22.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

Vokrri: 2016-a, vit historik për futbollin shqiptar

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri bën një analizë të ecurisë së futbollit mbarëshqiptar në vitin 2016. Numri 1 i institucionit më të lartë të futbollit kosovar, e pranon se 12 muajt e fundit kanë sjellë lajme të mira për shqiptarët në të dyja anët e kufirit pasi u regjistruan dy ngjarje historike.
Bashkëpunimi me Federatën shqiptare të Futbollit ka qenë përherë i ngushtë dhe pasi kritikon të gjithë zërat keqdashës, Vokrri thekson se FSHF dhe FFK do të vazhdojnë në këtë rrugë.
Në vijim të një interviste televizive, Vokrri ndalet edhe në disa nga shkaqet e startit të dobët të përfaqësueses së Kosovës në eliminatoret e Botërorit 2018.

Jahmir Hyka drejt MLS

Tri gola në dy ndeshjet e fundit me Lucernën. Gjashtë rrjeta në total në gjysmën e parë të sezonit, ku Jahmir Hyka mbetet protagonist në Superligën zvicerane. Me kuqeziun në formë të shkëlqyer, skuadra e Markus Babbel ëndërron Europën. “E nisëm shumë mirë me ekipin dhe pas luhatjeve e mbyllëm shumë mirë fazën e parë. Jemi në vendin e katërt dhe brenda objektivave që kemi për kupat e Europës”, u shpreh Hyka.
Hyka është i vetëdijshëm se ky është momenti i tij më i mirë në karrierë. “Ndihem shumë i lumtur. Kam dëgjuar shumë që mosha 28-29-vjeçare është kulmi i një futbollisti dhe mund ta them që në këto momente është kulmi im”, tha ai.
Me paraqitjet e tij, 28-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e klubeve turke, ku në garë është edhe Besiktasi, por ofertat nuk mungojnë as nga Major League Soccer. Transferimi në Amerikë është një mundësi që pëlqehet nga Hyka.
“Po kaloj një moment të mirë dhe duke parë që për 6 muaj më përfundon kontrata me Lucernën, interesimi ka qenë i madh, si nga Turqia ashtu edhe nga Amerika. Do të më pëlqente të luaja në kampionatin amerikan. Kjo është një dëshirë e imja, por t’ia lëmë kohës se çfarë do të ndodhë”, përfundoi Hyka.

Euro në pikiatë

Euro ka shënuar një tjetër rënie të fortë gjatë ditës së djeshme, duke u këmbyer me 134.6 lekë, një tjetër rekord minimal i 7 viteve të fundit. Rënia e ditës së djeshme ka qenë më e fortë se ajo e së hënës, me -0.34 lekë.
Një nënçmim i euros ishte i pritshëm edhe gjatë ditës së djeshme, pasi data 20 është dita e fundit e pagimit të sigurimeve dhe bizneset nxitojnë të këmbejnë euron në lekë. Muajt e fundit, data 20 ka shënuar përgjithësisht vlerën më të ulët të muajit në raportet e këmbimit të euros me lekun.
Ardhja e emigrantëve dhe oferta e lartë për euro në treg janë arsye të tjera të nënçmimit të monedhës së përbashkët.
Gjatë këtij muaji, euro është rritur vetëm një ditë lehtë në raport me lekun, ndërsa ditët e tjera ka shënuar vetëm zbritje. Në fillim të këtij muaji, euro këmbehej me gati 136 lekë.
Dollari ka vijuar rritjen në tregun vendas gjatë ditës së djeshme, duke arritur në 129.55 lekë, 0.34 lekë më shumë se një ditë më parë.
Në bursat ndërkombëtare, dollari është rritur gjatë ditës së djeshme, teksa sulmet në Berlin dhe Turqi ndikuan negativisht në ecurinë e euros. Dollari iu afrua sërish nivelit më të lartë në 14 vjet, teksa një euro u këmbye me 103.4 USD.

