25.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

S&P konfirmon renditjen për Shqipërinë në B+, shqetësuese kreditë me probleme

Agjencia vlerësuese Standard &Poors (S&P) ka konfirmuar dje vlerësimin e Republikës së Shqipërisë në “B+/B”, me pritshmëri stabël. Raporti thekson stabilitetin makroekonomik dhe vlerëson përparimin pozitiv dhe konsolidimin fiskal. Megjithatë, S&P vë në dukje se niveli i borxhit është i lartë, ndërsa maturiteti i tij është afatshkurtër.
Raporti e vë theksin në domosdoshmërinë për kryerjen e reformave strukturore në drejtim të forcimit të institucioneve, zbatimit të ligjit, të drejtës së pronës, klimës së biznesit dhe luftës ndaj korrupsionit. Nuk ka qenë jashtë vëmendjes së raportit dhe niveli i lartë i kredive me probleme, që sipas agjencisë vlerësuese, në nivelin rreth 20% është shqetësues, duke ulur besueshmërinë për bankat. S&P pret që rritja ekonomike e Shqipërisë të mbetet e qëndrueshme gjatë 2017-2020, duke mbështetur konsolidimin buxhetor, pavarësisht rreziqeve të rrëshqitjeve buxhetore, për shembull për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-s.
Shqipëria po bën progres gradual drejt fuqizimit të kuadrit të saj institucional, të mbështetur nga mekanizmi i lehtësimit i FMN-së dhe përgatitjen për procesin e anëtarësimit në BE. Panorama stabël reflekton pritshmëritë që vazhdimi i konsolidimit fiskal dhe ulja e borxhit publik ndaj PBB-së do të balancojë dobësitë që vijnë nga rreziqet ende të larta të pozicionit të jashtëm financiar në 12 muajt në vijim, thotë raporti.
Raporti thekson se nëse reforma në gjyqësor do të zbatohet, duke krijuar një sistem të pavarur, kjo do të ndihmojë klimën e biznesit të vendit, si për shembull, në rritjen e eficiencës së zbatueshmërisë së të drejtës së pronës dhe një proces më efektiv falimentimi. S&P thotë se nuk pret që të ketë marrëveshje të re me FMN-në deri pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme.
Lidhur me deficitin e ulët buxhetor, në rreth 1.7% të PBB-së, raporti thekson se ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e reduktimit të shpenzimeve që kanë neutralizuar të ardhurat buxhetore më të ulëta se plani. S&P pret që rritja të vijë kryesisht si rrjedhojë e kërkesës së brendshme dhe konsumit privat. Për shkak të punimeve për gazsjellësin TAP, që do të jetë të larta më 2017-n, pritet që investimet e huaja direkte të arrijnë në 11% të PBB-së këtë vit.
Investime të tjera janë të lidhura me sektorin e energjisë. Por, agjencia sheh një rrezik që këto investime nga projektet e mëdha të bien në vitet në vijim dhe rekomandon që të përmirësohet mjedisi institucional që do të ndihmonte në tërheqjen e një baze më të gjerë të flukseve të investimeve të huaja në vitet në vijim.
S&P thekson se mund të ulë renditjen në rast se shikon një përkeqësim të financave qeveritare, për shembull për shkak të një devijimi domethënës nga parashikimet, së bashku me presionet në kushtet e huamarrjes. Një tjetër element që do të ndikonte në uljen e renditjes është një përkeqësim domethënës i pozicionit të jashtëm të Shqipërisë dhe aftësisë për të financuar deficitin e llogarisë korrente.

