kanë mundësi të dëmtojnë marrëdhënien tonë me qytetarët e vendeve përfituese”, u shprehën senatorët. Përveç Maqedonisë, gjashtë senatorët theksuan se një gjendje e tillë problematike po ndodh edhe në Shqipëri. E duke u ndalur konkretisht në Shqipëri, senatorët theksojnë se Fondacioni Soros dhe ekspertët e tij, me fonde nga USAID kanë krijuar dokumentin kontradiktor strategjik për Reformën në Drejtësi. Senatorët e cilësojnë si tejet destabilizuese një ndërhyrje të tillë, ndërsa nënvizojnë këtë ndikim si shqetësues në rritjen e korrupsionit qeveritar në Shqipëri dhe për rritjen e fuqisë së grupeve kriminale dhe të trafikut të drogës në vend. Në këto kushte senatorët i kërkojnë sekretarit të Shtetit që të përdorë autoritetin e tij për të investiguar të gjitha fondet për promovimin e demokracisë dhe qeverisjes dhe të rishqyrtojë programet, llogaritë dhe numrin e organizatave amerikane të përfshira në aktivitete të tilla.
Senatorët: Reforma në drejtësi për ti dhënë kontrollin Kryeministrit
I dashur Sekretari Tillerson,
Urime për detyrën si sekretar i Shtetit. Ne presim me padurim të punojmë me ju për shumë çështje të politikës së jashtme me të cilat do të përballet vendi ynë në vitet që vijnë.
Siç jeni pa dyshim në dijeni, Maqedonia i ka hyrë procesit të ndërtimit të koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve të dhjetorit 2016. Fatkeqësisht, kemi marrë raporte të besueshme se, gjatë viteve të fundit, Misioni i SHBA atje ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikën partiake në Maqedoni, duke ndikuar edhe në krijimin e ambientit mediatik e të shoqërisë civile, shpesh duke favorizuar grupe politike me prirje nga e majta, para të tjerëve. Këto raporte i konsiderojmë dekurajues dhe nëse janë të vërtetë, shumë problematikë.
Ambasadorit amerikan në Maqedoni i janë dërguar disa letra, me të cilat kërkohen shpjegime për rolin që Misioni i SHBA në Maqedoni luan në shpërndarjen e ndihmës amerikane atje, në peizazhin politik shpeshherë të trazuar maqedonas dhe në formimin e ambientit mediatik e të shoqërisë civile në Maqedoni. Përgjigjet për këto letra nuk na e kanë lehtësuar shqetësimin.
Një pjesë e mirë e aktivitetit shqetësues në Maqedoni është vënë në lëvizje përmes fondeve të USAID-it, dhënë organizatave të tilla si Open Society Foundations të George Sorosit. Si marrës i shumë granteve e duke shërbyer si kontraktor i USAID-it në implementimin e projekteve në këtë vend të vogël me 2.1 milionë banorë, ndihma jonë e jashtme, e financuar nga paratë e taksapaguesve, shkon shumë larg, duke lejuar që Fondacioni Open Society Macedonia (FOSM) të zhvillojë një axhendë majtiste dhe të gjallërojë të majtën politike. Ndihma jonë e jashtme ekonomike duhet të përdoret në promovimin e një axhende politike vetëm nëse është në interesin ekonomik apo të sigurisë të vendit tonë, madje edhe në një rast të tillë duhet të jemi të kujdesshëm e të tregojmë respekt. Ne duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm në promovimin e politikave që mbeten kontradiktore edhe në vendin tonë dhe që kanë potencialin për të dëmtuar marrëdhëniet tona me qytetarët e vendeve të tjera.
Ky problem nuk kufizohet vetëm në Maqedoni, por duket se ka një model aktiviteti alarmues në rajonin e paqëndrueshëm. Liderë të respektuar nga Shqipëria kanë pasur ankesa të ngjashme për diplomatë amerikanë dhe organizata të përkrahura nga Soros që nxisin për rezultate të caktuara politike në vendin e tyre.
Fondacioni Open Society Albania (FOSA) dhe ekspertët e tij, me fonde nga USAID kanë krijuar dokumentin kontradiktor strategjik për Reformën në Drejtësi. Disa liderë besojnë se këto “reforma” kanë si qëllim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi drejtësinë.
Efektet destabilizuese të veprimeve të tilla në një vend anëtar të NATO-s janë të qarta, ashtu si dhe kërcënimi për përshkallëzim të mëtejshëm, teksa Shqipëria është në prag të zgjedhjeve parlamentare. Kjo është veçanërisht shqetësuese në dritën e raporteve ndërkombëtare për rritjen e korrupsionit qeveritar në Shqipëri dhe për rritjen e fuqisë së grupeve kriminale dhe të trafikut të drogës në vend.
Me këto dhe situata të tjera në mendje, është shqetësuese që kjo sjellje është bërë dominuese në shumë nga ambasadat tona, misionet e USAID dhe diplomatike kudo në botë. Përherë e më tepër, liderë të huaj që vijnë në Washington na kanë shprehur shqetësimin se si fondet e taksave amerikane po përdoren në mënyrë joproduktive në vendet e tyre. Situata në Shqipëri e Maqedoni është shembull i qartë i kësaj, por kemi pasur shqetësime të ngjashme edhe nga vendet e Amerikës Latine dhe Afrikës.
