13.3 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Rinumërimi i votave nuk e ndal dot Trumpin

Rinumërimi i votave në tri shtete me rëndësi vendimtare me siguri që nuk do të ndryshojë gjë në fitoren elektorale të Trumpit.
Për shumë kundërshtarë të Trumpit, kemi të bëjmë me një shkëndijë të fundit shprese: kandidatja kryesore e të Gjelbërve amerikanë, Jill Stein kërkon të arrijë një rinumërim të votave në tri shtete amerikane, ku konkurrenca qe e fortë. Për projektin e saj Stein arriti të mbledhë brenda një kohe relativisht të shkurtër donacione në shumën prej më shumë se gjashtë milionë dollarësh. Fakti që për fushatën e saj elektorale Steinit iu desh të mjaftohej me vetëm 3,5 milionë dollarë, tregon se mbështetja për këtë iniciativë është masive. Po të sjellë rezultat të ri elektoral rinumërimi i votave në shtetet Uiskonsi, Miçigan dhe Pensilvani, kjo do të kishte pasoja për vendimin e Kolegjit Elektoral – dhe Clintoni do të bëhej vërtet Presidente e SHBA. Në këto tri shtete, për të cilat beteja ishte shumë e ashpër, fitimtar doli Donald Trumpi.

Jo më shumë se një shans “minimal”
Mbështetës të shquar të rinumërimit të votave, si Alex Halderman, profesor i informatikës në Universitetin e Michiganit, kanë shprehur dyshime në legjitimitetin e rezultatit të zgjedhjeve: ai tha se ka mundësi që të jetë ndërmarrë ndonjë sulm kibernetik kundër pajisjeve të votimit në shtetet me rëndësi vendimtare. Shkencëtarë të tjerë, si Charles Stewart nga Massachusetts Institute of Technology (MIT) u vënë pikëpyetje këtyre pohimeve.
Në ekipin elektoral të Hillary Clintonit, pas analizës që u bënë zgjedhjeve, fillimisht nuk u konsiderua e nevojshme që të kërkohet një rinumërim i votave, siç bëri të ditur ekipi në një artikull në faqen e internetit “Medium”. Ndërkohë, Hillary Clinton e mbështet iniciativën e Jill Steinit. Ndërsa, qeveria Obama bëri të ditur javën e kaluar se nuk janë gjetur dëshmi për mashtrim në zgjedhje, ajo është e bindur se rezultati i zgjedhjeve përfaqëson “vullnetin e popullit amerikan”.
Si “minimal” e quan edhe Edward Foley, drejtues i Departamentit të së Drejtës Elektorale në Fakultetin Juridik të Ohio State University shansin për një rezultat tjetër zgjedhor. “Kur në një shtet të SHBA rinumërohen plotësisht votat, rezultati elektoral zakonisht dallon më e shumta 100 vota. Dallimi më i vogël në votat e dy kandidatëve në zgjedhjet e këtij viti ishte në Miçigan. Atje Clintonin dhe Trumpin i ndajnë rreth 10.000 vota”.
Rritjen më të madhe të numrit të votave përmes një rinumërimi e arriti në vitin 2000 Al Gore në Florida. Pas rinumërimit atij iu njohën edhe 1200 vota të tjera. Por kjo nuk mjaftoi për të fituar dhe George W. Bush u zgjodh President. Për t’ia kaluar Trumpit në shtetet me rëndësi kyçe, Hillary Clintonit do t’i duheshin jo vetëm 10.000 vota shtesë në Miçigan, por edhe më shumë se 68.000 vota në Pensilvani dhe më shumë se 27.000 në Uisconsi.

