7.5 C
Tirana
E hënë, 26 Maj, 2025

Sulm mbi një xhami në Kanada, gjashtë të vrarë

Persona të armatosur sulmuan një xhami në Quebec të Kanadasë duke vrarë gjashtë veta dhe plagosur tetë të tjerë.
Një zëdhënëse e policisë tha se dy veta janë arrestuar, por nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth identitetit apo motiveve të tyre.
Kryetari i Qendrës Kulturore Islamike në Quebec, tha se njerëzit ishin mbledhur për lutjet e mbrëmjes në kohën kur ndodhi sulmi. Sipas policisë aty ishin 53 veta.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, e dënoi ngjarjen si “sulm terrorist mbi myslimanët”, duke nënvizuar se vendi i tij vlerëson diversitetin dhe tolerancën fetare.
“Myslimanët kanadezë janë pjesë e rëndësishme e strukturës sonë kombëtare dhe aktet e tilla të pakuptimta nuk kanë vend në komunitetet tona, qytetet dhe vendin tonë”, tha kryeministri Trudeau.
Në qershor të vitit 2016 një kokë derri ishte lënë në dyert e së njëjtës xhami.
Pas sulmit të së shtunës, kryetari i New Yorkut, Bill de Blasio, tha se departamenti i policisë së qytetit po ofron masa të shtuara mbrojtëse për xhamitë në qytet.
“Bashkëqytetarët e mi njujorkezë që janë myslimanë: qyteti i New Yorkut do t’ju mbrojë. Departamenti i Policisë së New Yorkut do t’ju mbrojë. Ne do të luftojmë urrejtjen dhe paragjykimet”, shkroi ai në Twitter.

30 ditë kohë Pentagonit për planin antiISIS

Presidenti amerikan, Donald Trump nënshkroi tri urdhra të tjerë ekzekutivë dje, përfshirë një plan për të mposhtur Shtetin Islamik, një riorganizim të Këshillit Kombëtar të Sigurimit dhe zgjatjen edhe për tre vjet të ndalimit për të lobuar për zyrtarët e administratës. Zoti Trump i nënshkroi urdhrat e fundit ekzekutivë në Zyrën Ovale, me pjesëmarrjen e këshilltarëve të tij. Plani për të luftuar ISIS-in i jep Shtabit të Përgjithshëm 30 ditë kohë për të dalë me një plan për të luftuar Shtetin Islamik.

Mali i Zi në NATO

Podgorica zyrtare beson se deri në qershor të këtij viti, Mali i Zi do të pranohet në NATO dhe në Samitin e këtij viti do të jetë i pranishëm si anëtar i plotë i saj. Përfaqësuesit e NATO-s dhe diplomatët e huaj, shprehin kënaqësinë me dinamikën e ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Kjo, sipas tyre, tregon gatishmërinë për ta mbështetur Malin e Zi, por edhe Ballkanin në rrugën e sigurisë dhe të paqes në rajon dhe Evropë.

Gingrich: Trump do jetë presidenti “më efektiv kundër të majtës”

Newt Gingrich ka thënë se ka një “admirim të madh” për ato që presidenti Donald Trump ka arritur gjatë ditëve të tij të para në pushtet dhe amerikanët do të shohin se si Trump do të vazhdojë ta ndjekë agresivisht axhendën e tij. Ai ka thënë se çdo konservator që nuk është i shqetësuar për faktin se Trump është tepër populist duhet të mbyllë sytë dhe të imagjinojë si do të ishte situata me Hillary Clintonin si presidente.
“Asgjë që ai do të bëjë gjatë dy viteve të ardhshme nuk do të ngjasojë me asnjë ditë të Hillary Clintonit nëse do të ishte presidente”, tha Gingrich. Ai shtoi se Trump mund të rezultojë të jetë presidenti “më efektiv kundër të majtës” në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara. “Ai është kundër të majtës, kundër idiotësisë dhe është pro Amerikës”, tha Gingrich. “Cila nga këto vlera nuk e kënaq një konservator?”.
Hannity ishte dakord me të dhe tha se suksesi i Trumpit si president do të varet nga sa i aftë do të jetë të mbajë të gjitha premtimet e tij elektorale, përfshirë këtu kandidaturën “origjinale” për Gjykatën e Lartë, verifikimin ekstrem për refugjatët, sigurimin e kufijve dhe pavarësinë energjetike.

