Një të riu nga Fushë Arrëzi i është bërë një atentat vitin e kaluar nga dy persona, ndërsa jeta e tij vazhdon të jetë e kërcënuar, pasi sipas tij, dy autorët mbrohen nga kreu i Policisë së Pukës, pasi janë njerëz të afërt të tij. I riu i është drejtuar me një mesazh ish-kryeministrit Berisha, duke i kërkuar ndihmë pas atentatit ndaj tij në korrik të vitit të kaluar. Ylber Gjinaj nga Fushë-Arrëzi thotë se, vitin e kaluar i është bërë atentat nga dy vëllezër, por fatmirësisht ka shpëtuar. Ai është detyruar të largohet jashtë vendit, pasi sipas tij, autorët e atentatit kanë lidhje familjare me shefin e Komisariatit të Policisë së Pukës. Ai akuzon Policinë dhe Prokurorinë se nuk e kanë hetuar këtë ngjarje. I riu nga Fushë Arrëzi thotë se, ka mundur të marrë me “shoqëri” edhe një video nga Policia e Pukës ku shfaqet momenti i atentatit ndaj tij.
“Video tronditëse e një atentati, marrë nga Policia Pukë, që dëshmon: -fshehjen e vrasësve nga çunat e krimit. Viktima që u shpëtoi plumbave informon”, shkruan Berisha në Facebook duke publikuar videon e postuar nga qytetari nga Fushë Arrëzi si dhe mesazhin e tij.
“Jam Ylber Gjinaj, banor i qytetit të Fushë Arrëzit të Pukës. Vjet më është bërë një tentativë vrasje nga dy vëllezer, por fatmirësisht, Zoti madh kam shpëtuar. Pasi kam mundësuar videon ta marr nga ambjentet e Policisë së Pukës me “shoqëri”, dua ndihmën tënde, pasi Policia e Pukës dhe Prokuroria as që e kanë vendosur ujin në zjarr. Për këtë ngjare madje unë jam detyruar të largohem jashtë vendit, pasi personat që donin të realizonin vrasjen kanë lidhje familjare me shefin e Komisariatit të Policisë së Pukës, Hamdi Shullanin”, shkruan qytetari nga Puka.
Pas këtij denoncimi publik të qytetarit nga Puka, ish-kryeministri Berisha shkruan se, kjo është një indiferencë kriminale, aleancë e qartë e policisë me vrasësit. Berisha i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme të nisë menjëherë hetimin për këtë ngjarje të rëndë. “Kjo është një indiferencë kriminale, aleancë e qartë e policisë me vrasësit. Unë i bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të nisë hetimin për ndëshkimin e kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre në zyrat e shtetit”, shkruan Berisha.
Megjithëse është natë, nga pamjet e kamerave duket se si djali po vjen me një makine tip “Audi” dhe ndalon, kur befas pas tij vjen një makinë tip Mercedes ¬Benz. Nga makina e dytë dalin dy të rinj me armë, ku njëri prej të cilëve duket se si e mbush pistoletën dhe qëllon dy herë ndaj djalit. Fatmirësisht objektivi i atentatit arrin të shpëtojë dhe i jep gaz makinës duke u larguar.
Por përveçse nuk arrijnë dot të realizojnë vrasjen, dy personat me sa duket nga emocionet, harrojnë të vendosin frenat e dorës te makina e tyre. Për pasojë në momentin që objektivi i atentatit largohet, njëkohësisht “largohet” edhe makina e tyre. Ajo bie në humnerë prej gati 50 metrash duke u shkatërruar.
Shefi i Policisë së Pukës është akuzuar nga opozita për bashkëpunim me trafikantët në mbjelljen e kanabisit në Pukë. Ai është akuzuar se zotëron disa parcela me drogë në bashkëpunim me nipin e vrasësit Arben Frroku, Sokol Frroku edhe ky i dënuar nga Gjykata për vrasje. Para pak ditësh, policia ndërmori një aksion për shkatërrimin e parcelave me drogë në Pukë, por parcelat që janë në pronësi të shefit të komisariatit dhe vrasësit Frroku nuk janë prekur, ndonëse janë të dallueshme. Skandali është denoncuar në media para pak kohësh nga një qytetar.
