Një motoskaf me 760 kilogram marijuanë, dy persona nga Brindizi dhe një qytetar me kombësi shqiptare janë kapur në brigjet e San Cataldos nga forcat e Guardia di Financas. Në burg kanë përfunduar Oliviero Ferraro, 47 vjeç dhe Lazzaro di Lauro, 58 vjeç, së bashku me Admir Quacaj, 31 vjeç nga Vlora. Policia shqiptare bëri të ditur mbrëmjen e të premtes se ka bashkëpunuar me Guarda di Finanza për zhvillimin e operacionit për kapjen e skafit me drogë të nisur nga Vlora, por Guarda di Finanza nuk e përmend në asnjë rresht bashkëpunimin me policinë shqiptare.
Operacioni është kryer gjatë mbasdites së të premtes. Që të tre, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë së Leçes, i cili është kompetent për këtë territor, u arrestuan për posedim dhe trafikim ndërkombëtar droge dhe u dërguan në burg në pritje të seancës gjyqësore përpara trupit gjykues në prani të mbrojtësve Daniela d’Amuri e Giovanni Brigante.
Mediat italiane shkruajnë se, operacioni u krye nga Njësitë e Departamentit të Operacioneve Aerodetare të Policisë Financiare të Barit dhe Grupit Aerodetar të Guardia di Financës së Tarantos, e cila kryen shërbimet e qendrës së koordinimit lokal FRONTEX për operacionin “Triton”, i dërguar drejt motoskafit të dyshuar për ta kontrolluar atë, sapo ai është zbuluar.
Të kapur në flagrancë në mes të ditës, ekuipazhi i skafit vendosi që të arratiset dhe për të fituar shpejtësi më të madhe hoqi qafe pjesë të ngarkesës, duke e hedhur në det. Gjithçka e padobishme, pasi pas një ndjekjeje të shkurtër dhe intensive të kryer nga ajri dhe me Njësitë Detare të Financës e gjitha përfundoi me lënien e motoskafit rreth 20 milje në brigjet e San Cataldo.
Mjeti lundrues i përdorur për transportin e drogës, 8 metra i gjatë, me një motor të fuqishëm jashtë bordit me 225 kuaj fuqi, u shoqërua deri në Marinën e Seksionit të Operacioneve të Policisë Financiare të Otrantos dhe u sekuestrua. Menjëherë kanë nisur hetime më të thelluara në bashkëpunim me policinë shqiptare dhe Grupin e Kufirit Detar të Guardia di Financës të vendosur në Durrës, për të gjetur grupin kriminal të përfshirë në trafikim.
I kalon 5 tonelatat e marijuanës në sasi totale nga Guardia di Finanza në Pulia në këto javët e para të 2017, duke i shtuar edhe 20 tonë të konfiskuara në vitin 2016. Por pikërisht shpeshtësia e këtyre operacioneve tregon përmasat kriminale të zhvillimit të krimit midis bregdetit shqiptar dhe atij të Pulias Jugore, e cila sfidon kontrollet e pajisjeve në det, e cila gjithashtu ka funksione edhe për të gjurmuar trafikun e klandestinëve.
Elementi i dytë që gjen konfirmim të mëtejshëm në shërbimin e kryer dje nga burimet aerodetare të Guardia di Financas, është përfshirja e plotë në narkotrafik që përdor ngushticën e Otrantos të pjesës së Brindisit, të përdorur nga klanet shqiptare që dërgojnë në Itali marijuanën e punuar në malet e Vlorës, ku fshatra të tërë janë të përfshirë në kultivimin e cannabis indica dhe përpunimin e mëvonshëm për të marrë marijuanë dhe hashash.
Pra, ka një kriminalitet, që pas më shumë se 15 vjetësh që nga shkatërrimi i ekipeve kontrabandiste midis Brindizit dhe Monopolit me “Operacionin pranverë”, rishfaqet gjithnjë e më i shumtë në rrugët e vjetra të Durrësit dhe Vlorës të përdorur për kontrabandën e cigareve, dhe – si është përmendur tashmë – edhe në rolin e partnerëve të mafias shqiptare. Në këtë kufi është hetuar prej kohësh, por sot kjo shtrirje e detit tërheq vëmendjen edhe për praninë në Kosovë dhe Shqipëri të enklavave fondamentaliste të lidhura me shkollat kuranore dhe xhamitë të lindura me financime të përbashkëta nga Turqia, Arabia Saudite dhe Emiratet e Gjirit.
