14.4 C
Tirana
E premte, 16 Maj, 2025

Hetimet, një histori mafioze me plehrat

Më 28 shkurt portali “Pianeta Italia”, do ishte i pari që do të publikonte shkrimin rreth skandalit të zhdukjes në Shqipëri të gati 1300 konteinerëve me 22 ton secili të dyshuara me mbetje toksike. Portali do hidhte dritë mbi disa dokumenta të autoriteteve portuale të Goia Taura, ku flitej për gati 2500 konteinerë të nisur nga ky port drejt Maqedonisë po vetëm 1200 kanë mbërritur atje. Në fakt bëhej fjalë për mbetje, të cilat do të shkonin në landfillin e Drisla, në rrethinat e Shkupit. Nga mënyra se si u zhdukën, dyshohet që të jenë mbetje të rrezikshme, dhe vendi ynë sipas saj të jetë përdorur si vend i asgjësimit ose i groposjes së tyre. Në lidhje me këtë çështje, Pianeta Italia, e drejtuar nga Sergio De Gregorio, ish-gazetar me një karrierë gati 40-vjeçare, por edhe senator i të djathtëve i Forzza Italia të Berluskonit. Sergio De Gregorio, ka qenë dhe kryetar i Komisionit të Mbrojtjes në Senat, pra një njeri me goxha akses në informacion. Por jo vetëm kaq. Media në fjalë kish pyetur për këtë çështje dhe një zyrtare të lartë të Maqedonisë, Eva Netkovska, e cila ka hedhur jo pak akuza në drejtim të qeverisë për këtë çështje, duke e akuzuar si të lidhur me mafien e plehrave. “Hetimi i zhvilluar nga policia italiane ka arritur në përfundimin se ato janë varrosur në Shqipëri. Sipas informacioneve tona, Shqipëria është e përzierë në biznesin e plehrave. Në disa zona të vendit ato groposen ose digjen…shpesh bashkë me plehrat normale futen edhe ato të rrezikshme…qarkullojnë sasi të mëdha parash…trafiku kontrollohet nga mafia”, thotë zyrtarja maqedonase.

Hetimet shqiptaro-italiane

Më datë 1 mars, do njoftohej se Parlament italian prej kohësh kish nisur një hetim rreth mbetjeve që eksportohen nga Italia, drejt vendeve të tjera e kryesisht tek ato të Lindjes. Në datën 2 mars, investigimin e nisur nga ana e portalit “Pianet Italia”, e çon më tej dhe gazeta më e vjetër italiane “Roma”. Sipas kësaj gazete kjo çështje është diskutuar dhe mes Kryeprokurorit të Shqipërisë, Adriatik Llalla dhe Prokurorin kombëtar Antimafia, Franco Roberti. Sipas kësaj gazete, Prokurori italian është pyetur rreth kësaj çështje në vendin tonë nga një gazetar, por i është shmangur pyetjes,”Hetime të rezervuara do të arrijnë shpejt fazën thelbësore”, pëshpëritet në korridoret e Pallatit shqiptar të Drejtësisë, por askush – mes të pranishmëve në konferencën për shtyp – nuk merr mundimin të ngrejë hipoteza mbi interesa të përbashkëta investigues. Asnjë pakujdesi, përveç një pyetjeje “tendencioze” për trafikun e paligjshëm të mbetjeve që vijnë nga Italia e hidhen, shpesh ilegalisht, në territorin e gadishullit ballkanik. “Prokuror, mijëra konteinerë që vijnë nga porti kalabraz i Gioia Tauro e me destinacion Maqedoninë kanë zbarkuar në Durrës dhe janë zhdukur gjatë rrugës… Duket se mbajnë mbetje urbane dhe industriale. Shqipëria është bërë koshi i plehrave të Evropës?”, pyet një gazetar. Prokurori i gjatë rrotullon sytë dhe ngre shpatullat. Driblon pyetjen, por e bën thjesht për respekt të sekretit mbi proceset në vazhdim e sipër, i cili duhet ruajtur”, citon “Roma” në numrin e saj të datës 2 mars 2017.

Në Shqipëri

Një ditë më pas e njëjta gazetë do të jepte një tjetër se, hetimet tashmë i ka marrë në dorë dhe Antimafia italiane. Sipas “Roma”, drejt Shqipërisë janë nisur prokurorë të vendit fqinj, ndërkohë që vjen dhe njoftimi se Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për këtë çështje. Aleanca Kundër Importit të Plehrave, do i drejtohej me një letër Kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe Ministrisë së Financave në varësi të të cilës janë dhe doganat shqiptare nga mendohet se kanë hyrë konteinerët me mbetje kontaminuese. Një dëshmi e një të penduari të mafias e procesit hetimor “Pinochio” do të hidhte dritë dhe më tej mbi skandalin se si transportoheshin mbetjet toksike nga mafia drejt shteteve të tjera. Sipas tij, trafikantët përdornin anijet e transportit të mermerëve ose pllakave të betonit për t’u ruajtur nga rrezatimi. “Në qoftë se institucionet nuk mbyllin sytë, trafikimi i mbetjeve nuk vazhdon. Ky trafik bëhet nga shumë shtete, nga qeveritë dhe jo nga trafikantët”, thotë trafikanti i penduar.

