Policia italiane ka sekuestruar 4 kg kokainë të pastër dhe dy kg marijuanë, ndërsa në pranga kanë përfunduar 3 shqiptarë. “Ansa” shkruan se, shqiptarët e arrestuar janë Fatos Sadiku, 33 vjeç, Luan Kasalla dhe Fiqiri Sulmina, të dy 36 vjeç, ndërsa iu janë konfiskuar dhe 30,000 euro cash, një makinë dhe celularët.
Hetimi nga ana e karabinierëve nisi pas lëvizjeve të dyshimta të Kasallës me makinë në autostradën e Forlit. Mësohet se droga u gjet në një banesë që jetonte Kasalla në Bellaria, ku u sekuestruan para dhe pajisje të ndryshme.
Po ashtu, nga hetimet e deritanishme, hetuesit e çështjes hedhin dyshime se shqiptarët e arrestuar kanë lidhje me bandat e rrezikshme të drogës, me aktivitet në provincën e Romanjas.
3 shqiptarë kapen në Itali me 4 kg kokainë
Shkëlzen Berisha: Kurrë nuk kam pasur ndonjë njohje me Ismailajn
Shkëlzen Berisha përgënjështroi dje të ketë udhëtuar së bashku me të arrestuarin për aferën e CEZ, Kastriot Ismailaj, ndërsa deklaroi se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj shpifësve politikë. “Dje një nga tualetet mediatike të Ramës që ushqehet me para publike përmes koncesioneve të dhëna nga qeveria, përcolli shpifjen e radhës sipas së cilës unë paskam udhëtuar me z. Ismailaj (me të cilin nuk kam pasur kurrë asnjë lloj lidhje e aq më pak punë apo udhëtime të përbashkëta) drejt Pragës për ta ndihmuar atë në lidhje me kontratat e tij me CEZ.
Për ta vërtetuar këtë u servirën disa gjysma datash kur z. Ismailaj dhe unë kemi rastisur në vajtje ose në kthim (asnjëherë në të dyja) në të njëjtin avion në segmentin Tiranë-Vjenë. Për të hamendësuar për atë që ka ndodhur përtej këtij segmenti, në mungesë të fakteve, media në fjalë serviri shpifjet e porositura të njërit prej urithëve të Ramës.
Unë si cilido pasagjer përgjigjem vetëm për veten dhe destinacionin tim dhe nuk mbaj asnjë përgjegjësi kush hipën apo ku shkojnë 200 udhëtarët e tjerë të avionit. Pavarësisht kësaj deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se nuk kam udhëtuar kurrë as në Pragë dhe në asnjë destinacion tjetër të rruzullit as me z. Ismailaj as me ndokënd të afërt me të.
I bindur që me afrimin e zgjedhjeve, shpifjet ndaj meje dhe familjes time do të vazhdojnë për të mbuluar mashtrimet, dështimet dhe vjedhjet e Ramës, njëlloj si refreni fajin e ka Saliu, kam vendosur t’u përgjigjem në rrugë ligjore.
Disponoj të gjitha provat e duhura për të paditur për shpifje të gjithë ata që mendojnë se do të shpëtojnë koncesionet, sarajet, paratë e vjedhura në marrëveshjet me CEZ dhe lëkurën e tyre përmes mashtrimit dhe trillimit.
Padia për shpifje do të jetë penale!”, shprehet Shkëlzen Berisha në një reagim ndaj lajmit të qarkulluar në mediat e Ramës.
Marrëveshje për njohjen e pensioneve mes Austrisë dhe Shqipërisë
Nga marrëveshja përfitojnë mijëra shqiptarë që vitet e punës i kanë ndarë mes Shqipërisë dhe Austrisë, si dhe anasjelltas.
“Uroj së pari mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Austri, për arritjen e kësaj marrëveshjeje, të cilët janë përfituesit e drejtpërdrejtë të saj. Sikundër firma jonë sot mbi këtë marrëveshje z. ministër, është në interesin e përbashkët të qytetarëve tanë, në një kohë kur lëvizja e lirë e krahut të punës në hapësirën e përbashkët europiane dhe më gjerë, është duke njohur një trajektore të rëndësishme”, deklaroi ministri Klosi pas nënshkrimit me homologun austriak, z. Stöger.
Ministri Federal i Punës, Çështjeve Sociale dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës së Austrisë, z. Alois Stöger deklaroi mbështetjen e plotë të vendit të tij për Shqipërinë, në proceset e saj integruese drejt BE-së, sikundër vlerësoi punën për arritjen e marrëveshjes së rëndësishme ndërmjet dy vendeve tona.
Mes ministrit Klosi dhe ministrit Stöger u ra dakord gjithashtu për mbështetjen e plotë të reformës së shërbimeve, që MMSR do të ndërmarrë këtë vit.
“Morëm mbështetjen e plotë të ministrit Federal të Punës, Çështjeve Sociale dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës së Austrisë, z. Alois Stöger për të mbështetur dhe asistuar paktin e mirëqenies sociale”, deklaroi ministri Klosi.
Nënshkrimi i marrëveshjes me Austrinë e shton këtë vend në listën e atyre shteteve që kanë realizuar kohët e fundit, marrëveshjen me Shqipërinë për njohjen e pensioneve si: Gjermania, Belgjika, Luksemburgu, Hungaria, Çekia, Rumania, Maqedonia. “Sikundër është në proces marrëveshja me Kanadanë dhe pritet nënshkrimi i saj i shpejtë”, deklaroi ministri Klosi duke dhënë lajmin e mirë pas kthimit nga vizita zyrtare në Londër, se do të nisin bisedimet për njohjen e marrëveshjes së pensioneve edhe me Anglinë.
Shqipëria me tkurrjen më të madhe të popullsisë
Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet e rajonit që kanë parë tkurrjen më të madhe të popullsisë gjatë viteve 2005-2015 ndër të gjitha vendet, me një rënie respektivisht 4.3 dhe 13%, sipas të dhënave të Eurostat.
Popullsia e Turqisë u zgjerua me një ritëm relativisht të shpejtë gjatë 2005-2015, duke u rritur me 14.2% në përgjithësi, ndërkohë që numri i banorëve në Mal të Zi dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë u rrit me një ritëm modest, duke u rritur me 1.4% dhe 1.7% respektivisht. Kjo ishte më e ngadaltë se norma përkatëse e ndryshimit në BE, ku popullsia u rrit me 2.8% më 2005-2015.
Tkurrje (- 0.6%) pati popullsia e Bosnjës midis 2005 dhe 2015, ndërsa Serbia dhe Shqipëria panë rënien më të madhe të popullsisë me 4-5%. Rënia më e madhe në nivelin e popullsisë është regjistruar në Kosovë, ku numri i banorëve ra me 13.2%, raporton Eurostat.
Statistikat mbi ndryshimin e popullsisë dhe strukturën e saj përdoren gjithnjë e më shumë për të mbështetur politikëbërjen dhe të ofrojë një mundësi për të monitoruar sjelljen demografike në një kontekst ekonomik, social dhe kulturor. Popullsia e vendet e zgjerimit rezultoi pothuajse 96 milionë banorë në vitin 2015, e cila është më pak se një e një e pesta (18.9%) e popullsisë së BE-së (508 milionë).
Ndër vendet e rajonit, Shqipëria dhe Kosova paraqiten me densitetin më të lartë të popullsisë për kilometër katror. Sipas të dhënave të Eurostat, Kosova ka 165.8 banorë për kilometër katrorë, nivel ky edhe më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian prej 116.7 banorë për kilometër katrorë. Shqipëria është vendi i dytë në rajon që në vitin 2015 rezultoi me një densitet 100 banorë për kilometër katrorë.
Në të kundërt, dendësia më e ulët e popullsisë në mesin e vendeve të zgjerimit është regjistruar në Mal të Zi (i cili gjithashtu kishte numrin më të vogël të banorëve), me një raport prej 45.0 banorë për km² në vitin 2015.
Në mesin e vendeve të zgjerimit, përqindja e femrave arriti në 51.3% të popullsisë së përgjithshme në Serbi, ndërsa Bosnja e Hercegovina (2014) dhe Mali i Zi gjithashtu raportoi se femrat përbënin shumicën e popullsisë së tyre. Në katër vendet e tjera të zgjerimit, ku përfshihet edhe Shqipëria, përqindja e meshkujve është më e lartë se ajo e femrave.
Turqia është shteti më i madh i vendeve të zgjerimit, me një popullsi prej 78 milionë banorësh në vitin 2015 dhe vjen i dyti për nga numri i popullsisë pas Gjermanisë, e cila kishte 81 milionë banorë në vitin 2015, por me popullsinë më të lartë se çdo shtet tjetër anëtar i BE-së. Nga ana tjetër, Mali i Zi është vendi më i vogël i zgjerimit në drejtim të popullsisë, me 622 mijë banorë, disi më i vogël se sa popullsia e Qipros (847 mijë), por më e madhe se ajo e Luksemburgut (563 mijë) ose Maltës (429 mijë).
Zhvillimi i numrit të banorëve brenda vendeve të zgjerimit ka ndjekur një model të ndryshëm gjatë periudhës 2005-2015.
Maqedonia nuk lejon ndërtimin e HEC-eve në Mavrovë
Maqedonia po bën atë që Shqipëria nuk arriti dot të bënte me HEC-et që do të ndërtohen në Valbonë, duke mos arritur dot të anulonte tërësisht kontratat (në total 14, ndërsa pritet të zbatohen 3 prej tyre).
Maqedonia sjell shembullin e një “lufte mjedisore” që ka nisur në vitin 2011 dhe që tashmë duket se ka përfunduar me tërheqjen nga ndërtimi të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Institucioni ka njoftuar zyrtarisht se ka anuluar ndërtimin e hidrocentralit Boskov në Parkun Kombëtar të Mavrovës, në Maqedoni.
Më 2011, vlera e këtij projekti u raportua në 84 milionë euro.
Organizata Ekologjike Eko-svest, së bashku me ekspertë të ekologjisë dhe aktivistë e kanë kundërshtuar që në fillim ndërtimin e këtyre HEC-eve.
Argumentimi i tyre ishte se parku duhet të ruante natyrën e tij dhe jo të bëhej qendër për projektet e mëdha infrastrukturore.
Mavrova është parku më i madh natyror në Maqedoni dhe një nga vendstrehimet për rrëqebullin.
“Ne jemi shumë të kënaqur që BERZH njohu shqetësimin tonë dhe që kuptoi rëndësinë që ka ruajtja e habitatit natyror për këtë kafshë të rrallë, e cila do të shkatërrohej me ndërtimin e kësaj vepre”, thanë aktivistët e Eko-svest.
Kapaciteti i HEC-it do të ishte 70 MW dhe do të gjeneronte rreth 118 GWh.
BERZH-i, nga studimet, kishte vlerësuar se ndërtimi nuk do të kishte ndikim të ndjeshëm në mjedisin dhe në biodiversitetin e Mavrovës. Banka do të financonte 65 milionë euro, ndërsa 18 milionë euro do të financoheshin nga kompania shtetërore ELEM. Në total, qeveria e Maqedonisë kishte parashikuar të ndërtonte dy HEC-e të mëdha dhe 15 të vogla në Mavrov.
