Një i sëmurë ka qendruar për afro 40 minuta i shtrirë në rrugë dhe askush nuk i ka dhënë ndihmën e duhur për ta transportuar në spital. Siç shihet edhe në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, i sëmurë qendron i shtrirë në trotuar dhe mjekët e ambulancës vijnë vërdallë për shkaqe ende të panjohura dhe nuk e transportuan në spital. Më pas 58-vjeçari Leonard Tasho, ndërroi jetë në një rrugë të Tiranës. Dëshmitarët thanë se, në fillim ai kishte shenja jete, por për shkak të vonesës së ambulancës, ndërroi jetë.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në unazë, pranë kryqëzimit tek “Farmacia nr.10” ose ndryshe 200 metra larg nga QSUT-ja. Policia përmes zëdhënësit tha se, “sapo është marrë njoftimi ka shkuar patrulla që ndodhej më pranë vendngjarjes”. Siç shihet në video, aty ka mbërritur një polic i Rrugores. Disa minuta më vonë, ka mbërritur edhe ambulanca e Urgjencës së Tiranës. Denoncuesi tha se, ambulanca ka vonuar 30 minuta. Për këtë, presim të marrin edhe një reagim nga Drejtoria e Urgjencave, që u tregua e gatshme të na mundësonte oraret e lëvizjes së ambulancës sipas GPS. Jo vetëm kaq. Janë dashur edhe 30 minuta të tjera që të mbërrinte ambulanca e morgut. Policia thotë se ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë. Pra, pritet ambulanca. Ambulanca e Urgjencës pret të mbërrijë Urgjenca e Morgut, kështu i sëmuri që ndërroi jetë qendron mbi 1 orë në rrugë.
Mësohet se 58-vjeçari vuante nga zemra dhe dyshohet se një atak i ka marrë jetën. Ky rast është denoncuar nga qytetarët që kanë parë skenën. Kjo nuk është hera e parë që ambulanca denoncohet për vonesa. Kjo, gjithashtu nuk është hera e parë që mungesa e koordinimit e ka bërë jo funksional sistemin e ndihmës së shpejtë në vendin tonë.
Ajo ç’ka vihet re në të tilla raste, është se institucionet thjesht kërkojnë të shfajësohen duke ia hedhur fajin njëra-tjetrës. Asnjë masë nuk merret, për pasojë qytetarët humbin jetën edhe kur ndodhen vetëm 200 metra larg spitalit.
Vdes i sëmuri, 40 minuta i shtrirë në rrugë, nuk iu dha asnjë ndihmë
Prokuroria: Nën hetim motra e Lul Berishës, pastroi miliona dollarë
Prej një viti, Luljeta Berisha, motra e ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, është duke u hetuar për akuzën e pastrimit të parave. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, Luljeta Berisha, dyshohet të ketë pastruar miliona dollarë.
Fakti më interesant që kanë zbuluar deri më tani prokurorët në kuadër të këtij hetimi, është fakti se Luljeta Berisha, rezulton të ketë marrë borxh një shumë të konsiderueshme parash, nga biznesmeni Ylvi Beqja. Ky i fundit, prej muajsh mban statusin e të penduarit të drejtësisë, pasi ka pranuar të dëshmojë kundër Emiliano Shullazit dhe miqve të tij, të cilët i akuzon se i zhvatën shuma të mëdha parash nën presion fizik e psikologjik.
Ylvi Beqja, është thirrur nga Prokuroria e Durrësit, për t’u pyetur lidhur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por ende nuk janë marrë deklarimet e tij, për shkak të statusit që gëzon, statusin e dëshmitarit të mbrojtur, në çështjen e gjobëvënieve nga Shullazi dhe banda e tij që po hetohet nga Krimet e Rënda.
Ndërkohë, për të vërtetuar dyshimet e ngritura se personi nën hetim Luljeta Berisha e ka kryer veprën penale të pastrimit të parave, Prokuroria e Durrësit, ka nisur në drejtim të disa shteteve letër porosi, duke kërkuar informacion lidhur me llogaritë apo pronat që ajo dhe të afërm të saj zotërojnë. Nga verifikimet e para rezulton se Luljeta Berisha, nuk e justifikon me burime të ligjshme pasurinë që zotëron, për shkak se për periudha të gjata ka qenë e papunë dhe pa asnjë të ardhur financiare. Ky hetim i ri i hapur ndaj motrës së Lulzim Berishës, duket se do të verë sërish në qendër të vëmendjes familjen e tyre.
Pak javë më parë, emri i ish-kreut të bandës së Durrësit u lakua mjaft pas lirimit me kusht nga Gjykata e Apelit Durrës. Për lirimin e tij, është akuzuar dhe dërguar prapa hekurave, drejtori i Burgut të Durrësit, Astrit Kotaj, ndërsa kërkohet juristi Teodor Labi. Çështja hetohet nga Prokuroria e Tiranës, pasi nën hetim janë vënë dhe gjykatësit që dyshohen se favorizuan Lulzim Berishën për të përfituar lirinë me kusht.