Vendimi i qeverisë në duart e Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Ndërkohë, dosja e hetimit të trafikut të mbetjeve ka kaluar në dorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi Prokuroria e Durrësit shpalli moskopetencën, për shkak se hetimi po bëhet në dy zona. Më datë 7 mars, pas një deklarate të ambientalistit Sazan Guri, mediat publikuan faktin, se një vendim i qeverisë në lidhje me transportin e mbetjeve kimike i kish lehtësuar dhe më tej punën trafikantëve të këtij lloji. Me anë të këtij vendimi qeveria i hapte rrugën eksportit, transportit dhe tranzitit të lëndëve të këtij lloji në vendin tonë. Një vendim i cili, ishte pezulluar që prej 15 vitesh. Nga ana e tij ambjentalisti Guri, në një intervistë do të thoshte se ky lloj vendimi është fare i panevojshëm, pasi Shqipëria nuk ka industri që punon me lëndë kimike. Atëherë, përse duhej ky lloj vendimi i qeverisë? Mediave italiane më tej iu bashkua dhe rrjeti CNN, dega Greqi. CNN grek shkruan, që jo vetëm se mbetjet janë në Shqipëri, por përcakton edhe 5 qytetet shqiptare se ku janë groposur këto mbetje të rrezikshme, të cilat kishin destinacion Maqedoninë. Televizioni shkruan se, lëndët kimike që kanë ardhur nga Italia janë groposur pikërisht në Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Dibër.

Eksperienca mafioze e Rumanisë, historia e fshatit Glinë

Plehrat e Bukureshtit, shtresë pas shtrese formuan një kodër në Juglindje të kryeqytetit, duke mbuluar pothuajse plotësisht fshatin e vogël. Ka njerëz që marrin frymë duke thithur atë erë të keqe që nga 1976, kohë në të cilën ish-lideri komunist Nicolae Ceausescu vendosi që në këtë vend të hidheshin mbeturinat e Bukureshtit. Ashtu si Glina, janë edhe një mori vend-mbledhjesh të tjera të shpërndara. Drejtimin e tyre, paçka që në fasadë janë rumunët, e kanë italianët. Fenomeni i fundit, i cili ka alarmuar Interpolin, është lulëzimi i një morie kompanish që merren pikërisht me plehrat. Projekti filloi para tre vjetësh, kur biznesi drejtohej nga ortakë të don Vito Ciancimino (dënuar me 13 vjet burg për bashkëpunim mafioz), që morën me firmën e qeverisë rumune fushën e Glinës, krematorin në Ploiesti dhe një sërë vendgrumbullimesh të mëdha në Mures dhe Baicoi. “Ecorec” që drejton biznesin në Glina, u fitua nga grupi “Valente”. Dy vjet më parë, ata vendosën që të luanin “ndeshjen” e tyre të parë për plehrat, duke zbatuar një plan modern për transformimin e “Ochiul Boului”, duke mbyllur kontratat me një pjesë të madhe të vendeve të Unionit Evropian: plehrat e tyre, drejt Rumanisë. Shumë prej korporatave tentakula të Vëllezërve Pileri, që drejtonin grupin me në krye Gianni Lapis e Romano Tronci, operojnë akoma në Bukuresht në sektorin e plehrave, në fushën e pasurive të patundshme dhe në biznesin e modës. Konteinerët e plehrave vijnë nëpërmjet detit dhe kalojnë lehtësisht kufirin nga Porti i Kostancës (Costanza). Ka raste që vijnë edhe nga Odessa dhe Illichivs’k në Ukrainë. Gjatë muajve të nxehtë janë shtuar kontrollet në kufij dhe gazetat rumune flasin për “caracativa”, (oktapodi italian), rrjeti i shoqërive që ndajnë “llomkat” e plehrave. Është e lehtë ta luash këtë lojë, këtu ku mafia dhe kamorra kanë kohë që janë stabilizuar. Mjafton të mendosh që në 5 vitet e fundit janë arrestuar të paktën dhjetë super të arratisur italianë të gjetur në këtë zonë: që nga Francesco Schiavone, kushëriri i Sandokan, kamorristi Mariano Pascale i kapur në Dubraveni, Ignazio Nicodemo etj., etj. Ndërkohë janë trefishuar kompanitë italiane që marrin pjesë në garën për plehrat dhe që prezantohen në Romenvirotec, panairi më i madh që zhvillohet për këtë biznes. Nëse në Jug të vendit mbizotëron mafia kineze, rusët janë organizuar në kufi me Moldavinë për të drejtuar trafiqet e mbeturinave toksike nëpërmjet republikave ish-sovjetike. Më të fortët në këtë fushë janë dhe mbeten italianët. Ata kontrollojnë Veriperëndimin, zonën e Bukureshtit dhe deri poshtë në Detin e Zi. Për ata, mbeturinat nuk bëjnë pis, ato pastrojnë. Mbeturinat pastrojnë para, dhe thithin fonde publike. Bashkimi Evropian është dorëlëshuar për sa i përket financimeve për modernizimin e sistemit të mbeturinave dhe kjo i mbush llogaritë monetare të kriminelëve. Si rrjedhojë, “emergjenca Napoli”, për disa, është një pulë që bën vezë të arta. Paguan qeveria, paguan Brukseli, paguajnë të gjithë. Firmosen kontrata me korporata italiane, dhe plehrat ecin në “rrugët” e Kamorrës, të përziera me plehra që në Itali është e pamundur t’i zhdukësh. Nuk është fanta-shkencë, ky është rregulli: Plehrat janë tashmë një biznes që sjell fitime më shumë se sa droga. Kriminaliteti ka bërë një “kapërcim cilësor”, duke u hedhur në të ashtuquajturat “sipërmarrje ekologjike”. Është e qartë që strategjia bazë e riciklimit të plehrave shikon drejt Lindjes. Mjafton të bësh vetëm një kalim të shtunave në “Bambo”. Është një nga diskotekat më të mëdha të Europës Lindore, parajsë e ndërtuar nga muzika, vajza të bukura dhe meshkuj biznesmenë. Pronarët janë dy italianë që kanë ndërtuar një perandori të vogël në kryeqytetin rumun: Xhiosu e Çiro Kastelano, nipërit e Pupeta Mareskas, mikja e njohur e bosit Umberto Amaturo, gruaja e parë mes Kamorrës. Një tavolinë në zonën VIP ta japin vetëm ata personalisht dhe pastaj paguan edhe 1000 euro për të pirë vodkë komerciale. Jashtë vijnë rrotull “Ferrari”, “Audi”, BMW të reja fringo. Në Bukuresht, seksi dhe biznesi janë shumë të përziera. Në atë pistë vallëzojnë jo vetëm njerëz, por edhe miliarda, që nga Italia kalojnë tranzit në Ballkan. Një inxhinier lombardez vitin e kaluar ishte bërë pjesë e lojës, duke dashur të bëhej pjesë e xhiros së shkarkimeve. Dhe rezultati i vetëm që arriti ishte vajtja në spital me kocka të thyera. “Shoqëritë pas të cilave fshihet krimi i organizuar, marrin nga shteti (komunat) autorizimin për shkarkimet e plehrave”, tregon ai për “L’Espresso”. Është parashikuar zgjerimi i biznesit tashmë.  Pak javë më parë, policia rizbarkoi në Glina. Ndaloi disa kamionë. Brenda? Ajo që pritej. Transportonin sasi substancash ilegale. Pak më në Jug arrestuan një shofer me një ngarkesë mërkuri. Këta janë arsyeja që plehrat e Napolit për popullin rumun mbeten një ankth që rikthehet. Pikërisht për këto mbeturina Presidenti Traian Besesku vendosi një JO të prerë në 2007. Po të shkosh sot në Glina ose në rrethina të tjera e të flasësh italisht rrezikon jetën. Para disa muajsh të rinjtë e zonës i përzunë të gjithë nga shkarkimet. Me ta është edhe Alin, një i ri që ka punuar në Napoli në kantierin e pafund të “metropolitans”. E njëjta gjë ndodh nëse shkon në Jug, drejt Kostancës, ku një mori shkarkimesh abuzive e kanë trazuar zonën. Banorët rrahën edhe një gazetar, reporter i huaj. E konfirmon policia rumune dhe zyrat diplomatike. Këto të fundit këshillojnë të mbrosh veten. Nga kush? Nga këta të dëshpëruar apo nga ekomafia ballkanike?