Pas publikimit të lajmeve në media për mbjelljen e parcelave me kanabis në Pukë nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Pukës, në bashkëpunim me shefin e Komisariatit të Policisë, policia ndërmori një aksion për shkatërrimin e kanabisit, por burimet bënë të ditur se nuk u prekën parcelat e zyrtarëve të lartë.
Denoncimi: Kryepolici mbron autorët që duan të më vrasin
Zoto: Nuk dhashë urdhër për pajisjen e përgjimit
Ish drejtori i përgjithshëm i burgjeve Artur Zoto dëshmoi në komisionin parlamentar mbi pajisjen IMSI CATCHER. Zoto mohoi të ketë dhënë urdhër për futjen e mjetit në ambjentet e burgut, me qëllim matjen e lagështirës në ajër.
Ishte drejtor i përgjithshëm i burgjeve në kohën kur mendohet të jetë përdorur pajisja IMSI CATCHER jashtë kornizave ligjore. E pavarësisht kësaj, informacionin e kishte të cunguar.
Pyetjes, sipas tij sugjestionuese, lidhur me makinën, e cila është regjistruar të ketë hyrë në burgun 302 në Tiranë me urdhër të tij, pra drejtorit të përgjithshëm, me qëllim monitorimin (matjen e ajrit në burg), Zoto i përgjigjet me “tabula rasa”.
Mbetet nënshkruesi, Gzim Gjoni.
Oficeri i drejtorit Fatjon Fanaj është personi i cili ka regjistruar, në librin e hyrje-daljeve të burgut, makinën me targë AA 380 BD.
Duke konfirmuar kështu hyrjen e makinës në ambientet e burgut 302, por jo përmbajtjen e saj.
Komisionit, i cili deri më sot ka funksionuar me numrin minimal të deputetëve të nevojshëm për plotësimin e kuorumit, iu desh prezenca e nën-kryetarit të LSI Luan Rama, në mbledhjen e pestë të saj, për të kërkuar një plotësim të dokumentacionit në dispozicion të anëtarëve.
Raporti i KLSH për 2015: Abuzimi qeveritar 920 milionë euro
Në prill të vitit 2015, KLSH në raportin drejtuar Kuvendit konstatonte se abuzimet në Dogana dhe Tatime ishin rritur rreth 14 herë më shumë, krahasuar me një vit më parë. Sipas këtij raporti 123 milionë euro ishte shuma e abuzimit nga këta sektorë, ose rreth 13 për qind të totalit prej 1 miliard euro të dëmit që iu shkaktua shtetit për vitin që shkoi nga qeverisja e rilindjes. Mbetet për t’u parë këtë vit sa do të jetë dëmi total, por trendi i shifrave është në rritje.
“Për vitin 2015, një dëm të konsiderueshëm kemi konstatuar në sektorin e Tatimeve dhe Doganave në rreth 13% të dëmit total të konstatuar, kundrejt 10% të dëmit të konstatuar në këtë sektor për vitin 2014 dhe 3% të konstatuar në vitin 2013. Po të analizojmë në vlerë trendin në rritje të dëmit në sektorin e Tatimeve dhe Doganave do të vërejmë një rritje me 14 herë krahasuar me shifrën e dëmit të konstatuar në vitin 2014, raporton KLSH. Kështu nga 1,220,319 mijë lekë të vitit 2014 konstatimet në këtë sektor kanë arritur në 16,854,733 mijë lekë në vitin 2015. Për vitin 2015, kemi rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar me vitin 2014. Gjithashtu, rritje ka pësuar edhe dëmi në prokurime arriti në 2,621,594 mijë lekë, krahasuar me 678,118 mijë lekë të konstatuar për vitin 2014 me një rritje 3.8 herë. Por KLSH referon se, për vitin 2015 pjesa më e madhe e dëmit vjen kryesisht nga fusha e menaxhimit të pasurisë shtetërore, ku rezulton se është konstatuar rreth 84% e dëmit total në sektorin e energjisë e sektorin e hidrokarbureve. Buxheti i shtetit për vitin 2015 ka pësuar një dëm ekonomik rreth 920 milionë euro ose 125.763.051 mijë lekë. Sipas raportit, dëmi ka si shkak parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera. Madje, treguesi i mesatares së dëmit ekonomik në raport me buxhetin e shtetit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2014, thuajse është dyfishuar.
