22.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Shqipëria, vendi rekord në rajon për taksat e larta

Sipas të dhënave të tjera krahasuese, Shqipëria mban rekord në rajon për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%…
Punonjësit shqiptarë me paga të larta, ndryshe nga ata të Kosovës e Maqedonisë, janë më të prirur të mos deklarojnë të ardhurat e tyre, duke preferuar të qëndrojnë të padeklaruar.
Rezultati ka dalë në studimin “Punonjësit në hije, ekonomia e fshehur dhe puna e padeklaruar në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë”, të realizuar nga CRPM në Maqedoni, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Shqipëri dhe D4D në Kosovë.
“Sistemi tatimor progresiv i implementuar në Shqipëri, pa masa pozitive për të nxitur punonjësit me paga të larta të deklarojnë punën dhe paguajnë taksat e tyre, mendohet të rrisë nxitësit për aktivitete të fshehura ekonomike domethënë evazion fiskal”, thuhet në studim.
Të anketuarit në studimin e përbashkët janë pyetur nëse janë dakord me pohimin “Do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët”.
Përgjithësisht pritet që individët me të ardhura më të ulëta të kenë më shumë të ngjarë të ndajnë opinionin se ata do të preferonin të ishin punonjës të padeklaruar me një pagë më të lartë, sesa të deklaruar me një pagë më të ulët. Megjithatë për Shqipërinë rezulton se niveli i pranimit rritet për individët më të ardhura të larta (>728 euro) dhe më shumë prej tyre ka të ngjarë të bien dakord me këtë opinion sesa individët që i përkasin kategorisë së mëparshme të të ardhurave.
Të dhënat për Shqipërinë megjithatë tregojnë një histori të ndryshme nga Kosova dhe Maqedonia. Në përgjithësi ajo që konstatohet për Maqedoninë dhe Kosovën është se në rastin e mosrënies dakord me pohimin (do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët) kurba ka tendencë rritëse me rritjen e nivelit të të ardhurave. Në Shqipëri, punonjësit shqiptarë që jetojnë në familje që fitojnë deri në 728 euro, pajtohen dhe nuk pajtohen me deklaratën, në përqindje relativisht të ngjashme me atë që mund të shihet në Maqedoni dhe Kosovë. Por, niveli i pranimit, bie nga 65% në 61% për punëmarrësit më të pasur, që kanë të ardhura më të mëdha se 728 euro. Pra, në rastin e Shqipërisë, me rritjen e nivelit të të ardhurave ulet mospranimi me deklarimin e sipërpërmendur.
Sipas studimit, mund të ketë shumë faktorë të ndërthurur, që janë përgjegjës për këtë mospërputhje, por njëri prej tyre mund të jetë i lidhur me faktin se që nga viti 2014 Shqipëria anuloi taksën e sheshtë 10% të tatimit mbi të ardhurat dhe zbatoi tatimin mbi të ardhurat progresive prej 13% për të ardhurat mes 220 dhe 950 euro, si dhe një tatim i të ardhurave prej 23% e të punësuarve me të ardhura më të mëdha se 950 euro. Tatimi progresiv i të ardhurave është një barrë shtesë e taksave, që mund të nxisë punonjësit me të ardhura më të larta, të kenë një qëndrim negativ ndaj formalizimit të bizneseve, të cilat nga ana tjetër mund t’i bëjnë ata që të kërkojnë mënyra se si të shmangin e të mos deklarojnë aktivitetin e tyre ose masa të tjera për të shmangur pagimin e taksave, pavarësisht se i kanë mundësitë për ta bërë këtë.