Zyrtarët amerikanë: Jo “ndalim” por “pezullim”
Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare u doli në mbrojtje masave për zbatimin e urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump që kufizon emigracionin, duke thënë se “nuk mund të luajmë me jetën e amerikanëve”.
“Nuk është fjala për një ndalim udhëtimesh, por për një pezullim të përkohshëm që na lejon të shqyrtojmë rastet e refugjatëve ekzistues dhe sistemin e verifikimit të vizave”, tha sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, John Kelly.
Ai tha se urdhri i ri ka për qëllim mbajtjen e terroristëve jashtë vendit, por theksoi se nuk është fjala për ndalim të myslimanëve.
Zyrtarët thonë se megjithë urdhrin, në SHBA do të pranohen 872 refugjatë për shkaqe humanitare.
Shkarkimi i Prokurores së Përgjithshme në detyrë dhe reagimet
Disa orë pasi Presidenti Donald Trump shkarkoi Prokuroren e Përgjithshme në detyrë, Sally Yates, e cila refuzoi të mbështesë urdhrin e tij kufizues ndaj emigracionit, zëvendësuesi i saj urdhëroi stafin e Departamentit të Drejtësisë “të mbrojnë urdhrat e ligjshme të presidentit tonë”.
Presidenti Trump caktoi zotin Dana Boente në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, derisa Senati të konfirmojë të emëruarin për këtë post, senatorin Jeff Sessions. Komisioni i Senatit për Gjyqësorin voton sot dhe pritet që brenda kësaj jave të bëhet konfirmimi nëpërmjet votimit në seancë plenare.
Dje, zonja Yates, e cila ishte emëruar nga Presidenti Barack Obama, kishte komunikuar me shkrim me punonjësit e Departamentit të Drejtësisë, të cilëve u tha se nuk ishte e bindur për ligjshmërinë e mbrojtjes së urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump.
Zonja Yates shprehej se: “Përgjegjësia ime është të sigurohem që pozicioni i Departamentit të Drejtësisë të jetë jo vetëm i mbrojtshëm ligjërisht, por edhe se është i bazuar tek pikëpamja jonë se çfarë përfaqëson ligji, pasi kemi marrë në konsideratë të gjitha faktet. Gjithashtu, unë kam përgjegjësinë të sigurohem që të gjitha pozicionet që ne mbajmë në gjykata të jenë në përputhje me detyrimin solemn të institucionit për drejtësi”.
Shtëpia e Bardhë kritikoi menjëherë zonjën Yates në një deklaratë, ku njoftohej gjithashtu edhe shkarkimi i saj, dhe ku thuhej se ajo “tradhtoi Departamentin e Drejtësisë duke refuzuar të zbatonte një urdhër të ligjshëm që synon mbrojtjen e shtetasve të SHBA-së”.
Deklarata e zyrës së sekretarit të shtypit qartëson se urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump ishte miratuar “për nga forma dhe ligjshmëria” nga Zyra e Këshilltarit Ligjor, të Departamentit të Drejtësisë.
Zonja Yates shprehej në udhëzimin e saj se opinioni i kësaj zyre nuk merr parasysh mendimet e shprehura nga zyrtarë të tjerë të administratës, puna e të cilëve mund të lidhet me tematikën e urdhrit ekzekutiv dhe nuk gjykon nëse politika në fjalë është “e duhur apo e drejtë”.
Urdhri ekzekutiv, burim debatesh
Urdhri ekzekutiv, i nënshkruar javës së kaluar, pezullon për 120 ditë hyrjen në Shtetet e Bashkuara të të gjithë refugjatëve, si dhe përjashton pa afat refugjatët sirianë. Urdhri gjithashtu bllokon për 3 muaj hyrjen në SHBA, të personave nga Iraku, Irani, Libia, Siria, Sudani, Jemeni dhe Somalia.
Shtëpia e Bardhë e mbrojti sërish urdhrin duke thënë se “kontrolli më i rreptë për individët që vijnë nga shtatë vende të rrezikshme, nuk është masë ekstreme”.
Zoti Trump propozoi rreth një vit më parë një ndalim hyrjeje në SHBA për të gjithë myslimanët, deklaratë të cilën e ndryshoi duke u shprehur për “kontroll ekstrem” të personave nga vende të lidhura me terrorizmin.
Vendimi i Presidentit për shkarkimin e zonjës Yates u kundërshtua nga shumë anëtarë demokratë të Kongresit, ndër ta edhe kreu i demokratëve Steny Hoyer, i cili e quajti vendimin “alarmues”.
Zoti Hoyer u shpreh se: “Populli amerikan duhet të vrasë mendjen nëse Presidenti Trump thjesht synon të shkarkojë këdo që e kundërshton dhe shpresoj që kolegët e mi republikanë të ngrenë zërin për këtë çështje”.
