25.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Rama i përgjigjet Kokës, qen që leh. Përplasje e re në Shijak

Mes PS dhe LSI nuk ka më paqe. Rama i është përgjigjur dje ministrit të LSI, Koka, duke e konsideruar atë një qen që leh, ndërsa veten si koka e karvanit që pavarësisht akuzave që hidhen ndaj tij, ai do të vazhdojë që të udhëheqë qeverinë. Shprehja e njëjtë e Ramës që përsëritet është e huazuar nga ajo e diktatorit Hoxha. Rama i drejtohet kësaj radhe LSI dhe Metës. Reagimi pason deklaratat e ministrit Koka, i cili paralajmëroi se zgjedhjet janë të rrezikuara dhe po ashtu edhe stabiliteti i vendit për shkak të lidhjeve kriminale të ministrit Tahiri.
Rama ka ndërhyrë në debat, duke i dhënë atij një ngjyrim akoma dhe më të fortë politik. Nuk ka lejuar që ministri Koka t’i përgjigjet ministri i tij i Brendshëm, por ka reaguar personalisht në Facebook. Deklarata e Ramës nënkupton klimën e fortë të ndarjes mes PS dhe LSI. Koalicioni mes tyre tashmë duket se ekziston vetëm formalisht. Ajo marrëdhënie që deri dje dukej se kishte një mosbesim të thellë mes palëve tashmë është kthyer në një ndarje të thellë.
Ndryshe nga Rama, i cili nuk e ka përmbajtur veten pas akuzave publike të Kokës, Meta ka qëndruar i tërhequr gjatë ditës së djeshme dhe nuk i ka kthyer përgjigje personale “kokës së karvanit”, që iu përgjigj “qenve që lehnin”.
Po gjatë ditës së djeshme ka ndodhur edhe ndarja e parë publike mes koalicionit qeverisës. Ministri Koka ishte lajmëruar tre ditë më parë zyrtarisht nga kabineti i Kryeministrit se dje duhet të ishte në Shijak, ku do të ndante tapitë e legalizimeve së bashku me ministren Gjermeni dhe drejtorin e ALUIZNI-t, Lame. Megjithëse njerëzit ishin mbledhur në takim, prezent ka qenë vetëm ministri Koka. As ministrja Gjermeni dhe as drejtori i Legalizimeve, Lame nuk kanë pranuar që të jenë në atë takim në krah të ministrit të LSI. Asnjë reagim zyrtar nuk ka pasur për këtë mungesë të dy njerëzve të Ramës. Kjo është edhe përplasja e parë dhe ndarja e parë publike mes PS dhe LSI në publik. Tapitë e legalizimeve nuk janë ndarë, pasi Lamja nuk ka marrë pjesë në takim dhe njerëzit janë habitur se edhe pse ishin ftuar për të marrë tapitë në fund janë larguar duarbosh.

Vasili mbledh strukturat kundër PS

Vazhdojnë deklaratat përçarëse mes PS-së dhe LSI-së. Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka bërë një deklaratë që shigjeton aleatët socialistë.
Duke folur për zgjedhjet në Njësinë Administrative numër nëntë në Tiranë, Vasili theksoi se kjo njësi është shembull i organizimit dhe i rritjes së pandalshme të LSI-së, duke vlerësuar rolin e të gjithë anëtarësisë.
“Një parti, e cila nuk ka të shkuar nuk mund të ketë të ardhme. LSI-ja ka historinë e saj dhe historinë e bëjnë njerëzit. Dhe kur njerëzit janë aty, historia është e gjallë dhe është një histori që zhvillohet. Nuk është mosmbajtja e fjalës dimensioni ynë dhe kjo na dallon. Ua them këtë gjë, sepse populli ka një shprehje të thjeshtë ‘i miri dallon’”, tha Petrit Vasili. Kuptimin e këtij mesazhi e kupton vetëm Kryeministri Rama.

Lufta e ftohtë

Sipas  informacioneve mësohet se, Rama ka urdhëruar që të rihapet dhe të vazhdojë mbushja e dosjes voluminoze për aleatin e tij bashkëqeverisës, të cilën duket se do ta përdorë në kohën e duhur në rast divorci dhe dështimit të një marrëveshje në fillim të muajt prill. Njerëzit kryesor që po merren me përgatitjen e “Dosjes LSI”, janë ministrat socialistë. Mësohet se së pari, ata po investigojnë dhe po mbledhin dëshmi në dikasteret që drejtojnë vetë, për zëvendësministrat, drejtorët qendrorë apo rajonalë dhe çdo të punësuar tjetër të LSI-së. Me shpejtësi janë mbledhur dhe po vazhdon grumbullimi i dëshmive, dokumenteve, dhe çdo të dhëne tjetër që implikon njerëzit e Metës në korrupsion, apo keqmenaxhim të punëve. Të njëjtin urdhër kanë marrë njerëzit e PS-së, edhe në ministritë apo drejtoritë që drejtohen nga njerëz të partisë së Ilir Metës. Pushteti është ndarë në mënyrë të tillë, që në çdo institucion, nëse drejtori është i LSI-së, zëvendësi është i PS-së dhe anasjelltas.
Pra LSI, është krejtësisht e markuar nga njerëzit e Ramës, edhe në ato vende ku duket se çelësat e institucionit i ka ajo. Nuk dihet se deri në çfarë pike është zbatuar ky urdhër i Ramës, por mësohet se dosja që vazhdon dhe përditësohet me shpejtësi është shumë voluminoze dhe për disa raste, me fakte tronditëse. Nga ana tjetër së fundmi në lojë është futur fort edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Porosia e fundit e Petrit Vasilit për deputetët dhe kryetarët e Bashkive të kësaj partie, por edhe për të gjithë drejtorët në institucione të ndryshme që të kenë kujdes se, policia mund të krijojë situatë artificiale për ata, duke u futur edhe drogë në mjetet e tyre që lëvizin, nuk është thjesht një fantazi. Për këtë dosje dhe urdhrin e Ramës, tashmë Meta është vënë në dijeni dhe po bën lëvizjet e tij, herë mbrojtëse e herë kundërsulmuese siç ka bërë ditët e fundit me dy ministrat e tij, Ylli Manjani dhe Lefter Koka.

Dako nuk e merr seriozisht Kokën

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka reaguar pas deklaratave të forta që bëri dje ministri i Mjedisit, Lefter Koka.
Në një prononcim për “Top-Channel”, Dako preferoi që të shmangte këtë diskutim.
“S’kam asgjë për të thënë. Nuk i marr seriozisht ato që thotë Koka”, është shprehur Dako.
Ministri i LSI-së, Lefter Koka tha dje në televizionin “Ora News” se, Grida Duma duhet të kishte fituar zgjedhjet në Durrës dhe jo Vangjush Dako. Koka bëri kritika edhe për koalicionin PS-LSI.

Arben SHAHINI

Rama emëron Qibinin e drogës e vrasjeve Drejtor Kufiri në Vlorë

Armand MAHO

Vrasja  e Elton Çiços, një njeri me lidhje të forta të narkotrafikut në zonën e Tepelenës, në majin e vitit të shkuar nxorri në pah dhe lidhjet që kishte ai me drejtuesit e lartë të policisë. Atë natë, ai ishte në shoqërinë e Alban Trimit dhe dy personave të tjerë. Alban Trimi menjëherë pas vrasjes u kujdes të fshihte pistoletën e viktimës që mbante në çantë, por edhe celularin e tij. Pistoleta më pas rezultoi se ishte e Besmir Qibinit, nëndrejtorit të Doganave, i cili nga dita e djeshme është drejtor i Kufirit në Policinë e  Vlorës, qyteti ku aktiviteti i narkotrafikut drejt Italisë është më i madhi. Burime nga financat, shprehen se Ahmetaj ka një përplasje konjukturale me Tahirin për zona influence dhe prej muajsh i kërkonte Ramës shkarkimin e Qibinit. Nga ana tjetër, me afrimin e zgjedhjeve kërkon të forcojë pozitat e tij për t’i lënë hapësira më shumë kontrabandistëve në zonën e Gjirokastrës, ku ai është deputet. Por duke pasur në krye të antikondrabandës njeriun e rivalit të tij brenda qeverisë, kjo ishte e pamundur. Por Rama në asnjë rast nuk mund të prekte linjën e trafikut, e cila i siguron të ardhurat kryesore për enturazhin e tij pa u siguruar se Qibini do të kalonte në një vend tjetër, ku të ishte më i dobishëm. Dhe zgjidhja u gjet, emëroi drejtor të trafikut (kufirit) në Vlorë. Pa u tharë mirë ende boja e shkarkimit, Qibini merr urdhrin e emërimit….

Lidhjet

Besmir Qibini njihet për lidhjet e tij të ngushta me Saimir Tahirin, madje është nga njerëzit e tij të besuar në Ministrinë e Brendshme. Në mbrëmjen e një majit, data kur ndodhi vrasja e Elton Çiços, ai nuk ishte prezent, por kamerat e lokalit të vëzhguara në një periudhë një mujore nga Prokuroria kanë fiksuar në tavolinë në shoqërinë e Çiços, dhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Ermal Muça i cili, u mor personalisht me këtë çështje. Madje mes tij dhe Alban Trimit ish-shefi i Antidrogës ka pasur dhe një debat atë natë. Në mbrëmjen e të nesërmes Ermal Muça do dilte në TV ku do të shprehej se nuk ish gjetur asnjë armë në vendngjarje, ndërsa vetë Qibini u mundua të errësonte sa më shumë ngjarjen. Urdhri i dhënë nga Saimir Tahiri ishte i qartë që Qibini duhej të shpëtohej me çdo kusht. Natyrisht s’kish se si të ndodhte ndryshe. Jo më kot, Tahiri e hoqi nga Drejtoria e Policisë Rrugore dhe e dërgoi menjëherë në Dogana, ku në postin e nëndrejtorit ai mbulonte Antikontrabandën. Vrasja e Çiços dhe nderi që do i bënte Tahiri ishin një garanci më shumë se Qibini do i bindej urdhërave të Tahirit. Në sektorin e Antikontrabandës, ai u kujdes që të përzgjidhte njerëzit që i duheshin me qëllim që të shmangej ndonjë “gabim aksidental”, për dërgesat që shefi çonte drejt Italisë…

Përse Vlora

Por që prej asaj kohe gjërat kanë ndryshuar shumë dhe doganat italiane janë bërë më vigjilente… Në rrjetën e policisë dhe Guardia di Finanza italiane kanë rënë shumë nga ngarkesat, për të cilat Tahiri me anë të Qibinit kishin dhënë viston për të kaluar nga portet kryesore të vendit. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me ngarkesat që kalojnë nëpërmjet kufirit. Dërgimi i ngarkesave me skaf, duket se është dhe mënyra që punët të mbarohen dhe më shpejt. Në Vlorë veprojnë dhe kushërinjtë e ministrit, me mbiemër Habilaj të akuzuar shpesh për prodhimin dhe trafikimin e hashashit në këtë qytet. Drejtoria e Kufirit Vlorë është ajo që mbulon dhe ujërat e brigjeve të jugut nga Dhërmiu deri në Sarandë, ku Klement Balili, i cilësuar si eskobar i Ballkanit kryente aktivitetin e tij prej kohësh i pashqetësuar. Nga statistikat ndërkombëtare të shërbimeve inteligjente, bëhet e ditur se nga lufta e policisë arrijnë të sekuestrohet vetëm 2% e sasisë së drogës që kultivohet. Deri më tani janë sekuestruar diku tek 180 tonë. Pra me mijëra ton të tjerë kanë kaluar nga Shqipëria drejt Evropës, duke e kthyer vendin tonë në Kolumbinë e kontinentit të vjetër. Dhe porta kryesore furnizuese mbetet Vlora, ku Qibini do të jetë ai që do të drejtojë operacionet.

