29.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Tahiri drekon me të akuzuarin për vrasje, kërkon të blejë vota për PS

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është akuzuar se është takuar me një të dyshuar si autor të një vrasjeje. Kjo akuzë është bërë nga deputeti i PD, Flamur Noka, i cili gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se, Tahiri ka drekuar në Lundër me Lavdërim Tufën, të akuzuarin si vrasës të Mirit të Xhikes.
Duke iu referuar një mesazhi në celular, Noka tha se, Tahiri i ka kërkuar Lavdërim Tufës që të grumbullojë sa më shumë vota për Partinë Socialiste për zgjedhjet e 18 qershorit. Deputeti Noka akuzoi gjithashtu se, njerëz të afërt të Saimir Tahirit kanë krijuar linjë të trafikut të drogës që kalon përmes doganës së Tre Urave në Përmet.
Para pesë ditësh, Tahiri emëroi drejtor Kufiri në Policinë e Vlorës njeriun e tij më të besuar, Besmir Qibini, për të trafikuar drogën drejt Italisë dhe Greqisë. Ky emërim u bë nga Tahiri vetëm pak muaj nga dita e zgjedhjeve të përgjithshme dhe Rama me Tahirin po krijojnë terrenin për vjedhjen e votave.
Emërimi i Qibinit në krye të Policisë Kufitare të Jugut ka dhënë efektet e para në trafikun e drogës drejt Italisë. Besmir Qibini konsiderohet si një njeri tepër i afërt i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjatë kohës që punoi si zv/drejtor i Doganave, Qibini ishte përgjegjës për të gjithë strukturën e anti-kontrabandës në dogana. Një vit më parë, Qibini lejoi të futet në pikën kufitare të Portit të Durrësit, Shullazin pa ushtruar kontroll në makinën e tij.
Gjatë pesë ditëve që Qibini drejton Policinë Kufitare të Vlorës, policia italiane dhe ajo greke kanë sekuestruar rreth 3 ton drogë të nisur nga brigjet e Vlorës. Të dielën, policia italiane sekuestroi 800 kg kanabis në brigjet e Sao-s, në Leçe. Mediat italiane bënë të ditur se, operacioni u krye nga Guarda di Finanza dhe ngarkesa me lëndë narkotike ishte nisur nga brigjet e Vlorës. Guardia di Finanza kapi një skaf me 800 kg hashash dhe arrestoi një skafist shqiptar dhe dy italianë.
Të hënën, policia italiane sekuestroi 506 kg kanabis të nisur nga brigjet e Vlorës. Mediat italiane shkruanin se të dy trafikantët në bord u përpoqën të iknin, duke hedhur jashtë varkës, (7 metër e gjatë dhe me motor të fuqishëm), drogën, por ata u arrestuan. Kontrabandistët, identiteti i të cilëve nuk dihet, të moshave 30 dhe 48 vjeç, të dy nga Vlora, akuzohen për posedim dhe trafikim ndërkombëtar të drogës. Marijuana e nxjerrë nga deti ishte paketuar në 28 pako me madhësi të ndryshme, me një peshë totale prej 506 kg. Po ashtu, bëhet e ditur se, nëse droga do të kishte dalë në treg për shitje, ajo kapte vlerën e 5 milionë eurove.
Po ashtu, dy ditë më parë policia italiane sekuestroi 480 kg drogë të nisur nga brigjet e Vlorës. Trafikantët tentuan ta hedhin drogën në det, por janë bllokuar menjëherë nga forca policore të Guarda di Finanza. Gjatë këtyre pesë ditëve një sasi e madhe droge është kapur edhe nga policia greke. Tre ditë më parë, policia greke sekuestroi 320 kg kanabis të futur nga Shqipëria dhe vuri në pranga dy personat që po e transportonin lëndën narkotike. Po ashtu, dje policia greke sekuestroi 130 kg kanabis dhe vuri në pranga një shtetas shqiptar.
Tani që po afrohen zgjedhjet, Tahiri ka angazhuar të gjithë njerëzit e tij të afërt për trafikun e drogës. Paratë e përfituara nga ky trafik i jashtëligjshëm do të përdoren për blerjen e votave.