Të pasurit po bëhen më të pasur, të varfrit po bëhen më të varfër

Monitor

Që pabarazia në Shqipëri është rritur vitet e fundit, ky është tashmë një fakt që po pranohet dhe konstatohet hapur nga institucionet ndërkombëtare. Në prezantimin e raportit të tranzicionit 2016-2017, drejtuesit e ekonomistët e BERZH deklaruan se pothuajse të gjitha vendet e marra në vrojtim (36 në total, ku përfshihen ato të Europës Juglindore, Azia Qendrore, por edhe pjesa juglindore e rajonit të Mesdheut) deklaruan rritje të pabarazisë ekonomike. 30% e shqiptarëve në sondazhin e fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim mendojnë se pabarazia është rritur.
Perceptimi që rritja ekonomike në Shqipëri nuk është mirëshpërndarë, është konfirmuar edhe nga Forumi Ekonomik Botëror, i cili krahasoi rritjen gjithpërfshirëse me rritjen ekonomike pothuajse në të gjitha vendet në raportin e tij të fundit “Rritja gjithpërfshirëse dhe zhvillimi”. Në këtë klasifikim, Shqipëria është përfshirë në zonën portokalli, atë me përqendrim të lartë ku PBB e vendit u zgjerua me ritme më të larta se rritja gjithpërfshirëse. Me fjalë të tjera, nga rritja ekonomike e vendit ka përfituar pakica, ndërsa ecuria pozitive ekonomike nuk është përkthyer në një shtim të mirëqenies për shumicën. Për më tepër, të dhënat tregojnë se raporti mes rritjes së PBB-së dhe rritjes gjithpërfshirëse është përkeqësuar 5 vitet e fundit në Shqipëri. Trendi tregon për një rënie 5.6% të këtij raporti, çka tregon se shpërndarja e rritjes ekonomike ka pasur zhvillime negative, ku përfitimet po përqendrohen gjithnjë e më shumë te pakica.
Por, pse modeli ekonomik nuk ka arritur të sigurojë rritje gjithpërfshirëse? Në dekadat e tranzicionit ekonomia u zhvillua në mënyrë spontane, pa ndonjë model të strukturuar, e orientuar kryesisht nga ndërtimi dhe tregtia, ndërsa nuk u vu theksi te sektorët me vlerë të shtuar dhe shfrytëzimi i avantazheve konkurruese, që do të siguronin një zhvillim më të qëndrueshëm. Informaliteti dhe korrupsioni, ndër më të lartët në Europë e rajon, e kanalizuan paranë në një grusht njerëzish, duke zbehur efektet pozitive të rritjes së shpejtë ekonomike, që u përjetua deri më 2009-n.
Më pas kriza globale, që çoi në ngadalësimin e rritjes, shkrehja e administratës në vitet e fundit të qeverisjes së djathtë, periudha e ndërrimit të pushteteve e zhvendosën vëmendjen nga çështje thelbësore të zhvillimit ekonomik. Qeveria e re më 2013-n erdhi me filozofinë e taksimit të të pasurve dhe lehtësimit të të varfërve, duke rritur tatim fitimin dhe të dividendit për bizneset dhe për individët me të ardhura të larta dhe duke e ulur për ata me paga të ulëta.
Por kjo politikë që synonte të ulte pabarazinë duket se bëri të kundërtën. Përballë taksave më të larta bizneset frenuan investimet (që nënkuptojnë më pak vende pune të hapura në ekonomi), kreditë me probleme u rritën, teksa industria, sidomos ajo përpunuese u bë më pak konkurruese.
Edhe ajo ulje taksash për pagat e ulëta, pikërisht për hir të favorizimit të shtresave më të varfra të shoqërisë, iu mor atyre mbrapsht përmes rritjes së barrës fiskale (akciza dhe taksa të tjera, shpesh të fshehura), që bizneset i transferuan te konsumatori përmes çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, në përpjekje për të mbajtur të pandryshuara marzhet e tyre të fitimit.
Varfëria e lartë është e dukshme dhe nuk arrin të fshihet as nga statistikat. Edhe sot pas më shumë se 20 vite tranzicioni, shqiptarët shpenzojnë gati gjysmën e buxhetit për nevojat bazike (ushqime), madje ka një rritje me 2 pikë përqindje vitin e fundit, për të arritur në 48.7%, sipas ankesës së fundit të buxhetit të familjeve të INSTAT. Për krahasim vendet e tjera të rajonit e kanë këtë peshë midis 33 dhe 37% (Kosova e ka 43%) dhe ne jemi në renditje me shtetet afrikane si Nigeria apo Kenia (të dhënat e Forumit Ekonomik Global). Në procesin e konvergjencës (rritje më të shpejtë me synim kapjen e mesatares së Bashkimit Europian), Shqipëria ka ngecur vitet e fundit, duke mbetur në 30% të mesatares së të ardhurave të Bashkimit Europian.
E dhëna më e fundit, që vjen indirekt nga tregu i pasurive të paluajtshme është akoma edhe më trishtuese. Ka një rritje të ndjeshme të shitjes së apartamenteve në zona të preferuara dhe mjaft të shtrenjta të Tiranës, me para në dorë muajt e fundit, që po paguhen me të ardhura të padeklaruara që vijnë nga ekonomia e zezë.
Një tregues i qartë ky i rritjes së pabarazisë, teksa disa individë po arrijnë të pasurohen me shpejtësi brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe po tërheqin rritjen e shpejtë të çmimeve të apartamenteve, në kurriz të atyre që do t’u duhen tashmë më shumë vite punë e më shumë kursime të mundimshme për të blerë shtëpinë që mund ta kenë ëndërruar gjithë jetën, por që po bëhet “mollë e ndalueme” për ta. Një mesazh dekurajues ky për këdo që ka shpresuar se talenti, aftësitë dhe dëshira për të punuar e ecur përpara një ditë do të shpërblehen, pa pasur nevojën e përkatësive partiake apo mbështetjeve të dukshme e të padukshme të politikëbërjes e vendimmarrësve.

Atë ditë këta nuk do të jenë këta!