Rezultatet e sondazhit

Duke vlerësuar nivelin e pranimit me deklarata të ndryshme që lidhen me ekonominë e fshehur, atëherë bëhet e qartë se niveli aktual i kënaqësisë me pagën e tyre, për shumë punëtorë, është shumë më i rëndësishëm se siguria afatgjatë, që lidhet me kontributet shoqërore dhe shëndetësore të paguara rregullisht.
Specifikisht, 22.1% e të anketuarve në Maqedoni janë përgjigjur se preferojnë të jenë punëtorë të padeklaruar me një pagë më të lartë, se sa punëtorë të deklaruar me një pagë më të ulët, 22.7% në Shqipëri dhe mjaft interesante, vetëm 7% në Kosovë. Kosovarët kanë perceptime pozitive mbi ekonominë formale dhe e shohin atë si më të qëndrueshme në terma afatgjatë, duke pasur parasysh përfitimet që ata do të kenë në aspektin e kontributeve të pensionit.
Mospajtimi me deklaratën (do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët) nga ana tjetër është i fortë në të gjitha këto tri vende që variojnë nga 65.3% e të punësuarve në Maqedoni (përmirësim nga 58.6% në vitin 2014), 58.5% e të punësuarve në Shqipëri dhe 69.1% në Kosovë.
Midis 67% dhe 72% e të punësuarve maqedonas nuk pajtohen me deklaratën (do të preferoja të isha një punonjës i padeklaruar me një pagë më të lartë sesa i deklaruar me një rrogë më të ulët), ndërsa midis 22% dhe 17% prej tyre pajtohen me deklaratën në mënyrë të ngjashme në të gjitha nivelet e të ardhurave të familjes. Kjo tregon një përmirësim të madh nga viti 2014 (sheshimi i kurbave marrëveshje / mosmarrëveshje), veçanërisht në nivelet e të ardhurave të familjes që luhaten nga 0 deri në 325 euro.
Punonjësit e Kosovës duket se po ndjekin perceptime të ngjashme si ata në Maqedoni në vitin 2014, që shkon në favor të argumentit se problemi i punës së padeklaruar është në masë të madhe i lidhur me nivelet e larta të varfërisë dhe është në të vërtetë një mekanizëm përballues i përdorur nga individët që përpiqen që të mbyllin nevojat e tyre me financat që kanë. Megjithatë, ky lloj mendimi dhe sjellja e tij konsekuente rrit rrezikun, që grupet e pafavorizuara ekonomikisht të jenë edhe më shumë në rrezik, kur vjen nevoja për pagesa sociale.
Të dhënat e paraqitura në studim janë të bazuara në tre pyetësorë të popullsisë me metodologji identike, me përfaqësim rajonal dhe demografik të kryera në maj dhe qershor 2016 në Maqedoni (1097 pjesëmarrës), Shqipëri (1102 pjesëmarrës) dhe Kosovë (1100 pjesëmarrës).

Shqipëria, taksat më të mëdha mbi pagat e larta në rajon

Sipas të dhënave të tjera krahasuese, Shqipëria mban rekord në rajon për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta.
Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.
Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15% duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.
Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%.
Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro. Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%).
Në Bosnje-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.

Monitor

Vendimet e para të Trump, ç’do ndodhë me emigrantët?