Senatori Chuck Schumer, i cili e quajti kufizimin ndaj emigrantëve si “antiamerikan”, shkruajti në Twitter se “prokurori i Përgjithshëm betohet për besnikëri ndaj ligjit dhe Kushtetutës, dhe jo ndaj Shtëpisë së Bardhë. Është drithërues fakti që kjo administratë nuk e kupton këtë gjë”.
Një nga rivalët e zotit Trump gjatë garës në Partinë Republikane, senatori Ted Cruz, mbrojti me forcë vendimin për shkarkimin e zonjës Yates, duke e përshkruar veprimin e saj si gjestin e fundit të Departamentit të Drejtësisë të zotit Obama.
Zoti Cruz tha se: “Presidenti Trump me shumë të drejtë shkarkoi një prokurore të Përgjithshme në detyrë, e cila refuzoi të kryejë detyrën e saj kushtetuese në mbrojtje të ligjit”.
Senatori Dick Durbin, anëtar i komisionit që voton për emërimin e zotit Sessions, tha se nëse reagimi i zotit Trump ndaj zonjës Yates përfaqëson mënyrën se si ai përballet me jodakordësinë, ky “është një drejtim i rrezikshëm për Amerikën”.
Zoti Sessions ka qenë vetë anëtar i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin në vitin 2015, kur zonja Yates iu nënshtrua procesit të konfirmimit për postin e zëvendësprokurores së Përgjithshme në administratën Obama.
Gjatës asaj seance dëgjimore, ai pati pyetur zonjën Yates: “Nëse pikëpamjet që dëshiron të zbatojë Presidenti janë të paligjshme, a duhet të thonë ‘jo’ kryeprokurori dhe zëvendëskryeprokurori?”.
Zonja Yates i ishte përgjigjur: “Senator, unë besoj se kryeprokurori dhe zëvendëskryeprokurori kanë detyrimin të ndjekin ligjin dhe Kushtetutën, dhe t’i japin këshilla të pavarura ligjore Presidentit”.
Shqetësime të ish-zyrtarëve
Kundërshtitë ndaj urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump po vijnë edhe nga ish-zyrtarë, si një grup prej mbi 130 personash që kanë shërbyer nën presidentët Obama dhe George W. Bush. Ata i drejtuan një letër dje krerëve të Departamentit të Drejtësisë, Departmentit të Shtetit dhe Departamentit të Sigurisë, ku shprehin “shqetësim të thellë” për urdhrin, për të cilin thonë se “do të shkaktojë dëm afatgjatë për sigurinë tonë kombëtare”.
Letra thotë se partnerët kundërterrorizmit në Evropë po distancohen nga SHBA-ja, duke zhbërë kështu vite përpjekjesh afrimi.
Ish-zyrtarët gjithashtu thonë se: “Për shkak se urdhri diskriminon udhëtarët dhe emigrantët myslimanë, i ka dërguar tashmë mesazhin e gabuar komunitetit mysliman në SHBA dhe në mbarë botën – se qeveria amerikane po i lufton për shkak të besimit të tyre”.
Ish-zyrtarët mirëpritën sqarimin se rezidentëve të ligjshëm nuk do t’u ndalohet hyrja në SHBA, por bëjnë thirrje që të punohet “për të lejuar edhe segmente të tjera njerëzish që të hyjnë në vend”.
Ndër firmëtarët e letrës janë ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, ish-sekretarja e Sigurisë, Janet Napolitano, ish-këshilltarja e Sigurisë Kombëtare, Susan Rice dhe ish-drejtori i CIA-s, Michael Hayden.
Persona të deportueshëm?
Sipas agjencive të lajmeve “Associated Press” dhe “Vox”, një ndër projekturdhrat që Presidenti Trump po shqyrton, do të urdhëronte Departamentin e Sigurisë të klasifikonte si persona të deportueshëm emigrantët e ligjshëm që përfitojnë nga fonde publike bazuar mbi nevoja financiare. Drafti gjithashtu kërkon të bëjë përgjegjës për rimbursim personat që kanë sponsorizuar emigrantët që në vijim kanë përfituar nga fonde publike.
Agjencitë i kanë drejtuar pyetje Shtëpisë së Bardhë për këtë draft, por nuk kanë marrë përgjigje.
Ditën e djeshme, Presidenti Trump emëroi zotin Thomas Homan, drejtor në detyrë të Agjencisë së Emigracionit dhe Mbrojtjes së Kufijve, në vend Dan Ragsdale, që do të rimarrë detyrën e zëvendësdrejtorit.
A do të zbuten marrëdhëniet SHBA-Rusi
Rusët përgjithësisht e kanë përshëndetur ardhjen e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, me shpresën se kjo do të hapë një epokë të re në përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Gjykuar nga reagimet e kësaj jave, biseda e parë telefonike mes presidentëve Trump dhe Putin të shtunën nuk i ka pakësuar aspak këto pritshmëri.
Në programin e përjavshëm “Vjesti Njedjeli”, prezantuesi Dmitry Kisjeljev e quajti bisedën 45-minutëshe “thirrjen telefonike më të shumëpritur në botë”.