Fjalën e fundit e ka Kongresi
Edhe një përpjekje tjetër, po kaq iluzore, synon ta mbajë larg postit të Presidentit Trumpin: rreth 4,5 milionë vetë kanë nënshkruar në internet një peticion, në të cilin i kërkohet Kolegjit Elektoral që të zgjedhë më 19 dhjetor Hillary Clintonin si presidente. 149 anëtarëve të Kolegjit Elektoral në 14 shtete federale, që i fitoi Trumpi, u kërkohet që në vend që të votojnë për të, të votojnë për Hillary Clintonin. Por ekspertët kujtojnë se nuk ekziston një rast precedent për këtë. Edhe nëse do të gjendeshin mjaft anëtarë të Kolegjit, që do të votonin për Clintonin në vend të Trumpit, rezultati duhet të aprovohet nga Kongresi. Dhe shanset janë shumë të vogla, që Kongresi të pranojë një rezultat zgjedhor të paraqitur nga anëtarë joseriozë të Kolegjit Elektoral.
Më 6 janar Kongresi i SHBA do të shpallë fituesin e zgjedhjeve.

Marrëveshje Turqi-Rusi për armëpushim në Siri

Turqia dhe Rusia kanë thënë se pajtohen se është i nevojshëm ndalimi i luftimeve në Siri, por dallimet të mëdha rreth konfliktit në mes të këtyre dy shteteve, mbesin.
“Armëpushimi duhet të arrihet për tërë Sirinë”, veçanërisht në qytetin verior të Aleppos, ka thënë kryediplomati turk, Mevlut Çavushoglu derisa ka folur në konferencën e përbashkët me homologun rus, Sergei Lavrov.
Konferenca është mbajtur në qytetin mesdhetar turk, Alania.
Çavushoglu ka thënë se Ankaraja pajtohet me Moskën se duhet arritur pajtim për armëpushim, nevojën për ndihmë humanitare, tranzicion politik, por ai ka thënë se qëndrimi turk për presidentin sirian, Bashar al-Assad mbetet i pandryshuar.
Turqia mbështet rebelët që po luftojnë për largimin nga pushteti të Assadit, derisa Rusia mbetet përkrahësi kryesor i regjimit në Damask.
Lavrov ka thënë se gjakderdhja në Siri duhet të ndalojë dhe se Moska është e gatshme të bisedojë me të gjitha palët në konflikt, si dhe të vazhdojë bashkëpunimin me Turqinë.
Por, ai gjithashtu ka thënë se Rusia do i vazhdojë operacionet në Aleppo, aty ku gjatë fundjavës qeveria siriane ka rimarrë një të tretën e zonave që kontrolloheshin nga rebelët.

Perëndimi është bashkëfajtor në Aleppo

Regjimi i Sirisë mesa duket ndodhet pak para fitores ushtarake në zonat e kontrolluara nga kryengritësit në metropolin sirian. Një fitore përfundimtare për Assadin? Rainer Sollich komenton.
Për Sirinë nuk ka zgjidhje ushtarake, përbetohen politikanë perëndimorë prej vitesh. Presidenti rus, Vladimir Putin, personi i favorizuar prej tij, Bashar al-Assad dhe aleatët e tij iranianë dhe libanezë mesa duket e shohin këtë ndryshe: pasi e bënë të vuajë nga uria me javë të tëra Lindjen e Aleppos, duke e bombarduar vazhdimisht, forcat e regjimit dhe njësi shiite aleate me to tani janë nisur që të marrin lagjet e fundit të mbajtura nga kryengritësit në metropolin e dikurshëm ekonomik. Për fatin e njerëzve atyre aq u bën. Rëndësi për ta ka vetëm fitorja ushtarake dhe demoralizimi i kundërshtarit.
Po SHBA dhe Bashkimi Evropian çfarë bëjnë? Praktikisht asgjë! Perëndimi paralajmëron dhe dënon, thërret konferenca, vë në rrugë rezoluta. Por në të vërtetë ai vetëm bën sehir. Rënia e Aleppos që po përvijohet është nga ky shkak një shpallje tjetër falimentimi politik dhe moral të politikës së Perëndimit ndaj Sirisë. Dhe të duket gati si qesharake, që t’i akuzosh Putinin dhe Assadin se po shfrytëzojnë aktualisht në mënyrë të ndërgjegjshme një vakum pushteti të krijuar nga zgjedhjet presidenciale në SHBA. Për këtë ata nuk kanë nevojë! Barack Obama nuk është kthyer në “lame duck” me fitoren e Donald Trumpit. I tillë ai ka qenë gjithmonë.

Nuk është krijuar vakum i ri pushteti
Obama donte të pengonte në Siri gabimet fatale, të cilat i patën shpëtuar paraardhësit të tij George W. Bush në Irak. Me këtë premisë vetëm të supozuar pacifiste, Obama e bëri veten dhe të gjithë Perëndimin bashkëfajtor në tragjedinë siriane. Sepse kjo inkurajoi para së gjithash Rusinë dhe Iranin, por edhe aleatë jo të sigurtë të SHBA në politikën e jashtme si Arabinë Saudite dhe Turqinë, që ta shndërrojnë Sirinë në një fushë beteje të interesave të tyre të ngarkuar me fe dhe etni.
Një rrugëdalje nga spiralja e urrejtjes dhe e dhunës, megjithë zhvillimet më të fundit nuk duket, po kaq pak po përvijohet ndonjë “zgjidhje” e natyrës politike ose ushtarake. Po të bjerë realisht në duart e Assadit Aleppo, atëherë këtu do të kemi të bëjmë me të vërtetë me një demonstrim të fortë dhe simbolik të fuqisë së regjimit: kjo tregon se nën mbrojtjen ruse, regjimi është në përparësi dhe se nuk mund të përmbyset. Por kryengritësit e moderuar dhe ata radikalë do të vazhdojnë të luftojnë në zonat rurale dhe do të gjejnë edhe më tej aleatë sunitë, të cilët do t’i armatosin rëndë për këtë. Edhe me terroristët e Shtetit Islamik hë për hë do të kemi ende të bëjmë – jo së fundi sepse Moska dhe Damasku, në kundërshtim me përbetimet e veta deri tani nuk i kanë luftuar vërtet.

Kriminelët e luftës në pushtet
Tragjedia e Aleppos përfaqëson simbolikisht një përfundim, i cili në fakt njihet prej kohësh: Bashar al-Assad, i dyshuari si krimineli më i madh i luftës i kohës sonë, do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet për aq kohë, sa Rusia dhe Irani të mos e lënë të bjerë dhe SHBA ta shohin duarlidhur. Por Assadi nuk do të mund ta paqëtojë Sirinë – as atëherë kur Donald Trumpi, siç druhen opozitarë sirianë, të bëjë pjesërisht aleancë me Putinin për Sirinë. Pra, vrasjet do të vazhdojnë.

Trump, marrëdhënie të mira me Pakistanin

Pakistani njofton se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, i ka ofruar ndihmë këtij vendi, ndërsa kryeministrin pakistanez e ka quajtur “njeri i mrekullueshëm”, gjatë bisedës së parë telefonike në mes të dy zyrtarëve.
Zyra e kryeministrit pakistanez, Nawaz Sharif ka thënë mbrëmë vonë se lideri pakistanez e ka telefonuar Trump për t’ia uruar fitoren në zgjedhje.
Njoftimi thotë se presidenti i zgjedhur amerikan e ka pranuar ftesën për ta vizituar Pakistanin duke thënë se ai do “t’i pëlqente të shkonte te ky shtet i shkëlqyeshëm, një vend i shkëlqyeshëm me njerëz të shkëlqyeshëm”.
Ekipi i Trump gjithashtu ka njoftuar për bisedën telefonike duke thënë se të dy zyrtarët e kanë zhvilluar “një bisedë produktive rreth asaj se si Shtetet e Bashkuara dhe Pakistani do të kenë marrëdhënie të fuqishme pune në të ardhmen”.
Shteti i Pakistanit mbështetet shumë në ndihmat amerikane.
Megjithatë, marrëdhëniet në mes të dy vendeve kanë shënuar rënie gjatë viteve të fundit pas akuzave amerikane se Pakistani strehon militantë islamistë, një akuzë kjo që Islamabadi e ka hedhur poshtë.

Erdogan: BE të mbajë premtimet

Kur Bashkimi Evropian të mbajë premtimin për liberalizim vizash për turqit, ndihma humanitare dhe hapjen e “kapitujve” të rinj në bisedimet e Ankarasë që t’i bashkohet bllokut evropian, atëherë Turqia do të tregojë gjithashtu qëllime të mira drejt BE-së, citohet të ketë thënë presidenti turk, Rexhep Erdogan, sipas “Reuters”.
Erdogani e ka bërë këtë deklaratë dje derisa ka folur para disa liderëve të krahinave turke në pallatin presidencial në Ankara.
Ai gjithashtu ka thënë se Turqia e ka humbur energjinë që “të vrapojë pas” Evropës.
Erdogan gjithashtu ka thënë se Ankaraja dëshiron të mbajë lidhje politike dhe marrëdhënie ekonomike me Rusinë, Iranin, Kinën dhe vendet e Azisë Qendrore në “nivelin më të lartë”. Por, ai nuk i sheh lidhjet e mira me Lindjen si alternativë ndaj Perëndimit apo anasjelltas.

Betejë propagandistike ruse në Ballkan

Parlamenti Europian paralajmëron nga dezinformimet e propagandës ruse. Por një nga vatrat e nxehta të Moskës është Ballkani. Edhe Turqia përpiqet të fitojë influencë, por besnikët e Putinit kanë ditur të dalin në krye.
Parlamenti Europian miratoi së fundmi (23.11) një rezolutë kundër propagandës mediatike ruse të dezinformimit duke akuzuar Rusinë se ajo kërkon të përçajë BE. Rusia reagoi ashpër përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, duke u shprehur se Moska do të veprojë njësoj nëse puna e mediave ruse kufizohet në BE.
Në një analizë të dpa-së pas rezolutës së PE-së, vihet në fokus ofensiva propagandistike e Moskës prej vitesh në Ballkan, një rajon i rëndësishëm për Rusinë. “Gati të gjitha vendet e rajonit juglindor janë më së shumti vende kandidate në BE ose vende anëtare të BE-së. Por shumë prej tyre, si Greqia, Maqedonia, Bullgaria, Serbia kanë tradicionalisht lidhje miqësore me Rusinë. Baza është feja e përbashkët ortodokse dhe përkatësia në familjen e madhe të popujve sllavë”.

