20.6 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Myslimanët francezë ngrihen kundër xhihadistëve

Franca ka një problem: xhihadistët. Në Bordo vetë myslimanët po angazhohen kundër radikalizimit në lagjet e tyre. Tani ofrohen programe shtetërore kundër radikalizimit. Në Francë feja shihet si pjesë e sferës private.
Fouad Saanda predikon vetëm para të konvertuarve. Në një ndërtesë të thjeshtë në afëri të bashkisë së Bordosë imami takohet me të rinj e prindër të pasigurtë. Shumë vetë vijnë nga familje me probleme sociale dhe kërkojnë tek imami orientim. “Roli im nuk është të predikoj islamin e mirë apo të vërtetë, por t’u ndihmoj të përballen në mënyrë kritike me të”, thotë Saanadi. Saanadi do të veprojë kundër radikalizimit. Një grup terapistësh e ekspertësh nga programi CAPRI e mbështet imamin.

Kërkimi i zgjidhjeve
Bordo bën pjesë ndër qytetet europiane, që kërkon mënyra veprimi kundër ekstremizmit në rritje në Europë. Në Francë ky problem është veçanërisht urgjent. Ky vend u vu në shënjestër të terrorit, por është edhe një ndër eksportuesit më të mëdhenj të luftëtarëve ekstremistë. 700 xhihadistë nga Franca kanë shkuar në luftë në Siri dhe Irak. 1350 të tjerë janë në burgjet franceze, ndërsa 300 me lidhje të drejtpërdrejta me rrjetet terroriste.
Programe të tilla janë të rralla në Francë, ndryshe nga Gjermania e Britania e Madhe. Në Francë shteti i qëndron larg çështjeve fetare. Por ekspertët mendojnë se kjo ndarje e prerë mes fesë dhe shtetit në Francë e ashpërson edhe më shumë problemin, krahas rrethanave sociale, politike, psikologjike që shihen si faktorë kyç i radikalizimit. Eksperti për xhihadizmin, Farhad Khosrokhavar mendon se, “këta njerëz janë radikalizuar në emër të fesë. Ata identifikohen me versionin radikal të islamit, prandaj nuk mund të injorosh këtë fakt”. Sipas tij sistemi europian nuk ka përvojë se si të veprojë me kaq shumë persona të radikalizuar.
Zëdhënësi i programit CAPRI, një partneritet mes bashkisë dhe organizatave myslimane është një shenjë se kohët po ndryshojnë. “Fakti që në këtë program punojmë së bashku me komunitetin mysliman tregon, se të rinjtë e familjet e tyre nuk e ngatërrojmë islamin me radikalizimin”, thotë zëvendëskryetari i Bashkisë së Bordosë e zëdhënës i CAPRI, Marik Fetouh. Kontaktin mes programit CAPRI dhe familjeve e vendosin imamët. Nga 36 të rinj që marrin pjesë në program, 40% janë femra. Shumica të konvertuar, mosha mesatare 22 vjeç.
Si sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Myslimanëve, imami Saanadi përfaqëson islamin e moderuar, që i nënshtrohet ligjeve franceze, por që nuk pranohet nga fondamentalistët. “Terrorizmi është problem për sistemin francez të arsimit. Ne i shohim fëmijët vetëm dy orë në javë në një xhami, shumicën e kohës ata e kalojnë në shkollë”. Saanadi pranon se efekti i punës së tij është i kufizuar. “Nuk ka armë magjike”, thotë ai. “Është shumë e lehtë të shkatërrosh e shumë e vështirë të ndërtosh”.

Derbi Inter-Milan luhet në 12:30

Një derbi të Milanos për drekë. Më 15 prill, pjata e parë e fundjavës futbollistike do të jetë pikërisht një prej sfidave më të mëdha në futbolin botëror, Inter-Milan, me Federatën Italiane që ka vendosur që kjo ndeshje të luhet në orën 12:30, duke rezervuar një kohë të pazakontë për një sfidë të tillë, magjinë e së cilës jemi mësuar ta përjetojmë dhe falë ndriçimit të mbrëmjes së “San Siros”. Sfida do të luhet të shtunën e 15 prillit dhe shkak për këtë është bërë festa e Pashkëve katolike që përkon me datën 16 prill. Gjithsesi sa i përket orarit nuk janë dhënë detaje se pse kjo ndeshje është vendosur të luhet në mesditë, duke qenë se ndryshe nga derbi i Romës, dy tifozeritë nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë për konflikt mes tyre, gjë që mund të bënte të pamundur kontrollimin e tyre në orët e mbrëmjes. Për javën e 31-të, gjithsesi është parashikuar të luhet në mbrëmje ndeshja mes Napolit dhe Udineses. Pavarësisht orarit të pazakontë, Inter-Milan nuk e humbet aspak magjinë e tij, me këtë ndeshje që do të shërbejë dhe si një antipastë e mirë, për të hapur oreksin futbollistik në një tjetër të shtunë me emocione të mëdha në futbollin ndërkombëtar.

