Xheimi Vardi nuk po arrin të shkëlqejë si në sezonin e kaluar me fanellën e Leisterit dhe sikur të mos mjaftonte mungesa e golave në kampionat, sot ka lënë në baltë skuadrën e tij me një karton të kuq mëse të evitueshëm.
Një faull i tij në minutën e 28-të të ndeshjes ndaj Stouk, solli largimin me karton të kuq të sulmuesit anglez. Stouk përfitoi dhe shënoi dy gola me Bojan dhe Alen, para fundit të pjesës së parë, ndërsa dukej sikur po u merrte tri pikë kampionëve për t’i zhytur më shumë në krizë.
Por skuadra e Ranierit reagoi pas pushimit dhe me Ulloa e Amartei në minutat e fundit, vendosi barazinë në shifra, duke siguruar një pikë shumë të vyer për objektivin që ka në këtë sezon, mbijetesën.
Vardi bëhet personazhi negativ
Diego Kosta godet përsëri
Chelsi i Antonio Kontes është kthyer në një makineri të pandalshme që regjistron sukses pas suksesi, duke vazhduar kryesimin e shkëputur të kampionatin anglez të futbollit. Ashtu siç ka ndodhur shpesh në ndeshjet e fundit, ka qenë i zakonshmi Diego Kosta, ai që ka gjetur rrugën e rrjetës për t’u dhënë një sukses minimal londinezëve përballë Kristal Palas.
Takimi ka qenë i ekuilibruar dhe Kristal Palas krijoi raste të rrezikshme para portës së Çelsit po aq sa kjo e fundit. Por qetësinë e prishi goli i Diego Kostas në minutën e 43-të, që mjaftoi për t’i dhënë suksesin minimal skuadrës së tij.
Ky ishte goli i 13-të i sulmuesit spanjoll në këtë edicion në Angli, ndërsa ndihmoi të sigurojë fitoren e 11-të radhazi për klubin e tij. Londinezët barazuan këtë seri rekord për klubin, regjistruar për herë të parë në shtator 2009. Ndërkaq, Antonio Konte bëhet trajneri i parë, i cili fiton 14 nga 17 ndeshjet e para në kampionatin anglez të futbollit.
Murinjo zbulon sekretin e formës së Ibrës

Zlatan Ibrahimoviç provoi edhe një herë të mërkurën se mosha është vetëm një numër kur shënoi dhe asistoi dy golat e Mançester Junajtid në fitoren në “Selhurst Park”. Është 35 vjeç dhe po ecën ende fort në karrierë. Kristal Palasin e gjunjëzoi dy minuta nga fundi dhe për Junajtid janë 3 pikë më tepër dhe fitorja e dytë në Premier Ligë në harkun e 4 ditëve. “Djajtë” kanë 8 pikë më shumë në klasifikim falë golave të tij këtë sezon.
Për të shënuar 14 golat, suedezit i janë dashur 24 ndeshje me Junajtid, ndërkohë që 6 prej këtyre golave i ka shënuar në po kaq ndeshje të fundit. Golat e tij i kanë dhuruar pikë skuadrës së Murinjos edhe në ndeshjet ndaj Hull Sitit, Sauthemptonit, Uest Hemit, Evertonit dhe Suonsit. Prandaj nuk ka dyshime përse në këtë moshë ai ka qenë titullar në çdo ndeshje të Premier Ligës në të cilën ka qenë i disponueshëm.
Ish-sulmuesi i PSG-së po tregon se është një i mbinatyrshëm fizikisht, kjo përveç vullnetit të tij personal, edhe për meritë të trajnerit. Zhoze Murinjo e ka menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer deri tani, duke i ofruar veteranit pushime më të zgjatura gjatë pushimeve ndërkombëtare.