Adam Withnal

Donald Trump pritet të firmosë urdhra të tjerë ekzekutivë gjatë kësaj jave për të ndaluar refugjatët nga Siria dhe emigrantët myslimanë që të hyjnë në territorin e Shteteve të Bashkuara. Ai urdhëroi gjithashtu ndërtimin e murit të famshëm përgjatë kufirit me Meksikës ditën e mërkurë.
Presidenti po përgatitet të kufizojë aksesin brenda Amerikës për emigrantët, refugjatët dhe disa persona të pajisur me viza nga Iraku, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni, siç raporton “Reuters”, duke cituar burime të brendshëm të administratës së Trumpit. Ndërmjet kufizimeve të imponuara nga presidenti pritet të përfshihet një ndalesë disamujore në pranimin e emigrantëve nga të gjitha vendet, derisa Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Sigurisë së Atdheut të finalizojnë procesin “ekstrem të verifikimit”.
Nihad Awad, drejtuesi ekzekutiv kombëtar në Këshillin Kombëtar të Marrëdhënieve amerikano-islamike, i kritikoi raportimet e para në media në lidhje me urdhrat ekzekutivë të presidentit Donald Trump. “Këto urdhra ekzekutivë nuk do ta bëjnë vendin tonë më të sigurtë nga terrorizmi”, u shpreh ai në një postim në Twitter, “por do ta bëjnë atë më të frikësuar dhe më pak mikpritës”.
Përveç ndalimit të emigrantëve dhe refugjatëve, presidenti do të nisë të firmosë akte ekzekutive që përfshijnë përgatitjen për ndërtimin e murit të famshëm përgjatë kufirit të Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me disa plane të tjera përforcuese, sipas dy zyrtarëve të administratës Trump, të cilët folën me “Associated Press” lidhur me këtë çështje kaq shumë të diskutuar gjatë ditëve të fundit.
Përgjatë gjithë fushatës së tij, Donald Trump është zotuar se do të egërsonte shumë politikat e emigracionit në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe një ndalim të plotë të emigrantëve myslimanë që tentojnë të hyjnë brenda kufirit. Ai ka premtuar gjithashtu se do të ngushtojë shumë edhe sigurinë kufitare duke ndërtuar një mur përgjatë kufirit me Meksikën dhe do të detyrojë qeverinë meksikane ta paguajë atë.
Premtimi u kthye shumë shpejt në një nga politikat e para të presidentit Trump dhe marka dalluese e fushatës së tij fituese. Ai u duk më pas e zbuti disi qëndrimin kundrejt të dy politikave, edhe pse premtoi se do të implementonte një proces ekstrem verifikimi për emigrantët që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme.
Me të ardhur janari dhe inaugurimi zyrtar i presidentit të ri, ekipi i tij ka nisur t’i kërkojë Kongresit që të miratojë financimin e murit përmes buxhetit të posaçëm të vendit. Të mërkurën pasdite, presidenti vizitoi Departamentin e Sigurisë së Atdheut për të udhëzuar agjencinë në lidhje me nisjen e ndërtimit të murit dhe riparimin e gardhit ekzistues përgjatë kufirit. Urdhri ekzekutiv i firmosur nga presidenti pritet të rrisë edhe stafin që shërben në Agjencinë e Mbrojtjes së Doganave dhe Kufijve duke punësuar edhe 5 mijë punonjës të tjerë shtesë.
Një tjetër urdhër ekzekutiv pritet të vendosë nën shënjestër qytetet ku qeveritë lokale refuzojnë të dorëzojnë emigrantët pa dokumente tek autoritetet federale. “CNN” raporton se do të trefishojë burimet njerëzore për Doganat dhe Emigracionin dhe të udhëzojë federalët të identifikojnë emigrantët e jashtëligjshëm në Shtetet e Bashkuara.
Sekretari i shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Sean Spicer, tha për reporterët në fillim të javës se, presidenti Trump do të ketë si prioritet politikën e emigracionit gjatë javëve në vazhdim. “E rëndësishme është se presidenti e ka bërë shumë të qartë se duhet të udhëzojmë agjencitë të përqendrohen tek të gjithë individët që jetojnë në mënyrë të jashtëligjshme në Shtetet e Bashkuara dhe që kanë precedentë kriminalë apo përbëjnë rrezik për jetën dhe sigurinë e popullit amerikan”, tha ai gjatë konferencës për shtyp. “Këto do të jenë prioritetet e periudhës afatshkurtër të administratës”.

Trump kërkon hetim për manipulimin e votave

Presidenti amerikan, Donald Trump bëri thirrje për hetim në shkallë të gjerë lidhur me atë që ai e quan manipulim votash në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Ai ritheksoi bindjen se votat e miliona imigrantëve pa dokumente i kushtuan atij fitoren në votën popullore. Zoti Trump i njoftoi planet për hetime dje në mëngjes në Twitter. Dje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer u përsëriti gazetarëve pretendimin se 3 deri në 5 milionë emigrantë votuan në mënyrë të paligjshme për rivalen demokrate Hillary Clinton, pohim që zoti Trump e përmendi gjatë një takimi të hënën me udhëheqësit e Kongresit. “Kjo është një bindje që ai ka”, tha zoti Spicer. I pyetur nga gazetarët se çfarë prova ka presidenti për një pohim të tillë, zëdhënësi tha se zoti Trump “ka kohë që e beson këtë, bazuar në studimet dhe informacionet që ka”.
Por, zyrtarët e zgjedhjeve që kanë analizuar votimet e 8 nëntorit thonë se nuk ka pasur pothuajse asnjë shenjë për manipulim votash, aq më pak në atë shkallë për të cilën flet zoti Trump. Disa gazetarë në konferencën e shtypit në Shtëpinë e Bardhë e pyetën zëdhënësin se përse administrata nuk ndërmerr një hetim, në qoftë se presidenti beson se ka pasur mashtrime në shkallë të gjerë.
Zoti Spicer tha se presidenti Trump është i bindur në fitoren e tij në Kolegjin Elektoral dhe synon të përqendrohet në përmbushjen e premtimeve të fushatës. Ai shtoi se një hetim i mëtejshëm është i mundur. Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, u tha gazetarëve se ai nuk ka parë ndonjë provë manipulimesh me votën në zgjedhjet e 2016-s. Ndërkohë, udhëheqësi republikan i shumicës në Senat, Mitch McConnell tha se mashtrime me votën edhe ndodhin. “Ka gjithmonë argumente nga të dyja palët lidhur me përmasat dhe shpeshtësinë me të cilën ato ndodhin”, u tha ai gazetarëve.
Senatori i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, një prej kandidatëve republikanë që u mund nga zoti Trump në zgjedhjet paraprake, i bëri thirrje presidentit të mos e përsërisë pretendimin e tij, duke thënë se në qoftë se zoti Trump ka prova, atëherë duhet të thotë se përse i beson ato. Zonja Clinton fitoi votën popullore me rreth 3 milionë më shumë. Por zoti Trump fitoi në votën e Kolegjin Elektoral, sistemi që përdoret në SHBA për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve presidenciale.

Brexit dhe demokracia britanike

Pa vendimin e Parlamentit nuk ka Brexit vendosi Gjykata Supreme në Londër. Por polemika mbi vendimin tregon se në rrezik janë dhe parimet demokratike, mendon Barbara Wesel. Në fakt, ky proces nuk duhet të kishte qenë i nevojshëm. Sepse si mund të marrë guximin një qeveri që të nisë veprimet për daljen nga BE, pa marrë miratimin e përfaqësuesve të zgjedhur në lidhje me këtë gjë? Një gjë e tillë është antidemokratike dhe një sjellje që njihet përndryshe vetëm nga autokratët e tipit Putin apo Erdogan. Theresa May nuk i ka bërë mirë vetes dhe legjitimitetit të saj me përpjekjen për ta anashkaluar vendimin e Parlamentit dhe rezistencën politike për Brexit-in.
Mosmarrëveshja mbi Gjykatën e Lartë dhe vendimi i saj ka nxjerrë në pah pika të turpshme të verbra në demokracinë britanike. Kjo lidhet nga njëra anë me një klikë të brexit-sëve, të cilëve u duket çdo metodë e drejtë për të anashkaluar kundërshtarët e tyre politikë. Mosrespektimi nga ana e tyre i parimeve demokratike dhe mënyra e tyre e sjelljes tregon se konservatorët britanikë janë tashmë prej kohësh në rrugën e “trumpizimit” .
Puna ka shkuar aq larg, sa ministrja e Drejtësisë nuk i mori në mbrojtje gjykatësit më të lartë, kur shtypi i djathtë i akuzoi ata si “armiq të popullit”. Brexit-i duket se ka marrë tashmë karakterin e një politike shtetërore superiore, e cila justifikon çdo gjë. Dhe Brexit-i nuk po dëmton vetëm lidhjen me Evropën, por po dëmton seriozisht edhe vetë demokracinë britanike.

Ofendime të padurueshme ndaj ngritëses së padisë
Vërtet i pafalshëm dhe i neveritshëm është qëndrimi i përkrahësve të Brexit-it ndaj ngritëses së padisë, Gina Miller. Ajo i ka bërë vendit një favor me kërkesën në gjykatë për të zbatuar të drejtën e Parlamentit për këtë çështje të rëndësishme. Dhe ajo po paguan një çmim të lartë tani: ajo dhe familja e saj po marrin që prej asaj kohe kërcënime dhe po bombardohen me breshëri sharjesh. Gina Miller jo vetëm që u sulmua politikisht për nismën e saj, por edhe me fyerje të neveritshme seksiste dhe raciste. Dhe nga ana e Theresa May-t apo e ministrave të saj pro Brexit-it nuk pati paralajmërim që mosmarrëveshjet politike duhen të zgjidhen me forma civile dhe jo me anë të kërcënimeve me vdekje.
Boris Johnsonit, David Davisit dhe Liam Foxit, tri krerëve të grupit të Brexit-it u shkon për shtat çdo mjet për t’i mbyllur gojën opozitës. E në këtë mes nuk është ende vërtet e qartë se si do të funksionojë dalja nga BE-ja. Dhe përfitimi i Britanisë së Madhe dhe ekonomia e saj vihet në pikëpyetje edhe më tej nga shumë ekspertë. Por përkrahësit e Brexit-it vazhdojnë ta ndjekin qëllimin e tyre me një entuziazëm thuajse ndaj një feje dhe me të njëjtën mungesë arsyeje.

Schulz kundër Merkel në garën për kancelar

Politikani i BE-së, Martin Schulz sjell mjaft përvojë. Por deri më sot politikani socialdemokrat nuk ka qenë aktiv në politikën gjermane. Politika gjermane dhe Martin Schulz – deri më sot kjo mund të përmblidhej në një fjalë: Würselen. Qyteza Würselen me 38.000 banorë ndodhet në veri të qytetit të Ahenit. Këtu është rritur Martin Schulz, sot 62-vjeçar. Ai vazhdon të jetojë në këtë qytezë. Në Würselen ai ka qenë njëmbëdhjetë vjet kryetar bashkie nga viti 1987 deri më 1998. Këtu ai menaxhonte me të motrën një librari.

Nga librashitës president i Parlamentit Europian
Për më shumë se 20 vjet, Schulz me profesion librashitës ёshtё aktiv në Parlamentin Europian. Rritja e tij politike dhe dominimi i tij i madh janë të ndërthurura pazgjidhshmërisht me Bashkimin Evropian. Si asnjë tjetër ai e di se si për të dhënë apel publik dhe mendimin e fortë në Parlament në peshë gjithnjë politike në Strasburg dhe Bruksel. Schulz lufton me pasion kundër burokracisë monstruoze tё BE-sё, si dhe anijes kozmike Bruksel, qё ёshtё larguar gjithnjë e më shumë nga realiteti i jetës së shumë qytetarëve.
Schulz ishte ai që gjatё zgjedhjeve për Parlamentin Evropian më 2014 e solli nё vёmendjen e qytetarёve dhe siguroi akceptancёn pёr Parlamentin e BE-sё pothuajse tё padёshiruar në të gjitha 28 vendet anëtare. Përgjatё njё viti votuesit gjithashtu përcaktuan se cili do tё jetё kryetar i Komisionit të fuqishëm të BE-së. Mё parё kёtё e zgjidhnin kryetarёt e shteteve dhe tё qeverive pas dyerve të mbyllura. Vetë Schulz ishte kandidati kryesor i grupit socialist pёr postin e presidentit tё Komisionit, por atij iu desh tё pranojё humbjen kundrejt kandidatit tё grupit konservator Jean-Claude Juncker. Kësisoj Schulz për më shumë se dy vjet ka qenë në krye të Parlamentit Evropian, si president i tij. Ai e njeh mirë politikën evropiane dhe është mjaft bindës me deklarimet e tij. Për kontributin e tij të veçantë për Evropën në vitin 2015 Schulz u nderua me Çmimin prestigjioz të Karlit të Madh në Ahen. Qysh nga viti 1950 nderohen me kёtё ҫmim tё gjithё ata qё kanё merita tё posaҫme pёr Europёn. “Uniteti europian është arritja më e madhe që nga iluminizmi!”, është shprehur Schulz, duke marrë në dorëzim këtë çmim. Kjo është arsyeja, sipas tij, përse shumë vende e vlerёsojnё Europёn.

Fjalë të qarta për Rusinë, BE-në dhe Izraelin
Fakti që ai di t’i verë pikat mbi i në politikën ndërkombëtare, kjo do t’i vlejë atij edhe si politikan drejtues në Berlin. Lidhur me Rusinë nën presidentin Putin ai ka thekuar, se, “Ajo që bën Rusia është e papranueshme. Pas veprimeve agresive të Rusisë qëndron një koncept i shoqërisë, një botëkuptim, që nuk ka të bëjë me filozofinë tonë evropiane të respektit reciprok dhe të të qenit të hapur”. Lidhur me temën më të preferuar të tij, Bashkimin Evropian dhe forcimin e tij, Schulz është shprehur: “BE-ja ndodhet në një gjendje të mjerueshme. Forcat ekstreme centrifugale fitojnë zgjedhjet dhe referendumet. Nëse ne vemë tani në pikëpyetje thelbin e projektit evropian, atëherë ne rrezikojmë të ardhmen e brezave pasues”. Ai bëri bujë me fjalimin në Knesset, Parlamenti i Izraelit, në shkurt 2014, ku duke folur në gjermanisht kritikoi politikën e ngulimeve hebreje. Një sërë deputetësh si rrjedhojë u larguan nga salla plenare duke përplasur dyert.

