25.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Koka: Policia e Tahirit, rrezik për destabilizimin e vendit e zgjedhjet

Alarmi për manipulimin e zgjedhjeve nga Rama është ngritur dje dhe nga aleati kryesor në qeverisje Lëvizja Socialiste për Integrim. Duket se lufta mes aleatëve pak ditë para zgjedhjeve është hapur dhe fryma e mosbesimit është rritur, me deklarata dhe kundër deklarata ndaj njëri tjetrit.
Ministri i Mjedisit Lefter Koka është shprehur në një intervistë për “Ora Neës”, se në Qarkun e Durrësit po angazhohen persona të inkriminuar të infiltruar në forcat policore, për fushatë elektorale, gjë e cila rrezikon të sjellë sipas Kokës, destabilitet dhe zgjedhje pa standarde. Sipas tij, policia përpara se të merret me zgjedhjet duhet të merret me detyrat që i takojnë siç është kultivimi i kanabisit, problem i cili sipas tij po e kthen Shqipërinë në gazin e botës.
Koka me këtë rast ka shigjetuar direkt ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i akuzuar jo pak herë për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikantët e drogës. “Eshtë e vërtetë, tensionet në një koalicion ndoshta janë të natyrshme dhe si burim kanë mosmbajtjen e fjalës ose të premtimit nga njëra palë. Ajo që sot evidentohet është ku unë do ta lokalizoj situatën në Qarkun e Durrësit, ku shoh shumë nga strukturat e larta të PS, ku lajtmotivi i tyre me simpatizantë të tyre është një dhe i vetëm: Nuk kemi kundërshtarë PD, por LSI. Kjo nuk i shërben as të tashmes dhe as të ardhmes. Unë nuk mendoj që është kryetari i PS ose kryeministri që nxit të tillë komunikim me strukturat nga simpatizantë, por eksponentë të caktuar ku kanë kërkuar t’i involvojnë dhe punonjës të policisë dhe kjo është akoma më e rëndë, ku rrezikon të sjellë destabilitet dhe rrezikon të kemi zgjedhje jo me standarde”.
Koka më tej shtoi se, policia është mirë që të merret me detyrat e saj, pasi fenomeni i kanabisit po e kthen vendin në gazin Evropës. Sipas tij, janë eksponentë të lartë të policisë që marrin direkt në mbrojtje trafikantët. “Do të kërkoja t’i bëja thirrje në fakt eksponentëve të Policisë së Shtetit mos ikë në drejtim të paduhur, drejtimi i duhur është të ruajnë rendin. Po shohim këtë fenomen të rëndë, ku po bëhemi gazi i Europës me sasinë e kanabisit të mbjellë në territor dhe këto fenomene kanë bërë që të ketë pasur edhe reaksione, siç ishte zoti Manjani.
Detyra e policisë është të parandalojë një krim dhe jo më mos jetë në gjendje të parandalojë dot rritjen e një bime. Janë qindra punonjës të policisë që paguhen nga taksapagues shqiptarë dhe nuk duhet të jenë tutorë disa të fortë në qytete të ndryshme. Sot nuk ka të fortë. Do të mbajnë përgjegjësi ligjore ata eksponentë të policisë që janë bashkëpunëtorë të ngushtë të atyre që kultivojnë, por njëkohësisht loja që sapo ka nisur për të bërë presion dhe për ta vënë Policinë e Shtetit në funksion të presioneve do të marrin përgjigjen e merituar”, tha Koka.
Sipas tij rasti i avionit që u rrëzua në Ishëm të Durrësit është ndër më flagrantët. “Unë do tju sillja në vëmendje rastin e avionit të Durrësit, që fatkeqësisht dhe për një rast banal arriti të ndalte në atë fushë të improvizuar dhe do të duhej Ndoka nga Parlamenti që të denonconte. Ai i cili dispononte atë truall, që ishte transformuar në një fushë avioni nuk ishte paguar akoma për qiranë e tokës. Në mëngjes bëri një kanal për të penguar uljen e avionit”.

