32.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Nuk ka zgjedhje pa votimin elektronik

Sali BERISHA

Kryetari de jure i Grupit parlamentar të PS paraqiti këtu qëndrimin e Edi Ramës ndaj zgjedhjeve. Në interesin më të mirë të vendit, në interesin më të mirë të demokracisë shqiptare, në interesin më të mirë të shoqërisë shqiptare, unë ju bëj thirrje t’a pranoni kërkesën e të gjitha forcave politike opozitare, sepse është rruga ligjore, absolutisht e vetme, për të bërë të mundur që shqiptarët të shkojnë në zgjedhje si një vend demokratik, është rruga e vetme për të bërë që qytetarët shqiptarë të votojnë siç votojnë anglezët, dhe jo vetëm ata, por dhe somalezët, edhe ganezët dhe qytetarët e shumë vendeve, të cilët në këtë mënyrë kanë arritur të arkivojnë një diskutim dhe kundërshtira dekadash mbi procesin zgjedhor. Po nëse apriori ju e hidhni poshtë, ju vetëm sa bindni opozitën se në këtë vend zgjedhje nuk mund të ketë.
Po ju a e dini se kush ju drejton ju? Ju drejton armiku më i egër, pas kohës së diktaturës, i votës së shqiptarëve, ju drejton njeriu, që njëlloj si Assadi i Sirisë iu thotë qytetarëve se për t’u votuar ai duhet që ata të votojnë një herë në referendum. Kur ai ju thotë juve që për t’a votuar atë si kryetar, për të patur një rival, duhet të votoni një herë në referendum. Dmth t’ja u rregulloj ai referendumin siç do vet. Po me ju, ai mund të bëj çtë dojë, por me shqiptarët ai nuk do mund të bëj kurrë.
E dyta, të zgjidhet përfundimisht çështja e votimit të emigrantëve. Eshtë një njollë turpi de facto përjashtimi i tyre nga e drejta e votës. Unë e di që i kanë emrat në lista, por problemi është se nuk ushtrojnë të drejtën, kurse në një sistem on line, i cili instalohet në një shpejtësi të madhe, po të këtë vullnet, por ju dhe kryetari juaj e di që përfundon në koshin e plehrave të historisë dhe nuk ka si ta pranojë kurrsesi. A e di pse nuk e pranon? Nuk e pranon se është angazhuar në një proces kriminal të lirimit të Aldo Bares, të lirimit të Lul Berishës, të lirimit të banditëve. A e dini ju që atë e menaxhojnë bandat dhe banditët. Nuk e menaxhoni ju, juve s’ju pyet fare ai.
A e dini që kur i çon Aldo Bare shiritin e deponimit për tenderat dhe akte të tjera kriminale se si i bëhet gjaku ujë dhe ja u tregon gjykatësve kushtetues vettingun; “O më lironi Aldon o do ju ricikloj me vetting”.
Atëherë zotërinj, çfarë do bëjnë shqiptarët, do votojnë apo jo? A ndodh në një vend në botë që një kryebandit ta arrestojë opozita siç ndodhi me Shullazin tuaj? A e dini ju ç’po bëhet për Hakmarrjen për Drejtësi? E njëjta gjë si me Aldo Baren. A e dini që ai me djalin e vet është shareholder në pronat kriminale të Hakmarrjes për Drejtësi. A e dini që është i regjistruar nga shërbimet partnere në komunikime kriminale…Atëherë do votojmë ne apo do i nënshtrohemi një njeriu që është shndërruar në kaput meduze, në kreun e meduzës së krimit të organizuar në Shqipëri.
Zotërinj, nëse doni të votojmë pranojeni, sepse kjo është kërkesa më qytetare dhe civile. Le të hapet tenderi, të votojnë emigrantët pavarësisht se kush mund të fitojë më shumë apo kush më pak nuk ka rëndësi, rëndësi ka që ata, burra e gra, të rinj e të reja me kontribut të jashtëzakonshëm në këtë vend të shprehin mendimin e tyre. Por ju nuk e keni mendjen këtu. Ju e keni mendjen se si ne të lirojmë Aldo Baren, se si ne të shpëtojmë badiguardin e këtij këtu që vrau Besnik Pudjen dhe prokurori thotë që se kanë vrarë, ndërkohë ky e ka badiguard vrasësin tani. Po ky është vrasës vet o zotërinj.
A doni të bëjmë zgjedhje apo jo? Unë them se duhet të bëjmë zgjedhje, se të këqijat nuk kanë fund, por merita është të dimë t’i ndalojmë, të mos lëmë rrokullisje. Por nëse nuk lini alternativë zgjedhjesh atëherë përgjegjësia është e juaja. Pra, çpo themi ne? Ne po themi që duhet të mobilizojmë fondet dhe resurset, të votojmë dhe kaq. Doni t’i merrni zgjedhjet? Si merrni kurrë. Nuk e lë Surreli atë (Ramën) prandaj shërbehet me kriminelë gjithë ditën, shërbehet me dosje, me kriminelë, shërbehet me përdhunues, shërbehet me mashtrues. Më the zoti Ruçi të të them qoftë një shembull. A e do një të fundit? I fundit është Altin Jaku, sekretar i përgjithshëm i Prefekturës së Lezhës. Ai vërtet është i fundit, por ai tregon fundin e shtetit ama. Ja po ta tregoj Gramoz se kush është ai, se ti je kryetari de jure se de facto e di vetë t’i kush është! Ai, Jaku, para dy vitesh drejtor i një banke private i vjedh një qytetari të nderuar mbi 100 mijë euro para në depozitë. Qytetari e dikton dhe denoncon, ndërsa eprori i bankës bën padi penale ndaj drejtorit hajdut dhe e shkarkon. Po ç’ndodh me drejtorin hajdut? U bë sekretar i përgjithshëm, u lartësua, në një kohë kur tjetri vdes për 3 mijë lekë të vjetra në burg. Pyet pak zonjën Linditë apo Erion Veliajn. Ju tregoj fotografinë. Ja në foto; është ministrja Nikolla, Erion Veliaj, është Jaku, sekretar i përgjithshëm i Prefekturës së Lezhës që ka vjedhur mbi 100 mijë euro në një bankë. Ja ku i ke pra meqë e deshe.
(Ndërhyn Balla) Një shpifës i ndyrë i dënuar për shpifje të ndyra duhet të mbyllë gojën e ndyrë. Kaq mund t’i them. Mund të bëhesh kryetar i atyre, por jo i Sali Berishës. Sali Berisha ta ka treguar vendin ty. Atij (Ramës) se me ty nuk merrem. Ai (Rama) që ka ngelur ta mbrosh t’i, ai është mjerimi. Kur përpiqet të mbrojë Surrelin me shpifës të ndyrë me gojë të ndyrë, me përdhunues dhe trafikant, të akuzuar për trafiqe kriminale, atëherë me këtë vetëm qejfin më bën, kurse ai ka vetëm atë etiketë që i kam vënë, të faktuar me çertifikatë gjykate.
Ndaj Gramoz kur pyet bëj kujdes se bën autogol. Ndaj dhe njëherë, bindja ime është të pranoni kërkesën e ligjshme të të gjitha forcave politike opozitare, mos shkoni duke e shtyrë, sespe mund t’i krijoni vendit probleme shumë madhore. Mos i përdor sipas qefit rezolutat e PPE. Të jesh i bindur se në spektrin politik partiak janë 1-shi në Europë. Kështu u sollët edhe me përfaqësuesit e Bundestagut, por e patë që ato që thanë ata ishin lule me të tjerat që kërkoi grupi parlamentar i tyre. Ata s’kanë as një qëllim për të ndihmuar PD, as për të ndihmuar PS, ata kanë për qëllim të ndihmojnë demokracinë në Shqipëri.

Thellohet skandali i AMA-s

Deputeti i Partisë Demokratike, anëtar i Komisionit të Medias, Luçiano Boçi thotë se Autoriteti i Mediave Audiovizive ka bërë gati vendimin për të rihapur votimin për dhënien e licencës së fundit numerike të mbetur.
Sipas tij, vendimi merret ndërkohë që procesi ligjërisht konsiderohet i përfunduar. Sipas deputetit të opozitës, ligji përcakton qartë që licencat jepen nga AMA me shumicë të cilësuar, por shton se ky institucion “nuk pyet as për ligj dhe as për rregullore, madje as për kuorum”.
“AMA ka bërë gati vendimin, që do ta marrë nesër, në mbledhjen e radhës, për të rihapur votimin për dhënien e licencës së fundit numerike të mbetur, ndonëse procesi ligjërisht konsiderohet i përfunduar.
Madje kësaj here me votim të thjeshtë. Sipas saj janë konsumuar dy votime me shumicë të cilësuar, sipas Kodit të Procedurave Administrative dhe në votimin e tretë vendoset me shumicë të thjeshtë.
Këtu ‘flinte dhe lepuri’ i votimit ilegal që u bë para disa ditësh, pra në konsumimin e votimit të dytë. Më datë 29 janar AMA do të veprojë sipas këtij skenari me vendimmarrje me shumicë të thjeshtë.
Por Ligji 97/2013 në nenin 19/1b e përcakton qartë që licencat jepen nga AMA me shumicë të cilësuar. Ndërsa rregullorja në nenin 20/3 thekson se kundër vendimit të AMA-s palët i drejtohen gjykatës.
AMA nuk pyet as për ligj e as për rregullore. Madje as për kuorum.
Po i kujtoj AMA-s që ajo prej shumë kohësh nuk merrte vendime për shkak të kuorumit dhe akuzonte PD për vonesat e kalimit të miratimit të tri anëtarëve të AMA në Komisionin e Edukimit.
Me këtë vendim ‘koburja’ e Ramës AMA plotëson ‘amanetin’ e tij për të monopolizuar tregun mediatik dhe për t’ia ‘vënë në kokë’ këtë kobure lirisë së mediave”, thotë Boçi në një reagim në Facebook.

Reforma dhe problemet në ushtrinë e Gjermanisë

Generated by IJG JPEG Library

Shumë pak personel, pajisje jo të mira, ngarkesë shumë e madhe. I ngarkuari me Çështjet e Mbrojtjes të Bundestagut gjerman nuk është i kënaqur me gjendjen në ushtrinë gjermane. Edhe ushtarët ankohen. Qoftë në Mali, në Mesdhe ose në Lituani: gjithnjë e më shumë ushtarë gjermanë janë të angazhuar në botën e jashtme. Kjo është dëshirë e politikës gjermane. Qeveria gjermane kërkon të marrë më shumë përgjegjësi në aleanca – në Evropë, në NATO dhe në një botë, që është bërë më e vështirë. Këtu bën pjesë edhe përgjegjësia ushtarake. Ai e quan me vend këtë, thotë politikani i CDU-së, Hans-Peter Bartels, i cili është prej dy vjetësh i ngarkuari me Çështjet e Mbrojtjes i Bundestagut gjerman. “Por kur e do një gjë të tillë duhet t’i kesh instrumentet e nevojshëm plotësisht në gjendje pune”.
Dhe ato nuk janë në gjendjen që dëshirohet, këtu nis kritika e Bartelsit. Që në personel, në bazën materiale dhe në buxhet do të ketë kthesë, kjo vërtet që është vendosur politikisht. Por ristrukturimi thotë ai zgjat tepër shumë. “Boshllëqet në personel janë shumë të mëdha – dhe për mbylljen e tyre po ecet shumë ngadalë”, thotë Bartels, raporti vjetor i të cilit numëron në 95 faqe aq shumë mangësi sa rrallë më parë. Përpara së gjithash përqindja e plotësimit të vendeve, si në ushtri, ashtu edhe në aviacionin ushtarak dhe në Marinë është pjesërisht vetëm 50 për qind.

Mangësi strukturore
Veçanërisht në Marinë kjo çon në një rëndesë më të konsiderueshme, sepse ushtarët kalojnë të detyruar shumë më tepër kohë në det, se sa është e parashikuar. “Kur marinarët mbërrijnë në shtëpi në përbërje të njërit ekuipazh, janë të detyruar që të largohen sërish me anijen tjetër, sepse mungon dikush dhe mungesa e tij do t’i vinte pikëpyetje të gjithë anijes”. Kjo është një temë e vazhdueshme edhe në flotën e nëndetëseve, thotë ai. “Objektivi qe që deri në fund të vitit 2016 të ishin në gatishmëri për misione pesë ekuipazhe, në fakt krejtësisht në dispozicion janë vetëm dy”.
Probleme ka edhe me aparaturat. Helikopterë që nuk vijnë, pajisje të mëdha që nuk janë gati për misione. 225 tanket luftarake ekzistues do të shtohen me 100 tanke të tjerë të përdorur, që kanë nevojë të modernizohen “Leopard 2”. Periudha se kur duhet të ndodhë kjo është shtatë vjet. “Pse zgjat kaq shumë?”, pyet Bartels. Në përgjithësi, pajisja e plotë për detyrat aktuale do të zgjasë deri në vitin 2030. “Këtu duhet të ndodhë diçka”, kërkon ai. Tani është koha e zgjidhjeve dhe e ritmit të shpejtë.

3000 ankesa nga ushtarët gjermanë
Bartelsi bën veç kësaj thirrje që të ndryshohet mentaliteti dhe që të rishqyrtohen procedurat burokratike. “Puna si zakonisht dhe bërja vetëm e detyrës pikërisht tani nuk na ndihmojnë më”.
I ngarkuari me çështjet e mbrojtjes është një lloj “avokati i ushtarëve” dhe ai kujdeset për shqetësimet dhe hallet e ushtarëve. Në vitin 2016 nevoja për punën e tij qe veçanërisht e madhe. Megjithëse numri i personelit është në rënie, te Bartelsi mbërritën më shumë se 3000 ankesa nga ushtarët. Vetëm më 1959 kanë qenë më shumë, thotë ai. Veçanërisht mbingarkesa, angazhimi i ushtarëve në ndihmën për refugjatët dhe një rregullore shumë e diskutueshme e orarit të angazhimit janë temat që i preokupojnë më fort ushtarët.

Një Europë ndryshe pas refugjatëve dhe sulmeve terroriste

Fluksi i imigrantëve dhe sulmet e luftëtarëve të ISIS-it në disa qytete europiane janë duke i dhënë një tjetër pamje Europës. Rezultati i zgjedhjeve të ardhshme në Francë dhe Gjermani mund t’i reflektojë këto ndryshime shumë të rëndësishme në mbarë kontinentin, si dhe do të japë një ide më të qartë për ndarjen politike të Europës.
Sulmet e frymëzuara nga ISIS, si ai në Berlin, në muajin dhjetor, duket se e kanë ndryshuar mbështetjen e mëparshme të publikut europian për imigrantët. Kjo situatë, e kombinuar me fuqizimin e partive populiste kundër establishmentit, po shton shqetësimet mbi ndarjen politike të Europës. Kjo përbën sfida të rëndësishme për europianët, siç janë:
“…sfidat, nga ISIS-i natyrisht, edhe nga radikalizimi. Dhe jo vetëm radikalizimi; së bashku me imigrantët hyjnë edhe njerëz të tjerë me synime për të kryer sulme ndaj popullsisë europiane …”, thotë analisti Daniel Kochis.
Mes europianëve ekziston një perceptim se kufiri me jashtë i Bashkimit Europian është i keqmenaxhuar, thotë analisti Marian Tupy në institutin Cato:
“Njerëzit vazhdojnë të hyjnë në Europë pa kontrollet e nevojshme të sigurisë. Si pasojë, unë pres që besimi i europianëve tek institucionet e tyre do të vazhdojë të prishet”.
Udhëheqësit europianë, të cilët i kanë mirëpritur imigrantët dhe të cilët kandidojnë për t’u rizgjedhur, sikurse Angela Merkel në Gjermani, përballen me sfidat më të mëdha në karrierën e tyre, thotë Iain Murray, i Institutit të Ndërmarrjeve Kompetitive:
“Unë mendoj se kjo çështje ka për të qenë një disavantazh në fushatat e tyre zgjedhore. Në mbarë Europën, ekziston një ndjenjë kundër imigrantëve, ndryshe nga dy vjet më parë. Mendoj se gjërat kanë ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme dhe ka për të qenë shumë e vështirë për udhëheqësit europianë që të rizgjidhen”.
Politika e zonjës Merkel për t’u hapur dyert imigrantëve, është duke i kushtuar asaj një pjesë të mbështetjes elektorale. Por deri tani, zonja Merkel udhëheq garën ndaj një partie politike kundër imigracionit dhe kundër establishmentit, në prag të zgjedhjeve të shtatorit.
Në Francë, Marine le Pen e Partisë Fronti Kombëtar, udhëheq garën presidenciale të muajit prill. Kryeministri italian, Matteo Renzi dha dorëheqjen në dhjetor, pasi humbi në referendum ndaj partive populiste dhe nacionaliste.
Presidenti Donald Trump e cilësoi politikën e emigracionit të zonjës Merkel “një gabim katastrofik” dhe fajësoi valën e imigrantëve për votën e britanikëve në favor të Brexit-it.
Por ata që e shikojnë zgjidhjen tek një Europë më e mbyllur, nuk mund të injorojnë shenjat e një zhgënjimi të thellë ndaj status kuosë.

Kryeministri turk: Bisedimet për Sirinë një “sukses “

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim tha dje se, bisedimet e paqes për Sirinë në Kazakistan ishin një “sukses i madh diplomatik”.
Turqia, Rusia dhe Irani ndërmjetësuan në Astana dy ditë takimesh mes qeverisë siriane dhe përfaqësuesve të kryengritësve, duke rënë dakord që të monitorojnë një armëpushim të pjesshëm në Siri dhe të mbështesin përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike të konfliktit.
Zoti Yildirim tha se kjo zgjidhje duhet të përfshijë një qeveri të re siriane, e cila të “përfaqësojë të gjitha fraksionet”.
Një pikë kyçe në bisedimet e mëparshme të paqes ka qenë roli që presidenti Bashar al-Assad do të luante në një qeveri të re. Kryengritësit kërkojnë që ai të largohet nga pushteti, por përkrahësit e tij, duke përfshirë edhe Rusinë, duan që ai të qëndrojë.
Në një deklaratë në përfundim të bisedimeve në Astana thuhet se palët duhet të takohen përsëri muajin e ardhshëm në Gjenevë.
Rusia dhe Turqia kishin ftuar SHBA në këto bisedime, por Departamenti i Shtetit tha se administrata e Presidentit Donald Trump ishte tepër e zënë me tranzicionin për të marrë pjesë në to.
Ambasadori amerikan në Kazakistan mori pjesë në bisedime si vëzhgues.

Stoltenberg: Mali i Zi së shpejti anëtar i NATO-s

NATO Secretary General Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është i bindur që edhe Shtetet e Bashkuara do e pranojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. “Kam besim se Protokolli i Anëtarësimit (i Malit të Zi në NATO) do të ratifikohet nga Senati (amerikan). Ai tashmë e ka kaluar Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë dhe ka përkrahje nga të dy partitë politike, prandaj nuk kam ndonjë arsye të besoj që nuk do të ndodhë kështu edhe në Senat”, ka thënë dje Stoltenberg pas takimit me kryeministrin malazez, Dushko Markoviç.
Stoltenberg ka thënë se ky Protokoll tashmë është ratifikuar nga 21 shtete, ndërsa dje edhe Senati francez e miratoi atë.
“(Pas Francës) do të bëhen 22 shtete. Dhe ne presim që shtetet e tjera ta bëjnë të njëjtën, por natyrisht, iu takon parlamenteve kombëtare të vendosin saktësisht se çfarë duan të bëjnë. Por, unë pres që të gjitha parlamentet, përfshirë edhe Senatin amerikan, ta bëjnë këtë që Mali i Zi të bëhet anëtar i plotë i NATO-s në një të ardhme të afërt”, ka thënë Stoltenberg.

Së paku 27 fëmijë të vdekur nga acari në Afganistan

Bora dhe ngricat kanë vrarë së paku 27 fëmijë në një zonë të largët të Afganistanit Verior.
Pesëdhjetë centimetra borë kanë bllokuar rrugët në Qarkun Darzab të provincës Javzjan, ndërsa temperaturat kanë rënë në -10 gradë Celsius, tha guvernatori i qarkut, Rahmatullah Hashar.
Ai tha se vdekjet kanë ndodhur gjatë dy-tre ditëve të fundit dhe se të gjithë fëmijët kanë qenë nën 5 vjeç.
Fakti se rrugët janë të bllokuara mund të shkaktojë vdekje të reja, tha Hashar.
Megjithatë, guvernatori i provincës, Reza Ghafoori, tha se do të dërgohen ndihma.
Çdo dimër, reshjet e borës, acari dhe ortekët vrasin dhjetëra njerëz në Afganistan, ku për shkak të infrastrukturës së dobët, ekipet e shpëtimit e kanë të vështirë të arrijnë në zonat e izoluara.

Muri me Meksikën, kosto deri në 12 miliardë dollarë

Udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, ka thënë se kostoja e ndërtimit të murit me Meksikën, i propozuar nga presidenti Donald Trump, do të jetë nga 12 deri në 15 miliardë dollarë. Ryan ka thënë se Kongresi do të paguajë për ndërtimin e murit.
Zyrtari republikan i ka bërë këto komente para mediave në Filadelfia, ku ligjvënësit republikanë janë duke e mbajtur takimin vjetor për ndërtimin e strategjisë së tyre. Ryan nuk ka pranuar të thotë nëse çmimi për ndërtimin e murit do t’i shtohet deficitit apo nëse Kongresi do të gjejë mënyra të tjera për ta mbuluar shpenzimin.
Trump pritet të flasë para këtyre ligjvënëse të enjten, një ditë pasi e ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për ndërtimin e murit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se synon të ngrejë “zona të sigurta për refugjatët në Siri”, si pjesë e planit të tij për të kufizuar migrimin në SHBA.
Trump i bëri komentet në një intervistë me televizionin “ABC”. Ai tha se ka vendosur për planin pasi ka parë luftën e Bashkimit Evropian me krizë të madhe refugjatësh, që kryesisht kanë dalë nga lufta civile në Siri. “Mendoj se Evropa ka bërë gabim të madh duke lejuar miliona njerëz të hyjnë në Gjermani dhe vende të tjera”, tha Trump.
Kritikët e quajnë një mision me rrezik maksimal, por Presidenti i SHBA i përmbahet premtimit të fushatës elektorale: gardhi në kufirin me Meksikën duhet të kthehet në mur. Me nënshkrimin e një dekreti të posaçëm presidencial, Donald Trumpi ndërmori hapin e parë për të ndërtuar një mur kufitar me Meksikën. Presidenti i SHBA nënshkroi një urdhër për fillimin e këtij projekti shumë të diskutueshëm. Për vënien në jetë të këtij premtimi elektoral, ekspertët llogarisin shpenzime që do të kapin shumën e 40 miliardë dollarëve. Trumpi do ta vërë gurin e parë për murin që këtë vit. “Ai do ta frenojë vërshimin e drogave dhe të kriminalitetit”, tha zëdhënësi qeveritar Sean Spicer për murin.
Kufiri midis Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara ka një gjatësi prej 3200 kilometrash. Një pjesë e tij është e siguruar me gardhe kufitare dhe barrikada. Synimi është që të pengohet tregtia ndërkufitare me droga ilegale, si dhe kalimi i kufirit prej personave pa leje qëndrimi.

Para të hedhura krejtësisht dëm – paralajmërojnë ekspertët
Por ekspertët e konsiderojnë ndërtimin e murit, për shpalljen e të cilit Trumpin e brohoritën në fushatë disa herë mbështetësit e tij, si para të hedhura dëm. Në rajone malore dhe në shkretëtira ai praktikisht nuk ka efekt, thonë ata. Atje ai mund të ngrihet vetëm me vështirësi të mëdha dhe me shpenzime tepër të mëdha, argumentojnë ekspertët.
Edhe vetë sekretari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Kelly, që ka qenë gjeneral i Forcave të Armatosura, deri tani është treguar i kujdesshëm me shprehjet për këtë temë. “Një barrierë fizike në vetvete nuk do të bëjë punë”, tha ai para Senatit.

Rusia reagon me përmbajtje për planin e Trump

Rusia ka reaguar e përmbajtur ndaj planit amerikan për krijimin e “zonave të sigurta” në Siri, duke thënë se Uashingtoni nuk është konsultuar me Moskën në këtë çështje dhe se të gjitha pasojat e mundshme duhet të ekzaminohen. Presidenti amerikan, Donald Trump më 25 janar tha se, synon të ngrejë “zona të sigurta për refugjatët në Siri”, si pjesë e planit të tij për të kufizuar migrimin në SHBA.
Sipas një dokumenti që e ka parë “Reuters”, Trump pritet që brenda pak ditësh ta urdhërojë Pentagonin dhe Departamentin e Shtetit të hartojnë një plan për këtë brenda tre muajsh. “Jo, partnerët tanë amerikanë nuk janë konsultuar me ne”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 26 janar.

Më shumë se 40 gra nga Kosova në luftën e Sirisë

Qendra kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në raportin e fundit të publikuar të enjten, thotë se, “gratë kanë marrë pjesë në organizatat terroriste si kujdestare dhe ofruese kujdesi; kanë promovuar ideologji ekstremiste të dhunshme dhe kanë rekrutuar gra të tjera për t’u bashkuar me grupet e dhunshme ekstremiste”.
Raporti i titulluar “Gratë në ekstremizmin e dhunshëm, mësimet e nxjerra nga Kosova”, Qendra kosovare për Studime të Sigurisë konstaton se, që nga fillimi i konfliktit në Siri dhe Irak, mes vitit 2012 dhe fillimit të vitit 2016, rreth 44 gra janë përfshirë në konflikt dhe në mesin e tyre edhe 27 fëmijë.
QKSS-ja thotë se, “Policia e Kosovës ka njoftuar për vetëm 7 gra të kthyera në Kosovë, ndërkohë që njëra prej tyre përballet me aktakuzë dhe pret dënimin”.
Rudina Jakupi nga Qendra kosovare për Studime të Sigurisë, në një konferencë ku është publikuar raporti, tha se Kosova në krahasim me vendet e rajonit, zë vendin e dytë me pjesëmarrjen e grave të përfshira në zonat e luftës në Lindje të Mesme.
“Kosova renditet e dyta [në rajon] për arsye se ka 44 gra që i janë bashkuar konfliktit të Sirisë dhe Irakut. Bosnja ka 60 dhe më pas vazhdohet me Maqedoninë e Shqipërinë dhe Serbinë”, tha Jakupi.
Në raportin e paraqitur nga QKSS-ja, theksohet se, “disa nga gratë e kthyera nga konflikti mbeten të izoluara dhe pa mbështetje nga institucionet”.
Disa prej këtyre grave, sipas raportit, pasi janë kthyer në Kosovë nga vatrat e luftës, ku kanë humbur bashkëshortin, janë detyruar të martohen sërish.
Autoritetet e sigurisë në Kosovë thonë se rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës vlerësohet se ende ndodhen 140 veta.
Vesë Kelmendi nga QKSS-ja, tha po ashtu, se në Kosovës disa nga gratë që u janë bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe Irak, janë detyruar nga bashkëshortët e tyre të përfshihen në ato grupe, por, sipas saj, ka raste kur gra kosovare, kanë përkrahur dhe vazhdojnë ta mbështesin ideologjinë e luftëtarëve të IS-it.
“Ne kemi dy profile të këtyre grave; gra që refuzojnë t’u bashkohen këtyre grupeve ekstreme dhe në anën tjetër gra që potencialisht u janë bashkuar grupeve ekstremiste, pastaj janë kthyer në Kosovë dhe prapë vazhdojnë ndoshta me përqafu idenë e grupeve ekstreme apo luftën në konfliktin e Sirisë dhe Irakut”, tha Kelmendi.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, njëkohësisht koordinator nacional kundër terrorizmit, tha se numri i grave të përfshira në vatrat e luftës nga informacionet zyrtare është i përafërt me ato të publikuara nga Qendra kosovare për Studime të Sigurisë.
“Kur të flasim për shifra dhe numra duhet të kemi parasysh dy anë të medaljes, në njërën anë ato që i kemi të regjistruara, por që nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që të ketë, qoftë gra apo burra që i janë bashkuar konfliktit, që aktualisht janë në konflikt apo që edhe janë rikthyer në vendi tonë dhe eventualisht mund të jenë jashtë këtyre statistikave”, tha Hoxha.
Besa Ismajli, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Islame në Prishtinë, tha se gratë, të cilat mund të kenë shkuar në Siri apo Irak, ato nuk kanë pasur njohuritë e mjaftueshme për fenë.
“Nga përvojat që ne kemi në kuadër të BIK-ut,[është] që njohuritë mbi fenë te këto gra janë të ulëta, ndonjëherë shumë të ulëta”, theksoi Ismajli.
Në raportin e QKSS-së thuhet se gratë ose nënat e luftëtarëve të huaj janë të margjinalizuara nga shoqëria në Kosovë.
QKSS-ja ka rekomanduar për institucionet dhe organizatat joqeveritare që të bashkëpunojnë në mënyrë që këtë kategori, ta integrojnë në shoqëri.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës [RrGGK], që punon për dhe me gratë në përgjithësi, tha në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, se si rrjet nuk i dallon, por edhe nuk kanë programe të veçanta për gratë që janë apo që kanë qenë të përfshira në ekstremizëm të dhunshëm.
“RrGGK-ja është një rrjet prej 114 organizatash që punojnë me çështje të ndryshme të ndërlidhura me barazinë gjinore dhe me çështjet e grave dhe janë në kontakt të drejtpërdrejtë me gratë gjithandej vendit. Potencialisht, gratë për të cilat ju jeni interesuar, janë të lira t’i kontaktojnë këto organizata dhe të ngrenë shqetësimet e tyre apo të kërkojnë ndihmë”, thuhet në përgjigjen e RrGGK-së.
Besohet se 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar më shumë se një vit më parë ligjin që ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.