16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

Dita anti-establishment dhe establishment Rama

Kastriot ISLAMI

19 dhjetor 2016 është një ditë e rëndësishme anti-establishment për të gjithë planetin. Ka shumë interes që qytetarët shqiptarë, por jo vetëm, të njihen dhe të kuptojnë se qeverisja shqiptare, një “demokraci hibride” apo një “regjim oligarkik” me përmbajtjen dhe formën e një establishmenti duhet të nisë të çrrënjoset pikërisht në këtë ditë të rëndësishme, pra më 19 dhjetor 2016.
Si zgjatim, si vijim apo kopje e një establishmenti të vjetër, të ngritur në kushtet e reja të këtyre 26 vjetëve, establishmenti Rama ka tipare mikse, ka përbërje mikse e formë mikse, një përzierje a simbiozë e establishmentit të vjetër me establishmentin e ri. Në krye të tij është përfaqësuesi tipik i establishmentit të vjetër e të ri, Edi Rama.
Rama është në Shqipëri politikani më jetëgjatë në pushtet e me pushtet dhe më jetëshkrutër në opozitë e pa pushtet. Ai ka qëndruar në pushtet më gjatë se kushdo tjetër, që nga viti 1998 deri në 2011 pa shkëputje, pra 13 vjet dhe që nga viti 2013 deri më sot, edhe 3.5 vjet të tjera, pra gjithsej 16-17 vjet në pushtet. Rama ka qëndruar në opozitë vetëm 2 vjet, në periudhën 2011-2013, por duke qenë me pushtet si kryetar i PSSH. Nga ky këndvështrim formal, Rama mund të konsiderohet ideatori i establishmentit të ndërtuar po prej vetë atij, duke qenë në pushtet si ministër( 2 vjet), si kryeminstër (3-4 vjet), si kryetar bashkie (11 vjet) dhe 12 vjet si kryetar i PSSH.
Establishmenti Rama s’është i ngjashëm me establishmentet e vendeve me demokraci të konsideruara liberale. Establishmenti Rama është i njëjtë apo pothuajse i njëjtë me establishmentet e regjimeve autoritare, oligarkike, korruptive, kriminale, kryesisht me preardhje nga regjimet komuniste dhe me shumë ngjashmëri me regjimet oligarkike të ish-republikave sovjetike e natyrisht pothuajse identik me regjimet oligarkike, kriminale, banditeske të Ballkanit.
Rama është përpjekur ta “integrojë” establishmentin e tij në një establishment më të zgjeruar, rajonal e global, duke synuar ta kthejë në zgjatim të tij, sepse kështu do të mund të realizonte një mbrojtje apo imunitet më të lartë edhe ndaj raporteve apo kritikave që mund t’i vinin establishmentit të tij nga vende apo organizma të ndryshëm, rajonalë, kontinentalë apo globalë. Qëllimi i Ramës ka qenë dhe mbetet, sigurimi i pushtetit të tij personal në krye të këtij establishmenti të centralizuar dhe me vetëm një kokë. Më poshtë jepen disa nga tiparët kryesore të establishmentit Rama.

Establishmenti Rama-mbështetet fuqimisht mbi trashëgiminë puniste…

Duket paska e ekzagjeruar që Rama të etiketohet “punist” për shkak të sjelljeve të tij estravagante dhe deri perverse që ai është mundur të shesë në publik para se të merrej me politikë. Por në realitet, po të analizohen me kujdes sjelljet e tij politike, parapolitike, por veçanërisht në bashki, si kryetar i PSSH, si ministër dhe si kryeministër s’është aspak e vështirë të arrihet në përfundimin se sjelljet e veprimet e Ramës janë të huazuara prej një “punisti të thekur”; ndërkohë që po të çiftohen sjelljet e tij me perversitetin mund të thuhet se ai do të meritonte epitetin “punist pervers”. Sigurisht që sjelljet e tij në kushtet e një regjimi autoritar oligarkik s’mund të mbështeten as në ideologjinë marksiste-leniniste dhe as në praktikat e një sistemi komunist, por ai përdor metoda autoritare, të ngjashme me ato komuniste, që ngjallin reagime të ngjashme thjesht për të marrë pushtetin e ruajtur atë, por sigurisht me veshjen e një regjimi oligarkik e kleptokratik, të maskuar me retorikë demokratike e marketing “kapitalist”. Synimi i vetëm ka qenë marrja dhe është mbajtja e pushtetit përmes pasurimit të paligjshëm dhe për pasurimin e mëtejshëm, duke gjykuar se pasurimi është i vetmi mjet për të marrë e mbajtur gjatë pushtetin. Po ashtu, një nga shtyllat ku ai ka mbështetur projektin e tij janë njerëzit dhe lidhjet e vjetra të regjimit punist, rrjet i cili mendon se zotëron të drejtën e drejtimit të një vendi, të cilin familjet e tyre e dominuan për 50 vjet. Këtë lidhje, Rama e ka arritur jo vetëm përmes trashëgimisë së sjelljeve autoritare, por edhe përmes burimeve njerëzore, më konkretisht përmes afrimit në ekipin e tij qeverisës, në qeveri, në grupin parlamentar dhe në pozitat kyçe të administratës publike të trashëgimtarëve të drejtuesve më të lartë të regjimit komunist, apo siç njihen me emërtimin të “pinjollëve punistë”. Fëmijët e ish-anëtarëve të Byrosë Politike, të Komitetit Qendror të PPSH, të Sekretarëve të Parë të PPSH në rrethe janë aktualisht ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtorë kyç në administratën publike dhe drejtues të përfaqësive jashtë vendit. Këta individë janë në shumë raste edhe “shokë fëmijërie” (lidhje kamaradeske) të ish-Bllokut apo rrethinave të Bllokut të Edi Ramës, me të cilët ai ka kaluar rininë në oborrin e Eetablishmentit të baballarëve të tyre. Në këtë grupim përfshihet edhe ndonjë ideolog “i pluhrosur” apo këshilltar tipik “marksist-leninist” që përdoret sa herë Ramës i duhet të shtjellojë tema gjoja teorike a ideologjike që pëlqehen nga një pjesë e votuesve, por që ai vetë ose nuk ja ka idenë ose s’dëshiron të japë përshtypjen se i njeh. Ky grupim përbën aktualisht rreth 15-20 për qind të grupit parlamentar të establishmentit Rama.