Arbitri i bën komplimente Navasit

Reali i Madridit është vënë në qendër të kritikave sa u përket favorizimeve nga arbitrat. Pothuajse pas çdo ndeshjeje ka kontestime që ekipi i Zinedin Zidanit ndihmohet nga gjyqtarët në kampionat dhe për këtë arsye po kryeson renditjen e kampionatit. Aktualisht, merengesit kanë dy pikë më tepër se rivalët e Barcelonës, por me një ndeshje më tepër në dispozicion. Polemikat e fundit kanë ardhur pikërisht pas ndeshjes së fundjavës kundër Betisit.
Kejlor Navas ishte një nga më të mirët për Realin, duke reflektuar nga kritikat e ndeshjes paraardhëse. Në minutat e fundit, ai bëri një pritje të shkëlqyer ndaj Sarabias, kur ky i fundit goditi topin me kokë vetëm pak metra larg portës kundërshtare. Pasi përfundoi takimi, gjyqtari Mateu Lahoz iu afrua Nabvasit dhe i tha: “Bravo. Pritje e bukur…”. E gjithë kjo është kapur në kamera dhe ka mjaftuar që të përdoret nga kundërshtarët e kryesuesve, të cilët e konsiderojnë të çuditshme.
Futbollisti i Betisit, Dani Sebajo, ka akuzuar në mënyrë direkte gjyqtarin. “Ndeshja duhet të kishte përfunduar në barazim dhe ky ishte rezultati më i drejtë. Në fakt, na u mohua një penallti e pastër në fund, e cila do mjaftonte që gjithçka të shkonte në 2-2.
Kejlor Navas shkaktoi një faull të qartë në dëm të Darko Brasanac brenda zonës, ku duhej akorduar 11- metërsh dhe portieri të ndëshkohej me karton të kuq. Por, ndodhi krejt e kundërta. Madje, unë isha pranë gjyqtarit Lahoz, kur ai e përgëzoi gardianin e Realit për paraqitjen që kishte zhvilluar. Nuk di se çfarë duhet të bënte më tepër”, u shpreh Sebajo.

Flasin statistikat

Mauro Ikardi është lojtari i momentit në Itali. Sulmuesi argjentinas ka fituar famë si për jetën e tij private dhe për aftësitë që tregon në zonën kundërshtare. Në muajt e fundit, 24-vjeçari ndan në dysh opinionin publik argjentinas për shkak të ftesës së munguar nga ana e komisarit teknik. Rendimenti i tij në fushë ka bërë që ta krahasojnë me Mesin, ndërkohë që, deri më tani, ka lënë pas disa prej atyre që e kanë paraprirë në Milano.
Me tre golat e shënuar kundër Atalantës, Mauro Ikardi ka përmirësuar edhe më shumë rendimentin e tij. Ndeshja përballë bergamaskëve i lejoi argjentinasit që t’i dërgonte një mesazh të qartë Bauzës, i cili e snobon, pasi e konsideron inferior përballë Higuainit dhe Pratos.
Ky i fundit nuk konsiderohet prej askujt (përveç Bauzës), ndërsa mediat italiane kanë nxituar për të treguar se, për nga rendimenti i treguar këtë sezon, Ikardi është shumë më mirë edhe si zgjedhja e parë e komisarit teknik të Argjentinës. Tani për tani, Ikardi, i cili është gjashtë vjet më i ri se Pipita, ka shënuar një gol më shumë se sulmuesi i Juves. 24-vjeçari gjithashtu ka ndihmuar më shumë se Higuain shokët, pasi ka dhënë 6 asiste më shumë.
Me kalimin e viteve, Mauro Ikardi po tregon se është i denjë për numrin që mban në shpinë. Rendimenti i tij ndër vite ka treguar se është një pykë që “frekuenton” shpesh golin. Që prej momentit që ka veshur fanellën zikaltër, Ikardi ka shënuar për Interin plot 67 gola në Serinë A. Rendimenti i tij është inferior kundrejt Zlatan Ibrahimoviçit, i cili shënoi 57 gola në 3 sezone, por shumë i përafërt me atë të Kristian Vierit, i cili ka shënuar 103 gola në 6 sezone.
Jehona e golave të Ikardit ka mbërritur deri në Spanjë. Ditën e djeshme, një gazetë shumë pranë Realit, “Sport”, shkruante se sulmuesi i Interit meritonte që të ishte në kombëtare po aq sa Mesi. “Sport” argumentonte pozicionin e saj, duke nxjerrë në pah faktin se, Mauro Ikardi këtë sezon ka mundur që të shënojë dy a më shumë gola brenda një takimi në shtatë duele, ndërsa bashkëkombësi i tij te Barcelona ia ka dalë vetëm 6 herë.

Taulant Seferi vishet kuqezi: “Shqipëria zgjedhje zemre”

Kombëtarja shqiptare fiton një tjetër futbollist cilësor për të ardhmen. Bëhet fjalë për Talulant Seferin, i cili është pjesë e Yong Boys në Superligën e Zvicrës. 20-vjeçari i lindur në Kumanovë, një mesfushor me tipare sulmuese, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka qartësuar se e ardhmja e tij do të jetë me fanellën kuqezi, pavarësisht se ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Maqedonisë, madje edhe në skuadrën A, me të cilën ka zhvilluar dy ndeshje. Pas ftesës së marrë nga Federata Shqiptare e Futbollit, mbrojtësi i krahut të majtë ka kthyer përgjigje pozitive, duke bërë një zgjedhje, që sipas tij është e zemrës.
“Në njërën anë ishte respekti dhe mirënjohja për Maqedoninë, ndërsa në anën tjetër zemra dhe dëshira për të përfaqësuar kombin tim, Shqipërinë. E kemi analizuar mirë këtë situatë dhe bashkë me familjen time kemi vendosur që në të ardhmen unë të përfaqësoj Shqipërinë. Do Zoti të kem sukses, me shpresë që këtë vendim timin ta mirëkuptojnë të gjithë”, shkruan Seferi ndër të tjera, në postimin e tij.
Pasi falenderon Federatën e futbollit të Maqedonisë për mbështetjen, Seferi e mbyll deklaratën e tij, duke theksuar se tani do të jetë i përqendruar për t’i arritur ambiciet e tij me fanellën kuqezi. Seferi e ka nisur karrierën në moshë te re te Milano e Kumanovës, ndërsa në vitin 2011 i është bashkuar Rabotnickit, ku ka qëndruar deri në vitin 2014. Në fillim të 2015-ës u transferua në Zvicër te Yong Boys. Seferi fillimisht do të grumbullohet nga trajneri i Shpresave, Alban Bushi, i cili sheh te 20-vjeçari një element cilësor për kualifikueset e Europianit të 2019. Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë është shortuar në grupin 2 bashkë me Spanjën, Sllovakinë, Islandën, Estoninë dhe Irlandën e Veriut.

PSG autokritike, tri pikë në fushën e Lorientit

Me eliminimin e turpshëm nga Barcelona në Champions PSG e kthen vëmendjen në kampionatin francez, kur regjistroi fitoren e 20-të në transfertë me Lorient.
Goli i parë i parizienëve i shënuar në minutën e 28-të ishte në fakt një autogol i Jeannot në momentin e ekzekutimit të një këndoreje. Në të 52-ën Nkunku e çoi rezultatin në 0-2 me një goditje të fortë nga jashtë zonës. Ciani kërceu fuqishëm me kokë në të 68-ën për të kthyer në lojë Lorientin. Megjithatë, në minutat në vazhdim nuk pati ndryshim tjetër rezultati, me PSG që ruan distancën prej 3 pikësh me Monacon kryesuese.

PSG, Interi kërkon polakun Krychowiak

Mesfushori i Paris Saint-Germain, Grzegorz Krychowiak pritet të bëjë gati valixhet në fund të sezonit. Trajneri Unai Emery nuk është i kënaqur nga polaku dhe mendon ta largojë gjatë verës. Në ndjekje të tij prej kohësh është vendosur Interi, pasi është një pëlqim i vjetër i Drejtorit Sportiv, Ausilio. Kontrata e Krychowiak me parizienët skadon në vitin 2021 dhe zikaltërit do të synojnë ta marrin në formë huazimi me të drejtë blerjeje të kartonit.

Ozil: E ardhmja ime nuk varet nga Wenger

Mesut Ozil e pranon se është në bisedime për rinovimin e kontratës me Arsenalin, por fantazisti gjerman le gjithçka të hapur mbi të ardhmen. 28-vjeçari deklaroi se me drejtuesit po negociohet për kontratën dhe se gjithçka mund të ndodhë teksa shtoi se është i përqendruar më së shumti te sezoni aktual. I pyetur rreth ndikimit të Wenger, Ozil tha se prej trajnerit francez u ndikua të transferohej te Arsenali, por sqaroi se e ardhmja e tij nuk do të lidhet me fatet e Wenger te “Topçinjtë”.