Ju kërkojmë me respekt që të përdorni autoritetin tuaj për të investiguar të gjitha fondet për promovimin e demokracisë dhe qeverisjes dhe të rishqyrtojë programet, llogaritë dhe numrin e organizatave amerikane të përfshira në aktivitete të tilla. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment kritik, në fillimin e administratës së re, për të shqyrtuar se si përdoren paratë e taksave tona, në mënyrë që të ndalim aktivitete që nxisin trazira politike, mosrespektim të vendeve sovrane dhe shoqërisë civile dhe që minojnë përpjekjet tona për të ndërtuar marrëdhënie të vlefshme ndërkombëtare.
Presim të vazhdojmë punën me ju në të ardhmen dhe shpresojmë të nisim një marrëdhënie dëshire reciproke për përgjegjësi dhe transparencë në programet tona diplomatike dhe të ndihmave.
Fondet e USAID në Shqipëri, 6 milionë dollarë ish-gruas së Ramës
Nëse hetohet marrëdhënia ndërmjet USAID-it dhe Fondacionit Soros në Shqipëri do të dalë në dritë fakti se USAID ka lidhje të forta me Fondacionin Soros në projektet e zbatuara në Shqipëri. Së fundmi, USAID ka mbështetur organizatën konsulente East-West Management Institute (EWMI) me një fond prej 6 milionë dollarësh për promovimin e reformës në drejtësi. EWMI, organizatë e mbështetur nga Soros, është i vetmi përfitues i të gjithë fondit të USAID për mbështetjen e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Drejtoresha e Programit për Shoqërinë Civile në EWMI është Delina Fico, ish-bashkëshorte e Kryeministrit Rama dhe bashkëshortja e ish-ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi. Zonja Fico, e cila ka qenë drejtuese dhe bashkëpunëtore e Fondacionit Soros në Shqipëri që në vitin 1991, kohët e fundit ka përfituar një fond prej 9 milionë dollarësh nga USAID-i në Maqedoni përmes bashkëpunimit të EWMI dhe Fondacionit Soros. Letra e dërguar nga gjashtë senatorët e SHBA-ve vjen në një kohë që Departamenti i Shtetit po rishikon politikat e tij në Ballkan dhe mënyrën se si fondet e tyre janë përdorur për të favorizuar lëvizje të veçanta politike gjatë katër viteve të fundit. Duket se kjo do të sjellë ndryshimin e politikave, të cilat do të riformojnë marrëdhënien ndërmjet ambasadës amerikane dhe qeverive të ardhshme në Shqipëri.
Hajdari i Ramës vjedh qindra milionë lekë të fondeve publike
Inspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, i cili është në varësi të kryeministrit Rama akuzohet për vjedhjen e qindra milionë lekëve të fondeve publike. Denoncimi është bërë nga një inspektor, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Inspektori dixhital denoncon:
– Inspektorin e përgjithshëm Shkëlqim Hajdari për vjedhje dhe shpërdorim të fondeve publike në qindra milionë lekë dhe
– mbrojtjen e tij nga Edvin Kristaq Rama edhe pas denoncimit të tij nga emisioni STOP”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e inspektorit dixhital.
“I nderuar Dr. Berisha, Inspektori i Përgjithshëm Shkëlqim Hajdari, mbrëmë ishte objekt i emisionit investigativ “STOP” për mashtrimin e madh që u ka bërë shqiptarëve se inspektimet në Shqipëri bëhen Online. Në të vërtetë Inspektorati Qendror i ka paguar Portalit “Inkubinfo”, 100.000.000 lekë të vjetra çdo vit nga shtatori i vitit 2013, dhe janë blerë 750 Laptop me nga 1.500.000 lekë të vjetra secili dhe për 4 vjet ka vazhduar pagesa rregullisht. Deri më sot nuk është bërë asnjë inspektim online në asnjë subjekt shtetëror a privat nga Inspektorati Qendror e Inspektoratët Shtetërorë, në gjithë Shqipërinë. Shkëlqim Hajdari ka mashtruar dhe vijon korrupsionin e shpërdorimin e fondeve publike buxhetore e abuzim me detyrën. Ndaj dje dt.21.2.2017 ishte dhe objekt i emisionit investigativ “STOP”. Ai është në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit dhe ka si suport Bamirin. Kryeministri akoma s’e ka shkarkuar. Me këto lekë, qeveria mund të siguronte pajisjet për Votimin Elektronik për zgjedhjet e 18 qershorit. Dokumentat janë në Thesar dhe financën e Inspektoratit Qendror. Le t’i verifikojë, “STOP”-i, KLSH e Prokuroria, e respekt inspektori…”, shkruan inspektori në mesazhin dërguar ish-Kryeminsitrit Berisha.
Ministrja Nikolla aktivitet partiak me nxënës në Laç
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka zgjedhur që të ndërpresë procesin mësimor dje në shkollat e Laçit për motive partiake. Një aktivitet i Partisë Socialiste, ku ishte e deleguar nga qendra partiakja e lartë, njëkohësisht ministre e Arsimit, e ka mbushur sallën e Pallatit të Kulturës me nxënës, duke i mbajtur larg bankave të shkollës. Një prind i ka dërguar një foto Politiko.al, bashkë me informacionin se nxënësit janë marrë kundër dëshirës. Aktiviteti ishte njoftuar për të shtunën, por pas një njoftimi të dytë është mbajtur ditën e djeshme. Nxënësit janë fotografuar, duke pritur në radhë që të futen në Pallatin e Kulturës së qytetit të Laçit ku do të mbante fjalim ministrja Nikolla.