Pas një sherri në komisionin hetimor për privatizimi e kompanisë OST tek kompania çeke CEZ, deputetët e Partisë Demokratike u larguan nga salla e mbledhjes. Nënkryetari i komisionit, Arben Ristani, deklaroi se e-mail-et e paraqitura nga kryetari i komisionit, Taulant Balla, nuk janë prova. Ai tha se dëshmitari i thirrur për të dëshmuar në komision, Hamza Merxhani, kishte dalë në foto me vrasësin e Azem Hajdarit. “Që do ta çoni në Prokurori do ta çoni dhe përfundimi do të jetë i njëjtë. Ajo që po bëni është një show. Jeni duke iu referuar një dëshmitari, i cili është një njeri që është dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit. Ka dalë me një vrasës të dënuar. Këto që ti i paraqet si e-mail-e janë copa letre dhe nuk janë prova. Këto janë provat që ju po abuzoni. Njerëzit që thërrisni si dëshmitarë janë bashkëpunëtorë vrasësish. Ky është komision absolutisht qesharak”, tha Ristani. Ai iu referua fotos në të cilën Karaj ka pozuar me të dënuarin për vrasjen e Azem Hajdarit, Izet Haxhia. Ky i fundit e ka cilësuar Karajn bashkëpunëtor të hershëm të tij, ndërkohë që fshihet në Turqi për të mos vuajtur dënimin nga drejtësia në Shqipëri.
Si fshehu Tahiri kapjen e 2.5 tonë drogë në Bari, kaloi nga Durrësi
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka fshehur 2.5 ton drogë të kapur nga Guardia di Finanza në Bari që kaloi nga Durrësi. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar sot një mesazh që ka mbërritur në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’ nga qytetari dixhital, i cili denoncon se Tahiri dhe Policia e Shtetit ka fshehur kapjen e një ngarkese prej 2.5 ton drogë më 4 janar në Bari të Italisë.
“Oficeri dixhital denoncon fshehjen nga Tahiri dhe policia të kapjes së ngarkesës prej 2.5 ton drogë më dt 4 janar 2017 në Bari – kalimin e trajlerit të ngarkesës nga Porti i Durrësit pa u regjistruar në sistemin TIMS”, shkruan Berisha në Facebook duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të policisë.
“Mirëmbrama Doktor, jam oficer i Policisë të Durrësit, doja t’iu informoja se më datë 4 janar është kapur në Portin e Barit një trajler që transportonte dru për një shtet kryesor të BE dhe brenda këtij trajleri është sekuestruar një sasi lënde narkotike prej 2,5 tonë kanabis stativa. Kjo është sasia më e madhe e kapur nga autoritetet italiane e nisur nga Porti i Durrësit. Policia dhe Ministria e Brendshme me urdhër të ministrit e ka fshehur lajmin, pasi informacionet janë se mbrapa këtij trafiku qëndrojnë drejtuesit e Policisë vendore të Durrësit që njihen si lidhje e tij në këtë aktivitet kriminal. Nga të dhënat që ka policia, drejtuesi i mjetit nuk ka lënë gjurmë në sistemin TIMS”, përfundon mesazhi i oficerit të policisë.
Daul: Zgjedhjet, kusht i patjetërsueshëm i BE
Popullorët Europianë deklarojnë zyrtarisht se janë të shqetësuar për zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa konfirmojnë mbështetje të plotë për Partinë Demokratike dhe Kryetarin Basha. Si rrallë herë Popullorët Europianë kanë vendosur që këtë mesazh zyrtar të tyre ta pasqyrojnë edhe në faqen zyrtare të Twitter te PPE. “Para zgjedhjeve në Shqipëri PPE rithekson mbështetjen e saj për Partinë Demokratike dhe mbetet e shqetësuar për ritmet e ulëta të reformës”, theksohet në mesazhin e PPE në Twitter.
Aleanca e partive që kontrollon Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian i kërkon qeverisë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Nga ana tjetër PPE kërkon një dialog gjithpërfshirës dhe reforma të guximshme duke i konsideruar këto si vendimtare për përparimin e vendit.
“Zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të lira, të ndershme dhe në përputhje me standardet europiane. Reforma e Drejtësisë, në veçanti ligji i dekriminalizimit, duhet të jenë prioritet i qeverisë aktuale. Reformat thelbësore dhe të guximshme dhe dialogu përfshirës politik janë vendimtare për shqiptarët dhe përparimin e vendit drejt BE-së”, thuhet në mesazhin e PPE.
Po, dje Kryetari i PD, Basha ka marrë mbështetjen e Presidentit të Partive Popullore, Josph Daul për zgjedhjet. Ai është takuar dhe ka biseduar me Daul dhe eurodeputetin Kukan për zhvillimet e fundit në Shqipëri ku ka shprehur edhe shqetësimin për manipulimin e zgjedhjeve përmes procesit të blerjes së votave me paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.
