32.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Zyrtari i patentave dhe ish-polici kapen me 1 kg kokainë në Tiranë

Ish-efektiv i Policisë së Laçit, Gjergji Gjinaj dhe një zyrtar i Drejtorisë së Patentave janë kapur me 1 kg kokainë në rrugën “Vllazën Huta” në kryeqytet. 49-vjeçari u kap të mërkurën në mbrëmje, gjatë operacionit të koduar “January”. Bashkë me Ismail Allushin, 49 vjeç dhe Armond Kurti 41 vjeç, specialist pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, ata dyshohet se ishin përfshirë në shpërndarjen e kokainës në Tiranë.
Fillimisht efektivët e policisë ndaluan Gjergji Gjinajn, siç duket në këto pamje të shpërndara nga policia. Në automjetin e tij “Fiat” u gjet rreth 1 kg kokainë. Në një distancë prej 10 metra më tej ishte Armond Kurti, në një makinë “Audi A4”, i cili kontrollonte lëvizjet e dyshimta të personave në këtë zonë.
Sapo u ndalua ish-polici Gjinaj, Armond Kurti u largua bashkë me mjetin e tij, duke mos iu ndaluar postbllokut të policisë. Ai u shpall në kërkim nga policia. Gjatë kontrolleve të banesave, Gjinajt dhe Ismail Allushit, efektivët gjetën edhe 12 gramë të tjera heroinë dhe 6750 euro dhe disa doza heroinë.
Burime nga policia thanë se, kokaina që shpërndahej në Tiranë vinte nga Hollanda. Një ish polic furnizonte shpëndarësit e drogës jo vetëm me kokainë, por edhe me heroinë. Gjergji Gjinaj ka qenë efektiv policie, i cili e ka lënë këtë profesion për të bërë trafikantin e drogës.
Personi tjetër është Armond Kurti, punonjës i Drejtorisë së Patentave në Kashar. Rroga që merrte në shtet duket se ishte shumë pak për Armond Kurtin që ka menduar të bëjë para me shpërndarjen e drogës.
Rreth orës 21:00, në Rrugën “Vllaznit Huta”, është konstatuar automjeti tip Fiat “500”, me drejtues mjeti shtetasin Gjergji Gjinaj, rreth 10 metra më larg është konstatuar i parkuar automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin A. K., i cili kontrollonte lëvizjet e personave dhe automjeteve në këtë rrugë.
Ndërkohë, një punonjës i policisë është kapur me një pistoletë pa leje në makinë. Burime nga Policia e Lezhës pohuan se në pranga ra nënkomisari Armand Myrta, 41 vjeç, me detyrë specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës si dhe Petrit Dema, 33 vjeç. Të dy këta persona u kapën në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Milotit”, gjatë kontrollit të automjetit tip “Mercedes Benz”, me targa AA 350 MB, që drejtohej nga oficeri Myrta ku udhëtonte dhe Dema, ndërsa në sediljen e pasagjerit u gjet dhe një pistoletë. Pas kryerjes së veprimeve paraprake hetimore materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.

Largohet nga Shqipëria piloti italian i trafikut të drogës

Pak ditë pasi autoritetet shqiptare të drejtësisë i kthyen pasaportën, ka lënë vendin tonë piloti italian Guido Guidi, avioni i të cilit u rrëzua në Ishëm 4 muaj më parë dhe u hetua për trafik droge. Guidi la vendin tonë përmes rrugëve ajrore, për t’u trajtuar për probleme shëndetësore në Itali. Kurse avioni pritet t’i kthehet kompanisë.
69-vjeçarit me vendim gjykate i është kthyer pasaporta. Kjo e fundit iu sekuestrua që nga muaji shtator i vitit të kaluar, kohë kur ndodhi dhe ngjarja. Piloti do të hetohet në gjendje të lirë.
Organi i akuzës ka kërkuar lënien si garanci shumën prej 10 mijë eurosh. Por piloti duhet të jetë në dispozicion të Prokurorisë dhe duhet të paraqitet për t’u pyetur sa herë që t’i kërkohet. Me këtë vendim duket se misteri se për çfarë kishte ardhur Guido Guidi në Shqipëri nuk do të zbardhet.
Italiani fillimisht deklaroi se kishte ardhur për të ngarkuar kanabis. Ndërsa në një dëshmi të dytë sqaroi se kishte mbërritur për të provuar pistën ku ai u ul dhe mjeti fluturues pësoi defekt. Pavarësisht këtyre deklarimeve, Prokuroria gjatë kësaj kohe nuk gjeti asnjë provë tjetër që të faktojë se në këtë rast kishim të bënim me një rast trafiku droge.
Gjatë këtyre katër muajve hetuesit nuk gjetën asnjë person tjetër, i cili të kishte implikim pavarësisht se pati disa të dyshuar. Por Prokuroria për Krimet e Rënda do t’i vazhdojë hetimet dhe në rast se do të ketë të dhëna që implikojnë pilotin italian, ai të vijë serish në vendin tonë për të dhënë sqarime.

Shkolla 9-vjeçare në Krujë drejt shembjes, rrezikohen 200 nxënës

Shkolla 9-vjeçare “Vesel Brama” në fshatin Kurçaj të rrethit të Krujës rrezikon shembjen dhe u rrezikon jetën rreth 200 nxënësve. Stafi pedagogjik i shkollës pohon se, kushtet sa vijnë e përkeqësohen, ndërkohë që përveç premtimeve, askush nuk ka ndërhyrë për sistemimin e godinës. Drejtuesit e shkollës shprehen se kanë vënë në dijeni Bashkinë e Krujës dhe Ministrinë e Arsimit, por nuk është marrë asnjë masë.
Mure të çara, suvatime të rëna, xhama të thyer, dhe energjia elektrike e cila mungon prej vitesh në këtë shkollë, janë panorama e përditshme për rreth 200 fëmijë që mësojnë në këtë shkollë.
Një prej mësuesve të shkollës 9-vjeçare, thotë se gjendja e godinës, u rrezikon jetën fëmijëve që mësojnë në të. “Muret e kësaj klase janë të çara, jo vetëm të klasës së parë, por dhe të gjithë shkollës dhe paraqesin një rrezikshmëri për fëmijët. Nga dita në ditë çarja e mureve po zmadhohet. Kemi kërkuar nga komuniteti për ndërtimin e kësaj shkolle, na janë dhënë shumë premtime, por në realitet nuk është bërë asgjë deri më tani”, shprehet mësuesja.
Një tjetër rrezik për të vegjëlit që mësojnë në shkollën 9-vjeçare të Kurçajt, janë dhe rrëshkitjet e herë pas hershme të masiveve të dheut, që prekin pjesën e sipërme të godinës.
Ndërkohë, Konvikti i Studentëve në Elbasan është përshirë mëngjesin e sotëm nga zjarri. Flakët mësohet se janë konstatuar në një nga dhomat e konviktit, ku është djegur një dyshek nga rezistenca që përdorej për ngrohje. Në momentin e ngjarjes mësohet se nuk ka pasur asnjë student në dhomë dhe fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar. Zjarrfikësja ndodhet në vendngjarje dhe po punon për shuarjen e zjarrit.
Rënia e zjarreve është përhapur shumë gjatë ditëve të fundit. Katër ditë më parë një grua, nënë e një fëmije humbi jetën në ashensor në një pallat në Tiranë si pasojë e rënies së zjarrit. Ndërsa ditën e djeshme një banesë është përfshirë nga flakët në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Hoxha Tasim”. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Tre zjarrfikëse mbërritën në vendin e ngjarjes, të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve. Nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit.

Dy javë të izoluar nga bora, banorët në Kukës dhe Tropojë pa ushqime

Prej dy javësh disa fshatra të thella malore në Kukës dhe Tropojë vijojnë të jenë të bllokuar nga bora. Prefektura e Qarkut të Kukësit bën të ditur se banorët e izoluar nga bora kanë nevojë për ushqime, pasi rezervat e tyre familjare po shkojnë drejt përfundimit. Në këtë situatë, Prefektura bën apel për ndihma edhe në rrugë tokësore, pasi situata e rrugëve është përmirësuar.
“Dy janë njësitë më problematike, Njësia Arren që vazhdon të jetë e izoluar bashkë me fshatrat përbërëse dhe Njësia Administrative Lekbibaj, ku janë disa fshatra të izoluar. Jo vetëm këtu, por në disa njësi administrative kërkohet kjo ndihmë. Do ishte një suport i mirë për këta banorë që për shkak të zgjatjes së këtij të ftohti janë në limitet e fundit të ushqimeve që disponojnë”, shprehet Abdulla Domi.
Në përgjigje të kërkesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, helikopterët e Forcës Ajrore deri më tani kanë kryer vetëm dy fluturime për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe batanije për banorët e fshatrave Arrën dhe Kalis në Kukës.
Aktualisht në Kukës e bllokuar është vetëm Njësia Adminstrative Arrën me gjithë fshatrat përbërës, ndërsa në Tropojë të bllokuar janë katër fshatra të Njësisë Administrative Lekbibaj.
Ndërkohë, moti do të përkeqësohet në ditët në vijim. Sipas Meteoalb, orët vijuese do të dominohen nga moti i kthjellët dhe vranësira të lehta. Sot vranësirat do të jenë më tepër të pranishme, duke rrezikuar në Jug të vendit reshje të izoluara shiu e bore në Juglindje.
Dita e premte si edhe fundjava do të dominohen nga moti i kthjellët, por i ftohtë. Temperaturat e ajrit do të variojnë: zonat malore, minimalet nga -13 në -5 dhe maksimalet nga -3 deri në 2 gradë C. Bregdeti dhe zonat e ulëta nga -2 në 3 gradë dhe maksimalet nga 7 deri në 12 gradë C.