Në maj të vitit të kaluar, Gjykata e Maqedonisë anuloi licencën për ndërtimet në Boskov, duke argumentuar se do të kishte ndikim në mjedis. Pas kësaj, aktivistët i kërkuan BERZH-it që të tërhiqej nga financimi.
Ky është shembulli i ngjashëm me atë që kërkonte të bënte qeveria shqiptare në Valbonë me ndërtimin e 14 HEC-eve. Por, ndryshe nga Maqedonia, beteja nuk u fitua e gjitha.
Hungaria e shpall Sorosin non grata
Në mes të janarit nënkryetari i partisë Fidesz të kryeministrit Viktor Orban nënshkroi ndalimin e tri OJQ-ve të themeluara nga Fondacioni Soros – organizatën e të drejtave të njeriut “Komiteti i Helsinkit”, Unionin hungarez “TASZ ” (Civil Liberties Union) dhe organizatën e antikorrupsionit Transparency International. Një projektligj është vendosur në axhendën e legjislativit për në pranverë.
Qysh në vitin 2014 Orban nxiti edhe hetimet ndaj fondacioneve të financuara nga Norvegjia duke i deklaruar si “aktivistë politikë” të grupeve të shoqërisë civile, që financohen nga bota e jashtme. Shefi i pushtetshëm i kabinetit të Orbanit, Janos Lazar, një vit më parë pati përpiluar një listë të zezë duke renditur në të organizatat civile të cilësuara si “problematike”.
“OJQ-të janë ndër të paktat forca që ende kanë mbetur në Hungari, që janë në gjendje të bëjnë diçka në mbrojtje të demokracisë”, thotë drejtorja ekzekutive e organizatës “TASZ”, Stefania Kapronczay. Në një deklaratë “TASZ” e quan këtë qëndrim një “pikë kritike në fushatën e qeverisë kundër të drejtave të lirisë”, Kapronczay e cilëson këtë si një “putinizim të Hungarisë”.
Në vitin 2015, prokurori i Përgjithshëm rus i deklaroi dy fondacione të Sorosit si “të padëshiruara”. Të prekura ishin fondacionet “OSI Assistance Foundation” dhe “OSF”. Të dyja këtyre organizatave u është ndaluar aktiviteti në Rusi. Këtë masë prokuroria e Përgjithshme e pati argumentuar se, fondacionet e Sorosit me aktivitetin e tyre rrezikojnë bazat e rendit kushtetues dhe sigurinë e Rusisë.
OJQ-të e vëna në shënjestër në Hungari mbështeten kryesisht nga “Fondacioni i Shoqërisë së Hapur” (OSF) të miliarderit amerikano-hungarez, George Soros. Ky i fundit dikur në fillim të viteve ‘90-të u brohorit si një çlirimtar në Hungari. Duke ndihmuar rënien e komunizmit, duke siguruar makinat fotokopjuese për botimet e opozitës liberale Samizdat, ai mori përsipër themelimin e Universitetit prestigjioz të Evropës Qendrore në vendlindjen e tij në Budapest dhe e ktheu qytetin në një qendër rajonale për Fondacionet e tij të Shoqërisë së Hapur (OSF) një rrjet i madh bashkëpunimi për mbi 60 OJQ në Hungari.
Por qëkurse vizioni i kryeministrit hungarez, Viktor Orban po kërcënohej prej globalizimit të demokracisë liberale, Sorosi 86-vjeçar u shpall persona non grata në Hungari dhe idealet e “Shoqërisë së Hapur” u vunë në shënjestër.
Shtëpia e Bardhë dhe politika e jashtme
Administrata Trump po lëviz me shpejtësi për të zbatuar politika të reja të brendshme dhe të jashtme dhe për të ndryshuar disa nga politikat e vjetra. Dje, gjatë konferencës së parë zyrtare për gazetarët, sekretari i shtypit të Shtëpisë së Bardhë paraqiti disa nga fushat në të cilat administrata e re po ndërmerr një qasje të ndryshme. Presidenti Donald Trump nuk humbi kohë për të paraqitur pozicionet e tij kyçe të politikës së jashtme, si tërheqja nga Marrëveshja e Partneritetit të Trans-Paqësorit: “Ajo që duam është tregti e drejtë. Dhe ne do t’i trajtojmë vendet drejt, pra edhe ato duhet të na trajtojnë njësoj”.
Administrata sinjalizoi gjithashtu një ndryshim të mundshëm për të punuar me Rusinë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer e la të hapur mundësinë e veprimeve të përbashkëta ushtarake në Siri. “Nëse ka një mënyrë për të luftuar ISIS-in me çdo vend, nëse është Rusia apo dikush tjetër, dhe ne kemi interes të përbashkët kombëtar, sigurisht që do ta shfrytëzojmë mundësinë”.
Për luftën në Irak, zoti Trump tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara duhet të kishin mbajtur naftën. “Nëse do ta kishim mbajtur naftën ndoshta nuk do të shihnim ISIS-in, pasi nga nafta i sigurojnë ata paratë. Duhet ta kishim mbajtur naftën. Por ndoshta do të kemi një shans tjetër”.
Zoti Spicer sqaroi: “Mendoj se presidenti kërkon të sigurojë që Amerika po merr diçka mbrapsht nga angazhimi dhe sakrifica që kemi bërë”. Zoti Spicer kundërshtoi njoftimet se kur zoti Trump vizitoi CIA-n të shtunën, zyrtarë të lartë të zbulimit shprehën mospajtim me pohimet e tij se ai nuk ka përplasje me komunitetin e zbulimit.
