33.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Pastore drejt largimit nga PSG

E ardhmja e Javier Pastores duket se do të jetë larg Paris Saint-Germain. Mesfushori argjentinas po vlerëson largimin nga kampionët në fuqi të Francës pas gjashtë sezonesh në kryeqytetin Paris. Bashkëjetesa me Unay Emeri është në kufijtë e të pamundurës, pasi trajneri spanjoll nuk e ka në qendër të projektit të tij fantazistin 27-vjeçar, që kthehet sërish në objektiv i Juventusit në Serinë A.
Ish-futbollisti i Palermos, i transferuar te Parisi në 2011 për 42 milionë euro, ka të qartë se hapësirat e tij pas mbërritjes në “Parc des Princes” të Ben Arfa, Draxler, Guede dhe Lo Celso do të jenë minimale, ndaj duhet të vlerësojë ofertat e klubeve të mëdha europiane.
Edhe Pastoren sikurse shumë futbollistë të tjerë të nivelit të lartë në futbollin europian është kontaktuar nga disa klube kineze, që i kanë bërë madje edhe disa oferta mjaft interesante në aspektin financiar. Pa i mbushur ende 28 vjeç, argjentinasi dëshiron të luajë në Europë, ndaj sipas mediave italiane te Juventusi po studiojnë mundësinë për ta transferuar në Torino.

Ja përse Liverpool na përmbysi

Marcos Evangelista de Moraes, i njohur ndryshe si Cafu, ka luajtur me AC Milan nga viti 2003 deri në vitin 2008 dhe fitoi gjithçka të mundshme me ekipin kuqezi. Në këtë intervistë, të dhënë për “Four Four Two”, ish-mbrojtësi kuqezi dhe i Brazilit ka dhënë disa detaje interesante, mes të cilave festën në pushim të finales së humbur kundër Liverpool, pavarësisht se pjesa e parë u mbyll 3-0 për Milan. Cafu flet për “dramën” e Stambollit në vitin 2005.
– Në “San Siro” zgjatët edhe karrierën…
Prisja të luaja disa vite në nivele të larta, por nuk e kisha imagjinuar se për pesë sezone do të kisha qenë titullar i Milan. Që kur erdha thanë se do të luaja vetëm 10 ndeshje në vit te një ekip që sapo kishte fituar Champions League. Por që gjatë fazës përgatitore ishte “raketë”. Nuk kisha shkuar te Milan për të bërë shëtitje, sepse nëse do të doja të ulja ritmin e punës do të kisha shkuar në Japoni. Në tri vite e gjysmë radhazi që punova me Ancelotti, po të kisha kërkuar pushim përgjigjja do të ishte: “Joooo, Marcooooo”.
– Thuhet se futbollistët e Milan festuan në pushimin e pjesës së parë të finales kundër Liverpool në Champions League, kur po kryesonin 3-0…
Po është e vërtetë. Kishim luajtur një pjesë të parë perfekte dhe kishim shënuar tri gola ndaj Liverpool, që ka qenë kundërshtari më i përgatitur taktikisht me të cilin jam përballur në karrierën time. Mendonim se ishte dita jonë dhe u relaksuam. Kur ata shënuan dy gola, e pësuam goditje. Kur e pashë topin në rrjetë për herë të tretë nuk po i besoja syve. Nuk ishte vetëm faji jonë, sepse faktikisht edhe Liverpool e meritoi përmbysjen. Unë i admiroj sepse kurrë një ekip nuk mund të ngrihej në këmbë si ata. Shija e humbjes u ndje para penalltive, u ndje kur Dudek bëri një pritje vendimtare ndaj Shevës, në kohën shtesë.
– Atëherë, sa e rëndësishme ishte hakmarrje kundër tyre në finalen e vitit 2007 në Athinë?
Nuk luajtëm duke menduar për hakmarrjes, aspak. Milan ishte një ekip me shumë përvojë. Unë isha 36 vjeç, Maldini ishte 38 vjeç, Costasurta 41 vjeç dhe Serginho 35 vjeç. E dinim që ishte mundësia e fundit në jetën tonë për të fituar atë trofe, por ishim shumë të qetë. Jo shumë ekipe mund të luajnë me qetësinë që pati Milani ynë në finalen e 2007-s. Në momentin që Inzaghi shënoi golin e parë e kuptuam se do ta fitonim ndeshjen. Dy vjet më parë, ai gol nuk do të kishte hyrë kurrë.

