20.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

A i intereson Rusisë shpërbërja e BE-së?

Pavel Koshkin

Në mesin e muajit janar, në Forumin Ekonomik Gaidar 2017 që u zhvillua në Moskë në Akademinë ruse Presidenciale të Ekonomisë Kombëtare dhe Administrimit Publik (RANEPA), diskutohet kryesisht debati i së ardhmes së Bashkimit Europian. Më specifikisht, pjesëmarrësit diskutuan për mënyrën se si Brexit do të ndryshojë trajektoren e ardhshme të Bashkimit Europian.
Eventi në Moskë rastisi në të njëjtën kohë ndërsa kryeministrja britanike, Theresa May, mbante një fjalim tepër të rëndësishëm dhe që pritej me padurim, në lidhje me procesin e Brexit. Zyrtarisht, Brexit pritet të përfundojë në muajin mars, ndaj kohës për të qartësuar se çfarë do të ndodhë më pas po i vjen fundi.

Brexit dhe e ardhmja e Europës
Edhe pse muajt e fundit kanë qenë të mbushur me evente tepër të rëndësishme të politikës ndërkombëtare, Brexit vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, pas gjashtë muajsh diskutimesh dhe debatesh. Qëllimi i kryeministres Theresa May, mesa duket, është t’i japë fund procesit të Brexit me sa më pak dëme reputacioni, financiare, ekonomike dhe politike për Britaninë e Madhe. Në të njëjtën kohë, Mbretëria e Bashkuar do të duhet të arrijë marrëveshje të mira ekonomike dhe tregtare me Bashkimin Europian.
Kjo mund të rezultojë më e vështirë nga sa mendonin të gjithë. 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian i kanë përçuar Londrës vazhdimisht sinjale të qarta se nuk duhet të presë asnjë favor pas largimit nga Bashkimi Europian. Në fjalimet e mbajtura nga Joseph Muscat, kryeministër i Maltës dhe Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë, është sinjalizuar qartë dhe haptazi se Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të presë kurrsesi të gëzojë të njëjtat avantazhe nga Bashkimi Europian pasi të largohet.
Kështu, kryeministrja britanike e gjen tashmë veten në një situatë mjaft të vështirë. Ajo ndodhet në një presion të jashtëzakonshëm për të shpjeguar mënyrën se si vendi i saj do të implementojë nenin 50, përmes të cilit Britania do të largohet zyrtarisht nga Bashkimi Europian.

Shpërbërja europiane
Eksperti rus, Vladimir Mau, ngre problemin dhe mundësinë e shpërbërjen së Bashkimit Europian gjatë konferencës “Rusia dhe bota: Përcaktimi i prioriteteve”, në të cilën u bashkuan ekonomistë, ekspertë të mirënjohur dhe politikanë të ndryshëm përfshirë Martin Wolf, komentatori ekonomik i “Financial Times”, si dhe kryeministri rus, Dmitry Medvedev.
Cili është faktori më kërcënues, e ardhmja e Bashkimit Europian pa Mbretërinë e Bashkuar apo vetë procesi i ndërlikuar i Brexit? Kjo është pyetja që duket se po mundon më shumë ekspertët gjatë këtyre muajve të fundit.
Wolf theksoi se Britania e Madhe ka qenë vazhdimisht në “zonën e paqëndrueshmërisë” në lidhje me pjesën tjetër të Europës, madje ka qenë gjithmonë një anëtare gjysmë e ndarë nga Bashkimi Europian sipas interesave të saj dhe me një hezitim konstant për të ndarë të njëjtat objektiva me vendet e mëdha të unionit. Realiteti ishte ai që kontribuoi më shumë për Brexit-in. Kriza e emigracionit ishte faktori i fundit që mundësoi largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian, sipas Wolf.
Ndërkohë, Alexander Graf Lambsdorff, zëvendëspresident i Parlamentit Europian, është shprehur i trishtuar për faktin se, “atdheu i liberalizmit europian është duke u shkëputur nga Bashkimi Europian”. Ndërkohë, Vaclav Klaus, ish-president i Republikës Çeke gjatë viteve 2003-2013 shprehet i kënaqur dhe e mirëpret largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Ai thotë se shikon këtë vendim si “kundërshtim simbolik për atë që e konsideron si një burokraci të dështuar, të kalbur e të vjetër që ka kontribuar në dobësimin e ndjeshëm të Bashkimit Europian. Ai e përgëzon rezultatin e referendumit dhe e shikon atë si një gjest lirie dhe ndërgjegjësimi publik.
Wolf nuk është dakord me të. Sipas tij, rreziqet kryesore që fshihen pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian janë pasojat e dëmshme dhe të pashmangshme që do të ketë në institucionet europiane. Brexit mund të dëmtojë ndjeshëm qëndrueshmërinë e Bashkimit Europian, si edhe monedhën e përbashkët. Mbi të gjitha, një Europë e paqëndrueshme do të kthehej në një barrë, jo në një aset për Rusinë, sipas Wolf.

