19.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

Ofensiva e Mosulit ka shkaktuar 100.000 refugjatë

Dy muaj pas fillimit të ofensivës kundër Mosulit në Irak gjendja humanitare në këtë qytet është mjaft dramatike. Luftimet janë të vështira dhe të ashpra. Ka dy muaj që në Irak është ndezur lufta më e përgjakshme që nga rënia e Sadam Huseinit e marshimit të trupave amerikane në vitin 2003: Ofensiva për marrjen e Mosulit nga milicët e të ashtuquajturit Shtetit Islamik, IS. Qyteti disa milionësh është gati i ndarë nga bota, që kur milicët shiitë kanë vënë nën kontroll rrugën që në Perëndim të çon drejt Sirisë. Me këtë synohet t’u ndërpritet furnizimi dhe tërheqja të 5000 milicëve të IS-it në Mosul.
Por ofensiva e trupave irakiane duket më e vështirë se mendohej. Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi kishte bërë të ditur marrjen e Mosulit brenda këtij viti. Marshimi i ngadalshëm ka të bëjë edhe me ndërrimin e taktikës së forcave irakiane. Renad Mansour, eksperti për Irakun nga Instituti “Chatam House” pohon se aktualisht nuk goditet me artileri të rëndë, si u veprua në rastin e Ramadit. “Në Mosul Abadi nuk dëshiron një eksod masiv, për t’u përballur me çështjet e vështira të rindërtimit dhe rikthimit të refugjatëve”, sqaron Mansour.

Mbrojtja e civilëve
Në Mosul ushtria irakiane dhe ushtarët elitë amerikanë po veprojnë me armë të lehta, konfirmon edhe përfaqësuesi për Irakun i UNHCR-s, Bruno Geddo. Kjo taktikë për mënjanimin e viktimave civile i lehtëson IS-it mbrojtjen. “Shteti Islamik është shumë mobil. Ata lëvizin në tunele brenda qytetit dhe mund të godasin befasisht trupat irakiane”.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara në nëntor janë vrarë rreth 2000 ushtarë irakianë. Iraku e hedh poshtë një shifër të tillë, por nuk jep të dhëna zyrtare për humbjet e veta. Po ashtu nuk ka të dhëna për numrin e viktimave të civilëve. Ndërkohë numri i refugjatëve ka arritur gati kuotën e 100.000 vetëve. Përfaqësuesi i UNHCR, Geddo bën fjalë për 96.000 vetë, të cilëve u është dashur të braktisin qytetin. Për ekspertin largimi nga zonat e kontrolluara nga IS-is në Mosul është i vështirë dhe mjaft i rrezikshëm.
Mosuli ndodhet në të dyja anët e lumit më të madh të Lindjes së Mesme, Tigris. Në kuadër të ofensivës janë çliruar vetëm rajone në verilindje të qytetit. Në këto luftime u angazhuan trupat me përvojë në luftimin shtëpi më shtëpi. Ndërsa në juglindje, trupat irakiane kanë vështirësi e duhet të përballen me humbje të rënda. Sipas ekspertit Bruno Geddo kur luftimet të afrohen në zonat mjaft të populluara të Perëndimit, numri i refugjatëve do të pësojë një rritje dramatike, “Ne llogarisim me deri në 700.000 vetë që mund të braktisin Mosulin, për të cilët duhet gjetur një vend i sigurtë, ushqim dhe ujë”.

Pa ujë, pa ushqim, pa ngrohje
Në qytet brenda gjendja është dramatike. “Sipas rrëfimeve të qytetarëve që mund të largoheshin, e dimë se popullsia civile po kalon një kohë tmerrësisht të vështirë”, thotë punonjësi i OKB-së, Bruno Geddo. Ai konfirmon se më shumë se një gjysmë milionë irakianë nuk furnizohen me ujë, katër nga pesë urat e Tigrisit janë shkatërruar dhe se ushqimet e karburanti po mbarojnë. Kësaj i shtohet edhe fakti që IS i detyron njerëzit të hapin shtëpitë për ta, të cilat përdoren për të hedhur granata apo raketa, që mund të ketë si pasojë kundërpërgjigjen me zjarr edhe nga ana e forcave irakiane.
Por pyetja më e vështirë është se çfarë do të bëhet pas largimit të IS-it. Në koalicionin antiIS janë bashkuar forca, të cilat i bashkon për momentin armiqësia ndaj të ashtuquajturit Shtetit Islamik, por që realisht janë kundërshtarë. Kurdët, arabët sunitë dhe shiitë, Turqia, qeveria irakiane dhe Perëndimi, para së gjithash SHBA me 5000 trupa speciale e këshilltarë ushtarakë. Ende nuk ka një pozicion të përbashkët, se si do të mbyllet vakumi i pushtetit pas fitores mbi të ashtuquajturin Shteti Islamik.

Mesi i jashtëzakonshëm, ishte derbi i tij

Lionel Mesi ishte padyshim, protagonisti i madh i derbit të Katalunjës mes Barcelonës dhe Espanyolit. Ato lëvizje të tijat ndaj mbrojtësve kundërshtarë në momentin e golit të dytë të realizuar nga Suarez në minutën e 67-të do të mbeten gjithmonë në mendjen e të gjithëve. Driblime të tilla mund t’i bëjë vetëm një si ai që ka fituar 5-herë në karrierë Topin e Artë. Ylli argjetinas i Barçës është i aftë të bëjë çfarë të dojë me topin në këmbë, madje nëse dëshiron ai dhe mund të tallet me kundërshtarët. 5 driblime në një fraksion sekondi ishin një tregues i qartë i aftësive të larta teknike që zotëron 29-vjeçari.
Një aksion i nisur nga Iniesta që gjithashtu ka shumë klas, i vazhduar nga Mesi dhe i finalizuar nga Suarez për kënaqësinë e tifozëve që ishin të pranishëm në shkallët e “Camp Nout” dhe atyre që po e ndiqnin ndeshjen nga ekrani. Vetëm 1 gol realizoi Leo Mesi në suksesin 4-1 të Barcës ndaj Espanyolit, por çdo lëvizje e tij në atë ndeshje ishte si një ilaç për sytë, sepse të tilla paraqitje mbrësëlënëse vetëm një si Mesi di t’i dhurojë. Shtypi spanjoll dhe ai ndërkombëtar i bëri një jehonë të madhe paraqitjes së 29-vjeçarit në ndeshjen ndaj Espanyolit, sepse ai të dielës në mbrëmje ishte derbit i Lionel Mesit, që shpiku gjithçka nga hiçi për të udhëhequr Barcelonën drejt një fitoreje fantastike.
Barcelona jep spektakël në derbin e Katalunjës, me publikun e “Camp Nout” që përulet para magjive të Lionel Mesit. Edhe pse shënoi vetëm një gol në portën e Espanjollit, argjentinasi ishte i papërmbajtshëm me shpërthimet e tij në fitoren 4-1 të Barçës. Pa u mbushur 18 minuta lojë Andres Iniesta ofroi një asist perfekt për Luis Suarezin, që përballë portierit shënoi me qetësi golin e parë.
“Camp Nou” mbeti i mahnitur në minutën e 67-të kur Lionel Mesi vallëzoi mes katër mbrojtësve dhe goditi portën, ndërsa topin e kthyer nga portieri e shtyu drejt rrjetës Luis Suarez. Një minutë më pas, në një aksion të ngjashëm, magjia e Mesit u shndërrua në asist për Jordi Alban, që shënoi golin e 3-0.
Espanjoli mundi të reagonte në minutën e 79-të nëpërmjet një kundërsulmi të shpejtë, që u përmbyll me golin e David Lopez. Nuk mund të mungonte në këtë mbrëmje magjike për blaurganat goli i Lionel Mesit, pas një kombinimi perfekt me Luiz Suarezin. Barça me këtë sukses ngjiten në kuotën e 34 pikëve, 3 më pak se Reali i Madridit që ka një ndeshje të prapambetur.

Bëj tifo për Juven

Administratori i Milanit, Adriano Galiani, nuk e ka fshehur kurrë që në rininë e tij ka qenë një simpatizant i Juventusit, mirëpo pas 30 vitesh në krye të klubit kuqezi, sigurisht që i kanë ndryshuar shijet. Por, drejtuesi i “Djallit” ka zbuluar se, me përjashtim të rasteve kur “Zonja e Vjetër” luan përballë Milanit, ai bën tifo për kampionët e Italisë: “Unë bëj tifo për Juventusin në 36 nga 38 ndeshjet e vitit. Kjo, për faktin se bardhezinjtë po bëjnë një kampionat më vete dhe, me shumë mundësi, do të fitojnë edhe në këtë sezon titullin. Mua më intereson fakti që të fitojnë sa më shumë ndeshje, në mënyrë që Milani të fitojë terren karshi kundërshtarëve. Kjo është arsyeja pse bëj tifo për Juventusin, me përjashtim të sfidës kundër Milanit”.
Galiani, me pak fjalë, pranon që mbështet në kampionat ekipin e drejtuar nga Masimiliano Alegri, teksa shpreson që bardhezinjtë, duke mundur rivalët si Roma, favorizojnë kuqezinjtë në garën për një vend në Champions. Arsyetimi i administratorit ka një logjikë, por të njëjtin mendim me të nuk ndajnë tifozët e Milanit.
Deklarata e krahut të djathtë të Silvio Berluskonit ka bërë menjëherë jehonë në radhët e tifozëve, të cilët, në profilet e ndryshme sociale, kanë shpërthyer kundër administratorit. Sipas tyre, është e pafalshme që një drejtues i Milanit të bëjë tifo për Juventusin, rivalja historike në kampionat.
Sakaq, rrjeti i kanaleve “Sky Sport” ka zbuluar se administratori i Milanit, në përfundim të takimit kundër Atalantës, ka darkuar me presidentin e zikaltërve, Perkasi. Mediat flasin se në “meny” kanë qenë emrat e Kaldarës dhe Galjardinit. Milani është shumë i interesuar për dy xhevahiret e Atalantës dhe mësohet se në verë ka gati një ofertë për lojtarët. Mirëpo, për Kaldarën kuqezinjtë duhet të fitojnë në merkato betejën me Juventusin, që ka prezantuar një ofertë zyrtare për lojtarin.
Milani nuk duhet të dështojë kurrsesi në merkaton e janarit. Pa u fshehur pas fjalëve, por i drejtpërdrejtë në ato që thotë adminstratori i deleguar i kuqezinjve Adriano Galiani shpjegon se situata është delikate. “Përjashtoj kategorikisht goditje të mëdha në janar. Situata jonë është shumë komplekse. Është e vështirë, sepse në këto momente duhet të bëj një marrëveshje, ta mbyll e më pas të kërkoj autorizim”, u shpreh Galiani.
Galaini i referohet kinezëve, që sipas marrëveshjes, pasi derdhën 200 milionë euro si parapagim, duhet të japin miratimin e tyre pas çdo vendimi në merkato. Kjo është arsyeja që Milani është në dizavantazh me rivalët.
“Nuk mund të bësh asgjë, sepse edhe në arrin një marrëveshje, të gjithë e dinë se kur e mbyll duhet të marrësh miratimin e pronarëve të rinj. Që të mos shpenzosh para, para se të blesh duhet të shesësh”, tha ai. Ndoshta kjo është arsyeja që Juventusin e mbylli pa u shqetësuar aspak nga rivalët marrëveshjen me Caladarën. Thirrja e Berlusconit ndaj Atalantës nuk shërbeu për asgjë, një tjetër i ri i talentuar përfundoi te bardhezinjtë.

Juventus, Bonuçi rinovon deri në 2021

Juventus e bën lajmin publik me një hashtag #Bonucci2021. Klubi bardhezi ka rinovuar kontratën e atij që konsiderohet si kolona e mbrojtjes edhe për 5 vitet e ardhshme. 291 prezenca për të, nëse nuk merret parasysh Buffon është lojtari që ka luajtur më shumë se gjithë të tjerët në 6 vitet e fundit te Juventus. Mbi 25 mijë minuta në fushë në gjithë kompeticionet, 1367 topa të rikuperuar, 1033 duele të fituara, 359 prej të cilave ajrore, 16 gola.
Ja disa nga numrat e tij që bëjnë të kuptosh rëndësinë për skuadrën bardhezi, e cila bëri të ditura këto shifra për të evidentuar “karrierën e një lojtari të jashtëzakonshëm, një mbrojtës me kualitet teknik, i pamposhtur në fazën mbrojtëse, por me aftësinë e një vizioni loje dhe kualiteti që i lejojnë të jetë një nga regjisorët më të mirë të mbrojtjes në qarkullim, janë numrat e një futbollisti 5 herë kampion, të një simboli të Juventus, që me këtë rinovim forcon akoma më tepër një raport të pazgjithshëm”. Padyshim që ka shumë kënaqësi edhe për vetë lojtarin që nëpërmjet profilit të tij në instagram komentoi: “Kam rinovuar deri në 20121. Kam zgjedhur shtëpinë ku jam rritur dhe jam bërë i madh mes të mëdhenjve. Do të vesh akoma fanellën me numrin 19 me krenarinë bardhezi. Akoma, deri në fund, një objektiv: Të vazhdoj të fitoj!”

Fiton Lazio, Palermo çmenduri me Genoan

3-1 fitoi Lazio ndaj Fiorentinës në “Olimpico”, ku fitorja e bardhekaltërve thuasje u vulos që në pjesën e parë me golat e Keitas dhe Biglias me 11-metërsh. Në fillim të fraksionit të dytë Iliçiç dështoi nga pika e bardhë e penalltisë, gjithsesi skuadra vjollcë mundi ta shkurtonte në 2-1 diferencën me Zarate në të 64-ën. Në minutën e fundit të kohës së rregullt, teksa Fiorentina po kërkonte me ngulm golin e barazimit Radus u dha goditjen përfundimtare toskanëve me golin e 3-1. Fitore e çmendur 3-4 e Palermos në Luiggi Ferraris ndaj Genoas. Edhe pse u gjend në dizavantazh 3-1, skuadra siçialiane përmbysi gjithçka në minutat e fundit, duke marrë një fitore thjesht të paimagjinueshme. Pjesa e parë përfundoi në barazimin 1-1, golit të Simeones iu përgjigj Quaison në të 42-ën. Genao realizoi edhe dy herë të tjerë në fillim të pjesës së dytë me Simeonen dhe Ninkoviç, por Goldaniga, Rispoli dhe Trajkovski kthyen rezultatin në favor të Palermos.

FIFA, gjobë e 2 ndeshje pezullim për Berishën

Pezullim dhe gjobë për Etrit Berishën nga FIFA. Ai episod i shumëdiskutuar me Zahev gjatë ndeshjes me Izraelin, ku u ndëshkua me karton të kuq do t’i kushtojë më tepër gardianit të shtyllave kuqezi. Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditur se, Komisioni i Disiplinës në FIFA në mbledhjen e 9 dhjetorit ka ndëshkuar portierin Etrit Berisha me dy ndeshje pezullim. Veç kësaj mase Berishës do t’i duhet të shlyejë edhe një ndëshkim financiar në masën e një gjobe prej 5 mijë frangash zvicerane.
Giani De Biasit në këtë mënyrë do t’i duhet të bëjë pa portierin e parë të Kombëtares në dy ndeshje të rëndësisë maksimale në fushatën e kualifikueseve të Botërorit Rusi 2018, pasi humbet shërbimet e Berishës për takimin e 24 marsit në Palermo me Italinë, si edhe ndeshjen tjetër që me shumë mundësi do të përcaktojë fatin e kësaj fushate për Shqipërinë, transfertën e 11 qershorit me rivalët e drejtpërdrejtë në grup, Izraelin. Disiplinori i FIFA-s nuk ka lënë pa ndëshkuar edhe FSHF, së cilës do t’i duhet që sërish të paguajë një gjobë, këtë herë në shumën e 10 mijë frangave zvicerane, masë kjo e motivuar nga FIFA, “për sjellje të gabuar të tifozëve”.

Abrashi rinovon me Fraiburgun

Amir Abrashi ka rinovuar kontratën e tij me klubin e Fraiburgut në Bundesligë, duke planifikuar që të qëndrojë për shumë vite në radhët e klubit gjerman. Lajmin e ka bërë publik vetë klubi i Bundesligës, nëpërmjet një njoftimi që ka zyrtarizuar firmën e re të mesfushorit 26-vjeçar, i cili ka luajtur 46 ndeshje me Fraiburgun që nga vera e vitit 2015, duke shënuar 4 gola.
“Amiri është zhvilluar shumë mirë me ne dhe i shton komponentë të vlefshëm lojës tonë me forcën dhe sjelljen e tij. Ai është një pjesë e rëndësishme e skuadrës tonë dhe presim me padurim që të vazhdojë bashkëpunimin”, u shpreh drejtori sportiv i klubit, Johen Saier.
Edhe vetë Abrashi dukej i lumtur me këtë zgjedhje që kishte bërë. “Deri tani në Fraiburg kam plotësuar të gjithë pritshmërinë dhe e shoh të ardhmen time sportive si pjesë e Fraiburgut. Unë e ndjej veten mjaft rehat këtu dhe e di që kam shumë për të bërë me këtë skuadër”, janë fjalët e futbollistit shqiptar.
Edhe pse Fraiburgu në njoftimin e tij për shtyp shprehej se ishte rënë dakord që të mos publikohej asnjë e dhënë rreth kontratës së re, është mësuar se Abrashi ka firmosur deri në vitin 2020 me këtë klub. Kontrata e mesfushorit shqiptar përfundonte në verën e vitit 2018, por falë këtij rinovimi të ri të marrëveshjes, ai jo vetëm ka garantuar të ardhmen e tij, por edhe ndryshimin e parametrave financiarë të kontratës, të cilët kanë pësuar një përmirësim të ndjeshëm.
Futbollisti i përfaqësueses shqiptare përfaqësohej në këto negociata nga vëllai i shokut të tij të ngushtë, Xherdan Shaqirit, Erdini, i cili ka në kompaninë e tij të menaxhimit disa lojtarë shqiptarë.

Candreva i jep fitoren Interit

Një gol i Candrevas i jep Interit fitoren ndaj Sassuolos së reduktuar nga mungesat, me zikaltërit që gjejnë fitoren që ju mungonte në transfertë që nga 21 shtatori, të parën nën drejtimin e Piolit.
Kishte plot 10 mungesa Sassuolo që mezi kishte bërë formacionin, ndërsa te Interi ishte preferuar Perisiç në vend të Eder. Zikaltërit morën në dorë frenat e lojës duke shfrytëzuar mirë aksionet nga krahët me Candrevan që shkoi pranë golit dy herë, mes minutës së 12 dhe të 15, por Consili dhe më pas shtylla i thonë jo. Edhe Sassuolo bën të tijën me kundërsulmin dhe kur riniset Ragusa pas një gabimi të Murillos, Mazzitelli për pak sa nuk shënon. Në minutën e 28 Icardi merr një krosim të mirë nga Candreva, por gabon vetëm për pak. Para pushimit ka edhe një rast për Perisiç në minutën e 35, por Consigli ia del ta neutralizojë.
Pjesa e dytë nis pa ndryshime, por ndryshon menjëherë rezultati me Interin që kalon në avantazh falë Candrevës që çon topin në rrjetë pas pritjes së Consiglit në tentativën e Joao Marios. Avantazh i merituar dhe i firmosur nga më i miri në fushë, Sassuolo reagon me Sensin që impenjon në të 63 Handanoviç që ia del të kthejë topin me këmbë. Interi vuan për të menaxhuar rezultatin me Mirandën që në minutën e 84 rrezikon autogolin në krosimin e ulët të Ragusas. Në fund Perisiç dështon dy herë radhazi ballë për ballë me Consiglin brenda dy minutash në minutën e 88 dhe të 90-ën. Në shtesë për t’u sinjalizuar futja në fushë më në fund e Gabigol, si dhe Felipe Melo që merr kartonin e dytë të verdhë, por rezultati nuk ndryshon, mbyllet 1-0 për Interin që arrin fitoren e 3 radhazi duke u ngjitur në kuotën e 27 pikëve.
Napoli arriti të marrë vendin e 3-të në renditje pas një ndeshjeje spektakolare në “San Paolo” me Torinon, që u mbyll me rezultatin 5-3. Mertens ishte protagonist absolut për skuadrën jugore teksa shënoi katër gola në këtë përballje, 3 prej të cilëve në pjesën e parë.
Autori i golit tjetër për Napolin ishte Chiriches, me rumunin që realizoi për shifrat provizore 4-1.
Për miqtë ndërkohë arritën të shënonin, Belotti, Falque dhe Rossetini. Në sfidat e tjera, Pescara është në krizë të thellë pas humbjes 0-3 në shtëpi me Bolognan, ndërsa Chievo dhe Udinese mposhtën respektivisht Sampdorian dhe Crotonen.

Objektivat e Juves

Beppe Marotta zbardh objektivat e merkatos së Juventusit. Drejtori i Përgjithshëm i bardhezinjve, në një intervistë ku ka folur për shumë tema duke u ndalur pikërisht te merkatoja e dimrit, që është një çështje e nxehtë në shtëpinë e kampionëve të Italisë. Nga Axel Witsel te Rodrigo Bentancur, një prej dy mesfushorëve do t’i bashkohet Juventusit në janar edhe pse gjasat më të mëdha janë që në Torino të transferohet futbollisti i përfaqësueses belge.
“Jemi duke punuar përsa i përket pjesës së merkatos. Për Bentancur kemi një marrëveshje për ta blerë kartonin e tij për një shifër për të cilën kanë rënë dakord palët. Kjo marrëveshje skadon në prill të 2017. Sigurisht që ai do të jetë një futbollist i yni, por për sezonin e ardhshëm. Witsel është një mundësi shumë e mirë për ne, pasi kontrata e tij me Zenit St.Petersburg, skadon në vitin 2017. Kemi nisur bisedimet me klubin rus dhe jemi në pritje të një përgjigjeje”, u shpreh Marota.
Në pritje të merkatos, Beppe Marotta i bëri dhe një analizë të vitit që po lëmë pas. Ai shprehet se futbollistët po bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe se padiskutim nëse do të fitohej titulli kampion, që do të ishte i 6-shti radhazi për bardhezinjtë do t’i shndërronte ata në një legjendë të futbollit italian. “Siç e ka thënë dhe Presidenti i Juventusit, Andrea Angnelli titulli i gjashtë do të ishte diçka historike për këtë klub. Kur nisëm në fillim projektin tonë, të paktë ishin ata që besonin, por sot flasim në të tjera rrethana. I kemi të gjitha kapacitetet për ta arritur këtë objektiv”, tha ai.
Në fund ai foli dhe për aventurën e bardhezinjve në Champions League, duke e cilësuar si një kompeticion  ku konkurrenca është e madhe. Ky është një trofe që e dëshirojmë të gjithë, por na nevojitet shumë punë dhe ndoshta pak fat, u shpreh Marotta. Ai nuk harroi të komplimente të gjithë futbollistët e “Zonjës së Vjetër”, të cilët sipas drejtorit po e mbajnë Juventusin në nivele të larta.
Luciano Spalleti pas disfatës në “Juventus Stadium”, nuk mund veçse të reflektojë zhgënjim, duke e pranuar se bardhezinjtë i ndihmoi eksperienca dhe cinizmi. “Ishin më të zotët se ne në aspektin e emrave individualë. Duhet të kapemi pas gjërave pozitive që bëmë në këtë ndeshje, por Juventusi e tregoi se është një skuadër e fortë. Kjo fitore e ndihmon të menaxhojë me qetësi situatën në të ardhmen dhe ne duhet të jemi shumë të zotët për të rikuperuar sa më shumë pikë. Gabuam në disa momente kyç dhe ata e menaxhuan shumë mirë avantazhin. Më pëlqeu sjellja e skuadrës në fushë”, tha Spalleti.
Në vijim, Spalleti shpjegon arsyen e aktivizimit të brazilianit Gerson në pjesën e parë. “Kartoni i verdhë e kushtëzoi. E hodha në fushë sepse Juventusi është një skuadër fizike dhe në krahun tjetër Salah nuk luante që prej dy javësh. Nuk më shqetëson aspak mungesa e golit sepse jemi një prej skuadrave që shënon më shumë në kampionat. Tani nuk po e gjejmë në vazhdimësi rrugën e rrjetës, por do të mendojmë si të dalim nga kjo situatë”, përfundoi ai.

Bajerni ruan kreun, mundi Darmstadin

Bajerni i Mynihut ruajti kreun e Bundesligës pas një fitoreje minimale në transfertë me Darmstadin. Bavarezët vuajtën jo pak për të marrë 3 pikët në transfertë, ku u nevojit një gol i Douglas Costës për t’i dhënë fitoren e 4-tërt radhazi në kampionat formacionit të Ançelottit.
Në fakt ndeshja mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë nëse Darmstadt do të kishte shënuar që në minutën e parë të sfidës. Gjithsesi ky rast i shpërdoruar që në fillim i dha mundësinë Bajernit që të menaxhonte me qetësi takimin deri në kërkimin e golit. Në të 55-tën Muller humbi një mundësi të mirë, përpara se braziliani me golin e tij t’i jepte epërsinë bavarezëve. 7 minuta më pas, Darmstadt sërish iu afrua golit, por Manuel Neuer arriti të ruajë fitoren me Bajernin që rimori sërish kreun e klasifikimit si pasojë e golavarazhit më të mirë sesa Leipzig, në pritje të sfidës direkte që dy ekipet do të kenë në mesjavë përballë njëra-tjetrës.
Bayer Leverkusen pësoi një humbje të papritur 1-2 në “Bay Arena” nga Ingolstad, që gjysmën e pikëve që ka grumbulluar gjithsej, i ka fituar vetëm në dy takimet e fundit. Morales goditi bukur me kokë në minutën e 26-të pas krosimit të Suttner me topin që përfundoi në rrjetë.