Napoli ka hedhur një hap të gabuar mbrëmjen e djeshme në Serinë A teksa ka barazuar në shtëpi me rezultatin 1-1 përballë Palermos. Skuadra ku luan dhe futbollisti shqiptar Elseid Hysaj, i cili edhe dje u aktivizua për 90 minuta të plota, nuk arriti të shfrytëzonte hapin e gabuar të Romës në drekë për ta barazuar me pikë në vendin e dytë. Palermo kaloi e para në avantazh me anë të golit të Nestorovskit në minutën e 6, ndërsa napoletanët barazuan me anë të Mertensit në minutën e 66. Në minutën e 90, Palermo mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Goldaniga. Me këtë rezultat, Napoli mbetet në vendin e tretë me 45 pikë pas 22 javësh, ndërkohë që ndjen t’i afrohet ndjeshëm Interi, i cili në vendin e 4-t është vetëm 3 pikë pas.
Lucas Biglia i thotë “po” Lazios. Kapiteni bardhekaltër ka gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin Claudio Lotito për rinovimin e kontratës deri në vitin 2021. Argjentinasi që u bë protagonist edhe në një përplasje verbale me një tifoz në përfundim të ndeshjes kundër Chievos, nuk ka ndryshuar mendje, ai pranon ofertën e klubit kryeqytetas për të arkëtuar 2.8 milionë euro në sezon plus bonuset. Tashmë mungon vetëm forma, por sipas mediave italiane bëhet fjalë për një formalitet sepse mesfushori bardhekaltër ka vendosur ta vazhdojë karrierën në Romë. Në këtë mënyrë, lojtari ka vendosur t’i përkushtohet klubit aktual, duke kthyer pas edhe disa oferta të rëndësishme si ajo e Manchester United disa muaj më parë. Vendimtar në këtë proces ka rezultuar drejtori sportiv, Igli Tare, i cili po punonte prej muajsh për të blinduar mesfushorin e kombëtares së Argjentinës pasi Biglia mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të projektit aktual.
Napoli i Hysajt ndalet nga Palermo
De Biasi në Hamburg dhe Zyrih për kuqezinjtë
Javën e ardhshme trajneri i ekipit kombëtar të futbollit do të nisë një minitur të vogël për të ndjekur disa prej futbollistëve të ekipit kombëtar, për të parë nga afër ndeshjet e tyre, si dhe për të kontaktuar dhe folur rreth situatës më të fundit në klubet ku luajnë apo edhe formës fizike që kanë për momentin. Kështu, të premten e 3 janarit, mister De Biasi do të jetë në Hamburg për të ndjekur qendërmbrojtësin kuqezi Mërgim Mavraj në sfidën kundër Bajer Leverkusenit, teksa një ditë më vonë do të jetë në Zvicër, ku përballë njëri-tjetrit do të luajnë Taulant Xhaka dhe Armando Sadiku në takimin e planifikuar në kalendar të kampionatit zviceran mes Bazelit dhe Luganos. Trajneri vijon të mbajë në survejim të plotë të gjithë futbollistët që janë pjesë e skuadrës kombëtare dhe që aktivizohen në kampionatet e huaja.
“Presim shumë nga Armando Sadiku”
Transferimi i Armando Sadikut te Lugano në formë huazimi nga Zyrihu për pjesën e mbetur të sezonit është lidhur përgjithësisht me emërimin e Paolo Tramezzanit trajner i kësaj skuadre. Sigurisht që prania e ish-ndihmësit të De Biasit në stolin e klubit jugor të Zvicrës ishte një motiv më shumë për ta bindur sulmuesin shqiptar që ta pranonte këtë lëvizje, por presidenti i Luganos, Angelo Renzetti shpjegon arsyet pse këmbënguli për Sadikun janë më madhore.
“E afruam Sadikun sepse ishim të detyruar. Aguirre nuk dëshironte të qëndronte me ne, ndërsa Rosseti u dëmtua. Kishim nevojë për një sulmues cilësor. Sigurisht që ai është shumë i lidhur me Tramezzanin dhe ne presim shumë nga ai. Ka pësuar disa dëmtime gjatë kohëve të fundit, ndaj i duhet të arrijë formën fizike të të tjerëve”, u shpreh Renzetti.