Rezultat i shkëlqyer për socialdemokratët
Ndoshta mënyra e Schulz-it për t’i shprehur gjërat qartë është edhe arsyeja, përse atë e preferojnë shumë. Sipas sondazheve të fundit ai është ndër gjermanët po aq i preferuar sa edhe kancelarja kristiandemokrate Angela Merkel e shumë më i preferuar se kryetari i socialdemokratëve, Sigmar Gabriel. Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian më 2014 ai si kandidati kryesor i socialdemokratëve fitoi në Gjermani për këtë parti 27,3 për qind, një rezultat shumë më i mirë krahasuar me atë të kandidatit socialdemokrat për kancelar një gjysmë viti më parë (2014) Peer Steinbrück (25,7 për qind).
E po ashtu edhe brenda partisë e duan Schulz-in. Në shtator 2013 ai u zgjodh me gati 98 për qind si i ngarkuari për Evropën. Me këtë ai arriti rezultatin më të mirë në kryesinë e socialdemokratëve. Mbetet të shihet nëse Schulz në zgjedhjet parlamentare 2017 do të ketë sukses kundrejt kristiandemokrates Angela Merkel.

Korrupsioni ka prekur mbarë botën

Korrupsioni po përhapet në mbarë botën dhe pasojat janë dhe vdekjeprurëse.
Çfarë kanë të përbashkët kryebashkiaku i Regensburgut, Joachim Wolbergs, djali i presidentit të Guinesë Ekuatoriale, Teodoro (apo Teodorin) Obiangaus, ish-polici finlandez, Jari Aarnio dhe ish-presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye? Përgjigjja: Ata akuzohen për korrupsion. Sado të ndryshme që janë vendet, njerëzit dhe ngjarjet, ato konfirmojnë një prirje që ekziston në sektorin publik në gjithë botën. “Krahasuar me vitin e kaluar kemi më shumë vende që janë përkeqësuar se sa përmirësuar. Kjo më duket shqetësuese”, thotë drejtori i hulumtimeve të organizatës Transparency International, Finn Heinrich, në intervistë me “DW”-në.
Indeksi i ri i korrupsionit i organizatës Transparency International konfirmon edhe një prirje tjetër që i shqetëson ekspertët. Në të gjithë botën qeveritë shpallin që duan të luftojnë korrupsionin, por këto deklarata janë zakonisht fjalë boshe. Finn Heinrich thotë se gjithashtu bie në sy edhe një marrëdhënie mes pabarazisë sociale dhe korrupsionit. Kjo nuk është një tendencë që e vëzhgon vetëm në vende të veçanta, por një fenomen global:
“Për mua si studiues qe e habitshme lidhja e ngushtë ndërmjet pabarazisë dhe korrupsionit. Të dyja shkojnë dorë për dore dhe krijohet një rreth vicioz me më shumë korrupsion dhe më shumë pabarazi”.
Dy nga armët më të mira kundër korrupsionit janë vigjilenca e opinionit publik dhe shtypi i lirë, thotë Heinrich dhe sjell si shembull atë të qytetarëve brazilianë, të cilët dolën në rrugë vitin e kaluar, për të protestuar kundër korrupsionit në vend.
Korrupsioni mund të kushtojë edhe jetë njerëzish, thotë Finn Heinrich i Transparency International dhe sjell si shembuj ndërtimet gjoja të sigurta prej tërmetit në Itali, të cilat nuk qenë të tilla dhe u shembën gjatë tërmetit vitin e kaluar apo fabrikën e tekstilit Rana Plaza në Bangladesh, që u shemb, sepse tri kate shtesë qenë ngritur pa leje ndërtimi dhe kontrollin e statikës.

Gjermani, goditet grupi që planifikonte sulme ndaj policisë, hebrenjve dhe azilkërkuesve

Rreth 200 policë gjermanë kanë bastisur dhjetëra shtëpi në gjashtë shtete federale të mërkurën në kuadër të hetimeve ndaj të paktën një grupi të ekstremit të djathtë, raporton “Reuters”.
Bastisjet janë kryer ndaj gjashtë personave që dyshohen se planifikonin sulme me armë ndaj policisë, hebrenjve dhe azilkërkuesve, njofton zyra e prokurorit.
Deri më tash nuk është thënë nëse është arrestuar ndokush gjatë këtyre operacioneve policore.
Prokuroria nuk e ka identifikuar as grupin pjesë e të cilit janë të dyshuarit, por mediat gjermane raportojnë se bastisjet janë kryer kundër pjesëtarëve të një grupi që e quan veten “Reichsbuerger” apo “Qytetarët e Rajhut”.
Grupi nuk e njeh Gjermaninë e sotme si shtet legjitim pasi mendon që “Rajhu gjerman” me më shumë territor është ende gjallë, megjithë humbjen e Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Bastisjet e të mërkurës u kryen në Berlin, Baden-Wuerttemerg, Brandenburg, Saksoni të Ulët, Rhineland-Palatinate dhe Sachsen-Anhalt.

Ross Brawn kërkon ndryshime

Drejtori i ri i garave të “Formula 1”, Ross Brawn ka shpjeguar synimet e tij për ta bërë sportin më të ndjekur të automobilizmit më të pastër dhe më të thjeshtë, në mënyrë që më shumë skuderi dhe më shumë pilotë të mund të fitojnë.
Ish-drejtuesi i “Mercedesit”, i cili është emëruar si drejtor menaxherial i garave nga pronari i ri i “Formula 1”, është shfaqur kritik ndaj disa ndryshimeve të rregullores gjatë viteve të fundit. Brawn tha se donte që të “ngushtonte diferencat mes majës dhe fundit” dhe t’i jepte Formulës 1 një shtrirje më të gjerë. “Unë i kam idetë, ne duhet t’i studiojmë ato dhe ndoshta t’i përdorim në vitin 2018 apo 2019”, tha ai.
Brawn nuk harroi pa përmendur shembullin e Leicester Cityt në Premier League, një ekip që mundi të transformohej nga një kandidat për mbijetesë, në kampionë të Anglisë në një hapësirë kohore prej 12 muajsh, e mbi të gjitha me një buxhet të kufizuar.
62-vjeçari tha se, “të gjithë ne e dimë ngjashmërinë mes Leicesterit dhe asaj që mund të ishte ideale në F1. Pikërisht, kur një ekip i mirë, në një vit të jashtëzakonshëm dhe me një pilot të madh, vërtet të mund të sfidojnë për titull. Për momentin kjo gjë është e pamundur”.
Brawn është vënë në krye të disa ekipeve menaxheriale, pas largimit të Bernie Ecclestone nga pozicioni i shefit ekzekutiv. Presidenti Chase Carey, i emëruar pas marrjes së F1 nga “Liberty Media”, mban tashmë rolin e Ecclestone.
Por çfarë duhet të ndryshojë? Carey ka theksuar planet për ta promovuar më mirë këtë sport, duke organizuar më mirë garat në vendet respektive, e me një përdorim më të gjerë të mediave dixhitale e sociale. Brawn, nga ana e tij, ka qenë tejet kritik ndaj vendimeve të Ecclestone, siç ishte adoptimi i dyfishitë të pikëve në garën e fundit prej vitit 2014, si dhe përpjekja afatshkurtër për të ndryshuar formatin e kualifikueseve (provave zyrtare) në fillim të sezonit të kaluar.
Po teknologjia, a duhet të ndryshojë? Brawn tha se aspekti “high tech” i Formulës 1 ishte një pjesë kyçe e ideve të tij, por shtoi se “duhet gjithnjë një balancë mes teknologjisë dhe aspektit sportiv”. Dhe më e rëndësishmja, a do të mund të fitojë titullin kampion një pilot i mirë me një skuderi të ashtuquajtur “të vogël”? Pjesë e diskutimeve për mungesën e konkurrueshmërisë është pikërisht shpërndarja e pabarabartë e buxhetit mes skuderive të mëdha dhe atyre të vogla.
“Niveli i burimeve të shfrytëzuara nga ekipet kryesore e ka bërë diferencën me më të vegjëlit tejet të madhe. Ideja ime është që të mund të nxjerrim, në momente të paparashikuara, një ekip nga fundi që të mund të fitojë. Për momentin, gjithsesi kemi vetëm dy apo 3 skuderi që mund të fitojnë, ndaj duhet ta shpërndajmë”.

