Në përfundim të ndeshjes së kthimit ndaj Paris Saint Germain-it, të cilën Barca e tij e fitoi me rezultatin tenistik 6-1, duke hyrë në histori për atë përmbysje fantastike, Raymond Domenech ish-trajneri i Francës e cilësoi Lionel Mesin si një futbollist të mbaruar. Deklaratat e Domenech bënë xhiron e botës, pasi të flasësh në të tillë mënyrë për një lojtar që ka shkruar historinë e Barcelonës dhe që ka fituar 5 Topa të Artë në karrierë është diçka e palogjikshme. Por për t’i treguar Domenech-ut dhe të gjithë atyre që mendojë se epoka e Leo Mesit në futboll ka përfunduar drejtuesit e Barcelonës kanë bërë gati një kontratë të re me shifra të çmendura për yllin argjentinas.
Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle që Mesi të vazhdojë të qëndrojë te Barcelona, drejtuesit e klubit katalanas janë gati ta mbulojnë me ar 29-vjeçarinm pasi kanë besim të verbër te aftësitë e futbollistit amerikano-jugor. 40 milionë euro në sezon pritet t’i ofrojnë blaugranat Mesit me argjentinasin që nëse firmos kontratën e re do të bëhej futbollisti më i paguar në Europë. Për të shmangur interesimin e klubeve të tilla si Paris Saint Germain, Manchester City dhe Interi, Barcelona kërkon të blindojë Mesin me një kontratë të re afatgjatë, me një pagë faraonike. Vetëm Carlos Tevez merr aktualisht 40 milionë euro në sezon, por Apashi për të përfituar një shifër të tillë është transferuar në kampionatin kinez te Shanghai Shenhua.
40 milionë euro në vit, Barça mbulon në ar Mesin
Zhgënjen Barça e mrekullisë
Barcelona e mrekullisë së Championsit kthehet me këmbë në tokë në La Liga. Skuadra e Luis Enriques, e konsumuar fizikisht në përmbysjen historike ndaj PSG, u mposht 2-1 në Riazor nga Deportivo La Coruna, duke humbur jo pak terren në garën me titullin kampion. Me Neymar të padisponueshëm, por me Mesin, Suarezin e Iniestën në fushë blaugranat nuk e ngjitën në asnjë moment në nivelin e kërkuar, madje 5 minuta para përfundimit të pjesës së parë u ndëshkuan nga Joselu, që përfitoi nga një top i pakontrolluar nga Ter Stegen.
Sapo nisi pjesa e dytë i zakonshmi Luiz Suarez goditi befasishëm brenda zonës, me portierin Lux, që detyrohet ta nxjerrë topin nga rrjeta. U mendua se, Barcelona do të merrte një fitore me përmbysje, por në të 74-ën pas një këndoreje galicianëve Bergantinos në vendin dhe kohën e duhur shënoi me kokë golin që do t’i vlente tri pikë Deportivos. Edhe pse pati më shumë se 15 minuta lojë për një tjetër përmbysje të madhe, Barca nuk gjeti forca për të shënuar qoftë një gol, duke pësuar humbjen e 3-të sezonale.
Reali fiton falë “goleadorit” Ramos
Sergio Ramos si gjithmonë nxjerr Realin nga balta. Mbrojtësi spanjoll realizoi golin e fitores 2-1 ndaj Betis Sevilles 9 minuta para kohës së rregullt, me Los Blancos që rimarrin kreun e La Ligas, me 2 pikë më shumë se Barcelona. Një sfidë që rezultoi më e vështirë se ç’ishte parashikuar për skuadrën e Zidane, që edhe në këtë herë në momentin më të vështirë thërret në ndihmë Ramosin.
Reali vihet në vështirësi nga andaluzianët që në fillim të takimit me dy gafa të portierit Keylar Navas. Kostarikani fillimisht ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Brasanac, por çuditërisht gjyqtari Lahoz vijon lojën. Në të 24-ën, Navas nuk arrin të kontrolloi goditjen qendrore të Sanabrias dhe në panik e sipër shtyn vetë topin me dorë përtej vijës fatale.