“Unë e njihja karakterin e tij, sepse në këtë moshë mendoj se është karakteri, personaliteti dhe pasioni ai që vendos. Cilësinë ai e ka. Unë e dija që ai mund ta bënte këtë që po bën këtu me shumë pasion. I thashë se Anglia nuk është vendi më i mirë për pushime dhe se kur një djalë i pasur me një karrierë fenomenale dëshiron të bëjë pushime, ai nuk vjen në Angli. Ti vjen në Angli nëse dëshiron të jesh pjesë e kampionatit më të vështirë në botë dhe nëse do që t’i tregosh vetes se çfarë mund të bësh. Pra, vendimi i tij për të ardhur në Premier Ligë bazohet te kjo gjë.
Prandaj jam i kënaqur, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për gola, por për golat e tij, rolin e liderit dhe motivimin. Unë jam shumë i gëzuar”, tha Murinjo pas ndeshjes për njeriun e arteve marciale që mori edhe trajner personal fitnesi me vete dhe frymëzohet duke dëgjuar muzikë “rege” për të treguar se është më i miri në aventurën e fundit europiane në karrierë.
Fitore me Arsenalin
Pep Guardiola nuk i trembet aspak Arsenalit. Në konferencën për shtyp në vigjilje të supersfidës së javës së 17-të të Premier Leagues angleze, trajneri i Manchester City, edhe pse thuri elozhe për kolegun e tij Arsene Wenger nënvizoi se Citiziens i kanë të gjithë mundësitë për t’i mposhtur Topçinjtë pavarësisht se në 6 ndeshjet e fundit nuk kanë fituar ndaj tyre.
“Nëse ne luajmë mirë jam i sigurtë që ata do të mbrohen gjithë kohës. Për momentin futbollistët e mi janë pak dembelë dhe nuk jemi ende ajo skuadër e fortë që presin të gjithë. Arsenali në krahun tjetër ka kualitete dhe duhet vlerësuar. Jam përballur disa herë me Arsene Wenger-in kur kam qenë në drejtimin e Barcelonës dhe Bayernit dhe kam shumë respekt për të si trajner. Por kjo ndeshje është një tjetër histori. Arsenali di të mbrohet mirë dhe kundërsulmon rrezikshëm kështu që për ne nuk do të jetë një ndeshje aspak e thjeshtë”.
Më pas Guardiola u ndal të fliste për dy individë të skuadrës së tij, mesfushorin nga Bregu i Fildishtë, Yaya Toure dhe turko-gjermanin Ilkay Gundogan, i cili së fundmi ka pësuar një dëmtim të rëndë.
“Më vjen shumë keq për Ilkay-in. Do të jetë një mungesë e rëndësishme për ne. Ai është një futbollist shumë i pafat, por futbolli i tillë është dhe nuk i shmangesh dot dëmtimeve. Yaya Toure? Është i madh, është mirë fizikisht. Toure ka shumë personalitet. Është një lojtar i fortë dhe me shumë cilësi. Në këtë moment kemi nevojë për një si ai në mesfushë”.
Të dielën në orën 17:00 në “Stadiumin Etihad” do të zhvillohet dueli i javës në Premier League, takim ku ekipi i Arsenalit do të bëjë çmos për të ruajtur ndaj Manchester City-t ecurinë pozitive në përballjet ndërmjet tyre, që në fakt zgjat prej plot 6 ndeshjesh. Një sfidë tepër e veçantë për fansat e këtyre dy klubeve, për vetë rrethanat, sidoqoftë trajneri i Topçinjve, Arsene Wenger mundohet t’i thjeshtojë gjërat, duke shpjeguar pak a shumë atë çfarë nevojitet për të bërë mirë në një ndeshje të tillë.
“Ndeshje të mëdha me City-n? Duhet që të mbrojmë mirë, që të gjithë së bashku dhe të mos kemi ndrojtje, çdo herë që kemi topin, duke u përpjekur për të sulmuar, sepse kjo është filozofia jonë dhe mbi të gjitha është pikërisht gjëja që nevojitet në një ndeshje të tillë, megjithatë nuk duhet të harrojmë gjithashtu që City është një skuadër tepër e fortë kur luan në sulm, ndoshta akoma më shumë tani me Guardiolën, kështu që duhet të jemi të përqendruar për t’u mbrojtur sa më mirë”, u shpreh Wenger.