Qibini jo vetëm i besuar por dhe lehtësisht i shantazhueshëm

Po pse Qibini dhe jo dikush tjetër? Natyrisht që Tahiri dhe Rama mund të gjenin dhe dikë tjetër për të mbaruar punët e tyre në brigjet e Vlorës. Por lufta që ka plasur mes aleatëve të qeverisjes duket se e ka shqetësuar jo pak Ramën. Ai i druhet tashmë çdo lloj manovre të Ilir Metës, që do e nxirrte zbuluar ministrin e tij, por së bashku me të dhe kreun e qeverisë. Sepse Tahiri s’mund të veprojë pa mbështetjen e Ramës. Në të trafikut i duhet një njeri jo vetëm i besuar, por dhe lehtësisht i shantazhueshëm. Dhe dalja e emrit të tij në vrasjen e Çiços është shantazhi më i mirë që mund t’i bëhet ish-nëndrejtorit të Doganave. Mbulimi i çështjes, lirimi i Alban Trimit nga burgu janë një litar që Tahiri ja mban varur në karrierën e tij. Në këtë kohë, kur shigjetat janë drejtuar të gjitha drejt drogës, çdo gjë mund të ndodhë. Prandaj Qibini i duhet atje, jo vetëm si i besuar i tij, por dhe si garanci që trafiku i drogës drejt Italisë do të vazhdojë më me intensitet se më parë.

Qibini krahu i djathtë i Shullazit nën urdhrat e Tahirit

Besmir Qibini konsiderohet si krahu i djathtë i kryekriminelit Shullazi. Lidhjet mes tyre janë bërë publike në shumë deklarata zyrtare të PD. Ai u katapultua në polici dhe më pas edhe në Doganën e Durrësit për t’i shërbyer me besnikëri trafiqeve që kontrolloheshin nga Shullazi dhe Tahiri.
Pikërisht Besmir Qibini, i larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës. Prej kohësh ky person dhe përmes tij krimi, kanë në dorë jo vetëm kontrabandën, por edhe antikontrabandën dhe hetimin doganor.
Shkurt, krimi ka çdo lehtësi për aktivitetet e veta të paligjshme, për trafikun e drogës dhe të armëve.
Duke caktuar si zv/drejtor të Përgjithshëm të Doganave, këtë lidhje të fortë të çiftit Tahiri-¬Shullazi dhe bandës që kontrollonte Tiranën dhe Durrësin, krimi siguroi përfundimisht traun e doganës për aktivitetet e veta.
Nuk ishte rastësi që para disa muajsh u raportua se Emiliano Shullazi u fut nga PKK Durrës me një mjet të blinduar, i cili as nuk u ndalua dhe as nuk u kontrollua në doganë.
Ky inkriminim i strukturave shtetërore nga Edi Rama ka sjellë fuziqimin e bandave dhe trafikantëve dhe dobësimin e shtetit. Qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre për të larguar sundimin e krimit dhe për t’ia kthyer doganat dhe policinë interesit publik, interesave të vendit.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit kërkoi arrestimin e Balilit

Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duhet dhënë përgjigjja: Pse nuk është arrestuar Klement Balili? Presidenti ka pranuar të thërrasë forumin e rëndësishëm, ndërkohë që mësohet se kërkesa mbi përgjegjësitë e mosarrestimit ka ardhur nga partnerët amerikanë. Edi Rama dhe ministrat e tij janë shfaqur të xhindosur me kërkesën, por tashmë propaganda s’e mbron dot mburojën personale që Eskobari i Ballkanit ka gëzuar në zyrën e kryeministrit e atë të ministrit të Brendshëm.
Qeveria Rama e ka kthyer vendin në një varrezë narkotikësh. Kjo organizatë kriminale ka pothuajse një mandat që qeveris me bandat, ndërsa duke u dhënë liri veprimi, ka rrezikuar ndjeshëm qytetarët dhe të ardhmen e vendit. I tillë është edhe i shumëkërkuari, Klement Balili, i cilësuar nga vendet fqinje dhe shërbimet e partnerëve ndërkombëtare si një ndër kokat e një organizate kriminale të narkotrafikut. Prej muajsh Balili rezulton në kërkim, ndërsa policia e Tahirit nuk jep asnjë shpjegim lidhur me këtë çështje, edhe pse flitet për kapobanditin e Ballkanit.
Në kushtet e një memecërie totale nga ana e Rama-Tahirit, dy ditë më parë ishte kreu i Kuvendit, Ilir Meta që përmes një letre drejtuar Presidentit, kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ditën e djeshme, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka konfirmuar thirrjen e Këshillit. Konfirmimi i Presidentit për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë tregon së pari, rrezikshmërinë e lartë shoqërore që paraqet Klement Balili dhe së dyti, shqetësimin e partnerëve tanë të SHBA dhe të tjerë ndërkombëtarë.
Kjo shpjegon njëkohësisht edhe arsyen se pse kryeparlamentari Meta kërkoi urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për rastin e Klement Balilit. Përsenë e kërkesës fillimisht e shpjegoi edhe kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili. Ai konfirmoi përpara mediave se gjatë takimit me ndihmës Sekretarin e Shtetit, që mbulon luftën ndaj drogës dhe krimit të organizuar, ambasadorin William Brownfield, u kërkua llogari për mosndalimin e Klement Balilit. “Ambasadori Brownfield qartësisht i kërkoi z. Meta që të nxiste autoritetet shqiptare që të bënin gjithçka për këtë çështje”, tha Vasili.
Në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duhet dhënë përgjigjja: Pse nuk është arrestuar Klement Balili? Pas pranimit të letrës së Metës nga Presidenti, Edi Rama dhe ministrat e tij janë shfaqur të xhindosur. Nga Berati, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i trembur ka premtuar se do ta kapin shpejt Balilin. “Këto ditë po çuditet publiku me thirrjen e Presidentit të Republikës Këshillit të Sigurisë për Balilin. E në fakt çuditet publiku sepse Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as për Lazaratin. Do ta kapim shpejt”. Kjo xhindosje e dyshes kriminale, në fakt tregon se janë pikërisht këta që i kanë siguruar mbrojtje dhe paprekshmëri Eskobarit të Ballkanit.
Ndonëse për Balilin ka një urdhër arresti, Edvin Rama i jep mbrojtje, madje sipas informacioneve e ruan edhe me shefat e tij të policisë. Edhe Agjencia amerikane e Antidrogës DEA, policia greke kanë kërkuar prej kohësh arrestimin e Balilit. Rama nuk e dorëzon dot, pasi është peng i krimit dhe trafikut të drogës. I shumëkërkuari, Klement Balili njihet për lidhjet e tij të forta politike dhe ka qenë sponsorizues i fushatës elektorale të PS në vitin 2013.
Si lidhje të tij të drejtpërdrejta rezultojnë kushërinjtë e ministrit të Brendshëm, vëllezërit Habilaj, me të cilët ka bashkëpunuar për trafikim të lëndëve narkotike në vitet 2014-2016. Nëpërmjet vëllezërve Habilaj, Klement Balili ka vendosur kontakt të drejtpërdrejt me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Kjo situatë kriminale tregon se sot kryefjalë është regjimi narkotrafikant, i cili ka bërë të mundur kthimin e Shqipërisë në pikën kryesore të furnizimit të vendeve të tjera me drogë. Krerët e qeverisë janë të lidhur me trafikun e drogës, ndërsa mbrojtja që i sigurojnë trafikantëve si Balili, e kthen vendin në çerdhen e krimit dhe drogës.

Enton DACI

Ku po pastrohen paratë e drogës?

Nga Ola XAMA

Ndërtimi është sektori më informal në ekonominë shqiptare. Si i tillë, së fundmi po thith edhe paratë e drogës. Askush sot nuk është në gjendje që të dallojë se cila është vlera reale e një toke përtej çmimit fiskal të saj apo komponentëve të tjerë që kanë materialet, pajisjet dhe pagesat për punëtorët e pronarët e vendit ku ndërtohet. Gjithë ky konfuzion ka bërë që ndërtimi të jetë makineria që lan 90% të parave që vijnë nga kanabisi. Hetimet e nisura nga organet kompetente për pastrimin e parave që vijnë nga droga, përqendrohen pikërisht te kjo pistë, edhe pse ka vështirësi të mëdha në ngritjen e një akuze të bazuar. Përse ndodh kështu? Është shumë e thjeshtë, janë vetë strukturat e shtetit, të cilat pengojnë hetimin në këtë fushë.
Nëse takon persona kyçë që sot hetojnë në fushën e krimit ekonomik, ata do të të thonë se hallkat se si pastrohen paratë e drogës janë shumë të forta për t’u vërtetuar. Por këto, nënvizojnë ata, nuk mund të bëhen asnjëherë nëse nuk ka bashkëpunëtorë të të gjitha organeve shtetërore përgjegjëse dhe disa kompanive private.