Frrok ÇUPI

Sigurisht, këta nuk do të jenë “derra”, siç i transformoi njerëzit Circja në udhëtimin e Odiseut në Greqinë e Lashtë. Por këta nuk do të jenë këta që janë sot, në 18 Qershor- ditë që është dekretuar për zgjedhje parlamentare.
Mund të mos jetë edhe vetë 18 qershori bash dita kur do të votohet për Parlamentin dhe qeverinë tjetër; por përsëri e njëjta gjë është: Këta nuk do të jenë këta.
Edhe pse sot thonë se “do të fitojmë “më shumë se 71”, pse thonë “po fituat 71”, pse thonë “nuk fitoni as 60”, pse thonë “prisni vitin 2024″… Janë shumë të guximshëm kur arrijnë të thonë e të mendojnë kështu; të guximshëm ose si “derrat” e Cirsjes (Por edhe ata ndryshuan formë, jo arsyen njerëzore).
Circja e kësaj epoke është vetë Era që frynë në gjithë rruzullin, sidomos në këto pjesë europianiste të botës… Po t’i marrësh një nga një këta që “guxojnë”, çfarë do të jetë secili.
1.
Kryeministri, përfaqësues i të majtëve ish- komunistë, mund të mos ketë nevojë të presë humbjen në zgjedhje. Ky ka një çështje të hapur penale në Shtetet e Bashkuara, dhe rreth ditëve kur mendohen për zgjedhje, mediat mund ta kenë vëmendjen te burgosja e kryeministrit. Ky ka thyer egër ligjin federal në Amerikë duke sponsorizuar politikën me para të paligjshme, në rrugë të paligjshme dhe në “martesë” fake. Sulmi i paparë në historinë (as njerëzore, as alias Circja- derra), nuk është parë që një kryeministër i një vendi të marrë torbën me “baltën e Dritëroit” dhe të lëçisë sulme kundër kandidatit presidencial të Amerikës- televizor më televizor nëpër botë, deri në CNN… Kur studiojmë këtë fenomen, pse nuk paskemi të drejtë të besojmë Circjen dhe derrat e “Odisesë”? Kryeministri ynë e kishte ndjerë në lëkurë, ose e kishte cytur Soros, që të bëjë atë që bëri sepse ndryshe do të kthehej në krijesën e magjistares (nuk po them derr se këta e marrin për keq sa kohë që nuk njohin Homerin). Por deri atë ditë zor se do të ketë Soros; ose do të jetë, por i shndërruar në “derr” me emrin: “rrezik për Amerikën”. Si mund të mos monitorojë Amerika një rrezik që vjen edhe nga Shqipëria me një ekip sorosian!?
2.
Këta që janë sot në maxhorancë, do të kthehen në “derra” opozitarë; padyshim. Procesi ka filluar. Një deputet “hyjni” si  Heliosi i Fierit, ka marrë rrugët “me shkop e me strajcë” për të shembur fronin e atij që e kishte vënë në fron. Kokëdhima është betuar se do të rrëzojë Ramën. Por deri atë ditë as Kokëdhima nuk do të jetë ky që është. Rilindja ka krijuar një dosje të trashë ndaj tij; por edhe disa të vrasës majtistë të burgosur do të dalin nga burgu e do të lëshohen fushës ku mbillen “lulëkuqe”.
As opozita e tanishme nuk do të jetë opozitë e vetme deri atë ditë. Kryetari i Kuvendit, Meta, po rrëmon nën këmbët e opozitës; ky “gjallë a vdekur” do t’i afrohet tempullit të Trump në Shtetet e Bashkuara. Edhe sikur Trump të mos e pranojë, ky nuk do të thotë se “nuk më pranoi”, por do të kthehet  me medaljonin e Trump në xhaketë. Shkurt, edhe pse opozita e djathtë, natyrshëm është më afër Republikanëve të Trump, këtë vend po lufton që ta zërë Meta. Deri ditën e zgjedhjeve ai do të qëndrojë në avion mbi Atlantik; por në zgjedhje do të vijë si i dërguari i “Zeusit”. E djathta “Republikaniste dhe Trumpiste” po fle.
3.
Me datën 18 qershor mund të ndodhë si me shtëpinë që u gjend në vendin ku kalojnë hekurudhat. Derisa u bë hekurudha, kasollja ishte; por kur të vijë treni do të thonë: “ku ishte ajo shtëpia?”. Situatat që po vijnë vrullshëm mund ta fshijnë renditjen që i bëjnë këta vetes për zgjedhjet. Gjithë bota është vënë në lëvizje. Në rajonin tonë do të ravijëzohen akset, aleancat dhe inventarët. Inventarët e vendeve që përbëjnë rrezik- në radhë të parë! Shqipëria është e para në hartën e vendeve “kolumbiane” të drogës. Nën filozofinë e re të Brexit- Trump, vendet prodhuese të drogës krahasohen me vendet ku sundon ISIS. Ju e dini, ISIS është shpallur si objektiv për “t’u fshirë nga dheu”… Edhe monitoruesit e zgjedhjeve mund të mos vijnë nga Europa… Nga cila Europë? Në prill Franca ka president tjetër, të djathtë. Në Gjermani po përparojnë kundërshtarët e kancelares. Në Austri ku “fle” kryesia e OSBE po fryjnë erëra të fuqishme djathtiste; si edhe në Holandë. Britanikët i dhanë sot të drejtë ligjore Brexit-t; dhe me siguri që do ta ndjekin shtete të tjerë. Europa do të jetë duke u “për.. dhe shpër- bë”; e ç’janë këto zgjedhje në Shqipëri?!
4.
Deri më 18 qershor Shtetet e Bashkuara dhe djathtistët e Europës, do të kenë marrë një lajm të kobshëm, si lajmin se “një prind nuk është i denjë” që të mbajë fëmijën e tij. E dini çfarë ndodh në vendet e qytetërimit të përparuar për këtë rast?… Ia heqin prindit të drejtën për të mbajtur fëmijën. Edhe këtu kështu do të ndodhë. Qeveria që kërkon të prindërojë zgjedhjet dhe Parlamentin e ri, nuk është e denjë. Ka mbjellë drogë pa fund dhe ka grumbulluar para; ka stërvitur vrasës dhe po i nxjerr nga burgu që të vrasin ditën e votimeve; ka infektuar atmosferën me mosbesimin kulmor se “këtu nuk mund të bëhen zgjedhje”. Përfaqësuesi i SHBA dhe i OSBE kanë dalë me “torbë” në dorë e po mbledhin fakte që t’i çojnë në “gjykatë” ku do të vendoset që “ky prind” të mos ketë të drejtë për “fëmijën”. Qeveria shqiptare del nga loja për t’u besuar si zhvilluese e zgjedhjeve.
… Këta do të kenë vetëm arsyen njerëzore, sa për të kuptuar se nuk do të jenë këta që janë. Circja nuk ua merr të gjitha.

