Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu ka reaguar ndaj mashtrimeve të kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë analizës së Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës. Në një deklaratë për shtyp thuhet se, është e qartë se nuk mund ta njohësh realitetin kur je 3 ditë jashtë e 1 ditë në punë. Kjo i ka ndodhur Veliajt i cili, edhe pse prej dy vitesh është në krye të Bashkisë së Tiranës, nuk njeh ende kufijtë territorialë, edhe pse ndarja është bërë me ishuj, kujtojmë qytetarët e Zall Herrit duhet të kalojnë nëpër Kamëz për të shkuar në qendrën e Njësisë Administrative Tiranë, ndarje politike!
“Drejtoria e UKT ku sot ka bërë analizën kolegu mashtrues i Tiranës është në teritorin e Kamzës (që brenda pranverës do merret nga Bashkia Kamëz), por tubacioni që kalon nga impianti i Bovilles drejt Tiranës menaxhohet nga UKT-ja e tij, pra nëse ka abuzim apo vjedhje faji është i turistit më luksoz në Shqipëri, kreut të Bashkisë së Tiranës, sepse është nën menaxhimin e tij.
Ku e gjen kurajon kolegu mashtrues që çdo ditë merr nën mbrojtjen politike të qeverisë:
-Territore padrejtësisht nga Kamza,
– Pyje nga Kamza.
– Që merr funksione të deleguara nga qeveria që duhet t’i merrte Kamza, por janë marrë padrejtësisht nga Tirana si:
– Repartin e zjarrfikseve të Kamzës.
-Makineritë e financimin e Kullimit dhe Vaditjes që i takonte Kamzës.
– Konviktin e shkollës ë mesme që i takonte Kamzës.
– Fondin e Mirëmbajtjes së Rrugëve që i takonte Kamzës
-Administrimin e pyjeve që i takonte Kamzës.
Fakt është se Kamza ka aplikuar për 4 vite mbi 120 projekte tek qeveria, të refuzuara të gjitha, ndërsa Bashkia e Tiranës ka marrë 33,5 herë më shumë lekë për frymë për banorët e Tiranës. A nuk janë njësoj banorë, me të drejta të njëjta si në Kamëz si në Tiranë?
Kjo është e vërteta.
Veliaj ka kapur mediat dhe çdo mashtrim i tij bëhet lajm.
Po realiteti që prekin e njohin qytetarët nuk ndryshohet me propagandë të rreme.
Realiteti ndryshon, duke u shërbyer njerëzve, pavarësisht ku banojnë, dhe për kë votojnë’, përfundon deklarata për shtyp e Bashkisë Kamëz.
Mziu: Ja shpifjet e radhës të mashtruesit Erion Veliaj
Shqiptari dhe një politikan italian kapen me kokainë në Itali
Policia e Trentos në Itali bën me dije se ka arrestuar sot Maurizio Agositinin, 51 vjeç, këshilltar bashkiak i Partisë Lidhja e Veriut, në Komunën Mattarello në provincën e Trentos dhe një mikun e tij shqiptar, Stefan Dushku, 38 vjeç, gjatë kontrollit në makinën me të cilën udhëtonin. Shkak për arrestimin siç bën me dije Ilfattoquotidiano.it, por edhe media të tjera lokale, është se në makinën me të cilën ata po udhëtonin e tipit Hyundai Atos, janë gjetur 300 gramë kokainë e pastër, në 3 pako dhe me një vlerë në treg prej 60-70 mijë euro, raportojnë sot mediat lokale. Arrestimi i tyre u bë, pas një kontrolli të Policisë Rrugore në autostradën A22 Trento Jug.
Droga ishte e mbështjellë me qese të lyera me parfum për të evituar nuhatjen e qenve të policisë. Të arrestuarit i kishin fshehur dozat e kokainës në kroskotin e makinës së tyre Hyundai Atos. Megjithatë, karabinierët e patën të lehtë të gjejnë drogën e fshehur.
Shqiptari Stefan Dushku ishte i pastrehë dhe sipas mediave fqinje kishte shkuar në Itali për të kërkuar punë. Menjëherë pas lajmit të arrestimit të këshilltarit të Lidhjes së Veriut, sekretari i kësaj force politike për rajonin e Trentos, Maurizio Fugatti me një deklaratë zyrtare, tha se Maurizio Agostini, përjashtohet nga radhët e partisë Lidhja e Veriut.
