20.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Korrik, 2025

Për një zemër të shëndetshme, ja dietat që rekomandojnë ekspertët

Ndërsa sëmundjet e zemrës vazhdojnë të jenë një nga sfidat më të mëdha për shëndetin publik në Shqipëri dhe në botë, ekspertët e ushqyerjes po theksojnë gjithnjë e më shumë rëndësinë e dietës së shëndetshme si një mënyrë e fuqishme për parandalimin e tyre.

Sipas dietologëve, ushqimet që konsumojmë luajnë një rol kyç në shëndetin e sistemit kardiovaskular. Produktet e pasura me fibra, yndyrna të shëndetshme dhe antioksidantë mund të ndihmojnë në uljen e kolesterolit, tensionit të gjakut dhe inflamacionit – faktorë të njohur që rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës.

Ushqimet që rekomandohen për një zemër të shëndetshme përfshijnë:

Peshku i yndyrshëm (si salmoni, sardelet) – i pasur me omega-3 që ndihmon në uljen e rrezikut të infarktit.

Frutat dhe perimet e freskëta, (si boronicat, spinaqi, karrotat) – të mbushura me vitamina, minerale dhe antioksidantë.

Vajrat bimore si vaji i ullirit ekstra i virgjër – që përmban yndyrna të mira dhe ka efekt mbrojtës ndaj enëve të gjakut.

Drithërat integrale (si tërshëra, buka e zezë, orizi kaf) – ndihmojnë në kontrollin e kolesterolit dhe të sheqerit në gjak.

Frutat e thata (si bajamet, arrat, lajthitë) – të pasura me yndyrna të pangopura dhe magnez, të cilat forcojnë zemrën.

Ndërkohë, ekspertët këshillojnë shmangien e ushqimeve të përpunuara, të skuqura dhe të pasura me kripë apo yndyrna të ngopura, të cilat ndikojnë negativisht në shëndetin e zemrës.

Sara Mila u ndihmua nga Suel Çela? Klodiana Lala: Personazh pa kontribut, SPAK të hetojë!

Sara Mila është surprizë e zgjedhjeve të 11 majit në Elbasan, pasi ka rezultuar kandidatja më e votuar me mbi 18 mijë vota. Mila është akuzuar nga opozita, se mbështetet nga krimi, konkretisht nga Suel Çela.

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke bërë një pasqyrë të ndikimit të krimit në zgjedhje, deklaroi se rasti i Sara Milas është i çuditshëm, pasi një person i panjohur është renditur e para me një numër të lartë votash. Lala tha se i takon SPAK të provojë nëse Mila ka sponsorë nga krimi i organizuar, konkretisht nga grupi i Suel Çelës.

“Kuptuar që patronazhimi është skemë perfekte e ndërtuar nga mazhoranca socialiste, që ka  mundësuar një numër të lartë madatesh, ka krijuar frikë për të votuar subjekte të tjera. Qytetarët kur i pyet për kë votuat, jashtë kameras e tregojnë, por kishin frikë se mos zbulohej se ku dërgonin votën.

Shqipëria është zbrazur, pjesa dërrmuese është administratë, u është kërkuar të sjellin vota të fotografuara nga diaspora.

Krimi ka patur ndikim e vet. Në Elbasan, Sara Mila është një zonjë pa asnjë kontribut publik, por rezulton gruaja më e votuar në qarkun e Elbasanit. Si ka mundësi një grua që nuk njihej nga 90% e qytetarëve?

Po të flasësh me qytetarë në Elbasan apo Librazhd, ata të tregojnë dhe të thonë, jo vetëm mua si gazetare, por edhe të BIRN, ku qytetarët orientoheshin për të votuar këtë zonjë. Fakti që nuk kishte kontribut publik dhe rezulton më e votuara, kjo ngre dyshime që krimi i organizuar ka ndikuar. Dyshohet se ka patur ndikim grupi i Suel Çelës, këtë mbetet ta provojë SPAK.

Zonja mund të dalë të japë reagimin e vet. Po të bisedosh me qytetarët, ishin orientuar drejt kësaj zonje. Ka me kontribut shumë të çmuar brenda PS, që nuk kanë marrë vota.

Të shkosh në Durrës, e dinim Arkend Ballën dhe Anri Dyrmishin se cfarë rezultati do të kishin”, tha ndër të tjera Lala.

“Ju që paguani 6 milionë dollarë për hallet tuaja dhe nuk sillni asnjë të mirë për qytetarët”/ Myshketa: Me sjelljen tuaj po amnistoni Edi Ramën

Nga Joni Myshketa

Është bërë thirrje për protestë ditën e nesërme nga “kryeopozitari i vërtetë”.

Në parim jam dakort me çdo protestë sidomos kundër kësaj kaste që tash kërkon tê gëzojë sërish në kurrizin tonë mandatin e katërt.

POR një e tillë në këto kushte është me hije të errëta, është farse, nuk është reale, nuk është për qytetarët, por për të hequr vëmendjen nga përgjegjësitë e mos ngritjes së një alternative fituese, të një ekipi fitues, por vetëm të rreshtave për të ruajtur statusquonë e kjo u arrit me vrasjen e demokracisë përmes listave të mbyllura.

Protesta e thirrur ditën e nesërme është për të mos zbatuar ligjshmërinë brenda forcës politike, e ç’mund të presësh të nesërmen për zbatimin e ligjit.

Protesta e nesërme nuk është në dobi të atyre qytetarëve që nga dëshpërimi dhe hallet e shumta që krijon Rama & Co të besuan se do e rrëzoje me revolucion brenda 6 muajve.

Protesta e nesërme është hileqare pasi duhet zbatuar neni “Basha” në fillim, duhet bërë një analizë reale dhe e thelluar, duhen evidentuar të gjitha zullumet e ndodhura në këto zgjedhje e duhet bashkëpunuar me Drejtesinë e Re duke I dhënë materialet e duhura e duke e mbështetur atë ( Drejtesine).

Protesta e nesërme është nje amnisti ndaj Ramës idem si slogani’ Është radha jonë” dhe një thikë pas shpine e të gjithe atyre qytetarëve që janë gati të ndjekin deri në fund çdo protestë që ka moral, që është reale dhe perfaqeson qytetarët e jo I përdor ato si Mish për top.

Dhe retorika e patericave të regjimit nuk ju pin më ujë, o legjendar.

Retorika se Basha është ai që mban peng opozitën nuk ju pin më uje.

Ky I fundit e shënoi fatin e tij politik me veprimet e mosveprimet në kohën e duhur dhe rezultati u pa.

Nuk ka regjim që të tjetersojë vullnetin e një populli kur udhëhiqet nga njerëz të ndershëm, atdhetarë, të vërtetë e që ndajnë të njëjtat halle me qytetarët.

Ju skeni më asnjë lidhje me ne njerëzit e thjeshtë.

Ju jeni supermilionerë (me euro, dollaro, lingota etj) aq sa edhe ata perëndimorët do ju kishin zili për nga shifrat që keni bërë, por jo nga mënyra, se I keni nelë kurrizin tonë, e kam per ju medemek udheheqësit e “Opozites Reale”.

Ju që shpenzoni 6.000.000 dollaro për hallet tuaja personale e që nuk sjellin asnjë dobi për ne qytetarët e thjeshtë që çdo ditë duhet të përballemi me llumin ku Rama & Co na ka zhytur dhe që ju keni pjesën tuaj të fajit për ortakërinë që keni me to.

Lista është shume e gjatë pa dashur t’Ju lodh me tepri o miq, por ka mbetur aspak kohë që vendi të kthehet në një favelas, andaj duhet reaguar seriozisht për të dalë nga kjo situatë pasi 4 vite të tjera me këtë zullum në krye, janë një kthim në erën e Andertalit për ne si popull.

Prandaj nuk do jem nesër pjesë e një farse e në dobi të atij ( AY) dhe interesave të tij.

Protesta vjen pas analizës dhe duhet të jetë vetëm një e vetme deri në shporrjen e kësaj kaste antikombëtare.

Kauza ishte dhe është e drejtë!

Nga Ermal Peçi

Kauza ishte e drejtë. Ishte e drejtë sepse kërkonte ringritjen e një opozite që nuk mban peng vendin, që nuk lufton për mbijetesën personale të një lideri, por për dinjitetin e votuesve të saj. Ishte e drejtë sepse synonte t’i jepte fund teatrit të trukuar mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, ku kundërshtarët e shpallur janë në të vërtetë bashkëpunëtorët më të heshtur.

Por ndonëse ishte e drejtë, ajo kauzë nuk arriti të bëhej shumicë, jo për fajin e atyre që e nisën, por për peshën e trashëguar të një sistemi të kalbur. Koalicioni Euroatlantik pësoi një humbje numerike, por jo një disfatë morale. Votat për të ishin vota të guximshme, vota qytetarësh që donin të dilnin nga kutia e manipulimit emocional. Ishin vota që guxuan të dalin kundër jo vetëm pushtetit, por edhe opozitës së rreme.

Që në fillim, ky proces u përball me një rezistencë brutale nga sistemi politik, mediatik dhe oligarkik. Basha dhe Koalicioni Euroatlantik ishin më të goditurit, jo vetëm nga propaganda qeveritare, por edhe nga makineria e vjetër e opozitës, që përçmon çdo ndryshim që nuk buron prej saj. U bënë objekt i sulmeve të orkestruara, shpifjeve të koordinuara dhe një bllokade të heshtur në çdo kanal ku mund të dilte një zë ndryshe.

Ky proces nuk nisi rastësisht. Ai mori formë në momentin kur Lulzim Basha mori një vendim të vështirë, por të drejtë: përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar pas shpalljes “non grata” nga aleatët tanë më të ngushtë. Në atë kohë, shumëkush e quajti atë akt vetëvrasës politik, por koha e ka vërtetuar se ishte një çarje e domosdoshme në sistemin e mbyllur – një çarje që lejoi të futej ujë i pastër në kënetën politike shqiptare.