“Donald Trump po përmbush premtimet e tij elektorale duke lënë pas trashëgiminë e pavlerë të Obamës”, tha Kisjeljev gjatë emisionit të tij.
Zyrtarët e Kremlinit janë treguar më të kujdesshëm në komentet e tyre.
Të hënën, zëdhënësi i presidencës Dmitry Peskov e quajti bisedën “konstruktive” dhe tha se dy burrat shfaqën një dëshirë për të zgjidhur “çështjet komplekse përmes dialogut”.
Peskov tha se një bashkëpunim i tillë nuk ishte i mundur në administratën Obama, me të cilën Kremlini pati mosmarrëveshje të ashpra lidhur me aneksimin e Krimesë, mbështetjen ushtarake për udhëheqësin sirian Bashar al-Asad dhe akuzat për ndërhyrje të Moskës në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Në të vërtetë, pas bisedës telefonike, në deklaratat si nga Kremlini edhe nga Shtëpia e Bardhë u theksua dëshira për të gjetur gjuhën e përbashkët.
Zbutje e sanksioneve?
Kremlini tha se udhëheqësit shprehën interesim për bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik, si dhe në çështjet që kanë të bëjnë me konfliktin izraelito-palestinez, marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut. Nuk pati shenja se dy presidentët diskutuan mbi akuzat se Rusia u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet amerikane.
Ata nuk biseduan mesa duket as mbi sanksionet perëndimore rreth veprimeve të Rusisë në Ukrainë, edhe pse toni i bisedës ngjalli hamendje se sanksionet mund të zbuten shpejt.
Aleatë kryesorë evropianë – në përputhje me politikat e ish-administratës Obama – kanë propozuar heqjen pjesërisht të sanksioneve, vetëm nëse Moska plotëson detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Paqes të Minskut, që synojnë dhënien fund të luftimeve në lindje të Ukrainës mes forcave qeveritare të Kievit dhe separatistëve pro rusë.
Presidenti Trump ka lënë të kuptohet se mund të heqë sanksionet në këmbim të një pakësimi në arsenalin bërthamor të Rusisë apo të një angazhimi për të luftuar Shtetin Islamik.
Azerbajxhan, vriten katër terroristë të dyshuar
Forcat e sigurisë së Azerbajxhanit i kanë vrarë katër pjesëtarë të dyshuar të një grupi terrorist, ka njoftuar shërbimi shtetëror i sigurisë i këtij vendi.
Ky shërbim tha se ata ishin vrarë nga të shtënat gjatë operacionit special të djeshëm, që ishte ndërmarrë pasi të dyshuarit kishin hapur zjarr kundër forcave të policisë.
Sipas shërbimit të sigurisë shtetëtore, të dyshuarit ishin të ndërlidhur me një grup të paspecifikuar religjioz ekstremist të jashtëm, i cili kishte planifikuar një varg të sulmeve terroriste në territorin e Azerbajxhanit.
Në njoftim nuk është thënë saktësisht se ku ishte kryer ky operacion.
Të majtët e BE-së e shpallin Amerikën armike
Negociatori kryesor i Brexit për Bashkimin Europian, Guy Verhofstadt tha për “Reuters” se, Donald Trump është pjesë e një përpjekjeje trepalëshe për të dëmtuar Bashkimin Europian. Dy kërcënimet e tjera burojnë nga islami i radikalizuar dhe nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili sipas Verhofstadt është duke luftuar edhe kundër zhvillimit të projektit të Bashkimit Europian.
“Për momentin kemi një front të tretë që po dëmton Bashkimin Europian dhe ky është Donald Trump”, tha Verhofstadt gjatë një fjalimi në “Chatham House”. “Trump ka folur publikisht se e favorizon idenë se vende të tjera europiane mund të shkëputen nga Bashkimi Europian dhe ka thënë se shpreson për shpërbërjen e Bashkimit Europian”.
Verhofstadt ka shërbyer për nëntë vite si kryeministër i Belgjikës dhe në Parlamentin Europian që në vitin 2009. Ai ka thënë se Bashkimi Europian ka probleme të rënda, duke iu referuar atyre si “polikriza”, megjithatë është shprehur se zgjidhja e këtyre problemeve është bashkëpunimi i mëtejshëm ndërmjet shteteve.
“Shpërbërja e Bashkimit Europian do të ishte katastrofike, jo vetëm për Europën, por edhe për aleatët tanë nëpër botë, mendoj unë”. Komentet e tij reflektojnë se sa të çorientuar janë vërtet politikanët e Bashkimit Europian, pasi nuk pranojnë kurrë asnjë faj për çdo politikë të tyre që mund të kenë natyrë diktatoriale dhe janë përpjekur që në fillim ta federalizojnë Europën duke e mohuar gjatë gjithë kohës se ky ishte qëllimi i tyre.
