Pasditen e së mërkurës nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare grupimi i tifozëve “Tirona Fanatics” lajmëruan që të enjten në orën 14:00 do të ishin të pranishëm në ambjentet e fushës sërvtitore “Skëndër Halili” për të protesuar pas vendimit të klubit Tirana që në stadiumin “Selman Stërmasi” të luajë dhe Partizani në pjesën e mbetur të këtij edicioni. Afërsisht 200 tifozë i ishin përgjigjur thirrjes së grupimit dhe u prezantuan në fushën e stërvitjes, duke grumbulluar skuadrën dhe duke diskutuar në lidhje me ata për situatën. Tifozët kishin zgjedhur 2-3 përfaqësues për t’u komunikuar atë që ata e konsiderojnë një vendim. “Ju nuk do të stërviteni këtu, nëse Partizani luan në stadiumin “Selman Stërmasi”. Sa të jemi ne gjallë nuk ka për të ndodhur”, u shprehën tifozët.
Fillimisht protesta ishte me tone paqësore, madje një deklaratë e trajnerit Josa: “Unë nuk dua që Partizani të luajë aty u shoqërua me borohorima”. Befas tifozët dhe lojtarët filluan të replikonin me njëri-tjetrin dhe e gjitha kjo u shndërrua në një moment irritimi. Gilman Lika, ishte ai që i konsideroi të papranueshme fyerjet e tifozëve dhe në këmbim mori dhunë nga ana e tyre.
Pothuajse të gjithë lojtarët u përfshinë në debate verbale dhe në fyerje të ndërsjellta me tifozët. Presidenti Refik Halili nuk ishte i pranishëm në këtë situatë, ndërkohë që në këto kushte ishte e pamundur të zhvillohej një seancë e qetë stërvitore dhe ajo përfundimisht u ndërpre. Ngjarja zgjati rreth 45 minuta dhe për aq kohë sa situata ishte e nderë forcat e policisë nuk ishin të pranishme në ambjentet e fushës stërvitore.
Disa prej tifozëve që godasin futbollistin shkodran të Tiranës, Gilman Lika. Ndërsa, në mbrojtje të tij kanë ndërhyrë disa të tjerë, mes të cilëve edhe Alban Rexha, personazhi i njohur i “Kafazit të Artë” dhe ish-futbollist i Partizanit.
Pjesa dërrmuese e tifozëve shpërthyen në akuza ndaj numrit 1 të klubit të Tiranës. Shumëkush e cilësoi një turp të vërtetë këtë situatë, ndërsa nuk kanë munguar thirrjet që të bojkotoheshin ndeshjet e skuadrës. Për disa të tjerë, cilësohej e papranueshme për mbështetësit e kësaj skuadre që të shihnin Partizanin në të ardhme të festonte një titull të mundshëm në atë që e cilësonin “shtëpinë” e tyre.
“Tirana” pengohet të stërvitet
Bajerni fiton gjithçka
Robert Lewandowski ishte një prej futbollistëve, emri i të cilit u përmend shumë në merkaton e transferimeve të verës së vitit 2016. Polaku ishte vënë në shënjestrën e Realit të Madridit, por në fund ai vendosi të rinovojë kontratën me Bayern Munchen deri në vitin 2021. Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild”, Lewandowski shpjegoi arsyet se përse ai preferoi të qëndrojë tek kampionët e Bundesliga-s. “Bayern Munchen është një prej klubeve më të mirë në botë”, tha Lewandowski. “Është në të njëjtin nivel me Realin e Madridit dhe Barcelonës. Largimi në drejtim të një prej këtyre skuadrave nuk do të përmirësonte shumë karrierën time, sepse unë mund të fitoj çdo trofe edhe këtu në Mynih”.
Robert Lewandowski u transferua te Bayern Munchen në sezonin 2014/2015 pas një periudhe shumë pozitive me Borussia Dortmund. Te bavarezët, polaku i përmirësoi ndjeshëm statistikat e tij me 89 gola në 125 ndeshje. Sezonin e kaluar në kampionatin gjerman ai shënoi 30 gola në 32 sfida.
Ndërkohë, mesfushori i Bajernit të Mynihut, Arturo Vidal në fund të sezonit do të largohet nga Gjermania. Është e përditshmja italiane “Corriere dello Sport”, e cila ka zbuluar marrëveshjen e fshehtë të kilianit me skuadrën e Chelseas. Së fundmi, Vidal është duke marrë leksione për të mësuar gjuhën angleze, një tjetër fakt që e bën akoma edhe më të besueshëm transferimin e tij në “Stamford Bridge”. Skuadra e Chelseas është treguar e gatshme të ofrojë plot 70 milionë euro për ‘yllin’ bavarez. Transferimi i Vidalit drejt Chelseas bëhet akoma edhe më i besueshëm për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera që ka me ish-trajnerin e Juventusit, Antonio Conten.
Probleme janë shfaqur edhe tek Dortmundi. Blerja e talentit suedez Isack duket se ka shërbyer si pika që mbushi gotën në klubin e Borussias së Dortmundit, ku prej kohësh përflitet për një situatë të tensionuar mes trajnerit Thomas Tuchel dhe drejtuesve më të lartë. Sipas asaj që raporton e përditshmja “Sport Bild”, drejtuesi i stolit nuk ishte vënë në dijeni të bisedimeve që klubi po zhvillonte me Stokholmin për afrimin e talentit dhe një gjë të tillë, ai e mësoi nga raportimi i mediave nordike. I pyetur pas ndeshjes në Bremen, Tuchel u shfaq dukshëm në vështirësi, por dha një përgjigje diplomatike, duke theksuar se këto janë çështje që i përkasin drejtorit sportiv, Michael Zorc.
Po sipas “Bild”, drejtori Zorc, por edhe administratori Hans-Joachim Watzke nuk e kanë përfshirë trajnerin aktual në çështjet e merkatos, duke marrë vendime të pavarura për afrimet, por edhe për largimet. Një situatë aspak komode për Tuchel, aq më tepër që kjo nuk ndodhte me paraardhësin e tij, Jurgen Klopp, i cili ishte plotësisht i përfshirë në politikat e merkatos. Ndërkohë, në një intervistë dhënë për “Kicker”, Watzke la të kuptohej se nuk është marrë ende një vendim për rinovimin e kontratës, pasi është vetë Tuchel, ai që ka bërë me dije se dëshiron të ulet në një tryezë vetëm në fund të këtij sezoni edhe pse kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2018.
Liverpul eliminohet nga Sauthemptoni
Skuadra e Sauthemptonit ka arritur të realizojë diçka që cilësohej e pamundur deri pak kohë më parë për skuadrën e Klod Pyel, kualifikimin për në finalen e Kupës së Ligës në Angli. Skuadra, e cila ka kaluar në sezonet e fundit, duke luftuar për mesin e tabelës në kampionatin anglez, ka eliminuar favoritët e Liverpulit, duke fituar 1-0 në fushën e tyre, ashtu siç kishte bërë në ndeshjen e parë, për të prenotuar finalen e madhe të Uemblit.
Goli i Redmond në duelin e parë i jepte një avantazh minimal Sauthemptonit, të cilin skuadra e Pyel e mbrojti me dhëmbë gjatë të gjithë takimit, duke i rezistuar ofensivës së vendasve. Ndërsa Liverpuli përpiqej dëshpërimisht të barazonte rezultatin në fundin e ndeshjes, një kundërsulm i shpejtë i dha mundësinë Shein Long të shënonte golin e fitores edhe në këtë transfertë në minutën e parë shtesë.
Sauthempton arrin të kualifikohet për herë të dytë në finalen e Kupës së Ligës, ku kishte luajtur më parë edhe në sezonin 1978-1979.
Turan i hyn politikës, mbështet Erdoanin
Mesfushori i Barcelonës, Arda Turan dhe yje të tjerë të futbollit turk janë rreshtuar pro fushatës “Po” në referendumin që pritet t’i japë pushtet më të madh presidentit të vendit, Rexhep Taip Erdoan.
Turan dhe ish-lojtari i Gallatasarajit, Burak Jilmaz, i cili luan për Bezhing Guoanin, iu bashkua fushatës në rrjetet sociale, e iniciuar nga legjenda e futbollit turk, Ridvan Dilmen për të tërhequr sa më shumë votues pro referendumit. Ai pritet të mbahet në gjysmën e parë të muajit prill, pasi Parlamenti dha dritën jeshile.
Presidenti Erdoan mori mbështetjen e shumë figurave të sportit pas dështimit të grushtit të shtetit më 15 korrik. Referendumi për hartimin e një kushtetute të re synon të ndërtojë një sistem të ri presidencial, por që shihet si shumë i rrezikshëm nga kritikët e Erdoanit, pasi i jep më shumë pushtet presidentit dhe i hap rrugën një diktature në vend.
Morinjo: Martial nuk i shfrytëzoi mundësitë
Jose Mourinho kryqëzon Anthony Martial. Trajneri i Manchester United, deklaroi gjatë një konference për shtyp se, sulmuesi francez nuk ka arritur të shfrytëzojë mundësinë që iu dha për të fituar një vend titullari në formacionin e “Djajve të Kuq”. Marrëdhënia mes tyre nuk është nga më të mirat dhe një gjë të tillë, e vërtetojnë jo vetëm fjalët, por dhe lënia në tribunë e 21-vjeçarit për takimin kundër Stoke City. Madje, për këtë të fundit Jose Mourinho nuk nguroi të jepte shpjegimin e tij në lidhje me vendim e marrë.
“Martial nuk arriti të shfrytëzonte mundësinë që i dhashë. Është treguar disi indiferent. Ju e dini që për pjesën e sulmit unë kam dhe shumë futbollistë të tjerë siç janë, Mata, Lingard, Rashford dhe Mkhitaryan. Nisur nga kjo, unë nuk mund të mendoj vetëm për njërin prej tyre, duke lënë të tjerët jashtë. Shumë prej atyre emrave që përmenda janë impenjuar më shumë se Martial”, u shpreh Murinjo.
Deklarata të forta nga ana e “Specila One”, i cili duket se në një formë apo tjetrën është duke ia bërë të qartë futbollistit, se zgjidhja më e mirë për të është të mendojë për një skuadër tjetër, pasi tek Djajtë hapësira sa vjen e ngushtohet. Anthony Marital u transferua te United në verën e vitit 2015, për shumën e 80 milionë eurove. Në vitin e tij të parë në “Old Trafold”, në sezonin 2015-2016 sulmuesi 21-vjeçar arriti të realizonte 21 gola në 63 ndeshje, në të gjitha kompeticionet. Ndërsa për sezonin 2016-2017, francezi ka arritur të realizojë gjashtë rrjeta në 21 takime, 2 prej tyre në kampionat.
Morata kushton 60 milionë euro
E ardhmja e Alvaro Morata-s është larg Realit të Madridit. Sipas mediave spanjolle, nëse do të vijë një ofertë që i kënaq kërkesat financiare të klubit, “Los Blancos” janë të gatshëm ta shesin menjëherë sulmuesin. “Diario Goal” transmeton që 24-vjeçari nuk është i lumtur në “Bernabeu” dhe dëshiron të largohet për një tjetër aventurë. Pasi ka mbetur jashtë preferencave të trajnerit Zidane, Reali e ka nxjerrë sërish në merkato, vetëm pak muaj, pasi e ribleu lojtarin nga Juventusi.
Të interesuara për shërbimet e Alvaro Morata-s janë dy gjigantët e Premier League-s angleze, Arsenal e Chelsea. Dy klubet londineze po e monitorojnë me kujdes situatën e sulmuesit dhe janë të gatshme të nisin ankandin. Pengesa më e madhe mbetet çmimi i futbollistit, të cilin presidenti Florentino Perez e ka përcaktuar në vlerën e 60 milionë eurove. Sipas drejtuesve të Realit, skuadra madrilene do të ishte i gatshëm ta shiste menjëherë sulmuesin vetëm në rast të një oferte të tillë.
Në qershor të vitit 2016, klubi mbretëror në Spanjë e ribleu Moratën nga Juventusi, duke paguar detyrimin prej 30 milionë eurosh që ekzistonte në kontratën me kampionët e Italisë.
Kupa e Afrikës, Egjipti në çerekfinale
Egjipti fluturon në çerekfinalet e Kupës së Afrikës, për më tepër si kryesues i Grupit C, në sfidën me Ghanën, skuadra e Cuper mori pikët e plota falë Mohamed Salah që shkëlqen falë një ndeshjeje të mirë ku ishte dhe autori i vetëm të takimit që vulosi fitoren 1-0 të “Faraonëve” falë një goditjeje të mrekullueshme dënimi.
Egjipti pati shansin për të dyfishuar në të 39 kur Mohsen gjuajti lart me portën bosh pas një nisjeje të topit të gabuar nga Razak, ndërsa Gana edhe pse nuk u dorëzua dhe provoi të arrinte barazimin u ndal edhe falë portierit të Egjiptit El-Hadary që i mohoi golin në minutat e fundit Ayew dhe Wakaso. Falë kësaj fitoreje që e konfirmon kryesues të grupit Egjipti do të takojë në takimin që vlen një vend në gjysmëfinale Marokun. Ishte i padobishëm ndërkohë barazimi mes dy skuadrave të eliminuara Uganda dhe Mali në shifrat 1-1.
Në Oyem, ku shiu e bëri fushën e lojës të ngjasonte me një orizore të gjitha shanset e pjesës së parë lindën më tepër nga terreni i vështirë se sa për meritë të lojtarëve, në pjesën e dytë me përmirësimin e kushteve të fushës u rrit edhe ritmi me Miya që i dhuroi Ugandës ngushëllimin e golit të parë në këtë turne, por gjithsesi Mali rikuperoi menjëherë me një goditje të Bissoumë nga 30 metra që ka të shtangur portierin Odongokara. Me këto ndeshje u plotësua edhe kuadroja e çerekfinaleve ku veç Egjipit-Marok dhe Republika Demokratike e Kongos-Ghana do të luhen edhe Burkina Faso–Tunizi dhe Senegal-Kamerun.
Niang zgjedh Premier League-n
Mbaye Niang do të vazhdojë karrierën e tij në Angli, të paktën në 6 muajt e ardhshëm. Sulmuesi i Milanit ka pranuar që të luajë i huazuar te Watford, klub i cili ka të drejtën e blerjes së tij në fund të sezonit për rreth 15 milionë euro. Që transferimi të zyrtarizohet, priten vetëm vizitat mjekësore të francezit.
Niang kërkohej në Itali nga Torino e Genoa, por lojtari kërkonte me ngulm të luante në Premier League. Përsa i përket zëvendësuesit të tij te Milani, Adriano Galliani ka thënë: “Ocampos është zgjedhja jonë e parë. Po presim nga Genoa një përgjigje brenda disa ditësh”.
Reali në krizë!
Real Madrid i ka dhënë lamtumirën që në çerekfinale Kupës së Mbretit, duke mos arritur të kualifikohet mes katër skuadrave më të mira të turneut. Për ekipin e Zinedin Zidan ka rezultuar fatale sfida e dyfishtë me Selta Vigon, një skuadër që rezultoi një “kockë e fortë” për madrilenët e përgjysmuar nga dëmtimet.
Ata duhej të përmbysnin humbjen 2-1 në fushën e tyre, edhe pse u mungonin lojtarë kyç si Beil, Modriç, Marcelo dhe Karvahal, të gjithë të dëmtuar. Ronaldo humbi mundësinë për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij me një gabim të dyfishtë në minutën e 27 të ndeshjes, kur goditi brenda pak çastesh traversën dhe shtyllën, edhe pse me portë të boshatisur. Reali e pagoi shtrenjtë këtë gabim të portugezit që mund të ndryshonte rrjedhën e lojës, pasi në fundin e pjesës së parë, Guideti realizoi golin e avantazhit që bënte më të thjeshtë kualifikimin për Seltan.
Ronaldo shleu atë gafë të rëndë me një perlë në minutën e 63, kur ekzekutoi një goditje dënimi perfekte që nuk i la shteg portierit Alvarez. Por pavarësisht dominimit të madrilenëve në minutat e mbetura, ishte Selta Vigo që realizoi golin e avantazhit 2-1 me Uas kur mbeteshin pak minuta nga vërshëllima përfundimtare. Dukej gjithçka e mbyllur, por Lukas Vazkez barazoi rezultatin në 2-2 kur regjistrohej minuta e 90 duke bërë që në “Balaidos” të përjetoheshin disa çaste ankthi, pasi Realit i mjaftonte një gol për të kaluar në turin tjetër.
Megjithatë ai gol nuk erdhi dhe Selta festoi kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës, ku për momentin kanë kaluar edhe Atletiko Madrid dhe Deportivo Alavesh. Gjysmëfinalistja e katërt do të përcaktohet pas sfidës Barcelona-Real Sociedad, me katalanasit që kanë fituar 1-0 duelin e parë.
Zinedine Zidane përpiqet të evitojë panikun pas eliminimit të Realit të Madridit nga Kupa e Mbretit. “Patëm shanse që nuk i shfrytëzuam, por do ta ndryshojmë këtë apekt. Nëse punojmë fort do të arrijmë gjëra të mëdha. E vetmja gjë që na mbetet të bëjmë është të kthejmë vëmendjen të fokusuar te ndeshjet që na presin. Jemi ende në dy kompeticione në lojë për të fituar”, u shpreh Zidane.
Juve largon “djallin” nga Kupa e Italisë
Juventus fitoi derbin me Milanin në Kupë dhe siguroi një vend në gjysmëfinale përballë Napolit pas suksesit të parë sezonal ndaj kuqezinjve 2-1. Në “Juventus Stadium” bardhezinjtë në ndryshim nga sfidat e mëparshme me Milanin të këtij sezoni, mbyllën ndeshjen atëherë kur duhet për të menaxhuar më pas lojën dhe rezultatin.
Pas golit të parë të Dybala-së në minutën e 10-të që po konfirmohet gjithmonë e më shumë si protagonist te ky ekip, ishte Pjaniç që me një goditje dënimi të mrekullueshme realizoi golin e dytë duke krijuar një epërsi qetësie pas vetëm 21 minutash lojë.
Milani kishte dëshirë, por jo kthjelltësinë e duhur e mbi të gjitha pjekurinë për t’i bërë një përmbysje Juventusit brenda në Torino, pavarësisht se ekipi i Montellës i dha vetes shpresë me golin e 2-1 të Baccës.
Dalja me karton të kuq e Locatellit dy minuta më pas megjithatë nuk i ndihmoi miqtë, përkundrazi ja bëri kontrollin e ndeshjes më të lehtë Juventusit, që pavarësisht ndonjë rasti të kuqezinjve e menaxhoi mirë rezultatin duke siguruar një vend në gjysmëfinale, ku e pret Napoli.