Koka: Grida Duma duhet të ishte kryebashkiake

Në intervistën për Ora-News, ministri i LSI Koka ka deklaruar hapur se PS e tradhëtoi LSI në Lezhë në zgjedhjet lokale, ndërsa në Durrës, Vangjush Dako nuk duhet të ishte kryebashkiak. “Ne sigurisht 18 mijë vota i dhamë atij koalicioni në zgjedhjet vendore dhe ka qenë zoti Meta me të cilin kemi bërë bisedë të drejtpërdrejtë dhe është thënë në mbledhjen e kryesisë së Qarkut të Durrësit:  Lefter Koka ti rrezikon me pozicionin e ministrit nëse LSI nuk e voton 100% kandidatin e aleancës. Faktet ishin këto. Por çfarë ndodhi? Në Lezhë patëm tradhëtira nga më të habitshmet. Patëm tradhëtira nga më të habitshmet. Nuk morëm as faleminderit për qarqet ku dhamë kontribut. Sot duhet të ishte Grida Duma kryetare e Bashkisë së Durrësit, jo Vangjush Dako”, tha Koka.

Arben SHAHINI

Vjedhje në emër të shtetit me licensat televizive

Endira BUSHATI

Po kur…Organizata Kriminale më e fuqishme në vend…është vetë shteti, çfarë bëhet? Sot, AMA, me dhunë, me 4 vota, kur ligji kërkon shumicë të cilësuar prej 5 votash, i dha licencën e tretë Vjollca Hoxhës dhe familjarëve të saj!
Sot, AMA licencoi si operator kombëtar shoqërinë ADTN, të krijuar më 13 shtator 2016, dhe që ka aksioner të vetëm 100% shoqërinë Digitalb!
Kështu, nga 5 licenca kombëtare: Një licencë e mori Top Channel, Të dytën në kundërshtim me ligjin e mori Digitalb,
Dhe të tretën e mori ADTN që është në pronësi të Digitalb. Sandri “lëvizi” Gjykatën Kushtetuese, që bashkë me bashkëshorten të kishin 80% të aksioneve për licencën e vet….
Të 4 licencat nuk morën asnjëra 5 votat e kërkuara nga ligji. Dhe, kur TCH, Klan dhe DGA e fituan në shkallë të parë, AMA dhe Avokatura e Shtetit, në shpërdorim të detyrës, “çuditërisht” nuk e ankimuan në Apel! Sot, AMA me dhunë i dha licencën e katërt ADTN-së!
Prokuroria hesht!
Rama bën sikur nuk kupton, ndërkohë që nën dhe, kërcënoi e shantazhoi këdo që kundërshtonte. Vlahutin, Lu, OSBE dhe KiE heshtin! Ashtu siç heshtën, kur një shtet i tërë, me Parlament e Prokurori donin të hiqnin me çdo mjet e me çdo kusht Endira Bushatin nga kreu i AMA-s…
Ashtu siç heshtën, kur unë personalisht u kërcënova me jetën time e të familjarëve nga Alban Jaho, Drejtor i Digitalbit!
Thuajse të gjithë televizionet heshtën, Prokuroria mbylli çështjen!
Ashtu siç folën me gjysëm zëri, kur Balla, “papritmas” propozoi shfuqizimin e Nenit 62 të Ligjit, që pengonte një person dhe familjarët e tij të kishin më shumë se 40% të aksioneve në një licencë kombëtare!
Prokuroria tërësisht e kapur dhe nën makthin e Vettingut, nuk vepron!!!
Dëshmitarët janë aty: Sami Neza, Suela Musta dhe Agron Gjekmarkaj, me integritet e qytetari të lartë qëndruan para presioneve e shantazheve….
Por, kjo prapë nuk mjaftoi para dhunës së kamikazit të Digitalbit, Gentian Sala dhe personave viktima të shefave të tyre, Pirro Misha, Gledis Gjipali dhe Zylyftar Bregu!
Si mund të mundet një organizatë kriminale, kur në krye të organizatës është vetë shteti?
P.S. Vazhdoni blini Digitalb, është vjedhje që organizohet nga shteti!

Shkëlzen Berisha, padi penale zarit shpifës të Ramës në OSHE

Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha ka depozituar dje një padi penale për shpifje ndaj Romeo Karaj, ish-juristit të OSSHE, një njeri i paqëndrueshëm, të cilin mazhoranca kërkon ta përdorë si varkë shpëtimi për të shmangur hetimin e Edi Ramës në skandalin e CEZ. Njoftimin e ka dhënë vetë Shkëlzen Berisha në faqen e tij në rrjetet sociale ku shprehet se, “Përgjigja më e mirë për shpifësit është rruga ligjore. Në këtë mënyrë do u jepet mundësia të flasin aty ku duhet dhe jo atje ku nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për shpifjet e tyre. Padi të tjera do të vijojnë në ditët në vazhdim”, shprehet Berisha.