Verhofstadt ka thënë për “Reuters” se, përveç presidentit amerikan Donald Trump, dy kërcënimet e tjera ishin islami i radikalizuar, ndaj të cilit vendosën vetë të hapnin dyert e kufijtë dhe ta prisnin me krahë hapur, si dhe presidenti rus Vladimir Putin, i cili në fakt para pak kohësh ka thënë se Europa duhet të qëndrojë e bashkuar. Putini madje ka paralajmëruar se Bashkimi Europian nuk ka për të qenë një aktor global nëse nuk qëndron i bashkuar.
Verhofstadt pretendon në fakt se të tre palët janë duke punuar kundër progresit të projektit të Bashkimit Europian. Bashkimi Europian është i destinuar të shkatërrohet në rast se politikanët nuk vendosin të adresojnë politikat e tyre antidemokratike që janë duke i mbyllur dyert e progresit. Ishin Shtetet e Bashkuara që inkurajuan formimin e euros, por jo dorëzimin e plotë të sovranitetit të të gjithë vendeve anëtare në Bruksel.
Ky është problemi i vërtetë. Bashkimi Europian vazhdon me kokëfortësi të fajësojë këdo tjetër përveç vetes për dështimet e tij. Kjo do të thotë se janë të paaftë për të parandaluar kolapsin e plotë duke qenë se këmbëngulin ta mohojnë problemin. Ata kanë implementuar me qëllim një sistem në të cilin populli europian nuk mund të votojë të ndryshojë asnjë politikan duke qenë se ata nuk dalin në zgjedhje.
Mario Draghi ka qenë në krye të Bankës Qendrore Europiane që në vitin 2008 dhe ka dështuar për tetë vite me radhë. Megjithatë, asnjë europian nuk ka mundësi ta shporrë atë përmes kutisë së votimit. Kjo do të thotë se e vetmja mënyrë për të sjellë ndryshim në një vend është që të dalë nga Bashkimi Europian. Verhofstadt nuk ia mbush dot mendjen vetes të dalë përpara pasqyrës. Të gjithë paralajmëruan se kjo do të ishte e ardhmja e Bashkimit Europian që në vitin 1996, pasi po krijohej me dëshirën për ta federalizuar Europën, edhe pse politikanët e mohonin këtë qëllim.
Të gjithë paralajmëruan për ngritjen dhe rënien e euros që në vitin 2001. Paralajmëruan euro do të dështonte dhe ofruan modelin hamiltonian si përgjigje për të shpëtuar Europën. Komiteti i themelimit të euros mori pjesë në Konferencën Ekonomike Botërore në Londër, por këshillat e ekspertëve janë futur në një vesh dhe kanë dalë nga tjetri.
Është më e lehtë të fajësosh të tjerët se sa të pranosh gabimet e tua. Ndërkohë, politikanët europianë janë tërësisht të çorientuar dhe mendojnë se mund të fitojnë një betejë tregtie kundër Shteteve të Bashkuara për shkak të ekonomisë së fortë europiane. Mesa duket politikanët europianë vazhdojnë të jetojnë në një botë fantastike, aspak të lidhur me realitetin.
Krisja e parë mes Europës dhe Trumpit
Reagimet nga Europa pas urdhrit presidencial për ndalimin e udhëtimit të udhëtarëve nga 7 vende myslimane janë kritike. Por jo të gjitha vendet anëtare shprehen kundër Donald Trump. Rreth 300 vetë demonstruan kundër Donald Trump pranë bursës së Brukselit. Ndërsa tri kilometra më tutje e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, nuk u përmbajt shumë nga ana diplomatike. Për presidentin, Donald Trump ajo kishte këtë këshillë: “Kush ngre rreth vetes mure, gjendet një ditë vetë në burg”. Pas takimit me ministrin e Jashtëm norvegjez, Börge Brende ajo u shpreh lidhur me ndalimin e hyrjes në SHBA për udhëtarët nga 7 vende kryesisht me popullsi myslimane se “kjo nuk është rruga europiane”. Më tej ajo shtoi se, “BE beson në një sistem normash dhe rregullash ndërkombëtare. Historia e Europës ka treguar se izolimi dhe distancimi janë përgjigje të gabuara. “Ne festojmë kur rrëzohen muret dhe ngrihen ura”, tha ajo.
Juncker: Mes kthimit pas dhe së ardhmes
Më parë zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Shinas ishte shprehur se, KE është në kontakt me kolegët dhe partnerët në Uashington, për të sqaruar, nëse dhe se si preken nga ky dekret i ri qytetarët europianë. Ende nuk dihet, se si do të veprohet në aeroportet amerikane me qytetarë europianë, të cilët kanë dy pasaporta dhe njëra prej tyre është e 7 vendeve që ndodhen në listën e Trumpit. Në faqen e Facebook-ut të ambasadës amerikane në Berlin u publikua një shënim, në të cilin thuhet, se edhe personat me nënshtetësi të dyfishtë do të preken nga ndalimi i përkohshëm i hyrjes në SHBA. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Berlin tha se kjo mund të prekë mijëra qytetarë gjermanë.