760 kg drogë e nisur me motoskaf nga Vlora sekuestrohen në Leçe
“Corriere Della Sera”: E vërteta e menaxherit të drogës, Guido Guidi
“E vërteta e menaxherit nga Milano. Kështu sillte drogën e trafikanteve”. Ky është titulli i “Corriere Della Sera” për pilotin italian Guido Guidi i cili dy ditë më parë u largua nga Tirana. Prej shtatorit ai ishte i ndaluar nga policia shqiptare pasi avioni me të cilin udhëtonte u rrëzua në Ishëm të Durrësit.
Fillimisht qëndronte i heshtur deri në mohim të akuzave, duke filluar nga 200 kilogramë marijuanë në avionin e tij të turizmit i cili për pak sa nuk u përplas ndërsa ulej në Ishëm pranë Durrësit. Por tashmë menaxheri Guido Andrea Guidi, 68 vjeç nuk hesht më. Rrëfim pas rrëfimi, duke vënë në alarm grupet shqiptare të trafikantëve, duke detyruar hetuesit shqiptarë ti merrnin pasaportën, duke e vendosur në mbrojtje për 24 orë në vend sekret për të evituar hakmarrjen apo dhe vrasjen e tij.
Guidi rrezikon shumë, dhe pse në të kaluarën ka pasur të tjera probleme me ligjin, si atëherë kur bëri marrëveshje për një incident ajror që shkaktoi vdekjen e dy pilotëve të kompanisë së tij të vogël ajrore. Më pas, ai do të lidhej me trafikantët e Ballkanit për të rregulluar problemet e tij ekonomike. Kontrata, nëse mund të quhet e tillë, parashikonte transportimin e drogës nga Shqipëria në Lombardi, dhe me destinacion final Milanon. Udhëtimet paguheshin nga 20 deri në 25 mijë euro. Ai duhej të fluturonte në lartësi të ulët për të evituar radarët, dhe do të ulej në dhjetëra aeroporte turizmi, por dhe në pista private të improvizuara në fshatra. E pikërisht këtu ai merrte ngarkesën me marijuanë nga trafikantët.
Çdo gjë ishte e lehtë, dhe kushti i vetëm ishte që të mos kapej. Incidenti në muajin shtator ndodhi në një zonë të izoluar, por që tregonte shumë për trafikantët se cilët mund të ishin ata, dhe Guidi sapo i kishte prishur maskimin. Agjentët e policisë prisnin mbërritjen e bashkëpunëtorëve të Guidit, ndërsa ky i fundit merrej në pyetje. E më pas ishte sistemuar në një hotel. Ndoshta menaxheri milanez ishte përpjekur të arratisej, por nuk kishte gjetur mbështetje, pasi bashkëpunëtorët e tij e kishin braktisur. E më pas shpresonte se do e kishin liruar dhe çështja kundër tij do të pushohej, por gjërat u përkeqësuan shumë shpejt dhe për shkak të gjetjes së një axhende në xhepat e tij, ku ishin shkruar emra të njohur dhe personazhe me influencë në jetën publike shqiptare.
Nga hoteli, Guidi mbahej i fshehur në kazermat e ushtrisë, por pozicioni i tij mbetej shumë delikat. Në momentin që Guidi gjen sigurinë tek hetuesit nis të flasë, duke dhënë informacione të vlefshme. Por përpara se të rikthehej në Itali do të kalonte dhe pak kohë, pasi hetuesit shqiptarë nuk kishin ndërmend ta lironin. Më pare, duhej të përfundonte hetimi, një nga shumë të tilla. Orët e fundit agjentë policie dhe karabinierë në Pulia, konfirmojnë mbërritjen sidomos në Salento të gomoneve të ngarkuara me drogë, pavarësisht temperaturave të ulëta dhe detit të trazuar.
Skafistët nuk dinë të pushojnë, pasi kërkesat janë të shumta dhe ofertat e mira. Sipas të dhënave më të fundit të Gurdia di Finanza, të ardhurat që vijnë nga trafikimi i marijuanës përbëjnë ¼ e prodhimit të brendshëm të Shqipërisë. Ka pasur kriminelë që u pasuruan me transportimin e emigrantëve në vitet e dëshpëruara të luftës civile në Shqipëri, e që tashmë kanë blerë shtëpi dhe hotele në Vlorë. Por pavarësisht jetës luksoze nuk i kanë rezistuar pasionit për krimin, duke u rikthyer në aktivitet, por kësaj here duke transportuar marijuanë. Një nga më aktivët, ka një epitet që i është dhënë për meritat e tij në këtë fushë: e quajnë “Çakalli”.
Shëndetësia falas e Ramës, Shqipëria pa insulina
Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar mungesën e insulinës në farmacitë e vendit, por edhe nëse ka ajo shitet me mik. Denoncimi publik është pas mesazhit të dërguar nga një qytetar në adresë të ish-Kryeministrit. “Në farmacitë e Tiranës mungon insulina ose shitet me mik. Ndërkohëk në regjistrat e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore rezultojnë të shitura insulina sa për të gjithë Ballkanin! Beqja ndan me firmat paratë e rimbursimit të dhjetëra mijëra insulinave që nuk kanë ardhur dhe nuk janë shitur kurrë në Shqipëri. Ja çfarë shkruan qytetari dixhital”, shkruan Berisha në Facebook.
“Z.Berisha, mirëmëngjes, doja që të bënit një problem të këtyre ditëve të fundit publik. Ka mungesë insulinash nëpër farmaci. Ime më ka dy ditë pa insulinë. Po shiten ato pak sikur me qenë mall jashtëligjor. Ky është problem imediat nuk mund të rrijë një diabetik pa insulinë. Ju faleminderit”, shkruan qytetari.
Dade mban në detyrë drejtoreshën pensioniste
Drejtoresha e Spitalit të Ersekës vazhdon të qëndrojë në detyrë ndonëse ka dy vjet që e ka mbushur moshën e pensionit. Një qytetar nga Erseka i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku e informon se drejtoresha e spitalit mbahet në detyrë nga deputetja e PS, Arta Dade në kundërshtim me ligjin. “Për siçilistët ligji nuk ekziston! Qytetari dixhital denoncon diskriminimin partiak në zbatimin e ligjit, nëna e kriminelit Orest Malushi, ka kaluar prej dy vitesh moshën e pensionit, por mban vendin në thyerje të ligjit”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit nga Erseka.
“Përshëndetje doktor! Jam një banor nga qyteti i Ersekës, dhe kam besim të plotë te ndershmëria juaj, prandaj po ju shkruaj. Doktor të lutem, ngrije zërin në parlament për ne kolonjarët e shkretë. Këtu në Spitalin e Ersekës, drejtoreshë Fatime Malushi, e ëma e kriminelit, vrasësit, Orest Malushi, ka dy vjet që ka dalë në pension, dhe vazhdon të ushtrojë detyrën pa i hyrë gjemb në këmbë. Deputetja e rrethit tonë, Arta Dade, pasi shkatërroi Përmetin, shkatërroi dhe rrethin tonë. Po e mban drejtoreshën e pensionuar bnë krye të spitalit. Populli i Ersekës, është kthyer në mëshirë të kryetarit të Partisë Socialiste, Ilirjan Hyseni. Fati jonë është në dorë të tij dhe të Partisë Socialiste. Të futin e të heqin nga puna sipas qejfit të tyre, duke e kthyer në biznes. Populli i Ersekës është në presionin e këtyre partiakëve”, shkruan qytetari.
Deputetët e PS në kaos pas luftës me LSI, kërkojnë strehim tek PD
Akuzat e njëpasnjëshme nga zyrtarë të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë trazuar skenën politike në vend.
Deputeti i PS në Përmet, Vladimir Kosta ka reaguar pas sulmeve nga deputetë të LSI, duke kërkuar që Partia Socialiste të prishë menjëherë koalicionin dhe të dalë e vetme në zgjedhje.
Në një status të gjatë në Facebook, deputeti Kosta thotë se është më mirë që PS të bëjë koalicon me PD-në se sa me LSI.
Reagimi i deputetit të PS Vladimir Kosta:
Aleanca me LSI-në ,është vetëm – për Ps- në !
Kam pasur jo pak kritika për punën e ministrave të LSI apo dhe deputetët e saj. Madje për Tavon, që sillet si beu i ri arrogant i Gjirokastrës, mund të flisja gjatë edhe për çështje konkrete. E kam akuzuar dhe e akuzoj publikisht për abuzime dhe shpërdorime skandaloze me pushtetin politik që i është dhënë në Gjirokastër, si dhe për sjelljen e tij ordinere dhe fjalorin e ulët ndaj drejtuesve të PS dhe Kryeministrit. Tavo është njeriu i fundit që duhet të akuzonte dhe të hidhte baltë më qeverisjen dhe strukturat e shtetit. Nuk ka as moralin si zyrtar dhe as si politikan të lëshojë akuza kriminale.
Teksa po dëgjoj nga përfaqësuesit e LSI të hedhin vrer ndaj PS dhe qeverisë ku edhe ata janë pjesë, shoh që akuzat e tyre janë dhe më të ndyra se sulmet që na bën Saliu. Por këto ditë po shoh atë që shohin gjithë shqiptarët; LSI po sulmon PS-në dhe qeverinë më keq dhe në mënyrë më të poshtër se PD. Nuk e kuptoj pse LSI rri ende në qeveri dhe koalicion kur paskan kaq shumë akuza ndaj PS dhe kur dyshokan për skenarë haluçinant nga ana e policisë.
Personalisht mendoj se vazhdimi i koalicionit me LSI është i pamundur dhe duhet të ndahemi menjëherë. Nuk na bashkon asgjë me ta. PS është forcë kryesore në vend dhe fiton e vetme. Për kolegët e mi që kanë merak numrat, u them se PS mund të jetë në koalicion me çdo parti tjetër që nuk ka stil pune pazaret dhe shantazhet. E them këtë sepse dhe nga pikëpamja e raporteve njerëzore kjo aleancë me LSI ka marrë fund. Ne nuk mund të jemi në aleancë me deputetë që nuk kanë pikë respekti për kolegët e tyre të partisë aleate. Me deputetë që thonë se jemi aleatë dhe fyejnë e shajnë gjithë ditën jo vetëm kolegët e PS, por edhe Kryeministrin dhe qeverinë ku janë pjesë. Edhe deputetët e PD janë më dinjitoz si kundërshtarë politik sesa LSI. Ky mund të jetë një qëndrim më radikal, por më mirë të qeverisë PS-PD se sa me LSI në koalicion.
Pushtave po u vjen fundi
Pushtave që ndërtuan perandorinë e krimit përmes kapjes së pushtetit gjatë këtyre katër viteve po u vjen fundi. Lufta ka shpërthyer edhe brenda vetë koaliciont qeverisës. Askush nuk i beson më Ramës. Në qendër të kësaj lufte të brendshme mes koalicionit qeverisës janë zgjedhjet e qershorit. Çfarë do të ndodhë deri në qershor? Çdo gjë duket e paparashikueshme, por vetëm së fundi po afron. Pushteti i pushtave po bie. Regjimi kriminal që ka mbërthyer qeverinë është tani në një ngërç të madh.
Rama e ka menduar 18 qershorin si një riorganizim të të gjithë qelbësirave për të mbajtur pushtetin e tij personal. Lirimi nga burgu i Lul Berishës ishte sinjali i parë i fortë që Rama dha se ai kërkonte me çdo kusht kapjen e zgjedhjeve përmes terrorit të bandave. Në çdo zonë elektorale Rama ka grupuar nga njëra anë klientelën e tij të biznesit të parave të korrupsionit dhe nga ana tjetër i ka bashkëngjitur asaj grupet e të fortëve. E kush do të mund të shkonte tek kutitë e votimit ndaj një aleance të tillë kriminale.
Duket se gjërat po ndryshojnë nga ora në orë. Rënia e parë e madhe e Ramës ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara. Humbja e kandidates Hillary Klinton e mbështetur fuqishëm nga Soros tronditi themelet e Ramës. Fitorja e Trump si President nënkuptonte për të se do të duhet të japë llogari për përfshirje në fushatën presidenciale. E gjithë ngrehina e organizatës kriminale në pushtet ishte ngritur përgjatë këtyre tre viteve të qeverisjes së Ramës përmes një miratimi të heshtur që vinte nga njeriu që kontrollonte pjesë të pushtetit në Uashington, Xhorxh Soros. Më ikjen e tij dhe luftën tashmë të shpallur hapur nga Trump, Ramës i ka rënë garancia se ai do të mund të aktivizojë bandat kriminale njëlloj sikurse bëri në zgjedhjet e kaluara për të marrë pushtetin.
Turi i kryetarit të opozitës nga Uashingtoni në Bruksel dhe së fundi në Berlin, në zyrat e CDU të Kancelares Merkel janë një sinjal i qartë i ndryshimit politik që po afron. Nuk do të jetë një ndryshim i lehtë. Ditët dhe javët e ardhshme do të jenë fillimi i një revolucioni të madh që do të nisë në Shqipëri për të çmontuar perandorinë kriminale të Ramës.
Basha ka marrë mbështetje të plotë për zgjedhje të lira dhe brenda standardeve. Ai po ashtu ka marrë garanci se nuk do të tolerohet as implikimi i krimit në zgjedhje dhe as blerja e votës.
Në funksion të asaj aleance të re të opozitës me partnerët ndërkombëtarë po projektohet edhe ndryshimi në Shqipëri. Banda e pushtave do të rrëzohet me çdo kusht dhe me çdo çmim. Rama nuk do të mund t’i shpëtojë një revolte të brendshme popullore që pret vetëm një shkëndijë që të ndizet dhe të djegë dhe shkrumbojë perandorinë e krimit. Rama bën mirë që ka frikë. Ai i ka marrë mesazhet e këtij ndryshimi dhe nuk ka asnjë bandit dhe asnjë trafikant që mund ta shpëtojë.
Rama po kundërshton votimin elektronik se ai e di një votim i lirë e nxjerr atë në një minorancë historike. Ai nuk e lejon votimin elektronik dhe do të bëjë gjithçka për të mos lëshuar pushtetin me rrugë demokratike. Arsyeja se përse nuk është i gatshëm që të dalë në opozitë janë aferat e tij korruptive dhe kriminale. Reforma në Drejtësi natyrisht që do të bëhet dhe shumë shpejt ajo do të nisë të funksionojë.
Drejtësia do të nisë të funksionojë dhe askush nuk do të mund të ndalë përballjen e kësaj bande hajdutësh dhe kriminelësh që të dalin para saj. Rama nuk do të lejojë në asnjë mënyrë rrotacionin demokratik, sepse e di shumë mirë se funksionimi i shtetit ligjor e dërgon atë pas hekurave. Frika nga burgu për aferat e panumëra korruptive e çon atë drejt një rruge qorre atë të kërkimit të shpëtimit te bandat e krimit. Ai nuk e arreston sot Balilin, sepse me të ka bërë pazare jo vetëm për trafikimin e drogës, por edhe që Balili t’i sigurojë numrin e deputetëve që Rama i ka kërkuar në Jugun e vendit. Rama e liroi Lul Berishën për të kontrolluar të gjithë zonën e Durrësit, mirëpo në të gjitha këto llogari ai ka harruar diçka të vogël, se kohët kanë ndryshuar dhe se askush nuk e toleron më Ramën në përpjekjen për të mbajtur vendin peng të krimit.
Ora e ndryshimit popullor po afron. Ora e zgjimit qytetar po vjen, ora e rrëzimit të pushtave po afron.
Basha me Krichbaun dhe Falanski për zgjedhjet e lira
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim të zgjeruar dhe më pas një drekë pune me disa nga drejtuesit më të lartë të Bundestagut gjerman, përfshi Kryetarin e Çështjeve Europiane, Gunther Krichbaum, Kryetarin e Komisionit të Ekonomisë dhe Energjisë, Andreas G. Lämmel, Kryetarin e Komisionit për Parandalimin e Krizave Thorsten Frei, si dhe Këshilltarin Politik të shumicës parlamentare CDU-CSU Hans-Joachim Falenski.
Tema kryesore e bisedimeve ishte plotësimi i kushteve të Shqipërisë për hapjen e negociatave. Politikanët e lartë gjermanë ripohuan qëndrimin e qartë të Bundestagut, se ata presin veprime konkrete dhe rezultate të qarta në luftën kundër krimit të organizuar e drogës, dekriminalizimit të politikës, zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe mbi të gjitha mbajtja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira do ta bindin Bundestagun të hapë dritën jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë.
Zoti Basha u shpreh se, këto prioritete janë në vetvete jetike jo thjesht për integrimin, por për fatin e qytetarëve shqiptarë, të cilët po detyrohen ta kërkojnë të ardhmen, duke migruar.
Zoti Basha u pohoi zyrtarëve gjermanë se ka ardhur koha, që Shqipëria të kapërcejë ciklin e krizave dhe dështimeve të përsëritura dhe të hyjë në një kurs normal zhvillimi që do ta kthejë atë në një vend të denjë europian.
Me këtë qëllim, zoti Basha ndau vizionin dhe alternativën e tij për transformimin ekonomik dhe politik të vendit. Ai theksoi se hapi i parë në këtë rrugë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Parlamentarët gjermanë rishprehën edhe një herë mbështetjen e tyre të pandryshuar për zhvillimin dhe integrimin europian të Shqipërisë. Ata theksuan pritshmërinë e tyre se, Shqipëria do të përqafojë sa më shpejt rrugën e ndryshimeve.
Kryetari i Partisë Demokratike u prit edhe në Kancelarinë Federale nga drejtuesi i Grupit 21 për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë Globale, Joachim Bertele, z.Knut Abraham përgjegjës për Europën Juglindore dhe z.Mathias Luttenberg, përgjegjës për procesin e Berlinit. Ndërsa në Ministrinë e Jashtme gjermane zoti Basha u takua me Christian Hellbach, drejtor për Europën Juglindore.
Në këto takime, zoti Basha theksoi rëndësinë që kanë për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit, zgjedhjet e lira e të ndershme. Ai i njohu zyrtarët gjermanë me alternativën e opozitës për zhvillimin e vendit, veçanërisht për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe ofrimit të kushteve dhe sigurisë për investitorët e huaj.
Arben SHAHINI
A ishte anulimi i vizitës së Hollande izolimi i radhës për Ramën?
Armand MAHO
Në qershorin e vitit 2014 Rama do të zhvillonte një viztë në Francë, ku mes të tjerash gjatë një takimi do të ftonte dhe Presidentin Hollande për të vizituar Tiranën. Natyrisht, vizita u trumbetua me “tam tamet”e zakonshme ku shumë media proqeverisë e cilësuan atë si përtej pritshmërive. Ndërkohë të njëjtat media në janarin e këtij viti, më saktë më 3 janar do të trumbetonin sërish lajmin se Hollande e ka konfirmuar vizitën e tij në marsin e këtij viti. Të njëjtat mediat e cilësuan si një vizitë historike, pasi është i pari President francez që viziton Tiranën, dhe natyrisht kjo meritë i njihej Edi Ramës, për vizionin e tij global. Por sërish, një lajm tjetër jo shumë i këndshëm për kreun e qeverisë erdhi mbrëmjen e 27 janarit. Zyra e Shtypit u kujdes që ta shpërndante, duke i ngjitur nga pas dhe justifikimin. Një media afër qeverisë, madje e para që lançoi lajmin e ardhjes njoftonte se Hollande ka anuluar vizitën e tij. Arsyet sipas saj nuk janë bërë të ditura, por dyshimet janë se vizita është anuluar për shkak të “krizës” që ka shpërthyer në Francë.
Anulimi
Fransua Hollande i kanë mbetur vetëm pak muaj nga përfundimi i mandatit dhe ai ka bërë të ditur se nuk do të garojë. Më shumë se një krizë kemi të bëjmë me një fushatë normale për zgjedhjet presidenciale, ku e majta duket se e ka të pamundur të fitojë. Por vetëm kaq, dhe kjo s’mund të jetë arsyetim që një president i një vendi të anulojë një vizitë të paralajmëruar. Pra, më shumë se kriza që kërkojnë ta paraqesin mediat e Ramës, është një vendim politik nga ana e Hollande që mos ketë të bëjë me liderin global të Shqipërisë. Dalja me njeriun që ka sulmuar live në CNN Presidentin e Amerikës do i hapte jo pak andralla me mediat franceze, dhe do dëmtonte më shumë fushatën e partisë së tij. Në fakt ka kohë që Rama, nuk po gjen mbështetje më as në Internacionalen Socialiste, dhe jo më në liderët evropiane që ai i kishte fort për zemër takimet me ta. E fundit do të ishte takimi me Kancelaren Merkel, takim në të cilin ajo i bëri të ditur dhe vendimin zyrtar të Gjermanisë, për refuzimin e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Rama është kreu i një qeverie, e cila po i hap jo pak punë Evropës, me trafikun e drogës. Por vetëvrasja e tij politike do të ishte dalja në CNN dhe deklaratat kundër Presidentit amerikan Donald Trump. Në qarqet diplomatike, tashmë Rama shihet si deliranti i një vendi të vogël, që tentoi të ndërhynte në zgjedhjet amerikane. Një gjë që nuk e bëri as Renzi dhe as Cipras i Greqisë, megjithëse s’kanë qenë dakort me zgjedhjen e tij. Madje nuk e bëri as Poroshenko i Ukrahinës, i cili njihet si njeri për të cilin armiku numër 1 i zotit Trump, spekulanti miliarder Xhorxh Soros u investua shumë që ta sillte në pushtet. Dalja me Ramën për liderët e Ballkanit, me sa shihet do të thotë dalja me një njeri antiamerikan dhe mbështetësin kryesor të narkotrafikut në vend, do ishte dalja me njeriun i cili po përze bashkatdhetarët nga vendi i tij, njësoj sikur Shqipëria të ishte në gjendje lufte. Antireklamë më e keqe nuk ka se si bëhet.
Pronarët: Veliaj po na shemb dyqanet për t’i kthyer në pallate
Pronarët e dyqaneve të vjetra tek Pazari i ri në Tiranë zbuluan dje planin klientelist të Erion Veliajt për të shembur dyqanet monument kulture e për t’i kthyer në troje ndërtimi. Janë vetë pronarët e këtyre dyqaneve, të vetmet që dëshmojnë Pazarin e Vjetër, të cilët duan ruajtjen e tyre dhe kanë investuar për t’i restauruar sipas një plani të miratuar nga qeveria. Përfaqësuesja dhe një nga pronarët, Merita Bollati u shpreh se plani i ri i Bashkisë parashikon prishjen e dyqaneve të vjetra, ndërkohë që ata nuk janë vënë fare në dijeni.
“Jemi gjashtë pronarë të objektit pas nesh, me dokumentacion të rregullt pronësie dhe në bazë të një leje ndërtimi të dalë nga qeveria, kemi filluar restaurimin e dyqaneve tona me fondet tona. Gjithashtu dyqanet tona janë pjesë e monumenteve të kulturës dhe sipas projektit është menduar që këto të kthehen në identitet. Janë të vetme dyqane që dëshmojnë për Pazarin e Vjetër. Ne jemi pezulluar pa asnjë shkak në momentin final të vënies së tjegullave, pa asnjë shkak ligjor nga ana e Bashkisë Tiranë. Ndërkohë në momentet që flasim kemi dëgjuar që Bashkia kërkon të ndërtojë mbi pronën tonë, pa asnjë ligj, sepse asnjë ligj nuk e parashikon një gjë të tillë të ndërtosh mbi pronën me pronarë. Rikualifikimi i Pazarit të Ri ka filluar që në tetor të 2016 dhe që nga ajo kohë të gjitha bizneset tona janë ndërprerë dhe ne nuk kemi patur asnjë fitim gjatë gjithë kësaj kohe. Dëmi ekonomik është i jashtëzakonshëm, pasi ne kemi investuar goxha që të kthejmë në identitet dyqanet tona, sepse ato kanë qenë të vjetra. Ne kemi dëgjuar që tek prona jonë do të ndërtohen magazina për interesa të të tjerëve”, tha Bollati.
Në mbështetje të denoncimeve të pronarëve të vjetër ishin dhe këshilltarët demokratë, të cilët shprehën shqetësimin e grabitjes së pronës dhe shkatërrimit të historisë së Tiranës për shkak të interesave të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj.
“Sot, jemi përpara një fakti tjetër të dhimbshëm, tentohet grabitja e pronës, cënohet shenjtëria e pronës private në një republikë parlamentare. Rama nuk ka të ndalur. Sejmeni i tij në bashki është i detyruar të firmosë çfarë i urdhëron shefi i tij politik. Mafia e ndërtimeve po shfaqet kudo, sepse Rama dhe Veliaj, janë kapot e kësaj mafieje. Të gjitha provat dhe faktet bëjnë fjalë për tjetërsim të pronës, duke ua dhënë të tretëve për interesa të mafies së pushtetit dhe mafies së ndërtimit. Kjo është e barazvlefshme me statusquonë e diktaturës, të cilën Rama e ka vendosur që ditën e parë që mori pushtetin dhe po e zbaton me konseguenca me sejmenin e tij në bashki. Do i kërkojmë zyrtarisht zotit Veliaj të bëjë transparencë. I kërkojmë Ministrisë së Kulturës si institucioni përgjegjës për trashëgiminë kulturore të bëjë publike ato projekte, ku i cilëson këto prona si vijim të trashëgimisë dhe identitetit të Pazarit”, tha kreu i këshilltarëve demokrat, Leonard Olli.
Deputeti Tavo: Jugu i Shqipërisë i gjelbëruar nga droga
Përçarja mes PS-së dhe LSI-së duket se po thellohet. Pak pasi kryeministri Rama reagoi në faqen e tij në Facebook, duke mbrojtur punën e suksesshme të Policisë së Shtetit dhe duke shtuar në fund shprehjen “qentë le të lehin, karvani shkon përpara”, LSI i kundërpërgjigjet me deputetin e Gjirokastrës, Vangjel Tavo. Në një prononcim për mediat, Tavo ka hedhur akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit, si dhe shprehet i shqetësuar për kanabisin në Jug të vendit. “Drejtuesit e policisë janë pozicionuar politikisht. Tahiri t’u mësojë rolin që kanë drejtuesit e policisë. Këta drejtues janë duke dëmtuar LSI-në. I kam kërkuar Tahirit largimin e këtyre drejtuesve, pasi Jugu i Shqipërisë është i gjelbëruar. Policia të merret me punën e saj, jo me politikën. Disa drejtues policie bashkëpunojnë me trafikantët”, është shprehur Tavo. Një ditë më parë, ishte ministri i LSI-së, Lefter Koka, i cili bëri deklarata të forta kundër qeverisë dhe doli kundër koalicionit me PS-në. Më herët gjatë javës, LSI “kryqëzoi” Ramën, duke i kërkuar Nishanit mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen e Klemend Balilit. Duket se nga partia e Metës ka një strategji të mirëmenduar për të goditur kryeministrin Rama dhe për të prishur koalicionin qeverisës. Deri më tani nuk ka një reagim nga zyrtarë të lartë të PS-së për këto qëndrime të fundit të LSI-së. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim. A do t’i soset durimi Ramës me “vëllain armik”, Ilir Meta? Apo kryeministri s’ka nga ia mban, pasi është peng i LSI-së dhe pa të nuk e mban dot qeverinë në këmbë?
Rama kërkon shpëtim tek Soros, i duket si BE
Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama paraqiti dje një grafik në të cilën konfigurohej besimi tek institucionet shqiptare. Ministria e Brendshme paraqitej në këtë grafik me nivelin më të lartë të besimit tek qytetarët, ndërsa Rama e përdori të dhënën për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të forta të bëra nga zyrtarë të LSI-së për kanabisin.
Ajo çfarë bënte përshtypje ishte fakti se Rama e quante këtë anketë si një punë të bërë nga Komisioni Evropian.
Postimi i Ramës në Facebook
Pas anketimit të bërë disa muaj më parë nga Komisioni Europian, Policia e Shtetit konfirmohet përsëri si institucioni më i besuar i shqiptarëve në Indeksin e Besimit tek Institucionet”, shprehej kryeministri.
Në tentativë për të gjetur raportin e plotë të KE-së, kuptuam se nuk ekzistonte asnjë raport dhe anketim i çertifikuar nga ky institucion që indeksonte besueshmërinë e institucioneve.
Por një media shumë pranë qeverisë na orientoi me raportimin e saj, duke saktësuar se Rama i referohej raportit të Institutit IDRA.
Të dhënat, metodologjia dhe objekti i raportit të IDRA-s ka përkime thuajse identike me grafikun që ekspozoi kryeministri Rama. Edhe ngjyra e grafikëve ishte identike.
Nga çka del qartë se, kryeministri ka quajtur si raport të KE-së një raport që në fakt është i një instituti shqiptar.
Por nëse i referohemi raportit të IDRA-s, atje qartësohet se Instituti IDRA është entitet i mbështetur dhe i financuar tërësisht nga Fondacioni Soros dhe në raportin e IDRA-s, ky fakt thuhet në mënyrë të përsëritur
Linja Soros është e atashuar zyrtarisht pranë qeverisë Rama, si në projekte të reformave ekonomike dhe po ashtu në Reformën e Drejtësisë. Linjë private, korporatë private dhe linjë aleate e Edi Ramës.
Madje nuk është as hera e parë që institute të financuara nga Soros përpiqen të shuajnë problemin e kanabisit.
Një raport i Transparency International Albania (TIA) i publikuar në shtator 2016 shkaktoi skandal, sepse fliste vetëm për operacionet e policisë në Lazarat, ndërsa në momentin kur doli raporti, kishte filluar korrja e kanabisit në çdo cep të vendit.
Siç u zbulua nga Hashtag.al, raporti i TIA-s ishte gjithashtu një raport i financuar dhe mbështetur nga Fondacioni Soros.
Nga krahasimi i të dhënave del qartë se kryeministri ka manipuluar publikisht të dhënat, duke paraqitur një raport të një instituti të financuar nga Soros, si një raport të BE-së.