Lewa meriton të fitojë Topin e Artë

Ata të dy kanë fituar për 9 vite radhazi Topin e Artë, duke e kthyer trofeun më të rëndësishëm individual për një futbollist në pronë të tyren. 5-4 kryeson Lionel Mesi për momentin me Cristiano Ronaldon që është fituesi i edicionit të fundit. Megjithatë vështirë se kjo diferencë mes të dyve do të ndryshojë më, pasi forma e argjentinasit dhe e portugezit nuk është më e njëjta dhe hegjemonia e vendosur nga Ronaldo dhe Mesi gjatë këtyre viteve mund të prishet në 2017-ën. Është i sigurtë për këtë Franck Ribery. Mesfushori me tipare sulmuese, i cili në këtë sezon ka lënë pas dëmtimet, duke rigjetur formën e tij më të mirë, ka folur pikërisht për Topin e Artë.
Ribery, i cili ka rivalizuar me Mesin dhe Ronaldon në 2013-ën për këtë trofe ka një emër dhe një mbiemër, se cili mund të jetë futbollisti që mund të thyejë hegjemoninë e vendosur nga Leo dhe Cristiano. Francezi propozon shokun e tij të skuadrës Robert Lewandowskin si njeriun që mund të bëjë të tijin, Topin e Artë në vitin 2017. Sipas 33-vjeçarit, Mesi dhe Ronaldo nuk janë më futbollistët më të mirë në Botë për momentin madje Ribery shprehet me bindje se Lewandowski qëndron mbi ta. “Leva është i mrekullueshëm, ai përfundimisht meriton ta fitojë Topin e Artë. Këtu te Bayerni kam luajtur me shumë sulmues të mëdhenj, Luca Toni, Mario Gomez dhe Miro Klose të gjithë kanë qenë fantastikë, por Lewandowski është më i kompletuari nga të gjithë”, theksoi Franck Ribery.

Di Maria e Mertens për Interin e madh

12 gola në 2 ndeshje për 2 fitore spektakolare, njëra me e bukur se tjetra. Pas asaj humbjeje ndaj Romës te Interi është rikthyer qetësia pasi me Stefano Piolin, zikaltërit funksionojnë dhe do të synojnë deri në fund të sigurojnë një vend në edicionin e ardhshëm të Uefa Champions League. Interi aktual shikon nga e tashmja, por edhe nga ardhmja pasi objektivi i drejtuesve të rinj kinezë është të rikthejnë skuadrën zikaltër në majat e futbollit italian, por edhe atij europian.
Paratë nuk janë më një problem për klubin dhe të gjithë tifozët mund të ëndërrojnë një Inter fitues si ai i 2010-tës. Titulli kampion në Itali dhe rrëzimi i Juventusit nga froni është objektivi i parë madhor i Zhang Jindong, njeriut që ka vendosur të investojë një pjesë të pasurisë së tij te klubi milanez. Por për t’ia arritur qëllimit Interi ka nevojë për përforicime.
Që nga periudha e Jose Mourinhos më 2010-tën, tifozët ultras të Interit nuk kishin thërritur më në kor emrin e asnjë trajneri, por të dielën ata brohoritën emrin e Piolit për t’i treguar klubit se ka bërë zgjedhjen e duhur me emërimin e italianit. Pioli po bën mirë dhe me shumë gjasa ai do të qëndrojë dhe vitin tjetër, madje ky i fundit ka projektuar që tani lojtarët që dëshiron të ketë te Interi i tij sezonin e ardhshëm. Listës së stërgjatur të pronarëve të rinj kinezë me kërkesë të Piolit i janë shtuar edhe dy emra të rinj shumë sugjestionues.
Bëhet fjalë për Angel di Marian dhe Dries Mertens. Argjentinasi i Paris Saint Germain-it, është dëshira e madhe në merkato e Piolit, i cili shikon te Di Maria përforcimin ideal që zikaltërit të bëjnë hapin e madh cilësor dhe të rivalizojnë fuqishëm me Juventusin në garën për titull sezonin e ardhshëm. Mertens, i cili ka shkëlqyer me Napolin në këtë sezon nuk po rinovon ende kontratën e tij me klubin e kaltër dhe për të bindur të largohet nga skuadra e Sarrit, belgun shtatshkurtër, drejtuesit e Interit po përgatitin një superofertë për lojtarin, por edhe për Napolin.
Strottman, mesfushori holandez i Romës është një tjetër objektiv i Piolit, pa harruar emra të tillë si Manolas, Ricardo Rodriguez, Berardi, Bernardeschi apo edhe James Rodriguez. Me gjithë këta emra të rëndësishëm që përfliten për t’iu bashkuar zikaltërve, e sigurtë është kjo verë do të jetë shumë e nxehtë për drejtuesit dhe tifozët e Interit.