Qeveria shantazhon zgjedhësit

Ilir HILAJ

Unikale në historinë botërore. Në ditën më të errët të akuzave brenda kabinetit Rama, kur shkarkohet një ministër akuzues ndaj qeverisë së vet, qeveria i vë shkelmin në fyt popullit. Sot, ju kujtua popullit të lodhur nga taksat e rënduara dhe varfëria, se mund të gjobohen nëse nuk dinë adresën e tyre.
Rama ju kujtoi se ata do të pajisen me një numër identifikimi personal që do ta kenë nga lindja deri në vdekje. Këtë numër realisht e kemi të shfaqur në këndin e djathtë-poshtë në kartat tona të identitetit. Dmth, do të identifikojnë personat tashmë të identifikuar, që marrin automatikisht në Gjendjen Civile këtë numër nga lindja deri në vdekje. Ministri i Brendshëm kujtoi se do të ketë gjoba për ata që nuk regjistrojnë adresat e tyre para grupit të FRESH që do paraqitet banesë më banesë. Në fakt, nisur nga ngarkesa e lartë e fund janarit, emocionalisht në qeveri, kjo duhet të jetë ndonjë shaka pa kripë. Sistemi i adresave është një mënyrë unikale e vendosjes së numrorëve në objektet e banimit e biznesit, brenda të njëjtit shtet. Këtë detyrë e ka qeveria qendrore. Bashkitë kanë detyrë të emërtojnë rrugët dhe identifikojnë objektet.
Le të marrim Kryebashkinë si shembull. Pasi janë emërtuar rrugët me emra, përfshirë edhe emra kushërinjsh, krerë institucionesh të diktaturës etj., në to duhet të vendosen numrat. Këtë, ligji për sistemin e adresave nuk e specifikon. Ekzistojnë disa mënyra për këtë gjë, si sistemi “loop”, “linear” dhe “kartezian”. Në asnjë nga këto nuk flitet për termin shesh, hyrje pallati, numër hyrje, kat, lagje etj. Për fatin e keq ky sistem është përdorur para viteve ‘90, por jo më sot. Po pse Kryeministri e ministri ju futën kësaj meseleje që as e njohin fare?
A e dinë këta zotërinj që nuk nevojitet të shkosh banesë më banesë për të bërë diçka që bëhet nga zyra? Emërtesa e banesave bëhet automatikisht njëlloj si numri i identifikimit personal. Si? Përputhet harta me sistemin e përzgjedhur. Shtetet me histori më të avancuar se ne, në sistemet e adresave, sot përdorin sistemin kartezian. Psh, Manhatan sot ka hequr emërtesat e rrugëve, duke i identifikuar me numra, njëlloj siç do duhet të bëjë PD pas qershorit që të zhvlerësoj emra pa kurrfarë kuptimi nëpër rrugët dhe shkollat e vendit, për t’i thjeshtëzuar për një publik që vjen për herë të parë në një qytet, qoftë ky edhe turist dhe orientohet mjaft lehtë. Le të tregojmë si mund të emërtohej një dhomë në Tirana International Hotel për një turist. Adresa 1403-1 Bulevardi Zogu I, Tiranë, 1001, Albania. Sapo turisti lexon këto të dhëna kupton automatikisht se bëhet fjalë për një banesë mbi 14 kate që ndodhet në qendër të qytetit.
Nuk ka nevojë të pyesi në kë anë të sheshit është. Numri 1 tregon se është në pjesën lindore të rrugës Bulevardi Zogu I, pranë qendrës. Numri 1403 tregon se bëhet fjalë për një apartament/dhomë/zyrë që ndodhet në katin e 14 me numër 3, ose pas daljes nga ashensori/shkallët është dera e tretë në të djathtë. Kjo është në mbarë botën e civilizuar njëlloj. Mendoni si do ta presi Donald Trump, meqë është new york-ez, se në vendin aleat të NATO-s, Shqipëri, ndërkohë që qyteti i tij përdor sistemin më sipërpërmendur, qytetarët do të gjobohen nëse nuk e dijnë adresën e tyre që nuk ia ka treguar kush. Në fillim do skandalizohet. Pastaj do gajaset. Në fund kur t’i thonë se këtë gjë po e bënë qeveria e atij tipit të CNN, do t’i elektrizohen flokët përpjetë. Pse na takon ne shqiptarëve të presim kusuret e qeverisë. Qeveria u nis nga ideja e sfumimit të lajmit të aferave denoncuar nga Manjani, dhe pa dashje kaloi në një skandal imazhi, duke kërcënuar me armatën e freshistave se do vendosi gjoba, por krejt aksidentalisht tregoi se kryeministri dhe ministri janë pa nivelin minimal të kulturës profesionale, në një term të supozuar teknik, që ata e paraqitën si risi, por që nuk e dinë çfarë është. Pse duhen çuar freshistët njëlloj si fashistët, për të prerë fletë gjobe, për një publik në zonë rurale, kur ai para shtëpisë së tij, nuk di si quhet rruga, le më pastaj t’i kërkojmë kodin postar. Arsyeja është e thjeshtë. Pas gjobitjes, duhet bërë ankimimi që të hiqet gjoba. Partia ta vë dhe ajo ta heq “njollën”. Ndaj pa frikë mund të themi se ky është shantazh parazgjedhor, asgjë më tepër.

Shuhet Dritëro Agolli, letërsia shqipe në zi

Ndahet nga jeta në moshën 85-vjeçare kolosi i letrave shqipe, Dritëro Agolli. Shkrimtari i madh ndërroi jetë rreth orës 16:00 në Sanatoriumin e Tiranës, ku ishte shtruar prej 9 ditësh pas një sëmundje të rëndë në mushkëri që e mundonte prej kohësh.
Në vitet ’60 ai hyri në letërsi për t’i ndryshuar asaj përmasat. U bë poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhembjes njerëzore, duke ardhur ashtu origjinal siç ishte deri në ditët tona. Por pasditen e sotme, zemra e kolosit të letrave shqipe, vendosi të ndalë.
Gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar shumë kohët e fundit, aq sa frymëmarrja e tij realizohej nëpërmjet furnizimit artificial me oksigjen. Tre ditët e fundit, mjekët ishin munduar që ai të merrte frymë vetë, por sëmundja pulmonare kronike, që e mundonte prej 20 vitesh, nuk lejoi të kthehej më në shtëpi.
Shkrimtari kurohej prej të paktën një viti në shtëpi, duke refuzuar shtrimin në spital. Por pak ditë më parë, ai pësoi një përkeqësim të menjëhershëm që detyroi familjarët dhe mjekët ta shtronin me insistim në Sanatoriumin e Tiranës, ku dhe qëndroi i shtruar 9 ditë derisa ndërroi jetë pasditen e sotme.

Jetëshkrimi

Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit, në Korçë. 13 vjet të jetës i ka kaluar në këtë fshat, ku në moshën 9-¬vjeçare përfshihet në Luftën Nacionalçlirimtare. Aty merr detyrën si korrier i çetave partizane. Pas Çlirimit të vendit Agolli vazhdoi studimet në Gjirokastër në gjimnazin e këtij qyteti për katër vjet rresht. Ende në bankat e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ai boton në shtypin e kohës poezitë e para i frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha, të cilat u botuan në 1947 në gazetën “Rinia”. Këtu zuri fill edhe miqësia e tij me shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Të dy së bashku në udhëtimin e tyre si krijues e ngritën letërsinë në nivele të larta të stilit. Agolli dhe Kadare i përkasin brezit të shkrimtarëve të viteve 1960, që shpëtuan letërsinë nga dogmatizmi i realizmit socialist. Edhe pse shkruante vjersha, ëndrra e Dritëro Agollit ishte që të bëhej veteriner. Poeti dhe shkrimtari i madh e ka dashur shumë natyrën. Kafshët janë shpesh personazhe të krijimtarisë së tij. Pas përfundimit të gjimnazit në Gjirokastër, ai bëri kërkesë për të vazhduar shkollën e lartë për Zooteknikë. Kërkesa për të ndjekur studimet për veterinari i dërgohet ministrit të Arsimit, Karahman Yllit, i cili kishte dëgjuar emrin e tij si poet. Dritëro Agolli në të vërtetë është shkrimtari që ka bërë poezi për kecat, dhentë, dhitë, maçokun, qenin, kalin, lejlekun, viçin e lopën. Pavarësisht kësaj ëndrre, përfundimisht pas gjimnazit Dritëro Agolli u dërgua nga shteti me bursë për të studiuar në Shën Petërburg (në atë kohë kur Bashkimi Sovjetik ishte pjesë e kampit komunist Shën Petërburgut, ia kishin ndërruar emrin dhe quhej Leningrad).
Në moshën 25-¬vjeçare Dritëro Agolli u kthye nga Bashkimi Sovjetik dhe nisi punën në Tiranë fillimisht si gazetar, ku u dallua për përkushtimin e tij ndaj njerëzve të punës. Madje, presioni politik i kohës e detyroi shkrimtarin të ndahej edhe me gruan e tij të parë Ninën. Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-¬Bashkimin Sovjetik, Partia Komuniste propagandoi edhe divorcet e shqiptarëve të martuar me gratë ruse.
Me gruan e parë Dritëro Agolli pati një djalë Arjanin. U martua për të dytën herë në moshën 34-¬vjeçare me Sadijen, më 4 tetor të vitit 1965, me të cilën ka dhe dy fëmijë, Artanin dhe Elonën. Në Rusi, Agolli u kthye vetëm pas rënies së komunizmit, pas 31 vitesh që nga ndarja e tij me gruan e parë, ku pati një takim mallëngjyes me të birin.
Ai u shqua për reportazhet e bukura e të ndjera për njerëzit e thjeshtë dhe punëtoret, cilësi që e bëri një njeri shumë të dashur për popullin. Ka punuar për 15 vjet me radhë si gazetar i gazetës “Zëri i Popullit”. Publicistika e tij është përbërë nga mijëra artikuj, fejtone, ese dhe reportazhe. Reportazhet e Agollit gjatë kohës që punonte si gazetar janë përmbledhur para viteve 1990 në një vëllim të veçantë.
Krahas artikujve publicistikë, Dritëro Agolli nisi të botojë vëllimet e para poetike, tregimet dhe tekste dramatike për teatrot, të cilat u shquan për frymëzime e metafora të mrekullueshme. Gjatë studimeve në Rusi, Dritëro Agolli u njoh me një studente ruse dhe pas njohjes me të ndodhi dhe martesa e tij e parë. Kjo martesë u bë në vitin 1956, kur sapo ishte kthyer në atdhe, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.