“Nuk mendoj se kjo është e saktë. Në fakt, mendoj se kur dëgjoni audion e takimit, mund të ndjeni entuziazmin në sallë”. Përsa u përket tensioneve që lidhen me territorin e kontestueshëm në Detin e Kinës Jugore, zoti Spice tha se Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë mbrojtjen e interesave të tyre në ujërat ndërkombëtare. Ai nuk tha nëse administrata beson se këto ujëra përfshijnë zonat ku Kina ka pretendime.
Skenari i Krimesë në Kosovë, përse po hesht Brukseli?
-Zoti president, cilat janë pritjet tuaja nga kjo fazë e dialogut dhe cilat janë temat që do të shqyrtoni?
Nuk është specifikuar për këtë takim ndonjë temë e veçantë, por unë do të kërkoj nga zonja Mogherini që të jetë e qartë dhe e saktë në raport me Beogradin. Beogradit duhet t’i bëhet presion i fuqishëm që të mos cënojë edhe më tutje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Beogradi duke parë heshtjen e Brukselit, po inspirohet edhe më shumë në planet e tij për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkangjitjen e saj me Serbinë. Diçka e tillë nuk do të ndodhë, sepse Kosova do t’i përgjigjet me fuqinë e saj kushtetuese dhe ligjore çdo pretendimi për agresion të Serbisë.
-Ju keni thënë se nga kjo fazë e dialogut nuk pritet shumë. Pse?
Unë dua që të ndodhë një marrëveshje e madhe politike, që do të çonte deri tek normalizimi i raporteve Kosovë–Serbi, si shtete dhe të ndodhë procesi i pajtimit shqiptaro–serb. Por në të njëjtën kohë ne si Kosovë duhet të jemi të përgatitur që t‘i përgjigjemi planeve ogurzeza të Serbisë, për aneksimin dhe ndarjen e Kosovës. Beogradi është bërë sërish epiqendër e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me pretendimin për krijimin e Serbisë së Madhe. Mendoj se është momenti që BE të tregojë zotësi, sepse Serbia nuk mund të jetë pjesë e familjes evropiane dhe të sillet me idetë, mendimet dhe pretendimet e Sllobodan Millosheviçit.
-Cilat tema duhet të trajtohen në këtë fazë të dialogut, sepse marrëveshjet e arritura deri tani nuk janë realizuar?
Marrëveshja e arritur në prill të vitit 2013, ka qenë një marrëveshje e paqës. Shumica e marrëveshjeve janë realizuar, por tani është momenti që ky proces të avancohet në nivelin më të lartë dhe të përmbyllet procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve tona.
-Mendoni se ka ardhur koha e trajtimit të njohjes së Kosovës si shtet nga Serbia, apo kanë mbetur edhe gjëra të tjera që kanë prioritet?
Nuk kemi çfarë të bisedojmë për gjëra të tjera. Jemi dy vende sovrane dhe për gjërat tona të brendshme nuk do të bisedojmë me Serbinë në asnjë rrethanë. Nuk do të lejojmë që Serbia të manipulojë dhe viktimizojë serbët e Kosovës për qëllime të veta politike apo ekspansioniste. Ata janë qytetarët tanë. Por unë mbetem ithtar i dialogut dhe bashkëpunimit, me qëllim që këto shtete të jenë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Pa fqinjësi dhe bashkëpunim të mirë mbi bazat e vlerave demokratike nuk mund të ketë anëtarësi në këto organizma.
-Kohët e fundit është kërkuar shumë ndërprerja e dialogut me Serbinë, sepse nuk ka dhënë rezultatet e duhura. Kjo është thënë në veçanti në kuadër të debatit pas arrestimit të Ramush Haradinaj. Do të trajtohet edhe çështja e fletëarresteve në këtë dialog?
Askush nuk duhet të presë që unë të ndikojë tek Begoradi për fletëarreste, sepse edhe unë vetë jam në fletëarrestet e Serbisë, jam ndaluar sikur dhe shumë komandantë dhe bashkëluftëtarë të mi. Këtë autoritet e ka vetëm BE-ja, e cila duhet të jetë e prerë në kërkesat që Serbia të ndërpresë provokimet ndaj Kosovës dhe të ndërpresë axhendën për destabilizimin e Kosovës. Ndaj BE-ja duhet të jetë më e fokusuar në kërkesat që Beogradi të heqë ato fletëarreste, sepse janë nga periudha e Sllobodan Millosheviçit dhe janë nga koha kur Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Por e përsëris, Serbia e ka humbur luftën në Kosovë, e ka humbur betejën në negociata dhe sot Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Tani Serbia pretendon që ta prezantojë Kosovën para botës si një shtet i dështuar. Kosova është shtet i konsoliduar, storje suksesi dhe Serbia do ta humbë edhe këtë betejë.
-Kohët e fundit në Kosovë kanë ndodhur disa gjëra jo të këndshme, siç ishte muri në Mitrovicë, treni laraman, arrestimi i Haradinajt… Ka pasur madje edhe spekulime për konflikte të armatosura. Sa realist është ky skenar?
Të gjitha këto incidente janë të njëpasnjëshme dhe të lidhura mes vete, të provokuara direkt nga Beogradi – muri, arrestimet dhe treni. Muri është çështje e Kosovës dhe Kosova duhet ta heqë në tërësi këtë mur. Nuk guxon të ekzistojë një mur i këtillë në Mitrovicë dhe këtë çështje nuk do ta diskutojmë fare me Beogradin. Sa i përket trenit, ai ishte me motive të qarta provokuese për Kosovën dhe i inspiruar me modelin rus, por vendosmëria e Kosovës bëri që ai tren të mos i afrohet kufirit të Republikës së Kosovës. Ndryshe, sikur të afrohej, nuk mund të them se nuk do të fillonte ndonjë konflikt i armatosur. Kosova ka qenë e gatshme t’i përgjigjet në mënyrë shtetërore këtij provokimi. Ne kemi informacione se në tren ka pasur armatim dhe njerëz paramilitarë me qëllim që të futen në Kosovë dhe destabilizojnë Kosovën. Njëkohësisht e njohim edhe planin serb për ndarjen e Kosovës, por e dimë po ashtu se Serbia po i armatos serbët në veri.
-Keni ju dëshmi konkrete për këto pohime, për armatimin e serbëve të Kosovës, sepse një gjë e tillë është shumë e rrezikshme dhe vërtetë mund të çojë deri te konfliktet?
Definitivisht, Serbia është duke përdorur modelin rus në Ukrainë. Po dërgon civilë, por edhe njerëz me uniforma në Veri dhe është duke armatosur serbët me armë dore, por edhe me armë të tjera, në mënyrë që të jenë të përgatitur për t‘u mbrojtur nga kinse sulmet shqiptare. Por unë i ftoj serbët që të mos bien pre e politikës nacionaliste të Beogradit, të një politike, e cila i ka shkaktuar dhimbje të mëdha serbëve edhe më parë. Në vend të thirrjeve të Serbisë për luftë, unë serbëve të Kosovës ju bëj thirrje për paqë dhe dialog. Në vend të thirrjeve për ndarje etnike dhe territoriale, unë ju bëj thirrje për integrime në NATO dhe BE.
-Këto ditë edhe nga intelektualë të njohur në Kosovë janë dëgjuar propozime për ndarjen e Kosovës. Ekziston ky skenar si mundësi?
Jo, ne jemi kundër ndarjeve, sepse ndarjet janë vetëm hyrje në koncepte të rrezikshme që mund të përfshijnë tërë Ballkanin Perëndimor. Kosova angazhohet për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.
-Heqja e murit ka qenë e parashikuar për datën 20 janar, por kjo nuk ka ndodhur. Kur do ta hiqni murin në Mitrovicë dhe a keni frikë se atje mund të ketë konflikte?
Muri duhet të hiqet, është dashur të hiqet dje, por duhet të hiqet sa më parë që është e mundur, sepse nesër mund të jetë vonë.
-Kur do të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sepse këtë obligim e keni marrë Ju në Bruksel?
Kosova i ka marrë obligimet e veta dhe kjo është pika e parë në marrëveshjen e arritur në vitin 2013. Asociacioni është e drejtë kushtetuese dhe ligjore, për të cilin e ka dhënë mendimin edhe Gjykata Kushtetuese. Me rëndësi për ne është të respektojmë ligjet dhe Kushtetutën. Ky asociacion nuk do të ketë fare mandat legjislativ dhe ekzekutiv, por do të mundësojë bashkëpunimin e komunave, sikur që mundëson edhe asociacioni i komunave me shumicë shqiptare.
-Kur do të themelohet ky asociacion, sepse kjo marrëveshje është kundërshtuar shumë në Parlament dhe në rrugë?
Ne shtetin nuk mund ta ndërtojmë vetëm me hapa elektoral apo politikë ditore. Ne shtetin do ta konsolidojmë vetëm, duke marrë vendime madhore në interes të vendit dhe qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnike për një Kosovë demokratike dhe multietnike. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e rrezikon Kosovën. Përkundrazi formimi e rrezikon axhendën e Serbisë dhe futjen e serbëve të Kosovës në axhendat e Beogradit.
-Çfarë prisni nga BE dhe Gjermania për zgjidhjen e këtyre tendosjeve në Ballkan, sepse tendosje ka jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje, Maqedoni dhe vende të tjera?
BE nuk është duke treguar lidership dhe vizion në raport me Ballkanin Perëndimor. Brukseli është duke u vonuar dhe këtë hapësirë po e shfrytëzojnë elementët antievropianë. Ndërsa, Gjermania ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm pozitiv, konkret dhe vizionar. Mendoj se BE duhet të ketë një politikë kohezive përballë sfidave në Ballkan. Pikërisht kjo vonesë e BE ka krijuar pakënaqësi dhe e ka ngritur tonin nacionalist në Beograd, ndërsa ne duhet t’i përgjigjemi atij si vend i pavarur dhe sovran. BE duhet përfundimisht të fillojë të trajtojë Kosovën si vend sovran.
-Zoti president, si do të ndikojë marrja e postit të presidentit të SHBA nga Donal Trump, sepse ka zëra që thonë se ai do të tërheqë trupat nga Ballkani dhe këtë rajon do ta lë nën influencën ruse?
Unë pak ditë më parë kam qenë në Uashington dhe kam biseduar me senatorë, kongresmenë dhe miq të Kosovës. Kam biseduar edhe me njerëz nga administrata e Presidentit Trump. Një gjë mund të konfirmoj dhe të siguroj qytetarët e Kosovës: SHBA punon si një sistem dhe mbi bazën e vlerave. Neve na kanë konfirmuar se SHBA do të vazhdojë të ketë vëmendjen tek Ballkani dhe Kosova. Dhe në asnjë mënyrë, gjithë ai investim i viteve të fundit nuk do të vihet në pyetje. Përkundrazi, do të kemi një pragmatizëm të qartë sa i përket ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe fuqizimit të frymës euroatlantike në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova do ta ketë një theks të veçantë.
-Do të thotë ky është një premtim dhe jo supozim? Keni ju premtime nga administrata amerikane se nuk do të tërhiqen trupat nga Ballkani dhe Kosova?
Unë kam besim të plotë dhe kam pasur diskutime serioze, ku është thënë se SHBA do të vazhdojë interesimin e fuqishëm për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor dhe nuk do të lejohet hapësira, të cilën e ka lejuar BE për elementë antievropianë në këtë rajon.
Në Veri të Kosovës janë futur edhe rusë
-Sa e fuqishme është influenca ruse aktualisht në Veri të Kosovës, sepse ditët e fundit ka pasur informacione madje edhe për kapjen e spiunëve rusë atje?
Serbia është duke shfrytëzuar stilin, metodat dhe format ruse sikur në Ukrainë. Dhe atje janë futur edhe rusë, të cilët janë duke bashkëpunuar ngushtë me Beogradin dhe janë duke përgatitur njësi paramilitare, ende pa uniforma, por të armatosur me armë moderne të dorës. Kjo po bëhet direkt nga autoritetet e Beogradit. Unë e kam ngritur këtë shqetësim edhe në BE dhe heshtja e tyre është shqetësuese. Një vonim i tillë ka ndodhur dikur edhe në Bosnje në vitet ‘90-të, një heshtje e tillë ka ndodhur edhe në Kroaci dhe Kosovë dhe i kemi parë pasojat. Ndaj BE duhet të kujtojë sjelljet e Beogradit nga kohërat e mëparshme, të cilat nuk dallojnë nga ato të sotmet.
-Këto informacione janë nga shërbimet e Kosovës apo dhe shërbime të tjera?
Këto janë informacione të sakta, të vërtetuara dhe të konfirmuara. Këto informaicone i kanë edhe autoritetet evropiane në Kosovë. Ndërsa përveç uniformës së NATO-s në Kosovë, ne çdo uniform tjetër do ta konsiderojmë si pushtuese dhe armiqësore dhe do ta marrë përgjigjen kushtetuese dhe ligjore dhe me forcën e shtetit.
-Zoti president, homogu juaj serb, Tomisllav Nikoliq ka paralajmëruar se në rast vrasjeje të ndonjë serbi, do të dërgojë ushtrinë në Kosovë. Keni frikë nga konfliktet ushtarake?
Presidenti Nikoliq ka ardhur në Kosovë edhe në vitin 1999, por ka ikur me bisht nën shalë. Çdo ardhje e trupave serbe në Kosovë do të përfundojë siç ka përfunduar edhe ushtria dhe policia e Sllbodoan Millosheviçit. Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë cënimin e sovranitetit të Kosovës.
Tre ditë pas çlirimit të Kosovës u 10- fishuan ushtarët e UÇK-së
-Zoti president, prej fillimit të këtij viti ka nisur punën edhe Gjykata Speciale. Do t’i përgjigjeni ju kërkesave për bashkëpunim me këtë Gjykatë?
Qëndrimi i shtetit të Kosovës është i qartë: Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Këtë barrë të rëndë Kosova duhet ta largojë nga vetvetja dhe duhet të bashkëpunojë edhe me këtë institucion. Politika duhet të largohet nga ky proces dhe duhet t’i hapë rrugë drejtësisë.
-Mendoni se të gjithë do t’i përgjigjen këtij bashkëpunimi, sepse në opinion spekulohet se edhe Ju jeni në listën e të akuzuarve të mundshëm?
Unë mendoj se ka qenë vendim i drejtë për shtetin që të krijohet kjo Gjykatë, ndonëse i kuptoj ata që e kundërshtojnë. Ky proces nuk duhët të individualizohet, sepse është përgjegjësi shtetërore e çdo qytetari të Kosovës që të jetë i përgjegjshëm për sfdidat që na presin. Por ne duhet t’i besojmë drejtësisë. Ne kemi përvojën e bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës dhe me gjykatat në Kosovë. UÇK ka bërë luftë të drejtë dhe e ka çliruar Kosovën.
-Si njeri që keni qenë në të gjitha proceset e dy dekadave të fundit, mendoni se vërtetë ka pasur trafikim organesh gjatë luftës?
Në asnjë rrethanë nuk mund të them që ka ndodhur një gjë të tillë, por nuk mund të them se nuk ka pasur keqpërdorime të uniformës së UÇK. Dua të them se në ditën e parë pas luftës në Prizren, ka pasur vetëm rreth 400-500 ushtarë. Ndërsa vetëm tri ditë pas çlirimit të Kosovës kanë arritur rreth 5000 persona me uniforma nga Shqipëria. Kështu që ka pasur sjellje të pa pranueshme dhe të pa pëlqyeshme, aspak etike për normat e procesit demokratik.
Maqedonia e SHBA duhet t’i mposhtin armiqtë, nga Sorosi
Wesley MARTIN
Maqedonia ka hyrë vrullshëm në vitin 2017, duke e vënë veten në një pozitë të fortë globale me zgjedhjen e politikanit me përvojë, Nikola Gruevski, si kryeministër të vendit, së fundmi. Megjithatë, vendi i vogël ballkanik vazhdon të përballet me fluksin e emigrantëve nga Lindje e Mesme duke korrur jostabilitet në Evropë, si dhe me qëllimet e diskutueshme të Fondacionit të George Soros brenda shoqërisë civile në Maqedoni. Përkundër ndërrimit të udhëheqësisë në SHBA, qartazi Maqedonia vazhdon të përballet me sfida, të brendshme dhe të jashtme. Më shumë se një milion njerëz kanë ardhur prej Turqisë dhe përmes Greqisë në tentim për të mbërritur në Bashkim Evropian. Edhe pse Maqedonia nuk është destinacioni final, vendi ia ka dalë ta menaxhojë situatën dhe miliona njerëz të prekur, duke iu ofruar kalim të sigurt përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor drejt Greqisë.
Maqedonia e ka dëshmuar se është një komb i fortë dhe i qëndrueshëm gjatë kësaj periudhe të rrëmujës masive përgjatë një rajoni kyç në Evropë. Me krizën e refugjatëve sirianë që e kanë bërë të ardhmen e Evropës të pasigurt, Maqedonia ka ndërhyrë duke e luajtur një rol udhëheqës e lehtësues, si dhe është duke e bërë pjesën e vet në luftë kundër terrorizmit dhe kërcënimit të ISIS-it. E ardhmja e anëtarit të NATO-s – me gjithë faktin se është e vogël në madhësi – ka vepruar si rrugë primare tranziti për refugjatët që kanë ikur nga vendet e shkatërruara nga lufta si, Siria, duke marrë masa të jashtëzakonshme për t’i adresuar çështjet e sigurisë dhe shqetësimet humanitare të shkaktuar nga kriza e refugjatëve. Për më tepër, përkundër faktit se është e rrethuar nga tri vende anëtare të NATO-s dhe BE-së dhe me jo stabilitet politik në rritje, Maqedonia është lënë e vetme që të merret me këtë krizë.
Maqedonia e ka luajtur një rol të madh në adresimin e një çështjeje globale, e cila ishte lënë në pragun e derës së saj. Dhe si rezultat i qartë i marrjes me këto sfida, Maqedonia iu ka rezistuar atyre. Por, përpjekjet kanë ndihmuar që ky vend i ndodhur nën radar, të bëhet një aleat jetësor në luftë kundër ISIS-it dhe në luftë kundër terrorizmit në përgjithësi.
Ndërkohë, Maqedonia është duke e luftuar një armik tjetër brenda kufijve të vet: miliarderin George Soros dhe fondacionin e tij. Soros dhe organizata e tij, të maskuar si një partnere ndërkombëtare e shoqërisë civile, janë duke u përzier në Maqedoni dhe politikën e saj për vite të tëra. Gjatë 25 viteve të këtij shekulli, ky grup amerikan i ka derdhur miliona dollarë gjithmonë duke e sulmuar partinë VMRO/DPMNE, pavarësisht se a ka qenë në opozitë apo qeveri dhe gjithmonë duke e përkrahur SDSM-në – ish-partinë komuniste të Maqedonisë. Ky është një rast i qartë i një tentimi për ta blerë ndikimin, për ta futur veten në mediat dhe politikat maqedonase dhe për të krijuar jo stabilitet nëpër vend dhe rajon.
Siç ka thënë edhe kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevksi, kur e ka përshkruar Sorosin dhe fondacionin e tij: “Fondacioni i tij është fondacioni më i fuqishëm në botë, në aspektin e financave dhe burimeve njerëzore dhe ka synime politike. Soros vendosi që ta përdorë pasurinë e vet për të ushtruar ndikim në dy drejtime – atë ideologjik për të krijuar të ashtuquajturën ‘Shoqëri të Hapur’ dhe atë financiar, përmes spekulimeve dhe rezultateve të njohura politike të së kaluarës në vende të caktuar për të përfituar në bursa. Pas ca kohe, të gjitha institucionet, ministrat, e mbase edhe qeveritë dhe shërbimet e tyre inteligjente, ndikohen nga pikëpamjet e tij, nga ideologjia e tij; synimet dhe mendimet e tij”.
Duhet të shihet qartë se kryeministri Gruevski është lideri i parë evropian që flet hapur dhe drejtpërdrejt kundër George Soros. Pushteti i Soros është aq i madh në Evropë saqë shumë persona ia kanë frikën që edhe emrin t’ia përmendin. Pse saktësisht një biznesmen amerikan do të interesohej në shpenzimin e miliona dollarëve në Maqedoni?
Arsyet kryesore janë interesat ideologjike dhe financiare. George Soros ka për qëllim që ta dobësojë qeverinë maqedonase; të ushtrojë ndikim në zgjedhjet në vend dhe ta dobësojë Evropën duke e shfrytëzuar krizën e refugjatëve në Maqedoni, në mënyrë që ta ulë vlerën e monedhës evropiane përmes spekulimeve. Soros punoi me ambasadorin amerikan në Maqedoni dhe figura të tjera me ndikim, për t’i zbatuar planet e veta dhe për ta minuar sistemin politik të Maqedonisë.
Për fat të mirë, rezultati i zgjedhjeve ka treguar se George Soros dhe paratë e tij nuk mund dhe s’do të mund të fitojnë. Maqedonasit nuk do ta lejonin një gjë të tillë. Qytetarët e vendit votuan për udhëheqësinë politike dhe shumë qartë treguan se çfarë vendi dëshirojnë të kenë – dhe jo atë që Soros dhe miqtë e tij preferojnë. Populli ka folur: Maqedonia do ta kontrollojë të ardhmen e Maqedonisë. Ama, Soros nuk do të ndalet këtu dhe me kaq – mediat dhe njerëzit me ndikim të financuar nga instituti i tij për Shoqëri të Hapur po bëjnë një fushatë intensive me qëllimin kryesor që Gruevski të mos krijojë koalicion me partnerin e vet, BDI, i cili përfaqëson pakicën shqiptare. Ekziston një rregull i pashkruar në Maqedoni, i cili thotë se fituesi i zgjedhjeve gjithmonë e formon koalicionin me partinë, e cila ka më së shumti deputetë nga komuniteti shqiptar, i cili përfaqëson 25% të popullsisë në vend. Kjo i jep harmoni etnike Maqedonisë, si shtet i rëndësishëm për stabilitetin në rajon. Soros është duke e sulmuar principin me qëllim që të krijojë jo stabilitet në tërë rajonin. Por, populli ka folur dhe tani i takon Gruevskit dhe partnerit të tij shqiptar në koalicion, BDI-së, që ta respektojnë vullnetin e popullit: që t’i japin fund me Sorosin dhe të sjellin stabilitet në tërë rajonin.
Në fjalët e kryeministrit Nikola Gruevski, “Soros nuk mund të ketë sukses, sepse drejtësia është në anën tonë. Pavarësisht motiveve të tij, lufta jonë është e ndershme dhe e drejtë. Dhe s’do të ndalojë asnjëherë; dhe ai nuk mund të na largojë nga qëllimet tona dhe rruga e vërtetë. Ai nuk do të na largojë nga Maqedonia”.
Më 15 janar, diaspora maqedonase në SHBA u mblodh në Nju Jork, para “Trump Tower” për ta përkrahur zgjedhjen e presidentit Trump dhe luftën e tij kundër Soros. Ata i kërkuan presidentit të zgjedhur që ta ndihmojë Maqedoninë po ashtu në luftën e saj. Presidenti i zgjedhur e ka një ndjekës dhe aleat në Maqedoni në këto sfida të konsiderueshme, siç është kriza evropiane me refugjatë dhe lufta për sektor të lirë civil.
Kjo luftë e drejtë dhe ndershme do të jetë e suksesshme.
(Autori është kolonel i pensionuar i ushtrisë amerikane)
Financat e pranojnë: Na mungojnë 100 milionë euro
Të ardhurat buxhetore për gjithë vitin 2016 arritën 404.8 miliardë lekë, me një rritje nominale prej 6.8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave. Duke pasur parasysh se inflacioni mesatar vjetor ka qenë gati 2% dhe rritja e pritshme ekonomike mbi 3%, rezulton se zgjerimi real i të ardhurave për vitin e kaluar ishte më pak se 2%.
Dhjetori ka sjellë dhe një përkeqësim të ndjeshëm në raport me planin e rishikuar. Mosrealizimi për gjithë vitin 2016 ishte 9.6 miliardë lekë, nga 5.4 miliardë lekë që kishte qenë për 11-mujorin (kujtojmë se buxheti u rishikua një herë me ulje plani në shtator me rreth 4.1 miliardë lekë, çka e çon mosrealizimin me planin e fillimvitit në rreth gati 14 miliardë lekë – Plani fillestar i buxhetit në fillim të vitit ishte 418 miliardë lekë). Ky mosrealizim për vitin ka ardhur 5.8 miliardë lekë nga të ardhurat tatimore dhe 3.3 miliardë lekë nga ato jo tatimore, ndërsa të hyrat nga pushteti vendor kanë një tejkalim prej 450 milionë lekësh.
Vetëm në dhjetor mosrealizimi ishte 4.2 miliardë lekë, pothuajse sa për gjithë periudhën janar-nëntor, kryesisht si rrjedhojë e performancës së dobët të akcizës (-1.1 miliardë lekë), TVSH-së (-840 milionë lekë), ndihmave (-1.1 miliardë lekë).
Për gjithë vitin 2016, të ardhurat tatimore ishin rreth 370 miliardë lekë, me një rritje prej 8.1% me bazë vjetore, por ishin 5.8 miliardë lekë më pak se plani.
Zëri që vijon të performojë më dobët është ai i TVSH-së, që ndonëse është zgjeruar me 4.5% në 132 miliardë lekë, mbetet 6.2 miliardë lekë më pak se plani.
Tatim fitimi ka qenë zëri me performancën më të mirë në buxhet në vitin 2016, duke u rritur me 17% në 29 miliardë lekë dhe duke sjellë 4.8 miliardë lekë më shumë se plani.
Që prej tetorit, tatimet nuk marrin më pagesën prej 5 milionë dollarë nga Bankers Petroleum, pasi raporti auditues i palës së tretë mbi mosmarrëveshjen e taksave për vitin 2011 i ka dhënë të drejtë Bankers. Për më tepër kompania i ka paguar në total 37 milionë dollarë deri më 30 qershor 2016 zyrës së taksave si derdhje për tatimin fitimin e vlerësuar për vitin 2011, të cilën tatimet duhet ta kthejnë mbrapsht. Sipas burimeve nga Bankers, kompania nuk ka marrë asnjë pagesë deri tani.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e tatim fitimit është performanca e operatorit shtetëror të shpërndarjes, që deri për 9-mujorin kishte paguar rreth 1.3 miliardë lekë tatim fitimi, sipas të dhënave nga kompania.
Akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale kishin një mosrealim përkatësisht me 2.7 miliardë lekë dhe 781 lekë.
Pushteti vendor ka pasur ecuri më të mirë, duke rezultuar 450 milionë lekë më shumë se plani, ndërsa në total, zgjerimi i të ardhurave të këtij zëri ka qenë 28%, si rrjedhojë e pothuajse dyfishimit të të ardhurave nga taksa lokale, por edhe ajo e pasurisë është rritur me gati 20%.
Pozitive ka qenë dhe ecuria e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, me një rritje përkatësisht me 11 dhe 12% në përputhje me planin.
Kanë qenë institucionet buxhetore ato që kanë “zhgënjyer” më shumë financat. Mosrealizimi i planit për vitin ishte 3.4 miliardë lekë, nga i cili 2.5 miliardë lekë ishin institucionet buxhetore.