Dhoma Amerikane në materialin që ka përgatitur në takimin me përfaqësuesit e Bashkisë dhe USAID mbi taksat vendore ka ngritur shqetësimin për barrën e lartë që është krijuar nga tarifa e pastrimit dhe pagimi i saj për çdo NIPT sekondar.
Kjo tarifë, sipas materialit të Dhomës, ka pësuar një rritje të ndjeshme dhe si e tillë është bërë një kosto e konsiderueshme për bizneset. Nisur nga kjo dhe faktin që kjo tarifë jepet në këmbim të një shërbimi është e rëndësishme që të ketë një lidhje sa më të drejtpërdrejtë midis tyre. Konkretisht, rekomandon Dhoma, nivelet treguese dhe tabela duhet të rikonceptohen:
Njësitë duhet të klasifikohen mbi natyrën e tyre konkrete, domethënë një adresë dytësore nuk mund të marrë automatikisht kategorinë e selisë qendrore, por duhet të kategorizohet në bazë të aktivitetit që kryen.
Lista e aktiviteteve duhet të detajohet në bazë të Nomenklaturës së Aktiviteteve Ekonomike, duke marrë parasysh dhe duke zbatuar të njëjtat rregulla klasifikimi (aktualisht lista është jokonsistente dhe ndarja nuk është e drejtë, për shembull, një servis makinash ka të njëjtën tarifë pastrimi me një zyrë këmbimi valutor. Qartësisht ndotja e tyre është shumë e ndryshme).
Vetëm për subjektet e ndërtimit ka një klasifikim të veçantë për selinë administrative. Ndërkohë ka kompani që operojnë në fusha të tjera (minierë, prodhim etj.,) dhe që kanë seli administrative në qytet. Ata detyrohen të paguajnë tarifën e pastrimit sikur të zhvillonin aktivitetin e prodhimit në qytet.
Kalimi nga biznesi i vogël në atë të madh ka një shumëfishim të tarifës nga 3 deri në 24 herë. Kjo sjell një presion shumë të madh te ky biznes për të mos kaluar në biznes të madh. Për këtë do të rekomandonim/sugjeronim një ndryshim në mënyrën e ndarjes dhe aplikimit të tarifës duke marrë parasysh qarkullimin e bizneseve.
Gjithashtu, duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një tarifë (që lidhet me një shërbim) një ndarje e saj në baza mujore/tremujore do të ishte e mirëpritur nga biznesi.
Rekomandime të tjera të Dhomës janë:
1- Nga sektori i Asistencës dhe Regjistrimit të Taksapaguesve kërkohet që para se të bëhet ndonjë kërkesë/ankesë të paraqiten një sërë dokumentesh.
Kjo procedurë bie në kundërshtim me Ligjin “Për procedurat tatimore” dhe të gjitha parimet e sanksionuara në të për të drejtat e tatimpaguesve. Për më tepër, në lidhje me tatimpagues persona juridikë, të dhënat që kërkohen lidhen me administratorin si individ. Për ta bërë dhe më të pakuptimtë këtë kërkesë, shumica e dokumenteve janë/lëshohen nga organe në varësi të Bashkisë.
Pyetje: për çfarë duhet çertifikata familjare e administratorit për të regjistruar një biznes?
Kuptojmë se kjo procedurë ka për qëllim mbledhjen e taksave për të cilët janë përgjegjës individët, por masat për mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore përcaktohen në Ligjin “Për procedurat tatimore” dhe në asnjë prej tyre nuk përmendet heqja e të drejtës për t’u ankuar/kërkuar në administratën e Bashkisë.
2- Po nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV) në momentin e paraqitjes së një biznesi të ri për pagesën e detyrimeve tatimore i kërkohet dokumentacion për “Regjistrimin e biznesit të ri”.
Si në rastin më sipër, dokumentet e kërkuara janë në regjistrat shtetërorë (QKB) dhe të vetë Bashkisë dhe përveç shpërdorimit të letrës nuk mendojmë se ka ndonjë përfitim për Bashkinë dhe krijon procedura totalisht të panevojshme dhe në shkelje të ligjit.
Për sa më sipër, do t’i kërkonim Bashkisë të hiqte si procedurë dorëzimin e dokumenteve për të bërë një ankesë/kërkesë. Nëse kërkesa është nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor apo person i autorizuar duhet të pranohet të shqyrtohet pa asnjë kusht shtesë. Në lidhje me procedurën e dhënies së aksesit në sistemin online DPTTV, regjistrimi në këtë sistem të bëhet online ose përkohësisht duke u paraqitur një person i autorizuar për tërheqjen e passwordit. Të dhënat që i duhen shtesë Bashkisë mund të merren në formën e një deklarate pa paraqitur dokumente.
Dhoma amerikane: Taksa e pastrimit, barrë për bizneset
“Financial Times”, goditje Ramës për investimet
Tirana dhe rajone të tjera të vendit mungojnë sërish në renditjen e këtij viti “Qytetet dhe rajonet europiane të së ardhmes, për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte, 2016-2017”, të publikuar nga FDI Inteligence, njësia inteligjente e “Financial Times”.
