29.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Çao Avokat i Popullit, “mirë se na gjete” Avokat i qeverisë

Erion KRISTO

U dogj edhe një element i demokracisë: Avokati i Popullit. Tashmë, do kemi një avokat të qeverisë. Ose me keq akoma: një avokat të ndërkombëtareve. Defekti i parë i vettingut u shfaq. Prezantimi i djeshëm i kandidatëve ishte një turp. Shtatë minuta për të prezantuar kandidaturat. Ne i lejojmë shumë më tepër studentët, për diplomat.
Prezantimet u bënë në të njëjtën kohë me komisionet qesharake hetimore, ku njerëz qesharakë tallen edhe me himnin e flamurit. Dhe ku deputetë qesharakë lejojnë shakara të tilla. Apo ku deputetë kërcënojnë me varje në litar dëshmitarët. Pra, asnjë transparencë me publikun. E llogaritur kjo më së miri.
Vura re se shumë eksponentë të lartë të mazhorancës apo politikës, kandidonin. Kandidime qesharake. Me urdhër. Njerëz që kurrë nuk kanë lëvizur gishtin për qytetarët.
Procedura e tërë prezantimeve ishte antiligjore. Kjo do ta vendosë personin e emëruar, në një drite të keqe. Ai ose ajo, po e nisin ters, duke shkelur ligjin.
Opozita, e ka shitur Avokatin e Popullit te mazhoranca dhe bën sikur inatoset. Është shumë vonë për estradë. Zaret janë hedhur.
Pra, mungesa e transparencës, procedurat antiligjore, kandidimet qesharake dhe vullneti i munguar politik për t’u dhënë mbrojtje qytetarëve, do prodhojnë një avokat pa avokati.
Kjo do të ndodhë.
Po do ndodhë dhe kjo tjetra: unë si qytetar i kësaj republike, në thonjëza, mund të vendos në mendjen time që të mos e njoh autoritetin moral të këtij institucioni, të mos e mbështes atë dhe ta bojkotoj, apo edhe ta kundërshtoj veprimtarinë e tij. Është e drejtë të mos e pranosh padrejtësinë.
Ciao avokato del po po lo.