Berisha, në historinë e futbollit australian
Besart Berisha shkruan emrin e vet me germa të arta në historinë e futbollit australian. Sulmuesi shqiptar barazoi rekordin e Archie Thompsonit si shënuesi më i mirë në kontinentin e largët.
Berisha dje i dha Melburn Viktorit fitoren 2-1 në derbin ndaj Sitit, me golin e 90-të për të që prej transferimit në Australi më 2011-n. Një arritje e jashtëzakonshme kjo për 31-vjeçarin nga Prishtina, duke pasur parasysh që arrin një legjendë si Tompson në gjysmën e kohës së këtij të fundit. 38-vjeçari i shënoi 90 golat e tij në dhjetë sezone, kurse Berisha në vetëm pesë. Me këtë gol Berisha ka hyrë në histori të futbollit australian, duke u bërë golashënuesi më i mirë në histori me 90 gola. Aq sa Berisha ka legjenda Archie Thompson, por kosovarit i janë dashur 74 ndeshje më pak për të arritur këtë shifër.
1 mijë talente të skeduar
Nga vëzhgimet e talenteve dhe shifrat mbresëlënëse të projektit për të seleksionuar lojtarë të rinj në të gjithë Europën deri te ëndrra që të bëhet trajner. Drejtori teknik i ekipeve kombëtare, Paolo Tramexani rrëfen planet e së tashmes dhe objektivat e së ardhmes.
Vëzhgimet nëpër Europë: “Le të themi që po bëjmë një punë mjaft të rëndësishme, tek e cila presidenti Armand Duka dhe e gjithë Federata besuan. Për rrjedhojë ndihemi të shpërblyer, që mund të vëzhgojmë të gjithë djemtë shqiptarë, të cilët jetojnë në Europë dhe janë vërtet të shumtë. Kjo realizohet nëpërmjet një rrjeti zbuluesish, persona të cilët jetojnë në emigrim, por edhe nëpërmjet një kërkimi që kryejmë ne në mënyrë direkte. Në këtë mënyrë arrijmë të monitorojmë shumë të rinj, do të thoja qindra lojtarë në të gjithë Europën”.
Risi në seleksionime: “Në të ardhmen kemi programuar të zhvillojmë grumbullime edhe në shtete ku më parë seleksionimet nuk ishin realizuar në mënyrë direkte. Bëhet fjalë për Belgjikën, Austrinë dhe Gjermaninë, por edhe vendet e Europës Veriore, ku përfshihen edhe Danimarka e Suedia, por edhe në Turqi. Arsyeja që na shtyn ta kryejmë këtë punë, është se ne e cilësojmë të rëndësishme që t’i ndjekim lojtarët prej moshës së vogël, kur janë ende fëmijë. Në fakt jemi gati që të inaugurojmë edhe kombëtaren e 15-vjeçarëve, e cila mungonte në organizimin tonë. Besoj se është e rëndësishme, që kjo rrugë të përshkrohet me ndihmën e të gjithëve, duke nisur nga kombëtarja e madhe dhe deri te më të vegjëlit, duke përfshirë në këto seleksionime edhe trajnerët e të gjitha skuadrave kombëtare. Kjo është mundësia që të vëzhgojmë, të unifikojmë edhe programin, të shohim të njëjtat aspekte te të rinjtë, duke bërë që kërkimi të ketë si synim një lloj të caktuar lojtari. Cilësitë e para që shohim dhe vlerësojmë janë aspekti teknik, tekniko-individual, vizioni i lojës, shpejtësia e të menduarit dhe shpejtësia me topin në këmbë. Mendojmë se këto janë aspekte të rëndësishme dhe që lojtarët tanë, mbi të gjitha të rinjtë, të cilët janë edhe më të talentuar, i kanë në mënyrë natyrale. Është e qartë, që ndoshta ata që janë rritur jashtë vendit, ndryshe nga të rinjtë që jetojnë në Shqipëri, mund të ketë eksperiencën e një shkolle tjetër. Në Itali u evidentua që kemi fëmijë, të cilët prej moshës së vogël, janë mjaft të përgatitur edhe në aspektin taktik, duke marrë shembull nga kultura e futbollit italian. Kjo na e lehtëson punën edhe për të ardhmen. Kemi vëzhguar gjithashtu fëmijë të moshës 12-13-vjeçare dhe është kënaqësi të shohësh që në skuadrat e akademitë e Juventusit, Milanit, Romës, Interit, Lazio-s, Fiorentinës, Empolit, Atalantës, Parmës, Sasuolos e kështu me radhë, pra në të gjitha skuadrat e klubeve të rëndësishme luajnë fëmijë shqiptarë. Mendoj që kjo është një arsye për të qenë krenarë. Ne duhet t’i ndjekim, t’u qëndrojmë pranë, në mënyrë që këta të rinj ta ndjejnë se ndodhemi aty dhe t’u bëjmë të kuptojnë, që e ardhmja varet nga ata”.
