20.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Trump në Filadelfia, rendit aspiratat kryesore politike

Presidenti i SHBA, Donald Trump bëri të enjten udhëtimin e tij të parë me avionin presidencial Air Force One duke shkuar në Filadelfia për një takim me Kryeministren britanike, Theresa May dhe për të marrë pjesë në një konferencë të anëtarëve republikanë të Kongresit.
Zoti Trump, i cili më parë udhëtonte me avionin e tij privat, u prit në Filadelfia nga një numër i vogël protestuesish përpara ndërtesës ku republikanët po mbanin konferencën.
Menjëherë pas mbërritjes, zoti Trump mbajti një fjalim në të cilin kujtoi fitoren e tij befasuese në zgjedhje në shtetin e Pensilvanisë. Ai tha se fitorja në këtë shtet ishte diçka e këndshme, duke e quajtur Pensilvaninë shtetin që “u kishte shpëtuar” republikanëve në zgjedhjet e mëparshme.
Presidenti renditi pastaj aspiratat e tij kryesore politike, duke përfshirë planin për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit jugor të SHBA, si dhe një hetim rreth dyshimeve për mashtrim në votimet e vitit 2016.
“Ne do të mbrojmë integritetin e kutive të votimit, do të mbrojnë votat e qytetarit amerikan. Kjo është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Zoti Trump tha se ai dhe presidenti meksikan Enrique Pena Nieto kanë rënë të dy dakord për të anuluar një takim të planifikuar për javën e ardhshme, pasi presidenti meksikan përsëriti se vendi i tij nuk do të paguajë për murin.
“Nëse Meksika nuk i trajton Shtetet e Bashkuara në mënyrë të drejtë dhe me respekt, një takim i tillë do të ishte i kotë. Unë dua të ndjek një rrugë të ndryshme, nuk kam asnjë alternativë tjetër”, tha zoti Trump.
Republikanët janë mbledhur për një konferencë treditore, ku do të planifikojnë axhendën legjislative për vitet e ardhshme, në të cilën do të kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit, krahas Shtëpisë së Bardhë.
Zoti Trump po u paraqet ligjvënësve ato që ai dëshiron të arrijë në çështje si emigracioni dhe kujdesi shëndetësor. Ai mund të përpiqet t’i nxisë republikanët të mbështesin idetë e tij shumë të debatueshme, si ndërtimi i murit apo ngadalësimi i imigracionit.
Duke folur për gazetarët të enjten, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se Presidenti Trump nuk ka vendosur ende nëse do të shkurtojë fondet për organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara. Disa njoftime në media lënë të kuptohet se presidenti po përpiqet për të zvogëluar rolin e SHBA në këto organizata.

Merkel takim me Trump të shtunën

Kryediplomati i ri gjerman, Sigmar Gabriel, do të zhvillojë bisedime me administratën e presidentit të ri amerikan, Donald Trump në SHBA gjatë javës së ardhshme, shkruan gazeta “Handelsblatt”, transmeton “Reuters”.
Paraardhësi i Trump, Barack Obama ka pasur marrëdhënie shumë të mira me kancelaren gjermane, Angela Merkel, por presidenti i ri amerikan e ka nisur punën duke e kritikuar ashpër sidomos politikën e Merkelit për refugjatët.
Socialdemokrati Gabriel, që ka mbajtur qëndrime kritike ndaj Trumpit, do të takohet me nënpresidentin amerikan, Mike Pence dhe të nominuarin e Trumpit për sekretar Shteti, Rex Tillerson, shkruan gazeta “Handelsblatt”, duke u mbështetur në burime anonime qeveritare gjermane.
Gabriel së fundi ka hequr dorë nga posti i ministrit të Ekonomisë për të zëvendësuar Frank-Walter Steienmeierin në postin e ministrit të Jashtëm, në një ceremoni të mbajtur dje.
“Reuters” e citon një burim anonim, i cili thotë se Merkel me gjasë të shtunën do të bisedojë me Trumpin, një bisedë që pritet të fokusohet rreth Rusisë.
Nuk është ende e qartë, shkruan më tej “Reuters”, nëse Trump do të bisedojë për heqjen e mundshme të sanksioneve amerikane që janë vendosur ndaj Rusisë për shkak të veprimeve të kësaj të fundit në Ukrainë.