Erion Braçe, lidhje me bandën e Shullazit dhe bizneset mafioze

Deputeti i PS Erion Brace, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku maxhoranca dhe opozita kane debatuar ne lidhje me situaten politike ne vend.

“Erioni, meqë ra fjala i ka dhënë liçencë për përpunimin e naftës një tjetër gangsteri në Lushnjë, pronarit të “Eldon Park” dhe Lushnja helmohet çdo natë!! Aman pyete Erionin nëse s’më beson, pyet të besuarit e t’u në Lushnjë, ata ta vërtetojnë”
Ish-Kryeministri Berisha akuzoi dje deputetin e PS, Erion Braçe se ka lidhje me banditët e Emiliano Shullazit. Në një status në rrjetin social Facebook, Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari, i cili denoncon lidhjen e deputetit Erion Braçe me banditët e rrezikshëm në Lushnjë. Sipas qytetarit dixhital, Braçe shoqërohet me Julian Sulën ose Juli i Pashakos siç njihet nga banorët, i cili është mik me Emiliano Shullazin dhe lëviz me dy pistoleta në brez.
“Çdo bandit me një pushtetar të vetin! Qytetari dixhital denoncon: Lidhjen e deputetit Erion Braçe me banditët më të rrezikshëm në Lushnjë dhe bizneset e tyre mafioze!”, shkruan Berisha në Facebook.
“Po të shkruaj nga adresë falco se me thënë të drejtën me bandat e tyre janë të rrezikshme. Unë jam ish-socialist, Berishë i dashur, jetoj në Lushnjë, pyete pak miun Erion Braçen se me kë shoqërohet në Lushnjë? Në s’ta thotë ai, ta them unë, ai shoqërohet me Julian Sulën ose Juli i Pashakos, i thonë. A e di ti se kush është Juli i Pashakos? Të ekzekuton direkt, mik me Shullazin dhe nëpër Lushnjë bredh me 2 pistoleta në brez! Po kush po merr masa?! Erioni, meqë ra fjala i ka dhënë liçencë për përpunimin e naftës një tjetër gangsteri në Lushnjë, pronarit të “Eldon Park” dhe Lushnja helmohet çdo natë!! Aman pyete Erionin nëse s’më beson, pyet të besuarit e t’u në Lushnjë, ata ta vërtetojnë”, përfundon mesazhi i qytetarit nga Lushnja.
Braçe së bashku me kryetarin e Bashkisë së Divjakës, Kokoneshi janë akuzuar për afera korruptive me Lagunën e Karavastasë. Denoncimi u bë para disa kohësh nga kryetari i Partisë Demokratike të Lushnjës, Myslim Murrizi. Në një deklaratë për mediat, ai tha se po bëhen përfitime qindramilionëshe nga peshkimi në këtë lagunë, me një sipërmarrje të kreut të bashkisë, por të ndihmuar edhe nga deputeti Braçe. “Ka afro një vit, qysh nga muaj mars i vitit 2014, që Laguna e Karavastasë me një sipërfaqe prej 4300 hektarë administrohet në mënyrë private dhe klandestine pa asnjë lloj dokumenti financiaro–ligjor nga kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi, me militantë të Partisë Socialiste i përkrahur nga deputeti Erion Braçe. Bazuar kjo në një vendim qeverie Nr.238 dt. 23.04.2014, vendim qesharak, abuziv, evaziv dhe haptasi për të vjedhur me ligj dhe pa lënë gjurmë. Kjo lagunë konform ligjeve në fuqi, ka qenë dhënë në përdorim nga Ministria e Mjedisit, Kompanisë IT SHPK deri në vitin 2017. Është pezulluar me urdhrin Nr.58 dt/25.02.2014 para se të dalë VKM.
Kjo firmë ka pasur të punësuar me kontrate vjetore 32 punëtorë të përhershëm, dhe të deklaruar në bilancin financiaro-tatimor mbi 700 kuintal peshk të zënë në vit. Prodhimtaria e kësaj lagune në historikun 25-vjeçar rezulton mbi 1000 kuintalë për çdo vit ose e shprehur në lekë 500-800 milionë lekë në vit. Problemet civile midis kompanise IT shpk dhe Ministrisë së Bujqësisë janë problem që nuk na interesojnë ne si opozitë dhe zgjidhja e tyre bëhet në rrugë gjyqësore konform ligjeve në fuqi”.
Kreu i PD Lushnjë i bëri thirrje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë që të fillojë hetimin për të zbardhur këtë aferë të pastër korruptive me mbi 500 milionë lekë të vjedhura, si abuzim i pastër me mbështetje politike.