Gjermania mbetet shtylla e Europës

– Deutsche Welle: Zoti Wend, kryeministrja britanike, Theresa May po kërkon shanset për një marrëveshje të re tregtare me SHBA nën presidentin Donald Trump. A përbën kursi i ri britaniko-amerikan një rrezik për BE?
Ranier Wend: Një lidhje e veçantë mes dy vendeve ekziston prej kohësh dhe ka arsye historike. Mendoj, se nuk duhet të vështrojmë me frikë, se çfarë lidhjesh të reja po krijohen aty. Duhet të kthejmë sytë tek vetja, tek Europa, duhet të shohim gjithçka me vetëbesim. Forca jonë nuk varet nga ajo, se si sillen të tjerët, por se si ne veprojmë ndaj njëri-tjetrit.

– E saktë, por duket se ka kaq shumë probleme tani në BE. Britania e Madhe do të braktisë unionin, lëvizjet nacionaliste janë në rritje e sipër, ndoshta me sukses në Francë apo Holandë. BE është në situatën më të keqe në historinë e saj. A qëndron kjo?
Kam frikë, se këtu ka diçka të vërtetë. Po të shohësh Le Pen në Francë, Wilders në Holandë apo Poloninë e Hungarinë, sigurisht nuk biem dot në eufori. Por ajo që më bën optimist është se në Gjermani shumica e njerëzve ende i mbetet besnike idesë së Bashkimit Europian. Kemi një konsensus të gjerë shoqëror, që i thotë Po idesë europiane. Gjermania mbetet shtylla e Europës.

– Shumica e gjermanëve mendojnë si proeuropianë. Por edhe në Gjermani janë rritur tonet nacionaliste. Sa rrezik ka që në Gjermani të dështojë muri mbrojtës ndaj skeptikëve të BE-së?
Po të shohësh se çfarë ofron “Alternativa për Gjermaninë”, si nga ana e personelit ashtu edhe e përmbajtjes, atëherë unë them, se varet nga demokratët që të paraqitemi me vetëbesim dhe të bashkuar kundër populizmit dhe ekstremizmit të djathtë të kësaj partie.

– Në 60 vitet e fundit tandemi francezo-gjerman shërbeu si motor për bashkësinë europiane, sidomos në kohë të vështira. Edhe tani kur presidenti Hollande takohet me Merkelin kemi kohë të vështira. Çfarë sinjali mund të kuptohet nga këto takime?
Kemi nevojë për sinjalin, se pa lidhjen e ngushtë Gjermani-Francë, BE nuk do të funksionojë. Prandaj nga ana simbolike është shumë e rëndësishme, që të dyja palët takohen në situata të tilla. Por mund të apeloj tek të dyja palët: Tregoni më shumë vetëbesim dhe jo një qëndrim të devotshëm ndaj Trumpit e Britanisë së Madhe. Nuk mund të kërkosh të marrësh me të mirat e ta braktisësh BE-në.

– Çfarë mund të bëjnë institucionet europiane për të bashkuar sërish Europën?
Po, ato mund ta bëjnë këtë duke lënë mënjanë disa gjëra. Kur unë lexoj në gazetë, se Komisioni Europian do të vendosë me ligj, se çfarë lapsash duhet të përdorin fëmijët në shkolla, atëherë mund të them: Disa burokratë në BE nuk e kanë dëgjuar ende të shtënën. Nuk e kanë kuptuar, se nuk mund të merren me mikromenaxhim, por të përqendrohen tek çështjet kardinale. Tjetra që është e rëndësishme për mua. Duhet të shohim se çfarë arritëm me politikën e kursimit vitet e fundit. Sidomos në jugun europian ka mungesë perspektive. Prandaj duhet ta pyesim veten, nëse ky kurs ishte kursi i duhur.