Zëdhënësi, Margaritis Schinas, i cili flet në emër të presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker nuk donte ta komentonte politikisht dekretin. Ai iu referua një artikulli që Juncker publikoi në fundjavë në gazetën gjermane “Die Welt” ku ai shkruan se tani “kemi zgjedhjen mes izolimit, pabarazisë, egoizmave kombëtarë dhe hapjes ndaj botës, drejtësisë sociale dhe unitetit, kemi zgjedhjen mes kthimit pas dhe të ardhmes, mes mendjengushtësisë dhe Europës”.
Ndërkohë nga KE nuk ka plane për ndalimin e vizitës së presidentit amerikan në Bruksel përmes një peticioni, ndërkohë që në Britaninë e Madhe në një peticion online janë mbledhur qindra mijëra firma për të penguar vizitën e presidentit amerikan. Kryeministrja britanike, Theresa May megjithatë është shprehur, se vizita do të zhvillohet, Trump është i ftuar dhe se ai ka premtuar ardhjen në Londër.
“Lidhja speciale” SHBA-Britani e Madhe dhe reagimet nga Lindja
Qeveria britanike thekson me dëshirë “lidhjen e veçantë” me SHBA. Sipas ministrit të Jashtëm, Boris Johnson ai ia ka dalë mbanë, që të bëhet një përjashtim për qytetarët britanikë, të cilët zotërojnë një pasaportë nga shtatë vendet e përjashtuara nga hyrja në SHBA, si Siria, Iraku, Irani, Somalia, Jemeni, Libia dhe Sudani. Dy ministra të Jashtëm europianë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault dhe ai gjerman Sigmar Gabriel shprehën shqetësimin për “urdhrin ekzekutiv”. “Tani kemi nevojë për qartësi, unitet dhe në rast nevoje edhe fuqinë për të mbrojtur vlerat tona, vizionin tonë për botën dhe interesat franceze, gjermane dhe europiane”, thanë Ayrault dhe Gabriel në Paris.
Por reagimet e BE-së nuk janë të unifikuara. Presidenti çek, Milos Zeman lëshoi një deklaratë, ku ai thotë, se presidenti Trump mbron vendin e tij. “Ai është i shqetësuar për sigurinë e qytetarëve të tij. Pikërisht këtë nuk e bëjnë elitat në BE”. Edhe ministri i Jashtëm polak, Witold Waszczykowski nuk donte ta kritikonte ndalimin e udhëtimit, duke theksuar se çdo shtet lejohet t’i vendosë vetë rregullat për imigrimin. Polonia aktualisht refuzon pranimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve, sipas një vendimi të BE-së për shpërndarjen e refugjatëve nga Greqia dhe Italia.
Trump emëron juristin Neil Gorsuch për Gjykatën e Lartë
Presidenti Donald Trump emëroi të martën mbrëma gjyqtarin e Kolorados Neil Gorsuch si kandidatin e tij për anëtar të Gjykatës së Lartë.
Gorsuch, 49 vjeç, i lindur në Kolorado, u emërua në vitin 2006 në Qarkun e 10 të Gjykatës së Apeleve nga ish-Presidenti George W. Bush.
Gjykata e Lartë e SHBA me nëntë anëtarë ka një vend bosh që nga vdekja vitin e kaluar të anëtarit të saj Antonin Scalia, një gjyqtar i njohur konservator që shërbente aty prej 30 vjetësh.
Vitin e kaluar, ish-Presidenti Barack Obama emëroi gjyqtarin e apeleve Merrick Garland për të plotësuar vendin vakant në Gjykatën e Lartë. Por Senati i kontrolluar nga republikanët nuk pranoi ta shqyrtonte kandidaturën, duke thënë se donte që emërimi të vinte nga presidenti i ardhshëm.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha të martën se i emëruari i Presidentit Trump do t’i linte të kënaqur votuesit.
“Mund t’ju siguroj se ky person do t’i bëjë shumë, shumë krenarë ata votues, si dhe çdo amerikan”, tha Spicer.
Ai shtoi se presidenti e ka marrë shumë seriozisht procesin e përzgjedhjes. “Ai e di se kjo do të ndikojë mbi gjykatat dhe mbi jurisprudencën e vendit tonë për brezat që do të vijnë”, tha ai.
Disa demokratë reaguan menjëherë pas njoftimit të bërë nga Presidenti Trump. Në komentet për rrjetin “CNN”, kryetarja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi e quajti emërimin e gjyqtarit Gorsuch “tepër armiqësor” dhe “larg rrymës kryesore”.
Gjykata e Lartë është e ndarë mes katër konservatorëve dhe katër liberalëve, prandaj përzgjedhja e bërë nga zoti Trump mund të rivendosë mbizotërimin e konservatorëve.
Nëse konfirmohet nga Senati, Gorsuch do të ketë rast të ndikojë në Gjykatën e Lartë për çështje të tilla të debatueshme si aborti, të drejtat fetare, të drejtat e personave ndërgjinorë, dënimi me vdekje dhe kontrolli i armëve të zjarrit.
