Bordi i drejtuar nga Gentian Sala i ka dhënë në shkelje flagrante të ligjit shoqërisë ADTN, licencën kombëtare private për transmetime audiovizive.
Vendimi është marrë me shumicë të thjeshtë, 4 pro e tre kundër, duke cenuar rëndë ligjin për mediat audiovizive të vitit 2013. Në nenin 19 ai përcakton qartë, se kjo licencë jepet vetëm me shumicë të cilësuar, pra me 5 vota.
Por ky nen është shkelur.
Në mbledhjen e tensionuar, Kreu i AMA Gentian Sala, tha se vendimi i thjeshtë bazohet në ligjin për funksionimin e organeve kolegjiale. Anëtarët që votuan pro, thanë se votimi me shumicë të thjeshtë parashikohet në këtë ligj, kur në dy votimet e mëparshme nuk arrihet shumica e cilësuar.
Por ky argument qesharak rrëzohet po nga ky ligj, i cili përcakton qartë, se ai vihet në zbatim vetëm kur një institucioni i mungon ligji organik, bordi drejtues dhe rregulloret e brendshme.
AMA ndërkohë ka edhe ligj organik, edhe bord drejtues, edhe rregullore. Të gjitha ato detyrojnë votim të cilësuar për ndarjen e licencave kombëtare private. Madje rregullorja saktëson në nenin 20, se kundër vendimit të AMA-s palët i drejtohen Gjykatës. Anëtarët e AMA, ndërkohë nuk pranuan të komentonin vendimin e mbledhjes.
Votimi antiligjor i kësaj të premteje ishte paralajmeruar nga bordi i AMA, që u mblodh në mënyrë ilegale pak ditë më parë vetëm për të ezauruar të ashtuquajturin votim të dytë me shumicë të cilësuar.
Po ashtu, AMA nxitoi të merrte vendim me shumicë të thjeshtë edhe pse nuk u respektuan kritere të tjera ligjore, si e drejta e ankimimit për vendimit e mbledhjes së datës 29 dhjetor apo edhe dërgimi i çështjes në Prokurori nga dy subjekte të skualifikuara nga gara.
Vendimi i kësaj të premteje u paralajmërua një ditë më parë edhe nga opozita. Anëtari i Komisionit të Medias, Luçiano Boçi, tha se Autoriteti i Medias Audiovizive e kishte bërë gati vendimin, ndonëse procesi ligjërisht konsiderohet i përfunduar.
Sipas demokratëve, me këtë vendim, AMA u jep monopolin subjekteve të caktuara në tregun e mediave.
Skandal i Autoritetit të Mediave Audiovizive
Trump-May, rikthehet aleanca SHBA-Britani
Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë kanë rikonfirmuar marrëdhënien mes dy vendeve të tyre në takimin e parë të Presidentit amerikan, Donald Trump me një udhëheqës të huaj. Takimi i Kryeministres britanike May me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë po trumpetohet nga qeveria britanike si sinjal se administrata e re e vlerëson “marrëdhënien speciale” transatlantike.
Pas takimit, dy udhëheqësit dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Presidenti Donald Trump nënvizoi marrëdhënien e veçantë që kanë Shtetet e Bashkuara me Britaninë dhe u zotua ta mbështesë këtë marrëdhënie. Ai gjithashtu përshëndeti vendimin e votuesve britanikë për të dalë nga BE, duke thënë se respekton të drejtën e britanikëve për vetëvendosje.
“Sot Shtetet e Bashkuara rigjallërojnë marrëdhënien e thellë me Britaninë- një marrëdhënie ushtarake, financiare, kulturore dhe politike. Dy vendet tona kanë një ndër marrëdhëniet më të forta. Zotohemi t’i japim një mbështetje të vazhdueshme kësaj marrëdhënieve të veçantë. Së bashku, Amerika dhe Britania janë një shembull për begati dhe sundimin e ligjit. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara respektojnë sovranitetin e popullit britanik dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje”, tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Kryeministrja britanike, Theresa May tha se në takimin me zotin Trump kishin diskutuar tregtinë dypalëshe, NATO-n dhe luftën kundër ISIS.
“Lidhur me bashkëpunimin në drejtim të mbrojtjes dhe sigurisë, ne jemi të bashkuar në nocionin se NATO është arma kryesore e mbrojtjes sonë të përbashkët dhe sot ne kemi riafirmuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj kësaj Aleance. Zoti President, më duket më thatë se jeni 100% në mbështetje të NATO-s. Por ne po diskutojmë gjithashtu edhe rëndësinë e NATO-s, që të garantohemi që është në gjendje për të luftuar terrorizmin dhe për të zhvilluar luftë kibernetike me të njëjtën aftësi që zhvillon luftë konvencionale”, tha zonja May.
Kryeministrja britanike tha se kishte diskutuar me Presidentin Trump mbi hapat për të arritur një marrëveshje dypalëshe tregtare SHBA-Britani.
Koncesionet e reja, pritet privatizim i porteve
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka shpallur të martën një kontratë koncesionare për shërbimet e anijeve detare me rimorkiator për portet më të mëdha të vendit
Kontrata koncesionare do të përfshijë shërbimet detare në Portin e Durrësit, Shëngjinit, Vlorës, Sarandës, Romano Port dhe atë të Petroliferës në Vlorë si dhe të gjitha portet e hapura në Shqipëri për një periudhë 5-vjeçare.
Sipas dokumenteve të bëra publike nga Ministria në Agjencinë e Prokurimit Publik, kontrata koncesionare ka një vlerë prej 191.8 milionë lekë.
Objekti i kontratës do të jetë financimi, rehabilitimi, operimi, mirëmbajtja dhe transferimi i së drejtës së operimit dhe pronësisë së shërbimit të anijeve detare në formën ROT.
Sipas Ministrisë të katër portet shtetërore në vend (Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë) kryejnë një vëllim mesatar vjetore të ngarkim-shkarkimit në rreth 3 milionë ton, ndërsa presin rreth 1.4 milionë pasagjerë në vit.
“Porti i Durrësit mbetet porti më i madh i anijeve në Shqipëri, duke realizuar rreth 90% të totaleve ngarkim – shkarkimit në vitin 2012, ndjekur nga Shëngjini, Vlora dhe Saranda”, shkruan Ministria në shpalljen e kontratës.
“Porti i Shëngjinit ka arritur të mbajë një rritje të qëndrueshme, ndërsa aktiviteti i Portit të Sarandës është i kufizuar”, shton ajo.
