Drejtori i Informacionit në Kryeministri, Endri Fuga ka shfrytëzuar vdekjen e shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli për të përfituar para të paligjshme. Ceremonia e homazheve për shkrimtarin dhe poetin Dritëro Agolli është sponsorizuar nëpërmjet një Prokurimi Publik nga Ministria e Kulturës, ndërsa fondi i lëvruar duket i dyshimtë.
Ministria e Kulturës ka akorduar 3.4 milionë lekë (afro 30 mijë USD) për ceremoninë e homazheve, ndërsa specialistët e eventeve thonë se, ceremonia ishte krejt modeste dhe nuk mund të justifikojë dot lëvrimin e kësaj shume kaq të lartë.
Hashtag.al komunikoi me ekspertë eventesh, ndërsa një prej tyre tha se:
‘Duket e çuditshme, sepse në total ka pasur vetëm 4 ekrane Led-Wall. Edhe sikur t’i blesh këto ekrane nuk kushtojnë aq lekë. Ndërsa përdorimi i tyre me qira shkon rreth 900 USD për copë. Fonia është e Pallatit të Kongreseve. Këto janë zërat më të kripur të shpenzimeve për ceremoninë. Pra që të jemi brenda, kostot e ceremonisë nuk mund të kalojnë shumën e 7 mijë dollarëve’.
Për ta kuptuar më mirë se çfarë shpenzimi ka bërë Ministria e Kulturës, mjafton të themi, se i gjithë buxheti vjetor i Galerisë së Arteve është 45 mijë dollarë. Ndërsa ceremonia e homazheve për Agollin shkoi rreth 30 mijë dollarë.
Madje as shkrimtari i ndjerë, nuk rezulton të ketë marrë ndonjëherë një shumë të tillë nga shteti për botimet e tij.
Kompania që ka organizuar ceremoninë është ‘Prosound’, kjo është një kompani me lidhje të forta me “Rilindjen”. Sidomos me zotin Endri Fuga, drejtor i Informacionit në Kryeministri.
Disa punonjës të kësaj kompanie private, rezultojnë të punësuar dhe në departamente të Kryeministrisë.
Biznesi shtetëror i eventeve është një ndër më fitimprurësit dhe më pak të investiguarit nga ana e medias. Shumat që akordohen janë të majme dhe thuajse çdo javë ka ceremoni apo evente, puna nuk rresht.
Njësoj ndodhi dhe me ceremoninë e homazheve të shkrimtarit dhe poetit Agolli, ceremoni, e cila tregon se dhe nga vdekja mund të ‘kapësh’ ca lekë të shpejta.
Endri Fuga bën ligjin në Kryeminsitri, ndaj të gjithë ministrat i përulen atij, duke i dhënë edhe pjesë nga përfitimet e paligjshme nëpërmjet tenderave. Të gjithë ministrat e funksionarët e lartë të PS i dërguan dhurata faranoike Fugës në ditëlindjen e djalit të tij 1 vjeçar. Fuga e festoi ditëlindjen e djalit në Kotor të Malit të Zi me 470 të ftuar. Festa u bë në njërin nga hotelet më luksoze të Kotorit, shoqëruar me një tur Kotor-Dubrovnik me një mega jaht sheikësh. Natyrisht, kjo festë nuk u sponsorizua me paratë e buxhetit, si dasma me dy raunde e “zogut” të Ramës, Veliaj.
Fuga i Ramës, 30 mijë dollarë me vdekjen e Dritëro Agollit
Patrik Sadikaj: Njerëzit po luftojnë për vaktin e ditës
Në ditën e 24 të qëndresës në sheshin e lirisë, për zgjedhje të lira e të ndershme, qytetarët u bënë pjesëmarrës në një bashkëbisedim me gazetarët Dritan Hila e Patrik Sadikaj.
Patrik Sadikaj tha se sipas tij varfëria është plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare sot. Njerëzit që luftojnë për vaktin e ditës, tha Sadikaj, nuk e kanë shumë mendjen dhe nuk kanë fuqi të luftojnë për votën e lirë. Gazetari e quajti qëndresën popullore në sheshin e lirisë, në këtë kuptim një kontribut për shoqërinë. E vetmja gjë për të cilën intelektualët, njerëzit e angazhuar, përtej bindjeve politike apo ambicieve personale, Sadikaj tha se me rëndësi është që të ndihen të lirë në mendje dhe shpirt.
Kryedemokrati Lulzim Basha theksoi rëndësinë e pranimit dhe diskutimit mbi idetë e ndryshme nga tonat, në funksion të një debati konstruktiv, i cili në fund e çon vendin përpara. Por që kjo të funksionojë, Basha tha se nevojitet një frymë qytetare dhe bashkëpunimi si ajo që sot gjendet në sheshin e lirisë nën kërkesën për zgjedhje të lira e të ndershme.
“Sot mes jush si çdo ditë ka jo vetëm demokratë dhe mbështetës të opozitës, por edhe qytetarë, madje edhe mbështetës të Partisë Socialiste, të cilët ndajnë me ne kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndajnë me ne kauzën e dekriminalizimit. Ju e mirëpritët dhe ndoqët çdo mesazh të Hilës dhe reaguat me inteligjencën, me mençurinë dhe me vetëdijen politike që karakterizon qytetarët shqiptarë. Duartrokitët dhe mbështetët mesazhet e z. Hila dhe ju të gjithë e kuptoni që ai nuk është këtu për të mbështetur Partinë Demokratike apo thjesht dhe vetëm opozitën, nuk është këtu as për të mbështetur Lulzim Bashën, por është këtu për të mbështetur kauzën kombëtare dhe europiane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e dekriminalizimit të politikës. Unë dua ta falënderoj me shumë mirënjohje. Dua t’i them se me praninë e tij sot këtu, ai dëshmon shpirtin e vërtetë të këtij sheshi të lirisë, të kësaj tende të lirisë, shpirtin e vërtetë të këtij themeli, të Republikës së re”.
Ndryshimeve të 24 orëve të fundit në kabinetin Rama, Basha i drejton vetëm një mesazh.
“Largimi i çirakëve jo vetëm nuk na shtendos nga qëndrimi që kemi mbajtur, por na inkurajon për t’i shkuar deri në fund betejës që kemi nisur. Republika e re për të cilën jemi mbledhur këtu, është në fakt integrimi i vërtetë europian i Shqipërisë, sepse Republika e re, është dhe do të jetë e tillë, vetëm kur të kemi demokraci të vërtetë, që do të thotë, zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme. Fuqizim i qytetarit, kufizim i pushtetit”.
Në Republikën e re, Basha tha se opozita do të ketë instrumentet e saj për të luftuar betejat e kufizimit të pushtetit të mazhorancës në mënyra institucionale.
“Po kështu në Republikën e re, mazhoranca dhe opozita do të kenë të drejta dhe detyrime të reja. Në Republikën e re, opozita e re do të ketë rolin e shenjtë të kontrollit dhe kufizimit të pushtetit të mazhorancës së re, përmes të drejtave institucionale, përmes një Parlamenti që funksionon, përmes një Kushtetute që mundëson kontrollin dhe balancën reale të pushtetit. Përmes një përfaqësimi të vërtetë të qytetarëve që do të thotë, jo noter i kryeministrit, por noter i qytetarëve dhe ditë për ditë përballë kryeministrit e përballë ekzekutivit. Kjo është detyra e Parlamentit të ri në Republikën e re. Ne i mirëpresim këta gjigantë të kurajos qytetare në këtë shesh, individë të lirë, i mirëpresim si njerëz të kauzës që na bashkon, por shpresa jonë dhe lutja jonë është që edhe kundërshtarët tanë politikë të përfitojnë nga ndërgjegjja e pastër qytetare, nga vlerat dhe virtytet e intelektualëve, njerëzve me integritet dhe që nesër me zgjedhje të lira dhe të ndershme të konkurrojnë si forca politike dhe jo si batalione të krimit dhe shqiptarët të kenë mundësi, të bëjnë zgjedhje”.
Në fund një mesazh dhe paralajmërim për atë çka rrezikon të jetë afera më e madhe e mbetjeve në vend.
“Mbrëmë, miq gazetarë nga SHBA, kanë njoftuar se janë shumë pranë zbulimit të dimensionit të vërtetë të skandalit të plehrave të depozituar në Shqipëri. Bravo për gazetarët. Nëse këto fakte, shpalosen, ashtu siç jam njoftuar, atëherë ai që qëndron prapa kësaj fasade në zyrën e tij do të duhet të zbresë e t’u shpjegojë shqiptarëve se pse i hapi dyert mijërave tonë mbetje të rrezikshme që mund të kenë filluar që tani të helmojnë, tokën, bukën, ujin dhe ajrin e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre. Kjo javë do të jetë përcaktuese për transparencën e këtij megaskandali. Në qoftë se është e vërtetë, kjo nuk është asgjë më pak se gjenocid ndaj shqiptarëve”, tha Lulzim Basha.
Analisti i majtë tek protesta Hila: Duhet të ngremë zërin
I njohur për bindjet e tij të majta, por i zhgënjyer dhe i skandalizuar nga qeverisja Rama, ish ministri i mbrojtjes, njëkohësisht analist pranë Ora News, Dritan Hila bëri thirrje dje nga sheshi i lirisë për bashkim dhe reagim popullor. “Rama duhet ndalur” ishte mesazhi i Dritan Hilës, i cili nuk e kishte menduar se do të fliste ndonjëherë përballë demokratëve. Disa studentë ngritën disa pyetje nga sheshi i lirisë. Dy prej tyre pyetën Hilën mbi vështirësinë e shprehjes së mendimit në rast kur ai shkon kundër vendimeve të qeverisë apo propagandës së saj. Hila u shpreh i zhgënjyer nga qeverisja e kryeministrit, të cilin e ka mbështetur në vitet e para të marrjes së pushtetit, pasi sipas tij Rama nuk ndërtoi atë për të cilën qytetarët e votuan. “E kam thënë tezën që Rama duhet ndalur dhe nuk e tërheq. Unë jam i majtë në ambient të djathtësh. Duhet të jesh pak kokëkrisur që t’i dalësh pushtetit kundër dhe unë prandaj ju vlerësoj ju për këtë revoltë. Unë bëj timen, jo gjithmonë pa kosto, por ia vlen”. Ndër të tjera ai deklaron se më shumë mendimet e ndajnë sesa e bashkojnë me të djathtët, mbështetjen për kauzën e opozitës e mbështet fillimisht si qytetar e më pas si gazetar. “Ne nuk mund ta bëjmë këtë vend të ndarë. Pavarësisht se na ndajnë mendimet, kjo nuk na bën armiq, thjesht kemi mendime të ndryshme për mënyrën se si duam të shkojmë përpara. Janë më të mëdha gjërat që na bashkojnë se ato që na ndajnë. Mua më tërbon kur dikush flet me arrogancë dhe akoma më tepër kur kjo bëhet ndaj opozitës, e cila minimalisht përfaqëson 35% të shqiptarëve. Ne nuk e kemi luksin të humbasim Partinë Demokratike”. Hila shprehu gjithashtu mendimin se kjo qëndresë duhet të luftojë edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Partia Demokratike e ka potencialin për ta çuar këtë vend përpara ashtu si bëri edhe 26 vite më parë , tha Hila, i cili i kërkoi PD-së të përmbushë rolin e saj historik. “Shikoni përpara, ndërtoni lidershipin tuaj të ri, krijoni një parti popullore sepse jeni parti, e cila i ka të gjitha potencialet”.
Rama shpërbleu Shalsin për shprehjen “Do vjedhim me lezet”
Ish-kryeministri Berisha ka ironizuar dje katër emrat e ministrave të rinj të emëruar nga Rama. Përmes një statusi në Facebook, Berisha ndalet tek skandalet që kanë shoqëruar emrat e ministrave të rinj apo çfarë fshihet pas emërimit të tyre. “Emërimet e reja në qeverinë e Kanabistanit! Të dashur miq, mediat njoftojnë se: Ministria e drogës i besohet Fatmir Drogës, që me vëllain e tij kryeekspert, trafikant ndërkombëtar droge, Agron Xhafa të dënuar në Itali, Venezuelë dhe Ekuador, do të sigurojë trafikun e drogave të forta në Shqipëri. Vëlla Agroni kontrollon për llogari të familjes trafikun e drogës në Vlorë, Fier! Fatmiri si ministër i Drejtësisë e lehtësoi para drejtësisë italiane duke mashtruar dhe paraqitur vëllaçkon si të infiltruarin e antidrogës shqiptare! Shëndetësia ju besua ndrikullës Manastirliu, asistentes me çizme në të gjitha vjedhjet të famozit Beqaj. Ministria e mëshirës dhe përdëllimit i besohet ndrikull Oltës, e cila thuajse është rritur në strehën varfnore të humanistes së famshme Shemsie Kadrisë, por që ngrihet në përgjegjësi sepse mami Neta e ka si dy herë çupën e saj!! Ministria e pushtetit vendor i besohet Shalsit, hajnit të betuar me zë dhe figurë se në pushtet do të vjedhim me lezet. Për kujtesë, Shalsi përjetoi një depresion të thellë, thuhet me tentativa suiçidale sepse krushka e parë nuk i dha asnjërin nga 8 apartamentet që Shalsi nënkryetar bashkie i kishte marrë me lezet si dhurata, por që i kishte vendosur në emra të krushkës dhe rrethit të saj. Shalsi është serioz, do të vjedhë me lezet”, shkruan Berisha në reagimin e tij.
New Europe: Saga e vilës shqiptare të Vlahutin vijon
11 pyetje iu dërguan Shërbimit evropian të Marrëdhënieve me Jashtë nga eurodeputetja Ingerborg Graessle, Presidente e Komitetit Evropian për Kontrollin e Buxhetit. 11 përgjigje u dërguan. Parlamenti megjithatë i konsideroi këto përgjigje si të paqarta dhe evazive. Të marrim për shembull pyetjen 9. Mendo se cili mund të ishte reagimi i hetuesve të OLAF nëse gjatë pyetjeve, ata do të merrnin përgjigje të tilla, e më pas gjykojeni vetë. Pyetje: A është EEAS në dijeni të ndonjë të afërmi apo anëtari të qeverisë shqiptare që punon për delegacionin e BE në Tiranë? Nëse po, a mund të na vini në dispozicion emrat e tyre? Përgjigje: EEAS konfirmon që nga njohjet tona më të mira asnjë anëtar që po punon për delegacionin e BE në Tiranë nuk është i afërm apo anëtar i lartë në qeverinë shqiptare. E njëjta gjë mund të thuhej edhe për Kim Jong-unin që “nga njohjet tona më të mira, Shkëlqesia e tij nuk është kriminel”. Sa për shpjegimet e dhëna me pagesë, përgjigjja është qesharake nëse e krahason me informacionin speficik e të mbipaguar (duket të jetë mbi 1 milion euro) i publikuar në Neë Europë më 5 shkurt 2017. Çështja e vërtetë, megjithatë, është sjellja politike e ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin në këndvështrimin e zgjedhjeve të 18 qershorit. Kjo është diçka që Federica Mogherini duhet t’i kushtojë vëmendje, pasi duket se ambasadorja e saj është shumë aktive përsa i përket fushatës elektorale. Por mbi të gjitha, një nga çështjet e shumë përfolura në Tiranë është specifikisht lidhja e një partie politike me trafikun e narkotikëve.
7 milionë euro për të tërhequr dëshminë ndaj Shullazit, Prokuroria nis hetimet
Prokuroria për Krime të Rënda zgjeron hetimet për personat e tjerë të përfshirë në grupin e Emiljano Shullazit, pas dëshmisë së dhënë nga Ylvi Beqja në Gjykatë. Burimet nga organi i akuzës bënë të ditur se, hetimet kanë nisur ndaj personave, emrat e të cilëve ka përmendur Beqja gjatë dëshmisë së tij, në seancën e sigurimit të provës. Hetimet, thonë burimet, kanë nisur për Ervis Martinajn, i cili edhe pse në kërkim nga policia për një dënim me 3 vite burg, dyshohet se i ka bërë presion Beqajt për të tërhequr dëshminë ndaj Shullazit. Sipas biznesmenit Ylvi Beqaj gjatë një takimi, Martinaj i ka kërkuar të tërheqë dëshminë ndaj Shullazit kundrejt shpërblimit prej 7 milionë eurosh. Beqja ka rrëfyer para Gjykatës se, ky person e ka garantuar se, 1 milion euro ishin të gatshme për t’u dhënë direkt në dorë, ndërsa pjesa tjetër do t’i jepej me këste, vetëm që ai të hiqte dorë nga dëshmia kundër Shullazit. Por Beqja ka rrëfyer se kjo gjë nuk është pranuar nga ai.
Pas refuzimit të ofertës, Beqja ka pretenduar se është kërcënuar nga Martinaj, që tashmë po hetohet nga Prokuroria për Krime të Rënda. Në hetim, mësohet se janë edhe disa tregtarë, emrat e të cilëve nuk bëhen publike, por që kanë dalë në disa media, duke akuzuar Ylvi Beqajn, personin e mbrojtur nga drejtësia, se i ka para borxh. Tregtarët sipas biznesmenit Beqja, i kanë detyruar të dalin publikisht për ta akuzuar atë. Pretendime, të cilat po verifikohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Nga ana tjetër, avokatët e Emiljano Shullazit dhe të akuzuarve si pjesëtarë të bandës së tij, kanë thënë se pretendimet e Ylvi Beqajt nuk janë të vërteta. Ata kanë thënë se do të ballafaqohen në seancë gjyqësore me dëshmitarin e mbrojtjes, për pretendimet e tija.
Ndërkohë, seanca e ballafaqimit midis Emiljano Shullazi dhe biznesmenit Ylvi Beqaj ka dështuar sërish ditën e djeshme. Shkak janë bërë sërish mungesa e avokatëve mbrojtës. Deri më tani janë më shumë se 15 seanca të dështuara dhe shkak kryesor për këtë gjë bëhen kryesisht avokatët, por edhe vetë Shullazi. Emiljano Shullazi është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë me akuzën për gjobëvënie.
Cali: Lagunën e shfrytëzon Armando Prenga edhe pasi fituam gjyqin
Anëtarët e familjes Cali kanë deklaruar dje në Gjykatë se pavarësisht se, kanë fituar gjyqin për shfrytëzimin e Lagunës së Patokut, sërish ajo shfrytëzohet nga ish-deputeti i PS, Armando Prenga. “Me një vendim të dytë, pezullim ekzekutimi na kanë komunikuar se nuk keni leje të përdorni. Aty e përdorin do pukjanë nën hijen e Armando Prengës. Armandi e ka fituar tenderin jo na”, u shpreh Gjergj Cali.
Pak muaj me parë, familja Cali paditi tenderin e Ministrisë së Bujqësisë, që i kish dhënë lejen Prengës për shfrytëzimin e Lagunës. Shkalla e Parë Administrative i dha të drejtë Calëve. Më pas, Ministria e Bujqësisë e apeloi duke e humbur procesin dhe vendimi mori formën e prerë. Por ekzekutimi i vendimit është pezulluar nga Gjykata e Lartë deri në përfundim të gjykimit edhe në këtë Gjykatë.
Gjykata e Lartë i vazhdoi lejën e shfrytëzimit të Lagunës së Patokut familjarëve të Armando Prengës, edhe pse kishte dy vendime kundër. Tre gjyqtarë të kësaj gjykate në dhomën e këshillimit mësohet se kanë vendosur të pezullojnë vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit Administrativ, që i heq të drejtën familjarëve të Prengës të shfrytëzojnë Lagunën. Argumentet e këtij vendimi ende nuk bëhen të ditur, pasi tre gjyqtarët nuk e kanë zbardhur vendimin e arsyetuar, që u hoqi të drejtën peshkatarëve të familjes Cali të shfrytëzojnë Lagunën e Patokut.
Në favor të familjes Cali, kanë vendosur dy gjykata, ajo e Shkallës së Parë dhe Apelit Administrativ. Këto gjykata, kanë shfuqizuar vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, që i heq të drejtën e shfrytëzimit familjes Cali dhe ia kalon vëllait të ish-deputetit Armando Prenga. Por këtë vendim, familjarët e deputetit Prenga e kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar njëherazi pezullimin e këtij vendimi deri sa dosja të shqyrtohet në themel nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë. Tre gjyqtarët, në dhomë këshillimi pranuan rekursin e familjarëve të deputetit Prenga, duke i dhënë të drejtën të vazhdojnë shfrytëzimin e Lagunës deri sa Ministria e Bujqësisë të zhvilloi procedurat e tenderit të licencës së re.
Nga ana tjetër, procesi penal ndaj ish-deputetit Armando Prenga që akuzohet për armëmbajtje pa leje, kanosje dhe plagosje të rëndë, u shty për me datën 27 mars, pasi nuk u paraqitën avokatët mbrojtës. Pritet që Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në seancën e ardhshme të vendosë transferimin e dosjes drejt Gjykatës së Kurbinit, pasi Prenga tashmë nuk ka imunitet. Me heqjen e mandatit të deputetit nga KQZ-ja, Armando Prenga nuk mund të gjykohet nga Gjykata e Lartë. Armando Prenga, akuzohet për dy plagosje me armë ndaj pjesëtarëve të familjes Cali, kanosjen e tyre dhe armëmbajtjen pa leje. Ngjarje e cila ka ndodhur mbrëmjen e 5 shtatorit të vitit 2015 para Komisariatit të Kurbinit.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë pritet të shpallë mos kompetencën për gjykimin e çështjes ndaj ish-deputetit të PS, Armando Prenga, i akuzuar për kanosje dhe armëmbajtje pa leje. Seanca, e cila pritej të zhvillohej ditën e djeshme është shtyrë, pasi mungonte një prej anëtarëve të trupit gjykues.
Tropojë, banorët e 11 fshatrave peticion qeverisë për rrugën Kam-Qafë-Prush
Banorët e 11 fshatrave në Tropojë kanë protestuar dje kundër qeverisë Rama për shkak të gjendjes së mjerueshme të minierës së kromit në zonën e Kamit. Protestuesit kërkojnë nga qeveria që të asfaltohen 18 kilometra rrugë që lidh Kamin me Qafë-Prushin.
Janë mbi 300 mijë ton stok që nuk mund të transportohen për shkak të gjendjes së keqe të rrugës. Në këtë zonë nxirret rreth 200 mijë ton krom në vit, të cilat janë 2/3 e kromit që mblidhet në Shqipëri dhe shteti fiton rreth 40 milionë euro.
Janë të punësuar 250 punëtorë dhe pritet me shtimin e kapaciteteve të fronteve të punës të punësohen rreth 2000 punëtorë. 11 fshatrat e kësaj zone jetojnë nga puna që bëhet në këto miniera, por dëmtimi i rrugës së makinës po ul kapacitetin e nxjerrjes së kromit, e cila shoqërohet me uljen e numrit të punëtorëve.
Kërkesat e protestës së banorëve ishin asfaltimi i shpejtë i kësaj rruge, rregullimi i rrjetit vaditës dhe vënia në efiçencë e dy qendrave shëndetësore të fshatit Zogaj, të cilat nuk funksionojnë. Protestuesit i dërguan një peticion qeverisë, duke kërkuar realizimin e kërkesave të tyre ose përndryshe do të bllokojnë rrugën që lidh Tropojën e Hasin me Kosovën.
Plagosje me armë në Tiranë, pranë QSUT-së
Një plagosje me thikë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm pranë QSUT-së në Tiranë. Sipas policisë, një sherr me thika ka ndodhur rreth orës 00:50, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, përballë Spitalit të Fëmijëve. Për pasojë ka mbetur i plagosur 25-vjeçari me inicialet G.Q., i cili është dërguar në spital, në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë, autori i kësaj ngjarjeje është ende i lirë. Policia bën të ditur se është duke u punuar për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Ndërkohë, një 40-vjeçar nga Fieri është vetëhelmuar me fotoksinë. Policia njofton se ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, ku 40-vjeçari Sh.Z. edhe pse është dërguar me urgjencë në spital, nuk ka arritur t’i mbijetojë efektit të fotoksinës.
Roli i Fatmir Xhafës në kartelin e drogës
Agron Xhafa, vëllai i deputetit socialist dhe kreut të komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafa është përgjuar nga policia italiane në lidhje me trafikun e drogës që ai bënte në zona të ndryshme të Italisë.
SYRI.net ka siguruar përgjimet e zbardhura nga policia italiane dhe të mbërritura në Shqipëri, ku i janë vënë në dispozicion policisë shqiptare, por kjo e fundit nuk ka vepruar.
Përmbledhje
Agron Xhafaj, vëllai i Fatmir Xhafës, u dënua nga Gjykata e Leçes në Itali, e cila gjykoi një grup kriminal shqiptarësh të përfshirë në trafik ndërkombëtar dhe shpërndarje e shitje lëndësh narkotike.
Hetimet për këtë grup kriminal janë zhvilluar në periudhën 2000-2001 nga Drejtoria e Antimafias në Leçe dhe janë zbuluar të paktën 7 raste, kur Agron Xhafaj është përfshirë me veprime aktive në furnizimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike marijuanë, heroinë dhe kokainë në tregun italian.
Sipas hetimeve të Antimafias italiane, Agron Xhafaj vepronte në Bolonja. Ai ishte pjesë e një grupi që siguronte drogën kryesisht në Shqipëri dhe më pas e shpërndanin në qytete si Salento, Firenze, Bologna, Parma, etj.
Në këtë hetim ka qenë i përfshirë edhe Drejtoria e Antidrogës Amerikane (DEA), pasi grupi i shqiptarëve, ku Agron Xhafaj kishte rol kryesor, kryente trafik lëndësh narkotike nga Italia në Amerikë.
Rezulton se, Agron Xhafaj është përfshirë drejtpërdrejtë në një linjë trafiku lënde narkotike nga Italia për në Poloni. Por, kjo linjë nuk rezultoi produktive, pasi Agron Xhafaj siguroi një sasi lënde narkotike të cilësisë së dobët, e cila nuk i pëlqeu pritësve polakë.
Në vijim janë 7 rastet e evidentuara nga Antimafia Italiane, ku është përfshirë drejtpërdrejtë Agron Xhafaj në importimin, furnizimin, shpërndarjen dhe shitjen e lëndës narkotike në zona të ndryshme të Italisë.
Raste të konstatuara deri në dhjetor 2001.
Rasti i parë
Zonat e veprimtarisë kriminale: Në Leçe, Venezia, Bologna, Firenze dhe lokalitete të tjera.
Vepra penale: “Pjesëmarrje në një organizatë trafiku dhe shpërndarje lëndësh narkotike (heroinë, marijuanë dhe hashash)”; Shtetasi shqiptar Fadil Papa siguronte lëndë narkotike në Shqipëri, duke realizuar edhe transportimin e saj për në Salento (Itali). Pas qëndrimit të përkohshëm në zona të paidentifikuara salentine, lënda narkotike ndahej dhe shpërndahej tek persona të tjerë; në Venezia vepronte Besnik Murataj, i cili, në bashkëpunim me Tomasz Piekarniak i jepte vazhdimisht lëndë narkotike Rino Gerardit dhe Ervin Qezit, të cilët zhvillonin më tej aktivitetin e tyre në zonat e Venezias dhe Trevisos; në Bolonja vepronte Agron Xhafaj, (i cili administronte një rrjet në tijin shpërndarësish, në bashkëpunim me Orges Seferaj); në Parma vepronte Altin Maci dhe në Imperia vepronte Edison Sali;
Rasti i dytë
Zonat e veprimtarisë kriminale: Në Leçe, Venezia, Bologna, Treviso dhe lokalitete të tjera, të konstatuara deri në dhjetor 2001.
Vepra penale: Pjesëmarrje në bashkëpunim ndërmjet tyre dhe me persona të tjerë në organizatë për mbajtje, importim në territorin e dhtetit (Itali) dhe transportim të një sasie të papërcaktuar marijuane; konkretisht, Fadil Papa siguronte dhe importonte lëndë narkotike deri në brigjet e Salentos, ndërsa Agron Xhafaj ishte ngarkuar ta tërhiqte menjëherë, duke kërkuar bashkëpunimin e Besnik Murataj.
Rasti i tretë
Në provincën e Leçes, dt. 10.09.2000;
Besnik Murataj zotëronte dhe i jepte Agron Xhafaj, nëpërmjet Tomasz Piekarniak, sasi prej 125 gramë heroinë, për shpërndarje të menjëhershme;
Rasti i katërt
Në Bologna, dt 3.11.2000;
Besnik Murataj zotëronte dhe i jepte Agron Xhafaj, nëpërmjet Tomasz Piekarniak, sasi prej 40 gramë heroinë, për shpërndarje të menjëhershme;
Rasti i pestë
Në Bologna, dt 13.11.2000;
Besnik Murataj zotëronte dhe i jepte Agron Xhafaj, nëpërmjet Tomasz Piekarniak, një sasi të papërcaktuar hashashi, për shpërndarje të menjëhershme;
Rasti i gjashtë
Në Bologna, dt. 13.11.2000;
Besnik Murataj, në bazë të kërkesës së Paolo Lo Sasso, siguroi lëndën narkotike nga Agron Xhafaj dhe Orges Seferaj, që më pas iu dha një agjenti të DEA-s (agjent i infiltruar, i cili i ishte atashuar grupi amerikan që bashkëpunonte me personat e mësipërm)
Rasti i shtatë
Në Firenze dhe lokalitete të tjera, dt. 13.06.2001;
Besnik Murataj dhe Agron Xhafaj kanë pasur në posedim dhe kanë tentuar t’i japin Rino Gerardi dy kg lëndë narkotike hashash, e cila transportohej nga Orges Seferaj. Por, dorëzimi nuk u realizua, pasi Seferaj u arrestua në flagrancë, në Venezia, dt. 1.7.2001;
Arrestimii i Orges Seferaj dhe sekuestrimi i 2 kg hashash
DT. 1.7.2001
Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet personave të hetuar, në dt. 1.7.2001, Agron Xhafaj, nëpërmjet korrierit të tij, Orges Seferaj, do i dërgonte Besnik Muratajt 2 kg hashash, e cila do i dorëzohej Rino Gerardit, njeri i besuar i Muratajt në furnizimin me heroinë. Pas mbërritjes në Venezia (nga Vlora) të Seferajt, ai u arrestua në flagrancë, pasi ishte në ndjekje nga punonjësit e policisë. Në momentin e arrestimit, atij iu gjet sasia e lëndës narkotike (Raporti Informativ i Skuadrës Operative të Venezias, nga nr. 11 te nr. 11/A)
Në dt. 30.06.2001 janë regjistruar telefonatat e kryera për këtë ngarkesë.
Fillimisht, Besnik Murataj diskutonte me Agron Xhafaj:
Besnik: Do vish të shohësh ti për punën?
Goni: Ëhë, ëhë.
Besnik: Që të shohësh se për çfarë pune bëhet fjalë dhe për të shkuar te pronarët, kupton?
Goni: Të kuptova. A të marr edhe Gesin (Orges Seferaj)?
Besnik: Eh…
Goni: Të nisem unë?
Besnik: Eh, eh!!
Goni: Në rregull, Ku do të takohemi më pas?
Besnik: Mbaj shënim diku, që të të them se ku është restoranti.
Goni: Prit një minutë
Besnik: Ke ndonjë laps aty?
Goni: Prit sa të gjej një. Alo…
Besnik: Hum..
Goni: A të niset Gesi sot për andej?
Besnik: Eh?
Goni: Gesi, Gesi, po të them
Besnik: Eh..
Goni: Mund të vijë sot.
Besnik: Mirë, të vijë.
Goni: Ai duhet të shkoj pak deri në Firenze
Besnik: Ai do që të vij nesër, thua ti?
Goni: Jo, jo. Ai duhet të takojë atë djalin në Firenze, për atë makinën
Besnik: Hum..
Goni: Pastaj, ti e di mirë.
Besnik: Tani, ai e ka parasysh. Ai mund të jetë atje pasdite, rreth orës 4-5. Kupton?
Goni: Hum, hum.
Besnik: Në 6.
Gosni: Në rregull. Më thuaj atëherë
Besnik: Ajo…po të them ku është Restorant “Rialto”
Goni: Ku?
Besnik: Në Rialto.
Goni: Ri…
Besnik: Rialto.
Goni: Alto.
Besnik: Rialto, aty është edhe një tabakeri. Është fiks aty. E ka numrin? Se ia kam dhënë unë numrin e restorantit.
Goni: Po, e ka!
Besnik: Para se të mbërrij aty, t’i thotë që “për një minutë jam aty”. Ai do të jetë aty dhe do t’i thotë “për një sekondë jam aty”. Pastaj, aty është edhe pronari, kupton?
Goni: Në rregull!
Besnik: ky do të shkoj dhe do t’i thotë që jam te tabakeria, kupton?
Goni: Po, po
Besnik: Dhe ky do të presë afër tabakerisë, kupton?
Goni: Po…
Pasdite, Besnik Murataj njoftoi Rino Gerardin lidhur me korrierin:
Besnik: Do të shihemi nesër..
Rino: Joo! Pra jo sot?
Besnik: Po, po, nesër. Do të shihemi nesër. Kur të vij unë atje, do të jem te tabakeria…më kupton?
Rino: Po!
Besnik: Sa të të telefonoj unë, ti vjen për 10 minuta, aq të duhet deri te tabakeria, kupton?
Rino: Mirë! Por…
Besnik: Më pas do të shkojmë te restoranti për të folur për atë punën, kupton?
Rino: Po!!
Besnik: Në rregull!
Rino: Po për nesër, a është në rregull puna?
Besnik: Po, po
Rino: A është çdo gjë në rregull? Në çfarë orë?
Besnik: Në rregull janë gjërat. Nuk e di në cilën orë, po nga dreka, nga pasditja mendoj, rreth orës një, orës dy. Kupton? Në atë orë do të takohemi, në rregull?
Rino: Në rregull!!
Besnik: Në rregull atëherë!
Rino: Ki kujdes!
Besnik: Mos u shqetëso!
Rino: Ciao!
Besnik: Ciao!
(Tel. n.166 dt. 30.6.2001, ora 17,23):
Të nesërmen në mëngjes, Murataj informon Gerardin për orarin e mbërritjes së korrierit, si edhe i shpjegon disa karakteristika fizike të tij. Në raportin e Skuadrës Speciale, i bëhet një përmbledhje e telefonatës dt. 1.7.2001, ora 10:50.
“Besniku informon Rinon se kushëriri i tij mbërrin pas dy ose tre orësh dhe ai duhet ta shoqërojë deri te restoranti. Do të takohen pranë Tabakerisë. Kushëriri i tij është rreth 1 metër e 80, ka një vesh, është i dobët. Rino i thotë që kuptoi dhe po e pret”.
Në orarin e caktuar, Gerardi nuk po takonte korrierin dhe i kërkon në mënyrë të vazhdueshme të dhëna shqiptarit.
“Rino i kërkon Besnikut që ta telefonojë sa më shpejtë. Pas 8 minutash, i kërkon sërish ta telefonojë. Besniku i thotë që të presë edhe pak se po vjen”. Këto telefonata zhvillohen ndërmjet orës 13:10-13:18 të dt. 01.07.2001.
Në orën 16:38, Besniku e pyet Gerardin nëse e ka takuar Orges Seferajn, meqë nuk ka marrë asnjë lajm prej tij. Rino Gerardi i jep përgjigje negative.
Në orën 17:39, Besnik Murataj i thotë Gerardit që të largohet, pasi diçka duhet të ketë shkuar keq.
Dhe në fakt, Orges Seferaj kishte mbërritur në Venezia, ashtu siç e kishte njoftuar Besnikun në sekretarinë telefonike (ora 14:30). Por, menjëherë ishte arrestuar në flagrancë nga policia në Venezia, pasi iu gjetën në posedim 2 kg hashash (ndarë në 8 pjesë) dhe 3 gramë marijuanë. Gjithashtu, Seferajt iu gjet edhe një telefon celular me nr. 0333/7528189. Bëhej fjalë për të njëjtin numër, me të cilin ai kishte komunikuar me Agron Xhafaj dhe Besnik Murataj një ditë më parë.
Sapo kanë mësuar se Orgesi u arrestua, Besnik Murataj dhe Agron Xhafaj janë përgjuar, nga ku ka rezultuar se ata po bëjnë përpjekje që t’i gjejnë një avokat Seferajt.
Trafikim heroine e hashashi në tregun e Trevizos nga Xhafaj
Në orën 10:17, Besniku njoftonte Agron Xhafaj që, “ai” sapo ishte nisur; në orën 13:16 qartësohet që personi që po vinte ishte Tomasz Piekarniak, pasi ky i fundit, pasi kishte mbërritur në Bologna, informon Besnik Murataj se kishte takuar mikun dhe ishte gati për t’u kthyer; në orën 17:10, edhe Agron Xhafaj njofton bashkëkombasin e tij që korrieri sapo ishte nisur për t’u kthyer; në orën 18:19, Tomasz Piekarniak siguron Besnik Murataj se kishte mbërritur në shtëpi. Në të njëjtën mbrëmje, Agron Xhafaj i ankohet Besnik Murataj se përse sasia që kishte mbërritur nuk korrespondonte me atë për të cilën kishin rënë dakord. Agroni thotë që sasia e sjellë nga Tomasz ishte 125 gramë (heroinë).
Goni: Sa….ishte… ai numri që më kishe nisur?
Besnik: njëqind e tridhjetë
Goni: Jo…është më pak. Është njëqind e njëzet e pesë.
Besnik: Jo, nuk është e mundur.
(tel.n.1421 dt. 3.11.2000, ora 20:24).
Pak më vonë, pasi kishin bërë biseda të tjera.
Goni: Unë e peshova vetë me saktësi.
Besnik: Edhe unë me saktësi vëlla (e pakuptueshme). E pashë vetë në gazetë, dy herë, që ishte njëmijë e nëntëqind e tridhjetë. Ndoshta një ose dy, edhe mund….
Goni: Çfarë të bëj. Ta lëj apo ta prek?
Besnik: Është djalë i mirë…
Goni: Unë nuk e di. Unë sa e hapa, e hapa sapo e takova.
Besnik: Dëgjo…vazhdo bëj punën tënde.
(tel.n.1424 dt 3.11.2000, ora 20.35)
Besnik Murataj, ndërkohë që furnizonte Agron Xhafaj në Bologna, merrte nga bashkëpunëtorë shqiptarë sasi të llojeve të ndryshme narkotikësh, të cilat i shpërndante në tregun trevinjian, nëpërmjet bashkëkombasit të tij, Ervin Qezi.
Ndërkohë, më 13.11.2000, në bazë të disa telefonatave, Besnik Murataj i dërgon edhe 40 gramë heroinë Agron Xhafajt, nëpërmjet Tomasz Piekarniak dhe, njëkohësisht, tërhiqte një sasi hashashi, të cilën një ditë më pas ia dorëzon “Vinit”, identifikuar si Ervin Qezi.
Në dt. 12.11.2000 janë regjistruar bisedat e marrëveshjes paraprake ndërmjet Besnik Murataj dhe Agron Xhafaj:
Goni: A do e dërgosh ti atë?
Besnik: Po, do e dërgoj nesër…
Goni: Rreth 40 mijë lireta mund t’i (..e pakuptueshme) Gesi
Besnik: Sa?
Goni: Dyzetmijë lireta për tre ose katër ditë. Më pas nuk ka problem, se do të vij vetë aty
(tel.n.1693 dt 12.11.2000).
Importimi i drogës të datës 14.10.2000
Në vjeshtën e vitit 2000, u regjistruan shumë telefonata në gjuhën shqipe, në bazë të cilave kuptohej se Besnik Murataj, krahas faktit që furnizonte me lëndë narkotike Paolo Lo Sasson, ai kishte ngritur dhe drejtonte një rrjet të tijin, të përbërë nga bashkëkombës të tij, për shpërndarjen e drogës në Itali dhe Poloni.
Hetimet treguan se Besnik Murataj, pasi kishte dërguar në fillim të shtatorit sasi të ndryshme lëndësh narkotike marijuanë dhe hashash për në Poloni, nëpërmjet Tomasz Piekarniak, ai kishte vendosur që, në bashkëpunim me këtë të fundit, të angazhohej në shpërndarjen e hashashit dhe heroinës në zonën e Venetos dhe Emilia Romagna, në Itali.
Në 14.10.2000, në bazë të përgjimeve, u dokumentua importimi në Salento i një sasie droge nga ana e Fadil Papa, i cili do ia dorëzonte Besnik Murataj nëpërmjet Agron Xhafaj. Nga ana tjetër, Besniku priste të furnizohej nga Altin Maci, i cili vepronte në Parma, nëpërmjet Edison Salit. Në vijim të përgjimeve, u arrit të kuptohej se bisedat ndërmjet tyre i referoheshin lëndës narkotike heroinë.
Në orën 06.45 të dt. 14.10.2000, Fadil Papa (i njohur edhe si CIMI), mbërriti në bregun e Salentos dhe kontaktoi me kunatin e tij, Besnik Murataj, të cilit i kërkoi të dërgonte një korrier:
Besnik: Arrite?
Çimi: Eh!… Çfarë duhet të bëj tani? Kush do të vijë?
Besnik: Ja, t’i them Agronit
(tel.n.944 dt. 14.10.2000).
Pasdite, Besnik Murataj telefonoi Agron Xhafaj. Ky i fundit i thotë që nuk mund të shkonte të merrte drogën, pasi kishte probleme me makinën. Kjo telefonatë i shërbeu policisë italiane për të identifikuar plotësisht Agron Xhafaj. Dhe në fakt, ashtu rezultoi, pasi Besnik Murataj në atë rast (si edhe në shumë raste të tjera) e kontantonte në nr. e 0338/1015650, i cili ishte në përdorim nga Agron Xhafaj (dokument i kompanisë telefonike, TIM):
Besnik: Oh, Goni!…Ka ardhur Çimi. Si t’ia bëjmë?
Goni: Po çfarë të them, nuk e di. Unë po vazhdoj të kërkoj, se mbeta kështu, pa makinë…Çfarë të të them unë?
(tel.n.997, dt. 14.10.2000, ora 16.21).
Një orë më vonë, Besnik Murataj i telefonon kunatit të tij, Fadil Papa (në të njëjtin numër, me të cilin kishin komunikuar në mëngjes), ku i shpjegon se takimi duhet të shtyhet, pasi Agron Xhafaj kishte një problem me makinën.
Komunikimi telefonik vijon me një bashkëpunëtor të Fadil Papa, me emrin Bledi, i cili sqaronte se “ÇIMI” (Fadil Papa) kishte sjellë në Itali një sasi droge, e cila duhej dorëzuar:
Besnik: Do të nisesh sot?
Bledi: Eh!… Nuk e di nëse Çimi do të vij sot apo jo.
Besnik: Po atë muhabetin…atë muhabetin, e ka fshehur në ndonjë vend?
Bledi: Eh!..Është akoma këtu!
Besnik: Po mirë atëherë, le të iki ai. Kur të vij prapë, në mënyrë që….edhe unë të organizohem më mirë, pasi….nuk ka makinë ky miku, kështu që…i thuaj që të mos presë…miku është në Bologna (tel.n.1013 dt. 14.10.2000, ora 17.30).
Në 29.10.2000, nga një komunikim telefonik i përgjuar, ndërmjet Besnik Murataj dhe Agron Xhafaj, kuptohet që, gjatë një takimi të zhvilluar në Parma, Besniku kishte rënë dakord me Altin Macin. që droga të dërgohej në datë 30 tetor.
Në vijim të bisedave telefonike lidhur me këtë transportim, Besnik Murataj i kërkon ndihmë Agron Xhafaj për të ndarë sasinë e heroinës që do të merrnin.
Besnik: Dje isha në Parma…takova një mik…për atë muhabetin që të kam folur…Çdo gjë është në rregull.
Goni: Dakord…Ti…unë nuk e di se si e ke bërë muhabetin.
Besnik: Është djalë i mirë….i vitit 1985….më kupton?
Goni: E cilit vit është makina?
Besnik: 1985
Goni: 85
Besnik: Eh!…Është e vitit 1985, por unë nuk e di nëse mund të marr një makinë kështu…Makina duhet rregulluar disi…më kupton?
Goni: Të kuptoj…
Besnik: A merr vesh Gesi (Orges Seferaj)?
Goni: Marr vesh unë.
Besnik: Unë nesër do të shkoj deri atje. Nesër do e mbaroj atë muhabet.
Goni: Nesër do e marrësh atë makinën…?
Besnik: Eh!
Goni: Nesër është e hënë. Të martën në darkë jam aty.
(tel.n.1295, dt. 29.10.2000, ora 15:51).
Disa sasi heroine të siguruar nga Altin Maci në dt. 30.10.2000 i jepen Besnik Murataj dhe Agron Xhafaj në Verona: një sasi prej 125 gramësh iu dhanë në dt. 3.11.2000 dhe 40 gramë të tjera iu dhanë në dt. 13.11.2000. Në të dy rastet, dorëzimi i lëndës narkotike realizohej nga korrieri polak, Tomasz Piekarkian. Disa telefonata të përgjuara në 3.11.2000 dokumentojnë qartësisht qëllimin e udhëtimit të Tomasz Piekarniak në Bolonja.
“Syri.net”