Në të kundërt, Shkupi i Maqedonisë renditet i pari në Europë, si qytet dhe si rajon, në listën e qyteteve të vogla europiane për sa i përket eficiencës së kostos, për të tretin vit radhazi. Në të njëjtën renditje, por e matur për qytetet e mëdha të së ardhmes që janë më eficiente, Beogradi renditet në vend të tetë në Europë. Edhe Sarajeva është e gjashta në listën e qyteteve të mesme për këtë tregues.
Stip e Maqedonisë, Prijedor e Bosnjës, Sombor, Vranje e Zajecar të Serbisë janë mikroqytete europiane që vlerësohet se janë eficiente në kosto për të tërhequr investime të huaja.
Shkupi është i gjashti në Europë nga qytetet e vogla europiane për strategjinë në tërheqjen e investimeve të huaja, duke u renditur krah qyteteve nga Britania e Madhe, Franca, Belgjika, Republika Çeke. Edhe Stip është në të njëjtën renditje, por për qytetet e vogla.
Zagrebi i Kroacisë është i nënti në listën e qyteteve të së ardhmes së Europës Juglindore dhe i katërti në renditjen e qyteteve të mëdha europiane sipas kapitalit njerëzor dhe stilit të jetës.
Pse qytetet e Shqipërisë nuk janë eficiente për investitorët e huaj
Treguesi i eficiencës së kostos i matur nga FDI Inteligence, sipas metodologjisë së shpjeguar prej saj, merr parasysh elemente të tilla si paga mesatare e punonjësve të kualifikuar dhe të pakualifikuar, qiraja për zyra sipas standardeve të ndryshme, paga minimale, kostoja e hapjes së biznesit, kostoja e regjistrimit të pasurisë, kostoja e lejeve të ndërtimit, çmimet e naftës, çmimet e hoteleve me 4 dhe 5 yje, kostoja e energjisë, tatim fitimi, TVSH, normën totale të taksave në % të fitimit dhe të ardhurat për frymë të vendit, të matura sipas fuqisë blerëse.
Ndërsa Shqipëria është konkurruese në pagë dhe në qira, ajo është tepër jokonkurruese në çmimet e naftës, që janë më të lartat në rajon dhe sidomos në normën e taksave në përqindje ndaj fitimit, që sipas raportit Doing Business të Bankës Botërore është 36.5%, më i larti në rajon, së bashku me Serbinë. Gjithsesi, ky i fundit e amortizon përmes subvencioneve që u jep kompanive të huaja, si për vende pune të hapura, ashtu dhe mjediseve (ndërtesë apo tokë). Shqipëria ka normën më të lartë të TVSH-së dhe tatimfitimit, (20% dhe 15% përkatësisht) së bashku me Serbinë, si dhe të kontributit të sigurimeve shoqërore të paguar nga punëdhënësi (shënim i “Monitor”).
Renditja europiane, kryesojnë qytetet novative
Për të realizuar renditen e Investimeve të Huaja Direkte, “Financial Times” mbledh të dhëna nga 481 zona në shtetet europiane (294 qytete, 148 rajone dhe 39 kompani partnere lokale) në pesë kategori: potenciali ekonomik, mjedisi i punës, eficienca e kostos, infrastruktura dhe klima e favorshme e biznesit.
Në renditjen e 2016-2017 për të gjithë Europën, mbizotëron Londra, një pozicion që ajo e mban që prej vitit 2006. Investimet në programe dhe IT përbëjnë rreth 40% të totalit për Londrën. Ajo po konkurrohet fort nga Parisi në vendin e dytë dhe Dublini në të tretin (edhe ky i fundit po bëhet një nyje kyçe për IT dhe programet). Parisi vlerësohet si qytet inovativ, që ka numrin më të lartë të patentave të dhëna, si dhe universitete të mira. 6 qytete gjermane janë në listën e 20 më të mirëve për 2016-2017.
“Monitor”
Hashashi rrezik si piramidat e ’97-ës
Ekspertët e ekonomisë Xhepa dhe Malaj paralajmërojnë se kanabisi mund të ketë pasoja të rënda në ekonominë e vendit, duke e sjellë atë në nivelet dhe problemet e krizës së viteve 1996-1997 me firmat piramidale dhe rritjen e papunësisë dhe problemeve sociale. Në përgjigje të deklaratave propagandistike të këshilltares së kryeministrit, Irena Beqiraj se qeveria ka ndërmarrë disa nisma sociale të majta, ekonomisti Selami Xhepa, zv/rektor i UET, ka thënë se ekonomia ka një sërë problemesh. Këto u deklaruan gjatë një debati me ekonomistë e specialistë të financave gjatë emisionit “Ekopolitikë”. Gjithashtu zoti Xhepa deklaroi se vetëm 53% e forcës së aftë për punë është në punë, ndërkohë që emigracioni është i lartë. Përfaqësuesi i Konfindustrias Gjergj Buxhuku tha se, gjendja e ekonomisë është e keqe dhe papunësia vetëm sa rritet edhe pse ka emigracion masiv. Buxhuku tha se, Shqipëria praktikisht paraqitet në nivele të ulëta për thithjen e investimeve të huaja. E dyta, është kreditimi. Ka besimin e biznesit për të marrë kredi, e dyta, ka faktin nëse ka tregje realisht ku mund të investohet. Kjo është politikë e mirëfilltë e qeverisë.