Krijimtaria

Veprën e parë me vjersha “Në rrugë dolla”, Dritëro Agolli e botoi në vitin 1958. Është vëllimi i parë, i cili u prit mirë nga kritika e kohës. Shquhet si një poet popullor dhe vet e pohonte se ishte i tillë.
Hymni që i ngriti baltës së vendlindjes dhe njeriut të thjeshtë shqiptar në poemën e tij të parë të viteve ‘60, në poemën “Nënë Shqipëri”, e bëri shkrimtarin shumë popullor. Në shkolla, kjo poemë studiohej si një hymn i patriotizmit dhe dashurisë për atdheun, pavarësisht se i kushtohej Partisë, temë që caktohej me orientim politik për të gjithë shkrimtarët e kohës. Madje presioni politik i kohës e detyroi shkrimtarin të ndahej edhe me gruan e tij të parë Ninën. Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-¬Bashkimin Sovjetik, Partia Komuniste propagandoi edhe divorcet e shqiptarëve të martuar me gratë ruse.
Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike, ka lëvruar këto gjini të letërsisë: poezinë, poemën, tregimet, novelat, romanin, dramën, skenar filmi, reportazhin, kritikën, analizën dhe raportin e lajmit.
Librat me poezi dhe poemat më të njohura të Agollit janë: “Në rrugë dola”, “Hapat e mia në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Devoll ¬Devoll”, “Mesditë”, “Baballarët”, “Nënë Shqipëri”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”. Pas 1990-ë¬s “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Njerëz të krisur”, “Vjen njeriu i çuditshëm”, “Lutjet e kambanës”, “Fletorkat e mesnatës”, etj.
Dritëro Agolli ka shkruar edhe tekste këngësh, madje duke marrë edhe çmime. Një ndër çmimet ishte ai i vitit 1971, kur këngëtarja Alida Hisku, 14 vjeçe, në festivalin e 10-¬të merr çmimin e dytë me tekstin e Dritëro Agolli “E Paharruara”.
Gjatë krijimtarisë letrare, në të gjithë veprën e Agollit vihen re shtatë tipare kryesore në të cilat mbështetet arti i tij. Kulti i tokës dhe i bukës, shenjtërimi i njeriut dhe natyrës, raporti personal me botën, miti i atdheut, historia e të parëve, zhgënjim për kohën dhe humbjen e saj, dhe e ardhmja optimiste. Agolli u cilësua si novator i poezisë shqiptare në gërshetimin që i ka bërë folklorit me poezinë moderne, duke sjellë perla lirike të gjuhës shqipe. Ndërkohë, risi jo pak të rëndësishme Agolli solli dhe në metrikën e vargut.
Në jetën e shkrimtarit ka pasur shumë suksese, por edhe momente të hidhura, përveç ndarjes nga gruaja e parë dhe djali. Në Kongresin IV të Komitetit Qendror, Agolli kalon një nga momentet më kritike. I duhej të bënte autokritikë si kryetar i Lidhjes dhe të sqaronte arsyet se përse pinte dhe ndonjëherë fliste “pa menduar”. Shkrimtari njihej si një karakter rebel.
Romani më i bukur i tij, “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo”, i solli dhe jo pak andralla autorit. Një vit pas botimit, Mehmet Shehu i thotë Agollit se, “me atë libër na ke shkatërruar administratën”. Agollit nga censura komuniste i janë ndaluar tri libra. I pari ka qenë “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitet 1960, drama “Mosha e bardhë” në vitet 1980 dhe një seri tregimesh në revistën “Nëntori”. Dy të fundit janë ndaluar gjatë kohës që ishte kryetar i Lidhjes. Ai e botoi librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitin 1964, por vetëm një vit më pas, ky libër u hoq nga qarkullimi dhe Agolli u kritikua, pasi me këtë libër e paraqiste me pesimizëm realitetin komunist.
Nga romanet e Agollit janë bërë një sërë filmash artistikë. Ndër filmat më të mirë janë “I teti në bronz” (romani “Komisari Memo”), “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Njeriu me top”. Shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, veç poezive, romaneve, tregimeve, ka shkruar edhe skenarë filmash. Agolli është edhe autor i një sërë skenarëve për dokumentarë. Gjithashtu, ka qenë edhe autorë dramash. Dy janë dramat më të njohura të Dritëro Agollit. “Mosha e bardhë”, e cila u ndalua nga botimi gjatë diktaturës, si dhe drama “Fytyra e dytë”.
Dritëro Agolli është i njohur dhe si përkthyes. Ka përkthyer nga anglishtja poezitë e poetit Robert Bërns dhe nga frëngjishtja poezitë e poetit Pol Elyear, i cili ka dhe disa poezi për Shqipërinë.
Ndërsa veprën më të madhe në përkthim, Agolli e ka nga rusishtja. Botimi voluminoz, “Shekulli i artë”, është një nga më të arrirët artistikisht. Agolli ka përkthyer poetët më në zë të shekullit të 19-¬të në Rusi, si Pushkin, Ahmatova, Bllok, Lermontov dhe shumë të tjerë. Për shumë vite, Agolli ka dhënë kontribut edhe në zhvillimin e letërsisë shqipe. Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. U emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992. Gjatë kohës së komunizmit, Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-¬së dhe deputet në disa legjislatura. Nuk ndryshoi parti pas rënies së komunzimit, në vitet ‘90 ai u bë anëtar i Partisë Socialiste me shumicën e protagonisteve të ish-¬Partisë së Punës, por duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Për herë të fundit, Agolli ka qenë deputet i Parlamentit për gjashtë muaj në vitin 2001. Dritëro Agolli është zgjedhur deputet për 30 vjet me radhë edhe në kohën e diktaturës, edhe dhjetë vjet në kohën e tranzicionit.

