32.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Shkarkohet numri 2 i Doganave, Qibini njeriu i besuar i Tahirit

Vetëm pak muaj para zgjedhjeve, kryeministri Rama ka larguar nga detyra zv/drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Qibini. Ai u emërua në këtë post një vit më parë, si pjesë e marrëveshjes mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave. Qibini është pushuar nga kjo detyrë dhe është emëruar sërish në një tjetër detyrë të rëndësishme në Policinë e Shtetit. Kështu, pas largimit nga doganat, Qibini është emëruar menjëherë drejtor i Kufirit në Policinë e Qarkut të Vlorës.
Qibini është i dyti zyrtar me lidhje të forta me Tahirin që distancohet nga nomenklatura qeveritare e Financave dhe Ekonomisë. Pak javë më parë, dha “dorëheqjen e detyruar” edhe zv/ministrja e Ekonomisë, Briseida Shehaj, një tjetër zyrtare e afërt e Tahirit. Më herët, Shehaj kishte drejtuar Drejtorinë e Tatimeve, por u largua nga ai pozicion prej ministrit Arben Ahmetaj, ky i fundit më pas spastroi dhe njerëzit e Shehajt në Tatime.

Lidhjet e Qibinit me çiftin Tahiri-Shullazi

Besmir Qibini konsiderohet si një njeri tepër i afërt i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjatë kohës që punoi si zv/drejtor i Doganave, Qibini ishte përgjegjës për të gjithë strukturën e anti-kontrabandës në dogana. Emërimi i Qibinit para një viti si numri 2 i doganave u kundërshtua nga opozita, e cila e etiketoi si një nga sejmenët e çiftit Tahiri-Shullazi, me lidhje të forta me këtë klan kriminal në aksin Tiranë-Durrës. “Besmir Qibini, i larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës/ tashmë ka në dorë jo vetëm kontrabandën/ por edhe anti-kontrabandën dhe hetimin doganor. Shkurt, krimi ka çdo lehtësi për aktivitetet e veta të paligjshme, për trafikun e drogës dhe të armëve”, thuhej në reagimin e PD pas emërimit të Qibinit zv/drejtor i Doganave.
Pak ditë, pasi kishte filluar punë si zv/drejtor i Doganave, Qibini u akuzua nga opozita për lidhjet e tij me Shullazin. “Duke caktuar si zv/drejtor të Përgjithshëm të Doganave, këtë lidhje të fortë të çiftit Tahiri-Shullazi dhe bandës që kontrollon Tiranën dhe Durrësin, krimi ka siguruar përfundimisht traun e Doganës për aktivitetet e veta. Nuk është rastësi që para disa ditësh u raportua se, Emiliano Shullazi u fut nga PKK Durrës me një mjet të blinduar, i cili as nuk u ndalua dhe as nuk u kontrollua në doganë. Ky inkriminim i strukturave shtetërore nga Edi Rama ka sjellë fuziqimin e bandave dhe trafikantëve dhe dobësimin e shtetit. Qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre për të larguar sundimin e krimit, dhe për tia kthyer doganat dhe policinë interesit publik, interesave të vendit”, thuhej në një deklaratë të PD.

Qibini i dha pistoletën e tij Çiços

Besmir Qibini është akuzuar se i kishte dhënë pistoletën e tij Elton Çiços, i cili u vra vitin e kaluar në një lokal tek ish-Blloku në Tiranë. Pas vrasjes së Çiços në lokal, pistoleta e tij u fsheh nga oficeri i policisë, Alban Trimi, i cili ndodhej në tavolinë me Çiçon. Kjo skenë është zbuluar nga pamjet filmike të kamerave të sekuestruara nga Prokuroria.
Ky skandal u publikua nga ish-kryeministri Berisha në “Facebook”, pas një mesazhi të dërguar nga një qytetar. Në mesazhin e publikuar nga Berisha thuhej se, Alban Trimi, oficeri i Policisë e fshehu armën e Çiços, duke mbrojtur Qibinin.
“Përshëndetje zoti Berisha, në lidhje me ngjarjet e fundit kriminale dhe konkretisht në lidhje me vrasjen në zonën e “ish-Bllokut” dua tju informoj se trimat e Saje qorrit, Besmir Qibini, duke e pasur shok klase Alban Trimin, ndërhyn, duke e emëruar shef të Antidrogës për rrethin e Tiranës për të bërë të mundur lëvizjen e lirë të trafikut të drogës së shokut të tyre të partisë, Mili. Por meqë skandalet kanë dalë sheshit e transferojnë Alban Trimin në Komisariatin e Kukësit.
Nuk e kanë lënë për shumë kohë dhe e kanë sjellë përsëri në Tiranë me detyrën e Shefit të Krimeve për të vazhduar aktivitetin kriminal të drogës, por kësaj radhe me Elton Çiçon, kushëriri i parë i Tërmet Peçit (djalë daje). Pra, arrestimi i Alban Trimit është bërë sepse fshehu provat, fshehu pistoletën e viktimës, sepse pistoleta ishte e Besmir Qibinit dhe ja kishte lënë Eltonit për vetmbrojtje, dhe këto janë bërë të gjitha me urdhër të Saje Qorrit”, shkruante qytetari.

