12.1 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Nishani-Alfano: Vëmendje ndaj Shqipërisë dhe vendeve të rajonit

Presidenti Bujar Nishani priti dje në një takim ministrin e Jashtëm të Italisë, Angelino Alfano, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për ndihmën e madhe e shumë dimensionale që Italia dhe populli italian i kanë dhënë, veçanërisht pas viteve ‘90, për rimëkëmbjen ekonomike e sociale të vendit, pas dekadash izolimi nga diktatura. “Marrëdhëniet dhe lidhjet mes dy vendeve tona janë sa historike aq edhe kulturore dhe partneriteti ynë strategjik i ka të gjitha mundësitë dhe hapësirat për t’u zhvilluar dhe pasuruar më tej, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë evropian”, u shpreh Presidenti Nishani. Kreu i Shtetit shprehu në mënyrë të veçantë, mirënjohjen për mbështetjen shumë domethënëse e përmbajtjesore që Italia i ka dhënë Shqipërisë në kuadrin e procesit të integrimit evropian. Duke theksuar se, integrimi evropian mbetet projekti strategjik më madhor i shqiptarëve, Presidenti Nishani u shpreh se, “Italia ka qenë dhe mbetet një nga avokatet më të mira të Shqipërisë në këtë proces dhe kam shumë besim se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen”. Presidenti Nishani vlerësoi dhe përshëndeti gjithashtu angazhimin e Italisë në kuadrin e ruajtjes së vëmendjes së Bashkimit Evropian ndaj të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe shprehu besimin se në Samitin e Triestes, procesi i Berlinit do të pasurohet me projekte konkrete zhvillimore. Në këtë kontekst, Presidenti e konsideroi vizitën e ministrit Alfano në Shqipëri dhe rajon, si shprehje e qartë e vëmendjes së lartë që Italia i kushton këtij rajoni anëtarësimit të tij sa më të shpejtë në BE.

A.Shahini

Basha-Karpushin: Njohje pavarësisë së Kosovës, dygjuhësi në Maqedoni

Pavarësia e Kosovës si dhe Marrëveshja e Ohrit kanë qenë dy kërkesat e Lulzim Bashës dje drejtuar ambasadorit rus Aleksandër Karpushin në një takim të zhvilluar gjatë ditës së djeshme në selinë e Partisë Demokratike. Gjatë takimit, Basha iu përgjigj interesit të ambasadorit Karpushin mbi zhvillimet politike në vend. Karpushin nga ana e tij nënvizoi se parimi bazë i politikës së jashtme të Rusisë, të cilit i qendron edhe Ambasada Ruse në Tiranë, është parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Basha dhe Karpushin shkëmbyen opinione edhe mbi zhvillimet në rajon. Basha theksoi se, njohja e Pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni përmes aplikimit të dygjuhësisë nga Federata Ruse do të rihapnin një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale. Ambasadori Karpushin theksoi se, Federata Ruse vlerëson se ekzistojnë mundësi të pashfrytëzuara për të rritur bashkëpunimin ekonomik pragmatik mes dy vendeve tona dhe shpreson se në të ardhmen të punohet për të rritur nivelin e këtij bashkëpunimi. Zoti Karpushin shprehu besimin se një impuls të fortë shkëmbimeve dypalëshe ekonomike do t’i japë takimi në muajin prill në Tiranë i bashkëkryetarëve të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor, si dhe sesioni i ardhshëm i këtij Komisioni që pritet të mbahet në vjeshtë, kur të formohet qeveria e re shqiptare. Basha dhe ambasadori Karpushin vlerësuan si konstruktiv një komunikim të tillë dhe vlerësuan se pikëpamjet e ndryshme në disa çështje nuk duhet të pengojnë përpjekjet për të eksploruar fusha të bashkëpunimit reciprok.

Kreu i PD me ambasadorët e BE: Optimizëm për kërkesat e opozitës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha bashkë me aleatët opozitarë zhvilloi një tjetër drekë punë me ambasadorë të vendeve të BE ku është diskutuar mbi gjendjen e rënduar politike që ka përfshirë vendin ashtu si edhe qendrimin e opozitës për të qendruar deri në fund në betejën për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.  “Diskutuam për gjendjen politike në vend dhe bashkë me përfaqësuesit e tjerë të koalicionit opozitar, bëmë të qartë vendimin tonë për të mos u tërhequr nga beteja qytetare, nga beteja popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, deri në realizimin e kushtit të vetëm të opozitës që është; një qeveri teknike me vullnet të gjerë politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha. Kreu i PD tha se nga ana e amabasdorëve të BE pati optimizëm në lidhje me kërkesat e paraqitura nga opozita. “Për sa kohë më njihni, edhe si ministër i Jashtëm, nuk kam folur në emër të ambasadorëve, e s’mund të flas sot në emër të ambasadorëve. Qëllimi ishte një bashkëbisedim dhe ishte shumë i frytshëm, dashamirës, mbështetës për qëllimet europiane dhe europianizuese të qendresës, të lëvizjes tonë popullore. Unë, besoj edhe kryetarët e partive të tjera të koalicionit, ndahemi edhe nga kjo drekë me shumë optimizëm dhe akoma me më shumë vendosmëri për t’i shkuar deri në fund kauzës tonë”, u shpreh Basha.

Basha në Elbasan për Ditën e Verës

Kryedemokrati Basha uroi dje nga Elbasani festën e Ditës së Verës. “Elbasani është zemra e traditës së mrekullueshme të Ditës së Verës. Sot jam shumë i lumtur që jam në mes qytetareve dhe qytetarëve të Elbasanit, por edhe shumë qytetarëve të tjerë të Shqipërisë që ndodhen këtu për të festuar Ditën e Verës. Nga zemra, i uroj çdo shqiptari e në veçanti elbasanllinjve: Gëzuar Ditën e Verës! Sjelltë shpresë për një të ardhme më të mirë për çdo shqiptare dhe çdo shqiptarë”, i pyetur nga mediat në lidhje me deklaratën e Ramës se çadra e lirisë po i shërben qarqeve të huaja, Basha tha: “Nuk do të merrem me komente broçkullash, se është Dita e Verës. Por dua t’iu uroj të gjithë shqiptarëve: Gëzuar Ditën e Verës! Dhe qoftë fillimi i punëve të mbara dhe mbarimi i punëve të nisura si rruga e “Elbasanit” dhe i punëve të tjera të mira, të shumta, që do të bëjmë së bashku për Shqipërinë dhe për gjithë shqiptarët”.

Eurodeputeti gjerman Veber: I shqetësuar për situatën në rajon

Eurodeputeti gjerman Manfred Veber deklaroi se është shumë i shqetësuar për situatën aktuale në Maqedoni, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Ai paralajmëroi se Bashkimi Europian nuk do të zgjerohet me të paktën dhe për disa vjet.
Partia Popullore Evropiane (PPE), grupimi më i madh në numër në Parlamentin Evropian është e shqetësuar për gjendjen në Maqedoni, Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, si dhe për tërë Ballkanin. Kështu deklaroi kryetari i PPE-së në dhomën ligjdhënëse evropiane, Manfred Veber në raportim me gazetarët-korrespondentë në Parlamentin Evropian në Strasburg.
Sipas politikanit gjerman në krye të partisë më të madhe evropiane, PPE është veçanërisht e shqetësuar, sepse punët po keqësohen, tensionet rriten në Ballkan, veçanërisht Bashkimi Evropian nuk mund të premtojë diçka më shumë, duke e pasur parasysh se zgjerimi i Unionit nuk do të ndodhë vitet e ardhshme dhe sipas tij, “as në dekadat e ardhshme”.
“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për gjendjen e Ballkanit. Kohë më parë, isha në Kroaci dhe diskutova me presidentin e tyre dhe me kryetarin e Parlamentit për gjendjen në rajon. Alarmante janë situatat në Bosnje Hercegovinë, Maqedoni dhe Kosovë. Punët atje po përkeqësohen. Jemi të shqetësuar për Ballkanin, sepse e konsiderojmë si pjesë të Evropës”, theksoi Verber.
Sipas liderit të demokristianëve evropianë në Parlamentin Evropian, problem i madh për vendet e rajonit ballkanik është ajo që BE-ja nuk ka çka t’ju ofrojë. “Zgjerim nuk do të ketë në vitet në vijim e ndoshta edhe në dekadat e ardhshme”, paralajmëroi Manfred Veber. Në raportimin me gazetarët në Strasburg, eurodeputeti gjerman theksoi se, veçanërisht e shqetëson zhvillimi i ngjarjeve në Turqi dhe sulmet ndaj vendeve anëtare të BE-së dhe në tërësi të BE-së. Kjo spirale e përshkallëzimit, sipas Veber, duhet të ndalojë dhe theksoi se Unioni në tërësi qëndron pas Holandës, duke porositur se ngjarjet me dhe rreth Turqisë nuk do të arrijnë ta ndajnë Evropën. Në këtë pikëpamje, për shkak të ngjarjeve vendore në Turqi, Verber në emër të Partisë Popullore Evropiane kërkoi që BE-ja t’i ngrijë negociatat inkuadruese me këtë vend, edhe pse theksoi se duhet të respektohet marrëveshja për parandalimin e fluksit të emigrantëve.