Përsa i përket arritjes së marrëveshjes me Tramezzanin, Renzetti zbulon aq ka qenë pranë marrëveshjes me ish-ndihmëstrajnerin e Shqipërisë që pas përfundimit të Kampionatit Europian.
“Bisedimet po zgjateshin ndërsa ne duhet të ishim gati për startin e kampionatit. Kjo është arsyeja pse nuk e mora në verë Tramezzanin. M’u desh të hiqja dorë atëherë. Skuadra është e përqendruar dhe po e ndjek trajnerin. Është kthyer filozofia e punës. Jam i bindur se Tramezzani do të ketë një karrierë shumë të suksesshme. Ai ka karakteristikat që më pëlqejnë: është shumë punëtor dhe kurajoz”, tha ai. Prova e parë e Sadikut dhe Tramezzanit te Lugano do të jetë transferta me Baselin më 4 shkurt, për javën e 19-të të Superligës së Zvicrës.
Mavraj flet për Hamburgun
Transferimi i Mërgim Mavrajt gjatë merkatos së janarit nga Kolni te Hamburgu, ndodhi vetëm për arsye financiare. 30-vjeçari do të përfitojë një pagë shumë më të mirë te klubi verior i Gjermanisë, por me objektiva të ndryshuara. Te Kolni luante për një vend në Kupat e Europës, ndërsa te Hamburgu parësore mbetet mbijetesa. Pikërisht falë eksperiencës që ka në elitën e futbollit gjerman drejtuesit e Hamburgut i besuan futbollistët shqiptar, i cili luajti titullar në dy ndeshjet e para të 2017-ës në Bundesligë, në transfertë me Wolfsburgun dhe Ingolstadin, por në të dyja rastet skuadra e shqiptarit doli e humbur, duke rrëshkitur në vendin e parafundit.
Problemi sipas Mavrajt, nuk është te këmbët, por në kokën e futbollistëve të Hamburgut. Humbjet kanë ardhur si rezultat i shpërqendrimit në momente të veçanta të lojës dhe mungesës së vetëbesimit, pasi skuadra ka cilësi. Por cila është zgjidhja sipas futbollistit shqiptar?
Të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë dhe të qëndrojnë të bashkuar, për ta kaluar këtë situatë të vështirë. Lojtarët e Hamburgut, këmbëngul më tej qendërmbrojtësi kanë provuar se mund të bëjnë shumë më mirë, thjesht duhet të punojnë më shumë dhe me qetësi për të gjetur vazhdimësinë në rezultate.
Rruga drejt fundit për Soros sapo ka filluar
Me zgjedhjen e Donald Trump si President i Shteteve të Bashkuara dhe votave pro Brexit në Britaninë e Madhe, një model ka filluar të shfaqet. Ky model është tregues se George Soros së bashku me fondacionin e tij po shkojnë drejt humnerës.
Gjithashtu flitet se Vladimir Putin ka lëshuar urdhër arresti për Soros edhe pse nuk ka fakte për ta vërtetuar diçka të tillë.
Soros është akuzuar se ka financuar për të rekrutuar ushtarë për ISIS brenda Amerikës.
George ka lidhje me grushtin e shtetit që përmbysi qeverinë e Ukrainës, duke bërë të mundur parandalimin e Putin që të kishte kontrollin e gazit natyror në Europë nëpërmjet Ukrainës.
Mjaft interesante është se pas grushtit të shtetit, djali i ish-zv/presidentit Joe Biden u bë aksioner në një kompani të gazit natyror në Ukrainën Lindore, shkruan “SYRI.net”.
Soros ka qenë gjithashtu i përfshirë direkt në tentativë për rrëzimin e Assadit në Siri. Ka shumë arsye për këtë. Siria është një linjë me Rusinë, armikun e Soros. Por, Assad gjithashtu paraqet një problem për interes të biznesit të Soros dhe Clintonëve, raporton “Syri.net”.
Linja e gazit natyror, i cili kishte për qëllim për të lidhur Katarin me Europën, duke udhëtuar nëpër Arabinë Saudite, Sirinë dhe Turqinë, është problem i madh. Ky gazsjellës ka aksioner kryesorë Soros, Bill dhe Hillary Clinton. Assad, mik i Rusisë dhe Putin, refuzoi që të kalonte përmes Sirisë.
George Soros ka qenë gjithashtu i rëndësishëm në manipulimin e politikave perëndimore ndaj Rusisë dhe Kinës në përgjithësi.