R.POLISI

Analiza e Bashkisë Kamëz për 2016, Mziu: Angazhim maksimal në shërbim të qytetarëve

Bashkia Kamëz ka bërë analizën e punës së saj për vitin 2016. Kryebashkiaku Xhelal Mziu ka kaluar në filtrin e analizës punën e stafit, duke bërë një ekzaminim të punës së gjithsecilit nga vartësit bazuar mbi detyrat funksionale dhe ato të ngarkuara nga titullari. Një nga drejtoritë që ka marrë vlerësimin për punën e kryer nga kryebashkiaku Mziu është Drejtoria e Financës dhe Kontabilitetit. Analiza e punës njëvjeçare nxori në pah arritjet e kësaj drejtorie. Kryebashkiaku Xhelal Mziu, pasi vlerësoi stafin e kësaj drejtorie për punën e bërë, kërkoi që sikurse vitin e kaluar të ketë përqendrim për mirëmenaxhimin e financave të Bashkisë.
Në analizën e Drejtorisë së Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit dhe Investimeve Publike e Rrugëve, kryebashkiaku Mziu vlerësoi punën e bërë. Mziu theksoi se duhet bërë azhornimi i dy planeve urbanistike, Kamëz e Paskuqan, duke ndërmarrë hapa konkretë për të shkuar drejt unifikimit të tyre në një të vetëm.
Në analizën e Drejtorisë së Koordinimit, Zhvillimit të Projekteve, kryebashkiaku Mziu vlerësoi punën e bërë në vitin 2016. Edhe pse në një censurë nga ana qeveria, Drejtoria e Koordinimit shfrytëzoi çdo mundësi për të përfituar projekte me peshë për Bashkinë dhe impakt për qytetarët e Kamzës. Kjo drejtori ka kryer një veprimtari të gjithanshme dhe intensive.
Në analizën e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, z.Mziu i ka përgëzuar punonjësit e kësaj drejtorie për rezultatet. Për vitin 2016, krahasuar me planin e 2015-ës në vlerë absolute planifikimi i fillimvitit është rritur me 32% më shumë se viti paraardhës. Në 2016, ka pasur rritje të numrit të bizneseve në territorin e Bashkisë Kamzës.
Kryebashkiaku Xhelal Mziu vlerësoi me nota pozitive edhe punën e bërë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Dekorit, Strehimit, Emergjencave Civile dhe Krizave. Janë bërë hapa para krahasuar me vitet e mëparshme në punën e kësaj drejtorie për vitin 2016.
Në analizën e punës së Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve për vitin 2016 kryebashkiaku Mziu vlerësoi se është bërë një punë e kënaqshme. Gjatë vitit 2016, nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve është punuar në disa drejtime, siç është zgjerimi i zonave të mbulimit me ujë në Kamëz e Paskuqan; lufta ndaj informalitetit bashkëpunim i ngushtë me kompaninë KfË, e cila po shtron rrjetin e furnizimit me ujë në Kamzës; plotësimi dhe saktësimi i adresave për klientët; raporti i monitorimit të performancës. Ndërmarrja e Ujësjellësit tashmë është drejt finalizimit të projektit të ujësjellësit në bashkëpunim me kompaninë zbatuese “Strabag” për t’i dhënë zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të qytetit. Falë punës së Ndërmarrjes, janë shtuar 1700 abonentë dhe një ndër risitë ka qenë edhe fatura elektronike.