– Do të ndikojë stili politik i Donald Trump tek ata që duan ta përçajnë Europën?
Sigurisht mund të jetë një inkurajim për Le Penët e Orbanët e Europës. Por edhe një stimulim për forcat demokratike, pro europiane që të kenë sërish guxim për të dalë nga situata e vetëm administrimit të Europës e me të gjithë forcën t’i kushtohen një politike të përbashkët europiane. Aty ku njerëzit e ndjejnë se kanë avantazhe, në aspektin social, atë të të drejtave të njeriut, vlerat. Krahas partive politike, duhet të ngrihet e gjithë shoqëria, vetëm atëherë nga kjo krizë do të dalë një shans i madh.

Kontrabandistët serbë po rrjepin refugjatët

Që nga mbyllja e itinerarit të Ballkanit janë ngujuar në Serbi më shumë se 7.000 refugjatë. Shumë detyrohen të japin monedhat e fundit për kontrabandistët. Sa më e vështirë rruga drejt Europës, aq më i lartë çmimi. Çmimi arrin nga 200-300 euro. Për këtë çmim kontrabandistët të ofrojnë një shoqërim të vogël deri në kufirin kroat apo hungarez dhe të tregojnë rrugë pa rrugë që duhet të ndjekësh deri në kufirin hungarez. Në këtë çmim janë futur edhe gërshërët për prerjen e telave të gardhit me gjemba.
Qindra refugjatë përpiqen përditë të dalin nga “rruga qorre” në Serbi për të prekur tokë europiane. Shumica kapen nga policia, shpesh ata rrihen, iu vidhen paratë apo poshtërohen derisa kthehen sërish në Serbi. Këto informacione kanë ardhur nga raportimet e ditëve të fundit të reporterëve të “Deutsche Welle”-s pas bisedave me refugjatët. Edhe Shirsad Safi është njëri prej tyre, një afgan 17-vjeçar, i cili tregon për “ekskursionin” për një kohë shumë të shkurtër në Hungari.

Zbathur në dëborë
“Kur na kapi policia na detyroi të ecnim zbathur në dëborë, 6 orë rresht. Në grupin ku ndodhesha unë kishte edhe fëmijë. Na hodhën ujë të ftohtë”, rrëfen afgani. Ndërkohë 100 metra larg, në një park pranë stacionit të trenit në Beograd janë vënë në pozicion kontrabandistët, që presin klientë si Shirsadi. Në një depo të braktisur pas stacionit të trenit janë përqendruar më shumë se 1000 emigrantë. Kjo depo është kthyer në simbol të gjendjes së mjerueshme të refugjatëve në Europë. Refugjatët që kanë kohë që qëndrojnë këtu përmendin nofkat e kontrabandistëve si “sulltani”, “smaragdi” apo “Musai”.
Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç kundërshton. Sipas tij në dy-tre vitet e fundit janë kapur 2000 të dyshuar. “Statistikat tregojnë, se Serbia në këtë kategori mban rekordin në Europë”, thotë ministri i Brendshëm. Por kapja nuk do të thotë patjetër burg. Shumica e kontrabandistëve lirohen shpejt, vetëm në pak raste janë dënuar rreptë ndihmësit lokalë të rrjeteve kriminale.
Gordan Paunoviç, drejtues i “Info park” thotë se “arrestohen vetëm shoferë, ndihmës, këto janë pjesë këmbimi të zëvendësueshme për bandat”. Ai njeh qindra refugjatë që janë gënjyer apo janë vënë nën presion nga kontrabandistët. Paunoviç është i zemëruar edhe me qeverinë në Beograd. “Kontrabandistët tolerohen, sepse ata me mënyrat e tyre ndihmojnë për të larguar njerëzit nga vendi”. Kjo reflektohet edhe në shifra. Policia dhe Komisariati i OKB-së për Refugjatët flasin për rreth 200 migrantë që kalojnë kufirin çdo ditë për në Bullgari.

