29.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Hollande paralajmëron Trumpin

Trump ka telefonuar të shtunën edhe presidentë dhe kryeministra të tjerë. Ndër të tjera edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilën e ka akuzuar rëndë gjatë fushatës elektorale, duke e quajtur politikën e saj ndaj refugjatëve si “katastrofale”.
Ndërsa presidenti i Francës, François Hollande e ka paralajmëruar presidentin Trump nga politika e përçarjeve dhe ndarjeve. Hollande ka folur edhe për pasojat e mundshme të politikës së proteksionizmit në ekonomi, u kumtua nga Pallati Elysee. Presidenti i Francës ka kërkuar edhe respektimin e parimeve demokratike, ndër to edhe gatishmërinë për pranimin e refugjatëve.
Trump të premten ka nënshkruar një dekret për ndalimin e futjes së refugjatëve në Amerikë. Ai ka nxjerrë nga fuqia edhe programin për refugjatë, për 120 ditët e ardhshme. Ndërsa futja e refugjatëve nga Siria në SHBA është ndaluar për një kohë të pacaktuar.

Gana dhe Egjipti në gjysmëfinalen

Vëllezërit Ayew, Jordan dhe Andre udhëheqin Ganën në gjysmëfinalet e Kupës së Afrikës 2017. Në Oyem, Gana mposhti 2-1 zbulimin e turneut, Republikën Demokratike të Kongoës dhe të enjten do të sfidojë Kamerunin për një vend në finale. Pas një pjese të parë të ekuilibruar, ku Kongo kishte goditur edhe shtyllën, skuadra e Avram Grant u hodh në sulm dhe zhbllokoi ndeshjen me Jordan vëllai më i vogël, i cili bëri gjithçka mirë, si në driblim dhe goditje. Dukej se ishte preludi i një fitoreje të thjeshtë për Ganën, por Republika Demokratike e Kongos reagoi me një gol të Mpoku që risolli ekuilibrin në fushën e lojës. Episod vendimtar më pas me Atsu, me lojtarin e Njukasëll që depërtoi në zonë, duke detyruar Mutambala ta rrëzonte në mënyrë të parregullt, duke fituar një penallti. Nga pika e bardhë shënoi Andre, me vëllezërit Ayew që vënë firmën e tyre në të dy golat e shënuar.
Shkon në gjysmëfinale edhe Egjipti që do të ndeshet aty me Burkina Fason. Në çerekfinalen e fundit, “Faraonët” mposhtën 1-0 Marokun me një gol të Kahraba, kur kishin mbetëur vetëm dy minuta lojë nga përfundimi i kohës së rregullt.
Gana ka mposhtur me rezultatin 1-2 Republikën Demokratike të Kongos. Golat për Ganën u shënuan nga Xhordan Ajeu, në minutën e 63-të dhe Andre Ajeu në minutën e 78 me penallti. Për Kongon, barazoi përkohësisht në minutën e 68 M’Poku. Ndërkohë, Egjipti fitoi minimalisht me rezultatin 1-0 ndaj Marokut. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Kahraba në minutën e 88.
Burkina Faso vijon “ëndrrën” e saj në Kupën e Kombeve të Afrikës, falë një 32-vjeçari që aktivizohet në Letoni, dhe një “të papuni”. I pari, është sulmuesi Aristide Bance, ndërsa i dyti është Nakoulma, aktualisht pa kontratë, të dy autorë golash në sfidën ndaj Tunizisë në çerekfinalet e turneut. Të njohur ndryshe si “Hamshorët”, lojtarët e Burkina Faso kanë ende mundësi të përsërisin suksesin e 4 viteve më parë, kur e mbyllën të njëjtin kompeticion si finalistë. Ndërkohë, për “Shqiponjat e Kartagjenës” të drejtuar nga 70-vjeçari Kasperczak, trajneri më i vjetër i turneut, bëhen gati valixhet për kthim në shtëpi. Në vitin 1996, i njëjti teknik kishte drejtuar Tunizinë drejt finales, por pa mundur të triumfonte. Në gjysëmfinale, Burkina Faso do të përballet me Egjiptin, ndërsa Kameruni me Ganën.