“Kush përfshihet në akte të tilla nuk ka lidhje me frymën e principet e Lidhjes së Veriut, e cila çdo ditë me aksione politike lufton kundër krimit, konsumit të drogës e trafikimit të saj”, përfundon kjo deklaratë.
Dështon për herë të katërt seanca ndaj Shullazit dhe anëtarëve të bandës
Seanca gjyqësore për marrjen e dëshmisë së biznesmenit Ylvi Beqja, dëshmitari i mbrojtur në dosjen “Shullazi”, ka dështuar dje për të katërtën herë brenda një jave. Përsëri shkak për shtyrjen janë bërë avokatët. I arrestuari Gilmando Dani ka qenë pa mbrojtës ligjor, pasi edhe mbrojtësi i caktuar kryesisht nuk është paraqitur. Prokuroria kërkon ta legjitimojë dëshminë e biznesmenit si provë dhe mungesa e avokatëve për organin e akuzës është mënyrë për të mos e marrë atë. Ndërsa, avokatët pretendojnë se marrja e kësaj dëshmie është në kundërshtim me ligjin. Dëshmitari duhet të dëshmonte me video në mënyrë që Gjykata ta njohë si provë dëshminë e tij që do t’i bashkangjitet dosjes hetimore. Gjykata ndërpreu seancën për të vazhduar të premten në ora 15:00.
Në muajin tetor, Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se, Beqja ka deklaruar se Emiliano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin.
Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash.
Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiliano Shullazit dhe biznesmenit.
Nga ana tjetër, në të gjitha rastet e zhvillimit të takimeve të biznesmenit me personin në hetim Emiliano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona, të cilët lëviznin të armatosur dhe me disa makina. Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, Emiliano Shullazi ka qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin përreth. Edhe prania e këtyre personave ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim ndaj biznesmenit.
Vrasja në Belgjikë, Prokuroria më 9 shkurt jep pretencën kundër Frrokut
Gjykata e Tiranës, përfundoi shqyrtimin e provave në procesin gjyqësor ndaj ish-deputetit të mazhorancës, Mark Froku, i akuzuar për vrasje në Belgjikë. Në seancën e fundit, pas leximit të dëshmisë së vëllait të viktimës, Gjykata administroi provat shkresore dhe më pas ndërpreu seancën për t’i lënë kohë Prokurorisë të përgatisë konkluzionet përfundimtare. Sipas Gjykatës, më 9 shkurt Prokuroria do të lexojë pretencën ndaj ish-deputetit Mark Frroku i akuzuar për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Blegjikë.
Mbi ish-deputetin e mazhorancës, Mark Frroku rëndojnë 4 akuza. Akuza e parë, ajo e vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti të ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë. Rezulton që Frroku dhe 3 bashkëpunëtorët e tij ta kenë vrarë Kurtin për shkak të përplasjeve për kontrollin e prostitucionit.
Akuza e dytë është ngritur, pasi Frroku nuk është në gjendje të justifikojë pasurinë e tij prej më shumë se 2 milionë dollarë. E treta ka të bëjë me një akumulim të pajustifikuar të të ardhurave nga ana e tij, i cili në vitin 2002 është dënuar nga autoritetet holandeze me 3 vjet burg për trafik droge. Ndërsa, akuza e katërt ka të bëjë me një ndërtim të Frrokut në rrugën e “Durrësit”, në kryeqytet. Bëhet fjalë për një godinë 4-katëshe, të cilës po i shtohej një kat dhe një shtesë anësore.
Aleksandër Kurti ra në kurthin e “Lumes”, një prostitute shqiptare me inicialet L.A. Ai kishte njohur prostitutën shqiptare me emrin “Jeta”. Kishte shkuar me të një ditë në hotel. Një ditë tjetër i shkon në vendin e punës dhe sheh bashkë me të Lumen, të cilën ai e kishte njohur që në Shqipëri, pasi ishin nga e njëjta zonë. Aleksandër Kurti i thotë Lumes se, “do t’u tregojë familjarëve të saj se ç’punë bënte ajo në Bruksel”. Ky fakt e tremb Lumen. Por situata bëhet më e rëndë, kur ai i gjen numrin e telefonit përmes Jetës dhe i përsërit të njëjtin kërcënim.
Lumja njofton për këtë Nardin, Leonard Frrokun, vëllanë e Mark Frrokut. Ndërsa Nardi njofton Lek Bib Djafën, Aleksandër Vukën dhe Hilë Morinën. Këta të tre njoftojnë Alfred Kolën që ka njohje me Aleksandër Kurtin. Por në kurth do ta fuste Lumja. Ajo i telefonon dhe i lë takim në stacionin e trenit. Problemin që kishte shkaktuar Aleksandër Kurti me kërcënimin se do të njoftonte familjarët e Lumes e merr vesh edhe vëllai i tij, Nikolas Kurti. Tre ditë para vrasjes, ai i ka telefonuar motrës së tij dhe i ka kërkuar që “kunati i saj të takojë Benin, Arben Frrokun, pasi në rast të kundërt dikush do të vritej brenda 24 orëve”.
Organizata turko-shqiptare-spanjolle kapet me 16 kg heroinë, 29 në pranga
Plot 29 persona janë arrestuar nga policia spanjolle në kuadër të një operacioni të gjerë kundër trafikut të heroinës dhe kokainës nga Ballkani, Turqia dhe Holanda. Nga të arrestuarit, 22 prej tyre janë prangosur në Galicia dhe pjesa tjetër në Madrid, kryeqyteti i vendit. Organizata vepronte në mënyrë ndërkombëtare.
Të arrestuarit janë shqiptarë, turq dhe spanjollë. Operacioni u kodua “Galeaza”, dhe ka çuar në sekuestrimin e 16 kg heroinë të pastër dhe me cilësi të lartë si dhe materiale të tjera për falsifikimin, trajtimin dhe paketimin e drogës.
Shumica e lëndës narkotike u sekuestrua në një automjet që po udhëtonte nga Madridi, ku kishte marrë drogën në drejtim të Galicias. Ndërkohë, 8 kg drogë është sekuestruar në muajin gusht të vitit të shkuar, pjesë e po të njëjtës organizatë.
Mediat spanjolle bëjnë me dije se në qytetin Pontevedra ishte ngritur një laborator për përpunimin e drogës ku janë sekuestruar gjithashtu edhe 35 mijë euro para të gatshme, një pistoletë, si dhe 11 automjete të pajisura me hapësira të posaçme për transferimin e drogës. Gjithashtu, janë sekuestruar pajisje elektronike.
Hetimet nisën pas informacione të mbërritura tek Roja Civile, siç quhet policia në Spanjë, ku thuhet se ekzistonte një organizatë që funksiononte në Pontevedra që furnizonte me heroinë rajonin e Galicias. Më pas, nisën vëzhgimet për të identifikuar anëtarët e saj.
Heroina është siguruar nga tri organizata turke-shqiptare të vendosura në Madrid dhe Orense, përgjegjëse për futjen në Spanjë të heroinës nga Ballkani, Turqia dhe Holanda gjithashtu. Midis të arrestuarve është edhe një mjek kirurg, i cili kishte fshehur drogën në shtëpinë e tij në Madrid.
Aksident në Lezhë, furgoni përplas për vdekje këmbësorin
Një i moshuar humbi jetën, pasi u përplas nga një furgon në superstradën Lezhë-Laç. Aksidenti u regjistrua rreth mesnatës dhe viktima është Lek Bela, 74 vjeç, nga fshati Pllanë i Lezhës. 74-vjeçari ishte duke lëvizur në anë të supestradës, kur u godit nga një furgon mallrash që drejtohej nga Ardit Dani, 32 vjeç, banues në Tiranë.
Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme të moshuarit. Nga të dhënat e para të policisë është bërë e ditur se shkak për aksidentin ka qenë errësirë në rrugë dhe shpejtësia tej normave të lejuara që po lëvizte drejtuesi i furgonit, i cili e ka patur të pamundur të manovrojë që të shmangte përplasjen.
Drejtuesi i mjetit, që shkaktoi aksidentin është arrestuar. Ky është aksidenti i dytë i kësaj natyre që ndodh në superstradën Lezhë-Laç, pasi dhe tre ditë më parë një automjet përplasi për vdekje një këmbësor, ndërsa autori i aksidentit ende nuk është identifikuar dhe ndaluar nga policia.
Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Rrugën e “Kombit”. Një kamion ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë. Aksidenti ka ndodhur pranë fshatit Skuraj, ku forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje. Drejtuesi i kamionit është nxjerrë nga mjeti dhe është dërguar në spital në gjendje të rënd shëndetësore. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti.
Ish-drejtori i Tatimeve shpallet i pafajshëm
Gjykata e Faktit në Tiranë, shpalli sot pushimin e gjykimit për ish-drejtorin e Tatimeve Tiranë, Androkli Kokthi, pasi sipas saj faktet e paraqitura në akuzën kundër tij nuk qëndronin. Ai akuzohej për shpërdorim detyre në bazë të nenit 248 të Kodit Penal, pasi në muajin korrik 2014 kishte lidhur një Akt-Marrëveshje për likuidimin me këste të detyrimeve të prapambetura me shoqërinë Fullpet. Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet heqje lirie, por Gjykata e shpalli akuzën të pa mbështetur në ligj.
Androkli Kokthi u arrestua në 18 shkurt 2016, përsëri për shpërdorim detyre për disa mallra të konfiskuara, që më pas i ishin kthyer subjektit. Kjo akuzë nuk arriti të vërtetohej. Kokthi njihej në mjediset fiskale për arrogancën e tij, por nga ana tjetër edhe për përvojën profesionale. Ai u lakua në media për konfliktet dhe mosdakortësinë e tij të vazhdueshme me ish-drejtoreshën e Tatimeve, Briseida Shehaj.
Mediu takon Tillerson: Situata në Shqipëri e papranueshme
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka zhvilluar mëngjesin e djeshëm një takim dhe bisedë me sekretarin e ri të Shtetit të SHBA-së, Rex Tillerson. Njoftimin për takimin e ka bërë vetë Mediu në rrjetin social në Facekook. “Të dashur miq. Sot pata kënaqësinë gjatë Mëngjesit të Lutjeve, të kisha një bisedë me sekretarin e ri të Shtetit, Rex Tillerson. Mbasi e urova për detyrën e re vura në dukje se gjithë shqiptarët pa dallim janë pro amerikanë dhe mirënjohës për atë çka bërë Amerika, për njohjen e shtetit shqiptar, pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Po ashtu ngrita shqetësimin për situatat në Ballkan, rishfaqjen e konflikteve me bazë etnike të qëllimshme. Situata në Shqipëri vura në dukje është bërë e papranueshme për shkak të krimit të organizuar, trafiqeve dhe pamundësisë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shkruan Mediu në Facebook.
Rex Tillerson konfirmohet Sekretar i Shtetit
Senati amerikan konfirmoi ish-shefin ekzekutiv të kompanisë Exxon Mobil, Rex Tillerson në postin e sekretarit të Shtetit. Senati e votoi zotin Tillerson në krye të Departamentit të Shtetit me 56 vota pro dhe 43 kundër. Të gjithë republikanët kanë votuar pro Tillersonit, ndërsa shumica e senatorëve demokratë kanë votuar kundër. Mbështetësit e Tillersonit në Senat u shprehën të bindur se ai do ta drejtojë me integritet Departamentin e Shtetit. Pas votimit nga Senati, zoti Tillerson shkoi në Shtëpinë e Bardhë për ceremoninë e betimit në prani të presidentit Donald Trump. Presidenti u shpreh i bindur se zoti Tillerson do të japë gjithë potencialin e tij në politikën e jashtme të vendit dhe në dobi të përforcimit të sigurisë në botë. “Kemi trashëguar sfida në Lindjen e Mesme dhe kudo në botë, por besoj se mund të arrihet paqja e stabiliteti në këto kohë të vështira”, tha presidenti, kurse sekretari i ri i Shtetit premtoi se do të punojë në shërbim të interesave të popullit amerikan. Kryediplomati i ri amerikan, Rex Tillerson u tha dje punonjësve të Departamentit të Shtetit se diplomatët duhet të lejohen të shprehin mendimet e tyre politike, por shtoi se, “nuk mund të lejojmë që bindjet tona personale të pengojnë aftësinë për të punuar si ekip”. Këtë javë rreth një mijë zyrtarë të Departamentit të Shtetit nënshkruan një MEMO ku shprehin kundërshtimin ndaj urdhrit të presidentit Donald Trump për të ndaluar përkohësisht hyrjen e njerëzve nga shtatë vende me shumicë myslimane. Zoti Tillerson u tha punonjësve se do të përqafojë “disa parime bazë” të llogaridhënies, ndershmërisë dhe respektit për të garantuar se Departamenti i Shtetit do të funksionojë “në mënyrën më produktive dhe më të efektshme të mundur”. Në postin e ri, zoti Tillerson do të përballet me një numër sfidash globale që i trashëgon nga administrata e kaluar, si lufta civile në Siri, rritja e aftësive bërthamore të Koresë së Veriut, dhe shtimi i agresivitetit të Kinës dhe Rusisë.