Fushat

Një pjesë e mirë e të ardhurave që vijnë nga droga shkojnë në tri drejtime për t’u legalizuar si para: ndërtim, hotele dhe resorte, investime të reja në spitale private. Sot nuk ka asnjë sqarim publik se çfarë kanë nxjerrë hetimet në këto fusha, por drejtues në polici dhe Prokurori, e njohin shumë mirë skemën se si hidhet në ekonominë tonë paraja e kanabisit, e cila në këto dy vitet e fundit nuk ka qenë e paktë.
Fillimisht, që të arrish të sigurosh të ardhura nga kanabisi, nevojiten tri elemente kryesore: toka, punëtorët dhe paratë për të bërë gati prodhimin e tij, siç njihet në terminologjinë e sotme: kashta. E gjithë kjo bëhet përmes një biznesi të mirëfilltë privat, edhe pse nuk është i lejuar. Pronari i tokës në shumë raste, ose ka vetë paratë për të financuar mbjelljen me lëndë narkotike, ose në bashkëpunim me dikë tjetër, mbledh shumën e nevojshme për të bërë mbjelljen e bimës. Paratë duhen për blerjen e farës, ujitjen e fidanit, ruajtjen e saj nga policia dhe deri te ardhja e punëtorëve më të mëdhenj në forcë, të cilët do të bëjnë korrjen, tharjen dhe paketimin.
Pas shitjes së “të mirave” që realizoi nga parcela e drogës, të dy personat, si pronari i tokës, ashtu edhe financuesi, tashmë kanë në dorë një shumë të konsiderueshme, të cilën nuk dinë ku ta çojnë. Përveç qëllimit të paracaktuar ekonomik që të ardhurat duhen shtuar, një nga problemet më të mëdha që kanë ata, është dyshimi nga organet e drejtësisë se kanë gjeneruar fitime nga shitja e lëndëve narkotike. Në bankë nuk mund të shkojnë për të hapur një depozitë, pasi duhet të deklarohet burimi i të ardhurave. Por edhe nëse fillojnë një biznes, po ashtu, duhet të sqarojnë origjinën e parave që po investojnë. Për vetë specifikën që ka, ndërtimi është bërë sot qendra magnetike e parave të drogës. Çmimi fiskal i vlerës së tokës (jo ai i apartamenteve për metër katror) është shumë i ndryshëm nga ai reali. Drejtues të strukturave shtetërore të krimit ekonomik në Policinë e Shtetit të tregojnë edhe shembuj konkretë në kryeqytet se si disa qindra metra truall është shitur në të vërtetë për 2 milionë euro, kur pronari i tokës e ka deklaruar 200 mijë euro. Kjo është hallka e parë se si pastrohen paratë e drogës. Nëse një tokë kushton shumë herë më shumë se harta e miratuar e çmimeve nga qeveria, e nga ana tjetër ke edhe pronarë të interesuar për të mos deklaruar vlerën reale të fitimit që marrin, për shkak të tatimit prej 15%, një pjesë e parave tashmë u fut në rrugën e deklarimit. Vetë pronari që shiti truallin nuk ka problem për paratë se si do t’i deklarojë, por ai nuk është as subjekt i dyshuar për vepra dhe krime në fushën e sigurimit të parave nga burime të jashtëligjshme.
Që të ndërtosh – duhet që të dish të ndërtosh. Informacione të mbledhura nga disa departamente që merren me hetimin e krimit ekonomik, Prokuroria, policia dhe Parandalimi i Pastrimit të Parave të Pista, tregojnë se pjesa më e madhe e pastrimit të këtyre parave bëhet edhe me bashkëpunimin e një ndërtuesi. Shumë ndërtues në Shqipëri, janë bërë edhe investues të parcelave me kanabis për shkak të normës së lartë të fitimit. Ata kanë edhe një përvojë që e kanë fituar në vite. Dinë shumë mirë se si të nxjerrin një leje ndërtimi, si të deklarojnë shpenzimet në bilance e të gjejnë po ashtu edhe gjuhën e përbashkët me tatimorët. Goditja nga kriza financiare e 2009-s bëri që disa nga ndërtuesit të bashkëpunonin me investitorë të dyshimtë, edhe duke e parë këtë si mënyrë “shpëtimi” nga kreditë me norma të larta interesi të bankave dhe vonesave të pagesës së kësteve për shkak të “ngrirjes” së shitjeve. Personat që kanë siguruar para me aktivitet të jashtëligjshëm, në pjesën më të madhe të rasteve vihen në kontakte me ndërtues, pasi nuk mund të marrin dot lejen e ndërtimit. Këtu hyn hallka tjetër: bashkia. Në shumë raste drejtoritë e miratimit të lejeve dhe inspektoratet e bashkisë mund të gjejnë të dhëna të shumta për afera që bëhen në këto ndërtesa të reja, por në vend që të denoncojnë, lejet dalin. Për të justifikuar vlerën e investimit, një pjesë e ndërtuesve të kësaj kategorie drejtohen edhe në bankë për të marrë një kredi, që do të justifikonte burimin e të ardhurave për ngritjen e godinës.
Pas pushtetit vendor, janë tatimorët ata, të cilët duhet të denoncojnë rastet. Larja e pjesës së dytë të parave pas blerjes së tokës, bëhet pikërisht me materialet të ndërtimit dhe mjeteve që i duhen ndërtimit të një pallati. Inspektorët tatimorë, të cilët mbulojnë këtë sektor, e njohin mirë sasinë që duhet shpenzuar për të ndërtuar një pallat, por në shumë raste nuk denoncojnë. Këtu, te kjo hallkë, thonë informacionet nga Krimi Ekonomik, lahen 3-4 milionë euro të tjera.
Burimet e këtyre strukturave nuk e pranojnë se pastrimi i parave bëhet në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit apo inspektorët e Krimit Ekonomik. Ata arsyetojnë se kjo strukturë për Tiranën ka 6 inspektorë dhe një fushë me 59 lloje të veprave penale. Çdo vit, ata marrin 700-800 referime për shkelje që duhen hetuar në fushën e krimit ekonomik, por ka raste që kanë dyshime dhe marrin edhe hetime kryesisht. Megjithatë, pavarësisht argumentimit të policisë, një pjesë tjetër e zinxhirit që duhet të funksionojë për të parandaluar pastrimin e parave të pista, është edhe ajo e strukturave shtetërore të krimit ekonomik: Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave të Pista, strukturat e krimit ekonomik në polici dhe ato në Prokurorinë e Krimeve të Rënda (të cilat hetojnë këto vepra për shkak se konsiderohen krim i organizuar). Kjo është një tjetër shkallë që duhet të ngjitë ndërtuesi që kërkon të lajë paratë. Pasi përfundojnë të gjitha këto, pallati është gati dhe apartamentet janë nxjerrë në shtije.
Ironia më e madhe është se në këtë periudhë, të interesuarit potencialë për të blerë shtëpi të re janë një pjesë e atyre që kanë bërë para përmes korrupsionit, e një pjesë tjetër që kanë punuar në fushat e kanabisit, kategoria e tretë janë blerës rastësorë. Në momentin që ata shesin shtëpitë, të ardhurat i depozitojnë në bankë, të cilat janë gjeneruar nga aktiviteti i ndërtimit. Për disa ekonomistë, kjo është një nga arsyet kryesore se përse çmimi i banesave nuk ulet. Ndërtuesit e këtij lloji nuk kanë kredi në bankë me këste të papërballueshme, e cila do t’i shtrëngonte ata të sakrifikonin duke ulur normën e fitimit për veten. Koha për ta nuk vlen: le të shiten kur të shiten!

Masiviteti i kultivimit të kanabisit

Prokuroria e ka të vështirë sot hetimin për financimin e parave të drogës. Ajo nuk ka një strukturë të specializuar për krimin ekonomik dhe çdo hetim nis në bazë të denoncimeve nga tri burime: Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, Njësia e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit dhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Në rastet e hetimeve të parcelave të gjetura me kanabis, burime të Prokurorisë thonë se shumica e rasteve të konstatuara ku është mbajtur edhe procesverbal për situatën, janë të braktisura dhe nuk dihet pronari. Në këtë mënyrë, ata kanë mungesë informacioni dhe vetëm në situata të rralla, mund të zbulohet zinxhiri dhe drejtimi i parave të gjeneruara nga ky aktivitet. Shumica e krimeve që ndodhin në fushën e kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike bëhen në rrethe apo periferi, ku dhe strukturat e policisë nuk kanë forcat e duhura për të ndjekur të gjithë rrjetin e organizatës kriminale. Prokurorë që punojnë në rrethe, shprehen se për shkak të forcave të pakta dhe numrit të ulët të oficerëve të Policisë Gjyqësore, krimet në këtë fushë mbeten vetëm me akt-konstatime dhe procedime të thjeshta. Të pakta janë rastet kur përfshihen strukturat qendrore, të cilat vijnë në mbështetje të aksioneve kundër kanabisit.
Në bazë të të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, për periudhën janar–shtator të këtij viti, janë konstatuar 2632 vepra penale në fushën e drogës, ku 952 janë për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike, ndërsa 1590 për kultivim të bimëve narkotike. Policia ka shpallur 1717 persona si autorë të dyshuar të këtyre veprave, ku 1117 janë të arrestuar. Por pavarësisht numrit të madh të të ndaluarve, kjo nuk e ka ngadalësuar ritmin e prodhimit në Shqipëri. Të dhënat nga Shërbimi Informativ Shtetëror konfirmojnë se, muajt shtator dhe tetor kanë pasur kulmin e prodhimit dhe trafikimit të këtyre lëndëve, ndërsa vetë autoritetet italiane kanë shfaqur disa herë shqetësimin për futjen e drogës në territorin e tyre nga Shqipëria. Gjatë 9 muajve të vitit, policia ka arritur të asgjësojë rreth 2.5 milionë rrënjë kanabis, sasia e të cilave ka ardhur në rritje që prej prillit e deri në shtator. Rritja progresive e rrënjëve të korrura nga policia, tregon edhe pikun e sezonit të kësaj lënde që janë muajt gusht dhe shtator, në bazë të shifrave zyrtare të publikuara deri tani. Në total, gjatë këtij viti, lënda e sekuestruar e kanabisit, e cila është kapur në transport apo në momentin që ka qenë e paketuar, shkon në 9.18 tonë.

