34.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025

Aty ku reflektohet për botën

Bota po bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur, gjithnjë e më komplekse dhe e komplikuar. Më shumë dije, më shumë fakte duhet të analizohen gjithnjë e më shpejt, duhet të kategorizohen sipas peshës që kanë për të ndihmuar në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Kjo është hapësira e industrisë së shërbimit intelektual – e njohur edhe si think-tanks. Tregu është i mbushur plot me institute të tilla.
Një renditje e ofruar nga njëri prej universiteteve më të vjetër të SHBA-së, Universiteti i Pensilvanisë ndihmon për të hedhur një vështrim në morinë e këtyre instituteve. Edhe këtë vit universiteti publikoi raportin “Global Go To Think Tank Report” për të cilin kanë punuar rreth 2500 ekspertë. Organizatori, James McGann thotë në parathënien e raportit se institute të tilla të studimeve politike përballen me “sfida ekzistenciale”. Ai kritikon faktin që si në rastin e Brexit, ashtu edhe të zgjedhjes së Donald Trump think-tanks- këto institute kanë dështuar. Sipas tij lëvizjet sociale kanë marrë hov të ri për shkak të teknologjive të reja.

Superfuqia think-tank – SHBA
Me 1835 institute të tilla të analizës politike, SHBA zë vendin e parë në botë për kapitalin intelektual që zotëron, dhe me këtë edhe të ashtuquajturin “Soft power”. Më pas renditet Kina me 325 institute, Gjermania zë vendin e pestë me 195 institute. Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore së bashku kanë 385 institute të tilla.
Instituti më i rëndësishëm konsiderohet ai i “Brookings Institution” në SHBA. Në vend të dytë renditet instituti britanik “Chatham Haus”, ndërsa institutet gjermane zënë vendet 16, 17 dhe 18. Në këtë renditje shihen fondacione si Konrad Adenauar, i afërt me CDU, fondacioni Friedrich Ebert, i afërt me SPD dhe Fondacioni për Shkencën dhe Politikën, i cili këshillon edhe qeverinë gjermane për çështjet e politikës së jashtme. Frank Priess nga fondacioni Konrad Adenauer e mirëpret renditjen ndër më të mirët të këtij fondacioni. “Për këtë raport pyeten ekspertët në të gjithë botën, si janë të lidhura institutet me njëri-tjetrin, si punohet së bashku. Kështu për një organizatë që ka aktivitet në të gjithë botën ekziston një mundësi më e madhe që të futet në renditje”, analizon Priess.

Afërsia me proceset politike
Madje lista e institutive më të mira me lidhje me partitë politike udhëhiqet nga fondacionet gjermane. Krahas fondacionit Konrad Adenauer dhe atij Friedrich Ebert, në renditje është futur edhe fondacioni i afërt me liberalët, Friedrich-Naumann. Priess shikon në këtë afërsi me partitë politike edhe një nga anët pozitive të këtyre fondacioneve. “Sepse përmes partive si partnere këto fondacione mund ta japin ekspertizën e tyre drejt e në proceset politike”.
Ndërsa Konferenca e Sigurisë në Mynih zë vendin e parë si “konferenca simbolike e mirë think-tank e ekspertizës politike”. Për shkak të prezantimit dinjitoz në këtë renditje, duket se nuk ka vend për t’u shqetësuar për ekspertizën politike në Gjermani. Por institutet gjermane kanë edhe një pikë të dobët: Në 35 institutet e renditura në kategorinë “Politika Globale e Shëndetësisë” nuk gjen asnjë institut gjerman, po ashtu edhe në renditjen për “Politikën Arsimore”, institutet gjermane mungojnë.

