24.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Dikush na rri mbi kokë, pa lejen tonë!

Frrok ÇUPI

Më mbeti në mendje kronika e një “krimi heroik”; më duket mbrëmë ishte. Një mesoburrë, i afërm i “kriminelit”, iu drejtua kamerave, njësoj si t’i drejtohej Zotit: -Na lini të jetojmë, na lini ore! Përditë në ora katër pa zbardhur: Ding! Ding! Ding!- dera.  Na rrethojnë shtëpinë; përditë në tre e në pesë e në gjashtë! Nuk ua kemi borxh… Ku ta di kush janë!- tha.
Në fakt kamerat , si edhe shteti, ishin në gjueti të “kriminelit”; por më duket se te rënkimi i atij kryefamiljari peshonte më shumë çdo gjë. Se ja, një i afërm i tij paska “kryer krim”,… po pastaj?! Shteti vjen përnatë dhe kërkon Klement Balilin, që paska trafikuar drogë! Por iu futi frikën në palcë të tjerëve. Ku e ka këtë të drejtë shteti? Në radhë të parë shteti nuk e ka këtë të drejtë; edhe sikur qytetari tjetër, që nuk është Klementi, të jetë vëllai i tij.
Pse jo, në radhë të parë shteti, nuk e  ka këtë të drejtë?! Po t’i referohemi filozofit Thomas Hobbes, që e ka krijuar me duart e tij (bashkë me Lock) teorinë e këtij shteti që është sot; ai thotë se shteti “është zoti”, por zot “i vdekshëm”- sigurisht. Zoti shtet kujdeset për njeriun, për njeriun mbi të gjitha, për jetën, për shëndetin, për sigurinë….
Po vallë shteti, ose vetëm shteti?, iu rri mbi kokë njerëzve dhe iu mërzit jetën?! Ky është problemi.
Shteti ka ardhur në një pikë kaq të ligsht, sa ç’është qeni i sëmurë që e mëkojnë të gjithë dhe iu vërtitet nëpër këmbë. Por shteti i ligsht është njëmijë herë më i keq për individin se sa një shtet i fortë.
E keqja që po na vërtitet mbi kokë është se në “shtetin e ligsht” vijnë rrotull individë që e kanë futur “shtetin tonë” në xhep, dhe sillen ata si të duan. Eqë thashë “shtetin tonë”, atëherë cili është shteti “ynë” dhe cili është shteti “i tyre”. I yni është ky që kemi zgjedhur… E kemi zgjedhur pa mendje, e kemi zgjedhur në jerm,… sidoqoftë është ky që kemi zgjedhur vetë. Shtetit që kemi pranuar, si të gjithë qytetarët e botës, i japim lejen që herë pas here edhe të na qëndrojë mbi kokë. Shteti i mirë qëndron mbi kokë si doktori-në parim. Por ky “yni” lejen arbitrare e merr vetë, dhe kjo ndodh sidomos kur shteti është i ligsht. Sidoqoftë, edhe ky lloj arbitrariteti është i identifikuar prej nesh. Nesër tërheqim kontratën që kemi bërë me këtë shtet dhe ndërtojmë kontratë tjetër.
Po shteti i “atyre”? me këtë nuk ka zgjidhje. Ka një mendim shumë të hollë të filozofëve aktualë të shtetit që thotë se kur shteti dobësohet, atëherë individë të caktuar bëhen më të fuqishëm. Jetojmë në kohë të teknologjisë së lartë, në kohë makinacionesh dhe në xhungël ligjesh, në kohë manipulimesh, etj. Këta individë që pasurohen, armatosen ose tërbohen si një “shtet më vete”, këta i qëndrojnë mbi kokë individit, por pa lejen e tij.
Ja kështu po ndodh, a e shikoni?! Sa më shumë drogë dhe njerëz të trafikojë, më i fuqishëm bëhet si “shtet”. Sa më shumë njerëz të vrasë, më autoritar bëhet dhe e detyron shtetin “tonë” që ta nxjerrrrë nga burgu.
Gjithë këto ditë po gjëmojnë mediat dhe diplomacia e aleatëve pse janë liruar nga burgu kriminelë vrasës serialë? Një njeri që ka vrarë gjashtë njerëz, që ka krijuar organizatë terroriste, që ka trafikuar njerëz dhe lëndë narkotike, u lirua nga burgu. Shteti i ligsht para kriminelit, i bëri atij një kontratë pune; edhe si garanci për ta lënë të lirë. Nga analizat po thuhet se krimineli “i duhet shtetit” që të rrahë votuesit ditën e zgjedhjeve dhe shteti të fitojë prapë… E shikoni? Ky do të na qëndrojë mbi kokë, do të na zgjojë në katër, në tre, në pesë: Ding!, ding!, ding! në derë… Pastaj do të na kërcënojë me vdekje. Pastaj do të marrë femrat. Pastaj do të marrë bebet… Shteti i ligsht do të na qahet prapë: “Nuk po e kap dot atë!”.
Ja kështu! Dikush që nuk ka lejen tonë na qëndron mbi kokë. Nuk është vetëm njëri; por secili është “njëri”; secili prej këtyre është një “shtet” i pa votuar, dmth., pa lejen tonë, dhe na kontrollon frymën. “Janë tremijë vetë si këta, në kërkim”, tha një nga zyrtarët e lartë të shtetit që votuam… Po tridhjetë mijë të tjerë që nuk janë shpallur akoma në kërkim?! Po treqind mijë të tjerë që do të bëhen kriminelë duke marrë armë që të mbrohen nga këta që “nuk kanë lejen tonë…  Po tre milionë individë- sa ç’është popullsia e vendit në Shqipëri që do të kthehen në “banorë” të shtetit të paligjshëm e të pa votuar?! Ne, kujt do t’i marrim leje?! Me siguri na duhet leja e atyre që na qëndrojnë mbi kokë pa votën dhe pa lejen tonë. Sepse kur mungon shteti, atëherë kjo katastrofë pritet.
… Kur shteti është i ligsht si ky, atëherë është shumë i rrezikshëm. Sepse vetë shteti kthehet në një viktimë. Individi viktimë është gjëja më e natyrshme e jetës, por shteti viktimë është më e panatyrshmja e botës. John Lock shpalli platformën botërore të “shtetit natyral” që mbron individin që nga shëndeti deri te pasuria dhe është më i fuqishëm se secili. Kur nuk është kështu, do të thotë se të ka ikur nga e drejta dhe nga kontrata që ke lidhur me të. Njësoj si të të ikë çatia e shtëpisë një natë me suferinë.
Shteti i ligsht, natyrshëm, bëhet me krimin; njësoj siç bëhet një i varfër me drogën dhe me shitjen e votës. Natyrshëm bëhet, sepse do të mbajë frymën…
Nuk e shikoni sa thjesht ka hyrë shteti në krim?
Atij në Sarandë i shkon përnatë në tre e në katër dhe i rrethon shtëpinë. Pa ligj, shtet i frikësuar. I zoti i shtëpisë nuk e di kush është, mund të jenë si vrasësi Luli që u lirua në Durrës; ata duan paratë e drogës që ka trafikuar Klementi. Ku ta dish? Shteti nuk është i zoti ta dijë, as të të mbrojë, as të jetë shtet, sipas ligjit.
Pastaj shteti kërcënon sigurinë e të gjithëve. Ka një kërcënim të paparë, po tremben fëmijët, duke dëshmuar heroizmin e shtetit: “E kapëm të kërkuarin, nuk e kapëm!”… “E gjetëm avionin e drogës, nuk e gjetëm!”. “E zbuluam parcelën a nuk e zbuluam?!” Ata që e dinin ku është droga, u vranë nga “shteti i tyre”; ka plot dëshmi si u vranë ata që dinin. A nuk po thua edhe ti: “O zot, të mos di gjë ku është droga e ku është krimineli, të ul kokën e mos shikoj gjë…”. Individit dikush i rri mbi kokë dhe ky nuk duhet të ngrejë sytë. Mund të jenë ata. Mund të jetë edhe shteti…

Afërdita Asllani, atdhetarja e heshtur në 100-vjetorin e lindjes

Orhan SAKIQI

Shkruan De Santis: Aquesti esseri solitari manca il presente ma lavenire e loro.
(Këto qenie të vetmuara i mungon e tashmja, por e ardhmja është e tyre). Këto fjalë të arta i përshtaten plotësisht Afërditës, asaj i mungoi e tashmja megjithëse punoi gjithë jetën për të mirën e këtij vendi me të gjitha mënyrat: si mësuese si shkrimtare si përhapëse e ideve për barazi shoqërore si punëtore ndërtimi së fundi për mësimin e gjuhës angleze shumë brezave në mënyrë ilegale kur nuk lejohej, dhe në fund të jetës si mësuese e gjuhës angleze në shkollën e mesme “Sami Frashëri”. Pse i mungoi e tashmja: Sepse shkriu gjithë rininë e saj gjithë energjinë e saj për Shqipërinë e saj të dashur, por pa arritur të marrë asgjë. Jetoi në vetmi dhe në kondita të vështira jetese dhe strehimi pa marrë asnjë mirënjohje për kontributin e saj jo të vogël, por e heshtur dhe ëndërrimtare mendoi dhe punoi deri në fund për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri të bashkuar….
Afërditën e kam parasyve kur vinte në shtëpinë tonë pranë fushës së Shallvares për të takuar nënën time Nevrez Sakiqi (Këlliçi). Kishin qenë së bashku nxënëse në Institutin Shqiptaro-Amerikan të Kavajës. Ato bisedonin për shkollën për mësueset amerikane për bashkënxënëset për diçka të bukur që kishin kaluar në rininë e tyre. Afërdita ishte me trup mesatar e hollë bionde ku dalloheshin thinjat e para me sy bojqielli. Si fëmijë kur e shikoja më ngjasonte me një artiste amerikane. Në të vërtetë me sjelljen me mënyrën si fliste mirë ngadalë ajo çmohej shumë nga bashkëbiseduesit. Një ditë nëna më tha: Afërdita i përket një bote tjetër një bote të ardhme që do të vi patjetër edhe këtu. E këtë botë ajo pati mundësi ta jetoi po si do ta tregoj më poshtë nuk e pranoi…
Po kush ishte Afërdita Asllani? U lind në Nepravishtë më 20.02.1916 (sivjet 100-vjetori i lindjes). Si shumë patriotë të tjerë i ati me shpalljen e pavarësisë kishte ardhur nga Turqia për t’i shërbyer vendit. I vëllai Reshat Asllani ishte nga drejtuesit e Institutit Shqiptaro-Amerikan në Kavajë kështu që Afërdita u regjistrua dhe në vitin 1931 në moshën 15-vjeçare e përfundoi atë në grupin e pesë maturanteve të para. Shkolla amerikane do ta edukonte atë me dashurinë së pari për vendin e saj, me dashurinë për punë për të cilën edhe ishte hapur Instituti. Por e edukoi dhe me dashurinë për Amerikën atdheun e dytë. E ky vend kishte shumë nevojë për njerëz me shkollë e sidomos me shkollën praktike amerikane. E rritur në një familje qytetare, Afërdita nuk përtoi të merrte rrugët e fshatit për t’u bërë mësuese. Punoi disa vjet në fshatrat e Kavajës e pastaj si u sëmur kthehet në Tiranë ku merr pjesë aktivisht në grupet për të drejtat e grave si pjesë e rëndësishme e qytetërimit evropian.
Në vitet 1940–‘41 ajo është studente në Kolegjin amerikan të Athinës. I ndërpret studimet për t’u aktivizuar në luftën kundër pushtuesit. Ajo ishte aktiviste e dalluar në lëvizjen çlirimtare. Punoi si publiciste në revistën: “Gruaja Shqiptare” me artikuj, skica, thirrje me pseudonimet Afras, Drita Shega etj. Punoi kudo në bazë në disa qytete me dashuri dhe pa kursim ashtu siç ishte edukuar në familje e shkollë.
Por ënderrat e saj për një Shqipëri më të përparuar më pranë Evropës u shuan në nëntor 1944. Drejtuesit komunistë i kishin vrarë që më parë ndjenjat e pastërta të rinisë  shqiptare. Ata e futën vendin në një varfëri ekonomike dhe shpirtërore të paparë. Jo thoshte ajo: Nevrez ne punuam për një barazi shoqërore për një Shqipëri të pavarur për një shtet demokratik të tipit perëndimor. Idealiste dhe e pa djallëzuar, ajo nuk kishte arritur të kuptonte djallëzinë e diktatorit, djallëzinë e komunizmit.
Vitet në vazhdim ishin të vështira për të. Dy vëllezër i kishte të burgosur. Reshati që u kujdes për të në Kavajë, u dënua me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë” si një nga themeluesit e shkollës amerikane. Vëllai tjetër Suati, avokati që mbrojti të dënuarit në gjyqin special me 1945 u dënua vetë me 15 vjet burg. Ai patriot i kulluar pjesëmarrës i Luftës së Vlorës, së bashku me Gjergj Kokoshin e Musine Kokolarin ishte në grupin e parë të opozitës shqiptare të quajtur: Bashkimi Demokratik Shqiptar. Në këto kushte mundësia e jetesës së Afërditës ishte vetëm lopata. Dhe ajo nuk pati turp për të punuar si e deklasuar, ajo që kishte dhënë aq shumë, ajo që njihte të gjitha gratë e udhëheqjes komuniste. Por kurrë nuk u ul të shkruante dy radhë….
Afërdita tregonte se kur erdhi ekipi i oficerëve amerikanë në vitin 1945 kishte pasur një propozim martese nga njëri prej tyre, gjë që nuk e kishte pranuar.
Aty pranë shtëpisë tonë në fushën e Shallvares si aneks i saj ishte një terren basketbolli.
Me Afërditën shkonim shpesh aty e ajo më thoshte se kishte luajtur basketboll në shkollë e mbase origjina e basketbollit në Shqipëri mund të jetë pikërisht shkolla amerikane e Kavajës. Para se të ndërtohen pallatet, fusha u prish për t’u ndërtuar kantieri i përgatitjes për ndërtim. Mund të duket e çuditshme po aty punuan si punëtore ndërtimi gruaja e Suat Asllanit ose kunata e Afërditës, Hyrija bashkëshortja e Suat Asllanit.
Afërdita e kishte peng bashkimin kombëtar. Më kujtohet që në protestat që organizoheshin para Ambasadës Jugosllave, ajo megjithëse e sëmurë, dilte me flamur për një Kosovë të lirë. Afërdita nuk arriti ta shohë Kosovën e lirë ashtu si nuk arritën gjithë fisi i Asllanëve që aq shumë dha për këto troje.
Në këtë 100-vjetor të lindjes së saj, kujtoj buzëqeshjen e saj, kujtoj sytë ëndërrimtarë që shpesh i mbyllte kur fliste, kujtoj fjalën e saj të mençur.
Si unë atë duhet ta kujtojnë edhe dhjetëra nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri” ku ajo i mësoi gjuhën angleze. Ndonjëri prej tyre duhet të kujtohet për këtë jubile.
E ardhmja është e tyre thotë De Santis.
Të shpresojmë.