Lespresso 2009

5 skandale botërore që nuk kanë lidhje me Donald Trumpin

Ian Bremmer

Debatet e shumta që rrethojnë presidentin Donald Trump vazhdojnë të gjenerojnë tituj kryesorë nëpër botë. Por ka shumë skandale të tjerë politikë në botë që kanë nevojë për vëmendje. Ja disa që duhen pasur kujdes gjatë vitit 2017.

Skandal i kandidatit konservator të francezëve
Zgjedhjet presidenciale franceze të këtij viti ngrenë një pikëpyetje kryesore: kush do të sfidojë të djathtën ekstreme të Marine le Pen në raundin e dytë? Sondazhet e kanë shfaqur Le Pen si fituese në raundin e parë (aktualisht me 26 për qind), por e kanë shfaqur po aq humbëse në raundin e dytë.
Kjo është arsyeja përse Francois Fillon i qendrës së djathtë të Les Republicains, favoriti për të fituar presidencën vetëm dy muaj më parë, nuk ka ndërmend të heqë dorë, pavarësisht skandalit të vazhdueshëm. Fillon është akuzuar se ka punësuar gruan e tij si ndihmëse parlamentare dhe e paguan atë 900 mijë euro, pa pasur asnjë provë se ajo ka bërë ndonjë punë të vërtetë.
Por dobësia e dukshme e Le Pen e ka bindur Fillon se nëse arrin të kapërcejë stuhinë e skandalit, presidenca do të jetë e tij. Fillon aktualisht ka rënë në vend të tretë në sondazhe. Sa më gjatë që ai të qëndrojë në garë dhe të luftojë kundër rivalëve, veçanërisht kandidatit të qendrës Emmanuel Macron, aq më shumë gjasa ka të forcojë pozicionin e Le Pen.

Skandalet e Japonisë
Debati lidhur me Japoninë nisi me kryeministrin Shinzo Abe dhe lidhjet e tij të mundshme me një kopsht privat në Osaka, që thuhet se ka promovuar qëndrime degraduese për persona të etnisë kineze dhe koreane. Edhe pse Abe i ka mohuar menjëherë lidhjet, fakti se e ka përshkruar drejtorin e shkollës si një person, i cili “ndan të njëjtën ideologji me të” në të kaluarën është duke ia rënduar shumë situatën.
Për ta ndërlikuar situatën, e njëjta organizatë edukative ka blerë një tokë për të ndërtuar shkollën fillore “Shinzo Abe Memorial”. Shkolla ka paguar 1,2 milionë dollarë për tokën. Kritikët e Abe e kanë akuzuar kryeministrin për korrupsion – gruaja e tij, Akie Abe, e cila duhet të ishte drejtoresha e shkollës, dha dorëheqjen javën e kaluar. Kryeministri ka premtuar se do të japë dorëheqjen nëse ai ose gruaja e tij shpallen fajtorë të ndonjë akuze.