Skedimi i të rinjve: “Për ne është e rëndësishme t’i ndjekim dhe t’i monitorojmë të gjithë. Vendosëm se mënyra më e lehtë për ta realizuar është të plotësojmë një program të personalizuar për secilin lojtar. Si për ata që ndjekim, ashtu edhe ata që seleksionojmë, të vetëdijshëm se mbi të gjitha, te të rinjtë shohim talentin aktual, por edhe atë që mund të jetë talent i perspektivës. Në aspektin organizativ, e cilësojmë shumë të rëndësishëm menaxhimin e të gjitha të dhënave që dalin nga seleksionimet dhe nga vëzhgimi i këtyre fëmijëve. Si të atyre që seleksionohen, e që sipas nesh në këto momente janë më të avancuar në krahasim me të tjerët, por edhe lojtarë që aktualisht kanë një nivel paksa më të ulët. Vlerësimi duhet të jetë kompleks, duhet të mbahet parasysh që çdo fëmijë ka një zhvillim të veçantë fizik, teknik, taktik dhe në zgjidhjen e situatave të lojës. Do të vazhdojmë t’i monitorojmë dhe t’i ndjekim në kohë, duke u kujdesur për të gjithë aspektet, nëpërmjet një skede vlerësimi. Këto skeda janë teknike, taktike, fizike, koordinative, por janë edhe emocionale. E rëndësishme është edhe puna e përgatitësit atletik të ekipit të parë, Alberto Belle. Ai kryen teste njësoj si me kombëtaren A: me GPS dhe kompjuter, për të matur elasticitetin muskulor, gjendjen fizike, kohën e shpërthimit dhe mbi të gjitha shpejtësinë me topin në këmbë”.
1,000 lojtarë nën vëzhgim: “Mendoj që në momentin kur të përfundojmë edhe seleksionimet në vendet që thashë më parë, pra Turqi, Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjikë dhe Austri, duke përfshirë edhe ato që kemi bërë në Itali, Zvicër, Shqipëri dhe Greqi do ta kalojmë shifrën e 1,000 fëmijëve”.
Dokumenti, Rama-Tahiri mbrojtën 8 muaj Balilin
Partia Demokratike akuzoi dje Ramën dhe Tahirin për mos arrestimin e Klement Balilit, ndonëse ndaj tij kishte një urdhër arresti ndërkombëtar që më datën 17 maj të këtij viti. Në një deklaratë për mediat, kreu i Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, publikoi dokumentin e urdhër arrestit dhe tha se, “Eskobari i Ballkanit” është mbrojtur për 8 muaj nga Rama dhe Tahiri.
“Sot, është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë kronologjia e çështjes së Klement Balilit, ku rezulton se Eskobari i Ballkanit, siç u cilësua nga CNN, është shpallur në kërkim ndërkombëtar që në datën 17 maj të këtij viti. Prej kësaj date, prej 17 majit, Saimir Tahiri ka qenë nën detyrimin për ta ndaluar Klement Balilin, për të zbatuar urdhërin e kërkimit ndërkombëtar për veprën penale “krijim dhe drejtim të organizatës kriminale”, pa pritur më asnjë procedurë tjetër”, u shpreh Alibeaj.
Më tej, Alibeaj tha se u bënë 8 muaj që Rama dhe Tahiri refuzojnë të zbatojnë urdhërin për arrestimin e Klement Balilit. “Ja ku është publikimi i Ministrisë së Drejtësisë, e gjeni në faqen e saj zyrtare. Kjo është një dëshmi se Saimir Tahiri dhe Edi Rama, kanë mbrojtur Klement Balilin prej 8 muajsh. Nesër bëhen saktësisht 8 muaj, që Saimir Tahiri dhe Edi Rama refuzojnë të zbatojnë urdhërin për arrestimin e Klement Balilit”, deklaroi Alibeaj.
Alibeaj tha më tej se, kjo pra është lidhja e qeverisë me krimin, ky është inkriminimi në nivelet më të paimagjinueshme. “Kjo është dëshmia që Edi Rama nuk shkëputet nga krimi, nuk zbaton dekriminalizimin që e kërkon edhe Europa si kusht për procesin e integrimit. Kjo është mbrojtja e drogës, e trafikantëve, e karteleve”, tha ai.
Alibeaj deklaroi se Partia Demokratike e ka denoncuar Balilin që ditën që Rama e emëroi shefin e transportit të jugut, ndonëse ai ishte arrestuar gjatë qeverisjes së PD për trafik droge. “Ne e kemi denoncuar qysh ditën që Edi Rama e emëroi Klement Balilin shefin e transportit të jugut, si emërimin e një personi me të shkuar kriminale, të arrestuar në flagrancë me 750 kilogram drogë. Por, Edi Rama jo vetëm nuk reagoi pas këtij denoncimi, por edhe kur vjen kërkesa për arrestimin e tij, nga gjysma e policive të Europës, nuk e zbaton dhe e mbron atë deri në fund. Ja pra kush është rreshtuar me krimin, me drogën, me trafikantët, kundër shqiptarëve, kundër interesave të vendit”, përfundoi Alibeaj.
Si Tahiri e mori në mbrojtje Balilin
Megjithëse vetë qeveria, pra Ministria e Drejtësisë, publikoi dje dokumentin e lëshimit të urdhër arrestit që më datën 17 maj për arrestimin e Klement Balilin, por ai nuk u arrestua nga policia, Tahiri doli disa orë më vonë për t’u vetëmbrojtur për këtë skandal të rëndë, duke akuzuar Partinë Demokratike si “fajtore” për mos arrestimin e “Eskobarit të Ballakanit”. Policia jo vetëm që nuk e arrestoi, ndonëse “Eskobari i Ballkanit” shfaqej publikisht në lokale e dasma, madje bënte xhiro me jaht në shoqërinë e efektivëve të policisë në Sarandë, por Ministria e Tahirit e mori në mbrojtje Balilin, duke përgënjeshtruar lajmet e mediave se, ai ishte kreu i një organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Në fillim të majit, Policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane kreu një operacion masiv, duke konfiskuar më shumë se 1 ton marijuanë të trafikuar nga banda e Balilit, ndërsa Rama dhe Tahiri e morën në mbrojtje Balilin.
Balili ishte arrestuar për trafik droge në kohën e qeverisë demokratike, ndërsa shefi i Tahirit, Rama e emëroi drejtor të Transportit Rrugor në Sarandë, për ta patur më të lehtë trafikun e drogës në vendet e Bashkimit Europian.
Urdhëri i Interpolit për arrestimin e Balilit që më 17 maj
Ministria e Drejtësisë publikoi dje kronologjinë e korrespondencës shkresore të këtij dikasteri për dosjen ‘Balili’, ku saktëson se letër-porosia për arrestimin e Balilit kishte ardhur që më 17 maj nga Interpol Athina. Përmes kësaj kronologjie, Ministria e Drejtësisë sqaron gjithë opinionin publik mbi veprimet e shpejta mbi këtë çështje.
Lista nis në datën 11 maj, kur Gjykata e Krimeve të Rënda kërkoi dërgimin e letër-porosisë autoriteteve greke. 6 ditë më pas, në datën 17, Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës njoftoi Ministrinë e Drejtësisë dhe vuri në dijeni Prokurorinë e Përgjithshme “Mbi shpalljen në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Athina”, të Klement Balilit.
Me marrjen e kërkesës nga Interpoli, në të njëjtën ditë, Ministria e Drejtësisë i përcolli Prokurorisë së Përgjithshme dokumentacionin e ardhur nga Interpol Tirana, për të vepruar lidhur me marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet greke.
Autoritetet shqiptare u vunë në lëvizje vetëm pas reagimit të ambasadorit amerikan për dështimin e policisë dhe drejtësisë në arrestimin e Klement Balilit.
Sipas Manjanit, e njëjta letërporosi e ardhur nga Krimet e Rënda i është ridërguar Greqisë në datën 25 maj. Për këtë, ministria sqaron se nga data 25 maj e deri më datën 14 nëntor 2016, nuk ka asnjë letërkëmbim tjetër mbi këtë çështje.
Më 14 nëntor, Krimet e Rënda kanë dërguar kopjen e materialit në total 10 fashikuj me 1700 faqe në gjuhën greke, për t’u përkthyer në gjuhën shqipe.
Menjëherë, Ministria e Drejtësisë ka shpërndarë materialin për përkthim fillimisht në 10 përkthyes të gjuhës greke, por për shkak të urgjencës, për përkthimin u angazhuan 15 përkthyes.
Materiali i përkthyer, me shkresën e Ministrisë së Drejtësisë ju dërgua Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, duke vënë në dijeni dhe Prokurorinë e Përgjithshme në datën 6 dhjetor.
Rexhep POLISI
Mediat gjermane: Viti i kanabizimit të Shqipërisë
Deutche WELLE
Një rrugë e pashtruar, ende e mbushur me pellgje nga shiu i fundit të çon drejt ca barakave në afërsi të qytetit Rrëshen. Po bie muzgu. Errësira është mbuloja e duhur që ish-punëtorët e kanabisit të flasin. Ato duket se ende kanë frikë, pas aksionit të fundit policor të para pak javëve, kur policia me një aksion të befasishëm e paralizoi të ashtuquajturin laboratorin e drogës në afërsi të qytetit Rrëshen. 4,2 tonë drogë pastrohej, thahej dhe paketohej në pularinë e dikurshme, fare pak kilometra larg qendrës së qytetit Rrëshen.
Mira dhe Rita (emrat e ndryshuar) ishin të papuna, para se të fillonin punën tek kjo magazinë për pak më shumë se 10 euro në ditë. “Më besoni ose jo, ne e bëmë për bukën e gojës për fëmijët”, ankohet Mira, një grua rreth të 50-ve me flokë të prera shumë shkurt. Ajo është e zemëruar: Për ata atje lart, që nuk e çajnë kokën për të varfërit, për policët, “që fitojnë më shumë se ne”, për bosët e drogës. “Na u tha që ishte sherebelë”, betohet ajo, duke shtuar se nuk e dinte, që po thante kanabis.
Të punësohesh në industrinë e kanabisit?
Ndërsa Rita një bjonde e re, rrëfen se ishte gëzuar shumë fillimisht që kishte gjetur më në fund punë. Ajo përkëdhel vajzën 5-vjeçare. “Nuk dija gjë, të betohem, deri sa pashë policinë brenda”, shton ajo. Mund të kesh ndoshta dyshime për atë, se këto dy gra nuk dinin gjë se punonin në një magazinë kanabisi, por jo për gëzimin për punën e gjetur. Mjafton një vështrim në shtëpinë e tyre për ta kuptuar këtë: Brenda çatia pikon, ngrohje nuk ka, jashtë radhiten kapulët me plehra.