Presidenti i Francës anullon vizitën në Tiranë

President i Francës, Francois Hollande nuk do vijë në Shqipëri. Burime zyrtare kanë konfirmuar për Top Channel se kreu i pallatit Elize ka anuluar turin e tij të vizitave, pjesë e të cilit ishin edhe Tirana e Beogradi.
Motivet zyrtare të anulimit të këtyre vizitave nuk janë bërë publike, por meësohet se situata politike në Francë ka detyruar Hollande të heqë dorë prej tyre, vetëm pak muaj përpara përfundimit të mandatit si president.
Fushata elektorale dhe sondazhet, të cilat nuk e nxjerrin aspak favorite Partinë Socialiste të Francës, kanë bërë që eksponentët më të lartë të kësaj partie të kërkojnë nga Hollande ndërprerjen e vizitave dhe një angazhim më të madh të tij në fushatë.
Kjo lëvizje vjen vetëm pak ditë pas sondazheve të publikuara, ku Marine Le Pen, e Frontit Nacional ishte në avantazh, ndërsa socialistët francezë ende nuk e kanë përcaktuar kandidatin e tyre për zgjedhjet presidenciale, raundi i parë i të cilave do të mbahet më 23 prill.

Ivanov: Fqinjët të mos përfshihen në Maqedoni

Hapja e plagëve të vjetra dhe përzierja në punët e brendshme të vendeve mund t’i rrezikojë marrëdhëniet e mira fqinjësore, kështu deklaroi presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov, në fjalimin me rastin e pritjes për anëtarët e korit diplomatik, të akredituar në Republikën e Maqedonisë, që u mbajt sonte në Strugë.
Prsidenti Ivanov tha se në Ballkan e ndjejmë mungesën e Bashkimit Evropian dhe të NATO-së, që mund të rrezikojë stabilitetin e rajonit.
Më tej, Ivanov theksoi shumëkulturalitetin, shumëetnicitetin dhe traditën shumëfetare të vendit, si një demokraci gjithëpërfshirëse.
Presidenti nuk e la pa përmendur edhe krizën e refugjatëve dhe keqpërdorimin e migrimit masiv, duke theksuar dy pika sfiduese, sigurimi i kontrollit të shtigjeve përmes së cilëve lëvizin migrantët dhe sigurimi i kontrollit mbi lëvizjen e lirë të emigrantëve që tashmë janë në territorin e Shengenit.

Lojrat e pista të Ramës denoncohenn nga ish të përndjekurit politikë

Ish te perndjekur politike, duke protestuar ne Bulevardin "Deshmoret e Kombit", ne diten e 100 vjetorit te lindjes se diktatorit komunist Enver Hoxha, ku kane kerkuar hapjen e dosjeve te krimineleve te kohes se diktatures dhe denimet e tyre.

Këto ditë  një lajm i bujshëm po qarkullon në vendin tonë. Më datën 28 janar në sallën kryesore të Pallatit të Kongreseve do t’u organizoka një kuvend kombëtar me të  përndjekurit politikë ku do të shpallet edhe një parti e tyre dhe sipas të dhënave, organizatori i saj do të jetë ish-anëtari i komisionit të posaçëm të Partisë Socialiste për hartimin e programit të kësaj partie dhe drejtori aktual i Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola. Organizimi i një kuvendi të tillë në një sallë të tillë kushton disa miljona lekë  që  organizatori i saj ia di burimin dhe ai është Partia Socialiste që e sponsorizon
Per  cilët  të   përndjekur  e  quan   veten    përfaqësues  të    tyre personi i mësipërm?  Të përndjekurit politikë jo   të   gjithë  kanë të njejtin ideal. Midis tyre ka të djathtë dhe të majtë, ka demokratë, republikanë, liberalë, ballistë, monarkistë, socialist, social-demokratë, madje edhe komunistë. Një pjesë e tyre kanë patur idealin e Shqipërisë  Etnike dhe janë sakrifikuar për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi ndërsa të tjerë idealin komunist por që përfunduan në burg apo interninm për ndonjë tekë apo mosmarrëveshje jo parimore me idhullin e tyre diktator. Madje ka patur edhe nga ata të dënuar ordinerë që vidhnin apo kryenin veprime incesti me familjarët e tyre dhe regjimi totalitar, për t’i dënuar më tepër, u shtonte edhe akuzat politike për agjitacion dhe propagandë apo tentativë arratisjeje, si dhe të tjerë që u thyen dhe u vunë në shërbim të nomenklaturës së kuqe duke spiunuar deri edhe shokët e tyre Atëherë prej cilës prej këtyre shtresave të përndjekurish do përbëhet partia  e tij? Mos vallë me këto të fundit? Do të jetë një parti e djathtë apo e majtë? Cilët do të jenë aleatët e saj? Në rast se do e quajnë veten parti të djathtë, mos do të hyjnë në aleancë me Partinë Socialiste dhe aleatët e saj komunistë ashtu si ati i tij, Kurt Kola, që  me partinë “Rruga e lirisë” u bë pjesë e kësaj aleance?
Lidhur me sa më sipër neve na lindin këto pyetje:
A do të kërkojnë dënimin e diktatorit Enver Hoxha?
A do të kërkojnë rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri?
A do të kërkojnë bërjen publike të  gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet komuniste?
A do të kërkojnë hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit?
A do të kërkojnë heqjen nga të gjitha funksionet qe kanë sot në nomenklaturën  shtetërore ish- prokurorët, ish-gjykatësit dhe ish-drejtuesit e lartë të organeve të diktaturës?
A do të kërkojnë gjetjen dhe rivarrosjen e gati pesëmijë të rënëve për liri dhe demokraci, kundër diktaturës së egër komuniste?
A do të kërkojnë rishikimin e librave shkollore, rikthimin në muze të burgjeve  politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve të rënë për liri dhe demokraci?
A do të kërkojnë organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve si dhe të ekspertëve të OJQ-ve,  për krimet e kryera nga regjimet totalitare?
Ne kemi bindjen se, duke u nisur nga veprimet e tij të deritanishme nuk do të ketë kurajon të kërkojë një gjë të tillë. Po mundët na ktheni përgjigjen tuaj për të gjitha këto pyetje.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë të përndjekurve politikë, të mos marrin pjesë në këtë lëvizje sharlatanësh pasi ajo është kuvendi i hipokritëve, është kuvendi i  servilëve të regjimit të perënduar komunist dhe sundimtarëve të sotëm, që nuk kanë asnjë lidhje me të përndjekurit politikë të vërtetë. U bëjmë thirrje të mos bini pre e manevrave të ulta politike të ideatorit të kësaj lëvizje të re, Kryeministrit Rama, që ka si qëllim përçarjen e të përndjekurve politikë të vendit gjë që nuk do të mund ta realizojë kurrë.

Deklarata e ish-të përndjekurve politikë

Mësuesit detyrojnë gjimanzistët për kurse private me tarifa të larta

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar publikisht rrjepjen që ju bëjnë mësuesit me kurse private me tarifa të larta gjimnazistëve. Ka qenë një gjimnazist nga Kruja që i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha për këtë skandal. “Gjimnazisti dixhital denoncon korrupsionin masiv në arsim dhe sistemin e rrjepjes që ju bëjnë mësuesit me kurse private me tarifa të larta gjimanzistëve, si dhe ndikimin në nota nga pjesëmarrja në kurse. Katër vjet më parë Edvin Kristaq Rama premtoi zhdukjen e kurseve private në arsim. Sot pas katër vitesh ato janë shtuar së paku me pesë herë!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar mesazhin e gjimnazistit.
“Përshëndetje zoti Sali Berisha! Jam një nxënës i Gjimnazit “Skëndërbeu” Krujë. Shumë prej mësuesve në këtë gjimnaz kanë kurse private të cilat i praktikojnë në shtëpitë e tyre. Puna është se ato nuk e shpjegojnë mësimin të gjithin në klasë dhe nxënësit e kurseve kanë rritje të dukshme në nota. Tarifat e kurseve janë tepër të larta dhe shumica prej nesh nuk kanë mundësi financiare, prandaj penalizohemi duke mos na dhënë notën që meritojmë. Edi Rama nuk ka bërë asnjë gjë për këtë. Shumë nxënës të mirë të cilët janë ekselente po digjen nga kjo qeveri. Të lutem shpërndaje këtë dhe anonim!”, shkruan gjimnazisti nga Kruja.