I pafalshëm një gabim i tillë nga portieri i Realit. Avantazhi i Betisit zgjati deri në minutën e 41-të, kur Critiano Ronaldo shënoi me kokë pas krosimit të Marcelos. Në të 78-ën, Piccini i Betisit largohet nga fusha me karton të kuq, ndërsa në minutën e 81-të përsëritet skena e riparë shumë herë me protagonist Sergio Ramos, që shënoi me kokë golin e fitores për Los Blancos.
E marta mbyllet me kualifikimin tonë
“Të martën përfundon me kualifikimin për në çerekfinale të Juventusit, sepse kemi një avantazh jo të vogël nga ndeshja e parë. Dhe pse jo, shpresoj me një kor vlerësimi të tifozerisë së ‘Juventus Stadium’-it për Iker Kasijasin, pasi spikeri të ketë lajmëruar se ishte ai lojtari më i mirë i ndeshjes”.
Është ky parashikimi i Xhixhi Bufonit në pritje të ndeshjes së kthimit të 1/8-ave të finaleve të Ligës së Kampioneve, në program sot në mbrëmje, në orën 20:45, në Torino. Takimi i vajtjes në Oporto përfundoi në favor të torinezëve me rezultatin 2-0, por edhe një herë tjetër, këto dy legjenda të portës, të cilët kanë koleksionuar 42 trofe së bashku, do të ndeshen për të 18-ën herë mes tyre.
Në një intervistë të përbashkët që u ka bërë televizioni “Juventus Channel”, Bufon dhe Kasijas bëjnë parashikimet e tyre. “Sa më shpesh që ndeshem me atë, aq më i madh është vlerësimi për Ikerin, një prej portierëve ikonë të futbollit. E di që jemi miq të mirë, por edhe në këto 90 minuta të ardhshme do të jemi rivalë, ndonëse gjithmonë duke e respektuar njëri-tjetrin, bën hyrjen e tij Bufoni. Por edhe në këtë takim besoj se do të fitojmë ne, ndonëse objektivi është të kualifikohemi.
Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por jam gati që t’ia lejoj me qetësi Kasijasit që të shpallet njeriu i ndeshjes, sepse kjo do të thotë që kemi qenë ne ata që kemi luajtur dhe rrezikuar më mirë portën e tyre, por mbi të gjitha të ruajmë avantazhin. Në Champions nuk ka vend për gabime, prandaj kurrsesi nuk duhet të mendojmë se i kemi siguruar çerekfinalet”.
Nga ana tjetër, portieri spanjoll i Portos, Iker Kasijas, pranon se do të jetë e vështirë: “Çfarë do i thosha Xhixhit? I uroj fat, por vetëm nga ndeshja e ardhshme, jo përballë nesh, edhe pse e kam një mik të ngushtë.
Sa shanse kemi? Duhet të jemi realistë, sepse të martën do të jetë tepër e vështirë për të kaluar. Por, në futboll, nuk i dihet. S’duhet të mendojmë se nuk kemi shanse, përkundrazi duhet ta provojmë me të gjitha forcat tona.
Në ndeshjen e parë mbetëm shumë shpejt me një lojtar më pak, prandaj u plotësuan të gjitha kushtet që Juventusi të fitonte ndeshjen, por ne jemi një skuadër e fortë. Porto është kthyer i pari në kampionat dhe ky është një stimul i madh për ne, për të mos u dorëzuar kurrë dhe për të vazhduar me serinë e fitoreve”.
Makineri shkatërruese
Vetëm një Inter i çmendur mund t’i shënonte 7 gola Atalantës të Etrit Berishës, që deri në këtë pikë të Serisë A kishte bërë vetëm mirë. Në fakt zikaltrit që kur trajner u emëria Stefano Pioli nuk kanë gabuar në asnjë ndeshje, duke përjashtuar në këtë rast sfidat me tre kryesuesit. 12 fitore në 12 ndeshje me vendin e tretë që nuk është një ëndërr e parealizueshme. Pioli po drejton një makineri lufte, që kur gjen momentin e duhur tregohet e pamëshirshme dhe këtë e bëri ndaj një rivali direkt për vendin e tretë.
5 gola gjatë pjesës së parë në një ndeshje të Serisë A, Interi nuk i kishte shënuar prej më shumë se gjysmë shekulli. 7 gola në një ndeshje me vetëm 8 goditje në portë është një statistikë thjesht e pabesueshme.
Në një skuadër që realizon shtatë herë brenda 90 minutave, sigurisht që spikat një bomber që po dëfrehet duke e dërguar topin në rrjetë. Në këtë sezon të Serisë A, Mauro Ikardi ka vënë shenjën e tij në 28 gola, 20 të shënuar nga vetë ai dhe në tetë raste të tjera në rolin e asistuesit. Ndaj Atalantës realizoi tregolëshin e dytë me fanellën e Interit, pas atij të realizuar më 2014-ën ndaj Sassuolos. I pamëshirshëm në çdo mënyrë dhe situatë. Në “San Siro” realizoi me të majtën, të djathtën dhe me kokë: diçka të tillë e ka bërë vetëm Carlos Bacca i Milanit, kundër Torinos në javën e parë. Historike për nga shifrat fitorja e Interit, e tillë, por në sens të kundërt humbja e bergamaskëve. Prej më shumë se 27 vitesh Atalanta nuk pësonte 5 gola gjatë pjesës së parë. Por mbi të gjitha 7-1 është humbja më e thellë e kësaj skuadre në Serinë A që nga disfata 9-3 me Milanin në tetor të vitit 1972. Një njollë, e cila kalon në plan të dytë nga ecuria më shumë se pozitive e skuadrës së Gasperinit në këtë sezon.
Mauro Icardi i Ever Banega marrin nga një top në shtëpi pasi shënuan nga tri gola në fitoren 7-1 të Interit ndaj Atalantës në “San Siro”. Etrit Berisha dhe skuadra e tij pësuan humbjen më të rëndë sezonale në një sfidë për t’u harruar, shumë larg atyre performancave të zakonshme të bergamaskëve, që reflektohen në renditjen në pjesën e sipërme të tabelës.
Icardi spikati i pari me tri gola radhazi, duke e gjetur rrjetën fillimisht në minutën e 17-të, pas një topi të mbetur në zonë. Në të 23-ën një 11-metësh i shkaktuar nga Berisha u shdërrua në gol po nga Ikardi. Ndërsa në të 26-ën argjentinasi devijoi në rrjetë krosimin e Banegas. Pas këtij momenti del në skenë Banega, që shënon dy herë brenda tri minutave, në të dy rastet i shërbyer nga Candreva.
Në fund të pjesës së parë Atlanta shkurtoi në 5-1 diferencën me Freuler, por vetëm kaq, sepse gjatë pjesës së dytë Interi shënoi edhe 2 gola të tjerë, me Gagliardinin dhe sërish me Banegan, që bashkë me Ikardin sigloi tregolësh për rezultatin përfundimtar 7-1.
Pritje fantastike e tifozëve për Berishën e Atalantën
Thirrje, duartrokitje dhe flakadanë. Gjithçka në qendrën stërvitore të Atalantës në Xingoria i ngjasoi një pritje triumfuese, por në fakt tifozët dolën në mbështetje të skuadrës pas humbjes së thellë 7-1 në fushën e Interit.
Megjithë disfatën e rëndë, qindra tifozë në Bergamo realizuan atë që pakkush do ta mendonte dhe që fatkeqësisht nuk ndodh shpesh në botën e futbollit.
Mes atyre që morën mbështetje maksimale ishte edhe portieri kuqezi, Etrit Berisha, që ndaj Interit regjistroi një bilanc tejet të rëndë në portën e tij, duke pësuar gola vetëm në atë 90 minutësh gola sa kishte pësuar në 14 javë të marra së bashku.
Një mënyrë për të treguar mbështetjen dhe vlerësimin për skuadrën, në një sezon të jashtëzakonshëm, ku Atalanta e drejtuar nga Gasperini i ka kaluar të gjitha pritshmëritë dhe pozicionohet e gjashta në Serinë A italiane me 52 pikë pas 28 ndeshjeve. “Me skuadrën jo vetëm në fitore, kështu do të ishte shumë e lehtë”. Ky ishte mesazhi i tifozëve zikaltër. Një shembull për t’u ndjekur në të gjithë Europën dhe një veprim që mund t’i shërbejë si leksion edhe tifozëve shqiptarë.
Supergoli i Manajt nuk i vlen Pisas
Rey Manaj shënon një gol të mrekullueshëm fluturimthi, por nuk arrin të shmangë humbjen 2-1 të Pisës në transfertë me Vicenzën. I futur në fushë si zëvendësues në minutën e 60-të, kur rezultati vijonte të ishte ai i minutës së parë 0-0, 19-vjeçari kuqezi u ndëshkua fillimisht me karton të verdhë, ndërsa 2 minuta më pas u koordinua në mënyrë perfekte në zonë me një goditje fluturimthi që përfundoi në rrjetë.
Pavarësisht avantazhit dhe epërsisë numerike që në minutën e 55-të pas ndëshkimit të Orlandos së Vicenzës me karton të kuq, skuadra e shqiptarit me trajner Genaro Gatuzon nuk mundi të merrte pikë në këtë transfertë, pasi në të 86-ën Ebagua barazoi rezultatin, ndërsa në minutën e 4 shtesë Urso shënoi golin e fitores për vendasit.
Më këtë suksesi Vicenza parakaloi pikërisht Pisën në renditje, me skuadrën toskane që është vetëm një pikë larg zonës së ftohtë. Që kur u largua nga Pescara në muajin janar Manaj është aktivizuar në nëntë takime te Pisa, ndërsa goli i vetëm i shënuar është pikërisht ky ndaj Vicenzës.
Dy skema të reja pensionesh në Kosovë
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka bërë të ditur se brenda pak ditësh do të fillojnë së aplikuari dy skemat e reja pensionale. “Pension invalidor i punës dhe pension familjar. Javën që lamë pas, grupet punuese finalizuan të gjitha procedurat e nevojshme që dy skema të reja pensionale, të fillojnë së aplikuari, brenda disa ditësh. Pensioni invalidor i punës nënkupton pension për personat që pësojnë lëndime në punë apo fitojnë sëmundje profesionale gjatë marrëdhënies së punës; dhe pensioni familjar nënkupton pension i rregullt mujor për anëtarët e familjes në rast të vdekjes së të punësuarit, që ka qenë në marrëdhënie pune”, ka shkruar Abrashi në profilin e tij zyrtar në rrethin social Facebook. Më tej, Abrashi deklaroi se këto dy skema të reja pensionale përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve. Këto dy skema të reja përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve dhe rrumbullaksojmë gamën e pensioneve, sikurse forcojmë pozitën tonë karshi marrëveshjeve ndërshtetëtore në fushën e pensioneve.
Kosovë, bizneset dhe qytetarët të mbytur në kredi
Bankat komerciale të cilat veprojnë në Kosovë paraqesin oferta të llojllojshme të kredive. Ofertat, përfshijnë kreditë konsumuese, ato për banim, shkollim, biznese, prodhim, por edhe për festa të ndryshme. Mbi 2.2 miliardë euro ka kaluar vlera e kredive të qytetarëve në dhjetë bankat private, kurse mbi 1.4 miliard euro, llogariten kreditë për ndërmarrje, përderisa rreth 800 milionë euro përbëjnë shumën kreditë familjare. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, norma efektive e interesit për kredi është 8.5 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë. Megjithatë, ekspertë të kësaj fushe, konsiderojnë se në disa raste qytetarët marrin kredi pa ndonjë planifikim paraprak. Kurse, përfaqësues të Shoqatës së Bankave të Kosovës, pohojnë se edhe ulja e normave të interesit për kredi në një shifrore, ka rritur gatishmërinë e qytetarëve dhe bizneseve për t’iu drejtuar bankave për kredi. Drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kreditimi në Kosovë vitin e kaluar ka shënuar rritje prej 10 për qind. Kjo shënon rritjen më të madhe në tri vitet e fundit. Balija thotë se do të preferonte që të ndryshohet trendi i marrjes së kredive. Sipas tij, më e arsyeshme është marrja e kredive për biznese, se sa kredi për konsum. “Shpresojmë që ky trend të ndryshohet. Më e dëshirueshme është që të kemi më shumë kredi për biznese sesa për qytetarët. Megjithatë po shpresojmë se ky është një sinjal i optimizimit ekonomik”, ka thënë Balija. Në anën tjetër, ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se para marrjes së vendimit për të aplikuar për kredi, qytetarët duhet të planifikojnë me kujdes arsyen e marrjes së kredisë. Naim Gashi, thotë se në shumicën e rasteve, kreditë duhet të merren për investime dhe jo konsum, pasi sipas tij, kredia për konsum mund të rritë varfërinë duke i shtyrë familjet të përballen me vështirësi të jashtëzakonshme financiare. “Fatkeqësisht një pjesë dërmuese e qytetarëve marrin kredi për konsum, për pushime dhe gjëra tjera dhe nuk marrin kredi për investime, qoftë investime për ndërtim apo rindërtim të objekteve të banimit”. “Po ashtu edhe një pjesë e bizneseve, marrin kredi për blerjen e veturave, rritjen e luksit nëpër zyrat e tyre dhe nuk marrin kredi për profesionalizimin e fuqisë punëtore, zgjerimin e linjave prodhuese dhe për avancimin e shërbimeve të tyre që u ofrojnë klientëve”, ka thënë Gashi, për Radion Evropa e Lirë. Por, qytetarët thonë se për shkak të pagave të ulëta, ata detyrohen që për çfarëdo projekti familjar t’iu drejtohen bankavekomerciale.
Sulmuesit qetësojnë De Biasin

Mesfusha dhe sulmi i japin sinjale pozitive Gianni de Biasit përpara ndeshjes kualifikuese të Botërorit me Italinë. Nëse për portën, aty ku Etrit Berisha është i skualifikuar mendohet që ka balotazh ndërmjet Strakoshës dhe Alban Hoxhës, në mbrojtje mbeten për t’u zgjidhur dilemat më të mëdha.
Me Gjimshitin të pezulluar dhe Mavrajn të dëmtuar, ka pikëpyetje për dyshen qendrore, aty ku Ajeti po luan pak te Torino, ndërsa Burim Kukeli mund të jetë “xholi” i stafit teknik. Të vetmet garanci vijnë nga krahët. Në të djathtë Elseid Hysaj, që edhe në këtë fundjavë u konfirmua si një prej pikave të forta të Napolit në fitoren ndaj Crotones, ndërsa majtas kapiteni Ansi Agolli që me Qarabagun vijon garën për titullin në Azerbajxhan.
Në mesfushë, Taulant Xhaka ishte sërish mes më të mirëve në fushë për Baselin, me pozicionimin përpara mbrojtjes, në fitoren 1-0 në fushën e Sionit. Ledian Memushaj ishte më i miri në fushë për Pescara-n, në humbjen 3-1 që skuadra e Zeman pësoi në shtëpi përballë Udineses.
Odise Roshi luajti gjatë gjithë ndeshjes, në barazimin pa gola që Terek Grozni regjistroi në fushën e Rostov në Premierligën ruse. Ndërkohë, Jahmir Hyka shkëlqeu në Major League Soccer amerikane. I aktivizuar si zëvendësues prej startit të pjesës së dytë, Hyka dha asistin e golit të fitores 3-2 të San Hoze Earthquakes përballë Vancouver.
Përsa i takon sulmuesve, ndërsa Bekim Balaj po vuan të gjejë rrugën e rrjetës në gjysmën e dytë të sezonit te Terek Grozni, ku gjithsesi mbetet sulmuesi titullar i ekipit çeçen, ai që vazhdon të shënojë me ritme mbresëlënëse është Armando Sadiku.
Armando Sadiku konfirmohet bomber te Lugano. Sulmuesi shqiptar vazhdon të shënojë me rregullsi mbresëlënëse në Superligën zvicerane, edhe pse ashtu si ndodhi gjatë kësaj fundjave, skuadra jo gjithmonë është në lartësinë e tij. Sulmuesi elbasanas realizoi sërish në humbjen 5-2 që Lugano pësoi në fushën e Thun, duke u ngjitur në kuotën e 5 golave në gjashtë ndeshje të luajtura.
Golin e parë me Pisën e gjeti edhe Rey Manaj, në humbjen dramatike 2-1 që skuadra e Gattuso-s pësoi në fushën e Vicenzas, ndërsa sinjale pozitive dha edhe Shkëlzen Gashi, që u aktivizua për afro 20 minuta në ndeshjen ku Colorado Rapids u mposhtën 1-0 nga Red Bull New York, duke konfirmuar se e ka lënë pas dëmtimin.