Basha uron sekretarin e ri të Shtetit Rex Tillerson
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar zgjedhjen e sekretarit të ri të Shtetit Rex Tillerson, pas votimit në Senatin amerikan dhe emërimit të tij në detyrë. Basha e ka shoqëruar urimin e tij dhe me një foto të zotit Tillerson, në faqen e tij zyrtare në Facebook.
“Urime të përzemërta sekretarit të 69-të të Shtetit, Rex Tillerson! Suksese në sfidat që e presin, në një kohë kur bota ka shumë nevojë për vendosmërinë dhe udhëheqjen e SHBA”, shprehet Basha.
SHBA dhe Meksika mohojnë njoftimet për dërgim trupash
Shtetet e Bashkuara dhe Meksika i mohuan njoftimet se presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se ai ishte i gatshëm të dërgonte trupa amerikane në Meksikë.
“Associated Press” dhe një gazetar meksikan në Uashington kanë raportuar se zoti Trump i ka thënë presidentit meksikan, Enrique Pena Nieto gjatë një telefonate javën e kaluar se ai do të dërgonte forca amerikane për të luftuar elementët e krimit dhe drogës nëse Meksika nuk do të merrte më shumë masa për t’i kontrolluar ata.
Raportimi i “Associated Press” është bazuar në një transkript të pjesshëm të bisedës mes zotit Trump dhe zotit Nieto që i është dhënë me kusht anonimiteti nga një person, i cili kishte qasje në transkriptin zyrtar. “Associated Press” vuri në dukje se nuk ishte e mundur të përcaktohej toni i komenteve të presidentit Trump.
Gazeta “The Neë York Times” tha se një zyrtar i lartë i administratës i ka thënë gazetës të mërkurën mbrëma se komentet e presidentit Trump ishin gjest i mirë dhe përfaqësonin një ofertë për të ndihmuar Meksikën në luftën kundër bandave të drogës dhe në kontrollimin e kufirit.
Zëdhënësi i Zyrës së Presidentit të Meksikës, Eduardo Sanchez tha se njoftimet se Trump ka sugjeruar dërgimin e trupave amerikane në Meksikë janë “absolutisht të pavërteta”. Zëdhënësi Sanchez tha se Trump dhe Pena Nieto kanë pranuar dallimet e tyre mbi tema të ndryshme, por kanë shprehur dëshirën të vazhdojnë dialogun për të arritur marrëveshje në mes të dy vendeve.
Një nga veprimet e para të presidentit Trump pas marrjes së mandatit, ishte nënshkrimi i një urdhri ekzekutiv për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Ai premtoi gjatë fushatës zgjedhore ndërtimin e murit për të cilin do të paguante Meksika.
Presidenti meksikan Pena Nieto e ka bërë të qartë se qeveria e tij nuk do të paguante për murin dhe ai anuloi një vizitë të planifikuar në Shtetet e Bashkuara pasi presidenti Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv për ndërtimin e murit. Biseda e tyre në telefon kishte për qëllim të riparonte marrëdhëniet mes tyre.