21.9 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Zyrtarët europianë paralajmërojnë Turqinë

Zyrtarë europianë e paralajmëruan të hënën Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan të mos përdorë retorikë nxitëse, pasi ai e akuzoi Holandën, një vend anëtar i NATO-s, se kishte mbajtur një qëndrim prej nazisti, duke mos i lejuar zyrtarë të lartë nga Ankaraja të shkonin në mitingje të imigrantëve turq që jetojnë në Holandë.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, i bënë thirrje Turqisë “të përmbahet nga deklaratat dhe veprimet e tepruara që rrezikojnë ta acarojnë më tej situatën”.
Të dy zyrtarët thanë se, “Është e nevojshme të shmangen shkallëzime të mëtejshme dhe të gjenden mënyra për ta qetësuar situatën”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Turqisë dhe aleatëve të NATO-s, “të tregojnë respekt reciprok, të jenë të përmbajtur dhe të mbajnë qëndrime të matura për të ndihmuar në qetësimin e situatës”.
Zoti Erdogan paralajmëroi të dielën Holandën se, “do të paguajë çmim” pasi refuzoi të lejonte ministrin e Jashtëm të Ankarasë të futej në vend dhe dëboi një ministre tjetër në mënyrë që të mos organizoheshin tubimet me imigrantët turq.
Presidenti Erdogan e krahasoi Holandën me Gjermaninë naziste për ndalimin e dy ministrave turq.
“Nazizëm dhe fashizëm do të thotë: ajo që bëj unë është e drejtë dhe vetëm unë lejoj atë që unë dua, kur të dua. Këta njerëz shkuan shumë larg duke mbyllur dyert e konsullatës sonë”.
Ankaraja do të mobilizojë mbështetje mes miliona turqve që jetojnë e punojnë në Evropë, në mënyrë që të marrë votën e tyre për të zgjeruar autoritetin e presidentit. Ai ka ambicie për të mbajtur pushtetin deri më 2029.
Kryeministri holandez, Mark Rutte i quajti “nxitëse” komentet e Presidentit Erdogan.
“Ky vend, siç e ka theksuar dje kryebashkiaku i Roterdamit, u bombardua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga nazistët. Është krejtësisht e papranueshme të flasësh në këtë mënyrë për ne”.
“Turqia është një vend krenar; Holanda është një vend krenar”, tha zoti Rutte. “Ne nuk mund të bashkëpunojmë kurrë kur ka shantazhe dhe kërcënime të tilla”.
Mbështetës të qeverisë turke u mblodhën jashtë konsullatës holandeze në Stamboll të dielën, duke shprehur zemërim ndaj vendimit të qeverisë holandeze. Holanda po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme të 15 marsit dhe zyrtarët kanë frikë se tubimet turke do të forconin nacionalistët holandezë.
Ministrat gjermanë i kanë ashpërsuar komentet kundër Turqisë. Megjithë deklaratën e Kancelares Angela Merkel se, qeveria e saj nuk ishte kundër pjesëmarrjes së ministrave turq në tubime me imigrantët, për sa kohë që një pjesëmarrje e tillë bëhej e ditur në rrugë zyrtare, ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere tha se ishte kundër tubimeve politike turke në Gjermani. “Fushata turke nuk ka punë të zhvillohet këtu në Gjermani”, tha ai për median lokale.
Ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel tha se shpresonte që Turqia do të sillej me logjikë. Ministri i Financave, Wolfgang Schaeuble tha se Turqia “kishte shkatërruar bazat e nevojshme për të vazhduar përpara bashkëpunimin”.
Ministri i Jashtëm austriak tha se, Erdogani nuk do të lejohej të zhvillonte tubime në atë vend pasi këto organizime mund të shkaktonin fërkime më të mëdha dhe të pengonin integrimin.
Kryeministri i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, tha se ishte i shqetësuar se, “parimet demokratike janë nën presion” në Turqi.
Por në Francë, një tubim u zhvillua sipas planit dhe zyrtarët lokalë thanë se nuk kishte paraqitur kërcënim.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu dhe ministrja turke për Familjen, Fatma Betul Sayan Kaya po përpiqeshin të organizonin imigrantët turq në Holandë për të mbështetur përpjekjet e Erdoganit për një referendum që i jep atij autoritet shumë më të gjerë.
Qeveria holandeze përballet me zgjedhje të vështira të mërkurën, përballë forcës së ekstremit të djathtë të Geert Wilders, një parti antiislamiste. Autoritetet në Holandë nuk lejuan ardhjen e ministrave Cavusoglu dhe Kaya në Holandë.
Wilders bëri komente lidhur me planet turke për tubime politike: “Këtu jemi në Holandë, jo në Turqi. Një ministër turk nuk ka vend të bëjë lobizëm për dikë si Erdogani që s’është tjetër veçse diktator”.
Dje kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim tha përmes një deklarate se Turqia do të hakmerrej ndaj Holandës në “mënyrën më të ashpër” dhe me të njëjtën monedhë.
Ankaraja nuk lejoi ambasadorin holandez të kthehej në Turqi dhe kërcënoi se do të marrë edhe masa të tjera. Zyrtarët turq kanë bllokuar hyrjen në ambasadën holandeze në Ankara.
Turqia është anëtare e NATO-s, por përpjekjet e saj të gjata për anëtarësim në Bashkimin Evropian kanë vuajtur nga pengesa të shumta. Marrëdhëniet e saj me bllokun pësuan rënie pas veprimeve hakmarrëse të Presidentit Erdogan ndaj personave të dyshuar për lidhje me grushtin e dështuar të shtetit. Grindja aktuale me Holandën nuk i çon përpara shanset për anëtarësimin e Turqisë në BE.
“Vendi, i cili përfiton nga kjo grindje është Rusia”, argumenton Peter Eltsov, profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili i tha shërbimit rus të “Zërit të Amerikës” se Rusia po punon për të minuar Bashkimin Evropian dhe NATO-n, dhe për të rritur ndikimin e vet në botë.
Moska dhe Ankaraja u përplasën pasi Turqia rrëzoi një avion ushtarak rus në Siri në vitin 2015 dhe një shtetas turk vrau ambasadorin rus në Ankara në dhjetor. Por që nga grushti i dështuar i shtetit vitin e kaluar në Turqi, Putin dhe Erdogan janë takuar tre herë për të përmirësuar marrëdhëniet.
“Ne duam të thellojmë marrëdhëniet historike dhe të veçanta mes Turqisë dhe Rusisë”, thotë Putin.
Analistët thonë se tërheqja e një vendi anëtar të NATO-s nga aspirata për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian do të ishte një arritje e madhe në përpjekjen e Putinit për të rritur fuqinë e Rusisë.

