Botërori i Klubeve pak nga pak po kthehet në një legjendë të mirëfilltë për mallkimin që mbart mbi vete që nga viti 2006. Që atëherë, kur u vendos që mbi fanella të vihej stema dalluese e fituesit të trofeut, fatkeqësitë për klubet fitues nuk kanë të sosur dhe në vitin pasardhës, thuajse të gjithë zhgënjejnë në mënyrë të pabesueshme si pasojë e kombinimeve të çuditshme të dëmtimeve me mungesën e rezultateve.
Mjafton të shohësh se çfarë po ndodh me Real Madridin gjatë javëve të para të këtij vit. Një muaj më parë ishte ekipi më i vlerësuar në botë dhe kishte në radhët e tij “Topin e Artë” të padiskutueshëm. Por madrilenët aktualisht po kalojnë një situatë të pabesueshme ku brenda pak ditëve kanë humbur diferencën e krijuar në kreun e renditjes në kampionat, janë eliminuar nga Kupa, si dhe kanë parë se si Ronaldo është kthyer në “Topin e Artë” më të kritikuar të të gjitha kohëve pas paraqitjeve aspak bindëse dhe gabimeve të çuditshme që ka bërë para portës.
Në Madrid, të gjithë ia vënë fajin stemës që kanë vendosur në gjoks. Në vitin 2006, skuadra e parë që e mbajti atë, Internacional Porto Alegre, mundi Barcelonën në finale dhe në atë sezon përfundoi duke rënë nga kategoria. Pas saj, Milan, Inter apo Mançester Junajtid kanë kaluar nga skuadra dominuese, në ekipe jashtë luftës për trofe dhe me sezone zhgënjyese.
Vetë Reali e provoi mallkimin në vitin 2015, kur vendosi stemën në gjoks dhe pak nga pak i dha lamtumirën çdo objektivi të mundshëm sezonal, duke mbyllur sezonin me zhgënjim të plotë.
Real Madrid i ka dhënë lamtumirën që në çerekfinale Kupës së Mbretit, duke mos arritur të kualifikohet mes katër skuadrave më të mira të turneut. Për ekipin e Zinedin Zidan ka rezultuar fatale sfida e dyfishtë me Selta Vigon, një skuadër që rezultoi një “kockë e fortë” për madrilenët e përgjysmuar nga dëmtimet.
Ata duhej të përmbysnin humbjen 2-1 në fushën e tyre, edhe pse u mungonin lojtarë kyç si Beil, Modriç, Marcelo dhe Karvahal, të gjithë të dëmtuar. Ronaldo humbi mundësinë për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij me një gabim të dyfishtë në minutën e 27 të ndeshjes, kur goditi brenda pak çastesh traversën dhe shtyllën, edhe pse me portë të boshatisur. Reali e pagoi shtrenjtë këtë gabim të portugezit që mund të ndryshonte rrjedhën e lojës, pasi në fundin e pjesës së parë, Guideti realizoi golin e avantazhit që bënte më të thjeshtë kualifikimin për Seltan. Ronaldo shënoi më pas, por ndeshja përfundoi 2-2 duke i hequr Realit të drejtën për të vazhduar më tej në Kupën e Mbretit.
Mallkimi i çuditshëm
Liga e Kombeve, parashikohet një “grup ferri” për Shqipërinë
UEFA ka shpjeguar dje përsëri për tifozët se si do të funksionojë Liga e Kombeve, turneu i cili ka si objektiv që të zëvendësojë miqësoret dhe që garanton 4 vende në fazën finale të Europianit pasardhës. Parashikimi për Shqipërinë nuk është ndër më të mirët pasi sipas UEFA-s, Liga C, në të cilën parashikohet të jenë pjesë kuqezinjtë do të jetë “shumë konkurruese”.
Ndarja në Liga do të bëhet sipas renditjes së UEFA-s së nëntorit 2017, por sipas renditjes aktuale, kjo do të ishte përbërja provizore e tyre, ku secila do të nxjerrë një skuadër, e cila shkon direkt në Euro 2020:
LIGA A (skuadrat ndahen në katër grupe me nga tri kombëtare)
Gjermani, Francë, Belgjikë, Portugali, Zvicër, Spanjë, Angli, Itali, Kroaci, Poloni, Irlandë, Ukrainë.
LIGA B (skuadrat ndahen në katër grupe me nga tri kombëtare)
Holandë, Rusi, Islandë, Hungari, Uells, Bosnjë-Hercegovinë, Suedi, Greqi, Sllovaki, Austri, Izrael, Slloveni.
LIGA C (skuadrat ndahen në një grup me tre dhe tri grupe me nga katër kombëtare)
Irlandë e Veriut, Rumani, Republika Çeke, Turqi, Shqipëri, Danimarkë, Mali i Zi, Serbi, Bullgari, Skoci, Norvegji, Lituani, Azerbajxhan, Qipro, Finlandë.
LIGA D (skuadra ndahen në katër grupe me nga katër kombëtare)
Estoni, Bjellorusi, Gjeorgji, Armeni, Letoni, Ishujt Faroe, Kazakistan, Moldavi, Luksemburg, Maqedoni, Kosovë, Lihtenshtejn, Maltë, Andorra, San Marino, Gjibraltar.
Në bazë të renditjes në ligën përkatëse, do të përpilohet edhe lista për vazot e shortit të eliminatoreve të Euro 2020, si dhe do të përcaktohet se cilat skuadra ngjiten një Ligë më lart dhe kush bie një Ligë më poshtë.
Prapaskenat, Hysaj ishte një futbollist i Lacios
Elseid Hysaj është një nga lojtarët e paprekshëm në formacionin e Napolit, klub ku pak kohë më parë nënshkroi një kontratë afatgjatë në të cilën klauzola e largimit të tij është 50 milionë euro. Por fati i futbollistit mund të kishte qenë krejtësisht ndryshe nëse trajneri Mauricio Sarri nuk do ta kishte kërkuar me ngulm pas kalimit të tij nga Empoli në pankinën e napolitanëve.
Pino Vitale, ish-drejtori sportiv i Empolit, ka zbuluar se mbrojtësi shqiptar ishte shumë pranë Lacios dhe mungonte vetëm firma në kontratë. “Sarri u tregua i aftë që e mori Hysajn te Napoli. Më kujtohet që futbollisti, para se të vishte fanellën e Napolit, mund të shkonte te Lacio për 3 milionë euro. Por e përsëris, trajneri u tregua i aftë që e mori me vete”, tha Vitale në një intervistë për “Radio Punto Zero”.