Klientët e LSI tek koncesioni i dializës

PD denoncoi dje hipokrizinë e LSI në lidhje me qëndrimin ndaj koncesioneve që po rrjepin qytetarët, duke i kujtuar se do të bëhej më serioze që të reagonte edhe për koncesionin e dializës, i cili i është dhënë klientëve të LSI.
“LSI është bashkëautore e të gjitha vjedhjeve, konçesioneve dhe abuzimeve të qeverisë Rama-Meta, nga një pjesë e të cilave LSI ka përfituar direkt. Nëse Ilir Meta është për interesin publik, nuk do të kishte bërë pazar me taksën e gazit. Nëse Ilir Meta është për interesin publik, le të ngrejë zërin kundër koncesionit të dializës, që u shit për dy lekë tek klientët e LSI-së.
Sot ka vetëm një zë në interes të publikut në Shqipëri: kjo është opozita. LSI dhe PS janë dy faqe të një monedhe, nuk kanë dallim nga njëra-tjetra, ndajnë bashkë atë që grabisin nga populli”, thuhet në deklaratën e PD.
PD ka sfiduar dje LSI që në rast se e ka seriozisht qëndrimin kundër qeverisë për koncesionin e laboratorëve atëhere kjo mund të provohet lehtësisht, duke refuzuar vendimin e Ramës dhe duke dalë nga qeveria.
“Vendimin për konçesionin e laboratorëve e merr qeveria dhe jo Kuvendi. Nëse Ilir Meta është kundër konçesionit e ka të thjeshtë: ta rrëzojë atë në qeveri. Le të bllokojë qeverinë ose të dalë nga qeveria. Por këtë LSI nuk e bën dot, sepse qeverisja është oksigjeni që mban në jetë LSI-në”, thuhet në një njoftim të PD.
Për Partinë Demokratike kemi të bëjmë me një manovër politike të LSI për shfaqje publike, duke u shtirur sikur është e interesuar për mbrojtjen e interesave të qytetarëve në një kohë që afron dita e zgjedhjeve.
“Gjasme amendamenti kundër konçesionit, ishte një manovër propagandistike e Ilir Metës për të bërë gjasme sikur mendon për popullin, pra ishte një gënjeshtër. Po afrohen zgjedhjet dhe është koha kur Ilir Meta bën sikur nuk ka qenë në qeveri katër vjet”, thuhet në deklaratën e PD.
Partia Demokratike është kundër konçesionit të laboratorëve. Ka qenë dhe është kundër konçesionit të dializës. Ka qenë dhe është kundër konçesionit të sterilizimit. Ka qenë dhe është kundër konçesionit të kontrollit mjekësor. I ka denoncuar të gjitha këto konçesione dhe ka luftuar kundër tyre.
Gjasme amendamenti buxhetor i LSI-së, për konçesionin e laboratorëve në shëndetësi, nuk e ndalonte konçesionin e laboratorëve, dhe nuk kishte asnjë vlerë ligjore.

Koncesioni 86 milionë USD i hemodializës u shit për 30 milionë lekë

Besar Likmeta / BIRN

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që aksioneri më i madh i koncesionit të hemodializës EVITA Sh.p.k –  një kontratë koncesionare e vlerësuar nga Ministria e Shëndetësisë me vlerë 86 milionë USD për një periudhë 10-vjeçare – është shitur në fund të shtatorit 2016.
Sipas kontratës që BIRN disponon, më 21 shtator aksionerja e vetme e EVITA Sh.p.k Majlinda Fetiu, i ka shitur aksionet e saj duke i shpërndarë në dy aksionerë të rinj Rasim Hamzaraj dhe Ertel Kërçuku, kundrejt vlerës së nënshkruar prej 30.1 milionë lekë.
EVITA sh.p.k zotëron 85% të aksioneve të Dia Vita Sh.p.k, kompanisë së themeluar pas tenderit për dhënien e shërbimit e hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan. Ndërkohë 15% të aksioneve të Dia Vita Sh.p.k janë në pronësinë e Spitalit Amerikan Sh.a.
Ndërsa Ertel Kërçuku është një mjek virtualisht i panjohur, Rasim Hamzaraj është administratori dhe aksioneri kryesor i një prej kompanive më të mëdha farmaceutike në Shqipëri, ‘Megapharm’ Sh.p.k.
Megapharm, ka qenë në të shkuarën dhe vazhdon të jetë sot, përfituesi kryesor i tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë për barna. Kjo kompani dhe drejtuesi i saj Hamzaraj, gjithashtu kanë qenë shpesh shënjestër të akuzave politike për konflikt interesi dhe korrupsion – akuza që kompania i ka hedhur poshtë si të motivuara politikisht.
Blerja nga Hamzaraj e aksioneve të EVITA Sh.p.k nuk përbën në vetvete një transaksion të paligjshëm, por megjithatë, ajo vjen në një klimë akuzash të ndërsjella midis opozitës dhe mazhorancës, mbi mënyrën e dhënies së koncesioneve në fushën e shëndetësisë nga qeveria “Rama’ dhe përfituesit e tyre.
Administratorja e EVITA Sh.p.k Elona Saraçi, nuk iu përgjigj një kërkese nga BIRN për koment në lidhje me ndërrimin e aksionerëve të kompanisë, ndërkohë që Hamzaraj nuk ishte i arritshëm për koment.
Pas ardhjes në pushtet në shtator 2013, me një platformë që premtonte shëndetësi falas për të gjithë shqiptarët, mazhoranca e qendrës së majtë e udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, ka dhënë tre koncesione të mëdha në fushën e shëndetësisë me vlerë mbi 250 milionë USD.
Përveç koncesionit të hemodializës, shumë të debatuar kanë qenë dhe kontratat për partneritet publik-privat për kontrollin bazë “check-up”-in dhe sterilizimin e instrumenteve dhe seteve kirurgjikale.
Sipas opozitës së udhëhequr nga Partia Demokratike këto kontrata koncesionare janë korruptive dhe qëllimi i tyre ka qenë të shpërblejnë ‘klientët’ e Partisë Socialiste.
Ndërkohë, qeveria i ka përshkruar koncesionet ose partneritetin publik-privat si të vetmen mënyrë për të sjellë shërbime të munguara në një kohë të shkurtër për qytetarët në mungesë të fondeve buxhetore për investime të mëdha publike. Ajo i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës si ‘baltë’ e hedhur për përfitim politik. Në total vetëm gjatë vitit 2017, koncesionet pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 7.3 miliardë lekë.
EVITA sh.p.k është një kompani produktesh farmaceutike me qendër në Tiranë, e themeluar më 14 maj 2013. Më 20 tetor 2015, Ministria e Shëndetësisë e shpalli këtë kompani më parë të panjohur së bashku me Spitalin Amerikan, fitues të koncesionit për “shërbimin e hemodializës”, duke i dhënë një kontratë 10-vjeçare me vlerë rreth 8.6 miliardë lekë (86 milionë USD) në total. Gjatë vitit 2015 EVITA Sh.p.k ka pasur të ardhura vjetore prej 300 milionë lekë dhe një fitim prej 42.8 milionë lekë.
Për menaxhimin e koncesionit, EVITA Sh.p.k dhe Spitali Amerikan Sh.a themeluan kompaninë Dia Vita Sh.p.k, ku EVITA Sh.p.k zotëron paketën kontrolluese të aksioneve.
Sipas kontratës së partneritetit publik-privat, Dia Vita Sh.p.k ka si qëllim rikonstruksionin e dy qendrave ku kryhej dializa në Shkodër dhe Vlorë dhe krijimin e tre qendrave të reja, të cilat pranë spitaleve të Lezhës, Korçës dhe Elbasanit. Rikonstruksioni i qendrës së dializës në Shkodër dhe Vlorë tashmë ka përfunduar, dhe shërbimi i ofruar ka marrë vlerësime të larta nga Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
“Kjo është prova e prekshme e të vërtetës, ajo që bota e bën rregullisht dhe e bën rutinë sot, partneritetin publik-privat në shërbimin shëndetësor dhe që këtu është kriminalizuar, sikur po bëhet një hata e madhe, faktikisht rezultatet ja ku janë”, tha Rama gjatë një vizite në qendrën e rindërtuar të hemodializës në Vlorë me 16 qershor.
Sipas projekt-buxhetit të vitit 2017, vetëm brenda vitit të ardhshëm Dia Vita Sh.p.k, pritet të arkëtojë 9.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për shërbimin e hemodializës.
Të dhënave të botuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pronari i ri i paketës mazhoritare të aksioneve të koncesionit të hemodializës Rasim Hamzaraj, është gjithashtu administrator i kompanisë farmaceutike Megapharm si dhe zotëron 33.3% aksioneve të saj.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Shqiptar i Shkencave, në 9 muajt e parë të vitit 2016, Megapharm sh.p.k ka qenë kontraktori më i madh i qeverisë në fushën e shëndetësisë me 352 kontrata dhe një vlerë totale prej 452 milionë lekë. Gjatë vitit 2015, kjo kompani ka regjistruar më shumë se 1.2 miliardë lekë shitje.
Suksesi i kompanisë Megapharm me tenderët publik në fushën e shëndetësisë nuk ka filluar me ardhjen në pushtet të Partisë Socialistë në vitin 2013. Ajo është përfolur si përfitues i madh i tenderëve publik gjithashtu gjatë viteve 2010-2012, gjatë qeverisë së ish-kryeministrit Sali Berisha në aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Sipas deputetit të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, vetëm gjatë vitit 2010 kompania Megapharm pati përfituar 9 milionë euro në tenderë publikë në fushën e shëndetësisë.
Shalsi pretendonte në atë kohë se, suksesi i Megapharm me tenderët publik në vitin 2010 ka ardhur si pasojë e lidhjeve nepotike me ish-ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili.
“Në vitin 2009 kompania Megapharm, e cila për hir të së vërtetës operon prej vitesh në tregun e ilaçeve, ka fituar një numër tenderësh, shuma e të cilave arrin në shifrën prej 1 000 000 euro”, ka deklaruar Shalsi në 15 nëntor 2010.
“Ajo që e komplikon pozicionin e ministrit të Shëndetësisë është se po kjo kompani përgjatë vitit 2010 dhe vetëm deri në korrik, ka fituar tenderë jo me në shifra të ngjashme, por e dini sa? 9 000 000 euro. Po, po, plot 9 000 000 euro”, shtoi ai.
E njëjta akuzë ndaj ministrit Vasili është bërë dhe nga ish-deputeti Eltar Deda, gjatë një interpelance në Parlament në korrik 2010.
“Unë mund t’ju them se, “Megapharm” është një kompani farmaceutike, distributor farmaceutik, i cili është vetë i familjes suaj dhe drejt kësaj kompanie dhe drejt këtij distributori janë adresuar të gjitha tenderët dhe prandaj është ndaluar shpallja dhe lidhja e kontratave të këtyre kompanive”, kas deklaruar Deda, sipas faqes zyrtare të Partisë Socialiste.
Sipas Partisë Socialiste, Hamzaraj është kushëriri i ish-ministrit dhe deputetit aktual të LSI-së, Petrit Vasili, çfarë ka sjellë favorizimin e kompanisë në tenderët për barna, gjatë kohës që Vasili ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë. Megapharm i ka hedhur poshtë akuzat si të motivuara politikisht, dhe ka deklaruar se do të ndërmarrë padi për shpifje kundër politikanëve që i kanë artikuluar.
Por megjithatë nuk është vetëm marrëdhënia me Vasilin që ka krijuar probleme për biznesin e barnave, Rasim Hamzaraj. Në vitin 2010, ai vu në qendër të një hetimi të Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktin e Interesit, ILDKPKI, në lidhje me një seri transaksionesh të dyshimta për shitblerjen e aksioneve të kompanisë Fortis 2, nga bashkëshortja e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti.
Sipas ILDKPKI-së, Hamzaraj dhe Meri Prifti “kanë kryer veprime të kundërligjshme”, të cilat e kanë shumëfishuar vlerën e aksioneve të saj në kompaninë Fortis 2. Ndërkohë, gjatë periudhës që Hamzaraj ka qenë ‘person i besuar,’ ish-ministri Dritan Prifti e ka emëruar këtë të fundit në bordin drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, OST.
ILDKPKI ka gjykuar se emërimi i Hamzarajt në bordin  e OST-së, ka ardhur në kushtet e konfliktit të interesit dhe ka gjobitur ish-ministrin Dritan Prifti me 300,000 lekë gjobë. Një masë e ngjashme administrative është marrë dhe ndaj biznesmenit Hamzaraj, pasi ky i fundit ka refuzuar urdhrin e Kryeinspektorit për të deklaruar pasurinë si person i lidhur me Meri Priftin. Të dyja këto gjoba janë ankimuar në Gjykatë nga Prifti dhe Hamzaraj. Ndërkohë, padia penale e bërë nga ILDKPKI në Prokurori, është hedhur poshtë nga organi i akuzës.

