Edi Rama është filmuar në skena erotike në ambientet e Santa Quarantës! Ka qenë kjo dëshmia e gazetarit Artan Hoxha menjëherë pas shkarkimit të Saimir Tahirit nga ministër i Brendshëm, deklaratë që është mbështetur më pas dhe nga ish-Kryeministri Sali Berisha. Në statusin e tij, gazetari Hoxha shprehet se në serverin e kamerave të sigurisë të Santa Quarantës nuk do të dalë askush prej ministrave të shkarkuar, por do të dalë pikërisht kreu i qeverisë Edi Rama. Artan Hoxha njihet për lidhjet e tij të ngushta me Policinë e Shtetit. Menjëherë pas kësaj deklarate, me anë të një postimi ka reaguar dhe ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili është shprehur: “Të dashur miq, sonte (të dielën) në darkë Saje qorri, nëpërmjet një gazetari me afinitet të madh me policinë, denoncoi, pa kaluar 24 orë nga shkarkimi, Edvin Kristaq Ramën si personin që është filmuar në skena erotike në Santa Quaranta dhe për rrjedhojë është peng i Balilit. Qytetarë, ky denoncim klamoroz i Saje qorrit ndonëse pas shkarkimit të tij, dëshmon se Ediskobari është peng i Eskobarit të Ballkanit dhe kjo përbën dëshminë më të rëndë të gjendjes katastrofale ku është katandisur Shqipëria! Vetëm revolucioni demokratik që vazhdon fitimtar prej 22 ditësh do të shpëtojë Shqipërinë”, thotë Berisha. Skandali i hyrje-daljeve të krerëve të qeverisë në hotelin e Klement Balilit me të dashurat e tyre u denoncua fillimisht nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, menjëherë pas shkarkimit të tij nga detyra. Por në rast se është e vërtetë ajo që thotë Hoxha, atëherë kjo tregon jo vetëm anën morale të qeverisë, por edhe diçka tjetër, faktin që Edi Rama i mban kontaktet të drejtpërdrejta me krerët e drogës. Po ashtu dhe trafikantët në krye të dikastereve janë vendosur me urdhër të tij direkt dhe kjo dëshmon dhe pafuqinë e organeve shtetërore për të goditur këtë fenomen. Pra, është e qartë se heqja e Saimir Tahirit nuk zgjidh asgjë në këtë mish mash droge të sajuar nga vetë kreu i qeverisë. Aq më pak vendosja në krye të një tjetër personi, të lidhur ngushtë me narkotrafikun pritet t’i japë një hov akoma më të madh kultivimit dhe trafikimit të saj në këto prag zgjedhjesh. Nga ana e tij ish-Kryeministri ka bërë publik dhe një tjetër fakt në lidhje me ministrat e shkarkuar. Sipas tij shkarkimi ka ardhur pikërisht për t’u mbyllur gojën, pasi në rast se ata bëjnë publike dosjet e korrupsionit që kanë në dorë rreth tij, atëherë denoncimet e Manjanit do të ishin “thjesht një kafe” përpara skandalit që do të plaste.
Hakmarrja për Drejtësi hoqi Tahirin si ministër
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi mbrëmë në një intervistë në “Opinion” se largimi i Tahirit si ministër i Brendshëm ka ardhur pas një lufte mes krimit në qeveri. Rama ka larguar Tahirin për t’i dhënë Ministrinë e Brendshme terroristëve të Hakmarrjes për Drejtësi.
Basha deklaroi se opozita nuk lëviz nga vendimi i saj i deklaruar, ajo kërkon qeveri teknike dhe jo kokën e disa ministrave.
Kreu i opozitës, tregoi se largimi i atyre ministrave ka ardhur si pasojë e qeverisjes së Shqipërisë nga rivaliteti mes bandave.
Basha tha se është fakt se në Shqipëri nuk qeveriset nga politikanë të mirë dhe të këqinj, por nga bandat rivale mes tyre.
Ai tregoi se Edi Rama nuk qeveris me platformë politike, por me një filozofi bandash.
“Është zëvendësuar përfaqësuesi i një bande me një bandë tjetër. Është zëvendësuar me bandën e Hakmarrjes për Drejtësi”, tha Basha.
Basha theksoi se nuk ka pasur asnjë marrëveshje për t’u tërhequr nga protesta, e vërteta e hidhur është se largimi i ministrave të kabinetit ishte rezultat i përplasjes mes bandave, dy ministrat Klosi dhe Çuçi, erdhën si pasojë e konfliktit mes dy bandave që përfaqësohen nga Tahiri dhe Xhafaj, dy ministrat e tjerë janë gjethe fiku.