Sarri i kërkoi Napolit një sforco ekonomike dhe asokohe Empolit iu pagua 5 milionë euro për futbollistin shqiptar. Tifozët e pritën me skepticizëm lëvizjen në merkato, por Hysaj tregoi se mund të luajë në nivelet më të larta. Dhe nëse Napoli vendos ta shesë në fund të këtij sezoni, ashtu siç parashikohet, do të përfitojë dhjetëra miliona euro nga intuita e Sarrit që i rrëmbeu lojtarin Lacios dhe Igli Tares, i cili ishte vënë në ndjekje të tij.
Torino bën prapakthehu: Ajeti nuk shitet!
Arlind Ajeti do të qëndrojë te Torino deri në fund të sezonit. Vetëm në 24 orët e fundit, situata rreth mbrojtësit të kombëtares shqiptare ndryshoi katërcipërisht. Pasi 23-vjeçari deklaroi se preferonte të mbetej në skuadrën e Mihajloviç për të luftuar për hapësirat e tij, vjen edhe vendimi i klubit për të mos e shitur te Palermo, që dukej edhe destinacioni më i mundshëm.
Edhe pse shitja e Ajetit dukej fakt i kryer, “granadat” bënë prapaktheu. Edhe pse ende nuk ka debutuar në Serinë A me Torinon, kuqeziu vazhdon të cilësohet një alternativë e rëndësishme për ekipin.
Gjithçka pas shitjes së Bovo-s, dëmtimit të Carlao-s dhe kohës së paktë në dispozicion që klubi ka për të gjetur një zëvendësues në lartësinë e duhur. Torino i është përgjigjur me “Jo” të prerë të gjitha kërkesave për mbrojtësin shqiptar, kuotat e të cilit pritet të rriten për gjysmën e dytë të sezonit. Në këtë mënyrë, merr fund çdo spekulim rreth së ardhmes së Arlind Ajetit, që prej afro dy muajsh cilësohej si lojtari i parë në listën e largimeve në merkaton e janarit.
Një shqiptar drejt Liverpulit
Kampionati anglez vazhdon të flasë gjithnjë e më shumë shqip. Pas Adnan Januzajt, Xherdan Shaqirit, Shkodran Mustafit e Granit Xhakës, një tjetër futbollist shqiptar, por që ashtu si të mësipërmit nuk vesh fanellën kuqezi, pritet të transferohet në një nga klubet e mëdha, Liverpulin. Bëhet fjalë për mbrojtësin e majtë, Riza Durmishi, i cili Shqipërinë e ka parë vetëm si kundërshtar, pasi ka luajtur kundër saj me fanellën e Danimarkës.
Futbollisti 23-vjeçar, në fillim të këtij sezoni u transferua nga Brondbi te Betis në Spanjë, por paraqitjet e tij atje kanë bindur trajnerin e Liverpulit, Jurgen Klop, që të vihet në lëvizje për të siguruar shërbimet e tij. Klubi anglez është i interesuar për një mbrojtës të majtë dhe për sa kohë që trajneri është i bindur për cilësitë e futbollistit, nuk është problem të paguhet klauzola e tij e largimit.
Shifra e vendosur në kontratën e Durmishit është 20 milionë euro dhe për “të kuqtë” kjo është një pengesë e vogël, pasi kanë të ardhura mëse të mjaftueshme për ta përballuar këtë shumë. Megjithatë, klubi nuk ka vendosur nëse këtë përforcim do ta bëjë që në janar apo gjatë merkatos së verës.
BERZH: Rama thelloi pabarazinë ekonomike
Raporti i tranzicionit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim u prezantua dje nga përfaqësuesi i BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli dhe guvernatori, Genti Sejko, në ambientet e Bankës së Shqipërisë.
Guvernatori Sejko veçoi si elemente shqetësuese të këtij raporti thellimin e pabarazisë ekonomike në Shqipëri. Ai shtoi se rrugët e rritjes ekonomike mbeten një sfidë për të gjithë, ndaj banka është duke i kushtuar rëndësi të veçantë këtij procesi.
Francesca della Pozza, ekonomiste në BERZH, tha se Shqipëria është një nga vendet ku vrojtimi ka treguar se pabarazia ekonomike është rritur. Perceptimet janë më të rëndësishme se statistikat, shtoi ajo.
Sejko vuri në dukje se BERZH ka dhënë vlerësime pozitive për ekonominë e vendit. Ekonomia ka vazhduar me ritmet e rritjes, sistemi bankar është i qëndrueshëm e likuid. Kredia e keqe mbetet rreziku kryesor, por plani i masave për uljen e tyre e adreson problemin, tha më tej guvernatori.
Duke shpjeguar raportin, Sejko tha se janë dhënë vlerësime për reformën në energji, si dhe luftën kundër informalitetit.
Sa u përket faktorëve të jashtëm, vendi ka imunitet ndaj Brexit, si dhe nga ndikimet që mund të vijnë nga tregjet amerikane.
Guvernatori tha se, duhet të hidhen në treg produkte financiare që përshtaten me kërkesën në treg, si për shembull kreditimi i bujqësisë.
“Prioritetet tona duhet të jenë stabiliteti makroekonomik, vazhdimi i reformave të tregut, krijimi i fuqisë punëtore të aftë”, referoi Sejko.
Drejtori për çështjet ekonomike në BERZH, Peter Sanfey, tha se i gjithë rajoni i marrë në shqyrtim (36 vende) ka pasur një rritje ekonomike nën mesataren e 20 viteve të fundit. Në vitin 2016 rritja 1.6%, më 2017 2.5%. Ekonomia shqiptare ka vazhduar trendin rritës që nga viti 2015.
Kanë shteruar mjetet mbrojtëse për ekuilibrin makroekonomik
Raporti i tranzicionit i BERZH 2015-2016 që u prezantua zyrtarisht dje në Tiranë e vuri theksin se parashikimet e rritjes ekonomike afatshkurtër mbeten të ndrydhura. Rreziqet mbeten të larta, pasi zhbalancimet makroekonomike vazhdojnë dhe sektori financiar mbetet i ekspozuar ndaj goditjeve të brendshme dhe të jashtme, thuhet më tej në raport. Një vështirësi shtesë qëndron në faktin se, mjetet mbrojtëse të politikave makroekonomike kanë shteruar në masë të madhe në kushtet e një hapësire të ngushtë fiskale dhe normat e interesit janë të ulëta në rekorde historike, thuhet më tej.