Doja Kavanin dhe Nasrinë tek Interi

Gjatë një ndërhyrjeje që bëri në emisionin francez “Telefoot”, Roberto Mançini dha opinionin e vet mbi një sërë çështjesh delikate. 53-vjeçari tregoi emrat e dy lojtarëve që nuk kishte mundur të afronte tek Interi pas rikthimit në Milano, si dhe u mundua t’u shpjegonte francezëve si mund ta kuptonin më mirë Mario Balotelin. Të gjitha këto me në sfond zërat që gjithmonë e më shumë flasin për një transferim të tij të mundshëm në Paris, ku shumë ekspertë futbolli e shikojnë si pasuesin e Unai Emerisë.
Mançini foli edhe për Balotelin. “E kam ndjekur me kujdes atë çfarë bëri në ndeshjen mes Nisës dhe Bastias. Mendoj se disa futbollistë ndikohen shumë prej tifozëve, të cilët herë-herë edhe i nervozojnë ata. Në këtë pikë, Mario duhet që të bëjë kujdes e mos bjerë pre e provokimeve. Është 25 vjeç dhe ka shumë cilësi. Ai ka luajtur 7 ndeshjet e fundit të sezonit, kur fituam titullin me Interin, edhe pse ishte vetëm 17-vjeçar, prandaj jam shumë i dhënë pas tij”.
“Nëse më pyesni se kush kanë qenë lojtarët më të fortë që kam stërvitur, unë ju përmend emra si Aguero, Jaja Ture dhe sigurisht Ibrahimoviç. Ky i fundit është një lojtar i madh, i cili bën diferencën edhe sot. PSG-ja humbi shumë me largimin e tij. Mendoj se në Paris u mungon shumë një si Ibra, edhe pse kanë një lojtar si Kavani, i cili shënon shumë gola. Kam shumë simpati për uruguaianin dhe desha ta afroja edhe tek Interi, por kushtonte shumë. E njëjta gjë vlen edhe për Nasrinë”.
“Nuk kam pasur asnjë kontakt me drejtuesit e atij klubi, por në të ardhmen nuk e di se çfarë do të ndodhë. Parisi është një qytet i bukur, ndërsa PSG-ja ka një trajner të madh”.
Italiani ka folur edhe për konfliktin me Murinjon. “Nëse Zhoze Murinjo do të më ftonte për darkë, unë do të refuzoja. Nuk kam përse të jem hipokrit e të them të kundërtën”.
Në një intervistë të publikuar dje nga portali serb “Mondo”, Stevan Jovetiç, tregon edhe një herë se ende nuk di arsyen përse Roberto Mançini “e përjashtoi” nga planet e tij. “Tek Interi nisi gjithçka mirë, shënova gola decizivë në fillim të aventurës, por në një moment e pashë veten jashtë planeve të trajnerit. Nuk e di përse Mançini nisi që të më zëvendësonte në çdo ndeshje sapo fillonte pjesa e dytë”, tha Jo-Jo.

Cikalleshi te Akhisar

Ndryshim planesh në ditën e fundit të merkatos për Sokol Cikalleshin. Bomberi i kombëtares, i cili ka vuajtur mungesën e aktivizimit në këto muajt e fundit me Istanbul Basaksehir shkon në huazim për pjesën e mbetur të sezonit te Akhisar Belediye, një lëvizje që është kushtëzuar nga strategjia e klubit nga Stambolli. Istanbul Basaksehir që kërkon këtë sezon titullin kampion zyrtarizoi në ditën e fundit të merkatos afrimin në skuadër të Emmanuel Adabeyor, sulmuesit togolez që ka luajtur më parë me skuadra prestigjioze si Arsenal, Tottenham, Real Madrid e Manchester City. Afrimi i 32-vjeçarit për 18 muajt e ardhshëm te Basaksehir do të reduktonte akoma më tepër shanset e Cikalleshit për t’u aktivizuar ndaj zgjedhja më e mirë për të gjitha palët është konsideruar huazimi i tij te Akhisar Belediye.
Adebajor qëndroi pa skuadër në 6 muajt e fundit pas përfundimit në verë të aventurës me Kristal Palasin. Ai mori pjesë në Kupën e Afrikës me përfaqësuesen e Togos, por kjo aventurë u mbyll që në fazën e grupeve, pasi Togo u rendit i fundit në Grupin C.
Gjatë pjesës së parë të sezonit, Çikalleshi kishte patur shumë pak hapësirë aktivizimi te Bashakshehiri, teksa përveç disa ndeshjeve në Kupën e Turqisë, shumicën e atyre të kampionatit i kishte ndjekur nga tribuna për shkak të rivalitetit të madh në sulm. Gjithsesi, ai ishte shprehur se ishte duke pritur shansin e tij për të treguar vlerat, por afrimi i Adebajorit i konfirmoi Çikalleshit që shansi për të nuk kishte për të ardhur kurrë.
Këtë sezon sulmuesi i Kombëtares ka luajtur vetëm në 11 ndeshje me Istanbuk Basaksehir, gjatë të cilave ka shënuar edhe 3 gola dhe tani shpreson të gjejë një vend fiks te Akhisar, skuadër e cila ndodhet në vendin e 12 të klasifikimit në Superligën turke, 4 pikë sipër zonës së rënies nga Kategoria dhe që ka vuajtur në fazën e parë në aspektin sulmues, duke patur rendimentin më të dobët në kampionat me vetëm 11 gola të shënuar. Aspekt për të cilin thirret në mision pikërisht Cikalleshi, i cili nga ana e tij do të gjejë shanset e aktivizimit dhe mundësinë për të konfirmuar aftësitë si një bomber klasi.
Me lëvizjen e re, Cikalleshi shpreson të gjejë formën e duhur dhe të rikthehet tek Bashakshehir i gatshëm për të luftuar për një vend në formacion. Gjithashtu kjo shihet si një dritare edhe për t’u rikthyer në kombëtare, pasi në grumbullimin e fundit sulmuesi nuk ka qenë pjesë e kuqezinjvë.
Ndërkohë, sulmuesin e talentuar kosovar Enis Bunjaki është huazuar për 6 muaj tek skuadra holandeze Tvente. Futbollisti 19-vjeçar, i cili ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Gjermanisë, është rritur në akademinë e Eintraht Frankfurtit, por e kishte të vështirë të gjente hapësira në skuadrën e parë.