Ndërtimi si sektori më i preferuar për paratë e krimit

Pastrimin e parave të pista në sektorin e ndërtimit e konfirmojnë edhe të dhënat që vijnë nga Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave të Pista. Gjatë vitit 2015, vepra penale që ka pasur rastet më të larta për të pastruar paratë është ajo e trafikimit të lëndëve narkotike, e dyta është fshehja e të ardhurave dhe evazionit fiskal (për shkak edhe të luftës kundër informalitetit), më pas vijnë trafikimi i qenieve njerëzore dhe korrupsioni.
Dy subjektet më të penalizuara për këto vepra janë noterët dhe shoqëritë e ndërtimit. Gjobat për fshehjen e burimit të të ardhurave nga këto kompani arritën në vlerën e 147 mijë dollarëve, në një kohë që numri i firmave të ndërtimit që gjobiteshin ishte më i larti për çdo sektor. Përjashtim nuk bëjnë as zyrat e këmbimit valutor, ku nisi hetim për 8 prej tyre gjatë vitit të shkuar.

“Monitor”

Matis: Serbia do njohë pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të shtunën se është i bindur që administrata e re amerikane do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, posaçërisht për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Ai i bëri këto komente pas publikimit të një dokumenti, në të cilin Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, citohet të ketë thënë se prania e forcave të NATO-s mbetet thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon. Gjatë seancës së konfirmimit të tij në senatin amerikan më 12 janar, ai citohet të ketë thënë se para çdo vendimi për shkurtimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë, Forca e Sigurisë duhet të marrë mandatin për sigurinë dhe mbrojtjen territoriale.
“Përshëndes qëndrimin e Sekretarit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës zotit Mattis për Kosovën, për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe qëndrimet në rajon. E kam theksuar edhe më herët, se edhe nga kontaktet me administratën e re të SHBA-ve dhe Presidentit Trump, Kosova do të vazhdojë të mbetet në fokus të thellë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një politikë të kujdesshme për konsolidimin dhe afirmimin e shtetit tonë, për thellimin e raporteve të posaçme dhe të përjetshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve prandaj këtë qëndrim e përshëndes fuqishëm dhe zotohemi në kryerjen e obligimeve tona kushtetuese, ligjore sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare”, tha Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Sekretari Mattis ka theksuar se, Kosova është një shembull se çfarë ndodh kur komuniteti ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, përkushtohet angazhohet për mbrojtjen e vlerave dhe interesave të tij.
Ai i ka vlerësuar si thelbësore përpjekjet e Bashkimit Evropian për zhvillimin ekonomik dhe politik në Kosovë si dhe për qëndrueshmërinë e saj. Bashkimi Evropian ka theksuar ai, tashmë luan një rol të rëndësishëm në Kosovë, duke ndërmjetësuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet dialogut Beograd-Prishtinë. Bisedimet lejojnë të dyja shtetet të përparojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me mirëkuptimin se njohja e sovranitetit të Kosovës nga Serbia do të përmbyllet para anëtarësimit.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Kosovën me praninë ushtarake dhe civile. Rreth 650 trupa amerikane vazhdojnë të shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s, ndërsa Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka një bazë ushtarake amerikane.
Roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të saj të Kosovës. Udhëheqës të institucioneve dhe partive politike shfaqin shpresën për vazhdimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për proceset e ardhshme politike në Kosovë përfshirë edhe ato të integrimeve euroatlantike.

Trump firmos për ringritjen e ushtrisë, avionë e anije të reja

Presidenti Donald Trump ka nënshkruar dy urdhra ekzekutivë për forcimin e sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Njëri prej urdhërave ndalon refugjatët sirianë të hyjnë në SHBA për një periudhë të pacaktuar kohore dhe ngarkon Departamentin e Sigurisë për krijimin dhe përditësimin e një liste me vende problematike.
Presidenti Trump mori pjesë dje në Pentagon në ceremoninë e betimit të Sekretarit të Mbrojtjes, James Mattis, të cilin e quajti një “njeri të veprimit”.
Duke përshkruar admirimin e tij për njerëzit në uniformë, Presidenti amerikan njoftoi nënshkrimin e dy urdhërave të rinj ekzekutivë që ai tha se do të forcojnë forcat e armatosura të SHBA-së.
“Po nënshkruaj pikë së pari, një urdhër ekzekutiv për fillimin e një rindërtimi të forcave të armatosura, për avionë të rinj, anije të reja, dhe burime mbështetëse për burrat dhe gratë tona me uniformë. Jam shumë krenar për këtë veprim”.
Urdhëri i dytë do të ketë efekte mbi disa vende problematike.
“Së dyti, po vendos masa të reja kontrolli për t’i mbajtur jashtë SHBA-së terroristët radikalë islamikë. Nuk i duam këtu. Duhet të sigurohemi se nuk do të pranojmë në vend rreziqet që ushtarakët tonë luftojnë përtej oqeanit”, tha Presidenti Trump.
Si bazë për këtë vendim, urdhëri citon sulmet e 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington, të cilat u kryen nga 19 të huaj që patën marrë pa vështirësi viza hyrjeje për në SHBA.
Urdhëri nuk përcakton se cilat janë vendet problematike, por autorizon megjithatë Departamentin e Sigurisë të mbajë në vëmendje vendet që nuk ofrojnë informacion të mjaftueshëm për shtetasit e tyre.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë patën sinjalizuar fillimisht se ndër këto vende do të ishin Irani, Iraku, Siria, Sudani, Libia, Jemeni dhe Somalia, dhe urdhëri përcakton se listës mund t’i shtohen vende të tjera në çdo kohë.
Dy agjensi të OKB-së për refugjatët, UNHCR-ja dhe IOM, deklaruan se shpresojnë që SHBA-ja do të vazhdojë traditën e saj të gjatë dhe rolin udhëheqës në mbrojtje të njerëzve që i largohen konfliktit dhe persekutimit.
“Urdhëri ekzekutiv pezullon gjërat për 4 muaj. Ndërkohë, shpresojmë të bashkëpunojmë me administratën amerikane për t’u siguruar se, ndërsa merren të gjitha masat e duhura të sigurisë, të mundësohet edhe zhvendosja për njerëzit që kanë vërtet nevojë”, tha Leonard Doyle, zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit, kjo është një mundësi për vende të tjera që të tregohen po aq bujare në mikpritjen e refugjatëve, sa ç’është treguar SHBA-ja. Zoti Doyle thotë se përveç Gjermanisë, vende të tjera të BE-së nuk po pranojnë aktualisht zhvendosje të refugjatëve.

Telefonata, Thaçi-Vuçiç: U pajtuam për dialog

Të shtunën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka biseduar me telefon me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në një postim në rrjetet sociale ai tha se, “u pajtuam që të punojmë bashkërisht që nëpërmjet dialogut t’i zgjidhim të gjitha çështjet me interes reciprok e që ndërlidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Biseda pason takimin e nivelit të lartë të 24 janarit në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në një përpjekje të Bashkimit Evropian për të ulur tensionet ndërmjet të dyja vendeve.
Më 14 janar, Kosova ndaloi hyrjen në territorin e saj të një treni të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, me mbishkrimin “Kosova është Serbi” dhe me ikonografi kishtare mesjetare.
Zhvillimet rreth trenit nxitën luftë fjalësh të ashpra ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe shqetësimet e diplomatëve për rritjen e tensioneve ndërmjet të dyja vendeve. Treni ishte kundërshtuar nga Kosova, e cila atë e cilësoi si një provokim të sovranitetit të saj, ndërsa Beogradi akuzoi Kosovën për dërgimin e njësive të posaçme të policisë në Veriun e banuar me shumicë serbe dhe siç u tha nxitjen e konfliktit.
Treni pasoi tensionet edhe ashtu të larta, pas ndalimit në Francë të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe.
Të dyja palët e cilësuan takimin e 24 janarit shumë të vështirë, ndërsa janë pajtuar për vazhdimin e një serie takimesh në nivelin e lartë politik. Jo zyrtarisht java e ardhshme mund të jetë periudhë e një takimi të ri të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur nëntë vjet më parë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Ajo hapi negociatat për anëtarësim pas marrëveshjeve me Kosovën e cila nënshkroi ndërkaq Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

Kryebashkiaku i Berlinit i kujton Trumpit, Reganin

Kryetari i qytetit të Berlinit, Michael Mueller, i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të mos ndërtojë mur përgjatë kufirit me Meksikën, dhe në këtë kuadër ia ka përkujtuar ish-presidentin republikan, Ronald Reagan, i cili kishte ftuar për shkatërrim të mureve të ndërtuara gjatë Luftës së Ftohtë.
“Ta keni parasysh paraardhësin tuaj Ronald Reagan. Duhet t’i mbani mend fjalët e tij: “rrënojeni këtë mur”. Prandaj ju them: zoti president mos e ndërtoni këtë mur”, tha mbrëmë Michael Mueller.
Berlini ishte i ndarë nga muri famëkeq nga viti 1961 e deri në vitin 1989, që ishte ndërtuar nga diktatura komuniste në ish-Gjermaninë Lindore, për t’i penguar shtetasit e vet që të kalojnë në pjesën Perëndimore të Berlinit.
Ky ishte një symbol i shtypjes, të cilin Reagan synonte ta ndalte.
“Ne qytetarët e Berlinit e dime më së miri sa sa vuajtje dhe ndarje të kontinentit, i çimentuar nga telat me gjemba dhe betoni, ka shkaktuar muri”, tha Mueller.
Tash, kur Berlini është bërë simbol i Evropës së lirë, e jo i asaj të ndarë, “ne thjeshtë nuk duhet të pranojmë që e gjithë kjo përvojë historike e jona, të eliminohet nga amerikanët, atyre që në masë të madhe ua kemi borxh lirinë tonë”, tha Mueller.