Fabregas i pakënaqur

Cesc Fabregas i pakënaqur. Duket se kohët e fundit polemikat nuk mbarojnë në dhomat e zhveshjes së Chelsea-t. Pas debatit tashmë të lënë pas mes Diego Costa dhe trajnerit Antonio Conte, një tjetër emër i rëndësishëm i Bluve të Londrës, ka shprehur rezerva në lidhje me minutat e pakta që i vihen në dispozicion. Cesk Fabregas dikur në kohën kur Chelsea drejtohej nga Jose Mourinho ishte një titullar i padiskutueshëm, ndërkohë që sot, kur në krye të stolit të klubit anglez ndodhet një tjetër emër, situata nuk duket dhe aq komode për spanjollin. Deri më tani mesfushori, numëron vetëm 5 takime të nisura që nga minuta e parë. Shumë pak për një futbollist, i cili pretendon se meriton më shumë dhe këtë gjë nuk e ka fshehur aspak 29-vjeçari, i cili deklaroi se ndihet i trishtuar, kur nuk luan dhe se meriton më shumë minuta.
“Futbolli është gjithçka për mua. Luaj për të fituar dhe e shijoj në maksimum çdo ndeshje. Është e vertetë që ky sezon nuk ka qenë më i miri për mua dhe ky fakt më trishton. Mendoj se meritoj më shumë minuta, por ky është një vendim që i takon trajnerit. Personalisht përpiqem që sa herë emri im thirret, të japë më të mirën time”.
Më tej, mesfushori foli dhe për ndeshjen e fundjavës kundër Brentford, takim i vlefshëm për FA Cup. Fabregas shpreson që të jetë titullar në mënyrë që të rifitojë besimin e teknikut Antonio Conte.
Ndërkohë, Pep Guardiola kërkon më shumë kohë. Trajneri i Man.City nuk po kalon një moment të mirë në radhët e Citizens. Një gjë të tillë e kanë reflektuar dhe humbjet që skuadra ka pësuar në disa takime, sidomos në sfidat ndaj Leicester dhe së fundmi Evertonit. Por, tekniku po përgatitet të bëjë një ndryshim rrënjësor tek Citizens, që do ta ndihmojë atë në të ardhmen. 46-vjeçari ia ka bërë të qartë drejtuesve të klubit anglez se, skuadra duhet rindërtuar dhe për këtë atij i duhet një periudhë kohore prej pesë vjetësh.
Gjë për të cilën palët duket se kanë rënë dakord, pasi Guardiolës do t’i ofrohet dhe rinovimi i kontratës. Aktualisht Man.City në tabelën e klasifikimit ndodhet 12 pikë larg Chelsea-t të vendit të parë dhe numëron 7 humbje nga 33 takime të luajtura deri më tani me Guardiolën në stol në të gjithë kompeticionet. Gjatë verës, trajneri katalanas iu dha mundësia të shpenzonte shuma të mëdha parash, plot 194 milonë euro, në mënyrë që Citinenz të luftonin denjësisht në të gjitha kompecionet ku ata marrin pjesë, por deri më tani rezultatet kanë qenë larg pritshmërive. Revolucioni do të nisë, duke ulur moshën mesatare të futbollistëve, si dhe duke larguar një numër të madh lojtarësh. Gjithashtu vëmendje të madhe do t’i kushtohet dhe akademisë së të rinjve, ku do të vëzhgohen me kujdes talentet e së ardhmes.

Corinthias, një makinë lufte për Didier Drogba

Corinthias vazhdon të insistojë për Didier Drogba. Ish-sulmuesi i skuadrës së Chelsea është një legjendë e futbollit ndërkombëtar, pavarësisht se tashmë ai është 38-vjeç ofertat në drejtim të tij vazhdojnë të vijnë. Për momentin, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë është një lojtarë i lirë dhe mund të zgjedhë pa problem skuadrën e tij të ardhshme, ku mes tyre ka padiskutim edhe klube serioze që janë të gatshëm t’i ofrojnë një kontratë të mirë. Një gjë të tillë ka bërë skuadra braziliane e Corinthiasit, që i ka ofruar 38-vjeçarit një  parakontratë me shumë elementë të veçantë dhe origjinalë përveç parave.
Paga që i premtohet Drogba është 120 mijë dollarë në muaj, 6 bileta avioni Business Class, vajtje-ardhje nga Brazili për në Europë. Oferta nuk mbaron me kaq, në të janë të përfshira një vilë super luksoze, një përkthyes në dispozicion të sulmuesit 24 orë në 24. Drejtuesit e klubit brazilian duket se i dinë mirë shijet e futbollistit. Drogba është i apasionuar pas automobilave me dizenjo të veçantë dhe më shumë kuaj fuqi motorike, e në fakt makina që sulmuesit do t’i ofrohet është gati-gati një autoventurë lufte. Dëshira është e madhe dhe për t’ia bërë jetën sa më komode, skuadra braziliane ka menduar për gjithçka. Kontrata është një vjeçare dhe Drogba duhet të nxitojë për të marrë një vendim.