Nga refugjat në kontrabandist
Nuk ke nevojë të presësh gjatë për të dalluar një kontrabandist. Ata kanë pamjen e një afgani apo pakistanezi, si shumica e të ardhurve, por janë të veshur me rroba të pastra dhe këpucë të mira, mbajnë një celular rregullisht në veshë, disa kanë edhe makinë. Një i ri në parkun pas stacionit, thotë se për 2000 euro të premtojnë rrugë të lirë deri në Austri. Ligji i pashprehur thotë: Sa më e vështirë rruga, aq më i lartë çmimi. Paunoviç konfirmon “se në muajt e fundit gjithnjë e më shumë refugjatë, po veprojnë si kontrabandistë”. Ka shumë të rinj që përfshihen mes refugjatëve dhe ofrojnë çmime më të ulëta për refugjatët. Truket e tyre janë si tek magjistarët: kur zbulohen një herë nuk vlejnë më. Maunet e mëdha kontrollohen rreptë në kufi, edhe fshehja në vagonë trenash nuk funksionon më. Sigurisht thashethemet se kontrabandistët bashkëpunojnë me policë, nuk janë konfirmuar ndonjëherë.
Jelena Hrnjak e di shumë mirë se “çfarë mund të bëjnë njerëzit e dëshpëruar”. Ajo është punonjëse e organizatës humanitare, “Atina”, që trajton viktimat e trafikut njerëzor. Ajo rrëfen për njerëz që shesin veshkën, për gra që ofrojnë seks për të paguar apo fëmijë që janë keqpërdorur për pornografi. “Refugjatët nuk kanë mbështetje, ata shpesh janë pa dokumente. Ata kanë frikë nga arrestimi apo nga shtrimi i kërkesës për azil në Serbi, pasi nuk duan të qëndrojnë këtu”. Sipas Hrnjak kontrabandistët e vazhdojnë të papenguar punën e tyre, megjithëse itinerari i Ballkanit është mbyllur. “Aktualisht nuk ka kohë më të mira për kontrabandistët në Ballkan”, thotë ajo.

Hollande paralajmëron Trumpin

Trump ka telefonuar të shtunën edhe presidentë dhe kryeministra të tjerë. Ndër të tjera edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilën e ka akuzuar rëndë gjatë fushatës elektorale, duke e quajtur politikën e saj ndaj refugjatëve si “katastrofale”.
Ndërsa presidenti i Francës, François Hollande e ka paralajmëruar presidentin Trump nga politika e përçarjeve dhe ndarjeve. Hollande ka folur edhe për pasojat e mundshme të politikës së proteksionizmit në ekonomi, u kumtua nga Pallati Elysee. Presidenti i Francës ka kërkuar edhe respektimin e parimeve demokratike, ndër to edhe gatishmërinë për pranimin e refugjatëve.
Trump të premten ka nënshkruar një dekret për ndalimin e futjes së refugjatëve në Amerikë. Ai ka nxjerrë nga fuqia edhe programin për refugjatë, për 120 ditët e ardhshme. Ndërsa futja e refugjatëve nga Siria në SHBA është ndaluar për një kohë të pacaktuar.