Destabilizimi i rendit politik në Korenë e Jugut
Më pas kemi skandalet që transformojnë politikën e një vendi. Për dekada me radhë, politikanët e Koresë së Jugut kanë pasur marrëdhënie të ngushta me “chaebols”, konglomerate të drejtuara nga familje të mëdha që nxisin ekonominë e vendit. Presidentja Park Geun-hye nuk përbën përjashtim. Asaj iu dha një votë mosbesimi nga Parlamenti në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe u pezullua përkohësisht nga detyra në mënyrë që një prokuror special të zhvillonte një hetim 90-ditor. Këtë javë ky hetim kërkoi një ndjekje të mirëfilltë kundër Park për akuzën e mitmarrjes së 38 milionë dollarëve nga Samsungu.
Gjykata Kushtetuese vendosi ditën e premte ta linte në fuqi pezullimin e saj dhe e rrëzoi atë nga detyra, një vendim i mbështetur nga 77 për qind e publikut, sipas sondazheve të fundit. Zgjedhjet do të mbahen brenda 60 ditëve dhe reforma për “chaebol ” do të jetë tema dominante e fushatës. Kjo mund të gjenerojë më shumë trazira dhe destabilizim në rajon.

Mungesa e presidentit të Nigerisë
Ky nuk është një skandal në kuptimin tradicional, por historia po gjeneron debate në nivelet më të larta të qeverisë. Bëhet fjalë për mungesën e vazhdueshme të presidentit Muhammadu Buhari. Ish-diktatori ushtarak 74-vjeçar, i cili fitoi në vitin 2015 ka qenë në Londër për kurimin e një sëmundjeje që nuk është bërë publike që më 19 janar. Thashethemet rreth shëndetit të tij janë të shumta që atëherë dhe deklaratat e zyrës së tij nuk i kanë qartësuar gjërat. Një pjesë e problemit me historinë e Nigerisë – kur u rivendos demokracia në vitin 1999, u arrit një lloj marrëveshjeje që pushteti do të mbahej me rotacion nga veriorët myslimanë dhe jugorët kristianë. Që atëherë ka pasur vetëm 2 veriorë myslimanë në pushtet.

Skandali i korrupsionit në Amerikën Latine
Skandali më destabilizues në botë në ditët e sotme buron nga Amerika Latine. Hetimi antikorrupsion  “Lava Jato” (Larje makinash) në Brazil – i cili zbuloi prova se kompania shtetërore e naftës së Brazilit Petrobras po shpërblehej me kontrata qeveritare në këmbim të ryshfeteve – e ka trazuar prej vitesh politikën braziliane dhe ka hequr nga pushteti presidenten Dilma Rousseff. Por tani rezulton se skandali nuk përfundon në kufirin e Brazilit. Odebrecht, gjiganti i ndërtimit në Brazil që i paguan Petrobrasit miliona dollarë ryshfete, ka pranuar se ka paguar në të gjithë Amerikën Latine dhe disa pjesë të Afrikës.
Qeveria e Venezuelës, e implikua në hetim, ka probleme edhe më të mëdha se ky skandal, madje kjo është vetëm një pikë në oqean për të. Argjentina ka emëruar liderë të rinj që pas shpërthimit të skandalit.

Evropa, Turqia dhe fushata elektorale

Politikanët turq donin të bënin fushatë elektorale në BE. Por kërkesat nga Ankaraja u kundërshtuan shpesh për shkak të problemeve me sigurinë. Disa politikanë dëshirojnë që BE të veprojë në mënyrë të unifikuar.
Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan nuk vonoi ta japë gjykimin e tij: “Ata janë tepër të njëanshëm, tepër frikacakë”. Me këto fjalë e komentoi ai vendimin e Holandës për të mos lejuar hyrjen në Holandë të ministrit të Jashtëm turk. Konkluzioni i tij: “Ata janë pasardhës të nazistëve, janë fashistë”.
Që para kësaj deklarate të Erdoganit, Holanda e pati të vështirë që t’i vazhdonte bisedat me politikanët dhe diplomatët. Ministri i Jashtëm holandez raportoi në media për rrjedhën e bisedimeve. Bisedat qenë në vazhdim e sipër dhe pala holandeze po i afrohej një marrëveshjeje. Por pastaj partnerët turq në bisedime patën kërcënuar me sanksione politike dhe ekonomike. “Holanda nuk lejon t’i bëjnë presion”, tha Koenders. Përballë kësaj mënyre veprimi, qeveria holandeze pati vendosur që t’ia heqë lejen e uljes në Holandë avionit të ministrit të Jashtëm turk.
Refuzimi megjithatë nuk u argumentua politikisht, por duke iu referuar rezervave për shkak të gjendjes së sigurisë: një thirrje e Turqisë në Holandë për të marrë pjesë në mitingun e ministrit mund të rrezikonte rendin publik dhe sigurinë, u deklarua zyrtarisht.