Profesori i Ekonomisë, Arben Malaj, rektor i Universitetit “Luarasi”, thotë se nëse punësimi është rritur dhe mbështetja sociale është rritur, atëherë diçka çalon. Duke folur për çështjen e kanabisit, zoti Xhepa mendon se situata mund të përfundojë si ajo e 1997-ës me firmat piramidale. Ndërsa, Malaj theksoi se situata është alarmante për ekonominë dhe se më shumë para po shkojnë për buxhet se sa për arsimin. Më pas, Malaj vazhdoi se treguesi i parë që duan shqiptarët është punësimi. “Në qoftë se themi se punësimi është rritur dhe paketa sociale është rritur, diçka nuk shkon. Sepse thelbi i punësimit, është që të fusë sa më shumë njerëz në kontributin për t’u rritur ekonomia e tyre, t’u krijojë atyre sa më shumë të ardhura. Mbështetja mund të ketë ardhur për pjesën më të dobët të shoqërisë. Në qoftë se u rrit emigracioni, u rrit, sepse u bë një situatë shumë e vështirë. Edhe reduktimi i ekonomisë informale duhet bërë, duke krijuar mundësira, jo duke e shtypur atë, pasi do të gjejë mënyra tjera për të mbijetuar. Ose do të angazhohet në aktivitet kriminal, ose do të iki. Lidhur me politikat fiskale për atë situatë që u mor vendi kanë karakter shtrëngues. Ato nuk e ndihmojnë ekonominë e vendit. Mundësinë qeveria e ka të kufizuar. Politikat monetare të Bankës së Shqipërisë ka qenë në krahun lehtësues”, deklaroi zoti Malaj. Tablloja e profesorit të ekonomisë tentoi që t’i afrohej sa më shumë realitetit.
Edhe zoti Xhepa është deklaruar për një situatë gri të gjendjes sociale të vendit. Ai ka deklaruar për shifrën e lartë të të papunëve edhe pse emigracioni gjithashtu është i lartë. Për z.Xhepa gjatë këtij viti 28% ka humbur forcën e punës, ku Shqipëria vjen pas Bosnjës, por jo me ndonjë diferencë të madhe. Sipas tij, situata më dramatike paraqitet në Bosnjë me vetëm 2% më shumë. Ai më pas bën edhe një ekspoze te gjendjes së eksporteve dhe vë re se ato po shohin rënie. Më pas, zoti Xhepa vazhdoi: “Kemi të bëjmë me probleme të tjera si me kreditimin e ekonomisë. Ky problem mban akoma peng ekonominë e vendit. Në qoftë se kreditë e këqija vazhdojnë të rriten, është çështje që e mbajnë peng ekonominë. Aksioni informalitet e shikoj sikur ka vdekur. Duhet një koncept sistemik i sjelljes. Fakti që është ndaluar më bën skeptik”.
Në diskutimin rreth çështjes së kanabisit shumica e pjesëmarrësve në debat shprehën shqetësim të madh, pasi ky fenomen do të sjellë shkatërrimin e ekonomisë, madje Xhepa e sheh si një rrezik që mund të sjellë ngjarjet e 1997, me firmat piramidale dhe karakteristikat e asaj kohe.
Vetëm 53% e forcës së punë është e punësuar
Xhepa: Jam dakord që ka pasur përpjekje nga qeveria për të ndihmuar grupet vunerabël. Janë përpjekje të lavdërueshme, por nga ana tjetër rezultatet që duhet të masim progresin e shoqërisë, unë mendoj se është shqetësuese edhe për qytetarët shqiptarë dhe për sektorin e komunitetit të biznesit. Sa i takon qytetarëve, ndalja në një vit dhe në një muaj na e ngushton horizontin.
Ne sërish kemi zhvillime shqetësuese në planin social. Shqipëria ka vetëm 53% të forcës së punës ta ketë të punësuar. Vetëm 53% e forcës së punë të jetë e punësuar është shqetësues. Ne vazhdojmë që të shikojmë fenomenin e emigracionit.
Kjo bën që shumë nga indikatorët tregojnë se Shqipëria është burim emigrimi. 28% ka humbur forcën e punës, ndërkohë që më dramatike ishte Bosnja me 30%. Ka probleme në sektorin real të ekonomisë. Fakti që eksportet vazhdojnë për të tretin vit të bien. Goditja ka ardhur nga tregjet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, ka pasur një rritje të prodhimeve bujqësore.
Kemi të bëjmë me probleme të tjera si me kreditimin e ekonomisë. Ky problem mban akoma peng ekonominë e vendit. Në qoftë se kreditë e këqija vazhdojnë të rriten, është çështje që e mbajnë peng ekonominë. Aksioni informalitet e shikoj sikur ka vdekur. Nuk vazhdon që u nis me energjinë elektrike që të vihej në disiplinë. Duhet një koncept sistemik i sjelljes. Fakti që është ndaluar më bën skeptik.