Është e rëndësishme për të kuptuar se Soros ka marrëdhënie biznesi me Arabinë Saudite. Këto lidhje u zbuluan gjatë një hetimi më të thellë për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, ku ai akuzohet se ka gisht.
Edhe për grushtin e shtetit në Turqi emri i Soros është përmendur pasi Erdogan filloi që të vendoste marrëdhënie të mira me Rusinë.
Pollo: Po krijohet monopol mediatik në favor të Ramës
Kryetari i Komisionit parlamentar të Medias, Genc Pollo e konsideroi mbledhjen e fundit të AMA-s ditën e premte, ku dhënia e licencës së fundit u bë me votim të thjeshtë, se po dëmton pluralizmin e medias. Në një vend me drejtësi normale, tha Pollo, kjo gjë nuk do të ndodhte, por garantoi se Komisioni i Medias do ta ndjekë ligjërisht këtë çështje.
“Përsëri për t’ia dhënë të njëjtës kompani që bëhet me katër licenca numerike, dy herë më shumë se Radio Televizioni Publik, me të cilat fare mirë mund të përjashtojë nga konkurrenca të gjithë të tjerët. Kuptohet që kjo nuk mund të merrej me shumicë të cilësuar siç e kërkon ligji dhe u mor me një shumicë të thjeshtë fatkeqësisht nga anëtarë të nominuar nga mazhoranca, çka përbën vepër penale. Normalisht po të kishim një gjyqësor funksional besoj se do të kishte përgjigje para drejtësisë për këtë që ndodhi”, tha Pollo.
“Lëshimi kompanisë Digitalb i licencës së katërt kombëtare numerike nga Gentian Sala dhe tre anëtarë të Këshillit të AMA-s (të gjithë të nominuar nga PS-LSI) është jo vetëm një skandal me pasoja të rënda për lirinë e medias e demokracinë, por edhe një vepër penale (shpërdorim detyre). Duke i dhënë vetëm një kompanie dyfishin e licencave që gëzon me ligj TVSH krijohet një monopol mediatik në televizione që fare lehtë mund të komandojë linjën editoriale të gjithë kanaleve TV, të cilat do të jenë të detyruara të mbarten tek Digitalb-i, në favor të vetes e në favor të padrinos politik Rama. Duke i dhënë një kompanie kaq licenca shkelet me dy këmbë neni 62 i ligjit të medias (siç ishte e siç është) që ndalon që një apo shumë licenca kombëtare t’i ketë një pronar i vetëm.
Duke e marrë vendimin me shumicë të thjeshtë G. Sala, P.Misha, G, Gjipali e Z.Bregu shkelën qartë ligjin e medias që parasheh shumicë të cilësuar për lëshimin e licencave. Ashtu sikur edhe Rama, me 71 vota në Kuvend, të ndryshonte Kushtetutën e të shpallej sulltan.
Në këtë fazë anulimin gjyqësor i këtij vendimi mbetet urgjencë. Po ashtu edhe ndjekja penale e banditëve me ofiq duhet të bëhet sa më shpejt.
Shtatë deputetë të Komisionit të Medias, të djathtë e të majtë, i shkruajtën prokurorit të Përgjithshëm para pak ditësh. Sot para faktit të kryer është koha për hapa të tjerë”, shprehet Pollo.
Ekspertët ndërkombëtarë ngritën alarmin për mënyrën se si janë dhënë licencat kombëtare dhe se si duhet të ndodhë ky proces në vendet evropiane. Duke sjellë përvojën e Spanjës, në një rast të ngjashëm me situatën në Shqipëri, eksperti Joan Barata tha se dhënia e licencave kombëtare duhet të bëhet përmes një procesi të hapur, të ndershëm dhe ligjor. Eksperti ndërkombëtar Joan Barata pasi njohu shqetësimet e operatorëve lokalë dhe rajonalë si dhe veprimtarinë e AMA tha se dhënia e licencave duhet jetë i hapur, i ndershëm dhe transparent.
“Proceset që jepen licencat nga Autoriteti i Mediave Audiovizive duhet të jenë të hapura dhe transparente në përputhje me ligjet dhe standardet ndërkombëtare. Referuar shembujve të ngjashëm në Spanjë, mendoj se AMA duhet të ushtrojë veprimtarinë e saj përmes një procesi të hapur, transparent dhe të ndershëm. Ata që kanë bërë aplikime më të mira për licencat kombëtare, duhet ta marrin atë, kjo duhet të ndodhë për mediat lokale dhe mediat rajonale”, tha Joan Barata.