Kërcënime dhe përpjekje për qetësim
Të dielën ministri i Jashtëm turk, Cavusoglu tha se pret që Holanda t’i kërkojë falje. Dhe se vendi i tij do të vazhdojë marrjen e masave kundër Holandës, derisa të ndodhë kjo. Më vonë në të njëjtën ditë nuk u lejua të marrë pjesë në një miting në Rotterdam ministrja turke e Familjes, e cila vinte nga Gjermania. Policia holandeze e deklaroi person të padëshiruar dhe e shoqëroi pas në kufirin me Gjermaninë.
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte deklaroi të dielën se ai nuk e kishte përjetuar kurrë më parë një situatë të tillë, “por ne duam të jemi pala më e matur”, tha Rutte. “Nëse ata e shkallëzojnë gjendjen, neve do ta na duhet të përgjigjemi, por ne do të bëjmë gjithçka që të jetë e mundur që ta qetësojmë gjendjen”, tha Rutte. Në mediat vendase ai e quajti “të çmendur” karakterizimin e holandezëve nga Erdogani si pasardhës të nazistëve. Dhe shtoi se Holanda është një komb krenar.
Përpjekjet e Holandës dhe të shteteve të tjera të BE për të mos përdorur një refuzim të qartë politik nxjerrin në pah sa të interesuara janë shtetet e BE që të kenë edhe më tej marrëdhënie të mira me Turqinë. Edhe në Austri autoritetet iu referuan në ndalimin që u bënë mitingjeve nevojës për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë. Para çdo aktiviteti verifikohet nëse ka rrezik të shpërthejnë “trazira që mund të prishin qetësinë”.
Një projektligj që është paraqitur parashikon që kur bëhet kërkesë për miting në të ardhmen në Austri të deklarohet edhe nëse në të do të marrin pjesë politikanë të huaj. Në një rast të tillë duhet të informohet ministri i Brendshëm. Dhe në marrëveshje me kabinetin ai mund ta anulojë në rrethana të caktuara mitingun. Kjo mund të ndodhë për shembull kur mesazhet, që priten në miting “janë të papajtueshme me vlerat bazë demokratike ose detyrimet e të drejtave të njeriut të Republikës së Austrisë ose kur ato kanë ndikim negativ në bashkëjetesën paqësore të njerëzve në Republikën e Austrisë”.

Për hapa të përbashkët
Kancelari federal i Austrisë, Christian Kern kërkoi një “mënyrë veprimi të përbashkët të BE”. Kjo do të ishte me vend “në mënyrë që vende të veçanta si Gjermania, ku ndalohen aktivitete të tilla, të mos bien nën presionin e Turqisë”. Por ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz është skeptik për këtë mënyrë veprimi, për shkaqe pragmatike. “Po të shohim situatën, atëherë e dimë se të prekura janë tre, ndoshta katër shtete evropiane”.
Në fakt diskutimi vlen për ato shtete të BE, ku numri i turqve me të drejtë vote është veçanërisht i madh. Në Gjermani këta persona janë 1,4 milionë vetë, në Austri 280.000 vetë dhe në Holandë 260.000 vetë. Ende këto shtete i përgjigjen në mënyrë të veçuar Turqisë – aleancat e mëvonshme megjithatë nuk përjashtohen.

Skocia do të kërkojë prapë referendum për pavarësi

Udhëheqësja e Skocisë tha se do të kërkojë miratimin e referendumit të dytë për pavarësi, përpara se Britania të largohet nga Bashkimi Evropian.
Ministrja e Parë, Nicola Sturgeon, tha se do që të mbajë referendumin e ri në fund të vitit 2018 ose në fillim të 2019-ës.
Ajo tha se përpjekjet e saj për të gjetur kompromis mbi Brexit-in janë pritur me një përgjigje të ashpër nga kryeministrja britanike, Theresa May.
“Gjuha e partneritetit është zhdukur plotësisht”, tha Sturgeon.
Ajo tha se, javën e ardhshme, do të kërkojë leje nga Parlamenti skocez për mbajtjen e referendumit të ri.
Në referendumin e fundit, më 2014, 55 për qind e votuesve kanë kundërshtuar pavarësinë e Skocisë.

Takimi i parë mes Merkel dhe Donald Trump

Mund të jetë vizita më e vështirë e Merkelit: Ajo takon Donald Trumpin (14.03) që e vlerëson si katastrofale politikën e saj ndaj refugjatëve, ndërsa Merkel refuzon dekretin e Trumpit për ndalimin e hyrjes së myslimanëve.
Mund të thuhet se Angela Merkelit i kanë parë shumë sytë në marrëdhënien transatlantike: George W. Bushin jo popullor mes gjermanëve ajo e takoi në Detin Balltik në një “Barbecue” me mish derri. Me Barack Obamën, mjaft të dashur për gjermanët, ajo pati një mëngjes të përbashkët me sallam të bardhë bavarez dhe birrë. Marrëdhënia transatlantike ka kaluar kohë të vështira me të dy presidentët. Kujtojmë luftën e Irakut dhe aferën e NSA-së. Megjithatë Merkel i ka respektuar si duhet këto marrëdhënie, aq sa herët a vonë si Bush edhe Obama, e kanë parë Merkelin si partneren Nr.1 për kontakt në Europë.

Sfida më e madhe
Me Donald Trump Merkel ndodhet para sfidës më të madhe të saj. “Po të shohim politikën amerikane, duhet thënë se asnjëherë marrëdhëniet nuk kanë qenë më të komplikuara se tani”, thotë Josef Janning, drejtues i Zyrës së Berlinit të Këshillit Europian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (ECFR).
Ndërsa John Harper, ekspert për politikën e jashtme në Universitetin John Hopkins në Bologna, thotë se Merkel duhet të ndjekë një rrugë të re për të ndërtuar marrëdhënie funksionuese me presidentin amerikan. Trump është “një qenie komplet ndryshe” nga Obama dhe Bush, mendon Harper. Ndryshe nga paraardhësit e tij ai nuk ka përvojë politike.
Kësaj i shtohet stili i tij: dëshira për të qenë prezent në Twitter -shpejt dhe agresiv, mania të shprehet për çdo temë, edhe nëse ajo nuk është politike. Apo edhe grindja e tij mjaft personale me mediat. Trump nuk është vetëm një rast i veçantë në Shtëpinë e Bardhë, por edhe antipodi i Merkeli, me një stil të qetë dhe të menduar.

Qëndrime të kundërta
Biografitë e ndryshme dhe stili i tyre mund të jenë një sfidë e vërtetë për marrëdhënien me njëri-tjetrin. Por krahasuar me qëndrimet diametralisht të kundërta për disa çështje botërore, dy dallimet e para duken të parëndësishme. Kancelarja gjermane preferon një metodë kooperative dhe multilaterale në politikën botërore. Trump e kupton veten si president i një superfuqie e nuk ka ndonjë vlerësim të madh për institucionet multilaterale dhe politikën e sheh si një lojë ku në fund nuk del gjë.

Pak pritshmëri
Ekspertët presin pak rezultate në takimin e parë. Sipas analistit Janning, Merkel synon në këtë takim të “marrë premtimin e Trump për procesin e G20-s dhe zgjidhjen e problemeve bashkë në strukturat e përbashkëta”. Një temë tjetër do të jetë e ardhmja e BE-së. Qëndrimin e tij për BE, Trump e ka bërë të qartë, kur ai pas fitores, të parin vizitor të huaj priti arkitektin e Brexit, Nigel Farage. Prandaj Merkel do të jetë mjaft e interesuar, t’ia bëjë të qartë, Trump se BE është e rëndësishme, jo vetëm për Gjermaninë dhe Europën, por edhe për vetë SHBA-në. Një temë e vështirë, sepse Trump, ndryshe nga paraardhësi i tij, ai nuk e sheh veten si lider të marrëdhënies transatlantike.
Sipas ekspertit Harper nga Universiteti Johns Hopkins, do të ishte sukses, nëse Trump ndryshon tonin kundrejt BE-së. “Ajo që pres të paktën është që Trump të dalë sulmet kundër BE dhe të inkurajojë politikanë si Marine le Pen. “Edhe në çështjen e Moskës pritet që Merkel t’ia bëjë të qartë Trump, se një konfirmim i parimeve të përbashkëta dhe rendit europian pas Luftës II Botërore, janë baza e marrëdhënieve me Moskën. Nuk dihet nëse Trump dhe Merkel do të krijojnë bazën e marrëdhënieve të tyre që në takimin e parë. Por Harper beson, se “kur Trump ta njohë Merkelin një herë, nuk do ta ketë të lehtë ta fyejë më”.

Gjermani, kërkohet qëndrim i egër ndaj Ankarasë

Përballë mosmarrëveshjes për fjalimet elektorale të politikanëve turq, në Gjermani janë shtuar thirrjet për të mbajtur qëndrim të ashpër ndaj qeverisë në Ankara. CSU dhe të Majtët kërkojnë tërheqjen e Bundeswehrit.
Ushtarët gjermanë të Bundeswehrit mbështesin që prej bazës ushtarake turke të Incirlikut koalicionin ndërkombëtar kundër milicisë terroriste Shteti Islamik, IS, me zbulime nga ajri. Përballë tensioneve aktuale me partnerin e NATO-s për shkak të pjesëmarrjes së ministrave turq në mitingje në Gjermani, gjë që ka ngjallur debate, po shtohen kërkesat për tërheqjen e Bundeswehrit.
Zëdhënësi për politikën e jashtme dhe të sigurisë të deputetëve të CSU-së në Bundestag, Florian Hahn, i tha gazetës “Bild am Sonntag”: “Në këtë situatë të nxehur pikërisht përballë Gjermanisë, duket gjithnjë e më shumë e pasigurtë, që qeveria turke të jetë në gjendje dhe të ketë vullnetin për të garantuar një mbrojtje gjithpërfshirëse të ushtarëve dhe ushtarëve tanë në Incirlik”.

Grindje me Erdoganin
Prandaj qeveria gjermane duhet t’i ndalojë të gjitha investimet në infrastrukturën e bazës ajrore dhe të nisë zhvendosjen që atje të avionëve të stacionuar Tornado, kërkoi Hahn. Shefja e Grupit parlamentar E Majta në Bundestag, Sahra Wagenknecht e mbështeti këtë kërkesë. “Përballë zhvillimeve aktuale në Turqi një tërheqje e Tornadove dhe e ushtarëve të Bundeswehrit, si dhe ndalimi i furnizimit me armë të Turqisë duhet të qe bërë prej kohësh”, i tha ajo agjencisë së lajmeve “AFP”.
Disa komuna gjermane anuluan ditët e fundit pjesëmarrjen në mitingje elektorale të ministrave turq, në prag të referendumit për zbatimin e një sistemi presidencial. Në Ankara kjo shkaktoi shqetësim të madh, Presidenti turk Erdogan e akuzoi Gjermaninë për “metoda naziste”. Kjo solli protesta të forta nga Berlini.

FDP: Solidaritet me Holandën
Si protestë për krahasimet me nazistët, politikania e Gjelbër, Marieluise Beck bëri të ditur se do ta kthejë çmimin e miqësisë, që i ka dhënë në vitin 2005 Erdogani. Kritikat e ngritura prej tij janë “të papërshtatshme dhe falsifikojnë historinë”, citon “AFP” nga letra drejtuar Presidentit turk.
Kryetari i FDP-së, Christian Lindner i kërkoi qeverisë gjermane që të tregojë solidaritet me qeverinë holandeze. “Pas shkallëzimit diplomatik midis Turqisë dhe Holandës, një pozicionim i Gjermanisë duhet të qe bërë prej kohësh”, i tha Lindner agjencisë gjermane të lajmeve, “DPA”.

