16.7 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Autoriteti i Konkurrencës akuzon kompanitë për çmimet e siguracioneve

Autoriteti i Konkurrencës akuzon kompanitë e sigurimeve se i vendosin çmimet e siguracioneve të makinave në marrëveshje me njëri–tjetrin. Në raportin vjetor që i është dorëzuar Parlamentit, thuhet se kompanitë kanë krijuar kartel në këtë sektor dhe kanë shmangur rregullat e konkurrencës. Ndryshimet e shpeshta në çmimin e sigurimeve të makinave vlerësohen si marrëveshje të ndaluara edhe nga Autoriteti i Konkurrencës. Së fundi, ky institucion ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë raportin vjetor, ku e vlerëson tregun e sigurimeve si një nga më kaotikët. Në raport argumentohet se janë bërë hetime të shumta dhe ka rezultuar se të gjitha shoqëritë që operojnë në këtë fushë, në datën 24 gusht 2016- të kenë rritur çmimet në të njëjtën masë dhe në të njëjtën ditë. “Është vërejtur se të gjitha shoqëritë kanë aplikuar çmimin e rritur për produktin MTPL në të njëjtën datë dhe në të njëjtën masë me 16.7%, me përjashtim të njërës, e cila i ka aplikuar një ditë më vonë”, thuhet në raport. Autoriteti i Konkurrencës arrin në përfundimin se kompanitë e sigurimeve i kanë caktuar çmimet në marrëveshje me njëra–tjetrën, duke krijuar një kartel në sektor. Por edhe pse konkurrenca ka bërë rekomandime pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për të marrë masa në këtë treg, kjo nuk i ka shqetësuar aspak kompanitë e sigurimit. Vetëm gjatë shkurtit ato ndryshuan tre herë çmimin e policave të sigurimit, duke e ulur dhe rritur në të njëjtat data nga të gjitha kompanitë. Në bazë të rregullores, kompanitë duhet të miratojnë një herë tarifat e reja pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, por askush nuk i ka zbatuar këto rregulla.

Prokuroria kërkon nga pala greke dosjet e plota të Klemend Balilit

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon më shumë të dhëna dhe prova konkrete për dosjen e Klemend Balilit, të njohur si “Escobari i Ballkanit”. Bëhet e ditur se, me anë të një letër-porosie dërguar pranë autoriteteve të drejtësisë greke, Prokuroria kërkon që t’i vihen në dispozicion disa prova materiale, të cilat janë administruar dhe sekuestruar nga Prokuroria e Athinës. Në kërkesë, mes tjerash prokurorët kërkojnë dosjen e plotë të përgjimeve të personave të tjerë, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me Klemend Balilin kanë trafikuar disa tonelata hashash e kokainë drejt vendeve të BE-së.
Në materialet e ardhura në Shqipëri, thuhet në kërkesën e Prokurorisë, për Balilin janë sjellë vetëm provat për dy raste të trafikut të drogës. Ndërkohë nga komunikimet zyrtare, pala greke thonë burimet, kanë njoftuar prokurorinë shqiptare se Balili dyshohet edhe për 8 raste të tjera të trafikut të kokainës, herionës dhe hashashit. Por për këto raste, Prokuroria shqiptare nuk ka asnjë provë dhe për këtë fakt është kërkuar të dërgohen në Shqipëri të dhënat shtesë ku emri i Balilit është i përfshirë. Në mesin e provave të kërkuara, sipas akuzës, janë edhe akt-ekspertimet e kryera të drogës së sekuestruar në të gjitha rastet ku dyshohet se është përfshirë Klemend Balili, i cilësuar nga media greke si “Eskobari i Ballkanit”.
Gjithashtu, në letër-porosinë që tashmë është përkthyer dhe dërguar autoriteteve greke, prokurorët kërkojnë edhe deklarimet e personave të arrestuar gjatë operacionit të muajit maj të vitit të kaluar. Në veçanti, dëshmi të dy skafistëve shqiptarë Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, pasi janë edhe personat që kanë komunikuar vazhdimit me Balilin. Komunikime këto që kanë vazhduar nga data 1 deri 8 maj 2016 ditën edhe kur janë arrestuar nga pala greke. Një pjesë e këtyre përgjimeve të komunikimeve mes tyre janë sjellë në Shqipëri, por dëshmitë e tyre, mund të japin detaje të tjera për hetimin e nisur nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Për llogari të kësaj dosje, veç Balilajt të shpallur në kërkim pala greke ka arrestuar edhe 16 persona të tjerë, mes tyre shtetas shqiptar në Greqi e Belgjikë e shtetas të tjerë bullgar, italian dhe grekë.