Kremlini dhe Brexit
Kur e pyetën nëse Rusia do të përfitonte nga Brexit dhe nga një Europë më e dobët, Wolf tha: “Varet nga ajo që kërkon të përfitosh”. Siç e thekson edhe eksperti, nëse Kremlini kërkon të jetë një i afërm i fuqishëm për fqinjët e tij dhe t’i nënshtrojë ata sipas vullnetit, do të ishte e logjikshme që Moskës t’i interesonte më shumë shpërbërja e Europës dhe dobësimi i aktorëve të tjerë globalë. Në fund të fundit, nëse Bashkimi Europian dobësohet, Kina shpërthen dhe Shtetet e Bashkuara izolohen, Rusia do të kishte mundësinë të kthehej në vendin më të fuqishëm të botës, thotë Wolf me ironi.
“Nëse ndër qëllimet e Rusisë është edhe bashkëjetesa në një botë relativisht paqësore, të qëndrueshme dhe të begatë, në të cilën mund të marrësh pjesë dhe të bashkëpunosh, atëherë të gjithëve do t’i interesonte që Bashkimi Europian të mbijetonte”, shton ai. “Shteti e vendos vetë se cilët janë objektivat e tij kombëtarë”.
Po kështu, Lambsdorff beson se është shumë e vështirë të dish me siguri se deri në ç’pikë Rusia kërkon të dobësojë ose jo Bashkimin Europian përmes Brexit dhe procese të tjera shpërbërëse të mundshme. Ndërsa një teori argumenton se, Rusia do të ishte e interesuar në shpërbërjen e Bashkimit Europian, duke pasur parasysh aspiratat e saj revizioniste në arenën ndërkombëtare, teoria tjetër (e cila duket se përputhet me pozicionin zyrtar të Kremlinit) sugjeron se Rusia kërkon të shohë një Bashkim Europian më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm, për shkak të afërsisë me kufijtë rusë.
Në fakt, Europa më e qëndrueshme përputhet më mirë me ëndrrën e Rusisë për krijimin e Europës së madhe nga Lisbona në Vladivostok, ku Moska mund të luajë një rol më të rëndësishëm dhe të kontribuojë më shumë në sigurinë e Europës. Megjithatë, duket se ka mospërputhje me logjikën e Kremlinit.
Edhe pse kërkon në thelb një Europë më të fortë, më paqësore dhe më të begatë, në të njëjtën kohë nuk i pëlqen aspak integrimi dhe zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Europian, më specifikisht në Gjeorgji dhe Ukrainë, madje ka bërë çmos për të shtypur aspiratat e tyre për t’u anëtarësuar në BE. Në fakt, këto shqetësime të ekzagjeruara të Kremlinit ishin pikërisht ato që çuan pjesërisht drejt krizës së Ukrainës.
Megjithatë, përfaqësuesit e Bashkimit Europian, politikanët dhe ekspertët e ndryshëm të politikës së jashtme qartësuan gjatë diskutimeve me temën “Europa pas Brexit” se, aspiratat e Tbilisit dhe Kievit për integrimin europian kanë pak gjasa të aprovohen në mes të kësaj krize të integrimit europian.
“Tani jemi 28 vende anëtare ose më saktë, 27 e gjysmë dhe e kemi mjaft të vështirë të biem dakord gjatë gjithë kohës. Bashkimi Europian ndodhet në vështirësi edhe kështu siç është, pa shtuar vende të tjera për të ndërlikuar situatën”, thotë Lambsdorff, duke sinjalizuar qartë se për momentin, anëtarësimi në BE i Gjeorgjisë dhe Ukrainës nuk është i mundur. Po kështu, Vaclav Klaus beson se koncepti i zgjerimit të Bashkimit Europian është një lojë e humbur.
“Zgjerimi i Bashkimit Europian ka humbur, nuk ekziston më”, thotë ai. “Natyrisht disa politikanë vazhdojnë të flasin rreth të ardhmes së zgjerimit, por praktikisht është një lojë e humbur për të ardhmen e imagjinueshme dhe të parashikueshme, për mendimin tim”.
Kjo është arsyeja përse Rusia ka frikë se fqinjët e saj të afërt dhe dy republika të ish-Bashkimit Sovjetik, ku Kremlini kërkon të rikërkojë interesat kombëtare ruse, mund të bëhen një ditë anëtare të Bashkimit Europian dhe të largohen nga sfera e influencës së Rusisë, janë tërësisht të pabazuara. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të Brexit dhe impaktit që do të ketë në integrimin europian dhe pjesërisht për shkak të luftës së vazhdueshme civile në Ukrainën Lindore, që sipas shumë ekspertëve është shkaktuar pikërisht nga Moska.
Diplomati britanik, Robert Cooper thekson se edhe pse Rusia nuk e sheh veten si pjesë e konfliktit me Kievin, ajo ruan një rol tepër të rëndësishëm në luftë duke mbështetur rebelët e Donbasit. “Në krizën ukrainase, Rusia pretendon për momentin se mban postin ndërmjetësues”, thotë ai për “Russia Direct”. “Unë mendoj se ky është një këndvështrim tepër hipokrit sepse për këdo që shikon konfliktin, është e qartë se Rusia nuk është aspak një ndërmjetësuese, por është palë në konflikt”.
Kështu, siç është implikuar nga shumë ekspertë, strategjia e Moskës për ta mbajtur Ukrainën e përçarë funksionon më së miri, duke i zhdukur të gjitha mundësitë e saj për t’u integruar në Bashkimin Europian- megjithatë, ekspertët e BE-së shprehin një lloj optimizmi të matur rreth të ardhmes së marrëdhënive Rusi-BE, të paktën për të ardhmen e parashikueshme dhe preferojnë ta nënvlerësojnë impaktin e Brexit.
“Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Europian kanë qenë shumë të forta për shumë vite me radhë dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla, edhe pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar”, thotë Jorge Braga de Macedo, drejtues i Qendrës për Globalizimin dhe Qeverisjen në Universitetin NOVA të Biznesit dhe Ekonomisë në Portugali.
“Bashkimi Europian është fqinj i Rusisë. Rusia është një vend që asnjë shtet europian nuk mund ta injorojë. Nuk mendoj se Rusia është vërtet e interesuar të krijojë përçarje brenda grupit të komunitetit të Atlantikut Verior – BE, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA. Nuk është në interesin e Rusisë që të nxisë përçarje aty ku nuk kanë ekzistuar që pas Luftës së Dytë Botërore”.
Lambsdorff është dakord me homologun e tij portugez. “Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Europian duhet të ndërtohen mbi besimin, por Marrëveshja e Minskut duhet të implementohet dhe kriza e Ukrainës duhet të marrë fund në mënyrë që të normalizohet situata ndërmjet Bashkimit Europian dhe Rusisë. Në këtë situatë nuk duhet të mendojmë më se kush janë humbësit dhe kush fituesit. Duhet të mendojmë rreth interesave të përbashkëta. Mendoj se qëndruehmëria e fqinjësisë qendrore dhe lindore, qëndrueshmëria e Bashkimit Europian dhe qëndrueshmëria e Rusisë janë interesat e përbashkëta”.

“Russia Direct”