Libia, vatra e konfliktit në dyert e Europës

Ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Müller e cilëson katastrofike gjendjen në Libi. Ky vend është kthyer në një trampolinë për mijëra refugjatë. Ai akuzon bashkësinë ndërkombëtare për heqje dorë nga përgjegjësia.
Gjendja në shtetin afrikanoverior është alarmuese, paralajmëron Gerd Müller. Të dërguarit e OKB-së raportojnë për tortura, për gjendje të mjerueshme në kampe, ku izolohen pas gardheve me gjemba qindra vetë që vuajnë nga uria. Müller kërkon një plan Marshall për Afrikën.

Libia u la vetëm
Në një intervistë me gazetën “Neuen Osnabrücker Zeitung” (NOZ), ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Müller kërkon që këto kampe të vihen nën mbikëqyrjen e OKB-së. Sipas Müller, 200.000-300.000 vetë ndodhen në kushte të papërfytyrueshme. OKB dhe BE duhet të reagojnë dhe “të krijojnë struktura në këtë vatër konflikti”.
Müller kritikon bashkësinë ndërkombëtare që e ka lënë vendin në kaos, pasi shtetet e NATO-s në vitin 2011 e bombarduan masivisht Libinë për të rrëzuar, diktatorin, Muamar al-Gaddafi. Nuk ka pasur plan për periudhën pas Gaddafit. Shteti u shpërbë, milicët u ngjitën në pushtet.

Ndihmë për të ndihmuar veten
“Duhet të shkojmë tek njerëzit tani”, kërkon ministri gjerman i Zhvillimit. Ai ka folur me njerëz që kishin përjetuar tortura apo me ata që kanë përshkuar rrugën e mundimshme përmes Saharasë. Gjermania po jep shembullin e para duke ngritur gjashtë qendra konsultimi për migrantët në Tunizi, Marok e në vende të tjera në Afrikë për të ofruar ndihmë për ta. Politikani kristiansocial e quan “turp që bashkësia ndërkombëtare i ikën përgjegjësisë së saj”.
Ai kërkon një menaxhim ndërkombëtar të krizës në kontinentin afrikan dhe një fond të OKB-së me së paku 10 miliardë euro, me një përqasje të shpejtë në rast katastrofe. Një shumë minimale krahasuar me shumën që kërkohet për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes në NATO. Politika më e mirë për paqen është politika e zhvillimit, ka kërkuar Müller, që shpreson në mbështetjen amerikane edhe nën Donald Trump. “Kemi nevojë për amerikanët si superfuqi humanitare”, ka thënë Müller.

Granit Xhaka drejt Bayern Mynihut

Një shqiptar drejt Bayern Munchen, për të marrë rolin e pasardhësit të Xabi Alonsos. Kampionët e Gjermanisë po vëzhgojnë Granit Xhakën për rolin e organizatorit në qendër të mesit të fushës. Kjo është deklarata e Ottmar Hitzfeld, sipas të cilit përveç bavarezëve, emri i 24-vjeçarit përflitet edhe në klubet e tjera më të mëdha europiane.
“Nuk ka dyshim që Xhaka është në radarët e Bayernit”, tha Hitzfeld, i cili shtoi se “Graniti është një lojtar që po vazhdon të rritet dhe mbahet nën vëzhgim edhe nga klubet e tjera të mëdha në kontinent”.
Deklarata të rëndësishme këto nga Hitzfeld, që i njeh mjaft mirë palët e përfshira. Pasi ka drejtuar dy herë Bayernin nga viti 1998 deri më 2008-ën, trajneri punoi edhe në krye të stolit të përfaqësueses zvicerane, ku kishte mundësinë ta ndiqte nga afër Granit Xhakën. Pas transferimit te Arsenali gjatë verës, për shifrën e 40 milionë eurove, mesfushorit i është dashur kohë për t’u përshtatur me stilin e futbollit në Premier League, ndërsa lojtari është kritikuar edhe nga trajneri Wenger për problemet disiplinore në fushë dhe ndëshkimin e tepruar me kartonë.
Megjithë këtë situatë, Granit Xhaka vazhdon të vlerësohet në Bundesligën gjermane. Vëllai i kuqeziut, Taulant Xhaka, së bashku me sulmuesin Alexis Sanchez e mesfushorët Mesut Ozil dhe Alex Oxlade-Chamberlain mund të jenë në listën e yjeve që do të largohen në fund të sezonit, ku te Arsenali pritet të ndodhin ndryshime rrënjësore pas një tjetër edicioni zhgënjyes.
Ndërkohë, shefi Ekzekutiv i Borussia Dortmund, Hans-Joachim Watzke flet për të ardhmen e Aubameyang, që kërkohet nga Manchester City, PSG apo Real Madrid. Drejtuesi verdhezi shprehet se që kur sulmuesi erdhi në “Signal Iduna Park”, nuk ka pasur ndjesinë se planifikonte të largohej. Sipas Watzke, Aubameyang ishte i vetëdijshëm që Dortmund po ndërtonte një skuadër të madhe dhe mbi të gjitha as vet klubi nuk dëshiron ta shesë 27-vjeçarin.