Gjykatësi Gorsuch
Gorsuch është diplomuar nga Universiteti i Columbia-s, më pas ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Harvard-it dhe studimet i ka vazhduar më tej në Universitetin e Oxfordit. I diplomuar për drejtësi ai ka shërbyer si ndihmës i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Byron White dhe Anthony Kennedy.
Gorsuch ka pasion sportet në natyrë, gjuetinë, peshkimin dhe skitë, që janë të përhapura në shtetin e tij të Kolorados.
Ai është admirues i ish-gjykatësit Scalia, të cilin gjatë një fjalimi vitin e kaluar e ka cilësuar si “kalorës të drejtësisë”.
Sipas shkrimeve të portalit “SCOTUSblog”, që analizon Gjykatën e Lartë përmes shkrimeve të avokatëve, profesorëve të drejtësisë dhe studentëve të drejtësisë, ekziston një ngjashmëri e madhe mes gjykatësve Gorsuch dhe Scalia.
“Vlerësimi më i madh që i bëhet shkrimeve ligjore të gjykatësit Gorsuch është krahasimi me ato të gjykatësit Scalia: opinionet ligjore të gjykatësit Gorsuch janë të qarta dhe të këndshme për t’u lexuar; ato janë të drejtpërdrejta dhe shpjegojnë qartë mendimin dhe arsyen e vendimeve të tij”, shkruhet në portalin “SCOTUSblog”.
“Ashtu si Scalia, Gorsuch duket se ka angazhime juridike dhe gjyqësore që dallojnë nga preferencat e tij personale dhe që e motivojnë procesin e tij vendimmarrës”, shkruhet në një prej analizave.
Pasues i natyrshëm
Gjykatësi Gorsuch duket se është pasuesi më i natyrshëm i gjykatësit Scalia, përsa i përket stilit juridik dhe qasjes ndaj problemeve.
Profesori i drejtësisë Justin Marceau, shkruan se gjykatësi Gorsuch është “konservator për çështjet sociale, i cili favorizon pushtetin lokal ndaj atij federal”, sipas një shkrimi në gazetën “The Denver Post” në dhjetor 2016.
Gjykatësi Gorsuch nuk ka marrë ndonjë vendim për abortin, por në vitin 2013 ai u bë pjesë e një opinioni, i cili theksonte se kompanitë private mund ta kundërshtojnë mbi baza fetare klauzolën e shërbimit shëndetësor të presidentit Obama, i cili i detyron punëdhënësit të ofrojnë mbulim për ilaçet kontraceptive për gratë.
Ai po ashtu ka shkruar një ese ligjore: “E ardhmja e vdekjes me asistencë, një opinion ligjor dhe etik”, duke u shprehur kundër legalizimit të saj.
Konservatorët shpresojnë se Gjykata e Lartë do të mbështesë kufizimet ndaj abortit të miratuara nga disa shtete ku dominojnë republikanët.
E ëma e zotit Gorsuch, Anne Gorsuch Burford, u emërua nga ish-presidenti Ronald Reagan si gruaja e parë në krye të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit.
Ai jeton në afërsi të qytetit Boulder, në shtetin Colorado, me gruan Louise dhe dy vajzat.
Që nga vdekja e gjyqtarit Scalia, Gjykata e Lartë u është shmangur disa çështjeve të debatueshme të këtij lloji.
Lojtarët pa kontratë, ja emrat që spikasin
Me mbylljen e merkatos së janarit, shumë skuadra mund të projektojnë goditjet për verën e ardhshme, kjo edhe për faktin se nga tani e tutje mund të firmosin me emra të rëndësishëm që janë në skadencë kontrate dhe mund të afrohen me paremetër zero. Nga Zlatan Ibrahimoviç te Yaya Toure e Fernando Torres, për të vijuar me Daniele De Rossin, Jesus Navas e Santi Cazorlan. Të gjithë këta lojtarë, por edhe shumë të tjerë janë të lirë të zgjedhin se ku do ta vazhdojnë karrierën, sepse u lejohet nga FIFA që në këto 6 muaj të zgjedhin klubet e tyre të ardhshme. Emri me më shumë peshë në këtë listë është ai i Zlatan Ibrahimoviç, por vështirë se sulmuesi suedez do të largohet nga Manchester United, pasi Ibra po bisedon me drejtuesit e Djajëve të Kuq dhe është shumë pranë rinovimit edhe për dy vite të tjera me klubin nga “Old Trafford”. Yaya Toure është një tjetër superlojtar që është në skadencë kontrate dhe mbetet për t’u parë se ku do ta vijojë karrierën shtatlarti nga Bregu i Fildishtë.
