28.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025

Berisha takim me eksperte te nivelit te larte te USAID

Ish-Kryeministri Berisha është takuar dje me ekspertet e nivelit te larte te USAID ne Ëashington, zonjen Albena Godlove, zotin Steven Strauss dhe Eugene Spiro te shoqeruar nga bashkedrejtuesit e Fondit Shqiptaro Amerikan te Ndermarrjeve, zoti Mata dhe zoti Sarapuli. Qellimi i vizites se tyre ne vendin tone eshte vleresimi i ndikimit te projekteve te implementuara nga FSHAN, te njihen me treguesit ekonomike te vendit tone, zhvilimin e sektorit privat, investimet etj.
Diskutuam mbi investimet ne Shqiperi te Fondit Shqiptaro Amerikan te Ndermarrjeve, te cilat i vleresova si nje histori e shkelqyer suksesi me kontribut thelbesor ne transformimin e vendin gjate ketyre 20 viteve nepermjet projekteve shume te rendesishme dhe te suksesshme dhe vleresova angazhimin e tyre per projekte te tilla ne te ardhmen. Shpreha mirenjohjen per bashkepunimin e shkelqyer qe kemi patur ne vite, i cili ka bere te mundur suksesin e dhjetra e dhjetra projekteve te medha si aeroporti, pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit apo projekte transformuese ne sistemin bankar, si dhe mbi investimet ne krijimin e zonave te biznesit te filluar me qeverine e meparshme ne qytetet tona si Berat, Korce, Shkoder, Tirane, Gjirokaster, Kruje, rikualifikimin urban e qyteteve tona, apo investimet ne projekte kyce te trashegimise kulturore si ne Butrinit apo Fototeka Marubi.
Ne te vertet sot projektet e Fondit jane te vetmet investime dhe projekte qe ecin, me te cilat qeveria mburret, duke i paraqitur se suksese te vetat por qe ne fakt jane teresisht merite e Fondit.
Cmova punen e punonjesve te Fondacionit, qe me perkushtimin e tyre te madh, dashurine per Shqiperine e shnderruan Fondin e Sipermarrjes Shqiptaro Amerikane ne historine me te suksesshme ne te gjitha vendet ish komuniste dhe shpreha urimin qe ky bashkepunim te vazhdoje dhe te shtrihet me gjere ne fusha te tjera si edukim, energjine e rinovueshme etj.
Ne te gjitha keto projekte bashkepunimi Fondi ka qene nje kollone e besimit dhe suksesit dhe urova vazhdimin me tej te angazhimit te Fondit ne favor te vendit dhe te shqiptareve.