Pezullime e dëmtime

Për shumë veta, sfida e së premtes mbaroi në momentin që arbitri sinjalizoi fundin e ndeshjes, por Juve-Milan nuk ka përfunduar akoma, sepse për kuqezinjtë më e keqja pritet të vijë tani, pas ndeshjes. Këto ditë pritet të bëhen zyrtare dënimet e lojtarëve dhe drejtuesve të Milanit (Galianit) për përplasjet në fundin e ndeshjes kundër Masës dhe asistentëve të tij. Ai që rrezikon më shumë nga ky dënim është Karlos Baka, i cili ishte më impulsivi nga të tijtë.
Pavarësisht tentativave të Galianit dhe Montelës për ta qetësuar, kolumbiani ishte shndërruar në një “dem” të tërbuar, duke ofenduar trupin gjykues për atë penallti të akorduar në minutën e 95-të. Kjo pritet ta penalizojë shumë sulmuesin e Milanit, pasi do dënohet me të paktën dy javë, por kjo mund të ndryshojë në varësi të asaj çfarë Masa do të shkruajë për episodet në fundin e ndeshjes.
Nga ky raportim i arbitrit pritet ta pësojë edhe Galiani, i cili ka shfryrë kundra këtij të fundit në një mënyrë të ekzagjeruar gjatë kohës që po u drejtoheshin dhomave të zhveshjes. Të tjerë lojtarë që kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre kanë qenë De Shiljo, Donaruma, Poli dhe Romanjoli, të cilët rrezikojnë gjithashtu të dënohen në varësi të asaj çfarë kanë shkruar inspektorët federalë që ishin prezentë në Torino. Të gjithë janë në pritje të së martës, dita kur do dalë vendimi i Gjykatës Sportive.
Ndeshja e radhës për milanistët do të jetë ajo kundër Xhenoas në “San Siro”, një ndeshje e vështirë, duke parë mungesat e shumta. Dëmtimeve të Bonaventurës, Susos, Abates dhe Hondës pritet t’i shtohen dhe tre të skualifikuarit, Romanjoli, Soza dhe Baka. Montelës do t’i duhet ta rimodelojë ekipin, ku vështirësitë më të mëdha pritet t’i ketë në mesfushë prej mungesës së Sozës, duke parë që edhe Lokateli nuk është stërvitur ditët e fundit me ekipin për shkak të gripit.
Një problem tjetër i madh është zëvendësimi i sulmuesit më në formë ndeshjet e fundit, kolumbianit Karlos Baka, duke parë që Lapadula nuk është në formë. Një katastrofë e vërtetë për trajnerin italian, që shikon lojtarët e tij më të rëndësishëm të qëndrojnë jashtë.
Vazhdojnë telashet në shtëpinë e Milanit. Suso, lojtari më deciziv kohët e fundit, pritet të jetë i gatshëm në fillim të muajit prill. Spanjolli u duk se e kishte hedhur pas krahëve dëmtimin që mori ndaj Kievos, por rikthimi në stërvitje përpara kohe duket se e ka përkeqësuar akoma më shumë këtë dëmtim që në fillim u duk kalimtar.
Montela duket se ka nxitur stafin mjekësor për ta pasur sulmuesin nga minuta e parë kundra Juventusit. Ka qenë një gabim i mjekëve të Milanit, që lejuan kthimin e lojtarit në stërvitje dhe në ekzaminimin e dëmtimit. Nuk dihet akoma nëse 23-vjeçarit do t’i mjaftojnë tri javë për t’u kthyer në stërvitje apo do shtyhet për më vonë që të mos rrezikohet për një tjetër përsëritje të këtij dëmtimi. Kalendari duket se i ka dhënë një shtysë të madhe lojtarit, pasi mbas takimit me Xhenoan do të jenë dy javë pushim prej ndeshjeve të kombëtareve. Nuk është hera e parë që stafi mjekësor i Milanit gabon në ekzaminime, pasi e ka bërë më përpara dhe me lojtarë si El Sharaui dhe Pato.

Dëmtimi, Mavraj kthehet në stërvitje

Mërgim Mavraj është shfaqur dje përsëri në stërvitjen e Hamburgut, për herë të parë pas dy javësh jashtë fushave, që nga momenti kur u zbulua se, kishte pësuar një çarje në tendinën e gjurit të majtë. Por, ndonëse ka filluar vrapimet e lehta, vetë mbrojtësi ka bërë të qartë se do të jetë shumë e vështirë, që ai të bëhet gati për ndeshjet e Kombëtares shqiptare.
“Periudhë e vështirë pas dëmtimit në një moment shumë delikat si për klubin ashtu edhe për Kombëtaren. Po bëhet maksimumi për rikuperimin, por tepër e vështirë për t’u rikthyer në kohë për Kombëtaren”, shkroi vetë Mavraj në një postim në Facebook gjatë pasdites së sotme.
Sipas planit të klubit të Hamburgut, Mavraj pritet të kryejë riaftësimin për rreth tre javë, për t’iu bashkuar pjesës tjetër të skuadrës në fushën e lojës vetëm në fillimin e muajit prill. Kjo do të thotë se, ai do të humbë grumbullimin me Kombëtaren për duelet ndaj Italisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Megjithatë, në të kaluarën trajneri De Biazi u ka kërkuar futbollistëve të veçantë të udhëtojnë drejt grumbullimit të Kombëtares me shpresën se mos arrin t’i riaftësojë në kohë, ndaj nuk është çudi që emri i Mavrajt të përfshihet paraprakisht në listën e kuqezinjve.
Mungesa e tij krijon telashe edhe më të mëdha për trajnerin e përfaqësueses që duhet të ndërtojë nga e para prapavijën ku nga titullarët e zakonshëm, në fushë pritet të luajnë vetëm dy krahët, Hysaj dhe Agolli.