4 ndeshje dënim

Federata angleze e Futbollit vepron me dorë të hekurt ndaj Arsene Wenger, i cili u bë protagonist në sfidën kundër Burnley, duke përdorur madje edhe duart ndaj arbitrit të katërt të ndeshjes. 4 ndeshje pezullim u dënua trajneri francez i “Topçinjve” që protestoi gjatë pas atij 11 metërshi të dhënë në favor të Burnley, madje ai nuk u ndal me gjestet jo etike edhe në hyrje të tunelit duke kundërshtuar gjyqtarin e katërt Anthony Taylor, i cili i kërkoi me këmbëngulje të largohej. 67-vjeçari akuzohet për abuzim verbal dhe shtyrje ndaj arbitrit. Sipas të gjitha gjasave, Wenger do të rikthehet në pankinë në datën 11 shkurt për ndeshjen e kampionatit kundër Hull City.
Edhe pse në përfundim të ndeshjes kundër Burnley ai kërkoi falje duke theksuar se nuk duhej ta kishte kryer atë gjest, Federata nuk e ka marrë aspak parasysh reflektimin e 67-vjeçarit, i cili kërkon të rikthehet te titulli kampion gjatë këtij sezoni. “Nuk ishte një gjest i shtyrë nga instinktet dashakeqe, por unë në asnjë mënyrë nuk duhet ta bëja një gjë të tillë. Ishte një moment shumë i keq për mua”, theksoi Wenger që tashmë duhet ta drejtojë skuadrën nga shkallët e stadiumit në 4 ndeshjet e ardhshme.
Ndërkohë, Manchester City e pranon zyrtarisht se Federata e Futbollit ka nisur një hetim për çështjen e dopingut, pasi zyrtarët e klubit kanë devijuar disa herë testet duke modifikuar oraret dhe vendet e stërvitjes. Klubet janë të detyruara të japin detaje për orarin dhe vendin e seancave stërvitore, por City nuk e ka bërë një gjë të tillë në të paktën tri raste dhe tashmë rrezikon të përballet me një vendim shembullor. Në fakt, akuzat në drejtim të Citizens nuk janë surprizë sepse këtu bëhet fjalë për një klub të madh dhe në këtë rast edhe vëmendja e autoriteteve është më e madhe.
Gjithsesi, lajmi i mirë për tifozët e Manchester City është se nuk bëhet fjalë për emra konkretë lojtarësh, por për devijim përgjegjësie nga ana e klubit. Nuk dihet ende nëse Manchester City rrezikon të përballet me masa ndëshkimore si klub apo si skuadër, por e sigurt është që dënimi në këtë rast pritet të jetë shumë i rëndë, pasi bëhet fjalë për rast të përsëritur dhe në rastin e Manchester City kjo mund të rëndojë shumë, pasi skuadra momentalisht po kalon një situatë jo shumë pozitive në kampionat ku ka rrëshkitur deri në vendin e pestë duke dalë nga zona Champions.

Arrihet akordi, Dybala te Juvja deri në vitin 2021

Mungon ende firma, por marrëveshja për rinovimin e kontratës së Paulo Dybala me Juventusin tashmë është arritur. Në takimin e zhvilluar mes drejtorit të Përgjithshëm të bardhezinjve, Beppe Marota dhe përfaqësuesit të argjentinasit mirëkuptimi ka qenë i plotë. Oferta e Juves është 5 milionë euro në sezon, plus 1 milion, por me rritje graduale që do ta lejojë 23-vjeçarin të ketë një pagë të përafërt me Gonzalo Higuain, që aktualisht përfiton 7.5 milionë euro në sezon. Mbeten për t’u përcaktuar vetëm bonuset, para se marrëveshja të zyrtarizohet.
Kontrata e re do të ketë një kohëzgjatje deri në vitin 2021, madje përsa u përket termave ekonomikë është edhe më e mirë se kontrata e fundit e nënshkruar nga Pogba në vitin 2014-të.
Një detaj ky mjaft i rëndësishëm për xhevahirin bardhezi, të cilin Juventusi ka vendosur ta trajtojë si një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës, për të larguar sirenat spanjolle.
Zyrtarizimi është çështje e ditës, madje drejtuesit e Juventusit besojnë se gjithçka do të mbyllet që javën e ardhshme. Për pagën dakordësia është totale, mbeten për t’u përcaktuar vetëm detajet e fundit për bonuset. Pengesat janë të gjitha të kapërcyeshme, për të blinduar Dybala mungon vetëm firma.