Gana dhe Egjipti në gjysmëfinalen

Vëllezërit Ayew, Jordan dhe Andre udhëheqin Ganën në gjysmëfinalet e Kupës së Afrikës 2017. Në Oyem, Gana mposhti 2-1 zbulimin e turneut, Republikën Demokratike të Kongoës dhe të enjten do të sfidojë Kamerunin për një vend në finale. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, ku Kongo kishte goditur edhe shtyllën, skuadra e Avram Grant u hodh në sulm dhe zhbllokoi ndeshjen me Jordan vëllai më i vogël, i cili bëri gjithçka mirë, si në driblim dhe goditje. Dukej se ishte preludi i një fitoreje të thjeshtë për Ganën, por Republika Demokratike e Kongos reagoi me një gol të Mpoku që risolli ekuilibrin në fushën e lojës. Episod vendimtar më pas me Atsu, me lojtarin e Njukasëll që depërtoi në zonë, duke detyruar Mutambala ta rrëzonte në mënyrë të parregullt, duke fituar një penallti. Nga pika e bardhë shënoi Andre, me vëllezërit Ayew që vënë firmën e tyre në të dy golat e shënuar.
Shkon në gjysmëfinale edhe Egjipti që do të ndeshet aty me Burkina Fason. Në çerekfinalen e fundit, “Faraonët” mposhtën 1-0 Marokun me një gol të Kahraba, kur kishin mbetëur vetëm dy minuta lojë nga përfundimi i kohës së rregullt.
Gana ka mposhtur me rezultatin 1-2 Republikën Demokratike të Kongos. Golat për Ganën u shënuan nga Xhordan Ajeu, në minutën e 63-të dhe Andre Ajeu në minutën e 78 me penallti. Për Kongon, barazoi përkohësisht në minutën e 68 M’Poku. Ndërkohë, Egjipti fitoi minimalisht me rezultatin 1-0 ndaj Marokut. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Kahraba në minutën e 88.
Burkina Faso vijon “ëndrrën” e saj në Kupën e Kombeve të Afrikës, falë një 32-vjeçari që aktivizohet në Letoni, dhe një “të papuni”. I pari, është sulmuesi Aristide Bance, ndërsa i dyti është Nakoulma, aktualisht pa kontratë, të dy autorë golash në sfidën ndaj Tunizisë në çerekfinalet e turneut. Të njohur ndryshe si “Hamshorët”, lojtarët e Burkina Faso kanë ende mundësi të përsërisin suksesin e 4 viteve më parë, kur e mbyllën të njëjtin kompeticion si finalistë. Ndërkohë, për “Shqiponjat e Kartagjenës” të drejtuar nga 70-vjeçari Kasperczak, trajneri më i vjetër i turneut, bëhen gati valixhet për kthim në shtëpi. Në vitin 1996, i njëjti teknik kishte drejtuar Tunizinë drejt finales, por pa mundur të triumfonte. Në gjysëmfinale, Burkina Faso do të përballet me Egjiptin, ndërsa Kameruni me Ganën.