Buxhuku: Sektori që ka performuar më mirë është sektori energjetik. Aksioni prodhoi efekte pozitive që vazhdojnë. Në sektorët e tjerë për hir të vërtetës, gjendja është e vështirë dhe sipas nesh kanë munguar politikat e mirëfillta ekonomike. E para, konkurrueshmëria e vendit është e ulët. Këtë e provojnë shifrat.
Shqipëria praktikisht paraqitet në nivele të ulëta për thithjen e investimeve të huaja. E dyta, është kreditimi. Ka besimin e biznesit për të marrë kredi, e dyta, ka faktin nëse ka tregje realisht ku mund të investohet. Kjo është politikë e mirëfilltë e qeverisë. Niveli i kredive të këqija. Janë në rritje. Të shoqëruara këto edhe me një papunësi që nuk po bie fare edhe pas emigracionit masiv.
Malaj: Treguesi i parë që duan shqiptarët është punësimi. Në qoftë se themi se punësimi është rritur dhe paketa sociale është rritur, diçka nuk shkon. Sepse thelbi i punësimit, është që të fusë sa më shumë njerëz në kontributin për t’u rritur ekonomia e tyre, t’u krijojë atyre sa më shumë të ardhura.
Mbështetja mund të ketë ardhur për pjesën më të dobët të shoqërisë. Në qoftë se u rrit emigracioni, u rrit sepse u bë një situatë shumë e vështirë. Edhe reduktimi i ekonomisë informale duhet bërë duke krijuar mundësia, jo duke e shtypur atë pasi do të gjejë mënyra tjera për të mbijetuar.
Ose do të angazhohet në aktivitet kriminal ose do të iki. Lidhur me politikat fiskale për atë situatë që u mor vendi kanë karakter shtrëngues. Ato nuk e ndihmojnë ekonominë e vendit. Mundësinë qeveria e ka të kufizuar. Politikat monetare të Bankës së Shqipërisë ka qenë në krahun lehtësues.
Akuzat e opozitës për rritjen ekonomisë informale nga kanabis
Malaj: Për mua ka qenë alarmante edhe pse kam punuar me Guardia di Finanza që të dalë një përfaqësues dhe të thotë se edhe unë po të kisha një dynym tokë do ta mbillja kanabis se sa foragjere, kjo është e tmerrshme. Është toleruar pavarësisht nga arsyet, kultivimin e bimëve narkotike.
Një individ mund të bëhet i pasur nga droga përkohësisht. Ne i dimë vendet që e kanë toleruar dhe kanë rënë viktima. Gjithë asistenca shkon si të luftosh drogën se sa si ta zhvillosh vendin. Të arrestuarit për drogën janë mijëra vetë. Kur arrestohet një në familje, bien të ardhurat dhe ikën krahu i punës. Bien të ardhurat për arsim, shëndetësi. Na është rritur më shumë buxheti për burxhet se sa buxheti për arsimin.
Buxhuku: Në qoftë se bashkësia ndërkombëtare e ngre si shqetësim kanabisin, ajo duhet të japi edhe bashkëpunimin për një zgjidhje rrënjësore. Në qoftë se do të lihet në kufijtë e Shqipërisë, nuk do të zgjidhet. Është i njëjti fenomen me Piramidat e ‘97-s. Është fenomen i ngjashëm. Nga ana tjetër, supozoni sikur Shqipëria e legalizon kanabisin do të prodhohen sasira kolosale. Në qoftë se nuk e ke legalizuar në vendet pritëse, atëherë problemi do të jetë i qeverisë.
Xhafaj: Ekonomia e kanabisit është ekonomi kriminale pasi ka grupe të armatosura. Nuk ka asnjë dyshim se ka një lidhje të fortë midis ekonomisë informale dhe deformimit elektorale.
Mediu: Dy çështjet ndaj Tahirit nuk i kap ligji
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, thotë se rasti i deputetit Dashamir Tahiri duhet të analizohet më tej nga KQZ dhe organet e tjera që janë të ngarkuara për zbatimin e ligjin të dekriminalizimit.
Në intervistën e mbrëmjes në RTV “Ora Neqws”, Mediu tha se dy çështjet që pretendohen ndaj tij nuk janë të përfshira në ligj.
“Kam kontaktuar me kolegun Dashamir Tahiri që është zgjedhur nga PDIU, është në opozitë ndryshe nga pjesa tjetër e grupit të PDIU. Në të dy çështjet që pretendohen karshi tij nuk janë të përfshira në ligjin e dekriminalizimit. Shpjegimi i tij është i thjeshtë, në momentin kur ka plotësuar deklaratën e dekriminalizimit nuk ka qenë në dijeni të një vendimi gjyqësor për një thyerje administrative, për një patentë që nuk ka qenë e rregullt në një kohë që vërtetimi i marrë më tej ka qenë i ligjshëm dhe flitet për 10 mijë lireta të falsifikuara që janë rreth 6 mijë lekë të vjetra që mund të bëjnë viktimë këdo. Duhet të ketë një thellim më tepër dhe të KQZ dhe institucioneve që duhet ta marrin në analizë. Me kolegun tjetër nuk kam pasur kontakt që ta pyes, por me Tahirin për shkak se jemi në opozitë sëbashku e kam pyetur dhe më ka dhënë këtë përgjigje”, tha Mediu.
Në përgjigje të zërave se, Tahiri do të kryesonte listën e republikanëve në Vlorë për zgjedhjet 2017, Mediu tha:
“As ka një diskutim të tillë. Kemi bërë një diskutim me zotin Basha, që duhet të përfshijë dhe parti të tjera politike, duhet të shikojmë të gjithë sëbashku se kush do të jenë kandidatët për deputetë të PR, PD dhe gjithë opozitës. Ne kemi kërkuar në kodin zgjedhor të mos ketë të drejtë deputeti të kalojë nga një parti në tjetër, të lërë mandatin dhe të zëvendësohet nga deputeti i radhës ose të provohet të zgjidhet përsëri, nëse përpiqet të bëjë këto pelivanllëqet politike për të kaluar nga njëra anë në tjetrën. Duhet të shikojmë nga pikëpamja e integritetit, të kemi dhe një kordinim”.
Por a duhet që zoti Tahiri dhe Selami të japin dorëheqje? “Mandati nuk ka rikthim. Duhet ta shohim procesin në respektim të ligjit, nuk mund të bëjmë gjyqtarin”. Në lidhje me Reformën Zgjedhore dhe numërimin elektronik, Mediu thotë se këto procese mbahen peng nga mazhoranca. Por pa zgjedhje të lira, tha kreu i republikanëve, nuk ka anëtarësim në BE.
Lirohet personi i arrestuar pas sulmit në Berlin
Prokurorët gjermanë thanë se një person i arrestuar pas sulmit me kamion në një treg Krishtlindjesh të Berlinit është liruar për shkak se nuk kishin prova të mjaftueshme që e lidhnin atë me sulmin.
Prokurorët federalë thanë të martën se personi në fjalë, një pakistanez i ardhur në Gjermani vitin e kaluar si azilkërkues, mohoi përfshirjen në sulmin që vrau 12 vetë dhe plagosi rreth 50 të tjerë.
Prokurorët thanë se dëshmitarët arritën ta ndjekin shoferin e kamionit deri në njëfarë vendi, por pastaj ai u humbi. Pamja e personit të arrestuar përputhej me përshkrimet e dëshmitarëve, por hetuesit nuk ishin në gjendje të provonin se ai ishte në kabinën e kamionit në kohën e sulmit.
Sipas ligjit gjerman, prokurorët kanë kohë deri në fund të ditës kalendarike për të kërkuar një urdhër arresti kur i dyshuari është në paraburgim.
Autoritetet thanë se nuk ka “asnjë dyshim” se sulmi i ditës së hënë me kamion në Berlin ishte i qëllimshëm. Personi i dyshuar, përplasi një kamion të vjedhur në një treg Krishtlindjesh, pranë kishës Kaizer Vilhelm, duke vrarë 12 persona dhe plagosur rreth 50.
Autoritetet gjermane e quajtën ngjarjen në Berlin “një akt terrorist” që kishte të gjitha shenjat e ekstremizmit islamik.
Kreu i Zyrës së Policisë Kriminale Federale tha se, nuk mund të përjashtohet mundësia që një i dyshuar apo të dyshuar të përfshirë në ngjarjen e mbrëmjes së të hënës të jenë ende të lirë, pavarësisht arrestimit të personit pak pas sulmit.
Kancelarja Angela Merkel dhe zyrtarë të tjerë të lartë gjermanë vendosën dje trëndafila të bardhë në vendin e ngjarjes. Zonja Merkel shoqërohej nga ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier dhe kryebashkiaku i Berlinit, Michael Mueller.
Zonja Merkel tha se autoritetet mendojnë se sulmi ishte një akt terrorist.
Ajo tha se do të ishte “tepër e rëndë për të gjithë” nëse përgjegjës për sulmin do të ishte dikush që kërkon mbrojtje dhe azil.
“Kjo do të ishte sidomos e neveritshme për shumë, shumë gjermanë, të cilët çdo ditë punojnë aktivisht për refugjatët, si dhe për ata njerëz, të cilët në fakt kanë nevojë për mbrojtjen tonë dhe që bëjnë përpjekje për t’u integruar në vendin tonë”, u tha ajo gazetarëve.
Shtëpia e Bardhë shprehu ngushëllime në një deklaratë me të cilën dënonte “atë që duket të ketë qenë një sulm terrorist”.
Dëshmitarët thanë se tregu popullor i Krishtlindjeve ishte i mbushur me turistë dhe banorë vendës kur aty u përplas kamioni, që duket se ishte me shpejtësi më të madhe se 60 kilometra në orë. Autoritetet thanë se automjeti ishte i ngarkuar me trarë çeliku.
Departamenti amerikan i Shtetit kishte bërë thirrje më herët për kujdes në sheshe dhe vende të tjera publike në të gjithë Evropën.
Ndërsa vazhdojnë ende hetimet për sulmet në Gjermani dhe në Turqi të hënën, Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump fajësoi terroristët islamikë për vrasjet. Ai u zotua për çrrënjosjen e rrjeteve rajonale dhe globale të terroristëve.
Merkel: Gjendje e vështirë pas masakrës
“Në rrethanat aktuale mund të mendojmë se kemi të bëjmë me një sulm terrorist”, tha Merkel në Berlin. “Kjo është një ditë shumë e rëndë për Gjermaninë”. Merkel tha në një prononcim, se ajo në këto çaste mendon në radhë të parë për të vdekurit dhe të plagosurit. Një vend i tërë është i bashkuar në hidhërim. “Unë jam me mendime edhe tek forcat e shpëtimit, policët, zjarrfikësit, mjekët e kujdestarët”. Ajo i falënderoi ata “nga zemra për angazhimin e tyre të vështirë”.
Kancelarja tha se, ka besim të madh tek hetuesit, që po punojnë për ta zbardhur këtë akt. Sipas saj ky është një akt “mizor dhe i pakuptueshëm”, që më ka shokuar. Ky akt do të ndëshkohet, “aq rreptë sa e kërkojnë ligjet tona”.
Merkel theksoi: “Ne nuk duam të jetojmë me mendimin, se frika nga e keqja na paralizon”. Ne nuk do të heqim dorë nga tregjet e Krishtlindjeve.
Reagime të tronditura nga e gjithë bota
Pas mësymjes së kamionit 40 tonësh në një treg Krishtlindjesh në Berlin të hënën në mbrëmje, policia flet se autori e ka futur me dashje kamionin në tregun pranë sheshit Breitscheid. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere është shprehur se ka “shumë” të dhëna që flasin për atentat. “Nuk dua të flas për një atentat, por ka shumë të dhëna që flasin për këtë”, tha De Maiziere për televizionin “ARD”. “Aktualisht po marrim në pyetje një të dyshuar, tha ai “por tani jam me mendje tek të afërmit e viktimave dhe të plagosurit e ngjarjes së tmerrshme”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka qenë që nga orët e mbrëmjes në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Brendshëm, sipas zëdhënësit, Steffen Seibert është shprehur me hidhërim për sulmin në Berlin dhe ka theksuar se “ne mbajmë zi për viktimat”. Presidenti gjerman, Joachim Gauck e ka quajtur të hënën një “natë të rëndë për Berlinin”. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave.
Presidenti francez, François Hollande u shpreh se “francezët ndajnë dhembjen me gjermanët përballë kësaj tragjedie që godet të gjithë Europën”. Ndërsa Kryeministri francez Cazeneuve ka theksuar se “e gjithë Franca është në krah të Gjermanisë”. E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini është shprehur se “Europa u godit edhe një herë. Mendimet tona janë tek viktimat dhe familjet e tyre”.
Edhe qeveria amerikane e ka dënuar sulmin. Presidenti Barack Obama e ka dënuar “me shumë ashpërsi” ngjarjen në Berlin. “Ne jemi bashkë me Berlinin në luftë kundër të gjithë atyre që kërcënojnë mënyrën tonë të jetesës dhe shoqërinë tonë”, ka thënë Obama. Presidenti i zgjedhur, Donald Trump është shprehur se ky është një sulm i tmerrshëm dhe se “bota e civilizuar duhet të ndërrojë qëndrim”.
Barazimi i së keqes, nuk i shërben dekriminalizimit
Prokuroria njoftoi dje masat e para në zbatim të ligjit të dekriminalizimit. Ajo kërkoi ndërprerjen e mandatit të deputetit për dy deputetë dhe një kryebashkiak. Konkretisht njëri deputet është i LSI, një tjetër i përket deputetëve çamë, por që është në listat e PD dhe i treti është legjendari i Bashkisë së Kavajës, përdhunuesi i fëmijëve.
Në deklaratën dhe njoftimin e djeshëm të Prokurorisë dukej se tentohej të jepej mesazhi i një institucioni që kërkon të vendosë barazi në procesin e së keqes. Kjo sepse, njëri është pjesë e listës së LSI, tjetri të PD dhe i fundit nga radhët e Ramës. Të vendosësh shenjën e barazimit mes krimeve të Artur Roshit dhe procedimit për një patentë të falsifikuar të Dashamir Tahirit është qesharake. A ka njeri të besojë sot në këtë vend se është njëlloj kriminel si Dash Tahiri që paska patur një patentë false edhe Elvis Roshi i dënuar aq herë sa edhe ai vetë nuk e mban mend, duke nisur nga përdhunimet deri tek trafiku i drogës?
Ligji është ligj dhe ai duhet respektuar në çdo gërmë të tij. Dy standardet minojnë besimet tek institucionet. Shfaqja e një show për të njollosur njëlloj si kriminelët edhe ata që janë akuzuar për patentë false është shërbimi më i keq që mund t’i bëhet një reforme si ajo e dekriminalizimit. Kjo reformë ka pasur si qëllim të largojë kriminelët dhe trafikantët nga institucionet. Nëse reforma degradon duke u shndërruar në një lloj policie rrugore që verifikon patentat e deputetëve, atëherë në këtë rast kemi të bëjmë me një degradim dhe në rastin më të keq me një keqpërdorim.
Rama nuk heq kunatin e Xhafës nga lista e Strasburgut
Tre propozimet e reja të qeverië shqiptare për vendin e gjykatësit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg janë Sokol Berberi, Aurela Anastasi dhe Elira Kokona.
Qeveria Rama ndryshoi kandidaturat e saj, pasi në shtator Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rrëzoi listën e parë të qeverisë, ku kandidatë ishin Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama.
Sokol Berberi, i vetmi kandidat që është ripropozuar nga qeveria, deri në tetor 2016 ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Zoti Berberi dha dorëheqjen pas pezullimit të ligjit të vetingut nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, ai ka mohur se dorëheqja e tij ka lidhje me ligjin e vetingut.
Prof. Dr Aurela Anastasi njihet si eksperte e të drejtës kushtetuese. Ajo prej më shumë se 20 vjetësh jep mësim në Fakultetin e Drejtësisë. Zonja Anastasi ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve të lartë të angazhuar në fazën e parë të hartimit të Reformës në Drejtësi.
Elira Kokona është aktualisht sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës. Më parë, ajo ka qenë drejtoreshë e Shkollës Kombëtare të Avokatisë në Shqipëri.
Zonja Kokona ka qenë një nga avokatët që mbrojtën në Gjykatën e Strasburgut Mihal Delijorgjin, pronarin e kompanisë Albademil, akuzuar si shkaktarja e tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona.
Në opinionin publik, zonja Kokona u bë e njohur kur, me anë të një statusi në Facebook, u shpreh entuziaste për fitoren e Mihal Delijorgjit ndaj shtetit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut.
Rama i kapur në aferën CEZ po prish hetimin
Edmond SPAHO
Edi Rama po i shmanget hetimit parlamentar për marrëveshjen me CEZ dhe po bën gjithçka për të prishur seancat e Komisionit, sepse e vërteta e kësaj afere është tronditëse dhe e bën atë përgjegjës për 450 milionë euro të shqiptarëve, detyrime të pranuara nga vetë CEZ, që ai i fali kompanisë çeke.
Për këtë ju vemë në dispozicion dy dokumente:
Letra 6092/2 datë 28.09.2012 e Kryetarit të Bordit të CEZ, Jaroslav Macek, i cili konfirmon detyrimet dhe skedulin për shlyerjen e tyre si dhe deponimin e zv/ministrit të Financave, Erion Luçi në Prokurori, i cili thekson që pala çeke në takimin e dytë që u zhvillua në Vienë në datën 7 shkurt 2014, nuk i mohoi detyrimet.
Edi Rama mashtron, kur thotë përmes Gjiknurit, se marrëveshja e mirëkuptimit u arrit në muajin qershor 2014. Ne kemi fakte se ky pakt është arritur përpara dhe marrëveshja ka qenë e paravendosur.
Faktet tregojnë që Damian Gjiknuri ka deponuar në Prokurori se pas konsultimeve me Kryeministrin dhe përpara takimit të dytë të grupeve negociuese që u zhvillua në datën 7 shkurt 2014 në Vienë, u mor vendimi politik që CEZ t’i jepen 100 milionë euro. Pra, pakti tregon se përveçse CEZ ju falën të gjitha detyrimet prej 450 milionë euro ju është dhënë edhe 100 milionë euro shpërblim për këtë mega aferë korrupsioni.
Përveç deponimeve të Gjiknurit në Prokurori ju vëmë në dispozicion dy korrespondenca të Avokatit të Shtetit, Alma Hiçka me avokatin ndërkombëtar, ku konfirmohet ujdia për t’i dhënë CEZ 100 milionë euro.
Edi Rama mashtron, kur nëpërmjet Gjiknurit thotë se ishte avokati ndërkombëtar që sugjeroi marrëveshjen me CEZ. Ne kemi prova, që tregojnë se avokati ndërkombëtar i qeverisë ka kundërshtuar hapur këtë marrëveshje.
Për këtë ju vëmë në dispozicion korrespondencën e tij të datës 1.04.2016 me Avokatin e Shtetit, Alma Hiçka ku distancon studion e tij nga marrëveshja, arritjen e të cilës e cilëson tmerrësisht atipike.
Në ditët e ardhshme do ju njohim me fakte të tjera nga afera më e madhe e shekullit.
Shifrat zyrtare të një batërdie vjedhjesh
Armand MAHO
Në gusht të vitit 2015, Edi Rama do të shpallte me pompozitet një aksion kundër informalitetit. Aksioni përqendrohej kryesisht tek bizneset e vogla, të cilat do të ishin të detyruara të pajiseshin me kasa fiskale, ndërkohë që prerja e kuponit tatimor ishte kthyer në moton e qeverisë. Gjithkush e mban mend Edi Ramën, teksa dilte nëpër lokalet e ish-bllokut, me një shishe ujë dhe kafe, duke reklamuar copën e letrës ku caktohej shkrimi. Lideri global, do të shprehej se marrja e këtij kuptoni do të thoshte më shumë shërbime në shëndetësi, arsim e të tjera si këto. Nga ky aksion ai kish shmangur ministrin e Financave, Shkëlqim Canin, dhe aksionin e drejtonte ministri i Ekonomisë së asaj kohe reformatori Arben Ahmetaj, sot ministër i Financave. Punët, nuk dukeshin aspak mirë. Për vitin 2015, tatimet dhe doganat rezultonin me një deficit prej 123 milionë dollarëshe rreth 13 për qind e dëmit të përgjithshëm. KLSH do të zbulonte se nga këto, 92 milionë dollarë dëmi do të ishte vetëm në tatime dhe 31 të tjerë në dogana. Sipas raporteve, vetëm në vitin e parë të qeverisjes, qeveria e rilindjes kish abuzuar me 770 milionë dollarë, ndërkohë që trendi ishte në rritje. Dhe si gjithmonë lideri global do e gjente zgjidhjen, duke sulmuar shtresat e pambrojtura… Taksidarët u lëshuan në dyert e bzinesmenëve të vegjël, atyre që nuk bëjnë asnjëherë pushim në ftohtë dhe në vapë, në shi dhe në diell. Kërkonin vendosje kasash fiskale, të cilat shiteshin me trefishin e çmimit të blerjes. Aso kohe flitej se mbrapa importit të tyre qëndronte vëllai i kryeministrit…. Rezultati ishte zhgënjyes! Vetëm në shtator të vitit 2015 humbja nga tatimet ishte 35 milionë dollarë.
Viti 2016
Një vit pas këtij aksioni, sërish gjendja vazhdon po njësoj. Raporti vjetor i KLSH ska dalë ende, por ka qenë vetë Ministria e Financave që deklaron se humbja për periudhën janar shtator ka qenë rreth 36 milionë euro vetëm në dogana, ku 7 milionë i përkasin muajit gusht. Gropa vazhdon të zgjerohet megjithëse bizneseve u mbijnë në derë taksidarët çdo javë. As shkarkimi i Briseidës, duket se nuk ka sjellë ndonjë përmirësim në këtë bilanc. Drejtori i Tatimeve të Tiranës, Stefanaq Kote, dy ditë më parë dha dorëheqjen. Publikisht nuk është shprehur, por sipas portalit Shuplaka.com arsyet kanë qenë punësimi pa kriter i militantëve në këtë sektor jetik për shtetin. “Kote ka parë si pengesë gjatë punës paaftësinë e punonjësve dhe një nga arsyet e dorëheqjes së tij kanë qenë punësimet në institucionin që drejtonte. Gjatë drejtimit të tij mësohet se janë punësuar shumë militantë partie joprofesionistë”, thotë portali në fjalë. Pra, institucioni i cili furnizon me të ardhura shtetin, është kthyer në fole militantësh dhe aq shumë është fryrë ky problem, sa është bërë shqetësim dhe për vetë socialistët siç është rasti i Kotes.
Ku po shkojnë paratë ?
Por natyrshëm lind pyetja se ku shkojnë tërë këto para?! Për vitin 2015 pas aksionit të famshëm, qeveria do të deklaronte triumfin: U regjistruan 39 mijë biznese të reja. Në fakt harroi të shtonte se tek këto 39 mijë shumica ishin ato që siguronin ato pak të ardhura për të mbijetuar. Regjistrimi i 39 mijë bizneseve do të thoshte dhe 39 mijë kasa të shitura, një biznes mjaft i mirë për importuesin kryesor. Por, përveç benefiteve të drejtpërdrejta apo të tërthorta që kishin palë të interesuara, si fjala vjen importuesit që janë mbrapa kryeministrit, pasi janë rreth 12 milionë euro xhiro vetëm nga shitja e tyre me detyrim, sërish duhet të kishte efekt pozitiv në të ardhurat e tatimeve. Por gropa vazhdon! Burime nga tatimet bëjnë të ditur, se tatimet janë kthyer në biznes fitimprurës për klientët e kryeministrit. Kompanitë e mëdha të lidhura me të, operojnë me dy regjistra. Pra, një pjesë e paguajnë në shtet, dhe pjesën tjetër e çojnë në formë rroge tek të përzgjedhurit e liderit global. Shtoi kësaj dhe vjedhjen që bëhet në formë rryshfeti nga të punësuarit në tatime. Nga ana tjetër, një efekt negativ prodhon dhe taksa progresive, e cila ka bërë që shumë biznese me TVSH të fshehin të ardhurat reale. Kjo ishte politika e taksës së famshme progresive që aplikoi Rama. E gjithë kjo situatë ka bërë që të ardhurat të bazohen kryesisht te bizneset e mesme dhe të vogla, apo nga gjobat që aplikohen rëndom nga taksidarët të importuar nga selia mavi. Paratë nuk shkojnë, për përmirësimin e shërbimit shëndetësor, as për arsim, por thjeshtë pasurojnë një kastë të caktuar klan i kryeministrit.