Refuzova milionat

Zhoze Murinjo ka zbuluar se emri i tij ka qenë një prej atyre që skuadrat kineze kanë ndjekur me ngulm gjatë kohëve të fundit, por ai ka refuzuar milionat që i ofroheshin nga klubet në këtë vend.
“Unë kam refuzuar një ofertë të madhe për të shkuar në Kinë, por nuk kritikoj askënd që vendos ta bëjë një gjë të tillë”, tha trajneri portugez i Mançester Junajtid në një intervistë për “GQ”. “Është zgjedhja e tyre, jeta e tyre. Vetëm ata mund të vendosin se çfarë u nevojitet për të ardhmen, trajnerë të tjerë në Premier Ligë janë shprehur me kritika ndaj një zgjedhjeje të tillë, por unë jo”, u shpreh Murinjo.
Në kampionatin kinez drejtojnë emra shumë të njohur si Luiz Felipe Skolari, Sven Goran Erikson, Manuel Pelegrini apo Fabio Kanavaro, ndërsa duhet kujtuar se Karlos Tevez, pas transferimit në Kinë, u bë futbollisti më i paguar në botë.
Murinjo pranon se është pak i shqetësuar nga fakti se lojtarët mund të zgjedhin Kinën para klubit të Mançester Junajtid. “Nëse po bën negociata për një kontratë të re me ndonjë prej lojtarëve të t’u dhe t’i i ofron 5 milionë paund, ndërsa ai merr një ofertë kineze prej 25 milionë paund, atëherë sigurisht që ke një problem. Lojtari ndoshta do të zgjedhë ofertën me 5 milionë paund, pasi preferon futbollin. Ose mund të zgjedhë paratë dhe 25 milionë paund.
Jam i shqetësuar se ata mund të ofrojnë kontrata, të cilat në Europë është e pamundur të ofrohen. Por në fund, lojtari që dëshiron të largohet, është ndoshta ai lojtari që t’i nuk dëshiron të mbash në ekip”, tha Murinjo.
Mançester Junajtid është kualifikuar për në fazën tjetër të Kupës FA, falë fitores së thellë në shtëpi 4-0 përballë Uiganit. Të besuarit e Zhoze Murinjos nuk kanë hasur aspak vështirësi edhe pse portugezi kishte bërë disa ndryshime në formacion, duke hedhur në fushë edhe të “padëshiruarin” Shvajnshtajger.
Felaini shënoi golin e parë të takimit në minutën e 44-t, ndërkohë që Smolling dyfishoi shifrat në minutën e 57. Mkhitarjan realizoi golin e tretë në të 74-ën dhe gjermani Shvajnshtajger vulosi rezultatin 4-0 në minutën e 81-të.
Në ndeshjet e tjera janë kualifikuar Milluoll, Fullhem dhe Saton. Kjo e fundit është një skuadër e kategorisë së 5-të angleze që ka eliminuar Lidsin e kategorisë së dytë, duke dhuruar një surprizë mjaft të këndshme me kalimin për në 16 më të mirët e turneut. Edhe Milluoll ka qenë një kualifikim surprizë, sepse duke qenë një skuadër e kategorisë së tretë ka eliminuar një kundërshtar që luan në Premier Ligë, Uatfordin.
Bastian Schëeinsteiger do të qëndrojë te Manchester United dhe do të jetë pjesë e skuadrës në Europa League. Është vet trajneri Jose Mourinho, ai që e konfirmoi këtë pas ndeshjes me Wigan, për “FA Cup”, ku mesfushori gjerman shënoi golin e fundit në fitoren 4-0 të “djajve të kuq”.“Schweinsteiger do të qëndrojë me ne. Ai do të jetë në listën e Europa League, pasi tashmë janë krijuar hapësirat pas largimit të Depay dhe Schneiderlin. Nuk kemi shumë opsione në repartin e mesfushës. Schweinsteiger ka qenë dhe është një futbollist profesionist. Duke qenë se kemi shumë ndeshje për të luajtur, ai do të jetë një opsion për ne”, deklaroi Mourinho.

Milani, dëmtohen De Sciglio dhe Bonaventura

Lajme aspak pozitive nga infermieria e Milanit për Giacomo Bonaventurën dhe Mattia de Sciglion, të dy të dëmtuar në transfertën me Udinezen, që kuqezinjtë e humbën 2-1. Lojtarët në fjalë mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta, çka përbën një shqetësim shumë serioz për stafin teknik kuqezi. Mbrojtësi anësor pati një përdredhje të kaviljes pas përplasjes me De Paul, ndërsa mesfushori shqetësime në muskujt e kofshës. Të dy lojtarët u janë nënshtruar ekzeminimeve mjekësore, por më shumë në kampin kuqezi shqetëson gjendja e De Sciglios, i cili u shfaq në klinikë me paterica dhe me një protezë në këmbën e djathtë. Përgjigjet e analizave paraprake mund të mos mjaftojnë, sepse do të shihet nëse hematomat do të përthithen në kohë.
Një gjë është e sigurtë, De Sciglio dhe Bonaventura nuk do të jenë në dispozicion të stafit teknik për ndeshjen me Sampdorian që do të zhvillohet të dielën në orën 12:30, por ekziston mundësia që të mungojnë për një kohë më të gjatë.
Kuqezinjtë e Montella-s kanë humbur sërish, përballë Udinezës, me rezultatin 2-1, në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të Serisë A. Edhe pse kaluan të parët në avantazh, me anë të Bonaventurës në minutën e 8’, milanezët nuk ditën të ruajnë avantazhin, duke i dhënë mundësi Udinezes të shënojë dy herë dhe të marrë 3-pikëshin. Kjo ishte humbja e dytë radhazi për kuqezinjtë, të cilët e kanë nisur  keq vitin 2016, pasi në 4 ndeshje kanë marrë vetëm 4 pikë.

Boca-River, miqësorja përfundon me 6 kartona të kuq

Duhej të ishte thjesht një miqësore parasezonale, por Boca Juniors-River Plate nuk është asnjëherë e tillë. Tre lojtarë, por edhe tre trajnerë u përjashtuan nga arbitri gjatë ndeshjes së parë të vitit 2017 mes dy rivalëve të përjetshëm të Argjentinës në një sfidë që përfundoi 2-0 për bardhekuqtë e River Plate. Një penallti e realizuar nga Sebastian Driussi dhe një gol i ekuadorianit Arturo Mina i dhanë fitoren skuadrës së “milionerëve”, por edhe ky superclasico nuk u mbyll pa incidente dhe tensione. Trajneri i Boca Juniors, Guillermo Barros Schelotto la pankinën në fundin e pjesës së parë ashtu si edhe kolegu i tij, Marcelo Gallardo. Ndërkohë, arbitri nxorri jashtë me karton të kuq edhe Driussin e Riverit dhe Dario Benedetto e Juan Insaurralde të Boca Juniors pas përleshjes mes lojtarëve të dy skuadrave në minutën e 80 të takimit. Fitorja 2-0 edhe pse në një miqësore është një lloj hakmarrje për Riverin pas asaj disfate 4-2 në shtëpi gjatë muajit dhjetor për ndeshjen e kampionatit, ku Carlos Tevez shënoi dy gola duke bërë edhe mbylljen ideale me ekipin e tij të zemrës, Boca Juniors. Riveri do të përballet me Lanusin javën e ardhshme për trofeun e Superkupës së Argjentinës përpara nisjes së fazës së dytë të kampionatit, ku Boca kryeson me 31 pikë, ndërsa Riveri numëron 9 më pak pas 14 javëve të para.

Pato zgjedh milionat, pritet zyrtarizimi në Kinë

Aleksandre Pato pritet të zyrtarizohet në orët e ardhshme si futbollisti i ri i Tianzhin Kuanzhin në kampionatin kinez të futbollit. Klubi kinez ka një akord parimor për transferimin e tij nga Vijareal, për një shifër prej 18 milionë eurosh. Klubi spanjoll pranoi me shpejtësi ofertën aziatike për ish-futbollistin e Milanit dhe kombëtares braziliane, i cili në moshën 27-vjeçare duket vetëm hija e lojtarit, i cili në vitet e para cilësohej si “Ronaldo i ardhshëm”.
Gjatë qëndrimit te Vijareal, të cilit iu bashkua në verë, Pato ka shënuar vetëm 6 gola në 24 ndeshje, një bilanc që nuk do të bëjë të ndjehet shumë mungesa e tij. Ai pritet të nënshkruajë një kontratë trevjeçare në Kinë, ku do të përfitojë një rrogë bazë prej 6 milionë eurosh në sezon, pa llogaritur bonuset.

257 mijë euro në javë për Sanchez

Alexis Sanchez mbetet një çështje e hapur tek Arsenali. Golashënuesi më i mirë i “topçinjve” në këtë sezon me 17 finalizime, vazhdon të shtyjë rinovimin e kontratës, edhe pse Arsen Wenger i ka ofruar rreth 190 mijë euro në javë. Mirëpo sipas “The Sun”, kiliani është i tunduar nga një ofertë shumë më e mirë, jashtë Premier Leagues. Bëhet fjalë për Atleticon e Madridit, që është gati ta paguajë 28-vjeçarin 257 mijë euro në javë, duke e vënë në qendër të projektit të Diego Simeones.
Sanchez ka kontratë deri në verë të 2018-ës me Arsenalin dhe nëse nuk rinovon kontratën deri në përfundim të sezonit, atëherë londinezët do të jenë të detyruar ta shesin për të mos e humbur me parametër zero. Sigurisht që Atletico, e cila mund të humbasë Antoine Griezmann, që kërkohet nga klube të mëdha në Europë, duhet të prezantohet me një ofertë joshëse, sepse për Sanchez pretendentët janë të shumtë.
Edhe nga Gjermania raportojnë për lojtarë që janë shndërruar në objektiva të “Los Colchoneros”. “Fussball Transfers” siguron se përfaqësues të Atleticos kanë nisur kontaktet me Thorgan Hazard, që është vëllai i yllit të Chelseat Eden Hazard. 23-vjeçari është pjesë e Borussias së Monechengladbahut, duke spikatur si një ndër mesfushorët më të mirë në Bundesligë. Për belgun klubi spanjoll duhet të mposhtë konkurrencën e Lecesterit, që gjithashtë është vënë në ndjekje të Hazard.

Monaco ndal PSG në “Parc De Prince”

Një penallti e Cavanit në minutën e 80-të nuk i mjaftoi PSG për të marrë fitoren në javën e 22-të të Ligue 1 ndaj Monacos, pasi skuadra monegaske me këtë gol në të 93-tën të Silvas ruajti jo vetëm diferencën me PSG në renditje, por dhe vendin e parë që gjithsesi e ndan me Nice.
Në “Parc De Prince” ndeshja nisi me një të ftuar të veçantë, brazilianin Ronaldinho që shkelmoi topin e parë nga qendra. Parisienët patën rastet më të mira në pjesën e parë me Cavanin, por Subasic bëri mjaft mirë detyrën. Ndërkohë që në pjesën e dytë Monaco u përpoq të reagonte me Falcaon, megjithatë pa patur shumë qartësi përpara portës. Në të 80-tën dhe momenti vendimtar kur PSG fitoi një 11-metërsh që u shndërrua në gol nga Cavani.
Fitorja dukej e sigurtë për PSG, por Monaco nuk u dorëzua dhe atëherë kur pakkush e priste arriti të gjejë dhe golin e barazimit me goditjen e fuqishme të Silvas, që lë në vendin e parë formacionin e Jardimit.

Dortmundi ndalet nga Mainzi

Borussia e Dortmundit u ndal në një barazim 1-1 në fushën e Mainzit duke mos e rikuperuar vendin e tretë që iu rrëmbye nga Eintrachti i Frankfurtit. Edhe pse kaluan në avantazh që në fillim të sfidës, verdhezinjtë pësuan një gol në pjesën e dytë duke humbur dy pikë të çmuara. Marco Reus përmbylli me sukses një kundërsulm të shpejtë të skuadrës së Thomas Thuchel që në minutën e tretë. Andre Schurrle humbi mundësinë për ta mbyllur ndeshjen në minutën e 61-të, ndërsa 8 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Danny Latza kërceu bukur në shtyllën e dytë duke mos i dhënë asnjë shans portierit Burki. Në kohën shtesë Dortmundi për pak mund të kishte pësuar edhe të dytin, por topi i goditur nga Paplo de Blazis përfundoi ngjitur me shtyllën.
Në takimin tjetër të së dielës Friburgu fitoi 2-1 me Herthen e Berlinit, me gola të Heberer dhe Petersen, ndërsa finalizimi i Schieber vetëm një minutë pas finalizimit të dytë të vendasve nuk i shërbeu për asgjë Herthes, që pësoi humbjen e dytë radhazi në Bundesligë.

Buzëqesh Zidane

Reali i Madridit ka arritur të mposhtë në shtëpi Real Sociedadin me rezultatin 3-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 20 të La Ligas. Të besuarit e Zinedin Zidan edhe pse me disa mungesa të rëndësishme nuk kanë gabuar në këtë takim duke shfrytëzuar më së miri hapin fals të Barcelonës dhe Seviljas më parë gjatë ditës së dielë.
Kovaçiç realizoi golin e parë në minutën e 38, ndërsa Kristiano Ronaldo shënoi golin e dytë në minutën e 51-të. Në minutën e 74-t, Sociedadi mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Martinezit. Alvaro Morata vulosi fitoren e madrilenëve me golin e realizuar në minutën e 82-të. Me këtë fitore, Reali udhëheq renditjen me 46 pikë, 4 më shumë se ndjekësit e Barcelonës dhe Seviljas, dhe gjithashtu me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Sevilja është mposhtur në La Liga pas regjistrimit të 5 fitoreve radhazi. Andaluzianët janë thyer në transfertë përballë Espanjolit me rezultatin 3-1. Ndeshja e Seviljas nisi keq pasi që në minutën e 2-të mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Parehas që shkaktoi penallti. Hoze Antonio Rejes e shndërroi në gol penalltinë në minutën e 4-t, por Jovetiç barazoi shifrat në minutën e 20. Megjithatë Espanjoli e mbylli pjesën e parë në avantazh falë golit të Navaros në minutën e 2-të të kohës shtesë. Në pjesën e dytë ishte Moreno ai që vulosi fitoren e të zotëve të shtëpisë me golin e realizuar në minutën e 71-të.
Pas kësaj ndeshjeje, Sevilja mbetet në kuotën e 42 pikëve në 20 ndeshje duke zbritur në vendin e tretë për t’i lënë të dytin Barcelonës që gjithashtu bëri hap fals dje me barazimin 1-1 në transfertë ndaj Real Betisit. Të dy këto rezultate i shkojnë për shtat Realit të Madridit që në rast fitoreje në mbrëmje përballë Sociedadit do të shkëputet në krye me 4 pikë diferencë dhe gjithashtu do të ketë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Portieri Mark-Andre Ter Shtegen nuk dëshiron që të flasë për polemikat e golit fantazmë pas barazimit në Sevilje. “Nuk dua të flas për arbitrat. Ata janë njerëzorë si ne. Ndeshja përfundoi në barazim dhe është ashtu siç është. Ishte një ndeshje e vështirë. Betis luajti shumë mirë. Ata ushtruan tepër presion dhe na mbyllën shumë mirë. Në mbrojtje ne luajtëm mirë, por ishte e vështirë që të dilje prej saj. Mendoj në përgjithësi se ne bëmë një ndeshje të mirë.
Por tani duhet të shohim atë çfarë na mungonte. Përpara kemi ndeshje shumë të vështirë dhe duhet të përqendrohemi që të ecim përpara. Ishim mirë në fillim dhe krijuam raste, ashtu siç bëmë edhe në pjesën e fundit. Por gjatë ndeshjes humbëm kontrollin. Megjithatë, duhet t’i japim merita edhe Betisit”, deklaroi gjermani.