14.8 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Di Maria e Mertens për Interin e madh

12 gola në 2 ndeshje për 2 fitore spektakolare, njëra me e bukur se tjetra. Pas asaj humbjeje ndaj Romës te Interi është rikthyer qetësia pasi me Stefano Piolin, zikaltërit funksionojnë dhe do të synojnë deri në fund të sigurojnë një vend në edicionin e ardhshëm të Uefa Champions League. Interi aktual shikon nga e tashmja, por edhe nga ardhmja pasi objektivi i drejtuesve të rinj kinezë është të rikthejnë skuadrën zikaltër në majat e futbollit italian, por edhe atij europian.
Paratë nuk janë më një problem për klubin dhe të gjithë tifozët mund të ëndërrojnë një Inter fitues si ai i 2010-tës. Titulli kampion në Itali dhe rrëzimi i Juventusit nga froni është objektivi i parë madhor i Zhang Jindong, njeriut që ka vendosur të investojë një pjesë të pasurisë së tij te klubi milanez. Por për t’ia arritur qëllimit Interi ka nevojë për përforicime.
Që nga periudha e Jose Mourinhos më 2010-tën, tifozët ultras të Interit nuk kishin thërritur më në kor emrin e asnjë trajneri, por të dielën ata brohoritën emrin e Piolit për t’i treguar klubit se ka bërë zgjedhjen e duhur me emërimin e italianit. Pioli po bën mirë dhe me shumë gjasa ai do të qëndrojë dhe vitin tjetër, madje ky i fundit ka projektuar që tani lojtarët që dëshiron të ketë te Interi i tij sezonin e ardhshëm. Listës së stërgjatur të pronarëve të rinj kinezë me kërkesë të Piolit i janë shtuar edhe dy emra të rinj shumë sugjestionues.
Bëhet fjalë për Angel di Marian dhe Dries Mertens. Argjentinasi i Paris Saint Germain-it, është dëshira e madhe në merkato e Piolit, i cili shikon te Di Maria përforcimin ideal që zikaltërit të bëjnë hapin e madh cilësor dhe të rivalizojnë fuqishëm me Juventusin në garën për titull sezonin e ardhshëm. Mertens, i cili ka shkëlqyer me Napolin në këtë sezon nuk po rinovon ende kontratën e tij me klubin e kaltër dhe për të bindur të largohet nga skuadra e Sarrit, belgun shtatshkurtër, drejtuesit e Interit po përgatitin një superofertë për lojtarin, por edhe për Napolin.
Strottman, mesfushori holandez i Romës është një tjetër objektiv i Piolit, pa harruar emra të tillë si Manolas, Ricardo Rodriguez, Berardi, Bernardeschi apo edhe James Rodriguez. Me gjithë këta emra të rëndësishëm që përfliten për t’iu bashkuar zikaltërve, e sigurtë është kjo verë do të jetë shumë e nxehtë për drejtuesit dhe tifozët e Interit.

Nuk ka më dashuri

Rikthimi i Jose Mourinho-s në “Stamford Brigde” këtë herë nuk ishte më i lumturi për të. Përveç humbjes dhe eliminimit nga Chelsea dhe “shkëndijave” me Antonio Conte-n (40:10) Mourinho këtë herë pati kundër dhe ish-tifozët e bluve të Londrës, që vazhdimisht kënduan në kor “Juda” referuar pikërisht Jose Mourinhos, i cili përgjigjen e tij e dha nga salla e konferencave për shtyp.
“Ata mund të më thërrasin si të duan, por unë jam profesionist dhe mbroj veten dhe deri në çastin që ata të kenë një trajner që të ketë fituar 4 herë Premier League, unë vazhdoj të mbeten numri 1. Kur ata të kenë një trajner tjetër që të fitojë 4 herë Premier League për ta, atëherë unë do të jem numri 2. Por deri në atë moment, Juda do të vazhdojë të mbetet numri 1”.
Ironik si gjithmonë trajneri portugez, që në fakt deri përpara ardhjes së Conte-s cilësohej si i pazëvendësueshëm nga tifozët e Chelsea-t, por firma e tij me United, një klub rival i bluve u cilësua si tradhti nga ana e tifozerisë së “Stamford Bridge”.
Trofe i ndryshëm, por përfundim i njëjtë. Chelsea fitoi klasiken me Man.UTD në FA CUP duke siguruar një vend në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni përballë Djajve të Kuq, që përveç ndeshjes në fushë 1-0, humbën dhe nervat me Herrerën që la ekipin me 10 vetë për më shumë se 65 minuta, e Mourinho që sërish nuk i kurseu xixat në stol me Antonio Conten. Kante shënoi golin e fitores për Blutë e Londrës, duke realizuar për herë të dytë në karrierën e tij në “Stamford Bridge” dhe sërish ndaj Man.UTD që duket se nxjerr në pah cilësitë e tij dhe si shënues përveçse si shkatërruers.
Në një shfaqje të vërtetë futbollistike, në “Teatrin e Wndrrave”, United ndjeu ndoshta mungesën e Ibrahimoviçit që është në muajin e tij të pezullimit për shkak kartonësh. Gjithsesi, ashtu si në kampionët Chelsea tregoi se është më superior se United, që me disa mungesa u përpoq të ndalte skuadrën e Contes nëpëmjet një loje në pritje, duke shpresuar dhe në pritjet e De Geas si kjo e minutës së 16-të. Gjithsesi në një përballje titanësh dhe United pati shansin e tij të artë për të “mbushur” rrjetën e Cortois, por belgu bëri pritjen e ndeshjes ndaj Rashfordit në të 59-tën. Chelsea në vazhdim mund të kishte dyfishuar shifrat, por në një kompeticion ku vlen dhe një gol i vetëm, ai i Kantes ishte mëse i mjaftueshëm për Antonio Conten për të regjistruar një tjetër fitore ndaj United, por dhe ndaj Mourinhos.

Tre të vërteta që u mbuluan sot

Frrok ÇUPI

Nuk u mbuluan nën “çadër”, por thellë në tokë. “Çadra” në bulevard është nukli ku vërtiten të gjitha lëvizjet dhe të vërtetat; të hapëta e të pa hapëta. Gjatë gjithë ditës “lordët” e të vërtetave të fshehura bënë gjestin që bën autori kur kujton vendin e krimit. “Lordët” e të vërtetave ngado që shkuan, një sy e mbanin te gropa ku e fshehën secili të vërtetën e vet.
1.
E vërteta e parë e shkarkimit në masë të ministrave socialist.
Po të shkarkohej vetëm njëri, ai i Ministrisë së Brendshme, do të zbulohej krimi. Të gjithë e dinë se Tahiri ka një akuzë mbarëbotërore për lidhjen me krimin. Ky është edhe kujdestari kryesor i qeverisë për kultivimin dhe trafikimin e drogës në gjithë vendin. Para protestës qytetare me moton: “Të largohet qeveria e krimit dhe e drogës”, kryeministri nuk kishte si e fshihte realitetin “kolumbian” të vendit. Majtistët liberal të BE që duan ta mbrojnë me çdo kusht “plasdarmin” e fundit majtist që po struket këndej nga Lindja, u ndodhën mes dy rrugëve: Ta mbrojnë “Rilindjen”, por duke dorëzuar krimin dhe drogën; ndryshe do të merrnin kosto para gjithë botës. Edhe ata që kanë gisht në drogën e vendit si zonja Mogherini që ka mbesën (vajzë e vëllait) anëtare të trafikut të drogës Shqipëri-Itali, nuk mund të rezistonin më.
Por si mund të shkarkohej vetëm Tahiri? Atëherë qeveria do të vinte gishtin m’u në plagën e vet. Përveç që duhej përkëdhelur djaloshi që kishte marrë emrin e komunistit “Koci Bako” në Luftën e Dytë. Komunisti rrezikonte të tregonte “shokët”, po të ndëshkohej i vetëm. Atëherë kryeministri bëri shumë ministra në tufë dhe i hodhi, bëri shumë bashkë me qëllim që brenda tyre të paketonte Tahirin. Kur bëri shumë, kryeministri fshehu edhe një të vërtetë tjetër “skenarizmi”: Të angazhojë miqtë sorosian në BE që të ngrenë flamurin: “E shikoni, shkarkoi 4 ose 6 ministra, çfarë doni më shumë, qeveria e rënë quhet!?”
Dhe më e fundit çfarë fshehu kryeministri: Barrikadën qeveritare që po i vë një krimi të zbuluar më së fundmi. Pse emëroi si ministra dy persona luftëtarë pro-mbetje, Shalsi dhe Xhaçka. Duket sikur nisi një stinë e re për mbrojtjen e fshehjes së mbetjeve.
Mediat dhe investigatorët shtetëror të Italisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë po thonë se, “këtu janë groposur 1300 konteinerë me mbetje toksike”. Sot, sipas njoftimit që dha kryetari i Opozitës, – shteti amerikan ka shprehur shqetësim për helmet e groposura. Por këtu mund të jenë demontuar edhe armët kimike të Sirisë në vitin 2014, kaq fshehtas sa 1300 konteinerët. Zoti Arvizu- ambasador i SHBA, që ka dijeni nuk ndodhet më këtu e nën kontroll, dy të tjerë që kanë dijeni gradohen si ministra.
Por asnjë nga këto nuk u tha.
2.
E vërteta Lë-Së-Iste rreth “kullës së barit”.
Më duket se ky fjalëformim edhe shkon; ose duket sikur shkon, sepse në periudhën e diktaturës kishim dëgjuar shpesh të thuhej “Lej-Feni-Stë” si sot “Lë-Së-Iste”. LSI, partia motër në pushtetin binjak, nuk ka qenë kurrë më e shëmtuar se sot. Mendoni pozitën e saj: Kryeministri i mundur tashmë dhe në grahmën e fundit, u tall me LSI; dhe LSI u shfaq më poshtë se vetë qeveria e rënë tashmë. Kryeministri i dha reston duke emëruar Xhafën si ministër i Punëve të Brendshme. Xhafa është një komunist i egër, aq sa vetë diktatori Hoxha do ta kishte akuzuar për egërsi si Koci Xoxën. Por Ilir Metës së LSI i bën hije dhe sfidë; madje më shumë se vetë Tahiri, të cilit i kishte kërkuar “kokën” sipas medias.
Po LSI me kryetar “të hekurt”, sot u shfaq e qullët. Nxori disa në skenë autoritete periferike që të denoncojnë fotot e Xhafës me diktatorin Hoxha-një pamje që më shumë i bën nder kryeministrit se sa dëmton Xhafën. Pas kësaj-asgjë. Të gjithë po shikojnë me habi pse Meta është ulur përtokë. Gjithë kjo situatë vjen si rezultat i fshehjes së të vërtetës. Ilir Meta e di se Rama nuk ka më të ardhme, por nuk e thotë. Pyetja është në cilin port do të ankorohet Meta. Ky ka premtuar rolin e opozitës; por kjo nuk besohet si e vërtetë.
E vërteta e Metës është pritja për administratën Trump nëse dikush mund t’i japë një sinjal. Për nga BE, Meta nuk hedh sytë, sa pse ia ka mbyllur dyert Rama i socialistëve, sa se nuk ka më peshë mbiemri “Integrim” i LSI. BE përjeton krizën e vet.
3.
E vërteta e pa shpallur e Çadrës.
Sot kryetari i opozitës, Basha, që prin protestën qytetare për zgjedhje të lira, ishte në një drekë punë me ambasadorët e vendeve të BE- u tha. Kur u kthye tha frazën standard të “përkrahjes dhe marrëdhënieve të mira” nga partnerët. Në fakt tha gjysmë të vërtetë. Partneri që mbështet ndryshimet politike në Shqipëri është vetëm Amerika pas fitores së Donald Trump. Vendet anëtare të BE do të donin të mos e shikonin Çadrën e protestës as në Bulevard, as në Dajt. Majtistët e BE duan ta ruajnë gjendjen moçalike politike në Tiranë dhe në Lindje, por në Tiranë sidomos.
Që nga dita kur u ngrit Çadra, zoti Basha artikuloi fraza nga doktrina e Trump, si psh: “Nesër asgjë nuk do të jetë si sot”. Me Çadrën e Ndryshimit aleati kryesor, ndoshta i vetëm, është Shtetet e Bashkuara dhe ndryshimi që po vjen në Europë. Për pak ditë pritet që ky mesazh të vijë i hapur për Çadrën dhe për gjithë Shqipërinë. Mirëpo këtë të vërtetë nuk e thotë akoma lideri i Opozitës.
Zbardh dita edhe nesër…