Pse policia nuk ka vënë asnjë shpërblim për kapjen e Balilit

Duket qartë se policia nuk është e interesuar për të vënë në pranga Klement Balilin. Nëse policia e Tahirit do ta kishte seriozisht arrestimin e “Eskobarit të Ballkanit”, atëhere do të kishte vepruar ashtu si në rastet më të rëndomta kur ka vënë në dispozicion një shumë parash për cilindo që informon për vendndodhjen e të kërkuarit, duke ruajtur anonimatin e atij që njofton policinë. Policia ka vënë në dispozicion shuma të mëdha parash deri në 50 milionë lekë për rastet më ordinere për persona në kërkim, ndërsa për një të shpallur në kërkim ndërkombëtar, siç është Klement Balili nuk jepet asnjë shpërblim për atë që informon për vendndodhjen e tij. Ky fakt tregon më së miri se, Rama dhe Tahiri nuk duan ta arrestojnë Balilin.
Tahiri bën show duke deklaruar se policia është vënë në kërkim të tij, ndërsa vetë oficerët njoftojnë “Eskobarin e Ballkanit” për çdo lëvizje të policisë. Që në 17 maj të këtij viti, ka patur një urdhër arresti për Klement Balilin, por policia nuk ka ndërhyrë për ta arrestuar. Balili është shfaqur publikisht me dhjetëra herë në lokale e dasma, madje bënte xhiro me jaht në shoqërinë e efektivëve të Policisë në Sarandë, ndërsa policia bën sikur nuk e shikon. Balili ka mbrojtjen e Ramës dhe të Tahirit ndaj dhe policia nuk guxon ta arrestojë.
Rama dhe Tahiri e marrin në mbrojtje Balilin, sepse kanë interesa të përbashkëta me të. Klement Balili ka qenë i arrestuar për trafik droge në kohën e qeverisë demokratike, ndërsa Rama e emëroi drejtor të Transportit Rrugor në Sarandë, për të trafikuar lehtësisht drogë në vendet e Bashkimit Europian.
Vetëm gjatë kohës që Balili ishte drejtor i Transportit Rrugor ka trafikuar tonelata droge drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në fillim të majit, Policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane kreu një operacion masiv, duke konfiskuar më shumë se 1 ton drogë dhe duke arrestuar një numër të konsiderueshëm trafikantësh, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar të shtrirë në shumë vende. Sipas dokumentave, sasi të mëdha marijuane niseshin nga zona e Sarandës në Shqipëri me det për mbi 100 kilometra deri në gjirin e Korinthit në Greqinë Qendrore, nga ku dërgoheshin në vendet e Bashkimit Europian, duke përdorur kompani false transporti. Në Belgjikë, autoritetet zbuluan hallkën belge të drejtuar nga një shqiptar, i dyshuar dhe hetuar pa sukses më herët nga Prokuroria shqiptare për pastrim parash.
Media greke raportoi atëherë se kreu i organizatës kriminale ishte një zyrtar shqiptar, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë, por ky rezultonte figurë tepër e fuqishme dhe nuk arrestohej për shkak të lidhjeve të tij me qeverinë shqiptare. Autoritetet shqiptare heshtën, duke mos marrë asnjë masë për arrestimin e Balilit, ndonëse ai ishte në detyrë si drejtor i Transportit Rrugor në Sarandë.
Jo vetëm kaq, por Ministria e Brendshme u përpoq të mbrojë veten, duke përgënjeshtruar lajmet e medias greke dhe duke argumentuar se kishte bashkëpunuar me operacionin ndërkombëtar, por sërish heshti në lidhje me Balilin. Përgjatë të gjithë ditës së 11 majit, ndërsa media greke raportonte mosveprimin e autoriteteve shqiptare për arrestimin e tij, ndërsa autoritetet shqiptare u vunë në mbrojtje të tij.
Ndonëse kanë kaluar 8 muaj nga shpallja në kërkim, Klement Balili vazhdon të jetë i lirë. Madje në media është shkruajtur se ai ka udhëtuar në Dubai me një ministër gjatë kësaj kohe që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Zbulohen pronat e Balilit, restorante, karburante, hotele e agjenci udhëtimesh

Klement Balili është pronar i disa bizneseve në Sarandë, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për si objekt i ligjit Antimafia. Rezulton se bizneset e “Eskobarit të Ballkanit”, e kanë shtrirë aktivitetin në shumë fusha.
Konkretisht në 18 janar 2010, ai ka regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Bizneseve hapjen e një restoranti, respektivisht në Ksamil shumë pranë rrugës nacionale “Sarandë-Butrint” në një godinë 3 katëshe, afërsisht 18 kilometra pranë Parkut Kombëtar të Butrintit. Balili është pronari i vetëm i këtij restoranti, fakt që del për herë të parë. Ky biznes figuron ende në pronësi të Balilit dhe ndryshe nga sa është përfolur në media, ndaj tij nuk figuron asnjë vendim për sekuestro.
Biznesi i dytë i regjistruar po në emrin e tij është firma “Montana”, e cila ka në fokus kryesor të veprimtarisë së saj tregtinë me shumicë dhe pakicë të karburanteve, lëndëve djegëse dhe nënprodukteve të tyre. Pranë QKR-së, Balili ka regjistruar të drejtën e kësaj kompanie edhe për të organizuar transport ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave të tyre, thënë ndryshe, një agjenci të mirëfilltë udhëtarësh.
Klement Balili është gjithashtu 100% aksioner i kësaj kompanie, e cila është themeluar në 30 qershor 2008 dhe ka regjistruar aktivitetin deri në 30 qershor të vitit 2058. Klement Balili është pronar i kompleksit turistik “Santa Quaranta”. Ky kompleks është ndër më luksozët dhe më modernët në bregdetin e Sarandës dhe më gjerë. Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës. Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë. Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës.
Prej kohës kur ndaj “Eskobarit të Ballkanit” është lëshuar një urdhër arresti, ai ka nxituar të pezullojë aktivitetin e kompanive të tij, ndoshta në tentativë për t’i shpëtuar një sekuestroje të mundshme. Dhe ia ka arritur sepse zyrtarisht këto prona nuk janë prekur ende nga efektet e ligjit Antimafia.

R.POLISI

51N4E studioja e sarajeve të Surrelit, fituese për sheshin

Emri i studios belge 51N4E ngjan i lidhur pandashmërisht me projektin pedonal të Sheshit “Skënderbej”. Ajo është studioja që bëri projektin e rehabilitimit si pjesë e planit urbanistik, në kohën kur Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Së fundi, 51N4E është shpallur fituese e tenderit për mbikëqyrjen e punimeve të fazës së parë të sheshit. Është përzgjedhur mes 7 kompanive në garë, edhe pse kishte ofertën më të lartë. AIS një OJF promotore e Open Data Albania raporton, se për fazën e parë të punimeve për Rikualifikim të Sheshit “Skënderbej”, vlera është 527.5 milionë lekë dhe Kompania Fituese Fusha shpk. Por për mbikëqyrjen e punimeve të kësaj faze është zhvilluar gjithashtu një tender dhe “u shpall fituese kompania me ofertën më të lartë, përkatësisht 51N4E, duke refuzuar/skualifikuar gjashtë kompanitë me renditje më të favorshme sipas ofertës. Motivi i skualifikimit, sipas AIS që ka hulumtuar procedurat e tenderit, është mungesa e kapaciteteve teknike. “Ky është tenderi i dytë që fiton Fusha shpk dhe shpallet fitues për mbikëqyrje punimesh po 51N4E. Edhe punimet për parkingun nëntokësor në Sheshin “Skënderbej” kanë të njëjtën kompani implementuese dhe të njëjtën kompani mbikëqyrëse”, thotë AIS. Por kush është 51N4E dhe cilat janë fijet që e lidhin atë me qendrën e Tiranës, tenderat e qeverisë dhe bashkisë dhe vetë kryeministrin Edi Rama? Lapsi.al raportoi në prill të vitit 2015 për një skandal që kishte shpërthyer në Belgjikë me themeluesin e 51N4E, me një tender të zhvilluar për studimin e fizibilitetit për realizimin e projekteve në Shqipëri. Peter Sëinnen, drejtues i Qendrës së Arkitektëve Flamanë, këshilltar i Qeverisë Flamane dhe themelues i studios 51N4E u vu nën hetim për shkak se një tender të nismës “Atelier Albania” të Edi Ramës ia kishte dhënë një mikut të tij në konflikt interesi, edhe ai i njohur i kryeministrit shqiptar.  Ai u akuzua se favorizoi në tenderin për studimin e fizibilitetit të projekteve në Shqipëri studion Centrum voor Stadsontëikkeling CVBA, që drejtohet nga Patrick Janssens. Janssens, kryetar i Partisë Socialiste Flamane në Belgjikë dhe kryetar i Bashkisë së Atnëerpit ka qenë pjesë e jurisë së konkursit për projektin e “Lungomares” – shëtitores së Vlorës. Edhe  në përzgjedhjen e Janssens në konkursin e Lungomares fijet të çojnë te 51N4E. Emri i 51N4E ndeshet në një sërë projektesh, pas të cilave është Edi Rama. Ajo është projektuese e vilës së Ramës në fshatin Surrel, rrëzë Dajtit.

Lapsi.al

Nuk merr ujë nga Ujësjellësi fatura i shkon 750 mijë lekë

Bashkia e Lushnjës ju dërgon fatura nga Ujësjellësi dhe subjekteve që nuk kanë fare tuba të ujësjellësit në lokal dhe nuk furnizohen me ujë. Skandali i Ujësjellësit të Bashkisë së Lushnjës është denoncuar publikisht nga kryetari i degës së PD të Lushnjës, Myslim Murrizi. Në një postim në rrjetin social Facebook, Murrizi shkruan se, siç duket mjafton të kesh një ndërtesë në territorin e kësaj bashkie, por nuk ka problem se furnizohesh me ujë pusi, por paratë do t’i paguash tek Ujësjellësi.
Pronari i një lokali në Lushnjë shprehet se, në lokalin e tij nuk ka tuba të ujësjellësit, as sahat uji, por i ka ardhur fatura 750 mijë lekë, ndonëse nuk ka harxhuar asnjë pikë ujë. Lokali im ndodhet tek ish-posta e vjetër dhe është pa lidhje uji nga Ndërmarrja e Ujësjellësit dhe pa sahat uji. Nga viti 2007 deri më sot, pa sjellë asnjëherë ndonjë faturë për detyrime, pasi nuk kishte sahat uji dhe nuk kishin çfarë, si dhe sa të faturonin. Pa pritur e pa kujtuar pas nëntë vitesh, sjellin një detyrim prej 75.000 lekë të reja si të pashlyera ndaj Ujësjellësit Lushnjë. Dyqani ka qenë dhe vazhdon të furnizohet me ujë pusi. Akoma vazhdon që mos të ketë sahat uji, por detyrimet na i sjellin”, shprehet qytetari.
Po ashtu, mjaft qytetarë në Lushnjë ankohen për fatura fiktive nga Ujësjellësi. Nga denoncimet e shumta të qytetarëve, bëhet me dije se ata janë faturuar më shumë se 20% se sa kanë konsumuar ujë. Për më tepër, situata bëhet edhe më skandaloze, pasi qytetarët nuk kanë se ku të ankohen.
Një prej qytetarëve, i cili ka një biznes privat, për muajin tetor i kanë ardhur dy fatura uji me diferencë prej 27 mijë lekësh. Me të dyja faturat në dorë ka shkuar pranë zyrës së Ujësjellësit, por punonjësja i ka thënë që nuk ka internet dhe nuk funksionon sistemi. Ai është një nga qytetarët e shumtë që iu kanë mbërritur fatura të tilla dhe ka vendosur ta denoncojë këtë skandal.
Por ka edhe dhjetëra qytetarë të tjerë, që shprehen se me ardhjen e “rilindjes” në pushtet janë shtuar mbifaturimet e ujit dhe të dritave. Qytetarët shprehen se, mbifaturimet bëhen qëllimisht për të mbushur arkën e bashkisë, ndërsa kur shkojnë për t’u ankuar zyrtarët nuk u japin asnjë zgjidhje ndonëse kanë të drejtë.
E njëjta situatë ndodh edhe në Fier. Një qytetar shprehet se ndonëse banesa e tij nuk furnizohej fare me ujë nga Ujësjellësi i Fierit i vinin fatura sikur harxhonte ujë. Në banesën e tij nuk kishte fare tuba uji. “Hipotekova banesën qysh nga 2006-ta, nga babai në pronësinë time! Vërtetimet e ujit dhe dritave që dorëzova në Hipotekë, nuk kishin detyrime, pasi babai (rahmet pastë), e kishte mbyllur kontratën qysh më 1995-ën! Më 2011-ën, sa morën “rilindasit” Ujësjellësin, filluan faturat pa pasur ujë në banesë, në emër të babait! U mundova të sqaroja te Ujësjellësi, po ndesha në një arrogancë dhe harbutëri të paparë! Vërtetë këta janë më të pashpirtët që ka njohur bota”, shprehet qytetari nga Fieri.
Ndërsa një qytetar tjetër thotë se i ka paguar rregullisht faturat e ujit, por për tre muajt e fundit i kanë ardhur përsëri faturat sikur nuk i ka paguar lekët. Ai thotë se, këtë fakt e vërteton me librezën e shlyerjes së detyrimeve qoftë të energjisë elektrike ashtu edhe të ujit të pijshëm. Ai shprehet më tej se për këtë fakt abuzues, ka bërë ankesat pranë Ujësjellësit, por është mbajtur me shpresa dhe se do ta verifikonin këtë problem, por askush nuk ka shkuar për të verifikuar faturat e aforfe dhe për t’i hequr ato. Qytetarët ankohen si për korrupsionin e zyrtarëve dhe për arrogancë në zyrat shtetërore.

Vrasja e taksistit, familjarët: E theri me thikë për 20 mijë lekë

Familjarët e Idriz Karriqit, shoferit të vrarë në Kavajë shprehen se gjithçka ka ndodhur për 20 mijë lekë të vjetra, që ai kishte me vete dhe makinën. Idriz Karriqi vuante nga sëmundjet e zemrës, dhe vetëm vitin e shkuar i ishte nënshtruar një ndërhyrje, “by pass”, por për shkak të mungesës së të ardhurave ishte i detyruar të punonte. Vetëm prej pak kohësh, ai kishte dalë në pension, por paratë nuk i mjaftonin për të përballuar shpenzimet e përditshme.
Me marrjen në pyetje të shitësit të thikës dhe bariut, i cili ka qëlluar rastësisht dëshmitar i ngjarjes Policia e Kavajës pohon se është plotësuar dosja e vrasjes së taksistit. Burime nga Komisariati i Kavajës konfirmojnë se thika e autorit të vrasjes Musa Saraçit është blerë në një dyqan në Kavajë rreth orës 9:00 nga vetë ai, ndërsa në orën 9:30 ka shkuar në vendin ku qëndrojnë taksitë dhe ka prenotuar Idriz Karriqin për t’i shërbyer drejt zonës Kryevidh. Policia e Kavajës hedh poshtë dyshimet si përdorues të lëndëve narkotike të autorit të krimit dhe vjedhjen e parave të taksistit.
Autori i krimit ka pranuar vrasjen dhe si qëllim ka pasur vjedhjen e automjetit tip “Benz” që përdorej si taksi dhe jo vrasjen e tij apo vjedhjen e sendeve të tjera. Makinën e kishte planifikuar ta shiste, sepse i duheshin lekët.
Në konflikt e sipër, pasi e ka goditur me thikë e ka lënë në pyll dhe ka ikur. Rrobat i janë gjetur me njolla gjaku 24-vjeçarit, i cili  ka pranuar se e ka bërë vrasjen pa e pasur në plan dhe thikën e kishte blerë për ta trembur viktimën dhe jo për ta vrarë. Idriz Karriqi u denoncua në dt 14 dhjetor nga familjarët e tij si i zhdukur në Policinë e Kavajës. Ai u gjet i pajetë një ditë më vonë rreth orës 22:00 buzë rrugës automobilistike në Gosë i therur me thikë.

Vdekja e 17-vjeçarit në Vlorë, qytetarët ngrihen në protestë

Qytetarë të ndryshëm dhe familjarët e 17-vjeçarit që humbi jetën rreth një muaj më parë në një aksident në Lugomare të Vlorës zhvilluan ditën e djeshme një protestë-homazh. Familjarë, miq, moshatarë të Kristi Panajotit me foton e djaloshit në duar mbanin pankarta në duar, ku shkruhej ”Na siguroni jetën”, ”Stop shkeljes me këmbë nga shteti”. Ata kanë marshuar drejt vendit ku humbi jetën 17-vjeçari e më pas janë ndalur tek gropa ku humbi jetën jetën 17-vjeçari. Mes vajtimeve ata hodhën lule në gropën që rezulton ende e hapur në mes të rrugës.
Babai i Kristit të ndjerë, Renato Panajoti është shprehur se kjo fatkeqësi me gropën në mes të rrugës mund t’i ndodhi kujtdo. Ndaj ai apeloi sërish për ndërhyrjen e shtetit në ndëshkimin e fajtorëve për të shmangur vetëgjyqësinë “Qoftë ky kurbani i fundit për Vlorën. Do të kërkojmë nga drejtësia dhe nga shteti që të vendoset një drejtësi e saktë dhe brenda normave dhe pa u mbrojtur asnjë pushtetar në këtë vijën e drejtësisë. Denoncimet i kam bërë si tek Kryeministri e tek ministri i Brendshëm, që të mos na lenë hapësirë ne të bëjmë vetëgjyqësi”.
Kristi Panajoti humbi jetën më 26 nëntor, si pasojë e një aksidenti, pasi makina në të cilën udhëtonte së bashku me kushëririn ra në një gropë të hapur në rrugë. Ata kanë akuzuar vazhdimisht firmën, e cila po kryen punimet në rrugën e Lungomares, pasi sipas tyre aksidenti ka ndodhur si pasojë e mungesës së sinjalistikës. Kristi Pananjoti, 17 vjeç vdiq në rrugën e re të Lungomares që po ndërtohet në Vlorë. Ai udhëtonte bashkë me një shok të tij, kur makina ra në një gropë.
Ndërkohë, shefi i hetimit në Policinë e Vlorës tentoi të manipulojë provat, të nxjerrë të pafajshëm shkaktarët e këtij aksidenti tragjik. Rezultoi se firma që po kryente punimet nuk kishte vendosur asnjë tabelë paralajmëruese. Por përgjegjësi mban edhe policia për mos vendosjen e tabelave paralajmëruese në rrugë.

7 milionë euro në vit nga koncesioni i laboratorëve

Deputetja Vokshi denoncoi dje skandalin me aferën e koncesionit të laboratorëve prej të cilit Rama me klientin e tij do të ndajnë së bashku 7 milionë euro në vit. “Në një kërkim në faqen zyrtare të Agjensisë së Prokurimit Publik, në lidhje me shpenzimet për laboratorët në të gjithë vendin, na rezulton që në një vit, qeveria shpenzon më pak se 1 milion euro në vit. ‎
Pra, nga 1 milion euro në vit që kushton sot i gjithë sistemi i laboratorëve, pasi t’ia kalojë privatit, shteti do t’i paguajë atij 8 milionë euro. Janë 7 milionë euro më shumë nga taksat e qytetarëve që do të shkojnë në xhepat e klientit të radhës”, tha Vokshi.

PD kundër koncesionit

Partisë Demokratike është kundër konçesionit të laboratorëve, që prej fillimit të vitit 2015 dhe në mënyrë të vazhdueshme deri më sot. Unë dhe deputetet e tjerë të PD-së në Komisionin e Shëndetësisë, kemi bërë disa denoncime në lidhje me këtë konçesion korruptiv dhe abuziv.
Konçesioni i rrjetit të laboratorëve publikë vjen pas atij të check-up-it, të sterilizimit, të dializës dhe është një hap tjetër në planin e mirëmenduar dhe të qëllimshëm të Edi Ramës për të privatizuar shëndetësinë në favor të klientëve të tij.
Së shpejti, do të marrim vesh se kush nga klientët e kryeministrit do ta gëzojë këtë pjesë të shëndetësisë. ‎Ky konçesion e çon aferën në më shumë se 400 milionë euro për 4 konçesione, vetëm në shëndetësi. 400 milionë euro që duhet të shkonin për shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Konçesioni i rrjetit të laboratorëve nuk ka asnjë rast të ngjashëm në botë.
Askund nuk është aplikuar në këtë shtrirje. Vlen të theksohet që të gjitha eksperiencat ndërkombëtare nuk dëshmojnë sukses, por kryesisht dështime apo rikthime në sektorin shtetëror.
Konçesioni po bëhet në mungesë transparence. Detajet e tij po mbahen të fshehta. Nuk janë pyetur mjekët, nuk janë pyetur punonjësit. As Komisionit të Shëndetësisë të Kuvendit nuk i është dhënë informacion i plotë mbi konçesionin, duke shkelur Kushtetutën, legjislacionin në fuqi.
Por ajo që e bën edhe më skandaloz këtë koncesion është se aplikimi i këtij projekti në QSUT sjell efekte të shumëfishta negative: për karakterin unik të shërbimeve laboratorike, në dëmtimin e parikthyeshëm të funksionit pedagogjik, edukativ-formues dhe shkencor të këtyre shërbimeve, që janë qendra kombëtare unike, ekselence për formimin, specializimin dhe punën kërkimore të të rinjve në këto fusha.‎ Dëmet do të jenë të mëdha e të pariparueshme.

Skema e përfitimit të 7 milionë eurove

Beqaj pretendon që duhen 11 milionë euro investime, që qeveria nuk i bën dot, sepse nuk i ka këto fonde. Por gjithkush e di që në këtë sektor, rinovimi dhe modernizimi i laboratorëve mjekësore spitalore publike, nuk ka nevojë për investime fillestare, sepse testet laboratorike shoqërohen me teknologji në përdorim, mirëmbajtje si dhe informatizim laboratorik.
Në një kërkim në faqen zyrtare të Agjensisë së Prokurimit Publik, në lidhje me shpenzimet për laboratorët në të gjithë vendin, na rezulton që në një vit, qeveria shpenzon më pak se 1 milion euro në vit. ‎
Pra, nga 1 milion euro në vit që kushton sot i gjithë sistemi i laboratorëve, pasi t’ia kalojë privatit, shteti do t’i paguajë atij 8 milionë euro. Janë 7 milionë euro më shumë nga taksat e qytetarëve që do të shkojnë në xhepat e klientit të radhës.
Konçesioni do të monopolizojë sistemin laboratorik mjekësor, do të prodhojë çmime të pakontrolluara e të larta, do të cënojë cilësinë dhe transparencën e shërbimit dhe do të krijojë problem të sigurisë për shëndetin e pacientëve. Në këtë sistem të korruptuar që ne kemi, privati do të gjejë përherë mundësi të dëmtojë cilësinë për të fituar më shumë.
Konçesioni pritet të rrisë ndjeshëm korrupsionin nëpërmjet inflacionit të testeve laboratorike, duke rritur fiktivisht pagesat nga shteti, nëpërmjet taksapaguesve.
Konçesioni pritet të ketë pasoja të ndjeshme njerëzore dhe humane, pasi rrezikon të hedhë në rrugë rreth 850 mjekë dhe staf mjekësor.
Me shumë gjasa, ata do të zëvendësohen nga njerëz më pak të kualifikuar, por që kanë në xhep teserën e partisë, që ndjekin mbledhjet e PS-së, apo japin zarfet nën dorë.
‎Konçesioni, s’është gjë tjetër, veçse një proçedurë korruptive dhe abuzive, vetëm 6 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, ‎që përbën një shkelje të rëndë. Partia Demokratike i kërkon Edi Ramës të tërhiqet nga ky koncesion kurruptiv, i cili do të ketë pasoja të rënda humane, shkencore, didaktike, financiare‎. Partia Demokratike nuk e njeh, dhe do ta kthejë mbrapsht këtë konçesion, këtë vjedhje të re në shëndetësi, ashtu si edhe të tjerat që kanë bërë Edi Rama dhe Ilir Beqaj.

Beqja refuzon t’i japë informacion Parlamentit

Koncesion me afat 10-vjeçar, me një total rreth 100 mln euro, që tejkalon mandatet e disa qeverive, por janë zgjedhjet e ju duhen para, para për të blerë votat. I kam dërguar shkresa zyrtare, i kam kërkuar të dërgojë Studimin e fizibilitetit, miratuar me anë të një ligji në këtë Parlament. Por ai refuzon. Refuzon të vijë në Komision! Refuzon të japë informacion e t’i përgjigjet deputetëve?
Çfarë i jep këtë siguri Beqes, i cili refuzon të sjellë një studim të një marrëveshjeje për të cilën ka marrë votat në këtë Kuvend? Po për çfarë e keni dhënë ju votën të nderuar kolegë? Që të vijë Beqja e t’ju thotë: s’dua t’jua jap raportin, sepse kështu më pëlqen? E pastaj pas insistimit e pas presionit edhe të LSI të sjellë një raport në të cilin ka fshehur të dhënat më të rëndësishme? Sepse thotë që janë konfidenciale? Sepse qenkan konfidenciale për ne, ligjvënësit, por Beqaj mund t’i ketë, që t’ja japë asaj kompanie të cilën e ka parazgjedhur ai dhe Rama.
Çdo gjë, terr informativ! Mungesë transparence! Për një koncesion, i cili shumë shpejt mund të kthehet në rrezik të madh edhe kombëtar. Mund të kthehet në një rrezik për financat, për buxhetin. Mund të na kthehet në rrezik për shëndetin. Për mirëqenien e qindra familjeve. Rrezik madje edhe për sigurinë kombëtare!
Pse inistohet kundër vullnetit të të gjithë profesionistëve, teknikëve dhe mjekëve të laboratorëve, duke i shmangur, duke i injoruar ata, duke neglizhuar qëllimshëm çdo sensibilizim në lidhje me rreziqet që mund të vijnë? Dëmet që mund të shkaktohen?
Po pse aplikohen këtu në Shqipëri formula që askush nuk guxon t’i aplikojë? Edhe vendet më të zhvilluara? Kur edhe të gjitha eksperiencat ndërkombëtare nuk tregojnë asnjë sukses?
Në asnjë vend të Bashkimit Europian nuk është aplikuar kjo praktikë e kushtueshme dhe monopoliste, që cenon sigurinë e shëndetit të popullatës. Projekte pilot me asistencën financiare të Bankës Botërore janë kryer në disa vende si Egjipti, India dhe në Nigeria është testuar në disa spitale.

Çfarë thonë ekspertët?

“Çdo sugjerim dhe rekomandim  mbi aplikimin e PPP në formë koncesioni në sistemin laboratorik publik është bazuar në konsultime të gjera me profesionistë të mjekësisë laboratorike, të shoqatave europiane dhe botërore të mjekësisë laboratorike, dokumenta strategjike të Bashkimit Europian siç është Raporti i Panelit të Ekspertëve të Komisionit Europian lidhur me “Analizën ekonomike dhe vlerësimin e partneritetit publik privat në shëndetësi në vendet e Bashkimit Europian” dhe publikime periodike shkencore”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së Biokimisë Klinike dhe Mjekësisë Laboratorike shqiptare, e cila argumenton si më poshtë:
Nuk ka të dhëna të qarta dhe të provuara për suksesin e PPP në shëndetësi.
Komisioni i  Ekspertëve të KE shprehet në rekomandimet e tij se, “nuk është e mundur t’ju japim një rekomandim të bazuar në evidenca shteteve anëtare të BE lidhur me rolin e PPP në shëndetësi”.
PPP në shëndetësi “ka pasur më shumë hije se sa drita” (referuar sistemit spanjoll)
PPP në shëndetësi ka një shtirje shumë të vogël në vendet e BE.
Nga analiza e panelit të eksperteve të KE rezulton se PPP në të gjitha vendet e BE përfshin vetëm 1% të investimeve në sektorin e kujdesit shëndetësor; përjashtim bën vetëm Anglia dhe Portugalia.
Nuk kemi asnjë evidencë as nga dokumenta të BE, IFC dhe as nga vëzhgimi i literaturës periodike shkencore lidhur me aplikimin e PPP në shëndetësi në formë të centralizuar dhe të gjeneralizuar.
Ndërkohë në Shqipëri është kërkuar të studiohet aplikimi i PPP në formë koncesioni në 18 laboratorë publikë spitalorë që përbëjnë mbi 80% të sistemit laboratorik publik në vend.
Krijohet monopol dhe dominim tregu (shembulli negativ i Aeroportit “Nënë Tereza”). Operatori privat do të orientohet nga fitimi duke u kufizuar dhe përqendruar në kompani diagnostike me të cilët do të bëjë marrëveshje preferenciale.
Koncesionari do të ketë interes të rrisë numrin e analizave me qëllim rritjen e fitimit (rrezikohet të kemi inflacion testesh laboratorike). Për këtë qëllim, ai do të nxisë mjekët kliniciste që të kërkojne sa më shumë analiza dhe kështu do të rritet në mënyrë të konsiderueshme dhe fiktive pagesa që shteti, nëpërmjet taksapaguesve, duhet t’i rimbursojë kompanisë private.
Shembulli i Lesothos në Afrikë, ku një spital i ngritur sipas këtij modelit sot merr 1/2 e buxhetit të shëndetësisë së atij vendi.
Nuk ka asnjë shembull, ku shërbimi laboratorik unikal universitar i një shteti të jepet me koncesion.
Aplikimi i këtij projekti në QSUT do të kishte efekte të shumëfishta negative jo vetëm për karakterin unik të shërbimeve laboratorike në këtë qendër universitare, por dhe në dëmtimin e parikthyeshëm të funksionit pedagogjik, edukativ-formues dhe shkencor të këtyre shërbimeve, që janë qendra kombëtare unike dhe ekselence për formimin, specializimin dhe punën kërkimore të të rinjve në këto fusha”.
Nëse pyet përfaqësuesit e Shoqatave të Biokimisë Klinike dhe Mjekësisë Laboratorike apo të teknikëve të laboratorëve, deklarojnë që nuk kanë asnjë dijeni e nuk janë konsultuar për koncensionin e shërbimit laboratorik mjekësor. As nuk janë pyetur, dhe as nuk janë përfshirë në asnjë grup pune. Pra, tinëzisht, profesionistët dhe ekspertët më të mirë janë përjashtuar nga vendimmarrja, megjithëse ligji thotë ndryshe!
Ministri thotë që është sektor që ka nevojë për investime të mëdha, të cilat qeveria nuk i bën dot se nuk i ka paratë. Justifikim bajat, i cili nuk qëndron aspak: Ky justifikim është hedhur poshtë nga ata që tërë jetën e tyre i janë përkushtuar kësaj fushe, pasi investimet e viteve të fundit nuk mungojnë, dhe as stafi i trajnuar e profesional nuk mungon.