“Në një takim pune me Presidentin e Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul dhe Eurodeputetin Eduard Kukan në lidhje me zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri diskutuam për nevojën jetike për demokracinë dhe aspiratat europiane të vendit që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme”, thotë Basha në një mesazh në Facebook, menjëherë pas takimit të shoqëruar edhe me një foto të Bashës me Daul dhe Kukan.
Presidenti i Partive Popullore, Daul është një njohës i mirë i zhvillimeve politike në Shqipëri. Ai ka deklaruar se zgjedhjet e lira janë një nga kushtet e patjetërsueshme të Europës për hapjen e negociatave me Shqipërinë, ndërsa ka theksuar se po kaq të rëndësishme janë edhe dy kushtet e tjera, lufta ndaj krimit të organizuar dhe drogës.
“Presidenti Daul ripohoi se shumica europarlamentare është e qartë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dekriminalizimi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe drogës janë kushte të patjetërsueshme për hapjen e negociatave me BE-në dhe Shqipëria duhet t’i përballë këto probleme në mënyrë urgjente dhe të drejtpërdrejtë”, shprehet Basha në njoftimin pas takimit me Daul dhe Kukan.
Basha ka marrë mbështetje edhe për një program të thellë ndryshimi politik dhe ekonomik të vendit. “Folëm gjithashtu për programin zgjedhor të Partisë Demokratike. Mora mbështetjen e tij për ndërmarrjen e një programi të thellë ndryshimi politik dhe ekonomik të vendit, me qëllim që Shqipëria të ndërpresë një herë e mirë ciklin e krizave dhe dështimeve politike dhe ekonomike dhe të përqafojë vlerat dhe qasjet europiane të mirëqeverisjes për qytetarët”, tha Basha pas takimit.
Enton DACI
Sondazhi i IDRA: Rama ka humbur besimin e shqiptarëve
Sipas studimit të publikuar nga IDRA të mërkurën, indeksi i besimit në qeverinë shqiptare ra nga 42 pikë në një shkallë prej 100 pikësh në vitin 2014 në 38 pikë në vitin 2017, duke regjistruar një nga rëniet më të mëdha të besimit në institucionet publike.
Një tjetër institucion që ka shënuar rënie të lartë në indeks është dhe Parlamenti, i cili nga 34 pikë nga 100 pikë më 2014-ën ka rënë në 27 pikë nga 100 pikë më 2017-ën.
Parlamenti ndiqet nga Prokuroria e Përgjithshme, që gjithashtu ka shënuar rënie nga 38 në 32 pikë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka shënuar një rënie nga 36 në 31 pikë.
Institucioni më pak i besuar nga qytetarët shqiptarë, ashtu si në vitin 2014 mbetet gjyqësori me 24 pikë në indeks nga 100 pikë, duke shënuar një rënie prej 2 pikësh nga viti 2014.
Studimi, i cili titullohet “Pandëshkueshmëria – Opinioni publik mbi kuptimin, arsyet dhe rolin e institucioneve” dhe është kryer në periudhën kohore tetor 2016-janar 2015, është mbështetur teknikisht dhe financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur në Shqipëri, OSFA.
Ky studim bazohet në një anketë kombëtare me 1200 persona në moshë 16 vjeç e lart, nga të cilët 200 të anketuar i përkasin grupmoshës 16-24 vjeç.
Sipas studimit, interesi i qytetarëve shqiptarë ndaj problematikave me të cilat vendi përballet ka pësuar një rritje gjatë viteve të fundit dhe fokusi i tyre kryesor mbeten çështjet politike, sociale dhe ekonomike.
“Ekonomia, korrupsioni dhe keqqeverisja figurojnë sërish si dimensionet më problematike në Shqipëri, por me një rënie përsa i përket frekuencës së natyrës së tyre problematike”, tha IDRA në njoftimin për shtyp mbi studimin.
Ekonomia vazhdon të jetë problemi kryesor me të cilin përballen shqiptarët, i vlerësuar si shumë problem nga 82% e të anketuarve, i ndjekur nga korrupsioni dhe keqqeverisja, të identifikuar si shumë problem nga 80% e të anketuarve. I treti problem serioz identifikohet pandëshkueshmëria, e ndjekur nga shëndetësia, arsimi dhe ndotja e mjedisit.
Ngjashëm me vitin 2014, kur indeksi i pandëshkueshmërisë u publikua për herë të parë, media vazhdon të vlerësohet si aktori më i suksesshëm përsa i përket hetimit dhe raportimit të shkeljeve të ligjit nga zyrtarët e lartë, pavarësisht se shpesh perceptohet si një pushtet i kufizuar nga interesa politike dhe ekonomike.
Televizioni vazhdon të jetë mediumi kryesor i informacionit për qytetarët, por një rol në rritje kanë dhe publikimet në internet dhe rrjetet sociale.
Sipas të anketuarve, fenomeni i pandëshkueshmërisë në Shqipëri lidhet ngushtësisht me moszbatimin e ligjit dhe mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë, si dhe korrupsionin. Ligji perceptohet se vepron me dy standarde, një për qytetarët e thjeshtë dhe një tjetër për zyrtarët e lartë.
Edhe pse “mesatarisht” të informuar për reformën në drejtësi, pritshmëritë e shqiptarëve në lidhje me zbatimin e saj janë të dyzuara dhe vetëm 42% e të anketuarve shprehen optimistë për zbatimin e reformës.
Në vlerësimin e perfomancës së institucioneve ligjzbatuese, Prokuroria e Përgjithshme merr notën më negative, ku 22% e të anketuarve e vlerësojnë punën e saj keq dhe 18% si shumë keq, 35% as mirë as keq dhe vetëm 19% shumë mirë dhe mirë. Ndyshe nga Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit ka një vlerësim më të mirë, ku 2/3 e të anketuarve e vlerësojnë si mirë (44%) dhe shumë mirë (22%).
Qytetarët: Ligji jo i barabartë për të gjithë
Qytetarët besojnë se ligji nuk vepron në mënyrë të barabartë si për njerëzit e thjeshtë ashtu dhe për zyrtarët e lartë dhe se për të njëjtën shkelje një funksionar publik nuk do të ndëshkohej njësoj.
Sondazhi i publikuar dje nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) tregon se, sipas qytetarëve pandëshkueshmëria mbetet e lartë në vend. “Fenomeni i pandëshkueshmërisë ose është shumë i përhapur, pra 70 për qind ose 26 për qind, deri diku i përhapur. Ky është një tregues i pastër i faktit se njerëzit janë unanimë përsa i përket fenomenit të pandëshkueshmërisë. Të gjithë mendojnë se është një fenomen mjaft i përhapur”, theksoi Ivi Rexhepi, analist i IDRA-s.
Në shumicë dërrmuese qytetarët vlerësojnë se korrupsioni është faktori parësor që ushqen pandëshkueshmërinë. “Në 96 për qind të rasteve korrupsioni është faktori kryesor që nxit përhapjen e fenomenit të pandëshkueshmërisë në vend, ndjekur shumë ngushtësisht nga faktorë si moszbatimi i ligjeve e rregullave, si dhe mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë”, u shpreh zoti Rexhepi.
Nuk përbën surprizë vlerësimi negativ për sistemin gjyqësor për të cilin më shumë se 1 ndër të anketuarit e vlerësojnë se “punon keq apo shumë keq”, ndërkohë që “87 për qind janë të mendimit se gjyqtarët në Shqipëri nuk janë të paanshëm”. Edhe Prokuroria nuk gëzon ndonjë besim të theksuar. “40 për qind e të anketuarve e vlerësojnë negativisht” aktivitetin e saj, ndërkohë që 35 për qind janë neutralë.
Mosbesimi i thellë te sistemi duket se e bën të vështirë që qytetarët të besojnë se Reforma në Drejtësi do të mund të sjellë përmbysje. Sipas sondazhit, ata shfaqen të dyzuar. “Ndërsa 42 për qind janë optimistë për zbatimin e saj, pothuaj po kaq deklarojnë se ajo nuk do të zbatohet”. E po ashtu dy të tretat e të anketuarve nuk kanë shpresa se procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të sjellë pastrimin e sistemit.
“BIRN”
Muça vrau veten për faturën e energjisë në ditëlindjen e djalit
Armand MAHO
Atë të martë Klaudio Muça kishte ditëlindjen e djalit. “Qëndroi me mua deri në orën 11:00, më pas u largua për të mos e parë më. I thashë të qëndronim dhe pak, por më tha që e kish marrë malli për djalin. Në fakt, mërzia i kish ardhur ngaqë nuk kish se çfarë t’i blinte. Ishte hera e fundit që e pashë gjallë tim vëlla”, tregon Elvisi vëllai i të ndjerit.