Sigurime, TPL-të shiten 14 mijë lekë, nën kosto

Policat e sigurimit të detyrueshëm të makinave për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, TPL janë duke u shitur me një çmim nën kosto, në rreth 14,000 lekë nga rreth 18,900 lekë që është zyrtarisht. Gjithçka po ndodh në mënyrë informale, pasi zyrtarisht në letër nuk është reflektuar asnjë ndryshim, kjo sepse kompanitë e sigurimeve për çdo ndryshim në tarifa duhet të raportojnë më herët te Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, këto ndryshime me argumentimet përkatëse.
Arsyeja kryesore e këtyre luhatjeve të çmimeve ka të bëjë me atë që mes shoqërive të sigurimeve njihet si “prishje ekuilibrash” e që ndodh kryesisht në muajin dhjetor kur vijnë edhe emigrantët. Qëllimi është realizimi i më shumë të ardhurave në një kohë të shkurtër. “Ajo që ka ndodhur është se janë rritur ndjeshëm komisionet që agjentët marrin për policat e sigurimeve në emër të shoqërive nga rreth 15%, sot kjo shifër llogaritet në rreth 25%. Një pjesë e këtij ‘shpërblimi’ shkon si ulje për policmbajtësin e një pjesë më e vogël si fitim për agjentët. E kjo ka bërë që policat e TPL-së të shiten ‘nën dorë’ me një çmim më të ulët, por pa reflektuar asgjë zyrtarisht”, thonë për “Monitor” broker të ndryshëm.
Sipas tyre kjo është një situatë që po ndodh rëndom këto vitet e fundit në muajin dhjetor me ardhjen e emigrantëve e më pas në janar situata stabilizohet.
Sipas të dhënave të brokerëve, për mjetet motorike 1,600 cc me vit prodhimi para 2005, çmimi zyrtar i TPL-së është rreth 19,000 lekë, ndërsa për prodhimet pas 2005-ës varion nga 18,600-18,700 lekë.
Megjithatë ka edhe nga ata drejtues të shoqërive të sigurimit që pohojnë se nuk ka asnjë ndryshim te tarifat e tregtimit të policave të TPL-së dhe as që parashikohet të ketë.
Por, e gjithë kjo situatë vjen në një kohë kur Autoriteti i Konkurrencës sapo ka mbyllur hetimin e thelluar ndaj shoqërive të sigurimit.
Në një intervistë të pak kohëve më parë kreu i këtij Autoriteti, Lindita Milo, tha për “Monitor” se: Kemi të bëjmë me një situatë ku shoqëritë e sigurimit, bazuar në një prim minimal me bazë rreziku, që është i njëjtë për të gjithë, caktojnë çmime që ndryshojnë shumë pak me njëra–tjetrën.
Nisur edhe nga e gjithë përvoja e ndërhyrjeve në treg të Autoritetit në lidhje me këtë produkt, konstatojmë se instrumenti që do ta bënte tregun të funksiononte është sistemi Bonus–Malus. Aplikimi i këtij sistemi do të krijonte mundësinë që Autoriteti i Konkurrencës të mund të identifikonte dhe të provonte qartazi sjelljen antikonkurruese të shoqërive në treg dhe kjo do të ulte mundësinë e interpretimeve të ndryshme nga ana e Gjykatës së Faktit e të provës për sjelljen e koordinuara midis shoqërive.
Në kushtet kur 90% e tarifës fundore “ngurtësohet”, mënyra sesi përcaktohet primi minimal i rrezikut lë shumë pak hapësira për të identifikuar politikat individuale në përcaktimin e tarifave.
Çmimi i sigurimit të detyrueshëm të makinave, TPL ndryshoi për herë të fundit në datë 24 gusht të këtij viti.

HEC-et gjejnë kompromisin për kontratat e reja të energjisë

Pas konflikteve mes përfaqësuesve të hidrocentraleve privatë (të përfaqësuar nga Shoqata shqiptare e Energjisë së Rinovueshme) dhe Ministrisë së Energjisë, lidhur me ligjin e ri të energjisë së rinovueshme, palët duket se po shkojnë drejt konsensusit, me ndihmën edhe të përfaqësuesve të Komunitetit të Energjisë.
Në një deklaratë zyrtare, Shoqata shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) vlerësojnë progresin e bërë në diskutimet për Ligjin për “Energjinë e Rinovueshme” me Komisionin parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, me praninë e përfaqësuesve të Komunitetit të Energjisë.
AREA përshëndet vendimin e Komisionit parlamentar përgjegjës për rishikimin e nenit 22 të draftit të Ligjit për Energjinë e Rinovueshme, me ndryshimet e mëposhtme:
HEC–et prodhuese bëhen subjekte disbalancash pas bërjes aktive të tregut ditor të energjisë.
Çmimi i energjisë së prodhuar nga HEC–et e vogla do të përcaktohet nga një metodologji e rënë dakord mes qeverisë së Shqipërisë dhe Komunitetit të Energjisë.
Në të njëjtën frymë bashkëpunimi dhe AREA dëshiron që të vazhdojnë diskutimet edhe për ndryshimin e çmimit dysheme të energjisë së prodhuar nga HEC–et e vogla, i cili në këto momente është larg çmimit optimal që siguron operim normal të hidrocentraleve.
AREA dëshiron të theksojë se prodhuesit e energjisë së rinovueshme janë të interesuar të gjejnë zgjidhje që do të sjellë stabilitet për investimet e tyre ekzistuese veçanërisht për çmimin që është elementi më jetik i suksesit të projektit, pas momentit të realizimit të investimit, thuhet në deklaratë.