“Anadolu” më pak e suksesshme
Sipas dpa-së, mjetet kryesore të propagandës ruse janë agjencia e lajmeve “Sputnik”, e cila transmenton edhe serbisht, si edhe radiotelevizioni “RT”, më parë “Russia Today”. Për shkak se materialet ofrohen pa pagesë dhe arkat e rajonit janë bosh, lajmet e “Sputnik” gjejnë jehonë të gjerë. Ndërkohë mbështeten edhe partitë miqësore ndaj Rusisë, si edhe lidhjet kulturore.
Edhe “Anadolu”, agjencia turke e lajmeve kërkon të gjejë vend në Ballkan, por ajo është më pak e angazhuar krahasuar me ofensivën ruse, shkruan dpa. Analisti i saj, Thomas Brey përmend Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën si vende ku dyert janë më të hapura për “Anadolu”. Në rastin e puçit ushtarak ky medium ia doli të ofronte variantin zyrtar të pafiltruar në mediat e Ballkanit, sipas tij.
Por dpa thekson se propaganda ruse është më e avancuar. Raportimet nga Moska rijepen me besnikëri të plotë në media ballkanike edhe për temat e brendshme. Shpesh në këto raportime pretendohet se armët ruse janë superiore krahasuar me ato të NATO-s apo se Moska në ndryshim nga Perëndimi i lëkundur angazhohet në krizat botërore, se Putini është i vendosur dhe garantues i së drejtës ndërkombëtare. Mediat serbe citojnë këtë muaj “Sputnik” pa verifikuar pretendimin e tij se “nëse Krimeja nuk do të ishte bërë pjesë e Rusisë, do të kishim një gjenocid të ri”. Ndërsa vetë “Sputnik” për shembull i jep hapësirë kryetares së Shoqatës së Gazetarëve serbë, UNS, Ljiljana Smajlovic, e cila e quan rezolutën e Parlamentit Europian si “proces të histerisë së një lufte të ftohtë”.
Në analizën e dpa-së, theksohet se BE ka filluar të mbrohet kundër dezinformimit nga Rusia, por mbetet me pikëpyetje, nëse ajo arrin me këtë shumicën e njerëzve në Europën Juglindore. Moska ia doli ditët e fundit të vendoste në shumë media ballkanike me shpatulla pas murit, Kroacinë, anëtaren më të re të BE-së. Arsyeja: Kreu i qeverisë kroate, Andrej Plenkovic gjatë një vizite në Ukrainë kishte ofruar përvojën kroate në ribashkimin e pjesëve të shkëputura si Krimeja. Gazeta kroate e “Vecernji list” e vendos tani Kroacinë “në front të parë” për “mbrojtjen e Perëndimit”.

OKB: Aleppo po bëhet varrezë gjigante

Shefi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara u bëri thirrje vendeve me ndikim që të bëjnë gjithë çfarë është në dorën e tyre që të mbrojnë civilët në Aleppon Lindore dhe të shpëtojnë qytetin, që dikur ishte më i madhi në Siri, të mos shndërrohet në “varrezë gjigante”.
Stephen O’Brien, tha në mbledhjen emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se, mbi 25 mijë njerëz janë zhvendosur nga zona lindore e Aleppos së kontrolluar nga kryengritësit që nga e shtuna, por numrat po ndryshojnë “çdo orë e çdo ditë”.
“Mijëra të tjerë do të ikin nëse luftimet zgjerohen dhe intensifikohen gjatë ditëve të ardhshme”, tha ai nëpërmjet një video lidhjeje nga Londra.
Derisa vëmendja e botës është përqendruar në mbi 250 mijë civilë të bllokuar në Aleppon Lindore, O’Brien nënvizoi se janë 700 mijë të tjerë nën rrethim nëpër zona të tjera gjithandej Sirisë.
“Ata janë të bllokuar, janë të shtangur – dimri po afrohet dhe derisa ndjekin zhvillimet rrëqethëse në Aleppo, pyesin: a jam unë në radhë?”, tha ai.
O’Brien i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të tejkalojë ndarjet rreth Sirisë, të “ndalojë brutalitetin dhe të parandalojë mundësinë që një fat i tillë të godasë sirianët e tjerë”.
Ai tha se tri gjëra janë thelbësore: mbrojtja e civilëve, qasja e papenguar dhe e sigurtë për punonjësit humanitarë dhe përfundimi i rrethimit.
I dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, duke ju drejtuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit nga Gjeneva, tha se gati 40 për qind e zonave që mbaheshin nga grupet e armatosura opozitare, tash janë në duart e forcave qeveritare.
“Të mos gabohemi”, tha ai. “Asnjë nga zhvillimet ushtarake për të cilat jemi dëshmitarë, mund të çojë në atë që mund ta quajmë zgjidhje e qëndrueshme dhe e përhershme ushtarake”, tërhoqi vërejtjen ai.
De Mistura tha se vetëm një zgjidhje politike e negociuar mund t’i japë fund krizës.
Në një intervistë me “Zërin e Amerikës”, të mërkurën, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, i bëri jehonë këtij përfundimi.
“Ata mund të marrin zonat e populluara, përfshirë edhe ndonjë thelbësore si Aleppoja Lindore duke shkaktuar një masakër të tmerrshme, por lufta nuk do të përfundojë”, tha ajo. “Nëse asgjë tjetër, do të kemi më shumë njerëz të gatshëm të rrokin armët kundër regjimit. Ajo që mund të ndalë luftën, është zgjidhja politike”.
Ajo tha se administrata e presidentit Barack Obama do të punojë deri në ditën e fundit për të nxitur një paqe të negociuar.
Britania dhe Franca thirrën takimin emergjent. Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara i kritikoi ata duke thënë se janë të shqetësuar, meqë kryengritësit e mbështetur prej tyre janë duke humbur.
“Banditët, që bashkë me të tjerë i kanë përkëdhelur dhe nxitur, janë duke u mundur. Gati gjysma e qytetit është çliruar”, tha Vitaly Churkin. “Kjo mund të jetë fitorja më e madhe edhe morale për ushtrinë siriane që nga viti 2012″, tha ai.
Aleppo, një ndër qytetet më të vjetra të banuara në vazhdimësi në botë, ishte zona më e populluar urbane e Sirisë dhe kryeqyteti i saj tregtar për shekuj me radhë. Këtu e pesë vjet më parë, popullsia e saj arrinte në rreth 2.5 milionë. Por, që kur është shndërruar në fushëbetejën kryesore në luftën qytetare siriane në mes të vitit 2012, Aleppoja është shkatërruar.
I dërguari i OKB-së, De Mistura, pritet të informojë Këshillin e Sigurimit për zhvillimet në Siri më 8 dhjetor dhe tha që do të japë hollësi se cilat janë mundësitë për një proces politik.
Sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, rreth 300 civilë, përfshirë 33 fëmijë janë vrarë në Aleppon Lindore që kur filluan sulmet e forcave qeveritare më herët gjatë muajit nëntor.
Grupi kryesor opozitar sirian, Koalicioni Kombëtar, i bëri thirrje OKB-së që të “ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të mbrojtur civilët në Aleppo dhe për të ndalur sulmin barbar kundër tyre”.
Aleppoja është në qendër të përpjekjeve ushtarake siriane të mbështetura nga sulmet ajrore ruse dhe Aleppoja Lindore është në rrethim për më shumë se katër muaj. Ushtria filloi bombardimet e rënda mbi qytet dy javë më parë dhe të hënën mori nën kontroll një nga lagjet kryesore.
Në Washington, Departamenti i Shtetit, shprehu “zemërimin e thellë” me bombardimet e fundit në Aleppo dhe tha se Moska duhet të mbahet përgjegjëse.
Përpjekjet e deritashme për të ndërprerë luftimet çuan në armëpushime afatshkurtra, por jo në përparim drejt përfundimit të luftës, që filloi në mars të vitit 2011.

Putin: Gati për bashkëpunim me SHBA-të

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se vendi i tij do të ngrihet për interesat e veta, por nuk ka qëllim të përfshihet në ndonjë konfrontim me vendet e tjera.
“Nuk kërkojmë armiq, duam miq”, tha Putin në fjalimin e tij vjetor, në një sesion të përbashkët të Parlamentit dhe qeverisë në Kremlin.
Ai po ashtu tha se Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me SHBA-në “në baza të barabarta”.
Putin tha se është e rëndësishme për Rusinë dhe SHBA-në që të punojnë në zgjidhjen e problemeve globale, sidomos terrorizmit ndërkombëtar.
Putin nuk e përmendi me emër presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, por tha se Moska është e gatshme të bashkëpunojë me administratën e re në Uashington.
“Është e rëndësishme t’i normalizojmë dhe t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona në bazë të të drejtave të barabarta dhe të përfitimeve të ndërsjella. Bashkëpunimi midis Rusisë dhe SHBA-së në zgjidhjen e problemeve globale dhe rajonale u shërben interesave të të gjithë botës. Ne ndajmë përgjegjësi për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, tha Putin.
Komentet vijnë në kohën kur marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin janë më të këqijat që nga koha e Luftës së Ftohtë.
Përkeqësimi i tyre ka pasuar aneksimin që i ka bërë Moska gadishullit ukrainas të Krimesë.
Putin tha se Rusia është e gatshme të tejkalojë vështirësitë me të cilat ballafaqohet.
“Viti i kaluar nuk ka qenë i lehtë, por të kaluarit nëpër prova të rënda na bën më të fortë”, tha Putin.
“Qytetarët janë bashkuar – duhet t’i falënderojmë për këtë – rreth vlerave patriotike, jo vetëm pse janë të kënaqur me të gjitha aspektet e jetës së tyre, sepse ka shumë vështirësi dhe probleme këto ditë, por ka një mirëkuptim në lidhje me arsyet dhe çfarë është më e rëndësishmja, ka besim se do t’i kapërcejmë ato së bashku, ka gatishmëri për të punuar për të mirën e Rusisë. Kjo është ajo që qëndron në thelbin e unitetit kombëtar”, tha Putin.
Rusia po lufton për dalje nga recesioni, i shkaktuar nga rënia e çmimeve të naftës dhe sanksionet që i ka vënë Perëndimi për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë.
Putin po ashtu tha se lufta kundër korrupsionit “nuk është shfaqje”, porse duhet të kryhet në mënyrë profesionale.
Ai i lavdëroi përmirësimet në shërbimet mjekësore në vend, por tha se “probleme në kujdesin shëndetësor mbeten”.
Putin po ashtu tha se situata demografike e vendit vazhdon të përmirësohet dhe se popullsia ruse po rritet më shpejt se në shumë vende të Evropës.
Adresimi i Putinit është i mandatuar me Kushtetutën e Rusisë, e cila kërkon që presidenti të raportojë çdo vit për gjendjen aktuale në vend dhe prioritetet kyçe të politikës së brendshme dhe të jashtme.

Lahm përplas Hënesin me Rumenigen

Dy bosët e Bajernit, Uli Hënes dhe Karl-Hainc Rumenige, janë dakord që pozicioni i drejtorit sportiv është shumë i rëndësishëm. Që pas dorëheqjes së Matias Zamerit, ky pozicion ka qenë vakant. Krerët e lartë të Bajernit kanë vendosur që drejtori sportiv të jetë gati për sezonin e ri.
Por, qëndrimet e tyre kanë qenë kontradiktore. Drejtori i Bordit Ekzekutiv, Karl-Hainc Rumenige, gjatë Asamblesë së Përgjithshme la të nënkuptohej se ky post është prenotuar nga Filip Lahm. “Ne kemi ndërmend një, emrin e të cilit me siguri e keni dëgjuar. Atë do të marrim edhe ne, por për momentin atij i duhet të luajë ende futboll”, iu përgjigj Rumenige pyetjes së gazetarëve për drejtorin sportiv. Kontrata e Filip Lahm skadon në vitin 2018.
Dy drejtuesit e lartë, Rumenige dhe Hënes, duket se nuk po koordinohen siç duhet në lidhje me emërimin e drejtorit sportiv. Gjatë vizitës së fanklubit në Vunzidel ditën e dielë, Hënes konfirmoi se drejtori sportiv do të emërohet që në fillim të sezonit të ri 2017- 2018, por nuk do të jetë Lahm.
“Thashë që për sezonin e ri do të njiheni me drejtorin e ri sportiv. Kaq! Aktualisht, Filip Lahm ka një kontratë deri më 30 qershor 2018, e cila as nuk është prishur dhe as nuk është diskutuar. Rumenige nuk tha që Lahm do të jetë drejtori sportiv nga 1 korriku 2017. Ky pozicion është shumë i rëndësishëm për klubin, prandaj do duhet kohë për të marrë vendimin e duhur”, deklaroi presidenti Uli Hënes.
Sipas “Kicker”, Hënes mendon se, Lahm i duhet Bajernit si lojtar deri në 2018. Një moskoordinim mes tyre ka pasur edhe në rastin e transferimit të Mats Humels. Hënes pati thënë se ishte Humels që trokiti në derën e Bajernit, por Rumenige e përgënjeshtroi, duke sqaruar se ishin ata që kontaktuan qendërmbrojtësin.

Shpërthen Higuain

“Thuhen shumë gjëra, por pastaj kur bën gol gjithçka kalon”. Gonzalo Higuain u përgjigjet kritikëve, ndërsa flet për momentin e tij dhe atë të Juventusit. Sulmuesi është vënë nën akuzë për mungesën e golit në këto ndeshjet e fundit, por vetë Higuain është i sigurt në forcat e tij dhe e ka përgjigjen gati.
“Kritikët? Le të flasin. Nëna më thotë se me 36 gola në 35 ndeshje vitin e kaluar i mësova keq të gjithë dhe tani nëse nuk shënoj për 4 ndeshje konsiderohet një katastrofë. Sidoqoftë e gjitha kjo më bën mirë, pasi është një motiv për të dhënë akoma më tepër”, u shpreh Higuain.
Për të kujtuar se kritikat shpesh rezultojnë të pabazuara, Higuain i rikthehet edhe një herë atyre që ndodhën gjatë verës, kur të gjithë ishin kundër tij, duke i vënë në dukje se ishte paraqituar te Juventusi mbipeshë.
“Kam shënuar më shumë se 300 gola në karrierë dhe goli i parë me Juventusin nuk ishte një motiv për t’u çliruar. Por gjithsesi ishte një verë e vështirë. Më “masakruan”, thanë që isha në gjendje të keqe dhe shumë gjëra të tjera. Pastaj hyra në lojë, shënova dhe për të gjithë isha në formë të shkëlqyer. Këtë ndonjëherë nuk e kuptoj fare”, tha ai.
Për sa i përket disfatës së fundit në Genoa, Higuain u shpreh se një skuadër si Juventusi nuk mund të pësojë 3 gola në gjysmë ore lojë, ndërsa rrëfeu edhe një detaj interesant në lidhje me fëmijërinë e tij. “Kur isha 10 muajsh kalova meningjitin. Nuk më kanë treguar gjithçka, por ishte diçka e rëndë. Falë mjekëve dhe familjes ja kam dalë”, tha Higuain.
Në fund, Higuain përgënjeshtroi dhe zërat se ishte kërcënuar para pak ditësh dhe ishte detyruar të lëvizte me një eskortë sigurie,  duke siguruar se asnjë nga të dyja nuk ka ndodhur.
Ndërkohë, Elseid Hysaj rrezikon të mos jetë në sfidën e kësaj jave të Serisë A kundër Interit. Mbrojtësi shqiptar është dëmtuar në ndeshjen e fundit me Sassuolon dhe pavarësisht se po përkushtohet që të jetë i gatshëm për sfidën me zikaltërit është në dyshim për t’u aktivizuar nga Sarri në ndeshjen e kësaj të premteje. Lajmi është bërë i ditur nga menaxheri i lojtarit, Mario Giuffredi, i cili për një radio italiane bëri të ditur se goditja e marrë në ndeshjen me Sasuolon ishte e ashpër dhe kora e riaftësimit është e shkurtër ndaj vështirë se mund t’ja dalë mbanë për të qenë në fushë nga minuta e parë.
Hysaj në fakt ishte në dyshim dhe për ndeshjen e së hënës me Sassuolon, madje u tha se ai nuk do të ishte i gatshëm për atë takim por Hysaj, jo vetëm që u aktivizua, por ishte dhe titullar gjithashtu. Ndaj një riaftësim i mundshëm i tij nuk është për t’u përjashtuar dhe pse menaxheri i mbrojtësit kuqezi ka pranuar se aktivizimi i tij do të jetë i vështirë.