Skandali në NATO, Rama po dëmton aleancën me SHBA

Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament votën kundër të Shqipërisë në NATO ndaj dokumentit të Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen nukleare. Vota e qeverisë së Ramës përbën një skandal dhe që vendos në pozita të vështira Shqipërinë në raport direkt me Shtetet e Bashkuara dhe me NATO-n. Votimi është bërë më 20 tetor dhe deri dje ishte mbajtur i fshehtë nga qeveria. Po përse Rama ka urdhëruar votën kundër dokumentit të NATO-s dhe interesit amerikan? Ish-Kryeministri Berisha tha dje në Parlament se, një veprim i tillë ka ndodhur më 20 dhjetor dhe vetëm pak ditë pas fitores së Trump në garën presidenciale amerikane. “Pasi fitoi Donald Trump, në datën 20 dhjetor, Shqipëria voton kundër!!! Kundër strategjisë së NATO-s!!! Shqipëria voton kundër kërkesës së aleatit tonë kryesor sepse ‘ne duhet t’i prishim marrëdhëniet’ me aleatin tonë kryesor!”, tha Berisha në Parlament. Ish-Kryeministri deklaroi se një vendim i tillë i paprecedent i përfaqësuesve të qeverisë në NATO synon prishjen e marrëdhënieve me aleatin kryesor strategjik të vendit, SHBA.
“Ky dokument i Aleancës së Atlantikut të Veriut që nuk është i klasifikuar, që është shpërndarë nga përfaqësuesja e delegacionit të SHBA në NATO, midis të tjerash thotë se “Në samitin e Varshavës NATO riafirmon shkurajimin e bazuar në një përzierje të përshtatshme të kapaciteteve mbrojtëse nukleare dhe konvencionale raketore dhe kjo mbetet shtyllë kryesore, element kryesor i strategjisë së përgjithshme të NATO-s për sa kohë armët nukleare të ekzistojnë. NATO-ja do të mbetet aleancë nukleare. Për këtë arsye, ne e ndjejmë se përpjekjet për të negociuar në mënyrë imediate një ndalim të armëve nukleare apo për të delegjitimizuar shkurajimin nuklerar, janë themelisht në kundërshtim me NATO-n, themelisht në kundërshtim me politikat bazë të NATO, mbi diferencën dhe interesat që ne ndajmë për sigurinë”.
Mbi bazën e këtij dokumenti, që mban datën 20 tetor 2016 në komitetin e parë të OKB-së, Shqipëria voton direktivën e NATO-s, voton siç kërkon aleati i tij kryesor.
Çfarë ndodhi z. Majko?
Pasi fitoi Donald Trump, në datën 20 dhjetor, Shqipëria voton kundër!!! Kundër strategjisë së NATO-s!!! Shqipëria voton kundër kërkesës së aleatit tonë kryesor sepse “ne duhet t’i prishim marrëdhëniet” me aleatin tonë kryesor!
Nuk po them se ne kemi shkelur me të dyja këmbët zotimet tona të tjera ndaj NATO-s, siç është buxheti, por të votosh kundër asaj që kërkojnë SHBA-të, fuqia më kryesore nukleare e NATO-s, me atë që kërkon Franca dhe Britania e Madhe, fuqi të tjera nukleare të BE, a nuk është kjo një tradhëti e interesave të sigurisë kombëtare? A nuk është kjo një thikë në interesin e sigurisë kombëtare?! Kush i drejton këta? Nga kush frymëzohen këta?! Nga Teherani? Apo kthehen mbrapsht tek etërit e tyre?!”, u shpreh Berisha.
Ish-Kryeministri deklaroi se Rama është shndërruar në një kone të Sorosit dhe po vendos interesat personale mbi interesat madhore të vendit. Ai ka kujtuar se Rama është sot i vetmi Kryeministër në rajon që nuk ka përshëndetur fitoren e Presidentit Trump.
“A mund të ndodhë që Shefi i Ekzekutivit të Shqipërisë të mos t’i dërgojë urim, Shefit Ekzekutiv të SHBA-së?! Se presidenti është shef i ekzekutivit aty. Eshtë president, por dhe shef i ekzekutivit i SHBA. I çon Presidenti urim, detyrimisht i çon dhe Kryeministri. Por kur bëhesh një pronë e George Sorosit, kur shet mbi çdo interes…
A nuk është kjo një shkelje madhore e interesit kombëtar, e sigurisë kombëtare, një përpjekje flagrante për të dëmtuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA?! Çdo shqiptar le t’i shtrojë pyetjen vetes, por dokumenti është i pakundërshtueshëm. Votoi në tetor siç kërkoi aleati ynë, votoi kundër në dhjetor për t’u dhënë një sinjal jashtëzakonisht negativ!
Unë edhe herë të tjera e kam thënë dhe e theksoj se, kjo shumicë qelbësirash shkoi para se të vinte në pushtet, në Stamboll! Dhe mori aty një libër të mikut tim Davutoglu, një akademik brilant, “Strategjia në thellësi” që ka si thelb, “zero probleme me fqinjët”.
Shikoj unë këtu në programin e qeverisë që e keni votuar këtu “zero probleme me fqinjët”!
Po zero problem mund të thonë SHBA, e tha dhe Turqia që ç’është e vërteta i doli për hundësh. Ja që na dolën dhe këta. Po ç’zero problem?! Po ti je i shpërndarë, për fatin tragjik të historisë tënde t’i jeton kudo! Ja ç’ndodhi në Kumanovë, ja ç’ndodh në Preshevë apo Veri të Kosovës. Si e paske t’i këtë zero problem me fqinjët, kur t’i ke detyrime ndërkombëtare ndaj tyre, me traktate ndërkombëtare ndaj tyre! E si janë sot problemet? Më keq se asnjëherë. Lëri ato që janë hapur dy zyra, po s’ke marrë një projekt. Mos përmendni projektet e mia. S’kam asnjë xhelozi, por linjat e interkonjeksionit qoftë me Kosovën e qoftë me Maqedoninë janë absolutisht të dokumentuara të iniciuara nga ne, e tenderuara, e prishur dhe tenderuar për së dyti. Po rrugët e tjera i kanë marrë të tjerët, si korridorin blu. A di t’më thuash se ç’është korridori blu? Një vizatim në det i një njëriu, i cili nuk njeh asnjë kufi për të gënjyer dhe mashtruar. Kur lexoj dhe për “korridorin e gjelbër”. A e dini se cili është korridori gjelbër? Shpiku gjëra, të cilat nuk ekzistojnë. Po ku janë tani? Asgjëkundi. Po merr hekurudhën Tiranë-Prishtinë, apo Milot-Prizren, po more atë një mijë herë faleminderit thuaju se bëhet një gjë shumë e madhe. Ju morët zyra. Nuk them se ka gjë të keqe, por çfarë japin?! Ne na duhen projekte. Por nëse themi të tjerët të marrin projektet kurse ne zyrat, atëherë ato janë pemë pa kokrra”, tha Berisha.