Refuzova milionat

Zhoze Murinjo ka zbuluar se emri i tij ka qenë një prej atyre që skuadrat kineze kanë ndjekur me ngulm gjatë kohëve të fundit, por ai ka refuzuar milionat që i ofroheshin nga klubet në këtë vend.
“Unë kam refuzuar një ofertë të madhe për të shkuar në Kinë, por nuk kritikoj askënd që vendos ta bëjë një gjë të tillë”, tha trajneri portugez i Mançester Junajtid në një intervistë për “GQ”. “Është zgjedhja e tyre, jeta e tyre. Vetëm ata mund të vendosin se çfarë u nevojitet për të ardhmen, trajnerë të tjerë në Premier Ligë janë shprehur me kritika ndaj një zgjedhjeje të tillë, por unë jo”, u shpreh Murinjo.
Në kampionatin kinez drejtojnë emra shumë të njohur si Luiz Felipe Skolari, Sven Goran Erikson, Manuel Pelegrini apo Fabio Kanavaro, ndërsa duhet kujtuar se Karlos Tevez, pas transferimit në Kinë, u bë futbollisti më i paguar në botë.
Murinjo pranon se është pak i shqetësuar nga fakti se lojtarët mund të zgjedhin Kinën para klubit të Mançester Junajtid. “Nëse po bën negociata për një kontratë të re me ndonjë prej lojtarëve të t’u dhe t’i i ofron 5 milionë paund, ndërsa ai merr një ofertë kineze prej 25 milionë paund, atëherë sigurisht që ke një problem. Lojtari ndoshta do të zgjedhë ofertën me 5 milionë paund, pasi preferon futbollin. Ose mund të zgjedhë paratë dhe 25 milionë paund.
Jam i shqetësuar se ata mund të ofrojnë kontrata, të cilat në Europë është e pamundur të ofrohen. Por në fund, lojtari që dëshiron të largohet, është ndoshta ai lojtari që t’i nuk dëshiron të mbash në ekip”, tha Murinjo.
Mançester Junajtid është kualifikuar për në fazën tjetër të Kupës FA, falë fitores së thellë në shtëpi 4-0 përballë Uiganit. Të besuarit e Zhoze Murinjos nuk kanë hasur aspak vështirësi edhe pse portugezi kishte bërë disa ndryshime në formacion, duke hedhur në fushë edhe të “padëshiruarin” Shvajnshtajger.
Felaini shënoi golin e parë të takimit në minutën e 44-t, ndërkohë që Smolling dyfishoi shifrat në minutën e 57. Mkhitarjan realizoi golin e tretë në të 74-ën dhe gjermani Shvajnshtajger vulosi rezultatin 4-0 në minutën e 81-të.
Në ndeshjet e tjera janë kualifikuar Milluoll, Fullhem dhe Saton. Kjo e fundit është një skuadër e kategorisë së 5-të angleze që ka eliminuar Lidsin e kategorisë së dytë, duke dhuruar një surprizë mjaft të këndshme me kalimin për në 16 më të mirët e turneut. Edhe Milluoll ka qenë një kualifikim surprizë, sepse duke qenë një skuadër e kategorisë së tretë ka eliminuar një kundërshtar që luan në Premier Ligë, Uatfordin.
Bastian Schëeinsteiger do të qëndrojë te Manchester United dhe do të jetë pjesë e skuadrës në Europa League. Është vet trajneri Jose Mourinho, ai që e konfirmoi këtë pas ndeshjes me Wigan, për “FA Cup”, ku mesfushori gjerman shënoi golin e fundit në fitoren 4-0 të “djajve të kuq”.“Schweinsteiger do të qëndrojë me ne. Ai do të jetë në listën e Europa League, pasi tashmë janë krijuar hapësirat pas largimit të Depay dhe Schneiderlin. Nuk kemi shumë opsione në repartin e mesfushës. Schweinsteiger ka qenë dhe është një futbollist profesionist. Duke qenë se kemi shumë ndeshje për të luajtur, ai do të jetë një opsion për ne”, deklaroi Mourinho.

Milani, dëmtohen De Sciglio dhe Bonaventura

Lajme aspak pozitive nga infermieria e Milanit për Giacomo Bonaventurën dhe Mattia de Sciglion, të dy të dëmtuar në transfertën me Udinezen, që kuqezinjtë e humbën 2-1. Lojtarët në fjalë mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta, çka përbën një shqetësim shumë serioz për stafin teknik kuqezi. Mbrojtësi anësor pati një përdredhje të kaviljes pas përplasjes me De Paul, ndërsa mesfushori shqetësime në muskujt e kofshës. Të dy lojtarët u janë nënshtruar ekzeminimeve mjekësore, por më shumë në kampin kuqezi shqetëson gjendja e De Sciglios, i cili u shfaq në klinikë me paterica dhe me një protezë në këmbën e djathtë. Përgjigjet e analizave paraprake mund të mos mjaftojnë, sepse do të shihet nëse hematomat do të përthithen në kohë.
Një gjë është e sigurtë, De Sciglio dhe Bonaventura nuk do të jenë në dispozicion të stafit teknik për ndeshjen me Sampdorian që do të zhvillohet të dielën në orën 12:30, por ekziston mundësia që të mungojnë për një kohë më të gjatë.
Kuqezinjtë e Montella-s kanë humbur sërish, përballë Udinezës, me rezultatin 2-1, në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të Serisë A. Edhe pse kaluan të parët në avantazh, me anë të Bonaventurës në minutën e 8’, milanezët nuk ditën të ruajnë avantazhin, duke i dhënë mundësi Udinezes të shënojë dy herë dhe të marrë 3-pikëshin. Kjo ishte humbja e dytë radhazi për kuqezinjtë, të cilët e kanë nisur  keq vitin 2016, pasi në 4 ndeshje kanë marrë vetëm 4 pikë.