Lëndët kimike dhe Veliera, aktivistët takim me Nishanin

Kreu i Shtetit priti sot në një takim disa përfaqësues aktivë të Shoqërisë Civile dhe dëgjoi me vëmendje shqetësimet e tyre për dy çështje madhore, problematikat madhore të shfaqura në zonën arkeologjike të Durrësit me zbatimin e projektit ‘Vela’, si dhe shqetësimin e thellë të mundësisë së kalimit dhe asgjësimit, në territorin e Republikës së Shqipërisë, të një sasie të konsiderueshme të lëndëve kimike. Presidenti Nishani nënvizoi se, ligji dhe vetëm ligji është garantuesi i mirëfunksionimit të strukturave shtetërore dhe i mbështeti aktivistët në vijimin e punës së tyre qytetare e demokratike për një vend më të mirë e një shoqëri më të zhvilluar.

Shqipëria në zonën e rrezikut për problemet me hipertensionin

Shqiptarët po preken gjithnjë e më shumë nga sëmundjet që lidhen me hipertensionin, sipas Observatorit Global të Shëndetit. Vendi ynë është në zonën e rrezikut në mesin e vendeve që kanë prevalencën më të lartë në të gjithë Europën. Sëmundja që ka si shkak stilin e jetesës ka prekur më së shumti vendet ish-komuniste, që sot cilësohen si ekonomitë e tranzicionit.
Sipas Observatorit, në Shqipëri rreth 32 për qind e popullsisë mbi 18 vjeç është e prekur nga tensioni i lartë i gjakut. Nivelin më të ulët të sëmundshmërisë shihet ta ketë Britania e Madhe me 21 për qind të popullisë mbi 18 vjeç, ndërsa nivelin më të lartë e ka Estonia me 38 për qind të popullsisë së rritur të prekur.
Instituti i Shëndetit Publik në një raport të posaçëm për shëndetin e popullatës argumenton se niveli i vdekshmërisë nga sëmundja ishemike e zemrës që i atribuohet hipertensionit është rritur dy herë në Shqipëri gjatë 20 viteve të fundit, kurse niveli i vdekjeve nga sëmundjet cerebrovaskulare për shkak të hipertensionit arterial është rritur me më tepër se 70%.
Vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës që i atribuohet hiperkolesterolemisë pothuajse është dyfishuar në Shqipëri, i cili është i vetmi vend në rajonin e Evropës Juglindore që po kalon një rritje graduale të barrës së sëmundshmërisë që i atribuohet nivelit të lartë të kolesterolit total.
Sipas të dhënave të Barrës Globale të Sëmundjeve, hipertensioni arterial ishte faktori i dytë i rrezikut, shkaktar për pjesën më të madhe të barrës së sëmundjeve në Shqipëri vitet e fundit, pas faktorëve të rrezikut të lidhur me dietën.
Prevalenca e hipertensionit arterial ishte më e lartë tek individët më të rritur (45-49 vjeç), ku 40% e femrave dhe 45% e meshkujve në këtë grupmoshë kishin hipertension.
Më tej, 80% e femrave dhe 90% e meshkujve me hipertension nuk ishin të vetëdijshëm për gjendjen e tyre. Një studim i bazuar në popullatën i kryer në Tiranë në vitet 2000, që përfshiu një kampion përfaqësues meshkujsh dhe femrash të moshës 35-74 vjeç, tregoi se prevalenca e vetëraportuar e hipertensionit arterial ishte 15% te meshkujt dhe 19% te femrat.
Sipas vlerësimeve të 2010, niveli i përgjithshëm i vdekshmërisë që i atribuohet tensionit të lartë të gjakut në Shqipëri ka pasur një rritje domethënëse gjatë njëzet viteve të fundit.
Niveli i vdekshmërisë nga hipertensioni nga 135 për 100 mijë banorë në vitin 2003 arriti në 245 vdekje për 100 banorë në vitin 2010.