Holandë, zgjedhje në mes të grindjes me Turqinë

Holandezët zgjedhin të mërkurën (15.03) Parlamentin e ri. Në një debat televiziv të hënën, kryeministri Mark Rutte e paraqiti veten si burrë shteti, ndërsa populisti Geert Wilders atakoi myslimanët.
Grindja me Turqinë e rriti së fundmi temperaturën politike në Holandë, nga e cila përfiton si populisti Geert Wilders, por edhe kryeministri Mark Rutte, për të cilin grindja me Turqinë mund të shihet si dhuratë zgjedhore në momentin e fundit. Ajo i dha atij mundësinë që të paraqitet si lider i fortë në fundjavë.
“Vendosëm vijën e kuqe”, tha ai për ndalimin e fjalimeve për fushatë zgjedhore të dy ministrave turq. 400.000 vetë në Holandë janë ‘qytetarë holandezë’ me origjinë turke e jo qytetarë turq, siç dëshiron Erdogani. Në të njëjtën kohë Rutte ka theksuar se po përpiqet për çtensionimin e gjendjes. Kjo mund t’i japë një hov pozitiv partisë së tij për Liri dhe Demokraci, VVD. Sondazhet e fundit e nxjerrin këtë parti si forca kryesore me 16% të votave në zgjedhje.
Por edhe para konfliktit me Turqinë, Rutte mund të flasë për suksese të qeverisjes së tij. Ai e nxori vendin nga kriza ekonomike, ekonomia është rritur me 2%, papunësia me kuotën 5% konsiderohet e ulët. Megjithatë kryeministri nuk është shumë i preferuar tek holandezët. Arsyeja kryesore për imazhin negativ të Ruttes janë disa premtime të pambajtura në mandatin e dytë. Ai premtoi më shumë shërbime sociale që nuk u bënë realitet.
Rivali politik i kryeministrit, Geert Wilders ka gjasa t’i ketë bërë llogaritë gabim me strategjinë e tij zgjedhore. Nga fundi i muajit vlerat e tij në sondazhe filluan të bien, tani partia e tij e Lirisë, PVV ndodhet 3 pikë pas liberalëve. Në fund të fushatës zgjedhore Wilders ka ndërruar strategji, duke dalë më shumë në publik. Populisti Wilders është i pari që e përdori për përfitime politike grindjen me Turqinë. Por suksesin më të madh ai e kishte në shtypin ndërkombëtar. Qindra artikuj janë shkruar për të, për të shkuarën me njolla, për burime financiare të errëta, për radikalizimin e tij vitet e fundit. Sipas sondazheve aktuale 87% e holandezëve janë kundër Wilders. Kjo nuk mjafton as për marrjen e pushtetit në Hagë e as për një lëvizje Nexit -daljen e Holandës nga BE.
Gjashtë parti holandeze mund të pretendojnë për rezultate dyshifrore në zgjedhjet e 15 marsit. Për të krijuar qeverinë do të nevojiten katër prej tyre, ndërkohë që me partinë e Geert Wilders nuk do të bëjë askush koalicion. Por negociatat e vështira për krijimin e koalicioneve qeverisëse kanë traditë në Holandë. Për një qeveri koalicioni mund të tërhiqen partitë e qendrës si D6, kristiandemokrattë, socialistët dhe të Gjelbrit.

Myslimanët francezë ngrihen kundër xhihadistëve

Franca ka një problem: xhihadistët. Në Bordo vetë myslimanët po angazhohen kundër radikalizimit në lagjet e tyre. Tani ofrohen programe shtetërore kundër radikalizimit. Në Francë feja shihet si pjesë e sferës private.
Fouad Saanda predikon vetëm para të konvertuarve. Në një ndërtesë të thjeshtë në afëri të bashkisë së Bordosë imami takohet me të rinj e prindër të pasigurtë. Shumë vetë vijnë nga familje me probleme sociale dhe kërkojnë tek imami orientim. “Roli im nuk është të predikoj islamin e mirë apo të vërtetë, por t’u ndihmoj të përballen në mënyrë kritike me të”, thotë Saanadi. Saanadi do të veprojë kundër radikalizimit. Një grup terapistësh e ekspertësh nga programi CAPRI e mbështet imamin.