Rritja më e shpejtë pritet si rezultat i fillimit të punës në ndërtimin e tubacionit Trans Adriatik (TAP). Në periudhën afatmesme, Shqipëria mund të përfitojë në mënyrë të konsiderueshme nga rimëkëmbja globale në qoftë se ajo është në gjendje të bëjë përparim të mëtejshëm në reformat strukturore dhe të përparojë në drejtim të fillimit të bisedimeve të pranimit në BE, analizon BERZH.
Më tej theksohet se, kreditë me probleme mbeten në nivele të larta në Shqipëri krahasuar edhe me standardet rajonale.
Zbatimi i suksesshëm i planit për uljen e kredive me probleme është kritik për rikthimin e rritjes së kredisë. BERZH vë në dukje se masat e autoriteteve deri më tani kanë ndihmuar për të stabilizuar situatën, por më shumë përpjekje nevojiten për të sjellë NPL-të në nivele të pranueshme.
BERZH vë në dukje se përpjekjet e shtuara nga ana e autoriteteve për të reduktuar informalitetin janë të mirëpritura dhe duhet të zbatohen. Por BERZH vë në dukje se problemi është veçanërisht i mprehtë në sektorin e bujqësisë, ku marrja e faturave të TVSH është shumë e vështirë.
Performanca ekonomike është përmirësuar, por rritja mbetet e ngadaltë. Rritja ekonomike në tre vitet e fundit (2012-‘14) ishte e kufizuar, theksohet në raportin e BERZH. Në vitin 2014, rritja prej 2.2% është ndikuar kryesisht nga sektori i shërbimeve (me përjashtim të transportit, postës dhe komunikimit), nxjerrja e naftës dhe bujqësia ka dhënë një kontribut pozitiv në rritje. Në gjysmën e parë të vitit 2015, ekonomia u rrit me 2.6%, pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e mëdha në jug të vendit gjatë pranverës. Shkalla e papunësisë është rritur në 17.6% në fund të vitit 2014 nga 16.8% një vit më parë.
Ndërkohë të ardhurat tatimore në tremujorin e parë të vitit 2015 ishin dukshëm nën pritjet e qeverisë dhe arsyet lidhen me dobësitë e sektorit të naftës, për shkak të çmimeve më të ulëta të naftës, si dhe dobësitë në sistemin e mbledhjes së taksave. “Autoritetet kanë njoftuar përpjekje të pareshtura për të goditur më tej informalitetin”, thuhet në raportin e BERZH.
Jeta dhe vdekja në Kamëz, midis kryeqytetit dhe traditës së qëmotit
Të rinj. Të bukur. Nën veshje t’lira. Të pastër. Të qeshur. Shëndetmirë. Të gjallë. Të zhurmshëm. Të thjeshtë. Ëndërrimtarë… Këto janë tiparet e menjëherta që një i panjohur has në takimin e parë me nxënësit e shkollës “100 Vjetori” në Kamëz, rreth 7 kilometra larg qendrës së Tiranës.
Shkolla ndodhet në të djathtë të një rruge të madhe, që kryebashkiaku i qytetit e ka quajtur Bulevardi “Blu” për të përjetësuar besnikërinë me ngjyrën e partisë që e mbështeti. Me një kapilaritet urban të çrregullt shpërndahen që andej dhjetëra rrugëza me emrat e pothuaj të gjitha kryeqyteteve të botës, e ku banojnë të ndara komunitetet e zbritura nga skajet e Shqipërisë që prej fillimit të viteve ’90.
Në njërën nga këto rrugë, Sulltana Daci, 51-vjeçare nga Lura mundohet të shtyjë jetën e saj të vështirë pas vdekjes së të shoqit brenda mureve të mbushura me fotografi dervishësh dhe montazhe bektashinjsh.
Sulltana e ka ndarë mendjen se tashmë do të bëjë vetëm jetë fetare.
“Nuk kam më jetë. Tashmë ajo që lidhet me mua është vetëm teqeja”, thotë. “E nuk më duhet se ç’bëjnë në Tiranë. Kemi zakonet tona dhe respektoj vetëm ato. Jam nuse Kukësi”, e mbyll ligjërimin me fjalorin e saj të kufizuar.
Nusja e të birit e ndjek nga pas derës së kuzhinës, pa folur asnjë fjalë. Nuk del nga shtëpia, derisa t’i vijë burri nga emigracioni. Pazaret i bën e vjehrra, veshur krejt me të zi. Nusja bashkon rruaza dhe kjo përbën argëtimin e vet, por edhe kumton shenjën sesi e ruan traditën e vendit nga ka ardhur. I biri që nuk i ndahet i tregon revolen-lodër kujtdo që kalon derën e shtëpisë.
Jashtë shtëpisë së Sulltana Dacit, një dron mund të shquajë një mozaik kaotik shtëpish- që nga jerevitë deri ato shumëkatëshe, të cilat rrethohen nga vargmali që vjen nga Kruja dhe e ndan Bathoren si me thikë nga zona veriore prej nga kanë zbritur një pjesë e mirë e banorëve të saj.
Secila nga shtëpitë ruan diçka tradicionale që të mos i jepet krejt Tiranës. Ndërsa brezi mbi 60-at e mbart me vete krahinizmin përmes formës së lidhjes së shamive, dimitë, xhamadanët, qeleshet, plisat, rupat, brezat e mesit.
Halil Lala, 70 vjeç e bën mikpritjen sikur të jetë në shtëpinë e tij në Dibër. Gruaja e tij e ka ruajtur veshjen tradicionale dhe gjatë ditës, secili është i ndarë në punët ditore të stinës.
“Jemi të kujdesshëm për zakonet tona. Po humbëm ato zëre se kemi vdekur për së gjalli. Të rinjtë kanë qenë në emigracion, por edhe ata bëjnë zakonet në shtëpi”, thotë i moshuari.
“Mos harro se nga vjen”!
Zona e Kamzës ka përjetuar rritjen më të vrullshme të popullsisë mes viteve 1989-2001, duke numëruar mbi 104 mijë banorë sipas Censusit 2011. Megjithatë, më shumë se dy dekada pas këtyre zhvillimeve, banorët udhëhiqen ende nga rregullat e vjetra fisnore që mbizotëronin në fshatrat, komunat dhe qytetet prej nga ata erdhën.
Pjesa më e madhe pretendohet se janë me origjinë nga Kukësi dhe Dibra, ndërsa një numër gjithashtu i madh vjen nga Tropoja, Puka dhe Mirdita. Kjo ka bërë që zona kaq shumë e populluar vetëm 7 kilometra larg nga Sheshi Skënderbej të ketë gati një përfaqësim matematik nga i gjithë peizazhi demografik i veriut të vendit, por edhe nga jugu.
Pinjollët e rinj të këtyre familjeve përpiqen që gjatë ditës t’i shpëtojnë përkohësisht sistemit në bazë të lidhjeve të vjetra fisnore dhe rurale, ndërsa janë integruar në jetën e bashkëmoshatarëve të tyre vendas.
Megjithatë, kjo ngarkesë e madhe e traditave nxjerr krye shpesh në shkollën “100 Vjetori” në Kamëz, ku mësojnë një pjesë e mirë e brezit të tretë.
“Shumica e sherreve të adoleshentëve dhe disa kanë qenë gati fatale bëhen në bazë lokalitetesh. Që do të thotë tropojanët zihen me kuksianët dhe dibranët. Këta të fundit me mirditorët”, thotë një mësues.
Fëmijët kalojnë gjysmën e ditës në këtë përballje traditash, ndërsa në shtëpi i pret një realitet i patrazuar prej kohësh të largëta. Shumë syresh i kanë të ngulitura thellë në kokë porositë e prindërve për çdo mëngjes: Kujdes, mos harro se nga vjen! Mos luaj me ata! Ata s’kanë zakonet tona. Mos u përzje me myslimanë! Ata janë fëmijët e fiseve të tjera.
“Prindërit më thonë të kem kujdes, mos të përzihem me myslimanët”, thotë një vajzë me origjinë nga Mirdita, që më pas shikon shoqen e vet nga Kukësi dhe qesh. Kjo e fundit rrudh buzët, shenjë mospëlqimi, por edhe çapkënerie për shoqen e saj me të cilën ndan thuajse gjithë ditën.
Kujdes me kë shoqërohesh! Ata janë të pabesë! Nuk kanë zakonet tona. “Mos vish xhinse të grisura”. “Kujdes, jo fundin sipër gjurit”, rendit porositë një tjetër nxënëse nga Dibra.
“Problemi është sa të kalosh rrugën”, më thotë një djalë. “Pastaj mund të bësh ç’të duash. Prindërit e kanë të vështirë të mësohen me zakonet e Tiranës, paçka sa u pëlqen dhe punët që kanë zënë atje i kanë ndryshuar”.
Më shumë se Tirana fqinje, ndryshimi në këtë zonë vjen nga emigracioni. Por edhe në emigrim, vendasit kanë lakmuar zona që përshtaten me traditat e tyre.
Familja e djalit të Halil Lalës e gjeti veten në Kretë për 15 vjet.
“Atje zakonet ishin si tonat. Kretanët ishin të pagojë dhe shumë besnikë. Na dukej vetja si në zonën tonë”, thotë nusja. “Megjithatë, aty pamë sesi tradita që ruhet në fshat nuk shkon aq shumë me qytetin, ani të dyja mbijetojnë”, shton ajo.
Në Kamëz, gratë e vjetra mbajnë ende xhamadanin dhe dimitë. Vendasit kremtojnë Shën Gjergjin më 6 maj dhe atë të dimrit më 6 dhjetor. Bërja e festave dallon fiset apo komunitetet se cili është më i respektuar. Sa më thjeshtë, por edhe në rregull të kremtohen festat, aq më shumë diferencë nderi ke me të tjerët.
Respektimi i këtyre ligjësive sjell rivalitete mes të rinjve.
“Pak kohë më parë u zunë në shkollë, se njëri ishte nga një rreth dhe tjetri nga rrethi tjetër. Në shkollë kjo ndodh shpesh”, më thotë një 15-vjeçar nga Kukësi. “Por sherret më të mëdha janë pse më sheh ti mua dhe pse të shoh unë ty, por edhe për vajzat, që nuk duhet të përzihen me ata që s’janë nga vendet e tyre”, shton ai.
Vajzat ndërkohë tentojnë të jenë më të lira.
“Te shkolla tjetër e Bathores, vajzat kur vinin mbanin rroba të ngushta dhe bënin make-up. Prindërit nuk i thoshin gjë. Këtu është e vështirë. Ka rregull dhe mësuesit janë të ashpër për rregullin. Na kontrollojnë shumë shpesh”, thotë një vajzë nga Burreli.
Ndërsa të rinjtë janë të joshur nga moderniteti, s’ndodh kështu me të vjetrit. Patriarkalizmi gati burimor, zakonet e shtresuara, rudimentet e Kanunit dhe mënyra e pandryshuar e jetesës duket në marrëdhëniet vetjake.
“Më së pari martohemi mes vete. Një kuksian e ka më lehtë të martohet me një kuksian, porse një dibran e ka më lehtë me dibranin… Unë vetë, nuk do të martohem me mirditor”, thotë një vajzë me origjinë nga Mirdita.
Për dasma e vdekje
“Ne na pëlqejnë shumë dasmat”, tregon një vajzë e re me origjinë nga Kukësi.
“Vërtet na pëlqejnë. Por janë pak të rënda në këto kohë, sepse duhet të rrish një javë e veshur dhe e izoluar. Duhet të rrish veç. I kemi shumë të bukura ne nga Kukësi”.
“Të bëjnë të qash dhe të mallëngjesh të gjithë familjen”, shpotit një vajzë nga Puka. “Po ti një herë martohesh, pse nuk duhet të qash?”.
Tradita i ndan, por edhe i bashkon të rinjtë, që mundohen të tregojnë dora-dorës detaje që nuk i kanë të tjerët. Dasma shqiptare u pëlqen dhe mënyra sesi ruhet folklori tregon se të gjithë e vlerësojnë.
Në shkollë kanë bërë një mbrëmje dhe kanë veshur kostumet e krahinave të tyre, por në fund ka mbaruar me garë se cili kishte fustanet më të bukura. Esmeralda, një vajzë e re, këmbëngul se kanë zakone të bukura dhe të përbashkëta në veri, por veçon dibranët e saj.
“Dasmat bëhen ende me bajraqe. Ka bajraqe të para dhe të dyta. Kush është bajrak i parë mban dhe flamurin në dasmë, të tjerët i kanë modifikuar fare dhe nuk merakosen”, na thotë një 40-vjeçar nga Reçi i Dibrës. Sidomos për dajën, dasma është më e kushtueshme. Nipi shkon te daja për një javë, kurse daja thirret që të shtunën që të merret me dasmën.