Në fund, Edi Rama nuk i mundi dot ata demokratë që votuan për Koalicionin Euroatlantik, por i mundi me skemë. Duke e kthyer vulën në armë politike, ai ndihmoi Berishën më shumë se çdo socialist në këto zgjedhje. Rama zgjodhi kundërshtarin e tij ideal, atë që e ka mundur një herë, atë që i jep justifikim për të qëndruar më gjatë në pushtet: Sali Berishën. Me një vendim të parapërgatitur, i dhuroi vulën një force që është në betejë me kohën, me drejtësinë dhe me veten. Jo sepse beson në ringjalljen e saj, por sepse e di që për sa kohë Berisha është aty, ai vetë nuk ka asnjë rrezik real.

Sot jemi në një realitet politik ku Berisha mori vulën, por humbi popullin. Humbja e tij ishte e thellë, jo vetëm në shifra, por në simbolikë. Ai nuk frymëzoi dot. Nuk ringriti dot shpresën. Sepse është pjesë e së shkuarës, një kujtim i ashpër që shumica e votuesve duan ta lënë pas.

Tani është koha për t’u bërë një pyetje themelore: çfarë ndodh me votat e djathta që nuk duan as Ramën, as Berishën? Çfarë do të ndodhë me 20 mijë vota të djathta që përfaqësojnë Koalicionin Euroatlantik? Ku shkojnë ato zëra që kërkuan ndryshim por nuk e gjetën në formatin e vjetër të përplasjes politike?

Këto vota nuk janë as pa adresë, as pa vizion. Ato kërkojnë një alternativë që nuk bazohet te hakmarrja, por te rindërtimi. Kërkojnë një forcë që nuk ushqehet me nostalgji për ’90-tën, as me propagandë për rilindjen socialiste. Kërkojnë drejtësi që nuk përdoret për shantazh politik, dhe shtet që nuk ndahet si plaçkë mes partish.

Berisha është kthyer në simbol të një epoke që nuk frymëzon më, ndërsa Rama në simbol të një pushteti që përpiqet të blejë kohë përmes intrigës.

Kauza ishte e drejtë. Humbja është e përkohshme. Por shpresa mund të rifitohet – me guxim, me drejtësi dhe me një vizion që flet gjuhën e së nesërmes. Sepse ka ardhur koha që votat e braktisura, që nuk duan as Berishën dhe as Ramën, të bëhen zëri i një shoqërie që nuk pranon më as hijet e së shkuarës, as arrogancën e së tashmes. Ka ardhur koha për një politikë që i përket qytetarit, jo pushtetarëve.

Mirela Karabina: Pushteti i Ramës, i blinduar nga krimi, paratë dhe pazaret me Berishën – Demokratët të tradhëtuar, qytetarët të braktisur

Në një intervistë për A2 CNN me gazetaren Denisa Pasholli, Mirela Karabina lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Sali Berishës, duke e cilësuar 11 majin si një datë ku pushteti u blindua përmes mekanizmave të krimit, parasë dhe pazareve politike.

Karabina theksoi se qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit, ndërsa demokratët janë ndjerë të tradhëtuar. Sipas saj, pritshmëritë e qytetarëve për një ndryshim janë shuar për shkak të marrëveshjeve të prapaskenës mes PS dhe PD.

Ajo solli në vëmendje 9 shtatorin e vitit 2021, kur sipas saj Lulzim Basha kishte orientuar demokratët drejt një të ardhmeje ndryshe. “Nëse ajo rrugë do ishte ndjekur deri në fund, sot do kishim një PD fituese dhe një Edi Rama të rrënuar,” u shpreh Karabina.

Sipas saj, marrëveshjet mes dy partive të mëdha janë një pazar i turpshëm që zhvillohet në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Mes të tjerash, Karabina u shpreh:

“Edi Rama me pushtet të blinduar në 11 maj, përmes fuqisë së pushtetit, krimit, parasë por dhe pazareve me PD. Sot demokratët janë të tradhëtuar dhe qytetarët të braktisur, sepse ata pritën të ktheheshin në pushtet dhe qytetarët të fitonin. Nëse demokratët do të kishin qëndruar siç e nisën në 9 shtator 2021 ku Lulzim Basha i drejtoi drejt së ardhmes, sot PD do ishte fituese dhe Edi Rama i dështuar dhe i rrënuar. Por pazari PS-PD është pazari i turpshëm në kurriz të qytetarëve.”

Sa u zbrazën qarqet nga votuesit në krahasim me vitin 2021

Zgjedhjet parlamentare të majit 2025 treguan se numri i votuesve brenda vendit u reduktua me 200 mijë persona në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021. Të dhënat zyrtare nga KQZ referojnë se votuesit e brendshëm kishin rënie të fortë në Qarkun e Beratit me 17%, e ndjekur nga Korça, Elbasani dhe Gjirokastra me rënie 16%. Këto qarqe prej vitesh po përjetojnë kombinimin të faktorëve të emigracionit të vazhdueshëm dhe plakjes së popullsisë, duke reduktuar bazën e votuesve rezidentë.