Tonelata mollë në Korçë dhe Devoll pa shitur, fermerët në prag falimenti

Tonelata mollë në Korçë dhe Devoll mbeten pa shitur. Fermerët janë në prag falimentimi, por bashkë me to dhe dhomat frigoriferike që magazinojnë këto fruta deri sa ato të bëhen gati për eksport. Molla ka mbetur stok, ndërsa kostot për këto biznese janë rritur duke u vënë në vështirësi të mëdha financiare. Siç shprehen biznesmenët, sa më shumë qëndrojnë mollët pa shitur aq më shumë vlera ato humbasin, çmimi bie, ndërsa kostot e këtij biznesi mbeten njëlloj.
Biznesmenët thonë se stoku është krijuar si pasojë e futjes së mollës së importit me çmime shumë më favorizuese në treg se ato vendase, ata i kërkojnë qeverisë masa të menjëhershme në mbështetje të prodhimit vendas.
Për këtë situatë u vu në dijeni dhe ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili u takua me biznesmenët e dhomave frigoriferike. Panariti siguroi se qeveria do të bëjë çmos që prodhimi aktual i mbetur stok të shitet brenda disa ditësh, ndërsa u kërkoi fermerëve të jenë më fleksibël me çmimet. Në Devoll, funksionojnë mbi 10 dhoma frigoriferike, ku prodhimi kryesor është molla.
Ndërkohë, prodhimet e fermerëve të Divjakës janë dëmtuar masivisht nga ngricat, ndërsa Bashkia dhe qeveria nuk jep asnjë dëmshpërblim. Një nga fermerët i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku shprehet se, prodhimet janë dëmtuar të gjitha nga ngricat dhe nuk kanë lekë për bukë dhe jo të mbjellin përsëri. Në një postim në Facebook Berisha shkruan: Fermeri dixhital denoncon shkatërrimin masiv të prodhimit nga ngricat në Gungas të Divjakës, braktisjen e plotë nga qeveria dhe mashtrimet e saj për dëmshpërblim!
Berisha u bën thirrje fermerëve që të ngrihen në protestë para Kryeministrisë. “Ju bëj thirrje fermerëve të organizohen në protestë të sjellin prodhimet e tyre para Kryeministrisë si dëshmi e mashtrimit nga Nastradin Rama!”, shkruan Berisha, duke publikuar mesazhin e fermerit dhe fotot e prodhimeve të dëmtuara nga ngricat. “Këto janë dëmet nga ngrict e forta në fshatin Gungas të Bashkisë Divjakë. Zotëria që i ka hedhur vetëm dy herë ka shitur dhe tani nuk ka lekë jo që ta mbjellë përsëri, por edhe që të hajë bukë. Asnjë punëtor i Bashkisë nuk ka ardhur t’i shohë këto dëme që t’i vejë një çmim që të dëmshpërblehet që të ushqehet. Dhe këto janë vetëm të një fermeri, pasi ka edhe disa të tjerë, të cilët nuk kanë shitur aspak mall dhe i është prishur dhe i duhet ta hedhin. Kjo është një katastrofë për fermerët. Ju lutemi ta publikoni që të gjithë të marrin vesh se ç’shtet kemi ne. Një shtet që na ka hequr bukën e gojës”, shkruante fermeri.
Para pak ditësh ishte një fermer nga Vlora që denoncoi qeverinë për mosdhënien e dëmshpërblimit të serave dhe gjendjen dramatike të dëmtimit të prodhimeve.

Gazeta e financuar nga Soros bojkotohet në Poloni

Kryeredaktori i gazetës më të madhe në Poloni ka apeluar para Bashkimit Europian (BE) për të kërkuar fonde që ta mbajë në qarkullim gazetën e tij. Kryeredaktori thotë se qeveria e djathtë populiste që fitoi zgjedhjet në Poloni e ka pritur ftohtë. Tani numri i përditshëm i gazetës po rrëshqet në rënie të lirë.
Përveç kësaj, rënia e shpejtë e numrit të lexuesve, sipas Roman Imielski, kryeredaktor i versionit on-line të gazetës “Gazeta Wyborcza”- që është mbështetur nga fondet e George Soros, u shfaq sfidues kur foli këtë javë në Euractiv duke fajësuar qeverinë pse po bie gazeta e tij.
“Ne kemi dy probleme- tha ai.- Problemi i parë janë paratë, sepse qeveria ka ndaluar publikimin e reklamave në gazetë. Problemi i dytë është problemi i eksesit, sepse qeveria dhe partia që ka fituar zgjedhjet nuk flasin më me gazetarët”.
Ai shtoi: “Ne jemi gazeta më e madhe në Poloni, dhe ne duhet të kemi të drejtën të pyesin presidentin, kryeministrin dhe anëtarë të tjerë të qeverisë”.
Kryeredaktori shtoi:
“Problemi kryesor social mbetet Facebook: ata kanë më shumë se 13 milion përdorues, ndërsa ne kemi rreth 5 milionë vizitorë. Përditë e më shumë shtohen njerëzit në Poloni që nuk lexojnë gazeta dhe nuk shikojnë Televizion. I vetmi burim informacioni për ta rreth politikës Polake dhe botërore,  është media sociale”.
“Zgjedhjet e fundit  presidenciale dhe parlamentare në Poloni u fituan qartazi nga populistët, sepse liberalët që ishin në pushtet bënë shumë premtime dhe nuk i mbajtën.

Katër diplomatë të lartë largohen nga Departamenti i Shtetit

Katër diplomatë amerikanë që përbëjnë pjesën kryesore të ekipit të lartë drejtues në Departamentin amerikan të Shtetit dhanë papritur dorëheqjen, vetëm disa ditë para se kandidati i presidentit Donald Trump për postin e Sekretarit të Shtetit të marrë konfirmimin në Senat.
Largimi i nënsekretarit të Shtetit për Menaxhimin Patrick Kennedy të premten ishte njoftuar më parë. Sipas gazetës Ëashington Post, Kennedy kishte kërkuar të vazhdonte punën nën drejtimin e sekretarit të ardhshëm të Shtetit, për menaxhimin e buxhetit dhe logjistikës së Departamentit të Shtetit.
Gazeta Washington Post dhe agjencia Associated Press njoftuan se dy ndihmës sekretarë të tjerë dhanë gjithashtu dorëheqjen të mërkurën. Ndihmës Sekretarja për Administrimin Joyce Barr dhe Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Marrëdhëniet Konsullore Michele Bond, së bashku me ambasadorin Gentry Smith, drejtor i Zyrës për Misionet e Huaja, janë diplomatë karriere.
Dorëheqjen e dha edhe Victoria Nuland, ndihmës Sekretare e Shtetit për Marrëdhëniet me Evropën dhe Euroazinë.
Duke konfrimuar largimin, Mark Toner, zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, tha në një deklaratë se këto pozicione janë emërime politike, që kërkojnë emërimin nga presidenti dhe konfirmimin nga Senatit.

Vila 1.6 milionë euro e Vlahutin e sherri me Daden për Presidencën

Romana Vlahutin është e para ambasadore e BE-së në Shqipëri, e cila blen një pronë të patundshme me fondet e Bashkimit Evropian. Nuk e ka bërë as paraardhësi i saj Vitorio Sequi dhe askush tjetër. Në praktikën e këtij misioni, shtëpitë jo vetëm për ambasadorin që është kreu i tij, por edhe për të tjerët rezidentë në vendin tonë dhe gjithkund merren me qira. Madje, ka personel të veçantë, i cili kujdeset për akomodimin e diplomatëve apo punonjësve të misionit në vendin tonë. Eshtë ky personel që merret me gjetjen e shtëpive me qira, mobilimin e të tjera me radhë. Natyrisht për të gjitha paguan Bashkimi Evropian. Po përse një gazetë që drejtohet nga djemtë e deputetes Dade sulmoi ambasadoren Vlahutin, kur më parë ka qenë po kjo gazetë që ka marrë në mbrojtje deri në ekstrem të njëjtin individ? Cilat interesa ju prishën familjes Dade në këtë rast që i bëri të nxjerrin dokumentat e vilës. Natyrisht nëse do të ishte një betejë parimore gazetareske, kjo do të ishte për t’u përshëndetur, pasi korrupsioni nuk njeh ngjyrë dhe ai duhet goditur. Shuma prej 1.6 milionë eurosh e paguar nga Bashkimi Europian për një vilë superluksoze të ambasadores Vlahutin ka ngjallur një reagim të fortë në opinion dhe ka treguar anën tjetër të Kryetares së Delegacionit, e cila duket se është rehatuar mirë me luksin në Shqipëri. Ajo që nuk dihet është se përse ky konflikt mes Dades dhe Vlahutin. Këtu hyjnë interesat politike dhe pazaret e pista brenda mazhorancës. Burime nga mazhoranca shprehen se Dade konsiderohet si një emër i mundshëm për Presidente dhe që është në tavolinën që PS i ka vendosur Ilir Metës. Në fakt edhe Meta ka një simpati për Artën. Vendosja në fokus e Dades për postin e kreut të shtetit nga mazhoranca natyrisht ka rënë në veshët e diplomatëve. Të njëjtat burime saktësojnë se Vlahutin nuk e ka pritur mirë këtë kandidaturë. Kjo ka sjellë edhe reagimin e gazetës që në fakt drejtohet nga Dade, por që është nën komandën e pushtetit. Vila 1.6 milionë euro është vërtet një skandal, por edhe Dade kandidate për Presidente është në fakt një superneveri.

Akuza

Një gazetë e akuzoi dje Vlahutin për blerjen e një banese në fshatin më luksoz të Shqipërisë, Rolling Hills, të një vile me sipërfaqe ndërtimi 345 metra katrorë për një çmim stratosferik prej 1 milion e 649 mijë euro. Media në fjalë është shumë e afërt me rilindjen, dhe botuesi i saj shumë i afërt me mazhorancën. Ai quhet Alban Dabulla, biznesmen në fushën e ndërtimit dhe është djali i deputetes Arta Dade. Por përse duhej që një gazetë, e cila ka zëvendësuar gazetën zyrtare të PS të ndërrmerte një sulm ndaj diplomates, e cila është shfaqur hapur në mbrojtje të kreut rilindas. Burime nga mazhoranca bëjnë me dije se prej kohësh emri i Arta Dades qarkullon brenda Rilindjes si kandidaturë potenciale për postin e presidentit të Republikës. Madje, një aspiratë të tillë e konfirmoi vetë zonja Dade në një intervistë të dy ditëve më parë. Por kjo kandidaturë ka hasur në kundërshtinë e fortë të zonjës Vlahutin, e cila me sa duket është përfshirë në grindjet konjukturale brenda PS-së. Kjo ka bërë që gazeta e drejtuar prej djalit të zonjës Dade të hidhet në sulm, duke e akuzuar hapur për korrupsion Vlahutinin. Arta Dade është një nga ato deputetet më të vjetra të PS-së, por që nga të ardhurit e rinj shihet si “xhaketë e vjetër” brenda PS-së. Një katapultim drejt Presidencës, do i jepte fund dilemës së saj për ekzistencën ose jo në listat për deputet në zgjedhjet e ardhshme, por do fashiste dhe një luftë të mundshme mes kryerilindasit dhe djemve të saj që drejtojnë gazetën që ka zëvendësuar “Zërin e Popullit”. Por rruga për ta mbyllur me nder kapitullin e saj në politikë po pengohet nga vetë Vlahutin, e cila i është bashkuar grupit që kundërshton një zgjedhje të Dades në postin e kreut të shtetit. Gazeta e Dades një ditë më parë hidhte hije dyshimi mbi një marrëveshje korruptive, kur thoshte se çmimi e ka kaluar disa herë vlerën reale të kësaj vile. Dhe vërtet, vila më e shtrenjtë në këtë kompleks nuk e kalon vlerën e 850 mijë eurove, por nëpër faqet e internetit ka vila të tjera që variojnë nga 350 deri në 500 mijë euro që gjithsesi nuk janë shifra të vogla. I çuditshëm është fakti se në lidhje me këtë çështje, tentoi të fliste në janar të vitit të shkuar dhe rrjeti investigativ BIRN (rrjet i sponsorizuar nga Fondacioni Soros), por çështja u mbyll shpejt. BIRN kish lajmëruar se do të paraqiste dokumenta, të cilat hidhnin dritë mbi këtë aferë, por nuk i publikoi kurrë ato. Madje, lajmi për blerjen e vilës që lançoi asokohe BIRN, nuk gjendet as në sitin zyrtar të saj, është zhdukur sikur nuk ka ekzistuar kurrë…

Problemet me deklaratën e pasurisë të Vlahutin

Për Romana Vlahutin, nuk është hera e parë që vihet në qendër të skandaleve. Në vendin e saj Kroaci, Komisioni për Parandalimin e Konfliktit të Interesit deklaroi se, Vlahutin nuk kishte deklaruar pasurinë siç e kërkojnë ligjet e vendit të saj. Ja se çfarë shkruhej në deklaratën e këtij komisioni që është i ngjashëm me ILDKPKI në Shqipëri. “Zyrtarja Romana Vlahutin i ka sjellë Komisionit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit informacionin për gjendjen pasurore për shkak të përfundimit të funksionit të saj si këshilltare e Presidentit të Kroacisë për Punët e Jashtme, që në librin e postës së hyrjes së Komisionit tregon datën 22 tetor 2014. Në përputhje me nenin 23 të Ligjit Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, komisioni ka kryer kontrollin administrativ të të dhënave të informacionit dhe ka vërtetuar se, zyrtarja Romana Vlahutin nuk e ka plotësuar në mënyrë të plotë dhe të saktë formularin me të dhëna për gjendjen pasurore të zyrtarit, duke pasur parasysh këtu që nuk ka shkruar nr. e amzës dhe pagën mujore bruto. Në pjesën e të dhënave mbi pasurinë në pikën 1 për pasuritë e paluajtshme, zyrtarja nuk ka shkruar të dhënat për adresat e pasurive të paluajtshme, si dhe në pikën 6 nuk ka dhënë shumën neto dhe bruto të pagës vjetore, ndërsa në pikën 10 nuk ka shkruajtur detyrimin e zyrtarit për të shkruajtur të dhënat për huadhënësin (kreditorin) e kredisë për strehim “Ligji e detyronte Ambasadoren Vlahutin që ta deklaronte pasurinë e saktë 15 ditë, pasi të njihej me kërkesën. Komisioni e ka bërë kërkesën më 13 shkurt 2015. Deri më 6 nëntor të atij viti, komisioni nuk kish marrë asnjë përgjigje, duke bërë që komisioni të hapë dhe procedurat e hetimit kundër Vlahutin.

Tallavaja politike e Vlahutinit dhe PS-së!

Zonja Vlahutin në fakt njihet për “tallavanë” e saj politike në vendin tonë. Përgjatë vitit të kaluar na u shfaq si një mbrojtëse e zjarrtë e vettingut të famshëm, duke mbyllur sytë para çdo fenomeni tjetër negativ shqiptar. Aq shumë u investua zonja në fjalë në mbrojtje të mazhorancës, sa nuk ishte çudi që ta ngatërrojë me ndonjë nga deputetet e PS-së, si fjala vjen Olta Xhaçka apo Ermonela Felaj. Megjithatë, faktet po tregojnë dita-ditës se vettingu janë identike me atë çka ndodhi në Ukrahinë, ku u shpenzuan 11 miliardë dollarë dhe një e treta e kësaj shume kaloi nga Fondacioni Soros. Gjithsesi këtë do e tregojë koha! Ndërkohë që aktiviteti i zonjës Vlahutin duket se po shtrihet dhe në çështje të brendshme brenda PS-së, ku zëri i saj duket se ka peshë jo të vogël. Ende nuk dihen qëllimet e zonjës Vlahutin, dhe kush është kandidati i saj i preferuar për të qenë në krye të shtetit, por ajo që dihet është se ka ndezur keq inatin e zonjës Dade, të cilës po i prish ëndrrën e saj presidenciale. Në fakt zonja Dade dhe djali i saj nuk është hera e parë që e përdorin gazetën për luftë politike brenda llojit. Jo më shumë se para një viti, ndërrmori një sulm ndaj ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, me porosi të Erion Veliajt. Ky fakt u konfirmua dhe më shumë kohët e fundit, kur emri i Alban Dabullës u përfol gjatë udhëtimit luksoz me çarter drejt Parisit, ku djali i Arta Dades rezultoi një nga shoqëruesit dhe sponsorët e Veliajt dhe Maznikut.

Vlahutin ka paguar dhe 96 mijë euro të tjera për qiranë!

Ndërsa ambasadorja e Delegacionit të BE-së, Romana Vlahutin është në epiqendër të skandalit për blerjen e vilës luksoze të Delegacionit të BE-së në shumën e 1.6 milionë eurove, një tjetër kontratë kompromentuese ekspozohet.
Në fillim të vitit 2015, biznesmeni Laert Duro dhe Vlahutin kanë rënë dakord për një kontratë qiraje me vlerë të këstit 8 mijë euro në muaj. Kjo kontratë parashikonte që Delegacioni i BE-së do të paguante 8 mijë euro çdo muaj për shfrytëzimin e vilës, ndërsa Delegacioni kishte kohë 1 vit që ta blinte vilën. Sipas kësaj kontrate qiraje, nëse ndodhte që Delegacioni nuk do e blinte vilën për një vit, atëherë kishte detyrimin që të shfrytëzonte për 8 vite me qira vilën. Detyrimi vjetor i qirasë llogaritet në 96 mijë euro.
Kontrata-tip është ekspozuar dje nga kandidati për Avokat të Popullit, Altin Goxhaj, i cili u shpreh për Hashtag.al se:
“Kjo kontratë tip është siguruar me USB nga burime të BE-së, nga zyrtarë korrektë që kanë interes në zbardhjen e kësaj afere”.
Kontrata e qirasë rëndon edhe më tepër historinë e blerjes së kësaj rezidence. Kontrata e qirasë zbardh detyrimin e kripur që Delegacioni i BE-së kishte marrë përsipër ndaj biznesmenit që shiste vilën në rast të mos blerjes.
Pse kjo këmbëngulje për të gjetur rezidencë vetëm tek kjo vilë? Cilat ishin opsionet e tjera?
Pikërisht këtu duket se është dhe problemi kyç i kësaj historie, sepse delegacioni i BE-së nuk e ka praktikë blerjen e rezidencave të banimit. Nga ana tjetër çmimi i vilës i zbardhur në kontratën e shitjes prej 1.6 milionë euro është afro dyfish më i lartë se vlera e tregut.
Por dhe çmimi i qirasë i nënshkruar prej zonjës Vlahutin rezulton dyfish më i lartë nga mesatarja e tregut në bllokun rezidencial ‘Rolling Hills’.

Hashtag.al

 

Koçijançiç: Vila 1.6 milionë euro ishte opsioni më i mirë

Ambasadorja e BE në Tiranë, Vlahutin u është përgjigjur përmes Maja Koçijançiç, zëdhënëses së BE akuzave për vilën luksoze. “Vendimi për të zgjedhur rezidencën e Kreut të Delegacionit të BE-së në Shqipëri erdhi si konkluzion i një analize tërësore, që përfshiu një vëzhgim të tregut, një vlerësim nga një ekspert i pavarur dhe këshillimin e Oficerit Rajonal të Sigurisë së EEAS (Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian) në lidhje me aspektet e sigurisë. Ky ishte opsioni më i mirë lidhur me raportin e përgjithshëm cilësi/çmim dhe përmbushjen e nevojave të ndërtesës si rezidencë e Kreut të Delegacionit të BE-së, si siguria, lehtësirat dhe afërsia me Delegacionin e BE-së. Vendimi u miratua nga Autoriteti Buxhetor i BE-së në janar 2015. Është e një rëndësie shumë të madhe për institucionet e BE-së që buxheti të jepet në mënyrë korrekte, transparente dhe me raportin më të mirë cilësi-çmim”, tha Koçijançiç

Për Kosovën do të reagojmë si Komb

Rama, mercenar politik që përdoret nga Soros

– Zoti Berisha përshëndetje, të falënderoj sërish që jeni në “Fakt”.
Kënaqësia është e imja, ju përshëndes përzemërsisht.

– Ju falënderoj. Po e fillojmë me atë që konsiderohet si lajmi i vitit. Në fakt e gjithë bota është tronditur nga fitorja e Donald Trump. Po le të flasim për atë që na shqetëson ne. Këto ditë pas inaugurimit dhe marrjes së detyrës, ka një shqetësim në mënyrë të veçantë nga mediat kosovare mbi një afrimitet të mundshëm të tij me presidentin rus Putin. A ndihen shqiptarët të rrezikuar në gjykimin tuaj?
Së pari, dua të theksoj se nuk është lajmi i vitit, por është lajmi i shekullit. Inaugurimi i tij është inaugurimi i shekullit. Për një sërë arsyesh. Së pari, i kundërshtuar në mënyrë të fuqishme nga të gjitha shtyllat e tjera të pushtetit, të vendit më të fuqishëm në botë dhe jashtë çdo parashikimi ai u ul më 20 janar në karrigen e njeriut më të fuqishëm të globit dhe planetit. Në këtë kontekst nuk ka dyshim që ai arriti këtu si udhëheqës, si lider i lëvizjes më të fuqishme revolucionare paqësore ndoshta të historisë së njerëzimit, aq sa janë të mëdha dhe të rëndësishme Shtetet e Bashkuara. Donald Trump u bë president si frymëzues dhe nuk u bë president si shtetar, si njeri i eksperiencës shtetare. Nuk u bë president si një hero i kësaj apo asaj lufte. Donald Trump u bë president si frymëzues i lëvizjes më të fuqishme që ka njohur SHBA-ja dhe bota. Kjo lëvizje, e cila ka segmentet e saj të fuqishme në Europë, është ajo që nxori Britaninë nga BE, është kjo lëvizje që dërgoi Matteo Renzin në shtëpi.

– Gjykata Kushtetuese sapo ka marrë një vendim që zgjedhjet mund të mbahen që në këtë moment.
Nuk arrij t’i kuptoj miqtë e mi në Itali që sa herë do të shkojnë në zgjedhje do të ndryshojnë ligjin. Atë ligj të mirë e kanë, vend demokratik Italia, bën zgjedhje. Pra, është kjo lëvizja që solli Donald Trump.

– Pasojat e kësaj lëvizjeje për shqiptarët zoti Berisha?
Dakord, po vetëm në një moment dua të ndalem, kundrejt përpjekjes së gjithanshme për demonizimin e saj. Unë nuk besoj se vlerat janë të kërcënuara. E kërcënuar në mënyrë serioze është status kuoja e establishmentit të sotëm. A besoj unë se ka një dëmtim, do të ketë një dëmtim, një rënie të interesave amerikane për shqiptarët? Jo. Trump tha: America the firts! Amerika e para! Ç’ka do të thotë interesi amerikan i pari. Kam bindjen më të madhe se një komb pro amerikan si shqiptarët, nuk mund të mos jetë një interes i presidencës së Trump. Nëse Trump, deklaron se unë do t’iu zgjidh një sërë problemesh me Putin, qëndrimet e mia ndaj Putin unë i kam të shprehura dhe nuk i lëviz. Më kujtohet vite më parë kur u zgjodh George Bush, europianët me një lloj zhvlerësimi filluan të flasin për presidentin kaubojs dhe jo vetëm kaq, por pak më keq. Filluan të kundërshtojnë Amerikën me pretekstin se kështu nuk do Putin apo këtu na zemërohet Putin, apo nuk kemi pse të irritojmë Putin. George Bush bëri një lëvizje, i lëshoi të gjithë përtokë, në një takim në Lubjanë me Putin. Pasi u takua me Vladimir Putin, filluan të kuptojnë se ky president, ka vlerat e lirisë si axhendën e tij kryesore dhe nuk e kanë këta kritikë, lirinë më çmuese se ai që drejtonte SHBA dhe nuk besoj unë që liria do të vuajë nga Donald Trump. Ka një gjë, një moment. Cili do të ishte në vlerësimin tim misioni i të gjitha misioneve të Donald Trump? Bllokimi i deindustrializimit të botës perëndimore. Cili është zhvillimi më negativ që po e bren sot Perëndimin dhe botën perëndimore? Është fenomeni i deindustrializimit i pranuar universalisht nga të gjithë, por që deri sot asnjë nuk guxon t’i dalë në ballë e as ta ndalojë. Unë për informacion, 7 vjet më parë në Samitin e Partive Popullore Evropiane, Silvio Berluskoni, në një fjalim do ta quaja nga më të rëndësishmit që kam dëgjuar, kërkon që të krijohet një komision për të studiuar si të përballemi me Kinën. I tha audiencës se disbalanca tregtare mes Italisë dhe Kinës ka arritur në 80%. Tani, nga ajo ditë e deri më sot, lider i botës që të ketë lëvizur një gjë për të frenuar këtë, nuk ka. Po ju kujtoj një moment. Në kulmin e krizës së suprimeve kam qenë në Dallas dhe po ju them një gjë. Meqenëse amerikanët ishin shkaku, nga establishmenti nuk erdhi njeri direkt, por erdhi Bill Clinton. Ai i tha audiencës: Amerika është shkaku i krizës. Se Amerika ishte shkaku i krizës financiare. Bëri një analizë: Ku u katandisëm me këtë politikë tha. Sot ekonomia amerikane ka vetëm 3 shtylla: ndërtimi që falimentoi nga suprimet, financat që janë të sëmura dhe shërbimet. Sepse u deindustrializua. Për fat të keq, miku im i madh nuk e kishte ilaçin që duhej. Ai i bëri thirrje Kinës, që mund të ishte një nga shkaqet. Na bli më shumë bono thesari që të blejmë më shumë mallra. Kjo ishte deindustrializim. Ndaj të presim dhe të shohim.

– Për ju Donald Trump është një frymëzues. Tashmë është e qartë se fitoi kundër establishmentit. Nuk ka ndodhur në një ceremoni inaugurimi që presidenti i SHBA-së, që presidenti i zgjedhur të mbajë një fjalim kundër të gjithë atyre që kishte ftuar dhe pro popullit.
Sepse ai nuk ishte njëri prej tyre.

– Në 25 vite, figura kryesore në Shqipëri është Sali Berisha që konsiderohet establishment. Si ka mundësi që figura kryesore e establishmentit në Shqipëri, frymëzohet nga Donald Trump dhe është kundër establishmentit të shtyllave politike të SHBA-së?
Jo unë nuk jam, por unë të them absolutisht nuk jam kundër, por çfarë kam patur? Unë e kam ndjekur me shumë keqardhje reagimin ndaj fitores së tij. Ne i kemi miq ata, por një reagim jo i drejtë. Fitoi, tani të përpiqesh dhe të shtrigëzosh një fitore që e dha populli yt, atëherë del jashtë dimensionit. Del jashtë dimensionit tënd, mendon se je shumë më tepër nga ç’je. Me këtë unë nuk kam qenë absolutisht dakord. Dhe po të më pyesësh mua se cili do të jetë rezultati i presidentit Trump, unë nuk mund të them. Unë thashë, nëse Trump arrin atë guxim, se për deindustrializim kanë folur të gjithë. Po hapa, çfarë po bën ky? Po ecën si luan, si lider.

– Zoti Berisha, në qoftë se kanë pasur aleatë shqiptarët, kanë pasur SHBA-në. Pak më parë thatë se Donald Trump frymëzoi dhe fitoi kundër të gjithë shtyllave të politikës amerikane. Por aleatë të shqiptarëve deri tani kanë qenë shtyllat e politikës amerikane. Personi që fitoi kundër shtyllave, a mund ta rrezikojë mbështetjen që shqiptarët kanë patur pa kufi nga ky komb, nga këto shtylla?
Unë mendoj se tek shtylla Trump, shqiptarët kanë miq të shkëlqyer. Shiko si jemi ne. Ne jemi shumë interesant si popull. Nuk jemi një vend i rëndësishëm, nuk kemi ndonjë peshë të madhe. Por një gjë e kemi: Nuk besoj të ketë vend tjetër me miq të shumtë për frymë dhe për kokë saç kemi ne shqiptarët. Në administratën aktuale ne kemi miq të shkëlqyer.

– A keni ju miq në administratën aktuale?
Pa diskutim, miq edhe të shkëlqyer, por jo vetëm unë, ka Shqipëria. Të themi një gjë: Ekipin që ka ky, ta themi në thonjëza, i panjohur për politikën, se në botën e tij ky ka qenë star dhe superstar. Ekipin që ky solli është ekipi i gjigantëve, në të gjitha aspektet. Unë besoj që në Shtëpinë e Bardhë të jetë ulur një ekip kolosësh, kolosë suksesi, i përbërë nga një, gjenerali që mori Pentagonin është gjenerali më i respektuar në historinë e pasluftës së SHBA, Matis e të tjerë me radhë. Kongresmeni Pompeu, që mori CIA, nuk është gjeneral, por është Ëestpoint, është Harvard, është Kongres. Ky ka sjellë me vete në grup gjigantësh suksesi, me të cilët nuk besoj kurrë që do të preken vlerat, do të zgjerojnë dhe do të lartësojnë vlera.

– A ka patur Sali Berisha, komunikim apo mesazh me ndonjë anëtar të administratës së Trump, pas fitores?
Kam patur. Unë kam miq në të gjitha anët, natyrisht më shumë republikanë. Nuk shkova sepse kam qenë një herë. Eksperienca është e jashtëzakonshme. Ata që s’e kanë ndjekur është humbje, por për të dytën, nuk përbën një risi. Ne kemi miq aty, në administratë, do të kemi dhe miq të tjerë se janë duke u plotësuar vendet.

– Zoti Berisha, opozita e djathtë shqiptare mund të ketë dhe gjasat janë se ka shumë miq në administratën e Trump, por kombi shqiptar a ka miq në administratën e Trump? Kombi shqiptar, se interesat e shqiptarëve, aleatë më të mëdhenj dhe lobimin më të madh prej amerikanëve e ka patur.
Edhe do ta ketë. Jam shumë i sigurtë. Nuk është rastësore, është mbi bazën e një qëndrimi.

– Analistë të njohur jo vetëm në Amerikë, por edhe në Europë, po flasin për takimin Trump-Putin, madje po aludohet edhe për vendin që është i njëjtë me atë ku është takuar Regan me Gorbaçov. Po aludohet se Trump është prej atyre personazheve politike që e ndan botën në tavolinë. Lëvizjet e fundit në Kosovë janë shqetësuese, për të mos thënë të frikshme. A mendoni se Kosova është e kërcënuar nga Trump?
Absolutisht jo. Kosova nuk është e kërcënuar nga Trump. Ai është personi që ka mbështetur formën më eficente të ndërhyrjes në Kosovë, ndërhyrjen e armatosur. Trump ka mbështetur në pozicionin që ka qenë ndërhyrjen me forca të armatosura. Forca tokësore. Kjo ishte mbështetja më ekstreme që mund t’i jepej Kosovës. Dhe nuk ka, nuk besoj në këtë jaltë të re, sepse ajo ishte një zhvillim pas një lufte me lumenj gjaku dhe miliona viktima. Kjo është një situatë krejtësisht tjetër. Ajo çka është e vërtetë është se, Trump mund të ketë një qëllim pak të veçantë ndaj BE. Duhet të jemi të hapur se, qëndrimin më të papërshtatshëm ndaj BE e kanë vetë anëtarët e BE. Çfarë mund t’i thonë Trump, kur ta zëmë e tha që është shndërruar në një klub gjerman kur ka vite që europianët, bërtasin jo një Europë gjermane. Angela Merkel para 4 vitesh u tha evropianëve të saj: nuk ekziston identiteti evropian, më thoni cili është? Ka identitet gjerman, anglez, francez, italian dhe tani thonë duhet luftuar për një Gjermani evropiane. Të nxjerrim Gjermaninë nga karakteri i saj gjermanik. Po pse do ta nxjerrësh Gjermaninë nga karakteri i saj? Energjia e saj po ndërton. Energjia e saj as në Europën e pasluftës, energjia gjermane jo vetëm rindërtoi Gjermaninë, por kontribuoi në ndërtimin e Evropës ish-komuniste e me radhë. Nëse e bën një temë të përditshme, Gjermani europiane dhe jo Europë gjermane, ka të drejtë ai, ky është një klub gjerman.

– Të kthehemi tek halli jonë, Kosova. Ngjarjet e javëve të fundit janë vërtet shqetësuese dhe ngjarjet që lidhen pak ditë para inaugurimit të Trump. Serbët morën guxim, pak nga perceptimi i asaj se çfarë po thuhej mbi raportet Trump-Putin, serbët morën guxim dhe de fakto tentuan ta aneksojnë Mitrovicën sepse treni ishte motiv. A mendoni se ky rrezik kapërceu?
Jo nuk ka kapërcyer dhe ky rrezik ekziston. Mendoj se në këtë rrezik përgjegjësia e parë dhe kryesore u përket shqiptarëve. Po marr Tiranën zyrtare. Po flas për të dyja. Është shumë kollaj se ne e kemi këtë në Ballkan, që çdo gjë do t’ua hedhë të tjerëve. Vetë janë të larë dhe të pafajshëm për asgjë, çka nuk është kurrë e vërtetë. Përgjegjësitë kryesore janë gjithmonë të prekshme. Politika e Tiranës: Një ndryshim thelbësor në favor të Beogradit. Në dëm thelbësor të udhëheqjes politike të Prishtinës.

– Ku e shikoni këtë zoti Berisha?
Sigurisht, në qoftë se ti që nuk ke asnjë problem bilateral, madhor të pazgjidhur me Beogradin, përveç problemeve që ka Kosova, shkon dhe bëhesh protagonist dhe kapërcen mbi Prishtinën dhe paraqet udhëheqjen e Beogradit ashtu sikur nuk janë, ky është shërbimi i parë i madh moral që u bën, por nuk është vetëm kaq. Do t’u rrëfej një gjë interesante. Para nja 5 vitesh më vjen një mesazh nga Departamenti i Shtetit, direkt nga sekretarja e Shtetit dhe më kërkon: A mund të bësh një deklaratë, për të mbështetur – ishin bisedimet të nesërmen në Bruksel. A mund të bësh një deklaratë më thotë? Jo i thashë, nuk e bëj. I thuaj sekretares se unë deklaratën do ta bëj pasi ata të vendosin se unë vetëm kështu i ndihmoj ata. Në qoftë se u bëj deklaratë përpara dhe shqiptarët shohin se ata janë si punë shkopi i Tiranës, ata zhvleftësohen, Beogradi merr revansh. Nuk e pata të lehtë, por i qëndrova parimit tim. Ndodhi që të nesërmen ata firmosën dhe unë e quajta jetike a historike marrëveshjen me atë mbështetjen e madhe. Po kështu në çdo rast, sepse përpjekja e Beogradit ishte e jashtëzakonshme që Kosova të futej në axhendën e diskutimeve mes Tiranës dhe Beogradit. Ne e përjashtuam atë në mënyrë kategorike. Pse? Së pari, zotërit e shtëpisë janë udhëheqja politike. Së dyti, jemi në konflikt të hapur interesi, unë mbaj anën e Kosovës. S’ka diskutim ajo punë. Unë në çdo rast do të mbështes Kosovën. Ky duhet të ishte qëllimi, Edi Rama e përmbysi këtë qëllim. Ka ardhur, e kam theksuar dhe një herë Kiçi, a do ta presësh më tha mua? Por me një kusht që të mos përmendësh Kosovën në zyrën time. E respektoj, unë si mikpritës e prita, unë absolutisht nuk jam kundër vizitave, kam pasur ftuar presidenti Tadiç, por dihej hapur qëndrimi i Tiranës, që ne nuk diskutonim për Kosovën, ne mbështesnim Kosovën. Tani vijmë tek tjetra. E gjithë ajo që iu bë Kosovës për të treguar se nuk funksionon si shtet, ajo përbën një, – ky është defaktorizimi që i bëri Rama, – ai në vetvete përbën një lloj bllokimi të neveritshëm me të cilin Serbia paraqiti Kosovën para botës në mënyrën më të shëmtuar. Do të vijmë tek zhvillimi i fundit. Treni pa diskutim ishte përpjekje aneksioniste. Eci, eci aventurier. Nuk është vetëm atje. Shiko debatin në Prishtinë për shkëmbimin e territoreve. Kur, atë kohë të ka sulmuar tjetri, kur ai të sulmon, ti i jep kokën në tepsi atij dhe thuaj ti çfarë do të thotë kjo? Po pse pikërisht, unë iu them shqiptarëve, kërkesa për shkëmbime territori midis Kosovës dhe Serbisë, ka qenë kërkesa kryesore e Serbisë që paraqiste ndaj nesh dhe që ishin kategorikisht kundër dhe lobonin në SHBA për të qenë kundër. Dhe më thonin më herët pse jeni kaq kundër? Nuk kemi pse ndajmë territore, por këta verbalë, nuk e dinë. Ai synon Ibrin, ai synon Pejën.

– Zoti Berisha, Tirana zyrtare ka përgjegjësi?
Të jashtëzakonshme. Vetë qëndrimi ndaj trenit çfarë ishte? Më ka bërë të mendoj më shumë se kurrë për një marrëveshje Rama-Vuçiç.

– Heshtje…
Jo nuk ishte heshtje, më keq se heshtje. Unë merrem me Enverin dhe vazhdoj punën. Unë s’kam punë me ty, unë po merrem me këtë fansin tim që më shkruan pse fole e s’fole. Ça do të thuash ti? Ti je në rregull, kjo në gjuhë diplomatike është absolutisht Go Ahead. Nuk ishte heshtje, ishte miratim dhe hec përpara. Nuk foli 24 orë, kur foli, po si mund të qëndrojë në një mënyrë kaq indiferente ndaj një gjëje që mund të shpërthente një luftë, pasojat e të së cilës direkt më shumë se kush, përveç Prishtinës, do i vuante Tirana? Dëgjo ti Enver si Millosheviçi e turizmi do kohë të tilla. Ajo ishte Sandër, go ahead.

– Tirana zyrtare po, zëra publike dhe politikë dhe të rëndësishëm në Kosovë kanë përgjegjësi sepse menjëherë ofruan shkëmbime territori. Po Prishtina zyrtare a ka përgjegjësi?
Prishtina zyrtare në disa zhvillime duhet të jetë më e vendosur. Muri, ata që mendojnë ta ndajnë territorin e Kosovës me mure, ata duhet të përballen me forcën e ligjit. Historia ka dëshmuar se nëse shqiptarët mbeten në mëshirën serbe i pret vetëm zhdukja. Ku e ngre këtë mur ti? Muri dhe ndjej keqardhje kur dëgjoj, çdo gjë Bashkimi Europian. Po ti je shtet në radhë të parë, je i pavarur dhe si shtet i pavarur, nëse ti nuk je i zoti…

– Luftë me Kosovën apo edhe me Shqipërinë?
Me shqiptarët, kombi është vetëm një. Shqiptarët asgjë nuk i pengon për të luftuar me njëri-tjetrin…

– Zoti Berisha ju po thoni se aneksimi i Mitrovicës i fut automatikisht shqiptarët në luftë?
Absolutisht nëse shqiptarët do t’i thonë vetes një komb plotësisht…

– Edhe nëse rrezikojnë anëtarësimin në NATO?
Nëse sulmohet? S’mund të ketë kurrë rrezikim anëtarësimi në NATO, por nëse vriten shqiptarë ta harrojnë që s’do të ketë reagim tjetër. Ky reagim ishte evident në vitet ’98-’99, por tani do të jetë 10 herë më i madh. Shqiptarët kanë një motiv, do të reagojnë si komb i vetëm. Dhe për fat të keq të tyre, janë më të freskët në mësimet e tyre për luftën, do të detyrohen të luftojnë pas 50 vitesh.

– Zoti Berisha, një ndarje ose aneksim i Mitrovicës, a çon automatikisht në bashkimin e Shqipërisë me Kosovën?
Kjo është hilja, është një joshje serbe. Territoret midis Serbisë dhe Kosovës mund të shkëmbehen vetëm atëherë kur Serbia të ketë njohur plotësisht Kosovën, të ketë normalizuar çdo lloj marrëdhënie me të, të ketë vendosur fqinjësinë e mirë dhe të mos i shohë më shqiptarët si një rrezik, t’i shohë shqiptarët si fqinj me të cilët do të ndërtojë të ardhmen në shekuj. Unë e kam thënë, ideali i bashkimit është ideali më i fuqishëm, por bashkimi i Kosovës me Shqipërinë mund të ndodhë, në asnjë mënyrë ndryshe veçse si dy shtete të pavarura, funksionale, të lira, demokratike, bashkimi i të cilave nuk përbën asnjë kërcënim për asnjë vend tjetër. Kjo është rruga. Nëse ne përqafuam rrugën e lirisë ne duhet t’u besojmë këtyre vlerave, ne duhet t’i ndjekim këto. Por nëse mendojmë tani, ai na sulmon dhe ne t’ia servirim territorin dhe të bëjmë sikur po bashkohemi, ne bëjmë vetëm lojën e tyre dhe për fat të keq, dhe për fat të keq ithtarë të tyre ka jo pak në botën shqiptare.

– Të ktheheshim sërish tek politika jonë e brendshme. Menjëherë pas fitores së Trump, janë dy lëvizje që ka bërë qeveria shqiptare, një drejt Iranit dhe një drejt Kinës, sigurisht me motivacion bashkëpunimin ekonomik, por janë dy vendet që presidenca Trump ka shpallur si problemin kryesor të SHBA-së. A ju duket se zoti Rama tashmë është i qartë dhe po i vendos shqiptarët ndërmjet pyetjes: Me mua kundër Trump, miq me amerikanët, por jo me këtë president?
Dy janë momentet kryesore që duhen marrë parasysh. Begraundi i tyre familjar është fund e krye antiamerikan. Këtë Edi Rama nuk ka ngurruar ta tregojë edhe kur ka qenë në opozitë, edhe në raste të tjera, dhe me NATO-n, dhe me Bushin etj. Së dyti, Edi Rama me deklaratat e tij kundër kandidatit për president të SHBA-së, tregoi se është vetëm një mercenar apo halabak politik, ose një kone e George Soros. Po ndalem pak tek ky moment. Shqiptarët, por jo vetëm shqiptarët nuk e dinë dhe nuk e imagjinojnë dot fuqinë e jashtëzakonshme të George Soros.

– Zoti Berisha e besoni vërtet këtë apo është kthyer në legjendë?
Absolutisht, është realitet. Pse? Soros nuk është më i pasuri në botë…

– Por ka qenë një nga kundërshtarët tuaj…
Prit, është një nga miliarderët e pasur që krijon pasuri dhe spekulim duke mos prodhuar asgjë në një formë mëkatare sa më nuk bëhet. Soros është njëshi i botës për të vendosur miliardat e tij për qëllime politike. Kaq, qëndrojmë këtu. Për të kujtuar se cili është Soros, po të kujtoj një intervistë të tij në fushatën elektorale të dytë të George Bush. Ai mbështeste John Kenedy. I thotë gazetari: ke sponsorizuar fushatën? Po thotë i kam dhënë 20 milionë a nuk mbaj mend sa. Dhe i thotë: Do të ishte i gatshëm të jepje të gjithë pasurinë tënde? Me një kusht. Cili kusht i thotë gazetari: të jem i sigurtë që fiton Bushi. Ja, ky është Soros, si asnjë miliarder tjetër në botë. Vazhdojmë pak më tej. Ka shpërndarë, pa diskutim që është gjeni në financa, jashtë çdo lloj diskutimi, ka shpërndarë me dhjetëra, me qindra milionë në Europë dhe kudo për të krijuar rrjetin, netëorku i Soros është i Soros, nuk është i Amerikës apo është në njëfarë mënyre i lidhur në një krah me politikën amerikane. Po kjo nuk shkon. Soros me shumat që jep ka fuqinë më të madhe se kushdo tjetër, politike, qoftë në SHBA, tek demokratët siç faktohet, por qoftë në Bruksel, në Europë dhe kudo. Tani Edi Rama për koinçidencë ka qëlluar të jetë njeriu më i investuar nga Soros, në vendet ish-komuniste. U përdor egërsisht nga Soros, quajti turpin e qytetërimit Donald Trump, i cili po të shikosh në biografinë e tij ai më shumë është shoëman i kulturës. Pse më shumë? Se miliarderë ka plot. Po edhe miliarderë edhe shoëman, nuk ka. Dhe ky ishte një shoëman brilant dhe të thuash se ky qenka një turp i qytetërimit, atë mund ta thotë vetëm Soros dhe Rama që ia dha formulën. Pra, Edi Rama u përdor për të thënë atë që nuk e tha kush mbi tokë për Trump, për ta thënë në mediat e tij në “CNN”, në “Neë York Times” dhe në mediat e tjera kryesore. Çfarë tha tjetër Edi Rama? Ai e dinte se me këto, marrëdhëniet do të dëmtohen me Shtetet e Bashkuara.

– E tha se nuk e besonte se fitonte presidenti Trump apo se realisht nuk është i lirë nga Soros për të ndërtuar raporte me presidencën Trump?
Absolutisht është e dyta. Se nuk fiton presidenti Trump, unë që jam para teje kam thënë që nuk fiton, me mendjen time dhe janë shumica dërrmuese që kanë thënë se nuk fiton. Ka patur tek-tuk që ka thënë e fiton, por në përgjithësi, mendimi i përgjithshëm, i mediave, i poleve, parashikimet kanë qenë. Matteo Renzi shkoi 3 ditë përpara bëri fushatë kundra tij në SHBA, por nuk tha kush, s’mund të thuhet ajo fjalë sikundër nuk mund të krahasohet kurrë. Amerika është liri e ndërtuar në 200 vjet. Çfarë tha? I organizoi Soros protestën më të madhe në ditën e inaugurimit. Zëdhënësi i tij tha: Presidenti ka respekt të shëndetshëm për amendamentin e parë të Kushtetutës. Në këtë kontekst Rama u sul si një mercenar i Soros dhe njëlloj mercenari i përdorur si halabak politik.

– Pra, ju mendoni se është peng i George Soros?
Absolutisht është peng i Soros.

– Po nëse zoti Rama do t’i vendosë shqiptarët, që ka gjasa që të ndodhë siç po duket, do t’i vendosë shqiptarët ndërmjet dy zgjedhjeve, ndërmjet tij dhe aleancës me SHBA-në, a mendoni se shqiptarët do ta ndjekin zotin Rama?
Kurrë, shqiptarët janë të mençur dhe kurrë nuk do të sakrifikojnë. Nuk them që janë 100% pro amerikanë, por shumica dërrmuese pro amerikane dhe nuk do të sakrifikojnë kurrë miqësinë, mirënjohjen, por edhe sensin.

– Gjithmonë në qoftë se amerikanët nuk do të jenë indiferentë ndaj Shqipërisë.
Jo nuk janë, amerikanët nuk kanë qenë kurrë indiferentë ndaj Shqipërisë. Kjo është e gabuar. Po të shohim, s’mund t’ua thuash kurrë atë. Që në vitet ’18-’20 e me radhë, nuk është se Shqipëria ka qenë çështje kryesore në historinë e tyre, por aq sa e kanë mbajt në axhendë, në historinë e lirisë kanë qenë përcaktues ata.

– Zoti Berisha, kryetari i opozitës, zoti Basha vazhdon shtegtimin e tij ndërkombëtar. Ishte në SHBA, tashmë është në Bruksel dhe me sa di unë do të jetë edhe në Berlin. A keni një komunikim me të dhe a ka arritur opozita shqiptare të vendosë nëpërmjet zotit Basha raporte me administratën e Trump?
Të shkëlqyer…

– E keni dëshirë apo informacion?
Absolutisht informacion dhe të sigurtë. Raporte të shkëlqyera.

– Çfarë i sigurojnë opozitës raportet e shkëlqyera? Se raporte mund të kesh, por nëse nuk ka angazhime, nuk kanë vlerë përveç miqësisë.
Zoti Basha dhe Mediu që ishin këto ditë atje kanë zhvilluar takime me eksponentë shumë të rëndësishëm të Kongresit, të Senatit, por edhe të administratës dhe mund të them me siguri që kanë gjetur mirëkuptim për problemet shumë të drejta që kanë shtruar si kundër ka patur, në Bruksel. Ka patur një takim të veçantë me presidentin e Partive Popullore Evropiane. Ka gjetur mbështetje të plotë dhe rezoluta që u miratua është dëshmia më e saktë e saj. Miratoi një rezolutë Asambleja e PPE.

– Zoti Berisha, a ka arritur zoti Basha të marrë garanci, jo vetëm mirëkuptim, që zgjedhjet nuk do të preken?
Ka marrë garanci që zgjedhjet në Shqipëri do të jenë në lupë mikroskopike dhe ka arritur të marrë garanci të plota për një interes maksimal të tyre për zgjedhje dhe pa vështirësi.

– Meqenëse jemi në fund, të kalojmë pak tek politika e ditës. Qershoi po afron, duket se Rama-Meta do të shkojnë sërish bashkë në zgjedhje. A mund t’i mundë kjo opozitë?
Absolutisht.

– Jeni i bindur për këtë?
Absolutisht, jam i bindur sepse tani është kohë bilanci për çdo shqiptar. Dhe jam i bindur se sot, janë të paktë shqiptarët që nuk shohin katastrofën në zhvillim të shpejtë në vendin dhe në shoqërinë e tyre. Jam i bindur se shqiptarët me të drejtë thonë: mirë këta, po këta tjerët, për demokratët. Një gjë i them çdo shqiptari. PD ka qenë në pushtet, pa diskutim me një zinxhir problematikash, suksesesh, por kurrë në histori nuk është thënë për qeverinë e saj se nga ’12 e deri më sot, nuk ka patur qeveri të tillë të korruptuar si kjo, të lidhur me krimin si kjo. Pra, nuk i ka rreshtuar asnjë kundërshtar i saj rekordet e zeza që i rreshtojnë Ramës këto 4 vite, për të mos thënë largimin masiv të qytetarëve nga vrasja e shpresës. Për të mos thënë pastaj, politika e jashtme e kësaj qeverie është një politikë e rrezikshme dhe unë e kam denoncuar këtë edhe para se Rama të bënte deklaratat e marra për Trump. Këta dolën me doktrinën e zero problemeve me fqinjët, duke menduar se në këtë mënyrë paraqitesh si pëllumb i paqes. Ata nuk kuptuan se çfarë ishte kjo doktrinë për diplomacinë e Turqisë. Turqia ndihej superfuqi rajonale, duke e ndjerë veten superfuqi rajonale, Turqia thoshte pastaj që kam zero probleme me fqinjët. Në fakt i doli e kundërta. Pati probleme më shumë se kurrë në histori që nga themelimi deri më sot, kjo ka qenë periudha kur ka patur më shumë probleme me fqinjët.

– Kurrë në 25 vjet, opozita shqiptare qoftë e majtë apo e djathë, nuk ka ndodhur të futet në zgjedhje në këtë situatë të kapjes së mediave. Dje në këtë studio, gazetari i njohur Blendi Fevziu gati i revoltuar ndaj televizionit ku ai punon dhe që ka 20 vjet që bën emisionin e tij. Si mendoni se kjo opozitë mund të arrijë t’u shpalosë shqiptarëve platformën e saj me këtë situatë të mediave?
Unë mendoj se është detyrimi i saj ta arrijë.

– Donald Trump foli për Fake News në SHBA…
Ky është ligj i përditshëm…

– Kryetari i opozitë shqiptare nuk po arrin ta bëjë këtë gjë në Tiranë.
Këtu fake news apo news me tualet është sallata më e zakonshme. Do të të jap një shembull dhe uroj që mediat në momentin e tyre të fundit të ndalen, të kthehen, t’i thërrasin vetes dhe të mendojnë se janë një pushtet i lirisë, janë një shtyllë e lirisë. Po marrim shembullin e fundit të portalit “Shuplaka”, i një gazetari të nderuar investigativ, Artur Çani, na fakton që Erion Veliaj nga 31 ditë të muajit, vetëm 8 ditë ka qenë në Tiranë, të gjitha të tjerat jashtë shtetit dhe në avion, ndërkohë që këto media e kanë paraqitur në ekranet e tyre, duke mashtruar tiranasit dhe shqiptarët çdo ditë. Uroj që ky shkrim, kjo gjetje, t’ua prekë ndërgjegjen drejtuesve të mediave, redaktorëve, kryeredaktorëve. Në ç’kuptim? Kurrë të mos bien më në këtë mënyrë dhe pse? E kanë shumë thjesht, hanë llokumet, kasetat e Veliajt. S’do ti të më lësh të vij në aktivitet, s’të jap. Të bëhen përcjellës të një mashtrimi të tillë, të paskrupullt, amoral i një kryetari bashkie, i cili u thotë qytetarëve se jam tek rruga “Sabaudin Gabrani” dhe në një kohë që është në Singapor dhe ditën tjetër u thotë jam tek rruga “Halil Bega” dhe atë ditë është në Milano. Një kryetar bashkie i tillë është turpi i njeriut, por mediat janë më keq se ai kur pranojnë një praktikë të tillë. Uroj që leksioni i Atur Çanit t’u shërbejë sepse është leksioni i një kolegu të tyre.

– Sali Berisha nuk ka hezituar kurrë ta takojë median edhe kur ka menduar se ata kanë abuzuar. Lulzim Basha nuk po e bën.
Sali Berisha kurrë nuk u ka çuar mediave kaseta të parapërgatitura, por i ka patur dyert e hapura. Kush ka dashur kudo, përveç atyre orëve të punës në zyrë, ka ardhur tek ish-kryeministri, tek kryeministri apo ish-kryetari i opozitës. Në mënyrë absolute nuk kam zhvilluar kurrë aktivitete, vetëm kur ato s’kanë ardhur.

– Gjithsesi nuk keni hezituar kurrë të përplaseni me të. Ndërkohë që kryetari Basha, i cili gjendet në raporte shumë më të këqija se sa ju në aspektin mediatik, i cili nuk pasqyrohet, por refuzon të bëjë atë që bëri kryetari i vendit më të lirë në botë: të atakojë mediat që në fakt po e zhdukin nga ekrani. Nuk është se po zhdukin zotin Basha, po zhdukin opozitën.
Në fakt po e zhdukin opozitën. Qëllimi i tyre ndaj opozitës është më i paimagjinueshmi. Një moment është që kryetari i opozitës dhe lideri i opozitës, duhet të përdorin të gjitha mjetet ligjore për të përmbysur këtë situatë. Unë nuk jam, megjithëse thashë nuk kam ngurruar, ka edhe media të caktuara që i kam përjashtuar se i përjashtonte edhe mbretëresha e Anglisë. Kur unë përjashtova njërën, Mbretëresha e Anglisë kishte përjashtuar “BBC”. 3 muaj, pastaj u hapa prapë, por sinjalin e dhashë. Unë jam përpjekur të jem i hapur ndaj mediave, të krijoj hapësira. Nuk kam dejonizuar, natyrisht ka segmente mafioze nga më kriminalet në media. Kjo është e njohur. Kur unë sulmoja, po marr Bolinon, dilte që gazeta e tij ishte e lidhur me Sakra Korona Unita. Dilnin artikuj njëri pas tjetrit. Tani, a mund të lejoj unë që Bolino të përdorte imunitetin e gazetarit, që ishte dobësia më e madhe? Natyrisht do i thoja. Apo ringjallja e “Gazetës shqiptare” që e themeluan fashistët. “Gazeta shqiptare” me këtë titull i themelua nga fashistët. Ç’nevojë ka që të futej në treg një gazetë e fashizmit?

– Ishit ju kryetar shteti kur ndodhi kjo gjë zoti Berisha?
Unë e denoncova, por e respektova. Prapë se prapë nuk isha unë diktator, unë isha President i parë i një vendi demokratik, duhet të respektoja ligjet. Atë që bëra e denoncova.

– Zoti Berisha edhe një pyetje të fundit për shkak të kohës. A rrezikohet funksioni i kryetarit të PD pas zgjedhjeve 2017?
Pyetje shumë interesante. Në bindjen time, në vlerësimin tim, PD do i fitojë zgjedhjet, por për fatin e çdo njeriu në hierarkinë e kësaj partie është gjithçka në dorën e saj dhe Sali Berisha pas përfundimit të asaj fushate elektorale në parti që isha i detyruar ta mbikëqyrja në njëfarë mënyre, nuk përzihet më në zhvillimet e saj. Unë jam në mënyrë përfundimtare i tërhequr, mbështes në ato mënyrat e mia brenda mundësive, por kurrë nuk i përzihem asaj, as në fatin e tij, as në fatin e atij, as në fatin e kësaj, e as në fatin e asaj.

– Kjo lloj tërheqje, kemi një rast në Itali, një tërheqje pak a shumë të ngjashme të Silvio Berluskonit, por e djathta italiane sot është në kuota minimale. Tërheqja mund të jetë parimore, morale, por a është e efektshme? E thënë më shkurt: A jeni i kënaqur me Lulzim Bashën si pasues?
Absolutisht, mendoj se opozita ka realizuar gjëra jashtëzakonisht të vështira dhe të rëndësishme në vlerësimin tim. Për fat të keq kam qenë i bindur gjithnjë se janë të një rëndësie fondamentale për vendin, por nuk janë të një rëndësie po kaq të madhe elektorale në sjellje direkte. Mendoj se vlerësimi im pa diskutim që është pozitiv, sikundër duhet të them një gjë. As dhe një moment, për 1 të qindtën e sekondës, Sali Berishës nuk i ka shkuar në mendje se bëra gabim që dhashë dorëheqjen. Absolutisht, bëra shumë mirë. Sepse i qëndrova… në fund të fundit beteja e njeriut është betejë për dinjitet njerëzor dhe nuk kam asnjë lloj keqardhje, nuk mundem të kem. E vetmja gjë që shoh njerëz, që rri dhe mendoj ndonjëherë jo ky ndikon. Unë ndikoj në të gjithë jetën politike sepse shih Edi Ramën, ai fillon e i mbaron fjalimet me mua. Ai rrugës kur ecën, vetëm për faktin që janë ndërtuar gjatë qeverisjes së mëparshme, ai flet kundra meje dhe me mua.

– Kjo është e vërtetë që ndikoni në të gjithë jetën politike. A keni menduar që të mos ndikoni ndonjëherë?
Absolutisht, gjer minutën e fundit të jetës sime do të luftoj në mbrojtje të interesit publik, siç unë e gjykoj. Nuk them që unë kam monopolin e të vërtetës për këtë interes, por interesin kombëtar dhe publik unë do t’i mbroj në çdo lloj situate nëse fuqitë e mia mendore dhe fizike më lejojnë.

– A do të jetë Sali Berisha deputet në Parlamentin e ri të 2017?
E vendos udhëheqja e Partisë Demokratike.

– Po ju jeni i gatshëm?
Pa diskutim…

– Zoti Berisha, unë të falënderoj.
Faleminderit.

Intervistoi: Çim PEKA
“Syri.net”

Beteja për numërimin elektronik, mision historik

Eduard Halimi

Dy ditë më parë Asambleja Politike e Partisë Popullore Europiane (PPE), e cila ka shumicën në Komisionin dhe Parlamentin Europian, diskutoi ndër të tjera zhvillimet e pritshme politike që lidhen me anëtarët e saj.
Asambleja miratoi me unanimitet një rezolutë për Shqipërinë, e cila bën thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme dhe dënon shitblerjen e votës. Rezoluta bën thirrje për aprovimin me konsensus të reformës zgjedhore, si dhe për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin e politikës dhe kërkon masa urgjente kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.
Ndaj dua të bëj të qartë edhe një herë sot për të gjithë, për publikun, për palën tjetër, por edhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë se, nuk mund të ketë zgjedhje normale pa u eliminuar shitblerja e votës, pa u bërë dekriminalizimi i politikës dhe u garantuar vota e lirë dhe e ndershme që sipas nesh e garanton votimi dhe numërimi elektronik.
Kemi 10 muaj që diskutojmë për reformën zgjedhore. Ne nuk kërkuam një vit më parë votim dhe numërim elektronik. E kërkuam në maj 2016, një vit para zgjedhjeve.
Një vit më parë pakkush e imagjinonte atë që e priste Shqipërinë më 2016-ën. Se vendi do të mbillej i gjithi me drogë, nga jugu në veri; se Shqipëria do të kthehej në një Kolumbi të Europës; se mbi 80 oficerë policie (sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda) do të ishin përgjegjës për mbjelljen, kultivimin, mbledhjen dhe deri transportin e drogës dhe trafikimin e saj jashtë Shqipërisë; se vetëm vlera e farës së kanabisit të blerë për t’u mbjellë një vit më parë do të ishte më shumë se 20 milionë euro, për t’u shndërruar pastaj në një kanabizim të plotë e të paparë në këtë vend dhe se trafikantët e drogës do të ishin ata që krah për krah ministrave do të inauguronin resortet e ndërtuara me paratë e drogës; se krimi do të ishte në çdo cep të Shqipërisë më i fortë se kurrë; se paratë e drogës, njerëzit e hashashit do të përfshiheshin kaq fort në zgjedhjet e pjesshme lokale për të blerë vota në krah të qeverisë për t’i dhënë një mandat më shumë kryeministrit që t’ia shkelte syrin sërish teksa ata, mbjellin drogë, kultivojnë, trafikojnë, ndërtojnë resortet dhe ai i dërgon ministrat e tij në inaugurim.
E pra, një vit më parë pakkush e mendonte se droga do të arrinte të tilla përmasa dhe se paratë e drogës, njerëzit e saj do të bëheshin njësh me qeverinë në zgjedhjet e Dibrës. Leksioni i Dibrës tregoi pra, se opozita duhet të gjente zgjidhje për zgjedhjet e lira e të ndershme.
Dhe në gjithë këtë skenar krimi i kudondodhur, shkëlqen padyshim Kryeministri me kontratën historike që ka bërë me krimin, para se të vinte në pushtet. Ju më ndihmoni të bëhem kryeministër dhe unë jua shpërblej nesër.
Ju më ndihmoni të bëhem kryeministër me paratë tuaja, fuqinë, lidhjet, forcën e krimit dhe unë nesër ju bëj drejtorë dhe ju fare lehtësisht mund të rikuperoni paratë e fushatës që keni blerë vota për mua. Kjo është kontrata që Edi Rama bëri më 2013-ën me krimin. Këtë bëri me 19 deputetët me rekorde të tmerrshme kriminale që i përfshiu drejtpërdrejt me firmën dhe vullnetin e tij në lista fituese për t’i sjellë këtu, për t’i shpërblyer ata dhe për t’i përdorur sa kundër opozitës, sa kundër kundërshtarëve të vet brenda partisë me brutalitetin e krimit.
Ky është simboli i kontratës me krimin dhe për këtë arsye mbi ne nga të gjitha anët e administratës njerëz me rekorde të tmerrshme kriminale nga trafikantë prostitutash e trafikantë droge deri në vrasës gjakftohtë.
Banditët janë sot të fortë se kanë qeverinë mbrapa, se kanë lidhje me politikën, ndaj dhe kanë fuqinë të ushtrojnë presion dhe të mbledhin vota me forcë, para dhe lidhje. Nëse nuk do të kishin lidhjen me politikën, ata do të ishin thjesht banditë që një ditë më parë apo më vonë do të ishin brenda burgut.
Një vit më parë opozita mendonte se lidhja e Ramës me krimin do të mbaronte me ligjin për dekriminalizimin. Por çfarë kemi sot dhe a u zhbë kontrata e politikës me krimin? Fatkeqësisht ende jo.
Rama sërish u shkel syrin njerëzve të krimit. Disa që i largon nga Parlamenti po u jep poste në parti dhe i përfshin drejtpërdrejt në zgjedhje. U jep koncesione familjarëve të tyre për të grabitur Shqipërinë dhe që pastaj paratë e grabitura t’i përdorin në fushatë për të blerë vota. U shkel syrin dhe u ngre traun e doganës që ata ikin kur me demek policia i turret për t’i kapur. I urdhëron policinë të heqë postbllokun kur në makinën e deputetëve banditë gjenden trafikantët e drogës.
Dhe ja ku jemi një vit më pas. Edhe për këtë duhet gjetur zgjidhje, miratim i ligjit nuk mjafton. Padyshim që dekriminalizimi ndoshta do e pastrojë këtë Parlament nga personat me rekorde vërtet të tmerrshme kriminale dhe jo si ajo çështja e patentës së Dash Tahirit. Por nuk ka asnjë garanci opozita që banditët e lidhur me Ramën nuk do të jenë sërish në zgjedhje në emrin e tyre, në emrin e Partisë Socialiste apo vëllezërve dhe motrave që banditët dhe mafia e trafikantëve kërkon të fusë në listat e 2017-ës.
Ndaj opozita 8 muaj më parë, një vit para zgjedhjeve, erdhi me kërkesën e qartë për votim e numërim elektronik. Sepse u bindëm çdo ditë e më shumë se votimi elektronik ishte mundësia më e mirë që qeveria, bandat, paratë e drogës, pushteti i banditëve të dalë nga parcelat e kudondodhura të kanabisit të mos ndikonin në zgjedhjet parlamantare.
E kemi thënë një vit para zgjedhjeve se opozita sheh si mënyrë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme votimin dhe numërimin elektronik. Ndaj kjo historia e kohës së pamjaftueshme është vetëm një alibi për t’i ikur të vërtetës dhe për të mos pranuar votën e lirë si mekanizëm për zgjedhjet e 18 qershorit.
Çdo ditë të këtij viti, çdo minutë të takimit me përfaqësuesit e palës tjetër, por dhe me miqtë e partnerët ndërkombëtarë, përfaqësuesit tanë kanë kërkuar votim elektronik përveç çështjeve të tjera po kaq të rëndësishme.
Por prej javësh jemi përballë të njëjtës strategji, përballë të njëjtit mekanizëm të alibisë me kohën dhe fajësimin e përditshëm të opozitës lidhur me Reformën Zgjedhore. Akuzat e përditshme të kryeministrit dhe të të gjithë zëdhënësve të pushtetit, në këtë drejtim, dëshmojnë në fakt vullnetin e mbrapshtë për të mos e realizuar reformën zgjedhore dhe alibinë e qartë për të mos bërë asnjë hap për votimin elektronik që garanton zgjedhje të lira e të ndershme.
Është e qartë ajo që kërkojmë ne dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë, për publikun, për palën tjetër dhe për miqtë dhe për partnerët ndërkombëtarë, se nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri nën hijen kërcënuese të korrupsionit elektoral, të shitblerjes së votës, të përfshirjes së bandave të veshura me pushtet, të banditëve të dalë nga parcelat e kudondodhura të kanabisit me leje qeveritare.
Opozita mëshiron vullnetin për të goditur korrupsionin e kudondodhur elektoral. Për këtë çështje opozita ka bërë një betejë të gjatë, të mundimshme për të cilën ka marrë dhe kosto me vetëdije të plotë, sepse nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri nëse nuk ka votim dhe numërim elektronik në çdo qendër votimi.
Çështja e votimit elektronik nuk ka lidhje as me fitoren dhe as me humbjen për shkak programi elektoral. Beteja për votim dhe numërimin elektronik nuk është një betejë për pushtet. Nuk është një betejë për karrierë mes Bashës dhe Ramës apo Metës.
Është një betejë për parime për standarde demokratike që garanton çdo qytetar të votojë i lirë, që vota e tyre të lexohet drejt pa futur duart e pista pushtetit. Sot kur është kryeministër Rama, krimi është i kudondodhur dhe nesër e përgjithmonë pavarësisht kush do të jetë në pushtet.
Kjo është një betejë për një mision historik që opozita e ka detyrë ta udhëheqë.

Mashtrimet e Ramës ndaj shqiptarëve me 11 shtator 2013

Ne s’do ta harrojmë asnjë ditë Shqipërinë që vuan për ujë, punë, shërbime dhe nuk do t’i tradhtojmë dhe gënjejmë asnjëherë shqiptarët.
Jemi zotuar se do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. Do të gdhihemi e ngrysemi në betejën për t’ia dalë dhe jam besimplotë se do t’ia dalim, që Shqipëria e pas katër viteve nga sot, ….(!!!!!) (e dëgjon vetë ai se çfarë i bëjnë qytetarët për një vend pune, lë pastaj 300.000).
Jemi zotuar se do të ulim çmimin e naftës  dhe çmimin e energjisë elektrike. Jemi zotuar se uji në rubinet dhe në parcelë nuk do të jetë më temë fushate elektorale në vitin 2017. Unë dua të ndaj me ju sot, bindjen time se në mbylljen e këtij mandati, do të jetë mbyllur edhe odiseja e etjes për ujë të njerëzve e të tokave të këtij vendi. (!!!!!!) (e dëgjojnë fshatarët tani që kaluan 4 vjet).
Jemi gati për një transformim të madh në shërbimin doganor dhe tatimor me konsulencën e Agjentëve të Kurorës (Croën Agents). (Ikën milionat me Croën Agents se e panë se nuk i dilet korrupsionit qeveritar në dogana).
Jemi zotuar se në fund të katër viteve do të kemi ulur taksat për 95% të shqiptarëve (!!!) JO që nuk janë ulur, por janë rritur në mënyrë të frikshme për çdo biznes të vogël. Pyeti pak shqiptarët sesa paguajnë për taksa sot pas katër vitesh, sesi vetëm taksa e banesës është dyfishuar.
Shëndetësia falas nuk është një sadaka që bie nga qielli, po një e mirë publike që i ofrohet çdo njeriu në nevojë për kujdes shëndetësor – falë shtetit që nuk e ngre fondin për shëndetësinë me sigurime po në rrugë alternative. Sigurisht që shëndetësia kushton, pyetja është kush paguan. Dhe përgjigjja është jo ata që s’kanë, po e gjithë shoqëria për këdo që ka nevojë.
Debatin a bëhet a s’bëhet, unë jam i gatshëm ta vazhdojmë pas katër vjetësh mu tek sheshi i spitalit “Nënë Tereza”, mbi provat e kësaj reforme radikale jo mbi hamendjet e atyre që thonë bëhet apo atyre që thonë s’bëhet.
Kjo puna e programit pra, është një debat që do e bëjmë në sheshe, tek “Nënë Tereza” e kudo në të gjithë Shqipërinë, për faktin se mashtrove sa deshe para 4 vjetësh, që nuk ndërtove asnjë spital le pastaj shëndetësinë falas, për faktin se taksat i ke rritur në të gjithë vendin le pastaj uljen e tyre për 95% të shqiptarëve, për faktin që nuk ndërtove asnjë rrugë, le pastaj që dhe ato që gjete po i jep me koncesione korruptive, miqve të pushtetit që të paguajnë 95% shqiptarëve.
Por këtë debat mbi programet do e bëjmë aty pas pak muajsh. Tani kemi debatin mbi reformën zgjedhore për zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe kjo është një betejë që opozita e bën me përgjegjësi të plotë. Nuk është betejë për pushtet, është betejë për qytetarët, që ata të votojnë të lirë dhe vota e tyre të lexohet e numërohet drejt sot e përgjithmonë.
Ditët ikin dhe koha për reformën zgjedhore ngushtohet çdo ditë e më shumë. Retorikë nuk është zgjidhja për një proces normal votimi më 18 qershor. Zgjidhja e korrupsionit elektoral, e largimit të ndikimit të krimit të kudondodhur, të lidhur me politikën në qendrat e votimit, e shitblerjes së votës, për ne është votimi dhe numërimi elektronik. Ta bëjmë sot kur ju jeni në pushtet dhe ne jemi në opozitë dhe të jetë përgjithmonë për të shpëtuar Shqipërinë nga problemet me zgjedhjet.
Ndaj së fundmi po e ripërsëris atë që është e qartë për ne, por duhet të jetë e qartë për të gjithë, për publikun, për palën tjetër, për qytetarët, por dhe miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, se nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri nën hijen kërcënuese të korrupsionit elektoral, të shitblerjes së votës, të përfshirjes së bandave të veshura me pushtet, të banditëve të dalë nga parcelat e kudondodhura të kanabisit me leje qeveritare. Koha e pamjaftueshme është vetëm një alibi për t’i ikur misionit të vështirë dhe përgjegjësisë për  t’u garantuar shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë me palën tjetër, me miqtë e partnerët ndërkombëtarë çdo zgjidhje, por jemi të bindur se votimi dhe numërimi elektronik do të garantonte në kushtet e rënda të krimit që ndodhet Shqipëria, zgjedhje të lira dhe të ndershme për Shqipërinë dhe shqiptarët.