Veliaj teatër në urban, qytetarët përballen me kushtet skandaloze

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë shfaqjen e radhës, duke u vetëfilmuar në një autobus urban për t’u mbushur mendjen qytetarëve se gjendja e shërbimit urban është përmirësuar. Por janë qytetarët ata që përballen për çdo ditë me kushtet skandaloze. Dje, zyra e shtypit e Bashkisë ku punojnë mbi 50 vetë ka shpërndarë nëpër televizione një kronikë, ku shihet kryebashkiaku që bën xhiro me autobus urban. Ai i jep kameramanit të paguar nga vetë ai edhe një “intervistë” ku thotë se gjendja e shërbimit urban është rregulluar.
Transporti urban në kryeqytet përballet çdo ditë me probleme të shumta. Një ndër problemet kryesore është shpejtësia tepër e ulët e autobusëve urbanë. Për ata që nxitojnë të shkojnë në punë, ky udhëtim është një tmerr, pasi në distanca prej 800-900 metrash urbani e bën rreth 45 minuta. Po ashtu, tjetër problem është numri i lartë i personave që udhëtojnë në një autobus urban, duke bërë që personat të udhëtojnë “nën frymën” e njëri-tjetrit si dhe duke krijuar shpesh situata kaotike për shkak të vonesave. Tepër shqetësuese për qytetarët është edhe fakti që lëvizjet e autobusit urban në qytete janë shoqëruar nga vjedhje të shpeshta të urbanëve në Tiranë.
Të udhëtosh me linjat urbane, për kryeqytetasit është një stres më vetë për shkak të mbipopullimit të urbanëve. Njerëzit aty shtypen dhe ngjeshen fort pas njëri-tjetrit aq sa shpesh edhe dyert e urbanit mbyllen me vështirësi. Por problemi i qytetarëve që përdorin linjat urbane nuk mbaron me kaq. Ata duhet të rrinë nën frymën e njëri-tjetrit, duke krijuar një ajër të rëndë dhe tepër të ndotur. Në stinën e dimrit, ky është një rast i shpeshtë ku në ambjente të tilla përcillen virozat gripale nga një person mbartës tek të tjerë, me të cilët ndan një udhëtim të shkurtër brenda për brenda Tiranës.
Për këtë skandal qesharak të Veliajt ka reaguar edhe “Nisma Thurje”. “Totalisht qesharak. Hypën në autobuz me fotografin personal që meqë e paguan nga taksat tona, dhe i thotë: “Ma bëj një kështu, pa mendje. Më kap kështu serioz, që të dukem si lider serioz”. Është sa për të qeshur aq edhe për t’u irrituar. Sepse, ndërsa njerëzit vuajnë çdo ditë, orët e gjata të pritjes, vonesat ekstreme në stacion, shtypjen e përditshme në autobuz, ujin që në ditë shiu lag njëlloj si jashtë dhe brenda, lali Eri përpiqet t’iu mbushë mendjen njerëzve që e vuajnë vetë çdo ditë, që ja u rregullua çdo gjë. Dhe këtë mendon ta bëjë me një foto “pa mendje”.  E kuptoni se çfarë ofendimi i bën inteligjencës së gjithësecilit? Tallje brutale. Tallje spektakolare. Deri kur do t’i kemi në shpinë këta? Edhe sa do të durojmë talljet e tyre?”, shkruan “Nisma Thurje”.
Këshilli Bashkiak i Tiranës me votat e të majtëve nën një propozimin hileqar të Erion Veliaj e rriti çmimin e biletës në 400 lekë të vjetra, me premtimin se kushtet e shërbimit do të përmirësoheshin, por situata është e njëjtë për të mos thënë edhe më keq se më parë. Qytetarët e Tiranës të detyruar të përballen çdo ditë me autobusët e ngadaltë e të tejmbushur dhe pa kondicioner. Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkon Bashkisë së Tiranës të anulojë rritjen e çmimit të biletës për transportin urban qytetas, vendosur në 30 dhjetor të vitit 2016. Sipas KLSH-së, rritja e çmimit të biletës me 33% është e paargumentuar. Konstatimi për rritjen e paargumentuar të çmimit dhe rekomandimi për pezullimin e vendimit janë publikuar në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, pas inspektimit të punës në Bashkinë e Tiranës. “Kur i kërkuam DTTRR përllogaritjen e saktë të formulës së prezantuar në relacionin e VKB Nr.66 datë 30.12.2015, morëm përgjigjen finale se nuk është marrë në konsideratë as norma e inflacionit e deklaruar zyrtarisht e as një formulë paraprake”, shkruan KLSH në raport. KLSH i kërkoi Bashkisë së Tiranës marrjen e masave të menjëhershme të përcaktimit të çmimit të biletës në bazë të një formule të saktë ekonomike, e deri në përmbushjen e këtij detyrimi, pezullimin e vendimit të rritjes së çmimit të biletës për transportin publik.

R.POLISI

Korça në thundrën e bandave të lidhura me Ramën dhe Peleshin

Ish-Kryeministrit Berisha i ka denoncuar publikisht një qytetar nga Korça lidhjet e fuqishme të Ramës dhe Niko Peleshit me bandat që bëjnë ligjin në Korçë. Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari për gjendjen alarmante në Korçë dhe i ka bërë thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet. Qytetari dixhital denoncon: Lidhjet e fuqishme të Edit dhe Nikos me bandat që bëjnë ligjin në Korçë, Ragam e Kapuran. Shkatërrimin, tjetërsimin e Korçës me ndërtimin në qendër të saj të kullave falike Rama-Peleshi në ortakëri me famozin Ragami. Ryshfetin prej 4-6 mijë euro për emërimet në arsim, tatime etj. I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të hetojë me përparësi aferat mafioze që ngre qytetari dixhital në mbrojtje të qytetit të tij!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje zoti Berisha. Unë jam një qytetar nga Korça, biznesmen. Të përgëzoj për informacion e saktë dhe për intervistat plot vërtetësi që shpreh në publikimet e tua! Vërtet në gjithë vendin është instaluar mafia dhe kjo vërehet dhe në Korçë në një krah mafia e Spiro Bardhit ose Ragamit si e etiketojnë korçarët një hajdut ordiner i kthyer së fundi në benjamini i Edit dhe i Nikos, por këtë të fundit e tërheq për hunde Spirua dhe në krahun tjetër super hajduti Kapurani që të zë lemeria të shkosh në Spitalin e Korçës këto ditë dimri dhe të ftohesh jo të shërohesh, si pacientët ashtu dhe stafi mjekësor sepse tenderin e spitalit e ka fituar Kapurani dhe kaldajën as 2 orë në ditë nuk e ndez! Flasim për gjërat që duken palë për emërimet  4 dhe 6 mijë euro për emërimet në arsim, tatime dhe në burg! Nga krahu tjetër gjithë tenderat kalojnë në dorën e Ragamit njëherë pasi merr 10 deri 20% thërrimet ja u jep bizneseve të tjera sa për të ngrenë bukën! Dhe e fundit fare miratimi i Këshillit Bashkiak për ndërtimin e kullave në qendër të Korçës nga Ragami në ortakëri me Ramën dhe Peleshin! Flm për reagimin, zoti Sali se ne nuk flasim dot, pasi është instaluar mafia!?”, përfundon mesazhi i qytetarit nga Korça.

“Gjobvënia”, biznesmeni dëshmon kundër Shullazit, tensione në sallë

Seanca gjyqësore kundër Emiliano Shullazit dhe të arrestuarve të tjerë si pjesëtarë të bandës së tij ka nisur me tensione ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas shtyrjes së seancës së parë, dje është paraqitur në sallën e gjyqit dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqaj, por pikërisht dëshmia e tij është bërë objekt tensioni. Përsëri ishin avokatët mbrojtës, të cilët u bënë shkak që togat e zeza të ndërpresin seancën gjyqësore, e cila do të vazhdojë gjatë të mërkurës po me të njëjtin trup gjykues.
Seanca gjyqësore filloi me rrëzimin e kërkesës së avokatëve për përjashtimin e trupës gjykuese dhe vazhdoi me parashtrimin e kërkesave paraprake të avokatëve. Avokatët këmbëngulën që seanca për ballafaqimin dhe pyetjen e dëshmitarit të mbrojtur Beqja të mos bëhet, me arsyetimin se kanë ankimuar vendimin e sigurimit të provës në Gjykatën e Apelit. Kërkesë e cila u rrëzua nga Gjykata dhe u vendos vazhdimi i seancës gjyqësore, duke ftuar dëshmitarin e mbrojtur të flasë për akuzat ndaj Emiliano Shullazit dhe të dyshuarve të tjerë. Në këtë kohë, avokatët Alban Qafa dhe Nexhdet Kambo që mbrojnë interesat ligjore të të dyshuarit Gilmando Dani u larguan nga salla.
Ata dhanë dorëheqje, me pretendimin se dëshmia e Ylvi Beqajt si bashkëpunëtor i drejtësisë është i paligjshëm. Avokatët thanë se Beqja, nuk është bashkë i pandehur në këtë proces gjyqësor, por një person nën hetim nga Prokuroria për një procedim tjetër penal dhe nuk mund të dëshmojë si bashkë i pandehur. Këtë argument e kundërshtuan prokurorët, ndërsa Gjykata për të mos vazhduar zvarritjen e procesit gjyqësor i caktoi të dyshuarit Gilmando Dani një avokat nga shteti, i cili pritet të njihet me dosjen dhe të paraqitet në ora 15:00 të pasditës së mërkurë, kur është parashikuar vazhdimin i procesit gjyqësor.
Nga ana tjetër, Ylvi Beqja ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, të cilin e njohën të dyshuarit dhe ishte i gatshëm të dëshmonte për kërcënimet, shantazhet dhe gjobat që ai pretendon se i ka paguar për llogari të bandës së drejtuar nga Emiliano Shullazi.
Në muajin tetor, Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se, Beqja ka deklaruar se Emiliano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin.
Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash. Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiliano Shullazit dhe biznesmenit.
Nga ana tjetër, në të gjitha rastet e zhvillimit të takimeve të biznesmenit me personin në hetim Emiliano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona, të cilët lëviznin të armatosur dhe me disa makina. Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, Emiliano Shullazi ka qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin përreth. Edhe prania e këtyre personave ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim ndaj biznesmenit.
Ndërkohë, Prokuroria ka nën hetim edhe persona të tjerë, ndërsa vijon të qëndrojë hermetike për episodet e tjera kriminale për të cilat dyshohen pesë të arrestuarit.

R.POLISI

Dritëro Agolli në gjendje të rëndë shëndetësore, shtrohet në spital

Shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Agolli e ka refuzuar shtrimin në spital pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, por me insistimin e mjekëve dhe familjarëve të tij, shkrimtari i madh është bindur të shtrohet në Sanatorium për të marrë një përkujdesje më të specializuar nga mjekët.
Prej kohësh, ai ka shfaqur një shëndet të dobët, ç’ka e ka detyruar të marrë oksigjen me hundë në rrugë artificiale. Në një prononcim për “BalkanWeb” bashkëshortja e tij, Sadije Agolli ka pohuar se “Dritëroi tani është mirë dhe nën kujdesin e mjekëve, asgjë për t’u shqetësuar”, është shprehur ajo.
Shkrimtari festoi 85¬-vjetorin e tij të lindjes në tetor të vitit të shkuar, me ç’rast u mbajtën një sërë aktivitetesh nga institucionet shqiptare dhe u botuan tri drama të panjohura e një libër me poezitë e tij të fundit, titulluar “Prit edhe pak”, poezi që kanë qenë në dorëshkrim dhe botoheshin për herë të parë dhe shumë prej tyre qenë poezi dashurie.
Po me rastin e 85-¬vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, Akademia e Shkencave i dha lexuesit në Shqipëri tri dramat e tij: “Fytyra e dytë”, “Mosha e bardhë” dhe “Baladë për një grua”. Dramat “Fytyra e dytë” dhe “Baladë për një grua” janë krejt të panjohura për lexuesin deri më sot, kurse drama “Mosha e bardhë” është botuar nga Rilindja në Prishtinë në vitet 1970¬-1980.

Kreu i KLSH-së takon drejtues të lartë të GAO-s në Uashington

Kreu i Kontrollit të Lartë Shtetëror (KLSH), Bujar Leskaj është takuar në Uashington me drejtues të lartë të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA (GAO), përkatësisht me James-Christian Blockwood, drejtor i Planifikimit Strategjik dhe i Marrëdhënieve me Jashtë dhe Janet St. Laurent, Drejtoreshë e Qendrës së Ekselencës në Auditim. Në fokus të takimit ka qenë bashkëpunimi ndërinstitucional mes vendeve.
Leskaj dhe dy përfaqësuesit e lartë të GAO-s diskutuan fushat e bashkëpunimit me Qendrën e Ekselencës në trajnime afatgjata e afatshkurtra të audituesve shqiptarë, veçanërisht për Auditimin e Performancës dhe të IT, si edhe në sferën e Planifikimit Strategjik 2018-2022. Kryetari i KLSH shprehu vlerësimin e tij për ndihmën e deritanishme nga GAO dhe vullnetin e strategjinë e KLSH-së në këto vite për thellimin e bashkëpunimit. Ai i informoi drejtuesit e GAO-s për treguesit e institucionit shqiptar të auditimit në këto vitet e fundit, në fushën e kapaciteteve audituese dhe në thellimin e luftës kundër korrupsionit për përmirësimin e qeverisjes publike. Drejtuesit e GAO-s vlerësuan arritjet e KLSH-së, sidomos treguesit e mbulimit me auditime, gjetjet për mirëadministrimin e Buxhetit të Shtetit, kallëzimet penale, indeksin e dobishmërisë në auditim, etj.
Gjatë bisedës u theksua rëndësia që kanë çështjet e etikës dhe integritet për Institucionet Supreme të Auditimit dhe në këtë kontekst. Leskaj citoi një pjesë të leksionit, “Etika dhe integriteti në auditim: një parakusht për mirëqeverisje”, të mbajtur nga Audituesi i Përgjithshëm i GAO, Dodaro në “Shoqërinë Amerikanë për Administratën Publike”, ku theksohet se “….etika dhe integriteti janë të lidhur pazgjidhshmërisht me auditimin në funksion të transparencës, llogaridhënies dhe mirëqeverisjes. Këto standarde kanë ndikime konkrete tek puna e GAO-s dhe audituesit tanë. Për t’u shprehur më thjesht, etika dhe integriteti janë parësore për GAO-n. Në fakt, integriteti është një nga tre parimet kryesore të GAO-s. Dy të tjerat janë llogaridhënia dhe besueshmëria….”.
Në përfundim, Leskaj shprehu vlerësimin e tij për Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA dhe veçanërisht për Audituesin e Përgjithshëm të saj,  Gene L. Dodaro që përgatitën strategjinë e zhvillimit të INTOSAI-t për periudhën 2017-2022, të cilën e lançuan në Kongresin e XXII të INTOSAI-t, në Abu Dhabi, me synimin për të rritur kontributin e SAI-ve në përforcimin e llogaridhënies dhe transparencës në menaxhimin financiar publik në të gjithë botën.

Mungesa e barrierave në akset rrugore merr jetë njerëzish

Një ditë pas aksidentit tragjik në Fier me dy të vdekur dhe një të plagosur, banorët e fshatit Shën Pjetër japin alarmin për mungesën e barrierave mbrojtëse në urën nga ku ra automjeti. Edhe pse u vendosën rreth 1 vit më parë, këto barriera u vodhën e dëmtuan brenda një kohe të shkurtër, duke rrezikuar jetë njerëzish.
Ura në segmentin Hoxharë e Re-Fier ku mbrëmjen e së hënës humbën jetën dy persona e u plagos një tjetër, prej kohësh cilësohet si ura e vdekjes për banorët e fshatit Shën Pjetër dhe të zonave përreth.
Edhe pse barrierat mbrojtëse janë vendosur disa kohë më parë, ato janë dëmtuar dhe vjedhur, duke e kthyer këtë urë në një pikë të rrezikshme për qarkullimin e banorëve, por edhe të turistëve të shumtë që frekuentojnë fshatrat bregdetarë të Fierit. Banorët rrëfejnë se ky aksident nuk është i pari.
Emiliano Goxhaj dhe Silvana Alushaj humbën jetën, pasi automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonin doli jashtë rrugë dhe ra në kanalin poshtë urës. I plagosur ka mbetur edhe pasagjeri Hazis Hilaj, 35 vjeç. Gjithçka nisi si një shëtitje turistike e të treve dhe përfundoi në mënyrë tragjike.

Shembet galeria, plagoset rëndë minatori në Bulqizë

Një minator është plagosur rëndë në minierën e Martaneshit në rrethin e Bulqizës, teksa punonte për të nxjerrë krom. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, kur minatori, Avni Heti 45 vjeç ka hyrë si çdo ditë në galeritë e minierës. Në momentin që është plagosur rëndë, Heti punonte në 1 mijë metra thellësi nën tokë. Sipas të dhënave në Spitalin Rajonal të Bulqizës, minatori është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, duke qenë se gjendja e tij ishte tepër e rëndë.
Katër ditë më parë, një minator ka humbur jetën në Tropojë për shkak të shembjes së minierës së Lajthizës. Burimet bënë të ditur se ka gjetur vdekjen minatori me inicialet A.K, 40 vjeç, si dhe është plagosur një minator tjetër. Para disa kohësh një tjetër minator humbi jetën në minierën e Zogajt në Tropojë. 42-¬vjeçari R.A. ka qenë duke punuar kur një masiv gurësh ka rrëshkitur, duke e zënë minatorin poshtë. Kolegët e tij kanë punuar për 3¬4 orë për të nxjerrë trupin e pajetë.

67-vjeçari nga Elbasani i vë flakën vetes, rëndë në spital

Ka lyer trupin me benzinë dhe i ka vënë flakën vetes ditën e djeshme në Elbasan. Të afërmit e kanë gjetur në flakë dhe janë përpjekur ta shpëtojnë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku 67-vjeçari Xhevit Tanushi i ka vënë flakën vetes, duke pësuar djegie të rëndë. Ai është transportuar me urgjencë në Spitalin e Elbasanit, por për shkak të gjendjes së rëndë është nisur drejt Tiranës.
Sipas mjekëve të Elbasanit, djegia që ka pësuar trupi i tij është tejet e rëndë dhe një rast me gradë të tillë djegie nuk është paraqitur asnjëherë në repartin e Djegie-Plastikës në Qendrën Spitalore të Elbasanit.
Dyshohet se shkak për aktin ekstrem ka qenë gjendja e rënduar depresive e 67-vjeçarit. Sipas dëshmive të para, ai mjekohej rregullisht për depresion. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes së rëndë.

4 shqiptarë kapen në Itali me drogë me vlerë 1 milion euro

Katër shqiptarë janë kapur nga policia italiane gjatë një operacioni antidrogë të shtrirë në 4 qytete: Forli, Cesena, Rimini dhe Ravena. Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, atyre u janë sekuestruar 6 kg kokainë, 2 kg marijuanë, 200 gr hashash dhe 54 mijë euro. Një pjesë e drogës është gjetur në makinë, ndërsa pjesa tjetër ishte fshehur në banesën ku rrinin shqiptarët.
Ata u kapën pas një hetimi të gjatë ku ka edhe prova filmike të shitjes së lëndëve narkotike. Të arrestuarit, të cilët nuk bënin asnjë punë, lëviznin lirshëm në zonën Romagna-s. Mësohet se vlera e përgjithshme e drogës shkonte në treg mbi 1 milion euro. Emrat e të arrestuarve nuk bëhen publik për momentin nga policia italiane.