Arben SHAHINI

Tjetër tragjedi nga ndërprerja e energjisë, vdes fëmja 2 muajsh

Një tjetër tragjedi ka ndodhur nga ndërprerja e energjisë elektrike. Bëhet e ditur se, një foshnjë 2-muajshe ka ndërruar jetë në qytetin e Durrësit nga i ftohti. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në lagjen nr.4 të qytetit bregdetar. Foshnja 2-muajshe është gjetur e vdekur në banesën e familjes Bajrami. Kryefamiljari prej kohësh kërkonte punë, por nuk kishte arritur të gjente, ndërsa banesa e familjes ishte në kushte mizore, me lagështi, pa asnjë kusht. Të afërmit bënë të ditur se prindërit e foshnjës jetonin në një banesë pa ngrohje dhe pa asnjë mjet jetese. OSHEE i kishte ndërprerë dritat prej rreth një viti, sepse ata nuk kishin asnjë mundësi të paguanin faturat e energjisë.
Babai i foshnjës, Ermal Bajrami dhe familjarë të tij tregojnë se si e gjetën të vdekur djalin në orët e para të mëngjesit. “Kemi ndenjtur deri në orën 4 të mëngjesit me të, më pas kur u ngritëm në orën 8 të mëngjesit kishte vdekur. E kishim çuar në spital, na dhanë një shurup”, u shpreh babai i foshnjes.
Familja Bajrami jetonte me lëmoshët që u jepnin njerëzit. Prindërit e saj të moshës 22 dhe 17 vjeç ishin të papunë dhe lypnin pranë portit. Nëna 17-vjeçare e foshnjës lypte bashkë me foshnjen e saj në të ftohtë. Sipas Policisë së Durrësit, foshnja i seksit mashkull ka pasur një vdekje natyrale. Foshnja dyshohet të jetë ftohur gjatë fillimit të muajit janar, kur temperaturat e ulëta pllakosën vendin.
Një 31-vjeçar nga Kamza i dha fund jetës mesditën e së hënës, në pamundësi për të paguar faturën e energjisë elektrike. Viktima Klajdi Muça duhej të paguante faturën 800 mijë lekë në mënyrë që OSHEE-ja të mos i priste dritat. Por, ai e kishte të pamundur të paguante një shumë kaq të madhe parash për shkak të kushteve të vështira ekonomike. “Ku kam mundësi unë të paguaj kaq para? Veç të vras veten…” Këto kanë qenë fjalët e fundit të 31-vjeçarit Klajdi Muça, në zyrën e OSHEE-së në Kamzë, që janë dëgjuar nga dhjetëra dëshmitarë mesditën e së hënës.
I gjetur përballë kushteve të rënda ekonomike, i riu i dha fund jetës, duke u varur në një pemë në oborrin e shtëpisë. Familjarët u shprehën se ngjarja ka ndodhur për shkak të problemeve të shumta ekonomike, pasi viktima ishte edhe i papunë dhe gjatë kohës që ishte në burg i ishin mbledhur shumë borxhe.
Drama e varfërisë dhe papunësisë po çon drejt vetëflijimit mjaft qytetarë. Varfëria, faturat e fryra të energjisë elektrike dhe pamundësia për t’i paguar ato kanë shkaktuar mjaft viktima gjatë qeverisjes së “Rilindjes”. Viktima si pasojë e mospagimit të faturave të energjisë ka patur në Tiranë. Lezhë, Lushnje, Elbasan e mjaft qytete teë tjera të vendit. Qeveria jo vetëm që nuk u siguron punë qytetarëve, por u ndërpret edhe energjinë elektrike duke i çuar drejt vetëflijimit.
Një i ri i ka dhënë fund jetës mbrëmjen e të mërkurës në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Sauk të Tiranës, kur 23-vjeçari me inicialet R. M., ka vendosur që t’i japë fund jetës, duke u vetëvarur në banesën e tij. Kanë qenë familjarët e tij që e kanë gjetur të pajetë 23-vjeçarin. Më pas është njoftuar policia, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. I riu i ka dhënë fund jetës rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme dhe sipas policisë, ai e ka marrë këtë vendim në kushtet e një tronditje të rëndë mendore.