Kërkimi i zgjidhjeve
Bordo bën pjesë ndër qytetet europiane, që kërkon mënyra veprimi kundër ekstremizmit në rritje në Europë. Në Francë ky problem është veçanërisht urgjent. Ky vend u vu në shënjestër të terrorit, por është edhe një ndër eksportuesit më të mëdhenj të luftëtarëve ekstremistë. 700 xhihadistë nga Franca kanë shkuar në luftë në Siri dhe Irak. 1350 të tjerë janë në burgjet franceze, ndërsa 300 me lidhje të drejtpërdrejta me rrjetet terroriste.
Programe të tilla janë të rralla në Francë, ndryshe nga Gjermania e Britania e Madhe. Në Francë shteti i qëndron larg çështjeve fetare. Por ekspertët mendojnë se kjo ndarje e prerë mes fesë dhe shtetit në Francë e ashpërson edhe më shumë problemin, krahas rrethanave sociale, politike, psikologjike që shihen si faktorë kyç i radikalizimit. Eksperti për xhihadizmin, Farhad Khosrokhavar mendon se, “këta njerëz janë radikalizuar në emër të fesë. Ata identifikohen me versionin radikal të islamit, prandaj nuk mund të injorosh këtë fakt”. Sipas tij sistemi europian nuk ka përvojë se si të veprojë me kaq shumë persona të radikalizuar.
Zëdhënësi i programit CAPRI, një partneritet mes bashkisë dhe organizatave myslimane është një shenjë se kohët po ndryshojnë. “Fakti që në këtë program punojmë së bashku me komunitetin mysliman tregon, se të rinjtë e familjet e tyre nuk e ngatërrojmë islamin me radikalizimin”, thotë zëvendëskryetari i Bashkisë së Bordosë e zëdhënës i CAPRI, Marik Fetouh. Kontaktin mes programit CAPRI dhe familjeve e vendosin imamët. Nga 36 të rinj që marrin pjesë në program, 40% janë femra. Shumica të konvertuar, mosha mesatare 22 vjeç.
Si sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Myslimanëve, imami Saanadi përfaqëson islamin e moderuar, që i nënshtrohet ligjeve franceze, por që nuk pranohet nga fondamentalistët. “Terrorizmi është problem për sistemin francez të arsimit. Ne i shohim fëmijët vetëm dy orë në javë në një xhami, shumicën e kohës ata e kalojnë në shkollë”. Saanadi pranon se efekti i punës së tij është i kufizuar. “Nuk ka armë magjike”, thotë ai. “Është shumë e lehtë të shkatërrosh e shumë e vështirë të ndërtosh”.

Derbi Inter-Milan luhet në 12:30

Një derbi të Milanos për drekë. Më 15 prill, pjata e parë e fundjavës futbollistike do të jetë pikërisht një prej sfidave më të mëdha në futbolin botëror, Inter-Milan, me Federatën Italiane që ka vendosur që kjo ndeshje të luhet në orën 12:30, duke rezervuar një kohë të pazakontë për një sfidë të tillë, magjinë e së cilës jemi mësuar ta përjetojmë dhe falë ndriçimit të mbrëmjes së “San Siros”. Sfida do të luhet të shtunën e 15 prillit dhe shkak për këtë është bërë festa e Pashkëve katolike që përkon me datën 16 prill. Gjithsesi sa i përket orarit nuk janë dhënë detaje se pse kjo ndeshje është vendosur të luhet në mesditë, duke qenë se ndryshe nga derbi i Romës, dy tifozeritë nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë për konflikt mes tyre, gjë që mund të bënte të pamundur kontrollimin e tyre në orët e mbrëmjes. Për javën e 31-të, gjithsesi është parashikuar të luhet në mbrëmje ndeshja mes Napolit dhe Udineses. Pavarësisht orarit të pazakontë, Inter-Milan nuk e humbet aspak magjinë e tij, me këtë ndeshje që do të shërbejë dhe si një antipastë e mirë, për të hapur oreksin futbollistik në një tjetër të shtunë me emocione të mëdha në futbollin ndërkombëtar.

Arbitri i bën komplimente Navasit

Reali i Madridit është vënë në qendër të kritikave sa u përket favorizimeve nga arbitrat. Pothuajse pas çdo ndeshjeje ka kontestime që ekipi i Zinedin Zidanit ndihmohet nga gjyqtarët në kampionat dhe për këtë arsye po kryeson renditjen e kampionatit. Aktualisht, merengesit kanë dy pikë më tepër se rivalët e Barcelonës, por me një ndeshje më tepër në dispozicion. Polemikat e fundit kanë ardhur pikërisht pas ndeshjes së fundjavës kundër Betisit.
Kejlor Navas ishte një nga më të mirët për Realin, duke reflektuar nga kritikat e ndeshjes paraardhëse. Në minutat e fundit, ai bëri një pritje të shkëlqyer ndaj Sarabias, kur ky i fundit goditi topin me kokë vetëm pak metra larg portës kundërshtare. Pasi përfundoi takimi, gjyqtari Mateu Lahoz iu afrua Nabvasit dhe i tha: “Bravo. Pritje e bukur…”. E gjithë kjo është kapur në kamera dhe ka mjaftuar që të përdoret nga kundërshtarët e kryesuesve, të cilët e konsiderojnë të çuditshme.
Futbollisti i Betisit, Dani Sebajo, ka akuzuar në mënyrë direkte gjyqtarin. “Ndeshja duhet të kishte përfunduar në barazim dhe ky ishte rezultati më i drejtë. Në fakt, na u mohua një penallti e pastër në fund, e cila do mjaftonte që gjithçka të shkonte në 2-2.
Kejlor Navas shkaktoi një faull të qartë në dëm të Darko Brasanac brenda zonës, ku duhej akorduar 11- metërsh dhe portieri të ndëshkohej me karton të kuq. Por, ndodhi krejt e kundërta. Madje, unë isha pranë gjyqtarit Lahoz, kur ai e përgëzoi gardianin e Realit për paraqitjen që kishte zhvilluar. Nuk di se çfarë duhet të bënte më tepër”, u shpreh Sebajo.

Flasin statistikat

Mauro Ikardi është lojtari i momentit në Itali. Sulmuesi argjentinas ka fituar famë si për jetën e tij private dhe për aftësitë që tregon në zonën kundërshtare. Në muajt e fundit, 24-vjeçari ndan në dysh opinionin publik argjentinas për shkak të ftesës së munguar nga ana e komisarit teknik. Rendimenti i tij në fushë ka bërë që ta krahasojnë me Mesin, ndërkohë që, deri më tani, ka lënë pas disa prej atyre që e kanë paraprirë në Milano.
Me tre golat e shënuar kundër Atalantës, Mauro Ikardi ka përmirësuar edhe më shumë rendimentin e tij. Ndeshja përballë bergamaskëve i lejoi argjentinasit që t’i dërgonte një mesazh të qartë Bauzës, i cili e snobon, pasi e konsideron inferior përballë Higuainit dhe Pratos.
Ky i fundit nuk konsiderohet prej askujt (përveç Bauzës), ndërsa mediat italiane kanë nxituar për të treguar se, për nga rendimenti i treguar këtë sezon, Ikardi është shumë më mirë edhe si zgjedhja e parë e komisarit teknik të Argjentinës. Tani për tani, Ikardi, i cili është gjashtë vjet më i ri se Pipita, ka shënuar një gol më shumë se sulmuesi i Juves. 24-vjeçari gjithashtu ka ndihmuar më shumë se Higuain shokët, pasi ka dhënë 6 asiste më shumë.
Me kalimin e viteve, Mauro Ikardi po tregon se është i denjë për numrin që mban në shpinë. Rendimenti i tij ndër vite ka treguar se është një pykë që “frekuenton” shpesh golin. Që prej momentit që ka veshur fanellën zikaltër, Ikardi ka shënuar për Interin plot 67 gola në Serinë A. Rendimenti i tij është inferior kundrejt Zlatan Ibrahimoviçit, i cili shënoi 57 gola në 3 sezone, por shumë i përafërt me atë të Kristian Vierit, i cili ka shënuar 103 gola në 6 sezone.
Jehona e golave të Ikardit ka mbërritur deri në Spanjë. Ditën e djeshme, një gazetë shumë pranë Realit, “Sport”, shkruante se sulmuesi i Interit meritonte që të ishte në kombëtare po aq sa Mesi. “Sport” argumentonte pozicionin e saj, duke nxjerrë në pah faktin se, Mauro Ikardi këtë sezon ka mundur që të shënojë dy a më shumë gola brenda një takimi në shtatë duele, ndërsa bashkëkombësi i tij te Barcelona ia ka dalë vetëm 6 herë.