Lazio rimerr vendin e 4, mund 3-1 Torinon

3 gola për të mposhtur 3-1 Torinon në sfidën përmbyllëse të javës së 28-të në Serinë A dhe për të rimarrë vendin e 4-t në renditje. Një supergol i Keita Balde dhe një finalizim i Felipe Anderson në minutat e fundit nderuan Lazion që në “Olimpico” kaloi me shifrat 3-1 Torinon duke u ngjitur në kuotën e 56 pikëve. Bardhekaltërit parakaluan sërish Interin në klasifikim dhe mund të shpresojnë deri në fund te misioni Champions. Derbin shqiptar e fitoi Thomas Strakosha, i cili në ndryshim nga Arlind Ajeti që nuk u aktivizua, luajti gjatë gjithë 90 minutëshit duke shfaqur një formë të mirë mes shtyllave.
Pavarësisht rasteve të shumta që krijoi Lazio pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola. Në minutën e 56-të ishte Ciro Immobile ai që zhbllokoi shifrat për t’i dhënë avantazhin Lazios, por në të 72-tën Maxi Lopez i ardhur në fushë nga stoli ndëshkoi Strakoshën, duke ia vështirësuar gjërat skuadrës së Simone Inzaghit. Megjithatë për të qetësuar trajnerin e tij në stol mendoi Balde Keita që në të 87-tën shpiku një gol fantastik për t’i çuar shifrat në 2-1. Në të 90-tën me Torinon të gjithën përpara Lazio shfrytëzoi kundërsulmin me Felipe Anderson që mposhti edhe një herë tjetër Joe Hart-in, duke fiksuar rezultatin përfundimtar të këtij takimi në 3-1.

Si do të jetë Republika e re?

Besnik ALIAJ

Po bëhet gati 1 muaj që opozita dhe populli janë në protestë. Përpara qeverisë dhe Parlamentit është ngritur një çadër-forum, e cila ka ngjallur debat, kundërshti, shpresë dhe frikë njëkohësisht. Një gjë është e qartë: figura e Lulzim Bashës dhe e forcës që ai drejton ka marrë një tjetër profil! Sado të kritikojnë dhe ironizojnë kundërshtarët, ata qartësisht janë në hall si të veprojnë. Qeveria dhe koalicioni në pushtet bënë weekend-in e fundit një rrokadë të sforcuar në përpjekje të dështuar për të marrë iniciativën dhe ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve! Ndërkohë fushata e shiritave, panaireve dhe show-t mediatik është në ekstazë! Por për çudi çadra-forum vijon e qetë punën e saj dhe vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë kureshtarë, militantë, qytetarë, etj., etj. Janë njerëz të thjeshtë, mësues, sipërmarrës, të papunë, akademikë, të majtë e të djathtë ose pa parti. Të gjithë vijnë atje dhe flasin duke nxjerrë në pah frustrimin e madh që po kalon vendi dhe shoqëria shqiptare! Kërkohet një ndryshim i madh! Por jo një ndryshim i radhës, por një përmbysje? Kërkohet një lidership i ri! Por jo dosido! Një lidership idealist, patriot dhe me besë! Një lidership modern, europian, kampion i demokracisë dhe lirive të njeriut! Kërkohet një sistem dhe një Republikë e re!
Ndaj është koha që Lulzim Basha tani të flasë se si do të jetë Republika e re? Njerëzit e besojnë, por tani duan të dëgjojnë gjëra edhe më konkrete! Ata as që duan t’ia dinë cili ministër u shkarkua dhe kush u ngarkua! As nuk jua ndjen fare për zhurmën e mediave të kontrolluara. As për inaugurimet elektorale e as për kulisat e politikuajve të rinj të plakur! Njerëzit janë të etur të dëgjojnë për Republikën e re! Për sistemin e ri antiestablishment. Për masat radikale antistatus quo! Ata duan të dëgjojnë Lulzim Bashën se çfarë vjen pas kërkesës për zgjedhje të lira dhe qeveri teknike? Ata duan që Lulzim Basha të flasë në çadrën-forum për Republikën e re, së bashku me kampionët e rinj të Republikës së re!
Pra, është koha që Lulzim Basha të shpjegojë:
⁃ A do të ketë një pakt kombëtar për një sërë çështjesh jetike për vendin apo do të vijojmë me konflikt? A do të kemi një Kushtetutë të re? Çfarë sistemi elektoral do të aplikohet në Shqipëri tani e tutje? Çfarë do të ndodhë me kolonat kryesore të shtetit dhe lirisë? Çfarë do të ndodhë me politikën, drejtësinë, mediat, shoqërinë civile, etj., etj.
⁃ A do të përfaqësojë qeverisja e Shqipërisë komunitetin dhe a do t’i shërbejë atij realisht? Apo do të vijojë t’i shërbejë kastave dhe oligarkisë? Si do të garantohemi për këtë? Si do të ruhet dhe kultivohet demokracia, nga rreziku i deformimeve autoritare të pushtetit? A do të jetë qeverisja pozitive? Si do të nxisë ajo zhvillimin real të vendit?
⁃ A do të jetë qeverisja e taksapaguesve apo e mafias? A do të garantohet sipërmarrja, prona, siguria dhe liria e individit? Si do të veprohet me administratën publike? A do të shpolitizohet dhe stabilizohet ajo?
⁃ A do të decentralizohet pushteti drejt njësive rajonale dhe lokale? Ç’do të bëhet me reformën aktuale të territorit? A do të kemi akoma një hartë elektorale apo një hartë të re që nxit zhvillimin? Si? A do të ketë operacione të vërteta zhvillimi apo qepje për interesa politike të çastit?
⁃ Çfarë do të ndodhë me burimet kombëtare, natyrore dhe ekonomike? Çfarë do të ndodhë me koncesionet, sidomos ato korruptive? Si do të jenë taksat? Të shumëfishta? Të balancuara? Të thjeshta apo progresive? Ku do të shkojnë dhe si do të shpenzohen taksat? A do të financohen vetëm bashkitë që kanë të njëjtën ngjyrë politike me qeverinë? Po komunitetet e abandonuara dhe në nevojë?
⁃ A do të dëgjohen profesionistët, akademikët, shkencëtarët dhe sipërmarrësit e suksesshëm? Si, ku dhe kur? Kush do ta garantojë këtë? A do të ketë një kontratë politike me gjithë shtresat dhe grupimet sociale? Si do të garantohet përfaqësimi dhe legjimiteti i tyre në politikë, punësim dhe ekonomi!
⁃ Cili do të jetë modeli ekonomik i Shqipërisë? Si do të garantohet qëndrueshmëria? Si do të ripërtërihen burimet, mjedisi, bujqësia dhe turizmi?
⁃ Çfarë do të ndodhë me arsimin, shkencën, sportin, trashëgiminë dhe kulturën? A do të investohet seriozisht për këto sektorë si investim afatgjatë për zhvillimin e vendit?
⁃ Çfarë do të ndodhë me politikat monetare? Cilat do të jenë stimujt fiskalë? Çfarë roli do të ketë sistemi bankar? Po kreditimi? Çfarë do të ndodhë me biznesin e vogël, të mesëm dhe familjar në Shqipëri? A do të ketë klimë dhe inçentiva inkurajuese? Si do të shmanget informaliteti?
⁃ Si do të rikthehet kontrolli mbi territorin dhe burimet? Si do të rikthehet besimi tek populli? Si do të frenohet emigrimi dhe braktisja? Si do të luftohet krimi i organizuar dhe mafia? A do të jemi republikë bananesh dhe hashashi apo një vend normal europian? Cilët janë partnerët tanë strategjikë? Në Lindje apo Perëndim?
⁃ A do të ketë një bazë taksapaguese të gjerë dhe taksa të ulëta apo të larta? Si do të bëhet rishpërndarja e pasurisë kombëtare? A do të rritet apo ulet autonomia vendore? Do të merren vendimet në Tiranë apo në periferi? A do të pyeten elitat apo njerëzit? Po emigrantët do të kenë rol në Shqipëri? Si?
⁃ Çfarë do të ndodhë me kthimin e pronave? Po me legalizimin? A do të marrin ato një përgjigje finale apo do të zvarriten pa fund? Çfarë do të bëhet me burimet në tërësi dhe sidomos me burimet energjetike kombëtare? A do të zgjerohen zonat e mbrojtura mjedisore? A do të investohet në autostrada, projekte europiane dhe rajonale? Si do të ruajmë identitetin tonë kombëtar nesër në BE? A do të ndëshkojmë krimin dhe korrupsionin apo do të zvarritemi?
⁃ Etj., etj., etj …
Po, është koha që Lulzim Basha të flasë bashkë me ekipin dhe aleatët e tij: njerëzit e thjeshtë dhe të lirë! Lulzim vijo të kërkosh zgjedhje të lira dhe të ndershme! Vijo të kërkosh qeveri dhe Shqipëri teknike! Mos hiq dorë asnjëherë dhe për asnjë gjë nga këto kërkesa! Sepse nuk ka më kthim prapa! Është “one way ticket” rruga drejt demokracisë dhe lirisë! Por ndërkohë fillo të shpjegosh çfarë është Republika e re, sepse vetëm ky është shtegu që të nxjerr ty dhe shqiptarët në dritë dhe të ndan përfundimisht nga Republika e vjetër, nga Parlamenti i vjetër, nga qeveria e korruptuar, nga drejtësia dhe mediat e kapura, nga praktikat e vjetra të Republikës së vjetër, nga gjithçka që na ka mbajtur peng këto vite! Ndaj tani në çadër duhet të flitet për Kushtetutën e re të Republikës së re!

Cikalleshi kthehet te goli pas 3 muajsh

Goli i parë i Sokol Cikalleshit në këtë sezon të kampionatit turk, por edhe i pari me fanellën e skuadrës së tij të re nuk i mjaftoi Akhisar Belediye-s për të marrë qoftë edhe një pikë. Sulmuesi shqiptar u rikthye te goli pas rreth 3 muajsh duke i realizuar një finalizim me peshë në sfidën mes Akhisar-it dhe Trabzonspor-it, por në fund pavarësisht finalizimit të Cikalleshit që i dha avantazhin provizor vendasve ishin miqtë nga Trabzoni ata që triumfuan duke përmbysur gjithçka në favor të tyre për një fitore me shifrat 1-3.
Në ndeshjen e tij të 3-të si titullar me Akhisar-in, Cikalleshi arriti të gjente rrugën e rrjetës duke konfirmuar se ka bërë zgjedhjen e duhur për t’u transferuar në formë huazimi te ekipi i trajnerit Tolunay Kafkas deri në përfundim të këtij sezoni. Ishte minuta e 11-të kur 26-vjeçari kavajas shfrytëzoi një krosim Adin, duke goditur saktë me kokë për të realizuar një gol të bukur. Në pjesën e parë Akhisar arriti të ruante epërsinë, por në fraksionin e dytë miqtë nga Trabzoni e rritën ndjeshëm nivelin e lojës së tyre duke realizuar 3 gola, 2 me sulmuesin nga Mali, Ndoye dhe një me qendërmbrojtësin Demirok. 1-3 në favor të Trabzonsporit ishte rezultati i kësaj ndeshjeje, megjithatë për ne e rëndësishme është që kur mbeten më pak se 2 javë nga sfida Itali-Shqipëri, një tjetër sulmues i kombëtares pas Sadikut dhe Manajt arrin të gjejë rrugën e rrjetës në këtë javë.

Mavraj: Maksimumin për t’u grumbulluar me kombëtaren

Është shtylla e mbrojtjes së kombëtares, por fatkeqësisht Mërgim Mavraj pësoi një dëmtim ditë më parë me skuadrën e tij të Hamburgut dhe me shumë mundësi do të mungojë në një ndeshje tejet të rëndësishme për kuqezinjtë, atë ndaj Italisë më 24 mars.
Mbrojtësi kuqezi, me anë të një statusi në profilin e tij në Facebook, njofton se po bën maksimumin për të qenë prezent në këtë sfidë, por duket se është e vështirë. “Periudhë e vështirë pas dëmtimit në një moment shumë delikat si për klubin ashtu edhe për kombëtaren. Po bëhet maksimumi për rikuperimim, por tepër e vështirë për t’u rikthyer në kohë për kombëtaren”, shkruan Mavraj.
Për De Biasin, mungesa e Mavrajt është një “dhembje koke” më vete, duke qenë se në këtë ndeshje eliminatore do të mungojë për shkak kartonësh edhe Gjimshiti, ndërsa Ajeti nuk është në formën e tij më të mirë.

Aliji: Shqipëria, zgjedhje zemre

I ftuar nga rrjeti mediatik SwR në emisionin “FlutLicht”, mbrojtësi i kombëtares Naser Aliji foli për zgjedhjen e Shqipërisë në vend të Zvicrës, krenarinë që provoi në Europian, por dhe dashurinë e tij për futbollin. 24-vjeçari, që aktualisht luan në Bundesligën 2 me Kaiserslautern e cilësoi Shqipërinë, si një zgjedhje zemre me bindjen se mund të arrinte diçka të rëndësishme me kuqezinjtë.
“Kam luajtur për ekipet përfaqësuese të moshave në Zvicër, përpara se të zgjidhja kombëtaren shqiptare. Ishte një dëshirë e imja për të qenë pjesë e kuqezinjve, duke patur parasysh se ai ishte atdheu i prindërve të mi dhe gjithashtu dhe trajneri arriti të më bindë dhe të më japë sigurinë se me Shqipërinë do të arrinim diçka të madhe. Kualifikimi në Europian ishte një krenari e madhe për të gjithë ne, na bëri të ndihemi krenarë, teksa shikonim lumturi në sytë e njerëzve tanë. Janë disa gjëra që nuk harrohen kurrë dhe Europiani ishte një prej tyre”, u shpreh Aliji.
Aliji gjithashtu bëri të ditur se futbolli për të është një dashuri, ndërsa cilësoi dhe anët e tij më të mira të fituara nga jetesa në Zvicër, por dhe karakterin e tij shqiptar. “Nëse do të ishte për mua do të luaja 24 orë futboll në ditë, vetëm se nuk e di a do të më mbanin më këmbët. Në stërvitje impenjohem shumë dhe besoj se korrektësia është një tipar zviceran i imi, ndërsa pasioni me të cilin luaj dhe karakteri që unë kam është ana ime shqiptare”, tha Naser Aliji.

Farsa e inaugurimit të Pazarit të Ri

Nga Natan Haasnoot

Pavarësisht se pjesa më e madhe e projekteve të rikualifikimit urban të qeverisë kanë përfunduar në shkatërrim, korrupsion dhe keqadministrim, kjo nuk do të thotë se projektet duhet të jenë të shëmtuar! Në Ditën e Verës, Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inauguruan Pazarin e Ri, në zemër të Tiranës. Në aktivitet morën pjesë dhe ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi dhe ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni. Projekti u përfundua me disa muaj vonesë.
Po ashtu, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte përkrah kryeministrit Rama, në rolin e tij si koordinator i Partisë Socialiste për Tiranën. Edhe pse fushata elektorale nuk ka filluar ende, injorimi i ligjit është bërë tashmë diçka normale.
Që prillit 2015, pazari, i cili kishte një treg të mbuluar, disa vila italiane dhe blloqe pallatesh komuniste, ishte planifikuar të rikonstruktohej nga ish-kryebashkiaku Basha në bashkëpunim me Fondin shqiptaro-amerikan të Zhvillimit. Ndryshimi i vetëm në projektin e zbatuar nga qeveria Rama është lyerja e fasadave të pallateve.
Rikualifikimi i Pazarit të Ri na tregon se si mund të jetë një projekt i financuar dhe monitoruar në mënyrën e duhur. Tregu i peshkut është restauruar, ndërsa një treg i ri fruta-perimesh, i bërë me metal e xham, projektuar nga firma e preferuar e Kryeministrit Rama “Atelier 4”, është ndërtuar shumë mirë nga firma e ndërtimit Salillari. Çatia prej xhami mundëson një pamje të shkëlqyer të blloqeve komuniste të banimit përreth tregut. Fasadat e pallateve janë pikturuar me motive tradicionale shqiptare. Një pjesë e pazarit i është dedikuar zanatçinjve të produkteve artizanale, që me siguri do ta kthejë zonën në ndalesë për turistët.
Në fjalimin e tij gjatë përurimit, Kryeministri Rama ishte i kujdesshëm për të mos përmendur iniciatorin dhe financuesin kryesor të projektit, Fondin shqiptaro-amerikan të Zhvillimit, duke lënë të kuptohej se qeveria ka paguar nga buxheti i shtetit të gjithë shumën e nevojshme për projektin. Kryeministri Rama nuk la pa sulmuar opozitën dhe shprehu “lodhje” nga politika. Pra, në total, aktiviteti ishte i denjë për fushatë elektorale!
I vetmi detaj që nuk ishte në sinkron me projektin e realizuar më së miri, ishte lapidari dedikuar dëshmorëve Shyqyri Ishmi dhe Muhamet Gjolleshës, krahët e të cilëve janë prerë dhe kollona që qëndronte nga pas është shkurtuar, në të njëjtën mënyrë që qeveria Rama ka “restauruar” dhe lapidarë të tjerë.
Por kush ka kohë të shqetësohet për monumentet komuniste, kur heronjtë e vërtetë komunistë mund të emërohen ende ministra?!

*Titulli origjinal i editorialit ishte “Inaugurohet Pazari i Ri”

Një libër për “çadrën e lirisë

Ky libër, qoftë kontributi im modest për çadrën e lirisë

Ndriçim KULLA

Një libër mund të shkruhet edhe shpejt, i frymëzuar nga një ngjarje e caktuar. Por mund të shkruhet edhe ngadalë, për shkak të rëndesës së temës që shtjellon. Në rastin e këtij libri, që merr për trajtim raportet dhe evoluimin e lirisë dhe demokracisë shqiptare, përgjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, së bashku me të gjitha lidhjet shoqërore dhe sociale të sistemit tonë në vend, puna bëhet akoma dhe më e përgjegjshme. Janë në fokus dy prej fitoreve më të mëdha që mund të kemi arritur ndonjëherë si shtet, liria dhe demokracia. Kjo ka qenë ideja dhe nisma e vendosur përpara meje rreth dy-tre vite më parë, pikërisht atëherë kur në rendin e ditës ishte shtruar procesi i dekriminalizimit të politikës shqiptare. Askush nuk mund ta mendonte, e jo më ta besonte, se pas kaq shumë vitesh në liri, jeta jonë parlamentare të shfaqej kaq e njollosur nga krimi. Kishte vite të tëra që lëngonte nga intelektualiteti, ndershmeria dhe integriteti, por një prapakthim i tillë i frikshëm, të shtynte të vije në qendër të trajtimit edhe vetë demkracinë tonë parlamentare dhe partiake. Ishte më pas “legjitimimi”  i këtij regresi të madh nëpërmjet ligjit të miratuar të dekriminalizimit, shtysa e sprovave të para të tij. Kjo qe vërtet njëra nga “dhuratat” më të mëdha që Partia Demokratike mund t’i bëntë jetës politike dhe shoqërore shqiptare në tërësi, por njëherësh edhe pikënisja  e pikëpyetjeve të mëdha rreth mënyrës dhe mekanizmit të veprimit të atyre forcave që e sollën krimin në Parlament. Dyshimet të mëdha hodhën më pas filmimet e avionëve të rrëzuar në buzë të detit, se diçka ishte krisur rëndë edhe në mënyrën e funksionit të shtetit. Në një kohë që kudo trumbetohej për cikle reformash apo reformizëm të një lloji të paparë këtu e 25 vjet, imazhet e dhimbshme të të varfërve të burgosur e ngandonjëherë të vetë vrarë, më nxiti t’i zbërtheja në bazë të parimeve më të shëndosha të filozofisë politike dhe sociologjisë, gjithë përmbajtjen e këtyre reformave. Rezultati qe një Shqipëri e udhëhequr nga “njerëz pa cilësi”, me një gjuhë hipnotizuese si ajo që përshkruan Oruelli në librat e tij, dhe reformat e pambështetura në fillimet e tyre nga asnjë platformë intelektuale dhe të lëna më pas në fatin e tyre pa asnjë mbështetje sociale. Sprova të tjera u bashkuan me të parat në lidhje me reformën e aq shumë përfolur të drejtësisë, këtij guri themeli për të spastruar gjithë aparatin e sistemit të korruptuar shqiptar të drejtësisë, ndërkohë që prapa perdes së pushtetit vinin lajme të tmershme koncensionesh e tenderash pa garë dhe inskenime deputetësh që donin “të vrisnin” apo imagjinonin të vrisnin njëri-tjetrin. Padyshim, që tashmë demokracia parlamentare kishte marrë, e kishte rrokullisur pas vetes edhe demokracinë partiake, por intensiteti i zbulimit gati të përditshëm të ngjarjeve dhe të vërtetave deri atëherë të fshehura, e vendosi lirinë dhe demokracinë shqiptare që unë po trajtoja, në një krizë të thellë e të gjithanshme. Ishte pikërisht ai buletin i zi i lajmeve të kanabizimit kapilar të Shqipërisë, ky sistem piramide sociale, që mund të shkërmoqet akoma dhe më frikshëm se sa piramidat e dikurshme shqiptare, ajo që i vuri vulën dëshirimit tim për një analizë më të thelluar të një “quo vadios” jo vetëm të sistemit, por parësisht të njeriut shqiptar dhe ndërgjegjjes së tij. Kriza e tij e varfërisë, skamjes, por edhe e klientelizmit apo nepotizmit, u shfaq hapur edhe si krizë e besimit tek e sotmja dhe tek e ardhmja, sidomos në zgjedhjet lokale të Dibrës. Droga dhe fijet e saj të shumta qenë tendosur aq fort aq sa i  kishin zënë frymën edhe atij dinjiteti e ndërgjegjie kritike që gjithmonë e pat mbajtur gjallë individin shqiptar. Kriza, pra, e njeriut shqiptar dhe e tërësisë së “botëve të vogla” të njerëzve tanë kudo, në çdo vend, më solli në përfundimin se i gjithë sistemi ynë gjendet në një krizë mbi krizë, ndaj duhej hedhur edhe një kushtrim të argumentuar, intelektual, pse vallë liria dhe demokracia jonë janë në rrezik nëse në fron qëndrojnë ende krimi dhe kanabizimi i lidhur me politikën.
Ishte pikërisht “kauza e çadrës së lirisë”, që  vendos në fokus krijimin e një “republike të re”, që nis pikërisht me gurin e qoshes së ndërtesës së saj, zgjedhjet e lira e të ndershme, ajo që e përligji gjithë arsyetimin e këtij libri, se jemi në një periudhë vendimtare. Ka ardhur koha që shqiptarët të bëjnë atë që se kanë bërë ndonjëherë gjatë këtyre dy dekadave, pas rrëzimit të komunizimit. Ta shkruajnë vetë historinë, me dorën e votës së tyre. Nuk ka më as ekonomi e sistem shoqëror të udhëhequr nga parimi i durimit, por përkundrazi nga parimi i shpresës. Nuk duam më as udhëheqës, intelektualë apo Shoqëri Civile për të cilët njerëzit tanë të thonë që “s’kemi pasur fat që jemi drejtuar nga të tillë. Duam që ata të jenë kuintesenca e shpirtit të popullit shqiptar, i cili në thelb do liri e demokraci të vërtetë, integrim dhe ekonomi që të mos mbjellë aq shumë skamje çdo vit.
Do të doja të isha edhe më i shpejtë në të gjitha ato trajtime që kam përmbledhur në këtë libër, sidomos i nxitur nga intensiteti dhe qëndresa e përditshme e atyre njerëzve që tashme po mbush muajin. Veçse doja të isha edhe i paanshëm, aspak i skajshëm në gjykim, pavarësisht se rëndesa dhe fortësia e ligjërimit që kam shprehur mund të duket jo i tillë. Ka qenë pikërisht ky meraku im kryesor. Mos vallë jam shumë pesimist? Mos vallë gjërat nuk janë edhe aq keq sa thuhen? Çadra e lirisë m’i hoqi të gjitha dyshimet. Jemi në rrezik lirie dhe demokracie, vetëm se kjo thirrje e së vërtetës nuk është aspak diçka që e mbyt, por përkundrazi që e ngjall dhe e forcon shpresën. Ndaj, do të doja të përfundoja me shprehjen, “udhë të mbarë, o rrugëtim i shpirtit të lirë shqiptar kah realizimit të kësaj kauze”. Ky libër, qoftë kontributi im modest për këtë çadër.