Ministria nënvizon se koncesionari fitues i tenderit duhet të shtrijë veprimtarinë e vet të shërbimit në të gjitha portet e hapura të Republikës së Shqipërisë që janë në veprimtari.
Përzgjedhja e kompanisë fituese do të mbështetet në 6 kritere, ku përfshihen çmimet për çdo shërbim, cilësia e pajisjeve hidromekanike, elektrike, komandimit, koha e vënies në shfrytëzim, ndikimi social dhe mjedisor, si dhe vlera e tarifës koncesionare e shprehur në përqindje të të ardhurave dhe fuqia e rimorkiatorëve.
Pse Ballkani ka rënë në kthetrat e korrupsionit?
Pavarësia e drejtësisë dhe luftimi i korrupsionit, respektimi i shtetit ligjor – në të gjitha vendet e Ballkanit flitet me të madhe për këto tema, ndërkohë që e kundërta ndodh në realitet. Lufta kundër korrupsionit dhe kundër shprehive të vjetra ishin deklaratat më të rëndësishme të presidentit të ri rumun Klaus Iohannis, kur ai në fund të vitit 2014 fitoi zgjedhjet në mënyrë surprizuese. Asokohe dominonte një frymë euforike në radhët e simpatizantëve të tij, flitej se në Rumani po fillon një epokë e re.
Por vetëm dy vjet më pas rikthehet hija e së shkuarës: qeveria e sapozgjedhur social-liberale nën drejtimin e Partisë Socialdemokrate (PSD) është duke i zbutur ligjet në fuqi kundër korrupsionit. Kësisoj ajo nga njëra anë do të ndryshojë ligjet, që përjashtojnë personat me rekorde penale nga postet qeveritare dhe nga ana tjetër do të arrijë, që abuzimi me postin të mos ndëshkohet, nëse dëmi i shkaktuar si rrjedhojë është më pak se rreth 50.000 euro. Përveç kësaj synohet që të favorizohen një sërë miqsh të partisë dhe biznesit: pra, është planifikuar një amnisti, përmes së cilës rreth 2500 të burgosur, mund të lirohen menjëherë – ndër ta janë qindra politikanë e nëpunës, të dënuar për korrupsion.
Papritur me “duar të pastra”
Plani pas kësaj është: kryetarit të partisë Liviu Dragnea do t’i hapet kështu rruga për postin e kryeministrit. Ai është dënuar me dy vjet burg për manipulime masive elektorale në kuadër të referendumit kundër ish-presidentit Traian Basescu dhe aktualisht është i akuzuar për abuzim me postin. Përmes ndryshimeve ligjore të shpallura nga qeveria dënimi me kusht i tij do të shfuqizohej dhe procesi gjyqësor do të pezullohej. Me këtë do të pastrohej edhe regjistri i rekordeve penale të Dragneas e ai mund të pretendonte postin e kryeministrit.
Në fundjavë në kryeqytetin Bukuresht, si dhe në qytete të tjera të mëdha të Rumanisë dhjetëra mijëra vetë protestuan kundër këtyre planeve. “Ne jemi dakord, që të gjithë këta politikanë të dënuar për korrupsion dhe krime të tjera papritur të jenë të liruar nga ndjekja penale”, thotë gazetari Christian Stefanescu, i cili ka marrë pjesë në protesta. “Ne nuk duam, që atyre t’u bëhen dhurata të tilla”.
Deri më sot drejtësia rumune konsiderohej si shembullore në luftën kundër korrupsionit në radhët e ish-vendeve socialiste, që ndërkohë kanë kaluar në ekonominë e tregut. Prokuroria rumune e antikorrupsionit (DNA) ka ngritur në vitin 2015 padi kundër 1250 personave, ndër ta kundër një ish-kryeministri, pesë ish-ministrave, 21 deputetëve dhe rreth 500 ish-nëpunësve, këshilltarëve komunalë, gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas të dhënave të Komisionit Europian në këto padi bëhej fjalë për një shumë të përgjithshme abuzimesh prej 452 milionë eurosh.
Përveç kësaj rreth 100 prokurorë të DNA-së janë dëshmuar si ekspertë me përvojë në luftimin e korrupsionit. Ish-ministrja rumune e Drejtësisë, Monica Macovei, ka ndihmuar edhe në strukturimin e autoritetit kroat të luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar USKOK. Ndryshe nga Rumania, në Kroaci lufta kundër korrupsionit mbetet shpesh si një digë prej letre. Vitet e kaluara ndonëse janë ngritur shumë padi, ndër to edhe kundër politikanëve të nivelit të lartë, bankierëve, menaxherëve apo funksionarëve të futbollit, deri më tani askush nuk është dënuar. Proceset ose stërzgjaten, derisa ato vjetërohen tërësisht, ose dënimet e shqiptuara nga instanca e faktit më pas shfuqizohen në apel apo revizion për shkak gabimesh procedurale.
Rasti më i spikatur është ai i ish-kryeministrit kroat, Ivo Sanader. Për shkak të korrupsionit gjatë periudhës që ka qenë në post ai u dënua në fund të vitit 2012 në instancën e parë me dhjetë vjet heqje lirie dhe me një gjobë prej rreth 480.000 eurosh. Në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese e Kroacisë e shfuqizoi vendimin për shkak të gabimeve formale. Gjatë procesit për korrupsion të rëndë Sanaderit nuk i është garantuar një procedurë korrekte vendosi gjykata më e lartë dhe e ktheu procesin për rishqyrtim nga e para. Sanader falë një kaucioni mundi të dalë shpejt nga burgu. Vëzhguesit ndërkohë parashikojnë, që në një proces të ri ai të lirohet. Ajo që spikat në këtë proces është fakti, se Davorin Mlakar, njëri prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, është vetë i implikuar në një aferë korrupsioni.
Trajta më absurde, lufta kundër korrupsionit merr në Maqedoni. Prej vitesh Maqedonia renditet në radhët e fundit të listës së indeksit të perceptimit të korrupsionit nga Transparency International, sivjet ndër vendet ballkanike ishte Kosova pas Maqedonisë. Ryshfeti është atje pjesë e së përditshmes e kjo madje në të gjitha nivelet. Kur opozita bëri publike vitin e kaluar protokollet e telefonatave të përgjuara të anëtarëve të qeverisë, dolën në pah përmasat e korrupsionit.
U mësua, se si nëpunës të lartë shtetërorë kërkonin provizion për ndërtimin e rrugëve të reja ose se si përmes manipulimeve të tenderave publike mandatoheshin firmat e miqve. Megjithatë nuk ka ndodhur asgjë, as Prokuroria dhe as Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nuk kanë hapur hetime.