Taulant Seferi vishet kuqezi: “Shqipëria zgjedhje zemre”

Kombëtarja shqiptare fiton një tjetër futbollist cilësor për të ardhmen. Bëhet fjalë për Talulant Seferin, i cili është pjesë e Yong Boys në Superligën e Zvicrës. 20-vjeçari i lindur në Kumanovë, një mesfushor me tipare sulmuese, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka qartësuar se e ardhmja e tij do të jetë me fanellën kuqezi, pavarësisht se ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Maqedonisë, madje edhe në skuadrën A, me të cilën ka zhvilluar dy ndeshje. Pas ftesës së marrë nga Federata Shqiptare e Futbollit, mbrojtësi i krahut të majtë ka kthyer përgjigje pozitive, duke bërë një zgjedhje, që sipas tij është e zemrës.
“Në njërën anë ishte respekti dhe mirënjohja për Maqedoninë, ndërsa në anën tjetër zemra dhe dëshira për të përfaqësuar kombin tim, Shqipërinë. E kemi analizuar mirë këtë situatë dhe bashkë me familjen time kemi vendosur që në të ardhmen unë të përfaqësoj Shqipërinë. Do Zoti të kem sukses, me shpresë që këtë vendim timin ta mirëkuptojnë të gjithë”, shkruan Seferi ndër të tjera, në postimin e tij.
Pasi falenderon Federatën e futbollit të Maqedonisë për mbështetjen, Seferi e mbyll deklaratën e tij, duke theksuar se tani do të jetë i përqendruar për t’i arritur ambiciet e tij me fanellën kuqezi. Seferi e ka nisur karrierën në moshë te re te Milano e Kumanovës, ndërsa në vitin 2011 i është bashkuar Rabotnickit, ku ka qëndruar deri në vitin 2014. Në fillim të 2015-ës u transferua në Zvicër te Yong Boys. Seferi fillimisht do të grumbullohet nga trajneri i Shpresave, Alban Bushi, i cili sheh te 20-vjeçari një element cilësor për kualifikueset e Europianit të 2019. Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë është shortuar në grupin 2 bashkë me Spanjën, Sllovakinë, Islandën, Estoninë dhe Irlandën e Veriut.

PSG autokritike, tri pikë në fushën e Lorientit

Me eliminimin e turpshëm nga Barcelona në Champions PSG e kthen vëmendjen në kampionatin francez, kur regjistroi fitoren e 20-të në transfertë me Lorient.
Goli i parë i parizienëve i shënuar në minutën e 28-të ishte në fakt një autogol i Jeannot në momentin e ekzekutimit të një këndoreje. Në të 52-ën Nkunku e çoi rezultatin në 0-2 me një goditje të fortë nga jashtë zonës. Ciani kërceu fuqishëm me kokë në të 68-ën për të kthyer në lojë Lorientin. Megjithatë, në minutat në vazhdim nuk pati ndryshim tjetër rezultati, me PSG që ruan distancën prej 3 pikësh me Monacon kryesuese.

PSG, Interi kërkon polakun Krychowiak

Mesfushori i Paris Saint-Germain, Grzegorz Krychowiak pritet të bëjë gati valixhet në fund të sezonit. Trajneri Unai Emery nuk është i kënaqur nga polaku dhe mendon ta largojë gjatë verës. Në ndjekje të tij prej kohësh është vendosur Interi, pasi është një pëlqim i vjetër i Drejtorit Sportiv, Ausilio. Kontrata e Krychowiak me parizienët skadon në vitin 2021 dhe zikaltërit do të synojnë ta marrin në formë huazimi me të drejtë blerjeje të kartonit.

Ozil: E ardhmja ime nuk varet nga Wenger

Mesut Ozil e pranon se është në bisedime për rinovimin e kontratës me Arsenalin, por fantazisti gjerman le gjithçka të hapur mbi të ardhmen. 28-vjeçari deklaroi se me drejtuesit po negociohet për kontratën dhe se gjithçka mund të ndodhë teksa shtoi se është i përqendruar më së shumti te sezoni aktual. I pyetur rreth ndikimit të Wenger, Ozil tha se prej trajnerit francez u ndikua të transferohej te Arsenali, por sqaroi se e ardhmja e tij nuk do të lidhet me fatet e Wenger te “Topçinjtë”.