“Mentaliteti nuk na pëlqen. Nuk duhen kaq shumë shpenzime”, kundërshtojnë vajzat.
Çuditërisht, brezi i moshuar është më tolerant me të rinjtë sesa prindërit e tyre. Këta të fundit, të përballur me jetën e vështirë nuk duan të humbasin traditat që i quajnë si një ogur të identitetit, kurse pleqtë e shijojnë me tolerancën për nipërit jetën e re në fund të rrugëtimit të tyre.
Ndryshe nga dasmat, traditat që lidhen me vdekjen nuk u pëlqejnë të rinjve. Kjo për shkak të zisë së gjatë, kushteve të vështira në respekt të të vdekurit dhe shumë e shumë gjëra të tjera.
Një pjesë e rëndësishme e këtyre traditave që lidhen me vdekjen, ata i interpretojnë me Kanunin. Që në momentet e para kur kanë ardhur, ai ka qenë kodi me të cilin janë marrë vesh mes vetes, por edhe me të tjerët.
“Janë të tmerrshme zakonet. 40 ditë zi! Veshur me të zeza”, ankohet një vajzë.
Por Sulltana Daci tregon se një grua si ajo që burri i ka vdekur herët, duhet të pajtohet me situatën. Me dy fëmijë në Greqi, Sulltana e ka zgjidhur me besimin jetën brenda mureve të shtëpisë.
“E vetmja gjë që kam në kokë është të iki në Mekë”, tha ajo për “BIRN”.
Vota shkon në origjinë
Përveç traditave, në shkollën “100 Vjetori” të Kamzës përplaset edhe paradoksi i emrave të origjinës me emrat ndërkombëtarë të rrugëve ku aktualisht banojnë.
Orsida është nga Kurbneshi dhe banon në lagjen 4 të rrugës “Buenos Aires”; një djalë nga Fushë-Kruja flet për rrugën “Berisha”; Mikaela nga Shën Mëria e Kukësit vjen nga… lagjia “Valeta”, Entela nga rruga “Londër” ndërsa Esmeralda nga Kalaja e Dodës banon në rrugën “Moxart”…
Drejtori Rasim Beluli mundohet të zbusë diferencat në këtë shkollë model ndoshta për të gjithë Qarkun e Tiranës.
“Traditat janë elementi që mban të bashkuar komunitetin, por edhe ndarja është e kuptueshme, sepse shumë syresh ruajnë identitetin”, shpjegon ai.
Zgjedhjet nuk bëjnë përjashtim nga rregulli i ruajtjes së identitetit.
Komunitetet nuk votojnë për individin, por për përfaqësuesit që vijnë nga e njëjta origjinë. “Gjyshi na thotë se sa të jetë ai gjallë, të gjithë do të votojnë për LSI, kushdoqoftë kandidati”, tregon një vajzë me origjinë nga Skrapari.
“Vijnë japin para shpesh, por ato para nuk mjaftojnë as për tre muaj”, kritikon ajo.
Kuksianët dhe dibranët ishin gjithashtu gati të përlesheshin në kohën e zgjedhjeve lokale, pasi kryetari aktual i Bashkisë është nga Dibra, ndërsa kandidati potencial ishte nga Kukësi.
Pavarësisht ndasive që i kanë rrënjët thellë në origjinë, brezi i të rinjve është bashkuar përballë një rreziku më të madh: paragjykimit që vjen nga kryeqyteti, emrave turpërues që u vendosin, papunësisë së madhe dhe veçimit social, por edhe mungesës së jetës kulturore dhe shanseve të barabarta.
Halil Lala, 70-vjeçari që na ka ndihur me vizitat në disa shtëpi, na heq udhë deri në fund.
“Duhet me bërë adetin”, thotë ai, ndërsa na përcjell drejt sinorit hipotetik që ndan Kamzën nga Tirana, edhe në këtë dimër të vitit 2017.
“BIRN”
BB: Mbaron epoka e çmimeve të ulëta, mallrat nisin rritjen nga ky vit
Banka Botërore ka parashikuar së fundmi fitime më të larta për mallrat industriale të tilla si energjia dhe metalet në vitin 2017, për shkak të shtrëngimit të kushteve të furnizimit dhe rritjes së kërkesës.
Parashikimi i janarit për tregjet e mallrave e mbajti të qëndrueshëm parashikimin e çmimeve të naftës së papërpunuar për vitin 2017, në nivelin 55 dollarë për fuçi, me një rritje 29% nga 2016-a.
Parashikimi merr në konsideratë marrëveshjen e vendeve të OPEC-ut dhe prodhuesve të tjerë për të kufizuar prodhimin pas një periudhe të gjatë ekspansioni.
Banka ka rishikuar me rritje edhe parashikimin e saj për çmimet e metaleve, me një rritje prej 11% nga rritja 4% e parashikuar në tetor 2016 si rezultat i shtrëngimit të mëtejshëm të kërkesës dhe ofertës nga Kina dhe vendet e zhvilluara.
“Çmimet për shumicën e mallrave duket se kanë prekur fundin vitin e kaluar dhe janë në rrugën e duhur për rritje më 2017″, tha John Baffes, ekonomist i lartë dhe autori kryesor i pritshmërive për tregjet e mallrave. “Megjithatë, ndryshimet në politikat mund të zhvendosin këtë trend”, pohoi ai.
Çmimet në bujqësi në tërësi pritet të rriten me më pak se 1% në vitin 2017. Rritje të lehta priten edhe në lëndët e para për prodhimin e vajrave ushqimore.
Në këtë kundërt, çmimet e metaleve të çmuara pritet të bien me 7%, pasi rritja e normave të interesit zhvendos interesin për të investuar në këto mallra.
Analistët e Bankës Botërore vënë re një frenim të ritmeve të rritjes së investimeve në 1.6% më 2015 nga mbi 7% më 2010.
“Dobësia e investimeve, si publike dhe private, pengoi eksportet në vendet në zhvillim”, tha Ayhan Kose, drejtor i grupit “Perspektivat e Zhvillimit”. “Shumica e këtyre ekonomive kanë hapësirë të kufizuar politikash për të luftuar ngadalësim në rritjen e investimeve, kështu që ata kanë nevojë për të përmirësuar më tej mjedisin e biznesit, nxitjen e diversifikimit ekonomik dhe për përmirësimin e qeverisjes”, shtoi ai.