Siguracionet, AMF nën hetim nga konkurrenca

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) përmes një njoftimi për shtyp ka bërë të ditur se ka qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me Autoritetin e Konkurrencës në lidhje me problematikën e tregut të sigurimeve.
“AMF ka pasur komunikim të vazhdueshëm me Autoritetin e Konkurrencës për çështje të tregut të sigurimeve. Të gjitha rekomandimet që ky Autoritet ka bërë për AMF, janë ndjekur dhe zgjidhur sipas problematikës. Çështjet që lidhen me konkurrencën midis shoqërive të sigurimit janë trajtuar në vazhdimësi nga ana e AMF-së, por çështjet specifike duhet të zgjidhen nga institucioni përgjegjës, që është Autoriteti i Konkurrencës.
Në komunikimin gjatë muajit tetor 2016, AMF ka njoftuar me shkrim Autoritetin e Konkurrencës për të gjitha hapat e ndërmarra dhe konkretisht për caktimin e primeve TPL dhe rritjen e tyre, masat e marra nga AMF në momentin e rritjes së primeve TPL, sistemin Bonus/Malus, ndryshimet në ligjin e sigurimit të detyrueshëm dhe shumë çështje të tjera që i përkasin bashkëpunimit institucional.
Gjithashtu në komunikimin me Autoritetin e Konkurrencës gjatë muajit dhjetor të këtij viti, AMF ka dhënë sqarimet e nevojshme në lidhje me trajtimin e dëmit nga siguruesi i drejtpërdrejtë dhe ecurinë e sistemit Bonus/Malus.
AMF bën me dije se kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e Bordit të datës 27 dhjetor 2016”.
Pak ditë më parë Autoriteti i Konkurrencës bëri publik edhe përfundimet e dala nga hetimi i thelluar në lidhje me tregun e sigurimeve.
Ka vendosur t’i rekomandojë Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të detyrojë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për marrjen e masave për të siguruar konkurrencën e lirë dhe efektive në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme) nëpërmjet nxjerrjeve të akteve nënligjore lidhur me:
Sipas njoftimit, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur t’i rekomandojë Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të detyrojë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare për marrjen e masave për të siguruar konkurrencën e lirë dhe efektive në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme) nëpërmjet nxjerrjeve të akteve nënligjore.

Gjysma e shqiptarëve nën presion për ryshfet tek qeveria

Pas BERZH, një tjetër studim e nxjerr Shqipërinë si shtetin më të korruptuar në rajon për vitin 2016. Sipas raportit të fundit të SELDI (Southeast European Leadership for Development and Integrity), i cili që prej vitit 2014 ka ngritur një sistem rajonal të monitorimit të korrupsionit, Shqipëria ka nivelin më të lartë të presionit për të dhënë ryshfet, por edhe të dhënies faktike të tij mes Maqedonisë, Bosnjës, Bullgarisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë, Kroacisë. Për Shqipërinë, raporti është hartuar nga Qendra shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), që ka realizuar edhe sondazhin.
50% e të anketuarve në Shqipëri kanë deklaruar se kanë pasur presion për korrupsion (u është kërkuar të japin ryshfet). Kjo përqindje është shumë më e lartë në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Shteti i dytë me nivelin më të lartë të presionit për të dhënë ryshfet është Bosnja, me 33% dhe më i ulëti është Kroacia, ku vetëm 12% e të anketuarve kanë pohuar se u është bërë presion të japin ryshfet.
Në krahasim me raportin e vitit 2014, rezulton se më 2016-n presioni për të dhënë ryshfet është rritur në Shqipëri me 4 pikë përqindjeje. Në të kundërt, Bullgaria, Mali i Zi, Serbia e kanë pasur këtë tregues në rënie, ndërsa rritja më e madhe e presionit për korrupsion është vërejtur në Bosnjë.
Shqiptarëve, jo vetëm u bëhet presioni më i lartë në rajon nga zyrtarët për të dhënë ryshfet, por ata bien më shumë pre e këtij presioni dhe detyrohen të paguajnë para, të japin dhurata apo favore të tjera. 40% e të anketuarve në Shqipëri kanë pohuar se ata kanë dhënë të paktën një lloj ryshfeti më 2016-n, sërish përqindja më e lartë në rajon (i dyti pas nesh, Maqedonia, e ka këtë tregues 29%). Nga 34% e të anketuarve në Shqipëri rezultojnë se forma e ryshfetit që ata kanë dhënë ka qenë para, 19% dhuratë dhe 16% kanë bërë një favor (ose një kombinim mes të triave).
Shqetësues është fakti që për Shqipërinë, korrupsioni dhe dhënia e ryshfetit duket se është kthyer në një normalitet. Grafikët krahasues tregojnë se shqiptarët kanë tolerancën më të madhe ndaj korrupsionit, me 54% të të anketuarve që e quajnë të pranueshme që politikanët e zgjedhur dhe punonjësit civilë të pranojnë dhurata, para, favore në këmbim të zgjidhjes së problemeve personale të një individi.
Shqiptarët janë dhe më pesimistët për efektivitetin e masave antikorrupsion. 76% e tyre kanë pohuar se ata mendojnë se korrupsioni nuk mund të reduktohet në mënyrë domethënëse.
Dr. Zef Preçi, drejtor i Qendrës shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), që ka qenë partner i SELDI për Shqipërinë në hartimin e këtij raporti, thotë se niveli i lartë i presionit për korrupsion në Shqipëri, së pari, është një tregues i frekuencës së lartë të blerjes së posteve në administratën publike, pavarësisht investimeve që janë bërë në portale, konkurse formale pranimi, etj.
Së dyti, shton ai, presioni i lartë korruptiv reflekton përkohshmërinë në administratë dhe paqëndrueshmërinë e raporteve shef-vartës, parti e madhe, parti e vogël, etj., si dhe dobësitë serioze që paraqesin instancat e apelimit për largimet e padrejta nga puna.
Së treti dhe ndoshta më e rëndësishmja, shton Dr. Preçi, frekuenca e lartë e presionit korruptiv nga ana e administratës reflekton shkallën e gjerë të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe debatin shterpë lidhur me reformat që janë ndërmarrë nga qeveria. Përkundër problemeve serioze të presionit korruptiv të administratës gjatë gjithë dekadës së fundit, qeveritë shqiptare i janë shmangur thelbit të problemit që ka të bëjë me integritetin e të emëruarve dhe të zgjedhurve në funksionet publike, por janë marrë dhe merren me infrastrukturën teknike, teknologjinë, etj., dhe me propaganda të sofistikuara mediatike. Përndryshe, me Shqipërinë “virtuale”, duke lënë mënjanë problematikën serioze që ka Shqipëria “reale”, përfundon ai.
Sipas raportit të SELDI, për të gjithë rajonin, në periudhën 2014–2016, presioni i korrupsionit – treguesi kryesor cilësor për nivelin e korrupsionit në një vend – është përkeqësuar në disa vende, ndërsa përmirësimi tërësor për rajonin ka qenë i papërfillshëm.
Raporti i SELDI, nënvizon nevojën për një veprim më të gjerë politik për reformat, që duket se janë bllokuar apo zbehur në të gjithë rajonin. Presioni i brendshëm për të vepruar është zbehur nga problemet ekonomike dhe/ose ndarjet etnike dhe dobësia e institucioneve politike dhe ekonomike. Presioni i jashtëm, që ka ardhur kryesisht nga Bashkimi Europian rezulton që është ulur, përballë problemeve të mëdha që kanë pasur këto vende si rrjedhojë e një sërë krizash të brendshme dhe të jashtme.
Në asnjë nga vendet e rajonit nuk ka pasur një politikë të qartë dhe të qëndrueshme të politikave në luftën kundër korrupsionit, edhe pse përpjekjet për të ofruar zgjidhje teknike dhe për të përmirësuar funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e ligjit, kryesisht me mbështetjen e BE-së, kanë vazhduar dhe madje janë intensifikuar në disa raste.
Konkluzioni i përgjithshëm i SELDI nga të dhënat e sistemit rajonal të monitorimit të korrupsionit 2016 është që duhet të ketë një koordinim mes politikave, të cilat synojnë të luftojnë sjelljen e korruptuar në nivel administrativ dhe atyre që kërkojnë të ndryshojnë besimin tek qeveritë. Zbatimi i rreptë i masave penale nuk mund të ketë një efekt të qëndrueshëm, nëse ai nuk plotësohet nga rritja e kërkesës së publikut për integritetin në qeveri dhe përmirësimit të qëndrueshëm të mirëqenies ekonomike.
SELDI (The Southeast European Leadership for Development and Integrity) është nisma më e lartë e qeverisjes së mirë dhe antikorrupsion e OJF-ve nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.

Vjedhja, doganave u mungojnë 36 milionë euro

Doganat rezultuan deficitare me më shumë se 36 milionë euro duke iu referuar planit të 11-mujorit. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të ardhurat totale në janar-nëntor arritën në 134 miliardë lekë nga 139.9 që ishin të planifikuara.
Mosrealizimi ishte mbi 5 miliardë lekë ose 36 milionë euro, duke bërë që institucioni taksambledhës të mos realizonte me 4% planifikimin e periudhës. Muaji nëntor shënoi një deficit të lartë me gati 989 milionë lekë më pak se plani.
Nga 13.9 miliardë lekë të planifikuara u grumbulluan 12.91 miliardë lekë. Deficiti në muajin nëntor shënoi mbi 6.5 milionë euro. Kjo ishte vlera më e lartë e mosrealizimit mujor këtë vit, duke përjashtuar muajin shtator, ku të ardhurat e mungura në raport me planin ishin 1.3 miliardë lekë ose afërsisht 9 milionë euro më pak se plani.
Të ardhurat doganore po hasin në të dytin vit radhazi në vështirësi serioze. Ministria e Financave, më herët në një analizë të posaçme për këtë rënie bëri shkaktare për të ardhurat e munguara çmimet e ulëta të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare.
Gjatë periudhës 11-mujore ka një ecuri më pozitive të zhdoganimeve të naftës dhe cigareve në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave zyrtare për janar–nëntor u zhdoganuan 462 mijë tonë naftë nga 423 mijë tonë që ishin zhdoganuar në 11-mujorin e 2015-s ose me një rritje 9.2%. Zhdoganimet e cigareve u rritën me 17%, teksa mbeten në volume të njëjta zhdoganimet e birrës dhe kafesë.

Mafia e lojërave të fatit bllokon Kuvendin

Mafia e lojërave të fatit ka arritur që të bllokojë ligjin, i cili do të detyronte zhvendosjen e tyre larg zonave të qendrave të qyteteve. Grupi i deputetëve të PS dhe LSI ka arritur që të bllokojë ligjin dhe ta shtyjë hyrjen në fuqi të tij edhe për dy vjet të tjera. Shembulli më i qartë i kapjes së shtetit nga mafia e bixhozit, e cila qarkullon çdo vit shifra fitimi që arrijnë deri në 360 milionë euro. Marrëzia e fatit ishte aksioni i parë për mbylljen e lojërave të fatit të qeverisë në fillim të mandatit të saj qeverisës, ndërsa sot është prova më e qartë se si marrëzia ka kapur Ramën dhe koalicionin qeverisës.
Që nga fillimi i vitit 2014, kur ligji u bë gati për miratim, kaloi në një kalvar dyvjeçar, derisa hyri në fuqi në shkurt të 2016-s. Kur u botua në Fletoren Zyrtare, afatet ligjore për zhvendosjen e bizneseve u bënë nul, pasi ligji parashikonte zhvendosjen një muaj para se ndryshimet të hynin në fuqi. Burimet në Ministrinë e Financave në kohën kur ish-ministri Shkëlqim Cani e drejtonte atë, pohuan se grupet e interesit pranë politikës ushtruan presion për të penguar avancimin e ligjit. Zvarritja me më shumë se dy vjet që nga miratimi në qeveri derisa u botua në Fletoren Zyrtare, u shoqërua më pas me një indiferencë të thellë të qeverisë për ta zbatuar ligjin
Komisioni i Ekonomisë miratoi dje kërkesën e pesë deputetëve për të shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit për lojërat e fatit me dy vjet. Sipas kryetarit të Komisionit, tre janë ndryshimet kryesore që ka sjellë ky ligj.
Së pari, situata aktuale e tregut ka ngrirë, numri i sallave të kazinove elektronike apo i basteve sportive nuk do të rritet. Në rast se një pikë basti apo një sallë kazinoje elektronike do të mbyllet, ajo nuk mund të rihapet, ka thënë zoti Braçe. Ky ligj, ka thënë Braçe, duhet të mbështetet nga e gjithë administrata publike. Aktualisht, ligji i Ministrisë së Turizmit për licencimin e hoteleve me pesë yje bëhet pengesë për këtë treg.
Për sa kohë ligji i turizmit nuk do të aplikohet, i gjithë tregu do të jetë monopol i dy subjekteve ekzistuese që kanë kontrata më të gjata se sa afati që mbulon shtyrja e ligjit. Për Braçen, në rast se do të ketë vonesa në ligjin për turizmin, monopolizimi i tregut do të vazhdojë për një periudhë më të gjatë se dy vjet.
Ministria e Turizmit ka miratuar një ligj që do të sistemojë subjektet akomoduese dhe ka vendosur kriteret që përcaktojnë numrin e yjeve, mirëpo ky ligj do të kërkojë periudhën e tij. Pak kohë më parë, ministrja Ekonomi tha për “Monitor” se ligji do të kërkojë kohën e vet për aplikimin dhe zbatimin e standardeve të reja dhe në rastin më të mirë do të përmbushet brenda vitit të ardhshëm. Aplikimi i ligjit të turizmit për licencimin e hoteleve me pesë yje do të krijonte mundësinë e dhënieve të licencave të reja.
Regency Casino dhe Lotaria Kombëtare janë të licencuara dhe kanë lidhur kontrata të mbështetura në ligje të veçanta, prandaj ligji i lojërave të fatit nuk i cenon ato. Zgjidhje e kontratave me to apo dhe prekja e aktiviteteve të tyre, si për shembull, zhvendosja, do të përfundonte me arbitrazh. Duke qenë se situata ka ngrirë dhe licenca të reja nuk mund të jepen, i gjithë tregu i lojërave të fatit mbështetet te këta dy operatorë.
Së dyti, në mbështetje të sportit, turizmit dhe kulturës rritet pjesa që këto subjekte do të kontribuojnë për të rritur grantet në këto tre sektorë. Nga 0.2 pikë përqindje të xhiros totale vjetore të këtyre subjekteve do të shkojë në 0.4 pikë përqindje.
Së treti, do të rritet kufizimi për reklamat e këtyre subjekteve, ku Ministria e Financave do të përcaktojë përmasat e reja të tyre.
Në mbështetje të kërkesës së tyre, deputetët argumentuan se në situatën aktuale, aplikimi i ligjit nuk është i mundur. Së pari, prishja e kontratave dëmton buxhetin.
Së dyti, aplikimi i ligjit do të prekte direkt të punësuarit e këtij sektori.
Së treti, pavarësisht dilemave morale, shtrëngimi i situatës dhe mbyllja e aktiviteteve do të zhvillonte subjektet në të zezë apo do të zhvendoste jashtë vendit.

Nuk preket Regency Casino

Një nga pengesat për t’u aplikuar, sipas Ervin Bushatit, një nga deputetët, i cili ka firmosur kërkesën për shtyrjen e ligjit, bëhen licencat e dhëna për Regency Casino dhe Lotarinë Kombëtare, prishja e kontratave me të cilat do ta çonte shtetin shqiptar në arbitrazh ndërkombëtar dhe dëmi i shkaktuar buxhetit do të ishte i lartë.
Së dyti, Bushati argumentoi me faktin se një numër i madh të punësuarish do të prekeshin nga ky ligj. Së treti, ky ligj do të bëhej nxitës i informalitetit, duke u zhvilluar si aktivitet në të zezë. Së katërti, aplikimi i ligjit rrezikon zhvendosjen e këtij sektori jashtë Shqipërisë.
Deputetja e PD-së, Liljana Elmazi, tha se problemet e evidentuara si pengesa për aplikimin e ligjit mund të vazhdojnë të qëndrojnë deri më 2018-n dhe përsëri do të ishin motiv për shtyrjen e ligjit. Në parim, Ministria e Financave ka thënë se ka rënë dakord për ndryshimet në nenin 2 dhe jo për nenin 1, që ka të bëjë me zhvendosjen e aktivitetit të këtyre subjekteve në hotelet me 5 yje të resorteve turistike pas dy viteve, ndërkohë që kontrata 10 milionë dollarë e Regency Casino përfundon në vitin 2020.
Gjatë argumentimit të tij, Ahmetaj tha se po përpiqeshin të disiplinojnë një sektor me peshë të konsiderueshme, ku janë të punësuar 8000 punonjës direkt apo indirekt. Ahmetaj, në pozicionin e ministrit të Financave, ka thënë se dëshira e tij është që të mos humbasë asnjë prej tatimpaguesve.
Diskutimet qenë të shumta, deri në akuza për klientelizëm apo favorizim të monopoleve të lojërave të fatit.
Jorida Tabaku, deputete e PD-së, risolli diskutimet e projektligjit ku zëvendësministrja e Financave e asaj kohe, Irena Beqiraj, siguronte se nuk kishte asgjë që të bëhej pengesë e këtij ligji, mjaftonte vullneti politik, që sot mesa duket mungon, ka shtuar ajo.
Në fakt, oponencën më të fortë gjatë diskutimeve e bëri kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, ku me anë të pyetjeve të tij dolën në pah disa problematika të këtij ligji.
Së pari, ligji ka hyrë në fuqi vetëm për një pjesë të tregut. Në segmentin e kazinove elektronike, ligji nuk vepron. Së dyti, taksimi i kompanive të lojërave të fatit bëhet sipas ligjit të vjetër dhe kjo sipas kryetarit Braçe është një problem që duhet zgjidhur sa më parë. Së treti, dhënia e këtyre licencave, sipas kryetarit ka bërë që tregu i lojërave të fatit, të jetë një monopol i këtyre të kompanive, që sot po bëhen shkak dhe për shtyrjen e hyrjes në fuqi të këtij ligi.
Në letrën e tyre, 5 deputetët Ervin Bushati, Ervin Koçi, Blerina Gjylameti, Luan Duzha dhe Ylli Shehu, kërkuan që ligji për lojërat e fatit të hyjë në fuqi pas dy vitesh. Ata kërkojnë shfuqizimin e pikës 1 të nenit 71 të ligjit dhe ndryshimit të pikës 2 dhe 3 të këtij neni me fjalët deri më 31 dhjetor 2018.

Shqiptarët të dytët në botë për braktisjen e vendit

Sot bota numëron 244 milionë emigrantë. Një studim i fundit i kryer nga “Pew Research Center” me të dhënat e vitit 2015 tregon se sot, 9 vende kanë humbur më shumë se 1/5 e popullsisë së tyre. Një e treta e atyre që kanë lindur në Bosnje–Hercegovinë jetojnë tani jashtë vendit. Ndërkohë që 28% e shqiptarëve e kanë braktisur gjithashtu vendin. Shqipëria zë kështu vendin e dytë në botë, me më shumë se 1.1 milionë shiptarë që jetojnë jashtë.
Në Armeni ¼ e popullsisë jeton jashtë territorit, sipas të dhënave të vitit 2015. Në listë janë Kazakistani, Trinidad Tobako, Maqedonia e Portugalia.
Në disa raste arsyeja e emigrimit janë konfliktet e armatosura dhe rreziku i jetës. Shumica e boshnjakëve u larguan gjatë luftës. 30% e 1.65 milionë banorëve, e braktisën vendin.
Në Siri, 22% e popullsisë e ka lënë vendin që nga shpërthimi i luftës civile.
Vendet e tjera janë braktisur për të gjetur mundësi më të mira ekonomike. Këtu bën pjesë edhe Shqipëria ku varfëria është në nivelin 46%.
Sipas raportit, emigracioni ka efekte demografike thelbësore tek kombet. Për shembull, nga Shqipëria janë larguar shumë të rinj. Ndërsa nga Trinidad Tobako më shumë grupe të arsimuarish.
Largimi i të rinjve ndikon në mplakjen e popullsisë dhe lë boshllëqe të rëndësishme në aftësitë e vendeve të origjinës së emigracionit.