Bauza: Icardi, i vëzhguari special

Trajneri i Kombëtares Argjentinase, Edgardo Bauza është duke përgatitur një udhëtim nëpër Europë, me qëllim për të vëzhguar nga afër disa nga futbollistët që ai do të grumbullojë për albicelstet. Mes një numri të madh lojtarësh, më speciali që do të ketë dhe vëmendjen më të madhe do të jetë sulmuesi i Interit, Mauro Icardi. 23-vjeçari në vitet e fundit, ka bërë disa paraqitje pozitive, të shoqëruara edhe me një numër të konsiderueshëm golash por, duket se për dikë në radhët e kombëtares këto fakte nuk vlejnë. Në fakt për mungesën e grumbullimit të tij te Argjentina thuhej se ka ndikuar edhe Lionel Mesi, i cili është edhe kapiteni i skuadrës por, kjo gjë hidhet poshtë nga tekniku Bauza.
“Ka shumë njerëz të cilët flasin pa ditur asgjë. I kam pyetur të gjithë futbollistët e kombëtares, nëse kanë ndonjë problem me Icardin dhe të gjithë më janë përgjigjur, që nuk kanë. Madje, edhe nëse ka pasur mosmarrëveshje i kanë zgjidhur me njëri-tjetrin në qetësi. I kam thënë edhe Javier Zanettit, që Icardin e kam në vëzhgim. Gjithashtu dua të shtoj, Mesi nuk ka ndikuar aspak në  mosgrumbullimin e sulmuesit”, u shpreh Bauza.
Sulmuesi i zikaltërve përballet me një mision të vështirë, për të siguruar një vend te Argjentina, ku reparti i avancuar ka rivalitet të madh, mjafton të përmenden emrat e Gonzalo Higuain, Sergio Aguero dhe Paolo Dybala.

Legjenda e Lacios: E ardhmja e klubit është Strakosha

Marko Balota është një nga emrat legjendarë të klubit të Lacios dhe futbollit italian. Ish-portieri i cili mban rekordin si futbollisti më i vjetër që ka luajtur si në Serinë A, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve, ku ka zbritur në fushë në moshën 43 vjeç e 168 ditë, pikërisht me fanellën e Lacios, sheh se tashmë porta e këtij klubi ka të ardhmen e siguruar.
“Kur unë isha ende pjesë e Lacios, klubi mund të blinte Handanoviç, por pastaj marrëveshja nuk u realizua. Marketi më duket se u kthye në nivelet më të mira pas shumë problemeve fizike. Strakosha është i ri, por po tregon se është në lartësinë e duhur, ndaj e ardhmja e Lacios në këtë aspekt më duket në duar të sigurta”, tha Balota, i cili ishte protagonist në vitin 2000, kur Lacio fitoi për herë të fundit titullin kampion.
Gjatë karrierës së tij si portier, Balota ka veshur edhe fanellën e Modenës, pikërisht kur ajo drejtohej nga Xhani De Biazi, duke ndihmuar këtë skuadër të ngjitej në Serinë A dhe në sezonin historik 2002-2003 të mbijetesës në elitën e futbollit italian.

Agim Zeka zyrtarisht te Lille

Mbyllet me sukses goditja e madhe e merkatos së Skënderbeut, këtë herë në dalje. Agim Zeka është një futbollist i Lillë, transferim nga i cili kampionët e Shqipërisë arkëtojnë 300 mijë euro, ndërkohë që Skënderbeu ka edhe 20% të të drejtave të rishitjes së Zekës në rast se 18-vjeçari transferohet nga francezët në një skuadër tjetër. Vetë futbollisti ka nënshkruar një kontratë afatgjatë prej 4 vitesh e gjysmë, deri në verën e 2021 me klubin francez siç shihet edhe në foton ku ndodhet bashkë me shefin ekzekutiv të Lille, Mark Inglo dhe menaxherin Shkumbin Qormemeti.
Një biznes fantastik ky për Skënderbeun që vijon në rrugën e transferimeve bombastike si ajo e Olyainkës apo Bernard Berishës, që në fakt kanë të njëjtin autor, menaxherin Shkumbin Qormemeti në bashkëpunim me drejtorin sportiv të klubit korçar Haris Fakic. Ishte në fakt boshnjaku, ai që bëri skautin për Agim Zekën duke e marrë nga Kategoria e Dytë e futbollit Kosovar, para një viti dhe brenda 12 muajsh është arritur që prishtinaliu, i konfirmuar si një talent në radhët e Skënderbeut, të shitet për një shumë të konsiderueshme prej 300 mijë eurosh.
Agim Zeka është vëzhguar në Francë nga ish-drejtori sportiv i Monaco, Luis Campos, i cili aktualisht mban këtë post te Lille, dhe pasi evidentoi vlerat e mesfushorit vendosi se 18-vjeçari është e ardhmja e Lillë. Drejtori sportiv Fakic, i cili bën një punë të shkëlqyer me zbulimin e talenteve të futbollit në trojet shqiptare dhe menaxheri Qormemeti mjeshtër i operacionecve të mëdha, kompletojnë kështu një tjetër transferim me shumë leverdi për Skënderbeun, ndërkohë që projekti i tyre në Korçë vazhdon me lojtarë të tjerë si Liridon Latifi, Gavazaj, Nimagën apo dhe lojtarë të zyrtarizuar së fundmi nga Skënderbeu, si Nazmi Gripshi e sulmuesi iranian Reza Karim.
Nga ana e tij, Agim Zeka i kontaktuar nga Supersport u shpreh i kënaqur me këtë transferim, duke falënderuar veç menaxherit Qormemeti e Fakic edhe presidentin e Skënderbeut, Takaj  duke i uruar titullin e 7-të kampion radhazi, ndërsa në aspektin personal shtoi se ky transferim është një motiv më shumë për të gjetur një vend titullari te Lillë dhe që një ditë të bëhet pjesë e Kombëtares A të Shqipërisë.

Mavraj drejt gradimit te Hamburgu

Mërgim Mavraj është lideri i ri i Hamburgut dhe për ta kuptuar më së miri këtë mjafton besimi që trajneri Markus Gisdol ka te mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare. Tekniku është gati t’i besojë futbollistit shqiptar një rol shumë të rëndësishëm, atë të kapitenit, për ndeshjen shumë delikate të javës së ardhshme ndaj Bajern Leverkusen.
Në atë ndeshje do të mungojë kapiteni i Hamburgut, Gotoku Sakai, i cili është i pezulluar për shkak kartonësh. Ndaj te Hamburgu po kërkohet një futbollist, i cili të marrë këtë detyrë për ndeshjen në fjalë. Normalisht, shiriti duhej t’i shkonte zëvendësit, Rene Adler, por portieri nuk luan që prej nëntorit në radhët e Hamburgut, ndaj kërkohet një tjetër alternativë.
Vetë Gisdol ka pranuar se Mavraj është një kandidat mëse i mundshëm për këtë rol të rëndësishëm te klubi, i cili lufton për mbijetesë. “Është edhe Mërgimi në garë”, ishin fjalët e tij dje para gazetarëve, të cilët ishin interesuar të dinin se kush do të mbante këtë detyrë.
Në fakt, që në momentin kur Hamburgu zyrtarizoi Mavrajn, drejtuesit e klubit bënë të ditur se i kishin dhënë shumë përgjegjësi futbollistit shqiptar. Ata presin prej tij që të udhëheqë me eksperiencë më të rinjtë për të nxjerrë Hamburgun nga zona e rrezikshme e klasifikimit dhe për të siguruar mbijetesën në Bundesligë.
Transferimi i Mërgim Mavrajt gjatë merkatos së janarit nga Kolni te Hamburgu, ndodhi vetëm për arsye financiare. 30-vjeçari do të përfitojë një pagë shumë më të mirë te klubi verior i Gjermanisë, por me objektiva të ndryshuara. Te Kolni luante për një vend në Kupat e Europës, ndërsa te Hamburgu parësore mbetet mbijetesa. Pikërisht falë eksperiencës që ka në elitën e futbollit gjerman drejtuesit e Hamburgut i besuan futbollistët shqiptar, i cili luajti titullar në dy ndeshjet e para të 2017-ës në Bundesligë.
Problemi sipas Mavrajt, nuk është te këmbët, por në kokën e futbollistëve të Hamburgut. Humbjet kanë ardhur si rezultat i shpërqendrimit në momente të veçanta të lojës dhe mungesës së vetëbesimit, pasi skuadra ka cilësi.

Dybala drejt Realit

Paulo Dybala me shumë gjasa do t’i thotë lamtumirë Juventusit për t’iu bashkuar Realit të Madridit në verë. Lajmin e bëjnë të ditur mediat spanjolle, sipas të cilave sulmuesi argjentinas e ka ndarë mendjen për t’u larguar nga bardhezinjtë në përfundim të këtij sezoni. Ftohjen e 23-vjeçarit me klubin torinez e vërteton edhe mungesa e përshëndetjes me trajnerin Massimiliano Allegri pas zëvendësimit në ndeshjen e së dielës ndaj Sasuolos.
Ndërkohë, radioja “Cadena COPE” dje raportoi se dëshira e Dybala-së është të luajë në kampionatin spanjoll me Realin e Madridit. Këta të fundit e kanë rrugën të hapur për të transferuar lojtarë në merkaton e ardhshme pas lejes së marrë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.
Emri i sulmuesit të Juventusit përbën një lajtmotiv te mediave spanjolle. Disa herë kanë qarkulluar zëra, për një largim të mundshëm të argjentinasit në drejtim të kampionatit spanjoll. Një aventurë e re, që në fakt shihet me sy të mirë edhe nga vetë 23-vjeçari. Në takimin e fundjavës kundër Sasuolos, në momentin kur Dybala u zëvendësua, shmangu një shtrëngim duarsh me trajnerin Massimiliano Allegri, si shenjë mosdakordësie me vendimin e teknikut. Ky reagim duket se ka sjellë dhe krisjen e raportit mes palëve. Thuhet se ky veprim ka nxitur dëshirën e sulmuesit për t’u larguar. Madje, një gjë e tillë presupozohet të ndodhë në merkaton e muajit qershor.
Në Spanjë 2 janë skuadrat pretendente që janë gati të përfitojnë nga situata. Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, i cili si rrallë herë në merkaton e këtij klubi, nuk realizoi ndonjë blerje të bujshme për shkak të bllokimit nga FIFA, por kësaj here është i gatshëm t’i paraqesë drejtuesve të Juventusit një superofertë. Kandidati tjetër është Barcelona dhe personi që e dëshiron shumë në radhët e blaugranave Dybala-në është bashkëkombasi i tij, Lionel Messi. “Zonja e Vjetër” ndodhet në pozicion të vështirë. Rinovimi i kontratës është aty, duke pritur firmën e yllit argjentinas, Paolo Dybala. Firmë që ndoshta do të sjellë qetësinë te bardhezinjtë, por derisa një gjë e tillë të ndodhë, kampionët e Italisë janë në ankth, pasi kur përballë ke dy gjigantë të futbollit europian siç janë Reali i Madridit dhe Barcelona gjithçka mund të ndodhë.
Juventusi dominon çmimet e më të mirëve në futbollin italian për vitin 2016, në ceremoninë gala që u zhvillua mbrëmë në Milano. “Zonja e Vjetër” u vlerësua si skuadra më e mirë, Massimiliano Allegri mori trofeun e trajnerit të vitit kurse Leonardo Bonuçi u shpall lojtari më i mirë. Po ashtu, bardhezinjtë dominojnë edhe formacionin e vitit, me 6 nga 11 lojtarët e përzgjedhur.
Ky është ekipi më i mirë i 2016-s në Itali: Bufon; Bonuçi, Barzalji, Kielini, Kulibali; Pjaniç, Naingolan, Pogba; Hamshik, Dybala, Higuain. Ndërkohë, Nikola Ricoli u përzgjodh si arbitri më i mirë për herë të gjashtë në karrierë.

Ndoj shkon te Bolonja për 1,5 milionë Euro

SPORT CALCIO BRESCIA CLUB HOUSE RADUNO BRESCIA CALCIO NELLA FOTO NDOJ EMANUELE 10-07-2016 AGENZIA REPORTER ZANARDELLI

Transferimi i mesfushorit të talentuar shqiptar të Breshias, Emanuele Ndoj, te Bolonja, tashmë ka përfunduar me sukses. Futbollisti 20-vjeçar përflitej prej ditësh për kalimin e tij nga Seria B në Serinë A dhe tashmë çdo gjë është zyrtare. Emanuele Ndoj bën hapin e madh në karrierë. Mesfushori i talentuar shqiptar është zyrtarisht, futbollisti më i ri i Bolognas. 20-vjecari pas vetëm 6 muajsh te Brescia në Serinë B, skuadër me të cilën numëron 12 paraqitje në këtë sezon, është transferuar te kuqeblutë e Roberto Donandonit. Ndoj i cili ka spikatur me Brescian do të qëndrojë në formë huazimi te skuadra e Christian Brocchit, deri në fund të këtij sezoni, ndërsa do të nisë aventurën e tij me Bolognan në Korrik të këtij viti. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane kartoni i futbollistit shqiptar i ka kushtuar drejtuesve të klubit nga Dall Ara, plot 1,5 milionë Euro, ndërsa vetë lojtari me Bolognën ka firmosur një kontratë të vlefshme deri në vitin 2021.
Ndoj luan në rolin e mesfushorit të qëndrës dhe është një lojtar që premton shumë për të ardhmen. 20-vjecari te Brescia u transferua gjatë kësaj vere ndërkohë që më parë ka qenë pjesë e skuadrës së të rinjëve të Romës, teksa me verdhekuqtë ka fituar edhe kampionatin Primavera. Me Shqipërinë, Ndoj ka luajtur 2 sfida me përfaqësuesen e 17-vjecarëve dhe 3 me atë të 19-vjecarëve.
Paraqitjet e tij kanë qenë mjaftueshëm cilësore për të bindur drejtuesit e Bolonjës që të blejnë kartonin e tij dhe ta kthejnë të luajë në një klub që merr pjesë në Serinë A. Ende nuk bëhen të ditura detajet e transferimit, por e sigurt është që Ndoj do të qëndrojë në huazim deri në fund të sezonit te Breshia.

Hysaj, në verë drejt Chelsea ose Arsenal

Elseid Hysaj mbetet një prej elementëve më të rëndësishëm të Napolit, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në merkato. Prej muajsh mbrojtësi shqiptar ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha europiane, një interes që pritet të vazhdojë edhe gjatë verës.
Chelsea dhe Arsenal vazhdojnë ta monitorojnë situatën rreth 22-vjeçarit të lindur në Shkodër, të cilin e kanë kthyer në prioritet të merkatos. Por, përfaqësuesi i mbrojtësit shqiptar hodhi poshtë çdo hipotezë të transferimit të Hysajt në Premier League-n angleze në orët e fundit të afarit të transferimeve të janarit.
Menaxheri i kuqeziut shtyn çdo diskutim për në fund të sezonit, atëherë kur çdo ofertë mund të merret parasysh nga klubi i Napolit. “Vlerësimi për Hysajn ekziston, edhe sepse djaloshi vëzhgohet nga skuadrat më të rëndësishme në Europë. Megjithatë për momentin kjo nuk na intereson, pasi Elseidi është i përqendruar vetëm te Napoli. Do të shohim çfarë do të ndodhë vetëm në fund të sezonit”, ishin fjalët e menaxherit të kuqeziut, Mario Giuffredi.
Gjatë verës së vitit 2015, Elseid Hysaj u transferua nga Empoli te Napoli, për shifrën e 5 milionë eurove. I aktivizuar si titullar i padiskutueshëm dhe falë paraqitjeve që e shndërruan në një prej mbrojtësve më të mirë të krahut në futbollin italian, vlera e mbrojtësit u dhjetëfishua në harkun e një sezoni. Në kontratën e re me lojtarin, Napoli përfshiu një klauzolë për prishjen e marrëveshjes, sipas të cilës klubet e interesuara për shqiptarin duhet të paguajnë 50 milionë euro.