Një fëmijë 3 vjeç vdiq në spitalin e Beratit nga gripi, fshihet ngjarja

Një fëmijë 3 vjeç ka vdekur në spitalin e Beratit, por ngjarja është mbajtur e fshehtë nga autoritetet. Denoncimi publik është bërë nga këshilltari i opozitës së Bashksië Berat, Namir Lapardhaja nëpërmjet postimit në rrjetin social Facebook.
“Si qytetar, prind i dy vajzave, por dhe si njeri i angazhuar publikisht, dua të denoncoj këtu sot, përpara jush, një fakt shumë të rëndë, ndodhur tre ditë më parë, dhe mbajtur fshehur në mënyrë flagrante dhe kriminale: në Spitalin Rajonal të Beratit ka vdekur, si pasojë e gripit, një fëmijë 3 vjeç.
Ky fakt është mbajtur i fshehur dhe nuk është treguar nga drejtuesit e institucionit. Nuk është zbatuar procedura dhe për këtë rast ende nuk ka filluar asnjë hetim. Nuk dua e nuk po fajësoj askënd. Në mjekësi njihen raste të tilla, mirëpo fshehja e tillë është krim më vete që fajëson drejtpërdrejt institucionin. Uroj që pas këtij denoncimi Prokuroria të fillojë hetimin, përgjegjësit të dalin përpara ligjit dhe e drejta të vihet në vend. Fëmija është marrë i vdekur në krah, nga nëna, dhe kjo e bën edhe më të dhimbshëm të gjithë ngjarjen. Jam i shokuar. Uroj të ketë një reagim pas kësaj”, shkruan Lapardhaja në një postim në Facebook.