Parashikimet e Bankës Botërore për tregjet e mallrave publikohen një herë çdo tre muaj, janar, prill, korrik dhe tetor. Raporti ofron analizë të detajuar të tregut për grupe të mëdha të mallrave, duke përfshirë energjinë, metalet, bujqësisë, metalet të çmuar dhe plehrat.
Plehrat një biznes i mbijetesës. Ja si fitojnë grumbulluesit për çdo kilogram
Në një studim të posaçëm, Bashkia e Tiranës thotë se sasia e mbetjeve që do të prodhohet në Tiranë, do të vijë në rritje për shkak të rritjes së mirëqenies dhe numrit të popullsisë.
Sasia e mbetjeve bashkiake rritet nga 683 tonë në ditë më 2012 në 11,148 tonë në ditë më 2027. Duke numëruar mbrapsht përqindjen e prodhimit të mbetjeve, norma e prodhimit të mbetjeve bashkiake për frymë rritet nga 1176 gramë në ditë më 2012 në 1365 gramë në ditë më 2027.
Çmimi i shitjes së materialeve të riciklueshme në venddepozitimin e mbetjeve Sharrë është 16 lekë/kg për plastikën e përzierë, 70-80 lekë/kg për aluminin dhe 30 lekë/kg për hekurin. Çmimi i shitjes së hekurit në vitin 2010 ishte 15 lekë/kg, por hekuri skrap sot shitet me 30 lekë/kg.
Në sektorin e grumbullimit të mbetjeve janë të regjistruar 160 persona, por qindra të tjerë që u përkasin familjeve rome nuk janë të regjistruar.
Si rezultat, sasia e mbetjeve të prodhuara nga familjet në Bashkinë e Tiranës është vlerësuar në 210 tonë në ditë në vitin 2012 dhe rritet në 353 tonë në ditë më 2027.
Mbetjet tregtare, nga bizneset dhe institucionet, llogaritet në 69% të shumës së mbetjeve bashkiake në Bashkinë e Tiranës. Si rezultat, sasia e mbetjeve tregtare, të biznesit dhe institucioneve, rritet nga 473 tonë/ditë në vitin 2012 në 796 tonë/ditë në vitin 2027, me një rritje 168%.
Mbetjet inerte vijojnë të jenë të pamenaxhuara sipas kritereve ligjore, mungesa e infrastrukturës përkatëse në këtë rast “venddepozitim specifik” ka rezultuar në depozitimin e mbetjeve ndërtimore, kryesisht dherave të bazamenteve të pallateve dhe objekteve përgjatë terreneve natyrore, përgjatë brigjeve të lumit Erzen, lumin e Tiranës, liqenin artificial dhe kodrave përreth Tiranës.
Që nga 12 dhjetori, në Tiranë, ka nisur të funksionojë kompania publike e pastrimit “Eco Tirana”, e cila është e pajisur me një flotë bashkëkohore, duke synuar edhe ndarjen e diferencuar të mbetjeve që në burim. Puna do të nisë me atë që quhet “zona e kuqe” brenda Unazës së Mesme të Tiranës.
Në të gjithë pallatet, administratori do të çertifikohet nga Bashkia dhe do të vendosë gjoba përkatëse për ata që ndotin mjediset brenda dhe jashtë pallateve. Në çdo lagje do të vendosen dy kosha mbeturinash, njëri për ato të riciklueshmet dhe tjetri për të pariciklueshmet. Qytetarët duhet të ndajnë që në shtëpi mbetjet sipas llojit tyre.
Analiza e bashkisë Kamëz për 2016, Mziu: Angazhim maksimal në shërbim të qytetarëve
Bashkia Kamëz ka bërë analizën e punës së saj për vitin 2016. Kryebashkiaku Xhelal Mziu ka kaluar në filtrin e analizës punën e stafit duke bërë një ekzaminim të punës së gjithsecilit nga vartësit bazuar mbi detyrat funksionale dhe ato të ngarkuara nga titullari. Zoti Mziu në secilën analizë bërë veçmas për çdo drejtori dhe dy njësitë administrative duke vlerësuar punën e kryer gjatë vitit 2016, ka evidentuar dhe mangësitë sipas rasteve duke kërkuar nga vartësit një tjetër implus të punës gjatë vitit 2017, me të vetmin qëllim; për të qenë sa më pranë qytetarëve me sa më investime cilësore, shërbime dinjitoze gjë të cilën e meritojnë dhe i kanë besuar dhe një tjetër mandat z.Mziu në zgjedhjet e vitit 2015.
Një nga drejtoritë që ka marrë vlerësimin për punën e kryer nga kryebashkiaku Mziu është Drejtoria e Financës dhe Kontabilitetit. Analiza e punës njëvjeçare nxori në pah arritjet e kësaj drejtorie. Kryebashkiaku Xhelal Mziu, pasi vlerësoi i stafin e kësaj drejtorie për punën e bërë, kërkoi që sikurse vitin e kaluar të ketë përqendrim për mirëmenaxhimin e financave të Bashkisë. Kreu i Bashkisë Kamzës kërkoi që për këtë vit duhet të mbahet në mbikëqyrje raporti i të ardhurave me shpenzimet, duke mbizotëruar të ardhurat, për të pasur një buxhet të fuqishëm financiar dhe e përkthyer kjo në rritjen e shkallës së investimeve, përfitues të të cilave janë qytetarët e Kamzës.
Në analizën e Drejtorisë së Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit dhe Investimeve Publike e Rrugëve, kryebashkiaku Mziu vlerësoi punën e bërë. Z.Mziu theksoi se duhet bërë azhornimi i dy planeve urbanistike, Kamëz e Paskuqan, duke ndërmarrë hapa konkretë për të shkuar drejt unifikimit të tyre në një të vetëm. U diskutua dhe për sistemin e plotë të adresave, emërtimi i plotë i rrugëve, kodifikimi i banesave, si dhe përfundimi me sukses i sistemit GIS, hapja e hapësirave publike etj. Në 2016, është bërë aplikimi online në e-Albania i projekteve sipas KZHR (Fondet për Zhvillim Rajonal); bashkëpunuar me donatorët e huaj për financim investimesh; kontrolli i realizimit të investimeve të kryera; realizimi i projektzbatimeve për buxhetin e vitit 2017; shqyrtimi dhe kërkesat për lejet e ndërtimit; zbatimi i planit rregullues te qytetit të Kamzës dhe Paskuqanit; bashkëpunimi me ALUIZNI-n, krijimi i regjistrit të territorit në sistemin GIS etj.