Mjerimi
Shtëpia e Klaudio Muçës 31-vjeçarit gjendet vetëm 100 metra larg zyrave të OSSHEE, ose ajo që ai përdorte si banesë. Tek dera qëndronin dy persona të afërm të tij, të cilët tregohen të gatshëm për të na shoqëruar. Në hyrje të një llamarine që ishte improvizuar si derë shihje dhe lajmërimin për vdekjen e tij. Sapo kaloje pragun e hyrjes, trishtimi që sjell varfëria të kaplonte menjëherë. Gjithçka dukej sikur do rrënohej nga çasti në çast, dhe rrugica që gjarpëronte mes për mes oborrit të jepte përfytyrimin e asaj që do të gjeje brenda. Muret ngado ishin të lagësht e të ftohtë. Ajo që Klaudio kish përdorur si banesë vetëm e tillë s’mund të quhej. Pa dritare, pa shtresa pa asgjë. Tavane dhe mure të lagësht! Në mes të korridorit një tavolinë, disa orendi të falura në atë që shërbente si dhomë gjumi që dukeshin sikur do rrënoheshin nga çasti në çast… Ajo çka reflektonte aty ishte një varfëri e tejskajshme që tregonte vuajtjet e njeriut që mbijeton çdo ditë e nga pak. Të atij që jeta i është kthyer në vuajtje e dëshpërim, të atij që shpreson që gjumi që e ka zënë në mbrëmje të vazhdojë gjatë, sa më gjatë deri në amëshim… E vetmja gjë e re në atë shtëpi ishte matësi i dritave, i vendosur në dhjetor pak metra larg vendit ku i ndjeri kish lidhur litarin për t’u vetëvrarë. Ai matës energjie, si shkaktari dhe dëshmitari i kësaj tragjedie…
Fatura në shumën e 800 mijë lekëve
Ajo që duhej të ishte një ditë gëzimi për të, si datëlindja e djalit të vetëm u kthye në mort. Ljubjana gruaja e tij tregon: “Atë ditë më mori në telefon dhe më tha se do vinte ta merrte djalin për një shëtitje. Por më parë ishte kthyer për tek zyrat e OSSHE. Kishte rreth dy vjet që na kanë prerë dritat që kur qeveria ndërmori një aksion, dhe na i kanë sjellë në dhjetor. Klaudio ishte pa punë, unë gjithashtu dhe problemi i dritave na ish kthyer në hall më vete. Atje i kishin thënë që kemi harxhuar 800 mijë lekë në një muaj. Po siç e shikoni këtu ska asgjë. Të vetmet gjëra që punojnë me energji janë ky TV i vjetër dhe këto dy llampa elektrike. Si mund të harxhojnë këto 800 mijë lekë energji. Nga zyrat u kthye në shtëpi dhe vetëm kur na lajmëruan se ka varur veten. E gjetën fqinjët!”, na thotë Ljubjana. Mjekësia Ligjore, ka dhënë si shkak të vetëvrasjes depresionin. Vëllai i tij Elvisi, tregon se atë ditë kishin qenë bashkë, por ishte ngritur, duke nxjerrë si arsye djalin. “Sapo u nda nga unë shkoi drejt e tek zyra e faturave. Ne nuk kemi qenë po na thanë se atje kish patur debat me punonjësin për shkak të faturës. Teksa vinte një fqinja jonë e kish pyetur se çfarë kishte, pasi e kish parë të prishur në fytyrë. “Ja kam ca probleme ashtu”, kaq i kish thënë. Ky ishte dhe personi i fundit që e ka parë, më pas ka hyrë dhe ka varur veten. Ja tek ai vendi aty”, na tregon me gisht Elvisi, drejt një trau në tavan, ku shiheshin qartë dy viza të kuqe, sikur i ndjeri ta kish shenjuar më parë vendin ku do flijohej. “Sot ka dalë OSSHE dhe ka thënë që vetëvarja nuk ka ardhur nga dritat. Vëllai im vërtet është rritur fukara bashkë me mua. Prindërit na kanë vdekur që kur ishim të vegjël, dhe jemi rritur tek të afërmit. Por ama, vërtet skemi marrë gjë nga asnjë sistem, por të rrosh pa drita është vuajtje e madhe. Sepse për të ngrënë do bëjmë si do bëjmë. Që kur ja preu OSSHE dritat përpara dy vjetësh, vëllai im ka jetuar pa familjen e tij, e nisi gruan dhe djalin tek prindërit e saj. Kur mori vesh dhe për një faturë prej 800 mijë lekësh, ajo ka qenë goditja e fundit që i ka dhënë. E ku t’i gjente, ju mërzit dhe shpirti… të paktën ai pati guximin ta bënte!”, thotë mes lotëve Elvisi.
Braktisja e shtëpisë nga bashkëshortja
Lubjana bashkëshortja e tij ka filluar të mbledhë ato pak gjëra që kanë mbetur, Ndonjë enë guzhine, a ndonjë plaçkë. Do e braktisë një herë e përgjithmonë shtëpinë ku hyri nuse 11 vjet më parë. “Nuk dua të jetoj më pa energji, unë s’kam t’i paguaj ato 800 mijë lekë për të cilat im shoq vari veten… Shtëpia le të rrënohet, le të bëjnë çtë duan me të”. Klaudio është përcjellë për në banesën e fundit rreth orës 12:00 dhe skanë kaluar më shumë se tre orë që ai është varrosur, por Ljubjana duket se e ka me ngut. Do të largohet sa më shpejt nga ai vend që i solli vetëm mjerim”. Më thanë se OSSHE kish thënë që Klaudio se vrau veten nga faturat… Por nga çfarë e vari veten im shoq?. E vari nga varfëria se ky shtet si dha kurrë një dorë?. Çdo ditë në errësirë, dhe atëherë kur t’i sjellin të thonë se ke harxhuar aq para sa ne si kemi parë ndonjëherë me sy. Unë nuk e di se çfarë bëjnë ata me shifrat që kanë aty dhe tani mund t’i manipulojnë si të duan. A mund të rrijë një fëmijë në errësirë, sepse prindi ska të paguajë, a mund të rrijë një fëmijë pa ngrohje në mes të dimrit. Ju e shikoni vetë a jetohet në këtë mënyrë”, shprehet gruaja e irrituar. Nuk ka lot, ndoshta ka qarë aq shumë sa lotët i janë shterur ndër vite…
Viktimë e rilindjes
Historia e Klajdi Muçës nuk është shumë ndryshe nga ajo që përjetojnë shumë shqiptarë, që fati i zgjodhi të jetojnë në këtë vend. Eshtë e ngjashme me ato të qindra e mijëra të tjerëve, të cilët rrijnë me frikë se mos kamikazët e Ramës, i sjellin ndonjë faturë. Po nuk qe energjia do jenë taksat e tjera, sepse filozofia e Rilindjes kjo është. Historia e Klajdi Muçës i përngjason tmerrit që duhet të përballemi të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak. Dhe i ndjeri ishte përpjekur, duke u munduar të bënte punë nga më të rëndomtat, por nuk ja kishte dalë. Në vendin ku u premtuan 300 mijë vende pune, sot jo vetëm që s’janë hapur, por njerëzit po shtyhen drejt vetërasjes. Dje e kishte radhën Klajdi nesër kush e di kush tjetër. Ashtu siç iku Lazri nga Lezha baba i katër fëmijëve, ose Hari nga Tirana 50 vjeç që vrau veten menjëherë sapo inspektorët e OSSHE i prenë energjinë, Llazari nga Vlora e kështu me radhë. Duket sikur shteti i ka hapur luftë qytetarëve të tij, dhe në veçanti atyre që janë më të varfër. Largohemi nga shtëpia e Klodianit, me ndjesinë e trishtë që na la mjerimi që gjetëm aty. Anxhelo djali i tij 11-vjeçar na ndjek me sy teksa largohemi. Prej ditës së martë ai është jetimi i radhës nga varfëria. Babai i tij vari veten, sepse nuk duroi me të jetonte pa të. Nuk duroi të ngrihej çdo mëngjes e mos ta shihte në shtratin e tij, sepse ishte i pafuqishëm që ta rriste. Nuk duroi dot që ta rriste në errësirë, në të ftohtë dhe pa asnjë të ardhme. Që nga dje, Shqipëria do të ketë dhe një jetim më shumë. Dhe kjo jo për hir të fatit… Klajdi Muça është një tjetër viktimë që prodhon varfëria, mjerimi dhe hajdutëria me emrin Rilindje…
Pa votimin elektronik nuk ka zgjedhje të lira
Nga Kastriot Islami
Prej më shumë se një viti, Reforma Zgjedhore është zvarritur qëllimisht nga Rama. Me mbledhjen e fundit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, anëtarët e PS në këtë komision, me urdhër të Ramës, vendosën në fund të mbledhjes veton kundër votimit elektronik. Ndonëse gjatë të gjithë kohës, sidomos në pjesën e parë të mbledhjes bënin sikur gjoja ishin dakord me reformën ose më saktë “me përdorimin e elektronikës” për identifikimin e zgjedhësve, votimin dhe numërimin elektronik të votave, në fund të mbledhjes treguan qartas se e gjitha kjo ishte një taktikë zvarritjeje, siç ka ndodhur prej më se një viti. Vendimi i vendosjes së vetos në këtë mbledhje të komisionit nxorri në dritë të diellit edhe qëllimin e mospranimit të përdorimit të elektronikës në zgjedhjet e 18 qershorit si dhe taktikën e zvarritjes për arritjen e këtij qëllimi. Madje shkuan deri atje sa të kërkonin implikimin e ndërkombëtarëve me shpresën se ata do të refuzonin futjen e elektronikës, duke mbështetur idenë e kohës së pamjaftueshme për futjen e elektronikës apo të nevojës për një projekt pilot për të vlerësuar “fizibilitetin” (mundësinë e realizimit të identifikimit biometrik, votimit dhe numërimit elektronik) në mënyrë që kjo çështje të shtyhej për zgj6edhjet e ardhshme.
Një paketë ndryshimesh për të siguruar zgjedhjet e lira e të ndershme…
Kryerja e Reformës Zgjedhore dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme janë fuqimisht të ndërlidhura në kushtet e një sjellje konseguente të Ramës kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme. Reforma zgjedhore bazohet në vullnet politik të palëve, veçanërisht ajo përcaktohet nga vullneti i mazhorancës që kontrollon vendimmarrjen; në rastin konkret mazhoranca kontrollon madje edhe mazhorancën e cilësuar në parlament. Një reformë zgjedhore me vullnetin e mirë të palëve ndërton dhe rrit besimin e qytetarëve te procesi zgjedhor, duke dhënë mundësi të shkohet drejt zgjedhjeve legjitime, ndërkohë që e kundërta krijon terren për zgjedhje ilegjitime dhe rezultat ilegjitim me pasoja të rënda për stabilitetin e vendit dhe sigurinë kombëtare. Rastet e zgjedhjeve të 2013, të zgjedhjeve të pjesshme në Korçë, zgjedhjeve vendore të 2015 dhe të zgjedhjeve të pjesshme në Dibër, ku janë evidentuar raste të shumta të i) blerjes së votës, ii) kërcënimit të votuesve; iii) kandidimit apo përdorimit të individëve me rekorde kriminale; iv) të përdorimit të parave të korrupsionit dhe nga kultivimi i drogës; v) përdorimi i aseteve shtetërore të tilla si punësimi, asistenca sociale, asistenca e papunësisë, për “blerjen e votës” apo vi) kërcënimet për humbjen e vendeve të punës, kanë shtyrë opozitën të angazhohet si asnjeherë tjetër më parë për një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, përmes të cilës do t’i mbylleshin dyert të gjithë këtyre manipulimeve. Prandaj kryerja e Reformës Zgjedhore këtë radhë lidhet me trajtimin e një pakete çështjesh që sigurojnë zgjedhje të lira e të ndershme; kjo është arsyeja përse kryerja e Reformës Zgjedhore në formën e një pakete dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme janë sinonime të njëra-tjetrës.
Pa identifikim biometrik e votim/numërim elektronik, zgjedhjet janë të rrezikuara…
Në këtë paketë çështjesh të gjithë palët e kanë të vështirë për të mos thënë të pamundur të mos pranojnë se i) identifikimi biometrik i votuesve; ii) votimi elektronik dhe iii) numërimi elektronik është prioriteti i prioriteteve të reformës që garanton zgjedhjet e lira e të ndershme. Argumentat janë të shumtë. Së pari edhe PS para 5 vjetësh në opozitë, edhe PD aktualisht e kanë kërkuar identifikimin biometrik/votimin/numërimin elektronik si element prioritar të Reformës Zgjedhore; e njëjta gjë ka ndodhur edhe me LSI e të gjithë partitë e tjera parlamentare dhe jo parlamentare, edhe në të shkuarën edhe aktualisht. Se dyti, futja e elektronikës do të kishte një ndikim të fuqishëm edhe në adresimin e shumë çështjeve të tjera; konkretisht do të zgjidhte i) problemin e zvoglimit të numrit të komisionereve dhe të depolitizimit të tyre, duke qetësuar veçanërisht partitë e vogla që s’kanë komisionerë apo numërues; ii) problemin e identifikimit të votuesve përmes vendosjes së gishtit në njësinë e identifikimit biometrik, duke eliminuar votimin me karta identiteti falso apo shmangien e bojës në gisht për eliminimin e votimit të shumëfishtë, iii) eliminimin e “blerjes së votës” përmes grumbullimit të kartave të votimit në këmbim të mospjesëmarrjes në votime; iii) problemin e nxjerrjes së shpejtë për të mos thënë të menjëhershme të rezultatit të votimit direkt në qendrat e votimit dhe në shkallë kombëtare menjëherë me mbylljen e votimeve, duke eliminuar numërimin në Komisionet e zonave, bllokimin e nxjerrjes së rezultatit të disa kutive të votimit, pasi është marrë vesh rezultati në kutitë e votimit të mëparshme apo në zona të tjera zgjedhore, apo të prishjes së kutive të votimit dhe të tensionimit për ato kuti votimi nga të cilat varet fati i mandati parlamentar. Pra, në identifikimin biometrik/votimi/numërimi elektronik mund të konsiderohen si çelsi i zgjidhjes së shumë çështjeve të tjera që janë ngritur si shqetësime/probleme nga subjekte të ndryshme zgjedhore apo aktorë të Shoqërisë Civile.
Elementët kryesorë të paketës së Reformës Zgjedhore…
Reforma Zgjedhore është zvarritur nga Rama prej më shumë se një viti. Ajo vazhdon të zvarritet në mënyrë tinzare përmes një retorike hileqare dhe gjoja angazhimi në procesin e reformimit të Kodit Zgjedhor. Rama duket i prirur ose të mos kryejë asnjë ndryshim të rëndësishëm në Kodin Zgjedhor që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, duke akuzuar opozitën ose të bëjë disa ndryshime të parëndësishme apo të pjesshme për t’i shitur te shqiptarët e partnerët si reformën e kërkuar. Ndërkohë është përcaktuar data 18 qershor 2017 si data e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Por mbi të gjitha, kërkesa për zgjedhje të lira e të ndershme duket një kërkesë e panegociueshme nga qytetarët dhe si përcaktuese e progresit në procesin e integrimit europian nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo trusni është duke rritur përpjestimisht me afrimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë kontekst është normale dhe e arsyeshme që opozita të vihet në ballë të këtyre kërkesave dhe të bëhet njësh me qytetarët e partnerët në mënyrë që Rama dhe partia qeverisëse të largohet nga rruga e manipulimit të zgjedhjeve. Elementë të tjerë të një pakete minimale me elementë të Reformës Zgjedhore për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme dhe rezultat zgjedhor legjitim, pra të gjithëpranuar do të ishin i) përfshirja në ndryshimet e Kodit Zgjedhor e të gjithë elementëve të dekriminalizimit; ii) çështja e financimit të fushatës elektorale, duke reduktuar fondet nga subjektet private dhe përcaktuar tavan sa më të ulët për shpenzimet elektorale; iii)përdorimi i parave të korrupsionit si dhe nga kultivimi i drogës për blerjen e votës; iv) përdorimi i aseteve shtetërore të tilla si punësimi, asistenca sociale, asistenca e papunësisë, për “blerjen e votës” apo v) kërcënimet për humbjen e vendeve të punës për orientimin e votës në favor të qeverisë; vi) çështja e lirisë e pavarësisë së medias dhe të ballancimit të përdorimit të saj nga të gjithë subjektet elektorale; vii) ndëshkimi i ashpër për shit-blerjen e votës, e tjerë. Natyrisht në këtë paketë duhen përfshirë të gjithë rekomandimet e OSBE-ODHIR.
Zgjedhjet e manipuluara kërcënim për stabilitetin e vendit…
Duket se Rama nuk ka asnjë vullnet për të kryer zgjedhje të lira e të ndershme. Arsyeja është e thjeshtë: sondazhet tregojnë se PS ka humbur në mënyrë të konsiderueshme mbështetjen e votuesve të saj. Kjo është arsyeja që Rama kërkon që këtë rrudhje ta kompensojë me “manipulimin e zgjedhjeve”. Prandaj, ai është i painteresuar për të kryer një reformë që do ta pengonte krerjen e manipulimeve gjatë zgjedhjeve. Ky është qëllimi. Taktika është ajo e zvarritjes së reformës, duke bërë gjoja sikur është i interesuar për reformën dhe duke tentuar të akuzojë opozitën e njëkohësisht të mashtrojë qytetarët dhe hedhë hi syve ndërkombëtarëve. Gjasat janë që Rama, po t’i referohemi edhe vetos të vendosur nga anëtarët e PS në Komisionin e Reformës Zgjedhore kundër identifikimit biometrik/votimit/numërimit elektronik në mbledhjen e datës 13 janar 2017, të përgatitet për të manipuluar zgjedhjet. Në këtë rast të gjithë shtrojnë pyetjen se çfarë do të ndodhte në këtë rast. A do të kishte protesta apo ballafaqim të qytetarëve me palën që refuzon të angazhohet për zgjedhje të lira e të ndershme? Në këtë rast e drejta e protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, për legjitimitet të procesit zgjedhor duket tërësisht e justifikuar; ajo është një e drejtë qytetare, e Shoqërisë Civile, e medias, e biznesit, që duan të shohin vendin të progresojë në rrugën e demokracisë dhe të integrimit në BE. Nuk ka asnjë dyshim, si përfaqësuese e interesave të qytetarëve, opozita do të ishte dhe do të jetë në ballë të realizimit të këtyrë kërkesave, duke u bërë zëdhënëse e tyre dhe pjesë e protestave masive popullore. Sepse realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme s’është çështje e interesit politik të opozitës, por një çështje me të cilën lidhen ngushtësisht zhvillimi i demokracisë, stabiliteti i vendit dhe mirëqenia e qytetarëve.
Nis greva e urisë e banorëve të zonave të përmbytura në Shkodër
Tetë banorë të zonave të përmbytura në vitet 2010-2011 në Shkodër nisën dje grevën e urisë, duke kërkuar dëmshpërblimet. Ata kanë qëndruar për disa orë, duke negociuar me policinë për të ngritur një çadër për zhvillimin e grevës së urisë, por nuk janë lejuar.
Rreth orës 12:00 të mesditës së djeshme, ata kanë vendosur që grevën e urisë ta nisin në stolat pranë institucionit të prefektit, duke deklaruar se nuk do të largohen që andej pa iu plotësuar kërkesa.
Banorët që kanë hyrë në grevë urie janë: Gjon Lasku, Pal Marku, Frrok Kola, Lush Ndoci, Arben Kola, Mhill Guri, Skënder Mhilli dhe Dritan Ndreu.
Ata kishin dorëzuar më herët në polici kërkesën për lejen për zhvillimin e grevës së urisë, çka iu refuzua. Banorët kanë akuzuar qeverinë se i ka mashtruar. Pas përmbytjetve, qeveria Berisha kreu vlerësimin e dëmeve, por nuk arriti t’i dëshmpërblejë, pasi në 2013 zgjedhjet u fituan nga “Rilindja”, ndërsa Rama nuk pranon t’i dëmshpërblejë. Banorët tentuan të ngrenë çadrat në sheshin para Prefekturës, por nuk u lejuan nga Policia e Rendit. Forca të shumta policie vijojnë të qëndrojnë pranë Prefekturës së Shkodrës.
Bashkia Shkodër në mbështetje të grevistëve
Në lidhje me protestën ka reaguar edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Në një postim në rrjetin social Facebook, Ademi shkruan se të përmbyturit janë në të drejtën e tyre.
“Pra, kjo është alternativa e kësaj qeverie për Shkodrën, asnjë lek, asnjë fond, asnjë interesim. Në vend të zgjidhjeve për njerëzit, ofrohet dhunë, kordona policie.
Të përmbyturit janë në të drejtën e tyre, por diskriminohen hapur nga Edi Rama e qeveria e tij, që pas braktisjes po tenton të fusë dhe konfliktin në qytetin më të madh të Veriut. Meqë ai nuk votohet në Shkodër, hakmerret dhe çon deri në fund trillet e tij. Nuk i ka bërë mirë llogaritë. Shkodra dhe shkodranët nuk janë sunduar me polici e forca të armatosura as në ditët më të këqia të diktaturës. Eshtë koha që ai të reflektojë, të ndryshojë raportin me Shkodrën, duke respektuar në mënyrë të barabartë të drejtat e çdo individi në këtë vend, e të ushtrojë detyrimin që ka si kryeministër”, shkruan Ademi në Facebook.
Gjendet një kokë njeriu e prerë në Vlorë
Një ngjarje horror ka ndodhur në Vlorë. Barinjtë e fshatit Karbunarë, kanë gjetur afër rrugës së vjetër të këtij fshati një kokë njeriu të prerë. Menjëherë barinjtë kanë njoftuar policinë, e cila ka nisur hetimet.
Koka është gjetur e shkëputur nga trupi, dhe ka një vrimë, e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga një plumb. Koka u gjet në një parcelë, dhe kjo mendohet të jetë bërë qëllimisht, pasi në periudhat e dimrit në këto zona nuk ka thuajse fare lëvizje. Nisur nga gjendja e dekompozuar e kokës së prerë, dyshohet se ngjarja ka ndodhur rreth tre muaj më parë.
Një tjetër dyshim është se, personi mund të jetë vrarë diku tjetër, dhe koka mund të jetë shkëputur nga kafshët e egra. Koka e gjetur është dërguar për ekzaminim, ndërsa po vijojnë kërkimet për trupin e viktimës. Policia ka nisur hetimet edhe për rastet që janë denoncuar persona të zhdukur, për të arritur në identifikimin e viktimës.
Policia, pasi ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se koka është e dekompozuar.
Priten ekzaminimet laboratorike në lidhje me identifikimin dhe të çdo detaji tjetër në lidhje me këtë ngjarje.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Roms të Vlorës mëngjesin e sotëm, ku u gjet një kokë njeriu pa trupin, një dëshmitar ka dhënë detaje për ‘News 24’ dhe ‘BalkanWeb’. Gjatë një lidhje telefonike, dëshmitari i cili është bari i zonës ka thënë se ishte duke kaluar në rrugë, kur ka gjetur kokën e njeriut sipër tokës.
“Po kaloja në Karabunarë, kur pashë sipër dheut një kokë njeriu. Nuk di gjë se kush mund të jetë, pasi sapo pashë kokën njoftova policinë dhe nuk e preka me dorë”, ka thënë dëshmitari. Më tej, ai është shprehur se zona kryesisht përdoret për kullota dhe nuk është shumë e banuar nga njerëzit.
Sipas burimeve, dyshohet se koka i përket një personi, i cili është vrarë para tre muajsh.
Zjarr në një banesë te Pazari i Ri në Tiranë
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e djeshme një banesë private në afërsi të Pazarit të Ri, në kryeqytet. Burimet bënë të ditur se në vendngjarje, 4 zjarrfikëse luftuan me flakët për 30 minuta, me qëllim që zjarri të mos përhapej edhe në banesat e tjera.
Zjarri në banesën një katëshe ra rreth orës 19:20, ndërsa zjarrfikësit fillimisht nxorën jashtë banorët e saj, të cilët po përpiqeshin të shpëtonin ç’të mundeshin nga shtëpia.
Sipas burimeve në vendngjarje, nuk ka pasur të lënduar, ndonëse ende nuk dihen shkaqet e zjarrit. Rreth orës 20:00 zjarri është arritur të vihet nën kontroll, ndërsa puna e zjarrfikësve është vështirësuar për shkak të rrugicës së ngushtë dhe parkimeve të gabuara të mjeteve në rrugë.
Një adoleshente e zhdukur prej 6 ditësh
Prej 6 ditësh, një vajzë 18 vjeçe nga Hamallaj i Durrësit ka ikur nga shtëpia e saj dhe nuk dihet se ku ndodhet. Vajza ka inicialet L.Q. Çuditërisht, nëna e saj DH.Q. 35-vjeçare ka bërë kallëzimin në Polici vetëm dje, 5 ditë pas zhdukjes së vajzës. Pavarësisht kësaj, policia ia ka kaluar çështjen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.