Vetëm Prokuroria Speciale e themeluar nën presionin e SHBA-së dhe BE-së, ka ngritur deri tani 11 padi, por asnjë proces nuk është shqyrtuar në gjykatë. “Fakti që korrupsioni nuk luftohet në nivelet e larta, bën që të inkurajohet korrupsioni në jetën e përditshme. Institucionet maqedonase për luftën kundër korrupsionit nuk funksionojnë”, thotë për “DË” Misha Popoviç nga instituti i pavarur për demokracinë në Shkup.
Të drejtë mes kombesh
Bujar NISHANI
Fillimisht dëshiroj t’ju falënderoj përzemërsisht për praninë tuaj të nderuar! Kjo është një ceremoni sa e veçantë, aq edhe emocionuese, sepse ka qenë qëllimi dhe dëshira ime prej vitesh që roli dhe kontributi i patjetërsueshëm i shqiptarëve në strehimin, mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë periudhës së errët të Holokaustit të vihet në pah botërisht dhe mbi të gjitha, të vlerësohet duke marrë nderimin dhe vendin e merituar në histori, të cilat u takojnë plotësisht. Në Talmudin e hebrenjve të lashtë shkruhet dhe kjo ka mbetur përjetësisht e gdhendur mbi shpirtrat e të gjithë atyre, që besojnë në moralin bashkëkohor të të gjitha feve monoteiste: “Ai që shpëton një jetë njerëzore, ka shpëtuar botën mbarë”! Kështu veproi Oskar Shindleri i famshëm, kështu vepruan me qindra, në mos me mijëra njerëz anembanë territoreve të pushtuara nga nazifashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fatkeqësisht, me gjithë përpjekjet altruiste dhe heroike të shumë e shumë njerëzve anembanë botës, gjashtë milionë hebrenj, mes tyre edhe një milion e gjysmë të mitur, përfunduan në dhomat e gazit, nën plumbat e skuadrave speciale apo edhe të varur, të mbytur e të shkelur me këmbë nëpër rrugët e qyteteve të ndryshme të Evropës, por këto nuk ndodhën jo nëpër rrugicat e Tiranës apo të Vlorës, të Beratit, të Shkodrës, të Prishtinës apo të Mitrovicës. Kurrsesi jo! Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Sot, me rastin e Ditës Botërore të Kujtesës së Holokaustit, jemi mbledhur pikërisht për të kujtuar, nderuar dhe vlerësuar në emër të shtetit tonë modern, ata shqiptarë – “Të drejtë mes kombesh, – të cilët me mikpritjen, bujarinë e me besën tradicionale që na ka karakterizuar në rrjedhën e shekujve, vunë veten dhe familjet e tyre në rrezik, vetëm e vetëm për të shpëtuar qoftë edhe një jetë të vetme njerëzore. Poeti ynë kombëtar, At Gjergj Fishta, e ka portretizuar në mënyrë të përsosur natyrën bujare e mikpritëse të shqiptarit në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis”, pikërisht në këngën e “Marash Ucit”: “Të huajin me fjalë mos ta poshtëroni, bukën para, por t’ia shtroni, në shqiptari siç është zakoni…”.
Si do të kishte qenë bota sot sikur të gjithë të ishin sjellë pikërisht ashtu siç vepruan shumica e shqiptarëve në atë kohë apo edhe e danezëve, një pjesë e holandezëve, suedezëve apo partizanëve polakë, të cilët ngritën krye bashkë me hebrenjtë rebelë në Geton e Varshavës? Mund t’ju them që pa asnjë mëdyshje do të kishte qenë edhe më e mirë seç është sot, sepse ata një milion e gjysmë fëmijë, sot e kësaj dite do të kishin qenë prindër, gjyshër, xhaxhallarë dhe teze të milionave të tjerë, të cilët ndoshta do t’i kishin dhuruar njerëzimit shumë më tepër njerëzillëk, mirëkuptim, harmoni dhe dashamirësi mes feve dhe kombësive të ndryshme, të cilave njerëzit natyrshëm u përkasin.
Eli Vizel, nobelisti i Paqes dhe përkrahës i luftës çlirimtare dhe pavarësisë së Kosovës, i mbijetuari i kampit famëkeq të shfarosjes së Aushvicit, përvjetorin e 72-të të çlirimit të tij që po përkujtojmë pikërisht sot, ka shkruar duke i bërë thirrje kujtesës sonë: “…jeta e një dëshmitari, i cili beson se ka detyrimin moral që të përpiqet me të tëra forcat për ta ndaluar armikun të shijojë edhe një fitore të fundme dhe të fshehë krimet e tij nga kujtesa njerëzore”.
Terrorizmi, antisemitizmi, nazizmi, fashizmi, stalinizmi, enverizmi – pothuajse të gjitha “izmat” e kësaj bote kanë lindur nga padituria, nga mosnjohja, nga frika prej atyre që janë ndryshe nga ne. Hebrenjtë dhe shqiptarët ndoshta janë shumë më ndryshe nga popujt e tjerë, por kanë disa tipare të ngjashme me njëri-tjetrin dhe një histori të pashembullt vuajtjesh, sprovash, por mbi të gjitha: një histori triumfi ndaj padrejtësive dhe mbijetese kombëtare. Të dy kombe të vegjël. Të dy popuj të përndjekur, të shtypur nga tiranët e historisë, por që të dy mbijetues, të paktën deri në shekullin e njëzetenjë, pavarësisht armiqve të shumtë shekullorë dhe përpjekjeve të pareshtuara për t’i shfarosur e për t’i zhdukur nga harta botërore.
Historia nganjëherë është e pamëshirshme, por asaj i duhet bërë ballë me dinjitet, me burrëri, me stoicizëm, ashtu siç i bënë ballë dhe mbijetuan hebrenjtë dhe shqiptarët në historinë e tyre. Le të mos harrojmë që në kohën e krizës dhe gjenocidit serb në Kosovë, shteti i Izraelit ishte i pari që u hodh në veprim duke ndihmuar politikisht, financiarisht dhe logjistikisht. Skenat e shpërnguljeve masive të vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë, sidomos vagonët e trenave apo varganët njerëzorë mes dëborës, ngricës dhe acarit duke kapërcyer më këmbë male, kodra dhe fusha gjatë gjenocidit, u krahasuan menjëherë me eksodin biblik të hebrenjve dhe përndjekjen e tyre gjatë Holokaustit.