R.POLISI

Balili fshihet brenda territorit shqiptar, policia nuk e arreston

Kelmend Balili, i cilësuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit” fshihet brenda territorit shqiptar. Burimet zyrtare nga Prokuroria bënë të ditur se po punohet në rrugë operative dhe me metoda speciale për të gjurmuar vendstrehimin e Balilit, tashmë i shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Dyshohet se ai fshihet brenda territorit shqiptar, pasi në sistemin TIMS rezulton se nuk ka kaluar kufirin.
Nga ana tjetër, nuk përjashtohet pista e hetimit të largimit të tij nga Shqipëria edhe në mënyrë ilegale apo dokumente të tjera të falsifikuara. Burimet thonë, se veç shpalljes në kërkim brenda territorit shqiptar dhe pikave të kalimit kufitar, Balili është shpallur edhe në kërkim ndërkombëtar. Por te faqja zyrtare dhe publike e INTERPOLIT, me emrin e Klemend Balilit ende nuk figuron ndonjë e dhënë siç ka ndodhur me rastet e personave të tjerë të shpallur në kërkim.
Burimet nga Prokuroria thonë se është i vështirë identifikimi i vendndodhjes së Balilit, pasi njerëzit pranë tij përdorin numra telefoni të paregjistruar në emrin e tyre apo pjesëtarëve të familjes, të cilat vazhdojnë të blihen në tregun e zi. Pavarësisht kësaj, burimet thonë se, me metoda speciale janë në vëzhgim thuajse të gjithë pjesëtarët e familjes së tij.
Ndërkohë, një burim operativ mësohet se i ka thënë grupit hetimor të çështjes, se njerëzit e Kelmend Balilit komunikojnë me këtë të fundit vetëm me letra dhe me anë të korrierëve, të cilët nuk janë pjesëtarë apo të afërm të familjes. Kjo është një tjetër pistë përmes së cilës po punohet për të identifikuar këto persona.
Komunikimi me letra, për hetuesit tregon se është më e mundshme pista që Balili nuk është larguar nga Shqipëria, por ndodhet brenda terroritorit. Për mos gjetjen dhe arrestimin e tij nga policia, kohët e fundit ka pas reagime edhe të ambasadorëve të huaj, ministrave të qeverisë si dhe angazhimi i kreut të Kuvendit Ilir Meta, i cili i ka kërkuar përmes një letre, Presidentit të Republikës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Kërkesë, e cila është pranuar nga Presidenti, që  shumë shpejt do të njoftojë edhe datën e mbledhjes së anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Kelmend Balili akuzohet nga autoritetet greke dhe shqiptare, si kreu i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës në kuadër të organizatës kriminale, e cila dyshohet se funksionon prej vitesh.
Ndërkohë, gjatë kohës që kryente trafikun e drogës drejt Greqisë, Balili përdorte telefonin celular vetëm pas orës 23:00 të natës, për të komunikuar me bashkëpunëtorët e trafikut të drogës. Nga zbardhja e bisedave, duket qartë që Balili ka pasur komunikime me trafikantët gjatë periudhës 4 deri 7 maj të 2016, biseda që kryeshin vetëm pas orës 23:00 të natës. Thuajse të gjitha bisedat e bëra me bashkëpunëtorët e tij në Greqi, janë pas mesnate, sidomos për organizimin dhe nisjen e skafit të mbushur me rreth 679 kg hashash drejt Greqisë mesnatën e 6 majit 2016, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Në bisedat me dy skafistët shqiptarë, Petro Dalanaj dhe Kleanthi Palaj tashmë të arrestuar në Greqi, Balili i instruktonte për rrugën që do të ndiqnin në det për t’u ankoruar në brigjet e Sarandës për t’u ngarkuar me hashash.
Sipas këtyre materialeve, bisedat mes tyre janë të shpeshta deri në mëngjesin e hershëm të datës 7 maj, ku skafistët dorëzojnë mallin te pala greke, ku prisnin 4 punonjësit e biznesmenit grek, Georgios Alyfantis. Një ditë më pas, ndërhyn policia duke arrestuar të gjithë grupin në Greqi dhe shpall në kërkim biznesmenin sarandiot Klemend Balili. Ky i fundit, sipas autoriteteve greke, që në momentin e arrestimit të bashkëpunëtorëve në Greqi, nuk i ka hapur aparatet celular dhe numrat me të cilët bisedonte me shtetasit grekë dhe skafistët e tij tashmë të arrestuar.

R.POLISI

Berisha, thirrje Kosovës: Rrëzoni murin në Mitrovicë

“Pesë vite më parë, zyrtari i lartë i një vendi më kryesor në botë më vjen në zyrë dhe më thotë se ne nuk jemi dakort me këto deklaratat e tua kaq të ashpra ndaj serbëve. Në të vërtetë nuk është se nuk ishin, sidomos me qëndrimin e këtij që është ministër i jashtëm. I them, shiko, janë këto arsye që më bëjnë mua të mbajë këtë qëndrim. Jo, më thotë, procesi po ecën dhe është në ecuri të mbarë dhe serbët janë seriozë në këtë proces. Absolutisht, i them, nëse është kështu, sepse s’paskam informacionin e duhur dhe qëndrimet e mia i bazoja në një analizë dhe ato info që kisha, unë e kam mbështetur procesin dhe e mbështes me të vetmin kusht, që të jetë serioz dhe rezultativ. Çfarë del pas kaq vitesh? Absolutisht, Serbia shfrytëzoi dialogun, shfrytëzoi përkëdhelitë për të vazhduar me insistimin më të madh projektin e Serbisë së Madhe. Atyre që u duket çudi kjo, ata s’kanë abc-në e këtij rajoni. Sepse nga një anë, Dodiç bën referendumin për shkëputjen e Bosnjes nga ana tjetër bën të gjithë projektet fillimisht për veriun e Mitrovicës pastaj për të shenjtën e të stërshenjtës Patrikane.
Beogradi këtë periudhë paqeje dhe përpjekjesh serioze të shqiptarëve, thellësisht të interesuar për paqe, përpjekjesh të BE, thellësisht të interesuar për paqe, apo të Aleancës së Atlantikut të Veriut, e shfrytëzoi pabesisht për të projektuar dhe hedhur dhe një herë në treg projektin e Serbisë së Madhe.
Qëndrojmë pak këtu. Pa diskutim që BE si ndërmjetës ka detyrimin më kryesor për imponimin e zbatimit të marrëveshjes, por nga ana tjetër ky është një soft power, i cili nuk është se nuk do, absolutisht do por mundësitë nuk i ka të pakufizuara. Që në fillim kam insistuar që partnerët, krahas BE të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe po ky zotëri që më erdhi e më tha zbute pak atë gjuhë, më tha që ne pavarësisht se zyrtarisht nuk jemi, por ne jemi aty, dhe unë i besova, sepse ai tha një të vërtetë. Ishte Philip Ricker. Dhe ai ishte serioz dhe nuk po gënjente. Po pse tani gjetën momentin ata për të lëshuar këtë nisëm pa doreza? Sigurisht një situatë konjukturore ndërkombëtare mbase u trimëruan nga fakti se, Rusia doli me një rol apo peshë më të madhe nga ç’i takon, për shkak të veprimeve në Siri, në arenën ndërkombëtare. Po nuk është vetëm kjo të jeni të sigurtë, të jemi të sinqertë. Këtu është faktori shqiptar. Faktori shqiptar ka dëshmuar katërcipërisht përcaktimin për paqen, dhe mirë ka bërë, por nga ana tjetër faktori shqiptar duhet të analizonte dhe duhet të analizojë çdo lëvizje të Serbisë, të Beogradit në çdo aspekt, të analizonte qëndrimet e Beogradit ndaj të gjitha marrëveshjeve. Unë po ju jap juve një shembull. Cili është në raport me Tiranën Beogradi? Tirana paraqiti një kërkesë tre vjet më parë, që ishte marrëveshja për njohjen e diplomave. Natyrisht që synimi ynë ishte Presheva, e cila po s’u njohën diplomat ngelen pa shkollë. E premtoi zyrtarisht. A e ka firmosur marrëveshjen? Deri sot jo absolutisht.
Këtu në Parlament kam kritikuar dhe denoncuar në mënyrë të përsëritur qëndrimet e Edi Ramës, jo sepse ai shkoi në Beograd. Unë vet kisha vendosur që të vinin ata përpara këtu, ky vendosi të shkojë vet atje, normal ska asnjë problem. Por mënyra se si shkoi dhe teatraliteti, folklorizmi dhe të gjitha këto, si dhe grandomania, unë kuptova se këtu po shkelmohen interesat e Kosovës në këtë gjë. Aleksandër Vuçiç është kryeministri që Rama ka takuar më shumë në jetën e tij, përveç Papandreut. Çfarë ndodh pas gjithë këtyre takimeve? Niset treni. Diplomatë të huaj më kanë thënë se flitet për një marrëveshje.
Sepse kjo puna e ndarjes, që ta dini, as një muaj kisha që isha bërë kryeministër dhe në samitin e Selanikut, gjatë një dreke Drashkoviçi më thotë “tani Sali të mblidhemi 48 orë dhe e zgjidhim bashkë çështjen e Kosovës”. Unë i them se çdo gjë duhet ta zgjidhni me udhëheqjen e Kosovës. Po të kesh probleme me Shqipërinë, ulemi dhe e diskutojmë bashkë. Qëndrimi im ka qenë i hekurt; qëndrim për ndarje në mënyrë kategorike. U jam mirënjohës Shteteve të Bashkuara, të cilat kundërshtonin në mënyrë të prerë ndarjen. Më kishin pyetur pse je kaq kategorik në ndarje dhe ja u kisha shpjeguar se kjo është një gjë shumë e rrezikshme, edhe për mbarë rajonin. Tre komuna janë ato, apo dy. Të atilla ekzistojnë në çdo shtet. Por ato bëhen në emrin e Serbisë së Madhe dhe isha kategorik.
Tani, hapi i parë që bën ndërton murin. Kush e ndërton murin? Murin në tokën e Kosovës e ka ndërtuar Beogradi. Dhe ju bëj thirrje autoriteteve të Kosovës ta shkatërrojnë një minutë e më parë. Ti dalin zot territorit të tyre të larë me gjak. Atë mur e ndërtoi Beogradi. Muri është projekt i Serbisë së Madhe. Pastaj nxorrën kokën me Haradinajn, në kundërshtim të hapur e flagrant. A e dini ju që Gjykata e Hagës me 300 mln buxhet është ngritur vetëm për Kosovën, për krimet e luftës që supozohet apo që mund të kenë kryer luftëtarët e UÇK-së. Po Shqipëria është shareholder aty, se hetimi nuk është bërë vetëm në Kosovë. Ky Parlament ka votuar një marrëveshje me BE dhe komunitetin ndërkombëtar dhe janë bërë hetime në territorin e Shqipërisë. Tani pasi bën këtë duan të arrestojnë njeriun që ka shkuar burrërisht dy herë në Hagë. Akt ky fund e krye politik dhe një provokim i rëndë për çdo shqiptar.
Dhe e fundit ishte marshi mbi Kosovën. Ai ishte test absolutisht…, me 21 gjuhë e parulla “Kosova është Serbi”…
Nuk kishte qëndrim më ekzistencialist dhe të turpshëm se sa qëndrimi i kreut të ekzekutivit shqiptar. Kreu i ekzekutivit shqiptar, në një moment kur me të vërtetë mund të shpërthente një konflikt dhe një gjakderdhje u fut nën jorgan sikur nuk ishte dhe reagoi 24 orë mbrapa, jo duke i thënë Sandrit atë që meritonte për aktin e tij, por duke i kthyer përgjigje Enverit. Ndaj dhe një diplomat i huaj më thoshte se ka mundësi të ketë një marrëveshje mes tyre. Nuk e di a ka, por fakti që reagoi në këtë mënyrë është absolutisht domethënës. Guxo të sulmosh, por të jesh i bindur se si komb do reagojmë një. Ne u përpoqëm të reagojmë një dhe reaguam deri-diku si një komb edhe në vitet ‘97-‘98. Tani ska forcë në botë që ndalon më shqiptarët të reagojnë si një komb. Nëse ti do të hedhësh në erë një proces paqeje për rajonin, atëherë përgjegjësia është e jotja.
Ne dhe njëherë, ndaj çdo agresioni ndaj shqiptarëve do reagojmë si komb i vetëm. Këtu nuk mund të na ndalë kush në botë. Ne respektojmë kufijtë, procesin e paqes, ne jemi për procesin e paqes, por nëse vini në agresion, do u përgjigjemi me të gjitha mundësitë dhe mjetet tona”, tha Berisha në Parlament.

Shitëses ambulante i bie të fikët nga terrori i policëve të Veliajt

Një shitëse ambulante ka rënë pa ndjenja teksa ishte duke shitur në treg si paosjë e terrorit të policëve bashkiakë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në Laprakë dhe lajmi është raportuar nga qytetarët për Nismën Thurje. Video e publikuar në rrjetet sociale tregon shitësen ambulante që është rrëzuar në tokë, e rrethuar nga policët e Bashkisë së Tiranës.
Qytetarët që kanë filmuar videon kanë shpjeguar atë që ndodhi në një mesazh denoncues.
“Nisma, shikoni çfarë terrori po i bëhet njerëzve të thjeshtë. Kjo grua po shiste fruta perime në Laprakë. Ka vite aty dhe është shumë zonjë e mirë dhe e respektuar. Vijnë 5 policë bashkiakë dhe fillojnë t’i bërtasin e t’i bëjnë presion. Dy prej tyre e kapën ta tërhiqnin zvarrë dhe asaj i bie të fikët. U tmerruam të gjithë. Si mundet policia të trajtojë hallexhinjtë si kriminelë dhe kriminelët si profesora? Si mundet policia të sillet kështu me ata që kanë më shumë nevojë?”, shkruan një qytetar në një postim dërguar Nismës “Thurja”, duke publikuar edhe videon ku duket terrori policor ndaj shitëses ambulante.
Arroganca e personave me uniformë në Bashkinë e Tiranës që justifikojnë veprimet e tyre me “fuqinë” që iu jep posti vazhdon. Para pak ditësh policët e Veliajt dhunuan një qytetar që pos tregtonte në njësinë nr.4. Kolegët e tjerë dhe gruaja e tregtarit kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën, por polici i cili mban një celular në dorë i kthehet ashpër tregtarit dhe e dhunon, ndërsa në fund në mënyrë arrogante i flak tej mallin e tij, me të cilin shitësi siguron bukën e gojës.

Parlamenti grek mblidhet për shqiponjën e ushtarëve

Veprimi i ushtarëve që realizuan formën e shqiponjës me duar, ka bërë që Parlamenti i Greqisë të mblidhet për një seancë të jashtëzakonshme.
Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare “Nea Demokracia”, ka kërkuar me tre ministra, atë të Mbrojtjes, Drejtësië dhe të Drejtave të Njeriut thirrjen e një seance, pasi sipas tyre këtu fshihet një lëvizje nacionaliste që tenton ta cenojë rendin dhe sigurinë në Greqi, raporton neës24.
Ata kanë shkruar edhe një letër ku vlerësohet se “gjesti i ushtarëve të rinj, publikuar në foto me duart e tyre që formonin shqiponjën shqiptare me dy koka është një praktikë që ne si shtet duhet të na detyrojë të investigojmë më thellë, në kërkim të strukturave paralele brenda shtetit”.
Nga ministrat përkatës është kërkuar një trajtim i thellë i këtij problemi.

Përse e bënë?

Ndërsa në Athinë vazhdojnë akuzat dhe idetë mbi arsyet e realizmit të fotos së 7 ushtarëve me origjinë shqiptare dalin detaje të reja mbi ngjarjen. Gazetari Robert Goro, që punon në Athinë thotë se ka kontaktuar me një nga të afërmit e njërit prej ushtarëve. Sipas tij, të rinjtë nuk e njihnin më herët njëri tjetrin. Ata janë takuar gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak të detyrueshëm në Gardën e Republikës. Të rinjtë kanë bërë foton në një moment pushimi për të treguar identitetin e tyre pa pasur asnjë prapaskenë që lidhej me “Shqipërinë e madhe”. Një prej partive ekstremiste ka thirrur një interpelancë për këtë çështje në Greqi. Sipas Goros jane 12 mije rekrute shqiptare ne rradhet e ushtrise greke.

Prokurori Tola i shpëton vettingut

Nisja e zbatimit të ligjit të Vetting-ut po jep efektet e para. Prokurori i Krujës, Sulejman Tola ka paraqitur dorëheqjen pranë Presidencës. Dorëheqja ka ardhur pasi vetë prokurori me vullnet të lirë, siç edhe e parashikon ligji i Vetting-ut ka refuzuar të deklarojë pasurinë. Prokurori ka dorëzuar një dokument në ILDKP, ku pohon vullnetin për të mos e dorëzuar formularin e vetë deklarimit të pasurisë. Në argumentin e përdorur nga prokurori në refuzimin për t’i nënshtruar Vetting-ut, ai thotë se e bën këtë pasi për pak muaj del në pension. Kushtetuta në nenin G, që është neni i fundit i saj, u jep një mundësi njerëzve të sistemit të drejtësisë që të japin dorëheqjen nëse ata mendojnë se nuk e kalojnë dot kontrollin e pasurisë dhe figurës, ndërsa ligji i Vettingut u jep të dorëhequrve edhe një shpërblim financiar. Kur kanë mbetur edhe 4 ditë nga afati për dorëzimin e formularëve, “Top Channel” raporton se nga 800 persona që duhet t’i nënshtrohen Vettingut, deri tani formularët janë dorëzuar nga më pak se gjysma, rreth 350.