Barcelona nuk gabon, kalon me lehtësi në gjysmëfinale

Barcelona është skuadra e katërt gjysmëfinaliste e Kupës së Mbretit. Katalanasit e Luis Enrikes kanë fituar pa shumë mund ndaj Real Sociedadit, të cilin e kishin mposhtur edhe në sfidën e parë, për të plotësuar katërshen e ekipeve që do të luftojnë për trofeun.
Nëse në ndeshjen e parë, Barcelona fitoi vetëm 1-0 në transfertë, në “Kamp Nou” gjithçka ka qenë shumë më e thjeshtë, edhe pse u desh të pritej pjesa e dytë për të parë dominimin e plotë të katalanasve. 45 minutat e para u mbyllën vetëm me shifrat 1-0 për Barçën, falë golit të Denis Suarez në minutën e 17-të të ndeshjes.
Më pas, shumë dominim në mbajtje topi dhe në raste, por asnjë gol, deri në minutën e 55-të, kur Mesi dyfishoi shifrat nga pika e bardhë pas një penalltie të fituar nga Nejmar. Huanmi dhe Uillian u përpoqën më kot të rihapnin ndeshjen, por golat e Luis Suarez, Turan dhe përsëri Denis Suarez, vulosën rezultatin e thellë 5-2 për Barcelonën.
Barcelona-Real Sociedad 5-2 17’, 82’ D. Suarez, 55’ (p) Mesi, 64’ L. Suarez, 80’ Turan / 62’ Huanmi, 73’ Uillian.
Tashmë mbetet të mësohet se cilën skuadër do të ndeshin katalanasit në gjysmëfinale mes Deportivo Alavesh, Atletiko Madrid dhe Selta Vigo, të cilët janë rivalët e mbetur në garë.

Mançester Unite shkon në finale me drithërima

Mançester Junajtid ka siguruar praninë në finalen e Kupës së Ligës, duke eliminuar Hall Sitin. Por skuadra e Zhoze Murinjos ka vuajtur më shumë sesa parashikohej përballë ekipit, i cili aktualisht mban vendin e parafundit në klasifikimin e kampionatit anglez.
Fitorja 2-0 në ndeshjen e parë bëri të mendonte se Mançester Junajtid do të shkonte i qetë drejt finales. Por goli i Hadwllston në pjesën e parë komplikoi planet e “djajve të kuq”, të cilët rrezikonin të shpërdoronin këtë avantazh të krijuar në ndeshjen e parë. Goli i Pol Pogba në minutën e 66 ktheu disi qetësinë te Murinjo, por Niase në minutën e 86 rihapi plotësisht fatin e ndeshjes, pasi në këtë turne nuk merret për bazë rregulli i golave jashtë fushe dhe Hall mund të çonte takimin në shtesa nëse shënonte përsëri.
Gjithsesi, Mançester Junajtid arriti të mbronte këtë rezultat dhe falë humbjes 2-1 në duelin e dytë, kaloi në finale ku e pret Sauthemptoni dhe ku me siguri Ibra & Co do të jenë favoritë.

Bajerni me mungesa

Kampionët në fuqi të Gjermanisë, Bajerni i Mynihut të shtunën do të luajë një transfertë të vështirë përballë Werder Bremenit. Në një konferencë për mediat para ndeshjes, trajneri Carlo Ançeloti ka konfirmuar dy mungesa të rëndësishme në kampionatin bavarez.
“Vidal dhe Thiago nuk janë gati për ndeshjen e nesërme, por i kam në plan për ndeshjen me Schalken. Coman është gati, por jo nga fillimi. Ribery apo Costa? Është e vështirë për mua të lë lojtarë në stol, mbi të gjitha lojtarë profesionistë si Franck. Është në formë të mirë, mund të luajë pa probleme. E njëjta gjë edhe për Douglas. Këtë javë, Costa ishte në stërvitje më mirë sesa javën e kaluar. Jam i kënaqur me të gjithë lojtarët në stërvitje, por nuk mund të luajnë të gjithë. Kanë karakteristika të ndryshme, por janë të dy të mirë për skuadrën. Formacionin e vendos në varësi të lojtarëve të mi, jo të kundërshtarit”, u shpreh tekniku italian.
Momentalisht pas 17 javësh, skuadra e Bjernit të Mynihut kryeson Bundesligën me 42 pikë të grumbulluara, 3 më shumë se RB Leipzigu i vendit të dytë.
Mediat gjermane kanë filluar të raportojnë se Carlo Ançeloti mund të largohet në verë të vitit 2019, kur edhe i skadon kontrata dhe kampionët e Gjermanisë mund të udhëhiqen nga trajneri i Hoffenheim, Julian Nagelsmann. Por, të gjitha këto i ka hedhur poshtë ish-trajneri i Real Madridit, Carlo Ançeloti, i cili ka thënë se Nigelsmann mund të bëhet trajner i Bayernit vetëm pas 10 apo 20 vjetësh.
“Do të doja që ai të bëhej trajner i Bayern një ditë”, tha fillimisht Ançeloti në konferencën për media. “Ndoshta ai do të bëhet trajner i Bayernit pas 10 ose 20 vjetësh. Ai ka kualitete dhe po bën punë të mirë momentalisht. I dëshiroj gjitha të mirat. Por, unë shpresoj që qëndroj këtu edhe për 10 vite, pse jo edhe 20”, tha mes tjerash Ançeloti.
Mesfushori i Bajernit të Mynihut, Arturo Vidal në fund të sezonit do të largohet nga Gjermania. Është e përditshmja italiane “Corriere dello Sport”, e cila ka zbuluar marrëveshjen e fshehtë të kilianit me skuadrën e Chelseas.
Së fundmi, Vidal është duke marrë leksione për të mësuar gjuhën angleze, një tjetër fakt që e bën akoma edhe më të besueshëm transferimin e tij në “Stamford Bridge”. Skuadra e Chelseas është treguar e gatshme të ofrojë plot 70 milionë euro për ‘yllin’ bavarez. Transferimi i Vidalit drejt Chelseas bëhet akoma edhe më i besueshëm për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera që ka me ish-trajnerin e Juventusit, Antonio Conten.

