16.7 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Kompania offshore Rama-Sula merr tregun e karburanteve

Nafta e vendit, gjatë 2015-s plotësoi gati me 25 për qind të nevojave të konsumit vendas, teksa ishte produkti më i eksportuar në Kosovë. Por pavarësisht këtij rendimenti, qeveria shqiptare ka vështirësi të mbledhë akcizën e prodhimit vendas të naftës, në krahasim me naftën e importit
“Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A” (IRTC) kompani e krijuar së fundmi nga Besnik Sula i Tajvanit siç e njohin të gjithë, mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO
Importet e karburanteve shënuan rënie pikiatë në muajin janar të vitit 2017. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në janar u importuan vetëm 21,899 tonë karburante me një rënie 38 për qind në krahasim me janarin e vitit 2016. Burimet nga tregu pohojnë se shkak për këtë rënie është bërë vënia në funksion e rafinerisë së përpunimit të naftës, ARMO. Uzina që u rikthye në punë në fund të vitit të kaluar duket se ka përmbushur gati 30 për qind të kërkesës vendase për naftë. Vetëm Kastrati rezulton të ketë importuar naftë në janar, ndërsa operatorët e tjerë janë furnizuar në tregun e brendshëm. Sipas të dhënave që ka nxjerrë më herët Ministria e Energjetikës, nëse ARMO vendos në punë të gjithë kapacitetin përpunues, atëherë nafta e gatshme për konsumin do të jetë 375 mijë tonë në vit, duke përmbushur gati 60% të konsumit në vend, i cili vlerësohet rreth 550-600 mijë tonë në vit. Në shtator të vitit të kaluar, “Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC” SH.A ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt britanikë Virgin. Në të njëjtën periudhë, prodhuesi më i madh i naftës në vend Bankers Petroleum njoftoi se nënshkroi një marrëveshje me “Jonian Refining dhe Trading” për t’i shitur asaj deri në 65 për qind të prodhimit të naftës bruto te “IRTC”. ARMO, përveçse plotëson një pjesë të madhe të nevojave për naftë të tregut vendas, gjithashtu është furnitor i madh i këtij produkti në Kosovë dhe në Shqipëri. Ky fenomen ndodhi edhe në vitin 2015, kur kompanitë “TPD Drilling” dhe “Deveron” shfrytëzuan nëpërmjet qirasë rafinerinë. Nafta e vendit, gjatë 2015-s plotësoi gati me 25 për qind të nevojave të konsumit vendas, teksa ishte produkti më i eksportuar në Kosovë. Por pavarësisht këtij rendimenti, qeveria shqiptare ka vështirësi të mbledhë akcizën e prodhimit vendas të naftës, në krahasim me naftën e importit. Në vitin 2015, të ardhurat nga akciza shënuan rënie dyshifrore kryesisht nga ky fakt. Një tjetër shqetësim është cilësia e naftës për të cilën nuk ka informacion nga autoritetet nëse është e një niveli të pranueshëm për t’u përdorur nga automjetet.

Afera me ARMO

Kompania ARMO iu dha nga Rama kompanisë “Ionian Refining & Trading co”., kompani kjo e regjistruar off shore në Ishujt britanikë Virgin dhe në mes të qershorit të vitit të kaluar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Opozita dhe ish-kreu i saj Berisha, kanë deklaruar se pas kësaj kompanie qëndron sipërmarrësi shqiptar Besnik Sula. Shumë media përmes artikujve investigues u përpoqën të hedhin dritë mbi atë çfarë po ndodh realisht me kompaninë e zhytur në borxhe. Cilat janë detyrimet e kompanisë së re ndaj debitorëve e mbi të gjitha me kë ka nënshkruar kontratë për shfrytëzimin e ARMO-s. Në daljet publike, Kryeministri ka pohuar se kompania do të shlyejë detyrimet ndaj kreditorëve. Por edhe lidhur me këtë ka dyshime të mëdha. Marrja në shfrytëzim, siç është përmendur edhe në një njoftim të Bankers Petroleum, nuk nënkupton shumë angazhime financiare për kompaninë e re. Planet e saj zgjatën maksimalisht në 18 muaj. Deri në mars të vitit të kaluar, borxhi i ARMO-s kishte arritur në 600 milionë dollarë, sipas të dhënave nga Ministria e Energjisë. Kjo shumë është sa 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose sa buxheti i një viti për arsimin e shëndetësinë në gjithë vendin. Detyrimi marramendës i ARMO-s ka vënë në vështirësi disa banka. Gjysma e borxhit është marrë pranë tyre. Ndërsa po kaq është detyrimi ndaj shtetit.

“Ionian Gas” u krijua enkas nga Besnik Sula për të marrë ARMO-n

“Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A” (IRTC) kompani e krijuar së fundmi nga Besnik Sula i Tajvanit siç e njohin të gjithë, mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO, që prej muajsh kishte ndërprerë prodhimin dhe kishte lënë punonjësit pa paga. Lajmi u bë i ditur më 1 shtator të vitit të kaluar nga prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, që në një deklaratë për shtyp bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me kompaninë në fjalë në bazë të së cilës Bankers do t’i shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto, shoqërisë së mikut dhe partnerit të Edi Ramës dhe të vëllait të tij Olsi Rama. Në këmbim të kësaj, siç deklaron edhe vetë Bankers, qeveria i ka dhënë të drejtën e shpimit kompanisë për tremujorin e katërt të vitit 2016, si dhe tërheqjen e një pjese të madhe të prodhimit të naftës të Patos-Marinzës, e cila i përket Albpetrol-it. Pra, Rama i ka siguruar lëndën e parë me naftë vendase Besnik Sulës, duke bërë një pazar me Bankers. Nafta e përpunuar nga ARMO me pronar të ri njëkohësisht do ta ketë të garantuar tregun e shitjes në vend. Edhe për këtë është kujdesur personalisht Kryeministri Rama. E gjithë flota automobilistike e shtetit do të furnizohet me këtë naftë, por leje pa kufi tregtimi kjo naftë do të ketë edhe për shitjen nga disa operatorë privatë të përzgjedhur. Për të garantuar fitimin gjigant që pritet nga kjo aferë e fundit, Rama i ka dhënë një kompanie tjetër offshore, “Ionian Gas”, të krijuar së fundmi po nga Besnik Sula, fushën më të madhe gazmbajtëse në vend, atë të Delvinës, për vetëm 12 milionë dollarë. Në qoftë se pazari i parë i qeverisë me Bankers është zbardhur, ende ngelet mister kompania e panjohur off shore turke, “Transatlantic Petroleum”, e cila i shiti kompanisë së Sulës, plot 75% të aksioneve të fushës gazmbajtëse, nga më të mëdhatë në Europë. Pavarësisht nga dyshimet e shumta dhe faktet që u nxorën në media për aferën gjigante të Ramës me Besnik Sulën, edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se ka nisur puna, nga Ministria e Industrisë dhe e Ekonomisë nuk ka asnjë lloj informacioni se në çfarë marrëdhënie kontraktuale ka hyrë kjo kompani e re off shore “Rama-Sula”, me rafinerinë ARMO.

Në botë çmimi i naftës ulje deri në 50%, në Shqipëri njeh vetëm rritje

Shoqëria civile i ka nisur një propozim Kuvendit të Shqipërisë për të ulur nivelin e taksimit mbi naftën, që është arsyeja kryesore se pse çmimet e karburantit në vend janë ndër më të shtrenjtat në Europë. Ky propozim synon që të unifikojë 3 taksat e dedikuara në një taksë të vetme për naftën dhe ta ulë nivelin e taksimit duke e çuar atë në nivele të krahasueshme me rajonin. Në shkresën që “Nisma Thurje” i ka dërguar kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, dhe gjithë krerëve të grupeve parlamentare, thuhet se një nga çështjet që kërkon vëmendje të menjëhershme nga ana juaj dhe e kolegëve tuaj është ajo e çmimit të karburantit për konsumatorët. Siç mund të jeni në dijeni, çmimi i karburantit në bursat ndërkombëtare ka pësuar një rënie të vazhdueshme, rënie e cila nuk është reflektuar fatkeqësisht në favor të konsumatorit. Ditën e mërkurë, dt.15.03.2017 tregjet ndërkombëtare e kuotonin naftën bruto me 52 USD/Barrelë. Ulja e çmimit në tregjet ndërkombëtare u shoqërua edhe me uljen e çmimit të shitjes së këtij produkti për konsumatorët në të gjithë botën. Ulja e çmimit të naftës për konsum ka variuar nga 25% deri në 50%. Ndërkohë që konsumatorët në të gjithë botën i janë gëzuar këtij oportuniteti, situata në Shqipëri qëndron pothuajse statike. Çmimi i karburantit pësoi vetëm një rënie prej 10% në fund të vitit të shkuar dhe tani është rikthyer në nivelet e mëparshme, paradoksalisht. Kjo situatë vjen si rrjedhojë e nivelit të lartë të taksimit të këtij produkti. Situata me taksimin mbetet problematike dhe kërkon ndërhyrje urgjente në legjislacion. Duke u bazuar në situatën aktuale të furnizimit të qytetarëve me nënprodukte të naftës, ku pjesa më e madhe e tyre importohen nga jashtë vendit,  efektivisht në këtë moment që po flasim, nafta dhe benzina taksohen nëpërmjet 3 taksave indirekte të dedikuara te modelit akcizor: Akciza e naftës = 37 lekë, taksa e qarkullimit = 27 lekë, taksa e karbonit = 3 lekë. Pra, në total taksimi i akcizës sot efektivisht arrin në 67 lekë për litër. Ndërkohë që përveç këtyre taksave të mësipërme aplikohet edhe taksë doganore në masën 10% të çmimit të blerjes dhe 0.73 lekë shkojnë për tarifën e ngjyrosjes. Në fund shtohet edhe vlera e TVSH në masën 20% të çmimit të shitjes. Një nivel i tillë taksimi është më i larti në rajon dhe nuk korrespondon me të ardhurat e shqiptarëve. Nga ana tjetër, cilësia e karburantit që tregtohet në vendin tonë vazhdon të mbetet një problem madhor për qytetarët duke e shndërruar debatin për çmimin në një çështje edhe më emergjente. Raportimet në të gjithë vendin tregojnë se nafta që tregtohet në pikat fundore përzihet me nënprodukte dhe niveli i parandalimit dhe ndëshkimit të këtij fenomeni është i ulët. Nisma ka propozuar disa amendime të ligjit të përgatitur nga ekspertët e saj. Ky propozim synon që të unifikojë 3 taksat e dedikuara në një taksë të vetme për naftën dhe ta ulë nivelin e taksimit duke e çuar atë në nivele të pranueshme për xhepat e shqiptarëve. Më konkretisht: Në DIREKTIVËN 2003/96/EC, Komisioni Europian ka përcaktuar kornizat e harmonizimit të strukturave të tarifimit akcizor të vendeve të Unionit. Bazuar në përcaktimet e bëra brenda kësaj direktive, ne propozojmë variantin e tretë, i cili konsiston në faktin që akciza e naftës, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit përmblidhen të tria në një taksë të vetme, e cila quhet taksa e karburantit. Taksa e karburantit është 46 lekë/litër, sa minimumi i parashikuar në direktivën 2003/96/EC të BE për taksat e nënprodukteve të naftës.

463 miliardë lekë taksa do të paguajmë në 2017

Të 463 miliardë lekët që planifikohen t’u vilen bizneseve dhe qytetarëve nëpërmjet taksave dhe tatimeve këtë vit do të peshojnë më së shumti në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2017. Ministria e Financave, në përllogaritjen që i ka bërë planit të buxhetit 2017, rezulton se më shumë se 60 për qind e detyrimeve do të vilen në gjashtëmujorin e dytë. Muajt gusht, shtator, nëntor dhe dhjetor do të jenë më të ngarkuar nga ana fiskale, teksa shihet se plani i të ardhurave në tre muajt e parë është pak më i lehtë. Në janar ishin planifikuar të grumbullohen 31.2 miliardë lekë, në shkurt 29,6 miliardë lekë. Bizneset dhe qytetarët do të paguajnë 31-35 miliardë lekë edhe në tremujorin e dytë të vitit teksa shihet se pesha do të rëndojë në muajt e fundit siç tashmë është bërë traditë. Pesha e taksave dhe tatimeve nis të rëndojë në korrik. Pas këtij muaji, ngarkesa fiskale mujore do të variojë nga 36 miliardë lekë në korrik, 39 miliardë lekë në shtator, ndërsa muaji dhjetor do të mbajë peshën më të madhe, me rreth 44 miliardë lekë. Shpërndarja e grumbullimit të të ardhurave në këtë mënyrë vjen si një përvojë e viteve të shkuara, por praktika e vjeljes në realitet tregon krejt të kundërtën. Në dhjetorin e vitit 2016, të ardhurat e munguara në raport me planin ishin 4.2 miliardë lekë. Për vitin 2017, qeveria ka llogaritur t’i rrisë të ardhurat nga tatimet dhe doganat me rreth 21 miliardë në krahasim me faktin e 2017. Duke përfshirë edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore, të ardhurat pritet të rriten në vlera neto me 23 miliardë lekë ose 6.5% më shumë. Në janar 2017, të ardhurat në total në buxhet për janarin u rritën minimalisht me vetëm 0.2%, si rrjedhojë e performancës së dobët të të ardhurave jotatimore, teksa institucionet buxhetore derdhën gati 700 milionë lekë në buxhet. Të ardhurat nga fondet speciale (kryesisht sigurime shoqërore e shëndetësore) u rritën dhe ato minimalisht me 2.8%. Në raport me planin, të ardhurat në total ishin 1.7 miliardë lekë më shumë, megjithatë plani i janarit 2017 ishte më i ulët sesa fakti i 2016. Ndërsa për gjithë vitin 2016, të ardhurat buxhetore arritën në 404.8 miliardë lekë. Dhjetori solli përkeqësim të ndjeshëm në raport me planin e rishikuar. Mosrealizimi për gjithë vitin 2016 ishte 9.6 miliardë lekë, nga 5.4 miliardë lekë që kishte qenë për 11-mujorin (kujtojmë se buxheti u rishikua një herë me ulje plani në shtator me rreth 4.1 miliardë lekë, çka e çon mosrealizimin me planin e fillimvitit në rreth gati 14 miliardë lekë. Plani fillestar i buxhetit në fillim të vitit ishte 418 miliardë lekë). Ky mosrealizim për vitin erdhi 5.8 miliardë lekë nga të ardhurat tatimore dhe 3.3 miliardë lekë nga ato jotatimore, ndërsa të hyrat nga pushteti vendor kanë një tejkalim prej 450 milionë lekësh. Por nën ndikimin e zgjedhjeve parlamentare dhe krizës politike, grumbullimi i të ardhurave pritet të kalojë në vështirësi. Historia e dy dekadave ka treguar se në vitet elektorale, arka e shtetit ka vuajtur deficite të larta buxhetore nga të ardhurat e munguara dhe shpenzimet me tepri.

Korrupsioni e paratë e pista rritën pabarazinë në Shqipëri vitet e fundit

Pabarazia në të ardhurat është rritur në rreth dy të tretat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kryesisht për shkak të nivelit të papunësisë në rritje që nga fillimi i krizës. Në të njëjtën kohë, pabarazia në BE është rritur si rrjedhojë e ngecjes së procesit të konvergjencës së të ardhurave në mes të vendeve evropiane – sipas një raporti të ri të Eurofound, të publikuar dje, i cili ka matur të ardhurat dhe modelet e punësimit në Europë para dhe pas Recesionit të Madh. Raporti ka kryer një studim të plotë të pabarazisë në të ardhura gjatë viteve të Recesionit të Madh, që filloi në vitin 2008-2009 dhe është bazuar në të dhënat e të ardhurave për 2005-2013. Ai paraqet një perspektivë të gjerë të BE-së për këtë çështje dhe ofron një pamje të përditësuar të pabarazive sipas burimeve të ndryshme të të ardhurave. Rezultatet tregojnë se pabarazia e të ardhurave në BE ka rënë kryesisht para vitit 2008, e nxitur nga një proces i fortë i konvergjencës së të ardhurave midis vendeve të Europës – por Recesioni i Madh e ndaloi këtë prirje dhe nxiti rritjen e pabarazisë lart si për BE-në tërësi dhe në të gjithë shumicën e vendeve. Studimet e mëparshme kanë theksuar zgjerimin në diferencat e pagave si arsyen kryesore pas trendit afatgjatë të rritjes së pabarazisë në të ardhurat e disponueshme, vërejtur në shumë vende europiane; megjithatë ky raport identifikon papunësinë dhe rënien në të ardhurat e punës të lidhur me papunësinë, si arsyen kryesore që ka çuar në rritjen e pabarazive në të ardhurat e disponueshme të familjeve vitet e fundit. Ndikimi i Recesionit të Madh në pabarazitë në të ardhurat e disponueshme të familjeve nuk ka qenë i kufizuar në shtetet anëtare të reja apo vendet e Mesdheut, por ka ndikuar edhe në shtetet më të vjetra anëtare dhe vendet veriore europiane që kanë qenë tradicionalisht më të barabarta, të tilla si Gjermania, Suedia dhe Danimarka. Megjithatë, politikat e shtetit të mirëqenies kanë arritur të zbusin shkallën e rritjes në një numër shtetesh anëtare. Raporti tregon se kriza ka ulur mesatarisht të ardhurat reale të disponueshme në pothuajse të gjitha vendet europiane, edhe pse në shkallë të ndryshme.

Në Shqipëri u rrit pabarazia

Raporte të tjera ndërkombëtare kanë theksuar se edhe në Shqipëri, pabarazia është rritur vitet e fundit. Në prezantimin e Raportit të Tranzicionit 2016-2017, drejtuesit e ekonomistët e BERZH deklaruan se pothuajse të gjitha vendet e marra në vrojtim (36 në total, ku përfshihen ato të Europës Juglindore, Azia Qendrore, por edhe pjesa Juglindore e rajonit të Mesdheut) deklaruan rritje të pabarazisë ekonomike. 30% e shqiptarëve në sondazhin e fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim mendojnë se pabarazia është rritur. Perceptimi që rritja ekonomike në Shqipëri nuk është mirëshpërndarë, është konfirmuar edhe nga Forumi Ekonomik Botëror, i cili krahasoi rritjen gjithpërfshirëse me rritjen ekonomike pothuajse në të gjitha vendet në raportin e tij të fundit “Rritja gjithpërfshirëse dhe zhvillimi”. Në këtë klasifikim, Shqipëria është përfshirë në zonën portokalli, atë me përqendrim të lartë ku PBB e vendit u zgjerua me ritme më të larta se rritja gjithpërfshirëse. Me fjalë të tjera, nga rritja ekonomike e vendit ka përfituar pakica, ndërsa ecuria pozitive ekonomike nuk është përkthyer në një shtim të mirëqenies për shumicën. Për më tepër, të dhënat tregojnë se raporti mes rritjes së PBB-së dhe rritjes gjithpërfshirëse është përkeqësuar 5 vitet e fundit në Shqipëri. Trendi tregon për një rënie 5.6% të këtij raporti, çka tregon se shpërndarja e rritjes ekonomike ka pasur zhvillime negative, ku përfitimet po përqendrohen gjithnjë e më shumë te pakica. Por, ndërsa në Europë, rritja e pabarazisë është e lidhur kryesisht me papunësinë, në Shqipëri papunësia, të paktën zyrtarisht është ulur dy vitet e fundit, duke zbritur nga 17% në rreth 14.5%. Ekspertët ia dedikojnë rritjen e pabarazisë elementeve të tilla si informaliteti, korrupsioni apo paratë e siguruara në mënyrë të jashtëligjshme, që po pasurojnë me shpejtësi një pjesë në kurriz të pjesës tjetër. E dhëna më e fundit, që vjen indirekt nga tregu i pasurive të paluajtshme është edhe më trishtuese. Ka një rritje të ndjeshme të shitjes së apartamenteve në zona të preferuara dhe mjaft të shtrenjta të Tiranës, me para në dorë muajt e fundit, që po paguhen me të ardhura të padeklaruara që vijnë nga ekonomia e zezë. Një tregues i qartë ky i rritjes së pabarazisë, teksa disa individë po arrijnë të pasurohen me shpejtësi brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe po tërheqin rritjen e shpejtë të çmimeve të apartamenteve, në kurriz të atyre që do t’u duhen tashmë më shumë vite punë e më shumë kursime të mundimshme për të blerë shtëpinë që mund ta kenë ëndërruar gjithë jetën, por që po bëhet “mollë e ndalueme” për ta. Një mesazh dekurajues ky për këdo që ka shpresuar se talenti, aftësitë dhe dëshira për të punuar e për të ecur përpara një ditë do të shpërblehen, pa pasur nevojën e përkatësive partiake apo mbështetjeve të dukshme e të padukshme të politikëbërjes e vendimmarrësve.

Monitor

Shqiptarët, populli që beson më shumë tek NATO

Sipas një sondazhi të realizuar nga kompania kërkimore Gallup, shqiptarët e Kosovës (90%) dhe të Shqipërisë (70%) e shikojnë Aleancën e Atlantikut të Veriut si mbrojtje, ndërsa vendet me ndikim rus si kërcënim. Kosova, megjithëse jo një vend anëtar i NATO-s, pati mbështetje ushtarake gjatë luftës së Kosovës, midis ish-Jugosllavisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës në përqindje dërrmuese (90%) e shikojnë aleancën si mbrojtje. E njëjta situatë rezulton edhe për Shqipërinë (70%) sipas sondazhit të Gallup, të cilët gjithashtu e kanë mbështetur UÇK-në gjatë luftës. Por, nuk është aspak çudi që 64% e serbëve më 2016-n e shikonin atë si një kërcënim dhe vetëm 6% si mbrojtje. Shtetet e Bashkuara janë një ndër vendet themeluese të NATO-s, por angazhimi i këtyre të fundit në aleancë është vënë në pikëpyetje pas dyshimeve që ka ngritur publikisht Donald Trump për rëndësinë dhe financimin e saj, përpara se të merrte detyrën. Gjithsesi, sipas NATO-s, Trump ka rënë dakord që të marrë pjesë në një takim të përbashkët me liderët e saj në maj. Mënyra se si Shtetet e Bashkuara bashkëveprojnë me NATO-n ka ndikim edhe përtej detit, pasi shumë prej vendeve të Europës Lindore e konsiderojnë atë si mbrojtje. Tetorin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dërgoi 800 trupa në Estoni. Edhe presidenti Barack Obama, pak para se të linte Shtëpinë e Bardhë, dërgoi rreth 4000 trupa në Poloni për të mbrojtur vendet aleate të NATO-s, si Estonia, Lituania dhe Letonia nga sulmet e vazhdueshme të Rusisë. Vendet nën ndikimin rus e shikojnë NATO-n si kërcënim. Me ndërhyrjen e NATO-s në disa ish-vende sovjetike pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe kundërshtimit të përfshirjes së Rusisë në Ukrainë, nuk janë për t’u habitur mosmarrëveshjet midis tyre. 67% e rusëve e shikonin NATO-n si kërcënim, rreth 29 pikë për qind më shumë se më 2012-n. Vendet nën ndikimin rus, të cilat nuk janë anëtare të NATO-s dhe kanë prirje të kenë të njëjtën tendencë me Rusinë, ndajnë të njëjtin opinion. 54% e bjellorusëve e shikojnë NATO-n si kërcënim, rreth 19% më shumë se katër vite më parë. Bashkë me rusët dhe bjellorusët, më shumë njerëz në Ukrainë (35%), Kazakistan (31%), Kirgistan (30%), Moldavi (27%), Armeni (20%) dhe Taxhikistan (34%) e shikojnë NATO-n më shumë si kërcënim se sa mbrojtje.

Berisha-Ramës: Të ka rënë hija e burgut në fytyrë

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi mbrëmë nga çadra e protestës se revolucioni demokratik ka hyrë në fazën finale që do të jetë ai i triumfit përfundimtar. “Ky është revolucioni demokratik i shkurtit 2017. Ky revolucion po ecën drejt fazës finale, triumfit përfundimtar. Përshëndes me shumë respekt të gjithë ata qytetarë, intelektualë, të cilët nuk ndajnë me ne të njëjtat bindje, por ndajnë me ne vlerën dhe besimin se vota e lirë është themeli i shoqërisë së lirë dhe kanë ardhur në këtë çadër”, tha Berisha. Berisha ka bërë mbrëmë edhe një paralajmërim për Ramën”, “të ka rënë hija e burgut në fytyrë”, është shprehur Berisha para mijëra protestuesve që vazhdojnë protestën sot në ditën e 26 të saj.
“Sot ju djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e çadrës së lirisë duhet të ndjeheni më krenarë se kurrë, sepse nga ky bulevard, nga kjo çadër ju po shkërrmoqni çdo ditë qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, qeverinë e maskave. Ky pushtet i çadrës së lirisë, po rrezaton në mbarë vendin. Çadra është bërë e famshme në mbarë botën, çadra po e çon Edvinin edhe një herë në spital psikiatrik. A e vutë re mbrëmë kur thoshte se nuk kishte shkarkuar njeri, nuk dinte ç’fliste njësoj si njeriu që ka humbur çdo gjë? I them këtu para jush se të ka rënë hija e burgut në fytyrë”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri deklaroi se Rama nuk do të mund t’i shpëtojë dot pushtetit të popullit, duke i kujtuar se vetëm për aferën e CEZ në bazë të ligjeve duhet të dënohet nga drejtësia me 35 vite burg.  “Para tre ditësh u tha ministrave se vetëm pushteti na shpëton nga burgu. Nga kjo çadër po i them se pushtetit të popullit s’ka forcë që i shpëton ndaj bëhu gati se vetëm për CEZ-in ke 35 vjet burg”.
Berisha tha se ditët e Ramës në pushtet janë të numëruara, ndërsa e ka konsideruar zëvendësimin e Tahirit me Xhafën si zëvendësimin e një plehre me një xhelat. “Edvin, i ke ditët e numëruara! Hoqe nga rendi një pleh dhe solle një xhelat. Po ku pyet populli, ku pyesin qytetarët e lirë për xhelatë si Fatmir Xhafa. Nga çadra ju bëj thirrje shqiptarëve, që vetëm për një moment të rikujtojnë skenat e Saje qorrit, këtij trafikanti, këtij vagabondi të këtij kontrabandisti në Drejtorinë e Tiranës. A e patë se si ka transformuar institucionin e shtetit në institucion gangsterësh dhe prostitutash politike. Policia e Shtetit e mbushur me kriminelë, me trafikantë, me militantë që i nxjerrin parulla një gangsteri më të lig se Emiljano Shullazi. I them edhe atyre që veprojnë në këtë mënyrë, se kohërat i keni të numëruara. Pas horrit, pas vagabondit, pas Saje qorrit do shkoni me radhë!”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri u shpreh se shqiptarët janë të gatshëm për çdo sakrificë në mbrojtje të votës së lirë. Dhe i bëri thirrje Ramës që të japë dorëheqjen. “Le t’i bëjmë thirrje Edvin Kristaq Ramës; thirri mendjes në të ka mbetur qoftë edhe një nanogram arsye, jep dorëheqjen, hape rrugën. Kjo e jona është betejë për votën, nuk është betejë për pushtetin. Pushtetin do ta vendosin shqiptarët me votën e lirë, por ne jemi të vendosur për çdo sakrificë për votën e lirë. I bindur të jesh se forcë në botë pa realizuar qëllimin tonë nuk do të mund të na pengojë. Mblidhi këtu në Kryeministri të gjithë vrasësit e Shqipërisë, të gjithë trafikantët e Shqipërisë, të gjithë pengmarrësit e Shqipërisë. Je i pashpresë”, u shpreh Berisha.
Nga çadra, Berisha i ka bërë thirrje Ramës të dorëzohet dhe të pranojë qeverinë teknike. “Më mirë dorëzohu, më mirë prano qeveri teknike, hapi rrugë vendit dhe të ecim përpara. Lëri përpjekjet. Ti je peng i krimit. A i dëgjuat akuzat që i bëri Saimir Tahirit të nesërmen? Tek Balili tha Tahiri, nuk jam i filmuar unë, por je ti Edi Rama, dhe absolutisht është e vërtetë. Prandaj thirri arsyes, çadra është çadër lirie, çadër paqeje dhe mesazhesh qytetare, ndaj dëgjoji dhe largohu. Largohu se do të krehin me lecka! Kundër qeverisë dhe Edi Mavrisë.
Edhe një herë ju përshëndes vllazërisht për fitoren që korrët. Natyrisht ky ishte vetëm hapi i parë. Shkërrmoqja e mazhorancës së qelbësirave, e mazhorancës së bazuar mbi drogën, mbi krimin dhe vjedhjen e qytetarëve është fat i pashmangshëm në ditët dhe javët që vijnë. Fitore, fitore, fitore!!”, u shpreh Berisha.

Erla Mëhilli

Gjoba që do t’i paguajnë Lojërat e Fatit vëlla Olsit

Ministria e Financave ka shpallur fituese kompanianë e Olsi Ramës që do të marrë në dorë koncesionin e monitorimit të lojërave të fatit. Ministria e Financave bëri të ditur se kompania “MC Networking” ka arritur të marrë 904 pikë në renditjen e tenderit, duke lënë mbrapa konsorciumin që përfaqësohej nga “Qualysoft” me 662 pikë.
“MC Networking” me administrator Olsi Rama vëllain e Kryeministrit, do të monitorojë për 30 vite aktivitetin e basteve dhe kazinove, dhe çdo firme që ushtron aktivitet në fushën e lojërave të fatit. Kompania fituese do të vjelë dy tarifa nga ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në këtë fushë, tarifën e mirëmbajtjes së sistemit dhe atë të investimit për ngritjen e tij. E para do të jetë një pagesë fikse, ndërsa e dyta do të mblidhet si përqindje e xhiros së tyre. Ministria e Financave bëri të ditur se, kontrata do të hartohet brenda 30 ditësh.
Katër ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi fituesin e këtij koncesioni, e cila mbante emrin e kompanisë që shpalli të hënën Ministria e Financave. Berisha publikoi në Facebook dokumentet e shitjes së kompanisë Pegasus Communication, e cila ishte në pronësi të Endri Meksit me administrator Olsi Ramën, te firma “Mc Networking” me pronar Jeton Haxhinë.
Në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, koncesioni i është dhënë kompanisë, Mc Networking, e cila zyrtarisht figuron në pronësi të ortakut të Olsi Ramës, Endri Meksi. Me këtë të fundit, Olsi Rama është bashkëortak në kompaninë Pegasus Communication. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar dje dokumentet që provojnë se kompania e regjistruar në pronësi të Endri Meksit, ortak dhe mik i Olsi Ramës ka nënshkruar si pala fituese e marrjes së koncesionit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit të lojërave të fatit. “Edvin Kristaq Bixhozi ia beson vëlla Olsit lojërat e larjes së parave të tij të pista! Të dashur miq, këto ditë Edvin Kristaq Bixhozi arriti të shtjerë përfundimisht në dorë lojërat e fatit në mbarë Shqipërinë. Dokumentet zyrtare faktojnë se, ai këtë kanal të larjes së parave të zeza ia besoi vëllait të tij, trafikantit të kokainës Olsi Rama. Kjo u bë në shkelje të çdo ligji mbi prokurimet dhe konfliktin e interesit. Kështu tani pas emërimit të bashkëshortes zj. Linda Ramës në drejtimin e bankës familjare të regjistruar off shore si kanal i larjes së parave të vjedhura, ryshfeteve dhe drogës nga familja Rama, tani ata vendosën në kontrollin e tyre të plotë kanalin tjetër për larjen e parave të pista”, shkruan Berisha në postimin e tij.
Më tej, Berisha ka postuar analizën e një eksperti të bazuar në dokumente që dëshmojnë se si Rama i besoi në kundërshtim me çdo ligj kompanisë të vëlla Olsit kontrollin e lojërave të fatit dhe dokumentet përkatëse. Sipas sqarimit të bërë nga eksperti, “Shoqëria fituese, do të ndërtojë dhe mirëmbajë këtë sistem. Çdo subjekt i lojërave të fatit do të paguajë një fee (faturë) për çdo pajisje, fee, e cila do të përfitohet nga koncesionari, për investimin dhe mirëmbajtjen e kryer nga ai. Pavarësisht se emërtimi, nuk është i tillë, kjo kontratë ka shumë elementë të njëjtë me atë të koncesionit. Përmbledhje mbi procedurën përzgjedhëse të operatorit që do të ndërtojë sistemin e Monitorimit të Lojërave të Fatit Online”.
Më tej sqarohet se, “në dhjetor të 2015, pas shumë shtyrjesh u miratua Ligji i ri ‘Për lojërat e fatit’. Në nenin 48/2 të tij parashikohet se Këshilli i Ministrave përcakton mënyrën dhe kriteret e përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë sistemin qendror të monitorimit online, autoritetin përgjegjës që do të kryejë procedurat e përzgjedhjes, si dhe tarifën e mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara”. Në bazë të kësaj dispozite, me VKM nr. 647, datë 14.09.2016, u përcaktuan kriteret e përzgjedhjes së operatorit që të do të ndërtojë sistemin e monitorimit, si dhe Ministria e Financave, si autoriteti përgjegjës për zhvillimin e procedurës përzgjedhëse.
Eksperti citon se, “Ministria e Financës shpalli procedurën përzgjedhëse për t’u zhvilluar në datë 12.01.2017, datë e cila e shty për më 23.01.2017. Nga ana tjetër, Endri Meksi, ortak i shoqërisë “PEGASUS COMMUNICATIONS” shpk, e regjistruar më 20.05.2014, me ortakë Olsi Ramën (35%) dhe Endri Meksin (35%) dhe Amant Josifin (30%), në datën 17.01.2017 (pra pak ditë para hapjes së ofertave) ia shet pjesën e tij (35%) një të treti dhe mbetet vetëm administrator, së bashku me Olsi Ramën, në këtë shoqëri”. “Në garë morën pjesë vetëm dy JV (joint ventures): 1. Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI Spolka Akcyjna” & “MC Networking” shpk (fituesi) 2. Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Qualysoft” GmbH & “Comtrade” d.o.o & “Starsat International” shpk & “Communication Progress” shpk. Shoqëria shqiptare e JV fitues, “MC Networking” shpk, zotërohet 100% nga Endri Meksi, formalisht ish-ortaku dhe bashkadministratori me Olsi Ramën tek shoqëria PEGASUS COMMUNICATIONS shpk”, thuhet më tej në sqarimin e ekspertit.

Analiza e ekspertit: 4 konfliktet e interesit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar sërish dje për koncesionin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit që i është dhënë kompanisë që administrohet nga Olsi Rama. “Si Edvin Kristaq Rama futi Lojërat e Fatit të Shqipërisë në kontrollin e vet familjar nëpërmjet vëlla Osit, trafikant kokaine. Ai e realizoi këtë akt megakorruptiv, duke shkelur në mënyrë flagrante të gjitha ligjet e vendit. Pak ditë më parë, në një status të veçantë ne denoncuam këtë vjedhje të madhe të Edi Ramës nëpërmjet vëllait të tij Olsi. Këtu më poshtë keni analizën ligjore të ekspertit, të konfliktit të katërfishtë të interesit të kumbar Ramëve në këtë aferë të pisët botuar në portalin Politiko!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook duke publikuar edhe shkrimin e portalit Politiko.
“Skandali/ Koncesioni i Mbikëqyrjes së bixhozit i jepet kompanive të bixhozit”
4 konfliktet e interesit: Të përfshirë Olsi Rama, Endri Meksi, ‘Admiral’ dhe ‘Lotaria Kombëtare’
Fituesi i Koncesionit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit është bërë publik sot me anë të një njoftimi zyrtar. Ish-Kryeministri Berisha qe i pari që dha sinjal se ky koncesion ishte dhënë në kundërshtim me rregullat, duke publikuar edhe faksimile të dokumentacionit. Një investigim i Poliko.al ka zbuluar katër raste të konfliktit të hapur të interesit, të cilët i gjeni të renditur më poshtë:
Konflikti i parë i interesit:
Në konsorciumin e shpallur fitues, bën pjesë edhe kompania Admiral Sportwetten, e cila, siç duket nga emri, merret me bastet sportive. Pikat ‘Admiral’ që i sheh në çdo cep të çdo qyteti të Shqipërisë, tashmë do të “kontrollohen” po nga ‘Admiral-i’ që është pjesë e firmës që fitoi koncesionin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (në këtë rast të vetes). Më poshtë keni lidhjen e cila jep një ide se çfarë është dhe me çfarë merret kompania në fjalë.
Konflikti i dytë i interesit:
Në konsorciumin e shpallur fitues, bën pjesë edhe kompania ATSI Spolka Akcyjna, pjesë e kompanive “Novomatik”, e cila ka partneritet me gjysmën e tregut të Lojërave të Fatit në Shqipëri, dhe zotëron me një licensë koncesionare, “Lotarinë Kombëtare”, në Shqipëri. Pra, Novomatik, jo vetëm që e furnizon tregun dhe zotëron një pjesë të tij, por edhe do ta “kontrollojë”. Më poshtë lidhja që shpjegon identitetin e kësaj kompanie.
Konflikti i tretë i interesit:
Vëllai i Kryeministrit, Olsi Rama, është ortak me pronarin e kompanisë së shpallur fituese “MC Networking” shpk. Pra, Kryeministri do të firmosë një koncesion 30-vjeçar me ortakun e vëllait.
Konflikti i katërt i interesit:
“MC Networking” shpk i shërben disa kompanive të basteve, duke u mirëmbajtur rrjetin informatik. Tani do të jetë e detyruar edhe “t’i kontrollojë” ato, pra të kontrollojë veten.
Çfarë parashikon koncesioni?
“MC Networking” parashikohet të realizojë investimin për ngritjen e Sistemit Kombëtar, i cili do të monitorojë “online” të gjitha paratë që qarkullojnë në aktivitetin e Lojërave të Fatit në Shqipëri. Koncesionari privat do të vjelë për 30 vite dy tarifa nga të gjitha kompanitë e Lojërave të Fatit: tarifën e mirëmbajtjes së sistemit dhe atë të shlyerjes së investimit fillestar për ngritjen e tij.
Tarifa e parë do të jetë fikse për çdo pajisje apo lojë fati. Veç kësaj, kompanitë e basteve dhe Lojërave të Fatit do të paguajnë për shoqërinë koncesionare edhe një tarifë të dytë, si përqindje mbi xhiron bruto për shlyerjen e investimit.
Sipas “Top Channel”, tarifat janë propozuar nga kompania koncesionare në ofertën e tenderit. Ministria e Financave ende nuk e ka bërë publike ofertën, por përpara se të hyjnë në fuqi tarifat e propozuara nga kompania private, duhet të miratohen me vendim qeverie”.

“Hakmarrja”, Prokuroria: Të lihet në fuqi dënimi

Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda ankimoi vendimin e dhënies së pafajësisë 10 anëtarëve të organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”. Rekursi në Gjykatën e Lartë është dorëzuar, duke kërkuar kështu shfuqizimin e vendimit të pafajësisë. Burime pranë Prokurorisë së Apelit për Krimeve të Rënda, bënë të ditur se, prokurorët shprehen se ky vendim i dhënë nga 5 gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Tiranë është dhënë në kundërshtim me ligjin. Në rekurs, thonë prokurorët, kërkohet të lihet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, që shpalli fajtor të pandehurit për 17 akuza të rënda penale që nga vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi dhe deri tek bomba e vendosur tek supermarketi i VEFA-s.
Burimet nga Prokuroria bënë të ditur se duhet të lihen në fuqi dënimet: Burgim të përjetshëm për Altin Arapin, Orik Shytin dhe Gentian Cakën, 25 vite burg Roland Shyti. Ndërsa Dritan Hate, Leart Shyti, Nikolin Novruzaj dhe Kreshnik Spahiu, Prokuroria thotë se duhet të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 24 vite burg secili. Ndërkaq i pandehuri Pasho Novruzaj, sipas akuzës, duhet të dënohet me 17 vjet heqje lirie, ndërsa Gëzim Gjoni me 5 vjet burg. Këto masa dënimi, sipas Prokurorisë janë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe duhet të lihen në fuqi, duke shfuqizuar vendimin e Apelit që i shpalli të pafajshëm 10 të pandehurit.
Vetëm pak ditë më parë, pesë gjyqtarët Alaudin Malaj, Artur Kalaja, Stavri Kallço, Sotiraq Lubonja dhe Etleva Temo i dhanë pafajësi 10 anëtarëve të organizatës terroriste. Dy themeluesit e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi” janë djemtë e Hajredin Shytit, një prej figurave të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme në diktaturën komuniste. Hajredin Shyti u dënua me 17 vjet burg për “vrasje me dashje indirekte” të 4 demonstruesve civilë në 2 prill 1991 në Shkodër. Themelimi i kësaj organizate terroriste nisi si një hakmarrje për dënimin e Shytit për të krijuar destabilitet në vend.
Në fakt shpallja e pafajësisë për anëtarët e organizatës terroriste ishte paralajmëruar që në mars të vitit 2016, ku Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen “Hakmarrja për Drejtësi”, duke ia kaluar atë për gjykim Apelit të Krimeve të Rënda.
Rikthimi i shqyrtimit të dosjes “Hakmarrja për Drejtësi” është bërë me porosi të Ramës, i cili i ka bërë një presion të jashtëzakonshëm Gjykatës së Lartë për t’u dhënë pafajësinë dy terroristëve Leart dhe Orik Shyti, të dënuar me burg për jetë. Leart dhe Orik Shyti u dënuan para 6 vitesh me burgim të përjetshëm për aktin terrorist të vendosjes së autobombës në qendër të Tiranës tek supermarketi i VEFA në vitin 1996 dhe vrasjen në këtë akt terrorist të 6 qytetarëve dhe plagosjen e 13 të tjerëve, thyerjen e bankave dhe vrasjen e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Bujar Kaloshi në vitin 1996 e një seri vrasjesh dhe grabitjesh të tjera, si dhe vrasjen e shoferit të Prokurorit të Përgjithshëm, Dhori Sollaku në vitin 2000 në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Gjykatat shqiptare i kanë dënuar shtetasit Altin Arapi dhe Orik Shyti me burgim të përjetshëm, në kuadër të dosjes “Hakmarrja për Drejtësi”, ndërkohë që për Gentian Cakën është vendosur 25 vjet burg, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar burg përjetë. Po kështu, janë dënuar me 24 vjet Leart Shyti dhe me 25 vjet burg Roland Shyti. Për vendimin e pafajësisë ka nisur edhe një hetim administrativ KLD-ja.

Cilat janë krimet e Fatmir Xhafës si hetues

Ish-Kryeministri Berisha ka zbardhur një pjesë nga një prej krimeve të fatmir Xhafës gjatë kohës që ai ka qenë hetues në qytetin e Krujës në kohën e diktaturës. “Fatmir Xhafa, një xhelat i diktaturës hoxhiste ka fshehur në dokumentat zyrtare të shkuarën e tij të zeze!”, shkruan Berisha në facebook.
Qytetaret dixhital denoncojnë:
Fatmir Xhafa ka fshehur periudhën më të zezë të jetës së tij, atë të xhelatit të diktaturës hoxhiste. Kështu ai shkruan në dokumenta se, në vitet 1980-1986 ka qenë jurist por në të vërtetë ka qenë hetues i sigurimit të shtetit që ka torturuar njerëz të pafajshëm dhe ka kërkuar në shumë raste dënime të rënda ndaj tyre. Njëri prej të dënuarve të tij është Arben Duka nga Kruja, i dënuar me17 vjet burg dhe vuajtur dënimin në Spaç. Nipi i Arben Dukës shpreh revoltën e tij të thellë dhe e akuzon Xhafën si xhelatin e xhaxhait të tij të pafajshëm!
“Zoti Berisha pershendetje.
Desha thjesht të shkruaja diçka në lidhje me postimin tuaj sot në Facebook për emërimin e ri të Ministrit të Brendshëm nuk e di po ky është turpi më i madh dhe krimi më i madh që po i bëhet këtij kombi. Fatmir Xhafa ka qenë hetues i xhaxhait tim sot fatkeqësisht nuk eshtë më në jetë sepse e kanë vrarë dhe akoma nuk është gjetur vrasësi por ankesa ime është kjo si ka mundsi ai që ka hetuar dhe dënuar në kohen e monizmit sot bëhet Minister. Çfarë reforme është kjo? Aai qelbqsirq ka dqnuar xhaxhain tim me 17 vite burgim në burgun e Spaçit, madje për ta vërtetuar mund të dërgoni njerëz dhe jam i gatshëm ta bëni dhe publike. Ka dënuar Arben Dukën nga Kruja. Ju na njihni mirë dhe familjarisht. Jam Nipi i Fahrije Dukës. Ndoshta sot edhe varri i Arben Dukës ka lëvizur nga emërimi i Fatmir Xhafës ky është një turp i vërtetë. Kjo qeveri do hedhur sa më parë.”

Çfarë do bëjë Vettingu me dyshimet mbi Fatmir Xhafën?

Nga Gavrosh LEVONJA

“Ohu .., çfarë demokracie është kjo, kur Fatmir Xhafa, ish-sekretar rinie është bos kompanie…kamionë me mallra shkarkohen tek shtëpia e tij çdo ditë”. Kështu më ankohej një mik i imi, njëkohësisht dhe komshi i të sapoemëruarit ministër i Brendshëm ditët e fundit. Ky ka qenë kontakti im i parë me emrin Fatmir Xhafa, që natyrisht duke qenë një individ, i cili nuk paraqiste kurrfarë interesi për mua, nuk vonoi të mbulohej nga pluhuri i harresës.
Megjithatë, diku nga fundi i viteve ‘90-të me emrin e Fatmir Xhafajt do të ndeshesha gjithnjë e më shumë në lajmet që vinin në redaksinë e “Koha Jonë” mbi aktivitetet e Partisë Socialiste. E megjithse mbiemrit i ishte shtuar një “j” në fund, instiktivisht m’u kujtua biseda e dikurshme me komshiun e tij dhe mikun tim, ndonëse për mua gjithçka në këtë aspekt ishte mëse normale.
Hap pas hapi Xhafaj do të bëhej një emër gjithnjë e më i lakuar në lajmet që vinin prej selisë së PS-së. Kështu, nga një anëtar i zyrës së kryeministrit të athershëm Fatos Nano, deputet, zëvendësministër e më pas deri ministër Drejtësie, ai ngjiste një e nga një shkallët e hierarkisë socialiste, duke lënë pas dhe emra të njohur e me kontribute në PS.
Ndoshta, kjo mund të ketë qenë dhe pasojë e aftësisë për “ta pasur mirë” me ata që vendosnin në parti. Megjithatë, në asnjë moment nuk pata kureshtjen që të interesohesha për të kaluarën e tij. Fakti që kishte qenë në forumet drejtuese të BRPSH-së në kohën e komunizmit ishte i mjaftueshëm si një nga arsyet për të shpjeguar ngjitjen e Fatmir Xhafajt në majat e PS. Tani, me ndryshimet në qeveri, ndër katër ministrat e rinj që zëvendësuan Tahirin, Beqen, Klosin dhe Çuçin, të cilëve u ishin publikuar dhe CV-të e shkurtëra, padyshim që Fatmir Xhafaj duke qenë një “njohje e vjetër” përbënte një arsye më shumë për t’u njohur me të kaluarën e pasardhësit të Saimir Tahirit.
Duke lexuar CV-në e zotit Xhafaj më tërhoqi vëmendjen periudha 1982-1986. Periudhë në të cilën shkruhej se kishte qenë “jurist në sistemin e drejtësisë…” pa dhënë asnjë hollësi tjetër. Të ishe pjesë e sistemit të drejtësisë së asaj kohe, duhej të ishe gjyqtar, prokuror apo larg qoftë hetues. Duke pasur parasysh se avokatura në ato vite ishte e ndaluar me ligj, nuk mund të besohet që Fatmir Xhafaj i diplomuar në Fakultetin Juridik, për më tepër dhe anëtar i forumeve drejtuese të Rinisë Komuniste, të kishte përfunduar në ndonjë sekretar gjykate apo arkivist.
Fakti që për Xhafajn nuk jepet asnjë informacion rreth detyrës apo funksionit që ai ka ushtruar në atë sistem drejtësie, prokuror, gjyqtar, hetues apo institucionin tek i cili paguhej, Gjykata, Prokuroria apo Drejtoria e Hetuesisë, të krijon përshtypjen se ai apo të tjerë pranë tij fshehin diçka nga kjo periudhë gjatë së cilës ka qenë “jurist në sistemin e drejtësisë”. Por, nuk është vetëm kjo. Në CV-në e Xhafajt nuk shkruhet asnjë fjalë për periudhën nga viti 1986 e deri në vitet ‘97-’98, kur emri i tij del në dritë për herë të parë si pjesë e kabinetit “Nano”.
Eshtë në nderin e zotit Xhafaj, por dhe të atyre që e kanë emëruar ministër, deputet apo kryetar të Komisionit të Ligjeve në Parlament, të bëjnë transparencë të plotë jo vetëm mbi funksionet që ka pasur në sistemin e drejtësisë së diktaturës, por edhe për periudhën ‘86-‘97 rreth së cilës nuk përmendet asnjë e dhënë. Gjithashtu, nuk është e moralshme që, sot kur termi “Vetting” përmendet pa doganë poshtë e lart, kur flitet për pastrim të sistemit të drejtësisë, njeriu, i cili ka qenë protagonist i arkitekturimit të “Vetting-ut” të mos bëjë një autovetting.
E njëjta gjë mund të thuhet pak a shumë dhe për ata deputetë, të cilët “lehin” për hapjen e dosjeve, të mos kërkojnë transparencë të plotë mbi të kaluarën e neoministrit të Punëve të Brendshme, natyrisht pa harruar të tjerët. Në mungesë të kësaj, kushdo ka plotësisht të drejtë të besojë raportimet e qytetarëve dixhitalë që i raportojnë Berishës, sipas të cilëve Xhafaj ka qenë një hetues i devotshëm i diktaturës që kryente me zell detyrat për të goditur pa mëshirë “armiqtë e klasës”.