Gjeopolitika e Shteteve të Bashkuara të Donald Trump

Qysh nga pasLufta e Dytë Botërore, megjithëse në alternimin e administratave republikane dhe demokrate, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol qendror në krijimin e strukturave mbajtëse të jetës politike ndërkombëtare. Zgjedhjet e muajve të ardhshëm do të jenë fidanishte implikimesh vendimtare për kapituj të shumtë në qendër të axhendës globale. Për pasojë, preokupimi mbizotërues është se, me ardhjen e “The Donald”, të marrë formë një lloj revolucioni në raportin e Shteteve të Bashkuara me pjesën tjetër të botës dhe për pasojë, të ndryshojë rrënjësisht qasja strategjike e superfuqisë. Dyshimet kryesore, të ngritura gjatë fushatës elektorale, kanë të bëjnë sidomos me vijueshmërinë e impenjimeve lidhur me çështje mjaft të ndjeshme, si marrëveshja bërthamore me Iranin (JCPOA), Marrëveshja e Parisit lidhur me Kufizimin e Emetimeve të Dioksidit të Karbonit, NATO dhe NAFTA. Si për të konfirmuar frikërat është shtuar firma për daljen nga marrëveshja tregtare TTP. Por a është vërtet kështu? Për momentin, çdo parashikim lë kohën që gjen dhe merr lehtësisht anën me mohime të pandalshme. Të gjithë vëzhguesit më të kualifikuar, përfshi think-tank e specializuara, ndajnë të njëjtën paqartësi.
Megjithatë, asnjëherë si në rastin e Trump, maturia është e detyrueshme. Si për faktin se të gjithë presidentët e rinj, jo sapo kanë vënë këmbën në Sallën Ovale, janë dalluar prej një hendeku, nganjëherë të madh, midis asaj që është premtuar në fushatën elektorale dhe politikave efektive të tyre, ashtu edhe pse respektivisht paraardhësve të tij, fituesi i 2016 ka prodhuar një program më të “lehtë” për politikën e jashtme, duke preferuar që ta orientojë fushatën nga “fronti” i brendshëm. Kështu, idetë e tij në themel janë më të vështira për t’u deshifruar, duke parë që deri më tani ka dhënë deklarata orientuese më shumë sesa propozime politike të mirëpërcaktuara. Veç kësaj, edhe sikur Trump të konfirmonte vërtet një qasje “revolucionare” ndaj politikës së jashtme amerikane, duhet kujtuar paraprakisht një e dhënë me të cilën do të duhet të krahasohet. Një president i vetëm nuk është në gjendje të gjenerojë ndryshime politike epokale. Sidomos në qoftë se gjendet në drejtimin e një superfuqie dhe nëse kjo e fundit është demokracia më e madhe e botës, ku mbizotëron sistemi më efikas i checks and balances të pushtetit politik. Akoma më e vështirë duket një ndërmarrje e tillë për faktin që jo vetëm partia e tij kontrollon Kongresin, por edhe pse disa ministra të caktuar prej tij – si sekretari i Mbrojtjes, James Mattis (tashmë i konfirmuar në Senat) – kanë pozicione të ndryshme apo shumë më të sfumuara respektivisht të tijave lidhur me disa kapituj kryesorë të politikës ndërkombëtare (NATO, Rusi, Iran, konflikt izraeliano–palestinez).

Korrentet e brendshme në administratën Trump
Për momentin rezulton që prizmi i vetëm i leximit për politikën e ardhshme të jashtme amerikane mund të nxirret vetëm nga një analizë e vëmendshme e emërimeve të Trump në sektorët kyç të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare (duke mbajtur parasysh se poste të shumta kyçe, të nivelit menjëherë më të ulët me atë të qeverisë, janë ende në pritje të emërimit). Një numër komentatorësh është çimentuar tashmë në këtë ushtri. Veçanërisht bindëse është sidomos analiza e Brookings Institutions. Sipas saj, për të mësuar diçka më shumë mbi politikën e ardhshme të jashtme amerikane është e nevojshme të mbahen parasysh 3 “korrentet” e mendimit në lëmin e sigurisë kombëtare që dalin nga emërimet e fundit.
Korrenti i parë mund të përshkruhet si “America Firsters”, i përbërë nga ata që e nënshkruajnë si strategjinë sipas së cilës gjithçka mund të bëhet çështje negociate, përfshi traktatet tashmë në fuqi ose diplomacia tradicionale e ashtuquajtur “One China Policy” (shtyllë e politikës së jashtme e 50 viteve të fundit në kuadrantin Azi–Paqësor). Në një vizion të tillë, vënia në diskutim e impenjimeve diplomatike dhe tregtare tashmë të marra do të shërbente për të siguruar koncesione të reja dhe më fitimprurëse në favor të Shteteve të Bashkuara. Pavarësisht se kjo qasje do ta transformonte politikën e jashtme amerikane në një lloj deal making, shpura e idhtarëve të këtij korrenti është shumë e vogël. Në qoftë se tregohet kujdes për t’i dalluar të “pastërtit” nga proteksionistët e thjeshtë në lëmin e tregtisë ndërkombëtare si Wilbur Ross, i emëruar sekretar i Departamentit të Tregtisë, ndoshta arrihet të numërohet vetëm Steve Bannon, chief strategist kontradiktor i Shtëpisë së Bardhë. Nuk nevojitet as të kujtohet se shumica dërrmuese e Partisë Republikane është kundër kësaj qasjeje, që do të kishte jetë të vështirë për t’u transformuar në politika konkrete pranë Kongresit.
Korrenti i dytë është ai i “Religious Warriors”. Në rast se është e vërtetë që dy shtyllat e politikës së jashtme republikane pas 11 shtatorit kanë qenë lufta kundër islamizmit fondamentalist dhe ruajtjes së lidershipit amerikan, është e padyshimtë edhe që prej kohësh një shtyllë e tillë e dytë është bërë në njëfarë mënyre parësore për shkak të nevojës për të frenuar ambiciet e reja ruse dhe kineze. Megjithatë, ka që nuk e kanë pranuar kurrë këtë ndryshim prioritetesh, duke e konsideruar luftën kundër fondamentalizmit islamik një motiv absolutisht mbizotërues. Kjo linjë mendimi, përveçse ndahet me siguri nga pjesa më e madhe e elektoratit republikan të 2016, mund të njihet në rrugëtimin e Michael Flynn, i sapoemëruar në pozicionin kyç të National Security Advisor (rëndësia e këtij posti në arkitekturën institucionale të pushtetit ekzekutiv amerikan nuk është kuptuar gjithmonë siç duhet jashtë vendit). Bashkë me Flynn, hard liners të tjerë të luftës kundër fondamentalizmit – si gjysmë i panjohuri, por potencialisht influenti Walid Phares, veteran i milicisë kristiane në Liban apo Michael Ledeen, bashkautor i librit kontradiktor të Michael Flynn, “The Field of Fight” – janë përfshirë në listën e këshilltarëve të mundshëm të politikës së jashtme. Ky grup do ta konsideronte Trump si presidentin ideal për të intensifikuar luftën kundër terrorizmit, megjithëse duke mos ia ndarë krejtësisht tundimet “America First”, veçanërisht ato që kërcënojnë status kuonë e aleancave në Europë dhe në Azi.
Sipas Brookings Institution, idetë e të dyja fraksioneve mbesin vetëm projekte dhe nuk reflektojnë një shkollë mendimi në kuptimin e vërtetë të fjalës. Vetë Trump, me tundimet e tij izolacioniste, mund të ketë frikë që të mbetet i mbërthyer nga “Warriors”-at në një luftë të re të padëshiruar në Lindje të Mesme dhe këta të fundit, nga ana e tyre, mund të frikësohen se mos hapjet ndaj Rusisë përkthehen në avantazh të Iranit dhe në një çimpenjim në rajon. Një preokupim i tillë në disa aspekte është i bazuar dhe nënvizon një kontradiktë tjetër – për momentin e pakuptueshme – në pozicionet e Trump: si të pajtohet një appeasament i mundur me Putinin me sulmin antiiranian ndaj paktit moratorium të përfunduar nga Obama më 2015? Gjithsesi, Irani mbetet një pozicion kyç jashtëzakonisht delikat, për sa fraktura e vërtetë që përshkon transversalisht si establishmentin politik, ashtu edhe atë të sigurisë kombëtare është ajo midis fajkojve antiiranianë dhe atyre që mendojnë në fakt se është ekstremizmi sunit i markës wahabite (domethënë saudit) armiku i vërtetë. Problem tjetër, i nënvizuar edhe nga Brookings Institution, është numri i paktë i ekspertëve të politikës së jashtme si midis “Firsters”, ashtu edhe midis “Warriors”.
Së fundi, korrenti i tretë është ai i “tradicionalistëve” të establishmentit republikan. Këta, më të mëdhenjtë në numër, kanë avantazhin që ndajnë qasjen historike bipartisan të konsensusit lidhur me zgjedhjet e mëdha të mbështetjes ndaj ekuilibrave të hegjemonisë amerikane nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e deri më sot. Në këtë grup, megjithëse duke dalë nga pozicione nganjëherë mjaft të diversifikuara (fajkoj antikinezë vs. fajkojve antirusë, unilateralistë vs. multilateralistë, etj.), gjejmë jo vetëm “yjet” si Mitt Romney, James Mattis, Richard Haas, Mike Rogers (në drejtimin e NSA-së), Stephen Hadley, Janet Napolitano, Mike Pompeo (sapo ka marrë emërimin si drejtor i CIA-s nga Senati), por, në nivel menjëherë më të ulët, edhe pothuajse të gjithë ata që kanë kualifikimet e nevojshme që të mund të mbushin radhët e administratës të denjë për këtë emër. Sfida e eksponentëve të grupit të tretë është ajo që të futen në radhët e politikës së jashtme në shtratin e sigurtë të konservimit të sistemit të aleancave dhe të pranisë ushtarake globale të superfuqisë.
Është me rëndësi nënvizimi i Brookings Insitution, sipas së cilit, në qoftë se gjërat qëndrojnë kështu, jo vetëm tri korrentet janë reciprokisht dyshuese dhe potencialisht në konflikt, por edhe se secili mund ta luajë ndeshjen e vendimeve finale në kundërvënie ose në aleancë herë pas here me njërën ose me tjetrën. Prandaj profilohet një ekuilibër mjaft delikat. Kjo do të shpjegonte një seri kalimesh lidhur me emërimet, në periudhën e tranzicionit, në pamje të parë të errët. Ja Flynn që ka objeksion caktimin e Mattis, eprori i tij në gradë ushtarake, por has në palëvizshmërinë e Trump ndaj zgjedhjes në krye të Pentagonit. Megjithatë, një emërim i tillë ka shënuar fundin e kandidaturës së Romney në Sekretarinë e Shtetit (me të cilin aksi i tradicionalistëve do të kishte rezultuar i pamposhtur). Ja kështu të shfaqet, për të mbizotëruar më pas, Rex Tillerson, një “deal-maker” pragmatist me raporte të shkëlqyera ndërkombëtare, por edhe një tradicionalist probabël, që ka pasur mbështetjen e peshave të rënda si ish-sekretari i Shtetit, James Baker, ish-sekretarit të Mbrojtjes, Robert Gates, eminencës gri të Sigurisë Kombëtare, Stephen Hadley dhe ish-sekretares së Shtetit, Condolezza Rice. Me fjalë të tjera, përfaqëson një kompromis ideal në sytë e Trump midis “America First” dhe aparatit, megjithëse imazhi i tij për botën mbetet një e panjohur për publikun e gjerë. Nga ana e tij, James Mattis është paraqitur si një “fajkua” historik antiiranian. Veç kësaj, “Mad Dog Jim” është kuintezenca e stilit dhe e shpirtit të trupës së marinsave (që e adhurojnë si legjendë të gjallë të fushatave në Afganistan dhe Irak), aq sa duhet të luajë një funksion thelbësor riekuilibrimi të zgjedhjeve të politikës ushtarake dhe të sigurimit të aleatëve, jo e fundit prej raportit të shkëlqyer dhe të eksperimentuar që e lidh me shefin aktual të Shefave të Bashkuar të Shtabit, Gjeneralin Joseph Dunford, ish-shefi i kabinetit të tij në fushën e betejës së rebelimit iraken në vitin 2005.
Kompletojnë ekipin e National Security John Kelly, i konfirmuar nga Senati në krye të Homeland Security dhe Dan Coats, senator i Indiana i zgjedhur për rolin mjaft delikat e Director of National Intelligence (DNI), që koordinon 16 agjencitë e inteligjencës. Mund t’i fusim të dy në fraksionin tradicionalist, sidomos Gjeneralin Kelly, ish-komandant i nevralgjikes Southern Command of Armed Forces, përgjegjës për mbrojtjen informatike të vendit. Nëse dhe sa do t’ia arrijë të shmangë që ekuilibri i brishtë midis tri korrenteve, në zgjedhjet e para serioze për t’u bërë (Siri dhe Iran), të degjenerojë në një luftë të egër për pushtet do të varet në pjesën më të madhe nga vetë Presidenti.

Divergjenca taktike dhe konvergjenca strategjike midis Obamës dhe Trump
Duke u kthyer në pyetjen fillestare, vizioni i rolit të Shteteve të Bashkuara në botë sipas Trump është vërtet kaq i ndryshëm nga ai i Barack Obamës? Sigurisht, gramatika e dy presidentëve nuk ka sesi të jetë më e largët dhe stili komunikues ka demonstruar gjithë rëndësinë e tij në 8 vitet e presidencës Obama, pse jo edhe në fushatën e fundit elektorale. Po aq i ndryshëm është bekgraundi kulturor i tyre, me një Trump bartës të një konceptimi pamëshirshmërisht realist të botës dhe dukshëm i shtyrë nga një shpirt klasik “kalvinist” të kapitalizmit, ndërsa Obama kërkonte me çdo mënyrë ta mbështillte me një aureolë utopie vizionin liberal të tij (po e shtyjmë për një rast tjetër një analizë të motiveve për të cilat, pavarësisht fjalëve, Obama ka qenë presidenti amerikan më realist i pasLuftës së Ftohtë). Së fundi lidhur me taktikën do të dukeshin idhtarë opsionesh shumë të largëta midis tyre. Trump nuk e pëlqen multilateralizmin, kurse Obama e ka bërë tiparin dallues të tij. Trump nuk beson në ngrohjen globale, Obama e ka konsideruar gjithmonë si një temë nevralgjike për fatet e botës. Trump beson në një version të pakushtëzuar të special relationship me Izraelin, kurse Obama nuk ka hezituar të përplaset (me të gjitha maturitë e përkujdesjet e mundshme) me qeverinë Netanyahu (shikohen si pakti mbi moratoriumin bërthamor me Iranin më 2015, ashtu edhe abstenimi amerikan i kohëve të fundit ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për dënimin e vendbanimeve të mëtejshme të kolonëve izraelite në Cisjordani). Së fundi, Trump shprehet kundër marrëveshjes për bërthamoren me Iranin, kurse Obama e konsideron si suksesin më të rëndësishëm ndërkombëtar të tij.
Megjithatë, kur flitet për strategji globale, distancat midis të dyve shkurtohen dhe impakti i temperamentit dhe i preferencave personale theksohet shumë. Objektivi kryesor i të dy presidentëve, ashtu si i paraardhësve të tyre, është ai i ruajtjes së “momentit unipolar” (me fjalë të tjera, lidershipin amerikan në botë). Për shkak të pasojave të krizës ekonomike botërore të periudhës 2007–2008, si Obama, ashtu edhe Trump, duhet ta ndjekin me më pak resurse në dispozicion nga sa kanë pasur Bill Clinton dhe George W. Bush. Kështu, për momentin përgjigjja e të dyve është shumë e ngjashme: overstretching (zgjerimi i tepruar i impenjimeve respektivisht resurseve ekonomike në dispozicion, për ta thënë me konceptin e famshëm të Paul Kennedy tek Rise and Fall of the Great PoWers) dhe për pasojë, rënia e hegjemonisë amerikane mund të shmanget vetëm nëpërmjet reduktimit të impenjimeve të Shteteve të Bashkuara dhe duke i përqendruar përpjekjet në zonat jetike për interesin kombëtar. Në kundërshtim me Clinton dhe Bush që besonin fuqimisht në idenë e “kombit të domosdoshëm” dhe e kanë përkthyer konkretisht në deep engagement në botë, Obama dhe Trump janë për një impenjim të kalibruar dhe selektiv. Në brendësi të kësaj kornize strategjike, të dy kanë individualizuar të njëjtën zonë jetike dhe të njëjtin konkurrent ndërkombëtar për të ardhmen: kuadrantin Azi–Paqësor dhe Kinën. Vendimi për të takuar si liderin e parë ndërkombëtar kryeministrin japonez, Shinzo Abe dhe telefonata kontradiktore e Trump me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen, fuqimisht kundër me politikat e afrimit të vendit të tij me Republikën Popullore, vendoset gjithsesi në linjë me Pivot to Asia e Obamës.
Ky impiant i përgjithshëm ka një efekt anësor të dyfishtë të ndarë si nga Trump, ashtu edhe nga Obama. Nga njëra anë, bindja se raporti me aleatët – në mënyrë të veçantë ata europianë – duhet të rikalibrohet në funksion të një predominimi të interesave amerikane, pse jo sidomos edhe një rindarje të drejtë të kostove të sigurisë së përbashkët. Nga ana tjetër, mosgatishmëria për të ndërmarrë politika të kushtueshme për promovimin e demokracisë. Për sa i përket të parës, multilateralizmi i Obamës ka rezultuar në fakt vite drite larg nga projekti i Clinton, i cili jo vetëm që nuk i është shmangur gatishmërisë tradicionale amerikane për t’i përfshirë sistematikisht aleatët në zgjedhjet politike (nothing about you without you), por është demonstruar edhe i gatshëm të ndërhyjë në mënyrë të përsëritur në ndihmë të tyre (sidomos në luftërat e Ballkanit). Në të kundërt, Obama ka kërkuar një qasje multilaterale vetëm kur ka qenë e nevojshme dhe duke u kërkuar aleatëve ndarjen e përgjegjësive dhe të kostove lidhur me ruajtjen e rendit (mbi të gjitha burden sharing në kuadër të NATO-s). Në mënyrë të ngjashme, Trump ka nisur të ndërveprojë me shtetet europiane duke u shfaqur çinteresim për NATO-n dhe duke ju kërkuar një rindarje më të drejtë të kostove për mbajtjen e saj. Për sa i përket temës së demokracisë, përtej fjalëve, Obama ka demonstruar se nuk beson në nevojën e një përhapjeje të saj për të ruajtur rendin amerikan. Në 8 vitet e presidencës së tij, ka hequr dorë nga promovimi aktiv i saj (duke u dalluar si nga administrata Clinton, ashtu edhe nga ajo Bush), duke u kufizuar në një mbështetje, shpesh vetëm verbale, të revolucioneve nga poshtë (si për shembull në rastin e të ashtuquajturave “pranvera arabe”). Në të njëjtën mënyrë, Trump duket se nuk beson në politikën e regime change, që e konsideron si të parëndësishme për mbrojtjen e unipolarizmit, por ndryshe nga paraardhësi i tij nuk duket as i preokupuar nga mbështetja publikisht e të kundërtës (do të kishte qenë interesante të vihej në provë Trump përpara një krize si ajo që ka çuar në rrëzimin e një aleati të Shteteve të Bashkuara si Hosni Mubaraku në Egjipt).
Në qoftë se ky është kuadri i përgjithshëm, ku vendosen politikat mbi Putinin, debati për sanksionet ndaj Rusisë dhe denoncimi i appeasement për të cilat presidenti i ri do të ishte në kërkim? Edhe këtu duhet të bëhet një kërcim prapa në vite, kur në kohërat e fushatës së tij të parë presidenciale Obama premtonte reset-in e raporteve me Rusinë, që qenë vënë në krizë nga politikat e administratës Bush. Më pas, historia na ka thënë se prirja ndaj një qasjeje bashkëpunuese, bashkuar me ngurrimin për të përdorur forcën, e ka bërë Rusinë më agresive dhe shkaktuar ndonjë spirale tensioni të konsideruar nga shumë vëzhgues si një Luftë e Ftohtë e “re”. Me fjalë dhe qëndrime shumë të ndryshme, presidenti i sapozgjedhur bën në thelb të njëjtin premtim: të reset-ojë raportet me Moskën. Ky vullnet, si në rastin e Obamës, ashtu edhe të Trump, motivohet nga një refleksion i përbashkët: është e kotë të shpenzohen energji për të frenuar sfidantin e vërtetë të së ardhmes, Kinën. Megjithatë, një diferencë thelbësore lidhur me këtë temë haset midis të dyve. Obama mendonte të gjente një marrëveshje me Putinin, por besonte të mundshëm edhe të siguronte një rikthim në kushtet dhe modalitetet e ndërveprimit të kohës së Boris Jelcinit. Anasjelltas, Trump është i gatshëm për një shkëmbim: Uashingtoni e pranon primatin rus mbi “hapësirën” passovjetike dhe mbi disa territore menjëherë të afërta me të, ashtu si natyrën jodemokratike të vendeve të kësaj zone, për të siguruar në shkëmbim nga Moska heqjen dorë nga kontestimi i rendit amerikan dhe bashkëpunimi me Pekinin për rrëzimin e tij.

Të panjohurat e mëdha të gjeopolitikës trumpiane
Në përgjithësi, dy të panjohurat e mëdha të Presidentit Trump, që mund të fshehin elementët më të thellë të mosvijueshmërisë me paraardhësin e tij, duken sot:
1) Mundësia që është vënë në diskutim strategjia globale që ka parë Shtetet e Bashkuara protagoniste qysh nga viti 1945 në fushën e ndërtimit, udhëheqjes dhe mbrojtjes së rendit liberal ndërkombëtar (shtyllat e të cilit kanë qenë themelimi dhe konsolidimi i organizatave ndërkombëtare, promovimi i demokracisë dhe ndërvarësia ekonomike);
2) Qasja ndaj problemit të ISIS-it, për sa megjithëse duket se Lindja e Mesme–Afrika Veriore nuk është më zona çernierë e politikës së jashtme amerikane, shpartallimi i Shtetit Islamik është sigurisht themelor për sigurinë kombëtare dhe për imazhin e superfuqisë e të vetë presidentit.
Pa dashur të pritet ecuria e mandatit ose zgjedhjet mid-term të 2018 (që do të japin pulsin e konsensusit të popullit amerikan ndaj zgjedhjeve të Trump), “100 ditët” e para të famshme të administratës së re mund të nisin të na japin disa përgjigje shumë përpara parashikimit.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Trump, negociatori ideal për çështjen e Koresë së Veriut

Joel Wit, Richard Sokolsky

Donald Trump ka përfunduar me sukses fazën e rëndësishme të kalimit nga fushata, në periudhën tranzitore, tek qeverisja e vendit. Qeverisja tani kërkon prej tij vendime të vështira dhe negociata të ndërlikuara, nga të cilat shpesh duhet të zgjidhësh alternativën më pak të keqe. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për trajtimin e situatës së rrezikut që buron nga Korea e Veriut dhe programit të saj bërthamor dhe raketor.
Koreanët janë përpjekur me çdo kusht që ta qartësojnë sa më mirë rrezikun, gjë që u vërtetua me kërcënimin e Kim Jong Un gjatë fjalimit të Vitit të Ri kur tha se do të niste testimin e raketave balistike ndërkontinentale që mund të arrijnë deri në Shtetet e Bashkuara, e më pas nga spekulimet e mediave që Penjani planifikonte t’i fillonte testimet menjëherë pas inaugurimit të presidentit Trump.
Rreziku duket se ekziston vërtet dhe nevojitet një strategji efektive, një menu alternativash të mundshme. Sanksionet e tjera financiare nuk kanë për të funksionuar. Përdorimi i forcës ushtarake amerikane mund të jetë joefektive dhe përmban rrezik të madh. Ndryshimi i regjimit është edhe më i pamundur. Alternativa më realiste për presidentin Trump që të frenojë marshimin bërthamor të Koresë së Veriut është ky: diplomaci e egër, presion aty ku diplomacia dështon. Por a do të vendosë presidenti të zgjedhë këtë alternativë apo ka ndërmend ndonjë strategji tjetër?
Kërcënimi i Koresë së Veriut është përkeqësuar gjatë tetë viteve të fundit për faj të administratës Obama, e cila për tetë vite me radhë bëri të njëjtat gabime duke pritur çdo herë rezultate të ndryshme. Shtetet e Bashkuara u kapën me kokëfortësi në katër bindje thellësisht të gabuara: së pari, që Kina do të bënte ndërmjetësim për llogari të Amerikës, së dyti, që Koreja e Veriut nuk mund të mbijetojë pa integrimin e gjerë ekonomik në komunitetin ndërkombëtar; së treti, që programi bërthamor kërkonte shumë kohë për t’u zhvilluar dhe koha ecte në favor të SHBA-ve; dhe së katërti, që Koreja e Veriut nuk do të mbante premtimet e saj.
Duke e mbajtur veten të burgosur brenda këtyre bindjeve për kaq shumë kohë, Shtetet e Bashkuara tashmë ndodhen në një situatë politike pa krye, ku sanksionet nuk funksionojnë dhe diplomacia nuk ekziston. Më keq akoma, injorimi i këtij problemi nuk është më një mundësi pasi kërcënimi është i garantuar nga zhvillimet e programit raketor të Koresë së Veriut dhe kapaciteti i saj bërthamor po rritet si një kancer.
Cilët janë rreziqet që i kanosen Shteteve të Bashkuara? Shumë ekspertë kanë argumentuar se kërcënimi i sulmit të Koresë së Veriut kundër Shteteve të Bashkuara është hiperbolizuar së tepërmi. Nga ky këndvështrim, Kim nuk ka si të kërkojë vetëvrasje, sepse mbi të gjitha kërkon mbijetesën e dinastisë së tij dhe të Koresë së Veriut dhe ka frikë t’i sulmojë Shtetet e Bashkuara për shkak të perspektivës së ndonjë kundërpërgjigjeje të egër dhe ndryshimi regjimi në vend. Këto janë argumente të besueshme, për të cilët nuk ka prova as për t’i mbështetur dhe as për t’i rrëzuar. Ajo që dihet është se Shtetet e Bashkuara do të ishin më të sigurt nëse Kimi nuk do të kishte kapacitetin për të lëshuar një raketë me rreze të largët.
Ekzistojnë edhe rreziqe të tjerë seriozë. Këtu përfshihet: kërcënimi ndaj aleatëve të Shteteve të Bashkuara dhe forcave në Azinë Verilindore, të cilët po ngrenë dyshime për planin ushtarak që duhet të mbrojë Korenë e Jugut dhe Japoninë; të dy vendet në fjalë kanë dyshime serioze në aftësinë e Amerikës për të zmbrapsur sulme eventuale; përkeqësimi i krizës së marrëdhënieve SHBA-Kinë nëse Washingtoni i bën presion Kinës për të imponuar sanksione shtrënguese; krijimi i një krize tjetër nëse Korea e Jugut dhe Japonia kërkojnë të përmirësojnë edhe kapacitetet e tyre për të qenë në gatishmëri në rast të sulmit të Veriut dhe përhapjes së një gare të vërtetë bërthamore në rajon.
Administrata e re ka në thelb katër mundësi për t’i reduktuar këto kërcënime. E para është të ideojë një fushatë drakoniane sanksionesh që ta detyrojnë Korenë e Veriut të ulet në tavolinën e bisedimeve. Presidenti Trump duket se mendon që duke i folur keq Kinës – lojtarja kyçe e kësaj fushate për shkak të lidhjeve të saj ekonomike me Penjanin – për shkak se nuk ka bërë asgjë deri tani për të ndihmuar me çështjen e Koresë, do të shërbejë për ta arritur qëllimin.
Ky qëndrim fatkeqësisht mund të dështojë, pasi Kina mund të vendosë të mos bashkëpunojë, duke qenë se e konsideron Korenë e Veriut si një pjesë të interesave të saj kombëtare dhe është shfaqur dyshuese kundrejt regjimit të Shteteve të Bashkuara për ndryshim regjimi me Korenë e Veriut. Më tej, kjo mund të krijojë më shumë avantazhe për koreanët që të zhvillojnë më tej progamin e tyre bërthamor dhe raketor duke përfituar nga mosmarrëveshjet ndërmjet Washingtonit dhr Pekinit.
Alternativa e dytë, sulmet ushtarake për të shfarrosur kërcënimin korean që buron nga programi bërthamor përpara se të kërcënojë Shtetet e Bashkuara, ka pak gjasa të ketë sukses. Diçka e tillë mund të kundërshtohej edhe nga Korea e Jugut dhe Japonia dhe mund ta shtyjë Kinën drejt asaj që mund të duket si Lufta e Dytë koreane.
Mundësia e tretë, ajo e nxitjes së ndryshimit të regjimit në Korenë e Veriut për t’i dhënë fund kërcënimit do të ishte fillimisht një qasje afatgjatë, pasi është praktikisht e pamundur të rrëzohet me shpejtësi një regjim autoritar në Penjan, i cili qëndron në pushtet prej gjashtë dekadash. Rezultati më katastrofik i kësaj strategjie do të ishte që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të shpenzonin vite të tëra me shpresën e rezultateve të kënaqshme, ndërkohë që kërcënimi bërthamor bëhet gjithnjë e më i madh.
Mundësia e katërt, diplomacia e egër shtrënguese, duket se ka më shumë gjasa të funksionojë. Mund të fillojë me një angazhim të qëndrueshëm diplomatik me Korenë e Veriut, mbështetur nga kërcënimi i përdorimit të të gjithë forcës ushtarake dhe ekonomike për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët nga zhvillimi i programit bërthamor të Koresës së Veriut. Për shkak se programi bërthamor i Koresë ka arritur në një fazë mjaft të avancuar, objektivi fillestar i diplomacisë shtrënguese do të ishte çarmatimi gradual i vendit nga arsenali bërthamor në faza që përbëjnë një kornizë më të gjerë strategjike, ku përfshihet edhe një marrëveshje gjithpërfshirëse paqeje që, në sytë e Penjanit, do t’i jepte fund “politikës armiqësore” të Shteteve të Bashkuara kundrejt Koresë së Veriut.
Një proces i tillë i zhvilluar hap pas hapi do të krijohej për të siguruar objektivat më të rëndësishme dhe imediate të Shteteve të Bashkuara dhe për të frenuar programet raketore dhe bërthamore të Koresë së Veriut. Për aq kohë sa të gjitha palët e përfshira ndërgjegjësohen për faktin se çarmatimi bërthamor është një proces që nuk do të arrihet kurrsesi brenda natës, iniciativa nuk do të sinjalizonte kurrsesi se Shtetet e Bashkuara janë duke e pranuar gjendjen bërthamore të Koresë së Veriut.
A mund të arrijë presidenti Trump, i cili është i njohur gjerësisht për aftësitë e tij të jashtëzakonshme të negocimit, të ketë sukses aty ku të tjerët përpara tij kanë arritur vetëm të dështojnë? Administrata e tij ka shumë gjasa të mira për të pasur suksese, nëse presidenti vendos të nisë procesin serioz të negociatave. Strategjia e mëparshme e Shteteve të Bashkuara kundrejt Koresë së Veriut ka ndjekur pa sukses herë strategjinë e diplomacisë e herë atë të presionit dhe përballjes, por nuk ka arritur kurrë t’i integrojë të dyja. Një strategji e tillë madhore do të ofronte avantazhe të mëdha për Shtetet e Bashkuara dhe disavantazhe po aq të mëdha për Penjanin në rast se vendos të refuzojë mundësinë për të hyrë në negociata me Washingtonin.
Presidenti Trump mund të ndodhet edhe në pozicionin më të mirë për t’u përballur me kundërshtarët brenda vendit – republikanët që do të argumentojnë se përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Penjanin nuk janë gjë tjetër veçse humbje kohe. Ai mund të tërheqë me vete edhe Korenë e Jugut, aleati kyç i Shteteve të Bashkuara, qeveria e së cilës duket se është duke u lëkundur në bindjen kokëfortë të përdorimit të sanksioneve dhe mund të shfaqet më e hapur kundrejt diplomacisë pas delegjitimimit dhe zëvendësimit të mundshëm të presidentes Park Geun-hye.
Hapi i parë drejt këtij procesi do të ishte që presidenti Trump të niste një bisedim direkt me lidershipin e Koresë së Veriut, duke dërguar një mesazh privat se administrata e tij është e gatshme të eksplorojë rrugët paqësore drejt mirëkuptimit. Qëllimi do të ishte nisja e bisedimeve paraprake pa imponuar kushte, për të testuar terrenin dhe për të parë nëse diplomacia ka hapësirë për t’u zhvilluar mes palëve.
Korea e Veriut mund të shfaqet e hapur ndaj një iniciative të tillë dhe pavarësisht parashikimeve të errëta të ekspertëve, Penjani nuk ka lëshuar asnjë goditje të vetme që pas testimit bërthamor të muajit shtator të vitit të kaluar, duke qëndruar në pritje për të parë se çfarë do të ofronte administrata e re amerikane. Por koha në këtë rast punon kundër Shteteve të Bashkuara, duke qenë se stërvitja e përbashkët ushtarake ndërmjet Amerikës dhe Koresë së Jugut pritet të fillojë në muajin shkurt. Kjo mund të nxisë një kundërpërgjigje agresive nga ana e Koresë së Veriut, veçanërisht nëse manovrat ushtarake reklamohen publikisht, siç ka ndodhur në të shkuarën, si testime për të prerë kokën e lidershipit koreanoverior apo përfshijnë fluturime të avionëve luftarakë amerikanë që mund të mbajnë edhe armë bërthamore në bord.
Në rast se përpjekja fillestare për diplomaci dështon, administrata Trump do të kishte një bazë shumë herë më të fortë – pasi ka vërtetuar se diplomacia me Korenë ishte e pamundur dhe kërcënimi nga programi bërthamor është zmadhuar ndjeshëm – për të nisur përpjekjet e frenimit të kërcënimit korean përmes rritjes së presionit dhe përballjes. Në këtë rast, administrata Trump mund të nisë një kundërpërgjigje duke zgjeruar sistemin kombëtar të mbrojtjes raketore bashkë me sistemet e mbrojtjes raketore rajonale për Japoninë dhe Korenë e Jugut; të rrisë ndjeshëm kapacitetin e sulmit në rajon për të nxitur vetëpërmbajtjen e Koresë së Veriut; të rivlerësojë tërësisht pozicionimin e forcës ushtarake amerikane në Azinë Verilindore, duke qenë se programi bërthamor i Koresë së Veriut ndikon drejtpërdrejt në strategjinë amerikane për të mbrojtur aleatët; të pozicionojë vazhdimisht mjete tokësore dhe ajrore me kapacitetin e mbajtjes së armëve të zakonshme dhe bërthamore në bord, si dhe të ofrojë nëndetëse amerikane bërthamore për Korenë e Jugut; të kërkojë sanksione akoma më të egra në Kombet e Bashkuara, duke i miratuar ato fillimisht në mënyrë të njëanshme për t’i bërë më shumë presion ekonomik Koresë së Veriut.
Një politikë e re që teston fillimisht terrenin e negocioatave diplomatike dhe ushtron presion të jashtëzakonshëm ushtarak dhe ekonomik kundër Koresë së Veriut nuk ofron garanci të qarta suksesi, por rreziqet e kësaj strategjie në rast dështimi janë më ulëta se kostot dhe pasojat e aplikimit të sanksioneve të tjera, përdorimit të forcës ushtarake dhe nxitjes së ndryshimit të regjimit. Siç ka thënë dikur edhe Winston Churchill në lidhje me format demokratike të qeverisjes: “Të negociosh me Veriun është alternativa më e keqe, përveç të gjithë alternativave të tjera”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Çfarë ndodhi vërtet në Departamentin e Shtetit?

Peter van Buren

Ditën e enjte në Departamentin e Shtetit 5 zyrtarë dhanë dorëheqjen ose dolën në pension. Një tjetër të premten. Mediat janë tërbuar me raportime nga më të ndryshmet, duke pretenduar se dorëheqjet janë një protestë ndaj administratës së Trumpit. Kjo nuk ëstë e vërtetë. Në fakt, ajo çfarë ka ndodhur në Departamentin e Shtetit është një situatë rutinë. Ata që po largohen nga departamenti janë kreu i Byrosë së Menaxhimit, Pat Kennedy, asistentsekretari i Shtetit për Administrimin, Joyce Anner Barr, asistentsekretari i Shtetit për Çështjet e Konsullatës, Michele Bond, ambasadori Gentry O. Smith, drejtori i Zyrës së Misioneve të Jashtme, zyrtari i kontrollit të armëve Tom Countryman dhe Victoria Nuland. Ja si kanë rrjedhur ngjarjet në të vërtetë:

– Askush në Departamentin e Shtetit nuk e ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste.

– Askush nuk është pushuar formalisht nga puna.

– Gjashtë persona janë transferuar ose kanë dalë në pension nga postet dhe emërimet politike që mbanin. Teknikisht ata që nuk kanë dalë në pension mund të konsiderohen se kanë dhënë dorëheqjen, kjo është një situatë rutinë e ndryshimit të personelit, jo një deklaratë politike. Të gjashtë janë personel në karrierë që vijnë nga Shërbimet e Jashtme. Ata kanë lënë më parë punët e tyre në Shërbimet e Jashtme për t’u emëruar në poste politike dhe tani kanë dhënë dorëheqjen nga këto poste (ose kanë dalë në pension) për t’u rikthyer përsëri tek punët e tyre në Shërbimet e Jashtme, një qarkullim rutinë i burimeve njerëzore. Ata duhet të dorëzojnë një letër dorëheqjeje sipas procedurës standarde të kërkuar kur një president i ri ngjitet në pushtet.

– Vetëm nënsekretari i Shtetit, Alan Larson, ka qëndruar në punën e tij pas transferimit të presidencës nga Bill Clinton tek George W. Bush. Në fakt, është mëse e zakonshme që zyrtarët e lartë të largohen ose të riemërohen në një tjetër pozicion.

– Disa nga gjashtë personat e larguar janë të lidhur ngushtë me e-mail-et e Hillary Clintonit ose me mënyrën se si Clinton ka trajtuar çështjen e Bengazit. Një prej tyre, Pat Kennedy, ka luajtur një rol të rëndësishëm në të dy rastet, si edhe në shumë çështje të tjera të debatueshme gjatë mandatit të Clintonit si sekretare e Shtetit. Burimet tregojnë se edhe pse Kennedy është dorëhequr zyrtarisht, ajo praktikisht është detyruar ta bëjë këtë nga administrata e Trumpit.

– Nuk ka konfirmime për të tjerët, nëse u është kërkuar të largohen ose jo, apo thjesht janë ristrukturuar pozicionet e tyre dhe do të riemërohen në një pozicion tjetër si pjesë e procedurës rutinë. Me shumë gjasa do të ndodhë e dyta, pasi ristrukturimi i pozicioneve politike është shumë e zakonshme pas ndryshimit të administratës qeveritare. Si kudo tjetër në qeveri, administrata e re i mbush postet politike me emërimet e saj.

– Disa prej gjashtë të larguarve mbushin moshën e kërkuar për të dalë në pension më 31 janar.

– Raportimet që thonë se këto persona përfaqësojnë “poste të menaxhimit të lartë” në Departamentin e Shtetit i kanë ngatërruar termat. Për shkak të mënyrës se si është organizuar Departamenti i Shtetit, katër prej të gjashtëve punojnë në Byronë e Menaxhimit. Kenney ishte kreu i Byrosë. Të katërt luajnë role të ndryshme dhe së bashku nuk përbëjnë menaxhimin e lartë të departamentit. Dy punojnë në pjesë të tjera të departamentit (Countryman dhe Nuland) dhe janë më të lidhur ngushtë me politikat që ka shumë gjasa të ndryshojnë me ardhjen e administratës së re.

– Të gjashtë personat vijnë nga pozicione me hierarki të gjatë. Nuk ka asnjë mundësi që puna në Departamentin e Shtetit të mbetet pezull nga asnjë prej këtyre ndryshimeve. Secili pozicion ka një person të dytë, të tretë e të kartërt që do të ngrihet dhe do të marrë në dorë detyrën provizorisht derisa të bëhen zëvendësimet përkatëse. E gjitha është pjesë e procesit standard të tranzicionit.

– Me shumë gjasa do të ketë edhe “dorëheqje” të tjera të tilla dhe ristrukturim të Departamentit të Shtetit, emërimet e reja politike do të sjellim stafin e tyre. Nëse asnjë punonjës nuk mbam një konferencë për shtyp për të deklaruar dorëheqjen e tij në shenjë proteste, media duhet të qetësohet, të verifikojë faktet dhe të rapotojë me drejtësi dhe saktësi.

– “Washington Post”-i theksoi se ndryshimet ishim pjesë “e një eksodi masiv të zyrtarëve të lartë të shtetit që nuk duan të shërbejnë në administratën e Trumpit”. Nuk jam në dijeni të largimeve të tjera (dy zyrtarë më pak të rëndësishëm u larguan në fillim të muajit në situata që nuk lidheshin aspak me presidentin Trump) dhe siç është theksuar edhe më lart, asnjë prej tyre nuk është dorëhequr në shenjë proteste. Sidoqoftë, tetë persona të larguar nuk përbëjnë një eksod masiv. Artikulli i “Washington Post” është bërë alarmues qëllimisht dhe duket i shkruar nga një reporter që nuk e njeh procedurën e ristrukturimit të Departamentit të Shtetit.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI