25.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Bushi: Grup i vështirë, por jemi gati për beteja

Spanja, Sllovakia, Islanda, Estonia dhe Irlanda e Veriut do të jenë kundërshtarët e Shqipërisë në eliminatoret e ardhshme të Europianit. Shorti i hedhur dje ka vënë përpara skuadrën e Bushit me Spanjën e fortë, por edhe me një sërë skuadrash të tjera, të cilat kërkojnë një njohje më të madhe në grupin dhe forcën që kanë. Këtë e citon edhe vetë trajneri i kombëtares U-21 Alban Bushi për faqen zyrtare të FSHF-së, pak pas hedhjes së shortit: “Është një grup relativisht i vështirë, sepse janë skuadra të një niveli të lartë dhe sigurisht këtu është edhe vështirësia e mosnjohjes reale të nivelit të çdo kundërshtari, të paktën për momentin.
Quhet grup i vështirë, por do të thoja, mbase i lehtë pas përfundimit. Shpresoj shumë të na qëllojë si me Serbinë e Portugalinë kur kishim eliminatoret e Europianit të Francës. Të mërzitur në short, por të kënaqur në fund, dhe kështu mendoj dhe besoj edhe unë. Do të përgatitemi për shumë beteja dhe kam bindjen që do të bëjmë një grup ndeshjesh realisht shumë dinjitoze. Pse jo, do të guxojmë të kërkojmë maksimalen, edhe në këtë grup të vështirë”, deklaroi nga Zvicra trajneri Alban Bushi, i cili së bashku me drejtorin Denis Bastari ishin prezent në shortin e eliminatoreve të Europianit.

Balaj: Shpresoj të luaj në Rusi 2018

Pas kualifikimit historik të kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian, Bekim Balaj shpreson të luajë edhe në Botërorin 2018 që do të zhvillohet në Rusi. Në një prononcim për faqen zyrtare të Terek Groznit, sulmuesi kuqezi deklaroi se megjithë vështirësitë në kualifikuese, në rast të pjesëmarrjes në Kupën e Botës do të ndihej si në shtëpi dhe emocionet do të ishin tejet të veçanta.
“Shpresoj shumë që mua dhe Roshit të na jepet mundësia të luajmë në Kupën e Botës në Rusi me kombëtaren shqiptare, pavarësisht se prej ecurisë së fundit dhe pozitave në kualifikuese kjo duket e vështirë. Megjithatë, nëse do të arrijmë të kualifikohemi në Botërorin 2018, nuk ka asnjë dyshim që unë dhe Roshi do të ndihemi si në shtëpi. Kemi vizituar shumë qytete ruse dhe do të vizitojmë disa të tjera. Njerëzit na njohin dhe pjesëmarrja në turne do të ishte mjaft emocionuese”, u shpreh Balaj.
Në intervistën ku preku edhe temat e përgatitjeve intensive në Antalja, periudhën e paktë të pushimeve përpara startit të sezonit prej pjesëmarrjes në Euro 2016 dhe pushimet e dimrit që i kaloi në plazhet e Rio de Janeiros, Bekim Balaj foli edhe për paraqitjen e tij në gjysmën e parë të Premierligës ruse dhe pritshmëritë për pjesën e mbetur të sezonit.
“Prej momentit kur u transferova në Rusi e kisha të qartë se do të luaja në një ligë të nivelit më të lartë se në Kroaci. Kërkoja të testoja veten në Premierligë dhe dëshiroja të bëhesha pjesë e Terek Groznit. Fillimi nuk ishte i lehtë dhe m’u nevojit pak kohë për t’u përshtatur, por hap pas hapi arrita të shënoja gola dhe ta ndihmoja skuadrën. Jam i motivuar dhe punoj çdo ditë për të bërë hapa përpara, si në aspektin personal ashtu edhe si skuadër. Mungesa e golave në miqësore nuk më shqetëson, pasi e rëndësishme është të punojmë si skuadër, pavarësisht asaj që ndodh në nivelin individual. Unë do të vazhdoj në të njëjtën mënyrë edhe në pjesën e dytë të sezonit dhe do të përpiqem të shënoj sa më tepër”, përfundoi Balaj.

Studimi: Ja përse po largohen, papunësi, varfëri, pa shpresë

Një e treta e popullsisë e ka braktisur Shqipërinë që nga viti 1991. Në dekadën e fundit të shekullit të 20 (1991-2000) një valë masive emigracioni që kishte si destinacion Italinë dhe Greqinë ndodhi për shkak të dy faktorëve kryesorë: kolapsi i regjimit komunist dhe kriza e firmave piramidale në mars 1997.
Një skuadër profesionale e përbërë nga studiues të “Cooperation and Development Institute (CDI) / ShtetiWeb” e mbështetur nga zyra e Tiranës e Hanns-Seidel Foundation (HSF) ka realizuar një studim të detajuar mbi sjelljen emigratore të shqiptarëve në Gjermani në periudhën 2014-2016, si pjesë e serisë së Procesit të Berlinit, për çështjet e migracionit.
Sipas studimit, rreth 1.5-2 milionë shqiptarë gjenden si emigrantë jashtë, kryesisht në: Greqi (0.5-0.6 mln), Itali (0.5-0.6 mln) dhe SHBA (0.1 mln), etj.
Në të analizohen në mënyrë të detajuar kushtet, profilet, por edhe arsyet se përse shqiptarët rinisën emigrimin në periudhën 2014-2016, kryesisht në Gjermani. Ja, cilat janë shkaqet që renditen në këtë studim.
Në përgjithësi, të rinjtë mendonin se ishte e mundur që të mund të ndërtohej një familje e re, të jetohej me një standard jete pa pasur nevojë për shumë të ardhura.
Ata besonin se kjo nuk ishte e mundur në kushtet e Shqipërisë me atë çfarë parashikonin që të bënin. Ndaj vendosën që të ikin.
Papunësia, punësimi rastësor, të ardhurat e pakta për të paktën një prej partnerëve e detyronte një familje që të largohej.
Kushtet e jetesës, gjithashtu konsiderohen si një faktor nxitës. Një grua ankohej se familja e saj nuk jetonte në një shtëpi siç duhej, duke qenë se nuk kishin të ardhura për ta përballuar.
Performanca e ekonomisë dhe rënia e kërkesës për punë në periudhën e emigrimit në Gjermani (2014-2015) ishte një nga shkaqet kryesore të cituara edhe nga ata persona, të cilët kishin një profesion ose drejtonin një biznes.
Një grua tha: “Unë punoja si rrobaqepëse dhe kisha një dyqan të vogël, por në atë periudhë nuk kisha shumë punë, ndërsa burri kishte një piceri, por fitimet nuk na mjaftonin për të mbajtur fëmijët”. Ajo tha se bashkëshorti i saj i përkiste komunitetit rom dhe se kishin dëgjuar se ishte e lehtë që të emigroje në Gjermani dhe të përfitojë azil.
Një jetë më e mirë dhe dëshira për aventurë, gjithashtu ishin disa nga shkaqet që i bënin njerëzit të merrnin vendimin për të lënë vendin.
“Që kur isha fëmijë kisha ëndërruar që të shkoja në Gjermani dhe të punoja si mekanik makinash, duke qenë se njihet zhvillimi që ka industria e makinave. Kisha njerëz të njohur në Gjermani dhe kjo ishte një arsye më shumë për të shkuar atje”.
Siguria e jetës ishte një tjetër faktor shtytës, i vërejtur.
“…Arsyeja kryesore përse vendosa të shkoja në Gjermani ishte se ndihesha i pasigurt në vendin tim. Në vitin 2005, vëllai im u përfshi në një konflikt me disa persona, të cilët qëlluan me armë në drejtim të shtëpisë sime në mes të natës. Në atë kohë mund të ishim vrarë, por për fat plumbat nuk prekën asnjë familjar që ishte në shtëpi. Personi që na qëlloi u dënua me 10 vjet, por tani ai është jashtë. Ne ende nuk ndihemi të sigurt. Një tjetër arsye se përse u larguam nga Shqipëria ishte edhe situata ekonomike…”.
Të intervistuarit thanë se në atë kohë, mediat luajtën një rol të rëndësishëm në nxitjen e këtij fenomeni.
Një kërkim në Google mbi “kriteret për të emigruar në Gjermani” dha 587,000 rezultate duke nxjerrë në pah mbulimin e çështjes nga ana e medias.
Në të diskutohej se Gjermania ishte duke kërkuar krah pune të kualifikuar, për shkak të pakësimit të burimeve njerëzore nga lindjet e pakta. Kjo u përforcua edhe nga autoritetet gjermane, të cilat deklaruan se do t’u siguronin punësim dhe strehim. Duhet të theksohet që të gjithë ata që u larguan tentonin të punësoheshin dhe jo të jetonin përmes skemave të mbrojtjes sociale.
Në anën tjetër, studimi rendit edhe faktorët tërheqës të këtij fenomeni.
Sipas tij, më kryesorja është mjedisi social-ekonomik, zhvillimi, standardi i lartë i të jetuarit që e bëjnë Gjermaninë tërheqëse dhe të kërkuar.
“Ne të gjithë e dimë që Gjermania është një nga shtetet më të zhvilluara në Europë dhe shumë të rinj do të donin të jetonin, studionin e punonin aty, pasi në Shqipëri nuk do ta kemi një të ardhme të tillë”.
Ka shumë mundësi për t’u punësuar, ka punë më të mira, më të paguara, veçanërisht për ata që kanë një profesion, ka mundësi më të mira për t’u zhvilluar profesionalisht dhe edukim më të mirë për fëmijët. Të gjitha këto janë pjesë e faktorëve tërheqës dhe që janë listuar nga azilkërkuesit.
Gjithashtu, pagesat që ofroheshin si ndihmë nga autoritetet gjermane ishin tërheqëse: 140 euro për të rriturit dhe 40 euro për fëmijët, në muaj. Shtëpia, energjia, uji dhe shërbimet mjekësore ishin falas për të gjithë familjen.
Kjo u rendit si një ndër arsyet kryesore që nxiti emigrimin në radhët e shqiptarëve në këtë kohë. Kjo pagesë do të shërbente edhe për të larë borxhin që ata mund të kishin marrë për të paguar udhëtimin e tyre.
Në aspektin afatgjatë, pagesa që autoritetet gjermane ofronin ishte më e lartë se paga minimale e një të punësuari në Shqipëri.
Procesi i shikimit të kërkesave për azil në Gjermani ishte i gjatë dhe pavarësisht nga përgjigjja, pozitive ose negative, do t’u mundësonte shqiptarëve që të siguronin disa të ardhura dhe kushte më të mira jetese. E mbi të gjitha, kjo nuk shoqërohej me asnjë rrezik fizik.
Një tjetër faktor i rëndësishëm tërheqjeje ishte edhe roli i diasporës shqiptare në Gjermani.
Shqiptarët që jetonin dhe punonin atje kishin ndarë informacione për mënyrën sesi ata ishin integruar. Në anën tjetër mund të shërbenin si ndihmë për të gjetur strehim e punësim.
Pavarësisht faktorëve tërheqës apo shtytës, studimi nënvizon se perceptimi i përgjithshëm ishte se azilkërkuesit kishin informacione të përcipta, një rrjet të fortë ndërlidhjeje, si dhe një shpresë të madhe për një të ardhme më të mirë.

BMI Research: Mos gënjeni për rritjen ekonomike

BMI Research, pjesë e grupit të njohur të vlerësimit Fitch, në raportin e fundit të riskut të Shqipërisë ka ulur pritshmërinë për rritjen ekonomike për periudhën 2017-2019.
Për vitet 2017-2018, pritshmëria është ulur në 3.3%, nga 3.6% që ishte më parë, ndërsa për vitin 2017 ka zbritur në 3.5% nga 3.8% në raportin e mëparshëm.
Inflacioni pritet të rritet më shpejt, thotë raporti. Ngadalësimi i aktivitetit të ndërtimit dhe pasojat e mundshme të Brexit do të ndikojnë negativisht. Pavarësisht kësaj, një investim i madh infrastrukture në ndërtimin e gazsjellësit do të mbajë Investimet e Huaja Direkte të larta dhe do të mundësojë që rritja të tejkalojë nivelet e rajonit në vitet në vijim.
Kalimi i suksesshëm i paketës ligjore që synon pavarësinë e gjyqësorit sugjeron një vendimmarrje më të qëndrueshme, që mund të bëjë që Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit.
Si faktor kryesor risku, BMI vijon ta vërë theksin në krizën e migrantëve me të cilën përballet Europa, teksa migrantët (kryesisht nga Siria) mund të kalojnë në Shqipëri përgjatë rrugës së tyre për në Europë. Rruga e Shqipërisë mund të bëhet alternativa kryesore, teksa vende si Hungaria, Kroacia dhe Sllovenia kanë ngritur gardhe për të ndaluar hyrjen e emigrantëve. Kjo është bërë veçanërisht e rëndësishme tani që Maqedonia ka shtrënguar kontrollin e kufijve të saj.
Sipas raportit, vendimi i fundit i Britanisë së Madhe për të lënë Bashkimin Europian mund të rezultojë me një ngadalësim të zgjatur në partnerët kryesorë ekonomikë tregtarë, çka do të ndikojë në kërkesën e jashtme.

Shteti “Madonna”

Frrok ÇUPI

Shteti shqiptar kishte kohë që po sillej si Madonna ndaj Shteteve të Bashkuara dhe presidentit të saj. Më në fund u “idhnu” dhe tani nuk ka të drejtë as t’i bëjë një telefon Aleatit…
… Po të ishte shtet, sigurisht, Madonna nuk do të sillej siç u soll në rrugët e Uashingtonit kur kërcënoi të bombardojë Presidentin. Ajo shprehu vetëm përgjegjësinë e saj; fansave nuk iu bëri thirrje për dhunë. Disa nga “yjet” e artit në Amerikë u vetëndëshkuan duke u shfaqur aq egër kundër Donald Trump. U ngrefën se do të lënë Amerikën, po asnjë prej tyre nuk ka lëvizur nga luksi ku i zuri hera. Edhe më i egri mes tyre, De Niro, dje i thoshte zonjës Meryl Streep “enough is enough!”. Situata e “yjeve” kaq ishte.
Madonna si “Madonna”, është veç një spektër ngjyrash në botën tonë. Po shteti?
Përveç botës normale, (ku u radhitën shtetet e Europës, institucionet e BE, shtetet e Lindjes, shtetet e Afrikës, shtetet e Lindjes së Largët dhe të kontinentit amerikan), që uruan Amerikën për Presidentin e ri,-  u shfaqën tri lloje të tjera, të anormalitetit:
I pari, lloji i “Madonnës” artiste, që nuk është shtet dhe as ka lidhje me përfaqësimin politik.
I dyti, lloji i Kim Jung Un në Korenë e Veriut, i cili nuk ishte surprizë për botën. Ai është i vetmi që bën çfarë do vetë. Në vigjilje të Vitit të Ri ai kërcënoi presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara se po fillon provat e raketave balistike interkontinentale me të cilat “do të sulmoj Shtetet e Bashkuara”. Ky edhe mund ta bëjë, i çmendur është, por i vetmi i llojit të vet.
I treti, shteti i llojit “Madonna” në Tiranë. Kryeministri i Republikës nuk dërgoi asnjë fjalë në Amerikë që ta uronte për inaugurimin e Presidentit të ri. Kjo nuk ka ndodhur as mund të jetë menduar që nga viti 1991 ku Shqipëria u çlirua nga nazizmi komunist. Para se të vinte dita e fitores së Presidentit Trump, kryeministri i Shqipërisë kishte folur botërisht për një “rrezik”. Për “rrezik” foli edhe Kim Jung Un, por jo me të njëjtin sens. Ky i Tiranës tha se “zgjedhja e Trump është rrezik për Amerikën, jo për mua…”. Mitomania e çon individin deri aty sa ta krahasojë veten me shtetin e Amerikës: Ai shtet dhe Unë- Edi, baraz! Shteti i Shqipërisë nuk është një shtet terrorist dhe as rrezikon me raketa. Nuk mund të thuash as se Shqipëria u bë “shtet antiamerikan”, pse kryeministri është ndarë përfundimisht nga Shtetet e Bashkuara.
Fenomeni “Madonna” ka lidhje dhe efekte të çuditshme dhe interesante:

Nga mënyra femërore e “Madonnës”.
Kryeministri po vazhdon të përkëdhelet mes George Soros, Hillary dhe Trump. Akoma nuk ka besuar se Trump është Presidenti. Me siguri sheh filxhanë, sikur Soros do ta rrëzojë. Ky vjen nga një edukim intrigash në bllok dhe iu beson. Është një krizë.

Nga separatizmi shtetëror që kryhet në majë të pushtetit.
Kryeministri ka bërë split prej Presidentit, prej kryetarit të Kuvendit, prej kryetarit të opozitës- të gjithë kanë uruar. Jo pse e ka zgjedhur, por ka mbetur i vetmi qeveritar separatist i globit ndaj Shteteve të Bashkuara. Edhe India uroi, edhe autokratët, edhe NATO, edhe BE, edhe Tuaregët. Kryeministri ka degjeneruar konceptin e separatizmit. Kanë separatuar ata të Shin Fein në Irlandën e Veriut që në vitin 1905, por si përfaqësim popullor, i dytë për nga numri në Britaninë e Madhe. Ka separatuar Kosova me studentët në vitin 1981, por në emër të lirisë së popullit. Ka separatuar “Brexit”, por në emër të vullnetit të anglezëve. Kryeministri i Tiranës ka separatuar në kundërshtim me të gjitha. Ai është i vetëm dhe nuk mund të jetë më kryeministër i disa individëve ose masave të tjera. Mund të jetë vetëm fenomeni “Madonna”.

Nga mënyra si shteti humb Aleatin e madh.
Nuk mund të quhemi “antiamerikanë” edhe pas kësaj që bëri qeveria. Por po humbim Aleatin më të Madh në gjithë historinë e shtetit shqiptar. Përderisa kryeministri ka humbur të drejtën që t’i bëjë një thirrje telefonike Aleatit të kombit… Bota na njeh bashkë me Amerikën, fatmirësisht. Para vitit 1919 të presidentit Willson, historiografia perëndimore na konsideronte “black hole”. Jemi një komb pa farefisni, lidhja me Amerikën nuk mund të preket. Atëherë ndahen punët: Kush është me Amerikën duhet të ketë kryeministër me Amerikën, ndryshe nuk ka as kryeministër!.

Nga mënyra e humbjes së përfaqësimit.
Që nga ky moment, Shqipëria nuk ka një sistem përfaqësimi. Këta rreth e rrotull po thonë se “ka luftë në Veri”. Ka apo nuk ka- punë tjetër; por kombin nuk ka kush e përfaqëson. As në inondatat e motit. As në Kuvendin e Shqipërisë… Sepse qeveria nuk përfaqëson më popullin. Populli është tërësisht me Amerikën dhe Presidentin; ndërsa qeveria- jo… Qeveria nuk ka përfaqësim në Kuvend. Kuvendi është tërësisht me Amerikën dhe Presidentin; qeveria jo… Qeveria nuk ka përfaqësim brenda Partisë së vet. E majta socialiste, nga ku ka dalë qeveria, do të donte të fitonte Hillary, por tani edhe Partia Socialiste është me Amerikën e Donald Trump.
… Në historinë e shteteve, kur dy përplasen, njëri dorëzohet. Këtu jemi!

Basha: Do garantojmë bukën, ujin dhe dritat për të varfërit

Kryetari i opozitës Basha deklaroi dje se, drama e përsëritur e njerëzve që po vrasin veten nga varfëria dhe për shkak të pamundësisë për të paguar faturat e energjisë duhet të marrë fund. “Ku kam mundësi unë të paguaj kaq para? Veç të vras veten…”. Këto kanë qenë fjalët e fundit të 31-vjeçarit Klajdi Muça, në zyrën e OSHEE-së në Kamëz, që janë dëgjuar nga dhjetëra dëshmitarë mesditën e së hënës.
Fatura që i duhej të paguante, në mënyrë që OSHEE-ja të mos i priste dritat, ishte 80 mijë lekë të rinj. Klajdi, babai i një fëmije të mitur, në pamundësi të sigurimit të shumës së parave i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvarur.
Kjo dramë e përsëritur këto vite për shkak të pamundësisë së pagesës së energjisë duhet të marrë fund!
Ne nuk do të lemë asnjë familje në errësirë se nuk paguan dot energjinë. Deri në 200 kw energji për muaj do ta paguajë shteti për familjet në pamundësi ekonomike. Në qeverisjen tonë buka, uji dhe dritat do të jenë të garantuara për çdo familje. Qytetari nuk do të jetë më i harruar dhe i braktisur në dëshpërim”, u shpreh Basha në një postim në Facebook.

Prokuroria nis hetimet për 5.7 milionë eurot e kamerave të trupit të policisë

Prokuroria nis hetimet për tenderin 5.7 milionë euro të Ministrisë Brendshme, për kontratën e blerjes së kamerave të trupit të punonjësve të policisë dhe makinave të tyre. Bëhet e ditur se, kallëzimi është dorëzuar gjatë ditëve të para të këtij viti nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për akuzën e “shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim.
Kallëzimi është regjistruar nga task-forca e Prokurorisë së kryeqytetit dhe po hetohet nga prokurorja Daniela Sulaj. Mësohet se në kallëzim, inspektorët e KLSH kanë renditur emrat e 10 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe referencave të cilësisë së kamerave. Në dosjen për të cilën prokurorja Sulaj ka nisur kryerjen e veprimeve të para hetimore, thuhet se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe referencës nuk kanë respektuar ligjin si në hapjen e procedurave të tenderimit, kriteret e vlerësimit dhe më pas shpalljen e fituesit. Ky tender, thuhet në dosje, është bërë me prokurim të drejtpërdrejtë dhe kap shifrën e 5.7 milionë eurove që ka nisur zbatimin që në shkurtin e vitit të kaluar.
Në kallëzimin e KLSH-së thuhet se, inspektorët kanë konstatuar mangësi në procedurat e tenderimit, në skualifikimin e kompanive të tjera konkuruese, duke shpall fitues një kompani, e cila ka modifikuar me pjesë të ndryshme kamerat e trupit. Veç kësaj, inspektorët thonë në kallëzim, se kamerat e modifikuara nuk arrijnë të transmetojnë on-line, në kohë reale, regjistrimet e tyre, nga trupat e policëve mbajtës të tyre apo edhe ato pak makina ku janë instaluar.
Nga ana tjetër, burimet pranë Prokurorisë bënë të ditur se janë nisur shkresat e para zyrtare për sekuestrimin e dosjes së tenderit të kamerave të trupit dhe makinave. Si dhe po verifikohen të dhënat në Qendrën Regjistrimieve të Biznesit për kompaninë fituese. Pas mbledhjes së materialeve, burimet thonë se do të nisë marrja në pyetje e anëtarëve të komisionit.

Rama e cilësoi “transformim rrënjësor të Policisë së Shtetit”

Më 2 shkurt të vitit të kaluar, gjatë prezantimit të fazës së zbatimit të projektit të pajisjes së efektivëve të policisë në terren me kamerat e trupit, kryeministri Rama e cilësoi si “pjesë e programit ambicioz për transformimin rrënjësor të Policisë së Shtetit”. Por pas një viti nga ky prezantim, ato kamera nuk arrijnë të transmetojnë on-line, në kohë reale, regjistrimet e tyre, nga trupat e policëve mbajtës të tyre.
Rrjeti i kompanisë celulare që ka marrë përsipër pjesën e transmetimit të pamjeve on-line, të këtij projekti, nuk arrin të suportojë shumë usera, të cilat të mundësojnë transmetimin njëkohësisht, por vetëm një numër të caktuar userash. Dështimi i projektit on-line të këtyre kamerave të trupit, do të thotë se ato nuk mundësojnë transmetimin e pamjeve që regjistrojnë, në kohë reale. Veç kësaj, efektivët që i disponojnë këto kamera trupi, pamjet e regjistruara i “shkarkojnë” (download-ojnë) në mbyllje të çdo turni shërbimi në serverat respektivë të komisariateve, pa pasur as mundësinë t’i transferojnë në data base-en qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Përkundër pretendimeve të kryeministrit Edi Rama, i cili në 2 shkurt të vitit 2016 shprehej se, “ky projekt bën të monitorueshëm çdo sekondë të orarit të kryerjes së detyrës në çdo aspekt; vendndodhjen, lëvizjen, komunikimin me qytetarët, reagimin ndaj çdo sjelljeje apo veprimi në kundërvajtje a shkelje të ligjit…”, sot, sipas burimeve të Policisë së Shtetit, mësohet projekti “i monitorimit çdo sekondë të orarit të kryerjes së detyrës” është një dështim.
“Ky program i revolucionit teknologjik në Policinë e Shtetit, mundëson një kapërcim epokal, së pari, për të realizuar një marrëdhënie shumë më cilësore mes policisë dhe qytetarëve; Së dyti, për të realizuar një betejë të përditshme shumë më cilësore ndaj krimit të organizuar, korrupsionit apo shkeljeve të ligjit në hapësirën e bashkëjetesës qytetare; Së treti, për të ngritur në mënyrë shumë më të shpejtë nivelin e vetëdijes dhe të përgjegjshmërisë së çdo efektivi policie”, e vlerësonte kryeministri Edi Rama këtë projekt.
“Brenda vitit, efektivat e policisë në terren do të kenë kamerën e trupit, një sy objektiv, që lidh veprimtarinë e tyre me trurin elektronik të Policisë së Shteti, ku memorizohet çdo moment. Ky projekt do të zhvarrosë korrupsionin nga çdo kontakt në terren mes punonjësit të policisë dhe qytetarit”, paralajmëronte Rama në 2 shkurt, për vijimësinë e këtij projekti, i cili nuk lë asnjë mundësi sot, të besohet “memorizimin e çdo momenti”.

Basha paralajmëroi para një viti dështimin e projektit

Kryetari i PD, Lulzim Basha e paralajmëroi dështimin e këtij projekti që më 2 shkurt 2016, ditën kur Rama deklaronte se, “ky projekt do të bëjë transformimin rrënjësor të Policisë së Shtetit”. Basha e cilësoi atëherë si një “propagandë mashtruese dhe asgjë më shumë projektin e kamerave të trupit, apo kamerave të tjera që ka ndërmend të instalojë kjo klikë e lidhur me bandat”.
Duke marrë shkas nga prezantimi i këtij projekti, Basha deklaroi se, “Çdo teknologji që shton sigurinë e lufton krimin është e mirëpritur, por e gjitha mund të shkojë në të kundërtën, kur bie në duart e gabuara”.
Dyshimin e tij kryetari i PD, Basha e shprehu edhe me disa pyetje, për kontrollin e pamjeve dhe analizën e tyre.
“Kush do t’i shohë kamerat kur ministri i Brendshëm takohet dhe ndërmjetëson me vrasësin me pagesë në zyrën e tij dhe në vilat qeveritare në plazh?
Çfarë do të bëjë Saimir Tahiri me këto pamje, që ai vetë i regjistron?
Kush do t’i shohë e kontrollojë kamerat kur Saimir Tahiri, apo dhe shefi i tij, takohen e rakordohen me makinë me bandat dhe banditët?
A do të funksionojnë kamerat kur Emiliano Shullazi të futet në doganë me makinë të blinduar, pa lënë gjurmë e nishan?
A do të ketë kamera, kur ngrihet trau i doganës për miqtë e Edi Ramës, që kalojnë naftë e cigare kontrabandë?”, adreson një sërë pyetjesh kreu i PD-së. “Sigurisht, ky nuk ka këtë plan. Kamerat e tij, thjesht s’do të punojnë, ose do të jenë me defekt teknik, kur vjen puna për të pasqyruar lidhjet e tmerrshme që ai ka me krimin”, paralajmëroi Basha.

Rexhep POLISI

Kreu 15 vrasje, Aldo Bare kërkon t’i shpëtojë burgut

Ish-kreu i bandës famëkeqe të Lushnjës, Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare kërkon t’i hiqet dënimi me burg përjetë. Ish-kapobanda ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për prishjen e vendimeve të tre shkallëve të gjyqësorit, të cilat i dhanë masën maksimale të dënimit për disa vepra të rënda kriminale. Në datën 31 janar mbi bazën e dokumentave, Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë kërkesën e Bares. Ish-kreu i bandës famëkeqe kërkon shfuqizimet e vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, asaj të Apelit për Krimet e Rënda dhe Gjykatës së Lartë, të cilat konfirmuan dënimet njëra pas tjetrës.
Aldo Bare u dënua me burgim të përjetshëm, pasi u akuzua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për krijimin e organizatës kriminale, 15 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone si dhe trafik të drogës.
Kërkesa e të fortit të Lushnjës dhe njeriut që drejtori bandën, e cila terrorizoi Lushnjën në vitet 1997-1998 është bërë pak kohë pas lirimit nga burgu të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha.

Banda famëkeqe e Bares

Banda e Bares veproi për vite me radhë, derisa vetë i shumëkërkuari u prangos pas shtatë vitesh në Turqi dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë, ku ndodhet prapa hekurave. Gjykata e Krimeve të Rënda e gjeti fajtor Aldo Baren (Alfred Shkurtin) për katër vrasje, dy tentativa vrasjeje, shkatërrim të pronës me zjarr, si dhe krijim të organizatës kriminale.
Për secilën nga këto akuza i pandehuri u dënua me 247 vite burg, por në bashkim të dënimeve, përfundimisht Aldo Bare u “kyç” matanë hekurave përjetësisht. Verdikti i trupës gjyqësore, e cilësonte fajtor Aldo Baren për katër vrasje në dëm të shtetasve, Genci Kashari, Xhevat Demiri, Nimet Zeneli e Masar Aliu.

Vendimi me burg përjetë

Në vendimin e saj, Gjykata shprehej se vrasja e Genci Kasharit nuk është kryer në kuadër të organizatës kriminale, por shërbeu si pikënisje për krijimin e saj, pasi në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e të vëllait, Aldo Bare nisi fushatën “shfarosëse”, duke ekzekutuar kundërshtarët e tij.
Tri vrasjet e tjera, janë kryer në kuadër të bandës kriminale dhe vetëm për ekzekutimin e Xhevat Demirit, i pandehuri mori dënimin maksimal me burgim të përjetshëm, pasi nga provat ka rezultuar se ka qenë dhe vetë i pranishëm në ngjarje. Sa u përket dy ekzekutimeve të tjera, Aldo Bare është dënuar vetëm si urdhërues dhe është dënuar nga 25 vite për secilën prej tyre.
Kapoja i bandës famëkeqe u cilësua fajtor dhe për tentativat për ekzekutimin e dy kundërshtarëve të tij më të fortë, Artur Daja dhe Gramoz Selmani, të cilët i bënte përgjegjës për vrasjen e të vëllait Ramadan Shkurti.

Vrasjet e bujshme të Aldo Bares në ‘97

Aldo Bare u ekstradua nga Turqia në vitin 2009. Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzonte Aldo Baren për “krijimin e organizatës kriminale, 15 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone si dhe trafik të drogës”.
Vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllait të Aldo Bares në korrik 1997, shërbeu si pikënisje e një seriali të gjatë vrasjesh dhe shkatërrimesh. Aldo Bare së bashku me të vëllanë, Ramadanin, Enver dhe Bardhyl Rabinë, nisen në drejtim të lokalit ku ndodhej Artur Daja me miqtë e tij Genci Kashari e Gramoz Selmani, si dhe të afërmit e tjerë.
Sapo i afrohen lokalit, sipas Prokurorisë, grupi i Bares qëllon në drejtim të Artur Dajës dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i vrarë Genci Kashari. Artur Daja vetëm sa plagoset. Plumbave nuk u shpëton as Ramadan Shkurti e Bardhyl Rabija, të cilët ndodheshin në makinë. Por nuk ishte e thënë që ndonjëri prej tyre të shpëtonte.
Artur Daja mbërrin pranë tyre, duke i qëlluar për vdekje. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, Aldo Bare krijon bandën famëkeqe dhe ekzekuton të gjithë miqtë e Artur Dajës. Vetë këtë të fundit, kapobanda, urdhrat e të cilit ishin të padiskutueshme, nuk arriti ta vriste. Por “ushtarët” e tij e vranë dhe i prenë kokën duke ia shëtitur mes përmes Lushnjës.

R.POLISI

Rama e do Avokatin e Popullit, kukull të tij për Drejtësinë

Deputeti demokrat, Eduard Halimi ka lëshuar akuza në drejtim të kreut të qeverisë, Edi Rama, se po kërkon që të ndërhyjë në këtë proces, duke bërë zgjedhjen e tij. “Procesi qeveritar për zgjedhjen e Avokatit të Popullit është tërësisht i kundërt me traditën, paktin politik dhe frymën kushtetuese. Avokati i Popullit nuk mund të jetë kurrë një zgjedhje e kryeministrit. Ai i përket popullit, qytetarëve dhe duhet të jetë rojtar i të drejtave të qytetarëve dhe në shërbim të qytetarëve. Ai duhet të jetë zëri kundër kryeministrit dhe jo kukulla e kryeministrit. 5 vjet më parë, kur ju ishit në opozitë dhe ne ishim në pushtet, e kërkuat me ngulm deri në bojkot Avokatin e Popullit. Dhe çfarë bëmë ne? Respektuam frymën e Kushtetutës, ua dhamë juve të drejtën për të propozuar Avokatin e Popullit”, tha Halimi.
“Të gjithë e kujtojnë mirë se konkursi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit u bë në selinë e PS-së. Komisioni ‘ad-hoc’ i PS-së kryesohej nga Gjermeni dhe PS-ja zgjodhi vetë mes 12 kandidatëve të preferuarin e saj. Ne e respektuam tërësisht dhe e votuam kandidatin tuaj, sepse Avokati i Popullit nuk duhet as ushtar dhe as kukulla e kryeministrit. Sot, pas 5 vjetësh, po ndodh e kundërta dhe kjo për 2 arsye: e para, lidhet me arrogancën dhe delirin që ka Edi Rama, fitova zgjedhjet i dua të gjitha pushtetet për vete. Ç’më duhet mua se çfarë thoja në opozitë; e dyta, ka lidhje me Reformën në Drejtësi. Kompetencat kushtetuese që iu dhanë më 22 korrik Avokatit të Popullit si një figurë kushtetuese larg qeverisë, po i rrëmben Edi Rama, duke e kthyer në kukull të tij këtë institucion për të zgjedhur dhe influencuar qeverinë e gjyqësorit”, shtoi Halimi.
Deputeti demokrat nënvizoi se, “zgjedhja e Avokatit të Popullit nga kryeministri e shndërron këtë institucion kushtetues në një kukull të kryeministrit dhe shërbëtor të bindur të tij”. “Arroganca dhe deliri i kryeministrit për të rrëmbyer të gjitha pushtetet, përfshirë dhe këtë që i përket popullit, është rruga më e shkurtër për të ikur nga p‎ushteti, skenarë për këtë ka plot nga vendet më të largëta deri tek fqinjët. Për ne, marrja e Avokatit të Popullit nga kryeministri është një akt i papranueshëm”, deklaroi Halimi.
Deputeti demokrat thotë se dy janë arsyet kryesore përse Rama po kërkon të emërojë njeriun e tij tek Avokati i Popullit.
“E para, lidhet me arrogancën dhe delirin që ka Edi Rama, fitova zgjedhjet i dua të gjitha pushtetet për vete. Ç’më duhet mua, se çfarë thoja në opozitë. E dyta, ka lidhje me Reformën në Drejtësi: kompetencat kushtetuese që iu dhanë më 22 korrik Avokatit të Popullit si një figurë kushtetuese larg qeverisë, po i rrëmben Edi Rama, duke e kthyer në kukull të tij këtë institucion për të zgjedhur dhe influencuar qeverinë e gjyqësorit”, tha Halimi.