Bllokohet për mungesë nafte linja hekurudhore e Bajzës

Një qytetar nga Lezha i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha për bllokimin e linjës hekurudhore të Bajzës për mungesë nafte. “Lajme nga shteti shpartallinë! Qytetari dixhital informon: Bllokohet për mungesë nafte për trenat, linja e vetme hekurudhore me botën, ajo e Bajzës!”, shkruan Berisha në Facebook.
“Doktor përshëndetje, prej disa ditësh linja hekurudhore në Bajzë është e bllokuar për shkak se trenit tonë i mungon nafta për transportimin e mallrave. Shumë biznese janë paralizuar për shkak të këtij bllokimi të paprecedentë. Ju lutem publikojeni sepse po shkakton një dëm të konsiderueshëm financiar. Faleminderit”, përfundon mesazhi i qytetarit.

Shembet miniera, humb jetën minatori në Tropojë

Një minator ka humbur jetën ditën e djeshme në Tropojë për shkak të shembjes së minierës së Lajthizës. Burimet bënë të ditur se ka gjetur vdekjen minatori me inicialet A.K, 40 vjeç, si dhe është plagosur një minator tjetër. Shembja ka ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 12:00, ndërsa policia ka konfirmuar vdekjen e A.K.
Para disa kohësh një tjetër minator humbi jetën në minierën e Zogajt në Tropojë. 42-¬vjeçari R.A. ka qenë duke punuar kur një masiv gurësh ka rrëshkitur, duke e zënë minatorin poshtë. Kolegët e tij kanë punuar për 3¬4 orë për të nxjerrë trupin e pajetë.

Skandali në QSUT, pacientët presin disa muaj për të bërë rezonancën

Problemet e shëndetësisë në vendin tonë nuk kanë të mbaruar. Kamera e emisionit “BOOM” bëri një vëzhgim në QSUT dhe për të bërë rezonancën pacientët duhet të presën disa muaj.
Qytetarët u ankuan se presin mbi një muaj, ndërkohë që ministri i Shëndetetësisë ka deklaruar se radhët e pritjes do të shkurtohen.
Gazetarja: Për rezonancën po prisni? Sa kohë keni që ua kanë caktuar për të berë rezonancën?
Qytetari: Me muaj
Gazetarja:  Sa muaj?
Qytetari: Me Muaj.
Gazetarja: Po ti xhaxhi?
Qytetari: Po dhe xhaxhi ashtu e ka
Qytetari: Diskun e more?
Gazetarja: Diskun? Jo s’më dhanë disk
Qytetari: Shko e blije një disk
Gazetarja: Sa lekë bën ai disku? 500 lekë?
Qytetari: 1500 lekë te ajo kantina atje mu në rrugë. Hy e dorzo dokumentat se ke kohë , mbas një ore a një orë e ca hajde
Qytetari: Ça një ore, a sa po bëjmë ne? 2 orë e ca  që po presim.

Zgjedhje të lira ose Rama përmbyset

Mesazhet nga Uashingtoni, Brukseli dhe Berlini janë të qarta për Ramën dhe bandën e tij. Larg duart nga zgjedhjet, krimi në gijotinë.
Presidenti i Fondacionit Konrad Adenauer, një nga institucionet e rëndësishme të orientimeve politike, ekonomike dhe gjeostragjike të CDU-së së Kancelares Merkel deklaroi dje se, Shqipëria është e rrezikuar nëse nuk mban zgjedhje të lira. Hans-Gert Pöttering, ish-president i Parlamentit Europian, sot President i Fondacionit Konrad Adenauer është takuar dje në Berlin me kryetarin e opozitës, Basha dhe një delegacion të PD-së. Në qendër të takimit kanë qenë zhvillimet politike në Shqipëri. Pottering është shprehur se tre janë sot rreziqet që cenojnë Shqipërinë. Rreziku i parë vjen nga mosrealizimi i zgjedhjeve të lira. Rreziku i dytë është nëse nuk e pastron politikën nga krimi dhe rreziku i tretë janë interesat korruptive në zgjedhje.
Basha i shprehu Dr. Poteringut mirënjohjen e sinqertë për mbështetjen e jashtëzakonshme të Fondacionit KAS për Partinë Demokratike, veçanërisht në mundësimin e ekspertizës gjermane për hartimin e politikave publike të qeverisjes sonë të ardhshme dhe përgatitjen e politikanëve të rinj të PD-së. Doktor Pottering siguroi për vazhdimin e mbështetjes si pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit të ngushtë midis PD-së dhe CDU-së. Zoti Basha dhe Dr. Pottering diskutuan për çështjet kryesore politike që po kalon vendi.
Me përvojën e gjatë politike dhe me njohuritë e jashtëzakonshme të politikës gjermanë dhe europiane, Dr.Pottering këshilloi për rreziqet që e presin Shqipërinë, nëse nuk mban dot zgjedhje të lira dhe nuk pastron politikën nga kapja prej krimit dhe interesave korruptive. Ai u shpreh se thelbi i demokracisë europiane janë zgjedhjet e lira dhe llogaridhënia e politikës, dhe politika e lidhur me krimin dhe e zhytur në korrupsion janë të papajtueshme me vlerat europiane. “Sot, zhvillova një takim me Dr. Hans-Gert Pöttering, Presidentin e Fondacionit Konrad Adenauer (KAS) të CDU-së të Kancelares Merkel dhe ish-President i Parlamentit Europian. I shpreha Presidentit Pötering mirënjohjen e sinqertë për mbështetjen e jashtëzakonshme të Fondacionit KAS për Partinë Demokratike, veçanërisht në mundësimin e ekspertizës gjermane për hartimin e politikave publike të qeverisjes sonë të ardhshme dhe përgatitjen e politikanëve të rinj të PD-së. Ai më siguroi për vazhdimin e kësaj mbështetjeje si pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit të ngushtë midis PD dhe CDU.
Diskutova me Presidentin Pöttering për çështjet kryesore politike që po kalon vendi, si dhe sfidat që duhet të kapërcejmë. Me përvojën e gjatë politike dhe me njohuritë e jashtëzakonshme të politikës gjermane dhe europiane, ai më këshilloi për rreziqet që e presin Shqipërinë nëse nuk mban dot zgjedhje të lira dhe nuk e pastron politikën nga kapja prej krimit dhe interesave korruptive. Presidenti Pöttering u shpreh se, thelbi i demokracisë europiane janë zgjedhjet e lira dhe llogaridhënia e politikës. Politika e lidhur me krimin dhe e zhytur në korrupsion janë të papajtueshme me vlerat europiane”, konfirmoi Basha.

Programi

Delegacioni i PD-së zhvilloi disa takime pune në Fondacionin Konrad Adenauer dhe në selinë e CDU, ku u diskutua gjerësisht për politikat publike dhe reformat që përgatitet të marrë qeveria e PD-së. PD së bashku me ekspertët e KAS dhe CDU është në fazën përfundimtare të detajimeve të programit qeverisës i cili, siç thekson një ndër hartuesit e politikave ekonomike të Gjermanisë, Mathias SCHAFER, do të rikthejë besimin, dhe do t’i japë shtysë zhvillimit ekonomik duke u mbështetur në zgjidhje realiste dhe jo premtime boshe. Duke paraqitur pikat kryesore, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se programi qeverisës parashikon taksa të ulëta, investime që sjellin zhvillim dhe hapin vende pune dhe kujdes social. Keqqeverisja dhe kriza ekonomike, tha Basha, kanë shkaktuar drama të mëdha njerëzore dhe sociale. Kryetari Basha theksoi se, Partia Demokratike është e vendosur të sjellë standardet më të larta demokratike që nga përzgjedhja e kandidatëve, ku në një proces të hapur po merren propozime jo vetëm nga anëtarësia e PD, por edhe nga qytetarët. Kandidatët, shtoi Basha, do t’i nënshtrohen një kontrolli të pastërtisë së figurës dhe përmes një procesi transparent, do të përzgjidhen më të mirët, më të kualifikuarit dhe njerëzit që gëzojnë integritetin më të lartë në zonat ku do të kandidojnë. Në kuadër të bashkëpunimit me Fondacionin Konrad Adenauer dhe CDU një ekip ekspertësh do të mbërrijë në Tiranë në mes të shkurtit për një sërë seancash pune me përfaqësuesit dhe ekspertët e PD.

Enton DACI