Megjithë premtimet patetike, qeveria shqiptare nuk i ka dalë të zbusë varfërinë e shtresave të thjeshta në Shqipëri në këto vite. Papunësia është e lartë, ndërsa ndihma ekonomike për familjet në nevojë shumë e ulët: 75 euro për familje në muaj. A është kjo një ndër arsyet pse fermerë në vështirësi dhe të papunë vendosin të kthehen në kultivues të kanabisit?
Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha shikon tek përhapja e mbjelljes së kanabisit ndër të tjera edhe një problem social. “E vërteta është se mijëra shqiptarë nuk kanë alternativë tjetër, sepse mungojnë masat ekonomike dhe sociale të qeverisë, sidomos për zonat rurale. Njerëzit janë para alternativës, bukë për fëmijët ose drogën. Për fat të keq, shumë kanë zgjedhur alternativën e dytë”.
Më shumë se 2,5 milionë rrënjë të shkatërruara në 2016-ën
Duket një pazar i lehtë për bosët e drogës të gjejnë punëtorë për tharje, paketim apo për mbjelljen e kanabisit. Në magazinën e drogës pranë Rrëshenit punonin të ardhur edhe nga qytete të tjera. Sipas burimeve të “Deutsche Welles”, nëse një kultivues kanabisi arrin ta shpëtojë parcelën nga kontrollet e policisë, e shet kilogramin për rreth 200 euro. Në Europë pastaj çmimet rriten. Shpesh droga mbillet në zona malore, disa kultivues madje kanë zhvilluar sisteme ujitjeje, e i ruajnë parcelat me armë.
Droga nuk është një fenomen i ri. Edhe më parë, Shqipëria njihte Lazaratin, apo zonën e Malësisë së Shkodrës si zona ku mbillej drogë, por viti 2016 mund të quhet viti i kanabisit në Shqipëri për shkak të masivizimit në të gjithë vendin. Sipas Policisë së Shtetit, janë shkatërruar më shumë se 2,5 milionë rrënjë, 5204 parcela janë identifikuar me ndihmën e palës italiane. Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Altin Qato, e kundërshton perceptimin se situata ka dalë jashtë kontrollit. “Ky është një numër më i madh se viti i kaluar, kjo ka krijuar një kontekst, sikur situata mund të ketë dalë jashtë kontrollit. Ne e argumentojmë këtë me një organizim më të mirë të policisë për kontrollin e territorit, duke rritur numrin e forcave të policisë, të aktivizuar për të goditur këtë aktivitet, kemi rritur bashkëpunimin me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, sidomos me qeverinë italiane”.
Por opozita e akuzon qeverinë se kanabisi lulëzoi këtë vit edhe për një arsye tjetër. Sipas saj, ekziston një aleancë e disa segmenteve shtetërorë me kriminalitetin e organizuar. “Nuk ka shqiptar që të besojë se kjo mund të ndodhte pa implikimin e segmenteve të politikës, policisë. Ka pasur investigime të medias, që tregojnë se si segmente të policisë janë të domosdoshëm për të garantuar kultivimin, e trafikimin e kanabisit e se kjo ndodh me mbështetje e mbrojtje politike nga lart”, thotë kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Hije mbi segmente të policisë
Gazetari Elvis Nabolli, kryeredaktor i televizonit “Rozafa” në Shkodër, i saponderuar me Çmimin e Ekselencës për Gazetari Investigative nga platforma BIRN, ka hulumtuar gjatë mbi fenomenin e kanabisit në Shqipëri. Sipas të dhënave të tij, mbjellja e kanabisit është një lojë e rrezikshme për fermerët e thjeshtë, por jo për bosët e saj.”Kam pasur biseda me persona të lidhur me këtë industri, duhet të theksohet se kjo industri kontrollohet nga njerëz të fuqishëm, me lidhje të konsiderueshme me përfaqësues të shtetit, duke nisur nga policë të thjeshtë, deri tek shefa që kanë lidhje me hallka në shtet”.