Në analizën e Drejtorisë së Koordinimit, Zhvillimit të Projekteve, kryebashkiaku Mziu vlerësoi punën e bërë në vitin 2016. Edhe pse në një censurë nga ana qeveria, Drejtoria e Koordinimit shfrytëzoi çdo mundësi për të përfituar projekte me peshë për Bashkinë dhe impakt për qytetarët e Kamzës. Kjo drejtori ka kryer një veprimtari të gjithanshme dhe intensive. Falë projektit “Pjesëmarrja qytetare e të rinjve dhe vullnetarizmi”, kjo drejtori në kuadër të thellimit të bashkëpunimeve të mëtejshme ndërkombëtare bëri të mundur që Bashkia Kamëz të nënshkruante marrëveshje ndërkombëtare me bashki në Itali, Letoni, Poloni, Slloveni etj. Arritje ishte edhe aplikimi në programin për çmimin e KE-së “European Green Capital Aëard 2019” – “Kryeqyteti i Gjelbër i Evropës 2019”, në Projektin e KE “Creative Europë” (2014-2020), në thirrjen e katërt dhe të pestë për propozime IADSA. Është bërë e mundur çelja e negociatave për bashkëpunim në fushën e arsimit nga rrjeti i Cempaka Schools në Malajzi, për ndërtimin e një kolegji në Kamëz.
Në analizën e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, z.Mziu i ka përgëzuar punonjësit e kësaj drejtorie për rezultatet. Për vitin 2016, krahasuar me planin e 2015-ës në vlerë absolute planifikimi i fillimvitit është rritur me 32% më shumë se viti paraardhës. Pavarësisht se dihen tashmë kufizimet që qeveria qendrore i ka bërë pushtetit vendor në drejtim të mbledhjes së të ardhurave konkretisht në tatimfitimin e thjeshtuar për tatimpaguesit, sërish është vërejtur progres. Krahasuar, me realizimin faktik të vitit 2015, të ardhurat faktike të realizuara për vitin 2016 janë 29% më shumë. Në 2016, ka pasur rritje të numrit të bizneseve në territorin e bashkisë Kamzës.
Kryebashkiaku Xhelal Mziu vlerësoi me nota pozitive edhe punën e bërë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, Dekorit, Strehimit, Emergjencave Civile dhe Krizave. Janë bërë hapa para krahasuar me vitet e mëparshme në punën e kësaj drejtorie për vitin 2016. Rëndësi i është kushtuar inspektimit të rrjetit të infrastrukturës rrugore, punimeve që po kryhen për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit, sa i përket rikthimin të rrugëve në gjendjen e mëparshme, në zonat ku janë kryer këto ndërhyrje. Prioritet ka qenë përmirësimi i ndriçimit të hapësirave të qytetit, si në rrugët kryesore dhe sheshet publike. Ka pasur reagim të menjëhershëm duke ofruar ndihmë për përballimin e situatës emergjente nga përmbytjet në Bashkinë Kamëz. Pas konstatimit të dëmeve nga grupet e punës, dhe është hartuar projektvendimi për 418 familjet e përmbytura më 08.11.2016.
Në analizën e punës së Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve për vitit 2016 kryebashkiaku Mziu vlerësoi se është bërë një punë e kënaqshme. Gjatë vitit 2016, nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve është punuar në disa drejtime, siç është zgjerimi i zonave të mbulimit me ujë në Kamëz e Paskuqan; lufta ndaj informalitetit bashkëpunim i ngushtë me kompaninë KfË e cila po shtron rrjetin e furnizimit me ujë në Kamzës; plotësimi dhe saktësimi i adresave për klientët; raporti i monitorimit të performancës. Ndërmarrja e Ujësjellësit tashmë është drejt finalizimit të projektit të ujësjellësit në bashkëpunim me kompaninë zbatuese “Strabag” për t’i dhënë zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të qytetit. Falë punës së Ndërmarrjes, janë shtuar 1700 abonentë dhe një ndër risitë ka qenë edhe fatura elektronike.
Drejtoria e Shërbimeve Administrative One Stop Shop dhe Zyra e Gjendjes Civile është e vetmja drejtori e cila çdo ditë përballet me qytetarët. Shërbimi në One Stop Shop ka qenë në nivelin e duhur, duke i paraprirë nivelit të përgjithshëm të institucionit të Bashkisë Kamëz. Në sportelet e One Stop Shop-it u është shërbyer me formular shërbimi, mesatarisht 162 qytetarëve në ditë. Çdo javë janë pranuar mesatarisht 187 kërkesa dhe ankesa, një shifër vjetore 8991 kërkesë/ankesa, të cilat janë shqyrtuar dhe kanë marrë zgjidhje nga vet kryebashkiaku në bashkëpunim me drejtoritë e tjera të institucionit të bashkisë.
Nga ana e kryetarit të Bashkisë vlerësim pati dhe për punën e Drejtorisë së Çështjeve Ligjore dhe Prokurimeve Publike bërë vitin e kaluar dhe kërkoi që kjo drejtori të shërbejë si mbështetëse në shërbim të të gjitha drejtorive të tjera të institucionit të Bashkisë, për realizimin sa më efikas të detyrave të tyre funksionale. Problematik ka qenë mosbashkëpunimi i institucioneve qendrore përkatëse, si ZVRPP-ja, AKP-ja dhe ALUIZN-i, për konfirmimet dhe kthimet e përgjigjeve zyrtare, si kusht për zbatimin e VKM-ve, çka ka sjellë dhe mospërfundimin e plotësimit të dosjeve përkatëse dhe dërgimin e tyre në Këshillin e Qarkut apo lidhjen e kontratave të privatizimit, edhe pse janë dërguar rreth 27 shkresa zyrtare drejtuar këtyre institucioneve qendrore.
Edhe puna e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit gjatë vitit 2016 është vlerësuar nga kryebashkiaku Xhelal Mziu. Në analizë u diskutuan çështjet që kishin të bënin me rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve. Kryetari i Bashkisë, Mziu, u shpreh se Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit të ketë prioritet, absolut pastrimin në çdo lagje, rrugë, rrugicë, shtëpi.
Fokusi kryesor i punës së Drejtorisë së Ndihmës Ekonomike dhe Çështjeve Sociale duhet të jetë rritja e aplikimeve të familjeve për t’u trajtuar me ndihmë ekonomike, si dhe oponenca ligjore dhe mediatike për refuzimet e bëra në mënyrë të padrejtë. Duke vlerësuar punën e bërë nga kjo drejtori në 2016-ën, z. Mziu tha se theksoi se është absurde që janë 2600 familje të refuzuara, gjysma prej të cilave për shkak të pikavarazhit, ku nuk është Bashkia ajo që vendos, por Ministria. Absurditet është se si mund të marrin e të përdorin dekoderë dixhitalë këto familje, kur nuk kanë as televizorë apo pajisje të tjera elektroshtëpiake!
Në analizën e punës njëvjeçare të Drejtorisë së Menaxhimit të Tokës, Përmirësimit në Mjedis, Bordit të Kullimit, Pyjeve dhe Kullotave, disa nga problemet e shtruara ishte sorollatja e qytetarëve nga ana e ZVRPP-së dhe debitë në të dyja zonat, pasi kjo drejtori menaxhon punët në dy harta kadastrale, atë të Kamzës dhe të Paskuqanit. Sistemi i debitorëve të tokës është i trashëguar që nga viti 2000, duke mbartur gabime, të cilat korrigjohen dhe përmirësohen çdo ditë me paraqitjen e qytetarëve. Nga z.Mziu u kërkua që të krijohej një bazë e saktë të dhënash e të gjitha pronave, si ato të shpërndara me anë të ligjit nr. 7501, por edhe të tjera, me të gjithë informacionin dhe inventarin e plotë të saj.
Drejtoria e Burimeve Njerëzore është një hallkë kyçe për funksionimin dhe mbarëvajtjen e punës së administratës të institucionit të Bashkisë Kamëz. Sipas z. Mziu roli i rëndësishëm i Burimeve Njerëzore shihet që në përthithjen e stafit të kualifikuar të administratës.
Çështjet kryesore të analizës së punës një vjeçare të Njësisë së Auditimit të Brendshëm ishin auditimi i drejtorive, i ndërmarrjeve dhe sektorëve të Bashkisë. Kryebashkiaku Mziu duke vlerësuar punën e bërë nga Auditi, tha se kjo strukturë e Bashkisë jo vetëm kontrollon, por edhe informon, këshillon dhe penalizon. Ai e inkurajoi këtë drejtori që të ndërmarrë nisma, në përputhje me ligjin, në mënyrë të tillë që të japin impakt në institucionin e bashkisë si dhe të jetë edhe penalizuese ndaj çdo rasti ku vërehen shkelje dhe parregullsi.
Kryebashkiaku Xhelal Mziu vlerësoi rolin e Drejtorisë së Transportit, Lejeve, Licencave dhe IT-së, si dhe theksoi që dy sfidat kryesore të kësaj drejtorie janë licencimi i çdo mjeti të palicencuar në Kamëz, si dhe zhdukja e informalitetit. Kërkoi të marrë fund licencimi i mjeteve që dëmtojnë infrastrukturën. Sektori i IT-së tha se është “truri” funksional i Bashkisë në situatën koherente për të shkuar drejt marrëdhënieve online jo veç me drejtoritë e Bashkisë, por edhe me qytetarët e Kamzës.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, vlerësoi punën e Drejtorisë së Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Konvikteve për vitin e kaluar. Pavarësisht se jemi një Bashki në opozitë dhe e penalizuar nga qeveria, duhet të ketë bashkëpunim me mësuesit, nxënësit, shkollat, te jemi pranë tyre në përputhje me kompetencat ligjore. Ai kërkoi të bashkëpunohet për zhvillimin e veprimtarive arsimore, kulturore, sociale dhe sportive. Pallati i Kulturës duhet të jetë promovues i talenteve dhe veprimtarive kulturore-artistike. E njëjta gjë vlen edhe për sportin, ku duhen spikatur sportistët më të mirë të qytetit.
Në analizën e punës njëvjeçare të Policisë Bashkiake, kryetari i Bashkisë Kamëz, u shpreh se kjo strukturë përballon dhe ka shumë detyra e funksione, por ndër më kryesoret është rregullimi i qarkullimit rrugor në qytet pa harruar as kontrollin e automjeteve për licencat, sidomos automjetet që transportojnë fëmijët e kopshteve dhe nxënësit duhet të jenë në kontroll të rreptë e të vazhdueshëm. Ai kërkoi bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit.
Zbatimi i ligjit duhet të jetë mbi gjithçka dhe duhet të jetë motoja e punës e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit. z.Mziu vuri theksin te qytetarët, të cilëve u shërben puna korrekte e inspektorëve që realisht ka ndodh, kjo, pasi zbatimi i ligjit bën që ata të mos jenë objekt i penalizimeve të padrejta, veçanërisht në këtë kohë të presionit të padrejtë qeveritar ndaj qytetarëve të Kamzës dhe të Paskuqanit. IVMT ka mundësuar hapjen e hapësirave publike si pasojë investimeve publike të Bashkisë si dhe iu është dhënë zgjidhje mjaft ankesave të tjera qytetare pa harruar kontrollet në firmat ndërtuese.
Në analizën e punës njëvjeçare të Njësisë Administrative të Paskuqanit, kryebashkiaku Mziu dha vlerësim pozitiv për punën e kryer theksoi se cilësia e shërbimit e ofruar nga kjo njësi ka ardhur në rritje. Z.Mziu u angazhua që sistemi i informatizimit të përfshijë të gjithë infrastrukturën e Njësisë, si dhe të jetë i lidhur tërësisht me Bashkinë në Kamëz dhe me njësinë e shërbimeve administrative në Bathore.
Edhe në analizës së punës njëvjeçare të Drejtorisë Administrative Njësia Bathore, kryebashkiaku Mziu vlerësoi pozitivisht punën e kryer në 2016. Ai u shpreh se meqenëse një pjesë e madhe e popullsisë vijnë në këto zyra për shërbime apo probleme të ndryshme, ata duhet të gjejnë zgjidhjen pikërisht te këta punonjës, duke ofruar shërbim korrekt e të shpejtë. Kreu i Bashkisë kërkoi bashkëpunim jo vetëm me qytetarët, por edhe me çdo faktor tjetër, siç janë shoqatat e ndryshme, institucionet arsimore, kulturore, fetare etj., me qëllim që ky bashkëpunim të shkojë në dobi të komunitetit të banorëve.