Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në krye të delegacionit zyrtar, u nis sot drejt Azerbajxhanit për të marrë pjesë në Forumin e 5-të Global të Bakusë me temë: “E ardhmja e marrëdhënieve ndërkombëtare: Pushtet dhe interesa.” Gjatë punimeve të Forumit Global, Kreu i Shtetit shqiptar do të mbajë një fjalim lidhur me temën kryesore që do të diskutohet nga të pranishmit. Nishani do të zhvillojë një takim zyrtar me Presidentin e Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev si dhe pritet të ketë takime dypalëshe me homologë pjesëmarrës në Forumin e Bakusë.
Basha: Rama, 500 milionë euro për projekte fasadë
Kryedemokrati Lulzim Basha bashkëbisedoi dje tek sheshi i lirisë mbi situatën urbanistike dhe fasadat e Edi Ramës në infrastrukturë. Pedagogë, inxhinierë, arkitektë dhe qytetarë të thjeshtë, bashkëbiseduan për një nga problemet e mëdha të qeverisjes sot: fasadat. Lulzim Basha i quajti fasadat jo thjesht propagandë, por instrumentin e kësaj qeverie për të vjedhur shqiptarët përmes projekteve pa vlerë, jo cilësore dhe të rënda për xhepat e lodhur të shqiptarëve, të cilët kërkojnë cilësi në jetën e përditshme. Urbanisti Besnik Aliaj u shpreh se zgjedhjet e vitit 2014 nuk sollën ndryshim, por putinizëm. Ai denoncoi projektet klienteliste të Parkut të Liqenit, të stadiumit, si dhe të Sheshit Skënderbej. Në mënyrë të veçantë ai denoncoi shkeljen e ligjeve të informimit të publikut dhe të pjesëmarrjes së tij në vendimmarrje. “Planet rregulluese nuk u diskutuan kurrë me njerëzit, ndërkohë që ligji thotë minimalisht tre muaj konsultim. Vetëm 48 orë përpara kërkoi të bënte një proces konsultimi sa për t’i hedhur hi syve të njerëzve. Ky është shteti i hipokrizisë që mbahet me fasada. Ne kemi nevojë për një qeveri teknike e Shqipëri teknike”. Urbanistja Kreuza Leka u shpreh se, “Rama e tregoi se arsyeja që donte të bëhej kryeministër ishte interesi i tij për lejet e ndërtimit. Ajo që u bë me Rilindjen, ishte shkelja e ligjit dhe korrupsion masiv duke nisur me prokurimet e duke përfunduar tek lejet e rezervuara për oligarkët”. Përfaqësuesi i Unionit të Arkitektëve dhe Urbanistëve të Shqipërisë, Enver Bregasi kritikoi mënyrën e përzgjedhjes së projekteve të mëdha arkitekturore që përqendrohen në qendër duke i lënë ato të paarritshme nga shumica e popullsisë. Pedagogia Etleva Dobiani, denoncoi shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, veçanërisht projektin e by pass-it të Gjirokastrës, projekti fitues i të cilit nuk ishte as në nivelin e studentëve të arkitekturës. Arkitekti Ervin Minarolli tha se edhe propaganda e humbet efektin e saj kur në katër vite kjo qeveri nuk ndërtoi asnjë kilometër rrugë. Elisabeta Susaj foli për fasadën mjedisore. “Jam e indinjuar me betonizimin që i bëhet qytetit tim. Betonizimi i qendrës 40 mijë metër katrorë është diçka që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. Ajo qendër do të shërbejë si panel diellor dhe do të kemi efektin serrë dhe nxehtësia do të përhapet kudo. Ashtu si edhe në dimër ku do të ketë rrëshkitje dhe akuj pasi mungon edhe infiltrimi i ujërave të rreshjeve”. Inxhinieri Endrin Gjipali, kritikoi ligjin e prokurimeve publike, i cili në gjendjen siç është nuk zgjidh ofertën më të mirë, por sjell fasada. Lulzim Basha tha se fasadat për të cilët të ftuarit ngritën shqetësimet e tyre, janë e vërteta e hidhur me të cilën përballen gjithë shqiptarët sot. “Çfarë është qeverisja fasadë? Është kjo që ka bërë të mundur në vetëm 4 vite shndërrimin e Shqipërisë në një hambar droge, në një Republikë të sunduar nga krimi, në një ekonomi të shkatërruar dhe një shoqëri civile dhe media të kthyer tërësisht në funksion të fasadës. Demokraci fasadë, Parlament fasadë, qeverisje fasadë dhe tani duan zgjedhje fasadë, zgjedhje të kapura, zgjedhje të diktuara nga krimi”. Fasadat e kësaj qeveri nuk shkatërrojnë vetëm cilësinë e jetesës së qytetarëve, por edhe ekonominë dhe të ardhmen e saj, si instrument vjedhjeje në dorën e pushtetit, sipas Bashës. “Por fasada nuk është vetëm simboli i gënjeshtrës, fasada është edhe instrumenti i vjedhjes së shqiptarëve. Sepse prapa fasadës nuk është se nuk ka asgjë, por ka një tavolinë ku bashkohen pushtetarë të korruptuar, kriminelë, oligarkë dhe media të bëra njësh me qeverinë, me një qëllim, të vjedhin Shqipërinë dhe shqiptarët dhe të mashtrojnë dhe të gënjejnë nga mëngjesi në darkë. E pra, shikoni se çfarë ka bërë për 4 vite, e tregon buxheti i Edi Ramës në 4 vite, ka harxhuar 500 milionë euro për projekte fasadë”. Basha tha se përtej fasadës “po bëjmë shtet”, ndodhet e vërteta e shtetit të dështuar dhe të falimentuar të Edi Ramës, shtetit më të kriminalizuar në mes të Evropës. “Pas uniformave të reja të policisë, po kështu një fasadë me anë të së cilës Rama-Tahiri kanë vjedhur milionat e taksapaguesve shqiptarë, ndodhet mafia më e rrezikshme në Evropë, narkomafia e cila ka shndërruar Shqipërinë në hambar droge. Kjo fasadë ka qenë dhe mbetet thelbi i propagandës së Edi Ramës, propagandë që paguhet me këto para dhe paguhet shtrenjtë shumë. Dje, EUROPOL-i, ka bërë publik raportin për gjendjen e narkotikës në Europë. Fasada e Edi Ramës: Ku është droga? EUROPOL-i për fat të keq e thotë fare qartë. Shqipëria është numër një për kanabisin në Europë dhe vend kryesor për trafikun e drogës”. Kryedemokrati Basha i bëri edhe një herë thirrje qëndresës popullore në ditën e saj të 26 të ngrihet bashkë edhe për vlerat e përbashkëta evropiane dhe euroatlantike.
Presidenti kinez pritet të vizitojë SHBA
Presidenti amerikan, Donald Trump ka në plan të presë presidentin kinez, Xi Jinping për një takim dyditor muajin e ardhshëm në vilën e tij në Florida, në brigjet e Oqeanit Atlantik. Ky do të jetë takimi i parë i të dy udhëheqësve.
As Uashingtoni dhe as Pekini nuk e kanë konfirmuar takimin në pronën Mar-a-Lago të zotit Trump, por mediat amerikane njoftojnë se takimi mes dy presidentëve të ekonomive më të mëdha të botës është në plan në mbahet më 6 dhe 7 prill.
Sipas njoftimeve, sekretari i Shtetit, Rex Tillerson pritet t’i përfundojë planet për takimin Trump-Xi gjatë vizitës së tij në Pekin këtë javë. Ministria e Jashtme e Kinës tha dje se të dy vendet kanë qenë në komunikim të afërt lidhur me takimin midis udhëheqësve të tyre.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha të hënën se zoti Trump dhe zoti Xi kanë në plan të diskutojnë lidhur me kërcënimin që paraqet programi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe i provave me raketa, si dhe çështje të tjera.
Presidenti Trump shpesh i ka kërkuar Kinës të përpiqet t’i frenojë veprimet agresive të Phenianit, duke përmendur ndikimin e Pekinit tek regjimi i udhëheqësit koreanoverior Kim Jong un.
Shtetet e Bashkuara, po ashtu kanë shprehur kundërshtim ndaj krijimit nga Pekini të ishujve në Detin e Kinës Jugore, duke çuar herë pas here anijet kineze pranë ishujve që gjenden në ujëra ndërkombëtare, si një shprehje e forcës në rajon.
Ndërsa Kina pati shprehur shqetësim ndaj SHBA, kur Trump fillimisht foli për mundësinë e fundit të politikës së një Kine të vetme, që pranon pretendimin e Pekinit për Tajvanin si pjesë e Kinës. Gjatë tranzicionit të pushtetit, zoti Trump bisedoi në telefon me presidentin tajvanez Tsai Ing-wen, i cili e uroi atë për fitoren në zgjedhjet e nëntorit. Ky veprim binte në kundërshtim me qëndrimin e mëparshëm amerikan për kontrollin e Tajvanit ndaj Kinës, që Uashingtoni e ka pranuar për herë të parë në vitin 1979.
Por një muaj më parë, Trump e siguroi zotin Xi në një bisedë telefonike, se nuk ka për të patur ndryshim në politikën amerikane të një Kine të vetme, duke e lehtësuar kështu mbajtjen e takimit të planifikuar për në prill mes të dy presidentëve.
10 kushtet për t’u bërë trajneri i ri
Luis Enrike do t’i japë lamtumirën Barcelonës në fund të këtij sezoni dhe klubi katalanas ka filluar menjëherë kërkimet për zëvendësuesin e tij. Sipas mediave spanjolle, nuk është e thjeshtë të gjesh një zëvendësues në lartësinë e duhur, pasi klubi ka një “manual” me 10 kërkesa, të cilat ai duhet t’i plotësojë medoemos.
Të njohë ambientin. Pika e parë dhe më thelbësorë është se kërkohet një trajner, i cili njeh si funksionon Barcelona dhe të cilit nuk është nevoja që t’i shpjegohen parimet thelbësore të filozofisë katalanase. Nga kjo pikëpamje, nuk dëshirohet të ndiqet shembulli i gabuar i afrimit të Tata Martinos.
Prirja ndaj akademisë. Ky është parimi bazë i klubit. Punohet shumë vite që nga kategoritë më të ulëta për të nxjerrë talente të aftë për të treguar vlerat te ekipi i parë. Lista e yjeve të dalë nga ‘La Masia’ është e gjatë: Mesi, Pyjol, Iniesta, Pike, Buskets, Çavi, Valdes, Pedro, Guardiola, Alba, Serxhi Roberto… Ky rrugëtim do të vazhdojë pavarësisht atij që do të zgjidhet si trajneri i ri.
Eksperiencë në punë dhe njohje e mirë e La Liga. Trajektorja që ka ndjekur trajneri është shumë e rëndësishme, ndërsa ai duhet të tregojë se në të kaluarën ka pasur sukses në administrimin e grupit. Edhe njohja e kampionatit është shumë e rëndësishme, pasi kërkon vijueshmëri rezultatesh pozitive.
Administrimi i karrierës së Mesi, Iniesta e Suarez. Trajneri i ri duhet të ketë parasysh se duhet të administrojë më mirë minutazhin e këtyre tre lojtarëve sapo ata të kalojën moshën 30-vjeçare. Duhet kujdes, pasi janë të gjithë futbollistë me ego, por duhet shfrytëzuar në çdo mënyrë rendimenti i tyre maksimal pa i mbingarkuar.
Të jetë një njeri i besueshëm i klubit. Trajneri i ri duhet të respektojë vendimmarrjen e klubit edhe kur nuk është dakord me të. Një shembull mund të jetë çështja e gjyqtarëve. Nëse klubi vendos që nuk duhet folur për ta, edhe trajneri duhet të mos e bëjë një gjë të tillë.
Të respektojë stilin dhe filozofinë e lojës. Më shumë se një skemë e thjeshtë 3-4-3 apo 4-3-3, filozofia e Barcelonës është të luajë në sulm. Ky është kusht për të cilin nuk bëhen lëshime. Trajnerët mbrojtës apo që luajnë në kundërsulm, nuk kanë vend apo të ardhme te Barcelona.
Të ruajë profesionistët në staf. Barcelonës nuk i nevojitet një trajner që merr kudo një shpurë të gjerë ndihmësish me vete. Klubi ka të punësuar profesionistë, të cilët kujdesen për aspekte të ndryshme që nga fëmijët e deri te ekipi i parë, ku përfshihen mjekë, përgatitës atletikë apo fizioterapistë të nivelit më të lartë.
Marrëdhënie e mirë me shtypin. Drejtuesit nuk duan që çdo konferencë për shtyp të kthehet në një sherr banal me gazetarët. Ndaj kërkohet që të ruhet marrëdhënia sa më e mirë me të gjithë edhe pse në fakt Luis Enrike nuk e zbatonte gjithmonë këtë rregull.
Të respektojë zërin e “eksperiencës” së klubit. Projekti i ri i viteve të ardhme i Barcelonës quhet “Masia 360”, e cila do të përqendrohet te mbledhja e eksperiencave të personave që kanë krijuar këtë klub ndër vite. Trajneri i ri duhet të respektojë këtë eksperiencë dhe këshillat e saj në të gjitha nivelet.
Barcelona nuk është një klub trampolinë. Trajneri i ri nuk duhet të mendojë për një projekt të ardhshëm pas Barcelonës dhe çdo fokus i tij duhet të jetë ekskluzivisht tek e tashmja. Për sa u përket blerjeve, duket të ketë komunikim të plotë me përgjegjësit e zonës teknike dhe të pranojë vendimet e klubit.
Prostitucion, dhunë e falsifikime, Zotkaj i dënuar pesë herë
Trafikim prostitucioni, ushtrim dhune, falsifikim të dokumentacioneve, kundërshtim të forcave të rendit e shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Janë këto pesë akuzat që rëndojnë ndaj kryebashkiakut socialist të Poliçanit, për të cilin tashmë Prokuroria zyrtarisht kërkon heqjen e mandatit. Dje mediat kanë zbardhur dëshminë e penalitetit të kryetarit të Bashkisë së Poliçanit Adriatik Zotkaj. ABC News ka publikuar dje dëshminë e penalitetit, ku janë pasqyruar me detaje 5 dënimet penale të formës së prerë. Veç dëshmisë së penaliteti është dhe dokumenti për shkurtimin e vendimit të Gjykatës së Skraparit që mban vitin 1985, ku Zotkaj është dënuar për 4 muaj në riedukim për të kryer punë publike.
Pikërisht këtë vendim, Zotkaj nuk e ka pasqyruar në formularin e parë të “Dekriminalizimit”, duke u bërë shkak që Prokuroria t’i kërkojë KQZ ndërprerjen e mandatit të Zotkajt.
Sipas Prokurorisë, mospasqyrimi i këtij dënimi në formular ka bërë që kreu i Bashkisë së Poliçanit të ketë konsumuar veprën penale të “falsifikimit të formularëve”, akuzë për të cilën tashmë edhe po hetohet nga Prokuroria.
Nga ana tjetër, në kërkesën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkohet ndërprerja e mandatit të kreut të Bashkisë së Poliçanit, organi i akuzës argumenton se formulari i dytë, i korrigjuar nga Adriatik Zotkaj dhe i pranuar nga KQZ-ja nuk ka vlerë ligjore.
Sipas akuzës, vetëm formulari i parë, i dorëzuar më 26 prill 2016 është i vlefshëm dhe brenda afatit ligjor. Çdo formular tjetër apo material, thuhet nga prokurori, i dorëzuar pas datës 26 prill 2016 në KQZ nuk mund t’i nënshtrohet verifikimit, pasi është marrë dhe administruar në kundërshtim të hapur të ligjit dhe është formular i pavlefshëm.
Për këtë fakt, thonë prokurorët, kanë nisur edhe hetimet ndaj zyrtarëve të KQZ-së, pasi kanë pranuar korrigjimin e 29 formularëve të parë, në kundërshtim të ligjit.
Ndërkohë Adriatik Zotkaj, sipas dëshmisë së penalitetit, është dënuar 5 herë me vendime penale.
Në vitin 1985 nga Gjykata e Skraparit për akuzën e “fyerjes dhe goditjes për shkak të detyrës”.
Në vitin 1992 Gjykata e Korçës e ka dënuar me 3 vjet burg për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Në vitin 2001 po Gjykata e Skraparit e ka dënuar me 10 muaj burg për kundërshtim të forcave të rendit.
Në vitin 2002 Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 12 muaj burg për veprime arbitrare dhe falsifikim të dokumenteve.
Një vendim tjetër i Gjykatës së Beratit që mban vitin 2006.
Sipas Prokurorisë, e cila kërkon heqjen e mandatit të tij si kryebashkiak, citohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer verifikimet paraprake në zbatim të Ligjit 138/2015 dhe vendimit 17/2016 të Kuvendit të Republikës pranë Drejtorisë së Burgjeve, konfirmon vendimet e mësipërme dhe vlerëson se subjekti nuk përfshihet brenda fushës së ndalimeve të nenit 2 të Ligjit 138/2015, pasi sipas nenit 4, të Ligjit nr. 138/2015, për këto dënime kanë kaluar afatet e rehabilitimit. Sektori i Verifikimit të Integritetit në Prokurorinë e Përgjithshme i është drejtuar me kërkesa përkatësisht, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vënë në dispozicion Dëshminë e Gjendjes Gjyqësore të subjektit, datë 23.02.2017. Gjykata e Shkallës së Parë Berat ka vënë në dispozicion vendimet penale të formës së prerë, datë 29.07.1985; datë 01.02.2001; dhe datë 29.12.2006. Gjykata e Shkallës së Parë Korçë ka vënë në dispozicion vendimin datë 19.03.1992. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vënë në dispozicion vendimin penal të formës së prerë, nr. 370, datë 21.05.2002 në emër të subjektit deklarues Adriatik Zotkaj. Subjekti, nga përgjigjet dhe verifikimet e kryera, rezulton se nuk ka deklaruar vendimin gjyqësor të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Skrapar nr. 20, datë 29.07.1985, edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të formularit të vetëdeklarimit, njëjtë siç ka deklaruar dhe vendimet e tjera penale dhënë nga Gjykatat e Shkallës së Parë Skrapar, Korçë dhe Tiranë.
Akuza për trafikimin e tetë vajzave në Itali
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për kryetarin e Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj pas dëshmisë së një të pandehuri, i cili e ka përmendur emrin e tij. Procesi kundër Leonard Muçajt ka marrë një kthesë tjetër, pasi i pandehuri nën akuzë për trafik të të miturve i ka kërkuar llogari akuzës se përse hetojnë atë dhe jo Zotkën. “Pse më hetoni mua për një rast?! Hetoni Adriatik Zotkën. Ai ka trafikuar tetë vajza në Itali”, ka thënë ai. Në këto kushte, prokurorët e dosjes kanë përcjellë procesverbalet e seancës gjyqësore tek eprorët, të cilët nga ana e tyre kanë urdhëruar fillimin e hetimeve. Zotkaj i ka fshehur të gjitha dënimet e tij në formularin e dekriminalizimit.
Zoktaj fshehu dënimet në formularin e dekriminalizimit
Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Adriatik Zotkaj i duhet ndërprerë mandati i kryetarit të Bashkisë, pasi rezulton se: Adriatik Zotkaj, referuar Ligjit nr. 138/2015, ka dorëzuar një formular vetëdeklarimi të administruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datë 26.04.2016, të plotësuar në datë 22.04.2016, pra, brenda afatit ligjor të përcaktuar në vendimin nr. 17/2016, të Kuvendit të Shqipërisë.
Më pas, në datë 10.06.2016 subjekti ka dorëzuar një formular vetëdeklarimi të dytë bashkë me një deklaratë të firmosur nga vetë ai dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar ta administrojë, në shkelje të afateve ligjore.
Në datë 04.01.2017, përsëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka administruar një kërkesë të subjektit Adriatik Zotkaj, të cilit i ka bashkëlidhur vërtetimin e gjendjes gjyqësore nr. 1 prot., datë 24.11.2016.
Gjithashtu në datë 14.02.2017, datë në të cilën është përcjellë dhe kërkesa për verifikim të thelluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka protokolluar dhe administruar një vërtetim datë 14.02.2017, të lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat. Këtij vërtetimi i janë bashkëlidhur dy vendime gjykate, me kërkues subjektin Adriatik Zotkaj. Sektori i Verifikimit të Integritetit ka verifikuar vetëm të dhënat e formularit të datës 22.04.2016, të administruar më 26.04.2016 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi sipas Ligjit nr. 138/2015 dhe vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, ky formular është i vetmi formular që është plotësuar, duke respektuar afatet ligjore. Çdo formular tjetër apo materiale të tjera, nuk mund t’i nënshtrohen verifikimit, pasi bien në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në formularin e parë të përcjellë për verifikim, nga ana e sektorit është konstatuar se subjekti ka deklaruar, një vendim penal të formës së prerë të Gjykatës së Rrethit Korçë, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” ku është dënuar me 3 vjet burg, një vendim të Gjykatës së Rrethit Skrapar për “Kundërshtimin e punonjësve të Policisë së Rendit Publik”, dënuar me 10 muaj burg dhe një vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë, për veprën penale të parashikuar nga neni 250 dhe 187 i Kodit Penal, dënuar me 1 vit burgim. Gjithashtu ka deklaruar nën pyetjen 4 të formularit se ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe ndaj tij ka pasur dy masa sigurie “arrest në burg” nga Prokuroria e Rrethit Korçë dhe ajo e Rrethit Skrapar, për veprat penale për të cilat është dënuar më pas me vendime të formës së prerë.
Mertens nuk rinovon
Me 24 gola në 34 ndeshje Dries Mertens edhe pse nuk është një qëndërsulmues e ka zëvendësuar në mënyrën më të mirë Gonzalo Higuain-in te Napoli në këtë sezon. Belgu shtatshkurtër pas dëmtimit që pësoi Milik në fillim të sezonit, ka mbajtur mbi supe peshën e sulmit të skuadrës së Sarrit, duke u kthyer në një makth për mbrojtjet dhe portierët e skuadrave kundërshtare. Në San Paolo tifozët e adhurojnë, por ashtu si Higuain verën e kaluar edhe Mertens mund t’i japë lamtumirën Napolit në fund të këtij sezoni.
Belgut i skadon kontrata aktuale me klubin e kaltër në verën e vitit 2018 dhe gjasat janë që 29-vjeçari të mos rinovojë me Napolin. Për të firmosur marrëveshjen e re, lojtari i ka kërkuar presidentit De Laurentis një pagë prej 3 milionë eurosh në sezon, ndërkohë ky i fundit nuk i ofron më shumë se 2,5 dhe madje në marrëveshjen e re kërkon të përfshijë një klauzolë largimi prej plot 50 milionë eurosh, për klubet e interesuara jashtë Italisë.
Napoli në këtë mënyrë të humbasë lojtarin më të mirë të këtij sezoni me tifozët e kaltër që mund të përjetojnë një tjetër zhgënjim të madh pas lamtumirës së Higuain vitin e kaluar. Mertens kërkohet me ngulm nga Interi me Stefano Piolin, që e ka vendosur belgun në krye të listës së dëshirave për merkaton e verës së ardhshme. Por, për sulmuesin që në maj do të mbushë 30 vjeç interesohet edhe Manchester United, madje Djajtë e Kuq janë gati t’i ofrojnë Mertens-it 4 milionë euro në sezon nëse vendos të transferohet në “Old Trafford”.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, Zhang Jindong u ka bërë me dije vartësve të tij në shoqëri se nuk do të kursehet për të përforcuar ekipin. Sipas mediave italiane, ai i ka thënë Zanetit dhe Auzilios se është gati që të afrojë deri në pesë yje, të cilët mund të kushtojnë miliona euro.
Hijet e Antonio Kontes dhe Diego Simeones herë shfaqen e herë jo, por Stefano Pioli duket se nuk i shikon dhe vazhdon drejt në rrugën e vet. Dy javë më parë, pak minuta pas disfatës që pësoi Interi përballë Romës, Zhang Jindong tentoi që ta ngushëllonte trajnerin, duke e siguruar se Interi do të vazhdonte të mbetej skuadra e tij edhe në rast se mbyllte kampionatin aktual në vendin e katërt.
Tani që Pioli ndihet i sigurt, ka nisur që të përpilojë një listë me lojtarët, të cilët do të bëjë që Interi të kthehet në një skuadër pretendente. Emri i parë është ai i Angel Di Marias. Disfata e pësuar nga PSG-ja në Ligën e Kampioneve ka bërë që shumë yje të ekipit francez të konsiderojnë largimin nga kryeqyteti i Francës.
Strakosha detyron Marketin të largohet
Thomas Strakosha detyron Federico Marchettin të largohet nga Lazio. Janë të sigurta për këtë mediat italiane, të cilat e shohin larg klubit kryeqytetas të ardhmen e portierit 34-vjeçar. Për faj të dëmtimeve të shpeshta, por edhe për meritë të Strakoshës, i cili ka shkëlqyer në ndeshjet që është aktivizuar, Marchetti po përjeton një nga sezonet e tij më të dobëta që nga periudha që është bërë pjesë e klubit bardhekaltër. Vetëm 18 paraqitje në total mes kampionatit dhe Kupës së Italisë, kanë bërë që drejtuesit e Lazios me në krye drejtorin sportiv Igli Tare të mos i ofrojnë rinovimin, gardianit italian. Kontrata aktuale e Marchettit me klubin kryeqytetas skadon në verën e vitit 2018-të, por gjasat janë që në merkaton e ardhshme, numri 22 t’i japë lamtumirën Lazios.
Për portierin interesohet Torino, por klubi Granata më parë duhet të mësojë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e anglezit Joe Hart, i cili luan te skuadra e Mihajloviç në formë huazimi nga Manchester City. Nëse Marchetti largohet atëherë, Thomas Strakosha do të shndërrohej automatikisht në portierin e parë të skuadrës kryeqytetase. Te Lazio, duke filluar që nga trajneri Simone Inzaghi e deri te presidenti Claudio Lottito besojnë shumë te aftësitë e 21-vjeçarit shqiptar, i cili në ndeshjen e 24 marsit ndaj Italisë në Palermo ka shanse të mira për të bërë debutimin me kombëtaren kuqezi.
Anjeli do të dalë para Komisionit Antimafia
Komisioni Antimafia i Parlamentit italian ka zhvilluar sot një tjetër seancë që ka parë si epiqendër të saj diskutimet rreth Juventusit dhe lidhjet e klubit me ultras që janë pjesë e familjeve mafioze. Përfundimi: presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, do të paraqitet para komisionit në fjalë për të dhënë dëshminë e tij.
“Ekziston gatishmëria e plotë nga ana e presidentit tonë për t’u paraqitur dhe për të dhënë kontributin e tij”, deklaroi avokati i Juventusit, Luigi Kiapero. “Kemi sqaruar që ai do të vijë këtu, pasi nuk e kishim saktësuar asnjëherë”, konfirmoi edhe Rozi Bindi, presidente e këtij komisioni parlamentar në fund të mbledhjes.
Gjithçka ka lidhje me shpërndarjen e biletave të “Juventus Stadium” të cilat klubi bardhezi ua dorëzonte krerëve të grupeve ultras, që kanë lidhje me grupet kriminale të “Ndragheta” në këmbim të sigurisë në impiant. “Ne na shqetëson fakti që ju e mohoni fenomenin, ai është dhe ekziston. Tani a vazhdoni t’ua jepni më biletat apo jo?”, ishte pyetja që Rozi Bindi i bëri sot avokatit të Juventusit, ndërsa ky i fundit e mohoi që kjo praktikë të ishte zhvilluar. Seanca të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, pasi përveç Anjelit, pritet që para komisionit të paraqiten edhe zyrtarë të tjerë të lartë të klubit bardhezi.
Lukaku refuzon rinovimin me Everton
Chelsea beson se mund të ribashkohet me Romelu Lukaku-n, 3 vite pasi e shiti belgun për 27 milionë paund tek Everton. Londinezët shpresojnë t’ia arrijnë vetëm një sezon pas refuzimit që Everton i bëri ofertës prej 57 milionë paund verën e kaluar.
22 vjeç në atë kohë, ai u bë i pari pas Lineker që shënonte 25 gola për Everton në një sezon. Ndërsa aktualisht ai ka shënuar të njëjtin numër golash për klubin dhe kombëtaren në të gjitha kompeticionet. Për ta mbajtur, Fahrad Moshiri i ofron një rinovim prej 140 mijë paundësh në javë për 5 vitet e ardhshme.
Mirëpo belgu që kërkon të luajë në UCL, nuk duket i bindur dhe ka refuzuar në momentin e parë. Raiola që përfaqëson të drejtat e tij, beson si ai do të qëndrojë në “Goodison”. Por Abramovich është tërë sy e veshë në bisedimet mes lojtarit dhe klubit.
Gjithashtu për shërbimet e tij, interesohen Manchester United, Real Madrid dhe Juventus. Lëvizjet e Raiola-s në transferimet e Ibrahimoviç dhe Balotelli, lënë vend për imagjinatë. Merkato e qershorit rezervon gjithnjë të papritura.
Barça, merkato varet nga shitjet
Merkatoja e verës parashikohet të jetë shumë e rëndësishme për Barcelonën që ka si synim kryesor të përforcojë skuadrën me të tjerë elementë cilësorë. Por ndryshe nga vitet e kaluara situata këtë herë në klubin katalanas nuk premton shumë. Duke iu referuar asaj se çfarë shkruajnë mediat spanjolle, Barcelona aktualisht ka në dispozicion vetëm 25 milionë euro për të shpenzuar në merkaton e verës. Arkat e Barçës janë boshatisur. Në fakt blaugranat kishin një buxhet prej 60 milionë eurosh për merkaton e vitit 2017-të, por firma me portugezin Andre Gomes verën e kaluar për të cilin, drejtuesit e Barcelonës pritet të derdhin në arkat e Valencias shumën e 35 milionë eurove gjatë kësaj vere, kanë reduktuar ndjeshëm buxhetin e klubit bluagrana për merkaton.
Investimet e shumta gjatë këtyre viteve kanë ndikuar jo pak, pasi tashmë Barcelona duhet të mendohet mirë përpara se të ndërhyjë në merkato. Për të afruar të tjerë futbollistë cilësorë në skuadër gjatë kësaj vere klubi katalanas më herët duhet të shesë. I pari në listë për t’u larguar është mesfushori turk Arda Turan, largimi i të cilit do të sillte të ardhura të tjera që mund t’u shtoheshin 25 milionë eurove për buxhetin e merkatos së verës. Objektivat kryesorë të Barçës janë një mesfushor qëndre, me Marco Verratin që qëndron në krye të listës, por edhe një mbrojtës i krahut të djathtë, por të blerë dy lojtarë të nivelit të lartë në këto dy role, shitja e Arda Turan nuk mjafton me Barçën që duhet të sakrifikojë të tjerë futbollistë nga grupi aktual.