22.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Berluskoni, shpresa më e mirë e Italisë

Roberto D’Alimonte

Nëse liderët e partive më të mëdha italianë mund të besohen, mund të themi se kërkojnë të njëjtën gjë: zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur. Problemi është që vendi nuk ka një sistem zgjedhor funksional me të cilën të zhvillojë zgjedhje. Gjatë orëve që pasuan dështimin e referendumit kushtetues të kryeministrit në ikje, Matteo Renzi më 4 dhjetor, kundërshtarët e tij politikë u nxituan të kërkonin menjëherë rikthimin e italianëve tek kutitë e votimit. Anëtarët e Partisë Demokratike të Renzit – përfshirë edhe vetë Renzin – iu bashkuan menjëherë korit.
Megjithatë, do të duhet të kalojë pak kohë përpara se italianët të kenë mundësi të votojnë sërish. Italia është i vetmi vend i Bashkimit Europian që ka dy dhoma të barabarta të Parlamentit: Dhoma (Dhoma e Deputetëve) dhe Senati (Senati i Republikës). Çdo legjislacion, përfshirë edhe formimin e qeverisë, duhet të miratohet në të dyja dhomat.
Në vitin 2015, qeveria italiane rishqyrtoi ligjin që drejton Dhomën, duke prezantuar masa që iu propozuan Renzit: zgjedhje me dy raunde, me garantimin e 54 për qind të vendeve në Parlament për partinë që do të fitonte më shumë vota. Nëse referendumi i Renzit do të ishte votuar, do të kishte eliminuar Senatin, duke e kthyer atë në një trup këshillues me politikanë të emëruar nga këshillat rajonalë.
Këto masa – të ashtuquajtura Italicum – pretendonin ta lehtësonin qeverisjen e vendit, por me dështimin e referendumit do të kenë efektin e kundërt. Senati jo vetëm që ka mbijetuar, por të dy dhomat kanë sisteme zgjedhore radikalisht të ndryshme. Ndryshe nga Dhoma e Deputetëve pas Italicum, sistemi zgjedhor i Senatit është proporcional, pa asnjë bonus për partinë fituese. Për ta shtuar akoma më shumë problemin, të dy dhomat zgjidhen nga dy trupa të ndryshme zgjedhore. 18-vjeçarët mund të votojnë për Dhomën e Deputetëve, por duhet të jesh të paktën 25 vjeç për të votuar për Senatin. Çdo zgjedhje që zhvillohet me ligjin aktual rrezikon të prodhojë rezultate të ndryshme në dy dhomat, duke e bërë Italinë më pak të qeverisshme se zakonisht. Kjo është arsyeja përse presidenti Sergio Mattarella ka thënë se dy sistemet zgjedhore do të duhet të harmonizohen përpara se italianët të votojnë sërish.
Ky ndryshim nuk e zhduk mundësinë e rezultateve të ndryshme në dy dhomat qeverisëse, por do ta reduktonte rrezikun. Mund të bëhet nga Gjykata Kushtetuese ose nga Parlamenti – të shpresojmë se do të vendosë gjykata. Më 24 janar, Gjykata Kushtetuese do të vendosë mbi kushtetueshmërinë e Italicum. Teksa gjyqtarët do të vlerësojnë aspekte të ndryshme të ligjit, vendimi më kritik qëndron tek balotazhi dhe bonusi i mëpasshëm zgjedhor.
Argumenti ligjor kundër bonusit është se mund të krijojë shtrembërime të shumta në raportin e votave dhe vendeve në Parlament në rast se partia që ka fituar raundin e dytë të ketë marrë një përqindje relativisht të vogël votash në raundin e parë. Është një argument i dyshimtë, por tepër i rëndësishëm në një vend që ka një kulturë të vjetër proporcionaliste. Në rast se gjykata arrin të miratojë masat, zgjedhjet e parakohshme do të mund të zhvillohen në gjysmën e parë të vitit 2017. Ky duket se është edhe opsioni i preferuar i Renzit.
Në rast se nuk miratohen, do të jetë Parlamenti ai që do të vendosë sistemin e ri zgjedhor. Ky do të jetë prioriteti i kryeministrit të ri, Paolo Gentiloni dhe qeverisë së tij, por nuk do të jetë një mision i lehtë. Edhe pse disa mendojnë se Parlamenti do të veprojë me shpejtësi, të tjerë kanë dyshime të mëdha. Me shumë gjasa do të duhen muaj të tërë për të krijuar një mazhorancë që të miratojë ligjin elektoral. Sipas këtij skenari, zgjedhjet mund të mbahen në pranverën e vitit 2018.
Rezultati pritet të jetë i parashikueshëm. Ka shumë pak mundësi të rishfaqet një sistem mazhorance sepse diçka e tillë do t’i jepte një shans të madh partisë së Lëvizjes Pesë Yje për të fituar. Kështu, ka shumë gjasa që Italia të rikthehet në sistemin proporcional që prodhoi dekada të tëra destabilizimi dhe impotence legjislative. Sistemi i ri mund të përmbajë edhe tipare joproporcionale, por me shuma gjasa nuk do të ketë inçentiva të mjaftueshme për të favorizuar formimin e koalicioneve parazgjedhore dhe nuk do të përmbajë masa për të favorizuar mazhorancën e pastër qeverisëse.
E ardhmja politike e Italisë do të varet në mënyrën se si do të performojnë partitë antisistemit. Sondazhet e fundit tregonin se Lëvizja me Pesë Yje do të ishte në vendin e parë, por nuk është e gatshme të hyjë në aleanca. Po kështu, partitë e djathta si Liga e Veriu dhe Vëllezërit Italianë – të cilët kanë pasur rezultate të dobëta – nuk do të jenë të gatshme të bëjnë aleancë me Partinë Demokratike.
Nëse Lëvizja me Pesë Yje, Liga e Veriut dhe Vëllezërit Italianë marrin 50 për qind të votave së bashku, rezultati do të jetë një ngërç politik dhe pamundësia për të formuar qeverinë. Nën një sistemin tepër proporcional, Partia Demokratike e Renzit do ta ketë po ashtu të vështirë të formojë qeverinë më vete. Rezultati është që stabiliteti i vendit do të varet vetëm nga rikthimi i një fytyre të njohur të skenës politike.
Ironia e politikës italiane të ditëve të sotme është se kurdo që të mbahen zgjedhjet e ardhshme, shumica e italianëve – dhe europianëve – mund ta gjejnë veten duke u lutur që ish-kryeministri Silvio Berlusconi dhe Forca Italia të arrijë një rezultat aq të mirë të zgjedhje sa për të vjedhur votat e së djathtës ekstreme dhe të bashkohet me Partinë Demokratike.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Mavraj i pakalueshëm në Gjermani

I jashtëzakonshëm! Mërgim Mavraj ka fituar vëmendjen e të gjithëve në Gjermani. Mbrojtësi i Këlnit ka arritur që të imponohet me paraqitjet e tij dhe me sigurinë që i ka ofruar skuadrës falë ndërhyrjeve, pasimeve që jep, si dhe dueleve që fiton përballë kundërshtarëve. Sa u përket bllokimeve që u ka bërë kundërshtarëve, shqiptari është i pari në renditje. Mërgim Mavraj ka bërë 13 të sakta, më shumë sesa cilido prej rivalëve të tij në Bundesligë, kur bëhet fjalë për bllokim të rasteve të pastra për shënim. Mbrojtësi kuqezi është gjithashtu i pari sa u përket “pastrimeve” sipas “effzeh.com”.
Sa herë ka një situatë të paqartë në zonë dhe kur mbrojtësit janë në rrezik për veprimet që kryejnë, pasi sulmuesit kundërshtarë kanë rast për të shënuar, kërkohet patjetër një “pastrim” i zonës nga futbollisti që mbron. Qendërmbrojtësi i Këlnit ka ditur të zgjidhë saktë 70 situata të tilla, ndërkohë që mbrojtësi i Lajpcigut, Orban, ka zgjidhur tre më shumë sesa shqiptari.
Në lidhje me gabimet në zonën e rreptësisë, mbrojtësi i Kombëtares qëndron sërish në krye të statistikave, pasi nuk numërohet asnjë gabim fatal prej tij. Sipas numrave, Këlni nuk ka pësuar asnjë gol për faj të futbollistit shqiptar.
Gjithashtu, shqiptari ka treguar edhe një veçori mjaft pozitive në fazën sulmuese. Pavarësisht se është lojtari i fundit mbrojtës i Këlnit, Mavraj vlerësohet mjaft mirë sa u përket tentativave të ekipit për të sulmuar. Qendërmbrojtësi kuqezi nuk ka humbur asnjë prej pasimeve kur ka tentuar që të nxjerrë ekipin e tij në sulm. Futbollisti i Kombëtares renditet i dyti sa u përket pasimeve që shtyjnë ekipin përpara, me 493 të tillë, ndërkohë që i pari numëron 500 pasime të sakta.
Futbollisti i Këlnit është i dyti edhe në një statistikë tjetër. Ai ka fituar 16 faulle, ndërkohë që më mirë se ai në këtë aspekt ka bërë Hubn i Hofenhaimit me 19.
Çdo kampionat nxjerr një fitues dhe disa skuadra që arrijnë të përfitojnë mundësinë për të marrë pjesë në ligat e Europës në fund të sezonit. Mirëpo, tashmë që është fundi i fazës së parë të kampionateve, është koha për të bërë llogaritë për gjysmën e parë të këtij sezoni.
Në faqen zyrtare të Bundesligës gjermane është hapur një sondazh, ku sportdashësit mund të votojnë për futbollistët e preferuar në mënyrë që të përzgjidhen në 11-shin më të mirë të pjesës së parë të këtij edicioni. Sipas votave elektronike momentale, mbrojtësi shqiptar është votuar disa herë më shumë edhe sesa Mats Humels. Mavraj ka marrë rreth 500 vota, ndërkohë që Gjermania rreth 150.

Leipzigu nuk ndalet

Skuadra e Leipzigut ka vazhduar rrugën drejt suksesit, pasi ka mposhtur 2-0 Hertën e Berlinit. Me këtë fitore të besuarit e Hasenhuttl janë në rrugë të mbarë drejt suksesit për të dalë kampion dimri në Bundesligën gjermane. Golat për vendasit u shënuan nga Werner (40) dhe Orban (62), ndërsa javën e ardhshme do të jetë përballja kundër Bajernit të Mynihut. Aktualisht pas 15 javësh, Leipzigu kryeson 3 pikë më shumë se kampionët në fuqi të Bajernit të Mynihut që nesër luajnë kundër Darmstadt.
Shalke e Donis Avdijajt dhe Frajburgu i Amir Abrashit, barazuan mes tyre me rezultatin 1-1. Niderleçner kaloi Frajburgun në avantazh në minutën e 64-t, por 10 minuta më vonë ukrainasi Konopljanka barazoi shifrat për vendasit. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Donis Avdijaj, u aktivizua në këtë ndeshje në minutën e 68, ndërsa mesfushori i kombëtares shqiptare, Amir Abrashi, u fut në lojë në minutën e 79.
Këlni i Mërgim Mavrajt doli me 1 pikë nga transferta ndaj Verder Bremenit teksa ndeshja u mbyll në barazim 1-1. Rudnevs kaloi Këlnin në avantazh në minutën e 28, por Gnabri vendosi baraspeshën në minutën e 40. Mbrojtësi shqiptar u aktivizua si titullar për 90 minuta të plota në këtë takim.
Në ndeshjet e tjera, Lajpcigu u rikthye te fitorja teksa mposhti në shtëpi me rezultatin 2-0 Hertën e Berlinit. Fitore vendasish edhe në dy ndeshjet e tjera. Mainci fitoi me rezultatin 3-1 ndaj Hamburgut, ndërsa Augsburgu mposhti 1-0 Borusian e Mynshengladbahut. Pas këtyre ndeshjeve, Lajpcigu u ngjit në kuotën e 36 pikëve, duke marrë përkohësisht vendin e parë. Këlni mban vendin e 7 me 24 pikë, Frajburgu renditet i 10-i me 20 pikë, ndërsa Shalke e 11-a me 18 pikë.
Borussia e Dortmund pësoi një tjetër ndalesë në Bundesligë, pasi barazoi 2-2 me Hoffenheim në transfertë, me vendasit që treguan se jo rastësisht gjenden në zonën Champione. Verdhezinjtë e Tuchel vuajtën gabimet në pjesën e parë, ku jo vetëm u ndëshkuan që në minutën e 2-të nga goli i Utuh, por gjithashtu Weidenfeller gaboi dhe në rastin e realizimit të Wagnerit kur nuk mbajti dot topin në kontroll.
Dortmund megjithatë kishte mundur të barazonte ndeshjen më parë me Gëtzen në të 11-ën, por një tjetër disavantazh duket se ndikoi dhe negativisht te verdhezinjtë që humbën dhe nervat, aq sa Reus la të tijtë me 10 vetë në fundin e pjesës së parë, pasi mori dhe kartonin e dytë të verdhë. Fillimi i pjesës së dytë pavarësisht se në inferioritet numerik ishte shumë e mirë për Dortmundin që pas 3 minutash arriti të barazojë sfidën me Aubameyang.
Gjithsesi deri në fund, pavarësisht përpjekjeve formacioni i Tuchel nuk arriti të marrë dot fitoren, duke ndarë nga një pikë, që ngjit për momentin ekipin e Hoffenheimit në vendin e 3-të në renditje.

“Interi e kishte në dorë Ronaldon, por e refuzoi”

Luis Suarez, ish-sulmuesi i famshëm i Barcelonës dhe i Interit, spanjolli i vetëm që ka mundur të fitojë “Topin e Artë” (në 1960-ën), zbuloi gjatë një interviste për “Marca”-n se kishte qenë shumë pranë transferimit të Kristiano Ronaldos tek Interi në vitin 2002. Nëse 81-vjeçari do të kishte këmbëngulur, sot mund të ishim duke treguar një tjetër histori… Për Interin kampion të gjithçkaje ose për talentin e radhës që dështoi në “San Siro”…
Luis Suarez, spanjolli i vetëm që ka fituar “Topin e Artë
Në fjalët e spanjollit dallohet qartë mëria që ushqen kundrejt klubit, i cili mes sezoneve 1961-1970 e ndihmoi të fitonte dy herë Kupën e Kampioneve. “Kam qenë shumë pranë transferimit të Kristiano Ronaldos tek Interi. Bisedova me nënën, motrën dhe menaxherin e tij. Isha aq pranë sa nisa të diskutoja edhe për çmimin. Por ai nuk kishte debutuar ende me ekipin e parë të Sportingut. Unë e vëzhgova gjatë një miqësoreje në Vigo, ku shënoi një gol si ai që i realizoi Ronaldo Kompostelës.
Ndihem fajtor, pasi nuk këmbëngula sa duhej tek Interi për t’i bindur që ta blinin. Isha mësuar me faktin se Interi më injoronte gjithmonë sa herë i këshilloja ndonjë lojtar. Kësaj here duhet të isha më këmbëngulës. Ishte një mëkat t’i thoshe ‘jo’ një lojtari të atij kalibri. Kur Interi kuptoi se çfarë po bënte, ishte vonë, pasi Kristiano ishte i Junajtidit”, tregoi Suarez.
Suarez ka qenë njëri prej personaliteteve të sportit që ka sulmuar “pa doreza” shoqërinë zikaltër. Vetëm pak javë më parë, ai akuzoi Havier Zanetin se nuk po bënte asgjë për ta ndihmuar Interin.

Vijareal marshon me ritëm Championsi

Vijareal konfirmohet si një nga skuadrat më në formë të kampionatit spanjoll, ku për momentin e sheh veten në vendin e katërt të renditjes.
Ekipi, i cili kishte kaluar disa sezone aspak të lumtura me rënien nga kategoria apo i përfshirë në betejat për mbijetesë, duket sikur i është kthyer përsëri viteve të lavdishme falë ringjalljes së Aleksandre Patos. Braziliani po tregon me paraqitjet e tij se ka ende për të dhënë në futbollin europian, i ndihmuar edhe nga italiani Sansone, që po shënon me rregullsi.
Të dy gjetën rrjetën sot në fitoren 3-1 në fushën e Gijonit, që i jep mundësinë “nëndetëses së verdhë”, që të ngjitet përkohësisht në vendin e katërt në klasifikim dhe të cilësohet pretendente për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.