Gjykata e Apelit refuzon lirimin nga burgu të Artur Zotos

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda refuzoi lirimin nga burgu të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Artur Zoto, i akuzuar për “korrupsion” në bashkëpunim. Treshja gjykuese, e kryesuar nga gjyqtarja Nure Prendi dhe anëtarët Gjovalin Përnocaj dhe Dhimitër Lara, nuk pranuan kërkesën e të dyshuarit dhe avokatit mbrojtës, që t’i ndryshohet masa e sigurisë. Gjyqtarët, që zhvilluan seancën gjyqësore me dyer të mbyllura, pasi dëgjuan argumentet e prokurorit dhe avokatit, lanë në fuqi vendimin e “Arrestit me burg” të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Vetë ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve nuk u paraqit në sallën e gjyqit, duke kërkuar që të përfaqësohet nga avokati mbrojtës Theodhori Sollaku. Pas vendimit të Gjykatës, avokati Sollaku nuk preferoi të komentoi vendimin edhe pse burimet thonë se brenda sallës së gjyqit, ka pretenduar se klienti i tij është i pafajshëm. Avokati, thonë burimet e ka cilësuar dëshminë e ish-zv/drejtorit të Përgjithshëm Iljaz Labi tashmë me statusin e të penduarit, si jo të vërtetë. Këtë pretendim, mësohet se e ka kundërshtuar përfaqësuesi i akuzës në sallën e gjyqit.
Sipas Prokurorisë, Iljaz Labi ka deklaruar se 10% të vlerës totale të tenderit të ushqimeve për burgjet, të marrë në formën e ryshfetit nga kompanitë fituese, ia ka dorëzuar ish-shefit të tij, Artur Zoto. Ky pretendim, thonë nga prokuroria, provohet edhe me përgjimin e bisedave telefonike të ish-zv/drejtorit Labi, i cili në një nga mesazhet dërguar përfaqësuesit të kompanive fituese të tenderit të ushqimeve, të pandehurit Ylber Kalaj, i thotë mes tjerash se “paratë janë për ata lart”, duke nënkuptuar shefin e tij, tashmë të arrestuar Artur Zoto. Për llogari të kësaj dosje, veç Zotos dhe ish-vartësit të tij, Labi janë arrestuar edhe 4 përfaqësues të kompanive të ndryshme, të cilat janë shpallur fitues për tenderin e furnizimeve me ushqime në të gjithë burgjet.

Gomonia me 800 kg drogë nga Durrësi kapet në Itali

Një gomone me 800 kg hashash u kap në brigjet italiane pasditen e të hënës. Lënda narkotike ishte ngarkuar në Shqipëri, ndërsa në pranga kanë rënë dhe dy skafistët që transportonin drogën. Gomonia  7 m e gjatë me dy motorë nga 150 kuajfuqi u kap nga Guarda di Finanza në afërsi të Viestes, Foxhia. Sipas mediave italiane, gatë operacionit është sekuestruar gomonia dhe lënda narkotike, në total 800 kg e ndarë në 42 pako. Bëhet e ditur se gomonia ishtë nisur nga brigjet e Durrësit, ndërsa janë arrestuar në flagrancë dy skafistët shqiptarë me iniciale V.T, 21 vjeç nga Kavaja dhe D.B. 32 vjeç nga Durrësi.
Trafiku i drogës drejt Italisë është rritur frikshëm gjatë ditëve të fundit. Tre ditë më parë Forcat e Guardia di Finanzas kapën një gomone me 1.2 ton marijuanë në ujërat e Adriatikut, pranë Barit. Mediat italiane bënë të ditur se, Drejtoria Antimafia e Policisë së Barit në bashkëpunim me repartin territoral të Policisë Financiare kanë sekuestruar një gomone me drogë me prejardhje nga Shqipëria. Sipas mediave italiane, një skaf me motorë të fuqishëm i nisur nga brigjet shqiptare u pikas nga Guardia di Finanza dhe u ndoq në det për disa minuta. Në operacion u angazhuan forca të shumta policore nga deti dhe nga ajri. Skafi me drogë ishte drejtuar në veri të Barit, por është bllokuar në Molfeta. Për t’i shpëtuar policisë, trafikantët hodhën në det ngarkesën me kanabis.
Sipas statistikave, gjatë dy muajve të parë të këtij viti drejt Italisë janë futur plot 30 tonë drogë nga brigjet shqiptare. Kjo sasi e madhe droge e kapur në Itali u konfirmua edhe nga Shefi i Guardia di Finanza, Giorgio Toschi. Kreu i Guardia di Finanza deklaroi para një jave në Tiranë se, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë kapur 30 ton mariuanë e nisur nga Shqipëria.