Rënia ka si faktor kryesor emigracionin, pasi sipas të dhënave të Eurostat, në vitet 2022 dhe 2023 kishin emigruar nga Shqipëria në vendet e BE-së rreth 100 mijë persona. Nga gjithsej 1,661,176 votues brenda vendit në vitin 2021, këtë vit, në kutitë e votimit u paraqitën 1,461,899 qytetarë ose ‑12 % në nivel kombëtar. Tirana është qarku me peshën më të madhe me rreth 449, 667 votues më 2025, me rënie 7,8 % në krahasim me 2021. Me gjithë rënien, Tirana përfaqëson 30,8% të elektoratit aktiv nga 29,4% në 2021, duke forcuar rolin vendimtar të kryeqytetit.

Në qarqet e tjera të mëdha Fier, Durrës dhe Elbasan, rënia ishte dyshifrore (shiko grafikun e mëposhtëm). Këto qarqe humbën së bashku mbi 70 000 votues. Në qarqet e Veriut, Kukës, rënia ishte 10%, Në Lezhë 9.3%, në Dibër rreth 10% dhe në Shkodër 15%. Kukësi ka rënie më të ulët pasi ka pësuar valë të fortë emigracioni para 2021, ndërsa në qarqet e tjera, si Shkodra, ikja e popullsisë ka qenë konstante. Sipas të dhënave të Cens 2023, Shkodra ishte qarku me rënien më të madhe të popullsisë në krahasim me 2011.

Numri i votuesve nuk lidhet plotësisht me numrin e popullsisë mbi 18 vjeç, pasi shumë persona nuk kanë mundur ose nuk kanë dashur marrin pjesë në votime. Popullsia e vendit është një tregues dinamik që ndryshon në bazë të lindjeve, vdekjeve, emigracionit etj., por krahasimi i dy të dhënave fikse mbi numrin e votuesve tregon një trend rritës të tkurrjes së popullsisë në vend. Sondazhet kanë treguar mosbesim të lartë të të rinjve ndaj ofertës partiake, duke bërë që shumë prej tyre të mos marrin pjesë në zgjedhje. Kjo tendencë mund të jetë rritur më tej më 2025.

Faktorët ekonomikë gjithashtu me rritjen e kostos së jetesës dhe mungesa e incentivave sociale ulën interesin për pjesëmarrje në votime. Migrimi i brendshëm i paregjistruar e shton hendekun midis listave dhe realitetit duke bërë që qytetarët figurojnë por nuk votojnë. Lodhja politike dhe mungesa e alternativave konsiderohet si arsye tjetër që po pakëson votuesit, duke shtuar mosbesimin se vota sjell ndryshim real.

Nëse tendenca nuk frenohet, partitë do të përballen me një elektorat gjithnjë e më të vogël dhe më të përqendruar në kryeqytet, ndërsa legjitimicteti i proceseve zgjedhore do të varet gjithnjë e më shumë nga përfshirja reale e diasporës dhe përditësimi i regjistrave civilë./ Monitor

BIRN: Kontrolli mbi mediat shtroi rrugën për mandatin e katërt të Partisë Socialiste

Nga Besar Likmeta

Në pamje të parë, mbulimi i medias audiovizive gjatë fushatës elektorale që u hodh pas krahëve duket i balancuar.  Të dhënat e Autoritetit të Mediave Audiovizve tregojnë se gjatë edicioneve informative në 18 televizionet kryesore të vendit, Aleanca për Shqipërinë Madhështore e udhëhequr nga Partia Demokratike mori 51% të kohës televizive, ndërsa Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama vetëm 42.9%.

Megjithatë, një analizë më imët e monitorimeve të AMA-s tregon se në tre televizionet kombëtare private – TV Klan, Top Channel dhe Vizion Plus, të cilat kotrollojnë më shumë se dy të tretat e audiencës televizive, Partia Socialiste mori 52% të hapësirës në edicione informative, krahasuar me 44.5% të Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Ndërkohë, që të gjithë subjektet e tjera garuese në zgjedhje morën më pak se 4%.

Sipas vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it “mjedisi i kufizuar mediatik dhe mosrespektimi në mirëbesim i parashikimeve ligjore, bëri që zgjedhësve t’u mohohej informimi i pavarur, i shumëllojshëm dhe solid, lidhur me garën zgjedhore.”

“Përqendrimi i pronësisë së mediave, që minon pluralitetin e burimeve të lajmeve, së bashku me autocensurën mes gazetarëve dhe dominimin e mbulimit mediatik nga dy partitë më të mëdha, kufizuan mundësinë e zgjedhësve për të bërë një zgjedhje të informuar,” shtojnë vëzhguesit në raportin e tyre preliminar për zgjedhjet e 11 majit.

Në një deklaratë pas përfundimit të zgjedhjeve, edhe organizatat vendore të lirisë së medias, theksuan se partitë politike dhe kandidatët për deputetë dështuan në respektimin e principeve të transparencës dhe debatit demokratik, ndërsa theksuan se shkelje të shumta të këtyre parimeve u regjistruan gjatës fushatës.