Angazhimi politik

Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. U emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992. Gjatë kohës së komunizmit, Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH¬-së dhe deputet në disa legjislatura. Në vitet ’90, ai u iniciator i reformimit të Partisë së Punës dhe njihet si themelues apo “patriark” i Partisë Socialiste, duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie. Dritëro Agolli është zgjedhur deputet për 30 vjet me radhë edhe në kohën e diktaturës, edhe dhjetë vjet në kohën e tranzicionit.

Vlerësimet

Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Jo vetëm në antologjinë shqiptare, por ai tashmë është i përfshirë në antologjitë e disa vendeve të botës. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. U pranua anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj. Nuk numërohen vlerësimet. Në 82-vjetorin e lindjes në vitin 2013, shkrimtari i madh Dritëro Agolli është vlerësuar edhe me çmimin “Carlo Levi” në Itali.

Basha: “Vepra e Agollit është e përjetshme”

Kryetari i PD, Lulzim Basha e cilësoi një humbje të madhe për Kombin ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli. Në një postim në rrjetin social Facebook, Basha shkruan se, Kombi shqiptar humbi sot kolosin e letrave shqipe, poetin tonë të madh, shkrimtarin e njerëzve të vërtetë, Dritëro Agollin. Familja e tij, miqtë dhe të dashurit, lexuesit, shqiptarët kudo ku ndodhen ndajnë sot dhimbjen për ndarjen nga jeta të babait, bashkëshortit, mikut dhe gjeniut të letrave shqipe.
“Pak shqiptarë kanë ndikuar në ndërgjegjen dhe emocionet tona si Dritëroi i madh. Ai transformoi letërsinë shqipe, duke emancipuar shoqërinë shqiptare me veprën e tij për të mirën dhe të keqen, për njerëzit e thjeshtë, për dashurinë për vendlindjen dhe atdheun.
Kam patur nderin dhe privilegjin ta njoh, ta takoj dhe ta dëgjoj nga afër Dritëroin, sepse dera e tij e madhe ishte gjithnjë hapur. Vepra e tij është e përjetshme. Në paqe u prehtë shpirti i tij”, shprehet Basha.

Kadare: Ndarja nga jeta e Agollit, lajmi më tronditës i këtij dimri

Shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare e ka konsideruar lajmin për ndarjen nga jeta të Dritëro Agollit, një nga njoftimet më tronditëse të këtij dimri. Nga Parisi, Kadare është shprehur: “Lajmi i vdekjes së Dritëro Agollit ka qenë një nga njoftimet më tronditëse të këtij dimri, jo vetëm për njerëzit e artit, por për gjithë shqiptarët, kudo ku ata ndodhen. Dritëro Agolli ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë i pazëvendësueshëm në vlerat dhe në dramën hijerëndë të letërsisë shqiptare. Ai do të na mungojë të gjithëve”.
Vargjet e fundit që shkrimtari i madh, Dritëro Agolli la para se të ndahej nga jeta nën titullin “Kështu dhe ashtu”.

Kështu dhe ashtu

Kështu dhe ashtu,
Dhe mirë dhe keq dhe vështirë,
Po mund të ndodhte më mirë.
Ç’t’i bësh?
S’redaktohet një jetë,
Ç’ke bërë, të mbetet gjithmonë.
E dini?
Nuk jam nga ata të stisur poetë,
Që jetën e tyre me laps redaktojnë.
Kështu dhe ashtu,
Të drejta, gënjeshtra, mëdyshje …
Po mund të ndodhte dhe ndryshe.

Dritëro Agolli

Prokuroria: Nën hetim 40 zyrtarë policie për drogën

Pas arrestimit të dy funksionarë të lartë të policisë, në Tepelenë dhe në Vlorë, me urdhër të Prokurorisë, pritet që të ketë arrestime të tjera në ditët në vijim. Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton edhe disa zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit për kultivimin dhe trafikun e drogës. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, janë 40 oficerë policie, me grada të ndryshme, të cilët po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këta efektivë kanë bashkëpunuar me trafikantë dhe kultivues të kanabisit për ndarjen e territoreve në këmbim të heshtjes, duke marrë një përqindje të caktuar fitimi. Nga ana tjetër në shumë raste kanë dekonspiruar aksionet policore.
Në verë të vitit të shkuar, Shërbimi Informativ Shtetëror i dërgoi një raport sekret Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për zonat e kultivuara me kanabis, si dhe mbi personat e përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Mes këtyre personave, kishte edhe mjaft zyrtarë të Policisë së Shtetit. Të dhënat e shërbimit sekret janë dërguar në organin e akuzës pas një patrullimi edhe me helikopter, në të cilin ka qenë i pranishëm edhe kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika.
Por ndërkohë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e përgënjeshtroi këtë lajm, duke thënë se s’ka një raport të tillë. Faktikisht mbi bazën e këtij raporti Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton prej kohësh zyrtarët e lartë të policisë të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës.
Në Tepelenë u arrestua Gani Abazi, shef i Specialistëve të zonave në Komisariatin e Policisë së Tepelenës. Në Vlorë u arrestua shefi i Rendit, Haki Hasabegaj. Të dy këta zyrtarë të policisë, sipas organit të akuzës kanë bashkëpunuar me trafikantët dhe kultivuesit, duke dekonspiruar disa operacione policore.
Përgjimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuluan përfshirjen në një grup të strukturuar kriminal, të Shefit të Rendit të Vlorës, Haki Hasanbegaj, si dhe ish-vartësit të tij në Komisariatin e Tepelenës, Gani Abazi. Hetimi nisi pas zbulimit të një sipërfaqeje të kultivuar me kanabis në zonën e Vranishtit në Vlorë, ku u gjet një sasi prej rreth 2.4 tonë marijuanë në proces tharjeje dhe rreth 5 200 bimë të tjera të kultivuara.
Në këtë operacion policia arrestoi 6 persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Në përgjimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është zbuluar se Hasanbega, orientonte personat në terren se çfarë duhet të bënin e deri në korrjen e tharjen e lëndës narkotike.
Thuajse të njëjtin rol, kishte edhe Gani Abazi, i cili tashmë kryente funksonin e referentit të rendit për inspektorët e rendit në Komisariatin e Tepelenës. Gjatë mbrëmjes së të enjtes, Hasanbega dhe Abazi, janë transferuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku mësohet se janë pyetur nga oficerët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ende nuk dihet qëndrimi i dy të arrestuarve, ndërsa veç tyre dyshohet se janë edhe disa persona të tjerë, të cilët janë në hetim për të njëjtën çështje.

R.POLISI

BE: Rama jo faktor stabiliteti në rajon

Eurodeputeti dhe ish-ministri për Punë të Jashtme i Sllovakisë, Eduard Kukan, ka reaguar ashpër për të ashtuquajturën platforma shqiptare e partive që i prezantojnë votuesit shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë, e cila sipas tij kjo platformë është përgatitur nga kryeministri i shtetit fqinjë, Edi Rama, përcjell Telegrafi Maqedoni. Deputeti i Parlamentit Europian, Eduard Kukan, dënoi fuqishëm platformën shqiptare të arritur nga subjektet politike shqiptare në Maqedoni, platformë e cila sipas tij, është përgatitur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Siç shkruan agjencia e lajmeve shtetërore “MIA”, Kukan i cili është në krye të Partisë Popullore Europiane (EPP) në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka thënë se një platformë e tillë është krejtësisht e papranueshme si për të, ashtu edhe për Bashkimin Europian. “Shqipëria gjithmonë ka pasur rezultate të mira në drejtim të bashkëpunimit rajonal dhe ajo vlerësohet, por tani do të ndalemi këtu. Aktivitetet e kryeministrit të Shqipërisë pas zgjedhjeve në Maqedoni, për mua janë krejtësisht të papranueshme. Të ftohen subjektet politike shqiptare nga Maqedonia, të diskutohet platforma e tyre dhe çfarë duhet të bëjnë kur të kthehen në vendin e tyre, mendoj se është me të vërtetë e tepruar. Unë jam i befasuar që askush nuk e përmendi publikisht, por unë e di se ka shkaktuar shumë kritika. Kjo nuk është mënyra për të kryer punët”, ka deklaruar eurodeputeti Kukan. Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, me ndërmjetësim e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët e partive politike shqiptare zotohen se nuk do të marrin pjesë në qeverinë e re në Maqedoni, nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.

Maqedonia reagon zyrtarisht kundër Edi Ramës

Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në emisionin “Tonight Ilva Tare” mbi të drejtat e shqiptarëve atje. Në reagim i kërkohet kryeministrit të Shqipërisë që të respektojë pavarësinë e Maqedonisë dhe vullnetarin e qytetarëve, duke shtuar se shqiptarët në këtë vend kanë përfaqësuesit e tyre legjitimë. Me anë të një deklarate, Ministria e Jashtme e Maqedonisë thotë se, “politikanët nga vendet fqinj që kërkojnë me këmbëngulje të tërheqin vëmendjen nga problemet në vend, duke ndezur zjarrin tek fqinjët janë në kundërshtim me vlerat evropiane”.
“Natyrisht që më tërheqëse është të merren me vendet fqinjë në kushte kur vështirë se ju shkon me nevojat reale të qytetarëve në vendin e tyre. Megjithatë, për të gjithë do të jetë më mirë të përkushtohen në reformat që janë shumë të nevojshme para se të ëndërrojnë për udhëheqje dhe të krijojnë ndarje në rajon. Nuk duam të komentojmë më shumë se kush është duke u përzier në Maqedoni, por ju bëjmë thirrje që të respektojë pavarësinë e Maqedonisë dhe të respektojnë vullnetin e qytetarëve. Qytetarët për ne janë të rëndësishëm dhe prej atyre pritet që të sjellin vendime brenda në shtet.
Praktika na dëshmon se vendimet e mira për vendin duhet të rrjedhin nga interesat e qytetarëve tanë. Qëndrimi i tillë është edhe në funksion të integrimit evropian të vendit. Vetëm një Maqedoni sovrane, efektive dhe efikase mund të kontribuojë në projektin, i cili është masivisht i mbështetur nga qytetarët e Maqedonisë”, thuhet në deklaratë.

Lufta PS-LSI, policia merr peng gruan e ministrit Koka

Thellohet lufta brenda mazhorancës qeverisëse. Me urdhër të Ramës policia mban nën vëzhgim dhe përndjek makinat e ministrave të LSI. Pre e kësaj përndjekje nga policia ka rënë ministri i Mjedisit, Lefter Koka, vetëm pak ditë pasi ai deklaroi se, “qeveria dhe policia është e lidhur me krimin dhe trafikun e drogës”. Ditën e enjte, policë me maska kanë ndaluar makinën e ministrit të LSI, Koka dhe kanë ushtruar kontroll në makinën e tij në të cilën ndodhej edhe bashkëshortja e ministrit. Policët e maskuar, pasi kanë ushtruar kontroll dhe nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë në makinë e kanë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Bëhet e ditur se, policët me maska i kanë thënë ministrit Koka se po e dërgojnë makinën në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, pasi kishin urdhër nga lart për një verifikim. Nuk dihen arsyet se përse është bërë ky kontroll brutal ndaj mjetit të ministrit të LSI-së, por dyshohet se policët e maskuar e kanë ndërmarrë këtë operacion pas urdhrit të Ramës.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha, i cili në një status në Facebook shkruan se, gruaja e ministrit të Mjedisit është marrë peng dhe është shoqëruar në kundërshtim me ligjin nga forcat e policisë. Berisha shkruan se, kjo është një hakmarrje e pastër për deklaratat e ministrit Koka për lidhjet e policisë dhe qeverisë me krimin.
“Fol po deshe Lefter! Se unë jam Edvin Shullazi! Të marrim hanëmin peng! Të dashur miq, vetëm 5-6 ditë pas deklaratave bombë të ministrit Koka për lidhjet e policisë dhe qeverisë me krimin, të cilit Rama iu përgjigj me shprehjen ‘qentë le të lehin karvani shkon përpara’, dje mbasdite policia shoqëroi në kundërshtim me çdo ligj, pra mori peng Lefter hanëmin. Tani, e kishin për t’i thyer turinjtë Lefterit apo për të zbatuar porosinë e tyre, për të cilën Petrit Vasili paralajmëroi deputetët apo për të dyja, këtë gjejeni vetë?!”, shkruan Berisha.
Para një jave, ministri i Mjedisit Lefter Koka u shpreh në një intervistë për “Ora Neës”, se në Qarkun e Durrësit po angazhohen persona të inkriminuar të infiltruar në forcat policore, për fushatë elektorale, gjë e cila rrezikon të sjellë sipas Kokës, destabilitet dhe zgjedhje pa standarde. Sipas tij, policia përpara se të merret me zgjedhjet duhet të merret me detyrat që i takojnë siç është kultivimi i kanabisit, problem i cili sipas tij po e kthen Shqipërinë në gazin e botës.
Koka më tej shtoi se, policia është mirë që të merret me detyrat e saj, pasi fenomeni i kanabisit po e kthen vendin në gazin Evropës. Sipas tij, janë eksponentë të lartë të policisë që marrin direkt në mbrojtje trafikantët.
Duket se ky ka qenë shkaku që policia është vënë në përndjekje të tij. Bëhet e ditur se, Koka i ka telefonuar Ramës dhe Tahirit për këtë ngjarje të paprecedent, por nuk ka marrë asnjë përgjigje prej tyre. Makina është mbajtur për rreth një orë në Drejtorinë e Policisë së Durrësit dhe më pas është lënë e lirë.
Pak ditë më parë, Rama shkarkoi nga detyra e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjanin për shkak të akuzave të rënda që ky i fundit kishte adresuar ndaj kryeministrit dhe sidomos ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Akuza ndaj policisë ka hedhur edhe kreu i Grupit parlamentar dhe zv/kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, i cili dje nisi detyrën e ministrit të Drejtësisë. Vasili u bëri thirrje zyrtarëve të LSI që të kenë kujdes nga policia, pasi mund të ju vendosnin drogë në makinë. Burime nga LSI bënë të ditur se, deputetët e LSI-së janë në shënjestër dhe se policia do t’i inkriminojë edhe si transportues droge.

R.POLISI

Përdorja e ambasadorëve, Llalla: Withers bëri shantazh për të mos hetuar Ramën

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka zbuluar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, mënyrën se si i përdor Edi Rama ambasadorët të akredituar në Shqipëri, për të mbuluar pazaret në funksion të aferave korruptive. Prokurori i Përgjithshëm, iu referua një ndodhie në vitin 2010, në kohën kur ai drejtonte ILDKP-në, kur ish-kreu i Bashkisë sot Kryeministër u përzgjodh mes 109 zyrtarëve të tjerë të lartë për hetim pasurie. Llalla u shpreh se, menjëhëre pas kësaj, ka reaguar në mënyrë direkte ish- ambasadori John Withers, madje dhe në kontakte personale për të bërë të mundur shmangien e kontrollit dhe hetimit të pasurisë në atë kohë. Llalla la të kuptonte se me anë të shantazheve dhe daljeve publike, Withers kërkonte me çdo mënyrë heqjen e emrit të Ramës nga ky short “Shorti i ra kryeministrit aktual për t’u hetuar dhe kontrolluar, për t’iu kontrolluar pasuria e tij nga ILDKP, si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Në momentin kur u përzgjodh, pra ishte krejt e rastësishme, kryetari i Bashkisë dhe aktualisht Kryeministër, pati një reagim të menjëhershëm ambasadori i asaj kohe, duke paragjykuar në media, por edhe në kontakte të drejtpërdrejta se procesi ishte i manipuluar etj. Natyrisht unë ndërrmora hapat e mia. Në rastin konkret të ambasadorit Withers, unë iu drejtova ministrit të Jashtëm të asaj kohe, z.Meta. Me të cilin patëm një bashkëpunim tepër të frytshëm, i vura në dispozicion të gjitha të dhënat dhe materialet që ambasadori amerikan përdori dhe kritikonte në mënyrë të paligjshme institucionin e ILDKP-së”, u shpreh Llalla.

Ndikimi

Por pavarësisht se si ka dalë kontrolli, deklarata e Llallës, nxjerr në pah fobinë që ka Kryeministri ndaj kontrollit të pasurisë së tij, por dhe ndaj çdo autoriteti ligjzbatues në këtë vend. Hetimi i pasurisë së Kryeministrit, do i kushtonte shkarkimin dhe ish-kryetares së ILDKP-së, Zana Xhuka, në kundërshtim me ligjin, shkarkim që do sillte në krye të këtij institucioni Shkëlqim Ganaj, i cili prej tre vitesh ka krijuar një hermetizim të institucionit që ai drejton. Kryeministri, megjithëse i shumëpërfolur për lejet e ndërtimit në kohën kur ishte në krye të Bashkisë, apo dhe për jetën luksoze që po bën përgjatë viteve si Kryeministër, sërish deklaron pasuri vetëm 3 mijë euro aq sa është çmimi i dhjetë kravatave të tij, ndërkohë që ishte OSBE që e akuzoi për 200 milionë euro të fshehura në kompanitë offshore përtej oqeanit. Por më e rënda në këtë histori është përdorimi i diplomatëve të huaj për të mbrojtur korrupsionin e tij. Mbetet ende e pasqaruar se çfarë e shtynte ish-ambasadorin Withers, të ndërhynte direkt tek organet ligjzbatuese për të ndaluar hetimin e një kryetari Bashkie, pavarësisht faktit që aso kohe ishte kryetar i opozitës. Natyrisht përgjigjen e kësaj mund ta japë vetëm zoti Withers, një ish-diplomat që pas përfundimit të misionit të tij në Shqipëri, po shijon kohën e pensionit.