Por drejtori në Policinë e Shtetit, Altin Qato, nuk i pranon hijet që hidhen mbi policinë, që sipas tij ka punuar këtë vit më shumë se kurdoherë tjetër. “Kemi hasur edhe raste, kur elementë të veçantë kanë bashkëpunim, por ky nuk është fenomen. Ne nuk e shmangim përgjegjësinë e punonjësve të policisë, ka punonjës të veçantë, të implikuar në këtë aktivitet, por ne kundërshtojmë se nuk është si fenomen”.
Sa raste të identifikuara ka për implikim të policëve? Drejtori Altin Qato thotë për “Deutsche Wellen” se “për momentin që flasim kemi rreth 40 procedime penale të punonjësve të policisë, 8 prej tyre janë të arrestuar, janë rreth 43 procedime displinore që sipas informacioneve tona, ata nuk kanë vepruar”.
Ndërkohë dimri ka mbërritur edhe në Shqipëri. Kjo do të thotë, se nuk raportohet më për shkatërrim të parcelave të kanabisit, por më shumë për konfiskimin e drogës. “Të vjelat” kërkojnë rrugëdaljen përmes Adriatikut drejt Italisë, e shtigjeve tokësore drejt Malit të Zi e Serbisë për të kaluar pastaj në Europë. Shqipëria po kthehet në një “Kolumbi” të Europës, akuzon opozita. Por lajme të tilla nuk u interesojnë edhe aq shumë dy punëtoreve të kanabisit, Ritës dhe Mirës. Ato duan të sigurojnë bukën e fëmijëve. “Po qe se do të kishim prapë një shans të tillë, ne prapë do të shkonim”, thonë ato. Në Shqipëri luftohet për mbijetesë.
Lindita ARAPI
Shkarkohet vegla e Ramës në EURALIUS, BE e ndëshkon për manipulimin
Është ndërprerë në mes mandati i Shefit të Misionit të Bashkimit Europian “EURALIUS”, Rainer Deville.
Televizioni “Klan” mësoi se në mbledhjen e sotme të këtij misioni është vendosur që në vend të tij të komandohet Zëvendës – shefja e Misionit, austriakja Agnez Gergard.
Largimi i Deville vjen pas akuzave të opozitës për përkthimin e qëllimshëm gabim të Ligjit të Vetting-ut, të dorëzuar në Komisionin e Venecias. Sipas opozitës, kjo u bë për të ndikuar në opinionin e Komisionit të Venecias. Ende nuk ka një reagim të zyrës së Komsionit Europian në Tiranë në lidhje me këtë ndërprerje në mes të mandatit të Deville, i cili ishte në varësi direkt e të saj. Vetëm pak ditë më parë kur lajmi se Deville ishte pezulluar nga Brukseli u hodh poshtë nga zyra e Komisoinit Europian. Zyra sqaronte se, Deville nuk ishte shkarkuar, por se ishte me pushime. Duket se pushimet paskqan qëlluar mjaft të gjatë të Deville. Ajo që rezulton është se mediat paskan pasur të drejtë, ndërsa zyra e Ramës rezulton të ketë gënjyer sërish shqiptarët. Po përse u largua Deville dhe a është kjo një përgjegjësi vetëm e tij? Kjo nuk dihet nëse do të ketë një përgjigje të saktë. Ajo që mund të thuhet është fakti se, Deville në detyrën që kishte ushtronte detyren e tij nën mbikëqyrjen e zyrës së Komisionit Europian në Tiranë. Zyra e Vlahutin tha se përgjegjësi kryesor në këmbimin e dokumentave dhe përkthimeve janë zyrat e institucioneve shqiptare, por nuk sqaroi se kush e kishte gabuar në përkthim.