Kaos me trafikun në Tiranë, autokolonë me makina dhe dëshpërim qytetar
Kaosi me trafikun në Tiranë është kthyer në një makth jo vetëm për drejtuesit e mjeteve, por edhe për qytetarët. Në këto kohë që qendra e kryeqytetit është e bllokuar për shkak të punimeve që ka nisur Bashkia e Tiranë prej pak muajsh situate është mjaft kaotike.
Bashkia e Tiranës ka bllokuar qendrën e Tiranës për shkak të punimeve ndërsa khe kjo ka bërë që kryeqyteti të përfshihet nga trafiku. Por qytetarët kanë gjetur mënyra të ndryshme që t’i përgjigjen tekave të kreut të Bashkisë, Erion Veliaj.
Ata janë detyruar që me makinat e tyrë të kalojnë nëpër urat e këmbësorëve, një gjë e ndaluar për shkak të faktit se urat mund të shemben dhe të rrezikohet edhe jeta e njerëzve.
Mësohet se rradhët e gjata të makinave janë krijuar si pasojë e punimeve në qendër të Tiranës. Mësohet se trafiku më i rënduar është krijuar në zonën e unazës. Ndërkohë ditën e djeshme ‘Rruga e Durrësit’ dhe ‘Zogu i Zi’ kanë qenë rrugët më problematike. Qytetarët janë shprehur se kanë qëndruar për mbi një orë në trafik, ndërsa policia fajëson Bashkinë e Tiranës si shkaktare të këtij kaosi në trafikun rrugor.
Qindra banorë të Tiranës që lëviznin me autobuzët urbanë ose me makinat personale u bllokuan në qendër. Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për kthimit e sheshit në pedonale dhe si pasojë ngërçi i krijuar për lëvizjen e mjeteve në qendër të Tiranës është bërë i pazgjidhshëm.
Rrugët dytësore nuk e përballojnë dot ngarkesën e krijuar. Edhe kur lejohej lëvizja e mjeteve në sheshin “Skënderbej”, trafiku ishte njësoj i rënduar. Situata bëhet edhe më e rëndë, kur Bashkia e Tiranës, në vend që të gjejë një zgjidhje, i shtohet problemit duke bllokuar edhe rrugë dhe sheshe të tjera.
Edhe sheshi “Nënë Tereza” është bllokuar nga Bashkia dhe trafiku në rrugët dytësore është koklavitur në të gjithë zonën përreth. Sheshi e ka humbur të gjithë funksionin e shplodhjes dhe argëtimit për qytetarët, megjithëse një pjesë të mirë aty e zë shërbimi i qofteve dhe birrave. Punimet e bashkisë kryhen në mes të ditës, duke bllokuar rrugët në arterie të rëndësishme, siç është unaza e qytetit. Trafiku i rënduar në Tiranë është një rutinë tashmë, në çfarëdo orari të ditës. Duket se të sharat e shoferëve që iu duhet të qëndrojnë çdo ditë në trafik, nuk bëjnë asnjë efekt tek përgjëgjësit e kësaj katrahure.
Autokolana e makinave nis që në hyrje të Tiranës tek pallati em shiqgjeta dhe deri në qendër. Ata që e vujanë më shumë këtë kaos janë qytetarët të cilët shkojnë me vonesë në punë. Efekti në trafikun e makinave ndjehet në të gjithë zonën përreth, ku emri i Erjon Veliajt lakohet në mënyra të ndryshme nga drejtuesit e mjeteve.
Veliaj vendos gjoba edhe në parkingun e ligjshëm
Edhe pse pjesa më e madhe e rrugëve në Tiranë janë kthyer në parkime me pagesë për automjetet, sërish gjobat ndaj qytetarëve nuk kanë të sosur. Njëri prej tyre e ka denoncuar publikisht këtë skandal. Në një mesazh dërguar ish-Kryeministrit Berisha, qytetari shkruan se, Bashkia e Tiranës i kishte marrë makinën me karroatrec edhe pse ishte parkuar në parkim të ligjshëm. “Qytetari dixhital denoncon: Bashkinë e Veliajt që vendos gjoba të paligjshme ndaj banorëve”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Dua të raportoj zhvatjen që u bën Bashkia e Tiranës qytetarëve. Kisha parkuar makinën në mbrëmje në një parking të ligjshëm si edhe shumë të tjerë. Në mëngjes të gjitha makinat ishin marrë me karrotrec. Na ndihmoni ju, zoti Berisha nga kjo qeveri se po na zihet fryma. 7.200 lekë të reja nuk na i ka falur njeri, që t’ia paguajmë Erionit kot…”, përfundon qytetari.
Policia Bashkiake nuk lejon as njerëzit e papunë të mbledhin kanaçe në kazanat e plehrave. Kryesisht ata që rrëmojnë nëpër kazanë janë njerëz të varfër që mbajnë frymën gjallë me ato pak lekë që marrin nga shitja e kanaçeve. Duke i hequr edhe këtë mundësi, pyetja që shtrohet është me çfarë do të jetojnë këta njerëz? Aksione të tilla nëpër rrugët e Tiranës, njësoj si aksionet ndaj shitësve ambulantë apo për kuponin tatimor kanë shkaktuar shpesh indinjatë dhe reagime të ashpra në rrjetet sociale.
Aksident në autostradë, përplaset për vdekje një grua
Një aksident ka ndodhur pasditen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, ku ka humbur jetën një grua. Sipas burimeve nga policia, aksidenti ndodhi rreth orës 17:30 përballë një qendre tregtare ku një automjet tip “Volkswagen”, që drejtohej nga 26-vjeçari me iniciale A.F., ka aksidentuar shtetasen, N. L., 45 vjeçe, e cila është dërguar në Spital për ndihmë mjekësore.
Por, rreth orës 20:40, kjo shtetase ka humbur jetën në spital si pasojë e plagëve të marra. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar nga Shërbimet e Policisë për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Ndërkohë, një tjetër aksident me pasojë plagosjen e 4 personave ka ndodhur po ditën e djeshme në autostradën Vlorë-Levan. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:15 tek mbikalimi i Panajasë, kur një kamion “Autobot” me targë AA 882 HU, është përplasur me një automjet tjetër tip “Opel” me targë AA 090 HI.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur 3 shtetase, të cilat udhëtonin me mjetin tip “Opel” si dhe drejtuesi i kamionit R.G., 26 vjeç, i cili ka marrë plagë në këmbë. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin Rajonal për ndihmë mjekësore, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia në vendngjarje ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Zhduken dy adoleshentë në Shkodër
Dy adoleshentë janë denoncuar të zhdukur nga familjarë, në Komisariatin e Policisë së Shkodrës. Gjatë ditës së djeshme D.A., 22 vjeç dhe Gj.L., 50 vjeç, banues në Shkodër, u paraqitën në polici për të denoncuar largimin nga banesa të vëllait dhe djali, konkretisht E.A., 16 vjeç dhe E.L.,15 vjeç. Raportohet se dy familjarët thanë para uniformave blu se dy adoleshentët ishin shokë me njëri-tjetrin. Ata kishin humbur çdo kontakt me familjet përkatëse më 16 dhjetor dhe që nga ajo ditë nuk dihet se ku ndodhen.
Në denoncimin e bërë në polici, u tha se fillimisht dy familjet kërkuan privatisht për t’i gjetur, por pa rezultat, prej tyre nuk kishte asnjë gjurmë. Për shkak të shqetësimit se dy të rinjve mund t’u ketë ndodhur ndonjë gjë e keqe, dy familjarët janë paraqitur në polici për të kërkuar ndihmë. Pas denoncimit të dhënë ndaj tyre, policia nisi hetimet për gjetjen e adoleshentëve.
I akuzuari si grabitës i bankës shkon në polici: Tërhoqa para në bankomat
Pak minuta pas publikimit nga policia të fotos së një personi që dyshohej se ishte një nga bashkëpunëtorët e grabitjes së bankës një ditë më parë, ky i fundit është paraqitur në ambjentet e Drejtorisë së Policisë, duke deklaruar se nuk kishte lidhje me grabitjen, pasi kishte tërhequr para nga bankomati. Shtetasi i identifikuar si E. Kodra ka dhënë një dëshmi të plotë se përse ndodhej pranë bankës në momentin para ngjarjes.
Ai ka mohuar të ketë lidhje me grabitësit apo që të ketë ndihmuar në veprimet kriminale. I pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore se përse ndodhej aty, ai ka shpjeguar se do të kryente veprime në bankomat për tërheqjen e një shume parash që ai i ka depozituar si klient i bankës. Më herët policia publikoi foto të E.Kodrës që ndodhej pranë bankës, duke ngritur dyshimet se ai ishte një nga bashkëpunëtorët në ngjarje.
Dy persona të maskuar dhe të armatosur grabitën nën kërcënimin e armës një sasi parash në një bankë të nivelit të dytë në zonën pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit” në Tiranë. Megjithatë ende nuk ka asnjë të ndaluar për ngjarjen. Të hënën, rreth orës 08:30 dy grabitësit të cilët lëvizin me një motor të vogël kryen grabitjen me armë. Njërit prej grabitësve gjatë largimit nga vendngjarja i ka rënë arma tip pistoletë. Dyshohet se grabitësit kanë marrë një shumë prej rreth 50 milionë lekësh.
Në momentin që grabitësit janë futur në bankën e nivelit të dytë te “21 Dhjetori”, personi i parë me të cilin janë përballur ka qenë roja i sigurisë, një burrë rreth të 60-ave. Njëri prej autorëve e ka përplasur atë pas murit, duke e rrëzuar në tokë dhe më pas është drejtuar për tek arka për të realizuar vjedhjen e parave. Burime nga Policia e Tiranës thanë se autorët kanë vepruar me shpejtësi për të shmangur rënien e sinjalit të alarmit, pasi banka ndodhet shumë pranë Komisariatit nr.2. Megjithatë, nuk kanë arritur ta shmangin sinjalin, edhe pse kanë arritur të largohen në kohë, para se aty të mbërrinte policia. Gjatë kohës që njëri nga grabitësit kërcënonte arkëtaren për t’i dhënë paratë, roja i sigurisë që ishte përplasur më parë në tokë ka arritur të aktivizojë alarmin. Në këtë moment, grabitësit i ka zënë paniku dhe kanë nxituar të largohen nga banka. Ndërsa gjatë momentit që largohen, ata janë përplasur në një prej tavolinave dhe njërit prej grabitësve i ka rënë në tokë pistoleta që mbante në dorë. Duke nxituar për t’u larguar nga vendngjarja, ai nuk ka pasur kohë që ta marrë armën dhe është larguar bashkë me shokun e tij, duke lënë pistoletën në ambientet e brendshme të bankës.
Ndërkohë, është gjetur motori që u përdor nga dy grabitësit e bankës pranë “21 Dhjetorit” në Tiranë. Mjeti ishte braktisur pranë Gjykatës së Tiranës. Grupi hetimor po ekzaminon në përpjekje për të gjetur gjurmë të lëna nga grabitësit.
Hashash e kokainë nga Shqipëria, goditet grupi shqiptar në Greqi
Një organizatë kriminale që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria në Greqi është goditur nga policia greke. Dhjetë persona janë arrestuar, 9 prej të cilëve janë shqiptarë dhe 1 grek. Hetimi u krye nga Policia e Athinës në bashkëpunim me Policinë e Janinës, pas kapjes së një 41-vjeçari shqiptar më 28 nëntor, duke trafikuar 133 kg kanabis.
Gjatë operacionit antidrogë, autoritetet greke sekuestruan 173 kg hashash, 349 gr kokainë, 77.655 euro, 435 dollarë, 5 makina si dhe fishekë e celularë. Sipas strukturës së kësaj organizate, çdo anëtar i kishte rolet të specifikuara, duke filluar nga transporti i drogës, fshehjes e magazinimit dhe më pas trafikimit. Nga hetimet e deritanishme janë zbuluar 113 raste trafiku ndërkombëtar lëndësh narkotike të kryera nga kjo organizatë.
Kapet shqiptari që furnizonte Italinë me drogë
Edhe një tjetër i ri është vënë në prangat e policisë, pasi është i kërkuar nga drejtësia italiane për trafik të lëndëve narkotike. Burime nga policia thanë se, është kapur anëtari i 20-të, i grupit kriminal në fushën e trafikut të kokainës dhe heroinës në Itali e vende të BE-së. Personi në kërkim i arrestuar sot në vendin tonë, është Shpend. C , 25 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi në kuadër të Operacionit “Boaster”, i realizuar në vendin tonë dhe në Itali, ku një ditë më parë u arrestuan gjithsej 19 persona dhe u shpallën në kërkim tre të tjerë si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike (heroinë dhe kokainë), me shtrirje në vendin tonë dhe në vendet e BE-së. Operacioni është akoma duke u zhvilluar, për kapjen e të gjithë personave të implikuar në këtë organizatë kriminale.
Ndaj 22 personave, pjesë e një bande të rëndësishme të trafikut të drogës në verilindje të Italisë, janë lëshuar urdhërarreste nga Policia e Padovas në Itali, në përfundim të hetimeve. Siç raportojnë mediat lokale, 19 persona janë arrestuar ditët e fundit, disa prej tyre në Shqipëri, ndërsa 3 janë ende në kërkim. Në pranga janë vënë 9 shqiptarë, 1 rumun dhe 9 tunizianë.
Hetimet bënë të mundur zbulimin e një organizate të madhe kriminale që merrej me trafik droge dhe ishte e aftë të trafikonte drejt verilindjes së Italisë rreth 50 kg heroinë në javë, raportojnë mediat lokale. Gjatë hetimeve raportohet se janë sekuestruar gjithsej 19,168 kg heroinë, 527 gr kokainë dhe 65.000 euro.
39 kg heroinë nga Shqipëria kapen në Serbi
Në vendkalimin kufitar në mes të Serbisë dhe Hungarisë, në Horgosh, policia serbe ka konfiskuar më shumë se 39 kilogram heroinë dhe ka arrestuar tre shtetas shqiptarë në makinën e të cilëve është gjetur kjo sasi e drogës. Kështu bënë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave theksohet se, gjatë një kontrolli rutinë në dalje nga shteti serb, në daljen jeshile të kontrollit, që i dedikohet udhëtarëve që deklarojnë se nuk kanë asgjë për të zhdoganuar, është ndaluar makina e tipit “Nisan” me targa të Shqipërisë, me të cilin po udhëtonin tre shtetas shqiptarë nga Shqipëria për në Hungari.
Fjala është për një familje. Makina është veçuar për kontroll të mëtejshëm, dhe fillimisht nën këmbët e pasagjerit është vërejtur një pllakë metalike, e cila ishte punuar.
Kur është hequr sedilja e pasagjerit dhe është hapur kjo pllakë, në boshllëkun e dyshemesë së makinës janë gjetur pesë pako të mbështjella me ngjyrë të verdhë, të cilat për nga forma dhe mënyra e paketimit i ngjanin një lënde narkotike, dhe një pako me ngjyrë të bardhë gjithashtu me përmbajtje të dyshimtë.
Në mes të paketimeve shtrihej teli dhe litari, qëllimi i të cilave në fillim ishte i panjohur. Për shkaqe sigurie kontrolli i mëtejshëm u ndërpre deri sa arriti një ekip nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, derisa policia po ruante vendin e ngjarjes.
Policia e Serbisë bën të ditur se shtetasve shqiptarë me inicialet S.C, B.C. dhe I.C u është përcaktuar masa e ndalimit prej 48 orëve për shkak të dyshimit se kanë trafikuar lëndë narkotike.