Nëna e djali rrezikojnë jetën në autobus, Veliaj mburret me transportin publik

Kandidati i ASHE per Bashkine e Tiranes, Erion Veliaj, duke folur gjate konferences “Sfidat dhe mundesite per Tiranen”, organizuar nga revista Monitor dhe Dhoma Amerikane e Tregtise. /r/n/r/nCandidate of Alliance for the European Albania, AEA, for the mayor of Tirana Erion Veliaj, speaks during the conference "Challenges and Opportunities for Tirana", organized by the magazine Monitor and the American Chamber of Commerce.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj vazhdon të propagandojë në mediat e tij përmes kronikave të gatshme, gjoja një transport publik modern në kryeqytet, por situata është krejt ndryshe. Inspektimet gjoja të rastësishme të Veliajt në linjat urbane, nuk e mbulojnë dot gjendjen katastrofike të këtij shërbimi, të cilin qytetarët e Tiranës prej një viti e paguajnë 10 lekë më shtrenjtë.
Lapsi.al sjell historinë e një nëne dhe djalit të saj të mitur që kanë rrezikuar seriozisht jetën teksa udhëtonin me autobusin e linjës së Kristalit. A.K bashkë me djalin 4-vjeçar është rrëzuar në shkallët e autobusit teksa po mbahej nga hekurat, që përdoren zakonisht për të ruajtur ekuilibrin kur je në këmbë. Rrëzimi ka ardhur pas frenimit të shoferit të autobusit, i cili ishte duke  drejtuar mjetin me shpejtësi të madhe. Autobusi kishte targat “AA 108 NM”.
“Shoferi frenoi si i çmendur. Bashkë me çunin u rrëzuam në shkallët e autobusit të dy, pasi hekuri ku po mbaheshim u shkëput. Po dridhesha e tëra, mezi e kam marrë veten nga tronditja. Djali është dëmtuar në fytyrë. Autobusi ishte fare i vjetër”, ka thënë nëna A.K.
Siç shihet, ndërkohë edhe në fotot më poshtë, të publikuara nga shuplaka.com 4-vjeçari ka pësuar dëmtime afër syrit dhe në pjesën e hundës. Ai është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Ndoshta ky është vetëm një rast që bëhet publik, por që mjafton për të treguar se shërbimi i transportit urban në Tiranë është në gjendje shumë të keqe dhe s’ka asnjë lidhje me teatrin që Erion Veliaj bën nëpër mediat e kapura prej tij.

Mziu: Ja shpifjet e radhës të mashtruesit Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu ka reaguar ndaj mashtrimeve të kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë analizës së Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës. Në një deklaratë për shtyp thuhet se, është e qartë se nuk mund ta njohësh realitetin kur je 3 ditë jashtë e 1 ditë në punë. Kjo i ka ndodhur Veliajt i cili, edhe pse prej dy vitesh është në krye të Bashkisë së Tiranës, nuk njeh ende kufijtë territorialë, edhe pse ndarja është bërë me ishuj, kujtojmë qytetarët e Zall Herrit duhet të kalojnë nëpër Kamëz për të shkuar në qendrën e Njësisë Administrative Tiranë, ndarje politike!
“Drejtoria e UKT ku sot ka bërë analizën kolegu mashtrues i Tiranës është në teritorin e Kamzës (që brenda pranverës do merret nga Bashkia Kamëz), por tubacioni që kalon nga impianti i Bovilles drejt Tiranës menaxhohet nga UKT-ja e tij, pra nëse ka abuzim apo vjedhje faji është i turistit më luksoz në Shqipëri, kreut të Bashkisë së Tiranës, sepse është nën menaxhimin e tij.
Ku e gjen kurajon kolegu mashtrues që çdo ditë merr nën mbrojtjen politike të qeverisë:
-Territore padrejtësisht nga Kamza,
– Pyje nga Kamza.
– Që merr funksione të deleguara nga qeveria që duhet t’i merrte Kamza, por janë marrë padrejtësisht nga Tirana si:
– Repartin e zjarrfikseve të Kamzës.
-Makineritë e financimin e Kullimit dhe Vaditjes që i takonte Kamzës.
– Konviktin e shkollës ë mesme që i takonte Kamzës.
– Fondin e Mirëmbajtjes së Rrugëve që i takonte Kamzës
-Administrimin e pyjeve që i takonte Kamzës.
Fakt është se Kamza ka aplikuar për 4 vite mbi 120 projekte tek qeveria, të refuzuara të gjitha, ndërsa Bashkia e Tiranës ka marrë 33,5 herë më shumë lekë për frymë për banorët e Tiranës. A nuk janë njësoj banorë, me të drejta të njëjta si në Kamëz si në Tiranë?
Kjo është e vërteta.
Veliaj ka kapur mediat dhe çdo mashtrim i tij bëhet lajm.
Po realiteti që prekin e njohin qytetarët nuk ndryshohet me propagandë të rreme.
Realiteti ndryshon, duke u shërbyer njerëzve, pavarësisht ku banojnë, dhe për kë votojnë’, përfundon deklarata për shtyp e Bashkisë Kamëz.

Shqiptari dhe një politikan italian kapen me kokainë në Itali

Policia e Trentos në Itali bën me dije se ka arrestuar sot Maurizio Agositinin, 51 vjeç, këshilltar bashkiak i Partisë Lidhja e Veriut, në Komunën Mattarello në provincën e Trentos dhe një mikun e tij shqiptar, Stefan Dushku, 38 vjeç, gjatë kontrollit në makinën me të cilën udhëtonin. Shkak për arrestimin siç bën me dije Ilfattoquotidiano.it, por edhe media të tjera lokale, është se në makinën me të cilën ata po udhëtonin e tipit Hyundai Atos, janë gjetur 300 gramë kokainë e pastër, në 3 pako dhe me një vlerë në treg prej 60-70 mijë euro, raportojnë sot mediat lokale. Arrestimi i tyre u bë, pas një kontrolli të Policisë Rrugore në autostradën A22 Trento Jug.
Droga ishte e mbështjellë me qese të lyera me parfum për të evituar nuhatjen e qenve të policisë. Të arrestuarit i kishin fshehur dozat e kokainës në kroskotin e makinës së tyre Hyundai Atos. Megjithatë, karabinierët e patën të lehtë të gjejnë drogën e fshehur.
Shqiptari Stefan Dushku ishte i pastrehë dhe sipas mediave fqinje kishte shkuar në Itali për të kërkuar punë. Menjëherë pas lajmit të arrestimit të këshilltarit të Lidhjes së Veriut, sekretari i kësaj force politike për rajonin e Trentos, Maurizio Fugatti me një deklaratë zyrtare, tha se Maurizio Agostini, përjashtohet nga radhët e partisë Lidhja e Veriut.
“Kush përfshihet në akte të tilla nuk ka lidhje me frymën e principet e Lidhjes së Veriut, e cila çdo ditë me aksione politike lufton kundër krimit, konsumit të drogës e trafikimit të saj”, përfundon kjo deklaratë.

Dështon për herë të katërt seanca ndaj Shullazit dhe anëtarëve të bandës

Seanca gjyqësore për marrjen e dëshmisë së biznesmenit Ylvi Beqja, dëshmitari i mbrojtur në dosjen “Shullazi”, ka dështuar dje për të katërtën herë brenda një jave. Përsëri shkak për shtyrjen janë bërë avokatët. I arrestuari Gilmando Dani ka qenë pa mbrojtës ligjor, pasi edhe mbrojtësi i caktuar kryesisht nuk është paraqitur. Prokuroria kërkon ta legjitimojë dëshminë e biznesmenit si provë dhe mungesa e avokatëve për organin e akuzës është mënyrë për të mos e marrë atë. Ndërsa, avokatët pretendojnë se marrja e kësaj dëshmie është në kundërshtim me ligjin. Dëshmitari duhet të dëshmonte me video në mënyrë që Gjykata ta njohë si provë dëshminë e tij që do t’i bashkangjitet dosjes hetimore. Gjykata ndërpreu seancën për të vazhduar të premten në ora 15:00.
Në muajin tetor, Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se, Beqja ka deklaruar se Emiliano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin.
Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash.
Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiliano Shullazit dhe biznesmenit.
Nga ana tjetër, në të gjitha rastet e zhvillimit të takimeve të biznesmenit me personin në hetim Emiliano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona, të cilët lëviznin të armatosur dhe me disa makina. Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, Emiliano Shullazi ka qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin përreth. Edhe prania e këtyre personave ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim ndaj biznesmenit.

Vrasja në Belgjikë, Prokuroria më 9 shkurt jep pretencën kundër Frrokut

Gjykata e Tiranës, përfundoi shqyrtimin e provave në procesin gjyqësor ndaj ish-deputetit të mazhorancës, Mark Froku, i akuzuar për vrasje në Belgjikë. Në seancën e fundit, pas leximit të dëshmisë së vëllait të viktimës, Gjykata administroi provat shkresore dhe më pas ndërpreu seancën për t’i lënë kohë Prokurorisë të përgatisë konkluzionet përfundimtare. Sipas Gjykatës, më 9 shkurt Prokuroria do të lexojë pretencën ndaj ish-deputetit Mark Frroku i akuzuar për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Blegjikë.
Mbi ish-deputetin e mazhorancës, Mark Frroku rëndojnë 4 akuza. Akuza e parë, ajo e vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti të ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë. Rezulton që Frroku dhe 3 bashkëpunëtorët e tij ta kenë vrarë Kurtin për shkak të përplasjeve për kontrollin e prostitucionit.
Akuza e dytë është ngritur, pasi Frroku nuk është në gjendje të justifikojë pasurinë e tij prej më shumë se 2 milionë dollarë. E treta ka të bëjë me një akumulim të pajustifikuar të të ardhurave nga ana e tij, i cili në vitin 2002 është dënuar nga autoritetet holandeze me 3 vjet burg për trafik droge. Ndërsa, akuza e katërt ka të bëjë me një ndërtim të Frrokut në rrugën e “Durrësit”, në kryeqytet. Bëhet fjalë për një godinë 4-katëshe, të cilës po i shtohej një kat dhe një shtesë anësore.
Aleksandër Kurti ra në kurthin e “Lumes”, një prostitute shqiptare me inicialet L.A. Ai kishte njohur prostitutën shqiptare me emrin “Jeta”. Kishte shkuar me të një ditë në hotel. Një ditë tjetër i shkon në vendin e punës dhe sheh bashkë me të Lumen, të cilën ai e kishte njohur që në Shqipëri, pasi ishin nga e njëjta zonë. Aleksandër Kurti i thotë Lumes se, “do t’u tregojë familjarëve të saj se ç’punë bënte ajo në Bruksel”. Ky fakt e tremb Lumen. Por situata bëhet më e rëndë, kur ai i gjen numrin e telefonit përmes Jetës dhe i përsërit të njëjtin kërcënim.
Lumja njofton për këtë Nardin, Leonard Frrokun, vëllanë e Mark Frrokut. Ndërsa Nardi njofton Lek Bib Djafën, Aleksandër Vukën dhe Hilë Morinën. Këta të tre njoftojnë Alfred Kolën që ka njohje me Aleksandër Kurtin. Por në kurth do ta fuste Lumja. Ajo i telefonon dhe i lë takim në stacionin e trenit. Problemin që kishte shkaktuar Aleksandër Kurti me kërcënimin se do të njoftonte familjarët e Lumes e merr vesh edhe vëllai i tij, Nikolas Kurti. Tre ditë para vrasjes, ai i ka telefonuar motrës së tij dhe i ka kërkuar që “kunati i saj të takojë Benin, Arben Frrokun, pasi në rast të kundërt dikush do të vritej brenda 24 orëve”.

Organizata turko-shqiptare-spanjolle kapet me 16 kg heroinë, 29 në pranga

Plot 29 persona janë arrestuar nga policia spanjolle në kuadër të një operacioni të gjerë kundër trafikut të heroinës dhe kokainës nga Ballkani, Turqia dhe Holanda. Nga të arrestuarit, 22 prej tyre janë prangosur në Galicia dhe pjesa tjetër në Madrid, kryeqyteti i vendit. Organizata vepronte në mënyrë ndërkombëtare.
Të arrestuarit janë shqiptarë, turq dhe spanjollë. Operacioni u kodua “Galeaza”, dhe ka çuar në sekuestrimin e 16 kg heroinë të pastër dhe me cilësi të lartë si dhe materiale të tjera për falsifikimin, trajtimin dhe paketimin e drogës.
Shumica e lëndës narkotike u sekuestrua në një automjet që po udhëtonte nga Madridi, ku kishte marrë drogën në drejtim të Galicias. Ndërkohë, 8 kg drogë është sekuestruar në muajin gusht të vitit të shkuar, pjesë e po të njëjtës organizatë.
Mediat spanjolle bëjnë me dije se në qytetin Pontevedra ishte ngritur një laborator për përpunimin e drogës ku janë sekuestruar gjithashtu edhe 35 mijë euro para të gatshme, një pistoletë, si dhe 11 automjete të pajisura me hapësira të posaçme për transferimin e drogës. Gjithashtu, janë sekuestruar pajisje elektronike.
Hetimet nisën pas informacione të mbërritura tek Roja Civile, siç quhet policia në Spanjë, ku thuhet se ekzistonte një organizatë që funksiononte në Pontevedra që furnizonte me heroinë rajonin e Galicias. Më pas, nisën vëzhgimet për të identifikuar anëtarët e saj.
Heroina është siguruar nga tri organizata turke-shqiptare të vendosura në Madrid dhe Orense, përgjegjëse për futjen në Spanjë të heroinës nga Ballkani, Turqia dhe Holanda gjithashtu. Midis të arrestuarve është edhe një mjek kirurg, i cili kishte fshehur drogën në shtëpinë e tij në Madrid.

Aksident në Lezhë, furgoni përplas për vdekje këmbësorin

Një i moshuar humbi jetën, pasi u përplas nga një furgon në superstradën Lezhë-Laç. Aksidenti u regjistrua rreth mesnatës dhe viktima është Lek Bela, 74 vjeç, nga fshati Pllanë i Lezhës. 74-vjeçari ishte duke lëvizur në anë të supestradës, kur u godit nga një furgon mallrash që drejtohej nga Ardit Dani, 32 vjeç, banues në Tiranë.
Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme të moshuarit. Nga të dhënat e para të policisë është bërë e ditur se shkak për aksidentin ka qenë errësirë në rrugë dhe shpejtësia tej normave të lejuara që po lëvizte drejtuesi i furgonit, i cili e ka patur të pamundur të manovrojë që të shmangte përplasjen.
Drejtuesi i mjetit, që shkaktoi aksidentin është arrestuar. Ky është aksidenti i dytë i kësaj natyre që ndodh në superstradën Lezhë-Laç, pasi dhe tre ditë më parë një automjet përplasi për vdekje një këmbësor, ndërsa autori i aksidentit ende nuk është identifikuar dhe ndaluar nga policia.
Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Rrugën e “Kombit”. Një kamion ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë. Aksidenti ka ndodhur pranë fshatit Skuraj, ku forca të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje. Drejtuesi i kamionit është nxjerrë nga mjeti dhe është dërguar në spital në gjendje të rënd shëndetësore. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti.

Ish-drejtori i Tatimeve shpallet i pafajshëm

Gjykata e Faktit në Tiranë, shpalli sot pushimin e gjykimit për ish-drejtorin e Tatimeve Tiranë, Androkli Kokthi, pasi sipas saj faktet e paraqitura në akuzën kundër tij nuk qëndronin. Ai akuzohej për shpërdorim detyre në bazë të nenit 248 të Kodit Penal, pasi në muajin korrik 2014 kishte lidhur një Akt-Marrëveshje për likuidimin me këste të detyrimeve të prapambetura me shoqërinë Fullpet. Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet heqje lirie, por Gjykata e shpalli akuzën të pa mbështetur në ligj.
Androkli Kokthi u arrestua në 18 shkurt 2016, përsëri për shpërdorim detyre për disa mallra të konfiskuara, që më pas i ishin kthyer subjektit. Kjo akuzë nuk arriti të vërtetohej. Kokthi njihej në mjediset fiskale për arrogancën e tij, por nga ana tjetër edhe për përvojën profesionale. Ai u lakua në media për konfliktet dhe mosdakortësinë e tij të vazhdueshme me ish-drejtoreshën e Tatimeve, Briseida Shehaj.