Aktualisht është 35 vjeç, por Xabi Alonso, mbetet gjithmonë një emër sugjestionues dhe gjasat janë që ai të mos rinovojë më me Bayern-in kështu që është një opsion i mirë në merkato për çdo skuadër, ashtu si edhe Fernando Torres, i cili në qershor do t’i japë lamtumirën Atleticos së Madridit për ta vazhduar karrierën diku gjetkë. Daniele De Rossi, mesfushori i kombëtares italiane me shumë gjasa do të largohet nga Roma, pasi klubi verdhekuq nuk i ka ofruar rinovimin e kontratës dhe që nga ky moment klubet e Major League Soccer mund të lëvizin për të. Jesus Navas është një tjetër lojtar që mund tu hyjë në punë shumë klubeve, ashtu si dy lojtarë të tjerë të Manchester City-it, si Pablo Zabaleta dhe Gael Clichy, që gjithashtu janë në skadencë kontrate. Afellay, Cerci dhe dyshja e Schalke 04, Choupo Moting dhe Huntelaar, bëjnë gjithashtu pjesë në këtë listë dhe duke qenë se mund të afrohen me kosto zero, shumë klube kanë nisur të shfaqin interes për ta.
Marko Reus nuk do të largohet nga Borussia Dortmund. Ai që e konfirmon lajmin është Drejtori Sportiv i klubit gjerman, Michael Zorc, duke shuar zërat që e shihnin futbollistin në Premier League angleze tek skuadra e Arsenalit. Sipas medias gjermane, “topçinjtë” e Londrës e kishin vënë në shënjestër Reus me të cilin synonin të zëvendësonin Alexis Sanchez, duke parë ngurrimin e kilianit për të rinovuar dhe për këtë arsye ishin gati të shpenzonin 60 milionë euro për të. Por Zorc e bëri të qartë se asgjë nga sa është publikuar së fundmi në lidhje me të ardhmen e Reus nuk është e vërtetë. “Nuk do të humbas kohë me përgënjeshtrimin e lajmeve të pabaza”, tha Zorc për të përditshmen “Bild”. “Nuk di asgjë në lidhje me një largim të mundshëm të Reus”.
Marko Reus u bë pjesë e Borussia Dortmund në verën e vitit 2012, kur u transferua nga Monchengladbach. Që nga ai moment, ai ka qenë një futbollist i rëndësishëm për verdhezinjtë dhe një idhull për tifozët në “Signal Iduna Park”. Kontrata aktuale e Reus me Borussia Dortmund skadon në verën e vitit 2019.
Rekord transferimesh
Pas rekordeve të fitimeve në vitin e 12 radhazi mbi sponsorizimet dhe të drejtat televizive, Bundesliga arrin një tjetër finish të pashënuar më parë. Ekipet gjermane të futbollit tejkaluan rekordin e shpenzimeve në merkaton dimërore, duke shkuar mbi 100 milionë euro blerje, një pjesë të mirë të të cilëve ishin për baste ende të pafituar si të rinjtë, Leon Bailey dhe Alexander Isak.
Asnjëherë në Bundesligë nuk janë shpenzuar kaq shumë gjatë një merkato dimërore, duke vendosur një rekord të ri në fund të periudhës së transfertave deri më 31 janar. Rekordi i mëparshëm i transfertave dimërore në kampionatin e Gjermanisë ishte mbi 65 milionë euro, vendosur në sezonin 2014-2015 nga 18 klube të elitës. Këtë të martë, disa orë pas mbylljes së merkatos, u konfirmua shifra e 100 milionë eurove, sipas agjencisë sportive SID.
Disa nga transfertat kryesore janë: xhamajkani Leon Bailey 12 milionë, nga Genk te Leverkusen, suedezi Alexander Isak 10 milionë nga AIK te Dortmund dhe francezi Upamecano 10 milionë nga Salzbourg në Lajpcig. Volfsburg është skuadra që ka shpenzuar më shumë me 33 milionë euro për të shpëtuar sezonin katastrofik. Si për ironi, Bajerni kampion në fuqi nuk ka bërë asnjë përforcim këtë muaj.
Klubet e futbollit zakonisht ndërhyjnë në merkaton e janarit për të plotësuar më mirë skuadrën dhe jo për të bërë blerje me një kosto të lartë. Por në Francë duket se ka ndodhur e kundërta, me Paris Saint Germain, Marseille e Lion që u shfaqën shumë aktive. Në total skuadrat e Ligue 1 shpenzuan në merkaton e janarit 164.5 milionë euro, shifër që nuk është parë ndonjëherë në vendin transalpin në këtë periudhë.
Padyshim, skuadra kampione në këtë pikë është Paris Saint Germain. Skuadra pariziene gjatë këtyre ditëve u përforcua me Julian Draxler, duke paguar për të 40 milionë euro dhe me portugezin Guedes për të cilin e pagoi Benfica-s plot 30 milionë euro.
Olimpique i Marseille nuk qëndroi aspak duarkryq nën drejtimin e pronarit të ri, amerikanit Mccourt skuadra e Rudy Garcias i shtoi radhët e saj me Patrice Evra, i marrë me parametra zero nga Juventus, Dimitry Payet për të cilin u shpenzuan 30 mln euro dhe Sanson për të cilin derdhi në arkat e Monpellier 9 milionë euro. Lioni, që kaloi 20% të kapitalit të tij te biznesmenët kinezë u kundërpërgjigjën me Memphis Depay, pasi i pagoi Manchester United 18 milionë euro.