Zhoao Mario: Dua Ronaldon te Interi

MILAN, ITALY - AUGUST 28: Joao Mario of FC Internazionale prior to the Serie A match between FC Internazionale and US Citta di Palermo at Stadio Giuseppe Meazza on August 28, 2016 in Milan, Italy. (Photo by Claudio Villa - Inter/Inter via Getty Images)

Zhoao Mario është lojtari i momentit tek Interi, pasi në katër takimet e fundit ka dhënë kontributin e vet, duke shënuar një gol e dhuruar tri asiste. Mbase për këtë arsye i është dhënë privilegji që të jetë i ftuari i radhës në emisionin “Caffé doppio” të “Inter Channel”-it.
Gjatë bashkëbisedimit me prezantuesin, portugezi tregoi gjithçka rreth jetës së tij private dhe pranoi se bënte “propagandë” për Interin tek as më shumë e as më pak… Kristiano Ronaldo.
– Të pëlqen kafeja?
Po, shumë. Pi rreth tri deri në katër herë në ditë. Sapo zgjohem, pas drekës dhe pasdite.
– A e di sa shumë të duan tifozët?
Tifozët e Interit kanë pëlqyer mënyrën si luaj unë futboll, pasi si person nuk më njohin shumë. Më bëhet qejfi që kam krijuar opinion pozitiv mes tyre dhe dua të shtoj se ne futbollistët nuk duhet të jemi vetëm lojtarë të mirë, por edhe njerëz të mirë.
– Luis Figo është njëri prej portugezëve që ka veshur ngjyrat zikaltër. Kush të ka frymëzuar të bëheshe pjesë e këtij sporti?
Asnjë futbollist portugez nuk më ka frymëzuar, prandaj them se më ka motivuar shumë që të merrja këtë rrugë Zidani. Ka qenë lojtari i parë që më ka bërë përshtypje teksa e shikoja në aksion.
– Cili prej kampionateve europiane ndiqet më shumë në Portugali?
Në vendlindjen time ndjekin Serinë A, Premier Ligën dhe La Ligën, pa harruar edhe Bundesligën.
– Ti je një lojtar atipik, pasi je i fortë si fizikisht dhe teknikisht…
Mendoj se këto cilësi që kam do të më ndihmojnë në Itali. Seria A është një kampionat shumë fizik dhe të duhet gjithmonë shumë në këtë aspekt që të mbijetosh. Unë jam prej atyre që u pëlqen kontakti në duele. Duke qenë se shembujt e mia janë Zidan dhe Rui Kosta, atëherë kam provuar të jem edhe elegant.
– Sa vonohesh në mëngjes për të zgjedhur ato çfarë do të veshësh?
Nuk vonohem shumë. Në këtë drejtim them se tek Interi rekordin e mban D’Ambrozio, pasi ai i kushton rëndësi veshjes.
– Na trego pak më shumë si nisi “dashuria” me futbollin?
Kam lindur në Porto dhe atje nisa hapat e para, më pas u transferova te Sportingu, ku qëndrova për 12 vite.
– Ke vëllezër?
Kam dy dhe jemi të tre futbollistë. Janë më të zotë se unë (qesh). Njëri luan për Sporting Bragën, ndërsa tjetri aktivizohet me një ekip të Lisbonës të futbollit në sallë.
– Jeni një familje sportistësh pra…
Babai im ka luajtur futboll, por jo në nivele të larta, e njëjta gjë vlen edhe për xhaxhanë.
– Dimë se të pëlqen të luash ping-pong…
E vërtetë, por s’e di nëse jam më i zoti se Medeli, pasi s’kam luajtur kurrë kundër tij.
– Si e përjetove triumfin me Portugalinë në Europian?
Ishte diçka e papërshkrueshme, një eksperiencë unike. Kur isha i vogël, ëndërroja të fitoja diçka të madhe me Portugalinë. Kemi një përfaqësuese me shumë kualitete. Ikona është Ronaldo.
– Kur do të transferohet tek Interi?
I flas shpeshherë për Interin, po përpiqem ta bind (qesh).

Nis lufta brenda koalicionit qeveritar

Nga:  Frrok ÇUPI

Nuk po e përdorim figurshëm fjalën “luftë”. mes LSI dhe PS që janë dy aleate në koalicionin qeveritar ka nisur lufta e vërtetë; me mjetet bashkakohore të luftës. Akti më i fundit është thirrja publike që ka bërë Petrit Vasili- deputet dhe kryetar i Grupit Parlamentar të LSI. Ai sot ka mbledhur grupin parlamentar në një agjendë urgjente, me temën: Kujdes nga rreziku që kanoset nga Partia Socialiste.
Më konkretisht, Petrit Vasili iu ka bërë thirrje deputetvë të LSI: “Kujdes makinat! Partia Socialiste mund t’ju fusë në makinë o drogë o armë!”. Zoti Vasili tha se informacioni vjen nga agjencit% e huaja të shërbimeve sekrete. Armë dhe drogë mund të futen nga policia në makinat dhe ambientet e zyrtarëve të lartë të LSI.
Thirrja që bën kryetari i grupit parlamentar i LSI sjell parasysh një luftë të tipit mafioz, kur njëra palë do të dërgojë në qeli palën tjetër. Fjalët e thëna deri së fundi se “do të burgoset kryetari i LSI” me sa duket kishin përgatitur luftën “e qelive” mes dy anëtarëve të koalicionit qeveritar.
Por nga ana tjetër, LSI, duke qenë e lidhur ngsuhtë me Partinë Socialiste (si motër), i njeh veset e saj, atjtikat e saj dhe mjetet e saj të luftës. LSI duket se është e vetëdijshme për aktet dhe mjetet mafioze që posedon Partia Socialiste ose e thënë më shkurt, qeveria.
Frika e shprehur nga LSI ngjall frikë për qytetarët e zakonshëm. Mendoni si mund të mbrohet një qytetar i zakonshëm nga një parti në pushtet, e cila ka batalione mafiozësh dhe kriminelësh që mbajnë në duar drogë e armë kundër kujtdo që nuk i pëlqen.
Dje kryetari i LSI i kërkoi presidentit të republikës një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me agjendë “pse nuk kapet trafikanti Klement Balili”. Por me sa duket spektri i Sigurisë  Kombëtare do të shtrihet më tej, deri në proteksionin politik e qytetar nga mjetet luftarake të fshehta të Partisë Socialiste, dmth., të qeverisë.
Marrëdhëniet e dy aleatëve janë tronditur ditët e fundit. Sot paradite ministri i mjedisit, Lefter Koka (i LSI) njoftoi se segmente qeverisës janë të lidhur me krimin; se rreziku “vjen nga Partia Socialiste”. Ai tha se në Durrës është krijuar një bërthamë e mafies nga zyrtarët Socialistë.
Njoftimi i fundit i LSI përmes zotit Petrit Vasili është tronditës për sigurinë dhe paqen në vend. Lufta, nga një rrezik potencial në Veri të Mitrovicës, kthehet në një rrezik të afërt brenda koalicionit qeveritar dhe nga qeveriaa te qyyetarët.

Rama, peng i Balilit, Nishani thërret Këshillin e Sigurisë

Shqetësimi i Shteteve të Bashkuara për mos arrestimin e atij që konsiderohet si Eksobari i Ballkanit, Klemend Balili si dhe rreziku që ekziston nga mos veprimi i agjencive ligjzbatuese në drejtim të goditjes së krimit të organizuar kanë detyruar Presidentin e vendit që t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së bërë nga Kryetari i Kuvendit për të thërritur një mbledhje të Këshillit të Sigurimit ku do të diskutohet pikërisht për problematikën e baronit të drogës që bredh ende i lirë rrugëve të Shqipërisë.
Presidenca ka evidentuar tre arsye se përse kërkesa e kryeparlamentarit Meta vlerësohet si serioze. Presidenca thotë se Balili paraqet një rrezikshmëri të lartë shoqërore. Presidenca parashtron një shqetësim tashmë zyrtar nga Shtetet e Bashkuara përmos arrestimin e Balilit dhe ky shqetësim tashmë po artikulohet me zë të lartë në drejtim të organve ligjzbatuese të vendit.
Një arsye tjetër që ka çuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është mos goditja e krimit të organizuar, ndërsa bazat e tij kontrollohen nga njerëz të politikës dhe të shtetit.

Tre arsyet e thirrjes së Këshillit të Sigurisë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar (KSK) i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për thirrjen në një kohë sa më të shpejtë të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, për çështjen “Balili”.
Kjo kërkesë vlerësohet serioze, pasi ajo paraqitet nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, si dhe për shkak të problematikave që parashtrohen, të cilat kanë të bëjnë me:
– Rrezikshmërinë e lartë shoqërore të shtetasit Klemend Balili, përcjellë nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare.
– Shqetësimin e partnerëve tanë të SHBA dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve tona përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas.
– Si dhe rrezikut që ekziston, tashmë, nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo dhe bazave të tyre që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit.
Për këto arsye Presidenti i Republikës në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Këshillit me qëllim dëgjimin e të gjitha argumenteve të parashtruara në kërkesë, si dhe duke i analizuar dhe duke këshilluar me të gjithë anëtarët e Këshillit. Për datën dhe orën e mbajtjes së mbledhjes do të njoftoheni në ditët në vazhdim.

Vasili – Tahirit: Arrestimin e Balilit e kërkon SHBA

Numri dy i LSI-së, Petrit Vasili ka folur ditën e djeshme për kërkesën drejtuar Presidentit Bujar Nishani nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, në të cilën kërkohet mbledhja e Këshillin Kombëtar të Sigurisë për çështjen e Klemend Balilit.
I pyetur për deklaratat e bëra dje nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, Vasili ka thënë se nuk do të bëjë koment, por do ja lejë publikut gjykimin.
Vasili ka sqaruar se kërkesa e Metës vjen menjëherë pas takimeve të bëra në SHBA, në të cilat është kërkuar ndalimi i Klement Balilit. “Se cilat janë reagimet në lidhje me kërkesën e kreut të Kuvendit, nuk besoj se është e nevojshme të bëj komente, po ja lë publikut të gjykojë këto komente dhe pse bëhen. Gjatë vizitës në SHBA, isha i pranishëm në një takim të zotit Meta me ndihmëssekretarin e Shtetit, ambasadorin Ëilliam Broënfield që shprehu vlerësimin për bashkëpunimin në reformën në drejtësi. I vetmi shqetësim që ambasadori Broënfield ngriti në këtë takim ishte mosndalimi i Klemend Balilit dhe ambasadori i kërkoi zotit Meta të nxiste autoritetet shqiptare për të bërë gjithçka”, deklaroi Vasili.

Vasili-deputetëve: Policia do t’u vendosë drogë në makina

Sipas burimeve të Syri.net, kreu i Grupit parlamentar dhe zv/kryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka mbledhur para dy muajsh në një mbledhje deputetët dhe kryebashkiakët e LSI-së, duke i njoftuar që të kenë kujdes nga policia, pasi mund të ju vendosnin drogë në makinë. Gjithashtu sipas Syri.net se deputetët e LSI-së janë në shënjestër dhe se policia do t’i inkriminojë edhe si transportues droge.

Arben SHAHINI

Manjani për drogën: Po rrezikon sigurinë kombëtare

-Kush ua kërkoi mendimin kur thatë që na duhet ushtria për të luftuar hashashin?
Mendimi im është i njëjtë, duhet të shkulim hashashin nga toka dhe koka e shqiptarit.
-Vërtet besoni që është kaq serioz?

Është shumë serioz dhe për të shkuar partizan në mal tek hashashi, çmimi luhatet nga 20 mijë deri në 40 mijë lekë. Pra, njerëz që i shihnim rregullisht, këto kohë kanë preferuar të dalin partizanë e të bëjnë këtë punë të paligjshme. Fenomeni ekziston dhe ekziston në mënyra të frikshme. Shqipëria po jep një imazh gjithnjë e më shumë që po kultivon hashash.
-Po kanabizohet?
Padyshim.

-Atëherë çfarë ndodhi, sepse kjo qeveri mbylli Lazaratin. Çfarë shkoi gabim? Në qeveri nuk diskutohet fare hashashi?
Në praninë time nuk është diskutuar asnjëherë. Dje u fol për një strategji për të luftuar hashashin me urdhër të kryeministrit. Dje kemi diskutuar më shumë.

-Mendoni që qeveria po e merr me vonesë seriozisht këtë çështje?
Ka një konsensus të përgjithshëm që fenomeni është përhapur dhe kjo është pozitive.

-Dmth e pranon edhe kryeministri këtë?
Projektdokumenti niste me këto fjalë dhe u gëzova që të paktën e pranojmë fenomenin.

-Ndani shqetësimin e opozitës se paratë e drogës mund të përdoren për blerjen e votës?
Sa më shpejt të heqim këtë fenomen nga kokat tona aq më mirë do të jetë, sa më vonë aq më keq do të jetë. Lëvizin shuma marramendëse parash, ku nuk do të jetë më askush i zoti që ta bëjë këtë luftë pastaj proporcionale. Ne duhet ta ndalim me çdo kusht, me ushtri, xhandarmëri e të tjera. Unë jam për rikthimin e xhandarmërisë për të kontrolluar territorin.

-Po thoni që droga është fenomen kërcënues për sigurinë kombëtare?
Absolutisht që po! Situata, nëse ne nuk ndërhyjmë, siguria është shumë herë më e rrezikuar se gjithë fenomenet.