Teksa Rama ka deklaruar se protesta e Opozitës po mbështet nga disa qarqe të huaja të cilat sipas tij nuk janë miq të Shqipërisë, Basha në një lidhje direket në emisionin Opinion, i është përgjigjur, duke i konsideruar këto përralla. Ai ka mohuar se PD ka kontakte me qarqe Ruse për të diskutuar fatet e Shqipërisë.“Këto i thotë njeriu që deshi të bëhej diktator por që shqiptarët ja prishën ëndrrën. Në këtë çadër kanë qenë përfaqësues të partive tona simotra të Kristian Demokratve të Angela Merkel, të republikanëve të Donald Trump, të partive të djathta italiane, prandaj përrallat me armiq të jashtëm ti bëj përshesh dhe ti haj vetë. Unë sot kam patur një takim me ambasadorin e Rusisë, një takim publik, është një takim në kuadrin e një kontakti normal që PD ka me gjithë përfaqësuesit e huaj në Shqipëri. Kontakte me qarqe të huaja që të diskutoj fatet e Shqipërisë PD nuk ka dhe nuk do të ketë”, është shprehur Basha.
Blendi Fevziu: A ishit në dijeni ju se Rama do zëvendësonte Tahirin dhe më pas tre ministra të tjerë?
Lulzim Basha: E mora vesh në momentin kur filloi të qarkullojë lajmi.
B.F: Ka pasur një lajm se mes jush dhe zotit Rama ka pasur një marrëveshje, që Rama të largonte Tahirin dhe Beqajn dhe ndoshta dy-tre ministra të tjerë dhe ju të ngrinit çadrën e protestës?
L.B: Të ngrejmë çadrën e protestës për t’u futur në Kryeministri, e ke fjalën?
B.F: Si për t’u futur në Kryeministri?
Çadra e protestës nuk ngrihet pa qeveri teknike dhe pa largimin e Edi Ramës. Ky është një vendim i marrë dhe i shpallur. Këto që thuhen janë broçkulla dhe jo lajme. Këto nuk fshihen me ndryshimet në qeveri.
B.F: E thënë ndryshe, a ja u solli kokën e Tahirit dhe Beqajt në tavolinë që të mbyllnit protestën?
L.B: Janë broçkulla. E thashë njëherë këtë.
Prokuroria kërkesë KQZ: T’i hiqet mandati i Kryebashkiakut Tërmet Peçi dhe Zotkës
Kryeprokurori Adriatik Llalla i ka bërë kërkesë KQZ-së për heqjen e mandatit të kreut të Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe kreut të Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Këtë deklaratë, Prokurori i Përgjithshëm e bëri nga Gjirokastra ku ishte i pranishëm në analizën vjetore të Prokurorive. Llalla u shpreh për mediat se, rezulton se, këta dy drejtues bashkish nuk kanë deklaruar dënime, të cilët mund t’u hiqnin atyre të drejtën për ushtrimin e profesionit, në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.
“I janë dërguar KQZ-së vendimet e konstatimit për ndërprerjen e mandatit për kryebashkiakët e Tepelenës dhe Poliçanit, pasi rezulton se nuk kanë deklaruar dënimet, të cilët përfshihen në sferën e ndalimit për ushtrimin e funksionit, në kuadër të ligjit për dekriminalizimin”, u shpreh Llalla.
Kryeprokurori tha më tej se, ndaj Tërmet Peçit dhe Adriatik Zotkajt, ka nisur tashmë procedimi për falsifikim dokumentesh. “Dekriminalizimi duhet të zbatohet para fushatës zgjedhore të qershorit 2018”, tha Llalla. Nga ana tjetër, ai lëshoi një mesazh të qartë për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, se çdo zyrtar i inkriminuar do të goditet.
Në fjalën e tij para prokurorëve të Gjirokastrës, kryeprokurori Llalla ngriti shqetësimin për fenomenin e kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Kryeprokurori tha më tej se, një ndër temat më shqetësuese vijon të mbetet kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike. “Procedimet penale për korrupsion dhe shpërdorim detyre dhe referime për këtë grup veprash penale është shumë i ulët. Ne do të bashkëpunojmë me mediat dhe qytetarët për këto lloj veprash”, tha Llalla.
Llalla pohoi se, shkak i rënies së punës në Prokurorinë e Gjirokastrës është kostoja financiare. “Ka rënie të volumit të punës në Prokurorinë e Gjirokastrës, kjo pasi problematika për shkak të kostos financiare. Konstatohet një rënie e volumit të punës në Prokurorinë e Qarkut gjirokastrit, problematika që ndeshet në gjithë prokuroritë e vendit për shkak të boshllëqeve të krijuara ka sjellë pamundësinë e prokurorëve të rinj, problematikë që nuk ka gjet zgjidhje për shkak të kostos financiare”, u shpreh Llalla.
Tërmet Peçi e Adriatik Zotkaj, të dënuar me 5 vjet burg dhe gjobë
Tërmet Peçi, dënim të formës së prerë për falsifikim dokumentash
Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Tërmet Peçi i duhet ndërprerë mandati i kryetarit të Bashkisë, pasi rezulton se:
– Subjekti deklarues Tërmet Peçi, referuar Ligjit nr. 138/2015, ka dorëzuar një formular vetëdeklarimi të dorëzuar në datë 21.04.2016, të plotësuar në datë 10.04.2016, pra, brenda afatit ligjor të përcaktuar në vendimin nr. 17/2016, të Kuvendit të Shqipërisë.
Më pas në datë 10.06.2016 subjekti ka dorëzuar dhe një formular vetëdeklarimi dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar ta administrojë, në shkelje të afateve ligjore.
Sektori i Verifikimit të Integritetit ka verifikuar vetëm të dhënat e formularit të datës 10.04.2016, pasi sipas Ligjit 138/2015 dhe vendimit 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, ky formular është i vetmi formular që është plotësuar duke respektuar afatet ligjore. Çdo formular tjetër apo materiale të tjera, nuk mund t’i nënshtrohen verifikimit pasi bien në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në formularin e parë të përcjellë për verifikim nga ana e sektorit është konstatuar se nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me vendime penale përfundimtare apo jo, masa sigurimi, dëbime apo hetime brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer verifikimet paraprake në zbatim të Ligjit 138/2015 dhe vendimit 17/2016 të Kuvendit të Republikës pranë Drejtorisë së Burgjeve dhe informon se ky subjekt është dënuar me vendim të formës së prerë, nr. 21, datë 27.04.2004 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tepelenë, për veprën penale të “Përdorimit të dokumenteve të falsifikuar”, parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal me 150 000 lekë gjobë. Këto të dhëna gjenden të pasqyruara dhe në dëshminë e Gjendjes Gjyqësore datë 30.05.2016, përcjellë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe shkresës datë 01.06.2016 të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me anë të së cilës informohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se subjekti vetëdeklarues, Tërmet Peçi, ka një vendim dënimi.
Sektori i verifikimit të Integritetit në Prokurorinë e Përgjithshme me shkresën nr. 454/2 prot., datë 17.02.2017 dhe nr. 451/4 prot., datë 21.02.2017, i është drejtuar me kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër. Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve me shkresën nr. 679/1 prot., datë 27.02.2017 na ka vënë në dispozicion dëshminë e Gjendjes Gjyqësore të subjektit, nr. 11 prot., datë 23.02.2017, ku konfirmon të dhënat se subjekti z. Tërmet Peçi realisht ka një dënim penal të formës së prerë.
Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër ka vënë në dispozicion vendimin penal të formës së prerë, nr. 21, datë 27.04.2004, në emër të z. Tërmet Peçi, i cili është i dënuar për veprën penale të “Përdorimit të dokumenteve të falsifikuar”, parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal me 150 000 lekë gjobë.
Subjekti rezulton se nuk e ka deklaruar këtë vendim gjyqësor të formës së prerë, edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të formularit të vetëdeklarimit. Ai i është përgjigjur me “Jo”, pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj.
Adriatik Zotkaj, i dënuar 3 herë me 4 vjet e 10 muaj burg në total
Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Adriatik Zotkaj i duhet ndërprerë mandati i kryetarit të Bashkisë, pasi rezulton se:
Subjekti deklarues Adriatik Zotkaj, referuar Ligjit nr. 138/2015, ka dorëzuar një formular vetëdeklarimi të administruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datë 26.04.2016, të plotësuar në datë 22.04.2016, pra, brenda afatit ligjor të përcaktuar në vendimin nr. 17/2016, të Kuvendit të Shqipërisë.
Më pas, në datë 10.06.2016, subjekti ka dorëzuar një formular vetëdeklarimi të dytë bashkë me një deklaratë të firmosur nga vetë ai dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar ta administrojë, në shkelje të afateve ligjore.
Në datë 04.01.2017, përsëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka administruar një kërkesë të subjektit Adriatik Zotkaj, të cilit i ka bashkëlidhur vërtetimin e gjendjes gjyqësore nr. 1 prot., datë 24.11.2016.
Gjithashtu në datë 14.02.2017, datë në të cilën është përcjellë dhe kërkesa për verifikim të thelluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka protokolluar dhe administruar një vërtetim datë 14.02.2017, të lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat. Këtij vërtetimi i janë bashkëlidhur dy vendime gjykate, me kërkues subjektin Adriatik Zotkaj.
Sektori i Verifikimit të Integritetit ka verifikuar vetëm të dhënat e formularit të datës 22.04.2016, të administruar më 26.04.2016 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi sipas Ligjit nr. 138/2015 dhe vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, ky formular është i vetmi formular që është plotësuar duke respektuar afatet ligjore. Çdo formular tjetër apo materiale të tjera, nuk mund t’i nënshtrohen verifikimit pasi bien në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në formularin e parë të përcjellë për verifikim, nga ana e sektorit është konstatuar se subjekti ka deklaruar, një vendim penal të formës së prerë të Gjykatës së Rrethit Korçë, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” ku është dënuar me 3 vjet burg, një vendim të Gjykatës së Rrethit Skrapar për “Kundërshtimin e punonjësve të policisë së rendit publik”, dënuar me 10 muaj burg dhe një vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë, për veprën penale të parashikuar nga neni 250 dhe 187 i Kodit Penal, dënuar me 1 vit burgim. Gjithashtu ka deklaruar nën pyetjen 4 të formularit se ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe ndaj tij ka pasur dy masa sigurie “arrest në burg” nga Prokuroria e Rrethit Korçë dhe ajo e Rrethit Skrapar, për veprat penale për të cilat është dënuar më pas me vendime të formës së prerë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer verifikimet paraprake në zbatim të Ligjit 138/2015 dhe vendimit 17/2016 të Kuvendit të Republikës pranë Drejtorisë së Burgjeve, konfirmon vendimet e mësipërme dhe vlerëson se subjekti nuk përfshihet brenda fushës së ndalimeve të nenit 2 të Ligjit 138/2015, pasi sipas nenit 4, të Ligjit nr. 138/2015, për këto dënime kanë kaluar afatet e rehabilitimit.
Sektori i Verifikimit të Integritetit në Prokurorinë e Përgjithshme i është drejtuar me kërkesa përkatësisht, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka vënë në dispozicion Dëshminë e Gjendjes Gjyqësore të subjektit, datë 23.02.2017. Gjykata e Shkallës së Parë Berat ka vënë në dispozicion vendimet penale të formës së prerë, datë 29.07.1985; datë 01.02.2001; dhe datë 29.12.2006. Gjykata e Shkallës së Parë Korçë ka vënë në dispozicion vendimin datë 19.03.1992. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka vënë në dispozicion vendimin penal të formës së prerë, nr. 370, datë 21.05.2002 në emër të subjektit deklarues Adriatik Zotkaj.
Subjekti, nga përgjigjet dhe verifikimet e kryera, rezulton se nuk ka deklaruar vendimin gjyqësor të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Skrapar nr. 20, datë 29.07.1985, edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të formularit të vetëdeklarimit, njëjtë siç ka deklaruar dhe vendimet e tjera penale dhënë nga Gjykatat e Shkallës së Parë Skrapar, Korçë dhe Tiranë.
Fuga i Ramës, 30 mijë dollarë me vdekjen e Dritëro Agollit
Drejtori i Informacionit në Kryeministri, Endri Fuga ka shfrytëzuar vdekjen e shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli për të përfituar para të paligjshme. Ceremonia e homazheve për shkrimtarin dhe poetin Dritëro Agolli është sponsorizuar nëpërmjet një Prokurimi Publik nga Ministria e Kulturës, ndërsa fondi i lëvruar duket i dyshimtë.
Ministria e Kulturës ka akorduar 3.4 milionë lekë (afro 30 mijë USD) për ceremoninë e homazheve, ndërsa specialistët e eventeve thonë se, ceremonia ishte krejt modeste dhe nuk mund të justifikojë dot lëvrimin e kësaj shume kaq të lartë.
Hashtag.al komunikoi me ekspertë eventesh, ndërsa një prej tyre tha se:
‘Duket e çuditshme, sepse në total ka pasur vetëm 4 ekrane Led-Wall. Edhe sikur t’i blesh këto ekrane nuk kushtojnë aq lekë. Ndërsa përdorimi i tyre me qira shkon rreth 900 USD për copë. Fonia është e Pallatit të Kongreseve. Këto janë zërat më të kripur të shpenzimeve për ceremoninë. Pra që të jemi brenda, kostot e ceremonisë nuk mund të kalojnë shumën e 7 mijë dollarëve’.
Për ta kuptuar më mirë se çfarë shpenzimi ka bërë Ministria e Kulturës, mjafton të themi, se i gjithë buxheti vjetor i Galerisë së Arteve është 45 mijë dollarë. Ndërsa ceremonia e homazheve për Agollin shkoi rreth 30 mijë dollarë.
Madje as shkrimtari i ndjerë, nuk rezulton të ketë marrë ndonjëherë një shumë të tillë nga shteti për botimet e tij.
Kompania që ka organizuar ceremoninë është ‘Prosound’, kjo është një kompani me lidhje të forta me “Rilindjen”. Sidomos me zotin Endri Fuga, drejtor i Informacionit në Kryeministri.
Disa punonjës të kësaj kompanie private, rezultojnë të punësuar dhe në departamente të Kryeministrisë.
Biznesi shtetëror i eventeve është një ndër më fitimprurësit dhe më pak të investiguarit nga ana e medias. Shumat që akordohen janë të majme dhe thuajse çdo javë ka ceremoni apo evente, puna nuk rresht.
Njësoj ndodhi dhe me ceremoninë e homazheve të shkrimtarit dhe poetit Agolli, ceremoni, e cila tregon se dhe nga vdekja mund të ‘kapësh’ ca lekë të shpejta.
Endri Fuga bën ligjin në Kryeminsitri, ndaj të gjithë ministrat i përulen atij, duke i dhënë edhe pjesë nga përfitimet e paligjshme nëpërmjet tenderave. Të gjithë ministrat e funksionarët e lartë të PS i dërguan dhurata faranoike Fugës në ditëlindjen e djalit të tij 1 vjeçar. Fuga e festoi ditëlindjen e djalit në Kotor të Malit të Zi me 470 të ftuar. Festa u bë në njërin nga hotelet më luksoze të Kotorit, shoqëruar me një tur Kotor-Dubrovnik me një mega jaht sheikësh. Natyrisht, kjo festë nuk u sponsorizua me paratë e buxhetit, si dasma me dy raunde e “zogut” të Ramës, Veliaj.
Patrik Sadikaj: Njerëzit po luftojnë për vaktin e ditës
Në ditën e 24 të qëndresës në sheshin e lirisë, për zgjedhje të lira e të ndershme, qytetarët u bënë pjesëmarrës në një bashkëbisedim me gazetarët Dritan Hila e Patrik Sadikaj.
Patrik Sadikaj tha se sipas tij varfëria është plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare sot. Njerëzit që luftojnë për vaktin e ditës, tha Sadikaj, nuk e kanë shumë mendjen dhe nuk kanë fuqi të luftojnë për votën e lirë. Gazetari e quajti qëndresën popullore në sheshin e lirisë, në këtë kuptim një kontribut për shoqërinë. E vetmja gjë për të cilën intelektualët, njerëzit e angazhuar, përtej bindjeve politike apo ambicieve personale, Sadikaj tha se me rëndësi është që të ndihen të lirë në mendje dhe shpirt.
Kryedemokrati Lulzim Basha theksoi rëndësinë e pranimit dhe diskutimit mbi idetë e ndryshme nga tonat, në funksion të një debati konstruktiv, i cili në fund e çon vendin përpara. Por që kjo të funksionojë, Basha tha se nevojitet një frymë qytetare dhe bashkëpunimi si ajo që sot gjendet në sheshin e lirisë nën kërkesën për zgjedhje të lira e të ndershme.
“Sot mes jush si çdo ditë ka jo vetëm demokratë dhe mbështetës të opozitës, por edhe qytetarë, madje edhe mbështetës të Partisë Socialiste, të cilët ndajnë me ne kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndajnë me ne kauzën e dekriminalizimit. Ju e mirëpritët dhe ndoqët çdo mesazh të Hilës dhe reaguat me inteligjencën, me mençurinë dhe me vetëdijen politike që karakterizon qytetarët shqiptarë. Duartrokitët dhe mbështetët mesazhet e z. Hila dhe ju të gjithë e kuptoni që ai nuk është këtu për të mbështetur Partinë Demokratike apo thjesht dhe vetëm opozitën, nuk është këtu as për të mbështetur Lulzim Bashën, por është këtu për të mbështetur kauzën kombëtare dhe europiane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e dekriminalizimit të politikës. Unë dua ta falënderoj me shumë mirënjohje. Dua t’i them se me praninë e tij sot këtu, ai dëshmon shpirtin e vërtetë të këtij sheshi të lirisë, të kësaj tende të lirisë, shpirtin e vërtetë të këtij themeli, të Republikës së re”.
Ndryshimeve të 24 orëve të fundit në kabinetin Rama, Basha i drejton vetëm një mesazh.
“Largimi i çirakëve jo vetëm nuk na shtendos nga qëndrimi që kemi mbajtur, por na inkurajon për t’i shkuar deri në fund betejës që kemi nisur. Republika e re për të cilën jemi mbledhur këtu, është në fakt integrimi i vërtetë europian i Shqipërisë, sepse Republika e re, është dhe do të jetë e tillë, vetëm kur të kemi demokraci të vërtetë, që do të thotë, zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme. Fuqizim i qytetarit, kufizim i pushtetit”.
Në Republikën e re, Basha tha se opozita do të ketë instrumentet e saj për të luftuar betejat e kufizimit të pushtetit të mazhorancës në mënyra institucionale.
“Po kështu në Republikën e re, mazhoranca dhe opozita do të kenë të drejta dhe detyrime të reja. Në Republikën e re, opozita e re do të ketë rolin e shenjtë të kontrollit dhe kufizimit të pushtetit të mazhorancës së re, përmes të drejtave institucionale, përmes një Parlamenti që funksionon, përmes një Kushtetute që mundëson kontrollin dhe balancën reale të pushtetit. Përmes një përfaqësimi të vërtetë të qytetarëve që do të thotë, jo noter i kryeministrit, por noter i qytetarëve dhe ditë për ditë përballë kryeministrit e përballë ekzekutivit. Kjo është detyra e Parlamentit të ri në Republikën e re. Ne i mirëpresim këta gjigantë të kurajos qytetare në këtë shesh, individë të lirë, i mirëpresim si njerëz të kauzës që na bashkon, por shpresa jonë dhe lutja jonë është që edhe kundërshtarët tanë politikë të përfitojnë nga ndërgjegjja e pastër qytetare, nga vlerat dhe virtytet e intelektualëve, njerëzve me integritet dhe që nesër me zgjedhje të lira dhe të ndershme të konkurrojnë si forca politike dhe jo si batalione të krimit dhe shqiptarët të kenë mundësi, të bëjnë zgjedhje”.
Në fund një mesazh dhe paralajmërim për atë çka rrezikon të jetë afera më e madhe e mbetjeve në vend.
“Mbrëmë, miq gazetarë nga SHBA, kanë njoftuar se janë shumë pranë zbulimit të dimensionit të vërtetë të skandalit të plehrave të depozituar në Shqipëri. Bravo për gazetarët. Nëse këto fakte, shpalosen, ashtu siç jam njoftuar, atëherë ai që qëndron prapa kësaj fasade në zyrën e tij do të duhet të zbresë e t’u shpjegojë shqiptarëve se pse i hapi dyert mijërave tonë mbetje të rrezikshme që mund të kenë filluar që tani të helmojnë, tokën, bukën, ujin dhe ajrin e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre. Kjo javë do të jetë përcaktuese për transparencën e këtij megaskandali. Në qoftë se është e vërtetë, kjo nuk është asgjë më pak se gjenocid ndaj shqiptarëve”, tha Lulzim Basha.
Analisti i majtë tek protesta Hila: Duhet të ngremë zërin
I njohur për bindjet e tij të majta, por i zhgënjyer dhe i skandalizuar nga qeverisja Rama, ish ministri i mbrojtjes, njëkohësisht analist pranë Ora News, Dritan Hila bëri thirrje dje nga sheshi i lirisë për bashkim dhe reagim popullor. “Rama duhet ndalur” ishte mesazhi i Dritan Hilës, i cili nuk e kishte menduar se do të fliste ndonjëherë përballë demokratëve. Disa studentë ngritën disa pyetje nga sheshi i lirisë. Dy prej tyre pyetën Hilën mbi vështirësinë e shprehjes së mendimit në rast kur ai shkon kundër vendimeve të qeverisë apo propagandës së saj. Hila u shpreh i zhgënjyer nga qeverisja e kryeministrit, të cilin e ka mbështetur në vitet e para të marrjes së pushtetit, pasi sipas tij Rama nuk ndërtoi atë për të cilën qytetarët e votuan. “E kam thënë tezën që Rama duhet ndalur dhe nuk e tërheq. Unë jam i majtë në ambient të djathtësh. Duhet të jesh pak kokëkrisur që t’i dalësh pushtetit kundër dhe unë prandaj ju vlerësoj ju për këtë revoltë. Unë bëj timen, jo gjithmonë pa kosto, por ia vlen”. Ndër të tjera ai deklaron se më shumë mendimet e ndajnë sesa e bashkojnë me të djathtët, mbështetjen për kauzën e opozitës e mbështet fillimisht si qytetar e më pas si gazetar. “Ne nuk mund ta bëjmë këtë vend të ndarë. Pavarësisht se na ndajnë mendimet, kjo nuk na bën armiq, thjesht kemi mendime të ndryshme për mënyrën se si duam të shkojmë përpara. Janë më të mëdha gjërat që na bashkojnë se ato që na ndajnë. Mua më tërbon kur dikush flet me arrogancë dhe akoma më tepër kur kjo bëhet ndaj opozitës, e cila minimalisht përfaqëson 35% të shqiptarëve. Ne nuk e kemi luksin të humbasim Partinë Demokratike”. Hila shprehu gjithashtu mendimin se kjo qëndresë duhet të luftojë edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Partia Demokratike e ka potencialin për ta çuar këtë vend përpara ashtu si bëri edhe 26 vite më parë , tha Hila, i cili i kërkoi PD-së të përmbushë rolin e saj historik. “Shikoni përpara, ndërtoni lidershipin tuaj të ri, krijoni një parti popullore sepse jeni parti, e cila i ka të gjitha potencialet”.
Rama shpërbleu Shalsin për shprehjen “Do vjedhim me lezet”
Ish-kryeministri Berisha ka ironizuar dje katër emrat e ministrave të rinj të emëruar nga Rama. Përmes një statusi në Facebook, Berisha ndalet tek skandalet që kanë shoqëruar emrat e ministrave të rinj apo çfarë fshihet pas emërimit të tyre. “Emërimet e reja në qeverinë e Kanabistanit! Të dashur miq, mediat njoftojnë se: Ministria e drogës i besohet Fatmir Drogës, që me vëllain e tij kryeekspert, trafikant ndërkombëtar droge, Agron Xhafa të dënuar në Itali, Venezuelë dhe Ekuador, do të sigurojë trafikun e drogave të forta në Shqipëri. Vëlla Agroni kontrollon për llogari të familjes trafikun e drogës në Vlorë, Fier! Fatmiri si ministër i Drejtësisë e lehtësoi para drejtësisë italiane duke mashtruar dhe paraqitur vëllaçkon si të infiltruarin e antidrogës shqiptare! Shëndetësia ju besua ndrikullës Manastirliu, asistentes me çizme në të gjitha vjedhjet të famozit Beqaj. Ministria e mëshirës dhe përdëllimit i besohet ndrikull Oltës, e cila thuajse është rritur në strehën varfnore të humanistes së famshme Shemsie Kadrisë, por që ngrihet në përgjegjësi sepse mami Neta e ka si dy herë çupën e saj!! Ministria e pushtetit vendor i besohet Shalsit, hajnit të betuar me zë dhe figurë se në pushtet do të vjedhim me lezet. Për kujtesë, Shalsi përjetoi një depresion të thellë, thuhet me tentativa suiçidale sepse krushka e parë nuk i dha asnjërin nga 8 apartamentet që Shalsi nënkryetar bashkie i kishte marrë me lezet si dhurata, por që i kishte vendosur në emra të krushkës dhe rrethit të saj. Shalsi është serioz, do të vjedhë me lezet”, shkruan Berisha në reagimin e tij.
New Europe: Saga e vilës shqiptare të Vlahutin vijon
11 pyetje iu dërguan Shërbimit evropian të Marrëdhënieve me Jashtë nga eurodeputetja Ingerborg Graessle, Presidente e Komitetit Evropian për Kontrollin e Buxhetit. 11 përgjigje u dërguan. Parlamenti megjithatë i konsideroi këto përgjigje si të paqarta dhe evazive. Të marrim për shembull pyetjen 9. Mendo se cili mund të ishte reagimi i hetuesve të OLAF nëse gjatë pyetjeve, ata do të merrnin përgjigje të tilla, e më pas gjykojeni vetë. Pyetje: A është EEAS në dijeni të ndonjë të afërmi apo anëtari të qeverisë shqiptare që punon për delegacionin e BE në Tiranë? Nëse po, a mund të na vini në dispozicion emrat e tyre? Përgjigje: EEAS konfirmon që nga njohjet tona më të mira asnjë anëtar që po punon për delegacionin e BE në Tiranë nuk është i afërm apo anëtar i lartë në qeverinë shqiptare. E njëjta gjë mund të thuhej edhe për Kim Jong-unin që “nga njohjet tona më të mira, Shkëlqesia e tij nuk është kriminel”. Sa për shpjegimet e dhëna me pagesë, përgjigjja është qesharake nëse e krahason me informacionin speficik e të mbipaguar (duket të jetë mbi 1 milion euro) i publikuar në Neë Europë më 5 shkurt 2017. Çështja e vërtetë, megjithatë, është sjellja politike e ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin në këndvështrimin e zgjedhjeve të 18 qershorit. Kjo është diçka që Federica Mogherini duhet t’i kushtojë vëmendje, pasi duket se ambasadorja e saj është shumë aktive përsa i përket fushatës elektorale. Por mbi të gjitha, një nga çështjet e shumë përfolura në Tiranë është specifikisht lidhja e një partie politike me trafikun e narkotikëve.
7 milionë euro për të tërhequr dëshminë ndaj Shullazit, Prokuroria nis hetimet
Prokuroria për Krime të Rënda zgjeron hetimet për personat e tjerë të përfshirë në grupin e Emiljano Shullazit, pas dëshmisë së dhënë nga Ylvi Beqja në Gjykatë. Burimet nga organi i akuzës bënë të ditur se, hetimet kanë nisur ndaj personave, emrat e të cilëve ka përmendur Beqja gjatë dëshmisë së tij, në seancën e sigurimit të provës. Hetimet, thonë burimet, kanë nisur për Ervis Martinajn, i cili edhe pse në kërkim nga policia për një dënim me 3 vite burg, dyshohet se i ka bërë presion Beqajt për të tërhequr dëshminë ndaj Shullazit. Sipas biznesmenit Ylvi Beqaj gjatë një takimi, Martinaj i ka kërkuar të tërheqë dëshminë ndaj Shullazit kundrejt shpërblimit prej 7 milionë eurosh. Beqja ka rrëfyer para Gjykatës se, ky person e ka garantuar se, 1 milion euro ishin të gatshme për t’u dhënë direkt në dorë, ndërsa pjesa tjetër do t’i jepej me këste, vetëm që ai të hiqte dorë nga dëshmia kundër Shullazit. Por Beqja ka rrëfyer se kjo gjë nuk është pranuar nga ai.
Pas refuzimit të ofertës, Beqja ka pretenduar se është kërcënuar nga Martinaj, që tashmë po hetohet nga Prokuroria për Krime të Rënda. Në hetim, mësohet se janë edhe disa tregtarë, emrat e të cilëve nuk bëhen publike, por që kanë dalë në disa media, duke akuzuar Ylvi Beqajn, personin e mbrojtur nga drejtësia, se i ka para borxh. Tregtarët sipas biznesmenit Beqja, i kanë detyruar të dalin publikisht për ta akuzuar atë. Pretendime, të cilat po verifikohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Nga ana tjetër, avokatët e Emiljano Shullazit dhe të akuzuarve si pjesëtarë të bandës së tij, kanë thënë se pretendimet e Ylvi Beqajt nuk janë të vërteta. Ata kanë thënë se do të ballafaqohen në seancë gjyqësore me dëshmitarin e mbrojtjes, për pretendimet e tija.
Ndërkohë, seanca e ballafaqimit midis Emiljano Shullazi dhe biznesmenit Ylvi Beqaj ka dështuar sërish ditën e djeshme. Shkak janë bërë sërish mungesa e avokatëve mbrojtës. Deri më tani janë më shumë se 15 seanca të dështuara dhe shkak kryesor për këtë gjë bëhen kryesisht avokatët, por edhe vetë Shullazi. Emiljano Shullazi është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë me akuzën për gjobëvënie.