Establishmenti Rama-financohet mbi individët e korruptuar me pasuri të dyshimta..

Në klientelën e Ramës bëjnë pjesë politikanë të korruptuar, të pasuruar në mënyrë të paligjshme gjatë këtyre 25 vjetëve. Biznesmenë të pasuruar në mënyrë të paligjshme, për shkak të lidhjeve me politikanë të korruptuar dhe kryesisht me Ramën në krye të Bashkisë së Tiranës, që kanë përfituar në tendera dhe leje ndërtimi gjatë 11 vjetëve që Rama ka qenë në drejtimin e Bashkisë; shumë nga këta personazhe janë aktualisht deputetë, në listën e 20 më të pasurve të Parlamentit. Po kështu në establishmentin Rama bëjnë pjesë edhe manjatë të media-biznesit që kanë ngritur “perandoritë” e tyre mediatike e të biznes-medias përmes lejeve të ndërtimit apo favoreve të ndryshme, kur Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës. Të gjithë këta individë, pjesa më e madhe e të cilëve janë formalisht deputetë, kanë pasuri të dyshimta ose pasuri marramëndëse të vendosur në shumicë vetëm nga fondet publike ose lejet e ndërtimit nga Bashkia e Tiranës apo edhe Bashkitë e mëdha të vendit, pasi Rama u vendos në krye të PSSH. Në këtë grupim përfshihen edhe ish-drejtues të lartë në poste lukrative të administratës shtetërore (dogana, tatime, drejtori për dhënie licencash, drejtori në sektorin e shëndetësisë e të ilaçeve, në sektorin e naftës, energjisë elektrike, Prokurori, Gjykata, Polici, drejtim burgjesh, Gardën e Republikës, e tjerë). Këta individë janë pasive në Kuvend duke mos thënë pothuajse asnjë fjalë në seancat parlamentare; por ata janë “burimi kryesor financiar” gjatë fushatave elektorale, ndërkohë që financat e “biznesve të tyre gjithnjë të suksesshme gjatë qeverisjes Rama” (të vendosura në emër të vëllezërve, të afërme të familjes apo miqve të tyre) përfitojnë kontrata të majme nga tenderat e fituara pa konkurim a konkurim të dyshimtë dhe nga koncensionet e qeverisë Rama. Këta individë s’kanë synime për t’u bërë anëtarë të kabinetit qeveritar ndonëse ky oreks ka filluar të shfaqet. Ky grupim, ku përfshihen edhe disa individë me rekorde të tmerrshme kriminale arrin deri në 15-20 për qind të grupit parlamentar të establishmentit Rama.

Establishmenti Rama-kryen aktivitetet e dyshimta me individët me rekorde kriminale…

Në grupin parlamentar të establishmentit Rama dhe në pikat kyçe të administratës publike e institucionet kryesore e të rëndësishme, Rama ka vendosur individë me rekorde të tmerrshme kriminale. Këta individë janë afruar fillimisht si kandidatë për deputetë në qarqet e veriut të vendit me synim blerjen e votave dhe kërcënimin e votuesve. Ky kontingjent përbëhet nga individë që kanë kryer apo janë akuzuar për vepra penale të tipit i) trafik i narkotikëve; ii) trafik i prostitutave dhe organizim prostitucioni; iii) pjesëmarrje në organizata kriminale; iv) vrasje; v) vjedhje të pasurive private, e tjerë, kryesisht në vendet e BE. Këta indivdë për t’ju shmangur hetimit ndërkombëtar në shumicën e rasteve figurojnë me disa emra të ndryshëm. Në këtë grupim përfshihen edhe sekserë mes politikës e biznesit që aktivizohen fuqimisht gjatë fushatave elektorale. Përfaqësuesit e tyre, që janë në Parlament, s’kanë folur pothuajse asnjëherë gjatë katër vjetëve, por kanë vetëm dy detyra i) të jenë në ballë të blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve sa herë ka zgjedhje dhe ii) të kërcënojnë e madje të godasin deputetët e opozitës sa herë ata kritikojnë qeverinë dhe më konkretisht Ramën. Ky grupim ka filluar të ndjehet i rrezikuar për shkak të “dekriminalizimit” dhe ka filluar, nën këshillat e Ramës të marrë disa masa i) të pastrojë/fshijë sa të jetë e mundur gjurmët e “inkriminimit/akuzave” jashtë vendit, duke tentuar të gjejë çertifikata falso pastërtie; ii) të nxjerrë në plan të parë “kukullat” e tyre, më konkretisht fëmijët, vëllezërit, motrat apo njerëz shumë të besuar; iii) të spostohet në poste lukrative të administratës apo iv) të merret me biznes klientelist, që do të thotë sigurimi i votave shpërblehet me tendera, koncensione apo leje ndërtimi. Këta individë janë së bashku me rrjetin e policisë në ballë të kultivimit të kanabisit dhe përdorimit të fryteve të këtij “biznesi” për qëllime elektorale. Ky grupim, nëse do të arrinte një masë kritike në Parlamentin e ardhshëm dhe do të mund të organizohej duke u bashkuar, do të përbënte bazën e “mafias së vërtetë shqiptare” të organizuar si asnjëherë më parë në këto 26 vjet. Ky grupim arrin aktualisht deri në 20-25 për qind të grupit parlamentar të establishmentit Rama dhe ka tendencë të rritet.

Establishmenti Rama-përfaqësohet nga individë me sjellje trendi kontemporane…

“Veshja” e establishmentit Rama janë politikanë të korruptuar, ish-zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion, ish-drejtues të Bashkisë së Tiranës, ish-anëtarë të organizatës Mjaft dhe të partisë G99. Pjesën më të madhe të tyre, (por jo të gjithë) i bashkojnë disa cilësi i) medikokriteti e mungesa e arsimimit solid; ii) aftësia për të mashtruar dhe bërë propagandë; iii) paaftësia për të qeverisur dhe menaxhuar, por për të qenë gjatë të gjithë kohës vetëm në media; iv) aftësia për të sajuar lajme falso e shpifje në rrjetet sociale dhe sulmuar tinëzisht kundërshtarët përmes llogarive anonime; v) pjesëmarrja në aktivitete me skena perversiteti; vi) disa prej tyre janë pjesëtarë të grupimeve me sjellje atipike, por që promovohen si sjellje trendi kontemporane. Këta janë individët që Rama i preferon e promovon me precedencë dhe këta e shikojnë Ramën si idhullin e tyre. Ky model individi është kandidat për anëtar në qeverinë Rama dhe ndodhet në ballë të propagandës së rstablishmentit Rama. Këta janë edhe veshja, edhe krehja, edhe make-up, edhe parfumi, edhe thonjtë, edhe këpucët e establishmentit Rama. Këta lejohen të vjedhin e pasurohen, por jo përtej një caku të cilin e përcakton Rama. Kush e kalon cakun spostohet dhe nëse e ekzagjeron edhe eliminohet. Në këtë kategori futen edhe disa “kukulla”, burra e gra, të rinj e me moshë mesatare, që afrohen përkohësisht në grupin parlamentar, thjesht për t’u përdorur; këta quhen “kukulla një përdorimëshe”, të cilët keqpërdoren jo rrallë herë për të sulmuar kundërshtarët e Ramës në mënyra të turpshme a qesharake. Këto “kukulla” nuk qëndrojnë më shumë se një mandat në Kuvend dhe nuk kanë asnjë shans të bëhen ministra. Ky grupim shkon deri në 15-20 për qind të grupit parlamentar.

Në vend të përfundimit: Të gjithë bashkë kundër establishmentit Rama

Ky establishment ka filluar të ideohet apo konceptohet që me vendosjen e Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës në vitin 2000, pra para 16 vjetëve. Deri në 2005, Rama ka punuar në “ilegalitet” për të realizuar këtë projekt. Me ardhjen në krye të PSSH, Rama filloi realizimin e këtij projekti në të gjithë drejtimet. Në 2009 dhe më intensivisht në 2013, me fitimin e zgjedhjeve, establishmenti Rama mori formën e tij të plotë. Me ardhjen në pushtet në vitin 2013, Rama i atribuoi projektit të tij të gjitha cilësitë e një establishmenti që kontrollon të gjithë pushtetet. Do të ishte hera e parë në historinë e demokracisë, që në karriken e kryeminsitrit të ulej dikush që kishte qenë vetëm para dy vitesh në karriken e dytë më të rëndësishme të vendit, në atë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për 11 vjet. Do të ishte hera e parë në historinë e demokracisë që nga viti 1991, që ekipi qeverisës s’do të ndërtohej nga “politikanë” përfaqësues të partive politike të mazhorancës, por ai do të formësohej nga individë klientelistë të një establishmenti të quajtur Rilindja, që ishte jo vetëm i ndryshëm, por do të rezultonte edhe në konflikt me interesat e socialistëve. Rilindja apo establishmenti Rama do të merrte në koncension qeverisjen e vendit me votat e socialistëve, të cilët s’do të mund të ishin as aksionerë në këtë sipërmarrje. Ky është një establishment thjesht për interesat personale pushtetmarrëse dhe pushtetmbajtëse të Ramës dhe prandaj meriton të pagëzohet establishmenti Rama. Ky establishment që rrudhet çdo ditë, duke u pasuruar, që shkëputet çdo ditë nga realiteti, duke u bërë më arrogant, që mashtron dhe kërcënon çdo ditë e më shumë qytetarët nga frika e humbjes së pushtetit, po izolohet çdo ditë e më shumë për t’u rrethuar nga të gjithë që u mbetet vetëm një detyrë, ta rrëzojnë dhe çrrënjosin këtë establishment. Sot natyrisht është një ditë e rëndësishme anti-establishment ose thënë ndryshe dita kur të gjithë duhet të nisin të bashkohen për të çrrënjosur establishmentin Rama…

Syri.net

Filarmonia e Vienës: Do marrim hapat e duhur ndaj mashtruesit

Prej ditësh publiku shqiptar është njohur me lajmin e koncertit të Vjenës në Tiranë. Të paktën ky ishte termi i përdorur nga Kryeministri Edi Rama në njoftimin e parë që bëri për këtë event në Shqiperi.
Ndërsa vijoi me foton e radhës së gjatë të njerëzve të interesuar për biletat, Kryeministri nuk hezitoi madje të debatonte me komentuesit për mungesën e biletave dhe cilësinë e koncertit. Por, nëse Edi Rama u tregua i kujdesshëm në terminologjinë e përdorur “koncerti i Vjenës”, sponsorët dhe organizatorët e quajtën atë “Koncerti i Asamblit të Filarmonisë së Vjenës”, gjë që shihet qartë dhe në foton e posterit të këtij eventi.
Nisur nga këto paqartësi, Opinion.al komunikoj zyrtarisht me Filarmoninë e Vjenës. Në e-mailin e parë zyrtar, zyra e shtypit sqaroi se koncerti i parë i kësaj filarmonie do të jetë në datën 16 janar. Por pas këmbënguljes sonë për më shumë detaje lidhur me koncertin e paralajmëruar në Tiranë, përgjigja mbërriti nga drejtori i përgjithshëm i Filarmonisë së Vjenës. Siç dhe shihet qartë (për anglishtfolësit) CEO i Filarmonisë konfimon për Opinion.al se orkestra e Vjenës nuk do të luajë në Tiranë në datën 2 janar.
Por, ai sqaron më tej se çdo përdorim i emrit apo markës “filarmonia e Vjenës” duhet të jetë i autorizuar nga drejtuesit. “Ne do ta konsiderojmë seriozisht këtë informacion për të ndërmarrë hapat e duhur”, përfundon përgjigja që CEO e Filarmonisë së Vjenës i ka dërguar kryeredaktores së Opinion.al, Desada Metaj.
Lidhur me këtë koncert të paralajmëruar, redaksia e Opinion.al i ka dërguar edhe Ministrisë së Kulturës në Shqipëri dhe kompanisë AEG (sponsor gjeneral) 3 pyetje për të cilat pret përgjigje.
Ato janë :
-Sa është numri i instrumentistëve nga Filarmonia e Vjenës që do të luajnë në koncertin e datës 2 janar?
-Sa është vlera e shpenzimeve për sjelljen e instrumentistëve nga Vjena?
Ka pretendime se numri i biletave të shitura online apo në sportele është shumë më i vogël se ai që u deklarua në fillim nga organizatorët.
-Kush është e vërteta dhe sa është numri i biletave të vëna në dispozicion për publikun?
Ne presim përgjigje për këto pyetje, për të patur një ide më të qartë mbi të vërtetën e një koncerti të trumbetuar me të madhe, për të cilin sot për fat të keq mësuam se nuk ka asnjë lidhje zyrtare me Filarmoninë e Vjenës.

Shkëlzen Berisha: Anulohet Koncerti në Vjenë më datë 1 janar, do “bëhet” në Tiranë

Teksa shumë debate ka ngjallur i ashtuquajturi “Koncerti i Vjenës në Tiranë”, një tjetër reagim vjen për këtë shou të Kryeministrit Rama. Shkëlzen Berisha shkruan në Facebook se, Filarmonia e Vienës më datë 1 janar është anuluar për t’u zhvilluar në Tiranë më 2 janar 2017.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama do të marrë rolin e dirigjentit të orkestrës, shkruan me ironi Shkëlzen Berisha.
“Lajm i orës së fundit Filarmonia e Vjenës anulon koncertin e dt 1 janar në Vjenë për ta zhvilluar atë live nga “Pallati Kongreseve” në dt 2 janar. Mësohet që gjatë koncertit dirigjenti Dudamel dhe kryeministri Rama do të ndërrojnë shkopat.
Rama do të marrë shkopin e drejtimit të orkestrës dhe do të vazhdojë drejtimin e saj, ndërsa Maestro Dudamel do të marrë shkopin e piktorit dhe do të përfundojë një pikturë të lënë në mes nga Rama. Në përfundim të shfaqjes ministri Beqja do të urojë live në të gjitha gjuhët e botës qindra milionë teleshikues me urimin “Suksese në Jetë””, thotë Shkëlzen Berisha.
Edhe pse tashmë është mësuar se bëhet fjalë për vetëm 4 artistë nga Ballkani që do të luajnë, Rama vazhdon të këmbëngulë se bëhet fjalë për orkestrën e Vjenës, të cilën ai ka bërë të mundur ta sjellë në Tiranë.

Katër violinistët, kush i sponsorizon?

Së fundmi, Tirana ka rënë sërish pre e kufizimeve të energjisë elektrike, ndërkohë që nuk është në gjendje njeri që të shpjegojë se e kujt është përgjegjësia. Vetëm pak javë më parë, Teatri Kombëtar, gjatë paraqitjes së shfaqjes Don Kishoti, është detyruar të rrijë në errësirë dhe në të ftohtë për 30 minuta, për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Teatri Kombëtar merr shumë pak financime dhe nuk ka para për të blerë një gjenerator.
Disa ditë më vonë, derby i Tiranës, Partizani-Tirana është anuluar për mungesë të energjisë elektrike, duke lënë mijëra tifozë të zemëruar në stadiumin “Selman Stermasi”.
Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE), përgjegjës për ndërprerjet e energjisë elektrike, ka mohuar çdo përgjegjësi, duke deklaruar se Federata e Futbollit të Shqipërisë duhej që të instalonte një gjenerator dhe duhej që të komunikonte me OSHEE që ishte duke ndezur dritat.

Nuk do të jetë orkestra sinfonike e Vjenës

Pak ditë më parë, qeveria shqiptare ka lajmëruar me pompozitet të madh se, “është realizuar një ëndërr”, që koncerti i Vitit të Ri i Orkestrës Filarmonike të Vjenës do të zhvillohet edhe në Tiranë, me violinistin kosovar Shkëlzen Doli.
Në të vërtetë, violinisti luan me “Ansamblin Filarmonik të Vjenës”, i cili është një grup me katër instrumentistë, e jo një orkestër sinfonike. Duke parë ngjashmërinë e emrave kjo duket si një lëvizje e zgjuar komerciale. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Doli është një muzikant i një niveli të ulët. Tregon vetëm se, edhe një herë, qeveria shqiptare fryn në mënyrë të trashë realizimet në fushën e arteve, një fushë që mezi po mbahet në këmbë.
Në të vërtetë, qeveria po shpërndan oferta në të djathtë e të majtë për të ngritur teatro dhe ristrukturuar salla koncertesh. Për shembull, Teatri i Operas do të ristrukturohet me një shpenzim prej 1,2 miliard leke (8,9 milionë euro), por 861 milionë lekë do të merren nga buxheti i vitit 2017. Kjo shumë përbën gjysmën e fondit në disponim të kulturës për vitin e zgjedhjeve. Por operatorët aktualë të kulturës, si muzikantë, restauratorë, docentë, aktorë jetojnë nën minimum e varfërisë. Ata kërkojnë se përse duhen shpenzuar gjithë këto para për arkitektë ndërkombëtarë, në vend që shteti t’ua shpërndajë atyre që në mënyrë efektive prodhojnë kulturë.

AGE Art Production

Materialet e propagandës për koncertin e Vitit të Ri nga grupi i Shkëlzen Dolit janë prodhuar nga AGE Art Production. Deri pak ditë më parë lajmit, kjo shoqëri ishte komplet e panjohur në fushën e kulturës shqiptare. Por në një kontest politik ku një grup gazetarësh të tabloideve mund të merren sikur kujdesen për gjithçka, nuk duhet të na befasojë fakti se edhe një grup ndërmarrjesh hidroelektrike mund të shndërrohen në Babagjyshin e Vitit të Ri të Edi Ramës.
Grupi AGE përbëhet nga një grup projektesh hidroelektrike, të gjitha në pronësi të Albanian General Electricity, që në masën 100% janë në pronësi të biznesmenit Sadik Llapashtica. AGE vepron me një numër centralesh hidroelektrike në Shqipëri dhe Kosovë. Asnjë nga aktivitetet e AGE nuk ka qenë ndonjëherë në sektorin e arteve, ndërkohë që mund të themi se siti i AGE Art Production është aq i vjetër sa edhe lajmërimi për koncertin e Shkëlzen Dolit.
Mes sponzorëve të tjerë të këtij manifestimi janë; Balfin, grupi i investimeve i drejtuar nga Samir Mane, i cili ka fituar një sërë koncesionesh në bregdetin shqiptar; dy kompanitë kyesore të sigurimeve që nxjerrin fitime të mëdha nga sigurimi i detyruar; Albpetrol, për të cilën të gjithë pyesin se ku i gjen paratë për të sponsorizuar violinistët; Llotaria Kombëtare, pra një monopol i dhënë austriakëve; Banka austriake Raiffeisen; Ambasada austriake; e natyrisht organizata që ka përgjegjësinë totale për mungesën konstante të energjisë elektrike në të gjithë vendin, OSHEE.
Bëhet fjalë për një ironi të dhimbshme që qeveria shqiptare, në bashkëpunim me ndërmarrje që paraqisin një ndër rreziqet më të mëdha për ambientin shqiptar, por që ende nuk arrijnë të furnizojnë me energji elektrike të gjithë vendin, e ndihmuar gjithashtu nga monopole të ndryshme shtetërore është në gjendje që të prodhojë një quartet të tërë për Vitin e Ri. Ka një shprehje të famshme shqiptare për gjithë këtë histori: “U mbars mali dhe polli një mi”.
Në vend që të financojë institucionet kulturore të vendit, si teatro, muzeume, orkestra, qeveria është kthyer sërish tek ata që janë të predispozuar të servilosen, në pritje të tenderit apo koncesionit të radhës. Falë këtyre “bamirësve”, “altruistë” të vërtetë, ne do të mund të dëgjojmë, një ditë pas Koncertit të Vjenës, një tjetër artist që ka arritur të largohet nga varfëria shqiptare në kërkim të një jete më të mirë. Le të shohim nëse do të arrijnë të mbajnë dritat ndezur.

“Exi.al/it”
Përgatiti: Redin HAFIZI

Leksione nga zgjedhjet amerikane

Michael J. Boskin
Fitorja e papritur e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane ka krijuar një industri të vërtetë analizash post-mortem dhe parashikimesh, brenda dhe jashtë Amerikës. Disa e lidhin fitoren e Trumpit me një trend më të gjerë populizmi në Perëndim, veçanërisht në Europë, të bërë më të dukshëm nga vota e Britanisë për të dalë nga Bashkimi Europian. Të tjerë fokusohen në tërheqjen që ka pasur Trumpi si një figurë e jashtme e elitës politike, i aftë për të trazuar sistemin në një mënyrë që ish-rivalja e tij demokrate, Hillary Clinton, nuk do të mund ta bënte dot kurrë. Këto mund të jenë shpjegime me vend, veçanërisht ky i fundit, por historia është më e gjatë se kaq.
Gjatë muajve që paraprinë zgjedhjet, mediat, ekspertët dhe ndjekësit e sondazheve përsërisnin vazhdimisht se Trumpi kishte një mundësi tepër të vogël për të fituar. Ajo që nuk arritën të kuptonin ishte shtrirja e jashtëzakonshme e pakënaqësisë ekonomike nga familjet punëtore në shtetet kyçe, falë destabilizimit të tregut të punës që kishte krijuar teknologjia dhe globalizimi.
Por siç u theksua dy muaj përpara zgjedhjeve, këto pakënaqësi shtriheshin edhe më larg, së bashku me të ndjerit të injoruar dhe të lënë pas – dhe ishte vetëm Trumpi ai që më në fund i bëri këta njerëz të shiheshin dhe të dëgjoheshin. Kjo është arsyeja përse duhej marrë në konsideratë një fitore e mundshme e Trumpit, pavarësisht rezultateve të mira të Clintonit në sondazhe, me pesë pikë diferencë vetëm një ditë përpara zgjedhjeve.
Trump pati rezultat të ngushtë fitoreje në shtetet që republikanët nuk kishin fituar në dekada (Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani) dhe triumfoi me një diferencë të madhe në shtetin historikisht të kontestuar ngushtësisht, Ohio. Në fakt, republikanët arritën të siguronin një fitore të gjerë. Partia ruajti kontrollin e Senatit dhe tashmë kanë 33 guvernatorë, krahasuar me 16 të demokratëve.
Që pas zgjedhjes, Trumpi ka nisur të përcaktojë pozicionin e tij. Republikanët, edhe ata që e kanë kundërshtuar Trumpin gjatë fushatës, janë mbledhur të gjithë pas tij duke e mbështetur. Ndërkohë, demokratët në qeveri, veçanërisht presidenti Barack Obama, janë fshehur pas fjalimit të hijshëm të Clintonit ku thoshte se Trumpit i duhet dhënë mundësia të drejtojë vendin dhe të tregojë se çfarë mund të bëjë. Rezultati i papritur i zgjedhjeve amerikane përçon katër leksione kryesore, të cilat janë të aplikueshme për të gjitha demokracitë e avancuara nëpër botë.
Së pari, rritja e mund rishpërndarjen. Plani ekonomik i Clintonit i diskutuar shumë pak, ishte të zgjeronte më tej axhendën e majtë të Obamës, në mënyrë që të dukej si një platformë më socialiste, si ajo e kundërshtarit të saj demokrat, Bernie Sanders. Taksa më të larta për të pasurit, si dhe më shumë shërbime “falas” (të paguara gjithmonë nga taksapaguesit), ishin sipas saj mënyra më e mirë për të luftuar pabarazinë. Trump në të kundërt, fliste gjithmonë për punësim dhe të ardhura. Edhe pse mediat mbulonin më shumë mesazhet e tij të diskutueshme dhe më hiperbolike, ishte pikërisht mesazhi i tij ekonomik ai që arriti t’i garantojë mbështetjen që e çoi drejt fitores. Njerëzit duan shpresë për një të ardhme më të mirë dhe kjo vjen nga rritja e të ardhurave dhe nga futja e njerëzve në punë.
Leksioni i dytë ka të bëjë me rrezikun që buron nga injorimi dhe mospërfillja e pakënaqësisë së votuesve. Që në fillim, Clinton  nuk pëlqehej gjerësisht. Gjërat e zbuluara gjatë fushatës, për shembull, që në një fjalim të vitit 2015 kishte thënë se “kodet kulturore, besimet fetare dhe paragjykimet strukturore duhet të ndryshohen” për t’i garantuar grave më shumë të drejta, e shtuan frikën se ajo do të ndiqte një axhendë sociale tepër progresive.
Duke u ndërgjegjësuar për këto mangësi, Clinton u përpoq t’i fitonte zgjedhjet duke e bërë figurën e Trumpit të papranueshme. Por deklaratat e saj se mbështetësit e Trumpit i përkisnin “shportës së të mjerëve” – se ishin racistë, seksistë, homofobë, ksenofobë e islamofobë – krijoi bindjen se ajo dhe partia e saj i shikonin votuesit si individë moralisht jo të shëndetshëm, madje edhe budallenj. Këto lloj deklaratash kanë ndikuar me siguri të shtyjnë kundër Clintonit disa nga votuesit e pavendosur.
Leksioni i tretë është se kapaciteti i një shoqërie për të thithur ndryshimin është i kufizuar. Kur progresi teknologjik dhe globalizimi, për të mos përmendur ndryshimet sociale dhe kulturore, e kapërcejnë aftësinë për t’u adaptuar, ato bëhen të patolerueshme, shqetësuese dhe mbytëse. Shumë votues – jo vetëm në Amerikë – kanë frikë nga terrorizmi dhe emigracioni, veçanërisht nëse i shohin së bashku me këto ndryshime të menjëhershme.
Leksioni i katërt ka të bëjë me rrezikun e flluskës ideologjike. Pretendimi i vazhdueshëm nga votuesit e tronditur të Clintonit, të cilët thoshin se nuk njihnin asnjë person që do të votonte për Trumpin tregon se sa shumë njerëz – republikanë dhe demokratë – jetojnë brenda një flluske sociale, ekonomike, informuese, kulturore dhe të komunikimit.
Rënia e besimit në mediat kombëtare, së bashku me përhapjen e komunikimit në internet, ka krijuar një botë ku lajmet e lexuara nga njerëzit shpesh krijohen për t’i bërë “virale”, për të tërhequr sa më shumë klikime, jo për të informuar publikun. Rezultati është që nuk mund të quhen më lajme. Më tej, imformacioni që njerëzit shikojnë shpesh është i filtruar, në mënyrë që të përforcojë vetëm idetë e tyre. Këto zhvillime nuk i lejojnë njerëzit të angazhohen në diskutime racionale të informuara, jo më në debate të mirëfillta ku shpalosen perspektiva, vlera dhe interesa të ndryshme ekonomike.

Merkel, tentativë për të kuptuar të ardhmen me Donald Trump

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dërgon këshilltarin për politikën e jashtme për bisedime me ekipin e presidentit të ardhshëm, Donald Trump. Berlini është i pasigurtë për politikën e jashtme amerikane në të ardhmen. Me fillimin e javës, Christoph Heusgen, këshilltari i kancelares gjermane, Angela Merkel për politikën e jashtme do të niset përtej Atlantikut për të zhvilluar bisedime me ekipin e presidentit të ardhshëm amerikan, Donald Trump lidhur me kursin amerikan në politikën e jashtme nën administratën e Trumpit. Këtë e njofton revista e njohur gjermane, “Der Spiegel”. Në Berlin sundon një pasiguri e madhe për orientimin e politikës amerikane në të ardhmen. Heusgen do të përftojë një përshtypje në vend dhe pritet të ketë takime ndër të tjera me të emëruarin si këshilltar për sigurinë kombëtare, Michale Flynn. Edhe një zëdhënës i qeverisë gjermane ka bërë të ditur për agjencinë e lajmeve, “AFP”, se Heusgen udhëton në fillim të javës.

Dyshimet gjermane
Gjatë fushatës elektorale, Trump kishte ngjallur dyshime tek besnikëria e SHBA-së ndaj partnerëve të NATO-s. Në të njëjtën kohë, ai është shprehur pozitivisht për Putinin, ndërkohë që në dhënien e posteve kyçe, Trump ka injoruar establishmetin e politikës së jashtme të Uashingtonit, me të cilin Gjermania tradicionalisht ka kontakte të ngushta. Gjenerali i dalë në pension, Flynn njihet po ashtu si mik i Rusisë, ashtu si i emëruari për postin e sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson.
Sipas gazetës gjermane, “Der Spiegel” në kabinetin e kancelares sundon shqetësimi se Trump me ekipin e tij të ri do të injorojë sanksionet e vendosura nga Perëndimi për shkak të krizës në Ukrainë, duke e bërë kështu të pamundur një qëndrim unik të Perëndimit.

Trump përfundon mitingjet paszgjedhore

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, në përfundimin të turneut të falënderimeve – një seri mitingjesh për të festuar fitoren e tij zgjedhore muajin e kaluar – në një fjalim në Alabama shprehu pikëpamjen e tij se si gazetarë të pandershëm u përpoqën ta përshkruajnë atë si kandidat republikan, i cili nuk mund të fitonte.
Para një audience prej disa mijëra njerëzve në qytetin Mobile me rreth 200.000 banorë, zoti Trump tha se fushata e tij kishte filluar me njoftime të padrejta.
Si edhe në mitingjet e mëparshme, Donald Trump përsëriti premtimet për të ndërtuar një mur në kufirin meksikan dhe për të rinegociuar marrëveshjet amerikane të tregtisë. Ai theksoi synimin e tij për të filluar vetingun ekstrem të emigrantëve, për të mos lejuar hyrjen e ekstremistëve.
Në tubimin e së shtunës organizuar nga Partia Republikane mori pjesë edhe senatori Jeff Sessions i shtetit Alabama, i emëruar nga zoti Trump për postin e prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së.
Nga Alabama, Donald Trump fluturoi për në Florida për t’u ribashkuar me familjen e tij, e cila arriti atje të premten për pushime me rastin e Krishtlindjeve.

Poloni, racizmi në nivele alarmante

Sulmet me sfond racist në Poloni drejtohen para së gjithash kundër myslimanëve dhe afrikanëve. Por edhe antipatia ndaj gjermanëve luan rol. Tre studentë nga Turqia dhe Bullgaria u sulmuan verbalisht në një metro të qytetit verior polak Bydgoszcz. Ata duhet të largohen nga ky vend. Polonia u përket polakëve, dëgjuan studentët. Raste si ky i fillimit të dhjetorit janë shtuar në Poloni. Edhe në qytetin universitar, Thorn janë shtuar sulmet kundër studentëve të huaj. Një djalë i ri turk u godit keq dhe u shtrua në spital. Dy të tjerë u detyruan nga shërbimi i lokalit të ecnin në gjunjë dhe të kërkonin falje që nuk ishin të krishterë, por myslimanë. Klientët u mblodhën përreth, jo për të ndihmuar, por për t’u tallur me studentët e poshtëruar.

“Engjëj mbrojtës” për studentët e huaj
“Jam e shokuar nga kjo atmosferë poshtërimi në këtë rast”, thotë Ewa Walusiak-Bednarek, zëdhënëse e Universitetit në Thorn. “Prej dhjetë vitesh kemi studentë për shkëmbime, por asnjëherë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Ndërsa brenda këtij viti dy herë”, shton ajo e zemëruar. Traditë në universitetin me 20.000 studentë ka qenë shoqërimi i studentëve nga studentët polakë, që njihen si “engjëj mbrojtës”. “Ideja është ndihmesa e studentëve të huaj për t’u orientuar në të përditshmen dhe të njohin më mirë vendin tonë”, thotë Walusiak-Bednarek. “Pas sulmeve të fundit ndaj studentëve numri i engjëjve mbrojtës është rritur nga 10 në 110 vetë, kështu që secili nga të 130 studentët e huaj ka tani engjëllin e vet mbrojtës”.
Por sulmet nuk kryhen vetëm në provincë. Në Universitetin e Varshavës u qëllua një student nigerian. Në verë u bë i njohur rasti i një profesori polak që u grind në gjermanisht me një profesor gjerman të ftuar në një metro. Rasti u trajtua gjerësisht në media, por nuk pati ndonjë dënim nga ana e qeverisë.

Numri i sulmeve raciste -10 herë më i lartë se në vitin 2000
Anna Tatar nga fondacioni “Kurrë më” regjistron sulmet raciste nga e gjithë Polonia. Në vitet 2009-2010 ajo ka regjistruar 400 raste, dy vite më vonë shifra u rrit në 600. “Por nga vera vëmë re një shkallëzim tjetër, rastet po përpunohen ende zyrtarisht”, thotë ajo. Tatar e shpjegon atmosferën e racizmit me debatin për refugjatët para zgjedhjeve parlamentare të vjeshtës 2015. Polonia nuk pranoi refugjatë, megjithatë zemërimi i qytetarëve për rritjen e numrit të refugjatëve në Europë ka mbetur. Anna Tatar kritikon mediat polake. “Ato i paraqitën refugjatët si masë, pa fytyrë, pa histori individuale”.
Nga viti 2000 numri i sulmeve me sfond racist është më shumë se dhjetëfishuar, megjithëse numri i të huajve në Poloni krahasuar me vendet e tjera është i ulët. Nëse më parë sulmoheshin romët dhe hebrenjtë, sot sulmohen myslimanët dhe afrikanët. Autorët dënohen rrallë. 70 procedime gjyqësore u zhvilluan në vitin 2015. Arsyetimi që dëgjohej shpesh ishte “Dëm i vogël shoqëror”.

Tolerancë për urrejtjen ndaj të huajve
Shqetësuese në këtë kontekst është heshtja e politikës. Më kot u pritën reagime pas sulmeve brutale në Thorn dhe Varshavë. Në ndonjë rast madje autoritetet mbrojnë autorët. Kur në prill të vitit 2016 në një demonstratë në Bialystok nacionalistët radikalë thërrisnin “Të varim hebrenjtë”, Prokuroria nuk e pa këtë si akt penal me sfond racist, me arsyetimin, se jo çdo shprehje e aversionit mund të barazohet me thirrjen për urrejtje.
Ndërkohë që autorët vinin nga “kampi i radikalëve nacionalistë”, një nga grupimet më të mëdha radikale të djathta në Poloni. Simboli i tyre një dorë me thikë i ngjason kryqit nazist dhe është krahas këtij dhe simbolit të Ku-Klux-Klanit, qartësisht i identifikuar si simbol racist në udhëzimet për policët. Kur deputeti Adam Andruszkievicz, i njohur për kontaktet me skenën djathtiste, kritikoi se këto simbole përmenden njëherësh me simbolet naziste, Ministria e Punëve të Brendshme e hoqi rregulloren nga qarkullimi. Ndërkohë që një strategji e qeverisë për urrejtjen ndaj të huajve nuk shihet ende. Në vend të kësaj ajo merr vendime si heqjen e “këshillit për luftimin e diskriminimit racor” në vitin 2016, që kishte analizuar nga 2013-ta rastet e urrejtjes kundër të huajve.

Rusia pakt me Turqinë për çështjen e Sirisë?

Po afrohen Rusia e Turqia për një strategji të përbashkët për Lindjen e Afërt? Të dyja ndërmjetësuan në Alepo, tani krerët e dy shteteve ftojnë në një samit alternativ në Astana. Berlini i trembet një “pakti ruso-turk”. Rusia, Turqia dhe Irani po e intensifikojnë ndërhyrjen e tyre në Siri edhe në nivelin diplomatik. Ministrat e Jashtëm të tri vendeve duan të takohen më 20 dhjetor në Moskë, bëri të ditur Ministria e Jashtme iraniane. Krerët e diplomacive të tri vendeve Sergej Lavrov, Mevlüt Cavusoglu dhe Mohammed Dzhavad Sarif janë konsultuar më parë për situatën në Siri dhe zhvillimet në Alepo, bëhet e ditur nga Moska dhe Teherani.
Që të premten, presidenti rus, Vladimir Putin kërkoi një format të ri për bisedimet me Sirinë, në të cilin Turqia, e njohur për mbështetjen e deritanishme të opozitës siriane, do të ketë rol më të madh. Si vendtakimi me gjasë do të jetë Astana, kryeqyteti i Republikës aziatiko-qendrore, Kazakistani. “Kjo platformë nuk do të konkurrojë me Gjenevën, por do të jetë një platformë shtesë”, u justifikua presidenti Vladimir Putin gjatë vizitës së tij në Japoni.

Perëndimi i izoluar
Bisedimet e paqes në Zvicër nën ndërmjetësimin e OKB-së prej muajsh kanë ngecur. SHBA dhe vende të tjera perëndimore nuk ndërhynë për të ndryshuar gjendjen e shkallëzuar në Siri. Edhe telefonatat e vazhdueshme mes sekretarit të Shtetit në largim, John Kerry dhe ministrit të Jashtëm rus, Lavrov nuk sollën afrim të pozicioneve. Prandaj shqetësimi në Perëndim është rritur për një strategji të përbashkët ruso-turke në Lindjen e Afërme. Të dyja vendet ndërmorën një rol kryesor ditët e fundit për tërheqjen e rebelëve dhe civilëve.

“Ujdi e rrezikshme”
“Një nga zhvillimet më të rrezikshme në Siri është një ujdi ruso-turke”, paralajmëroi në Berlin, kreu i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut, Norbert Röttgen. Ai citohet nga gazeta e së dielës “Frankfurter Allgemeinen Sonntagszeitung” se rrezikon “një dështim tjetër diplomatik të Perëndimit”. Edhe politikani socialdemokrat, Niels Annen paralajmëroi nga një “deal” mes Putinit dhe Erdoganit. Ndërkohë spekulohet se Moska dhe Ankaraja kanë bërë fjalë për ndarjen e Sirisë. Rusia mund të pranojë prezencën e vazhdueshme turke në zonat veriore kurde të Sirisë, nëse Turqia heq dorë nga qëndrimi ndaj Asadit. Qeveria turke duket se ka ushtruar ndikim të madh së fundmi tek rebelët për zgjidhjen e krizës në Alepon Lindore.

Kolegji Zgjedhor zgjedh presidentin e SHBA-së

Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të Shteteve të Bashkuara pritet të finalizojnë zgjedhjen e republikanit, Donald Trump në postin e presidentit.
Vota e Kolegjit 538 anëtarësh është hapi i fundit në procesin zgjedhor të SHBA-së.
Zgjedhësit në të 50 shtetet dhe në Uashington do të mblidhen në kryeqytetet e tyre dhe do të votojnë.
Sistemi i komplikuar është ngritur nga njerëzit që kanë hartuar Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara për të balancuar fuqinë votuese të shteteve më të populluara kundër asaj të shteteve rurale, më pak të populluara.
Por, mënyra se si funksionon sistemi do të thotë se, ndonjëherë, një kandidat mund të humbasë votën e popullit, por të fitojë shumicën e votave të Kolegjit Zgjedhor. Kjo ka ndodhur edhe me Trumpin në zgjedhjet e 8 nëntorit.
Por, jo të gjithë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor janë të obliguar të votojnë për fituesin e zgjedhjeve në shtetin e tyre.
Për këtë arsye, disa demokratë dhe të tjerë kanë bërë përpjekje të bindin disa anëtarë të Kolegjit që të zgjedhin një tjetër republikan dhe jo Trumpin.
Mbështetësit e kësaj përpjekjeje thirren në raportet se hakerë, të mbështetur nga qeveria ruse, kanë ndikuar fushatën presidenciale në SHBA, si dhe në dyshimet mbi marrëdhëniet biznesore të Trumpit.
Trump, përmes një postimi në Twitter, ka kritikuar përpjekjet për ta kundërshtuar atë.
“Nëse shumë mbështetës kanë kërcënuar njerëz, siç po bëjnë ata që i kanë humbur zgjedhjet, ata do të përbuzen dhe do të thirren me emra të tmerrshëm”, ka thënë Trump.
Megjithatë, shumica e zgjedhësve të Kolegjit Zgjedhor janë të obliguar me ligj që të votojnë kandidatin që ka fituar në shtetin e tyre.
Rivalja demokrate e Trumpit në zgjedhje, Hillary Clinton, ka fituar votën e popullit me rreth 3 milionë vota më shumë, duke e bërë Trumpin fituesin më të dobët të votës popullore qysh në vitin 1876.
Por, një kandidat duhet të sigurojë 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të fituar dhe në këtë rast, Trump ka fituar 306 vota të zgjedhësve nga 30 shtete.
Trump dhe ekipi i tij i kanë hedhur poshtë pretendimet e inteligjencës për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, duke akuzuar demokratët dhe aleatët e tyre se bëjnë përpjekje të minojnë legjitimitetin e fitores së tij zgjedhore.
Zyrtarët rusë po ashtu i kanë hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje.