29.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Mertens si Nordahl, 7 gola në 180 minuta

Napoli's Dries Mertens, left, celebrates after scoring, during a Serie A soccer match between Napoli and Torino at the Naples San Paolo stadium, Italy, Sunday, Dec. 18, 2016. (Cesare Abbate/ANSA via AP)

Në fillim të sezonit u duk sikur Napoli e gjeti te Arkadiuz Milik zëvendësuesin ideal të Gonzalo Higuain që u transferua te Juventusi, por në mungesë të polakut për shkak dëmtimi te Napoli kanë kuptuar se e kanë patur në shtëpi pasuesin e El Pipitas. Ai është belgu Dries Mertenes, i cili është aktivizuar nga trajneri Maurizio Sarri si qendërsulmues në ndeshjet e fundit, me 29-vjeçarin që edhe pse shtatshkurtër i ka mahnitur të gjithë me paraqitjet e tij në rolin e ri.
Edhe pse pozicioni i tij në fushë është ai i sulmuesit anësor, Mertens po e bën në mënyrë fantastike rolin e pykës në majën e sulmit të Napolit. Në Serinë A italiane është padiskutim momenti i tij. 7 gola të realizuar në vetëm 180 minuta për t’u treguar tifozëve të Napolit se mund të bëjë edhe më shumë se Higuain, madje edhe se Maradona edhe pse kurrë nuk mund ta arrijë dot nivelin e El Pibe D’Oros. Mes emrave të tillë si Belotti, Icardi, Dzeko e Higuain ka hyrë edhe Mertens që nëse vazhdon me këto ritme mund të rivalizojë dhëmbë për dhëmbë me ta për trofeun e golashënuesit më të mirë të kampionatit. Me 4 gola të shënuar në Champions dhe 10 në kampionat Mertens ka marrë për dore Napolin gjatë kësaj periudhe.
Nga 10 golat e realizuar në Serinë A, 7 prej tyre belgu i ka shënuar në kohë rekord. Sfidat ndaj Cagliarit dhe Torinos ka qenë me të vërtetë të çmendura për Mertens që ka shpërthyer duke realizuar një 3-golësh në takimin ndaj skuadrës sarde dhe 4 herë në sfidën e fundit ndaj Torinos. Për të gjetur një sulmues që realizonte 7 gola në 2 ndeshje të Serisë A duhet të kthehemi shumë vite pas në kohë. Mertens falë këtyre dy paraqitjeve tashmë është në librin e rekordeve përkrah emrave të tillë si Angelillo, Gunar Nordhal e Giusseppe Meazza. Me një Mertens në formë të tillë edhe një si Cristiano Ronaldo që golin e ka në gjak është i paralajmëruar, pasi me një super Dries, Napoli mund ta eliminojë Realin në Champions. Klasi dhe talenti nuk i mungojnë 29-vjeçarit dhe goli i 4-t personal i realizuar ndaj Torinos ishte si një kartolinë për festat e fundvitit për të gjithë ata që pëlqejnë futbollin e bukur.

Ndeshja e jetës për të thyer Juven

Për Milanin nis java antiJuve. Të premten në Doha të Katarit, kuqezinjtë do të sfidojnë bardhezinjtë në finalen e Superkupës së Italisë për trofeun e parë sezonal. Ka optimizëm te Milani për një sukses të mundshëm ndaj Juventusit që ka dominuar futbollin italian gjatë këtyre viteve të fundit, por Vincenzo Montella, numri 1 i stolit kuqezi e ka të qartë se për të mposhtur skuadrën e Allegrit, futbollistët e tij duhet të zhvillojnë ndeshjen e jetës.
“Bardhezinjtë janë një skuadër thuajse e pamundur për t’u mposhtur. Dëshiroj që futbollistët e mi të sillen në mënyrën e duhur në fushë. Dua një Milan në 100% të mundësive të tij, madje edhe më shumë. Duhet të bëjmë ndeshjen e jetës pasi vetëm kështu mund të pretendojmë të fitojmë ndaj Juventusit. Higuain nuk është rreziku i vetëm i bardhezinjve, ata kanë dhe Dybala-në, që është njëkohësisht edhe futbollisti më i paparashikueshëm te Juvja. Për mua Dybala është një nga lojtarët më të mirë në botë për momentin sepse ka patur një rritje të jashtëzakonshme dhe ka arritur të fitojë mentalitetin që është pjesë e një skuadre të madhe”.
Me mbërritjen e kinezëve te Milani, Superkupa e Italisë mund të jetë trofeu i fundit që mund të fitojnë kuqezinjtë me Silvio Berlusconin si president. Kjo sipas Montellës është një arsye më shumë që skuadra e tij të japë maksimumin për të fituar edhe për presidentin legjendar.
“Do të ishte një histori e bukur për të, për ne, por edhe për mua pasi Superkupa është një trofe, të cilin ende nuk e kam fituar”.

Lojërat e fatit, pafundësia e marrëzisë

Blerina Hoxha

“Fundi i Marrëzisë” tri vite më pas po rezulton një marrëzi e pafundme, teksa mazhoranca shihet të ketë dështuar në një nga aksionet më të mëdha të saj për disiplinimin e biznesit të lojërave të fatit.
Qeveria e re e zotit Edi Rama, që erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2013, tentoi që në muajin e parë të saj të formalizojë tregun historikisht problematik të bixhozit. Vetë Kryeministri u përkujdes ta pagëzojë si një marrëzi dhe si e tillë për t’i dhënë fund, orientoi në një aksion të përbashkët, Policinë e Shtetit, atë Tatimore dhe Ndërtimore për të pezulluar, për të sekuestruar dhe për të prishur objektet që nuk ishin në pajtueshmëri me ligjin. Më 14 tetor 2013, mbi 600 mijë forca policore lanë komisariatet dhe rutinën e tyre të përditshme për t’u vënë çelësat bizneseve të lojërave të fatit. Pak muaj më vonë, Ministria e Financave raportoi se kishte mbyllur dhe bllokuar mbi 1 mijë pika në të gjithë vendin.
Përkrah aksionit në terren, ekspertët e qeverisë nën konsulencën e donatorëve hartuan një projektligj që do të vuloste fundin e “marrëzisë”. Në themel të propozimeve të reja është ndalimi i bizneseve me fushë veprimtarie lojëra fati, të ekspozuara pranë institucioneve fetare, të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë. Distancat ndërmjet subjekteve të lojërave të fatit nga institucionet e parashikuara duhet të jenë jo më pak se 100 metra në vijë ajrore në të gjitha drejtimet. Brenda datës 31 dhjetor 2016 organizatorët duhet të merrnin masa për ndryshimin e vendndodhjes, ndryshe do të penalizoheshin me heqje licence. Por që nga fillimi i vitit 2014, kur ligji u bë gati për miratim, kaloi në një kalvar dyvjeçar, derisa hyri në fuqi në shkurt të 2016-s. Kur u botua në Fletoren Zyrtare, afatet ligjore për zhvendosjen e bizneseve u bënë nul, pasi ligji parashikonte zhvendosjen një muaj para se ndryshimet të hynin në fuqi. Burimet në Ministrinë e Financave në kohën kur ish-ministri Shkëlqim Cani e drejtonte atë, pohuan se grupet e interesit pranë politikës ushtruan presion për të penguar avancimin e ligjit. Zvarritja me më shumë se dy vjet që nga miratimi në qeveri derisa u botua në Fletoren Zyrtare, u shoqërua më pas me një indiferencë të thellë të qeverisë për ta zbatuar ligjin. Ministria e Financave nuk nxori asnjë udhëzim për zbatimin e ligjit, teksa bizneset po përpiqen të përdorin Kuvendin për t’i dhënë një anulim final ndryshimeve. Një grup prej gjashtë deputetësh – Ervin Bushati, Ervin Koçi dhe Blerina Gjylamenti nga Partia Socialiste; Ylli Shehu dhe Luan Duzha nga LSI, bashkë me Tahir Muhedinin nga përfaqësia e çamëve kanë propozuar një projektligj që shtyn afatet e zbatimit të ligjit të ri për lojërat e fatit të paktën deri në vitin 2018. Ndërsa deputeti Tahir Muhedini i çamëve ka propozuar veçmas një projektligj, për shtyrjen e afateve të zbatimit të ligjit. Këto nisma duket se janë nxitur nga qeveria, e cila përgjatë dy viteve të fundit është vënë nën presion nga bizneset e sektorit që ligji të mos zbatohej, përderisa shihet se Ministria e Financave nuk lëshoi asnjë udhëzim për zbatimin e ligjit. Ervin Bushati, një nga deputetët nismëtarë për të shtyrë zbatimin e ligjit, pohoi se e ka bërë propozimin i pandikuar nga aktorët e tregut. Ai tha se, nëse ligji zbatohet, buxheti i shtetit humbet të paktën 2,5 miliardë lekë nga taksat dhe gjithashtu zhvendosja më në periferi e bën më të vështirë kontrollin dhe rrezikon ta kriminalizojë biznesin e lojërave të fatit. Bushati tha se është në pritje të një raporti të posaçëm nga Ministria e Financave për kushtet në të cilat po zhvillohet biznesi. Por kolegia e tij, Blerina Gjylamenti, njoftoi dorëheqjen nga nisma sapo kuptoi se kjo nuk ishte iniciuar nga grupi parlamentar, por nga grupe të caktuara të qeverisë.
Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlamentar, më herët gjatë javës i ka sqaruar deputetët se nisma për të shtyrë zbatimin e ligjit të lojërave të fatit nuk është e grupit, porse në vijim do të shqyrtohet nëse është apo jo e drejtë. Bizneset e lojërave të fatit xhirojnë të ardhura më shumë se 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Të 16 operatorët më të mëdhenj deklaruan zyrtarisht të ardhura 120 milionë euro në vitin 2015, por studimet e mëparshme të qeverisë tregojnë se ky lloj biznesi ushtrohet 70% në informalitet dhe të ardhurat reale që xhirohen janë së paku 360 milionë euro. Sipas të dhënave nga bilancet, bizneset e lojërave të fatit patën norma fitimi dyshifrore që arritën deri në 45% vitin që shkoi.
Deputeti Ervin Bushati që është pjesëtar në Komisionin e Ekonomisë, nuk hezitoi kur e cilësoi ligjin e ri të lojërave të fatit një nismë të nxitur të qeverisë. Ai tha se nuk ishin marrë në konsideratë kostot nga zbatimi i tij dhe vlerësoi se duhet bërë një rishikim tërësor i tij. Nga zhvillimet e deritanishme shihet se, ligji i ri i lojërave të fatit është minimumi një gabim i qeverisë, teksa gjithnjë e më shumë qeveria dhe Kuvendi po ndikohen nga lobingjet e grupeve të interesit për të miratuar ligje që janë në dëm të interesit të përgjithshëm.

Kapja e shtetit me ligje selektive

Ka një shqetësim në rritje se kompani apo njerëz afër pushtetit janë duke e ndikuar vendimmarrjen për çështje përfitimi personale. Ekspertët e ekonomisë dhe bizneset janë të shqetësuara për fenomenin gjithnjë e në rritje. Madje këto tentativa kanë çuar edhe në debate, aq sa Kuvendi ka kthyer mbrapsht nisma të qeverisë që ishin tërësisht të dukshme që po favorizonin një kompani të caktuar. Vitin që kaloi, Komisioni i Ekonomisë në Kuvend e rrëzoi një propozim të Ministrisë së Financave për të përjashtuar pijet energjike nga akciza. Kjo politikë e veçuar në shërbim të pak kompanive dhe për një mall konsumi luksi nuk po shkonte në të njëjtën trajektore me nismat për rritjen e akcizës që ndërmori qeveria me mallrat e tjera të akcizës. Vitin e kaluar, në kulmin e konsolidimit fiskal, kur rritja e taksave vërshoi pothuajse në të gjithë zërat, qeveria hoqi TVSH-në për sigurimet dhe e zëvendësoi atë me tatim 3% për primin bruto. Ky ndryshim, megjithëse u miratua në Kuvend, kaloi me debate të ashpra në komisionet parlamentare se ky ligj ishte bërë për të favorizuar kompanitë e sigurimeve dhe se nuk do të kishte përfitime as në çmime më të lira për konsumatorët e as në të ardhura më të larta për buxhetin. Dhe, në fakt, një vit pas këtij ndryshimi, lehtësimi tatimor mbi kompanitë e sigurimit nuk prodhoi lehtësim as për konsumatorët, as për zgjerimin e tregut. Përkundrazi, kompanitë rritën tarifat e sigurimeve të paktën me 20% këtë verë në unanimitet të plotë edhe në shkelje të hapur të ligjit të konkurrencës.

Si do të falimentohet me ligj

Gjashtë muaj kohë do të duhet që ligji i ri i falimentit të hyjë në fuqi. Derisa mori formën e tij të plotë u deshën 2 vjet kohë, 8 drafte dhe mijëra euro për asistencën e huaj.
Në fakt, për nga numri i lartë i neneve (210) që janë parashikuar në të, fare mirë mund të konsiderohet si një kod, edhe pse pati tentativa për ta quajtur të tillë, por që u shuan.
Miratimi i këtij ligji, tejet i rëndësishëm për ekonominë e një vendi që ende nuk po gjen qëndrueshmëri, u bë pa shumë bujë e qetësisht. Disa ekspertë e justifikojnë këtë me faktin së ligjvënësit nuk e kanë kuptuar e të tjerë me argumentin se është diskutuar shumë.
Por, kjo do të kuptohet nga zbatimi në terren, për të cilin juristët kanë rezervat e tyre dhe thonë se do të dojë kohën e vet. Falimenti, thonë ata, lind si një nevojë kur ka më shumë se një debitor, ndërsa ka si qëllim që të bashkojë në një proces të vetëm kreditorët.
Sipas tyre, përpara nisjes së punës për hartimin e ligjit të ri, në gjykatat shqiptare, edhe pse ka pasur kuadër ligjor për falimentin, ka pasur vetëm raste klasike (ato për likuidim) dhe asnjë për riorganizim. Kanë dominuar gjithashtu kërkesat e ardhura në gjykatë për faliment nga tatimet, të cilat referonin edhe ato raste kur bizneset dilnin me humbje për tri vite rresht (ligji i ri nuk e parashikon më këtë). Sa u përket kushteve, në të cilat ndodh falimenti, juristët thonë se nuk ka shumë ndryshim ligji i ri me atë që aktualisht është në zbatim. Dy janë këto kushte: mungesa e likuiditetit dhe mbingarkesa nga borxhet. Një nga sektorët që ka pasur më shumë probleme nga mbingarkesa e borxheve është pikërisht ndërtimi, pasi edhe pse ka gjendje të pasurive të paluajtshme, nuk ka likuiditet. Ky është një rast kur biznesi shkon në faliment, proces përmes të cilit, me ligjin e ri, parashikon mekanizma për zgjidhjen e borxhit kur ai është i maturuar.

“Monitor”

Bankat dhe ndërtimi, parashikuesit e inflacionit

Prej vitesh Banka e Shqipërisë nëpërmjet pyetësorëve të posaçëm me bizneset dhe konsumatorët bën parashikimet për ecurinë e përgjithshme të çmimeve (inflacionit). Në një studim të posaçëm mbi saktësinë e këtyre parashikimeve me realitetin ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë vërejtur se bizneset e ndërtimit dhe agjentët financiarë (bankat, kompanitë e sigurimit, etj.,) kanë parashikimet më të sakta se si do të vijojnë çmimet në të ardhmen, teksa shihet një marzh i lartë pasaktësie në parashikimet e konsumatorëve.
Rezultatet kanë treguar se nuk verifikohet një lidhje në pritjet e bizneseve të industrisë dhe të shërbimeve me serinë e parashikimit të inflacionit. Ndërkohë, për pritjet e bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe serisë së inflacionit të parashikuar, korrelacioni është mesatarisht pozitiv dhe statistikisht i rëndësishëm. Korrelacion relativisht i mirë dhe statistikisht i rëndësishëm rezulton tek agjentët financiarë, ndërmjet pritjeve të tyre dhe parashikimeve, si në horizontin e 4 edhe të 8 tremujorëve më pas.
Rezultatet sugjerojnë se formimi i pritjeve mund të jetë ndihmuar nga parashikimet apo vlerësimet që janë bërë nga Banka e Shqipërisë në raportet e politikës monetare apo në njoftimet për shtyp të vendimeve të politikës monetare.
Në rastin e bizneseve të shërbimeve vërehet mungesë saktësie. Ekspertët e shpjegojnë me ndjeshmërinë më të ulët të këtyre bizneseve, si pasojë e kufizimit të tyre në një aktivitet më mikro. Nga ana statistikore, ndryshueshmëria më e lartë e zgjedhjes për këto biznese mund të ulë konsistencën në kohë të vlerësimit.
Nëse krahasohen parashikimet dhe pritjet e inflacionit, rezulton se parashikimet edhe pritjet pas një viti, nuk kanë arritur të kapin goditjet e papritura që ka përjetuar inflacioni pas vitit 2008. Megjithëkëtë fakt, pritjet kanë qëndruar historikisht më larg sesa parashikimet nga vlera faktike e inflacionit vjetor.
Rezultatet vijojnë të tregojnë se pritjet sasiore pas një viti, të agjentëve financiarë dhe të bizneseve, kanë qenë më pranë objektivit sesa ato të konsumatorit.

Mafia e lojërave të fatit në qeveri dhe aleanca politike

“Monitor” ka arritur të sigurojë një kopje të letrës që Ministria e Financave i ka nisur Komisionit të Ekonomisë si përgjigje për kërkesën e 6 deputetëve për të shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit edhe me dy vite. Në parim, financat janë dakord me deputetët. Ministria po ashtu legjitimon kërkesën e tyre se nuk janë publikuar ende aktet normative që të bëjnë të zbatueshëm ligjin. Ditën e hënë në orën 16.00 është vendosur që të zhvillohet mbledhja e komisionit përgjegjës, atij të Ekonomisë, ku i ftuar do të jetë ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Rendi i ditës ka pikërisht ligjin e lojërave të fatit. Burimet pranë “Monitor” thonë se shtyrja e ligjit tashmë është një çështje e vendosur dhe nuk pritet të ketë debate të shumta.
Diskutimet e forta do të jenë për një tjetër kërkesë. Mes rreshtave të kërkesës së tyre, 5 deputetët  Ervin Bushati, Ervin Koçi, Blerina Gjylameti, Luan Duzha dhe Ylli Shehu, kërkojnë që ligji për lojërat e fatit të hyjë në fuqi pas dy vitesh. Ata kërkojnë shfuqizimin e pikës 1 të nenit 71 të ligjit dhe ndryshimit të pikës 2 dhe 3 të këtij neni me fjalët deri më 31 dhjetor 2018. Nëse sheh se çfarë përmbajnë aktet juridike të ligjit që lidhen me këto nene, do të kuptohej fare qartë që deputetët kërkojnë që dy kontratat që Ministria e Financave ka lidhur me Regency Casino dhe Lotarinë Kombëtare, të mos jenë pjesë e përjashtimit të këtij ligji. Ata kërkojnë shtyrjen me dy vite të tjera të tij dhe në momentin që do të hyjë në fuqi, të gjithë subjektet e ligjit të zhvendosen në resorte brenda zonave turistike. Ministria e Financave nuk është dakord me këtë kërkesë, ajo pranon që ligji për lojërat e fatit të shtyhet, por të mos preket pjesa që ka lidhje me Regency Casino dhe Lotarinë Kombëtare. Regency Casino i përfundon kontrata në vitin 2020, ndërsa Lotarisë Kombëtare më 2023.
Ndryshe nga këta 5 deputetë, ai që është në një linjë më të afërt me atë të qeverisë, është kërkesa e Tahir Muhedinit të PDIU-së. Ai kërkon shtyrjen me tri vite 1 më shumë se deputetët e tjerë, vetëm për pjesën e kazinove dhe basteve sportive, pa prekur marrëveshjet me dy objektet që janë përjashtuar. “Në nenin 71, në pikat 2 dhe 3, fjalët ’31 dhjetor 2016′ të zëvendësohen me fjalët ’31 dhjetor 2019′”, thotë në kërkesën e tij Muhedini.
Ky ka qenë një nga projektligjet më të lobuara dhe që disa herë rresht është lënë pa u votuar. Pas votimit kërkesa të shumta janë depozituar për të bërë të pamundur zbatimin e tij. Ligji duhet të kishte hyrë në fuqi më 31 janar të këtij viti, por është shtyrë. Në letrën dërguar Komisionit të Ekonomisë, Ministria e Financave, e cila akuzohet nga deputetët se nuk ka bërë gati udhëzimet dhe vendimet e ligjit për ta bërë të zbatueshëm, shprehet se shuma prej 125 milionë dollarësh që do t’i mungojë buxhetit nga taksat që derdh kjo kategori biznesesh është një peshë e madhe për arkën e shtetit. Ndërsa opozita deri tani nuk është shprehur për këtë çështje.
Pavarësisht se hyrja në fuqi e ligjit nuk ka ndodhur, përballë një aksioni të madh që nisi qeveria e sapoardhur e kabinetit Rama, ai duket se nuk do të hyjë në fuqi ndonjëherë. Aktet nënligjore kishin afatin e fundit për t’u përfunduar në muajin mars. Askush nuk mban përgjegjësi sot se përse ky afat u shkel. Pa aktet nënligjore ligji është i pazbatueshëm për pjesën e ndërtimit të kazinove në resorte, pasi nuk është e përcaktuar infrastruktura e tyre dhe po ashtu nuk bëhet ndarja si duhet e pikave të basteve në largësi ajrore 100 metra nga njëra-tjetra, objektet fetare, bankat dhe shkollat. Në 4 pika bastesh sportive që janë në të njëjtën zonë, nuk përcaktohet se cila prej tyre do të ketë përparësi që të qëndrojë.
Ligji i ri për disiplinimin e kësaj kategorie të lojërave të fatit, jo vetëm që nuk hyri në fuqi, por nuk u zbatua as fryma e tij. Aty përcaktohej qartë që deri në implementimin përfundimtar Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit nuk duhet të licenconte asnjë kazino apo pikë basti të re. Por vitet e fundit numri i tyre është shtuar, duke punuar kundër logjikës së ligjit të ri që synonte të mbyllte përfundimisht kazinotë dhe më shumë se gjysmën e pikave të lotos.

Shqipëria, jashtë listës së kompanive amerikane

Armë, municione dhe pajisje të tjera do të prodhohen nga kompania amerikane “Broadstone Defence” në Maqedoni.
Së fundmi, kompania amerikane deklaroi zyrtarisht fillimin e investimit prej 5 milionë dollarësh.
Fabrika, e cila përbëhet nga pesë salla prodhimi, një ndërtesë administrative dhe një godinë për ruajtjen e prodhimit, do të ndërtohet në afërsi të Makedonski Brod në qendër të Maqedonisë, në një sipërfaqe toke prej 10 hektarësh.
Projekti pritet të përfundojë në fund të majit të 2017, ndërsa procesi i prodhimit është planifikuar të përfundojë në muajin korrik të 2017. Ndërtimi i kësaj fabrike është edhe një mundësi mjaft e mirë punësimi sepse do të hapen rreth 200 vende të reja pune.
Sipas CEO-s së “Broadstone Defense”, Dennis Pratte, kompania amerikane ka zgjedhur Maqedoninë për shkak të vendndodhjes së saj të shkëlqyer strategjike dhe klimës së favorshme të biznesit. Që nga fillimi i prillit të 2017, kompania do të fillojë të punësojë 200 njerëz, duke përfshirë këtu, zejtarët lokalë, ish-ushtarakë dhe staf për administratën, u shpreh ai. Drejtuesit e kompanisë amerikane “Boadstone Defence” kanë deklaruar se ata bënë një analizë në rajon, ku përveç Maqedonisë, konkurrentë ishin dhe Serbia e Rumania, ndërsa Shqipëria nuk përmendet në listën e vendeve që u morën në konsideratë për investimin.
Gjatë ceremonisë së përurimit, ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, u shpreh se “Broadstone Defense” do të sjellë me vete teknologjinë e prodhimit të municioneve amerikane në qytetin e vogël të Maqedonisë, nga ku ushtria amerikane dhe anëtarë të NATO-s do të pajisen me municion dhe armë.
Përveç krijimit të vendeve të reja të punës, Maqedonia do të pajisjet me një fabrikë moderne për prodhimin e armëve dhe municioneve sipas standardeve të NATO-s.
Në të njëjtën kohë, investimi amerikan është një hap i fuqishëm në rritjen e gatishmërisë luftarake të Armatës së Maqedonisë (ARM), vazhdoi më tej Jolevski.
Me këtë projekt të financuar nga SHBA-ja, vendi përfiton krijimin e një fabrike armësh dhe municionesh që do të përdoret në të ardhmen nga ushtria maqedonase.
Ministri tha gjithashtu se, “Broadstone Defense” ka nisur marrëveshjet për eksport të produkteve të saj për vitet e ardhshme, por në qoftë se Ushtria maqedonase do të ketë nevojë, ajo do të trajtohet me prioritet të veçantë.
Ndërtimi i kësaj fabrike është investimi i parë në Makedonski Brod në 30 vitet e fundit. Sipas kryetarit të komunës Milosim Vojneski, kjo do të thotë shumë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe punësimin e të rinjve. Përveç fabrikës së prodhimit të armëve dhe municioneve, “Broadstone Defense” po planifikon edhe ndërtimin e disa projekteve të tjera.
Gjatë vizitës së tij në Uashington në nëntor, DM Jolevski u informua për planet e ardhshme të kompanisë në lidhje me ndërtimin e fabrikave të reja në Maqedoni. Realizimi i këtyre projekteve do ta bëjë vendin qendër të industrisë jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin, përfundoi Jolevski.

Biznesi 50 milionë euro i universiteteve, kush e mori tregun e atyre që u mbyllën

Nga Ola Xama

Nuk është vetëm çmimi i lartë që një shkollë private ofron për studentët (krahasuar me publiken) problemi i vetëm në tregun e arsimit. Cilësia e shkollave private hapi një debat të madh përpara disa vitesh se cila ofronte diploma cilësore dhe sa rëndësi kishte dija që ato jepnin për nxënësit dhe sigurisht e ardhmja e këtyre studentëve. Në Shqipëri është e vështirë të matësh cilësinë e shkollimit dhe punësimin e brezave që dalin nga universitetet. Një arsye lidhet me faktin që nuk ka ende një listë orientuese të profesioneve për të cilat ka nevojë tregu. Së dyti, për shkak të antologjisë që është krijuar rëndom në këto vite: edhe nëse ke një diplomë të mirë në “shtet”, sërish mund të ngelesh pa punë!
Lulëzimi i shpejtë i biznesit “universitet” solli hapjen e mbi 50 të tillëve në Shqipëri deri në fund të 2013-s, ku dukej se në qendër të vëmendjes ishte prodhimi i sa më shumë diplomave, në një kohë që nuk kishte asnjë institucion që të bënte renditjen dhe orientimin e nxënësve se ku të shkonin dhe cili ishte më i miri. Por ky shërbim, mesa duket, rezultoi i leverdishëm për shumë familje, të cilat kërkojnë të diplomojnë fëmijët e tyre, edhe pse në disa raste këta nxënës nuk e meritonin diplomën.
Numri i studentëve të regjistruar në shkollat private ka ndjekur një trajektore rritëse që prej vitit 2003, kur është hapur shkolla e parë e lartë private e deri në vitin shkollor 2011/2012, kur arriti rekordin, në rreth 35 mijë, sipas të dhënave të INSTAT.
Ky numër ra në rreth 31 mijë në vitin 2013-2014, kohë kur qeveria mbylli një pjesë të konsiderueshme të tyre dhe zbriti më tej në rreth 25 mijë më 2014/2015, duke rezultuar rreth 27% më i ulët se rekordi i 2011/2012.
Edhe pse në total, numri i studentëve në privat është ulur, universitetet që mbetën kanë shtuar studentët që mësojnë në këto ambiente mesatarisht me 100 nxënës për një shkollë. Të vetmit që kanë pësuar rënie të numrit të tyre në vitin shkollor 2014/2015 ishin Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti i New York Tirana dhe Ivoclar & Vivadent. Ndërsa Universiteti Mesdhetar, Tirana Business University, Canadian Institute Of Tenchnology dhe Wisdom kanë dyfishuar numrin e studentëve. Gjithsesi, listën e shkollave më të mëdha vijojnë ta kryesojnë Albanian University (ish-UFO), që shtoi 563 studentë në vitin akademik 2014/2015 dhe Universiteti Europian i Tiranës, që gjithsesi pa një tkurrje me rreth 600 studentë për të njëjtin vit akademik.
Në vlerë absolute, shtesën më të lartë të studentëve më 2014/2015 e kishte Universiteti Mesdhetar, me 655 të tillë, i ndjekur nga Albanian University me 563, Marin Barleti me 500, Metropolitan me 482, Tirana Business University me 311.

Kur universiteti kthehet në bar-kafe ose firmë ndërtimi

Universiteti Justiniani rezulton të ketë ndryshuar emrin në U–I dhe pas problemeve me përmbaruesit, në fund të vitit 2014 ka ndryshuar objektin e aktivitetit nga “Përgatitja e specialistëve të lartë në fushën e shkencave juridike” në “Hapje bar-bufe, restorant” etj.
Objektin e aktivitetit e ka ndryshuar dhe Shkolla e Lartë Jopublike Vitrina, që është kthyer në studio projektimi dhe ndërtimi. Universiteti Argenti në Shkodër ka ndryshuar gjithashtu objektin e aktivitetit në firmë ndërtimi, ashtu si kishte qenë dhe në fillimet e aktivitetit. Është interesante se si firma ndërtimi apo autoshkolla (në rastin e Vitrina) me lulëzimin e universiteteve private u kthyen në institucione arsimore.
Universiteti Kristal, një ndër më të mëdhenjtë që u mbyll, rezulton në QKB me status të pezulluar. Të pezulluar janë dhe Universiteti Planetar i Tiranës, Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës etj.
Universiteti Sevasti & Parashqevi Qirjazi, pasi u pezullua në vitin 2014, është bërë sërish aktiv në shkurt të vitit 2016, teksa ka ndryshuar dhe pronësi (Robert Dako i ka shitur 100% të aksioneve Aleks Uldedaj). Blerësi ka marrë përsipër të paguajë dhe detyrimet tatimore. Shkolla nuk ka pasur ndryshim të objektit të aktivitetit.

Rilulëzimi i universiteteve private, tregu arrin 50 milionë euro

Edhe pse në vitin 2013, të ardhurat në shkollat e larta private filluan të binin, sot tregu i ngushtuar ia ka arritur t’u japë një xhiro më të madhe se 2013-a. Në këto dy vite, bilancet e shkollave private janë përmirësuar dhe fitimi është i mirë, po të kemi parasysh kontekstin ekonomik, ku shumë biznese me investime të majme ia dalin me vështirësi të mbijetojnë.
Nëse për të hapur një biznes në sektorin e naftës, bankave apo edhe bujqësisë të duhen miliona dollarë investime që të arrish të sigurosh fitim, paratë për të filluar një shkollë private janë shumë herë më të pakta. Mjafton të marrësh një godinë me qira, të blesh tavolina, karrige, kompjuterë, libra dhe ja ku u bë! Shpenzimet më të shumta të universiteteve janë për pagat e punonjësve dhe marketing. Por këto kosto, mesa duket, ia dalin të mbulohen më së miri nga tarifat që paguajnë studentët, të cilat nisin nga 2 mijë euro dhe shkojnë deri në 5 mijë euro për disa shkolla.
Për vitin 2014 dhe 2015, bilancet e universiteteve që konkurrojnë me njëri–tjetrin mbi bazë të numrit të studentëve dhe cilësisë së diplomave janë përmirësuar në mënyrë konstante. Xhiron më të madhe e zë Albanian University, me 15 milionë dollarë, i cili pasohet nga grupi Turgut Ozal, që ka në pronësi dhe Universitetin Epoka me 13 milionë dollarë dhe UET, me 7.8 milionë dollarë të ardhura.
New York, që ka një numër të vogël studentësh, por tarifa të larta krahasuar me mesataren, ka siguruar në fund të 2015-s 3.8 milionë dollarë të ardhura.
Universiteti Aldent ka shënuar rritje të fortë të të ardhurave, me 58%, në rreth 2.3 milionë euro.
Në total, 11 universitetet më të mëdha në vend (të regjistruara si biznese) qarkulluan 35 milionë euro më 2015-n, sipas xhiros së deklaruar në bilanc me një rritje prej 11% me bazë vjetore dhe fitimet në total arritën në rreth 6 milionë dollarë. Këtu nuk përfshihen të dhënat e Universitetit Mesdhetar (Qendrës Mesdheu) dhe Zojës së Këshillit të Mirë, të cilët janë ndër më të mëdhatë, por janë të regjistruara si organizata jofitimprurëse dhe nuk dorëzojnë bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Duke marrë në konsideratë që në arsimin e lartë privat ishin regjistruar në vitin akademik 2014/2015 rreth 25 mijë studentë dhe një tarifë minimale prej 2000 eurosh për student, tregu i universiteteve private llogaritet të qarkullojë të paktën 50 milionë euro në vit.

Norma të larta fitimi

Institucionet arsimore më fitimprurëse janë Albanian University (ish-UFO), me një normë fitimi (para taksave) të lartë prej 32% më 2015-n, ndonëse në rënie në krahasim me një vit më parë dhe Aldent, me një marzh prej gati 38%. Më pas renditet Marin Barleti, që ka dyfishuar normën e fitimit në gati 33%.
Universiteti Europian i Tiranës mori mbrapsht në formë fitimi (para taksave) 17%.
Disa prej shkollave të larta vijojnë ende me humbje, si Tirana Business University dhe Polis. Humbjet janë veçanërisht të larta për Institutin Kanadez të Teknologjisë.

Shpenzime të majme për rroga dhe marketing

Që të bësh biznes me universitete, patjetër që do të duhet të sigurosh një staf të mirë dhe me emër. Në konceptin e liberalizimit të tregut të punës dhe rritjes së vlerës së mësimdhënies, privatëve duhet t’iu dihet një “nder”: rivendosja e meritokracisë në pagat e profesorëve. Ndryshe nga sektori publik, i cili mund të ketë emrin më të njohur dhe të kërkuar nga studentët, pagat më të larta për t’u punësuar patjetër që janë te privati. Presidenti, rektori dhe dekani arrijnë në një rrogë gati 5-fish më të lartë se në shkollën shtetërore, e po ashtu afro dy herë më e madhe është edhe pagesa për pedagogët e ndryshëm.
Tërheqja e stafit akademik më të mirë në këto universitete solli dhe një hapje të tregut të lektorit, profesorit, doktorit. Tashmë janë studentët që zgjedhin ata, janë meritat që përcaktojnë shpërblimin që ata marrin.
I madh është edhe buxheti për marketing. Për disa vjet, universitete të ndryshme kanë pasur të barabarta kostot për pagesën e stafit me atë të marketingut që bëhet për studentët. Mesa duket, në një treg ku duhet të marrësh sa më shumë nxënës, reklama dhe shpenzimet për të janë një formë e mirë.

A do të arrijnë të mbijetojnë privatët?

Tregu i universiteteve private mund të ofrojë “për të mbijetuarit” një të ardhme të mirë. Në bazë të numrit të studentëve dhe cilësisë së diplomës, ligji i ri në arsimin e lartë do t’i subvencionojë ata me para nga buxheti për të bërë liberalizimin e tyre. Por pyetja që ngrihet është se, a do të ketë kjo një kosto për studentët që duan të ndjekin publiken? Çështja e dytë që shtrohet është se, sa e dobishme është dhënia e parave disa bizneseve, të cilat kanë në thelb të tyre fitimin, kur nuk dihet ende se sa studentë të dalë prej tyre janë punësuar, pa diskutuar dhe nivelin e pagës me të cilën fillojnë punë? Sot Shqipëria ka 23 universitete private, me afro 25 mijë studentë dhe 12 publike me 121 mijë studentë. A do të arrijnë të gjithë të sigurojnë punësim? A ia vlen të sakrifikojnë duke studiuar, duke paguar, duke humbur orët që mund të bënin një punë ku të siguronin të ardhura, në mënyrë që të marrin një diplomë? A do t’i vlejë kjo diplomë?
13 universitete private u mbyllën në vitin 2013, ku diploma e shumë prej studentëve që përfunduan arsimin e lartë pranë tyre, sot me sa duket paragjykohet, me apo pa të drejtë. Në një raport të Ministrisë së Arsimit, rezultoi se afro 900 nxënës të këtyre shkollave ishin të huaj, në një kohë që leksionet i merrnin në gjuhën shqiptare, shkeljet dhe cilësia e tyre vuri në pikëpyetje edhe diplomat e merituara të shumë prej studentëve që morën dije aty. Të vetmit, të cilët përfituan, ishin ata që nuk arritën të përfundonin studimet në vitin që u mbyllën, por në bazë të krediteve të marra shkuan në universitetet e mbetura publike dhe private.

Të zhytura në kredi e detyrime

Pothuajse të gjitha shkollat private kanë një kredi në bankë për të shlyer dhe përveç huasë së marrë për investime, e cila mbulohet nga interesa të ulëta, shumë prej tyre kanë detyrime në formën e overdrafteve apo kredive konsumatore të marra për situata emergjente. Si çdo biznes, edhe universiteti ka problemet e tij. Rastet më të shumta në mangësinë e të ardhurave janë nga vonesat në arkëtimet e pagesave të studentëve, të cilat më pas krijojnë dhe zinxhirë në vonesat e pagat e punonjësve në këto shkolla. Por një nga arsyet e këtyre kredive për disa nga universitetet janë dhe investimet që kanë dashur të bëjnë në ambiente më të mira. Këto në vite të ndryshme, kanë përmbysur dhe bilancet, të cilat mund të siguronin fitime të mira.
Si çdo shoqëri tregtare, shkolla të ndryshme kanë probleme të ndryshme. Situata financiare ka bërë që një pjesë e mirë e tyre të kenë shuma të konsiderueshme parash për të dhënë për qiratë ku kanë pasur godinat. Një universitet nuk ka paguar rreth 580 mijë euro qira dhe në listë me të janë dhe tre të tjerë. Po ashtu detyrime janë akumuluar dhe për paga punonjësish dhe reklama.
Po sa rrezikojnë detyrimet të ardhmen e tyre? Që një biznes të jetë i shëndetshëm financiarisht, nuk duhet që totali i borxheve që ka, i cili përfshin detyrimet afatshkurtra dhe afatgjata, të jetë mbi 1.5 herë më i lartë se vlera totale e kapitalit të tij. E po ta marrësh në këtë lloj renditjeje, sërish universiteti më i mirë nga kjo pikëpamje është Albanian University. Detyrimet e kësaj shkolle janë më të vogla se kapitali dhe kanë koeficientin 0.4. Grupi shkollor Turgut Ozal, edhe pse nuk pati një fitim të lartë për vitin 2015, rezulton po ashtu me një raport të mirë të vlerës së detyrimeve ndaj kapitalit prej 1.17, ndërsa i treti është Aldent, me koeficientin 1.32, i ndjekur nga New York (1.64). Universiteti Europian i Tiranës ka vlerën më të lartë të detyrimeve përballë kapitalit të siguruar në këto vite. Sipas të dhënave të bilancit 2015, UET ka kredi prej 1.1 miliardë lekësh në Bankën Credins dhe Fondin Besa. Në total detyrimet e UET janë 9.7 herë më të larta se vlera e audituar e kapitalit nga eksperti kontabël, pas tij vjen Luarasi me një raport detyrime/kapital 6.23.
Henri Çili, administrator i UET, shpjegon se detyrimet e larta lidhen me një kredi që është marrë për financimin e kampusit të ri në Sauk. Pavarësisht se bilanci 2015 tregon një raport të përkeqësuar të detyrimeve, Çili thotë se pagesa e kredisë është e garantuar nga pasuritë e paluajtshme të grupit, konkretisht godina B e ndërtesave ekzistuese, e cila është dhënë në shfrytëzim. “Të gjitha pasuritë imobiliare dhe kapitalet e tjera janë të mbledhura në një grup të ri UET Enterprise Consulting dhe financimin e kampusit të ri në Sauk, projekt-idenë e të cilit e ka bërë Bashkim Zahaj, që do të bëhet kryesisht nga të drejtat pasurore mbi asetet që tashmë grupi ka (godina B e vendndodhjes aktuale) dhe do të përmbushë gati 75% të kostos”, thotë Çili.

“Monitor”