Albert Ajnshtajni ndoshta shpëtoi me anë të një pasaporte shqiptare të lëshuar me zemërgjerësi nga autoritetet shqiptare gjatë Mbretërisë së Ahmet Zogut. Në këtë vend gjetën strehë dhe shpëtuan nga bisha naziste qindra, për të mos thënë mijëra hebrenj në arrati e sipër. Një keqardhje shtetërore do të desha ta shpreh për pamundësinë e shpëtimit të albanologut të vyer, Norbert Joklit, i cili fatkeqësisht përfundoi në kthetrat naziste, pavarësisht apeleve dhe thirrje për ndihmë të intelektualëve shqiptarë të kohës, sidomos atyre të shkolluar e të brumosur në Austri. Megjithatë njeriu bën aq sa ka mundësi. Shqiptarët bënë të pamundurën. Të paimagjinueshmen. Prandaj ata – të paktën me dhjetëra syresh, – sot janë shpallur dhe konsiderohen me plot meritë si: “Të drejtë mes kombesh”!
Andaj është në nderin dhe privilegjin tim, si kryetar i shtetit shqiptar, t’i vlerësoj e t’i shpall të gjithë ata që duke mbrojtur qoftë edhe një jetë të vetme, shpëtuan mbarë njerëzimin: “Nder i kombit” shqiptar!
Ju faleminderit ju, trashëgimtarëve të tyre, si dhe përjetësisht veprës dhe kontributit të pashembullt njerëzor të të parëve tuaj! Të nderuar qofshi dhe ju faleminderit!
1 mijë familje shqiptare u bënë strehë për hebrenjtë
Fatos Qoqja, 67 vjeç, është në pension. Familja e tij është njëra nga rreth 35 familjet shqiptare që janë evidentuar të dekorohen nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani për kontributin që kanë dhënë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kreu i shtetit ka marrë shkas për këtë nderimin nga 27 janari, ndërkombëtarisht e përkujtimit të viktimave të Holokaustit. Ditë kur Shqipëria ka një vend të veçantë në hartën e popujve që treguan mikpritje dhe solidaritet për hebrejtë në periudhën e tyre më të vështirë të shfarosjes masive nga nazizmi.
Babai i Fatosit, Beqir Qoqja, ka qenë rrobaqepës i njohur në Tiranë. Tek dyqani i tij në qendër të qytetit më 13 gusht 1943 mbërriti Avrami, një hebre i zhvendosur nga Greqia. Beqiri pati një lehtësi komunikimi me Avramin, sepse edhe ai e njihte gjuhën greke. Menjëherë e fshehu në shtëpi. Nga rreziku i asaj periudhe, pas rreth një jave, përmes disa miqve të tij, arriti ta zhvendosë ilegalisht Avramin nga Tirana, duke e dërguar në një zonë malore të Krujës, në Mukje. Aty ai qëndroi derisa mbaroi lufta për t’u rikthyer sërish në Tiranë.
Besnikëria e ditëve të vështira u shndërrua në respekt reciprok
Fatosi thotë për “Deutsche Welle”-n se familja e tij dhe e Avramit ishin mjaft të lidhura, duke i ndarë të gjitha gëzimet dhe hidhërimet së bashku. “Ki parasysh që në dasmën time apo të vëllait ata ishin në një vend të nderuar dhe të gjithë e dinin që ishim si një familje, sepse kishim dhënë prova të besnikërisë në ditë të vështira, e kjo ishte shndërruar në respekt reciprok. Në vitin 1991 kur Avrami bashkë me bashkëshorten dhe djalin vendosën të largohen për në Izrael, kjo ka qenë mjaft prekëse për të dyja palët. Atëherë kuptuam realisht se sa të afërm ishim shpirtërisht. Kontaktet i kemi mbajtur edhe më vonë dhe për familjen Qoqja ata mbeten të paharruar. Ne jemi krenarë që në këtë 27 janar respektohemi nga Presidenti i Republikës për një akt bujarie dhe besnikërie që si familja jonë e kanë treguar dhe shumë të tjera në Shqipëri”.
Prof. Petrit Zorba ka 15 vite që drejton Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Izrael. Ai thotë se për përkujtimin e viktimave të Holokaustit apo evidentimin e kontributit të popullit shqiptar për të mbrojtur hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore do të bëhet përmes disa aktiviteteve që zhvillohen nga Ministria e Jashtme, Fakulteti i Histori-Filologjisë në Tiranë apo dhe organizata e subjekte të tjera.
Synohet të mbahet gjallë kujtesa historike
“E dukshme është që në këto vitet e fundit nuk është vetëm shoqata si ideatore dhe nxitëse e veprimtarive, por ka dhe aktorë të tjerë, në nivel lokal a qendror. Synohet që përmes eventeve të ndryshme të mbahet gjallë kujtesa historike, sidomos tek gjeneratat e reja, për ato kohë të çmendurisë kolektive, të shfarosjes në masë të njerëzve të pafajshëm. Por nga ana tjetër për të nxjerrë në pah një fakt historik të pranuar brenda dhe jashtë vendit: për rolin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve. Pikërisht evidentimi i familjeve dhe individëve është konsideruar si një akt mirënjohje dhe konsiderate për ata që janë përfshirë”, thotë prof. Zorba për “Deutsche Welle”-n.
Për përfaqësuesit e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael evidentimi i familjeve që kanë strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë nuk është i lehtë, pasi një pjesë e njerëzve kanë lëvizur brenda ose jashtë vendit. Gjithsesi mendohet se numri i këtyre familjeve shkon në rreth 1 mijë.
“Nuk ka qenë një fenomen sporadik, fragmentar, si të thuash në një numër të caktuar familjesh në vend. Jo. Hebrenjtë kanë gjetur strehë, kanë gjetur ngohtësi në ato ditë të zymta dhe me rrezik të lartë për jetën e tyre dhe të të afërmve të tyre nga rreth 1 mijë familje shqiptare. Pra, jemi në rrethanat e një dukurie të përhapur, që tregon dhe konfirmon një tipar, një karakteristikë të dukshme të një populli. Mos harroni që këtë e kanë thënë dhe mjaft studjues dhe kërkues të huaj, të cilët kanë mbetur të mahnitur nga rasti shqiptar”.
Shoqata aplikon formate të larmishme veprimtarish në përkujtim të viktimave të Holokaustit, përmes hapjes së ekspozitave fotografike dhe dokumentare, nderimit dhe dekorimit për familjet mikpritëse, publikimeve historike, informative, prezantimeve mediatike, aktiviteteve të përbashkëta me Muzeun Historik Kombëtar, Arkivin e Shtetit dhe institucioneve të tjera, pjesëmarrje në veprimtari ndërkombëtare për këtë qëllim etj.
Nishani: Ata, që shpëtuan edhe një hebre të vetëm, janë “Nder i kombit”!
Kreu i Shtetit, Bujar Nishani vlerësoi dje gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në institucionin e Presidentit të Republikës në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës 35 familjet dhe individët shqiptarë, të cilët strehuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë veprimtari përkujtimore dhe vlerësimi ishin të pranishëm autoritetet më të larta të shtetit: Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, deputetë, anëtarë të qeverisë, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të bashkësive fetare, të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, si dhe familjarë të këtyre familjeve të nderuara shqiptare që strehuan hebrenjtë.
Presidenti i Republikës i akordoi dekoratën “Nder i Kombit”: “Në vlerësim të aktit heroik e të pashembullt njerëzor për shpëtimin e hebrenjve nga përndjekja naziste në Shqipëri; për rolin dhe kontributin e paçmuar në lartësimin e vlerave të rralla e tradicionale shqiptare të mikpritjes, bujarisë dhe besës, si dhe për konsolidimin e harmonisë dhe bashkëjetesës shumëshekullore fetare të kombit tonë: Familjes Balla (Destan dhe Lime); Familjes Biçaku (Mefail dhe Njazi); Familjes Boriçi (Shaqir, Qamile dhe Bahrije); Familjes Budo (Shyqyri dhe Xhemile); Familjes Çiftja (Agostin dhe Gjysepina, Margarita, Qezarina, Gjovana dhe Gjon); Familjes Frashëri (Yshref, Emine dhe Mehmet); Familjes Hoti (Fife Gjylbegu, Hasan, Çele dhe Vehbi Hoti); Familjes Hoxha (Rifat dhe Fejzie); Nuro Hoxhës (pas vdekjes); Familjes Hoxha (Shaban, Savet dhe Hilmi); Familjes Kadiu (Besim dhe Aishe); Familjes Kasapi (Zyrha dhe Hamdi); Mikel Kilicës (pas vdekjes); Kasem Jakup Kocerrit (pas vdekjes); Familjes Kona (Vasil dhe Kristina); Mihal Lekatarit (pas vdekjes); Familjes Meça (Sulejman dhe Zenepe); Muasil Dulajt (pas vdekjes); Familjes Myrto (Abdulla, Ije dhe Shyqyri); Familjes Nosi (Vasil, Kelkira, Stiliano dhe Adelina); Familjes Orgocka (Paskal dhe Lefkothea); Familjes Panariti (Isuf dhe Niqi); Familjes Pilku (Njazi dhe Liza); Beqir Qoqjës (pas vdekjes); Asllan Rezniqit (pas vdekjes); Familjes Ruli (Metin, Aziz, Shpresa dhe Ali); Familjes Sharri (Faik dhe Sabrije); Familjes Sheko (Stavro dhe Nora); Ali Sheqer Pashkaj (pas vdekjes); Familjes Shkurti (Petro dhe Magdalena); Eshref Shpuzës (pas vdekjes); Familjes Toptani (Atif dhe Ganimet); Familjes Veseli (Hamid, Xhemal, Vesel, Fatime dhe Refik); Familjes Xhyheri (Qamil dhe Hanume); Familjes Zyma (Besim dhe Hiqmete).
Serbia e përkëdhelura e BE, 5 miliardë euro në 15 vite
Brexit, kriza ekonomike, Trumpi… ka shumë probleme me të cilat aktualisht merret Komisioni i Bundestag-ut për Politikën e Jashtme. E megjithatë të mërkurën (26.01) ai gjeti kohë të trajtojë seriozisht edhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Tre deputetë të këtij Komisioni thonë për “Deutsche Welle”-n se qëllimi i takimit ishte që Gjermania dhe Bashkimi Evropian janë të interesuara për zhvillimet në këtë rajon.
Thorsten Frei, deputet i Partisë Kristiandemokrate (CDU) në këtë Komision, thotë se as Rusia dhe as Truqia nuk po flenë, kur bëhet fjalë për gjendjen në Ballkan. Ndërkohë që ende nuk dihet se cili do të jetë roli i SHBA-së, pas marrjes së postit të presidentit nga Donald Trump. Roli i Rusisë është forcuar veçanërisht në Serbi. “Në Rusi kemi një sistem autokrat për të cilin më të rëndësishme janë lojërat gjeopolitike për pushtet se sa interesat e popullit serb. Nuk dua të mohoj lidhjet historike mes këtyre vendeve, por fakt është që raportet tregtare mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian, e në veçanti Gjermanisë janë shumë më të fuqishme se ato me Rusinë. Në 15 vitet e fundit, nga BE në Serbi kanë shkuar donacione në vlerë prej rreth pesë miliardë euro, ndërsa nga Rusia – asgjë, përveç ndoshta trenit të nisur së fundi për Kosovë”, thotë Frei për “Deutsche Welle”-n.
Ndryshe mendon deputetja majtiste, Sevim Dagdelen. “Qeveria federale duket qartë që nuk është e interesuar që Serbia si kandidate për anëtarësim në BE të jetë partnere e afërt me Rusinë. Nga Serbia po kërkohet që të ketë kurs antirus. Në këtë kontekst kërkohet normalizimi gjoja i raporteve me Kosovën, që do të detyronte Serbinë edhe të njohë pavarësinë e kësaj krahine që ka shpallur pavarësinë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, thotë Dagdelen për “DW”.
Josip Juratoviç, deputet socialdemokrat (SPD), është i shqetësuar për shkak të tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Episodi me trenin, siç thotë, shtron pyetjen: në ç’drejtim po shkon Serbia – rrugës së Nikoliçit apo të Vuçiçit, i cili flet se i mbetet besnik procesit të integrimeve evropiane dhe se do të bëjë ç’është në mundësinë e tij për ta realizuar këtë qëllim. Juratoviç pohon se gjendjen në Ballkan e rëndojnë edhe fushatat elektorale atje, sepse shumë shpesh ka zgjedhje dhe fushata. “Ne tërë kohën kemi zgjedhje në ndonjë vend. Para ca kohësh ka pasur zgjedhje në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë e tani do të ketë edhe në Serbi. Partitë politike në këto vende nuk kanë asgjë konstruktive të ofrojnë dhe për këtë qëllim krijojnë tensione mbi bazën e të cilave i kanë fituar zgjedhjet me dekada”.
Në pyetjen se si e komenton faktin që presidentët e Serbisë dhe Kosovës kanë dalë edhe pas takimit në Bruksel me deklarata luftarake, Juratoviç thotë se nuk do të flas me emra, por ka shumë politikanë në rajon që nuk duan afrimin me BE-në. “Ata kanë krijuar në dekadat e fundit një sistem të përshtatshëm ku zotëron një gjendje gjysmë e qartë dhe në këtë kontekst janë dakord të gjithë nacionalistët”.
Juratoviç kërkon që të mos vazhdohet me diskutime nëpër seanca e konferenca pa fund, por të punohet konkretisht për projekte dhe reforma. E “në këtë drejtim duhet të ushtrohet presion”, thotë Juratoviç.
Austri, president i ri krizë e re
Harrohet fitorja mjaft emocionale kundrejt rivalit të FPÖ-së Norbert Hofer. Betimi i presidentit të ri Alexander van der Bellen zhvillohet nën hijen e krizës qeveritare. Shenjat flasin për zgjedhje të reja. U desh më shumë se një vit derisa Alexander van der Bellen të bëhej president i Austrisë. Të enjten (26.01) ai bëri betimin në Parlament, përshkoi më këmbë rrugën drejt Hofburg-ut dhe i ftoi përkrahësit e tij për një shëtitje të përbashkët. Këta të fundit që kishin duruar më shumë se një vit për këtë ditë, duruan edhe ato pak minuta në acarin e dimrit vjenez duke e brohoritur të preferuarin e tyre. Rreth një mijë vetë iu përgjigjën ftesës së tij, një në dy vetë ishte veshur me rroba tifozësh, shumë mbanin bereta gri me mbishkrimin “Van der Bellen”, disa thërrisnin, madje ishin mbështjellë me flamuj me parullën “Më shumë se kurrë – VdB”.
“Për ne është një çast i gëzueshëm”, thotë Margit K., e cila punon në spital dhe enkas e kishte ndërruar turnin për të qenë këtu. “Unë e shoh Austrinë me të në krye në rrugë të mbarë. Me Hoferin do të ishin forcuar të djathtët”. Ishte kryesisht frika prej populistit të djathtë të FPÖ-së, Norbert Hofer, që i solli fitoren Van der Bellen-it. Një në dy vetë, sipas anketimeve, kanë zgjedhur ekologjistin vetëm për të shmangur Hofer-in.
Megjithatë, edhe pse Van der Bellen dhe mbështetësit e tij festojnë në këtë ditë të ftohtë edhe një herë fitoren e dhjetorit – tema dominuese është edhe sot, se pavarësisht fitores së Van der Bellenit kriza politike në Austri nuk ka marrë fund. Më shpejt nga sa ai do të dëshironte, mund të ndodhë që Van der Bellen të detyrohet të marrë vendime të vështira si president.
“Grindja dominon gjithçka”
Opinioni në Austri është ambientuar me lajme për mosmarrëveshje në koalicionin qeverisës, madje edhe hamendësimet për zgjedhje të reja tashmë janë bërë të zakonshme. Por ajo që tha në fillim të javës kancelari socialdemokrat (SPÖ) Christian Kern, pati një cilësi të re: nëse SPÖ dhe partneri i koalicionit ÖVP deri të premten nuk bien dakord për një plan për pjesën e mbetur në legjislaturë deri në vjeshtën 2018, “atëherë ne nuk kemi nevojë më për këtë qeveri”.
Kjo ishte pika kulmore e një serie mosmarrëveshjes, që ka pasur gjatë muajve të fundit koalicioni me bazë të gjerë. Në këto mosmarrëveshje bëhet fjalë jo vetëm për tema përmbajtësore, por mesa duket të dyja palët e kanë thelluar hendekun e konfliktit edhe në drejtime të tjera. ÖVP thuhet, se ka angazhuar një përndjekës plagjiaturash për punën e diplomës së kancelarit Kern, ndërsa nga ana e saj SPÖ duhet të ketë skanuar jetën e mëparshme të yllit të ÖVP, ministrit të Jashtëm, Sebastian Kurz.
Të çarat në koalicion duket se është e vështirë të ngjiten – për politologun Peter Filzmaier nga Universiteti Danub në Krems gabimi ka të bëjë qysh me ngjizjen e këtij koalicioni: “Qysh në fillim ky ishte një koalicion nga e keqja”, thotë ai për “DW”. Janë kontradiktat klasike, që ndajnë SPÖ-në dhe ÖVP-në: ndërsa kancelari Kern së fundi me “Planin A” të tij paraqiti një program, që përmban ide të majta me çështjen e pagës minimale dhe taksën ndaj pasurisë, kristiansocialët i bllokojnë të tilla masa. Ndonëse krerët e koalicionit janë takuar në një samit një ditë më parë, i cili duhet të vazhdojë deri të premten (27.01), “edhe sikur ata të vendosin diçka të re, ndërkohë e kanë turbulluar prezantimin”, thotë Filzmaier. “Grindja do të dominojë gjithçka”.
Enigma e zgjedhjeve
Zgjedhje të reja ose jo – kjo është një çështje, që do të diskutohet intensivisht edhe në Hofburg. Qytetarët që shoqërojnë presidentin e sapobetuar si çifti Kurt dhe Margit K., janë të bindur që në vjeshtë 2017 austriakët sërish do të votojnë. “Van der Bellen do të përpiqet që t’i bashkojë partitë, por qerrja ka mbetur në vend”, thotë Kurt K.
Politologu Peter Filzmaier konsideron se në rast se ka zgjedhje do të jetë i pamundur një koalicion me bazë të gjerë. “Për SPÖ zgjedhjet kanë kuptim, vetëm nëse një partner i mundshëm koalicioni do të jetë FPÖ-ja”. Dekada me radhë socialdemokratët kanë ndjekur të ashtuquajturën doktrina Vranitzky: jo bashkëpunim me të djathtët në nivel federal. Kancelari Christian Kern po e lëviz SPÖ-në drejt FPÖ, në Burgenland këto parti kanë krijuar një koalicion. Por aktualisht pyetja që shtrohet ka të bëjë me faktin se FPÖ-ja kryeson në sondazhe. “Ky është i vetmi argument që flet kundër zgjedhjeve të reja”, thotë Peter Filzmaier. Ndërkohë as SPÖ dhe as ÖVP nuk mund të shpresojnë, se i fitojnë zgjedhjet.
Pavarësisht se kur do të ketë zgjedhje, në vjeshtë 2018 apo më përpara, FPÖ-ja mund të dalë partia më e fortë. E kësisoj Van der Bellen vërtet do të përballej me pyetjen e vështirë për një president: kë do të ngarkojë ai me krijimin e qeverisë? Ai nuk do ta pranonte betimin e një qeverie të drejtuar nga FPÖ-ja, kështu ka premtuar ai në fushatën elektorale. Nga ana ligjore kjo do të ishte e mundshme, por e lidhur me një krizë shtetërore dhe me zgjedhje të reja. “Mbetet e vështirë, mund të krijohen rrethana të ngjashme si në Spanjë, sepse një qeveri me dy parti mund të krijohet vetëm me FPÖ-në”, thotë Peter Filzmaier. “Pra, me Van der Bellen duhet të sqarohet çështja, se ç’qëndrim do të mbash ti ndaj një qeverie me FPÖ-në?”.
Revolucioni në Greqi nuk po duket
Me Alexis Tsipras dhe partinë e tij Syriza, dy vjet më parë në skenën e Athinës dhe të Brukselit hyri një lojtar i ri. Shumë gjëra do të bëheshin krejt ndryshe, por shumë pak gjëra kanë ndryshuar, mendon Spiros Moskovou. Syriza e majtë nën drejtimin e politikanit të ri Alexis Tsipras, një parti deri atëherë pa përvojë qeverisëse, fitoi më 25 janar 2015 zgjedhjet e parakohshme në Greqi. Tsipras i fitoi zgjedhësit me premtimin se do ta çlironte vendin nga korrupsioni tradicional dhe se do ta negocionte shpëtimin e Greqisë së falimentuar nga e para dhe para së gjithash me krenari me donatorët ndërkombëtarë. Burri me debutimin e një tribuni popullor shpalli se do ta rifitonte dinjitetin e humbur të grekëve të munduar nga kriza. Çfarë ka mbetur dy vjet më vonë nga këto premtime?
Bilanci i së ashtuquajturës marrje revolucionare të pushtetit në Athinë ka kohë që e ka zhgënjyer shumicën e grekëve, siç e dëshmojnë edhe sondazhet më të fundit. Në rast zgjedhjesh të reja, Syriza do të arrinte vetëm 20 për qind të votave, ndërsa partia opozitare konservatore Nea Dimokratia, nën Kyriakos Mitsotakisin ambicioz 34 për qind.
Populistë, jo mëkëmbës të përgjegjshëm
Syriza u zbulua shumë shpejt si një parti thjesht populiste e majtë, vërtet një ventil për shtresa të gjera të shoqërisë greke, por jo si forcë politike për një punë me përgjegjësi në qeveri. Brenda natës ajo lidhi para dy vjetësh një koalicion me partinë populiste të djathtë ANEL, për të siguruar shumicën e nevojshme në Parlament. Tri herë i tërhoqi ajo zvarrë zgjedhësit më 2015 para kutive të votimit, me lutjen për të konfirmuar politikën e qeverisë – një luks i tepruar demokratik për një vend, i cili është i varur nga subvencionet në para të partnerëve të tij.
Pas ngurrimeve të gjata, Syriza bëri në verë 2015 një marrëveshje për një paketë të tretë rigoroze ndihmash për Greqinë dhe lufton që atëherë për vënien në jetë të reformave të parashikuara në të. Njësoj si qeveritë pararendëse që prej 2010-ës, edhe qeveria Tsipras ishte e shpejtë për të futur taksa të reja, por zhgënjyese e ngadaltë në vënien në jetë të reformave të premtuara. Në këtë kuptim, qeveria e Syrizës nuk është një kapitull i ri në historinë politike të Greqisë, por të shpresojmë se ishte seria e fundit e së kaluarës. Kjo vlen edhe për luftën e shpallur me të madhe kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Vërtet që qeveria Cipras e ndërpreu furnizimin e vetëkuptueshëm më parë të oligarkëve të ndryshëm me porosi të dyshimta shtetërore. Por nga ana tjetër ajo u kap në përpjekjen për të ndërtuar oligarkë të rinj miqësorë ndaj Syrizas.
Donatorët ka kohë që janë mësuar
Për donatorët ndërkombëtarë të Greqisë, kabinetet e Alexis Tsiprasit nuk janë partnerët më të këqij. Një parti “e majtë” në qeveri ka gjithmonë shanse më të mira për të imponuar paketa reformash dhe për të justifikuar përballë zgjedhësve programe strikte kursimi. Një qeveri e tillë “progresive” merret vesh edhe më mirë me sindikatat që ngrejnë krye.
Por një llogari e tillë mund të ecë vetëm me parakushtin që ekonomia e vendit të rritet. E në Greqi ky parakusht nuk ekziston: ekonomia rrudhet prej vitesh dhe gjoja tepricat e sektorit publik vitin e kaluar u krijuan vetëm sepse shteti i ngriu detyrimet ndaj sipërmarrjeve private. Pra, nuk i pagoi borxhet dhe llogaritë e tij. Kështu që edhe dy vjet pas marrjes së pushtetit nga Syriza, Greqia mbetet një fuçi baruti ekonomike dhe sociale.
“Nuk i besoj Trump, por idetë e tij janë të duhurat”
Më 20 janar ka filluar zyrtarisht mandati i Donald Trump si President i 45-të i Shteteve të Bashkuara dhe Stephen Walt duhet të jetë i kënaqur. Docent i Politikës Ndërkombëtare në John F. Kennedy School of Government të Harvard University, Walt është një prej eksponentëve më të shquar të shkollës realiste në fushën e diplomacisë dhe idetë e tij nuk janë dëgjuar shumë (eufemizëm) nga anët e Shtëpisë së Bardhë këto 8 vitet e fundit. Teoria sipas së cilës i ftohti i madh midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë nuk i duhet veshur agresivitetit të Putinit, por asaj (lexo NATO-s) që është zgjeruar në mënyrë të rrezikshme në Lindje derisa të provokojë reagimin e pashmangshëm të Moskës, nuk është marrë asnjëherë në konsideratë. Qysh nga rënia e Murit të Berlinit, Aleanca Atlantike ka përfshirë Republikën Çeke, Hungarinë, Poloninë, Bullgarinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë, Sllovakinë, Slloveninë. Pastaj, në vitin 2008, njoftimi se edhe Gjeorgjia e Ukraina do të futeshin në orbitën perëndimore.
Të mendosh se Moska do ta pranonte këtë rrethim me një buzëqeshje, thekson Walt, ka qenë jashtëzakonisht “naive”. Veç të tjerash, përplasja me Putinin e ka hutuar Amerikën nga prioriteti i vërtetë i saj: kundërshtimi i Kinës, ndoshta duke spostuar drejt Azisë forca dhe kapitale të përdorur për mbrojtjen e Europës. Këto masa pothuajse janë injoruar. Të paktën, deri më tani. Pasi Trump duket se e ka shkruar programin e tij duke kopjuar librat e Walt: raporte më të mira me Rusinë, dorë e ashpër me Kinën, braktisje të aleatit europian në fatin e tij. Megjithatë, docenti i Harvard nuk është i kënaqur as edhe tani. Walt ka bërë një fushatë të pamëshirshme kundër Trump, sepse vetëm një gjë është më e bezdisshme sesa t’i shikosh të neglizhuara idetë e tua: të mësosh se janë përqafuar nga një president “i paparaqitshëm, i paparashikueshëm, i papërgatitur, instinktiv, hakmarrës dhe kokëshkretë”, i urryer nga të gjitha gazetat më të rëndësishme të botës. Por nuk ke çfarë i bën. Ankthi më i madh i Walt është bërë tashmë realitet dhe megjithëse nuk i beson Trump, për revistën “Tempi” shpjegon se pse “idetë e tij janë ato të duhurat”.
– Profesor, cilat janë prioritetet e Shteteve të Bashkuara në politikën e jashtme?
Më i rëndësishmi është raporti me Kinën, pasi është rivalja e vetme potenciale ndaj dominimit amerikan. Prioritete dytësore janë paqëndrueshmëria e vazhdueshme e Lindjes së Mesme, brishtësia e Bashkimit Europian, raportet me Rusinë dhe kërcënimi afatgjatë i ndryshimeve klimaterike.
– Pse gjatë viteve të fundit janë përkeqësuar kaq shumë raportet me Rusinë?
Besoj se motivi kryesor është ekspansioni i NATO-s në Lindje, të cilin e kanë pasuar përpjekjet për t’i tërhequr vende si Ukraina në orbitën perëndimore. Edhe tentativa për të ndryshuar disa qeveri në Lindje të Mesme nuk ka ndryshuar. Kjo ka përfunduar duke provokuar një reagim të ashpër nga ana e Moskës. Ja si kemi arritur deri këtu.
– NATO-ja ka qenë tepër agresive apo, siç përsërisin Barack Obama dhe shumë liderë perëndimorë, është faj i neoimperializmit të Putinit?
“Agresive” nuk është fjala e duhur. NATO-ja dhe Bashkimi Europian kanë qenë naivë. Besonin se zgjerimi drejt Lindjes ishte një akt dashamirës që do të favorizonte vende si Ukraina dhe Gjeorgjia. Nuk kanë menduar se bëhej fjalë edhe për një kërcënim ndaj Rusisë. Problemi këtu nuk është ajo që “ne” mendojmë, por ajo që besojnë liderët rusë. Kemi harruar se fuqitë e mëdha janë gjithmonë të ndjeshëm ndaj kufijve të tyre dhe të shikuarit e aleancës më të fuqishme ushtarake të botës që lëvizte gjithnjë e më shumë drejt Lindjes nuk ka sesi të mos e alarmonte Putinin.
– Është vërtet Kina një kërcënim për Amerikën?
Janë akoma shumë më të dobët sesa ne, sidomos nga pikëpamja ushtarake. Por potenciali i tyre po rritet, sidomos në zonat afër me vetë Kinën. Ja pse Shtetet e Bashkuara po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje Azisë dhe duhet të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
– Çfarë mendoni për objektivat e politikës së jashtme të Trump?
Përmirësimi i raporteve me Rusinë dhe impenjimi akoma më shumë për të frenuar Kinën në vetvete është i drejtë.
– Por…
Por kjo qasje duhet realizuar me maturi dhe i duhet shpjeguar në detaje popullit amerikan dhe aleatëve të tij. Përndryshe, do të dukej se po i shisnim aleatët tanë për t’i bërë qejfin Putinit.
– Nuk i besoni shumë Trump apo jo?
Jo, nuk i besoj pasi nuk duket se është një kuptues i hollë i politikës ndërkombëtare dhe nuk duket i interesuar për të vërtetën. Marrja e vendimeve politike duke u bazuar në informacione false apo ide të gabuara është mënyra më e mirë për të shkaktuar një katastrofë. Veç kësaj, Trump më duket i paparashikueshëm, nxehet shpejt dhe kjo nuk është cilësi e dëshirueshme për një lider.
– Le të shtiremi se Trump ju ka zgjedhur si këshilltarin e tij. Çfarë do t’i sugjeronit?
Para së gjithash do t’i thoja që të lejonte që posti i SACEUR, Komandantit Suprem të NATO-s në Europë, të mund të merret nga një oficer ushtarak europian. Mund të fillohet kështu aksioni i çimpenjimit amerikan në Europë. Pastaj do ta këshilloja që t’i jepte fund luftës në Afganistan dhe t’ja linte pataten e nxehtë të ISIS-it aktorëve lokalë në rajon. Kështu mund të përqendrohet tërësisht mbi Azinë.
– Do të jetë ende Europa një partnere e rëndësishme për Amerikën?
Nga pikëpamja tregtare, patjetër. Europa është aleate edhe në disa zona me interes të përbashkët, si aktivitetet antiterrorizëm. Ama është një kontinent i pasur që mund t’ja lejojë vetes që të mbrohet vetë. Mund ta bëjë pa vështirësi dhe është momenti tani që të nisë e ta marrë seriozisht këtë detyrë: nuk mund të mbështetet gjithmonë tek Uncle Sam.
– Nëse do t’ju duhej të vinit bast 1 dollar, si besoni se do të evoluojnë me Trump raportet midis Shteteve të Bashkuara nga njëra anë dhe Kinës e Rusisë nga ana tjetër?
Jam i gatshëm që të vë shumë më tepër! Marrëdhënia me Kinën do të jetë gjithnjë e më e tendosur, si në fushën ekonomike, ashtu edhe në atë strategjike. Kurse raportet me Rusinë mund të përmirësohen, por që kjo të ndodhë është e nevojshme që të dyja palët të tregojnë një shkallë të caktuar durimi dhe imagjinate. Duhet të jenë të gatshme për “të jap që të më japësh”.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA