31.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

Qeveria e Shullazit, Eskobarit dhe Lul Berishës ia ka dorëzuar vendin krimit

Ish-kryeministri Berisha ka reaguar për ngjarjet e fundit kriminale në vend gjatë 24 orëve të fundit. Vetëm ditën e djeshme u grabit një bankë në Tiranë dhe dy biznese në Korçë si dhe iu vu zjarri me benzinë makinës së një këngëtari të njohur në kryeqytet. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se, qeveria është kthyer në një organizatë kriminale të drejtuar nga Shullazi, Eskobari dhe Lul Berisha. “Qeveria e Shullazit, Eskobarit dhe Lul Berishës, tashmë organizatë kriminale, i dorëzon vendin krimit!”, shkruan Berisha.
“Të dashur miq, krimi është në një revansh të paparë. Si në asnjë vend tjetër që nuk është në luftë, në Shqipëri regjistrohen në një hark kohor 24 orësh vrasje, thyerje banke, djegije me benzinë makinës dhe pronës të një këngëtari të mirënjohur në mes të Tiranës, grabitje me armë zjarri dhe maska në Fier dhe Korçë, lumenj droge drejtë Italisë.
Qeveria, organizatë e vërtetë kriminale e Shullazit, Lul Berishës dhe Balilit, Roshit dhe Bushit i ka dorëzuar vendin dhe sigurinë tonë krimit. Po shkohet me shpejtësi drejt dështimit të tij të plotë.
Të dashur qytetarë, ju bëj thirrje të ngrihemi sa më parë për të shembur murin e krimit që lartësojnë çdo ditë Ediskobari dhe klika e tij në pushtet!”, përfundon mesazhi i ish-Kryeministrit Berisha.

Mësuesja, kushërirë e Peleshit kërcënon me thikë 10-vjeçarin

Ish-¬kryeministri Berisha ka publikuar denoncimin e një nëne, e cila thotë se kushërira e Niko Peleshit, dikur nëndrejtoreshë shkolle, sot mësuese kërcënon me thikë djalin e saj 10-¬vjeçar. Ajo thotë se fillimisht, zonja në fjalë e ka dhunuar në shkollë, dhe pasi është hequr nga shkolla vazhdon ta kërcënojë 10-¬vjeçarin teksa ai kthehet nga shkolla. Kjo sipas saj ndodh çdo ditë në qendër të Tiranës, por Policia thotë, që djali fantazon. “Një nënë dixhitale denoncon: -Dhunën ndaj djalit të saj 10-vjeçar nga një mësuese, kurshërirë e Peleshit. -Indiferencën e institucioneve zyrtare ndaj akteve të dhunës ndaj fëmijës së saj! Për më shumë lexoni mesazhin e saj!”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetares.
“Përshëndetje i nderuar z.Berisha. Unë që po ju shkruaj jam një zonjë nga Tirana. Duke parë indiferencën e instuticioneve shtetërore vendosa të ndaj me ju shqetësimin tim si nënë. Po ju shkruaj shumë shkurt tabllonë. Djali im 10-vjeçar, i cili ka një problem në zemër, përndiqet sistematikisht nga kushërira e zv/kryeministrit Niko Peleshi, e cila ka qenë nëndrejtoreshë në shkollën ku studion im bir, në qendër të kryeqytetit. Por është hequr nga shkolla me ndërhyrjen e Avokatit të Popullit, që djali të jetë i qetë nga kërcënimet e saj madje “zonjën” e kishte frikë gjithë stafi i shkollës nga drejtori deri te roja, sepse ajo reklamon me të madhe që unë jam kushërira e zv/kryeministrit. Por dora e kësaj hiene dhe njerëzve të saj vazhdon prej një viti të sulmojë djalin, sepse “zonja”nuk ja doli dot me shpifjet për kanosje dhe prishje imazhi nga ana ime. Unë si nënë i pata dërguar një sms-mos guxo të prekësh tim bir me dorë dhe sigurisht kam ndjekur të gjitha rrugët ligjore. Kulmi i sulmeve arrin kur djali sulmohet me thika dhe maska në qendër të kryeqytetit 20 m larg banesës. Ky kulm ka vazhduar me sulme të tjera, madje deri brenda në oborrin e banesës. Kam kohë që bëj denoncime në Polici, Prokurori, por nuk reagon askush për të garantuar mbrojtjen e një minoreni. Madje shkohet deri aty sa, për të mbyllur problemin-thuhet, që djali fantazon, sigurisht sepse është lënduar sedra e zv/kryeministrit dhe kushërirës nga denoncimet e mia për djalin. Djali ka kohë që është i përndjekur prej saj”, përfundon mesazhi i qytetares nga Tirana.

Shpërthen në flakë një makinë në autostradë

Një automjet tip “Fiat” ka marrë flakë në autostradën Tiranë-Durrës. Për fat të mirë nuk ka patur të lënduar, ndërsa shkaqet e zjarrit që shpërtheu në makinën tip “Benz” nuk dihen ende. Policia dhe forcat zjarrfikëse kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Për disa minuta, trafiku është bllokuar.

Aksidentohet për vdekje këmbësorja në Durrës

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur dje në Durrës. Burimet e policisë bënë të ditur se, ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, në lagjen nr.17 të qytetit bregdetar. Të njëjtat burime theksuan se, mjeti me targa AA 513 LI, me drejtues shtetasin A. A., 52 vjeç, ka aksidentuar një këmbësore ende të pa identifikuar. Për pasojë, këmbësorja ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Nga hetime e deritanishme të policisë, dyshohet se viktima është rreth, 55 vjeçe, me flokë të zeza, të shkurtra, ndërsa po punohet për identifikimin e saj. Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë për veprime të mëtejshme si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

I vihet zjarri makinës së këngëtarit në Tiranë

I vihet flaka me benzinë makinës së këngëtarit Flori Mumajesi në një parking të nëndheshëm në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Parkingun që ndodhet pranë sheshit “Willson”, dhe mësohet se flakët kanë djegur disa prej automjeteve që ndodheshin aty. Mësohet se një person i panjohur ka spërkatur me benzinë makinën e këngëtarit të njohur, Flori Mumajesi.
Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 në rrugën “Ymer Kurti” prapa Postës 8, në Njësinë Administrative Nr.5. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë dhe 5 zjarrfikëse që kanë lokalizuar flakët. Si pasojë e flakëve të shumta dhe tymit të madh, policia dhe zjarrfikëset evakuan të gjithë banorët e pallatit, pasi zjarri nisi të përhapej me shpejtësi.
Burime nga uniformat blu bëjnë me dije, se nuk përjashtohet mundësia e një zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa hetimet do të fokusohen në këtë drejtim. Kamerat kanë pikasur një të ri që futet në garazh dhe ndez dy bidona me benzinë mbi makinën e Flori Mumajesit.

Zjarr në një banesë në Tiranë, shkrumbohet 58-vjeçari

Flakët e një zjarri që ra mbrëmë në një banesë në kryeqytet i ka marrë jetën një personi. Ngjarja e rëndë ndodhi tek “Shkolla e Baletit” në Tiranë, përballë Urës së Tabakëve, në një pallat në katin e 5-të. Sipas të dhënave paraprake mësohet se viktima, Ardian Fetiu, 58 vjeç, jetonte i vetëm në një apartament në katin e 5-të, ndërsa dyshohet se ishte me probleme të shëndetit mendor. Burime policore pohuan se, viktima ishte gjetur i shkrumbuar në banesë. Ndërkohë, zjarrfikëset kanë shkuar në vendngjarje dhe bënë të mundur izolimin e flakëve. Deri më tani nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Mafia e pronave, Prokuroria sekuestron 950 hektarë tokë në Vlorë

Rreth 950 mijë metra katrorë tokë kullotë dhe pyll janë sekuestruar nga Prokuroria e Vlorës në zonën e fshatit Peshkëpi, e dyshuar si e përfituar në bazë të dokumentave të falsifikuar. Gjykata e Vlorës pranoi kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e kësaj prone, të regjistruar në emër të trashëgimtarëve të Refat Shanaj, pasi është krijuar dyshimi i arsyeshëm, bazuar në prova, se është përfituar në bazë të një serie falsifikimi dokumentash thotë Prokuroria.
Prokuroria e Vlorës bën të ditur se nisi hetimin në bazë të materialit referues të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në bazë të rekomandimeve të Task-Forcës së ngritur pranë Këshillit të Ministrave.
Në bazë të hetimeve të deritanishme të kryera nga ana e Prokurorisë së Vlorës, rezulton se: Me vendimin nr. 3, datë 01.11.1996, të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave Vlorë, trashëgimtarëve ligjorë të subjektit Refat Shakaj, shtetasve Nuri e Namik Shakaj, u është njohur dhe kthyer sipërfaqja prej 94.9 ha, e përbërë nga 87.6 ha kullotë dhe 7.2 ha pyll, ndodhur në Peshkëpi, Vlorë. Ky vendim bazohet ndër të tjera në dokumentin “Dëshmi vërtetimi”, lëshuar në emër të Pleqësisë së Katundit Drashovicë, datë 23/IX/1941, dalë në emër të Arkivit Qendror Shqiptar. Sipas këtij dokumenti, administruar kopje e noterizuar në dosjen e KKKP Vlorë, shtetasi Refat Shanaj zotëron dhe posedon pronat e mësipërme.
Nga hetimi rezulton se, Arkivi Qendror Shtetëror nuk e ka konfirmuar autenticitetin e dokumentit të mësipërme “Dëshmi vërtetimi”, lëshuar në emër të Pleqësisë së Katundit Drashovicë, datë 23/IX/1941. Ky institucion ka nxjerrë nga arkivi i tij dokumentin “Vërtetim”, i cili bazohet në dëshminë e lëshuar nga Pleqësia e Katundit Peshkëpi. Sipas këtij dokumenti arkivor, shtetasi Refat I. dhe jo shtetasi Refat Shakaj, nga Katundi Peshkëpi, ka nën sundimin e tij qysh më shumë se gjashtë vitesh disa pasuri të paluajtshme.
Nga krahasimi i dy dokumenteve të mësipërme, rezulton se, ka një mospërputhje të sipërfaqeve të poseduara nga ish-pronari Refat Shanaj. Në asnjë prej këtyre dokumenteve nuk shprehet që shtetasi Refat Shanaj posedon sipërfaqet 87.6 ha kullotë dhe 7.2 ha pyll. Faktet më lart janë konfirmuar nga Arkivi Qendror Shtetëror edhe me shkresat dërguar Prokurorisë Vlorë.
Në funksion të hetimeve të plota dhe të gjithanshme mbi pronësinë e shtetasit Refat Shakaj mbi pronën e kthyer sipas vendimit të mësipërm të KKKP Vlorë, janë kërkuar e marrë të dhëna edhe nga Këshilli i Qarkut Vlorë, i cili me shkresën nr. 127/1 prot., datë 11.02.2016, ka informuar se në emër të shtetasit Refat Shakaj nuk rezulton listë pronësie tokësore dhe as skicë përkatëse.
Pra, del që “Dëshmi vërtetimi”, lëshuar në emër të Pleqësisë së Katundit Drashovicë, datë 23/IX/1941/XX, nuk është i vërtetë, por është i falsifikuar.
Megjithatë, pavarësisht sa më lart, vendimi nr. 3, datë 01.11.1996, i Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave Vlorë është regjistruar pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, datë 15.08.2007, në emër të trashëgimtarëve të Refat e Isuf Shakaj. Me datë 15.08.2007, për këtë pasuri është lëshuar vërtetim pronësie nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë.
Nga sa më lart, provohet se Vendimi nr. 3, datë 01.11.1996, i Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave Vlorë, është marrë mbi bazën e dokumentit ligjor të falsifikuar “Dëshmi vërtetimi”, lëshuar në emër të Pleqësisë së Katundit Drashovicë, datë 23/IX/1941. Për rrjedhim, vendim i Komisionit Vendor të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave Qarkut Vlorë, është së paku me përmbajtje të falsifikuar, pasi ka prejardhjen nga një dokument i falsifikuar. Më pas, me anë të vendimit të KKKP Vlorë me përmbajte të falsifikuar është kryer në vitin 2007 regjistrimi i pasurisë së paluajtshme të kthyer pranë ZVRPP Vlorë dhe lëshuar vërtetim pronësie për të, të cilët gjithashtu përmbajnë të dhëna të rreme, pasi bazohen në dokumente të falsifikuara.

Horror krimi, 3 grabitje bankash dhe biznesesh

Grabitjet me maska janë kthyer në një tmerr për bizneset në të gjithë vendin. Vetëm ditën e djeshme u kryen 3 grabitje brenda 4 orëve në Tiranë, Fier dhe Korçë. Në qendër të grabitësve të armatosur dhe me maska janë vënë bankat dhe bizneset. Një bankë u grabit në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga persona të armatosur dhe me maska në Tiranë tek “21 Dhjetori”. Bëhet e ditur se maskat, pasi kanë arritur të marrin më shumë se 50 milionë lekë në bankë janë larguar me një motor në drejtim të paditur për policinë. Banka e grabitur ndodhet vetëm 100 metra larg komisariatit të policisë.
Ndërsa në Fier, persona të armatosur dhe të maskuar grabitën 220 milionë lekë në një kompani private të pajisjeve elektronike. Kompania ka qenë duke i dërguar paratë në bankë në kohën kur u sulmua dhe iu grabitën 220 milionë lekë. Po ditën e djeshme në Korçë është grabitur në orët e para të mëngjesit, kasaforta e një biznesi që tregtonte materiale ndërtimi. Edhe në këtë rast, maskat kanë grabitur miliona lekë, ndonëse shuma e grabitur nuk publikohet nga policia.
Krimi po rritet frikshëm nga dita në ditë në të gjithë vendin, ndërsa policia është e pafuqishme për ta goditur atë për shkak të lidhjeve të pushtetarëve me bandat.

Si u grabit banka tek “21 Dhjetori”

Ka qenë ora 08:25 e mëngjesit të djeshëm, kur dy persona të armatosur dhe me maska janë futur  në bankën e nivelit të dytë që ndodhet në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë. Nga detajet paraprake mësohet se, ata ishin maskuar dhe kishin vendosur edhe kapele. Burimet nga vendi i ngjarjes bënë të ditur se dy persona të armatosur me armë zjarri dhe të maskuar me shall dhe kapele, pasi kanë neutralizuar sigurimin e bankës, kanë vazhduar drejt kasës. Njëri nga personat me maskë i ka vënë armën në kokë rojes së sigurisë, duke e neutralizuar atë, ndërsa tjetri është drejtuar te kasa e lekëve, duke mbushur çantën me paratë që ndodheshin në bankë. Punonjësit e bankës nuk kanë bërë asnjë rezistencë, por të frikësuar deri në palcë i kanë lejuar maskat që të marrin të gjitha paratë që ndodheshin aty.
Grabitësit kanë dashur të përfitojnë nga fakti që para orës 09:00 në bankë nuk ka punonjës, por kur kanë shkuar drejt kasafortës për të kryer grabitjen, diçka nuk ka shkuar sipas parashikimeve të tyre. Ndërsa tentonin ta hapnin, në bankë ka rënë sinjali i alarmit. Të kapur në befasi, ata kanë lënë edhe pistoletën brenda ambienteve të bankës.
Pasi kanë marrë paratë, dy personat e maskuar janë larguar me shpejtësi me një motor të zi “Skuter”. Mësohet se pas daljes nga banka, dy grabitësit janë futur në mes të rrugicave në zonën e rrugës “Myslym Shyri”. Burimet bëjnë të ditur se, shuma e parave të grabitur është rreth 50 milionë lekë. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka gjetur një armë zjarri, e cila ishte lënë nga njëri prej autorëve.
Bëhet e ditur se para se të ndodhte grabitja e bankës, dy grabitësit e armatosur lëvizin me një motor të vogël dhe me skafandra në kokë brenda një blloku banimi. Nuk kanë qenë të shumta kamerat e zonës që kanë fiksuar lëvizjet e dy grabitësve dhe kjo dyshohet se ka qenë pjesë e planit të tyre. Grabitja u krye rreth orës 08:25 nga dy persona, të cilët kanë qenë të armatosur. Njërit prej grabitësve, të cilët mbanin kapele në kokë për të shmangur kamerat e sigurisë, i ka rënë dhe arma tip pistoletë, gjatë kohës që po largoheshin nga vendngjarja. Grupi hetimor po punon për identifikimin e gjurmëve të mundshme të lëna mbi armën me të cilën u krye grabitja, por ende nuk është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i autorëve.

Terror në Fier, maskat grabisin 22 milionë lekë

Një tjetër grabitje e armatosur ka ndodhur paraditen e djeshme, këtë radhë në qendër të qytetit të Fierit, në lagjen “Apollonia”. Bëhet e ditur se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur paratë e një kompanie private të pajisjeve elektronike. Sipas burimeve, Kompania ka qenë duke i dërguar paratë në bankë në kohën kur u sulmua dhe iu grabitën 22 milionë lekë. Dy grabitësit me maska dhe të armatosur kanë ndjekur punonjësit e kompanisë që po transportonin në bankë dhe u kanë zënë pritë. Nën kërcënimin e armëve, ata kanë arritur të marrin të gjitha paratë dhe janë larguar me shpejtësi me një motor në drejtiim të paditur për policinë. Punonjësit e kompnaisë janë terrorizuar nga kërcënimet me armë dhe janë detyruar që të dorëzojnë paratë tek maskat. Ngjarja ka krijuar frikë dhe panik edhe tek qytetarët e shumtë që ndodheshin në rrugë në atë moment.
Për këtë ngjarje Policia e Fierit ka dalë me një deklaratë për shtyp ku thotë, se shuma e parave të grabitura ka qenë 20 milionë lekë. Policia e Fierit ka dhënë një informacion paraprak për grabitjen e një firme pajisjesh elektronike sot në Fier. “Më datën 19.12.2016, rreth orës 10:45, në lagjen “Apollonia”, në afërsi të shkollës “Dertliu”, dy persona të paidentifikuar, i kanë marrë nga dora çantën menaxherit të AZA Elektronik dhe janë larguar me shpejtësi. Dyshohet se në çantë kishte rreth 2 milionë lekë (të reja). Policia po punon për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Grabitet një biznes në Korçë nën kërcënimin e armëve

Tjetër grabitje me armë e maska ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Korçë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:35 të mëngjesit në një biznes me prodhime materialesh ndërtimi në fshatin Bulgarec të Korçës. Tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në biznesin në pronësi të shtetasit Luan Larti dhe kanë vjedhur një sasi parash brenda kasafortës dhe më pas janë larguar. Bëhet e ditur se maskat kanë lidhur rojen dhe më pas janë futur në katin e dytë të godinës ku grabitën nga kasaforta 70 milionë lekë. Behet fjalë për sulm ndaj firmës së importit të hekurit në rrugën nacionale Korçë-Pogradec në afërsi të Bulgarecit.
Policia lokale bëri të ditur, se grabitësit, nën kërcënimin e armëve, kanë lidhur rojen dhe më pas kanë realizuar vjedhjen e kasafortës, duke marrë jo vetëm shumën e lekëve, por edhe disa dokumenta. Grupi hetimor, po punon për zbardhjen e dinamikës së grabitjes, duke marrë dëshmitë e rojes dhe personave të tjerë të punësuar në këtë subjekt, por ende nuk është arritur që të zbulohen autorët e grabitjes.
Grabitja e njërit prej biznesmenëve më të fuqishëm të Juglindjes, është e treta ngjarje e pazbardhur ende nga policia, pas grabitjes të banesës së kryeplakut të fshatit Vashtmi dhe supermarketit të Maliqit.
Grabitja e një sasie të konsiderueshme lekësh në një biznes në Korçë është e treta brenda 4 orëve në vendin tonë. Grabitjet nisën këtë të hënë me bankën e nivelit të dytë tek zona e “21 Dhjetorit” në kryeqytet, ku ende nuk janë zbuluar autorët e grabitjes, ndërsa vetëm një orë pas saj, u grabit një fabrikë e një ndërtuesi të fuqishëm në Korçë, ku maskat arritën të marrin të gjitha paratë që kishte në kasafortë. E treta në Fier, ku pre e grabitjes ka rënë një firmë që tregtonte pajisje elektronike.
E ndërsa krimi është rritur frikshëm në të gjithë vendin, drejtori i përgjithshëm i policisë për rendin dhe sigurinë, Altin Qato deklaroi dje se, “numri i krimeve është ulur krahasuar me më parë”. Qato nuk tha asnjë fjalë për tre grabitjet e djeshme në Tiranë, Fier dhe Korçë të kryer në katër orë.

Pse nuk arrestohen grabitësit e bankave

Grabitjet e bankave dhe bizneseve nga bandat e armatosura dhe me maska tashmë janë kthyer në një ritual të përditshëm në të gjithë vendin. Vetëm ditën e djeshme u kryen tre grabitje nga maskat brenda një harku kohor prej 3 orësh. Në Tiranë maskat grabitën nën kërcënimin e armëve 50 milionë lekë në një bankë tek “21 Dhjetori”, në Fier u grabitën 22 milionë lekë të një kompanie private të pajisjeve elektronike, ndërsa po i dërgonin paratë në bankë, kurse Korçë maskat grabitën 70 milionë lekë në banesën e një biznesmeni.
Ashtu si edhe në grabitjet e tjera të bankave në Tiranë, Vlorë, Durrës, Krujë, etj, edhe në tre rastet e grabitjeve të djeshme, policia nuk ka arritur të arrestojë grabitësit. Policia jo vetëm që nuk i arreston, por ka frikë t’u afrohet këtyre grabitësve profesionistë, sepse ka frikë pasi, bandat e grabitësve janë njësh me qeverinë. Bandat e grabitjeve dhe të trafikut të drogës nuk goditen nga qeveria, sepse qeveritarët bashkëpunojnë me to. Policia u hap rrugë maskave që të grabisin banka e biznese, ndërsa godet qytetarët që dalin të shesin paketa cigaresh në rrugë, apo qepë e presh për të mbajtur frymën gjallë.
Parimi i qeverisë është goditja e të dobtëve dhe lënia fushë veprimi të lirë për grabitësit e bankave dhe bizneseve. Grabitjet e fundit nga maskat tregojnë edhe një herë se, biznesi po goditet dhe sulmohet për çdo ditë, ndërsa autorët largohen “në drejtim të paditur” për policinë. Mjaft biznesmenë dhe tregtarë shprehen se ndjehen të pasigurtë në punën e tyre, për shkak të sulmeve dhe grabitjeve me armë nga maskat, ndërsa alarmi i tyre ndaj qeverisë ka rënë veshë të shurdhër.

PD: Kur qeveris me krimin, i jep krahë grabitjeve me maska

Kreu i Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për 3 grabitjet me armë të ndodhura ditën e djeshme. Grabitjet të ndodhura në harkun kohor të 4 orëve kanë sfiduar çdo sistem mbrojtjeje me dëm në biznese. “3 grabitje me armë e me maska brenda 4 orëve, është mënyra më e keqe për të nisur një javë në Shqipëri”, tha Alibeaj në një deklaratë për median.
Ai tha më tej se, këto janë ngjarje të rënda që tregojnë se çdo ditë e më shumë krimi fiton terren dhe rendi bie. “Në mes të ditës, në Tiranë, Korçë dhe Fier, maskat ia kanë dalë të godasin, të marrin paratë e të zhduken në drejtim të paditur”, deklaroi Alibeaj.
Alibeaj akuzoi qeverinë për bashkëpunim me krimin, duke i dhënë krahë grabitësve dhe trafikantëve. “Këto kanë qenë kohë të favorshme për krimin. Krimi sjell krim dhe kur qeveris me krimin, kur jep garanci e letra rekomandimi për bandat, atëherë i jep krahë grabitësve, trafikantëve, maskave”, përfundoi Alibeaj.

R.POLISI

Miliardat e Beqes, si lejoi tregtimin e barnave false?

Ministri i shendetesise, Ilir Beqaj, gjate nje seance parlamentare, ku eshte ku eshte diskutuar per dy nismat ligjore te propozuara nga Partia Demokratike per amendamentet per ndryshimin e ligjit te dekriminalizimit dhe te ligjit per funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare. /r/n/r/nHealth Minister Ilir Beqaj, during a parliamentary session.

Partia Demokratike ka bërë një tjetër akuzë të rëndë ndaj ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. “Ilir Beqaj ka ndërhyrë në tender, ka ndryshuar kriteret dhe ka lejuar futjen e barnave të paçertifikuara. Ka vetëm një rast kur ministri i Shëndetësisë mund të fusë në vend barna të paçertifikuara, vetëm kur vendi përballet me situata emergjente”, deklaroi zëdhënësja Ina Zhupa.
Sipas PD, Beqaj ka ndërhyrë edhe pse s’ka pasur asnjë situatë emergjence, duke shkelur ligjet. “Po cila ishte situata emergjente? Emergjenca e Ilir Beqajt për të vjedhur. Në vitin 2014 me një udhëzim, Beqaj i ka hapur rrugën e abuzimeve me miliarda lekë duke i dhënë mundësinë klientit të tij, ‘Delta Farma’, të futet në tregun e ilaçeve, me barna që mund të dëmtojnë rëndë shëndetin e qytetarëve. Pasi e ka shpallur një tender publik, për blerjen e barnave spitalore më 11 mars, dhjetë ditë më pas, me shkresën nr. 1668/4 Prot, me këtë shkresë këtu, ministri i Shëndetësisë urdhëron ndryshimin e dokumenteve të tenderit për procedurën e prokurimit”, thuhet në deklaratën e PD.
Po si ia hapi ministri i Shëndetësisë rrugën klientit të tij? “Ilir Beqaj, i hapi rrugën klientit të tij për ta bërë fitues, duke hequr detyrimin për këto dokumente:
– Vërtetim për regjistrimin e medikamenteve të ofertuar ose çertifikatë regjistrimi nga QKKB.
– Autorizim nga prodhuesi nëpërmjet, të cilit konfirmohet se operatori ka të drejtën e tregtimit të barnave.
Këto ndërhyrje të Beqajt janë në shkelje flagrante të nenit 11, 47 dhe 18 të Ligjit nr. 9323, datë 25.11.2004 ‘Për barnat dhe shërbimin farmaceutik’, i cili përcakton që: ‘Barnat që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë duhet të jenë të regjistruara’.
Në shkelje të ligjit, por në përputhje të plotë me interesin personal.
Kështu iu hap rruga mikut të Beqajt, ‘Delta Farma’, që siç shihet nga ky dokumenti këtu ka bërë kërdinë me kontratat që i ka dhënë Ilir Beqaj.
Ky biznes bëri që të hyjnë barna të pasigurta dhe dëmtuese për jetën e qytetarëve, siç janë rastet e bëra publike të Avastinës, që rezultoi i falsifikuar”, thotë PD. Sipas opozitës, Ilir Beqaj është përgjegjës për këtë aferë kriminale dhe për këtë arsye PD dorëzoi  e një kallëzimi penal në Prokurori për këtë çështje.

20-fishim i çmimit të pullës fiskale?

PD dhe LSI i janë kundërvënë një tjetër propozimi të dyshimtë të ministrit të Shëndetësisë. Megjithë përplasjet e ditëve të fundit duket se “shpikjet” e Ilir Beqajt bëjnë bashkë edhe kundërshtarët më të mëdhenj.
Fjala është për çmimin marramendës që ministri i Shëndetësisë propozonte t’i vinte pullës fiskale që do t’u vihet barnave.
Ndërkohë që aktualisht këto pulla kanë çmim fiks prej 6 lekësh të vjetra, me projektligjin e ri që Ilir Beqaj ka bërë gati, kjo tarifë bëhej sa 2.4 për qind e çmimit të produktit, ose afërsisht rritej me 20 herë. Pikërisht këtë nismë të ekzagjeruar të Ministrisë së Shëndetësisë e kanë refuzuar dje në grup PD dhe partia e koalicionit qeveritar që po ngrihet përditë e më shumë kundër koncesioneve, LSI. Koalicioni i tyre në Komisionin e Shëndetësisë nuk ka rënë dakord me faktin që çmimi i barnave për pacientët të rritet me 2.4%.
Një pikë tjetër që është kundërshtuar është ajo që i garantonte koncesionit se në qoftë se xhiroja totale bie nën 128 ml euro, atëherë do të jetë shteti ai që do të duhet t’ja kompensojë këto para. Por ish-ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo është ngritur kundër. “Nuk mund të votoj pro kësaj marrëveshjeje. Ajo duhet të kalojë në rinegocim dhe të vijë një herë tjetër për t’u diskutuar. Nuk mund të pranoj që me votën time të shtohet kosto në dëm të pacientit”, deklaroi Tavo.
Koalicionin PD-PS në Komisionin e Shëndetësisë nuk e ka bindur as insistimi i Ilir Beqajt që pretendonte se me vendosjen e pullës fiskale për barnat rritet siguria, pasi do të ngrihet për herë të parë në Shqipëri sistemi i gjurmimit të barnave.
“Sot kemi një pullë që kushton 6 lekë të vjetra, por nuk ka një sistem që gjurmon në çdo moment. Kontrata e vitit 2011 ende pa hyrë në fuqi ka po një pullë që do të kushtonte po të zbatohej 24 lekë. Po ishte prapë pullë. Këtu kemi edhe një sistem informatik, që do të thotë se ka të paktën 200 milionë transaksione në vit, 2.500 përdorues, sistemi do të punojë 365 ditë të vitit dhe maksimalisht 20 orë në ditë”, deklaroi Beqaj.
Por sërish edhe pas kësaj deputetët e PD dhe LSI-së votuan kundër këtij koncesioni të ri që rëndonte mbi xhepat e shqiptarëve. I vetmi ndryshim që ra në sy qe se Petrit Vasili, i cili zhvilloi një luftë të ashpër me PD për koncesionin e laboratorëve, këtë herë refuzoi t’i bashkojë votat me demokratët.

Përse shembja ka nisur nga Dako

Silvi BARDHI

As Adriatiku në netët e tij më të qeta, nuk do të mund të përballonte kasaphanën e një bashkiaku të diplomuar çuditërisht për inxhinieri. Nuk do të mundte të gëlltiste më llumin prej 10 vjetësh të inerteve, ujërave të zeza, qindra ndërtimeve mbytëse dhe zhdukjen e pamëshirshme të rërës për të ngritur mbi të, pallatet, pjesa më e madhe e tyre të kalbura e plot lagështi.
Madje edhe pishat, bimësia në vdekje të plotë, nuk munden të kryejnë plotësisht procesin natyror të fotosintezës.
Si një ekspert i menaxhimit të ujërave ku edhe ushtroi detyrën pranë ndërrmarrjes me të njëjtin emër, e ndoqi këtë praktikë duke lënë pas dëshmi, gjurmë, prova të një masakre mjedisore.
Çdo shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve, është dëshmitar i dështimit të Vangjush Dakos si inxhinier, titull që ai preferon ta publikojë në CV-në e tij në faqen zyrtare të Bashkisë së Durrësit. Aq më shumë tallëse është fjalia se Vangjush Dako paskësh qenë një prej studentëve që ka kërkuar në vitet ’90 një Shqipëri si gjithë Europa.
Si një bashkiak me 3 mandate, Vangjushi ka futur këtë fjali në CV-në e tij, si pykë, pa asnjë lidhje me plasjen e ujërave të zeza, korridoreve qindra metroshe të rrugëve gjarpëroshe të fekaleve mespërmes plazhit të Durrësit dhe mbetjeve kancerogjene e infektoze në brigjet e Adriatikut.
Si një ëndërrimtar i një Shqipërie si gjithë Europa, Vagjushi nuk ka integruar as një grimcë nga ajo Europë në të cilën pretendojmë dëshpërimisht të hyjmë, e aq më pak kur vjen çështja tek turizmi. E Vangjushi duhet ta dijë se në Europë dera hapet nga ndershmëria së pari me veten, qytetarët që të kanë votuar dhe shërbesës ndaj komunitetit.
Të tria këto veti Vangjushi, nuk i njeh dhe as nuk i ka në planin e tij të punës. Vangjushi nuk gëzon asnjë moral për të sulmuar opozitën dhe të drejtën e saj për të protestuar dhe kërkuar dorëheqjen e tij, pas skandalit për të punësuar të dënuarin Lulzim Berisha.
Dako ka mbi supe një sërë mëkatesh pas akuzave të hedhura në media: Përvetësimin që në muajin e parë të marrjes së pushtetit nga e majta, të një pallati 10-katësh, në një nga zonat më të lakmuara tek Shkëmbi i Kavajës. Ai e ka përvetësuar këtë pronë në kundërshtim me ligjin, pas lejes abuzive të dhënë nga Komuna Rrashbull, duke ndërtuar gjashtë kate më lart se plani i miratuar nga KRRTRSH.
Ndërkohë në një emision televiziv më 5 qershor 2015, një vit pas ndërtimit, Dako thotë se është miratuar një plan urbanistik ku nuk lejohen ndërtime mbi 6 kate.
Firma “3D”, e cila raportohet në media se është në pronësi të vëllait të Vangjushit është favorizuar me 90% të shpërndarjes së betonit në industrinë ndërtimore të qytetin bregdetar.
Vangjush Dako përveç se promotor i shkatërrimit të 2.5 km vijë bregdetare të Durrësit, duke e kthyer nga zonë kurative, në pellg balte dhe betoni, ka zhdukur identitetin e qytetit historik dhe kulturor.
Disa raste abuzimi:
Sheshi i Durrësit, i cili u ndërtua më 1928 nën administratën e Zogut në bashkëpunim me arkitektë italianë dhe shqiptarë, nuk ekziston më, raportojnë vëzhguesit e imtë, Lulishtja 1 Maji është fundosur, bashkë me të një gjetje arkeologjike e mbi to është ndërtuar një pallat shumëkatësh.
Dako thotë në po të njëjtin emision televiziv që përmendëm më lart, në qershor të një viti më parë, se nuk shqetësohet nga ky fakt përderisa lejet jepen nga profesorë dhe specialistë, pra duke mohuar firmën e tij në to.
Dako është akuzuar nga media se ka kushtëzuar dhënien e lejeve të ndërtimit në këtë qytet me detyrimin e blerjes së betonit, madje edhe në zona me mozaik e tulla abrazive duke i shkatërruar dhe zëvendësuar me pllaka të cilësisë së dobët.
Edhe pse qindra durrsakë dolën në protestë për të mbrojtur shkatërrimin e shatërvanit, më 24 gusht të vitit 2014, një prej monumenteve klasike dhe historike të qytetit bregdetar, fadroma nuk kurseu, madje as nostalgjinë e banorëve.
Më datë 3 nëntor 2015 Open Data Albania publikoi të dhëna ku faktonin se Vangjush Dako është një nga kryebashkiakët që ka kryer shkelje të njëpasnjëshme në çdo tender gjatë gjithë mandateve të tij në drejtimin e Bashkisë së Durrësit.
Gjatë harkut kohor 2008-2014, Bashkia Durrës me kryebashkiak të rizgjedhur, Vangjush Dako është kontrolluar pesë herë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe është raportuar për 198.7 milionë lekë dëm ekonomik total, ku dëmi më i lartë është llogaritur për vitet 2010 dhe 2013.
Pasi kishte deklaruar se merrte vetëm 20 mijë lekë të reja nga paga si pjesëtar i kompanisë së ndërtimit “3D”, në deklaratën drejtuar Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Vangjush Dako nuk ka deklaruar apartamentin luksoz në një prej zonave më të shtrenjta, ajo e “Torrës” e njohur si zona turistike e këtij qyteti.
Ndaj, lind pyetja, ky është vullneti që kërkon të shesë Vangjushi? Këto sa thamë më lart janë motivet e tij për të vazhduar mandatin? Mandatin e tij e lidh me votat e blera apo me vullnetin e pastër të qytetarit durrsak?
Ndaj shembja do të nisë nga ky zotëri që u ofron punë të dënuarve për krime dhe nuk ka stuhi rëre ta fshehë.