Akuza

Padia e Shkëlzen Berishës vjen pas deklaratave të Romeo Karaj në televizionin e Karlo Bolinos, italo shqiptarit që njihet si sekser i Edi Ramës. Në deklaratën e tij, Karaj do të shprehej se përgjatë vitit 2010-2011, Berisha ka udhëtuar dy herë në të njëjtin avion me administratorin e DIA Kastriot Ismailaj drejt Pragës. Intervista e dhënë një ditë më parë u mbështet dhe nga gazeta e Bolinos një ditë më vonë. Por gjithçka rezultoi një flluskë, sepse vetë Bolino do të pranonte se kishte gënjyer në gazetën e tij, duke i paraprirë kështu një padie penale që mund të ngrihej dhe ndaj tij për shpifje. Kjo pas paralajmërimit të Shkëlzen Berishës se çështjen do e çonte në gjyq. “Unë si cilido pasagjer përgjigjem vetëm për veten dhe destinacionin tim dhe nuk mbaj asnjë përgjegjësi kush hipën apo ku shkojnë 200 udhëtarët e tjerë të avionit. Pavarësisht kësaj, deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore, se nuk kam udhëtuar kurrë as në Pragë dhe në asnjë destinacion tjetër të rruzullit as me z.Ismailaj as me ndonkënd të afërt me të. I bindur që me afrimin e zgjedhjeve, shpifjet ndaj meje dhe familjes time do të vazhdojnë për të mbuluar mashtrimet, dështimet dhe vjedhjet e Ramës, njëlloj si refreni “fajin e ka Saliu”, kam vendosur t’u përgjigjem në rrugë ligjore. Disponoj të gjitha provat e duhura për të paditur për shpifje të gjithë ata që mendojnë se do shpëtojnë koncesionet, sarajet, paratë e vjedhura në marrëveshjet me CEZ dhe lëkurën e tyre përmes mashtrimit dhe trillimit. Padia për shpifje do të jetë penale!” do shprehej djali i ish-kryeministrit, gjë që bëri të tërhiqej trimin Bolino.

Padia

Por në rast se Bolino u tërhoq, në mes ngeli Romeo Karaj, të cilit tashmë i duhet të përballet me drejtësinë. Njeriu që njihet për çekuilibrin e tij emocional tashmë i duhet të vërtetojë në Gjykatë akuzat e bëra në adresë të Shkëlzen Berishës. Dhe në rastin e Gjykatës ai s’mund të bëjë akrobacira si në televizionet e Bolinos, apo në komisionet e Taulantit. Gjykata nuk do të dijë as për gjendjen e tij psikologjike dhe emocionale në momentin që e ka dhënë këtë deklaratë, pa pasur një provë të fortë nga mjekët. Pra, nëse Romeo Karaj kamikaz i radhës nuk ka fakte, atëherë do pësojë fatin e Taulant Ballës ose dhe të Sajmir Tahirit, të cilët kanë shuma të konsiderueshme parash gjoba të vëna nga gjykatat. Por me një ndryshim, sepse Taulanti dhe Sajmiri fshihen njëri pas mandatit të deputetit dhe tjetri si ministër, ndërsa Romeo Karaj është fare e lehtë të flaket nga Rama në mes të katër rrugëve…

Kamikazë të çekuilibruar që përdoren si avokatë të Ramës

Nuk është hera e parë që mazhoranca përdor persona të çekuilibruar për të mbuluar zullumet e saj. Një ditë më parë, bëri habi prezantimi i dëshmitarit Entjol Xhelili në Komisionin Hetimor për pajisjen e përgjimit IMSI-Catcher, kur i veshur me një flamur u ngrit të këndonte himnin e flamurit. Kështu është dhe rasti i Romeo Karaj, i cili shpreh si dëshmitar “shpifjet” që i serviren nga selia mavi. Por kjo kategori njerëzish ku futet dhe Izet Haxhia, i akuzuar për vrasjen e Azem Hajderit, përdoren, bëjnë lajm të parë në mediat e kontrolluara nga Rama, ku natyrisht flamurin e mban Karlo Bolino, italo-shqiptari i cili kohët e fundit është tmerruar nga humbja e sigurt e pushtetit të Edi Ramës. Kjo, sepse Karlo Bolino në këto katër vite ka qenë sekser në thuajse çdo pazar, ku më pas është regjistruar një skandal si në rastin e landfillit ku mbeti i vdekur Ardit Gjoklaj vetëm 17 vjeç. Nga ana tjetër është e habitshme aftësia e Edi Ramës për të gjetur dëshmitarë të këtij niveli, të cilët nuk ndryshojnë shumë nga sjellja e tij, kur bie fjala për t’u përballur para ligjit. Shqiptarët nuk i kanë harruar skenat me megafon të kryeministrit të sotëm gjatë kohës që hetohej nga Parlamenti në lidhje me abuzimet në Bashkinë e Tiranës, sjellje të cilat reflektohen dhe tek personat që ai sot i përdor për të mbuluar zullumet e tij.

Reforma në Drejtësi, miratohet Këshilli i Emërimeve, ja kompetencat

6 muaj pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ngrihet i pari institucion i parashikuar nga Reforma në Drejtësi; Këshilli i Emërimeve. 9 anëtarët e këtij institucioni u zgjodhën me short nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe sipas ligjit themeltar të shtetit, në përbërje të tij janë dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga Gjykatat e Apelit, si dhe një gjyqtar nga administrativja.
Ajo që ra në sy ishte se për anëtarët e organit të akuzës nuk u hodh short, pasi numri i kandidatëve ishte i barabartë me numrin e vendeve në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Fillimi i zbatimit të reformës nuk rezultoi pa probleme, pasi deputetja socialiste Vasilika Hysi vuri në dukje se procedurat e ndjekura nga institucionet kanë qenë të parregullta.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i shtrin kompetencat e tij në dy institucione, në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë. Ai bën vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për këto institucione dhe shërben si mekanizëm zhbllokimi, pasi në rastet kur nuk arrihet shumica e kërkuar për miratimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, atëherë kandidati i parë që renditet nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi quhet automatikisht i emëruar. Parashikimet ligjore për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi ndodhen në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, të cilin PD e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese.

Ministri i Drejtësisë: Ligji i qeverisë shkel të drejtat e njeriut

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, nuk i ka kursyer kritikat ndaj paketës së ligjeve për luftën kundër korrupsionit që janë pjesë e Reformës në Drejtësi. Gjatë tryezës së konsultimeve për këto drafte, Manjani ka kritikuar së pari ligjin për përgjimet elektronike.
“Padiskutim që organet e ndjekjes kanë të drejta që duhet ta bëjnë edhe pjesën e parandalimit edhe të përgjimit procedurial, por jo në banesë, jo në krevatin bashkëshortor dhe jo në tualet. Me audio dhe video thotë ligji. Kjo është një gjë krejtësisht e re dhe mund të gjykohet të lihet dhe mund të miratohet, por që nga ky moment duhet të ruhemi edhe në krevatin bashkëshortor”.
Ligji tjetër që ka kritikuar ministri i Drejtësisë është ai “Për parandalimin dhe goditjen krimit të organizuar, trafikut dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese” dhe në mënyrë specifike është ndalur tek parashikimi që veprimtaria hetimore zhvillohet mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në indice.
“Të drejtat e njeriut në këtë formulim janë tashmë në rrezik dhe kjo në këndvështrimin tonë nuk është formulimi i duhur. Në Republikën e Shqipërisë çdo shqiptar është me indicie në kurriz. Indiciet janë nga më të ndryshmet, të gjithë ngrenë gishtin kundër dikujt për diçka dhe fare mirë në qoftë se e gjithë kjo frymë që ekziston për fat të keq në shoqërinë tonë, përkthehet në instrumenta të ndjekjes penale, i bie që të gjithë të hyjmë nganjëherë në burg dhe burgu bëhet si ushtria”.
Janë 27 ligje në kuadër të Reformës në Drejtësi, të cilat pritet të miratohen në këtë sesion nga Parlamenti për ta bërë funksional sistemin e ri të drejtësisë.

Gjobëvënia nga Shullazi, dështon seanca e pyetjes së biznesmenit

Dështon seanca e parë gjyqësore, e parashikuar për ballafaqimin e Emiljano Shullazit dhe pjesëtarëve të bandës së tij, me dëshmitarin e mbrojtur të drejtësisë Ylvi Beqja. Gjykata e Krimeve të Rënda, edhe pas 3 orëve debate nuk arriti të zhvillojë seancën gjyqësore të pyetjes së dëshmitarit të mbrojtur Beqja, pasi avokatët u larguan nga salla e gjyqit.
Për rreth tre orë, Gjykata debatoi me avokatët dhe të dyshuarit Emiljano Shullazi dhe bashkëpunëtorët e tij, që kërkonin nga togat e zeza që dëshmitari i mbrojtur Beqja të sillej në sallën e gjyqit edhe fizikisht. Kërkesë kjo që u kundërshtua nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Policisë së Shtetit dhe prokurorët, me arsyetimin e mungesës së sigurisë. Të ndodhur në këto kushte, Gjykata ndryshoi dy herë sallën e gjyqit, por pa arritur të bindë avokatët dhe të dyshuarit që pyetja e dëshmitarit të mbrojtur Beqja të bëhet me video-konferencë nga një sallë tjetër, siç ka ndodhur gjithmonë në raste të tilla. Por avokatët kundërshtuan këtë vendim të ndërmjetëm të Gjykatës, duke u larguar në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit. Sallën e gjyqit e braktisi edhe Shullazi dhe të pandehurit e tjerë.
Më herët, avokatët kërkuan gjithashtu nga Gjykata, pezullimin e zhvillimit të kësaj seance gjyqësore, për shkak të ankimit në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, të vendimit për zhvillimin e kësaj seance për sigurimin e provës. Ankim që pritet të shqyrtohet brenda 5 ditëve nga kjo Gjykatë.
Ndërkohë nën masa të rrepta të sigurisë, dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja u soll në ambientet e Gjykatës, për të dëshmuar përballë të dyshuarve të arrestuar, të cilët i akuzon për kërcënime dhe gjobëvënie.

Kërkesa e Prokurorisë

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që më datë 27 janar të marrë në një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja. Kjo dëshmi e tij përballë të dyshuarve dhe avokatëve të tyre, sipas procedurës konsiderohet si provë.
Në muajin tetor, Ylvi Beqja pranoi të bashkëpunonte me akuzën pas qëndrimit të tij disamujor në mbrojtje të të dyshuarve. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon, se Ylvi Beqja ka deklaruar se Emiljano Shullazi, përmes bashkëpunëtorëve të tij, në tri episode i ka vendosur gjoba, dhe se gjobëvënia është aplikuar në formën e çeqeve, në emër të Endrit Zelës dhe Endrit Qyqes, të dy këta të arrestuar pas një takimi në paraburgim me Shullazin.
Ndërkohë, Prokuroria ka nën hetim edhe persona të tjerë, ndërsa vijon të qëndrojë hermetike për episodet e tjera kriminale për të cilat dyshohen pesë të arrestuarit.

Gjobat ndaj biznesmenit

Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash. Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiljano Shullazit dhe biznesmenit.
Nga ana tjetër, në të gjitha rastet e zhvillimit të takimeve të biznesmenit me personin në hetim Emiljano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona të cilët lëviznin të armatosur dhe me disa makina. Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, Emiljano Shullazi ka qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin përreth. Edhe prania e këtyre personave ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim ndaj biznesmenit.

R.POLISI

Bllokohet motoskafi me 760 kg drogë e nisur nga brigjet e Vlorës

Një motoskaf i nisur nga brigjet e Vlorës i mbushur me drogë është kapur duke udhëtuar për në Itali. Motoskafi i ngarkuar me lëndë narkotike u bllokua nga Guardia di Finanza, rreth orës 16:30 të pasdites së djeshme, 23 milje larg Karaburunit në det të hapur. Në motoskaf gjendeshin dy shtetas italianë dhe një shqiptar, të cilët për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë e hodhën lëndën narkotike në det.
Në skaf u sekuestruan 760 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, të ndara në 43 pako. Policia shqiptare bëri të ditur se operacioni u zhvillua rreth orës 16:30, 23 milje larg Karaburunit, ku u bë e mundur kapja e një motoskafi të ngarkuar me lëndë narkotike e dyshuar kanabis. Tre të arrestuarit gjatë operacionit të përbashkët janë F.O. 48 vjeç, banues në Brindisi, D. L. 59 vjeç banues në Brindisi dhe shqiptari A.Q, 32 vjeç, banues në Vlorë. Lënda narkotike do të trafikohej për në Itali.
Edhe në disa raste të tjera të bllokimit të drogës nga Guardia Di Finaza, policia shqiptare ka bërë të ditur se operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me të. Atëherë lind pyetja pse policia shqiptare i lejon trafikantët të dërgojnë drogë me gomone drejt Italisë. Pse gomonet nuk bllokohen që në nisje?
Vetë në javën e fundit janë bllokuar nga policia italiane më shumë se 3 tonë drogë e futur nga brigjet shqiptare.

Deputetja denoncon abuzimet e OSHEE-së në Tropojë

Deputetja e PD, Mimoza Hajdarmataj ka denoncuar abuzimet që bën OSHEE me mbifaturimet për zonën e Tropojës. Deputetja shprehet se ka në dorë disa fatura nga 500 ankesat që janë depozituar pranë OSHEE-së në Tropojë. Sipas Hajdarmatajt atyre iu bëhen abuzime, mbifaturime dhe faturime fiktive si edhe shumë gjëra të tjera, ndërsa kryeministri kërkon receta elektronike.
“Kryeministrin e çudit kërkesa për votim elektronik, flet për recetë elektronike. Po si mund të flitet për receta elektronike në një vend kur një kryefamiljar vret veten, se nuk paguan dot faturën e papërballueshme të dritave, ndoshta edhe të deformuar nga vetë OSSHE, sikurse ka ndodhur në muajt e fundit me abuzime, mbifaturime, faturime fiktive, në qytete e fshatrat e Veriut e të Jugut?”, shkruan Hajdarmataj.
Më pas ajo shton se në disa fshatra të Tropojës, iu është futur në faturat e nëntorit dhe dhjetorit të 2016-ës, nga 30 KË “Konsum i Përbashkët”.
“Kryeministrin e çudit kërkesa për votim elektronik, flet për recetë elektronike. Po si mund të flitet për receta elektronike në një vend kur një kryefamiljar vret veten, se nuk paguan dot faturën e papërballueshme të dritave, ndoshta edhe të deformuar nga vetë OSSHE, sikurse ka ndodhur në muajt e fundit me abuzime, mbifaturime, faturime fiktive, në qytete e fshatrat e Veriut e të Jugut? Sot kam në dorë disa fatura ku mbi 500 ankesat që janë depozituar pranë OSHE Tropojë, në lidhje me problemet me energjinë, abuzimet me mbi faturime, më shumë KË mbi normën, faturime fiktive për të ulur humbjet që kanë shkuar mbi 85% dhe për të mbuluar paaftësinë e drejtuesve. Hajdutët me çizme kanë futur në faturat e nëntorit dhe dhjetorit 2016 edhe në fshatrat e Tropojës, nga 30 KË “Konsum i Përbashkët” sikur janë banorë pallati dhe përdorin ashensor apo kanë ndriçim rrugor në fshatra, ku edhe ato rrugë dhe ura lidhëse që ishin i dëmtuan rreshjet dhe acari”, shkruan deputetja Hajdarmataj.

Tre fshatra në Bushtricë të Kukësit të izoluar nga bora

Fshati Vilë, Barruç dhe Shpat të Njësisë Administrative Bushtricë në Bashkinë Kukës janë ende të izoluar, ndonëse reshjet e borës kanë ditë që janë ndërprerë. Banorët bëjnë të ditur se asnjë borëpastruese nuk ka shkuar në zonë për të pastruar borën dhe për të bërë të qarkullueshme rrugët që lidhin këto fshatra me qytetin. Këto fshatra janë izoluar dhe kanë mbetur në mëshirë të fatit që nga data 7 janar i këtij viti. Banorët i bëjnë thirrje qeverisë që të bëjë të mundur hapjen e rrugës, pasi banorëve po iu mbarojnë edhe rezervat ushqimore.
Nga ana tjetër, edhe frekuentimi i nxënësve në shkolla është shumë i ulët. “Jemi në gjendje katastrofike, ky popull po vuan nga mungesa e produkteve ushqimore, jo se i gjeti të papërgatitur për këtë fenomen, por u bë kohë e gjatë në izolim dhe nuk kemi nga të përplasemi dhe të shpëtojmë jetët e familjeve tona.
Kjo gjendje e keqe bën të pamundur edhe nxënësit që të shkojnë në shkollë se s’munden të kalojnë nga bora e madhe!” thotë një nga banorët e izoluar.
Edhe zonat e thella malore në territorin e Pukës vijojnë ende të jenë të bllokuara, ndonëse reshjet e borës kanë pushuar prej kohësh. Një helikopter u detyrua të ndërhyjë, duke sfiduar vështirësitë e terrenit në fshatin Berishë të Njësisë Administrative Iballë, Bashkia e Fushë-Arrëzit, ku një grua ishte e sëmurë.
E moshuara, e cila ishte e sëmurë prej katër ditësh, sot ka shfaqur dhe probleme kardiake, të cilat e bënë të detyrueshme ndërhyrjen nga ajri. Ajo u transportua drejt Urgjencës së Spitalit të Pukës ku dhe po mbahet nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të mjekëve, pasi ju shfaqen kolika renale, problem shëndetësor që në rast neglizhence mund t’i rrezikonte dhe jetën.
“Në fshatin tonë ka tre metër dëborë. Çdo gjë është e mbuluar nga akulli, dhe se di kur do mund të lëvizim edhe nëpër shtigjet e fshatit. Sivjet dimri ka qenë i ashpër fort”, thotë gruaja e moshuar teksa e sjellin në mjediset e Urgjencës së Spitalit të Pukës. Zonat e thella vuajnë ende pasojat e motit dhe temperaturave që janë disa gradë nën zero.
Digjet shkolla në fshatin e izoluar nga bora
Ndërtesa e Shkollës 9-vjeçare në fshatin Arrëz të Kukësit është përfshirë nga flakët gjatë natës. Flakët janë favorizuar nga materialet e drurit në çatinë dhe dyshemenë e ndërtesës së shkollës. Kjo ka bërë që shkolla të shkrumbohet tërësisht, ndërsa policia ka nisur hetimin për rastin. Dyshohet se shkak për zjarrin mund të jetë bërë një shkëndijë nga oxhaku i njërës prej klasave. Banorët e fshatit u përpoqën të shuanin zjarrin me mjete rrethanore, por pa rezultat. Zjarrfikëset nuk mundën të mbërrinin në fshatin Arrëz, për shkak të distancës së largët dhe rrugës së bllokuar nga bora. Aktualisht, Bashkia e Kukësit po kërkon një ambjent të ri për nxënësit e kësaj shkolle.

Lëviznin me 1 milion euro kokainë në Itali, kush janë shqiptarët

Një operacion antidrogë ka çuar në pranga tre shqiptarë, që ishin duke lëvizur me 1 milion euro drogë me vete. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane, sipas të cilave në pranga ka rënë Luan Kasalla, Fatos Sadiku e Fisnik Sulmina. Tre shqiptarët e arrestuar në Rimini, janë kapur me 4 kilogramë kokainë të pastër, 2 kilogramë marijuanë dhe 30 mijë euro kesh.
Shqiptarët ishin prej kohësh nën vëzhgimin e agjentëve të policisë dhe në momentin e mbërritjes së sasisë së drogës nga Veriu i Italisë atyre u janë vënë prangat.
Shqiptari Kasalla është ndjekur deri në banesën e tij, ku iu gjetën 2 kilogramë marijuanë të ndarë në dy paketime dhe një pako me kokainë, materiale për paketimin dhe 21 mijë euro.
Në këtë moment, ndërsa policia po kontrollonte banesën e tij, mbërrijnë dhe dy shtetasit e tjerë shqiptarë me automjetin e tyre tip “Nisan”, ku u zbuluan dhe sekuestruan 9 mijë euro cash dhe 4 kg kokainë 93% e pastër. Në automjetin e Sadikut dhe Sulminës u gjetën dhe disa aparate celulari si dhe materiale për paketimin e drogës.
Sipas policisë italiane, banda e shqiptarëve ishte më aktivja në zonë për shpërndarjen e drogës. Ndërkohë, nëse droga do të shitej në tregun vendas, do të kishte një vlerë prej rreth 1 milion euro.