Tirana, qyteti me cilësinë më të keqe të jetesës në Evropë

Tirana është qyteti i 176-të në botë ndër 231 qytete, sa i përket cilësisë së jetesës. Rezultatet janë publikuar nga “Mercer”, që është ndër kompanitë më prestigjioze në nivel global e që çdo vit përpilon indeksin e cilësisë së jetesës. Në indeksin e një viti më parë, Tirana zinte vendin e 179-të, ndër 230 qytete të ndryshme të botës, çka përkthehet në një përmirësim me tri pozicione në renditjen totale. Pavarësisht progresit të lehtë, në krahasim me të tjerët, Tirana mbetet në vend. Edhe këtë vit, ashtu si një vit më parë, Tirana është qyteti me cilësinë më të dobët të jetesës në Europë, pas Minskut të Bjellorusisë. Bukureshti ndërkohë është në vendin e 107-të, Zagrebi në vendin e 98-të dhe Athina në të 87-tin. Në nivel global, Vjena konfirmohet në vend të parë, si qyteti me cilësinë më të mirë të jetesës, e ndjekur nga Zyrihu dhe Auckland i Zelandës së re. Në rang global, qyteti me cilësinë më të ulët të jetesës është Bagdadi në Irak. Ky është edicioni i 19-të i këtij edicioni të indeksit të cilësisë së jetesës së “Mercer”. Në vitin 2015, Tirana ndërkohë renditej e 180-ta. Në këtë përfundim arrin raporti i “Mercer” për vitin 2016. Ky raport ka hyrë tashmë në edicionin e 18-të të publikimit. Në rang global merren në analizë plot 230 qytete të ndryshme dhe Tirana zë vendin e 179-të, me vetëm një pozicion përmirësim në krahasim me vitin paraardhës, kur renditej e 180-ta. Pozicioni i dobët i kryeqytetit të Shqipërisë në këtë renditje specifikohet edhe nga vetë studimi, ku nënvizohet se Kievi, Tirana dhe Minsku janë tri qytete që shënojnë performancën më të dobët në kontinentin e vjetër. Kryeqyteti shqiptar sipas “Mercer” ofron një cilësi më të ulët jetese edhe se Maputo në Mozambik, Cairo i Egjiptit, apo edhe se New Delhi, Dakar apo Accra. Në rajon performancën më të mirë e regjistron Zagrebi, i renditur në vendin e 98-të. Në rang global ndërkohë, ajo që bie në sy është fakti se mes 10 vendeve të para në renditje, 7 prej tyre përfaqësojnë Europën Perëndimore. Pavarësisht vështirësive ekonomike, këto vende vazhdojnë të vlerësohen si ato me cilësinë më të lartë të jetesës. Në vend të parë renditet Vjena e ndjekur nga Zurihu dhe më pas ndjek Auckland në Zelandën e Re. Gjermania përfaqësohet me 3 qytete në listën e 10 vendeve më të mira për të jetuar.

Hezituan të japin informacion, Komisioneri hetoi 95 zyrtarë

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit njoftoi se 95 zyrtarë dhe një rrjet i lidhur me ta u bënë objekt i hetimit administrativ se refuzuan të japin informacion konform ligjit gjatë vitit të kaluar. Në një raportim të posaçëm për Kuvendin, Komisioneri bëri me dije se u depozituan 684 ankesa, prej të cilave 547 janë zgjidhur me ndërmjetësim, për 36 ankesa Komisioneri është shprehur me vendim. Nga këto kërkesa 65 ankesa kanë rezultuar jashtë objektit. Rritja e numrit të ankesave nga organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët është një tregues i mirë i rritjes së ndërgjegjësimit. Gjithashtu, fakti që pjesa më e madhe e ankesave janë zgjidhur me ndërmjetësim tregon efektivitetin e ndërhyrjes së Zyrës së Komisionerit. Pjesa më e madhe e ankesave të shqyrtuara nga Zyra e Komisionerit kanë qenë ankesa të drejtuara nga organizata të shoqërisë civile. Konkretisht 374 ankesa janë depozituar nga OJF dhe 310 janë depozituar nga qytetarët. Vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të ankesave të qytetarëve krahasuar me një vit më parë, ku numri në total i ankesave ka qenë 274. Ankesat kanë qenë kryesisht për institucionet e pushtetit vendor, por ka patur ankesa edhe për institucionet e pushtetit qendror. Komisioneri argumenton se mbetet ende problematike moskthimi i përgjigjes nga ana e autoriteteve publike brenda afatit 10 ditor të përcaktuar në Ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Zyra e Komisionerit ka realizuar 95 hetime administrative në fushën e të drejtës për informim me synim verifikimin e ankesave të depozituara. Më pas janë dërguar pranë autoriteteve publike 273 kërkesa për parashtrime, ndërsa 46 ankesa vijojnë të jenë në proces. Gjithashtu, janë dhënë 36 vendime. Autoritetet publike, prej të cilave 2 vendime, që i përkasin 3 sanksioneve administrative ndaj personave përgjegjës për refuzim për vënie në dispozicion të informacionit publik të kërkuar. Nga përgjigjet e marra nga 78 autoritete publike rezulton se për vitin 2016 janë trajtuar 14314 kërkesa për informacion dhe vetëm 626 prej tyre janë refuzuar, çka do të thotë që vetëm 4.3% e kërkesave është refuzuar duke sjellë që pjesa e dytë e indikatorit të jetë realizuar në masën 95.7%. Për vitin 2016, sanksionet e vendosura nga komisioneri janë 5340 lekë dhe vlera e arkëtuar është në shumën 3148 lekë.

Autoriteti i Konkurrencës akuzon kompanitë për çmimet e siguracioneve

Autoriteti i Konkurrencës akuzon kompanitë e sigurimeve se i vendosin çmimet e siguracioneve të makinave në marrëveshje me njëri–tjetrin. Në raportin vjetor që i është dorëzuar Parlamentit, thuhet se kompanitë kanë krijuar kartel në këtë sektor dhe kanë shmangur rregullat e konkurrencës. Ndryshimet e shpeshta në çmimin e sigurimeve të makinave vlerësohen si marrëveshje të ndaluara edhe nga Autoriteti i Konkurrencës. Së fundi, ky institucion ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë raportin vjetor, ku e vlerëson tregun e sigurimeve si një nga më kaotikët. Në raport argumentohet se janë bërë hetime të shumta dhe ka rezultuar se të gjitha shoqëritë që operojnë në këtë fushë, në datën 24 gusht 2016- të kenë rritur çmimet në të njëjtën masë dhe në të njëjtën ditë. “Është vërejtur se të gjitha shoqëritë kanë aplikuar çmimin e rritur për produktin MTPL në të njëjtën datë dhe në të njëjtën masë me 16.7%, me përjashtim të njërës, e cila i ka aplikuar një ditë më vonë”, thuhet në raport. Autoriteti i Konkurrencës arrin në përfundimin se kompanitë e sigurimeve i kanë caktuar çmimet në marrëveshje me njëra–tjetrën, duke krijuar një kartel në sektor. Por edhe pse konkurrenca ka bërë rekomandime pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për të marrë masa në këtë treg, kjo nuk i ka shqetësuar aspak kompanitë e sigurimit. Vetëm gjatë shkurtit ato ndryshuan tre herë çmimin e policave të sigurimit, duke e ulur dhe rritur në të njëjtat data nga të gjitha kompanitë. Në bazë të rregullores, kompanitë duhet të miratojnë një herë tarifat e reja pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, por askush nuk i ka zbatuar këto rregulla.