Partia Socialiste i fitoi bindshëm zgjedhjet e 11 majit, duke siguruar 83 deputetë nga 140 ulëse parlamentare, por misioni i vëzhguesve ndërkommbaëtarë i udhëhequr nga OSBE-ODIHR, tha se gara ishte e pabarabartë, si rrjedhojë e keqpërdorimit nga partia në pushtet i burimeve shtetërore si dhe mungesës së medias së pavarur.

 

Mbulimi i pabalancuar i fushatës

Sipas Kodit Zgjedhor, televizioneve u kërkohet që të sigurojnë një mbulim të ekuilibruar, pluralist dhe të paanshëm gjatë fushatës zgjedhore, duke respektuar standardet e gazetarisë profesionale dhe duke shmangur përdorimin e gjuhës së urrejtjes.

Kodi përcakton gjithashtu që transmetuesit duhet të caktojnë kohë të barabartë transmetimi për dy partitë më të mëdha parlamentare dhe këto parti nuk duhet të marrin më shumë se dyfishin e kohës së transmetimit të partive më të vogla politike me përfaqësim në Kuvend.

Për të kontrolluar respektimin e Kodit Zgjedhor, ligjëvënësi ka mandatuar Autoritetin e Mediave Audiovizive, AMA, që të monitorojë gjatë fushatës kohën që i rezervohet çdo subjekti elektoral dhe t’ia raportojë të dhënat Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Të dhënat e AMA-s të analizuara nga BIRN tregojnë se mediat kryesore në vend nuk i respektuan parashikimet e Kodit Zgjedhor gjatë fushatës.

Gjetjet konfirmojnë se qasja në media mbeti e kufizuar dhe e pabarabartë, me dy subjektet kryesore elektorale – Partinë Socialiste dhe kolacionin Aleanca për Shqipërinë Madhështore, që dominuan vazhdimisht ekranet televizive.

Vizibiliteti i tyre në media u përforcua në të gjitha formatet e monitoruara, nga transmetimet ‘live’ te edicionet informative dhe emisionet politike, ndërkohë që partitë më të vogla dhe aktorët e tjerë patën vështirësi të siguronin kohë televizive pa pagesë.

Ndryshe nga media komerciale private, transmetuesit publikë – RTSH1 dhe RTSH 24, ishin pak më të balancuar gjatës fushatës. Aleanca për Shqipërinë Madhështore mori 40.8% të kohës në edicionet informative, Partia Socialiste 42% dhe të gjitha subjektet e tjera së bashku 17.3% – duke shënuar segmentin e vetëm të medias ku partitë e vogla arritën përfaqësim me përqindje dyshifrore.

“Periudha zgjedhore e vitit 2025 theksoi një peizazh mediatik të pabalancuar, me mbulim të shpërndarë në mënyrë të pabarabartë që favorizoi kryesisht dy partitë më të mëdha,” thanë në një deklaratë paszgjedhore një grup 14 organizatash të shoqërisë civile, përfshirë BIRN.

“Pavarësisht rekomandimeve të qarta që kërkonin transparencë në mbulimin zgjedhor, partitë politike vazhduan praktikën e rrënjosur të shpërndarjes së materialeve të gatshme video dhe shtypi për mediat gjatë gjithë fushatës,” theksuan ato.

Duopoli mediatik

Rezultatet e monitorimit të BIRN për fushatën e zgjedhjeve parlamentare zbulojnë një peizazh mediatik thellësisht të personalizuar në përmbajtjen e lajmeve televizive, ku narrativa dhe dinamika e fushatës ndërtohet pothuajse tërësisht rreth dy figurave dominuese politike, Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Në 18 stacionet televizive të monitoruara, Sali Berisha zuri përqindjen më të lartë të kohës në ekran ndër individët e përfshirë, me 39.3% të totalit. Ai u pasua nga Edi Rama me 38.4%. Të gjithë kandidatët dhe përfaqësuesit e tjerë politikë së bashku u pasqyruan vetëm në 22.3% të minutazhit total.

Polarizimi ishte edhe më i theksuar në mbulimin e ofruar nga tre transmetuesit kryesorë privatë kombëtarë -Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus, ku Edi Rama dominoi edicionet informative me 49.1% të transmetimeve, Sali Berisha mori 38.1%, ndërsa të gjithë aktorët e tjerë së bashku vetëm 12.7%.

Transmetuesit publikë RTSH 1 dhe RTSH 24 ofruan një përfaqësim disi më të balancuar: Rama dhe Berisha morën përkatësisht 38.1% dhe 32.8% të mbulimit, ndërsa aktorët e tjerë zinin 29.1% – përqindja më e lartë e hapësirës së dhënë zërave alternativë në të gjitha kategoritë e mediave.

Monitorimi i transmetimeve ‘live’ në 12 televizione informative e përforcon dhe më tej kontrollin e hapërsirës mediatike nga Rama dhe Berisha. Nga mbi 43,260 minuta transmetim të drejtpërdrejtë të analizuar, Edi Rama u shfaq për më shumë se 15,700 minuta – ekuivalenti i mbi 260 orëve ‘live’, duke zënë 36.3% të totalit. Sali Berisha e ndoqi me 13,400 minuta ose 31.0% të totalit.

Rama dhe Berisha zunë dy të tretat e të gjithë minutazhit të drejtpërdrejtë të dedikuar aktorëve politikë në zgjedhje, duke reflektuar natyrën thellësisht të polarizuar të fushatës në media.

“Pavarësia, shumëllojshmëria dhe integriteti i lajmeve në dispozicion të zgjedhësve cenohen nga fakti që shumica e mediave varen nga financime jotransparente të interesave politike dhe interesave të biznesit, duke u mbështetur shpesh tek kontratat qeveritare,” shprehen vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE-ODIHR.

“Përqendrimi i pronësisë së medias e cenon edhe më shumë pluralizmin e burimeve informative, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare,” shtuan ata.

 

Mungesa e kulturës së debatit politik

Monitorimi i emisioneve politike të debatit gjatë 30 ditëve të fushatës shfaq një hapësirë më pluraliste për diskursin elektoral, krahasuar me edicionet informative dhe transmetimet “live”. Megjithatë, analiza e minutazhit në 18 televizionet kombëtare me shikueshmërinë më të lartë, nxjerr në pah përsëri dominimin e vazhdueshëm të subjekteve kryesore elektorale dhe liderëve të partive politike të mëdha.

Gjatë periudhës së monitoruar, Aleanca për Shqipërinë Madhështore ishte subjekti më i pranishëm në emisionet politike, me mbi 16,500 minuta, ose 49% të minutazhit total. Partia Socialiste u rendit e dyta me mbi 9,090 minuta, që përfaqëson 27% të minutazhit të përgjithshëm.

Sali Berisha kryesoi duke u shfaqur në mbi 2,940 minuta transmetime – afërsisht 49 orë, ose 8.7% e kohës totale të dedikuar për aktorët politikë individualë në emisionet politike. Edi Rama e ndoqi me 1,832 minuta – pak më shumë se 30 orë, ose 5.4%.

Përtej dy liderëve kryesorë, një gamë më e gjerë figurash politike u ftua gjatë emisioneve politike, përfshirë kryetari i Partisë Koalcioni Euro-Atlantik, Lulzim Basha dhe kandidatja për deputete e PD-së, Jorida Tabaku, të cilët morën secili pak më pak se 13 orë kohë fjale, duke zënë përkatësisht 2.3% dhe 2.2% të minutazhit total. Figura të tilla si Belind Këlliçi, Agron ShehajDashamir Shehi, Endri Shabani dhe Adriatik Lapaj siguruan secili mes 7 dhe 10 orë transmetim, me përqindje që varionin nga 1.3% deri në 1.7%.

Pavarësisht potencialit për debat politik, formatit të emisioneve politike shpesh i mungoi përballja e drejtpërdrejtë mes figurave kryesore që garonin në zgjedhje. Edhe pse kjo hapësirë televizive ngjante pluraliste në pamje të parë, ajo rrallëherë ishte i strukturuar për të ofruar përballje të balancuar apo qasje kritike mes platformave elektorale konkurruese.

“Megjithëse disa programe debati u transmetuan rregullisht, ato nuk sollën kandidatë shumë të njohur apo drejtues partish nga parti të ndryshme,” shkruan raporti i OSBE-ODIHR. “Shumica dërrmuese e organeve mediatike perceptohen si mbështetëse të PS-së në pushtet,” shtoi raporti.

 

Reklamat politike dhe shkeljet e Kodit Zgjedhor

Ndryshe nga zgjedhjet e shkuara, reklamat politike nuk luajtën një rol qendror gjatë fushatës elektorale në mediat audiovizive. Të dhënat nga televizionet e monitoruara tregojnë se partitë dhe kandidatët transmetuan 1,713 minuta ose 28 orë reklama politike gjatë fushatës.

Brenda këtij volumi, Aleanca për Shqipërinë Madhështore zuri shumicën e kohës së reklamuar me pagesë, me 910 minuta (53.1% të totalit të reklamave). Partia Socialiste e ndoqi me 756 minuta (44.1%), ndërsa reklamat politike të paidentifikuara – spote të transmetuara pa etiketim të saktë apo pa atribuim ndaj një subjekti elektoral të regjistruar, përbënin 44.8 minuta, ose 2.6% të totalit. Të gjithë subjektet e tjera së bashku u pasqyruan në vetëm 1.6 minuta reklamë të paguar, duke reflektuar një mungesë pothuajse të plotë të partive të vogla në këtë format.

Transmetimi i reklamave të paidentifikuara ose të etiketuara në mënyrë të pasaktë, megjithëse i kufizuar, ngre shqetësime në lidhje me përputhshmërinë me standardet e transparencës të partive politike dhe medias gjatë fushatës.

Përtej mungesës së transparencës së reklamave politike, një nga shkeljet kryesore të Kodit Zgjedhor në hapësirën mediatike lidhet me mungesësn e balancimit të kohës televizive gjatë edicioneve informative, një problematikë që shtrihet tek të gjithë transmetuesit kombëtarë.

Disa televizione nuk respektuan tavanin e lejuar të minutazhit për reklama politike, duke i dhënë kohë në mënyrë joproporcionale subjekteve politike specifike. Gjithashtu, 14 televizone transmetuan reklama politike përtej orareve të lejuara, në shkelje të kuadrit rregullator.

Monitorimi, gjithashtu identifikoi edhe sondazhe të cilat u transmetuan pa të dhëna të plota për kampionimin, metodologjinë dhe entitetin që i ka komisionuar. Ndërkohë, disa televizone transmetuan reklama politike gjatë edicioneve informative, një praktitë që ndalohet reptësisht nga Kodi Elektoral./BIRN

PS me shifrat/ Më pak vota se 2021, por më shumë mandate në parlament

Screenshot

Nga Dorian Kodra

Harta e ngjyrosur në thuajse ¾ e saj me rozë te jep përshtypjen se rezultati i zgjedhjeve të 12 majit 2025 është një fitore plebishitare për Partinë Socialiste. Edi Rama ka siguruar një shumicë mandatesh në Kuvend që e forcon më tej pushtetin e tij deri në ndryshimin e ligjeve të cilësuara dhe duke eleminuar fuqinë kushtëzuese që opozita kishte deri dje në parlament, përballë numrit të madh të kartonave që do të kenë në duar socialistët. Por një lexim më i thelluar i shifrave të votës popullore tregon një realitet ndryshe nga entuziasmi i fitores së thellë që administrojnë socialistët ne kuvend.

Më pak vota në 2021, më shumë mandate në 2025

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste ka marrë në këto zgjedhje 733.149 vota në votimin e brendshëm ose 52.16% të totalit. Në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kur PS mori 768.134 vota (48.67%), ka një rënie prej rreth 35 mijë votash. Pra, një pjesë e elektoratit socialist është tkurrur në shifra absolute, edhe pse në përqindje është rritur dhe ky është një efekt i drejtpërdrejtë i rënies së pjesëmarrjes në votime.

Në vitin 2021, në votime morën pjesë 1.662.274 zgjedhës, ndërsa këtë vit 1.461.258, pra 201 mijë më pak. Kjo do të thotë se përqindja e rritur mbi një bazë më të vogël votuesish nuk tregon realisht rritje të mbështetjes për socialistët, por më shumë për mungesë konkurence të fortë përballë PS-së dhe demotivim të elektoratit opozitar që ka pësuar rënie të ndjeshme nga katër vite më parë.

Sistemi që “prodhon” më shumë deputetë me më pak vota

Ajo që bie më shumë në sy është se, ndonëse PS ka më pak vota se katër vite më parë, ka arritur të prodhuojë një numër më të madh mandatesh të deputetëve. Si ndodhi kjo?

Përgjigjja është e thjeshtë: sistemi zgjedhor shqiptar. Formula e ndarjes së mandateve (sistemi proporcional rajonal me korrektim minimal) e favorizon forcën që del e para në çdo qark, sidomos në qarqet ku ndarja e mandateve bëhet me pak vota.

Kjo bën që një votë për PS-në të “vlejë” më shumë sesa një votë për opozitarët, që edhe në këto zgjedhje ishin të fragmentuar në një koalicion të udhëhequr nga Berisha dhe me lista të ndara të partive të reja.

Këtë e provon edhe rezultati në qarqe si Fieri (97 mijë vota, 62%) dhe Elbasani (79 mijë vota, 60%), ku Belinda Balluku dhe Arbian Mazniku arritën të shtojnë secili nga 2 mandate më shumë se në zgjedhjet e vitit 2021, edhe pse pritshmëritë ishin për vetëm 1 mandat më shumë.

Edhe në parashikimin e famshëm që bëri në Kuç, Rama llogariti në Fier dhe në Elbasan do të kishte respektivisht nga 1 deputet më shumë në Fier dhe Elbasan, por sistemi zgjedhor i ka ndihmuar socialistët të rrishin disproporcionalisht numrat në parlament.

Për ta bërë më të qartë, mjafton të llogaritet se për të marrë një mandat në këto zgjedhje, duke marrë si bazë votën e brendshme, duheshin rreth 10 mijë e 400 vota, ndërsa PS ka rreth 733 mijë vota në të gjithë votuesit e Shqipërisë, pra në një sistem proporcional kombëtar do të kishte vetëm 70 deputetë, ndërsa në sistemin aktual ka gati 83 deputetë.

Iluzioni i një mbështetjeje të gjerë në popull

Partia Socialiste po feston një shumicë të rëndë në parlament ku tashmë mund të kalojë lehtësisht ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar, por realisht nuk ka fituar shumicën dërrmuese të votës së shqiptarëve, siç mund të perceptohet nga numri i mandateve.

Rama ka mbështetjen e vetëm gjysmës së votuesve që morën pjesë në zgjedhje, ndërkohë që pjesa tjetër ose votoi kundër, ose qëndroi në shtëpi. Pa llogaritur rënien e pjesëmarrjes në zgjedhje, me opozitën e dërrmuar dhe me keqpërdorimin e mediave dhe institucioneve shtetërore, duhet llogaritur se sistemi zgjedhor i ka dhënë PS një avantazh përfitimi maksimal nga çdo votë.

Kjo do të thotë se, ndërsa Rama mund të festojë një fitore “numerike” në Kuvend, mbështetja reale në terren mbetet e brishtë, dhe legjitimiteti i shumicës së re varet më shumë nga formula sesa nga një entuziazëm popullor që mezi po e pret atë që do ndodhë mandatin e katërt./Lapsi.al

“Duam një festë kombëtare për fitoren ndaj nazizmit” – Trump: Europa do të fliste gjermanisht pa SHBA-të

Pa ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara, vendet evropiane do të flisnin gjermanisht, deklaroi sot Donald Trump, duke përsëritur dëshirën e tij për të shpallur një festë kombëtare amerikane për fitoren ndaj Gjermanisë naziste.

 

Presidenti amerikan talli faktin që Franca e feston fitoren kundër nazistëve më 8 maj.

Presidenti amerikan shtoi: “E dini, nuk dua të dukem mendjemadh, por kur Hitleri mbajti fjalimin e tij në Kullën Eifel, do të thosha që kjo nuk ishte tamam gjëja më e mirë”, tha ai, ndërsa disa ushtarakë qeshën. Trump i referohej pushtimit të Francës nga trupat naziste në vitin 1940 pas kolapsit të ushtrisë franceze.

Duke folur për festimet e 8 majit, shtoi: “Meqë ra fjala, e quajta presidentin Macron një tip simpatik”. Më pas e imitoi udhëheqësin francez me një theks të lehtë: “Donald, ne festojmë fitoren tonë ndaj gjermanëve”. Dhe Trump qeshi: “A nuk është e mrekullueshme?”

“E fituam luftën dhe ata ndihmuan, por pa ne nuk do ta kishin fituar”, tha ai, duke iu referuar të gjitha vendeve evropiane që festojnë fitoren ndaj nazistëve më 8 maj 1945, si dhe Rusisë (trashëgimtare e Bashkimit Sovjetik), që e feston më 9 maj.

“Pa ne, do të flisnin gjermanisht, ndoshta edhe pak japonisht. E fituam luftën dhe jemi të vetmit që nuk e festojmë”, shtoi ai, përpara se të përsëriste dëshirën për të vendosur një festë publike për të nderuar këtë fitore.

Në fillim të majit, presidenti amerikan bëri komente të ngjashme, duke minimizuar sërish rolin e vendeve evropiane, veçanërisht të ish-Bashkimit Sovjetik, i cili kishte filluar të zmbrapste trupat naziste në fillim të vitit 1943.

SHBA luajtën një rol kyç në luftë, fillimisht duke ofruar ndihmë për Aleatët, përpara se të përfshiheshin drejtpërdrejt pas sulmit japonez ndaj Pearl Harbor-it më 7 dhjetor 1941. Momenti më simbolik i ndërhyrjes së tyre në Evropë ishte zbarkimi në Normandi më 6 qershor 1944.

Sipas të dhënave të Muzeut Kombëtar Amerikan të Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara humbën 416.800 ushtarë gjatë luftës, pak më shumë se Mbretëria e Bashkuar (383.600), por ndjeshëm më pak se Bashkimi Sovjetik, humbjet e të cilit vlerësohen nga 8,8 deri në 10,7 milionë ushtarë.

Ndeshja Shqipëri-Serbi, hapet procesi i aplikimit për rezervimin e biletave për tifozët…

Federata e Futbollit njofton të gjithë tifozët se është hapur procesi i aplikimit për rezervimin e biletave për ndeshjen Shqipëri-Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë përmes platformës ebileta.al, e menaxhuar nga kompania t-ticket, duke ndjekur të njëjtën procedurë si për blerjet e mëparshme online.

Si të aplikoni:

Regjistrohuni në platformën ebileta.al duke përdorur adresën tuaj të e-mailit.

Zgjidhni tribunën e stadiumit.

Plotësoni të dhënat personale (emër, mbiemër, e-mail) në formularin përkatës.

Përfundoni me sukses aplikimin, për t’u bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes përmes shortit.

Pas aplikimit, do të merrni një e-mail konfirmimi automatik që vërteton përfundimin me sukses të procesit.

Afatet dhe procesi i përzgjedhjes:

Afati i aplikimeve do të zgjasë deri më 30 maj.

Pas mbylljes së aplikimeve, do të zhvillohet një përzgjedhje e rastësishme dhe automatike, përmes shortit elektronik.

Blerja dhe marrja e biletave:

Të përzgjedhurit do të marrin një link unik për të kryer pagesën online, gjatë periudhës 30 maj – 2 qershor 2025.

Pas konfirmimit të pagesës, biletat elektronike do të dërgohen automatikisht në adresën e regjistruar të e-mailit.

FSHF thekson se bileta mund të transferohet vetëm një herë. Çdo transferim i mëtejshëm do ta bëjë biletën të pavlefshme.