Policia greke sekuestron 40 kg drogë dhe armë nga Shqipëria

Policia greke ka sekuestruar 40 kg marijuanë; 33 gram kokainë, 300 euro dhe një pistoletë si dhe ka vënë nëpranga një shqiptar dhe një grek. Mediat greke shkruajnë se shqiptari 32-vjeçar u arrestua bashkë me një grek, 42 vjeç, pasi në servisin e makinave në pronësi të grekut u gjetën 37 pako me 40 kg e 200 gram marijuanë; 33 gram kokainë, një peshore dhe 300 euro.
Pas ndalimit policia greke ka ushtruar kontroll edhe në shtëpinë ku jetonte shqiptari, ku ka gjetur 3 pako me 119 gram kokainë, 16 gram marijuanë, një peshore, 50 qeska mbështjellëse, 1 pistoletë me 4 fishekë të kalibrit 7.65 mm si dhe 2700 euro.
Po kështu policia iu sekuestroi edhe 2 celularët. Nga verifikimet ka rezultuar se 32-vjeçari shqiptar ishte në kërkim në Shqipëri për trafik të një sasie të madhe droge, ndërkohë që në Greqi kishte hyrë dhe qëndronte ilegalisht.

Raporti i KE: Shqipëria, 207 të burgosur për 100 mijë banorë

Këshilli i Europës ka prezantuar raportin vjetor për Statistikat Penale. Mes 46 shteteve në raport, KiE ka analizuar dhe Shqipërinë, ku vëren mbipopullimin e burgjeve dhe nevojën për përmirësimin e shërbimit të provës. Sipas KiE, “do të ishte një vlerë e shtuar për sistemin kriminal gjyqësor, duke vlerësuar, parandaluar dhe ndrequr aktivitetin kriminal në vend. Bashkëpunimi më efektiv i këtij shërbimi me institucionet e tjera kriminale në vend si gjykatat, prokuroria, policia dhe Drejtoria e Burgjeve do të ndihmonte edhe në krijimin e një komuniteti më të sigurt, si dhe do të ndihmonte në uljen e popullimit të burgjeve shqiptare”.
Raporti tregon një tjetër plagë të sistemit gjyqësor, atë të afateve të zgjatura për dënimin e një individi. Mbi 1800 individë ndodhen në paraburgim në pritje të një vendimi të gjykatës. Së bashku me individët e shpallur fajtor ende pa dënim dhe ata të cilët janë ende në proces apelimi, përbëjnë 49% të numrit të të dënuarve.
Sipas të dhënave të KiE për shtatorin 2015, burgjet shqiptare populloheshin me 119.6 të burgosur në 100 vende kapacitet. Kjo shifër tejkalohet vetëm nga Maqedonia me 138.2 të burgosur për 100 vende, si dhe nga Belgjika e Hungaria me 127 dhe 129.4 të burgosur.
Sa i përket të burgosurve për raport popullsie, Shqipëria ka 207.2 të burgosur për 100 mijë banorë, shumë më sipër se mesatarja europiane 135.
Ky raport është më i larti në të gjitha vendet e Ballkanit dhe paraqitet si problematik duke qenë se vende si Kroacia, me 4 milionë e 100 mijë banorë, ka pothuajse gjysmën e numrit të individëve të burgosur, raporton televizioni “Scan”.
Shifrat e Shqipërisa duket se tejkalohen vetëm nga vendet lindore me një të kaluar komuniste, ku Rusia shfaq gjendjen më alarmante me 439.2 të burgosur për 100 mijë banorë. Në fakt Shqipëria renditet e 9-ta nga 46 shtetet e analizuara, ndërsa që prej vitit 2009, ky tregues ka ardhur në rritje.
Përsa i përket moshës mesatare të të burgosurve, Shqipëria është vendi me individët me moshë më të re, të cilët vuajnë një dënim.

Basha-Alfanos: Nga kriza dilet vetëm me qeveri teknike

“Standardet evropiane në zgjedhje mund të realizohen vetëm, duke pasur një qeveri teknike që angazhohet për të zbatuar prioritetet kryesore integruese si; dekriminalizimi, lufta pa kompromis ndaj drogës dhe parave që çlirohen nga ky trafik, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatim i Reformës në Drejtësi në përputhje me ndryshimet kushtetuese të 22 korrikut të miratuara me konsensus”
Basha dhe ministri Alfano diskutuan në lidhje me rritjen e shqetësimit për shumëfishimin e kultivimit të kanabisit në veçanti, dhe trafikimit të kësaj droge që ka afektuar rëndë vendin fqinj. Kjo e konfirmuar edhe nga Prokurori Kombëtar i Antimafies, Franco Roberti
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka diskutuar dje me ministrin e Jashtëm të Republikës së Italisë, Angelino Alfano mbi situatën politike si dhe angazhimin e opozitës për t’i shkuar deri në fund kauzës së ngritur për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha falenderoi ministrin Alfano për bashkëpunimin si dhe mbështetjen që Italia ka dhënë dhe jep në proceset integruese në Shqipëri. Diskutimi u fokusua tek aktualiteti politik në vend, dhe tek kërkesat e Partisë Demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme. Basha i tha ministrit të Jashtëm italian se qeveria teknike është mënyra e vetme për të dalë nga kriza dhe për të siguruar votë të lirë e të ndershme, sipas standardeve evropiane. Integrimi evropian është proces jetësor për Shqipërinë dhe pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të ketë Shqipëri evropiane, pohoi Basha. Kryetari i Opozitës sqaroi se, këto standarde evropiane në zgjedhje mund të realizohen vetëm, duke pasur një qeveri teknike që angazhohet për të zbatuar prioritetet kryesore integruese si; dekriminalizimi, lufta pa kompromis ndaj drogës dhe parave që çlirohen nga ky trafik, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi në përputhje me ndryshimet kushtetuese të 22 korrikut të miratuara me konsensus. Basha dhe minsitri Alfano diskutuan në lidhje me rritjen e shqetësimit për shumëfishimin e kultivimit të kanabisit në veçanti, dhe trafikimit të kësaj droge që ka afektuar rëndë vendin fqinj. Kjo e konfirmuar edhe nga Prokurori Kombëtar i Antimafies, Franco Roberti. Fatkeqësisht, raporti i fundit i Europol dhe Departamentit të Shtetit flasin me shqetësim për Shqipërinë si një port në Evropë për tranzitin e drogave të rënda, dhe e nxjerrin vendin tonë si burim kryesor për kanabisin. Basha përcolli me shqetësim dhe moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit nga qeveria, si dhe faktin që akoma në Parlament, në bashki dhe në poste publike, ka persona me rekorde kriminale. Basha e falenderoi ministrin Alfano për kontributin e paçmueshëm të Italisë mike në rrugëtimin 27-vjeçar të Shqipërisë së hapur dhe demokratike dhe shprehu bindjen në thellimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Eurodeputeti: Nuk ka demokraci pa opozitën

Kreu i Komisionit për Punët e Jashtme në PE, David McAllister i kërkon BE-së t’i kushtojë vëmendje përkeqësimit të situatës politike në disa vende ballkanike. Për Shqipërinë, ai thotë se duhet mbështetur jo vetëm qeveria, por edhe opozita, për të pasur një demokraci cilësore.
-Situata e tensionuar në Ballkan ka qenë temë diskutimi të samitit të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian. Sipas jush, çfarë duhet të bëjë më shumë Bashkimi Evropian për vendet e Ballkanit apo është sfidë e përbashkët?
E mirëpres faktin, që kryetarët e shteteve dhe të qeverive i kushtuan një pjesë të kohës së tyre diskutimit mbi Ballkanin. Ballkani Perëndimor duhet të mbetet një prioritet kyç i politikës sonë të fqinjësisë. Nëse shohim të gjashtë vendet e Ballkanit, ato janë rrethuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe kanë një perspektivë evropiane. Të gjashtë vendet e Ballkanit po rrugëtojnë drejt Bashkimit Europian me shpejtësi të ndryshme, por secili nga shtetet do të ketë shansin që një ditë të bëhet anëtar i BE-së. Sigurisht që është e vështirë të anëtarësohesh në Bashkimin Europian. Kjo do të marrë një kohë të gjatë. Si raportues për Serbinë, e di shumë mirë se për çfarë flas. Serbia është në rrugën e saj drejt BE-së, ne po hapim me radhë një kapitull pas një tjetri, por kjo do marrë kohë. Është një detyrë e vështirë dhe duhen përmbushur kriteret që janë vendosur. Shpresoj që do të mund të hapim kapitujt e parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë më së voni në fillim të vitit të ardhshëm. Por ky është një vendim që nuk është në duart e Parlamentit Europian. Por mesazhi që Bashkimi Europian po dërgon përmes vizitave të komisionerit Hahn, turit së përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe diskutimit në Këshillit Europian është që ne po i kushtojmë vëmendje rajonit. Situata politike në disa vende të Ballkanit po përkeqësohet. Ju e përcaktuat të tensionuar. Ne duhet t’a marrim këtë shumë seriozisht, sepse bëhet fjalë për fqinjët tanë më të afërt.

-Ju jeni kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian dhe si raportues për Serbinë e dini shumë mirë që vendet e Ballkanit kanë një problem të theksuar të kulturës demokratike. Si sfidohet kjo? Duhet një tjetër qasje nga BE-ja apo u takon vetë vendeve të zgjidhim problemet?
U takon vendeve të Ballkanit që të vendosin nëse duan të bëhen pjesë e familjes europiane. Për këtë duhen të pranojnë sistemet tona politike dhe të ndajnë të njëjtat vlera të përbashkëta me ne. Sigurisht që u takon qeverive, forcave politike në Parlament që të japin udhëzimet dhe orientimet për integrimin europian, ashtu siç ne kemi përgjegjësinë që të mbështesim forcat politike që duan t’i bëjnë vendet e tyre pjesë të BE-së. Nuk është vetëm në interesin tonë që të kemi anëtarë të rinj siç ndodhi me Kroacinë në 2013, por është gjithashtu në interesin e vendeve që duan të anëtarësohen. Eshtë në interesin e sistemit politik, shoqërisë civile, të biznesit dhe të çdo qytetari, pasi koncepti i Bashkimit Europian përqendrohet mbi të gjitha te qytetari. Koncepti i Bashkimit Europian është me pak fjalë, që ne mund të udhëtojmë, të studiojmë, të punojmë kudo që të dëshirojmë në Bashkimin Europian. Ndaj, jam një europian kaq i bindur.

-Ju keni prezantuar disa amendamente në kuadrin e rezolutës Fleckenstein për Shqipërinë. A është e rëndësishme në këndvështrimin tuaj që vendi të përmbushë 5 prioritetet kyçe dhe të provojë që mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme?
Kam një bashkëpunim shumë të mirë me Knut Fleckenstein, edhe pse ai vjen nga një familje e ndryshme politike. Kjo provon, që kristiandemokratët dhe socialdemokratët edhe pse nuk janë pjesë e një familjeje politike dhe shumë herë kanë mosmarrëveshje, bashkëpunojnë për çështje të brendshme dhe çështje europiane. Për Shqipërinë janë të vlefshme të njëjtat parime që përdorim për Serbinë. Bëhet fjalë për forcimin e të drejtat themelore në fillim të proçesit të negociatave. Prioritete kyçe për një proçes negociatash anëtarësimi janë shteti ligjor, forcimi i demokracisë, forcimi i të drejtave të minoriteteve, të drejtat e njeriut, të drejtat e opozitës, liria e medias. Këto janë kyçe për një shtet të bazuar në shtetin ligjor dhe demokracinë. Dhe nuk mund të ketë vetëm një qeveri pa opozitë. Nuk mund të ketë një demokraci pa opozitën. Ndaj është shumë e rëndësishme që të mos forcohet vetëm qeveria, por edhe opozita. Cilësia e një demokracie në një vend lidhet fort me të drejtat e opozitës. Ndaj do ta këshilloj gjithmonë Shqipërinë, që të mos harrojnë që qeveria dhe opozita kanë nevojë për njëra-tjetrën. Opozita është aty për të kontrolluar qeverinë dhe në demokraci është normale që kohë pas kohe të ketë ndryshim pushtetesh. Kjo është normale në Perëndim dhe kjo duhet të jetë po aq normale në Ballkanin Perëndimor. Por është po aq e rëndësishme që të ketë një bashkëpunim të mirë midis qeverisë dhe opozitës për çështje të rëndësishme dhe qëllimi dhe interesi i përgjithshëm i anëtarësimit të Shqipërisë në BE duhet të mbështetet nga çdo politikan i përgjegjshëm.

Roli i Sergej Kislyak në marrëdhënien Rusi-SHBA

Roli kyç i Sergej Kislyak, nr. 1 i Moskës në Uashington. Me të ka biseduar Michael Flynn dhe ka qenë ai që ka takuar Jeff Sessions, kryeprokurorin të cilit i kërkohet dorëheqja. Ndodhej në rreshtin e parë, prillin e kaluar, kur kandidati republikan Donald Trump mbante fjalimin e tij të parë të politikës së jashtme, para një audience të zgjedhur, vetëm me ftesë, në Hotelin Mayflower në Uashington. Ai ishte në anën tjetër të telefonit, në javët para inaugurimit të presidentit të ri, i angazhuar në diskutime mbi sanksionet dhe luftën kundër terrorizmit me Michael Flynn, ish-këshilltari për sigurinë kombëtare, që u detyrua të japë dorëheqjen, vetëm prej asaj telefonate. Dhe ishte gjithmonë ai, gjatë fushatës zgjedhore, që u takua me Jeff Sessions, prokurori i Përgjithshëm tani i gjendur në shënjestër, ngase ka mohuar të ketë patur kontakt të mëparshëm me zyrtarët rusë, gjatë seancave të konfirmimit në Senat.
Në sagën e spekulimeve mbi Donald Trumpin dhe lidhjet e shoqëruesve të tij me Rusinë, të gjitha rrugët kalojnë nga Sergej Kislyak. Është ai, ambasadori i Kremlinit në SHBA që nga viti 2008, figura që lidh fijet e shumta të një historie të mbushur me mistere. A është vërtet, gjashtëdhjetë e ca vjeçari i shëndoshë, me pamjen e aparatçikut të epokës sovjetike, “diplomati më i rrezikshëm në Uashington”? Dhe cilat janë dyshimet e arsyeshme, të formuluara në një kronikë të “CNN”, nga ana e ish-zyrtarëve anonimë të shërbimeve të fshehta, sipas të cilëve Kislyak është jo vetëm një diplomat, por edhe një mjeshtër i spiunazhit, që shkëlqen në rekrutimin e informatorëve në kryeqytetin amerikan?
Akuza për aktivitete spiunazhi kundër Kislyak hidhet poshtë në Moskë, si “qesharake dhe fëminore” dhe “produkt i kaosit që mbretëron në Uashington dhe i përpjekjes për të gjetur armiq të rinj”, sipas fjalëve të Anton Tsvetov, i Qendrës së Kërkimeve Strategjike. Por edhe eksponentë amerikanë me autoritet e konsiderojnë të pabazë, duke bërë thirrje për të mos ngatërruar aktivizimin e tij diplomatik, me aktivitetet e inteligjencës. Për të gjithë, ka folur ish-ambasadori i Obamës në Moskë, Michael McFaul, gjithashtu një ithtar i një linje të ashpër ndaj Kremlinit dhe që pavarësisht dallimeve që kanë, është një mik i ngushtë i diplomatit rus: “Detyra e tij është që të përfaqësojë vendin e tij dhe e bën shumë mirë”, ka thënë McFaul.
Një inxhinier me profesion, karriera e Kislyak ka nisur që nga viti 1981. Ai ka shërbyer në misionin sovjetik në OKB, ka qenë i përfshirë në bashkëpunimin shkencor dhe çarmatimin, ka qenë ambasador i Rusisë në NATO dhe zëvendësministër i Jashtëm, para se të vendosej në Uashington, nëntë vjet më parë. Nën drejtimin e tij, ambasada në Uisconsin Avenue është bërë edhe një magnet kulturor: mban markën e saj diplomacia e jazz-it, muzikë që ai e do dhe që e sheh shpesh mysafir ose bashkorganizator koncertesh me muzikantë jazz-i amerikanë dhe rusë. “Stereotipet duhet të ndryshojnë së pari në zemra”, i pëlqen të thotë.
Cilado qoftë arsyeja, Sergej Kislyak është afër daljes në pension dhe Vladimir Putin ka përcaktuar tashmë pasardhësin e tij: Anatoly Antonov, 62 vjeç, diplomat karriere, ish-ministër i Mbrojtjes, pret vetëm aprovimin e Dumas, për të shkuar në Uashington. Shumë kompetent në fushën e çarmatimit, besnik ndaj Kremlinit, për ngurtësinë e tij është mbiquajtur “qen besnik” dhe ai u zgjodh në vjeshtën e vitit 2016, në pritje të një fitoreje të mundshme të Hillary Clintonit. Konfirmimi i tij është një sinjal se, edhe me ardhjen e Trumpit, Moska mbetet vigjilente.
Në ballon e madhe të ambasadorëve, po fillojnë ndërkohë të qarkullojnë emrat e parë të atyre që Donald Trump ka ndërmend të dërgojë në krye të diplomacisë amerikane në Moskë. Por dy kandidatët që konsiderohen si favoritë, janë tashmë në qendër të polemikave. I pari është Carter Page, këshilltar i Trumpit gjatë fushatës, biznesmen në sektorin energjetik, që në të kaluarën ka bërë biznes me Gazpromin, i konsideruar një prej “zyrtarëve të lidhjes” mes Trumpit dhe Putinit: edhe Page dje pranoi se e ka takuar Kislyakun në Konventën Republikane në Cleveland.
Kandidati tjetër për ambasadën në Moskë është një legjendë e diplomacisë amerikane, Richard Burt. Numri dy i sigurisë kombëtare dhe më pas ambasador në Bon gjatë administratës Reagan, kryenegociatori amerikan në tratativat e Start me Bushin e madh, sot është një prej lobistëve më të rëndësishëm të Uashingtonit. Bushi ka shkruajtur disa prej fjalimeve të Trumpit për politikën e jashtme. Por edhe ai ka Gazpromin mes klientëve të tij. Mund të jetë edhe rastësi, po nga cilado anë që të kthehesh, një hije ruse duket se nuk e braktis asnjëherë administratën Trump.

SHBA, presidenti Trump këtë javë paraqet buxhetin

Presidenti amerikan, Donald Trump do të paraqesë këtë javë një projektbuxhet që parashikon rritje masive të shpenzimeve ushtarake dhe ulje të programeve të tjera federale.
Propozimi, që pritet të paraqitet të enjten, do të ofrojë një vështrim më të hollësishëm se si Presidenti Trump synon të verë në zbatim politikën e tij “Amerika e Para”.
Buxheti ka të ngjarë të përballet me kundërshtime të fuqishme në Kongres, ku ligjvënësit qysh tani po debatojnë ashpër rreth një plani për të riparuar programin e kujdesit shëndetësor të vendit.
Shumë nga republikanët e zotit Trump e mbështesin planin e tij për një forcë më të madhe ushtarake, por ndryshe nga Presidenti, disa prej tyre kërkojnë të paguajnë për ushtrinë duke bërë shkurtime në fondet e sigurimeve shoqërore dhe në kujdesin shëndetësor për të moshuarit, dy programet më të mëdha federale.
Demokratët janë alarmuar nga propozimi në përgjithësi, veçanërisht nga plani i Presidentit për të shkurtuar programet që synojnë mbrojtjen e mjedisit dhe ndihmat për të varfërit.
Ligjvënës nga të dyja partitë kanë shprehur gjithashtu shqetësime rreth shkurtimeve të mëdha të propozuara nga zoti Trump për Departamentin e Shtetit dhe për ndihmën për jashtë, që sipas tyre do të ulnin ndikimin e SHBA jashtë vendit.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë theksojnë se propozimet e presidentit janë thjesht një projekt. Në fund, thonë ata, është Kongresi që duhet të bjerë dakord me një buxhet përfundimtar, por disa vendime të vështira duhet të merren.
Në një draft të publikuar muajin e kaluar, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se zoti Trump synon të rrisë buxhetin ushtarak me 54 miliardë dollarë, një nga rritjet më të mëdha në shpenzimet e mbrojtjes kombëtare. Propozimi i kësaj jave do të shpjegojë se si ka ndërmend presidenti të paguajë për një shtesë të tillë.
Sipas dokumenteve të buxhetit që i janë dhënë jozyrtarisht mediave, Presidenti Trump do ta kompensojë rritjen e kostos ushtarake me reduktime të gjera të shpenzimeve për agjencitë e ndryshme qeveritare.
Zoti Trump thuhet se po shqyrton mundësinë për një ulje deri në 25 për qind të buxhetit për Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit, 30 për qind për Departamentin e Energjisë dhe 37 për qind për Departamentin e Shtetit dhe ndihmën për jashtë.