Milani e huazon Niang te Watford

Mbaye Niang largohet zyrtarisht nga Milani. Futbollisti francez është transferuar në Premier League te Watfordi, që do të paguajë 750 mijë euro për huazimin nga kuqezinjtë deri në fund të sezonit, me klubin anglez që do të ketë mundësinë e blerjes për 18 milionë euro, sigurisht në bazë të performancës së futbollistit. 22-vjeçari kaloi vizitat mjekësore paraditen e të enjtes, për t’u zyrtarizuar më pas nga skuadra që drejtohet nga italiani Walter Mazzarri.
Largimi i Niang nga Milano lë një vend bosh në organikën e kuqezinjve. Administratori i Deleguar i Milanit, Adriano Galliani, po punon për të gjetur një zëvendësues të denjë të francezit. Zgjedhje e parë mbetet Ocampso i Genoas, por bisedimet janë ndërlikuar shumë, sepse presidenti Preziosi nuk ka një zëvendësues për argjentinasin, në vend të të cilit preferonte pikërisht Niang.
Milani ka arritur marrëveshjen me Genoan për huazimin e Lucas Ocampos, i cili do të zërë vendin e lënë bosh nga M’baye Niang. Gjithsesi, zyrtarizimi do të vijë vetëm nëse Genoa do të marrë Palladinon nga Crotone. Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, ka bërë të ditur se kuqezinjtë kanë vetëm Ocamposin si objektiv. Nëse nuk vjen ai, skuadra do të qëndrojë siç është. Deri tani, në merkaton e janarit, Milani ka afruar në skuadër portierin Marco Storari dhe sulmuesin Gerard Deulofeu, të dy në formë huazimi.

Brazil mposht 1-0 Kolumbinë. Goli për viktimat e Chapecoenses

Kombëtarja braziliane e futbollit mundi 1-0 Kolumbinë, në një miqësore në nderim të viktimave të tragjedisë ajrore që thuajse shfarosi ekipin e Chapecoenses dy muaj më parë. Sfida prestigjioze e programuar në Rio de Janeiro synonte të mblidhte të ardhura për familjet e futbollistëve, që humbën jetën në malet kolumbiane, por bileta u shitën për më pak se gjysma e stadiumit me kapacitet 45 mijë vende.
Impianti “Niltos Santos” u zgjodh nga organizatorët për ndeshjen miqësore, një përballje emocionuese për lojtarët, tifozët dhe sidomos kombin brazilian, më pak se 8 javë nga tragjedia ajrore.
Vetëm 6 persona mbijetuan nga fluturimi fatkeq që mbante ekipin e Chapecoenses, e një prej tyre, portieri Jakson Follmann ishte i pranishëm në stadium, në një karrige me rrota, pas këmbës së amputuar. Kompania mediatike “Globo”, më e madhja në Brazil, tha se sponsorët do të garantonin 1.2 milionë dollarë për familjet e prekura nga tragjedia. Sulmuesi Dudu, që militon me Palmeiras, shënoi golin e vetëm të miqësores, që pati edhe vërshëllima.

Ekspozohet “Katar 2022”, abuzime me punëtorët në stadium

Si të mos mjaftonte çështja kontroverse e ryshfeteve dhe ndikimit të FIFA-s, për organizimin e Botërorit të vitin 2022, Katari është përballur shpesh me rastet e abuzimeve të mijëra punëtorëve të varfër, që ndihmojnë në ndërtimin e stadiumeve.
Historitë e 4 prej emigrantëve ekonomikë në mbretërinë e pasur me naftë kanë qenë fokusi i filmit dokumentar “Kupa e Punëtorëve”, të lançuar në “Sundance Festival”. “Workers Cup” tregon historinë e ganezit Kenet, si dhe shokëve të tij nga India, Kenia dhe Nepali, që erdhën për një grusht dollarësh më shumë në Katar, por u përballën si mijëra të tjerë me kushte çnjerëzore jetese, mohimin e të drejtave themelore, e shumë probleme të tjera.
“Ne ishim të fokusuar, përveç këtyre, edhe në mallin që emigrantët kanë për familjet, për lënien jashtë pjesës tjetër të shoqërisë për vepra madhore, si stadiumet e Botërorit”, tha regjisori Adam Sobel, ish-rezident në Katar.
Më shumë se 1.6 milionë emigrantë ekonomikë, sipas grupeve humanitare, trajtohen në kushte ekstreme në mbretërinë e pasur të Gjirit Persik. Në filmin e shfaqur, emigrantët ëndërrojnë për t’u bërë futbollistë në stadiumet që ata po ndërtojnë vet.

Thiago Silva zhgënjen milanistët

Paris Saint Germain duket se do të jetë klubi i fundit i Thiago Silvës. Mbrojtësi brazilian, në një intervistë të fundit premtoi besnikëri ndaj klubit parizien, duke theksuar se dëshira e tij është që të mbyllë karrierën pikërisht te kampionët e Francës, duke zhgënjyer tifozët e Milanit, që shpresonin për rikthimin e tij në “San Siro”. “Jam shumë i lumtur te Paris Saint Germain. Kjo është skuadra më e mire për të cilën kam luajtur. Për më tepër unë jam kapiteni i saj dhe kjo është diçka fantastike. Shpresoj që të qëndroj këtu edhe përtej vitit 2020, pasi nuk kam ndërmend të tërhiqem nga futbolli”, tha Thiago Silva.

Maradona “sulmon” Icardin: Tradhtar

Diego Armando Maradona sulmon Mauro Icardin. Ish-legjenda e futbollit argjentinas, në një intervistë lëshon disa fjalë të forta në drejtim të sulmuesit zikaltër. Nuk është hera e parë që “El Pibe De oro” i vendos Icardit epitete negative dhe të njëjtën gjë ka bërë dhe këtë herë, duke e cilësuar 23-vjeçarin si një njeri të keq. Akuza vjen në lidhje me çështjen e historisë së dashurisë të sulmuesit me ish-bashkëshorten e Maxi Lopez, Wanda Nara e cila sot ndan jetën e saj me numrin 9 të Interit.
“Icardi është një tradhtar dhe për të gjitha mëkatet e tij, ai do të paguajë një ditë. Veprimi i tij ndaj Maxi Lopez është i turpshëm. Shpesh dëgjoj të thuhet për të se është një sulmues i madh. Personalisht nuk e mendoj kështu. Sigurisht që ai shënon gola, por nuk është ndonjë numër i konsiderueshëm për ta cilësuar atë si një bomber. Nëse më duhet të bëj një krahasim, do të marrë si shembull, Batistutën, ai ishtë 10 herë më i mirë se Icardi”, shprehet Maradona.
Më tej Maradona foli dhe për të shkuarën, marrëdhënien e tij me drogën, momentin që hoqi dorë, si dhe personin që e bëri të reflektonte.
“Të gjithë e dimë që droga të vret. Unë jam me fat që sot jam gjallë, sepse hoqa dorë, e kundërta do të ndodhte nëse nuk do të vazhdoja. Ka më shumë se 30 vjet që nuk jam përdorues i asnjë lloj droge. Një ditë vajza ime më tha: -‘Babi ti duhet të jetosh për mua’. Që nga ai moment hoqa dorë. Falënderoj Zotin që më dha mundësinë të vazhdoja jetën time pranë vajzës dhe familjarëve të mi”, tha ai.
Ish-kampioni i botës me kombëtaren e Argjentinës ka pasur një jetë shumë të trazuar, ku përveç drogës dikur ai akuzohej dhe për lidhje me mafian napoletane. Ai dha një përgjigje në lidhje me këto akuza, gjithashtu edhe për mospasjen e mundësisë për të punuar në Itali.
“Dilja natën dhe i takoja këta njerëz. Ata donin të bënin fotografi me mua, personalisht nuk e dija që ata ishin pjesë e kamorrës. Kurrë në jetën timë nuk i kam kërkuar asgjë këtyre njerëzve. E vetmja gjë që ata më dhanë garanci ishte, se asnjërit prej familjarëve të mi nuk do t’i ndodhte gjë. Shpresoj që problemet e mia me shtetin italian të rregullohen, sepse e konsideroj absurde që të mos kem mundësi të bëj asgjë në këtë vend”, ka deklaruar Maradona.