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Lufta civile në Jemen

Konteksti gjeopolitik i Lindjes së Mesme, për shkak të luftës civile në Siri dhe pranisë së ISIS-it, shfaq një fazë paqëndrueshmërie ekstreme që shikon të përfshirë, drejtpërsëdrejti dhe jo, pothuajse të gjithë vendet e zonës.
Paqëndrueshmëria amplifikohet nga konfliktet e brendshme të çdo shteti të veçantë, që marrin një natyrë rajonale prej përfshirjes së vendeve të tjera. Në mënyrë të veçantë, konkurrenca midis Arabisë Saudite dhe Iranit për hegjemoninë në zonë i ka ashpërsuar armiqësitë tashmë ekzistuese, siç provon lufta civile në Jemen, që ua shikon pjesëmarrjen në fronte të kundërta.
Paqëndrueshmëria politike dhe shtetërore e Jemenit lind nga një histori e gjatë konfliktesh, mungesës së resurseve ekonomike dhe dhune. Përpara 1990 Jemeni përbëhej nga dy shtete të veçantë: Jemeni i Veriut dhe Jemeni i Jugut. Më 1962, një grusht shteti kundër monarkisë së Jemenit të Veriut çoi në një luftë civile 8-vjeçare, që përfshiu Egjiptin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara. Jemeni i Jugut, që e siguroi pavarësinë nga Anglia më 1967, eksperimentoi edhe ai një luftë civile, të shkurtër, por jashtëzakonisht të përgjakshme më 1986. Veriu dhe Jugu u bashkuan më 1990, nën presidencën e Ali Abdullah Saleh, që do të qeveriste për 33 vjet, duke ruajtur një dorë të hekurt ndaj aparatit ushtarak, duke vendosur masa shtrënguese brutale ndaj disidentëve dhe duke pozicionuar familjarë dhe njerëz besnikë të tij në postet kyçe të qeverisë e të ushtrisë. Megjithatë, është e rëndësishme të tregohet sesi qeveria qendrore nuk ka ushtruar kurrë kontroll të plotë mbi territor, sidomos të zonave rurale si të veriut, ashtu edhe të jugut të vendit. Historikisht, shteti jemenas e ka siguruar pushtetin dhe legjitimitetin nga një rrjet i diversifikuar grupesh tribale që qeverisin në nivel lokal, më shumë sesa duke vendosur ligje në mënyrë uniforme në të gjithë vendin.
Ndarja midis Veriut dhe Jugut ka qenë fillimisht rezultati i dominimit kolonial. Në fakt, turqit dominonin Veriun dhe anglezët Jugun. Kufiri u formalizua më pas me Traktatin e  Sana’a të vitit 1934 midis qeveritarit pasosman të Veriut, Imam Yahya dhe Anglisë. Më pas, pas revolucioneve të viteve gjashtëdhjetë që përcaktuan si në Jemenin e Veriut, ashtu edhe në atë të Jugut republika të pavarura, ndarja u ruajt sidomos në zonën jugore të vendit, një Jemen i bashkuar i parë si një hap i parë drejt një uniteti më të madh arab. Megjithatë, gjatë Luftës së Ftohtë ndarja gjeografike u forcua, pasi Republika Popullore Demokratike e Jemenit ishte një aleat i qëndrueshëm sovjetik në botën arabe dhe për këtë arsye merrte resurse ekonomike nëpërmjet Traktatit të Varshavës. Kur u bë i qartë fundi i afërt i bllokut sovjetik, Jemeni i Jugut nuk hezitoi që të kërkojë dhe të sigurojë bashkimin me Veriun.
Bashkimi do të demonstrohej një gabim i rëndë politik nga ana e liderit të Jugut, Ali Salem al-Beidh: marrëveshja nuk parashikonte asnjë lloj forme vetëvendosjeje. Veç kësaj, Presidenti Saleh vazhdoi me margjinalizimin politik të rivalit, duke i cytur kundra rivalët tribalë dhe duke u përplasur ushtarakisht me Beidh më 1994, kur ky kërkoi – më kot – që të anulonte Traktatin e Bashkimit. Lufta e shkurtër civile solli pasoja shumë të rënda për pjesën jugore të vendit, pasi kryeqyteti i lashtë Aden u shkatërrua nga forcat ajrore të Saleh, institucionet lokale u shkrinë, terrenet e socializuara ju shpërndanë rrjetit klientelist që kryesohej nga Presidenti, infrastrukturat industriale pjesërisht u prishën dhe mijëra ushtarakë dhe nëpunës publikë u pushuan nga puna dhe u zëvendësuan me personel nga Veriu.
Analiza historiko–politike e Jemenit pas bashkimit nuk mund të shkëputet nga një studim i thelluar i karakteristikës më të rëndësishme të tij, multipolaritetit, që ka gjeneruar të paktën 4 qendra gravitacionale, përveç veçantive fisnore dhe rajonale. Këto qendra gravitacionale dallohen nga lëvizjet dhe nga partitë politike, duke përbërë në fakt vektorë për lokalizimin e forcave politike, sidomos në momente polarizimi politik ekstrem, si për shembull një luftë civile, që mund të bëjnë të kalojnë në plan të dytë ndarje apo aleanca ekzistuese në kohë stabiliteti më të madh, pavarësisht se kanë një aftësi ndryshueshëm më të vogël respektivisht organizatave politike.
Qendra e parë gravitacionale është e identifikueshme në islamin politik sunit, që manifestohet nëpërmjet lëvizjes së Vëllazërisë Myslimane dhe salafizmit. Në rajon sunitët, origjina e të cilëve shkon në rënien e Perandorisë Osmane, kanë pritur për shumë dekada radhën e tyre që të qeverisin; boshllëku i lënë nga fundi zyrtar i Kalifatit islamik më 1924 qe një burim frustrimi për shumë myslimanë dhe një shenjë e qartë se islami, jo vetëm si fe, por edhe si ideologji politike, duhej të ripërkufizohej. Më pas, sunitët në Jemen kanë fituar një pushtet politik më shumë se një dhjetëvjeçar. Partia Islah (Reforma), një basen përmbledhës për të moderuar dhe salafitë, ka qenë formacioni i parë politik i themeluar pas hyrjes së sistemit pluralist në vijim të bashkimit më 1990. Themeluesi i saj, lideri fisnor i fuqishëm Abdullah al-Ahmar, që e ka udhëhequr konfederatën Hashid deri në vdekjen e tij më 2007, qe një aleat i ngushtë i Presidentit Saleh, kështu që Partia Islah për më shumë se një dekadë është konsideruar si shtyllë e regjimit.
Lidershipi i partisë ka kërkuar që të ndjekë një rrugë më të moderuar, duke i apeluar në mënyrë të paekuivoke idesë së një shteti civil, duke theksuar parimet e mirëqeverisjes dhe të demokracisë. Megjithatë, është e mundur të vërehet sesi Islah nuk ka ditur të ndahet nga personalitetet më radikale brenda saj, si për shembull kleriku salafit Abdul-Majid al-Zindani, emri i të cilit figuron në listën e Kombeve të Bashkuara për personat e lidhur me Al-Qaedan. Në anën më ekstreme të spektrit politik sunit ndodhen Ansar al-Sharia (Mbështetësit e Ligjit Islamik), e lidhur me formacionin e Al-Qaedas në Gadishullin Arabik (AQAP), sidomos në jug të vendit, dhe një tjetër grup militant islamik, Jabhat al-Nosrah (Fronti i Mbështetësve të Allahut), i shfaqur në provincën veriore Saada, lidhjet e të cilit me AQAP-in nuk janë të mirëpërcaktuara.
Qendra e dytë gravitacionale përfaqësohet nga një lëvizje joislamiste, e zhvilluar sidomos në Veri të vendit, që shkon nga liberalët tek konservatorët, duke përfshirë edhe sunitë e zaiditë, përveç mbështetësve të Presidentit Saleh. Lëvizja ka gjetur shprehje formale në Asamblenë e Përgjithshme të Popullit, partia e Presidentit që ka mbajtur pushtetin politik për më shumë se 30 vjet. Kjo lëvizje është më shumë e përkufizueshme nëpërmjet asaj të cilës i kundërvihet, në fakt është kundër parimeve të sunitëve dhe të shiitëve. Përjashto refuzimin e qendrave të tjera gravitacionale, më shumë se çdo doktrinë politike, faktori mobilizues kryesor i saj ka qenë klientelizmi. Duke patur parasysh historinë pothuajse 30-vjeçare të partisë unike qeveritare, resursi më i madh i saj ka qenë aftësia për të dhënë akses në pozicione pushteti dhe pasurie.
Qendra e tretë gravitacionale është rezultat i hidhërimit dhe i zhgënjimit prej pasojave të bashkimit; një lëvizje e tillë doli në sipërfaqe më 2007, duke kërkuar të drejta civile të barabarta dhe qytetari të barabartë për të gjithë banorët e Jugut. Kërkesat pothuajse gjithmonë janë injoruar dhe shpesh janë shtypur me dhunë, pavarësisht se banorët e Jugut mëshuan për një rivendosje të shtetit përpara bashkimit. Është interesante të vërehet sesi pikërisht një parti që ishte idhtare e unitetit jemenas, Partia Socialiste e Jemenit të Jugut, ka përfaqësuar shtyllën kurrizore të lëvizjes për pavarësi, duke krijuar Lëvizjen Jugore (al Hiraak al-Ganoubi). Nga pikëpamja politike, një formacion i tillë nuk ka bazë homogjene. Në fakt, faktori kryesor bashkues është përvoja e privimit të të drejtave civile nga ana e Veriut. Veç kësaj, ajo është e copëzuar, pasi historikisht në jug të Jemenit ndeshen të paktën 4 ndarje territoriale të tjera që kanë njohur periudha trazirash dhe konfliktesh të armatosura. Si rezultat, al-Hiraak nuk ka një lidership unitar, megjithatë anëtarët e saj duken dakord me kërkesën për vetëvendosje dhe për pasojë, për rindërtimin e shtetit të pavarur të Jemenit të Jugut.
Qendra e katërt gravitacionale lind nga një lëvizje politike zaidite hashemite, e njohur më mirë si Houthi apo Ansar Allah, që i ka dhënë jetë një rebelimi të armatosur në Veri të vendit, duke shkaktuar luftën civile aktuale. Është një fenomen pastërtisht endogjen, që i ka rrënjët në historinë e lashtë të Jemenit dhe ka implikime të rëndësishme gjeopolitike rajonale. Fjala “hashemit” tregon një prejardhje të drejtpërdrejtë të profetit të islamit. Zaidizmi është një prej sekteve kryesore islamike apo madhhabs (shkolla të ligjit islamik), që dominojnë veriun e Jemenit. Zaidizmi, që i përket shekullit VIII dhe që ndiqet nga rreth gjysma e popullsisë së rrafshnaltave të Jemenit të Veriut, konsiderohet përgjithësisht si shiit, edhe pse jurisprudenca fetare është shumë e ngjashme me disa vija kryesore të sunizmit. Jemeni Verior ka qenë qeverisur nga zaiditët hashemitë për rreth 1000 vjet deri më 1962, kur nacionalizmi arab frymëzoi një revolucion republikan, ideologjikisht dhe ushtarakisht i mbështetur nga Egjipti i Gamal Abdul Nasser. Është e rëndësishme të kujtohet se familjes mbretërore, ashtu si edhe mbështetësve të saj, ju lejua që të qëndronte në vend, duke përbërë pjesë përbërëse të identitetit socio–politik të Jemenit dhe duke vazhduar që të nderohej për shkak të prejardhjes së saj të drejtpërdrejtë nga Profeti.
Deri në mesin e viteve nëntëdhjetë, zaidët kanë mbajtur një profil relativisht të ulët. Megjithatë, përhapja e një salafizmi radikal në vend ka çuar në rilindjen e një lëvizjeje politike të bazuar mbi dentitetin zaidito–hashemit. Nën presidencën e Saleh, grupet salafite janë shfaqur falë mbështetjes ekonomike të Arabisë Saudite; ky zhvillim, bashkë me korrupsionin në rritje të pranishëm në regjim, ka konkurruar me realizimin e një lëvizjeje zaidite që i kundërvihej hapur përhapjes së salafizmit dhe një aleance sekrete të hipotezuar midis Saleh, Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara. Lëvizja e ka origjinën e saj nga një fraksion brenda sektorëve rinorë të Al-Haq, një partie zaidite të formuar më 1990 për të kontestuar zgjedhjet e para legjislative të mbajtura më 1993 në Jemenin e bashkuar. Rebelimi i armatosur i Houthi ka nisur më 2004, kur ndodhën përplasjet me qeverinë jemenase për të penguar arrestimin e Hussein Badreddin al-Houthi, një udhëheqës fetar dhe politik lokal, gjithashtu edhe ish-anëtar i Parlamentit. Al-Houthi u vra gjatë luftimeve dhe ndjekësit e tij ja vunë emrin e tij grupit. Nga pikëpamja pastërtisht politike, Houthi kanë theksuar se impenjimi i tyre ishte për t’i dhënë fund diskriminimit fetar nga ana e qeverisë, që nga ana e saj i akuzonte se donin të vendosnin një version zaidit të Kalifatit sunit. Më 2009, konflikti midis Houthi dhe qeverisë u intensifikua, atëherë kur regjimi ka nisur një ofensivë të madhe ushtarake. Palët kanë arritur një armëpushim më 2010. Megjithatë, më 2011 “pranvera arabe” ka paraqitur për lëvizjen mundësinë për ta zgjeruar influencën e saj dhe siguruar një kontroll territorial më të madh. Është e rëndësishme të nënvizohet sesi gjatë konfliktit me Houthi, qeveria jemenase ka përjetuar turbulenca të konsiderueshme politike, sidomos gjatë “pranverës arabe”, që i ka dhënë fund presidencës së Saleh, i zëvendësuar nga zëvendësi i tij, Abd Rabbu Mansour Hadi.
Më 2013, si akt themelor të tranzicionit politik që e kishte sjellë në pushtet, Hadi ka krijuar Konferencën Kombëtare për Dialogun, që do të duhej të formonte një qeveri të unitetit kombëtar. Këto tentativa paqëtimi kombëtar nuk kanë ecur për shkak të ish-Presidentit Saleh, që ka ruajtur një influencë të fortë politike, përveç kontrollit të pjesës më të madhe të forcave të sigurisë dhe se është bashkuar me lëvizjen Houthi në luftën civile kundër Hadi, qeveria e të cilit është e njohur në nivel ndërkombëtar dhe kundër koalicionit të drejtuar nga Arabia Saudite. Midis 2013 dhe 2014, Houthi kanë vazhduar të përleshen me qeverinë jemenase, pavarësisht pjesëmarrjes në bisedime ndërkombëtare, të prirura për ta integruar lëvizjen në qeveri dhe në krijimin e një Kushtetute të re. Houthi kanë pushtuar kryeqytetin Sana’a në shtator të 2014, por janë tërhequr në vijim të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara që e ka detyruar Hadi të emërojë një qeveri më gjithpërfshirëse, që gjithsesi nuk ka arritur ta stabilizojë vendin, pasi në janarin e 2015 Houthi e kanë rimarrë kryeqytetin, duke e shtrënguar në arrati Presidentin dhe duke kontrolluar një pjesë të mirë të Jemenit Perëndimor.
Më 26 mars të 2015, aleati kryesor i Jemenit, Arabia Saudite, që është pjesë e një koalicioni që përfshin Bahreinin, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin, Jordaninë, Marokun, Sudanin dhe Senegalin, ka nisur një fushatë ajrore kundër rebelëve Houthi. Njëkohësisht, Arabia Saudite ka akuzuar Iranin se mbështet financiarisht dhe ushtarakisht Houthi, duke pasur parasysh përkatësinë e të dyve në shiizëm. Sipas shumë vëzhguesve, lufta civile në Jemen është transformuar në një “luftë me bedel” midis Arabisë Saudite dhe Iranit për hegjemoninë në rajon. Raporti i Riadit me Jemenin ka rrënjë të largëta dhe komplekse në të njëjtën kohë; në fakt, shumë jemenas e gjykojnë Arabinë Saudite si një shteti të veriut me një influencë të tepruar në rajon. Në të njëjtën kohë, sauditët e konsiderojnë Jemenin si një vend problematik dhe të populluar, i ndodhur pikërisht në “oborrin e shtëpisë së tyre”, që për këtë arsye kërkon vëmendje dhe maturi. Për këtë arsye, liderët sunitë kanë zbatuar një politikë frenimi dhe asistence, duke i dhënë çdo regjimi që të ishte në pushtet në Sana’a një mbështetje të mjaftueshme për të shmangur kolapsin, edhe pse një nivel i caktuar jofunksionaliteti është gjykuar e domosdoshme. Në fakt, një Jemen i fortë është parë gjithmonë si një kërcënim për sigurinë e brendshme saudite. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, një preokupim konstant i Arabisë Saudite ka qenë rënia e mundshme ekonomike e Jemenit, vendi më i varfër dhe më i populluar i Gadishullit Arabik, me fluksin pasues jo të kontrolluar të emigrantëve ekonomikë. Në prill të 2013, mbretëria saudite njoftoi një prapaktheu ndaj fluksit të punëtorëve ilegalë, në vijim të së cilit qindra mijëra jemenas u përzunë dhe ndërtimin e një muri 1500 kilometra përgjatë kufirit saudito–jemenas, projekt i finalizuar për të penguar fluksin jug–veri të emigrantëve ekonomikë, të kontrabandistëve dhe militantëve islamikë.
Në dekadat e fundit është shfaqur një kundërvënie e fortë ideologjike midis Arabisë Saudite wahabite dhe zaidëve, grup që nuk është i pranishëm vetëm në Jemenin e Veriut, por edhe në jug të mbretërisë saudite. Më parë, mbretëria saudite e kishte mbështetur imamatin zaidit, një monarki fetare, në luftën kundër nacionalistëve arabë dhe forcave tribale antiestablishment gjatë viteve gjashtëdhjetë, në një moment historik ku grupet islamiste konsideroheshin si kundrapeshë ndaj lëvizjeve laike në Gjirin Persik. Një pragmatizëm i ngjashëm ka mbizotëruar në të dyja anët, pasi fitoren e republikanëve në veri të vendit e pasoi konvertimi në islamin sunit i oficerëve ushtarakë dhe i liderë tribalë zaiditë, me qëllim që të inkurajohej patronazhi i mbretërisë saudite. Klerikë salafitë u vendosën në xhamitë tradicionale zaidite në veri të Jemenit. Një veprim i tillë ishte pjesë e përpjekjeve të ndërmarra për të minuar influencën e liderëve zaiditë, që e kishin qeveritur imamatin për 1000 vjet deri në vitet gjashtëdhjetë.
Vendimi i Saleh, i sapozgjedhur President i Jemenit të bashkuar, për të mbështetur Irakun e Saddam Hussein në pushtimin e Kuvajtit, e shtyu mbretërinë saudite që t’ia ndërpriste ndihmat shtetit të ri dhe të depërtonte rreth 1 milion punëtorë jemenas emigrantë, një lëvizje që e privoi Jemenin nga remitancat e tyre, një burim i çmuar të ardhurash për një vend të privuar nga resurset natyrore dhe nga një aparat modern industrial. Duke parë prishjen e raporteve midis dy shteteve, nuk habit fakti që më 1994 Arabia Saudite ka mbështetur lëvizjet indipendentiste jugore në tentativën e shkëputjes. Megjithatë, në vitet që pasuan Ruadi me ngadalë u pajtua me Jemenin, aq sa më 2000 të dy vendet nënshkruan një marrëveshje që kishte të bënte me çështjen komplekse të kufijve territorialë. Gjatë dekadës së parë të mijëvjecarit të ri Arabia Saudite është përqendruar në luftën kundër ekstremizmit islamik dhe Jemeni, një bazë e rëndësishme operative për militantët e Al-Qaedas, është bërë një fushëbeteje strategjike për funksionarët sauditë të antiterrorizmit. Është interesante të vërehet sesi degët saudite dhe jemenase të Al-Qaedas kanë bashkëpunuar midis tyre në fillimet e viteve 2000, përpara se të shkriheshin në formacionin Al-Qaeda në Gadishullin Arabik (AQAP) më 2009.
Për sa i përket protagonistit tjetër të kontekstit politik, Iranit, është e mundur të pohohet se, pavarësisht që përfshirja e tij në Jemen është më pak e dokumentuar, qëndrimi i tij sigurisht nuk është më pak kompleks se ai i Arabisë Saudite. Përpara revolucionit islamik të 1979, regjimi i Shahut kishte bashkëpunuar në kontakt të ngushtë me Riadin në mbështetjen e imamatit dhe kishte marrëdhënie të mira me administratën koloniale angleze, që dominoi pjesën më të madhe të Jemenit Jugor deri më 1967. Pas revolucioneve në veri e në jug të Jemenit dhe në Iran, Republika Arabe e Jemenit ruajti raporte të mira me Arabinë Saudite e me Irakun e Saddam Hussein dhe më pas mori një pozicion kundërshtimi ndaj Iranit. Në të kundërt, shteti socialist i formuar në jug të Jemenit u bë aleat i Teheranit, duke qenë të dy opozitarë të fuqishëm të kolonializmit perëndimor dhe të monarkive të Gjirit. Marrëdhëniet midis Iranit dhe Jemenit kanë mbetur të përzemërta gjatë viteve nëntëdhjetë, në një moment historik në të cilin Presidenti Saleh ishte përgjithësisht i hapur ndaj gjithë atyre lidhjeve që mund t’i rezultonin të dobishme për ruajtjen e pushtetit, duke siguruar kështu një rol kyç në skakierën gjeopolitike rajonale, duke konsoliduar kështu pozicionin e tij gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë. Sipas studiuesit të politikës së Lindjes së Mesme, Fred Halliday, politika e jashtme e Saleh konkretizohej në mobilizimin e mbështetjes së jashtme kundër forcave kundërshtare me të në brendësi të vendit.
Për sa i përket raportit midis Iranit dhe Houthi, disa vëzhgues të cilëve u është lejuar aksesi i rrallë në Komitetin Ekzekutiv që mbikëqyr aktivitetet e qeverisë së vetëshpallur Houthi në Sa’da pohojnë se duke filluar nga 2011 grupi është kujdesur që të mos e maksimalizojë retorikën e tij, duke kërkuar në fakt të transmetojë një mesazh tolerance fetare, me shpresën që të sigurojë një bazë më të gjerë mbështetëse. Në realitet, lidershipi është impenjuar të respektojë në mënyrë të ngurtë parimet revolucionare islamike të përcaktuara nga Hussein Badr al-Din al-Houthi, që nga ana e tij i nxori nga parimet revolucionare iraniane. Komunikimi politik i al-Houthi dallohej prej një pozicioni të qartë antiestablishment e antiperëndimor, karakteristikë që shkaktoi fërkime me liderët më të moderuar e më liberalë; al-Houthi kompozoi këngën Sarkha, të nxjerrë nga “Vdekje Amerikës” e revolucionit islamik në Iran: “Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit, u shofshin hebrenjtë, fitorja islamit”. Veç kësaj, eksponentë të rëndësishëm të grupit kanë aderuar në shiizëm dhe kanë vizituar Iranin për arsim fetar, duke konfirmuar në këtë mënyrë ekzistencën e një fraksioni në brendësi të lëvizjes që i referohet drejtpërsëdrejti Teheranit.
Në kontekstin kompleks gjeopolitik të Jemenit janë futur dy elementë të mëtejshëm: grupet terroriste, në veçanti AQAP-i dhe ISIS. Konflikti në zhvillim ka krijuar një boshllëk pushteti dhe sigurie të brendshme që mund të shfrytëzohen nga këto grupe terroriste për ta zgjeruar influencën e tyre. AQAP-i dhe ISIS kanë kryer atentate të përgjakshme, midis të cilëve ai kundër dy xhamive në mars të 2015 që ka vrarë 142 persona. Të dy formacionet terroriste kanë sulmuar qeverinë jemenase dhe aleatët e koalicionit të drejtuar nga Arabia Saudite; jo më pak, vijat e demarkacionit që ndajnë rreshtimet duken jashtëzakonisht të lëvizshëm, siç e demonstrojnë përplasjet ku milicitë e Al-Qaedas dhe trupave proqeveritare kanë luftuar bashkë kundër Houthi. Lufta civile në Jemen ka tipare që paralajmërojnë shpërbërjen shtetërore dhe politike të vendit, midis të cilave mungesa e një qeverie qendrore që të ketë një kontroll të plotë të territorit dhe të forcave të armatosura, praninë e lëvizjeve separatiste që kanë fituar progresivisht gjithnjë e më shumë influencë, kundërvënien e ashpër fetare dhe përfshirjen e dy fuqive rajonale, Arabisë Saudite dhe Iranit, që konkurrojnë hegjemoninë në zonë. Është e vështirë t’i parashikohen dinamikat, efektet dhe kohëzgjatja, që me siguri do të jetë shumë e gjatë, konfliktit të brendshëm në Jemen, megjithatë ai përbën një element të mëtejshëm destabilizimi në kontekstin gjeopolitik të Lindjes së Mesme, i bërë tejet i paqëndrueshëm nga zgjatja e luftës civile në Siri.
(Nga Geopoliticus)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Axhenda e paqes për Lindjen e Mesme

Abdullah Gül

Gjatë vitit 2016, konfliktet në Lindjen e Mesme u përhapën përtej çështjes së Izraelit dhe Palestinës që ka dominuar politikën rajonale për aq shumë kohë. Në vitin 2017, katër shtete kyçe – Iraku, Libia, Siria dhe Jemeni – ndodhen të zhytur secili në luftën e tij civile.
Këto konflikte janë duke ndikuar në mënyrë direkte apo indirekte me pjesën tjetër të botës, duke eksportuar terrorizëm dhe refugjatë, produkte që po prodhojnë populizëm në vendet perëndimore, nga i cili nuk ka shpëtuar pothuajse asnjë vend. Gjatë kursit të këtij viti, bota do të jetë më shumë nën presion për të zgjidhur sa më parë konfliktet e Lindjes së Mesme dhe për të frenuar përhapjen e pasojave të tmerrshme të tyre nëpër botë.
Si fillim, ringjallja e procesit të paqes ndërmjet Izraelit dhe Palestinës duhet të jetë një prioritet. Edhe pse konflikti nuk ka tërhequr kohët e fundit aq shumë vëmendje krahasuar me vitet e mëparshme, nuk do të thotë se është më pak i rëndësishëm sot sa për të lejuar pushtimin e territorit të Palestinës. Një marrëveshje e pranuar nga palët – bazuar në kushtet të qarta dhe e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar – do të garantonte më mirë sigurinë e Izraelit dhe do të normalizonte marrëdhëniet në rajon, veçanërisht me fqinjët arabë. Kjo mund të krijonte shanse të mira për bashkëpunim rajonal dhe global, duke rivendosur kredibilitetin e sistemit ndërkombëtar.
Shpresa aktuale është që administrata e presidentit Trump t’u rikthejë Shteteve të Bashkuara rolin e ndërmjetësit në procesin e paqes ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Franca nga ana e saj, ka shfaqur një interes në ringjalljen e procesit të paqes, edhe pse përballet ende me sfidat e tmerrshme të terrorizmit të Shtetit Islamik. Edhe Rusia është përpjekur kohët e fundit të ulë liderët izraelitë dhe ato palestinezë në tryezën e bisedimeve në Moskë, edhe pse ndërkohë është duke ndihmuar presidentin sirian Bashar al-Assad që të fitojë luftën civile në vend.
Këto përpjekje të vendeve të ndryshme tregojnë se komuniteti ndërkombëtar kërkon medoemos të zgjidhë konfliktin më të vjetër të Lindjes së Mesme, për t’i dhënë një dorë luftës kundër terrorizmit dhe problemeve të tjera globale që burojnë nga rajoni. Për të avancuar procesin e paqes në vitin 2017, komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet me Iniciativën Arabe të Paqes, të prezantuar nga mbreti Abdullah i Arabisë Saudite që në vitin 2002. Iniciativa është pritur edhe më parë pozitivisht nga të dy anët e konfliktit dhe është miratuar nga Liga Arabe.
Në lidhje me Irakun, Libinë, Sirinë dhe Jemenin, komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të koordinojë fushatat e përbashkëta ushtarake kundër terrorizmit në secilin shtet. Por zgjidhja e këtyre konflikteve do të kërkojë zgjidhje efektive politike. Edhe pse janë bërë shumë propozime për t’i copëtuar këto shtete, ato nuk mund të implementohen në rast se palët nuk bien dakord. Në fakt, formimi i shteteve të rinj nuk garanton se do të jetë një proces më i lehtë se mbajtja e bashkuar e atyre ekzistues.
Interlokutorët e huaj dhe ish-liderët e papërgjegjshëm të Lindjes së Mesme janë ata që kanë hapur kutinë e Pandorës në rajon, duke filluar që me luftën në Irak. Një gjë që bota duhet ta kishte mësuar nga konfliktet e mëparshme është që copëtimi në dysh i shteteve mund të sjellë pasoja të tmerrshme dhe të paparashikueshme gjeopolitike, disa fraksione të Sirisë dhe Irakut janë duke përfituar ende nga vakumi i pushtetit në këto vende dhe po ndjekin qëllimet e tyre maksimaliste që nxisin akoma më shumë revanshizmin dhe irredentizmin në rajon. Çdo marrëveshje që detyron njerëzit të dorëzojnë territoret apo burimet që i konsiderojnë pjesë të trashëgimisë së tyre kombëtare vetëm mund ta përkeqësojë situatën.
Luftërat e vazhdueshme në Irak, Libi, Siri dhe Jemen përshkruhen shpesh si konflikte sektariane ndërmjet myslimanëve shiitë dhe sunni, por faktori që është duke e nxitur luftën sektariane është mungesa e besimit që ekziston ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet këtyre dy fuqive rajonale do të kishte efekte të jashtëzakonshme pozitive për figurat e larta dhe influencuese të rajonit.
Konflikti sektarian duhet të zgjidhet përmes përpjekjeve politike të nivelit të lartë që ndjekin modelet e pajtimit. Marrëdhënia ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite është e tensionuar, por të dy vendet kanë rënë dakord në shumë çështje të ndryshme në të shkuarën dhe ka shumë shembuj historikë të bashkëjetesës paqësore ndërmjet shiitëve dhe sunnive.
Pa një përpjekje ambicioze pajtimi, luftërat civile dhe terrorizmi do të vazhdojnë të përhapin shkatërrim masiv në Lindjen e Mesme. Tregtia, industria dhe transporti janë frenuar në pjesën më të madhe të Irakut, Libisë, Sirisë dhe Jemenit, duke dëmtuar ndjeshëm ekonominë më të gjerë rajonale. Një raport i kohëve të fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar përshkruan se si konfliktet e armatosura janë duke ngadalësuar rritjen ekonomike dhe duke rritur inflacionin në rajon dhe paralajmëron se nuk ekziston një “zgjidhje magjike” për t’i dhënë fund dhunës.
Konfliktet e Lindjes së Mesme nuk janë duke shkatërruar vetëm infrastrukturën ekonomike dhe industrinë, ato po shkatërrojnë edhe sistemet e kujdesit shëndetësor, shërbimet e edukimit, vendet e trashëgimisë kulturore dhe institucionet sociale. Sipas një raporti alarmues të UNICEF-it, miliona e miliona fëmijë dhe të rinj të zhvendosur kanë mbetur të pashkolluar, duke i kthyer në të ardhmen në njerëz të papunësueshëm dhe duke shtuar një kosto ekonomike e sociale të paparashikueshme.
Çdo përpjekje e suksesshme gjatë vitit që kemi përpara për t’i dhënë fund konflikteve të Lindjes së Mesme do të duhet të shoqërohet me një projekt madhor rindërtimi – sipas modelit të Planit Marshal që rindërtoi Europën pas Luftës së Dytë Botërore – për të parandaluar rifutjen e vendeve në luftë. Reformuesit politikë në rajon duhet të vendosin principet si të drejtat e njeriut, rregullin e ligjit, transparencën dhe qeverisjen e mirë në prioritetet kryesore të axhendës së tyre rajonale. Në vitin 2017 do të jetë tepër e rëndësishme për ato vende që kanë arritur të shmangin konfliktet e armatosura, që të ruajnë stabilitetin e tyre delikat, në mënyrë që të ndihmojnë në rivendosjen e stabilitetit në të gjithë rajonin.

Abdullah Gül është ish-president i Republikës së Turqisë

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Spalletti: Nuk na tolerohen hapat fasë

Luciano Spalletti nuk toleron hapa falsë. Në prag të ndeshjes delikate kundër Sampdorias në transfertën e Genoas, trajneri i skuadrës kryeqytetase e pranon se skuadra e kolegut Giampaolo mbetet një kundërshtar shumë i rrezikshëm. “E njoh Giampaon prej shumë kohësh. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por ne po kalojmë një moment të veçantë dhe nuk duhet të lëmë pikë rrugës. Duhet të kërkojmë me çdo kusht fitoren në Marassi”.
Trajneri toskan nuk i druhet përgjumjes së skuadrës së tij, por beson se tensioni që ekipi do ta mbajë të karikuar në çdo moment. “Lojtarëve të mi u kërkoj ta shijojnë çdo ndeshje në maksimum, sepse kjo është mënyra ime e të punuarit. Është shumë e rëndësishme që skuadra të ruajë ekuilibrin në çdo ndeshje. Nuk duhet të pësojmë gola dhe besoj se kemi punuar mirë në mbrojtje gjatë ndeshjeve të fundit”, u shpreh Spaleti.
Në fund, Spalleti bën me dije se Florenzi do të rikthehet në stërvitje gjatë javës tjetër, ndërsa e pranon se Salah i mungon shumë skuadrës për shkak të aktivizimit të tij në Kupën e Afrikës me Egjiptin.
Ndërkohë, Milani ka nevojë urgjente për pikë, pasi renditja aktuale mbetet e ngjeshur dhe një tjetër hap fals do ta dëmtonte shumë skuadrën kuqezi. Grupi i drejtuar nga Montella do të luajë këtë të dielë në transfertën e Udines për të fshirë zhgënjimin e disfatës ndaj Napolit. “Pas fazës së parë kemi arritur të ndërtojmë filozofinë tonë dhe jemi më të bashkuar. Udinese është një skuadër e rrezikshme në kundërsulm dhe duhet të jemi të kthjellët për të dalë me një rezultat pozitiv”, tha Montela.
Montella beson se sezoni i Milanit fillon nga Udinese, duke kërkuar të fshijë zhgënjimin e dy sfidave të fundit. “Kamionati jonë nis këtu. Duhet të jemi perfektë në Udine, por jo domosdoshmërisht spektakolarë. Duhet të luajmë një ndeshje shumë të matur. Locatelli dhe Donarouma duhet të jenë të qetë dhe të ruajnë gjakftohtësinë”, tha ai.
Gjatë 5 javëve të fundit, Milani ka grumbulluar po kaq pikë, por Montella beson se grupi i tij është rritur shumë krahasuar me fillimin e sezonit, ndërsa në fund të konferencës për shtyp shton se, Deulofeu do të jetë një forcë e shtuar në skuadrën e tij.

Bajerni nuk ndalet

Bajern Mynih e ka filluar me një marsh tjetër vitin 2017, pasi po fiton ndeshje pas ndeshjes. Skuadra e Ançelotit mposhti sot me rezultatin 2-1 Hamburgun, për të ruajtur kryesimin e vetme në kreun e renditjes së Bundesligës. Roben dhe Alaba shënuan golat për bavarezët në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa Kruse u përpoq të rihapte gjithçka në të dytën. Por Bajerni më pas arriti të administronte më mirë mbajtjen e topit si dhe rezultatin deri në vërshëllimën përfundimtare, për të vazhduar qëndrimin në kreun e renditjes.
Bavarezët vazhdojnë të ndiqen nga Lajpcigu, i cili sot mundi 2-1 Hofenhaimin, duke i regjistruar humbjen e parë kësaj skuadre në edicionin aktual. Verner dhe Sabitzer përmbysën golin e Amirit në fillimin e takimit, duke vazhduar me një ritëm të jashtëzakonshëm në edicionin debutues në Bundesligë. Ndërkaq, Hamburgu i Mërgim Mavrajt ka regjistruar një humbje të rëndë sot, pasi u mposht nga Ingolshtad dhe mbetet në vendin e parafundit në klasifikimin e kampionatit gjerman.
Schalke 04 e ka të vështirë të regjistrojë dy fitore radhazi në Bundesligë. Skuadra e Markus Weinzierl u mposht 0-1 brenda në “Veltins Arena” nga Eintrachti i Frankfurtit, për t’iu kthyer shumë shpejt rezultateve negative.
Goli që u dha tri pikë miqve në këtë ndeshje u shënua nga Alexander Meier nga një distancë e afërt, por meritë të veçantë në këtë rast kishte Makoto Hasebe me vizionin e tij të lojës. Chupo Moting dhe Guido Burgstaller nuk i shfrytëzuan rastet e krijuara për golin e barazimit, sikurse Seferoviç 65 dhe Meier 67 dështuan ta thellonin më tej rezultatin. As katër minutat shtesë nuk i mjaftuan Schalkes për të shmangur humbjen, e cila ishte e nënta në këtë sezon të Bundesligës.
Ndërkohë, kampionati gjerman ka nisur të gjenerojë miliona dhe rekorde nga sezoni në sezon.
Bundesliga zyrtarizoi shifrat e fundit financiare, duke prezantuar një faturim rekord prej 3.24 miliardë eurosh për sezonin e kaluar. Kjo përkthehet në 24% më shumë, në krahasim me sezonin paraardhës, shumë parà dhe më tepër spektakël, ashtu siç shihet nga stadiumi me pretendimet më modeste, e deri në “Signal Iduna Park”, apo “Allianz Arena”.
Shtimi i sponsorëve nga të katër anët e globit, interesimi në rritje i mediave për transmetimet, si dhe roli aktiv në tregun e futbollistëve janë vetëm disa nga arsyet. Në një njoftim për shtyp, Federata gjermane e Futbollit (DFB) shpjegoi edhe shifrat. Për herë të parë, 13 nga 18 klubet e kategorisë më të lartë deklaruan një faturim prej 100 milionë eurosh ose më shumë, e përfitimet të paktën 206.2 milionë, që ishte klubi me më pak para. Ky është viti i 12 radhazi i rritjes së Bundesligës, jo vetëm në nivel ekonomik. Përfitimet nga televizionet u shtuan me thuajse 200 milionë, ndërsa një “boom” të madh pati publiciteti, nga 100 në 772 milionë euro.

Atletiko Madrid dhe PSG, kalendar ferri për Barçën

Do të jetë Lionel Mesi kundër Antoine Griezmann, kryeqyteti kundër provincës që kërkon shkëputjen nga mbretëria spanjolle, por mbi të gjitha Atletico Madrid kundër Barcelonës. Kupa e Mbretit i ka rezervuar një short të vështirë pretendentëve për trofeun që shpresonin të luanin mes tyre të paktën në finale dhe jo në sfidën që pret pikërisht biletën për ndeshjen e fundit.
Atletico do të presë Barcelonën në 1 shkurt dhe më pas një javë më vonë do të udhëtojë në “Camp Nou” për të çertifikuar ekipin e parë që do të shkojë në finale. Katalanasit e kanë fituar trofeun plot 28 herë, një shifër rekord e pasuruar në dy sezonet e fundit nën drejtimin e Luis Enrique-s. Si për ironi të fatit, dy ekipe që as nuk priteshin në gjysmëfinale, Celta Vigo dhe Alaves do ta kenë mes tyre diskutimin për të shkuar në finale.
Shkurti është muaji më i shkurtër i vitit, por për formacionin blaugrana rezervon një kalendar ferri të ngjeshur. Plot tre ndeshje skuadra katalanase do t’i ketë vetëm me Atletico Madridin, dy në kuadër të kupës, një në La Liga.
Përballje e vështirë do të jetë edhe ndeshja me PSG-në në Champions League, ndërsa e lehtë nuk do të jetë as ndeshja me Bilbaon. Barça do të udhëtojë edhe në fushën e Alaves, skuadër që e mposhti këtë edicion në “Camp Nou”. Ndeshjet me Gijon dhe Leganes llogariten si më të lehtat.

Arsenali kthen vëmendjen nga Reus

Lajme të reja nga merkatoja e Arsenalit. Mediat angleze, ekzaktësisht “The Independent” shkruan se “Topçinjtë” kanë rikthyer vëmendjen nga një pëlqim i vjetër për trajnerin Wenger. Bëhet fjalë për sulmuesin e Borussia Dortmund, Marco Reus. 27-vjeçari i verdhezinjve është objektiv i klubit londinez prej kohësh, por kanë hasur në rezistencën e gjermanëve. Reus konsiderohet nga Arsenali si zëvendësuesi ideal i Alexis Sanchez, i cili ende nuk po rinovon kontratën. Një tjetër alternativë është edhe Alvaro Morata i Realit të Madridit.

Walter Montoya firmos me Sevillan

Walter Montoya përfundon aventurën e tij me Rosario Central. 23-vjeçari është lojtari më i ri i Sevillas, pasi palët kanë gjetur akordin për transferimin e argjentinasit në “Ramon Sanchez Pizjuan”. Montoya do të jetë i lidhur me klubin nga Andaluzia deri në qershor të vitit 2021, pasi firmosi kontratë për 4 vjet e gjysmë. Montoya është mesfushor, i cili zakonisht luan në krahun e djathtë, ndërsa me ekipin e Rosario Central është aktivizuar në 67 ndeshje ku ka realizuar edhe 7 gola.

Pato drejt Kinës

Nuk do të jetë në Itali e ardhmja e Alexandre Pato. Braziliani është drejt largimit nga Villarreal, pasi te spanjollët nuk janë të kënaqur me rendimentin e tij. Kohët e fundit ishte përfolur për një kthim te sulmuesit në Seria A, me disa klube italiane që kanë shfaqur interes për të. Megjithatë sipas lajmeve më të fundit, Pato pritet të transferohet në Kampionatin kinez të Tianjin Quanjian, me ekipin e Fabio Cannavaro, që ka bërë një ofertë të rëndësishme në drejtim të tij.

Verratti mbetet i PSG

Në të ardhmen e Marco Verrattit është vetëm Paris Saint-Germain. Lajmin e përsëriti edhe një herë agjenti i italianit, Donato Di Campli, i cili pohoi se pavarësisht ofertave të shumta në drejtim të lojtarit, Verratti do të qendrojë në “Parc des Princes”. Përfaqësuesi i mesfushorit sqaroi se 24-vjeçari ka edhe disa vite kontratë me parizienët dhe mbi të gjitha është i lumtur në Paris. Di Campli shtoi se Verratti ka dhe mbështetjen e tifozëve dhe nuk ka asnjë arsye përse të largohet nga Kampionët e Francës.