Ndërsa eksperti i Këshillit të Europës, Claas Neukirch tha se, AMA po i jepet asistencë ndërkombëtare për mënyrën, për strategjinë që duhet të ndjekë gjatë procesit të dixhitalizimit.
Mediat lokale dhe rajonale ngritën edhe një herë shqetësimin para ekspertëve të huaj se tregu është monopolizuar dhe se po shkojnë drej falimentimit pasi nuk ka besueshmëri edhe në kontratën e tyre me TVSH për të transmetuar në njërën nga frekuencat kundrejt pagesës lënë nga televizioni publik.
Regjistrim i ri i popullsisë, a do të abuzohet?
Nga sot në vend do të nisë procesi i regjistrimit të adresave. Regjistruesit do të shfaqen derë më derë për të bërë regjistrimin dhe verifikimin në vend.
Gjatë prezantimit, kryeministri Edi Rama tha se, “Sipas të dhënave të regjistrave të gjendjes civile në Shqipëri ka 4.4 mln banorë, por e vërteta është që jo vetëm që ne nuk jemi familjarizuar me këtë shifër, por flasim për Shqipërinë 3 mln duke u vetëzvogëluar, por edhe kur vjen puna për ta lidhur këtë shifër me vendbanimin e secilit është e pamundur.
Tek adresat ndahen shtetet nga vendet pa shtet. Shtetet funksionale nga vendet ku shteti nuk funksionin. Si mund të funksionojë një shtet që nuk ka një regjistër adresash dhe Shqipëria sot është një vend ku flukset migratore nga vendi ynë jashtë dhe flukset e brendshme janë të barasvlefshme në peshë. Pra, aq sa shqiptarë kanë lëvizur jashtë Shqipërisë aq shqiptarë kanë lëvizur brenda territorit. E gjithë kjo lëvizje e kuptueshme dhe normale si një lëvizje që solli rënia e regjimit nuk u materializua asnjëherë në një regjistër kombëtar adresash”.
Ndërsa ministri Gjiknuri, gjatë takimit për prezantimin e projektit për modelin e ri të adresave u shpreh se, projekti do të ndihmojë në rritjen e eficencës së OSHEE, dhe sipas tij çdo qytetari do t’i jepet përgjigje në kohë për ankesat e tyre.
Artistët me NIPT më vete në dasma e koncerte
Shqipëria është ndër të paktët vende ku artistët nuk tatohen për fitimet që realizojnë edhe pse ligji ua njeh këtë detyrim. Shuma marramendëse që artikulohen nga vetë ata e që arrijnë në mijëra euro qoftë edhe në një natë të vetme (kryesisht këngëtarët) e për të cilat nuk paguhet asnjë taksë.
Administrata tatimore duket se më në fund po angazhohet që t’i japë fund evazionit fiskal në këtë industri.
Si hap të parë ajo ka nisur me njoftimin kundrejt këtyre individëve apo subjekteve që ushtrojnë aktivitet në fushën e artit që të bëjnë vetëdeklarimet dhe të paguhen detyrimet përkatëse sipas ligjit.
Sipas tatimeve nëse detyrimet nuk përmbushen atëherë do të jenë strukturat hetimore ato që do të nisin kontrollet dhe verifikimet për të bërë të mundur përmbushjen e detyrimeve.
Në njoftimin e saj administrata tatimore sqaron se:
“Në vijim të përpjekjeve të administratës tatimore për të formalizuar biznesin dhe shmangur evazionin fiskal, duke mundësuar që çdo veprimtari ekonomike, e cila sipas nenit 6 të Ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar, duhet të bëhet i identifikueshëm duke u regjistruar e pajisur me numrin unik të identifikimit (NIPT) apo të deklarojë të ardhurat e realizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, bazuar në nenet 8, 13 dhe 16 të Ligjit, nr. 8438, datë 28.12.1998 ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ i ndryshuar, si dhe nenit 10 të Ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 ‘Për taksat vendore’, i ndryshuar dhe të kryejë shlyerjen e detyrimit mbi të ardhurat, sigurimin e punonjësve etj.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ju bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë, persona fizikë, juridikë apo profesioneve të lira në fushën e ekonomisë së artit dhe industrisë krijuese, të cilët janë objekt i këtij ligji, që të paraqiten pranë organeve tatimore për formalizimin e aktivitetit të tyre dhe shlyerjen e detyrimeve të mësipërme.
Administrata tatimore ka konstatuar së fundmi se një pjesë e mirë e këtij sektori, që janë subjekt i Ligjit nr. 35/2016 ‘Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to’ i është përgjigjur thirrjes së saj në lidhje me detyrimet tatimore që rrjedhin ndaj tyre në funksion të zhvillimit të aktivitetit të tyre ekonomik dhe është e gatshme të këshillojë në çdo kohë, të gjitha entet apo individët, të cilët dëshirojnë të formalizohen dhe të kontribuojnë në procesin e luftës ndaj evazionit fiskal.
Përpjekja për të ndaluar njëherë e mirë evazionin fiskal e ndërmarrë në vijimësi nga organet tatimore shtrihet në të gjitha fushat e veprimtarive ekonomike, përfshi edhe ekonominë e artit dhe atë të industrisë krijuese. Muzika, artet pamore, publiciteti, krijimet audio vizive komerciale si pjesë themelore e ekonomisë së artit dhe objekt i konsumit të përditshëm të qytetarëve, kanë qenë dhe do të mbeten në fokusin e administratës tatimore paralelisht me çdo veprimtari tjetër ekonomike”, bëhet e ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Pa votimin elektronik, zgjedhjet të papranueshme
Nga Kastriot Islami
Nga të gjithë raportet kombëtare dhe ndërkombëtare, duke filluar me zgjedhjet e 2013 dhe vijuar me zgjedhjet e pjesshme në Korçë, zgjedhjet vendore të vitit 2015, në zgjedhjet në Dibër dhe Kolonjë, pra në të gjithë zgjedhjet kur Rama ka qenë në pushtet janë evidentuar problemet e mëposhtme: i) Blerja e votës me paratë e korrupsionit, krimit, kanabisit të ofruara nga politikanë të korruptuar, biznesmenë me pasuri të dyshimtë të vendosur në marrëdhënie klienteliste me Ramën, manjatë të biznes-medias, individë me rekorde kriminale, rrjeti policor i kultivimit të kanabisit; ii) Kërcënimi i votuesve nga individët me rekorde të tmerrshme kriminale dhe bandat lokale të drejtuara prej tyre e të mbrojtura nga rrjeti policor; iii) Përdorimi i favoreve administrative të tilla si ofertë vende pune të përkohshme dhe dhënie e pamerituar e asistencës sociale në shkëmbim të votës; iv) Votimet e shumëfishta e familjare; v) Intimidimi i komisionerëve dhe deri në disa raste blerja e tyre; vi) Zhvatja e votave të partive të vogla gjatë numërimit; vii) Përdorimi i ID të falsifikuara duke votuar në emër të të vdekurve apo emigrantëve; viii) Financimi i fshehtë i fushatës në shuma marramendëse nga paratë e korrupsionit, krimit apo kanabisit; ix) Vendosja e medias nën kontroll pothuajse të plotë… e tjerë, e tjerë. Dukuria e re e testuar në zgjedhjet e pjesshme në Dibër; dhe manipulimi më i rrezikshëm është përdorimi i “kultivimit masiv të kanabisit” në drejtimin e rrjetit të policisë të drejtuar nga Sajmir Tahiri dhe të ideuara e monitoruar nga Edi Rama, në funksion të manipulimit në përmasa të mëdha të zgjedhjeve i) me joshje të votuesve ose ii) me kërcënimin e tyre, madje duke tentuar të arrihet një fitore nga Rilindja në përmasa deri 71 mandate duke eliminuar edhe LSI.
Paketa e propozuar nga opozita për zgjedhje të lira e të ndershme
Për shkak të evidentimit të të gjithë këtyre problemeve në të gjithë zgjedhjet kur Rama ka qenë kryeministër dhe të arrogancës së tij për të shpërfillur çdo kërkesë të opozitës, situata politike duket shumë e tensionuar, besimi politik është në nivelin më të ulët krahasuar me shumë vite më parë dhe qytetarët shprehen të pashpresë për zgjedhje të lira e të ndershme, madje duke gjetur zgjidhjen në shumë raste te emigrimi që ka arritur shifra historike. Në këto kushte opozita fillimisht bëri me dije një strategji të plotë të reformës zgjedhore për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, por pas pengesave dhe zvarritjeve prej mëse 15 muajsh të Ramës, opozita ka propozuar një paketë minimale ndryshimesh në Kodin Zgjedhor për të mundësuar ngritjen e besimit politik në një nivel të pranueshëm dhe përcjellë mesazhe qytetarëve të pashpresë se zgjedhjet mund të jenë të lira e të ndershme. Kjo paketë mund të miratohet dhe zbatohet vetëm nëse mazhoranca ka vullnet politik dhe nëse ky vullnet do të ekzistonte do të kishte një shans që zgjedhjet të ishin minimalisht të pranueshme nga të gjithë aktorët. Në krye të kësaj pakete minimale është identifikimi biometrik/votimi e numërimi elektronik që zgjidh një seri problemesh, por mbi të gjitha do të ishte elementi bazë për të ndërtuar/ngritur besimin politik për zgjedhje të lira e të ndershme… Nëse kjo paketë nuk miratohet, gjasat më të mëdha janë që procesi dhe rezultati zgjedhor, pra Parlamenti të konsiderohen ilegjitimë nga qytetarët dhe aktorët politikë opozitarë. Dihet se çfarë do të ndodhte në këtë rast…
Standardi i zgjedhjeve më i rëndësishëm se data e zgjedhjeve
Zgjedhjet janë përcaktuar nga Presidenti për t’u zhvilluar më 18 qershor 2017; në këtë kuptim formal koha është një parametër i rëndësishëm dhe në një vështrim formal e panegociueshme… Por këtë radhë, për shumë arsye, gjykoj se këtë radhë cilësia e zgjedhjeve që lidhet me ndërtimin e besimit të qytetarët dhe te aktorët opozitarë, që do të përcaktohej ndër të tjera nga konsensusi mazhorancë-opozitë (siç ka ndodhur gjithnjë para të gjithë zgjedhjeve rezultati i të cilave është minimalisht pranuar nga aktorët kryesorë politikë (2005, 2013…) për të miratuar së bashku paketën minimale të ndryshimeve është shumë më i rëndësishëm se “koha apo afati i përcaktuar i zgjedhjeve”; pra koha do të ishte një element që do të vendosej pas standardit apo cilësisë së zgjedhjeve, pra në plan të dytë… Kjo nuk do të thotë aspak që opozita kërkon domosdoshmërisht shtyrje të zgjedhjeve sepse ajo beson se brenda 90-100 ditëve mund të miratohet e gjithë paketa dhe madje të implementohet edhe elementi më i diskutueshëm, pra një sistem elektronik i votimit. Dhe kjo do të ndodhte vetëm nëse do të kishte vullnet nga Rama për të realizuar zgjedhje të lira e të ndershme.
Miratimi i reformës kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm
Duhet patur parasysh se si votimi elektronik ashtu edhe miratimi i paketës përbëjnë vetëm kushte të nevojshme, por jo të mjaftueshme për zgjedhje të lira e të ndershme… sepse realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme do të varej fuqimisht edhe nga vullneti politik i Ramës për të i) larguar realisht të gjithë individët me rekorde kriminale; ii) mosfutjen në listën e deputetëve të biznesmenëve me pasuri të dyshimta të vendosur me leje ndërtimi, tendera publikë apo dhënie klienteliste koncesionesh; dhe iii) mbi të gjitha nga ndërprerja e përdorimit të kanabisit në funksion të zgjedhjeve dhe përdorimit të rrjetit policor në bashkëpunim me individët me rekorde kriminale dhe kultivimin e kanabisit. Mbi të gjitha do të insistoja në çështjen e përdorimit të kanabisit për manipulimin e zgjedhjeve sepse ky element do të nxirrte jashtë loje të gjithë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përfshi dhe votimin elektronik…
Më të varfër se Kosova, krahasohemi me Afrikën
Amerikanët shpenzojnë vetëm 6.4% të të ardhurave të tyre për ushqim, sipas shifrave më të fundit të publikuara nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara për Agrikulturën. Në përgjithësi, sa më i zhvilluar të jetë një vend, aq më e vogël është përqindja e të ardhurave që shpenzon për ushqim, siç tregon dhe harta e publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror.
Vendet që shpenzojnë më pak
Janë vetëm dhjetë vende në botë që shpenzojnë më pak se 10% të të ardhurave të tyre për ushqim, katër prej të cilave janë në Europë; Mbretëria e Bashkuar është e treta me 8.2% të të ardhurave mujore, e ndjekur nga Zvicra me 8.7%, Irlanda shpenzon vetëm 9.6% dhe Austria 9.9%.
Katër vendet e tjera ndodhen në pjesën tjetër të botës. Amerikanët shpenzojnë të paktën 6.4%, Singapori është i dyti në listë për sa i përket shpenzimeve më të ulëta për ushqim krahasuar me të ardhurat në total, 6.7%. Kanadezët shpenzojnë rreth 9.1% të të ardhurave në ushqim, ndërsa australianët shpenzojnë 9.8%.
Vendet që shpenzojnë më shumë në botë
Nigeria shpenzon më shumë se gjysmën e të ardhurave për ushqim dhe janë nëntë vende të tjera që shpenzojnë më shumë se 40% të të ardhurave për ushqim.
Katër prej të cilave janë në Afrikë, Nigeria 56.4%, Kenia 46.7%, Kameruni 45.6%, dhe Algjeria 42,5%. Katër të tjera janë në Azi, Kazakistani 43%, Filipinet 41.9%, Pakistani 40.9% dhe Azerbajxhani 40.1%. Guatemala është i vetmi vend në Amerikën e Jugut që ndodhet në listën dhe familjet shpenzojnë rreth 40.6% të të ardhurave për ushqime.
Shifrat nuk tregojnë se ushqimi është më i shtrenjtë në Nigeri se sa në SHBA. Në fakt, është e kundërta. Një amerikan mesatarisht shpenzon rreth 2,392 dollarë në vit për ushqim, një nigerian mesatarisht shpenzon gjysmën, 1,132 dollarë. Një banor i Kenias shpenzon 543 dollarë në vit për ushqim.
Megjithatë, mund të ketë diferenca të mëdha brenda vetë shtetit.
Në 25 vitet e kaluara, rreth 20% e familjeve në Shtetet e Bashkuara shpenzojnë nga 28.8% në 42.6% në ushqim, krahasuar me normën 6.5-9.2% të shpenzuar nga familjet e pasura.
Shqipëria, më keq në rajon, krahasohet vetëm me Afrikën
Në raportin e Forumit Ekonomik Global mungojnë të dhënat për Shqipërinë dhe rajonin, por të dhënat përkatëse nga anketat e buxhetit të familjeve japin një panoramë se sa përqind të buxhetit shpenzojnë për ushqime familjet e rajonit.
Sipas INSTAT, në Shqipëri, familjet shqiptare shpenzojnë 48.7% të buxhetit për ushqime, një përqindje e krahasueshme vetëm me vendet e Afrikës. Sipas Anketës së Fundit të Buxhetit të Familjeve, familjet shqiptare rritën më 2015 shpenzimet për konsumin e ushqimeve me 4,4 pikë përqindje në krahasim me 2014-n. Tendenca për të ulur shpenzimet e tjera dhe fokusi drejt ushqimeve është treguesi më i qartë se familjet shqiptare po varfërohen dhe shqetësimi kryesor i tyre është sigurimi i nevojave bazë të jetesës. Ky është një kthim mbrapa, teksa në dekadën e fundit, pesha e shpenzimeve për ushqime kishte ardhur veçse në ulje.
Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria e ka këtë peshë dukshëm më të lartë.
Sipas Zyrës Statistikore Shtetërore të Maqedonisë, familjet maqedonase shpenzojnë mesatarisht 33.7% të buxhetit për ushqime.
Në Mal të Zi, sipas Monstat, kjo peshë është 34.6%; në Bosnje-Hercegovinë është rreth 34%.
Familjet serbe, sipas zyrës kombëtare të statistikave shpenzojnë 37.7% të buxhetit për ushqime.
Më e lartë është kjo peshë për Kosovën, në 43%, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave.
Në vendet e BE-së, sipas të dhënave historike të Eurostat, pesha e shpenzimeve për ushqime ka mbetur në rreth 12%, që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat.
Teksa vendi vijon të jetë një importues i madh neto i ushqimeve, në supermarketet shqiptare ndodh rëndom të gjesh produkte që janë edhe më të shtrenjta se supermarketet në Itali për shembull, ndërsa të ardhurat e familjeve shqiptare janë disa herë më të ulëta se ato italiane.